-Kosova shpërblen për medaljen e parë olimpike- Xhudistes së artë Majlinda Kelmendi i janë ndarë 100 mijë euro, trajnerit Driton Kuka 50 mijë, xhudistes Nora Gjakova 5 mijë euro/PRISHTINË, 19 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kosova shpërbleu sot sportisten që i solli medaljen e parë olimpike dhe ate të artë, si dhe trajnerin e saj.Në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ministri Kujtim Shala u ka ndarë shpërblimet shtetërore kampiones olimpike në xhudo në kategorinë 52 kg, Majlinda Kelmendit, dhe trajnerit të saj, Driton Kuka, për medaljen e parë të artë historike që i sollën Republikës së Kosovës. Po ashtu, ministri i ka ndarë shpërblim dhe Nora Gjakovës, për përmbushje të normës olimpike.
Shpërblimet janë ndarë në bazë të rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulmore në garat ndërkombëtare dhe Majlinda Kelmendit i janë ndarë 100 mijë euro, trajnerit Kuka 50 mijë, xhudistes Gjakova 5 mijë euro për normë olimpike.
Ministri Shala u shpreh se ky është një rast historik sepse po ndahet për herë të parë një shpërblim për medalje të artë olimpike për shtetin e Kosovës, duke shtuar se do të vazhdojë të punojë bashkë me federatën e xhudos duke e ndihmuar por duke mos ndërhyrë asnjëherë në punë të organizimit. “Ceremonia dhe çmimet që merrni sot janë meritë e juaja dhe asnjë obligim i yni. Shpresoj dhe besoj qe ky vullnet është shpresa e sportit të Kosovës”, tha ministri.
Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, shprehu falënderimin e saj për përkrahjen e ministrisë dhe të tërë popullit të Kosovës, duke premtuar që kjo medalje nuk është e vetmja por që do të sjellë edhe medalje tjera për Kosovën. Gjithashtu, xhudistja Kelmendi, mori mirënjohje edhe nga nënkryetari i Ulqinit.
Të dielën e kaluar, institucionet e shtetit të Kosovës i organizuan pritje zyrtare Majlinda Kelmendit, e cila u kthye nga Olimpiada “Rio 2016” në Brazil me medaljen e artë që e kishte fituar një javë më parë, të dielën e 7 gusht 2016, që është një datë historike për sportin kosovar.