Shkruajnë:Arjan Kallço, Jorida Dhëmbi/
Nëse e ke patriotizmin në gjak, do të thotë se e do shumë vendin tënd dhe kjo ndjenjë shoqërohet me vullnetin që t’i shërbesh atij. Kjo është një nga shprehjet që do t’i shkonte përshtat çdo njeriu pavarësisht vendit ku jeton, racës apo gjinisë. A është vjetëruar koncepti i patriotizmit në kohët moderne? A duhet futur në një kuti dhe të lihet mënjanë bashkë me historinë dhe duhet trajtuar vetëm për të shkuarën? Një gjë është e sigurtë se në këtë shekull historia nuk është më ajo e 100 viteve më parë, por duhet mbajtur parasysh se tani kombi, atdheu dhe patriotizmi marrin më shumë natyrë relative, përballë absolutes drejt së cilës ne po përpiqemi të shkojmë: Europës. Gjithësesi patriotizmi nuk vdes, por rinovohet bashkë me gjithë jetën dhe historinë e sotme dhe merr ato forma që nuk janë një lloj revanshizmi në kohët moderne, por një tolerancë se i përkasim një identiteti tërësisht europian. Prandaj jemi dakord me Stevensonin kur thotë se Patriotizmi nuk është një shpërthim i shkurtër dhe frenetik i emocioneve, por përkushtim i lehtë, i qëndrueshëm dhe i qetë gjatë gjithë jetës.
Kaloi një shekull nga 10 dhjetori 1916 kur patriotë të mëdhenj e shpallën Korçën krahinë autonome dhe nderi i ngritjes së flamurit i takoi Themistokli Gërmenjit, pjesë e asaj plejade të shquar të rilindasve që luftoi, siç është zakon të thuhet, me pushkë e penë për mëmëdhenë, për pavarësinë e Shqipërisë, derisa kulmoi me aktin më sublim të saktificës, me jetën e vet. Në kuadrin e veprimtarive të shumta të organizuara në qytetin e Korçës, në një bashkëpunim institucionesh vendore dhe qendrore, vlen të përmendet konferenca shkencore e zhvilluar sot në Universitetin Fan S. Noli me temë: “Njëqind vjet nga vetëqeverimi i Korçës”. Si asnjëherë institucionet më të larta të shkencës sonë u mblodhen për të hedhur dritë mbi historinë e kësaj ngjarje të shquar të historisë sonë: Akademia e Shkencave, Qendra e Studimeve Albanologjike, Universiteti i Korcës me pjesëmarrje edhe ndërkombëtare nga Franca, Maqedonia dhe Kosova. Por lind nevoja që kjo ndërmarrje të bashkërendohet edhe në të ardhmen dhe të mbahet një qëndrim shkencor, jo vetëm autonomisë së Korçës, por edhe për gjarjet e tjera të historisë sonë – theskoi në përshëndetjen e saj Floresha Dado.
Të flasësh për këtë ngjarje të rëndësishme historike, do të thotë të marrësh në konsideratë gjithë njerëzit që me patriotizmin e tyre u bënë mbështetës të vendosur dhe mbrojtës vetmohues të saj. Por, gjithashtu, do të thotë të marrësh në konsideratë dhe atë grup patriotësh me në krye Gërmenjin që ishte drejtuesi dhe ideatori i vetë aktit të guximshëm të autonomisë. Me të drejtë ai është quajtur atdhetar i flaktë, rilindas fisnik, drejtuesi kryesor i Republikës së Korçës, edhe pse duhet theksuar se kjo autonimi ishte e mbrojtur nga francezët në vitet 1916-1918, me ndërhyrjen dhe ndërmjetësinë e Raul Vinetit, ushtarak që ishte martuar me një vajzë korçare. Për të gjithë këta patriotë patriotizmi duket se shkon në unison me mendimin e një mendimtari tjetër të shquar botëror kur thekson se e vetmja forcë dhe e vetmja e vërtetë e kësaj jete është dashuria. Patriotizmi nuk është (nuk duhet të jetë, a.d.v) veç dashuri, miqësi që nuk janë veçse dashuri.
Themistokli Gërmenji shfaqi dhe një herë aftësitë e tij si burrë i vërtetë shteti, si diplomat vizionar, pasi ishte dhe frymëzuesi i gjithë organizimit të structures, e përfaqësuar në administratën e saj. Bashkë me 14 emrat e komisionit mori edhe gjithë peshën për mbarvajtjen e jetës politike dhe shoqërore të krahinës. Mes emrave të shquar mund të përmendim atdhetarët : Llambro Mborjen, Rafail Adhamin, Nikolla Vangjelin, Shaqir Shabanin, Tefik Rushitin, Hysen Dishnicën etj.
E keqja e shqiptarëve janë vetë shqiptarët – do të na vinte ndërmend kjo fjali për të treguar se përçarja është faktori kryesor që në shekuj na është dashur të mbetemi gjithmonë kafshatë e fuqive dhe fqinjve. Më 9 nëntor 1917 një skuadër pushkatarësh francezë, në një kospiracion të gërshetuar qarqesh, zbrazën mbi Gërmenjin plumbin e tradhtisë, duke ia dorëzuar përfundimisht emrin e tij historisë së Shqipërisë, së Korçës dhe gjithë krahinës së saj. Do të mbeten lapidare fjalët e tij para pushkatimit:
“Të më pushkatoni me gjoksin para dhe jo në shpinë / skuadrës së pushkatimit t’i jap unë vetë urdhërin për zjarr / të mos m’i lidhni sytë” – ishin këto tri dëshirat e tij para se të vdiste i akuzuar padrejtëisht se nuk kishte besë.
E shkurtër si vetë pavarësia e vendit më 1912, kjo krahinë ishte një ngjarje e madhe pas saj që tregoi dhe një herë se kur bashkohen forcat patriotike shqiptare arrijnë të flasin me një gjuhë dhe realizojnë me urtësi detyra që vetë historia shtroi para tyre. Kjo autonomi, edhe pse e përkohshme dhe jo me të drejta të plota, solli disa ndryshime që rizgjoi ëndrrën e popullit shqiptar për liri e pavarësi, progres ekonomik dhe shoqëror dhe mbrojtje nga synime grabitqare shoviniste.
Por cila ishte jehona e kësaj ngjarje madhore në shtypin e kohës? Në disa gazeta të atyre viteve të nxjerra nga arkivat me këtë rast, mjaft t’u hedhësh një sy titujve dhe do të shohësh sesa vëmendje merr autonomia e një krahine, e shprehur me fjalët vetëqeverim. Gazeta Adriatik e datës 11 dhjetor 1916 shkruan në faqen kryesore : Vetë Qeverim i Shqipërisë :
“Dje u mblodhë njëerëzia, sipas lajmës që u dha, në shkollën të Shën Gjergjit që më orën 9 gjër në 11 qenë mbledhur në shkollën. Më orë 11…vjen Themistokliu si kur se dhe gjithë parësia e Korcës. Një shumicë mjaft e madhe ishte mbledhur si kur edhe ruga e gjërëishte plot dhe përpara prefekturës ishin radhitur ushtria franceze. Populli nuk dinte shkaknë e mbledhjes dhe po prisnin me padurim hapjen e mbledhjes”
Po e njëjta gazetë një ditë më vonë 12 dhjetor 1916 shkruan: Nderim ne kolloneli Descoins dhe lavdin ne Franca
“Gazeta Adriatik me gaz të math bëhet përgjigjës i popullit Korçës dhe kazasë së saj që të dëftenjë njojtiet e mirësisë ne kolloneli komandar z. Decuen i cili dëften me të vërtetë shënjën e Francës “liri, vëllazëri dhe njëihësi” dyke marrë masa të forta për të sjellë në këtë vent dashurinë në të gjithë kombëtarët, vëllazërinë e qetësinë, se intrigat, të përndarat, zënka dhe të tjera e kishin sielë këtë vent në një fatkeqësië të madhe”.
Në një gazetë tjetër shkruhet titulli : Korcha madhestore edhe Franca liberale.
“ Per se dyti here ungrit Flamuri madheshtor ne Korche, si dhe reth chargut Korches. O’ ch lumteri, o ‘sa gezim, i math per ate popull fatkeq qe vojti vitra me radhegjithe idherimetnga nje komp katilqe nuk ngopet me gjak Shqipetari…O popull trim I Korches merni ere liri te paqme, sallutoni Francen liberalle e qyteteruar e cila kur do here eshte perpjekur per chlirimin e kombeve vegjel”.
Dhe në fund disa vargje të gazetës Adriatiku, datë 15 dhjetor 1916, me siglën P.K, kujtojmë se letërsia e kohës ishte mbështetëse e plotë e patriotizmit dhe e ngjarjeve të një llojë rilindjeje të përkohëshme, ku lexojmë:
Flamuri q’ ungrit në Korcë
Prite shqipen me dy krerë
Me flamurin që valon
Ardhi dita dhe një herë
Për mi Korcën fluturon
Me të gjithë anët përpiqet
Armikët po i dëbon
Si dragua po vërtitet
Kur i zë i copëton.