KUDRET ISAJ/
Prof Eugène Pittard dhe kontributi i tij në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919 si dhe në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë në vitin 1920.
Cili ishte Eugène Pittard? Prof. Eugène Pittard përpos faktit që ishte një shkencëtar i shquar zviceran, një princ i antropologjisë dhe i etnografisë së qytetit të Gjenevës, ai ishte gjithashtu një humanist me dimension europian, i cili shkroi dhe botoi vepra të rëndësishme shkencore për Alma Mater-in e tij Gjenevën si dhe për vende të tjera përfshirë këtu në mënyrë të veçantë Shqipërinë duke e merituar plotësisht vendin e tij në panteonin e nderit të kombit shqiptar së bashku me bashkëshorten e tij Hélène Pittard(Dufour) e njohur me pseudonimin Noëlle Roger. Do të hedhim një vështrim të shpejtë të aktivitetit diplomatik dhe politik të Prof Eugène Pittard në lidhje me Shqipërinë. Në janar të vitit 1919, në kutinë postare të Pittard-ëve në rrugën Cottages 36 në Gjenevë mbërrin një letër nga Ambasada amerikane në Paris e nënshkruar nga ambasadori i saj fuqiplotë Hugh Campbell Wallace. Prof Eugène Pittard ftohej të bëhej pjesë e stafit të këshilltarëve të Presidentit amerikan Woodrow Wilson, i cili do të merrte pjesë në konferencën e paqes në Paris. Gjatë ditëve të konferencës, Prof Eugène Pittard pati një bashkëpunim të ngushtë dhe të ndërsjelltë me kolonelin amerikan Edward Mandell House, këshilltar i Presidentit amerikan Woodrow Wilson si dhe me George Herron-in. Ky i fundit ishte një pastor protestant amerikan, i diplomuar në fakultetin teologjik, shkrimtar dhe publicist. Kur George Herron-i banonte në Gjenevë në vitin 1919, ai i kishte përcjellë Presidentit amerikan Woodrow Wilson një kërkesë të Këshillit të Madh të Gjenevës, sipas së cilit, ky Këshill propozonte që selia e Lidhjes së Kombeve të vendosej në Gjenevë. George Herron-i ishte ngarkuar nga qarqet më të larta të Uashingtonit si negociator i posaçëm për zgjidhjen e çështjeve me karakter diplomatik. Ai mbante prej vitesh korrespondencë të rregullt me Dr. Gjergj Adamidin në Gjenevë në lidhje me kauzën shqiptare. Kujtojmë këtu që në vitin 1918, Dr Gjergj Adamidi i kishte dërguar një telegraf dhe një promemorie nga Gjeneva, Presidentit amerikan Woodrow Wilson. Në këtë promemorie, ai i paraqiste burrështetasit të shquar amerikan disa meditime dhe vëzhgime që kishte shkruar mbi afërsinë etnike midis shqiptarëve dhe skocezëve, duke njohur faktin që parardhësit e Presidentit amerikan rridhnin nga Skocia.
Gjatë zhvillimit të punimeve të konferencës së paqes në pallatin e Versajës si dhe në hotelin Crillon ku qëndronte Presidenti amerikan Woodrow Wilson dhe këshilltarët e tij, Prof Eugène Pittard bisedoi me presidentin amerikan në lidhje me statusin e papërcaktuar të Shqipërisë si dhe për rreziqet që i kanoseshin asaj nga fqinjët në jug dhe në veri të vendit. Për fat të keq datën e këtij takimi nuk kemi mundur ta përcaktojmë, megjithatë kemi të njohur një datë tjetër, datën 4 korrik 1918 kur Fan Noli si përfaqësues i federatës shqiptare Vatra të Boston-it bisedoi për Shqipërinë me Presidentin amerikan Woodrow Wilson në malin Vernon ku ndodhet varri i Xhorxh Uashingtonit. Shqipëria në konferencën e paqes në Paris u përfaqësua me disa dërgata : dërgata e qeverisë shqiptare, dërgata e kryesuar nga Esad pashë Toptani, në cilësinë e kryetarit të vetëshpallur të qeverisë shqiptare, dërgata e kolonisë së shqiptarëve të Amerikës ku merrte pjesë Charles Telfort Ericksoni dhe Parashqevi Qiriazi, dërgata e kolonisë së Stambollit, dërgata e kolonisë së Bukureshtit. Prof Eugène Pittard në artikullin e tij me titull : «Kujtime në orën e çajit» shkruar në vitin 1950 dhe botuar disa vite më pas nga Muzeu Etnografik i Gjenevës, kujton se në një bashkëbisedim që ka patur gjatë zhvillimit të konferencës së paqes me këshilltarët amerikanë, ju ka propozuar atyre idenë për riformimin e shtetit shqiptar. Këshilltarët e presidentit amerikan jo vetëm që e mbështetën këtë ide por i shtruan profesorit të antropologjisë në Universitetin e Gjenevës pyetjen e mëposhtme: Përse Zvicra nuk e merr Shqipërinë nën mbrojtjen dhe mandatin e saj ?
Prof Eugène Pittard i entuziazmuar nga mbështetja e këshilltarëve amerikanë niset pa humbur kohë në Bernë për të takuar dhe për të biseduar kokë më kokë me zotin Gustave Ador, i cili në vitin 1919 ushtronte funksionet e Presidentit të Konfederatës Zvicerane. Kur Gustave Ador ushtronte funksionet e Presidentit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të kuq në Gjenevë i kishte mbetur në kujtesë letra e misionarit protestant amerikan Charles Telfort Erickson dërguar nga Elbasani në vitin 1912 mbi gjendjen e mjeruar që ekzistonte në Shqipëri. Nisur nga faktet tronditëse që përmbante letra në fjalë, Gustave Ador ia dërgon këtë letër kryeredaktorit të gazetës Journal de Genève, i cili do ta botonte atë në datën 23 nëntor 1912 me titullin : «Për shqiptarët». Gustave Ador e priti prof Eugène Pittard-in në zyrën e tij në fillim të vitit 1919 dhe e refuzoi kategorikisht propozimin për vënien e Shqipërisë nën mandatin e Konfederatës Zvicerane për shkak se ky hap do të krijonte precedente të paparishikuara në fushën diplomatike.
Prof Eugène Pittard së bashku me bashkëshorten e tij Hélène, e njohur me pseudonimin Noëlle Roger i kishte njohur për herë të parë shqiptarët në Dobruzha të Rumanisë në vitin 1902 kur nisi shtegtimet e tij të para antropologjike. Ndërsa Shqipërinë ata e kishin njohur nëpërmjet Shkodrës, të cilën e kishin vizituar në korrik të vitit 1910, gjatë një udhëtimi që kishin kryer në disa vende të Ballkanit. Ndonëse pas vitit 1910, Prof Eugène Pittard e pati të pamundur të kthehej përsëri në Shqipëri, duhet pohuar që ai e kishte gjetur një pjesë të Shqipërisë në Gjenevë, në Lozanë dhe në disa qytete të tjera zvicerane duke u njohur dhe lidhur miqësi me Midhat Frashërin, Mihal Turtullin, Gjergj Adamidin, Pandeli Calen, Sotir Kolean, Hilmi Këlcyrën dhe të tjerë patriotë shqiptarë. Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë në 17 dhjetor 1920 është një nga aktet më madhore të historisë së Shqipërisë pas shpalljes së pavarësisë nga Ismail Qemali në Vlorë në 28 nëntor të vitit 1912. Pas një lufte të gjatë dhe të parreshtur diplomatike që bënë Lord Robert Cecil, delegat i Afrikës së Jugut, Lord Arthur Balfour, president i qeverisë britanike, Paul Hyman, kryetar i Asamblesë së Lidhjes së Kombeve, Herbert Albert Laurens Fisher, përfaqësues i qeverisë britanike, Eric Drummond, sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve, Newton Wesley Rowell, përfaqësues i qeverisë kanadeze, Justin Godart, Edith Durham, Eugène Pittard, Aubrey Herbert, Elisabeth Carnavon, Nicolae Iorga e të tjerë miq të devotshëm të shqiptarëve, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve me 35 vota pro dhe 7 abstenime.
Fan Noli, kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, u ul për herë të parë legjitimisht në emër të popullit shqiptar, në emër të Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare në të njëjtën tryezë me burrështetasit e Fuqive të Mëdha. Po atë ditë fatlume dhe historike për fatet e Shqipërisë në 17 dhjetor të vitit 1920, Prof Eugène Pittard do të botonte në gazetën «La Suisse» artikullin me titull : «Për Shqipërinë» Kryeministri shqiptar Pandeli Evangjeli në vjeshtën e vitit 1920 i dërgon një telegram frengjisht Fan Nolit, kryetarit të delegacionit shqiptar në Gjenevë, në të cilin shkruan : «Falenderimet më të mira. Stop. Vazhdoni me kolegët misionin duke ndjekur udhëzimet e mëparshme. Stop. Zotërinjtë Hil Mosi, Sotir Coleas, duke qenë të emëruar anëtarë të delegacionit shqiptar në Paris, luten të fillojnë të ushtrojnë detyrën e tyre. Miratojmë emërimin e zotit Eugène Pittard si këshilltar». Duhet të saktësojmë këtu që Dr. Gjergj Adamidi bënte pjesë gjithashtu në delegacionin shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Në 16 dhjetor 1920, një nga poetët më të shquar zviceranë, gjenevasi Henry Spiess do të botonte në gazetën «Journal de Genève» me një dedikas për mikun e tij shqiptar Arif Dinon, poezinë me titull : «Përtej Asamblesë, Shqipëria».
Duke qenë e pandarë mish e shpirt me bashkëshortin e saj, Hélène Pittard e njohur me pseudonimin Noëlle Roger nuk kishte si të heshtte për këtë ditë të madhe historike për fatet e Shqipërisë dhe në 31 dhjetor të vitit 1920 do të botonte në revistën L’Illustration artikullin me titull : «Pas Asamblesë së Gjenevës». Me propozim të kryeministrit shqiptar Iljaz Vrioni, Këshilli i Naltë i Shtetit Shqiptar i përbërë nga Aqif Elbasani, Dr. Mihal Turtulli, Abdi Toptani dhe imzot Luigj Bumçi do ta emëronte Prof Eugène Pittard-in në datën 29 janar të vitit 1921 konsull i përgjithshëm nderi i shtetit shqiptar në Gjenevë. Për këtë qëllim qeveria shqiptare hapi një zyrë përfaqësimi në Gjenevë(AQSH, v.1921, F.149, D.I-307). Nga gushti deri në tetor të vitit 1921, Prof Eugène Pittard së bashku me bashkëshorten e tij Hélène Pittard(Noëlle Roger) kreu një udhëtim njohës dhe udhëpërshkrues në Shqipëri(AQSH, v.1921, F.152, D. 166 : F.273, v.1921, D.48). Në datën 9 nëntor 1921, Prof Eugène Pittard i dërgoi një kërkesë për takim sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, zotit Eric Drummond për t’a vënë në dijeni për hyrjen e trupave ushtarake jugosllave në krahinën e Dibrës, veprim që binte në kundërshtim të plotë me vendimet e konferencës së Londrës së vitit 1913. A nuk përshfaqet me këtë gjest human zëri i ndërgjegjes së një diplomati, të një shkencëtari dhe të një intelektuali të shquar zviceran për t’i paraqitur Këshillit të Lidhjes së Kombeve të vërtetën lakuriqe në lidhje me situatën alarmante në Shqipëri me statusin e një dëshmitari okular për gjithçka dëgjoi dhe për gjithçka pa me sytë e tij gjatë vizitës në këtë vend !
Pikërisht atë ditë, në datën 9 nëntor të vitit 1921 në Paris u mblodh Konferenca e Ambasadorëve me pjesëmarrjen e Anglisë, Francës, Italisë dhe Japonisë, e cila e rinjohu dhe e sanksionoi Shqipërinë si shtet i pavarur dhe sovran në kufijtë e përcaktuar ndërkombëtarisht në vitin 1913. Duke përvijuar kontributin diplomatik të Prof Eugène Pittard dhe kontributin e tij si konsull i përgjithshëm nderi i shtetit shqiptar në Gjenevë do të kapërcejmë pak në kohë dhe do të ndalemi në fund të viteve 30-të dhe në fillim të viteve 40-të të shekullit të XX-të. Në vitin 1937, Mbretëria shqiptare festoi në Tiranë 25 vjetorin e vetëqeverimit të Shqipërisë, në të cilin morën pjesë shumë personalitete të huaja ndërkombëtare, përfshirë këtu, Norbert Joklin, Amelie von Godin, Charles Telfort Ericksonin, Egon von Berger-Waldenegg-un, Leo Frendlich-in, August Ritter von Kral-in, Armin Aern-in dhe të tjerë. Me rastin e festimeve të 25 vjetorit të vetëqeverimit të Shqipërisë në vitin 1937, zëvëndëskonsulli i Mbretërisë Shqiptare në Gjenevë, Thoma Luarasi i dërgon një letër komisionit të posaçëm të ngritur me këtë rast duke bashkëngjitur një biografi dhe një foto të Eugène Pittard-it. Prof Eugène Pittard me bashkëshorten e tij Hélène Pittard(Noëlle Roger) ishin të ftuar në këto festime, por nuk mundën të merrnin pjesë për shkak të angazhimeve në Gjenevë. Po botojmë një fragment nga kjo letër e shkruar nga Thoma Luarasi, të cilën e kemi gjetur në arkivin e shtetit në Tiranë : «…kam ndër mend t’ju bëj të ditur se z.Prof Eugène Pittard është i vetmi i huaj në juridiksionin e kësaj Përfaqësie Mbretnore, i cili ka prurë shërbime mjaft të mëdha Atdheut tonë(AQSH, v.1937, F.170, D.23).
Konsulli i nderit i Mbretërisë Shqiptare në Bernë në vitin 1937, i ngarkuar për çështjet tregtare ka qënë noteri zviceran Armin Aern, i cili e ushtroi këtë funksion nga viti 1935 deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste në vitin 1939. Në vitin 1937, Armin Aern-i i dërgon një letër komisionit të posaçëm të vetëqeverimit në Tiranë duke bashkëngjitur një biografi dhe një foto të Dom Lazër Shantojës. Po citojmë një fragment nga kjo letër, të cilën e kemi gjetur në arkivin e shtetit në Tiranë. «…që nga fundi i vitit 1927 ndodhet në Zvicër. Gjysëm viti qe kapelan në Kështjellën Shënandegg pranë Menzingen dhe gjysëm viti vikar gjerman në Biel. Ka pesë vjet që është famullitar në La Motte në juran e Bernës. Eshtë përkthyes i klerikëve gjermanë në gjuhën shqipe. Ka propaganduar dhe bën të njohur Shqipërinë me anë të artikujve të shkruar në gazeta dhe transmeton me Radio. Megjithë se jeton jashtë Atdheut ai është një patriot i flaktë(AQSH,v.1937, F.170, D.23). Duke vënë në spikamë dashurinë e madhe që Shqipëria i blatoi atij dhe bashkëshortes së tij dhe duke ndjerë një borxh moral ndaj saj, Prof Eugène Pittard me iniciativën e tij formoi në Gjenevë në vitin 1945 komitetin Zvicër-Shqipëri. Miku i tij i vjetër francez ministri Justin Godart do të formonte në Paris në vitin 1950 shoqatën e miqësisë Francë-Shqipëri. Komiteti Zvicër-Shqipëri i Gjenevës me president Prof Eugène Pittard-in përbëhej nga figura të njohura intelektuale të qytetit të Gjenevës dhe nga miq të devotshëm të Shqipërisë, të cilët e ushtruan aktivitetin e tyre për disa vite me radhë duke e ndihmuar Shqipërinë nëpërmjet shoqatës së kryqit të kuq zviceran. Ndokush mund të pyesë : C’përshtypje kishte populli në Shqipëri për Eugène dhe Hélène Pittard-in kur lexonin nëpër gazeta artikujt e tyre në mbrojtje të Shqipërisë ?
Si ishte përfytyrimi i popullit për çiftin zviceran nga Gjeneva, të cilët kishin blatuar një zemër shqiptare ? Mund të pohohet pa asnjë mëdyshje që njerëzit e thjeshtë pa grada dhe funksione në Shqipëri e konsideronin Eugène Pittard-in si djalin e tyre deputet në parlamentin zviceran, e konsideronin atë si përfaqësuesin e tyre në qeverinë zvicerane, i cili të gjitha energjitë e tij intelektuale dhe fizike i vuri në shërbim të Shqipërisë. Ndër gazetat më të rëndësishme, gazetarët e të cilave e ndoqën këmba-këmbës Prof Eugène Pittard-in gjatë vizitave që ai kreu në Shqipëri mund të përmendim revistën Agimi, gazetën Shkumini, gazetën Posta e Korçës, gazetën Fjal’ e Lir, gazetën Koha, gazetën Jet’ e Re, gazetën Përparimi. Këtë mision fisnik, gazetarët e apasionuar të organeve të ndryshme të shtypit e kishin kryer me po të njëjtin pathos dhe përkushtim edhe gjatë vizitave të Edith Durhamit dhe të Justin Godart-it në Shqipëri. Eugène Pittard dhe bashkëshortja e tij Hélène nuk erdhën në Shqipëri si dy turistë zviceranë me çanta me çokollata në shpinë dhe me ora roleks në kyçin e dorës për të fotografuar bukuritë e virgjëra ekzotike të maleve shqiptare apo virgjëreshat e përbetuara, burrneshat shqiptare. Gjatë udhëtimeve të çiftit Pittard në Shqipëri, në mitingjet popullore të organizuara me këtë rast, fjalimet e Prof Eugène Pittard janë përkthyer nga frengjishtja në shqip në mënyrë të njëkohshme nga Dervish Hima dhe nga Selahedin Blloshmi, i diplomuar në akademinë ushtarake Saint – Cyr në Francë.
Në fillimet e shekullit të XX-të, ka patur qytetarë shqiptarë që vinin në Zvicër, në Gjenevë, në Lozanë dhe në qytete të tjera për problemet e tyre, për të regjistruar djalin në kolegj, për ta regjistruar në Universitetin e Gjenevës apo për ta regjistruar në Universitetin e Lozanës, për t’i gjetur një familje zvicerane ku të mësonte gjuhën frënge, për t’i gjetur një vend pune. Para shumë vitesh një mik zviceran më ka treguar që në familjen e tij flitej për një shqiptar nga Shqipëria, i cili e kishte vajzën sëmurë dhe e kishte sjellë në Gjenevë për ta shtruar në spital, por spitali nuk e pranonte pa paguar sigurimet shëndetësore që ishin të larta. Pasi u sorollatën disa ditë pa shpresë nëpër rrugët e Gjenevës, dikush ju dha një pusullë me adresën e shtëpisë së Prof Eugène Pittard-it dhe ata me ngurrim dhe ndrojtje trokitën në portën e tij në rrugën Cottages 36. Të nesërmen në mëngjes, Prof Eugène Pittard pagoi sigurimin shëndetësor dhe plotësoi dokumentet që vajza e re nga Shqipëria të shtrohej në spitalin e Gjenevës.
Vijon në publikimin e ardhshëm…