Gjeneral Piro Ahmetaj/
Në pamundësi t’iu përgjigjem emër për emër, dëshiroj që të falënderoj publikisht dhjetëra mijëra kolegë/ushtarakë aktivë, në rezervë dhe pension (brenda dhe jashtë vendit); intelektualë dhe gazetarë të mirënjohur, patriotë të përkushtuar, qytetarë të zakonshëm në gjithë hapësirën kombëtare, si dhe atashetë ushtarake të vendeve të NATO-s në Tiranë, për mesazhet inkurajuese që kam marrë pas konfirmimit në funksionin politik: “Koordinator për Sigurinë Kombëtare dhe marrëdhëniet me NATO në PDSH”!
Me këtë rast, përsëris respektin për mediat në Shqipëri, Kosovë, SHBA, etj., për publikimin edhe në 4 vitet e fundit (vetëm nga kapaciteti i “Ekspertit”, pra pa asnjë funksion zyrtar apo politik), të 10-ra kontributeve, deri dhe mesazhet e fundvitit 2024 nga Uashingtoni, mbi kërcënimet kritike dhe shpresat nga Trump-2 për paqen dhe ardhmërinë Euroatlantike të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshi RSH dhe Kosovës”. Shpresoj nuk jam i panjohur, jo vetëm për gradën madhore “gjeneral” dhe funksionet e larta që kam ushtruar, si zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm, Këshilltar Ushtarak i Presidentit, si dhe themelues i Përfaqësisë Kombëtare në Komandën Supreme të NATO-s, por edhe për vlerësimet strategjike të prezantuara në Bruksel, Kolegjin e NATO-s, Qendrën Marshall dhe 31 vendet e Aleancës. Përtej modestisë, garantoj se sigurisht më është dhënë mundësia, por asgjë nuk më është dhuruar. Përkundrazi, përfshi edhe kjo përgjegjësi politike, janë arritur me përkushtim, integritet dhe përgjegjshmëri. Edhe gjatë 10 viteve të fundit, kam mbështetur publikisht dhe pa paragjykime politike reformat e mbrojtjes, rritjen e buxhetit 2%; përmirësimin e trajtimit të personelit, hapjen e bazës Ajrore të Kuçovës, ngritjen e forcës rezerviste, kontributet për/me Ukrainën etj..
Por, kam bërë edhe oponencë të fortë (me kosto personale/familjare) për të ndalur arrogancën bolshevike; për buxhetin e mbrojtjes (nën 1% të GDP-së deri 2017), për balancimin e pushteteve kushtetuese (rrëzimin e dy ligjeve nga Gj.K (që Presidentin e bënin lolo (siç e kanë katandisur) ndërsa Kryeministrin edhe sharlatan-Komandant edhe Komisar fuqiplotë]; kundër dhuratave si të Sulltanatës për infrastrukturat strategjike, si bazën detare të Sarandës dhe mijëra objekteve ushtarake si dhe kundër punësimeve elektorale në strukturat e mbrojtjes Kombëtare si psh., të ishin ndërmarrja e bonifikimit të Korçës! Thënë këto, garantoj se edhe në angazhimet politike në vijim, do të ulëras edhe më fort për gjithëpërfshirje, konsensus të gjerë, balancim të pushteteve kushtetuese dhe kundër shpërdorimit elektoral të strukturave dhe personelit të Sigurisë Kombëtare (Rendit, Mbrojtjes, Inteligjencës, emergjencave etj.). Po ashtu, do të mbështes pa kompromis reformat, rritjen 3% të GDP-së buxhetit të mbrojtjes deri më 2030, modernizimin e kapaciteteve të sigurisë së jetës, pronës, mirëqenies së qytetarëve si dhe mbrojtjes dhe zhvillimin e interesave kombëtare në rajon dhe Mesdhe. Kështu, edhe nga kjo përgjegjësi politike dhe çdo pozitë shtetërore në vijim, rikonfirmoj zotimin tim ndaj ushtarakëve, punonjësve të Policisë, emergjencave dhe cilido të angazhuar në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, se sakrificat sublime, integriteti spikatur dhe përkushtimi shembullor do të adresohen me dinjitetin që meritojnë në “programin e PDSH 2025- 2033”.
Në vijim, gjeni 3 gjetje dhe 3 mesazhe, që mbeten fokusi i përballjes politike të 11 majit 2025:
Mesazhi nr 1: E çmoj me peshë strategjike dhe i bashkohem shqetësimit legjitim të shumicës së shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit: “Shqipëria 2025 është rrokullisur në krizën më të rëndë të demokracisë prej 1990, shumë më qesharake se bashkimet profesionale që ofroi Ramiz Alia më 1990, fatkeqësisht edhe të ngjashme në mos më cinike, se ajo e Rusisë-Putiniste, Kim-Jongut etj.”. Praktikisht janë përdhosur balancat demokratike të pushteteve (Check & Balance), bashkë me këtë ka rënë Republika Parlamentare e RSH! Në 12 vjet Kuvendi (përveç borderosë për pagat e deputeteve të listave natën) ka zero peshë, pasi asnjë rezolutë, marrëveshje dhe ligj nuk është miratuar me konsensus. Asnjë! Ndërsa për korrupsionin e politikanëve dhe pushtetarëve të lartë, faktet e publikuara nga “dora vetë Tigri/Nr.2 i Organizatës Kriminale” janë ulëritëse, pasi shumica e kusarëve të skalionit të I (2013) ose “skuadrës së qiejve të pastër janë nën prangat e SPAK për grabitjen e 430 milionë eurove nga djegësit, 200 milionë euro nga shëndetësia falas; 400 milionë euro për rrugët e florinjta” si dhe për bandat që urdhërojnë Kryetarin e Madh për renditjen në listat e mavro-deputetëve, emërimin e palo-ministre/ ave dhe sekser-drejtorët e Agjencive Shtetërore, përfshi edhe në Institucionet e Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare. Ndërsa fuqia e (mbi)Pushtetshmit i ka shndërruar institucionet dhe administratën shtetërore, si një ushtri elektorale (200 mijë patronazhiste si dhe bonuse/sheqerka për 740 mijë pensionistë), sikur RSH të ishte Bukina Faso apo Mali. Parë kështu, i bëj thirrje SPAKut për ta hetuar “këtë krim shtetëror me pasoja të rënda mbi pluralizmin, demokracinë, balancat e pushteteve si dhe Sigurinë Kombëtare”! Po ashtu, u bëj thirrje shumë miqësore “elitës me kockë në PS”, që përveçse të kujtojnë (si B.C) me nostalgji kohën kur psh., Nano lobonte të forumet/ata deri për votat e anëtarëve të kryesisë etj., që në vend të statuseve/fotove “kafeneve konfidenciale”, të zgjojnë vetëdijen e përgjegjshmërisë kombëtare për ta ndalur këtë sekt-delikuentësh si dhe për ta ritransformuar Partinë Socialiste, në një institucion politik, që mbart peshë kritike për demokracinë funksionale si dhe ardhmërinë euroatlantike të RSH.
Mesazhi nr 2: E përsëris që edhe aktorët dhe faktorët e opozitës zyrtare i gjej bashkëpërgjegjës jo vetëm për humbjet në 12 vjet, por edhe për demokracinë fasadë dhe shtetin e kapur nga krimi elektoral! Tek e fundit, kurrkush nuk mundet të bëjë triumfalin dhe të krenohemi për “betejat diskretituese për/me bravat, apo dalldisjen e vetëquajturit krye-atlantikas etj.” dhe as me këtë degradim të opozitarizmit. Kështu për të djathtën, ulërin më fort mesazhi atëror i Mit’hat Bej Frashërit: “Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha luftërat, sapo të kenë përfunduar betejat mes vedit”! Për protagonistët e listave si dhe leadership-in e PD-së ripërsëris edhe publikisht këshillën strategjike: “Sa më parë edhe më mirë, do të duhet të dalin nga llogoret e luftës cinike për listat e mbyllura, që fatkeqësisht, por sigurisht do rezultojnë pa fitimtarë”. Për më tepër, na duhet të mblidhemi dhe përulemi para misionit historik dhe përgjegjësisë kombëtare që në 11 maj, pra mbas 100 ditëve, të realizojmë rotacionin e pushtetit që meritojnë mbarë shqiptarët!
Mesazhi nr.3: Përsëris edhe më fort (për këdo të gëzuar apo të mërzitur) se nuk po angazhohem në politikë të bëhem sekser, as pronar, as profet i së vërtetës shteruese se: “kush është djalli, kush engjëlli”, por ngaqë kam vite që kam vendosur për të mos heshtur, po ndaj këtë shqetësim ulëritës për pluralizmin fasadë si dhe demokracisë digjitale (5D). Po ashtu, më duhet të rikonfirmoj edhe publikisht se: “Nuk jam rreshtuar në llogoren opozitare për spaleta ‘Gjenerali’, as për t’u punësuar në krye listës”, por sepse besoj fort në projektin e të djathtës Trampiste, pra “te familja tradicionale, tek atdheu i shenjtëruar, te liria, vota, prona, tregu dhe interesat kombëtare”, si dhe misioni fisnik për ta kthyer RSH në shinat e demokracisë funksionale si gjithë Europa. Mbetem shpresëplotë se fitorja historike e Trump-2 do të inspirojë valë atomike për ta çliruar edhe kombin tonë nga “Deep State, demokracia burokratike dhe interesat e filantropistëve”, që kanë përdhosur aspiratat e 1990 si dhe ende mbeten kërcënim serioz për sigurinë dhe interesat kombëtare.
Në përmbyllje, iu bëj thirrje vëllazërore bashkëqytetarëve (sigurisht edhe emigrantëve), që më 11 maj 2025 është jo radha, por detyrimi dhe misioni i mbarë shqiptarëve për ta çliruar Shqipërinë e pushtuar nga korrupsioni i politikanëve; listat e mavro-deputetëve, kamikaz-ministrave, sekser-drejtorëve të emëruar nga bandat e krimit, të gjithë në rresht si makineri elektorale, në shërbim të të gjithëpushtetshmit, në mos Sulltanit të Madhërishëm!
* Koordinator për Sigurinë Kombëtare dhe marrëdhëniet SHBA/NATO.