FAIK KONICA GJENIU E NDERI I KOMBIT SHQIPTAR/
“ Faik Konica është një enciklopedi ambulante.”/
-Apollinaire/
Shkruan- Agim Xh. Dëshnica*/Boston/
FAIK KONICA DHE KRITIZERËT VOGËLANË/
Në një kohë, kur diktatura po rrokullisej drejt honit, disa kritizerë me grada shkencore, morën përsipër të shkonin më larg. Në librin Historia e Shqipërisë, vëllimi II 1984, shtrembërimi i historisë kaloi çdo kufi, me përcaktime si këto:„përfaqësuesit e rrymës reformiste të lidhur me regjimin e sulltanit synonin të kufizonin Lëvizjen kombëtare vetëm me disa kërkesa kulturore dhe ekonomike. Shprehëse e ideve dhe programi i kësaj rryme ishte revista Albania e Konicës.“ Po kush ishin këta „përfaqësues?“ Në revistën Albania Konica mblodhi rreth vetes poetë e shkrimtarë të talentuar, si Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Çajupi, Fan S. Noli, Asdreni e Filip Shiroka, të njohur në histori si patriotë të lirisë e pavarësisë së atdheut. Kurse në librin „Historia e Letërsisë Shqiptare-1983, gjenden këto rradhë të shoqëruara me shpifje e fyerje: „Faik Konica (1875-1942). Bir i një familjeje të vjetër bejlerësh, kryesisht publicist, ai nisi veprimtarinë letrare me botimin e revistës “Albania” (Bruksel 1897) dhe drejtoi për disa kohë gazetën “Dielli” të emigracionit shqiptar në SHBA, ku e kaloi pjesën më të madhe të jetës. Që në vitin e saj të parë, “Albania” u vu në shërbim të politikës austo-hungareze ndaj Shqipërisë. Politikan i paskrupull, Konica ishte i paqendrueshëm, brutal e agresiv tërë jetën, duke sulmuar me një rast e me një tjetër shumë patriotë përparimtarë, duke u orvatur të diskretitonte qeverinë e parë të Ismail Qemalit, apo të godiste Kongresin e Lushnjës. Pas kundërrevolucionit të vitit 1924, ai u lidh me regjimin e Zogut, u përpoq të dëmtonte pabesisht Nolin me polemika e kërcënimet, apo të përçmonte veprën e Naimit. Shpesh ai paraqiti në mënyrë të tillë të errët pamjen e vendit, sa ushqeu mosbesimin në një të ardhme të përparuar e përgjithësisht në forcën popullore e përparimtare, duke mbrojtur, nga ana tjetër, që në krye të herës, tezën se vetëm paria aristokrate ishte në gjendje të udhëhiqte Shqipërinë, Këto të tëra, të veshura me një petk oksidentalizmi.“
Megjithatë gjithë kjo tymnajë nuk mundi kurrë të mbulonte shkëlqimin e një prej yjeve të botës kulturore e letrare shqiptare, Faik Konicën.
Edhe pas vitit 1990, në disa libra, jeta e vepra e Konicës e rindërtuar po prej atyre duarve, trajtohet kryesisisht nga ana kulturore e letrare.
Po ç’thotë jeta dhe vepra e tij?
LINDJA DHE SHKOLLIMI
Lindja e Faik Konicës më 15 mars 1875, në një familje fisnike shqiptare në Konicë, vendbanim i hershëm shqiptar, pa dyshim ndikoi në edukimin e shtegtimin e tij patriotik, arsimor e kulturor. Mësimet e para i mori në vendlindje, mësimet e mesme në Kolegjin e Jezuitëve në Shkodër e në Liceun Perandorak francez të Gallatës në Stamboll dhe i përfundoi në Francë. Pas tyre ndoqi studimet e larta për filozofi në Dizhon e Paris, Atje, në disa konkurse për hirë të aftësive intelektuale, u nderua me çmime të para. Mandej la Europën e udhëtoi për në Amerikë. Më 1912 u diplomua për letërsi në Universitetin e Harvardit.
Veprimtaria atdhetare.
Historia e vërtetë për Faik Konicën rendit një varg vlerash: atdhetar i madh, politikan, drejtues i lëvizjes patriotike dhe diplomat. Mbi të gjitha ai njihet, si veprimtar në shërbim të kombit, me kryeveprën e vet, revistën Albania, në Bruksel e Londër dhe lidhjet e pandërprera me atdhetarët e mëdhej të Rilindjes Kombëtare, me letra dhe në kuvende.
* Z. Deshnica eshte vatran.(Te plote lexojeni ne Diellin e printuar)
Anton Cefa says
I dashur Agim,
Bere shume mire qe rendite ketu disa nga “vleresimet me njolle te zeze” te trajtimit te personalitetit te Konices, nje nga gjigantet e kulltures dhe te veprimtarise atdhetare. Eshte mire ta dije rinia e sotme
sa e ulet ka qene kritika e se kaluares.
Te uroj shendet dhe cdo gje tjeter te mire, qe vjen mbas tij.
U gezova shume qe te pashe ketu tek “Dielli-online”
Antoni