• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DY DIJETARE POETE NE SHERBIM TE KOMBIT, AT BERNARDIN PALAJ  – AT DONAT KURTI

August 10, 2022 by s p

Nga Agim Xh. Dëshnica

Description: Bernardin Palaj

At Bernardin Palaj            

300px-Donat_Kurti

At Donat Kurti

85 VJET  ME PARE U BOTUA KRYEVEPRA VISARET E KOMBIT- II

Në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare-1983”,  emrat e ndritur e dijetarëve poetë, At  Bernardin Palaj e At Donat Kurti, të njohur qysh në vitet njëzetë për veprat në shërbim të kombit, nuk përmenden askund. Në organet e shtypit, si Bashkimi, Drita, revistat Nëntori e Ylli, botoheshin lavde për njerëz pa vlerë dhe herë pas here shkrime kundër poetëve e dijetarëve françeskanë. Gjithsesi, as fyerjet, as mohimi, as heshtja, nuk mundën ta shuanin dritën e penës së tyre të artë. Ajo shndrinte brenda e jashtë Shqipërisë. Aso kohe, Ernest Koliqi shprehej: “Veprimtarija letrare e Françeskâjve, zbuloi visaret e folklorit t’onë. Bashkë me tê zbuloi edhe shpirtin shqiptar të mshehun nder palët e moçme të folklorit edhe n’at shpírt gjet kriteret me gjikue botën e mbrêndshme dhe të jashtme, jetën shqiptare edhe atê të huejen. Shkolla letrare e Françeskàjvet, shqyrtoi traditat e lashta në prizmin e qytetnis dhe u dha Shqiptarvet këshillin e prèm se ato tradita fisnike, me rràjë të thella indoeuropjane, duheshin mbajtë e ruejtë si nji pasuni e madhe shpirtnore prej së cilës kombit i rridhshin tagre nderimi e çmimi në gjinìn e botës së përparueme.”  Ndërsa At Anton Harapi shkruante: “ Na Françeskajët jemi nji Urdhën për seri: pësojmë, vuejmë e dajmë kashatën e gojës me popull; kapitali ynë âsht jeta e fjeshtë e ndihma e bâmirsavet; po na teproj gjâ, aty bâjmë nji lemoshë, këtu ngrehim nji kishë e meremetojmë nji qelë, vinë të tjerë, e ndër ato rrafshina, vijojnë veprimin; na atëherë dalim e kërkojmë prap tjera  lamije veprimi; pakë na njihet, e shum na shkruhet për mend e për mungesë urtije, por ai themeluesi ynë shi në nji këta gjet e vuni mâ të madhin gëzim,”

            Fillim ngazëllyes-mbarim tragjik.

Nën emrin “Visaret e Kombit” deri më sot njihen 15 vëllime. Botimi i tyre nisi më 1937 në Tiranë me vëllimin “Kangë trimash e kreshnikësh”, mbledhur nga Karl Gurakuqi e Filip Fishta dhe u mbyll më 1944 me vëllimin XV, “Kangë triminije dhe dashunije”, mbledhur nga Mehmet Sheshori. 

Në vargun e artë të këtyre veprave madhore, shkëlqen vëllimi–II, “Kangë Kreshnikësh e legjenda”, botuar më 1937, nga At Bernardin Palaj e At Donat Kurti. Në hyrjen e librit, ata rreshtojnë me nderim nismëtarët, At Shtjefën Gjeçovin. Vinçenc Prennushin e Marin Sirdanin, të cilët, si bletët mblidhnin pasurinë e kulturës së pashkruar shqiptare. Gjithashtu  autorët bënë të ditur lexuesin, se për këtë vëllim bashkëpunuan edhe etërit françekanë, si Nikoll Dajçi, Bernard Llupi, Simonn Mikeli, Lonard Shajakaj e Rrok Gurashi.  

Në mbarim të luftës, kur u fol për paqe e lumturi, botimi i serisë “Visaret e Kombit” u ndërpre trishtueshëm, sepse autorët e saj të ndritur, që punuan me vetmohim për mbledhjen e krijimtarisë së pasur gojore shqiptare, u ndëshkuan rreptë nga regjimi komunist, disa me humbjen e jetës ose të lirisë, të tjerët u ndaluan të vazhdonin më tej. Veprat u ngujuan në arkiva dhe u shpërdoruan nga të tjerët. Për autorët nuk flitej më në mjediset shkencore, një dukuri kjo e ngjashme me një dënim tjetër mizor: mohim i veprës së tyre, duke shkelur rëndë ligjin e shenjtë të autorit. Edhe sot, në disa botime, siç ndodh me  librin “In memoriam, Aleks Buda” 2010, në studimin për rapsoditë e veriut apo eposin e kreshnikëve, emrat e dijetarëve artistë françekanë për çudi nuk shihen kund, kur dihet se mbledhësit e folklorit në botën e kulturës  nderohen si poetë të mëdhej. Kështu në një historizëm të Shaban. Sinanit, në kërkim të klasave, edhe në eposin e kreshnikëve, përmenden emra të viteve shtatëdhjetë, shumica e të cilëve nuk janë marrë me këto punë, ndërsa mbledhësit e studjuesit e lavdishëm, si At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti, ceken shkarazi  vetëm nën emrin “françekanë.” Gjatë leximit pandeh se shkrimi vjen nga koha e luftës së klasave dhe e ndalimit të veprave të mirëfillta kombëtare. Mesa shihet hija e përndjekjes endet edhe sot në mendjen e atyre, që i shërbyen me bindje një kohe të dhunshme.

 At Bernardin Palaj e At Donat Kurti në thesarin e artë, “Visaret e Kombit”, në vëllimin II, “Kangë Kreshnikësh dhe Legjenda.”, lanë trashgim 342 këngë.  Ata  paraqitën në hyrje, edhe një analizë me nivel të lartë shkencor. Japim shkurt një pjesë prej saj: “Lvizja dijtunore-shkruajnë ata- mbi rapsodi, legjenda, prralla popullore filloi ma s’pari, kur vllaznit Grimm botuen Kinder und Hausmaerchen. Prej vjetit 1841 e ktej, me qinda e qinda u mblodhen e u botuen, Maerchen në Germani, Folks-Tales n’Angli, Folventyr në Norvegi, Skazkas në Rusi, Paramythja në Greqi, Fiabe n’Iali, Contes në Francë, Cuentos e Contes në Gadishullin Hiberik e jo vetëm ndër të gjitha viset e Europës, por edhe në n’Azi, n’Afrikë e ndër ma të kthelltat e të rryeshmet krahina t’Amerikës.”

Në krye të rapsodisë “Martesa e Halilit” shihet, edhe ky shënim i tyre: “Kjo rapsodi, e përmbledhun mbas shqyptimit të rapsodve të Curraj, mund të quhet  bashkë me martesën e Mujit e me dekën e djalit të tij Omerit, nji ndër ma të bukurat e ma delikatet, qi kemi shqip, nga ky populli poet, me nji disinvolturë klasike- Sa piktura mandej mbrenda kësaj rapsodije! Sa mendimi i njomë e ç’fuqi gjuhe në përshkrim t’objektavet!.” 

Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar,-2009, të Akademisë së Shkencave, këta poetë dijetarë, përmenden shkurt: “Bernardin Palaj ishte klerik, studjues. Mbledhës i epikës legjendare.” Më tej vijon një percaktim i pasaktë: “Veprimtaria e tij kryesore ishte mbledhja e teksteve të epikës legjendare në v. 1913-1934, të cilën e kurorëzoi me botimin e vëllimit Këngë Kresnikësh dhe Legjenda (1937).” Veçse pak nga pak, e vërteta e fshehur vite me radhë në arkiva, del nëpër  dorëshkrime e librat me poezi e prozë, që trajtojnë tema të kulturës kombëtare. Pra, para lexuesve shfaqet nga errësira, poeti i mohuar e shkencëtari i ndeshkuar më 1947, për veprën atdhetare. Ndërsa për At Donat Kurtin, doktor i shkencave, shkruhet me mungesa të dukshme: “Mbledhës e studjues i folkorit, klerik.” Por nga rreshtimi i veprave të shumta, del në dritë, shkrimtari e studjuesi i gjuhës shqipe. Për At Zef Pllumin, njëri qe“Frati, kangëtari, poeti, folkloristi, shkencëtari, zog i rrallë”, e tjetri “ vjollca e letrave shqipe..” 

                 Meditim per poetët e paharruar

Përfytyroni për pak çaste dy poetët  e rinj, të kthyer në atdhe nga studimet e larta në Austri, Zvicër e Itali, të cilët marrin përsipër barrën e rëndë, si vëllezërit Jackob e Wilhelm Grim, kërkimin e mbledhjen e pasurisë kulturore të pashkruar në Malësinë e Veriut. Në vapë e acar ngjiten maleve përpjetë, ndalen në stane e kulla të mirëpritur nga barinjtë e malësorët bujarë. Atje për nder të miqëve rreth vatrës, rapsodët me zë të thekshëm burrash e me lahutë, ua marrin këngëve për kreshnikët e Jutbinës. Atbotë Bernardini dhe Donati shënojnë në letër fjalët në vargje të kohëve iliriane, për Behurin, Omerin, Zukun, Ajkunën, Rushën, Gjergj Elez Alinë, Mujin e Halilin e Jutbinën, ashtu si dikur poetët klasik, hidhnin në pergamen vargjet e Homerit, për Patroklin e Akilin, Paridin, Hektorin. Helenën e Trojën. Mos vallë bardi i verbër mjekërbardhë, endej në malet tona? Poetët tanë françeskanë krahas këngëve mblidhnin legjendat, përrallat, doket e zakonet. Pasi mbaronin punën prej artistësh, ktheheshin të lumtur në qelën e famullisë dhe së fundi arin e mbledhur, e derdhën në një libër të përbashkët me emrin “ Visaret e Kombiit.”

 Për shkak të viteve të dhunshme, kjo vepër, mjerisht nuk njihet në gjuhët e huaja, sepse përkthyesit  humbën kohën vetëm për kulturën e popujve të tjerë. Nëse një ditë do të lind poeti i madh  përkthyes, bota do të njihet me një vepër tjetër me vlera të rralla artistike, krahas veprave, si Iliada, Odisea, Eneida, Gilgameshi etj

 At Bernardin Palaj               

U lind Shkodër më 1894 në  familjen me tradita atdhetare nga Shllaku i Dukagjinit. Mësimet e para i mori në shkollen e Etërve Françeskanë me drejtor At Gjergj Fishtën, në Shkodër. Pas gjimnazit në Seminarin Françeskan, studjoi në Salzburg për filozofi–teologji, kurse në Insbruck të Austrisë ndoqi leksionet në Fakultetin e letërsisë. At Bernarin Palaj më 15 shtator të vitit 1911, përkiste urdhërit françeskan, ndersa në gusht të vitit 1919 u shugurua meshtar. Ai njihet edhe si famullitar në Dioqezen e Pultit e të Rubikut. 

At Bernardini u shqua në lëtërsinë dhe kulturën  kombëtare, si poet, analist ,  etnograf, muzikant, etj. Për herë të pare më 1920, në revisten Hylli i Dritës, të drejtuar nga At Gjergj Fishta, boton poezi e studime shkencor që u pritën mirë nga lexuesi shqiptar. Palaj, dha mësime për gjuhën shqipe e latine në Liceun Illyricum në Shkodër. Më 1923, bashkëpunon në gazetën “Ora e Maleve” me Gjergj Fishtën, Ndre Mjedjen, Anton Harapin, Vinçenc Prennushin etj.  Bernardin Palaj, u bë  i njohur   edhe me poemat 

 “ Vorri flamurit, “ “ Moskë Alkazar,” “ Prej burgut të jetës ,” Ediela e fundit nëAventi” etj.  Mbi të gjitha Bernardin Palaj, njihet për bashkëpunimin  e shkëlqyer vëllazëror me dijetarin e palodhur Donat Kurtin, në shtegtimet maleve për mbledhjen e këngëve e rapsodive shqiptare gjatë një kohe, që zgjati njëzetë vjet. Tërë ai p֝ërkushtim  e mund poetësh e dijetarësh u kurorëzua me kryevepren “Visaret e Kombit -II”. Ata botuan, edhe studime për doket e zakonet shqiptare. Më 1940  Bernardin Palaj rreth këtyre temave mbajti ligjërata të përkryera në Kongresin e Studimeve Shqiptare dhe në mbledhje të  ndryshme kulturore. Gjatë krijimtarisë së vet, ky dijetar poet përdori edhe anonimet, si Kukel, Lapaj, Konstandinus, Viator.etj.

E gjithë kjo jetë e pasur me krijimtari në sherbim të atdheut, do të shuhej dhimbshëm nga  sundimi komunist pa ligje në vendin tonë. Më 1946, u burgos  e më 8 dhjetor 1947,  u fol se ndërroi jetë nga tetanozi i shkaktuar nga prangat që shtrëngonin duart e arta të atij poeti të paharruar, në  qelitë e Burgut të  Shkodrës. 

 At Donat Kurti

 U lind në Shkodër më 1903. Mësimet e para e të mesme  i kreu në qytetin e lindjes. Pas studimeve në Universitetin “San Antonio” të Romës, më 1927 emërohet mësues. Më 1937 merr gradën Doktor i Shkencave, kurse më 1939 është drejtor i gjimnazit “Illyricum” në Shkodër, deri në vitin 1946. kur u burgos.

Donat Kurti është një nga dijetarët e shquar të kulturës sonë. Prof. Dr. Norbert Jokli e cilësoi si një ndër prozatorët më të mëdhej shqiptarë. Vepra e nisur nga At Shtjefën Gjeçovi u ngrit edhe më lart nga At Donat Kurti në bashkëpunim me At Bernardin Palaj etj. Krahas punës për veprën “Kangë Kreshnikësh e Legjenda”, ai botoi librat “Prralla  Kombëtare” në dy vëllime, “Fëmijë të lumtur”, si edhe studimin “Lojna popullore”.   

Donat Kurti as në burg nuk e ndërpreu punën e lodhshme shkencore. Atje, i ndodhur ndërmjet të burgosurve nga krahina të ndryshme, mblodhi shprehi të gjuhës shqipe dhe përgatiti një fjalor frazeologjik me nivel të lartë shkencor të gjuhës shqipe, me 45000 shprehje të rralla, një për Universitetin e Tiranës, dhe një për vete. Por fjalori i punuar me aq mund, ra në duar plagjatësh. At Donat Kurti deri në fund të jetës më 1983, në Tiranë, i ruajti të gjitha vetitë e burrit  të ndershëm,  i përkushtuar Zotit dhe atdheut.

                                Perfundim.

At Bernadin Palaj e At Donta Kurti, këta mbledhës të palodhur atdhetarë ndër male e këngëve të kreshnikëve, me prirjet e tyre prej poetësh, zbuluan një visar të pasur të poezisë së pashkruar artistike veriore shqiptarë. Sipas tyre rapsodët e kreshnikëve me frymëzimin e tyre poetik, me trajtimin artistik, me vargun e rrjedhshëm e me gjuhën e pastër, krijuan vargje nga më të çmuarat të  poezisë sonë popullore. Ndërkohë me aftësinë prej dijetarësh Palaj e Kurti,  gjatë studimit të gjuhës, sqaruan se emri Halil, do të thotë “i bukur”, ndërsa  Gjergj Elez Alia, sipas mbiemrit do  të thotë, “i lartë, fisnik”, ndërsa me fuqinë e trimërinë legjendare dhe me armët e kreshnikëve, ata përcaktuan kohën e krijimit e cila përkon me kalimin nga ilirishtja te shqipja para dyndjeve sllave, me ndikime të herëshme osmane dhe traditën kulturore shqiptare. Pra, sipas tyre, në epikën heroike vendin qendror e zënë rapsoditë kushtuar kreshnikëve si Muji, Halili e Gjergj Elez Alia, ku zakonisht zhvillohen bëmat me kundërshtarët e tyre, “kralë” e “bajlozë.” 

Me Visaret e Kombit At Bernardin e At Donat Kurti, mundën të plotësonin një nga pjesët e pashkruara  e më të vështira të historisë, të qenies e kulturës  së kombit shqiptar, qysh nga thellësitë e errta të mesjetës. Pra, për tërë këtë veprimtari, gjithmonë në shërbim të kombit shqiptar, regjimi komunist i burgosi të dy këta dijetarë të shkencës albanologjike, me akuza të bazuara mbi një varg të pavërtetash. Prokurorë e gjyqtarë pa kulturë, të cilët u shfaqën me turfullimë pas luftës civile, e akuzuan “armik i popullit“, poetin atdhetar Bernardin Palaj me shërbesa fetare pranë besimtarëve në vise të thella malore. Ndërkohë dijetarin albanolog, Donat Kurtin, i huaj ndaj çdo politike, e akuzuan si “themelues” i një partie të paqenë me emrin “Partia Demokristiane”. Këto i shoqëruan me sajime, siç qenë gjetja e armëve në kishë, vepër tinzare e sigurimit të shtetit, apo shpifja si bashkëpuntorë të revistës “Hyllit të Dritës” në shërbim të pushtimit italian. Para trupit gjykues ata qendruan si burra malësije. Doktor Donat Kurti midis të tjerash u tha: “Nuk kam punue për fashizmin…Prej jush nuk pres kurrnji të mirë, edhe pse deri më sot nuk i kam ba kurrkujt keq. Mue nuk më ban përshtypje as vdekja, as burgu, por më vjen keq se më mbeti puna përgjysë. Të gjithë jetën time, të gjithë talentin tim e kam shkri vetëm për t’i shërbye popullit shqiptar, pa marrë parasyshë sakrificat e privacionet.”

Por shkaku i vërtetë për burgosjen e dy atdhetarëve, lexohet qartë në hyrjen e veprës Kangë Krreshnikësh dhe Legjenda:”Kangët e vjetra, që njifen prej malcorve, nën emnin“kangë kreshnikësh, kangë të moçme, kangë lahute, janë visari ma i çmushmi i gjuhës, shprehja ma e gjalla, e shum ndiesive bujare e përfytyrimit typik i fizionomisë së kombit t’onë.

Mbas nji shqyrtimi të kujdesëshëm vehet re, se ndër kto kangë mshehet ndjesija për pamvarsi, pse gjithkund del në  shesh lufta  e blokut  të fisevet shqiptare Mal i zi-Shqipni kundra Slavit, që  tue kapërcyem Danubin, msyn qëndrën e ktyne fiseve: Jutbinën.”  Ky shkrim i botuar më 1937, binte ndesh rreptas me politikën atdhemohuese  të “bashkim-vëllazërimit” të vitit 1945.

                                            ——-

Japim shkurt dy margaritarë, marrë nga libri Visaret e Kombit: “Gjergj Alez Alia” e ”Martesa e Halilit”, të mbledhura prej tyre ndër lahutarët legjendarë, si bletët lule më lule, nga një mal në tjetrin,  vatër më vatër e stan më stan.

            GJERGJ ALEZ ALIJA *)

Trim mbi trima ay Gjergj Alez Alija!
Qe nand’ vjet, nand’ varra në shtat m’i ka:
Veç nji motër, natë e ditë te kryet;
I a lan varrat me ujt e gurrës nand-vjeçe;
Ia lan varrat me ata lott e syve;
Ia terë gjakun me ata flokët e ballit;
Shtatin vllaut i a shtrëngon m’ruba të nanës,
N’petka t’babës trupin i a hijeshon,
Armët e brezit i a rendon mbi krye.

—————————————-
A dalë zani e paska marrun dhen,

Se ‘i baloz i zi a dalë prej detit.
Trim i prapët e belagji qi ish’ kanë,
I a ki’ qitun dheut nji rreng të randë:
-Tim për tim kah nji dash të pjekun!
-Tim për tim kah nji vashë me i a djergun!
-Ditë me ditë kah nji kreshnik me premun!
-Javë për javë kah njih krahinë me djegun!

Edhe Gjergji rendi te i ka ardhë,
Me lot faqet trimit m’i u kanë mbushë.
Erzi i shpis qysh lshohet n’dorë t’bajlozit?!

————————————————

Braf, në kambë por djali konka çue:
T’e marrsh gjogun, motër, të mejdanit,
Fill n’gjytet me te, motër, të m’bijsh,
Hypi atit, bjeri n’derë nallban-jaranit. **)

E në sheher çika konka ra.

           ————–..

A  shkue motra te nallaban-jarani
“Falë me shndet, thotë, Gjergji të ka çue:

Kam orokun e mejdanit,
Sa ma mirë  ket gjok ti me m’a mbathë!

Thanë m’ka për patkoj prej tumakut; ***)

Me m’i a shti thumbat prej çelikut;
Se do t’dal m’u pre me baloz t’detit!”

Si per vedi gjogun e ka mbathë

Edhe n’pramje çika a dredhë në shpi;
Ka gjetë vllan tu’ e pritë nën hije t’blinit.
Ça kish ba ay trimi Gjergj Alia?
Falë me shndet balozit m’i ka çue:
“Me dalë heret n’at fushën e mejdanit

Çik’ për ty, baloz, nu’ m’ka qillue;
Desht e vathit për ty nu’ m’janë majë;
Sall nji motër, nu’ po muj me lshue,
Varrët e shtatit s’a kush qi m’i lidhë!”
Sa ka nisun drita me zbardhë majet,
N’fushë të mejdanit trimat konkan dalë;

Keq me fjalë trimat shoshojnë po rrekin:
“P’a prej vorrit, Gjergj, ti konke çue…?
Pse me m’qitë, bre burrë, n’ket fushë t’mejdanit?”

Sa mirë trimi i ka përgjegjë balozit:
“Të lumët goja, baloz, mirë po thue!

Pak pa mrrijtë baloz, ti m’ke dredhue:
M’ke lypë motrën para se mejdanin;
M’ke lypë berret para se çobanin;
E jam dredhë n’ket log për me t’kallxue,
Se ne t’parët nji kanu na kan lanë:
Armët me dhanë përpara e mandej gjan!
Kurr balozit motrën mos m’i a dhanë,
Për pa u pre n’at fushën e mejdanit!
Por shtrëngou, baloz, se t’ka ardhë dita,
Se ktu i thonë-o Gjergj Alez Ali!”
E i kan ba dy gjogat tim me tim,
E n’topuz balozi e ka shinue;
N’dy gjujt gjogu Gjergjit te i ka ra;
Përmbi kryet topuzi i ka fjurue;
Dymbëdhetë pash m’ledinë u ngul topuzi;
Dymbëdhetë pash përpjetë si re, u çue pjuhni.
At-herë Gjergjit rendi te ‘i ka ardhë.
Sa mirë trimi n’topuz qi ka dredhë!
Lik përmjet’ balozit te i ka ra;
-A trandë fusha kur a rrxue balozi!-
Me ‘i herë trimi shpatën m’a ka nxjerrun,
Kryet me neje trupit i a ka damun,
Zhag për kambet trupin e ka ngrehun;
Me gjith at m’nji bunar e ka mbytun;
Të tanë lumën gjaku e ka tërzue:
Për tri vjet krejt vendin e ka qelbun.
Qat-herë trimi a nisë me dredhë tu shpija
Edhe shokët të gjith m’i ka bashkue:
—————————————

*Emri në librin  e botuar më 1937 

është: Gjergj Alez Alia.

**Kumbar.

***Hekur i fortë.

     MARTESA E HALILIT 

Lum për ty, o i lumi Zot! 

Fort po shndrit njaj diell e pak po xe’!

Ç’p’ e merr frima rrapin e Jutbinës!

Borë e madhe, qi ka ra,

Randojnë ahat për me u thye;

Ki’n çetinat vetëm kreshtat:

Ushtojnë lugjet prej ortiqesh,

Prej ortiqesh, kah po bijnë ndër gropa.

Janë ra vashat me gja n’lumë,

Kan gjetë lumën tanë ngri akull;

Kan nisë vashat me lypë krojet,

Kan gjetë krojet tanë ngri hej,

Ça kan qitun e kan thanë?

„Kur t’bajë Zoti me e lirue, 

„Gjaja e gjallë, druem, ka mbarue!

 „Po o Zot, ç’janë njata shtegtarë,    

„Veshë e mbathë porsi zotnij?

„Mos janë nis trimat me çetue?  

 „Qi ata qafat kurr s’und i kalojnë!“

 Ka qit Jera edhe u ka thane:

-O nuk janë,  jo krushq darsmorë,

-Se ata paresh rane n’lumë;

-Ka dalë Muji me kreshnikë:

-A thue ndeshet m’ndo’ i  gja malit!-

T’kjofshim falë, o i Madhi Zot, 

Sa shpejt diellin m’a xu reja!

Shpejt m’a endi’ i pëlhurë t’gjanë e t’gjatë!

E i ka veshun majet rreth e rrokull,

 Qi kur janë kapë trimat tu lumi,

Kaq përzi i ka frima pjalm e re,

Askurrnja shoshojnë trimat s’p’e njofin.

 I’n ngri trimat me sharrue;

Por n’breg t’lumit- kulla e Mujit.

T’tanë për darkë Muji i ka ndalë.

Kqyr shka bani Gjeto Basho Muji!       

E ka vu nji barrë dru t’vogël n’zjarm,

Treqind vetë p’r’i herë m’u xe.

At-herë trimi u ka avitë bucelat,

At-herë trimi u ka avitë fuçijat;

-In bucelat plot raki,

In fuçijat plot me venë.-

 Sa shpejt frima burrave u ka ardhë! 

 Sa shpejt gjaku trimave po u xehet!

 Kan marrë llafin e po llafiten;

Kan marrë gazin e po gazmojnë;  

 Kan nisë trimat Mujin p’e pëvetin:

„ N’votër t’ande kem qillue,

 „Mos na ki randë për nji fjalë!

 „Pash  nji Zot, Mujë, qi t’ka dhanë

 „Qysh Halilin s’e martove?        

    ——

Në nderim të këtyre bijëve të kombi shqiptar, shkruesi i këtyre  rradheve, që deshmojnë shumë pak, për veprimtarin e tyre në shërbim të atdheut, u ka kushtuar rreth vitit 1987  këto vargje

     VISARET E KOMBIT 

         martirëve të Kishës Katolike Shqiptare

Një shkëmb,

një kishë, një kryq,

një portë me hark,

kube, altar i thjeshtë e shenjtëri!

Teposhtë, ai Fan i lashtë ndër valë,

prej Ilirie rrjedh, murmuron.

Ai lumë dëshmish me gjak e dhimbje!

Nga shkëmbi vjen kumbim kambane,

jehon në brigje e kulla varg,

kjo thirrje bese e shpirtit tënd!

At Bernardin, At Bernardin,

ngroh në faltore besimtarë,

meshon përunjshëm

për t’lumin Zot e për Krishtlindje,

për shenjtëritë me ruzare,

për Atme e besë!

Kungon me frymë lirie

ferishte, engjëj! *

Kurorëzon çifte,

e për të thinjur

një pleqëri të bardhë uron!

At Bernardin, At Bernardin

tok me At Donatin,

në qelë poetësh, dijetarësh,

ende gjallon ai kandil

dhe pena e artë,

në ato visare

na fton e shndrin!

Bernardin, Bernardin,

tok me Donatin!

Afër sharkisë e lahutarit,

pranë çiftelisë

e rreth valltarëve,

me shtojzovalle e me fatí.

Dëgjoni larg, sokola mali,

 lart  në shkrepa,

 ndër prozhme e kroje,

piskamat hej e ho!

“Janë ra vashat me gja n’lumë,

kanë gjetë lumën tanë ngri n’akull!…

 Nand’ varra Gjergji n’ shtat m’i ka

 shkapet bajlozin e sokëllin…”

At Bernadin e At Donat!

Ku, vallë, prehet kurmi juaj?

Vrastarët jua  prishën shtatin,

shpirtin e bukur, jo kurrë, askund!

Kur djajtë digjen në skëterrë,

shpirti juaj lumnon në Paradis!  

                                        ——————–

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Deshnica

MYSAFIRI I MBRËMJEVE 

July 12, 2022 by s p

C:\Users\Agim\Desktop\Documents\AGU\Agim Xh. Dëshnica.jpg

Agim Xh. Dëhnica

Në një fshat mbi Kuç, pas Qafës së Gomares, jetonte me njerëzit e vet, Hamza Hodo. Megjithëse ishte kohë lufte, të gjithë fshatarët punonin si në paqe, pa u lodhur, qoftë duke mbjellë e korrur,  qoftë duke u marrë me vreshtarinë e bagëtitë. Buka, mishi, si edhe rakia nga rrushi, nuk u mungonin kurrë. Prej rrushit bënin edhe pekmez, rahni e uthull. Nga dhentë e dhitë merrnin qumështin, nxirrnin gjalpë, djathë, dhallë dhe hirë. Nga pulat – vezët.

Hamzai, burrë i mençur e bujar, i priste miqtë me raki, meze e kafe. Mikun e largët e luste të rrinte  për darkë  dhe të flinte  si në shtëpinë e tij. Veçse nuk i shihte me sy të mirë disa, që endeshin kohë pa kohë në dyert e botës, ndaj i pëlqente shprehja e njohur turke: “Një ditë mysafir, dy ditë mysafir, të tretën ngrehu e ik, o qafir!” 

Gjatë dimrit, zjarri në vatrën e Hamzait, me kërçepa lisi, nuk shuhej as ditën e as natën. Darka tek ai shtrohej e pasur, me supë nga lëng mishi, me vezë të fërguara me gjalpë, me pula të pjekura e pilaf, me byrek dhe, në fund, vinte ëmbëlsira me qumësht, mjaltë e fruta.

Siç ndodhte shpesh në ato mbrëmje dhjetori, u dëgjuan në oborr të lehurat e egra të qenve, Balikut e Murros. 

– O Hamza,  lidhur i ke qentë, ore?!

I zoti i shtëpisë doli në çardak, në krye të shkallëve, dhe u përgjigj:

– Hyr, o, hyr, se të lidhur janë!

Dhe nuk doli i gabuar. Ai ishte Qazo Shkoza, nga lagjja e poshtme, tek asnjë pyll me drurë shkoze s’kishte bërë hije ndonjëherë. Gjithë njerëzit e shtëpisë së Qazos merreshin me punë, por atij nuk i zinte vendi vend, as kur priste thëllimi. Bridhte ku t’i shkrepej, por më  shpesh shtyhej si era drejt shtëpisë së Hamza Hodos. I pëlqente ta kalonte  mbrëmjen atje, me tërë ato të mira, që i shtronin para, duke i dhënë muhabet të ëmbël pranë zjarrit.  Megjithatë, thoshte me vete: “Si s’më mbajti një herë për darkë pa më ftuar, xhanëm!” Qazo Shkozës i kujtohej se kur ftohej te Hamzai në raste gëzimi, shqepej me të ngrënë e me të pirë. Ndaj këtë herë e kishte vendosur të mos largohej thatë.

– Mirë se ju gjej! – tha, duke ngjitur shkallët.         

– Urdhëro e  zër vend në qoshe!

– Më ra udha këtej, – ia nisi Qazua, – ndaj mendova të kthehem pak, sa për t’ju pyetur si jeni.

– Mirë se erdhe dhe të faleminderit!

I zoti i shtëpisë i zgjati dorën dhe i hodhi kutinë e duhanit.

– Pardje na kënaqe me atë darkën, që shtrove, or Hamza! Dje kishe prapë miq, më thanë, ndaj s’të erdha dot, po  shkova e u ngula  te Isufi. 

Djali i mesëm pruri në tabaka një shishe me  raki dhe dy gota  qelqi,  meze me mëlçi dashi, djathë dhe bukë të ngrohtë. Qazos iu dukën pak, gjithsesi u kënaq.

– Dimër, hë ? – e mori fjalën i zoti i shtëpisë.

– Dimër, jo llafe!

– Ftohtë jashtë!

– Ftohtë, the!? Të dridhen dhëmbë e dhëmballë! Pa, pa, pa!

Kaloi një kohë e gjatë duke folur për rrojtjen, punën dhe luftën.

Qazos i pëlqente të tregonte histori nga fshati për bëma të pabesueshme të një gruaje, që pinte duhan të dredhur dhe mbante kobure në brez si burrat. Pastaj vazhdonte me mullisin, që marrkësh  drithë nga thasët e fshatarëve më shumë sesa i takonte, ndërsa asaj gruas me kobure ia bluante bereqetin falas. 

Hamzai dëgjonte dhe fliste pak. 

Dikur biseda e tyre ngeci dhe po  tërhiqej zvarrë. Me të mbaruar rakia dhe mezetë, mbërriti pa vonesë kafeja. Ajo do të thoshte se qe bërë vonë dhe mysafiri duhej të ngrihej e të ikte. Kafenë e nxjerrë shpejt, në popull e quajnë “sikterkafe”. 

Biseda mbaroi,  por Qazua as kujtohej ta linte shiltenë prej lëkure dashi. Mendja atij i punonte për darkën, që do të shtrohej më pas. Ndaj dhe u gëzua, kur Hamzai nisi të fliste prapë:

– Jashtë,  siç po e marr vesh nga veshët që me kruhen,  paska për të rënë shi i madh! Njerëzit, që do t’i zërë  udhës, do t’i bëjë qull, po edhe mund t’u kallë plevitin.    

– Ashtu them edhe unë, por neve s’ka ç’na bën! Jemi mirë këtu! Shtëpinë  e ke të ngrohtë ti, Hamza, dhe çatinë të mbuluar me tjegulla të reja. 

Por, Hamzai vazhdoi në të tijën:

– Pas shiut do të rënka breshër i fortë! Njerëzit, duke ecur nëpër të,  është rrezik të rrëshqasin e të thyejnë qafën!  

– Mirë thua, çfarë nuk bën vaki në këtë botë!

– Pas shqotës, do t’ia nisë dëbora, më duket! Dhe do t’u zërë frymën rrugëve, sa as mushkat nuk do t’i çajnë dot. Kush do të gjendet jashtë në ato orë, do të eci duke parë ëndrra. Pastaj do të përplaset mbi dëborë për gjumë dhe së fundi do të ngrijë, do të shkojë në djall, do t’u bëhet kismet ujqëve të babëzitur.

– Ç’e lodh mendjen aq! – qeshi Qazua. – Ne s’na gjen gjë këtu brenda! – Zjarrin e kemi me bollëk! Po të duam, rrimë e gdhijmë me muhabet. 

Ra heshtja përsëri. Dëgjohej herë pas here kërcitja e druve në vatër. Jashtë, qetësinë e natës e prishnin herë – herë të  lehurat e qenve.

– O Qazo!

– Urdhëro, të paça!

– A më ke mik?

– Ç’është ajo fjalë! Mik e shkuar mikut! 

– Kam rënë në një hall, që ta dish zotrote!

– Çfarë halli, thuama!

– Më duhen disa napolona flori, për të blerë nja  dy qe dhe një  lopë! Vras mendjen, kujt t’ia kërkoj!

Qazo Shkoza nuk  u ndie. Pa majtas, u ngrit në këmbë dhe hodhi sytë  në dritare. Jashtë ishte terr. Nuk dukej asgjë.

-Bobo! – ia ktheu. – Mirë the ti, Hamza! Do të rënka shi me gjyma aq sa nuk ka ndodhur kurrë në anët tona! S’është çudi t’ia nisë edhe ndonjë breshër sa një kokër arrë! Po edhe dëborë mund të bjerë, mbase! Mund të mbyllen rrugët për javë të tëra, siç the zotrote. E di ç’ke? A nuk i vëmë qylaf muhabetit tani?  Ika unë!   

– Rri, o Qazo Shkoza, sa ta  mbaroj llafin, të paktën!

– Ika! Ika !  Mbeçi me shëndet!

Jashtë u dëgjuan prapë të lehurat e egërsuara të qenve të lidhur, Djemtë  u turrën t’i qetësonin. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Deshnica

POETI YNË KOMBËTAR AT GJERGJ FISHTA

October 25, 2021 by s p

          Nga Agim Xh. Dëshnica     

Description: Description: Gjergj Fishta

     Në Fishtë të Zadrimës, më 23 tetor 1871, u lind një djalë, i cili, i pagëzuar me emrin Zef, më vonë do të njihej, në botë si Gjergj Fishta, poet kombëtar i shqiptarëve.   Por në atdheun e vet, gjatë diktaturës  disa  nga  profesorët  e letërsisë  e njerëz të letrave, shërbëtorë të regjimit ne fuqi, morën përsipër  të përbaltnin  e të hidhnin poshtë veprën e tij madhore në shërbm të atdheut.  Në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare -1983”, me kryeredaktor Dh. Shuteriqin, larg çdo vlerësimi letrar e artistik, u përdor fjalori politik, fyerja, shpifja,  e mohimi, me këtë përcaktim të mefshtë: “Përfaqësuesi kryesor i klerit  françeskan Gjergj Fishta, poet, publicist , pedagog,  politikan, drejtoi për një kohë të gjatë veprimtarinë kulturore e arsimore të këtij urdhëri. Për të interesat e kishës e të fesë qëndronin mbi interesat e atdheut e të popullit, gjë që ai e shpallte dhe e mbronte me tërë demagogjinë, por edhe me cinizëm dhe e kishte vënë në themel të punës si letrar. Vepra e tij kryesore, poema epike “Lahuta e Malësisë”, propagandonte antisllavizmin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër sundimit osman. Ajo i ngrinte himnin françeskan patriarkalizmit e bajraktarizmit, obskurantizmit fetar e klerikalizmit, dhe spekullonte me ndjenjat patriotike, kur ishte fjala për të ngritur lart ngjarje dhe figura të historisë kombëtare të periudhës së Rilindjes sonë. Veprat e tjetra, si poema satirike “Gomari i Babatasit”, ku u sulmuan me tërbim laicizmi i shkollës dhe idetë demokratike, ishin karakteristikë e luftës së egër që bëri kleri katolik për të ruajtur e për të rritur ndikimin e tij në jetën mendore të vendit. Këtij arti përpiqej t’i shërbente një formë që i qëndronte pranë folklorit. Atë e shoqëronin shpesh proliksiteti, efektet e kërkuara, retorizmi, brutaliteti i shprehjes e i stilit gjer në banalitet, argumentet e tyre false, që orvateshin të imponoheshin me pahir, si dhe një qëndrim i theksuar konservator në lëmin e gjuhës. Fishta i mbaroi ditët si akademik i Italisë fashiste.” 

  Nuk do të mjaftonte ky qëndrim i paturpshëm ndaj Fishtës, as ndalimi barbar i librave të tij, por duhej të dëgjohej edhe zëri i një njeriu të huaj ndaj Shqipërisë me emrin Rexhep Qose. Në librin “Panteoni i rralluar” i vitit 1985, tashmë i vlefshëm vetëm për arkivë, ndofta edhe për kosh, ai shkruan pa iu dridhur dora: “Gjergj Fishta përkundër Naim Frashërit, ka shkruar për pjesën katolike të shqiptarëve, ka folur në emër të tyre dhe dy fjalë më të shpeshta të fjalorit të tij ishin feja dhe atdheu: gjithnjë përpara feja, mandej atdheu. Në zemrën e madhe të Naim Frashërit kishte vend për të gjithë shqiptarët dhe, më në fund, për gjithë njerëzit, kurse në zemrën e vogël të patër Gjergjit-për një pjesë të shqiptarëve, prandaj edhe për një pjesë të njerëzve. Veprat e tij sot shijohen më me vështirësi sesa atëherë kur ishin shkruar, qoftë edhe prej gegëve dhe, mund të besojmë, pas ca dekadash do të përkthehen si ato të De Radës….” 

  Po ashtu gabuan edhe ata, që shkruan se emri  i Gjergj Fishtës pas vitit 1944, u harrua. Përkundrazi, librat e tij mbaheshin si thesar në bibliotekat vetiake, kudo në Shqipëri. Leximi, apo përsëritja përmendësh në rrethe të ngushta, gjallonte më me zell. Edhe në rastet, kur në gazetën „Zëri i Popullit“ botoheshin shkrime zilare e fyese kundër poetit të madh, në shumicën e lexuesve ato zgjonin kundërshtimin e menjëhershëm, ashtu siç nuk miratohej edhe gjykimi qesharak i diktatorit E. Hoxha aty nga viti 1949, kur në një mbledhje të rëndomtë thoshte se “Fishta me satirat e tij nuk pi ujë përpara “Epopesë së Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt.”(?!) 

                    Drita   e së vërtetës  nga autorë vendas e të huaj.  

  Në një kohë, kur Fan S. Noli nëpër ligjërata shprehej: “Fishta është i madh”, Faik Konica shtonte: “Fishta është jo vetëm poet i madh, por edhe intelektual i dorës së parë! Kot së koti përpiqen grekët e sotëm mbi veprën e Fishtës të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se “Lahuta” e Gjergj Fishtës”. Ndërkohë Lasgush Poradeci, do ta quante Fishtën me nderim: “Poeti ynë kombëtar! Shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar!”  Dijetari i shquar Eqrem Çabej, teksa analizon romantizmin tonë, që lidhej me luftën për liri e pavarësi, ndërmjet Jeronim De Radës e Naimi Frashërit, rendit edhe Gjegj Fishtën për fuqinë e vet epike. Krahas tij, Engjëll Sedaj  theksonte se “krahasimi i poezisë epike të Fishtës me poezinë e Naimit bëhet jo vetëm në punimet e veçanta mbi Fishtën, por edhe në punimet e tjera të E. Çabejt, duke përqëndruar vëmendjen më tepër te këta dy poetë sesa në krahasimin ndërmjet Fishtës dhe poetëve të tjerë shqiptarë. Kështu, bie fjala, në punimin e tij, „Romantizmi“, ndonëse nuk shqyrton në veçanti Fishtën, por kryesisht De Radën dhe Naimin, ai e ka krahasuar Naimin dhe Fishtën, duke thënë se “ky epos (Istoria e Skëndërbeut) nuk u bë dot epos kombëtar, se këtë ua fali më vonë shqiptarëve Gjergj Fishta”. Aurel Plasari shkruante: “Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes fizike të Fishtës, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifike të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë.”  Albanologu i njohur Fulvio Cordignano shkruante: “Pakkush kujtoj në letërsi të mbarë botës, ia del At Fishtës si poet satirik. Si i tillë, me një furi të çudishme, ai ther e pret aty ku djeg.” Ndërsa poeti italian me famë botërore Gabriele D’Annunzio thoshte:  “Patër Fishta njihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli, si këtë kemi një të  madh tjetër: Rabindranat Tagora.” 

  Publicistë të ndryshëm  shqiptarë  me shkrimet e tyre kanë berë të ditur lexuesin e gjerë për të vërtetën e jetës e veprës së  Fishtës. Ndër ta janë shquar At Zef Plumi, Salih Kabashi,  Arben Marku, , Fritz Radovani, Pjetër Jaku e shumë të tjerë. Ndërkaq, disa nga profesorët e moshuar, me dijeni të pakta për jetën e veprën e poetit Gjergj Fishta, vijojnë të botojnë e të ribotojnë të ndrequra  studimet e viteve para ’90.  Ndërsa aty – këtu vihet re se disa, të ashtuquajtur prof.dr. botojnë veprat e Fishtës kundër çdo rregulli, duke dëmtuar dhunshëm me ndreqje kundërshkencore ëmbëlsinë e gjuhës dhe ritmin  e vargjeve  të arta të At Gjergj Fishtës, ose dikush tjetër, duke bredhur derë më derë, mbledh letra të mykura ndër vite, pa adresë dhe të përkthyera, pra, të sajuara, i boton me stërhollime për të zbehur dritën e veprës së Fishtës, apo të Nolit të nderuar. Këta tipa keqdashësh me frymëzim tymnaje, notonin  dikur pa shpresë përmes dallgësh në gjurmim të atdhetarëve të mërguar në çaste tragjedish. 

 Ndaj shkrimeve jashtëletrare, sot hedh dritën e së vërtetës  vetë poeti  me veprat e tij. Fishta ishte ndër të parët, që me vargjet e veta qortoi me vendosmëri veset e shoqërisë, apo, si poet i ndiesive atdhetare, u ngriti lavde mbrojtësve të atdheut. 

         Krijimtaria  e botuar e Fishtës

Poezinë e parë Fishta e botoi më 1900 në revistën “Albania” të Konicës. Gjatë gjithë jetës së vet ai u shfaq si poet epik e lirik dhe prozator. Në krijimtarinë e tij të gjithanëshme, përveç poemës epike, „Lahuta e Malsise“, rreshtohen veprat: „Kangë Popullore“, „Vierrsha t’përshpirtshme t’rikthyem”, „Pika voeset, „Anxat e Parnasit“, „Mrizi i Zanave“, „Vallja e Parrizit“, „Shën Françesku i Asizit“  „Gomari i Babatasit„ ,  „Dredhitë e Patukut dhe i Ligu për mend“, „Shna Ndou i Padues“, „Juda Makabe“, „Vllaznija“, „Odisea Ifigjenija n’Aulli“, „Shqyptari i qytetnuem“,  „Shën Luigji”, “Barijt e Betlemit“, „Mojsi Golemi i Dibrës e Deli Cena“, „Jerina ose mbretëresha e luleve“ e  të tjera. Në vëllimin „Mrizi  i  Zanave“, renditet  “Gonzage„  dhe poezia „Nji Lule Vjeshte“,  nga më të dhimbëshmet e më të bukurat  e letërsisë sonë.

Proza e rrjedhshme e Fishtës u shqua me shkrimet polemike – politike, filozofike, letrare dhe estetike në gazeta e revista, veçanërisht në të përmuajshmen  „Hylli i Dritës.“ 

Në vitet e diktaturës, kur ai ndalohej të përmendej në vendlindje, emri i tij i kishte kaluar kufijtë. Në enciklopeditë e botës dallohej me përcaktimin: „At Gjergj Fishta – Poet Kombëtar Shqiptar”, etj… 

             Fishta dhe “Lahuta e Malcis”

Gjatë kohës së diktaturës, sado disa guxuan të fyenin poetin e madh dhe dritën e veprës së tij ta mbulonin me mjegullën e shpifjes, rrezatimi i saj çante terrin: 

“Shkundu pluhnit pra, Shqypni!/ Ngrehe ballin si  mbretneshë!/ 

Pse me djelm, qi ngrof ti,/ Nuk mund t’quhesh, jo, robneshë!.” 

Vargje si këta në vetëdijen e rinisë, mbajtën gjallë ndjenjën e kombit dhe të lirisë, shpresën dhe besimin për shpëtim. Veprat e Fishtës në tërësi, janë thesar për gjuhën tonë. Sipas Maximilian Lambertz-it“vepra e Fishtës, është shtylla kurrizore e Kombit Shqiptar. Aq sa mund të kuptohet Greqia pa Homerin, Italia pa Danten, Gjermania pa Eposin e Nibelungëve, Anglia pa Shekspirin, aq mund të kuptohet edhe Shqipëria pa “Lahutën e Malsisë” të At Gj. Fishtës.” 

    Për At Gjergj Fishtën kanë shkruar Norbert Jokl,  pas tij Gustav Weigand, i cili, përveç punimeve të veçanta, do të përkthente në gjermanisht : “Lahuta e Malcis” von Gjergj Fishta, Balkan Archiv, Leipzig 1925), kurse Lambertz-i po në gjermanisht: “Die Laute des Hochlandes), Verlag R. Oldenbourg, Munchen, 1958. Në italisht, nga Papas Ignazio Parrino: “Il Liuto Della Montagna, Palermo 1968, 1970). Pas shembjes së diktaturës “Lahuta  e Malsisë”, u njoh  në anglisht e përkthyer nga Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck: “The Highland Lute”, London, New York, 2005).

             Fillimi e mbarimi i poemës “Lahuta e Malsisë”

    Fishta poemën e filloi më 1905 me titullin “Lahuta e Malcis”, me këngën  e parë “Cubat” dhe e përfundoi më 1937, me këngën  e tridhjetë “Konferenca e Londonit.”

Në shënimet e veta Fishta, kujton se njëherë gjatë kohës  së pushimeve verore ishte dërguar në katundin Rrapsh të Hotit për të zëvendësuar famullitarin Leonard Gojanin. Në atë vend të qetë u miqësua me një burrë të thyer në moshë, Marash Ucin nga Hoti. Mbrëmjet i kalonin  bashkë. Nga Marashi Fishta dëgjoi  rrëfime nga më të ndryshmet për luftimet e herëshme të malësorëve shqiptarë dhe malazesë, edhe për betejën e rreptë në Urën e Rrzhanicës, ku pati marrë pjesë Marashi vetë.  Fishta vijoi  ta botonte  e ribotonte poemën të zgjeruar më 1912, 1923, 1931 dhe 1933.  Përgatitësi i këtij studimi ruan qysh nga viti  1950,, një libër të vogël  i ribotuar në vitin 1923, me titullin  “Lahuta e Malcis”, vetëm me pesë këngët e para.  Në krye të librit lexohet shkurt, ky shënim nga botuesi:  “Me ket botim shuhen ato të përparshmet, edhe ndalohen të gjitha të drejtat e rishbotimit e të përkthimit.”  

  Lahuta e Malsisë me gjuhën  e pasur nga burimet e veriut, e ngritur në art nga Fishta, u paraqit e plotë në Shkodër në kremtimet  e njëzetepesë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. 

   Poema në vargje tetërrokësh, sado me ngjyrimet e një rapsodie kreshnikësh legjendarë, është  histori  në vargje e luftës për Lirinë e Pavarësinë e Shqipërisë, me heronj të vërtetë, si Ali Pashë Gucia, Dedë Gjo Luli, Oso  Kuka, Marash Uci etj. Befas, në çaste frymëzimi, poeti me sokëllima  kreshnikësh, i drejtohet Zanës së mirë, apo i shqetësuar – Orës së Malit.  Rimat, herë janë të puthura, herë të kryqëzuara. Këngët e krijuara në rini janë më të hovëshme, ndërsa në vijim, afër mbarimit, mendimtare, me shqetësime për fatin e atdheut në prag të lirisë, pas Luftës së Parë e konferencave ndërkombëtare. 

            Pjesë  nga  këngët e Lahutës

Gjatë analizës së krijimtarisë së autorëve të ndryshëm në letërsinë soc-realiste, zakonisht jepeshin citate apo shkurt vetëm disa pjesë. Meqë më lart u përmendën trajtime te zgjatura  armiqësore,  del  e nevojshme që prej kësaj kryevepre epike, me tridhjetë këngë, të zgjidhen të paktën pesë këngë qoftë edhe jo të plota. Atëherë lexuesi i mësuar ndryshe, do të befasohej e mahnitej me gjuhën e pastër shqip  të poetit atdhetar At Gjerg Fishta.  Shembuj shkrimesh në libra të tillë janë të shumtë, një prej tyre,  “Shkrimtarët shqiptarë”- 1942,  në dy vëllime duke filluar  nga Buzuku, ku shkrimtari  i njohur Karl Gurakuqi  paraqet  me imtësi  jetën e  Fishtës vargje  të shumta e të gjata, nga  poema “Lahuta e Malsisë”, nga  poezia lirike, dramat e nga proza.

       “LAHUTA E MALCIS”

           Këngë të zgjedhura.

           C u b a t


Ndihmò, Zot, si m’kè ndihmue! 
Pesëqind vjet kishin kalue 
Çëse të buk’rën ket’ Shqipni 
Turku e mbate në robnì, 
krejt tu’ e là t’mjerën në gjak,     

frymën tue ia xanun njak, 
e as tu’ e lanë, jo, dritë me pà: 
kurr’ të keqen pa ia dà: 
rrihe e mos e lèn me kjà: 
me iu dhimbtë, po, minit n’ murë,            

me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!             
Veç si ‘i dèm, vu n’lavër s’pari, 
qi, ka’ e vret zgjedha e kulari 
kah nuk bàn m’e thekë strumb’llari, 
s’ndigjon me tërhjekun m’pluer:                 

e tue dhanë kryq e tërthuer, 
tu’ i dhanë bulkut shum’ mërzì, 
me u vu s’ ryset për hullì 
e as me shoq ai pendë me shkue: 
kështu Shqiptarët, të cilt’ mësue

s’din’ me ndejë rob nën zgjedhë t’huej, 
pagë e t’dheta me i là kujë, 
por të lirë me shkue ata motin, 
veç mbi vedi tue njohtë Zotin,

………………

          Vranina

Vojti fjala te Çetina:

-Vallë! ç’po ban mi ShkjaVranina!

Vallë! ç‘po ban  Vranina m’Shkje?

rob tue xanë  e gjind tue pre,

tue pre gjind, tue xanë kajduka

qysh se duel njaj Oso Kuka! 

Oso Kuka, ’i  burrë shkodran, 

shoq në Shkodër, thonë, s‘ka lanë

për kah besa e kah trimënia,

qi zanatë i ka Shqipnia.

Kaleshan e sy-përgjakun,

mje m’sylah mustakun:

ushton mali, thonë, kur t’flasë,

dridhet  fusha kah t’vikasë,

e kah t’dredhë të rrebtë taga’n

thue se rr’feja shkrep për anë

kaq vringllim ai shkon  tu’ i dhanë!

……………………

           Marash Uci

Te nji mriz, te nji lejthí
kishin ndodhun tre barí
dy me dhen e nji me dhí,
njani plak e dy të rí:
Marash Uci e t’ bijtë e Calit:
dy djelm t’ lehtë si shpezt e malit.
Marash Uci i Uc Mehmetit,
anë e m’ anë i kisht’ rá detit
kishte pá pronët e Mbretit
çak prej Hotit tue xanë filli
dér ku piqet buka m’ dielli;
pse, sa kje Marashi i rí,
i pat dalë Mbretit n’ ushtrí
me armë n’ dorë, me zjarrm në gjí,
si qi doke asht n’Shqipní.
Burrë i fortë e trim si Zana,
armët i kjenë atij baba e nana:
babë tagani e nanë breshana,
vëllá e motër dý pistolet
dý gjarpnusha prej Stambollet.
Ky kje lypun edhè gjetun,
pat kenë thirrun edhè pëvetun
e n’ kushtrim e n’ gjýq t’ bajrakut,
e ndër pré marrë Karadakut;
e kudo qi i doli prîja
atý i dajti edhè trimnija.
Por, si kripit i rá bora,
e la kamba, e la dora,
edhè i shkrefi armët besnike:
njato armë qi n’kohë jetike
pa’n kenë ndera e Arbënísë kreshnike;
e na doli barí malit,
i shmrijak me t’ bijtë e Calit
prore Mashi djelmëve t’ Hotit
u kallxonte punët e motit,
punët e motit, punë trimënie:
si Shqiptari mbas lirie
e mbas besës e s’ bardhës Fé
bate dekën si me lé;
……………….

     Te kisha e Shinjonit 

Prendoi dielli, n’qiellë duel hana,
n’ Veleçik po pingron Zana:
Ehu! ju malet e Shqipnísë,
n’ t’ cilat strukë shqipja e lirísë
n’ t’ bardhat kohë qi kanë prendue
s’ lete anmik, jo, me iu afrue!
E din shpat e di’ edhe përrue,
e din landë e di’ edhe gúrë,
Shqiptarísë kryq e tërthuer,
se sa gjak atëbotë i anmikut
vojti rrëkajë prej t’ bardhë çelikut,
qi flakote n’ dorë t’ Shqiptarit
Porsi rrëfeja majes s’ Sharit.
A kish mujtë kurr n’ atë kohë t’ lume,
(Me lot gjakut sot t’ lotueme!)
veç nji troe t’ tokës Shqiptare
m’e rëmue dora grabitçare?
Sot m’e dá duen copa – copa,
e përse? Pse don Europa[
………………………

         Te ura e Rzhanicës 

Riza Pasha del n’ kalá,
I Madhi Zot, se shka me pá!
Fort ndjegull paska rá
N’ at Rrzhanicë, nën Podgoricë.
S’ ká me ngiatë e do t’ bjerë shí:  
Hazna e madhe për bulqí!
T’u ngjatët jeta! – i thotë Myftija
S’ ká rá ndjeglla kah Malcija,
Kah Rrzhanica e Podgorica;
Por âsht çue tymi i barotit,
Djelmt e Grudës e Lekët e Hotit
Kah luftojnë me Mal të Zí.

……………………………

       Dhunimi  i veprës së ishtës.

 Pas Luftës së Dytë, “Lahuta e Malcís”  dhe  krijimet e tjera të Gjergj Fishtës u ndaluan dhunshëm nga pushteti i ashtquajtur popullor, por ndërkohë u ribotuan në Romë më 1958, në Lubjanë, më 1990 dhe sërish në Romë më 1991. 

Pas përmbysjes së diktaurës, veprat e Fishtës dhe shkrimet përkujtimore botohen vazhdimisht. me titullin “Lahuta e Malsisë”. Studimet për Gjergj Fishtën, tashmë janë më të thella, shkencë e mirëfilltë, sepse lidhen  me vlerësimin  e vazhdueshëm e kujtimin e poetit tonë kombëtar. Studiuesit e brezit të ri, si Arben Marku, tashmë kanë shkuar më tej, duke caktuar vendin më të lartë, bie fjala, për poemën epike “Lahuta Malsisë” përballë  poemës “Kunora e Malsisë” të poetit malazes  Negoshi. Me “Lahutën e Malsisë”, poeti ynë tregon historinë e shqiptarëve, zgjon e jep kushtrimin për bashkimin e kombit pa dallim feje në luftën kundër pushtuesve të atdheut me ndihmën e Europës, ndërsa Negoshi kërkonte bashkimin e malazesve në një fe,  në  luftë kundër pueshtuesve turq me përkrahjen e Rusisë. Me krijimin e rrallë tridhjetëvjeçar “Lahuta e Malsisë”, Fishta i dha kombit shqiptar një histori të artë, ndërsa Europës, një mësim të qartë për çështjet e pazgjidhura kombëtare, si rrjedhojë e padrejtësive të kohëve. Ndaj ai meritoi titullin Poet Kombëtar”. Në veçanti Lahuta e Malsisë, i ngjan një simfonie klasike, ku në rrjedhën e ngjarjeve vargjet, rimat e ritmi, janë notat e saj. Herë të zymta, herë shprehje dhimbjeje, herë si mallkim dhe në çastet e ngadhnjimit, piskamë hareje e luftëtarëve. Mandej dëgjohen zëri i natyrës së bukur shqiptare dhe i zanave, jehona e bjeshkëve, gurgullimat e krojeve dhe e përrenjve, teksa rrëzohen tatëpjetë. Në brendi të kësaj poeme epike, gjejmë edhe vargje të rralla lirike për nga bukuria e kuptimi, kushtuar vajzës shqiptare, si këto: 

“Varza ka e varza s’ka,

porsi asht nji varz’ n’Janinë

kurrkund shoqen s’ia ke pa,

kah bje‘ diell e serotinë;

synin diell, ballin si hana,

ardhun shtatit si selvija

Efruazin e  quejti nana, 

augur t’mir me e pas Shqipnia.”

      Fishta për Atdheun

Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Fishta e priti me gëzim, por edhe me brengë, për shkak të Luftës Ballkanike e vendimeve të padrejta të Konferencës së  Londrës -1913. Një gjendje e tillë shpirtërore shprehet në poemën „Lahuta e Malsisë“ dhe në artikujt e botuar në revistën „Hylli i Dritës“, të themeluar prej tij në Shkodër më 1913.  Në  shkrimin  me  titull: “A jan t’zot shqiptarët me u mbajt shtet m’vedi?“, Fishta kritikon ashpër, nga një anë veprimet grabitqare të fqinjëve e nga ana tjetër qëndrimin e shteteve europiane kundër tërësisë tokësore, sidomos të Rusisë.  Ndërkohë ai argumenton  me fakte historike aftësinë e shqiptarëve për krijimin e drejtimin e shtetit të pavarur brenda kufijve etnikë. 

Një ngjarje e paharruar do të mbetet në histori dita 23 tetor 1913, kur Fishta ngriti Flamurin Kombëtar në Kishën e Gjuadollit dhe e lidhi me drita me Xhaminë e Fushës së Çelës. Ishte ky një veprim i guximshëm për bashkimin  e shqiptarëve me disa besime  fetare. Në vitet 1916-1917, nën pushtimin austriak, ai boton gazetën “Posta e Shqypnisë.“ Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, nga prilli i vitit 1919 dhe gjatë vitit 1920, Gjergj Fishta është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë. Në një nga ligjëratat e vitit 1919,  ai tha: „Pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë asht vendi ynë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitet e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rranjëve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundërshtueshëm i tokave të tij. Po qe se pernjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe për përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografik. Por çka, se simbas teorisë Vilsoniane për me mund nji popull me u sundue në vetëvete, përpos kombësisë duhet të mirret parasysh edhe ndërgjergjja e tij kombëtare. Tashti për në qoftëse si ndërgjegje kombëtare duhet të kuptohet ndjesija për liri, si edhe ai dëshir që mund të ketë nji popull për t’u zhvillue, gjithnji përbrenda qarkut të forcave të veta, unë them se edhe në këtë pikëpamje Konferenca duhet t’ia njohë Shqipnisë pamvarsinë si edhe sovranitetin e saj. E po thomëni, cili populll  në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet sesa populli shqiptar?  Në rast se ata nuk na duan në nji shtet të vetëm, pasi thonë se shqiptarët qenkan Musliman, atëherë na Kristianët, do t’i shkrijmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishekë, me mbrojtë vllaznit tanë muslimanë shqiptarë”, Eshtë kjo një shprehje  e dalë nga shpirti i At Gjergj Fishtës, e cila tregon shumë për harmoninë fetare ndërmjet  shqiptarëve. Gjithashtu dëshmon, se përjetësisht ndërmjet krerëve të besimeve fetare në Shqipëri gjithnjë ka ekzistuar një harmoni e mrekullueshme fetare. Në vitin 1922 Fishta pritet në Uashington si personalitet i njohur i kulturës. Takohet e bisedon me sukses me senatorë republikanë për çështjen e kufijve  të Shqipërisë. 

I ftuar, më 1930, në  Nju  Jork, pranohet anëtar në Bashkimin Ndërkombëtar të  poetëve nga 60 vendet e botës. Fishta përfaqësoi Shqipërinë edhe në mbledhjet ndërkombëtare, më 1930 në Athinë, më 1932 në Stamboll e  Bukuresht. 

Me prozën e tij të shkëlqyer përshkroi udhëtimin për në Turqi, ndërsa lundrimin përmes dallgëve të oqeanit të trazuar  do ta rrëfente me një prozë plot humor,sipas ndryshimit të motit e gjendjes shpirtërore, duke iu lutur,  edhe shenjtorëve.

Nga leximi  me vëmendje i prozës së  Fishtës, vihet re se ajo rrjedh  po ashtu si poezia e tij. Poezia,  ashtu edhe proza e Fishtës, janë burime frymëzimi  për  poetët e shkrimtarët, madje për gjithë ata që duan  të flasin  bukur shqip.

       Veprimtaria e Fishtës në vitet 20 – 30

Në vitet 20, Fishta merr pjesë edhe në veprimtari politike. Në dhjetor të atij viti zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar. Po atë vit themelon Gjimnazin Françeskan në Shkodër. Në ngjarjet e Qershorit 1924, mban krahun e demokratëve. Mandej largohet nga atdheu dhe vendoset në Itali.  Atje, në vitet 1925 e 1926, krijon, boton e riboton pareshtur. Të atyre viteve janë  pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. I kthyer në atdhe, siç u tha më lart, përfundon më 1937 poemën epike „Lahuta e Malsisë“. 

Më 1939, Fishta është kandidat i çmimit Nobel, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Italiane, ndërmjet poetëve, shkrimtarëve, kompozitorëve dhe shkencëtarëve me famë botërore. Aty nga fundi i jetës, më 1940, pa pritur Fishta do të deklaronte: “qysh nga kohët romake përgjatë rrjedhës së shekujve, pushtues të ndryshëm kaluen nëpër Shqipni, por asnjeni prej tyne nuk e nënshtroi dhe nuk e pushtoi dot shpirtin e shqiptarit.” Ky zë jehon fuqishëm edhe për profesorët, që rropaten e rrëmojnë më kot nëpër skutat e errëta të arkivave, të gjejnë ndonjë krisje në përmendoren e shenjtë të etërve atdhetarë katolikë me Fishtën në krye.  Tashmë letrat e sajuara nga këta profesore, askush nuk i beson.

       Po dokumentet ç’thonë për jetën e veprimtarinë e Fishtës?

At Gjergj  Fishta për fat të mirë mësimet e para i mori nga  mësuesi e poeti  Leonardo de Martini.  Shkollën e mesme  e kreu në Troshan të Shkodrës, kurse studimet e larta për teologji, filozofi e gjuhët e huaja, në institutet e seminaret françeskane në Sutjekë, Livno e Kreshevo të Bosnjës. Pas mbarimit të studimeve më 1894, u shugurua meshtar dhe u pranua në Urdhërin Françeskan. Në vitin 1899 së bashku me Abatin e Mirditës Preng Doçin, me romancierin e parë shqiptar Dom Ndoc Nikajn, At Pashko Babin etj., themelon në Shkodër shoqërinë letrare “Bashkimi.” Në vitin 1902, sapo qe caktuar drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, vendosi shqipen në programin mësimor. Në vitin 1908 përfaqëson shoqërinë “Bashkimi” në Kongresin e Manastirit dhe drejton Komisionin e Alfabetit. Në mbarim  të Kongresit, Fishta  kreu një veprim fisnik, kur fjalën për njoftimin e vendimit ia dha Mit’hat Frashërit, aso kohe në moshë të re.

Dëshira e përkrahja e gjuhës shqipe nxiti drejtuesin e arsimit në Shkodër, Luigj Gurakuqin të themelonte më 3 gusht 1916 Komsinë letrare nën mbrojtjen e komandës ushtarake të kryesuar nga gjeneral Trollman, i ndikuar dhe nga Dr.R. Nahtigal, studiues i gjuhës sonë, më në zë në Europë si dhe nga Dr. Gjergj Pekmezi. Në Komsinë Letrare morën pjesë me punimet  e tyre,  përherë të vlefshme, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjedja, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci e shumë të tjerë nga Veriu e Jugu. 

Si rrjedhojë e shtrembërimeve dashakeqe ndaj jetës e veprës së At Gjergj Fishtës ishin të paktë lexuesit e letërsisë, që kaluan çaste hutimi. Kritika shkencore e mirëfilltë e të gjitha kohëve bashkohet në një mendim se vepra e tij është kulm i ndritur, që u ngrit madhërisht për rreth dyzet vjet mbi hapësirën e letërsisë shqiptare në  shërbim të atdheut.

                Nderimet nga vendi e bota 

At Gjergj Fishta në historinë e Shqipërisë zë një vend me rëndësi si vazhduesi i Rilindjes sonë Kombëtare e shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në gjysmën e parë të shekullit njëzetë. Krejt ndryshe  nga shkrimi në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare” – 1983, Fishta njihej kudo, si poet, shkrimtar, dramaturg, kritik letrar, satirist, eseist, gjuhëtar, edukator, piktor, arkitekt, drejtues i lartë i fesë françeskane, publicist, politikan demokrat, etj. Më 1941 shkrimtari i shquar Karl Gurakuqi shkruante: “Fishta i la  nder gjithkund  emnit shqiptar. Jo vetëm bota shqiptare e naltoi edhe për së gjalli tue i dhanë titullin ”Poeti Kombëtar”, por edhe bota e jashtme, mbasi shijoi e çmoi frytin e pendës së tij, ia njofti vleftën dhe e nderoi me lëvdata, dekorata e tituj. Klubi “Gjuha Shqype” i dhuroi në vitin 1911 dy basoreljeve symbolike të punuem mjeshtërisht dhe nji kunorë argjendi; më 1917 qyteti i Beratit i dërgoi nji pendë ari, për kujtim të veprimit të tij letrar e politik. Perandoria Otomane i dha dekoratën Mearif kl.II (1912); Mbreti i Austro-Hungarisë e dekoroi me Ritterkreuz (1912); Papa Piu XI e nderoi me Medaljen e Meritimit (1925); Paria e përgjithëshme e Urdhnit françeskan me titullin “Lector Jubilatus”(1929): Greqia me dekoratën.“ Phenix” (1931), etj.„ Për Gjergj Fishtën kanë shkruar edhe në botën gjermane.

Pas vitit 1990, At Gjergj Fishta u dekorua me Urdhërin Nderi i Kombit.

Përkujtimi i tij me rastin e 100 – Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,  ishte  një nga vlerësimet  më të larta, që  mund t‘i bëhej një Poeti Kombëtar si At Gjergj Fishta. 

        Po ç’thotë Fishta me poezitë e veta?

Ashtu siç u tha për poemën „Lahuta  e Malsisë“, gjithashtu duhet t’u jepen lexuesve të rinj edhe disa nga poezitë apo tingëllimet e zgjedhura me ndjenja të përflakura atdhetarie.

NGA “MRIZI I ZANAVE” 

         Gjuha shqipe

Porsi kanga e zogut t’verës,
Qi vallzon n’blerim të prillit;
Porsi i ambli flladi i erës,
Qi lmon gjinjt e drandofillit:
Porsi vala e bregut t’detit,
Porsi gjâma e rrfés zhgjetare,
Porsi ushtima e nji termetit,
Njashtû â gjuha e jonë shqiptare.


Ah, po, â  e  ambël fjala e saj,
Porsi gjumi m’nji kerthí,
Porsi drita plot uzdajë,
Porsi gazi i pamashtrí;
Edhè ndihet tu kumbue,
Porsi fleta e Kerubimit,
Ka’ i bjen qiellvet tue fluturue
N’ t’ zjartat valle t’amëshimit.
Prá, mallkue njaj bir shqiptari,
Qi ketë gjuhë të Perëndísë,
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim s’ia lên ai fmís;
Edhe atij iu thaftë, po, goja,
Qi e përbuzë kët’ gjuhë hyjnore;
Qi n’gjuhë t’ huej, kúr s’âsht nevoja,
Flet e t’ veten lên mbas dore. 


Në gjuhë shqype nanat tona
Shì prej djepit na kanë thânun,
Se âsht nji Zot, qi do ta dona:
Njatë, qi jetën na ka dhânun;
Edhe shqip na thanë se Zoti
Për shqiptarë Shqipnínë e fali,
se sá t’ enden stina e moti,
Do ta gzojnë kta djalë mbas djali.

Nëpër gjuhë shqipe bota mbarë
Ka me u njohtë se ç’fis ju kini,
Ka me u njohtë jú për shqiptarë:
Trima n’zà sikurse jini. 


Prandej, prá, n’e doni fisin,
Mali, bregu edhè Malësija
Prej njaj goje sot t’ brohorisin:
Me gjuhë t’ vetën: “Rrnoftë Shqipnia!” 


Shqipnia   

Edhè hâna do ta dije,
Edhè dielli do t’ ket’ pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqipnia ‘i vend nuk ká !
Fusha t’ gjâna e kodra t’ blera,
Zijes s’ mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t’ vet ktû i veshë Prendvera,
Si t’ Parrizit t’ larmet shtroja. 

Nën nji qiellë perherë t’ kullueme,
N’ rreze e n’ dritë pershkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n’ ajrí.


Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t’ kjarta e t’ cemta gurra,
Tue rrëmbye n’për mriza hale,
Gurgullojn’ n’për rrâjë e curra.


Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjnë mandej ata djelm si Zâna,
Armët e t’ cilvet, p’rherë besnike,
Janë përmendë ndër fise t’ tana.


Atje léjnë, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n’ flakë t’ nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojnë tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.


Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N’ turr t’ shqiptarit pît ka rá.


Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Liria.


Lume e shé para atij ngelin,
Ia lshojnë udhën dete e male;
Mbretnitë fjalën s’ mund t’ ia shkelin,
Turrin ferri s’ mund t’ ia ndale.


Shkundu pluhnit, prá, Shqipní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,
Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë.

Po, edhè hâna do ta dije,
Edhè dielli do t’ két’ pá,
Se për qark ksaj rrokullie,
Si Shqipnia ‘i vend nuk ká!
Rrnosh e kjosh, prá, moj Shqipní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí. 

      I  dbuemi 

Lamtumir’, vendet e mija,

Qe, po zhduken dal’ngadalë;

Gjimon deti, ushton duhija,

Lkundet barka  val’ mbi valë;

Kah njaj diell, qi a tue flakue

Andej fill un’ tash do t’vete…

Lamtumir’, o dhe i bekue!

Lamtumir’ përsa t’jet jeta!

Nesër nadje kur mbi ne

Rrezja e diellit ka me ra,

Kush e din sa ujë e dhé 

Mue prej tejet kan me m’da?!

E por n’pyetsha retë mizore,

E por n’pyetsha zogjtë e detit

Se për ty, moj tokë arbnore,

S’ka me m’fol’ kush mue t’shkretit

Tjera fushë e tjera zalle

Kam me pa, e tjera dete:

Kam me ndie, po, tjera valle,

Tjera gjuh’ n’tjerë qytete;

Vendin t’em, por, s’kam me e pa

Ku kam le e jam burrnue;

Syt e mij edhe kan me kja,

Pa u gjet’ kush, qi me i ngushllue.

Pa kënd t’emin, po e’ nji Zotit,

Tue shtegtue për dhe të huej,

Kan’ me m’shkue mue ditt e motit

Sha e përbuzun prej gjithkuej.

Kam me pas’ shkretin’ për votër,

E për shtroj’ të ndeztën ranë.

Kam me pasë ulkojën motër,

Kam me pasë , ehu, tigrën nanë.

Nana e mbetne për s’të gjallit

Ka me m’kja, kushdi, ndo’ i ditë,

Der sa motra dekun mallit,

Kot ndo’ i her’ mue ka me m’pritë.

Ka me i njeh’, po, krushqit, e mjera,

Me i pru nanës n’shpi nji re:

Por i vllai, kushdi m’ at-hera

Ka me u kalbun për nën dhé!

E, njaj dhé-ehu! Kob prej qiellet!-

S’ka me ken’, jo, dheu i t’ Parëvet,

Ku ma bukur qielli kthjellet,

Ku ma ambël n’gjuh’ t’shqiptarvet

Para Hyut naltohet luta,

E ku besa asht e shejtnueshme,

E ku zemrat, s’dijn’ shka a tuta,

E ku bjeshk’t jan’ të madhnueshme.

Oh, ju bjeshk’t e Shqiptaris’, 

Ku ma mir’ shndrit’ dielli e hana,

E ku logu a i bujaris’

E ku rriten djelm si zana!

Un’ ju kurr s’kam me u harrue,

Kahdo t’m’jet gjykue me u endë:

Der’ sa t’muj me ligjrue,

Ju gjithmon’ kam me u përmendë!

E ato halë e qipariza 

Kam me i pas’ ndër mend gjithmonë,

E ato stane e njato mriza,

E ato berre e ato kumbonë…             

Por, oh, vaj! Malet e mija,

Qe, po zhduken dal’ngadalë;

Gjimon deti, ushton duhija,

Lkundet barka val’ mbi valë.

Lamtumir’, pra, bjeshkë e male!

E ju krepa edhe ju curra;

E ju breshta e ju gjeth halë;

E ju prroje edhe ju gurra!

Lamtumir’ ju mrrize e stana!

Lamtumir’ kumbona e  berre!

Lamtumir’, ju fusha t’gjana,

Ju livadhe, ende ju djerre!

Lamtumir’ ti, shpija e t’Parëvet,

Ku ma s’parit m’agoi drita

E ku strehë u dhaç’ shtegtarëve

Miqt e babës’ edhe ku i prita

Lamtumir’, carani m’votër,

Lamtumir’, ju arm’t e shkreta;

Lamtumir’ ti, nanë e motër,

Lamtumir’ për sa t’jet’ jeta!… 

            Surgite mortui! 

          (Çohuni të vdekun!)

Po; per Shqyptarë pleqnue e ka Europa,

Qi shi njatyne urë t’u rrijn per dhé,

Të cillët Kishat rrënue ua kanë me topa

E n’ djep foshnjet e njoma ua kàn pré:

Qi t’ ndertat vasha u kanë koritë përdhuni

E rrugash bamë i kanë me dekun ûni. 

 E mbas sotit Shqyptarët n’ gjuhë t’ huej do t’ flasin;

E  gjaksvet t’ vet do t’ bajn kta t’u ngjatët jeta?

Hajnat lapera zotëni do t’ thrrasin,

E t’pa rodit do t’ i apin pagë e t’ dheta;

Me armë shqyptare, n’ za gjithmonë e n’ namë,

Sogje Shqyptari shkjaut do t’ rrijë sod  m’ kamë

.     

  Ah vaj! Ah kob! A ka ma zi n’ ketë jetë?

A ka si i bahet kuj ma teper dhún?…

Ehu! Shka do t’ bajn, thue, tash Shqyptarët e shkretë:

Ata, qi m’ vedi pasë e kanë kanun:

Ata, qi n’ dej kanë gjak të Skanderbeut:

Qi sheklli mbajtë i ka per burra t’ dheut? 

–

Shka bajn Shqyptarët?… Hán’ fiq e kastraveca:         

E pijn mastikë, e qesin petlla n’ ujë;

E ngrehen rrugës e fryhen si gjeldeca;

E rrijn tue kqyrun udhës ushtarët e huej

Palè a kanë ksulen qyp a se kapelë,

A e ka uficiali kalin at’ a pélë.

 E armët e t’ Parvet shkojn kta tue kerkue,

Ndo ‘i karajfile t’ gjatë, a ndo ‘i tagan: –  

Por, jo, – mos drueni! – jo per me luftue

Me malazez të shkyem a me serbjan:

Por per me mujtë me xjerrun kund ndo ‘i grosh

Tue rrêjtë me to ndonji hingliz balosh.  

  Jo, po; Shqyptarët kanë sot të madh kujdes…

Njata, po thom, qi ndo‘i mirás e presin,

E druen se êmta a gjyshi vrik s’ u des:

Pse per Shqypni, qi krajlat po ua shesin,

S’ çajn kryet aspak, me sa çaj kryet un sot

Per shkarpa t’ vjetra, qi kam shkye kahmot.

Ahi! Turp e marre! Burra, lé e rritun

Me armë mizore n’ dorë, e qi fatosa

T’ Parët i kanë pasë, me ndejë kshtu sod t’ topitun

Si t’ dekunt n’ vorre, sod qi i mbrrika sosa

Së mjeres moj Shqypni edhe Shqyptarvet,

E u shueka Atdheu e u shueka ndera e t’ Parvet!  

 Ktu, ktu Shqyptarë!… A ndiet?… Ku u kam…Ku jéni?…

Mo’ lêni, burra!… M’ armë!… Mbaroi Kosova!…

Janina humbi!…e ndoshta, Tepeleni…

Shkoi Manastiri! Dibra edhe Gjakova!…

Vendet ma t’ mirat né na i mori shkjau,

E, shk’ asht ma zi, né vlla me vlla na dau!

Ah! M’ kambë, brè burra! Shka jini mshehun

Nder furka t’ gravet, si do rrole t’ kqija?…

Sod armët duen rrokë; taganat sod duen prehun;

Asht turp, per Zotin! Shurdhë me hupë Shqypnija.

Mo’ lêni, burra, bre! Kushtrim! Kushtrim!

A gjallë me ndérë, a dekun grue e trim!

Ku jé, Bibdoda, ti nji rrfé prej qielle?…

Jé derës bujare, e trim i drejtë ti jé!

Flamurin e Shqypnis, sod n’ ajr ti shtielle;

E grishi malet me qindrue p’r Atdhé.

Ku themra e jote per Atdhé të shklase,

Atje kryet t’onë, po, per Atdhé t’ humbase!

Mo’lé’Toptan, qi me shpatë t’ande binde

Nji shekull mbarë m ’at maje Taraboshi!

Prap shpaten njesh, e priju prap ti gjind’e,

– Ndejun n’voter s’ prarohet jo kondoshi…

Mblidh Toskë e Lapë, e sod per Shqyptari

Qindro, s ‘i herë qindrove me trimni.

M’ kambë Dedë Gjo’ Luli! Thonë se ‘i  t’ biri t’ shkinës

Lekët e Malcis sod t’ dhetat do t’ ia lajn

Se edhe do t’ vêjn kapicen e Cetinës:

A i mend, thue, ti, kaq marre do t’ a bâjn;

Ata sokolat t’u Lekët e Malcis,

Qi aq gjak kanë derdhun per Liri t’ Shqypnis?

Jo kurr! Jo kurr! Por mbi Deçiq ti xiri

Shka asht i Lekë, e thueju, se Shqypnija,

Aty kufin e ka, per ball me Viri,

E ké me pá ti atëherë, se rrokullija

Me u çue m’ e zhgulë andej, nuk mund t’ a hjekun;

Pse per Shqypni Malcorët janë msue me dekun.

Ah! M’ kambë, Shqyptarë! E mos t’ u lshojë, jo, zemra,

Po Perendija s’ ka me u lanë me u thye.

T’ u bijë nder mend, se fort ma e randë asht themra

E shkjaut kokëtrashë, se guri i vorrit m’ krye.

Urra! Po, djelm! Shqyptar kushdo ka lé,

N’ mos mujtë Shqyptar me mbetë, Shqyptar t’ hijë n’ dhé!

E n’ kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mni,

Qi flije t’ bahet ndo ‘i Shqyptar m’ therore,

Qé, mue tek m’ kini, merrni e m’ bani fli

Per Shqyptari, me shue çdo mni mizore. –

Oh! Edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë

E nami i sajë per jetë u trashigoftë!

Po: Rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n’ Dri

E porsi krandja e that n’nji flakadâ,

U shoftë me arë, me farë me mal me vrri

Kushdo Shqyptar, qi s’brohoritë me zâ,

Kushdo Shqyptar, qi s’brohoritë me uzdajë

Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i Sa Fishta 

      Nga poezitë Gjuha Shqipe. Shqipnia, i Dëbuemi,  çdo shqiptar ndien në thellësi të zemrës embëlsinë e shqipes posi fllad pranvere, ndien  krenarinë për vendin  e të parëve.  Sidomos me poezinë atdhetare Gjuha Shqipe Fishta qendron në krye e të gjithë paraardhësëve. Papritur poeti atdhetar shfaqet krejt  ndryshe,  tek Surgite mortui!   Bëhet fjalë për fatin e atdheut  të rrezikuar  nga copëtimi,. Zëmërimi i poetit s’ka kufi. Sokëllin me sharrje therëse e mallkime kundër vendimeve të padrejta të diplomacisë Europiane nga një anë, edhe shqiptarëve me ndjenja  atdhetare, thuajse të shuara, nga ana tjetër. Poezia tronditëse, ngjan me një kullë baroti me frëngji e luftëtarë, në çaste tërmeti. Mandej lëshon kushtrimin e thirrjen e luftës  për  prijësit e gjallë,  për burrat e djemtë e rinj  apo për ata, që  nuk jetonin më.  Në fund Poeti Kombëtar, shpërthen me brohori   e besim për Shqipërinë e flamurin e  saj.

                    Porositë e fundit të Fishtës .   

  Sipas disa publicistëve shqiptarë dihet se shkrimtarët e njohur në botën e letrave, para largimit nga jeta kanë shprehur fjalët e fundit prekëse, testamente, këshilla, porosi… Pak para se të shuhej  në spitalin e Shkodrës, i ftohur  rëndë në thëllim  e borë, la këshilla e porosi për fretërit e rinj françeskanë. Në testamentin e tij  lexohen  këto fjalë: “Po vdes i kënaqun, sepse kam punue  për atdhe e fe.” Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit  Gjergj Fishta, kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcis” dhe përsëriti  fjalën: “ i kryqëzuemi” në latinisht. Pastaj kërkoi t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”. Ndërsa, një mik i poetit, përmend fjalët e fundit të Fishtës: “Jo për tjetër, por sepse po lë anmikun mbi trollin shqiptar, mue më vjen keq se kam me vdekë.”

Sipas kujtimeve të At Zef Pllumit, kur Fishtës iu kërkua që të refuzonte titullin e Akademikut nga sivëllezërit,  Fishta sipas një rregulli të caktuar duhej të mbante një varg konferencash nëpër institucione të ndryshme kulturore, ai u përgjigj se: “Un ndër konferencat do t’u përsëris italianëve pa ja dà se me të vërtetë Roma dikur e ka pasë namin e madh, por legjionet ilire dhe perandorët e mëdhaj ilirjanë ishin ata që kishin në dorë fatet e Romës. U bâj edhe nji premtim tjetër se përnji  ato konferenca do t’i kryej për gjashtë muaj, siç e don rregullorja, un menjiherë do të kërkoj me ardhë në Shqipnì.”

Poeti At Gjergj Fishta ndërroi jetë në mbarrim të vitit 1940. Nderimet  fundit u  kryhen në Kishën Françeskane të Gjuhadolit.  Morën pjesë  mijëra vetë nga  Shkodra. Erdhën edhe shumë telegrame, nga Prof. Eqrem Çabej, Zenel Prodani, Spiro Vinjau, Muharrem Bajraktari, Rexhep Mitrovica, Bahri Omari, Karl Gurakuqi, Frano Alkaj, Mihal Bellkameni, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Hafiz Murati etj. 

  Duke lexuar shkrimin e prof. N.Jorgaqit. kundër Fishtës e françeskanëve, na del para sysh jeta e vepra për atdhe e krijuesit të “Lahutës së Malsisë”  me të cilën iu drejtua tërë kombit shqiptar për bashkim  kundër pushtimit të huaj. Nga vepra e ndritur e Fishtës plot larmi tingujsh, dëgjohet gjuha shqipe “ porsi kanga e zogut t’verës.” 

C:\Users\Agim\Desktop\Mrizi Zanave.jpg
C:\Users\Agim\Desktop\Documents\Fan S. Noli poet e shkrimtaret tjere shqiptar - Copy\GjergjFishta.jpg
C:\Users\Agim\Desktop\Gj. Fishta.jpg
Description: normal_Gjergji_Canco,_Gjergj_Fishta,_Asdreni,_Lasgush_Poradeci,_Ernest_koliqieth

Kasëm Bajrami. Luigj Krasniqi, Kel Marubi, 

Gjergj Canco, Shuk Sheldia.        

Ulur: Lasgush Poradeci, at Gjergj Fishta, 

Asdreni, Ernst Koliqi.

               Viti 938

                                            – fund – 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Deshnica

POETI YNË KOMBËTAR AT GJERGJ FISHTA

October 22, 2021 by s p

          Nga Agim Xh. Dëshnica     

Description: Description: Gjergj Fishta

     

Në Fishtë të Zadrimës, më 23 tetor 1871, u lind një djalë, i cili, i pagëzuar me emrin Zef, më vonë do të njihej, në botë si Gjergj Fishta, poet kombëtar i shqiptarëve.   Por në atdheun e vet, gjatë diktaturës  disa  nga  profesorët  e letërsisë  e njerëz të letrave, shërbëtorë të regjimit ne fuqi, morën përsipër  të përbaltnin  e të hidhnin poshtë veprën e tij madhore në shërbm të atdheut.  Në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare -1983”, me kryeredaktor Dh. Shuteriqin, larg çdo vlerësimi letrar e artistik, u përdor fjalori politik, fyerja, shpifja,  e mohimi, me këtë përcaktim të mefshtë: “Përfaqësuesi kryesor i klerit  françeskan Gjergj Fishta, poet, publicist , pedagog,  politikan, drejtoi për një kohë të gjatë veprimtarinë kulturore e arsimore të këtij urdhëri. Për të interesat e kishës e të fesë qëndronin mbi interesat e atdheut e të popullit, gjë që ai e shpallte dhe e mbronte me tërë demagogjinë, por edhe me cinizëm dhe e kishte vënë në themel të punës si letrar. Vepra e tij kryesore, poema epike “Lahuta e Malësisë”, propagandonte antisllavizmin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër sundimit osman. Ajo i ngrinte himnin françeskan patriarkalizmit e bajraktarizmit, obskurantizmit fetar e klerikalizmit, dhe spekullonte me ndjenjat patriotike, kur ishte fjala për të ngritur lart ngjarje dhe figura të historisë kombëtare të periudhës së Rilindjes sonë. Veprat e tjetra, si poema satirike “Gomari i Babatasit”, ku u sulmuan me tërbim laicizmi i shkollës dhe idetë demokratike, ishin karakteristikë e luftës së egër që bëri kleri katolik për të ruajtur e për të rritur ndikimin e tij në jetën mendore të vendit. Këtij arti përpiqej t’i shërbente një formë që i qëndronte pranë folklorit. Atë e shoqëronin shpesh proliksiteti, efektet e kërkuara, retorizmi, brutaliteti i shprehjes e i stilit gjer në banalitet, argumentet e tyre false, që orvateshin të imponoheshin me pahir, si dhe një qëndrim i theksuar konservator në lëmin e gjuhës. Fishta i mbaroi ditët si akademik i Italisë fashiste.” 

  Nuk do të mjaftonte ky qëndrim i paturpshëm ndaj Fishtës, as ndalimi barbar i librave të tij, por duhej të dëgjohej edhe zëri i një njeriu të huaj ndaj Shqipërisë me emrin Rexhep Qose. Në librin “Panteoni i rralluar” i vitit 1985, tashmë i vlefshëm vetëm për arkivë, ndofta edhe për kosh, ai shkruan pa iu dridhur dora: “Gjergj Fishta përkundër Naim Frashërit, ka shkruar për pjesën katolike të shqiptarëve, ka folur në emër të tyre dhe dy fjalë më të shpeshta të fjalorit të tij ishin feja dhe atdheu: gjithnjë përpara feja, mandej atdheu. Në zemrën e madhe të Naim Frashërit kishte vend për të gjithë shqiptarët dhe, më në fund, për gjithë njerëzit, kurse në zemrën e vogël të patër Gjergjit-për një pjesë të shqiptarëve, prandaj edhe për një pjesë të njerëzve. Veprat e tij sot shijohen më me vështirësi sesa atëherë kur ishin shkruar, qoftë edhe prej gegëve dhe, mund të besojmë, pas ca dekadash do të përkthehen si ato të De Radës….” 

  Po ashtu gabuan edhe ata, që shkruan se emri  i Gjergj Fishtës pas vitit 1944, u harrua. Përkundrazi, librat e tij mbaheshin si thesar në bibliotekat vetiake, kudo në Shqipëri. Leximi, apo përsëritja përmendësh në rrethe të ngushta, gjallonte më me zell. Edhe në rastet, kur në gazetën „Zëri i Popullit“ botoheshin shkrime zilare e fyese kundër poetit të madh, në shumicën e lexuesve ato zgjonin kundërshtimin e menjëhershëm, ashtu siç nuk miratohej edhe gjykimi qesharak i diktatorit E. Hoxha aty nga viti 1949, kur në një mbledhje të rëndomtë thoshte se “Fishta me satirat e tij nuk pi ujë përpara “Epopesë së Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt.”(?!) 

                    Drita   e së vërtetës  nga autorë vendas e të huaj.  

  Në një kohë, kur Fan S. Noli nëpër ligjërata shprehej: “Fishta është i madh”, Faik Konica shtonte: “Fishta është jo vetëm poet i madh, por edhe intelektual i dorës së parë! Kot së koti përpiqen grekët e sotëm mbi veprën e Fishtës të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se “Lahuta” e Gjergj Fishtës”. Ndërkohë Lasgush Poradeci, do ta quante Fishtën me nderim: “Poeti ynë kombëtar! Shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar!”  Dijetari i shquar Eqrem Çabej, teksa analizon romantizmin tonë, që lidhej me luftën për liri e pavarësi, ndërmjet Jeronim De Radës e Naimi Frashërit, rendit edhe Gjegj Fishtën për fuqinë e vet epike. Krahas tij, Engjëll Sedaj  theksonte se “krahasimi i poezisë epike të Fishtës me poezinë e Naimit bëhet jo vetëm në punimet e veçanta mbi Fishtën, por edhe në punimet e tjera të E. Çabejt, duke përqëndruar vëmendjen më tepër te këta dy poetë sesa në krahasimin ndërmjet Fishtës dhe poetëve të tjerë shqiptarë. Kështu, bie fjala, në punimin e tij, „Romantizmi“, ndonëse nuk shqyrton në veçanti Fishtën, por kryesisht De Radën dhe Naimin, ai e ka krahasuar Naimin dhe Fishtën, duke thënë se “ky epos (Istoria e Skëndërbeut) nuk u bë dot epos kombëtar, se këtë ua fali më vonë shqiptarëve Gjergj Fishta”. Aurel Plasari shkruante: “Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes fizike të Fishtës, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifike të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë.”  Albanologu i njohur Fulvio Cordignano shkruante: “Pakkush kujtoj në letërsi të mbarë botës, ia del At Fishtës si poet satirik. Si i tillë, me një furi të çudishme, ai ther e pret aty ku djeg.” Ndërsa poeti italian me famë botërore Gabriele D’Annunzio thoshte:  “Patër Fishta njihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli, si këtë kemi një të  madh tjetër: Rabindranat Tagora.” 

  Publicistë të ndryshëm  shqiptarë  me shkrimet e tyre kanë berë të ditur lexuesin e gjerë për të vërtetën e jetës e veprës së  Fishtës. Ndër ta janë shquar At Zef Plumi, Salih Kabashi,  Arben Marku, , Fritz Radovani, Pjetër Jaku e shumë të tjerë. Ndërkaq, disa nga profesorët e moshuar, me dijeni të pakta për jetën e veprën e poetit Gjergj Fishta, vijojnë të botojnë e të ribotojnë të ndrequra  studimet e viteve para ’90.  Ndërsa aty – këtu vihet re se disa, të ashtuquajtur prof.dr. botojnë veprat e Fishtës kundër çdo rregulli, duke dëmtuar dhunshëm me ndreqje kundërshkencore ëmbëlsinë e gjuhës dhe ritmin  e vargjeve  të arta të At Gjergj Fishtës, ose dikush tjetër, duke bredhur derë më derë, mbledh letra të mykura ndër vite, pa adresë dhe të përkthyera, pra, të sajuara, i boton me stërhollime për të zbehur dritën e veprës së Fishtës, apo të Nolit të nderuar. Këta tipa keqdashësh me frymëzim tymnaje, notonin  dikur pa shpresë përmes dallgësh në gjurmim të atdhetarëve të mërguar në çaste tragjedish. 

 Ndaj shkrimeve jashtëletrare, sot hedh dritën e së vërtetës  vetë poeti  me veprat e tij. Fishta ishte ndër të parët, që me vargjet e veta qortoi me vendosmëri veset e shoqërisë, apo, si poet i ndiesive atdhetare, u ngriti lavde mbrojtësve të atdheut. 

         Krijimtaria  e botuar e Fishtës

Poezinë e parë Fishta e botoi më 1900 në revistën “Albania” të Konicës. Gjatë gjithë jetës së vet ai u shfaq si poet epik e lirik dhe prozator. Në krijimtarinë e tij të gjithanëshme, përveç poemës epike, „Lahuta e Malsise“, rreshtohen veprat: „Kangë Popullore“, „Vierrsha t’përshpirtshme“, „Pika voeset, „Anxat e Parnasit“, „Mrizi i Zanave“, „Vallja e Parrizit“,  „Shën Françesku i Asizit“  „Gomari i Babatasit„ ,  „Dredhitë e Patukut dhe i Ligu për mend“, „Shna Ndou i Padues“, „Juda Makabe“, „Vllaznija“, „Odisea Ifigjenija n’Aulli“, „Shqyptari i qytetnuem“,  „Shën Luigji”, “Barijt e Betlemit“, „Mojsi Golemi i Dibrës e Deli Cena“, „Jerina ose mbretëresha e luleve“ e  të tjera. Në vëllimin „Mrizi  i  Zanave“, renditet  “Gonzage„  dhe poezia „Nji Lule Vjeshte“,  nga më të dhimbëshmet e më të bukurat  e letërsisë sonë.

Proza e rrjedhshme e Fishtës u shqua me shkrimet polemike – politike, filozofike, letrare dhe estetike në gazeta e revista, veçanërisht në të përmuajshmen  „Hylli i Dritës.“ 

Në vitet e diktaturës, kur ai ndalohej të përmendej në vendlindje, emri i tij i kishte kaluar kufijtë. Në enciklopeditë e botës dallohej me përcaktimin: „At Gjergj Fishta – Poet Kombëtar Shqiptar”, etj… 

             Fishta dhe “Lahuta e Malcis”

Gjatë kohës së diktaturës, sado disa guxuan të fyenin poetin e madh dhe dritën e veprës së tij ta mbulonin me mjegullën e shpifjes, rrezatimi i saj çante terrin: 

“Shkundu pluhnit pra, Shqypni!/ Ngrehe ballin si  mbretneshë!/ 

Pse me djelm, qi ngrof ti,/ Nuk mund t’quhesh, jo, robneshë!.” 

Vargje si këta në vetëdijen e rinisë, mbajtën gjallë ndjenjën e kombit dhe të lirisë, shpresën dhe besimin për shpëtim. Veprat e Fishtës në tërësi, janë thesar për gjuhën tonë. Sipas Maximilian Lambertz-it“vepra e Fishtës, është shtylla kurrizore e Kombit Shqiptar. Aq sa mund të kuptohet Greqia pa Homerin, Italia pa Danten, Gjermania pa Eposin e Nibelungëve, Anglia pa Shekspirin, aq mund të kuptohet edhe Shqipëria pa “Lahutën e Malsisë” të At Gj. Fishtës.” 

    Për At Gjergj Fishtën kanë shkruar Norbert Jokl,  pas tij Gustav Weigand, i cili, përveç punimeve të veçanta, do të përkthente në gjermanisht : “Lahuta e Malcis” von Gjergj Fishta, Balkan Archiv, Leipzig 1925), kurse Lambertz-i po në gjermanisht: “Die Laute des Hochlandes), Verlag R. Oldenbourg, Munchen, 1958. Në italisht, nga Papas Ignazio Parrino: “Il Liuto Della Montagna, Palermo 1968, 1970). Pas shembjes së diktaturës “Lahuta  e Malsisë”, u njoh  në anglisht e përkthyer nga Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck: “The Highland Lute”, London, New York, 2005).

             Fillimi e mbarimi i poemës “Lahuta e Malsisë”

    Fishta poemën e filloi më 1905 me titullin “Lahuta e Malcis”, me këngën  e parë “Cubat” dhe e përfundoi më 1937, me këngën  e tridhjetë “Konferenca e Londonit.”

Në shënimet e veta Fishta, kujton se njëherë gjatë kohës  së pushimeve verore ishte dërguar në katundin Rrapsh të Hotit për të zëvendësuar famullitarin Leonard Gojanin. Në atë vend të qetë u miqësua me një burrë të thyer në moshë, Marash Ucin nga Hoti. Mbrëmjet i kalonin  bashkë. Nga Marashi Fishta dëgjoi  rrëfime nga më të ndryshmet për luftimet e herëshme të malësorëve shqiptarë dhe malazesë, edhe për betejën e rreptë në Urën e Rrzhanicës, ku pati marrë pjesë Marashi vetë.  Fishta vijoi  ta botonte  e ribotonte poemën të zgjeruar më 1912, 1923, 1931 dhe 1933.  Përgatitësi i këtij studimi ruan qysh nga viti  1950,, një libër të vogël  i ribotuar në vitin 1923, me titullin  “Lahuta e Malcis”, vetëm me pesë këngët e para.  Në krye të librit lexohet shkurt, ky shënim nga botuesi:  “Me ket botim shuhen ato të përparshmet, edhe ndalohen të gjitha të drejtat e rishbotimit e të përkthimit.”  

  Lahuta e Malsisë me gjuhën  e pasur nga burimet e veriut, e ngritur në art nga Fishta, u paraqit e plotë në Shkodër në kremtimet  e njëzetepesë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. 

   Poema në vargje tetërrokësh, sado me ngjyrimet e një rapsodie kreshnikësh legjendarë, është  histori  në vargje e luftës për Lirinë e Pavarësinë e Shqipërisë, me heronj të vërtetë, si Ali Pashë Gucia, Dedë Gjo Luli, Oso  Kuka, Marash Uci etj. Befas, në çaste frymëzimi, poeti me sokëllima  kreshnikësh, i drejtohet Zanës së mirë, apo i shqetësuar – Orës së Malit.  Rimat, herë janë të puthura, herë të kryqëzuara. Këngët e krijuara në rini janë më të hovëshme, ndërsa në vijim, afër mbarimit, mendimtare, me shqetësime për fatin e atdheut në prag të lirisë, pas Luftës së Parë e konferencave ndërkombëtare. 

            Pjesë  nga  këngët e Lahutës

Gjatë analizës së krijimtarisë së autorëve të ndryshëm në letërsinë soc-realiste, zakonisht jepeshin citate apo shkurt vetëm disa pjesë. Meqë më lart u përmendën trajtime te zgjatura  armiqësore,  del  e nevojshme që prej kësaj kryevepre epike, me tridhjetë këngë, të zgjidhen të paktën pesë këngë qoftë edhe jo të plota. Atëherë lexuesi i mësuar ndryshe, do të befasohej e mahnitej me gjuhën e pastër shqip  të poetit atdhetar At Gjerg Fishta.  Shembuj shkrimesh në libra të tillë janë të shumtë, një prej tyre,  “Shkrimtarët shqiptarë”- 1942,  në dy vëllime duke filluar  nga Buzuku, ku shkrimtari  i njohur Karl Gurakuqi  paraqet  me imtësi  jetën e  Fishtës vargje  të shumta e të gjata, nga  poema “Lahuta e Malsisë”, nga  poezia lirike, dramat e nga proza.

       “LAHUTA E MALCIS”

           Këngë të zgjedhura.

           C u b a t


Ndihmò, Zot, si m’kè ndihmue! 
Pesëqind vjet kishin kalue 
Çëse të buk’rën ket’ Shqipni 
Turku e mbate në robnì, 
krejt tu’ e là t’mjerën në gjak,     

frymën tue ia xanun njak, 
e as tu’ e lanë, jo, dritë me pà: 
kurr’ të keqen pa ia dà: 
rrihe e mos e lèn me kjà: 
me iu dhimbtë, po, minit n’ murë,            

me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!             
Veç si ‘i dèm, vu n’lavër s’pari, 
qi, ka’ e vret zgjedha e kulari 
kah nuk bàn m’e thekë strumb’llari, 
s’ndigjon me tërhjekun m’pluer:                 

e tue dhanë kryq e tërthuer, 
tu’ i dhanë bulkut shum’ mërzì, 
me u vu s’ ryset për hullì 
e as me shoq ai pendë me shkue: 
kështu Shqiptarët, të cilt’ mësue

s’din’ me ndejë rob nën zgjedhë t’huej, 
pagë e t’dheta me i là kujë, 
por të lirë me shkue ata motin, 
veç mbi vedi tue njohtë Zotin,

………………

          Vranina

Vojti fjala te Çetina:

-Vallë! ç’po ban mi ShkjaVranina!

Vallë! ç‘po ban  Vranina m’Shkje?

rob tue xanë  e gjind tue pre,

tue pre gjind, tue xanë kajduka

qysh se duel njaj Oso Kuka! 

Oso Kuka, ’i  burrë shkodran, 

shoq në Shkodër, thonë, s‘ka lanë

për kah besa e kah trimënia,

qi zanatë i ka Shqipnia.

Kaleshan e sy-përgjakun,

mje m’sylah mustakun:

ushton mali, thonë, kur t’flasë,

dridhet  fusha kah t’vikasë,

e kah t’dredhë të rrebtë taga’n

thue se rr’feja shkrep për anë

kaq vringllim ai shkon  tu’ i dhanë!

……………………

           Marash Uci

Te nji mriz, te nji lejthí
kishin ndodhun tre barí
dy me dhen e nji me dhí,
njani plak e dy të rí:
Marash Uci e t’ bijtë e Calit:
dy djelm t’ lehtë si shpezt e malit.
Marash Uci i Uc Mehmetit,
anë e m’ anë i kisht’ rá detit
kishte pá pronët e Mbretit
çak prej Hotit tue xanë filli
dér ku piqet buka m’ dielli;
pse, sa kje Marashi i rí,
i pat dalë Mbretit n’ ushtrí
me armë n’ dorë, me zjarrm në gjí,
si qi doke asht n’Shqipní.
Burrë i fortë e trim si Zana,
armët i kjenë atij baba e nana:
babë tagani e nanë breshana,
vëllá e motër dý pistolet
dý gjarpnusha prej Stambollet.
Ky kje lypun edhè gjetun,
pat kenë thirrun edhè pëvetun
e n’ kushtrim e n’ gjýq t’ bajrakut,
e ndër pré marrë Karadakut;
e kudo qi i doli prîja
atý i dajti edhè trimnija.
Por, si kripit i rá bora,
e la kamba, e la dora,
edhè i shkrefi armët besnike:
njato armë qi n’kohë jetike
pa’n kenë ndera e Arbënísë kreshnike;
e na doli barí malit,
i shmrijak me t’ bijtë e Calit
prore Mashi djelmëve t’ Hotit
u kallxonte punët e motit,
punët e motit, punë trimënie:
si Shqiptari mbas lirie
e mbas besës e s’ bardhës Fé
bate dekën si me lé;
……………….

     Te kisha e Shinjonit 

Prendoi dielli, n’qiellë duel hana,
n’ Veleçik po pingron Zana:
Ehu! ju malet e Shqipnísë,
n’ t’ cilat strukë shqipja e lirísë
n’ t’ bardhat kohë qi kanë prendue
s’ lete anmik, jo, me iu afrue!
E din shpat e di’ edhe përrue,
e din landë e di’ edhe gúrë,
Shqiptarísë kryq e tërthuer,
se sa gjak atëbotë i anmikut
vojti rrëkajë prej t’ bardhë çelikut,
qi flakote n’ dorë t’ Shqiptarit
Porsi rrëfeja majes s’ Sharit.
A kish mujtë kurr n’ atë kohë t’ lume,
(Me lot gjakut sot t’ lotueme!)
veç nji troe t’ tokës Shqiptare
m’e rëmue dora grabitçare?
Sot m’e dá duen copa – copa,
e përse? Pse don Europa[
………………………

         Te ura e Rzhanicës 

Riza Pasha del n’ kalá,
I Madhi Zot, se shka me pá!
Fort ndjegull paska rá
N’ at Rrzhanicë, nën Podgoricë.
S’ ká me ngiatë e do t’ bjerë shí:  
Hazna e madhe për bulqí!
T’u ngjatët jeta! – i thotë Myftija
S’ ká rá ndjeglla kah Malcija,
Kah Rrzhanica e Podgorica;
Por âsht çue tymi i barotit,
Djelmt e Grudës e Lekët e Hotit
Kah luftojnë me Mal të Zí.

……………………………

 vijon        

Filed Under: Kulture Tagged With: Agim Deshnica

POETI I PAHARRUAR ATDHETAR

September 12, 2021 by s p

Vinçenc Prennushi

Description: Description: Vincens_Prenushi

       Jeta dhe vepra,

     Me rastin lindjes.

Nga Agim Xh. Dëshnica

Në librin ”Historia e Letërsisë Shqiptare”-1983, poeti Vinçenc Prennushi, i cili mbylli sytë si shenjt në hetusinë komuniste, përmendet kalimthi vetëm me dy rreshta cinike: “Ndër vjershëtorët klerikalë dhe publicistët më agresivë ishte edhe Vinçenc  Prennushi, poet i dobët sentimental e fetar.” Sigurisht nga kritikë të atillë që ngrinin në qiell vjershat për dikatorët gjakatarë e për bomba e flamuj të kuq, nuk mund të shpresohej për vlerësimin shkencor të poezive  me zanafillë qysh nga Naimi e Fishta.

Po kush qe ky poet, ”agresiv e sentimental”!? Ky poet i frymëzuar, që i këndonte vështrimit të dashur të nënës, lirisë njerëzore, atdheut, kënaqësisë e larmisë së luleve, hijeshisë së pyjeve dhe vezullimit të yjeve!? Veçse, pa dashur, të ashquajturit kritikë letrarë, duke e cilësuar Vinçens Prennushin sentimental, këtë predikues mbresëlënës të besimit ndaj Zotit, thanë një të vërtetë, se çfarë duhet të ketë një poet: shpirtin e ndjeshëm, që nuk pajtohet me asnjë sjellje agresive. Vinçenc Prennushi, ky shërbëtor i Hyjit, me shkrime e ligjërata,  edukoi ndër vite disa breza besimtarësh.  

Ai njihet tashmë për një varg aftësish: poet lirik, shkrimtar, dramaturg, përkthyes, folklorist, publicist, filozof teolog e peshkop françeskan. Prennushi lindi më 4 shtator 1885 në Shkodër. Mësimet e para i mori në vendlindje në shkollën françeskane dhe i vazhdoi në seminarin e Troshanit.  Më 1908 kreu studimet për teologji e filozofi në Insbruk të Austrisë dhe u shugurua meshtar i Urdhërit Françeskan me emrin At Vinçenci. Qysh në ato kohë u njoh me disa gjuhë dhe me kulturën europiane, sidomos atë gjermane. Pas përfundimit të studimeve, kthehet në atdhe dhe emërohet drejtor i Kolegjit Françeskan në Shkodër. Aty bashkëpunon me revistën “Hylli i Dritës” dhe merr pjesë në themelimin e Komsisë Letrare Shqipe. Më 1911, boton në Sarajevë vëllimin “Kangë popullore gegnishte” -Veri, Kosovë, Shqipni e Mesme-. Më 1918, botoi “Fjala e Zotit” dhe “Grueja shqyptare“.  Qysh në moshë të re u shqua me poezitë e përkryera lirike në vëllimin “Gjethe e lule”, botuar në viti 1921. Gjithkush teksa lexon këto poezi të krijuara thuajse njëqind vjet më parë, dëgjon kumbimin e pastër e të bukur të gjuhës shqipe e një melodi, sa të ëmbël po aq edhe ritmike, të përshkuar nga një tis i këndshëm melakonie djaloshare kohësh romantike. Nga pena e Prennushit kanë dalë edhe krijimet “E tradhtuemja”, “Guri i mshehtë e fort i çmueshëm”, drama, “Prej robnie në liri” etj. Më 1924, si një nga veprimtarët në shërbim të demokracisë botoi broshurën, “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë“. Ndër përkthimet e Prennushit njihet me romanet “Kuo Vadis” nga Henrik Sienkeviç, “Burgjet e mia” nga Silvio Peliko, “Fabiola” nga N. P. Uiseman. Gjithashtu ka përkthyer vepra nga Fridrik Vilhelm Veber, Fransua Rene Shatobrian, Dante, Aleksandër Manxoni, etj.  Në vitet 1918-1921, drejtoi të përkohëshmen “Zani i Shna Ndohut” dhe më 1921-1924, revistën “Hylli i Dritës”. Ndërkohë bashkëpunoi me gazetat “Posta e Shqipnisë” dhe “Ora e Maleve”. Me 26 libra teologjike për shërbesat fetare, emërohet më 1936 ipeshkëv i Dioqezës së Sapës e më 1940 arkipeshkëv i Durrësit dhe i Tiranës.  Më 1946 kryesoi Kishën Katolike të Shqipërisë.

Vinçenc Prennushi, është nderuar qysh në vitet e krjimtarisë nga poetë e shkrimtarë, si At Gjergj Fishta,  Ndre Mjeda, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Kristo Floqi, Marin Sirdani, Ernest Koliqi, Stefan Shundi; nga arbërshët Zef Skiroi e Gaetano Petrota; nga albanologët Maksimilian  Lamberci, Fulvio Kordinjano, etj. Sado në vitet e mohimit të vlerave kombëtare u orvatën të zhvlerësonin veprën e tij, ai mbeti i paharruar. Pas shembjes së diktaturës komuniste, jeta  e vepra e tij  u njoh  më gjerë e më thellë nga shkrimet e një vargu të gjatë shkrimtarësh e dijetarësh të kulturës, si Arshi Pipa, Pjetër Pepa, Aurel Plasari, Gjergj Zheji, Rudolf Marku.  Robert Elsi, etj. 

Më 1941 Stefan Shundi shkruante: ”Prennushi njihet si kangatari i ambëlsisë dhe i melankolisë, e me të vërtetë ndër të gjitha poezitë e tij kumbon nji jeh i kandshëm dhe nji ushtimë zynmnuese, në dashtë të këndojë atdhen e bukuritë e veta, në dashtë të vargnojë misteret e besimit.  

Arshi Pipa në kujtimet e veta na bën të ditur, se: “politika Imzotit nuk i pëlqente dhe ma shpesh kuvendojshim mbi gjana të tjera, mbi letërsi, mbi gjana të së kaluemes, mbi përvoja vetiake të ndryshme. Me të tjerët Imzoti ishte shumë i ndalun dhe çelte gojën për me dhanë ndonji këshillë, edhe atëherë kur ishte i pyetun, ose për me ngushëllue me fjalë të buta zemrat e vuejtuna të njerëzve. Fort rrallë tregonte ndonji ndodhi të jetës së vet, ndonji anekdotë ose nji fakt historik, dhe gadi gjithmonë me qëllim edukativ. Atëherë gjithë dhoma e vështronte në nji heshtje njimend fetare. Flitte thjesht, në mënyrë qi me e kuptue edhe fshatarët. Ndante me ma të vorfënit atë pak gjellë qi nji plakë e përshpirtshme i binte kur kishte. Rrinte, ndonjiherë me orë, në vendin e vet pa folë, me kqyrjen e tretun përtej dritares. Mbas gjasë atëherë lutej. Ishte i butë me shpirt të paqëm, thellë i devotshëm, i kushtuem kryekput misionit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue, me nji urtësi te bindshme, dashuninë e vet për Atdheun dhe shijen për letërsinë. I buzëqeshun në të folun, zemërgjanë ndër gjykime, i qetë e i sigurt në besimin e vet të patrandshëm, por jo i mbyllun ndaj shekullit, madje fort i kuptueshëm për nevojat dhe të metat e njerëzve. Imzot Prennushi të bante shpejt për vete. Mbasi qemë afrue mjaft, un i lypa leje ta thirrsha Patër Vinçenc. Titulli i françeskanit të dikurshëm më tingëllonte ma për zemër në ato kushte të trishtueshme, ku dallimet mes njerëzve nuk mund të ishin veçse të rendit moral. Dinjiteti kishtar i Vinçenc Prennushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e atdhetarizmit shqiptar, i jepte fytyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqësuesve të Kombit.”

Ndëshkimi mizor dhe rikthimi i shenjtë i poetit

Më 1947 ky njeri i mirë e poet i paharruar dënohet me njëzet vjet burg, pa asnjë faj, nga gjyqi komunist pa ligje, por pas torturash çnjerëzore ndërroi jetë më 19 mars 1949. Veçse, siç ndodh shpesh, kohët ndryshuan dhe emri i tij u përmend përsëri  me zë më të lartë në tërë trojet shqiptare dhe jashtë tyre.  Më 8 maj të vitit 1993 u shpall “Martir i Demokracisë“. Lajmi ngazëllyes për firmosjen nga Papa Francesku i dekretit  me të cilin shpallen të Lumë  Shërbëtorët e Hyjit, Vinçenc Prennushi, i Urdhërit të Fretërve të Vegjël dhe 37 shokë të tij martirë, të vrarë gjatë regjimit komunist, ishte një ngjarje e madhe historike. Veprat e tyre jetojnë  dhe i shërbejnë shoqërisë shqiptare e së vërtetës së munguar, duke hedhur poshtë tërë vendimet  e gjyqeve barbare dhe  qindra sajesa e kundërthënie të letërsisë  soc-realiste dhe historianëve me prirje të majta. 

Poezi e prozë  nga poeti  Vinçenc Prennushi 

Ndryshe nga çfarë shkruhet në librin “Historia e letërsisë shqiptare” – 1983,  po japim më poshtë nga ky poet lirik me kulturë të gjerë, vargje dhe prozë të një ndjesie e bukurie të rrallë në letërsinë tonë. Ato zgjojnë ndjenjat e dlira njerëzore, krenarinë kombëtare, kujtimet e nderimin për nënat, ftojnë lexuesit në hijen e freskinë e pyllit, pranë lumit, të dëgjojnë zogjtë tek cicërojnë dhe duke qëndruar mbi Cukal  të sodisin yjet lart.


Nana

M’i kande hyjt, qi ndrisin
Aq bukur atje n’qiell;
I due lulet e kandshme,
Kur njomshëm çilin n’Priell.

Knaqem sa herë m’bjen zogun
Me e ndie pyllës tuj vallzue.
A i ve un’ veshin prronit,
Kah rrshket tuj gurgullue.

Por lulet aq s’i due
S’i due aq hyjt vizluesa,
As m’knaqë blerimi i tokeve,
Me sa janë zogj kënduesa,

Sa m’knaqë perherë mue nana:
Virtytesh nji pasqyrë,
Nuk ka nevojë me m’folun,
Kam mjaft kur ajo më kqyrë.


Kuq e zi

28 nanduer 


Fishkllon veri, ushton duhija,
Bjeshkët për rreth mbushen me borë:
Por kjo stinë për ne â me orë,
Qysh se i lule me rrit desht:
Rriti lulen kuq e zi,
Qi â ma e bukra në Shqipni.

Ngjyra e saj, njomsi prendvere,
Përtrin viset e Shqipnisë;
Lule â kjo, lule lirike,
Qi ne nderën n’vend na e çon,
T’falem, lule kuq e zi,
Si ty s’rritë mâ kjo Shqipni.

Kuq si gjaku, si përhera
N’dej t’ Shqiptarve idhtë pat vlue,
Zi si futa, qi pat mlue
Njat anmik qi me e njoft s’desht.
T’falem, lule kuq e zi,
S’t’ka kush, jo, pos ksaj Shqipni.

Ty t’bajnë burra nder lamije,
Vashvet parzmat jua stolise;
Je nderue nder kombe e fise,
Si dhanti e t’Naltit Zot.
Shejtë â lulja kuq e zi
E â ma e çmueshmja e ksaj Shqipni.

N’çdo kremtim, n’gzime kombtare
Mbledhë shqiptari çetë mas çetë,
Gjallnim s’ka, nuk nep shej jete,
Kur ket lule ngjet s’e shef.
Rrnoftë, pra, lulja kuq e zi
Qi â ma e hiejshmja e ksaj Shqipni.

Rueje, pra, Shqipni fatlume,
Ket dhuntin e t’Përgjithmonit,
Afër lterit, afër fronit,
Ndër dit‘ gzimit e n’mjerim,
Rueje lulen kuq e zi,
Qi s’ka shoqe n’kët Shqipni!


Ushtari i vogël 

Veshë e njeshë kshtu si ushtar,
Si ushtar e si shqiptar,
Shpatë për bri e pushkë ndër duer,
Me i rresht çmime në krahnuer,
M’ndieni, burra, n’po u tham:
Kqyrni sa i bukur jam! 


A thue vjen për mue kurr ditë,
E kto armë, qi shof tuj ndritë.
Njekto armë, qi sot un bari,
T’i shti n’punë si i shtjen shqiptari;
T’i shti n’punë për me qindrue
Për vend t’em, p’r Atdhe t’bekue!

T’ishem sot n’ushtri me tjerë,
Me korrë kishem nam e nderë;
Punë fort t’mdha kishem me krye,
Edhe anmiqt kishem me i thye:
Me qindresë e dalë-kadalë
General kishem me dalë.

General! s’a’ punë me luejtë:
Me ra n’luftë edhe me muejtë;
Me drejtue gjith’ at ushtri,
Veshë e njeshë për bukuri.
Por ç’dobi, se ndodha i vogël,
As s’di ç’ujë e ban kët gogël.

Njizet vjet kishem me dashtë,
E atëherë kënd s’kishem me drashtë:
Me m’ndigiue kish’ gjith’ ushtrija;
Me m’permendë kish’ gjith’ Shqipnija;
N’luft’ un kish’ me ra si rrfe,
Gjall a dekë, veç për Atdhe.

Nji ditë baba bisedote
E ne djelmve kshtu na thote:
Për ke dekë bjen për atdhe,
Mos t’thonë diq, por t’thonë ka le.
Edhe unë pra, sado qi fmi,
Me dekë kishem për Shqipni.

Por ma parë un due me mujtë,
Due me i pa anmiqt të prujtë,
E, masi, me ndihmë të Zotit,
T’siguroj tokët e Kastriotit,
Edhe anmiqt un do t’i fali,
Mjaft qi t’më thonë: “Rrnoftë generali!”

General, s’a’ punë me luejtë:
Me ra n’luftë edhe me muejtë,
Me drejtue gjith’ at ushtri;
Veshë e njeshë për bukuri.
Por ç’dobi se ndodha i vogël
e s’di ç’ujë e ban kët gogël!

Pylli


Pylli asht si nji vegël muzikore e pamasë e gjethet e landët e tija, të mëdha e të vogla, me at rendimin e tyne të panjehun janë si fijet e njaj harpe, qi të prekuna porsa, losin menjiherë  e napin gjithfarë kumbimesh, prej ma të lehtave deri në ma të fuqishmet.

Kalon nji fllad e pylli fshan nëpër gjethe qi dridhen. Ulen flatrat e erës e përkasin majet, përshkohen  nëpër degë e të fshamet shëndrrohen në nji gjamë. Shton era, losin gjethet e lehtas edhe trupi i landëvet.  Pylli shungullon gjithkah e ndihet  nji zhurmë, si krisëm e largët e njaj lumi qi shkon qetësisht tue u dikue. Po era nuk ndalet e tue marrë  fuqi përherë ma të madhe, bashkohet me stuhi, e cila shpejt do të vetën: nisë lufta e elementevet t’ajrit, men era, e nji trumbë e mnershme i mbulon landët deri në rrajë. Asht çasi ma i kobshëm e pyllin e njofim n’atë kohë porsi nji përbindsh të vërtetë, që na paraqet të tanë egërsimin e natyrës, se, si t’ishte në rrezik me u mekë prej nji pshtjellimi të jashtzakonshëm, trandet, përkulet fishkullon, vret me atë furi qi ka deti,  kur gjindet në tallaz.         

Mnera qi të shtjen pylli kah vrret, furija me të cilën shpërvilet gjith’ ajo mblojë prej ere, ato degë qi hidhen e përdridhen, si krahët e njaj përbindshi qi asht kah mbaron, të lidhin, të pengojnë, të bajnë aq për vedi, sa mos me kenë njeriu  ma i zoti me mendue kurrgja tjetër. Natyrës për rreth i këputet zani e rrin tue u dridhë, gadi si të pritte me pa se si do të marrë fund ajo luftë elementesh. Kuj i shkon mendja n’ato çase te miqt e pyllit, te zogjt e malit?  Mshehë nën proje të ndonjij dege, ata struken, të tanë droje, as nuk u del ma kanga. Mbi ato maje n’atë kohë zotnon vetëm shtërgata, me ato gjamët e mnershme të vetat. Njaj qi përshkon me mend n’ato çase qetsin që pak parandej mbretnonte gjithkund nepër pyll, kur ushtojshin tjera zane, sa shndrimin kishte me vu re! Por, a nuk ndodh të thesh krejt njashtu edhe për at pyll epshesh të mbrapshta, qi asht zemra e njeriut, kur ven para rryma e mnis, tue e ba me kalue prej dashtnije në smirë, prej qetsije në furi,  prej idylit në tragjedi? 

Edhe ky pshtjellim pylli e ka bukurin e vet, bukuri e vrashtë sa të thuesh, qi tue lanë njerin pezull në shpirt, në vend që me e qetsue e turbullon, e ban me dishrue që të mbarojë sa ma parë ajo poterë. E mbarimi vjen përnjimend e aq ma shpejt sa ma i mnershëm të ket qenë pshtjellimi. 

A nie i zymët resh shkon tue u shgatrrue, pran shiu, men era… Zogjt ndër degë, të siguruem, qesin prap kryet e nisin me vallzue. Mnija e furija mbaruen me njaq, e në pyll kthen edhe nji herë qetsija  e paqja.

                                       * * *

E çfarë paqe ndër ditë të kthejllta!

Duhet me pa pyllin ndër orë të kullueta të mëngjesit, kur rrezet e para të diellit nisin me u përshkue nepër degë të shpeshta të landvet, njat herë kur pikat e vesës, shtri mbi gjethe vizlijnë si t’ishin gurë të çmueshëm;  e degë e trup e blerime të gjitha hapin gjithkah një erë balçmi, më nji që vala e kulluet e kronit  merr teposhtën tue gurgullue; gjithkund freski e hije të qeta, ku mjedrra  e erëkandshme, dredhëza e shijshme, përzi me lulet e shen Gjergjit e me sherbelë lidhin ma së miri me valle të gëzueshme të zogjve gjithfarësh.    

Asht gjithnji simfoni, që t’i mbush ndiesit me nji gëzim të shëndoshët e të kulluet, që të balçmon shpirtin e të nep rasë me shijue njat poezi të hyjnueshme, me të cilën natyra virgjin e pat gjithherë në zakon me u folë njerëzvet. Symfoni jonesh të kandshme përnjiherë e të fuqishme, që marrin shkas nëpër landë a por edhe fill prej landve të madhnueshme: ah, shpardhe, bung, hale, arrnë, tis, etj.

Këto janë ato landë që i bajnë hijet e Cukalit aq të pëlqyeshme e që kanë nji fuqi aq të bindueshme me ngreh zemrën e çdo shtegtari. Ai shtat i gjanë e i naltë, kapë e shtërngue për dhé a por për nji curr me rrajë të veta, kush e din se sa qindra vjetsh i ban me kenë ato landë kreshniket e pamujshme në luftim me erë. Njato landë, po thom, të cilat edhe mbasi t’i ket’ rrëxue spata, mund t’i shofim të nguluna në det mbi ndonji ani, ase kthye e ba rrema, kah i ndihmojnë voztarit me ça valët shkumbuese. Ato landë rreshtue aq shpesh mbi maje ase brijavet të malit, vendue në mes të grykavet t’ashpra, janë me trup të vetin mburojë e sigurt për sa e sa krahina, tue ruejtë dhen, që mos të shkapërderdhet prej rrymës s’ujit, a por edhe tue kullue ajrin e tue i ba të shëndoshta viset të gjitha ku këto ngrehin shtatin e madhnueshëm të vetin e hapen degësh.

Filed Under: Kulture Tagged With: Agim Deshnica, Vincenc Prendushi

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut
  • DUKAGJINI KËRKON RRUGËN!
  • Sot, kujtojmë 143- vjetorin e lindjes së Mit’hat Frashërit
  • KUR PRISHESHIN TEMPUJT, ME SHOKUN E KLASËS VISARIN…
  • Sot 126 vjet nga numri i parë i “Albania”-s me botuesin vetëm 22 vjeç
  • Guri i budallait dhe mendja e zgjuar
  • “Strategjia e Mbrojtjes dhe Zhvillimit të interesave Kombëtare”!
  • Kalendar: 24 Marsi 1999, Dita që i hapi shteg Lirisë e Pavarësisë së Kosovës
  • LIRIE (LYDIA) MEMETI, NJË HISTORI SHQIPTARE FRYMËZUESE
  • Vjena – Qytet i Requiemeve – Requiem për Musinenë!
  • Tregimi për zonjat e suksesit shqiptar- ideja që jeton pa kohë
  • Ish-diplomati Syla, ftesë qeverive tona t’i promovojnë shtetet në SHBA, Kanada dhe Izrael

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT