“Individët kalojnë si hijet, por republika është e palëvizëshme dhe e qëndrueshme”/
Edmund BURKE (1728 – 1797), Burrë Shteti e shkrimtar anglez/
NGA EUGJEN MERLIKA/
16 shkurti 2019 për Tiranën dhe shqiptarët qe një ditë e pazakontë. U nis si një ditë e një tubimi të madh proteste, të organizuar nga Opozita për të rrëzuar Qeverinë, por u kthye në një ditë vandalizmi të cilën nuk do të dëshironim kurrë më të përsëritej. Skenat e përpjekjeve për të hapur dyert e blinduara të kryeministrisë nga protestuesit dhe gazi lotsjellës i lëshuar nga mbrojtësit e rendit kundrejt tyre, skena të përsëritura për orë të tëra në sytë e qindra mijra shqiptarësh në të gjithë botën që e ndiqnin në televizion, përcillnin një trishtim në shpirt e një zymtësi në mendime….
Ajo ditë qe paralajmëruar tërthorazi në të gjitha mënyrat nga dy muajtë paraardhës të saj, me kundërshtitë mes dy grupeve të politikës që shpalosin një formë lufte të brëndëshme që, herë herë, nuk mban parasysh as normat më parake jo vetëm të etikës politike por as të sjelljes njerëzore, me protestat ekonomike të studentëve, me ndërrime qeveritarësh që nuk kuptohet se mbi çfarë kriteri bazohen, me një kundërshti institucionale mes dy prej njerëzve më të fuqishëm të Shtetit, me një pakënaqësi e varfëri që preken me dorë, si pasojë e faktit që mbetemi ende Vendi më i varfër i Evropës, i shoqëruar nga një dukuri kundërthënëse që shënon njëkohësisht pasuri marramendëse në duar të pak njerëzve, kryesisht atyre me pushtet apo pranë tij…..
Në dy vitet e fundit fjala më e përdorur në gjuhën e folur politike e shtetërore është “vettingu”, që n’origjinalin anglisht ka kuptimin e banjës e të shpëlarit. Tek ne hyri si një kryefjalë magjike e aftë të ndreqë gjithshka shkon mbrapsht në jetën shqiptare. Sa më shumë zgjerohet përdorimi i kësaj fjale, aq më shumë zbulohet lakuriq shprehja e dështimit që ka shoqëruar kalesën e viteve pas komuniste të shoqërisë shqiptare. Vettingu i gjyqtarëve, i politikanëve, i administratorëve, i profesorëve të universiteteve, i punonjësve të rendit etj., që segmente të ndryshme të botës shqiptare kërkojnë me këmbëngulje në faza të ndërsjellta, madje duke thirrur në ndihmë institucione të huaja, vërtetojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se sa shtrembër është mataruar jeta institucionale, administrative, politike e shoqërore e këtyre viteve, sa që sot duhet një shpëlarje e përgjithëshme e një nisje nga zeroja, mbasi ndershmëria dhe merita, që duhej të ishin cilësitë bazë të vlerësimit të nëpunësve të Shtetit, janë zëvendësuar nga e kundërta e tyre. Sot gjindemi me 80 % të popullsisë që kërkon të braktisë Vendin e me mungesën e shpresës e të besimit që zotërojnë në të gjithë indet e qelizat e shoqërisë, me pak përjashtime.
16 shkurti qe një tjetër vërtetim i kësaj gjëndjeje, të rënduar nga mangësi të theksuara të klasës politike që, megjithëse e përtërirë në një farë mase nëpërmjet ndërrimit brezor, vazhdon të shfaqë shënjat e sëmundjes së vjetër e të trashëguar të shqiptarëve, paaftësisë për t’u ulur rreth një tryeze e për të gjetur zgjidhjen e mundëshme të shumë problemeve.
Opozita shqiptare ka vendosur të luftojë me të gjitha mjetet për një ndryshim të jetës politike të Vendit, duke dalë jashtë nga binarët normalë të dialektikës së zakonshme të demokracive liberale të silit perëndimor. Ajo arriti deri aty sa të dalë jashtë kuvendit duke djegur mandatet me një vendim unanim të drejtuesve të partive e të vazhdojë luftën e saj politike nëpërmjet mbushjes së shesheve me protestues. Nuk e di sa pajtohet djegia e mandateve me parimin e detyrueshëm të përfaqësimit të vullnetit të zgjedhësve e një shembull i tillë vështirë se mund të gjindet në historinë e parlamentarizmit botëror. Është e drejtë e kujtdo force politike të zgjedhë mënyrat e luftës që i quan të pështatëshme për të sendërtuar taktikën e saj të betejës politike, në kornizën e rregullave e parimeve të demokracisë liberale.
Sot Opozita ka vënë si synim të saj rrëzimin e Qeverisë që ka dalë nga një votim i njohur nga institucionet e Vendit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë si i pranueshëm për standartet shqiptare, megjithë të metat e vëna re në çastin e zgjedhjeve. Por ajo ngul këmbë se “kupa është mbushur e kështu nuk mund të ecet më”. Kjo është një gjëndje që mund të çojë në një përballim masiv mes grupeve te ndryshme kundërshtare në jetën politike, nëse dhe Qeveria do të ndiqte këtë taktikë siç la të nënkuptohet mbas provës së Vlorës. Në këtë gjëndje kur Shqipëria synon të fillojë bisedimet për hyrjen në BE dhe kur është në mes të një reforme që quhet e rëndësishme për të luftuar korrupsionin e zgjeruar e mbytës të jetës së saj politike dhe administrative, një përballim i përgjithshëm si ai i vitit 1997 do të ishte fatal për fatet e Shqipërisë.
Opozita kërkon dorëheqjen e Qeverisë që, simbas rregullave të çdo demokracie, është e detyruar t’a japë atë nëse nuk ka më shumicën në Kuvend. Opozita kërkon një qeveri të përkohëshme për të zhvilluar zgjedhjet e lira e të ndershme, ëndrra e parealizuar e këtyre tre dhjetëvjeçarëve të kalesës. Ishin po të njëjtat kërkesa të një viti e gjysmë më parë, të sanksionuara nga një takim i gjatë mes kryeministrit Rama e kryetarit të Opozitës Basha. Se çfarë u fol n’ato tetë orë bisedimesh mes dy bashkëfolësve ende mbetet një e panjohur e pazbuluar, sepse asnjëri prej të dyve nuk e ka thënë haptas. Por përsëri gjërat nuk shkojnë mirë e përsëri jemi të pranishëm në një tjetër akt të vazhdimësisë së kalesës pas komuniste shqiptare. Ndryshimi i vetëm është këmbimi i roleve mes pushtetarëve e opozitarëve, metodat e mjetet janë po ato, të njohurat e të zbatuara gjithmonë në dëm të ecjes para të shqiptarëve.
16 shkurti i 2019 na kujtoi një tjetër ditë dimri të disa viteve më parë, atë të 21 janarit 2011. Të njëjtat grumbullime njerëzish, të trasportuar falas nga anë të ndryshme të Shqipërisë, të njëjtat thirrje kundër hajdutëve e të korruptuarve, që atëherë ishin opozitarët e sotëm ndërsa protestën e drejtonte kryeministri i sotëm. Por me një ndryshim thelbësor: më 21 janar u shprazën armë në ajër por që, fatkeqësisht , morën jetët e katër shqiptarëve të pafajshëm, ndërsa më 16 shkurt, fatmirësisht qe një luftë e gjatë pa të vdekur, mes policisë së Shtetit në rolin e mbrojtëses së godinës së Këshillit të Ministrave nga sulmet e demostruesve dhe Opozitës që e kishte lënë popullin të shprehte “vullnetin” e tij duke u munduar të thyente portën e blinduar.
Ndryshimi nuk është i pakët e tregon një farë ecje të rëndësishme në kahun e qytetërimit që i njeh kujtdo të manifestojë në mënyrë paqësore bindjet apo dëshirat e tij, por edhe nëse nuk e bën n’atë mënyrë, edhe nëse gabon, shkatërron, dhunon institucionet që janë pasuri e simbol i kombit e jo i individëve që qëndrojnë brënda, mbrojtësit e rendit nuk mund e nuk duhet të marrin jetën e askujt. Më 16 shkurt ky ligj i qytetërimit u respektua dhe shoqëria shqiptare duhet të falënderojë ata që e bënë të mundur këtë arritje të madhe.
Por sulmi kundrejt ndërtesës së kryeministrisë më la një shije të hidhur, m’u duk si një rëndesë e panevojshme, si një hap mbrapa, si një rikthim në episode të hershme e më pak të hershme, për të cilët ne si shoqëri nuk po jemi në gjëndje, në mënyrë të vendosur e përfundimtare, të mos u njohim qytetërinë në mendësinë tonë të dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit 21, sikur të ishim përsëri në të largëtin vit 1943, kur u gjuajt me top e vetmja Asamble Kombëtare mbarëshqiptare në historinë tonë. Pesë orët e manifestimit të protestës së Opozitës u kufizuan vetëm n’ata episode të vandalizmit kundër portave të ndërtesës.
Sa e bukur do të kishte qënë ajo shfaqje zëmërimi e një pjese qytetarësh të Shqipërisë, kundrejt një Qeverie, një pushteti që përbëhet nga njerëz, nga ide, nga veprime, që mund të paditen në dritën e diellit për prapësitë e tyre, për mangësitë, për politikat, për zullumet, edhe për vjedhjet e votave, ndershmërisht ballë për ballë, me forcën e arsyes, të së drejtës, të ligjeve të një demokracie, për të cilën duhet të japin ndihmesën të gjithë bashkëpuntorë e kundërshtarë politikë. Simbas pohimeve të organizatorëve të protestës, aty do t’i lihej fjala popullit, do të flisnin njerëz nga manifestuesit, thuhej rreth njëzet vetë. Por nuk u pa asnjë të flasë, veç fytyrave të njohura të drejtuesve të partive të Opozitës.
Ajo që e bënte më mjerane atë pamje të zymtë lufte për pushtet ishte mungesa e guximit qytetar të atyre personazheve që mëtojnë nesër të drejtojnë Vendin, për të ndërhyrë e për të larguar ata mercenarë të dhunës nga veprimet e tyre kundrejt një godine që simbolizon pushtetin, institucionin e qeverisjes sonë, që duhet të mbetet gjithmonë i respektuar, sepse nuk jemi një popull shpellash, por një bashkësi njerëzish, zanafilla e të cilëve zhytet thellë n’agun e qytetërimit të këtij kontinenti. Si një popull në mes të Evropës e që mëton të jetë pjesë e saj në të gjithë drejtimet, duhet të tregojmë se bashkëndajmë me të edhe mendësinë e respektit për institucionet. Nëse brënda tyre ne fusim halabakë, hajdutë, vrasës, apo çfarëdo keqbërësi tjetër, nëpërmjet votës sonë, na duhet të pranojmë se ka diçka që nuk shkon në veten tonë, por që nuk mund të mendojmë t’a shërojmë nëpërmjet dhunës së verbër kundrejt godinave në të cilat zhvillohet jeta jonë shtetërore.
Madje edhe më mjerane ishte deklarata e drejtuesve demokratë se “policia e ka provokuar turmën me tërheqjen e saj”. Ende mendohet se qytetarët shqiptarë nuk kanë as sy, as veshë dhe as mëndje për të parë, për të dëgjuar e për të gjykuar me kokën e tyre, por duhet të jenë të telekomanduar nga “udhëheqësit” e tyre.
Lë shumë për të dëshiruar edhe qëndrimi i Kryetarit të Shtetit që, pak qindra metra larg sodit në heshtje një shfaqje të tillë ogurzezë, duke u mjaftuar vetëm me një thirrje të thatë, nëpërmjet televizionit. Një garant i shumë gjërave, simbas kushtetutws, në jetën e një populli duhet të jetë i tillë edhe për përfytyresën e tij, për atë me të cilën i paraqitemi hapur vetvetes dhe botës që na rrethon. Ato skena vandalizmi të 16 shkurtit nuk i bëjnë një shërbim të mirë imazhit të Shtetit dhe as të popullit shqiptar.
Qeveria, si vijë politike e si sendërtim i saj, nuk duhet të ketë asnjë farë kënaqësie nga dukuritë e shëmtuara që u panë më 16 shkurt në Tiranë. “Amfiteatri” i Vlorës, me të gjithë retorikën ku mbizotëronin përemrat “un” dhe “ne”, nuk ishte aspak i nevojshëm dhe as i dobishëm atë ditë. Lufta në distancë ndërmjet dy rrjeshtimeve politike, apo dy drejtuesve të tyre, nuk e zbukuron aspak spektaklin e zyntë të politikës shqiptare, e cila është përgjegjësja kryesore e mungesës së dritës në tunelin e gjatë e të errët të pas komunizmit shqiptar. Një Qeveri nuk mund të ngushullohet nga gabimet e kundërshtarëve, por duhet të jetë tepër e shqetësuar për urrejtjen që ata dhjetra mijra nënshtetas të saj shfaqin n’ato forma. Ajo biletë vizite e tyre duhet të jetë një kambanë alarmi, jo vetëm për të por edhe për Shqipërinë.
“Qeverisja e tepërt është rreziku më i madh i qeverive” shprehej më shumë se dy shekuj më parë Mirabeau, një shtetar dhe orator i njohur i Asamblesë Kombëtare franceze të revolucionit. Qëndrimi i gjatë në jetën politike ndoshta ka sklerotizuar mendërisht e moralisht edhe shumë nga politikanët tanë, që nuk janë më në një hap me kërkesat e kohës për domosdoshmëritë e Vendit të tyre, në një kohë jo të qetë për të gjithë Evropën.
“Rama premton se do të çojë Shqipërinë në Evropë, por bën pak për të çrrënjosur korrupsionin që shtyn Brukselin t’a lerë Tiranën jashtë portës. Basha e krahason Ramën me diktatorin venezuelan Maduro dhe i fryn zjarrit të revoltës popullore. Duke shkuar kështu Shqipëria do të mbetet farefisi i varfër, të cilin askush nuk dëshëron t’a ftojë në tryezën e tij”
Ky është njëri ndër mendimet e shprehura nga një gazetë italiane, “Il giornale” të datës 17 shkurt, në lidhje me protestën e Tiranës. Duke shtjelluar më shkoqur mendimin e gazetarit italian Roberto Fabbri, në dritën e s’ardhmes evropiane të Shqipërisë, të kushtëzuar fort edhe nga këto ndodhi të politikës sonë, më vjen ndërmënd një thënie e Giulio Andreottit, një shtetar i njohur demokristian i mbas luftës së dytë botërore: “Të mendosh keq për dikë bën gjynah, por nganjëherë e zbulon të vërtetën.” Duke u nisur nga kjo thënie aq shumë e përfolur në Italinë fqinje, më vjen vetvetiu një pyetje pa përgjigje: a janë me të vërtetë të përkushtuar aq sa duhet zotërinjtë e politikës sonë ndaj idesë për të ndërtuar Shqipërinë evropiane, apo të gjitha “përpjekjet” e këtyre viteve janë thjesht një gjethe fiku, një demagogji për të shpërlarë trutë e bashkatdhetarëve të tyre, ndërsa e vërteta është krejt e kundërta e asaj ideje?
Shumë ndodhi të dhimbëshme të përsëritura të këtyre viteve në politikën tonë lënë të dyshohet se përtej qëndrimit në vënd mes zënkave, sharjeve të ndërsjellta, padive nga më të ndryshmet, fshihet një strategji mirëkuptimi të plotë për t’a ruejtur Shqipërinë si një feude të përbashkët nga e cila mund të vilen të mirat materiale brez mbas brezi, simbas një parashikimi gjenial të të fundmit kryetar të komunistëve shqiptarë.
Shkurt 2018