Zjarri dhe granata tymuese përfshinë qendrën e kryeqytetit ukrainas sot herët ndërkohë që policia speciale filloi një operacion në njërin nga kampet kryesore të protestuesve të opozitës pas përleshjeve në të cilat u vranë të paktën 18 njerëz, duke përfshirë shtatë policë.Policia dhe përfaqësuesit e opozitës thanë se shumë njerëz u vranë nga të shtëna me armë zjarri dhe qindra të tjerë janë plagosur. Dhjetra protestues të plagosur janë në gjendje të rëndë.
Kreu i opozitës ukrainase Vitali Klitschko u bëri thirrje demonstruesve pro-perëndimor të pushtojnë Shehin e Pavarësisë në Kiev për të mbrojtur pozitat e tyre. Ai paralajmëroi gratë dhe fëmijët që të largohen nga zona.
Më vonë, zoti Klitschko ishte në plan të fillonte bisedime urgjente me presidentin Viktor Janukoviç në një përpjekje për të zgjidhur krizën vdekjeprurëse, më e përgjakshmja që kur Ukraina fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.
Ashton: BE shumë e shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës
BRUKSEL- Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, u shpreh sot shumë e shqetësuar nga shkallëzimi tronditës i dhunës në Kiev, ku, sipas policisë, pesë civilë janë vrarë .
“Jam shumë e shqetësuar për shkallëzimin e ri dhe alarmant të dhunës në Kiev”, deklaroi Ashton në një komunikatë. “Dënoj përdorimin e dhunës dhe u kërkoj me forcë autoriteteve ukrainase të luftojnë rrënjët e krizës”, shtoi ajo.
Shtëpia e Bardhë i kërkon me forcë Janukoviçit t’i japë fund dhunës
UASHINGTON- Shtëpia e Bardhë i kërkoi me forcë sot presidentit ukrainas Viktor Janukoviç t’i japë fund shkallëzimit të dhunës që po ndodh në Kiev, duke paralajmëruar se përdorimi i forcës nuk do ta zgjidhë krizën.
“Shprehim keqardhjen për aktet e dhunës në qendër të Kievit”, deklaroi Laura Lucas Magnuson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë kombëtare (NSC), duke i bërë thirrje presidentit Janukoviç “t’i japë fund përleshjeve dhe të rifillojë dialogun me opozitën.
Policia në sulm frontal kundër manifestuesve në Kiev
KIEV- Policia filloi një sulm frontal kundër manifestuesve në sheshin qendror të Kievit, ”Maidan”, me tre autoblinda të pajisura me ujë me presion që po përparojnë në shesh dhe po i shtyjnë protestuesit.Manifestuesit po kundërpërgjigjen me bomba molotov. Disa tenda të vendosura në sheshin ”Maidan”, i pushtuar që prej afro tre muajve, u dogjën.Nga protestat e sotme kanë humbur jetën pesë protestues dhe dy police.
Pushkov: vendi në prag të luftës civile
Ukraina është në prag të luftës civile, u shpreh sot shefi i komisionit të Çështjeve të Jashtme të DUMA-s, Dhoma e Ulët e parlamentit rus, duke akuzuar perëndimorët si përgjegjës.“Mendoj se në Ukrainë po zhvillohet një skenar ‘portokalli’ i marrjes së pushtetit nëpërmjet kaosit dhe arbitraritetit”, deklaroi parlamentari Aleksei Pushkov, anëtar i partisë në pushtet, ”Rusia e Bashkuar” duke aluduar për Revolucionin Portokalli të vitit 2004 që kishte sjellë në pushtet properëndimorët.
“Mendoj se Perëndimi dhe politikanët perëndimorë janë kryesisht përgjegjës për këtë duke bërë presion të vazhdueshëm mbi autoritetet ukrainase për rivendosjen e rendit në vend dhe duke lejuar veprimtarinë e organizatave ultraradikale të cilat qëllojnë tani mbi policinë dhe po e çojnë situatën në luftë civile”, shtoi ai, i cituar nga agjencia Interfax.
Ky është reagimi i parë rus që prej njoftimit të vdekjes së pesë civilëve dhe dy policëve nga aktet e dhunës./