Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 2 Gusht 2021/ Në lajmet që raportoja nga Prishtina në Tiranë, nga dita në ditë e nga ora në orë, nëpër vitet e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi të Kosovës, para 25 viteve, në 2 Gusht 1996, raportoja për kolonizimin serb të Kosovës…Para 23 viteve, në 2 Gusht 1998, derisa vazhdonin zhvillimet e luftës kundër okupimit serb, raportoja për shqiptarë të vrarë në Drenicë…Në Kosovën e pas luftës së përfunduar në Qershorin e vitit të lirisë 1999, pikërisht në 2 Gushtin e para 22 viteve, ndodhi edhe festa e kthimit të gjysëm milion nxënësve, studentëve e mësuesve shqiptarë në shkolla dhe universitet, prej nga ishin dëbuar në fillimin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar. Në raportimin nga Kosova për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare në 2 Gusht 1999 theksoja se nxënësit dhe studentët shqiptarë kthehen përsëri në ndërtesat e tyre shkollore dhe se në ceremoninë në Universitetin e Prishtinës, në sheshin para Fakultetit Filologjik, u zhvillua një koncert festiv në prani të mijëra studentëve dhe qytetarëve, në një ditë kur rikthimi kishte ndodhur edhe në Telekom…Gazeta e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha e që ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga pushteti okupues serb të gazetës së vetme të përditshme shqipe në Kosovë Rilindja, në numrin e 3 Shtatorit 1991 në ballinë në kryetitull shkruante se “Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë”, ku theksonte: “Për nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë shumëkund dyert e shkollave ishin të mbyllura.-Në shkollat e mesme e fillore të Prishtinës e në shkolla të tjera të Kosovës, pos drejtorëve të dhunshëm e inspektorëve jolegjitimë, në mbikëqyrjen e situatës dhe në pengimin e mësimit u angazhuan edhe punëtorë të sigurimit shtetëror dhe milicia serbe”. “Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”, ishte një nga titujt tjerë të ballinës së gazetës “Bujku”, me mbititull “Federata Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Njeriut për Kosovën” e me nëntitull: “Në kuadrin e nënkomisionit të OKB-së kundër diskriminimit dhe për mbrojtjen e minoriteteve në Gjenevë, Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut u paraqit me një material të dokumentuar për format e ndryshme të diskriminimit që pushteti i Serbisë po i ushtron mbi shqiptarët”.Në numrin vijues gazeta shkruante: “U ndalua gazeta ‘Bujku’ e 3 shtatorit (viti 1991). U ndalua sepse shkroi se policia serbe nuk lejoi nxënësit shqiptarë të hyjnë në shkolla…”. Kështu flas – lexoj nga gazeta në një dokumentar para 28 viteve, kur në Kosovë, nga 24 Maji deri në 3 Qershor 1993, zhvillohej një grevë e madhe e urisë e gazetarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, në kërkim të lirisë dhe në mbrojtje të fjalës shqipe, Ndërmarrjes Rilindja, në kohë të stuhishme, të rënda të pushtimit e të dhunës së egër nga regjimi okupues serb në Kosovë.