![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/07/291048157_1182512932538739_8221193465257977664_n.jpg)
2 korrik 1990 – Tiranë, Fillimi i fundit të diktaturës komuniste!
AMBASADOR FLAMUR GASHI
“DEKLARATA KUSHTETUESE” Gurthemel i PAVARËSISË së KOSOVËS !
Teksti i plotë i Deklaratës:
“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA (Akademisë së Shkencave dhe Arteve) të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:
DEKLARATËN KUSHTETUESE MBI KOSOVËN SI NJËSI TË PAVARUR DHE TË BARABARTË NË KUADËR TË FEDERATËS (KONFEDERATËS) TË JUGOSLLAVISË SI SUBJEKT I BARABARTË ME NJËSITË E TJERA NË FEDERATË (KONFEDERATË)
1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.
Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:”
(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq.
Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat).
Teksti burimor, i hartuar nga akademiku Gazmend Zajmi, ka pasur edhe pikën 6, me këtë përmbajtje: “Me këtë Deklaratë abrogohet Rezoluta e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e 10 korrikut të vitit 1945 nga Kuvendi i Prizrenit, e cila u nxor në emër të vullnetit të popullsisë së Kosovës, e pa vullnetin e saj”, mirëpo komisionet përkatëse të Kuvendit konsideronin se me vetë miratimin e kësaj Deklarate abrogohej automatikisht edhe Rezoluta e Kuvendit të Prizrenit.
Me këtë ndryshim u pajtua edhe autori, tash i ndjeri Gazmend Zajmi.
………………………………………………………………
Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb.
Duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Ky ishte një akt historik i pritur moti dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.
Moment politik me rëndësi në ato rrethana ishte fakti se në Kosovë tashmë po vepronte një lëvizje e fuqishme demokratike shtetformuese në krye me LDK-në. Ishte kjo koha kur në horizont tashmë dukej shpërbërja e qartë e ish-RSFJ-së, krijesë kjo artificiale dhe krejtësisht antishqiptare e dominuar kryesisht nga ambiciet dhe politika hegjemoniste serbe.
Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, pra më 7 shtator të vitit 1990, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë.
Por, sikundër pritej edhe në ato momente dramatike, Serbia fill pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, duke suprimuar me forcën e tankeve të gjitha institucionet e Kosovës, duke filluar nga Kuvendi e Këshilli Ekzekutiv i tij dhe deri tek të gjitha institucionet e tjera shkencore, arsimore e kulturore.
Nuk ka asnjë dyshim se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut, të vitit 1990, shënon pikënisjen e shtetësisë së Kosovës, që do të shpjerë deri në ditët e sotme, kur Kosova tashmë është shtet i pamvarur dye sovran, i njohur nga mbi 115 shtete në botë.
Në rrethanat e tashme dhe pas përfundimit të luftës, të masakrimeve, të eksodit masiv të popullit të Kosovës e të shkatërrimeve të tmerrshme, mund të thuhet se ekziston një kontinuitet i fuqishëm i përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri, për pavarësi e për shtetësi.
Ky kontinuitet nuk mund të mohohet nga askush dhe kjo që po përjeton tash Kosova është meritë e popullit, e atyre që për lirinë e Kosovës u angazhuan politikisht dhe ushtarakisht, e atyre që u sakrifikuan dhe që dhanë jetën për lirinë, për demokracinë dhe për pavarësinë e Kosovës.
Deklarata na bashkoi në rrugën e pavarësisë !
Kanë kaluar 32 vite nga 2 korriku i vitit 1990. Shumë ngjarje kanë pasuar pas saj, por duhet të kujtojmë se në atë kohë kishin filluar të shihen shenjat e para të dekompozimit të ish-Jugosllavisë dhe siç bënin të gjitha ish-republikat e ish-Jugosllavisë edhe ne aspironim për njësi federale, edhe ne ishim të detyruar të ndërmerrnim hapa mbrojtës kushtetues, juridikë e politikë, në mënyrë që të jetësohet vullneti i popullit shqiptar.
Qysh atëherë ishte fare e qartë që Kosova duhet të jetë shtet sovran dhe i pavarur. Ishte kohë e karakterizuar edhe me një lëvizje jashtëzakonisht të fuqishme politike, që rrjedhimisht ka filluar në Kosovë me paraqitjen e partive të reja politike, konkretisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të partive të tjera, të cilat e artikulonin vullnetin e popullit të Kosovës.
Natyrisht, delegatët e Kuvendit të Kosovës e përcjellin në mënyrë shumë të përpiktë vullnetin e popullit për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Ishte kjo faza e parë e një veprimi të tillë legal të institucioneve legale, në mënyrë që vullnetit të popullit t’i jepej forma kushtetuese juridike.
Nuk duhet harruar se fillimisht është paraqitur Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës me rezolutën për pozitën kushtetuese juridike të Kosovës dhe me pozitën e shqiptarëve në kushtet e reja të krijuara.
Në rezolutën e ASHAK-ut ishte e formuluar shumë qartë pozicioni politik dhe kushtetues e juridik, që kërkohej për Kosovën dhe për popullin e saj.
Mund të themi se rëndësia e Deklaratës Kushtetuese për atë kohë ka qenë se ka filluar përfundimisht që Kosova ta marrë një rrugë të mëvetësisë, për ta përcaktuar fatin e saj dhe të popullit të vet.
Të gjitha ngjarjet, që kanë ndodhur më pas, kanë një lidhshmëri dhe janë pjesë e një procesi…
Deklarata Kushtetuese atëherë dhe sot e ka një rëndësi të veçantë, sepse e definon shumë qartë vullnetin e popullit të Kosovës.
Ky ishte mesazh shumë i qartë sa i përket faktorit ndërkombëtar dhe ishte një akt, që i bashkoj qytetarët e Kosovës në rrugën e tyre për pavarësi dhe për krijimin e shtetit sovran dhe të pavarur.
Deklarata, ishte dhe mbetet projekt i pavarësisë !
……………………………………………………………..
2 korriku 1990, për shtetasit e Shqipërisë zyrtare, është data e fillimit të fundit të zhgarrnimit të diktaturës komuniste…
Mijëra të rinj dhe të reja “pushtuan” ambasadat e huaja të akredituara në Tiranë, si mundësi e vetme e momentit për të krijuar hapësira të lirisë për vehte por edhe për mbarë vendin…
Me 2 korrik 1990, u vra frika dhe lindi shpresa për liri dhe demokraci!
2 korriku 1990, për të gjithë shqiptarët do të memorizohet si dita e madhe e shpresës për liri…
…………………………………………………………….