• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2013

Letër: Për njeriun që na mbajti gjallë me zërin e tij të shpresës, lirisë e demokracisë

January 10, 2013 by dgreca

Zëri i tij :”Ju flet Zëri i Amerikës nga Uashingtoni! në programin e mbrëmjes i cili i binte në orën 6 të darkës me orën e Shqipërisë dhe në orën 21 sipas orës në Shqipëri, ishte ai zë që vinte nga larg ashtu si lind një mëngjes i bukur, i një dite të bukur.

Nuk mund ta numërojë sesa herë e dëgjoja zërin e tij “unë Shaqir Salihu dhe kolegu im ……” teksa na përcillnin emisionin e radhës që transmetonte në Radioprogramin e Zërit të Amerikës seksioni i gjuhës shqip, në barangat e errta mes skamjes dhe frikës se po na dëgjonin dhe muret, teksa isha i “mbuluar me jorgan ose ndonjë batanie të vjetër. Dy emisonet e Zërit të Amerikës, për atë kohë ishin e vetmja shpresë dhe nga i mbanim syt unë dhe ata mijëra bashkëvuajtësit e mi në kampet e interrnimit.

Në mëngjes kur bëhesh apeli (leximi i emrave të të interrnuarve), nuk kishte ditë që të mos përhapej “vesh më veshë” lajmi se regjimi i Enver Hoxhës së bashku me regjimet e tjera komuniste po binin, era e lirisë po fryente në Kosovë qysh me demostratat e 1981. Nuk kishte ditë që të interrnuarit të mos merrnin ndonjë lajmë, që u hapte zemrat e lirisë , sepse Zëri i Amerikës për shtresën tonë, ishte e vetmija liri dhe ëndërr që kishim ne ndërkohë që lajmet e saj ishin oksigjeni dhe ushqimi i përditëshëm jo vetëm i imi por dhe i atyre mijërave bashkëvuajtësve të mi – fatkeq.

Kur flasim për Zërin e Amerikës ku Shaqir Salihu ka shërbyer me profesionalizëm, vullnet dhe ndershmëri do të kujtojë se isha vetëm 6 vjeç kur nga Zëri i Amerikës , xhaxhai i ndjer mori lajmin se të premten më 22 nëntor 1963 u vra Presidenti i SHBA John Kennedy dhe ai erdhi e na tha se “koministët” Rusë e vranë Presidentin e Amerikës. Dhe isha vetëm 15 vjeç kur plasi skandali i “Watergate” dhe Presidenti Richard Nixon dha dorëheqjen dhe ne të presekutuarve sikur na “vdiqen” shpresat mbas asaj vizite historike të të parit Sekretar Shteti në Kinën komuniste të Henry Kissinger.

Këtij shqiptari që na mbajti gjallë me zërin e tij të shpresës, lirisë e demokracisë për aq vite sa ai shërbeu “Shtëpisë së Lirisë dhe Demokracisë” nga Uashingtoni zotit Shaqir Salihu( ose Shaqes i i thërrisin shpesh herë kolegët e ti) i urojë nga zemra të ketë vite më bukura, më të lumtura dhe më të begatë, me gjithë familje, ndërkohë që trashgëmtarit të tij, dhe kolegëve të tij në Zërin e Amerikës, u urojë që ta ngrenë më lartë Zërin e këtij programi dhe emrin e kësaj “shtëpie” informacionesh të besueshme dhe që është bërë e vetmja shpresë e lirisë dhe demokracisë në botë, për popujt anembanë botës dhe që janë ende në thundrat e regjimeve komuniste.

Me shumë respekt Beqir Sina

New York – USA

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Beqir Sina, Shaqir Salihu, zeri i amerikes

SHTEGETIM NEPER BODRUMET E DIPLOMACISE EUROPIANE

January 9, 2013 by dgreca

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj-Analize/

Idetë e ndërtimit të romanit “Kojrillat”/

Romanin më të ri, me titull “Kojrillat” të shkrimtarit të mirënjohur, Dr. Fatmir Terziu, (krijimtaria e të cilit është vlerësuar me disa çmime prestigjioze brenda dhe jashtë atdheut), si shumë lexues të tjerë, fillimisht nisa ta lexoj me kapituj botuar te,”Fjala e Lirë”. Më emocionoi aq shumë narracioni i autorit, sa bashkë me cicërimën e krillës sonë të vogël, mysafirit më të ri të familjes, e gjithë shtëpia m’u mbush me gëzimin e krillave gjatë kthimit nga shtegtimi. Ndoshta do t’ju duket e pabesueshme, por Perëndia e mori mesazhin e lumturisë që ndjeva , njëlloj sikur të ishte romani im.

Urime Fatmir! Një urim i dalë nga shpirti, i cili bashkë me krillat, uroj ta  shpërndajnë jehonën e këtij libri të mrekullueshëm në mbarë botën, sepse e meriton!
Theksoj se jam trefish e lumturuar për botimin e këtij romani për vlerat që ai sjell në letërsinë e sotme, si një kujtesë memorjeje, për ne që jetojmë si dhe për brezat që do të vijnë sepse:

a) Së pari : Fatmiri botoi dhe i dhuroi lexuesit një roman të ri modern, që ngjason me një peticion që bënë thirrje: “O shqiptar vrisni frikën!”

b) së dyti: Autori me këtë vepër shfillon mjaft bukur lëmshin e ngatërruar keqas të dilemës që kërkon spjegim, duke shpalosur të vërtetën mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai njeh lexuesin me një të vërtetë të mohuar historike 100 vjeçare për mos të thënë mohimin shumëshekullor të vendit tonë.

c)së treti:Në kolanën e letërsisë shqipe Fatmir Terziu tashmë po hyn si romancier, madje me një vepër që tregon më së miri pjekurinë letrare të këtij autori potent dhe bashkëkohor.
  Duke ditur se sa vullnet, punë, mund dhe kohë i duhet shkrimtarit për të nxjerrë në dritë një vepër letrare dhe në veçanti një roman, për kënaqësi, autori pati mirësinë të ma dërgonte dorëshkrimin të plotë, gjë që më dha mundësinë për ta shijuar si duhet këtë vepër të arrirë. Pasi mbaron së lexuari edhe rreshtin e fundit, mbyll sytë dhe brenda qenies sate njëkohësisht ndjen mall e dhembje për kohën që shkoi, për gjithë ato ngjarje apo ndodhi të cilat i ka mbuluar pluhuri i harresës, ose më saktë janë mohuar me dashje nga të fuqishmit e kohërave, që historinë e vlerësojnë me fuqinë mposhtëse dhe përbuzëse të më të fortit. Dhe ti pyet ndërgjegjen:“Përse na kanë dashur inekzistentë? Përse na kanë mohuar si komb, si gjuhë dhe si racë,e cila qysh më 1913 është quajtur ‘Dekania e racave’ për nga lashtësia, gjuha dhe etnogjeneza?! “Shqipria, Dekania e Racave dhe më e vogla mes shteteve”Victor Frobin, Artikull i ilustruar, botuar në revistën franceze“

Je saistout”, 15 qershor 1913.

Ja ç’thotë Terziu: “…Dhe e gjitha një këngë e vjetër. Asgjë për të humbur

karriget që ngjeshen mirë për të tjerë…ndoshta janë bërë memecë historie…

-Memecë historie? Vërtet po sikur të jetë kështu? Ajo dosje që mbeti gjetkë në zyrat e Hamersmithit vërtet mund të jetë memece? A është e mundur që ajo të mos flasë me gjuhën e vërtetë të saj? E vërteta?… “-pyet autori me mosbesim. Dhe unë si lexuese, them: “E vërteta gjendet dhe vendoset vetëm nga i virtytshmi.”

Si çdo shqiptar i ndjeshëm ndaj çështjes sonë kombëtare, edhe Fatmirin e ka shqetësuar fati i atdheut, dilemat që ende ngelen në udhëkryqet e jetës ,që vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje, që si të tilla janë bërë objekt studimi, hulumtimi dhe kërkimi rigoroz për 6 vite me radhë për autorin. Këto shqetësime i ndesh në çdo paragraf, në çdo kapitull e faqe pas faqeje në të gjithë romanin dhe ti, si lexues, rend si maratonomak për të gjetur të vërtetën, atë të vërtetë të dhimbshme të mohuar të një kombi vital.

Kombi, balta që e lindi dhe familja janë të pandashëm për atdhetarin. Nëqoftëse do familjen, jam e bindur se po aq do edhe atdheun. Kur jemi larg ndiejmë mungesën e familjes, po kështu ndiejmë edhe nevojën e atdheut kur na mungon. “Është e pabesueshme se si një gjë në jetë ndryshon perceptimin tënd. Mjafton një gjë. Mjafton aq sa të të fiksohet në kornizën tënde të urdhërimeve të brendshme. Në urdhërimin e gjërave që të vijnë të gjesh rendin e tyre. Rendin e gjërave? Gjërave, që në fakt janë jashtë një lëmshi që zakonisht sfumojnë edhe arsyen e brendshme. Dhe bashkë me arsyen e brendshme, e fshehta kapërcen çdo ndikim. E fshehta bëhet parzm i vetë arsyes së gjërave,”-thekson me të drejtë Dr. Terziu, tek krijimtaria e të cilit, ky libër solli ndryshime rrënjësore.

Sa e re dhe po aq e vjetër historikisht, sa e njohur dhe po aq misterioze, sa e vogël si problematikë e prapaskenave të paskrupullta të “botës së qytetëruar” dhe po aq e madhe si çështje morali, nderi dhe legjitimiteti për një komb të vogël të cilit iu mohua e drejta legjitime, duke e nëpërkëmbur të Mëdhenjtë e kohërave. Në lidhje me këtë, i madhi Ismail Qemali është shprehur:” Tragjeditë e kombeve të vegjël dalin nga portat e shteteve të

mëdha” . Pikërisht këtë tragjikomedi të Fuqive të Mëdha , e ka zhbiruar me syrin e hollë të kritikut të mirfilltë ndaj çdo padrejtësie kombëtare, të cilën na e paraqet autori Terziu në romanin Kojrillat.

 

 Vështrim strukturor i romanit

 

Nëse do ta shohim dhe analizojmë nga pikëpamja e ndërtimit strukturor, romani shpalos historinë e 100 viteve pavarësi shqiptare. Poqese do të kanalizohej në gjininë e romanit historik, duhet t’u përmbahej me përpikmëri kronikave të kohës , kohëndodhjes, vendndodhjes dhe zhvillimit të ngjarjeve. Natyrisht duke paraqitur shkaqet dhe pasojat. Por Z.Fatmir me narracionin e jashtëzakonshëm, ndërthurur me ngjarje sociale, kulturore, e politike që vijnë përmes kujtimeve të personazhit kryesor Granit Jetoni , të sjella në retrospektivë, e bëjnë të veçantë dhe sfidante këtë vepër. Zbulimi i shkrimeve të medias së kohës para Luftës së Dytë Botërore kur ndodhi kjo tragjedi nga një fëmijë, kureshtja e të cilit, është me shumë vlerë, apo pjesmarrja e hetuesit anglez Dr.Eduin Smith, i vetmi që nuk beson tek versioni i pabazë i vdekjes natyrale si rezultat i një depresioni të rëndë të madam Vlorës, si dhe hetimet e tij sa në Londër, sa në Paris apo në Itali e gjetkë, koha e tejzgjatur e tyre, bazuar në dyshimet e dhëna nga media, flasin për një roman policesk. Kurse dalja në skenë e një personazhi sureal, “E Ujta“, si dëshmitare reale dhe njëkohësisht viktima, e cila mbart të vërtetën, të bëjnë të mendosh se kemi të bëjmë me një tip romani fantastik si “Kodi i Da Vinçit” i Dan Braun, ose “20 000 lega nën det”, të shkrimtarit Zhyl Vern,i cili shkruajti fantashkencë në shekullin e XIX-të. Nëse Kojrillat do ta krahasojmë me Sherlock Holmes apo do ta ballafaqojmë me romanin e juristit Giancarlo De Cataldo, i cili përvojën në fushën e drejtësisë e shndërroi në letërsi dhe art kinematografik mjaft të suksesshëm, ky roman do të hynte në historinë e letërsisë shqiptare si roman policesk. Por këtu ka ndërthurje të fantazisë, me historinë ,me fushën e drejtësisë dhe me psiko- sociologjinë. Pa lënë pas dore dipolmacinë.       

  Kush ka lexuar romanin tim të fundit “Rikthim i Ismail Qemalit” dhe më pas të lexojë “Kojrillat”, pavarësisht se kemi të bëjmë me dy autorë , me dy vepra të ndryshme, gjithsesi lexuesi do të mendojë përsa i përket tematikës duket sikur janë vazhdim i një trilogjie. Pse? -do të pyes ndokush.

Te “Rikthim i Ismail Qemalit”, ngrihet nga varri dhe vjen i gjallë në Vlorë, në Kaninë e në gjithë Shqipërinë, arkitekti i Pavarësisë dhe themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, Ismail Qemali, ku përballet e djeshmja me të sotmen. Në gojën e atij burri të shquar dhe diplomati vihen në peshore arritjet dhe mosarritjet, fitoret e merituara dhe çka nuk është bërë mirë. Kurse te Kojrillat kemi të bëjmë me kërkimin e së vërtetës shqiptare përmes dokumenteve, që i ka marrë rrjedha e ujit(e kohës) me vete. Këtë të vërtetë autori e shtrinë në hapësirë si:( në Evropë, ku përfshihen shtetet ballkanike, natyrisht në Shqipëri dhe më tej përfshihen Anglia, Italia, Austria, Franca, Rusia, madje edhe Kina, si dhe në kohë. Aty, në shekullin që sapo lamë pas, i gjen të gjitha ngjarjet dhe bëmat, ku marrin pjesë të gjitha shtetet që kanë vendosur fatin e Shqipërisë, e cila për faj të sundimeve shekullore, u bë arenë cirku e atyre ujqërve që veshën lëkurën e qengjit dhe u treguan si miq të besës. Fatin e Shqipërisë, autori e rrëfen mjeshtërisht përmes një tragjedie të zakonshme, që më vonë do të bëhej busullë orientuese e mistereve të varrosura nën ujë. Herë-herë më duket se me fatin tragjik të asaj gruaje, autori aludon me fatin tragjik të Shqipërisë.

Kjo histori e hidhur, një tragjedi tronditëse, që në dukje nis si një incident i zakonshëm, mëse i rëndomtë, me mbytjen e një gruaje të huaj dhe të bukur në ujërat e lumit Tamiz, të bënë të jetosh çaste ankthi deri sa përfundon romanin. Nuk dua të flas për brendinë e romanit, pasi nuk më pëlqen të humbas kureshtjen e lexuesit. Dua të përmend se si e ka shfrytëzuar  shkrimtari Terziu pangopësinë e diplomacisë Evropiane, duke shfrytëzuar natyrën e dobët dhe joshëse të femrës. Këtë e mësojmë përmes një lloj narracioni filozofik të rafinuar dhe indirekt, që përshkon faqet e librit. Bëhet fjalë për një zonjë nga derë e madhe e Vlorajve. Madam Zejnep Vlorës, Zoti i kishte falur bukurinë dhe rangun e lartë shoqëror, që çdo bukuroshe tjetër do të dëshironte të ishte në vendin e saj. Duke qenë gruaja e Xhemil Vlorës (që ndoshta kishte pozitën e Prefektit të Vlorës) u përzgjodh si Zonja e Parë shqiptare, në pritjen e Mbretit të Shqipërisë, Princ Vilhelm Vidit. Atëherë kjo e ëmbëlsuar nga jeta e oborrit, kërkon të avancojë më tej, duke kërkuar më shumë nga vetja dhe nga jeta. Por gjithçka që merr në këtë botë, ka shpërblimin e vet. Njohja e saj me rrethet diplomatike të kohës bëri që ajo ta shndërrojë veten në një ikonë bukurie, e admirueshme për të huajt. Ndërkohë që bashkëshorti i saj, Xhemili kryente detyrën e vet shtetërore, ajo vizitonte oborret e Evropës, si Itali, Austri, Francë, Angli, Stamboll etje… Frekuentimi i salloneve të diplomacisë evropiane prej kësaj zonje mondane, ku admiruesit e joshnin atë vetëm për interesat e tyre lakmiqare apo grabitqare ndaj Shqipërisë së saposhpallur e Pavarur. Mos të harrojmë se autori na e sqaron me shumë finesë se kjo indipendencë e shlpallur, ishte e cunguar, pasi toka amtare dhe vetë shqiptarët u ndanë e u përçanë mes shteteve fqinjë të Ballkanit.

Por le të ndalemi tek zonja Zejnep, ku përmes një stili narrativ ngjyrash, përmes figuracioneve të gjetura e tejet të spikatura, Terziu na shuan kureshtjen: “…E Ujta krijesë qëndroi para meje. Kristalizohej e gjitha. Shkëlqente ambienti. Një Princeshë e vërtetë. Trupujtë e tëra. E përkryer në bukurinë e saj. Flokëargjendi, tërë xixëllima si një ujëvarë nën goditje rrezesh të forta dielli. Manteli i saj i tejdukshëm, tejzgjatej nga pas trupit deri në një kufi ku sytë dukeshin të paaftë të kapnin fundin e tij. Vokale dhe ritmike në lëvizjen e saj dhe të mimikës së fytyrës këndore. Lëkura e tejdukshme, ku binin në sy venat e saj blu në të gjelbërta. E gjitha dukej si një e tërë. Një sipërfaqe venash që dukej sikur merrnin e jepnin me ambientin me disa lidhje të tejdukshme arteriesh. Vena të gjata që ridimensiononin tërë atë pamje bukurie në sytë e mi. E gjitha një lëvizje ritmike. Një komandë. Një ritëm. Një ndjesi…”

 Lexuesi sa njihet me aparencën e saj paraqitur artistikisht bukur nga autori, mendon se, një bukuri e tillë, e lindur për ta fituar këtë jetë që kushtonte shtrenjtë, i duhej ndoshta edhe të abuzonte me hiret e saj femërore. Nënkuptohet se për të siguruar luksin në paraqitjen e një gruaje aristokrate, që edhe pse ishte nga një vend i vogël dhe i panjohur, nuk dallonte nga zonjat e salloneve luksoze të Parisit apo Vjenës, të lë të kuptosh se i bën shantazh bashkëshortit, Xhemilit, ku këmbëngulja e saj fliste mjaft qartë:”ose paratë për një jetë sallonesh, përmes së cilës madam Zejnepi kishte fituar pavarësinë, ose nxora në ankand diplomatik sekretet politike të kohës, ku në lojë ishte vënë fati i Shqipërisë. (Vivra)”

Kurse shkrimtari i talentuar Z. Terziu, paraqet Granit Jetonin, jo atë djalin e vogël, të cilit nuk i hiqet mendja nga ditëlindja e tij e gjashtë, tashmë pas 40 vjetësh ndërsa dëgjonte transmetimin e lajmeve, kapi: “…dhe dokumenteve që mbante me vete Madam Zeinep Vlora, ndoshta me…” –Gati isha i përhumbur në lajmin e radhës teksa spikerja më tej vazhdoi … “Koleksioni i artefakteve të rralla, të cilat do të ekspozohen, përbëhet nga artikuj të rëndësishëm të gazetave, dokumente të rralla dhe nota diplomatike të legatave të ndryshme, të cilat janë gjetur nga studiuesit në arkivat e Londrës. Artefaktet në fjalë janë dokumente të paekspozuara më parë për publikun shqiptar dhe pritet të zgjojnë interesimin e studiuesve dhe qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.”-gjë që e bëri të pëshpërinte me vete: “Ky koleksion i veçantë i dokumenteve të rralla…”, “ky koleksion i veçantë i dokumenteve të rralla… të paekspozuara më parë”, – ripërsëriti duke pasur në mendje njoftimin mediatik Londinez bërë në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë, gjë që ngjalli dyshim, por më tepër shpresë për personazhin tonë.

Nëse do të marrim shkakun dhe pasojën, si gjymtyrë të ngjarjeve historike, që romani të quhet historik, janë dy: Si shkak që nxiti kureshtjen e një fëmije të padjallëzuar me materiale mediatike të botuara kohë më parë, ishte Lutfi Çela, një njeri i arsimuar në perëndim. Pasoja : kemi në dorë një roman i shkruar 40 vite më vonë, po nga ai fëmijë i cili e shoi kureshtjen përmes kërkimeve për të zbardhur një të vërtetë. Kjo nxori shkaqet dhe pasojat e vërteta, që të mëdhenjtë kishin shkaktuar tragjedinë e një kombi.

 

Estetika gjuhësore dhe letrare në roman

 

E përkufizova kështu “estetikë gjuhësore dhe letrare” për faktin se romanin e përshkon fund e krye një gjeografi konceptesh të shpërndara përmes një ekuacioni narrativ, në një terren ku gjen zbatim shtrirja e mendimit linear.

Në faqet e tij gjen kryqëzim kohërash,që përcaktojnë shtrirjen e ngjarjeve në kohë. Nga pikëpamja estetike, përmes një gjuhe të pasur, aty has një mori ndjenjash dhe traditash nga më elegantet deri tek mëvulgaret. Kurse e vërteta e stisur estetikisht, gjendet e varrosur në ujë,në tokë apo në shkëmb. Përmes një paralelizmi të goditur“Mosqenia”,shndërruar në një Kojrillë, e cila shtegton në stinë, kurse “E Ujta” paraqitur si qenie frymore, del nga labirintet që koha i mbuloi me ujëdhe me baltë. Këtu kemi të bëjmë me një roman filozofiko-social, ose hasim me filozofinë e Prof. Dr. Isuf Luzit (“Ekzistenca dhe Boshësia”,i cili thotë:”E vërteta, e qenësishmja, nëse e kërkojmë gjendet brenda boshësisë pra në inekzistencë.” Sipas autorit e vërteta qëndron tek e brishta. Nga ana tjetër brishtësia është virtyt i asaj pjese të shoqërisë apo në atë këndshpirt të individit që mendon se drejtësia duhet të vendoset në botën e të gjallëve, ku mjegulla ka mbuluar të vërtetën,  të bukurën që të ofron jeta.

Nga mënyra e të parit të dritës, si simbolikë e së vërtetës, për individ të ndryshëm përceptimi është i ndryshëm. Po kështu ndodh me shtetet. Dikë e zhysin në ferr dhe errësirë, për ta pasur dritën të gjithë për vete, paçka se ajo është e rreme. Pasi dritën e vërtetë e kanë zhytur nën ujë, nën tokë, nën gërmadhë.

Në këtë roman Terziu, përmes metaforave, alegorive, dualizmeve, paralelizmave dhe krahasimeve, përballë të tejngopurit që fsheh të vërtetën vendos të eturit për dritë( për të vërtetë). Mesazhi që jep autori në roman, është i madh, është solemn: “Jo me kryneçësi, drita duhet parë në një këndvështrim të ri, pasi koha do dritën e duhur. Kombet pa identitet, të dalë nga errësira e shekujve, jetojnë me antikitetin dhe shpërndajnë vetëm errësirë. Edhe pse shekujt na ndërruan emrin disa herë trashëgimtarët e fronit shqiptar, atdhetarët shqiptarë e mbajtën ndezur dritën e së vërtetës, Dritën e Lirisë, herë me pishtarë, herë me kandil, herë me qirinj dhe dheu ende s’i ka tretur. “Dëshmitar të këtij vitaliteti, spjegon Fatmir Terziu, janë Kojrillat shqiptare, shtegtarët stinor, që në të gjitha hapësirat e globit mbajnë simbolin e kombit, të cilin të tjerët duhet të dinë ta shikojnë…Pa e prekur kohën e diktaturës, me problemet e saj të tejskajshme që autori i shtjellon mjeshtërisht, sa edhe varfërinë e shpreh me një detaj të rëndomtë, me mungesën e perit për të qepur, theksoj se romani “Kojriliat” vjen me një dimension të ri, me lirikë të qashtër, me konfiguracion metaforik, sjellë një risi emancipuese gjuhësore në letërsinë shqiptare të pas viteve 90.

Terziu me letërsinë e tij , përmes shprehive të reja apo fjalëve të përngjitura, sjellë një pasuri të vyer gjuhësore në letërsi. Ka ardhur koha dhe jam e bindur se kritika shqiptare, nëse zhvishet nga hermetizimi i cili ka veshur me aureolë një numër të kufizuar shkrimtarësh, duke i dhënë prioritet letërsisë politike, duhet t’u japë vendin e merituar :romanit unikal”Kojrillat” si dhe disa romaneve të tjerë, që japin mesazhe për sot dhe të ardhmen.

 

Si përfundim:

 

Më vjen mirë që po vazhdon rrugën e romanit. Jo pak, por është romani i tretë në një hapësirë kohore relativisht të shkurtër dhe tejet të ngjeshur brenda 2-3 vjetësh. Them prodhimtari letrare e ngjeshur pasi kam parasysh se shkrimtari Terziu, nuk merret vetëm me krijimtarinë letrare apo vetëm me këtë gjini. Ndërkohë ai ka botuar dy vëllime poetike, Kritika ndryshe N-2, pa harruar punën si domosdoshmëri jetike, botimin e revistës “Fjala e Lirë” , gazetës “Albania News”, si dhe realizimin e filmave (i vlerësuar në këtë gjini arti me çmimin ndërkombëtar “Green”)duke shtuar me dhjetëra analiza dhe kritika letrare. Deri sot nuk njoh ndonjë kritikë tjetër që në punën e vet të ketë përfshirë kaq shumë autor, sa Fatmir Terziu. Kam pasur fatin të punoj me kritikë dhe estet të tjerë me emër, por theksoj se kritikat e veprave letrare apo të autorëve të marrë në konsideratë prej tyre, numërohen me gishtat e dorës. Kurse Fatmir Terziu ndryshe nga ata, ka sjellë një kritikë ndryshe për një letërsi ndryshe e palëvruar më parë. Dhe më e çuditshmja është se kritiku ynë, ka marrë në analizë mbi 250 autorë, duke bërë të njohur edhe ata që koha i kishte harruar.

E përgëzoj autorin e mirënjohur për temën tejet intriguese. Mbi të gjitha më pëlqen stili i rrjedhshëm, i pasur në metafor, që lexohet me një ankth fluturak si shtegtimet e shqiptarëve në kohëra që ngjasojnë me shtegtimin e krillave ose kojrillave të autorit të cilat sot janë ambasadorët e kulturës edhe çështjees shqiptare në botë!

Një vlerë e veçantë është prurja e re gjuhësore, ku mes syresh, përmend: trupujtë, E Ujta, zëzerrime, zëgrishës, shkrafanjit, flikërron, bluritmi, trupnjeri… Ose togë fjalësh si: …”pështyn kohën në thatësirën e grykës së tij; rrufellimë e tërbuar; vena të qelqerizuara; trungje gjysëm të tharë në ecjetën e tyre; kam pikëtakuar 100 vite që lanë të tjerët; koleksion i artefakteve të rralla; I merr vitet nën sqetull si të ishin gjethe vjeshte… etje.

Veç vlerave të nxjerra më sipër, përmes këtij romani autori jep shumë mesazhe për lexuesin e gjerë, mes dialogjesh dhe monologësh të mrekullueshëm, rrëfen rrugën që duhet të ndjekin shqiptarët e në veçanti politika shqiptare që është bërë shembull negativ për teleshikuesit dhe votuesit.

“Kush jeni ju?” Pyeta prerë.

“Unë jam Ujnaja e zezë e Botës”, proklamoi vetveten duke ngritur prapë zërin çjerrës e të akulltë. “Unë jam portieri i Ujërave të Pista, i vetmi që ndaj në këtë fëlliqësirë përzierjesh shpirtin nga trupat e ikur. Jam i vetmi që trazoj në ujërra dhe dalloj gjakun e tretur.”

 -Dhe ju erdhët këtu në këtë errësirrë vetëm që të masni forcën me një të pafuqishëm, me një …, apo vetëm të më tregoni forcën tuaj duke më përshëndetur çjerrësisht? Kjo është një konsideratë e pazgjedhur mirë nga ju.”

  Zezërrima e tij u afrua më afër dhe gati më grishi veshin. “Mos kujton se je i veçantë, o trupnjeri? Ne kurrë s’kemi arsye të konsiderojmë se ju do të mund të jeni në një rrugë drejt Fundit të Botës. Bëhu i sjellshëm në këtë ballësi që sheh, dhe ndoshta do të rigjeni shpirtin.”

“Por në fillim që të kaloni andej nga ku vetëm dora ime zgjedh dhe bën dallesat, të provoni se vërtet e meritoni, ju duhet të bëni respektin, të doni vëllai-vëllain, motra-motrën, nëna-djalin dhe të bijën e kështu me radhë. Ju duhet të doni e të mbroni tokë e male, ujë e dete. Ju duhet të keni respekt për gjakun…Ju duhet të vraponi kur të tjerët janë duke ecur. Se vetë keni ngecur në këto bataqe kohërash, ku edhe unë e kam shumë të vështirë të dalloj gjakun dhe shpirtin tuaj…”

Urime i nderuar shkrimtar, që po ulesh këmbëkryq në gjininë e romanit që shtrihet si në hapësirë dhe në kohë, që është sa jetik dhe po qa filozofik. Mendoj se Filozofia dhe psikanaliza e jetës gjenden si askund tjetër, në një roman të tillë, pasi ai ka shtrirje si në hapësirë edhe në kohë.
Urime, rrugë të gjatë dhe mbarësi në këtë gjini sa të vështirë dhe po aq fisnike. Këshilloj që këtë roman duhet ta lexojnë të gjithë, në mënyrë të veçantë studiuesit, të cilët ta kenë si një udhërrëfyes të asaj që duhej ta kishin bërë me kohë.
 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Fatmir Terziu, romani Kojrillat, Vilhelme Vranari Haxhiraj

PAPA BENEDICTI XVI:NENE TEREZA,SHEMBULL PERKUSHTIMI NDAJ ME TE VUAJTUREVE

January 9, 2013 by dgreca

Papa të sëmurëve: “Jam pranë jush, nuk jeni as të braktisur e as të padobishëm” /

“Nuk jeni as të braktisur e as të padobishëm: ju jeni thirrur nga Krishti, ju jeni imazhi i Tij i tejqartë”. Kështu shkruan Papa Benedikti XVI në mesazhin për Ditën e 21-të Botërore të të Sëmurit, që do të kremtohet më 11 shkurt. Ajo ka për temë një frazë nga Ungjilli i Shën Lukës (10,37): “Shko, e bëj edhe ti kështu”. Janë fjalët e Jezu Krishtit, ndërsa shpjegonte shembëlltyrën e samaritanit të mirë. Papa përmend edhe Nënë Terezën, e cila e fillonte gjithnjë ditën duke takuar Jezusin në Eukaristi, për të dalë pastaj në rrugë me Rruzare në dorë e me synimin e qartë për të takuar e për t’i shërbyer Zotit të pranishëm në të vuajturit, sidomos ndër ata, që nuk i do askush.
“Ndjehem veçanërisht pranë jush – vazhdon Ati i Shenjtë – që në vendet ku kuroheni, ose edhe në shtëpi, jetoni një moment të vështirë sprove, për shkak të sëmundjes e të vuajtjes”. Në mesazh, Papa ndalet në figurën emblematike të Samaritanit të Mirë, i cili na tregon cila është sjellja, që duhet të ketë çdo dishepull i Krishtit ndaj të tjerëve, sidomos ndaj të sëmurëve. “Nga dashuria e pafund e Zotit – sugjeron Benedikti XVI – përmes marrëdhënieve të thella me Të në lutje, të marrim forcën për të pasur çdo ditë një kujdes konkret për ata, që kanë plagë në korp e në shpirt, që na kërkojnë ndihmë, edhe pse të panjohur e pa mjete”. Siç bën Jezusi, i cili “përkulet plot mëshirë në humnerën e vuajtjes njerëzore për të derdhur mbi të vajin e ngushëllimit dhe verën e shpresës”.
Papa fton të jetohet Viti i Fesë siç do të bënte një samaritan i mirë, me shembëlltyrën e të cilit, Jezusi na bën të kuptojmë dashurinë e thellë të Zotit për çdo njeri. Shembulli i samaritanit të mirë nuk vlen vetëm për ata, që punojnë në fushën e shëndetësisë, por për të gjithë, edhe për vetë të sëmurin, që duhet ta shohë gjendjen e vet në perspektivën e fesë. “Nuk është mënjanimi i vuajtjes, ikja para dhimbjes ajo, që e shëron njeriun – shpjegon Benedikti XVI, duke cituar Enciklikën “Spe Salvi” – por aftësia për t’i pranuar travajët e për t’u dhënë kuptim përmes bashkimit me Krishtin, i cili vuajti me dashuri të pafund për ne”.
Më pas, përveç Nënë Terezës, Papa përmend disa figura të historisë së Kishës Katolike, që ia kanë kushtuar jetën të sëmurëve, ose që e kanë ngritur në shkallën më të lartë vlerën e vuajtjes njerëzore. Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, që diti ta jetonte në bashkim të thellë me Mundimet e Krishtit sëmundjen, e cila i shkaktoi vdekjen, mes vuajtjesh të mëdha; Luigji Novareze, që e ndjente shumë rëndësinë e lutjes për të sëmurët e të vuajturit, të cilët i shoqëronte në shenjtëroret mariane, veçanërisht në Shpellën e Lurdës. I frymëzuar nga dashuria për të afërmin , shkruan akoma Ati i Shenjtë, Raul Folerò ia kushtoi jetën kujdesit për njerëzit me sëmundjen e Hansenit, në zonat më të humbura të planetit, duke promovuar edhe kremtimin e Ditës Botërore kundër Lebrës. E së fundi, shën Ana Shafer e Mindelshteten, që, në mënyrë shembullore, bashkoi vuajtjet e saj me ato të Krishtit.

Filed Under: Kulture Tagged With: Nene Tereza, Papa Benedicti XVI

Filmi Besa përsëri në zonën e Uashingtonit

January 9, 2013 by dgreca

Nga Ilir Ikonomi/

Një film me titullin “Besa” që flet për shpëtimin e hebrejve nga shqiptarët gjatë Luftë së Dytë Botërore, u prit me emocione në Festivalin e Filmit Hebraik që po zhvillohet këto ditë në zonën e Uashingtonit. Filmi me regjisore Rachel Goslin, flet mes të tjerash, për historinë e një shqiptari mysliman, të cilit i duhet të përmbushë premtimin ndaj një familjeje hebraike. Kjo është familja, që i ati e tij e ka strehuar gjatë luftës. Kolegu ynë Ilir Ikonomi na sjell këtë kronikë.

Në një qendër të komunitetit hebre në Rockville pranë Uashingtonit, Festivali i Filmit Hebraik në bashkëpunim me organizatën ASHA, Akademia Shqiptaro-Amerikane, shfaqi dokumentarin Besa, që flet për një histori jo shumë të njohur në botë: shpëtimin e hebrejve nga shqiptarët gjatë Luftës.
Producenti i filmit, Jason Williams thotë se e shtyu një arsye e fortë për t’u marrë me këtë dokumentar:
“Filmi u bë sepse kjo është ndër ato historitë e jashtëzakonshme të cilën e di çdo shqiptar, por pjesa tjetër e botës nuk e ka dëgjuar kurrë. Është një ndër ato histori që duhet treguar, aq më tepër që është një histori e cila po harrohet.”
Johanna Newmann ishte fare e vogël kur familja e saj mori vizë nga ambasada e Mbretit Zog në Berlin për të ardhur në Shqipëri. Familja mendonte se do të mund të udhëtonte nga Shqipëria për në Amerikë, por më 7 prill 1939 vendi u pushtua dhe ata u bllokuan në Durrës.
Johanna tregon në film se si familja u mbrojt nga shqiptarët. Por kur vendi u pushtua nga Gjermania, gjendja për hebrejtë në Shqipëri u bë jashtëzakonisht e rrezikshme.
“Fakti është se jo vetëm populli shqiptar me bujari dhe trimëri shpëtoi hebrej gjatë luftës, por qeveria e tyre e asaj kohe bashkëpunoi me këta individë, që hebrejtë të mos kishin frikë se mund t’i dorëzonin tek gjermanët kur këta kishin pushtuar Shqipërinë. Pikërisht ky bashkëpunim bëri të mundur që të gjithë ne të shpëtoheshim në Shqipëri.”
Gilbert Galanxhi, ambasador i Shqipërisë në SHBA thotë se është hera e dytë që filmi shfaqet në zonën e Uashingtonit.
“Me kënaqësi vë re se akoma ka etje për ta parë filmin. Me kënaqësi vë re që një nga protagonistet kryesore të filmit, zonja Johanna Newmann është kaq aktive dhe kaq e pakursyer për të treguar historinë e shqiptarëve, një histori e vërtetë që vlen të tregohet, jo vetëm për atë që ka ndodhur vite e vite më parë por më tepër për t’u treguar brezave që vijnë se si mund të jetohet në harmoni, pavarësisht dallimeve fetare apo racore.”
Askush nuk u shpëton dot emocioneve pas shfaqjes. Geraldine Popa – Schechter është shqiptaro-amerikane, që i çmon shumë cilësitë e popullit shqiptar.
“Nuk mund t’jua shpreh dot se si ndihem. Sepse jo një apo dy por të gjithë shqiptarët vepruan ashtu. Ka shumë rëndësi që njerëzit ta dinë këtë. Unë jam shumë e afërt me njerëzit e mi, me fisin tim në Shqipëri. Prandaj, kur dëgjoj se sa bujarisht u sollën këta njerëz, kjo ka një kuptim të madh për mua dhe për bashkëshortin tim, i cili nuk është shqiptar. Dëshiroj që edhe fëmijët e mi ta shohin këtë film.”

Bledar Prifti është president i organizatës ASHA.

“Njëri nga misionet që ka Akademia Shqiptaro-Amerikane është pasurimi i jetës kulturore dhe mbajtja e traditave dhe e gjuhës shqipe këtu në Shtetet e Bashkuara. Ne do të dëshironim që kjo histori kaq humane të kishte një prezantim edhe këtu në SHBA, prandaj Bordi i Akademisë Shqiptaro-Amerikane në bashkëpunim me kompaninë prodhuese të filmit ka sponsorizuar sot këtë aktivitet, me shpresën që ajo pjesë e historisë së shqiptarëve të bëhet e njohur sa më mirë edhe këtu.”
Genta Arovas: “Mu bë qejfi. Unë jam e shoqëruar me disa miq amerikanë që janë me origjinë hebraike dhe i solla të tërë në film. U la mbresa shumë të mira dhe është një nga filmat e paktë që nxjerr karakterin e vërtetë të shqiptarëve. Në botë Besa nuk është e njohur shumë, por është cilësi shumë e mirë e karakterit.”
Një nga protagonistët e filmit është Rifat Hoxha, i cili është i vendosur të shkojë në Izrael për t’i dorëzuar tre libra familjes hebraike që i ati i tij strehoi gjatë luftës.
Lirim Mezini: “Veçanërisht zoti Rexhep. E kam njohur dikur, por nuk e dija që ishte kaq këmbëngulës. Ai është shqiptar dhe shqiptarët janë këmbëngulës në mbajtjen e besës. Por Rexhepi dallon nga ata, tani që e pamë edhe në film.”
Artur Elezi, Profesor i Asociuar, Universiteti Amerikan: “Është mjaft për t’u admiruar dhe mendoj se edhe në këto kohëra ne duhet t’i kthejmë sytë mbrapa dhe të shikojmë anët e mira të kombit tonë, siç riafirmohen edhe në këtë film.”
Sipas statistikave, Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që pati një numër më të madh hebrejsh në mbarim të luftës se sa në fillim të saj, një histori pozitive që shumë njerëz mendojnë se vlen të bëhet më e njohur.

Filed Under: Kulture Tagged With: Ambasador galanxhi, Filmi Besa, Ilir Ikonomi

“Vetëtimë. E zbret fulikare fjala që vret mu në shpirt”

January 9, 2013 by dgreca

Rreth përmbledhjes poetike të Zef Zorbës “Buzë të ngrira në gaz”/

Shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë, 1994/

Nga Anton Cefa/

Përmbledhja poetike e Zef Zorbës 1)“Buzë të ngrira në gaz”,e shkruar brenda skajeve të një jete të tërë, nga viti 1945 deri në vitin 1980, u botua një vit mbas vdekjes së poetit, nën kujdesin e Stefan Çapalikut. Më pas u botuan edhe disa poezi të tjera në revistat“Phoenix” dhe “Hylli i Dritës”; çka la të kuptohet se nuk qe përfshirë në vëllim e gjithë krijimtaria poetike e tij. 2).

“Buzë të ngrira në gaz” është shqiptim poetik i lartë, fryt i asaj kohe absurde që ngriu në buzë fjalën e pathënë, po aq edhe ironinë tragjike për bëmat e çoroditura të një shteti të çmendur, të një shoqërie të ndaluar në vend, dhe të një populli të shkëputur nga bota.

Fillimisht, kritika letrare, me dashje a padashje, a sepse, si duket, nuk qe e përgatitur për ta bluar artin e tij, nuk iu afrua poezisë së Zorbës.

Befasues qe një vlerësim i lartë nga jashtë. Në vitin 1996, një komision sui generis, i përbërë nga albanologu Hans Joachim Lanksch, prof. dr. Walter Breu (Universiteti i Kostancës), prof. dr. Elvira Glaser (Universiteti i Zurihut), dhe prof. dr. Wilfrich Fiedler (Universiteti i Munihut), i dha Zorbës çmimin “Martin Camaj”. Në arsyetimin e jurisë thuhet “Zorba i takon një qarku të vogël shkrimtarësh në Shqipni që, artistikisht dhe moralisht, e rimerrshin fillin e këputun të vazhdimësisë së letërsisë shqiptare dhe e rimkambëshin lidhjen me rangun e saj të naltë që kishte fitue me autorë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi.” Dhe më poshtë: “Vjershat e Zorbës janë art autonom i fjalës, art që ushqehet nga substanca fizike e shpirtërore e fjalës” dhe “Zorba asht modernisti i parë genuin dhe njiherit hermetiku i parë i poezisë së re shqiptare, me sa asht fjala për atë të shkrueme në Shqipni” 3).

Falë buzëve të ngrira në gaz, këtij njëmendësimi psikologjik dhe filozofik, poezia e Zorbës sot është një realitet poetik gjithkohor i letërsisë shqipe; realitet poetik buzësh“të ngrira në gaz”, një gaz që shkëlqen ndër ngrica të akullta ironie.

Në “Pasthënien”, me të cilën poeti ka dhënë sqarime për poezinë e tij, thuhet: “Ku më pak e ku më shumë këto punime janë mbarsur nga ironia, madje edhe nga autoironia, por që mjerisht, pa dëshirën time, ka shkarë ndonjëhërë në sarkazëm. S’kam pasë fare të bëj: ashtu ka ardhë. Por dua që këto tipare të mos interpretohen si pesimizëm: nëse duken sit ë tilla fajin e ka aftësia ime e kufizuar e jo vetëdija”4). Ashtu është. Ai e ka ditur e njohur veten dhe botën, jetën dhe artin, dhe i ka dashur:

“O jetë!

Edhe në zgrip,

Shtegëtarët e tu,

Gjithnjë të dashurojnë.”

Që në moshë fare të re, ai krijoi për vete një realitet të dytë që nuk kishte të bëjë me përditshmërinë. Dhe që është: “më i bukur se jeta vetë”. Çfarë joshjeje mund të kishte jeta e asaj kohe të vrazhdë, kur poetin e yshtnin horizonte të kaltra poezie, muzike, filozofie, estetike! Përmes këtyre filtrave kalonte në shpirtin e tij zymtia e ditëve, që u pasqyrua aq bukur ndër vargje.

Në nëntitullin e poezisë “Qokthi”, poeti ka vënë dy vargje të Salvatore Quasimodo-s: “. . . il mio cuore, / sospeso nel buio, una voce” (“. . . zemra ime, / e varur në errësirë, një zë”), që ngërthejnë kuptimin e jetës së tij në terrin e diktaturës, kuptim që ai e sheh tek zëri, fjala, poezia, me të cilën ai ka përjetuar dhëmbjen dhe ka krijuar e shijuar bukurinë; bukurinë e jetës dhe bukurinë e fjalës, që sendërton jetën dhe është më e bukur se ajo:

“Fjala

Vetëtimë.

E zbret fulikare

Fjala që vret mu në shpirt.

Më e bukur se jeta vetë

Oh . . .”

Zorba ka një vlerësim të veçantë për poezinë. Ajo ka origjinë hyjnore: është vetëtimë që zbret shumë shpejt (fulikare) në shpirtin e poetit dhe vrujon dhimbje. Të njëtën konsideratë e gjejmë të De Rada, Fishta dhe poetë dhe estetë të tjerë të traditës. Lasgushi e ka pohuar me gojë:

“Poezia është divine (hyjnore). Prandaj, kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj duhet të jetë xhevahir.” 5)

dhe e ka poetizuar:

“Sbret një yll prej lartësije,

Një të ndritur shkrepëtime,

Posi flakë e posi hije,

Ajo ryn në zemër time.

E kuptoj me shpirt të sosur

Si kullon dale-nga-dale,

E si fjalës së palosur

M’i hap kindin e një pale . . .

(“Ri mbështetur mbi tryezë”)

* * *

“Buzë të ngrira në gaz”përbëhet nga pesë tubëza lirike, të titulluara: “Elemente”, “Blerime tjera e zalle”, “Pasqyra të cfilitura”, “Fugat e fundit”, “Në zgrip” dhe poemën “Mbresat e rrugëve”.

Në ciklet poetike mbizotërojnë vëzhgimet meditative për jetën, vdekjen, fatin e njeriut, gjendjen nën diktaturë, por nuk mungojnë edhe ato të thjeshta. Në një pjesë të mirë të poezive janë trajtuar tablo nga jeta e përditshme. Ndonjëherë, shqiptimet mishërojnë një theks të dukshëm ironik. Një jeh të veçantë kanë mesazhet nga bota metafizike. Zorba cilësohet me një forcë poetike të veçantë; ai e gjen frymëzimin kudo, në objekte a situata, ku nuk të shkon mendja se lind frymmëzimi, atje, ai krijon një perlë.

Si poet hermetik, Zorba ka dalloja të theksuara, kemi të bëjmë me një intelektual që gjithë jetën e ka kaluar jo vetëm me hermetikët e mëdhenj italianë, por edhe me poetët e mëdhenj modernë europianë dhe amerikanë. Ai ishte tejet i familjarizuar me filozofinë dhe estetikën moderne dhe, sidomos, kishte një kulturë të gjerë muzikore, faktorë që kanë ndikuar në veçoritë e hermetizmit të tij. Mungesa e njohjes në nivelin e duhur të këtyre përbërësve, që përcaktojnë në një masë të madhe poezinë e tij, nuk mund të lidhet vetëm në një gremç të vetmuar hermetizmi, por për t’u interpretuar kërkojnë një formim të ngritur.

Jeta e rëndomtë, ai realitet i zymtë që poeti e ka soditur gjithnjë me dhimbje të thellë, herë-herë me mospërfillje dhe ironi, lexohet pa ndonjë vështirësi në pjesën më të madhe të vargjeve. Ky realitet jo vetëm që ka qenë i pranishëm, po edhe i ka ndihmuar poetit të krijojë një vizion jete përtej tij; jo të bazuar në filozofinë e prioritetit të materies, por mbi bazën e filozofisë së ndërgjegjes përcaktuese, “të koshientit e të subkoshientit”, po të shprehemi me fjalët e tij. Ky avantazh filozofik i ka dhënë frymën motiveve, tablove, figuracionit, stilit, çdo elementi të poezisë, dhe kryekrejet mesazheve. Përtej errësirës, absurditetit të pafund, kohës së ndalur, poeti në dritën e këtij vizioni i sheh qartë tri dimensionet e kohës, të djeshmin, të tashmin dhe të nesërmin.

Një nga simbolet që paraqet zymtinë e rëndë, errësirën, mjerimin e jetës nën diktaturë, peshën e zezë të politikës është shiu. Shiu është kryefjala e fjalëve më kyçe të poezisë. Gati-gati, pjesa më e madhe e vargjeve janë të lagura, bile të qullura.

Edhe një xhevahir poetik ku himnizohet madhështia e njeriut që, edhe pse në kushte të vështitra jetese, në rrethana të papërshtatshme, ka synuar të dritshmën, të mirën, të bukurën, i ka endërruar dhe është përpjekur për t’i realizuar ato, dhe me mund, sakrifica, flijime, e ka lënë botën më të mirë se e ka gjetur, titullohet “Natën, kur bie shi . . .”.Përvijohen këtu, në strofë të veçanta: Njeriu i Nedertalit, Diogjeni, Kolombi, Betoveni, Ainshtajni, dhe në strofën e fundit poetët Ungareti, Kuazimodo dhe Montale. Çdo strofë fillon dhe mbaron me dy vargjet që simbolizojnë vështirësitë e jetës. Ja strofa e parë:

“Natën,

Kur bie shi me rrëshekë

E n’ errësirë

Radioja transmeton

-ritmuar me shkreptëtira-

Mazurkat e Shopenit,

Kujto trogloditin:

Njeriu i Nedertalit,

Me trurin plot përbindësha viganë

E zvaranikë tinzarë e të neveritshëm,

Në skutën me qullë të shpellës

-I ngrysur, i uritur-

Mendime yjesh përçapë,

Botën e ndritur me flakë,

Që akujt e kobit, shtijakë

T’mos e shporojnë.

Rëndomët një gazmend e vokë,

Në sfera përmbi sfera

E flakëron i lehtë,

Në ëndrrën që nis e bëhet jetë . . .

Natën,

Kur bie shi me rrëshekë.”

Shiun, element atmosferik i zakonshëm për Shkodrën, e gjejmë si fjalë kyçe edhe te Frederik Reshpja, por me një ndryshim të padiskutueshëm me Zorbën. Ndërsa, tek i pari ai reflekton një jeh krejt personal, tek Zorba ai është i mbushur me musht universal. Universalizmi, më së tepërmi, e karakterizon poezinë e Zorbës për të plazmuar vizione meditative, kryesisht, metafizike.

Pasiguria e jetës, e papritura e çastit, që mund të përmbyste çdo gjë, e kanë shoqëruar poetin gjatë atyre viteve, kur jeta e çdo njërit, mund të shkatërrohej për një çast. Në shtigjet e errëta, poetit i duhet drita. Po ku ta gjejë ? Një botë e pasur shpirtërore nuk stepet. Te një njeri i dashur, më së tepërmi, te e dashura e zemrës, Tereza, që qe jo vetëm shoqe e jetës, po edhe e idealit, për të cilin vuajti burgun edhe ajo si ai; te dashuria si ndjenja më humane e njerëzimit; te një ide a një doktrinë filozofike; tek një pentagram simfonik; apo tek poezia që i përfshin të gjitha këto elemente që burojnë dritë:

Pa titull

“Asht terr ky shteg. Unë s’mundem

Rrugën m’e gjetë pa dritën

Tande që më mungon.

Në breg të greminës,

që m’joshë e m’largon,

a shef si po lkundem ?” 6).

Zorba është poeti që ka shkrirë në një poezinë me muzikën dhe i ka veshur motivet me petka melodie. Këtë mund ta bënte vetëm një njohës i mirë i këtij arti. Dhe ai qe i tillë. Janë të njohur për një muzikalitet të theksuar poetik Fishta, Poradeci, Noli, dhe plot të tjerë, por për ta, muzikaliteti i fjalës dhe i vargut është thjesht një element i formës, që arrihet me përdorimin e qëllimtë të kadencave ritmike, me përzgjedhjen e tingujve, rimave, etj. Ndërsa tek Zorba, muzikaliteti poetik nuk është thjesht formë, ai është edhe përmbajtje. “Për unjisimin muzikal është kërkuar jo vetëm ritmi i qenësishëm në fjalët dhe në vargjet, por edhe tentativa e riprodhimit të formave muzikore: fugat, fugatot, sonata me tempot, kadencat, etj.”, ka shkruar ai në “Pasthënie”.

Të kësaj natyre janë cikli poetik:“Fugat e fundit” dhe poemi “Mbresat e rrugëve”.

Në “Fugat e fundit”, kemi të bëjmë me pesë poezi, të titulluara me terma të formave muzikore, dy prej të cilave kanë edhe nga një nëntitull: “Allegro”, “Andante mosso”, “Lento (për çdo 10 qershor)”, “Largo”, dhe “Allegro furioso (canzonetta)”.E përsëris, këto tituj nuk kanë kuptimin a kuptimet leksikore të fjalëve të zakonshme, por janë emërtime të formave të veçanta muzikore.

Në rrafsh gjuhësor, fjala fugë ka kuptimin e ikjes, arratisjes, veprimin e të ikurit nga një vend, largimit nga rrethana të ndryshme, etj., ndërsa në teorinë e praktikën muzikore, fuga është forma më komplekse e kompozimeve muzikore, që zhvillon disa tema, në funksion të një teme gjeneruese. I tillë është ky cikël poetik. Rreth një teme qëndrore, që është amullia e hirtë e përditshmërisë, në “Fugat e fundit” zbulohet një tematikë e larmishme, ka aty meditacione filozofike mbi peisazhe të natyrës, pakënaqësinë e njeriut dhe mëdyshjet e tij për rezultatet e njohjes shkencore, kur ato janë përdorur në dëm të tij, dhe prandaj nuk e kënaqin as shkencat ekzakte e as artet; dhe ai, mbetet si “i jeremisur” “në mes të askurgjësë e të pambarimit”; por ka edhe “ disa tharme / të mënjanuara / (që) me ngjyrë të re përftojnë një dritë / e jehe:

Dhe është ajo këngë e lashtë e fisit,

Që në mërgim përkundi shumë do burra,

Të djegur mallesh

E sypërlotur.

Cikli “Fugat . . . mbyllet me poezinë“Allegro furioso”, ku hamendësohet një hare e furishme me përshkrimin e një tabloje liqeni tejet të trazuar. Por ndodh e kundërta. Poezia e haresë së furishme dhe krejt “Fugat . . . ” priten si me spatë në vargun e fundit: “por shi vazhdoi me ra”. Kështu, në “Fugat e fundit”, poezia e muzika janë motra binjake, i ndihmojnë njëra-tjetrës dhe ndërthuren me mesazhe ngjyrash të ndryshme për jetën, njeriun, atdheun; ndërsa “shi vazhdon me ra”, d.m. th., monotonia, errësira, zymtira e së përditshmes mbetën.

Me terminologjinë e artit të melodisë shtjellohet edhe poemi “Mbresat e rrugëve”, në formën e koncertit për violë, fagot, ksilofon–kumbonë dhe instrumenta perkusioni. Poemi përbëhet prej 12 pjesësh, të titulluara me terminologji muzikore, shoqëruar me nëntituj:“Introduksion (Kthehen kujtime)”, “Tema e fagotit (Koha rend)”, “Tema e ksilofon-kumbonëve (Kur binte muzgu)”, “Tema e instrumentave me perkusion (Përshkimi i një komete)”, “Tema e violës (Ne djemtë e vajzat, e një maturant)”, “Parte concertante (Përzemërsi, lodra e dituri . . .)”, “Kadenca e ksilofon-kumbonëve (Pranverë)”, “Kadenca e fagotit-Ballatetta-(Verë)”, “Kadenca e violës (Vjeshtë)”, “Kadenca e instrumentave me perkusion (Dimër)”, “Ripresa (Ndarjet)”, “Stretta finale (Sikur . . .?)”. Edhe këtu kemi një larmi tematike, por me shtjellime më konkrete, aty këtu me gërshetime liriko-epike, që trajtojnë motive erotike, përshkrime stinësh me përsiatje meditative rreth tyre, tablo varfërie të skajshme, zymtie jetësore, por me mesazhin e shenjtë e optimist të dashurisë për jetën dhe njeriun.

Të nxitura nga jeta, frymëzimet e poetit janë jehonë “emergjencash shpirtërore”, siç i ka quajtur Pipa poezitë. Një emergjencë e tillë blatohet në pjesën “Kadenca e fagotit”, në të cilën:

“Në jerevinë

E ngarravaçuar të druvarit

Kandili i gjorë

S’e ka pikën e vajgurit:

Ndaj nën fanar, te dera,

I biri, maturant,

Me Kantin jep e merr

E me errësirën”.

Po ashtu në “Kadenca e violës – vjeshtë”, “Motet stërkeqeshin me mënjanime / por sidoqoftë mjerimi ish enerci, / akull polar, e vdekja / çasej në gjumë . . .”.

“Buzë të ngrira në gaz” mbyllen me ciklin poetik “Në zgrip”, leksemë, në të cilën akustika tingullore i rri aq përshtat kuptimit të fjalës. Edhe pse nuk është përdorur aq dendur në frymëzimet e Zorbës, ajo ka vlerën e fjalës kyçe. Tematika motivore e“zgripit”, përkap kohën e jetës në pragun e rrënimit, kohës së shtangur në një vend (“Një gozhdë”); zhgënjimin e poetit për varfërimin shpirtëror të njeriut (“Hënë të reja”); pakënaqësinë e tij që jetës i ka humbur shija e së bukures (“Raki e lirika–balladë”); ëndërrimet me ngjyrime romantike për një jëtë më të mirë, dhe dëshira: “gjersa jeta qenka / kaq e çatrafiluar, së paku sendet / me njëra-tjetrën të përkojnë, si ngjyrat / në kuadrot e Monesë” (“A s’ ma ndërtoni një shtëpi”); mjerimi i një jete që rrokulliset teposhtë e më teposhtë, dhe një mesazh i fuqishëm (te “Rrokollja na flakë- kushtuar bashkatdhetarëve”) për njerëzit që:

“Na i harruan kushtrimet:

Lëmuç mbi njëri-tjetrin

S’u ndiekan për së gjalli;

Të mos ketë mbetur frymë

Që rishtas t’i buçasë ? ”

* * *

Zorbën e dallon një ind tekstor vetanak, që e veçon atë prej të gjithë poetëve tanë të traditës dhe të kohës sonë. Ai ka një fjalor të pasur, që ushqehet me përdorimin e fjalëve të rralla dhe arkaike, sidomos të atyre që emërtojnë ose cilësojnë a tregojnë tipare të veprimit a të gjendjes, rrethana e mënyrë veprimi gjërash të zakonshme. Edhe në rrethin më të ngushtë të leksemave që përdor më shpesh, ai nuk i shmanget kësaj rruge. Të tilla janë: rrokoll-e, zhig, zalle, qull-e, qyqe, qyqar, lëmuç, etj.Për të shprehur përvoja të brendshme ndjenjësore dhe përfytyrime vetjake, poeti gjen vlera estetike tek disonancat, veçori e simbolistëve, po edhe e Montales. Këtë efekt, ai e krijon duke bubërruar e qëmtuar fjalë të popullit, pothuajse të harruara, në të cilat përsëriten tinguj të njëjtë që në pozicionet përkatëse shqiptohen me vështirësi: “Në jerevinë e ngarravaçuar të druvarit”, “Janë po ato rremnime shpirti, të rrokuara në zgrip”, “E mbetën ashtu lmuç të laskaruar”,“E nyjça krahë të lacaruar”.

Në një shkrim timin të mëparshëm 7), kam vënë në dukje që Zorba, si edhe disidentët e tjerë të heshtur shkodranë, ka shkruar në dialektin gegë.Por kur u përgatitën për botim pësuan metamorfozë dhe u botuan në standardin gjuhësor të njësuar. Një lajthitje e tillë e dëmtoi së tepërmi poezinë e tij, sidomos në rrafshin akustik të saj; çka për Zorbën, që bëri përpjekje për të lidhur poezinë me muzikën, krijoi një minus të dyfishtë. Këtë na e dëshmojnë qartë edhe poezitë që u botuan më vonë në revistat“Phoenix” dhe “Hylli i Dritës”.

* * *

Nuk mund të bëhet një koment i plotë për Zorbën pa vështruar përkimet e poezisë së tij me tre poetët e mëdhenj hermetikë italianë: Montale-n, Quasimodo-n dhe Ungaretti-n, të tre të nderuar me Çmimin Nobel. Zorba i përmend me admirim këta tre poetë në poezinë e tij; dhe veç kësaj, ai na ka lënë në dorëshkrim antologjinë poetike “Omne trinum est perfectum”8), në të cilën ka përfshirë përkthimin e poezive më të arritura të këtij treshi poetik të madh. Botimi i saj do të na tregojë se cilat vepra të tyre ka njohur poeti ynë; mbasi vëllimet poetike të botuara, nga viti 1945 dhe këndej vështirë t’i kenë rënë në dorë. Përkimet e treshes hermetike italiane me poetin tonë i hasim në kuptimin e qenies dhe qenësisë së poezisë, në përcaktimin dhe qasjen e objektit poetik, në shtjellimin tekstor të motiveve; në njëfarrë drejtimi, edhe në prefrencat leksikore, etj.

Në të kuptuarit dhe në vështrimin e poezisë, Zorba afrohet me hermetikët italianë, për të cilët poezia e pastër është imazh që evokon objektin, më tepër se ta emërtojë a ta përshkruajë atë.

Për ta rritur sa më shumë forcën evokative, ndjellëse, dhe sugjestionuese të poezisë, për të dhënë më të qenësishmen e imazhit poetik (“esencialitetin”, siç e përcakton ai vetë në Pasthënie), ata përdorin, çka është synimi i tyre kryesor, një ligjërim intensiv, skajshmërisht sintetik, eliptik, gjë që shpesh e bën atë të errët, hermetik. Një ligjërim që rreh të ndriçojë elementet afektive, ndjenjësore, imagjinative, duke zbehur ato racionale. Dihet përkufizimi lapidar, substancial, i përqenësishëm i Quasimodo-s për poezinë: “Kur poezia fillon të thotë, pushon së qeni”.

Intensiteti skajor i kumtimit të idesë në tekstin poetik i ka çuar hermetikët italianë shpesh në poezi me dy a tri vargje me nëntekste shumë të pasura, si në rastin e poezisë “Ed è subito sera”(“Dhe shpejt vjen mbrëmja”) të Quasimodo-s, për analizën e së cilës janë thurur disa ese nga kritikë të ndryshëm.

“Ognuno sta solo sul cuor della terra

Trafitto da un raggio di sole:

Ed è subito sera”.

(“Secili rri vetëm në zemër të tokës / I goditur nga një rreze dielli: / Dhe shpejt vjen mbrëmja”). Ose me poezinë e Ungaretti-t, “Mattina” (“Mëngjes”), një poezi e zhveshur deri në palc të ashtit: “M’ illumino/d’immenso” (“Përshëndritëm / Pafundësisht”) 9).

Të kësaj natyre janë shumë poezi të Zorbës, si përshkrimet me nëntekste të pasura kuptimore: “Pjergulla”, “Zalli i Kirit”, “Prap me furi”, “Rrenime”, “Rrugët në vjeshtë,”, “Malle”, Fli”, etj. , ose meditacionet filozofike si “Përtej . . .” (që të kujton poezinë që çekëm më lart të Quasimodo-s), “Pa element”, “Fjala”, “Kujtime”, “Robër”, (e shkruar në burg, në vjeshtë të vitit 1948, ku aludohet për “armiqtë e popullit” që punonin në kampet e punës dhe të “riedukimit”, dhe që na kujton poezinë “Vëllezër” të Ungaretti-t, kushtuar ushtarëve në llogore gjatë Luftës së Parë Botërore.).

Me gjithë admirimin për hermetikët, Zorba ka ndjekur vetveten në dhënien e emocioneve dhe të përfytyrimeve vetiake.“Pasimi i rrugëve emocionale të tyre do të kishte qenë një vazhdim i mjerë e i pafrut”, ka shkruar ai.Origjinalitetin e tij, “shpetimin prej grackës së hermetikëve”, siç e quan ai, e ka arritur nga “analiza kritike e botës individuale, e rrethanave, e kushteve të ekzistencës, e aspiratave dhe idealeve e sidomos kundërshtimet e botëkuptimet personale, që edhe mund të paraqesin afri sensitive me këdo tjetër, por jo unjisim filozofik e ideor”. Një burim tjetër shpëtimi nga ajo grackë është jetësuar në rrafshin leksikor: “shpuplimi dhe ushqimi i vazhdueshëm me leksikun dhe idiomat tona (të traditës dhe ato që bota krijon çdo ditë)”, ka shkruar ai po aty. Megjithse, sikurse kam sqaruar më lart, nuk mund të pajtohem plotësisht për këtë çështje.

Një ndikim të dukshëm të poezisë hermetike e hasim në dy ciklet që përmendëm më lart; “Fugat e fundit” dhe“Mbresat e rrugëve”, që përfshijnë provat e tij në lidhjet poezi–muzikë. Zorba eci në rrugën e hapur prej Montales, siç kishte ecur ky pas gjurmëve të muzikantit francez Debussy, që pati kompozuar poezi të Bodlerit dhe një poem të Malarmès. Montale, në ciklin poetik “Movimenti” të përmbledhjes poetike “Ossi di seppia” (“Eshtrat e sepies” 10), ka botuar eksperimentet e tij në këtë fushë të pazakontë të relacioneve të poezisë me muzikën: “Corno Inglese”, “Falsetto”,“Minnistrels” da C. Debussy; “Quasi una fanfasia”; veç poezive më të hershme të kësaj natyre: “Musica silenziosa”, “Suonatina di pianoforte”, suitën “Accordi”11).

Më vjen mbarë të theksoj këtu që poezia hermetike në rrafsh kuptimor nuk është e hapur, pra bart mesazhe që poeti ua transmeton lexuesve nga thellësia, sado të errët që janë nga shkaku i intensitetit maksimal që cilëson tekstin, të cilat lexuesi duhet t’i zbërthejë. Zorba është ushqyer gjithë jetën sa me hermetikët italianë, aq edhe me modernistët europianë si Bodlerin, Tomas Eliotin, etj. Zorba kërkon një komunikim të plotë me lexuesin “komunikim që s’i drejtohet një leçitësi të plogtë, pasiv e indiferent, që pret çfarë i sjell poeti-dallëndyshe për ta përtypur pa mundim, pa pjesëmarrje. Jo. Lexuesit të sotëm i kërkohet përgatitje shpirtërore, kulturore e artistike për ta bërë veten bashkautor me artistin, jo vetëm për të interpretuar atë që i komunikohet, por për ta ndjerë e për ta vuajtur bashkë me poetin, duke kërkuar në vepër përfytyrimin vetjak, qoftë në formë krejt individuale e ndoshta edhe botëkuptimore tjetër.”

Referenca dhe shënime

1). Kam pasë fatin ta njoh. Pavarësisht që mosha dhe sidomos rrethanat nuk na e mundësuan lidhjen e miqësisë, aq të dishëruar prej meje. Një fytyrë e fisme, gjithnjë e hijesuar nga mendimi, që i ndriste sytë dhe krejt fytyrën. E vija re kur ecte rrugës. Një hijeshi personaliteti në të ecur më ngjallte gjithnjë admirim. Me hapa të sigurt, thua se po ecte i vetëm. Mbasi kishte kryer llogaritë në ndërmarrjet ku punonte, që në momentet kur shkëputej nga puna dhe merrte rrugën e kthimit në shtëpi, për të fillonte jeta e dytë, ajo e vërteta. Tashmë, ai e kishte kaluar pragun e asaj jete të rëndomtë të ditës dhe ishte futur në hapësirat e artit. Të krijohej përshtypja që, gjatë rrugës, krijonte poezi. Ja njëra prej tyre:

“Si zogj dallëndysheje,

Fëmi të lagjes

Më shkasin anash

Plot shend e verë.”

Më pati treguar Ernest Perdoda, një poet tjetër i heshtjes shkodrane, shok e mik i përbashkët, që Zefi shkruante poezi dhe përkthente hermetikët. Një herë, më pati lexuar një poezi të përkthyer të Ungarett-it.

2). Shih “Phoenix”, nr. 1, korrik-gusht 1997, f. 52-57; dhe “Hylli i Dritës”, nr. 1, v. 2010, f. 186-203.

3). Hans Joachim Lanksch “Arti autonom i fjalës”, “Phoenix”, nr. i mësipërm, f. 49-51.

4). Të gjitha citimet nga Zorba që pasojnë janë marrë nga kjo “Pasthënie”.

5). Shih, Petraq Kolevica, “Lasgushi më ka thënë . . . Shënime nga bisedat me Lasgush Poradecin”. Botim i dytë i plotësuar, “Toena”, Tiranë, 1999, f. 89. Cituar simbas Anton Nikë Berisha,“Vepër e qenies dhe e qenësisë sonë – Vëzhgime mbi artin poetik të Fishtës”,“Shpresa & Faik Konica”,Prishtinë, 2003, f. 109.

6). Ky variant është marrë nga “Hylli i Dritës”.

7).“Disidencë fisnike dhe politizim çoroditës në letërsinë tonë”, “Dielli”, nr. 1 dhe 2, viti 2004.

8). Stefan Çapaliku, “Edhe pse kohë mbeti pak . . . ”, gazeta “Shkodra”, 14 janar, 1993.

9). Të dhënat për Quasimodo-n dhe Ungaretti-n i kam prej shënimeve të mia të dikurshme.

10). Sepie, emër i një molusku.

11).“Eugenio Montale, Collected Poems 1920-1954”. Translated by Jonathan Galassi.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Anton Cefa, Buze te ngrira ne gaz, Zef Zorba

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT