• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2013

VETVENDOSJA: KOSOVA E HASHIMIT-NDERPRITET KUVENDI

February 28, 2013 by dgreca

Ndërpritet raportimi mbi bisedimet Kosovë – Serbi/

Parlamenti i Kosovës ndërpreu seancën e raportimit të kryeministrit Hashim Thaçi, pas protestës së lëvizjes Vetëvendosje/

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ndërpreu fjalën e tij para deputetëve të Parlamentit, pasi që deputetët e lëvizjes Vetëvendosje nëpërmjet një veprimi simbolik, shprehën kundërshtimin ndaj bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në kohën kur kryeministri Thaçi, mori fjalën për të raportuar mbi rrjedhën e bisedimeve, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, dolën para deputetëve të Parlamentit me një pankartë me mbishkrimin “Kosova e Hashim Thaçit”, në të cilin veriu i Kosovës ishte dalluar me ngjyrë të kuqe.
Lëvizja Vetëvendosje akuzon kryeministrin Thaçi se përmes bisedimeve me Serbinë, po krijon autonomi për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Kryeministri Thaçi, ndërkaq, mbajti një konferencë shtypi në mesditë, për shkak të siç tha “pamundësisë së raportimit në Parlamentin e Kosovës”.
Ai tha se qëllimi i lëvizjes Vetëvendosje, “ishte që t’iu pamundësohet qytetarëve e vërteta për dialogun me Serbinë dhe tendenca për të krijuar mjegull”.
Ai sërish hodhi poshtë çdo mundësi që veriu i Kosovës të ketë ndonjë trajtim të veçantë.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, vazhdojnë të hënën në Bruksel.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kosova e hashimit, nderpriett Kuvendi, Vetvonsoja

Benedikti XVI falënderon Hyjin për Kishën e frytet hyjnore dhe përshëndet popullin e Zotit

February 27, 2013 by dgreca

Një përqafim i ngrohtë, i përzemër e plotë emocione i Popullit të Zotit që e përshëndeti sot në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papën Benediktin XVI, në audiencën e përgjithshme të fundit të papnisë së tij. Turma e besimtarëve ardhur nga Vende të ndryshme të botës, me këngë, kore, në një festë të vërtetë shpirtërore e përshëndeti, duartrokit e falënderoj Bariun e Përgjithshëm të Kishës katolike. “Jam i emocionuar, e shoh Kishën e gjallë”, janë fjalët e para të Papës Ratcinger. I buzëqeshur por edhe i emocionuar për një manifestim kaq madhështor të dashurisë e respektit nga ane popullit të krishterë. E Papa para se t’i drejton katekizmin e fundit, e përshkoi anë e mbarë Sheshin e Shën Pjetrit, për t’i përshëndetur të gjithë të pranishmit. Pra Kisha universale u mblodh sot përreth Benediktit XVI në audiencën e përgjithshme të fundit, për t’i shpreh mirënjohjen, për të ripohuar nderimin, respektin e dashurinë ndaj tij dhe për ta falënderuar për këto tetë vjet papnie.
E, Populli i Zotit, shprehje e universalitetit të Kishës së mbarë botës, e dëgjoi sot porosinë e fundit të papnisë së Atit të Shenjtë Jozef Ratcinger, i cili tha: “nuk e kam braktisur kryqin, po në një mënyrë të re rri pranë Zotit të Kryqëzuar”. Fjalët që Benedikti XVI ia drejtoi mbarë Kishës, janë fjalë mirënjohjeje, inkurajimi e feje në Krishtin Zot, që e drejton kurdoherë Kishën e tij.
E mase 200 mijë besimtarëve të pranishëm sot në Sheshin e Vatikanit, Papa Ratcinger u tha: ” ju kam dashur e ju kam përherë në zemër dhe në lutje të mia”. Ja fjala që Benedikti XVI u drejtoi sot të pranishmeve

Vëllezër të nderuar në Episkopat e në Meshtari!
Autoritete të nderuara,
Të dashur vëllezër e motra!

Ju falënderoj që keni ardhur kaq të shumënumërt në këtë Audiencë të Përgjithshme të fundit të papnisë sime. Ju falënderoj përzemërsisht, jam vërtet i emocionuar.

Ashtu si Pali Apostull në tekstin biblik që kemi dëgjuar ( nga letra e Kolosianëve 1,9-10), edhe unë ndjej sot në zemër detyrën për të falënderuar mbi të gjitha Zotin, që e udhëheq dhe e bën të rritet Kishën, që mbjell Fjalën e tij e kështu e ushqen fenë në Popullin e tij. Në këtë moment, shpirti im përqafon tërë Kishën e shpërndarë në botë; e falënderoj Zotin për “lajmet” që në këto vite të shërbimit pjetrin (papnor) kam pasur rastin t’i marr për fenë në Zotin tonë Jezu Krisht, e për bamirësinë që qarkullon në Korpin e Kishës dhe e bën të jetojë në dashuri, e për shpresën që na hap zemrat e na orienton drejt jetës në plotësi, drejt Atdheut Qiellor.

Ndjej në vetvete se ju kam të gjithëve në zemër dhe ju bart në lutje, në kohën e sotme, që është ajo e Zotit, ku gjej e shijoj çdo takim, çdo udhëtim, çdo vizitë baritore. Gjithçka e të gjithë i përmend në lutje për t’ia besuar Zotit: në mënyrë që ta njohim plotësisht vullnetin e tij, me urti e shpresë, e të jetojmë e të veprojmë në mënyrë të denjë për Zotin e dashurinë e Tij, duke dhënë fryte me vepra të mira (krh Kol 1.9-10).

Në këtë moment, kam një besim të madh, sepse di, e dimë të gjithë ne, se Fjala e vërtetë e Ungjillit është forca e Kishës, është jeta e saj. Ungjilli pastron e përtërin, sjell fryte, kudo ku bashkia e besimtarëve e dëgjon dhe e pranon Hirin e Zotit në të vërtetën dhe jeton në dashuri. Ky është besimi im, ky është gëzimi im.

Kur, më 19 prill, para gati tetë vjetësh, e pranova shërbimin pjetrin (papnor), gjithmonë e kam pasur këtë bindje të patundur që më ka shoqëruar. Në atë moment, siç jam shprehur disa herë, fjalët që jehonin në zemrën time kanë qenë: O Zot, ç’kërkon prej meje? Është një peshë ajo që më vë mbi shpatulla, po nëse Ti ma kërkon këtë, mbi fjalën tënde do ti hedh rrjetat, i sigurtë se Ti do të më udhëheqësh. E me të vërtetë, Zoti më ka udhëhequr, ka qenë pranë meje, çdo ditë e kam ndjerë praninë e tij. Kjo periudhë ka qenë një copë udhë e Kishës, gjatë së cilës kam pasur çaste gëzimi e drite, por edhe çaste jo të lehta: Zoti më ka dhuruar kaq shumë ditë dielli e puhie të lehtë, ditë në të cilat peshkimi ka qenë i begatshëm; por ka pasur edhe momente me ujëra të trazuara e me erën kundër, si gjatë tërë historisë së Kishës, e Zoti dukej sikur flinte. Por e kam ditur se Zoti është në atë barkë dhe gjithmonë e kam ditur se barka e Kishës nuk është imja, nuk është jona, por është e Tij e Ai nuk e le të fundoset: është Ai që e udhëheq, pa dyshim edhe përmes njerëzve që i ka zgjedhur, sepse kështu ka dashur. Kjo ka qenë edhe bindja, që asgjë nuk mund ta errësojë. E pikërisht për këtë, sot, zemra ime është përplot me mirënjohje ndaj Hyjit, që kurrë, nuk e ka lënë Kishën e as mua pa ngushëllimin e Tij, pa dritën e Tij, pa dashurinë e Tij.

Jemi në Vitin e Fesë, të cilin e kam dashur për të përforcuar pikërisht fenë tonë në Zotin në rrethana, që përherë e më shumë duket se e vënë fenë në plan të dytë. Dua t’i ftoj të gjithë ta përtërijnë fenë e tyre të bindur në Zotin, të lëshohen plot besim, si fëmijë, në duart e Zotit, të bindur se ato duar na mbështesin gjithmonë e pikërisht ato na mundësojnë të ecim çdo ditë edhe ndër mundime e vështirësi. Do të doja që çdonjëri ta ndjejë se Zoti e do, se për ne ka dhuruar Birin e Tij e na ka treguar dashurinë e tij të pakufishme. Do të doja që çdonjëri ta ndjente gëzimin e të qënit i krishterë. Një lutje e bukur, për t’u shqiptuar çdo ditë në mëngjes, thotë: “Të adhuroj, o Zoti im, e të dua me gjithë zemër. Të falënderoj që më ke krijuar, më ke bërë të krishterë…”. Po, jemi të lumtur për dhuratën e fesë; është një pasuri e çmueshme, të cilën askush nuk mund të na e marrë! Falënderojmë Zotin për këto ditë, me uratë e me jetë të ndershme të krishterë. Zoti na do, por pret që edhe ne ta duam!
Por, në këtë moment, nuk dua të falenderoj vetëm Zotin. Një Papë nuk është i vetëm në udhëheqje të barkës së Pjetrit, megjithëse përgjegjësia kryesore është e tij; e unë nuk jam ndjerë kurrë vetëm në bartjen e gëzimit e të peshës së shërbimit papnor: Zoti më ka vënë pranë shumë njerëz që, me bujari e dashuri ndaj Zotit e Kishës, më kanë ndihmuar e kanë qenë pranë meje. Para së gjithash ju, të dashur Vëllezër Kardinaj: urtia juaj, këshillat tuaja, miqësia juaj për mua kanë qenë tejet ë çmueshme; Bashkëpunëtorët e mi, duke filluar nga Sekretaria e Shtetit, që më ka shoqëruar gjatë këtyre viteve me besnikëri; Sekretarinë e Shtetit e mbarë Kurien Romake, si dhe të gjithë ata që, nuk dalin në pah, që mbesin në hije, po pikërisht në heshtje, me përkushtim të përditshëm, me frymën e fesë e të përvuajtërisë kanë qenë për mua mbështetje e sigurtë dhe e besueshme. Një mendim të veçantë ia drejtoj Kishës së Romës, Dioqezës sime! Nuk mund t’i harroj Vëllezërit e mi në Episkopat e në Meshtari, njerëzit e shuguruar e të përkushtuar dhe mbarë Popullin e Zotit: gjatë vizitave baritore, gjatë takimeve, gjatë audiencave, gjatë udhëtimeve, gjithmonë e kam ndjerë vëmendjen e madhe e dashurinë e thellë; po edhe unë ju kam dashur shumë të gjithëve e secilin, pa dallim, me atë dashuri baritore, që është në zemrën e çdo Bariu, sidomos në atë të Ipeshkvit të Romës, e Pasardhësit të shën Pjetrit Apostull. Çdo ditë, secilin prej jush e kam pasur në lutjen time, në zemrën atërore.

Dua që përshëndetja dhe falënderimi im t’u arrijë të gjithëve: zemra e Papës hapet për të gjithë botën. E dua t’i shpreh mirënjohjen Trupit Diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, që e bën këtu të pranishme familjen e madhe të kombeve. Mendoj edhe për të gjithë ata, që punojnë për një komunikim e informim të saktë, të cilët i falënderoj për shërbimin e tyre të rëndësishëm.
Pastaj, dua të falënderoj me gjithë zemër, edhe njerëzit e shumtë në të gjithë botën, që gjatë javëve të fundit më kanë treguar shenja mallëngjyese kujdesi, miqësie dhe janë lutur për mua. Po, Papa nuk është kurrë vetëm, tani edhe një herë po e provoj kaq madhërishëm, sa më prek zemrën. Papa u përket të gjithëve e shumë njerëz e kanë ndjerë veten pranë tij. Është e vërtetë se marr letra nga të mëdhenjtë e kësaj bote – nga krerët e shteteve, nga krerët fetarë, nga përfaqësuesit e botës së kulturës, etj.. Por marr edhe shumë letra nga njerëz të thjeshtë, që më shkruajnë drejtpërdrejtë nga zemra e tyre e më bëjnë ta ndjej dashurinë, që lind nga bashkimi me Jezu Krishtin, në Kishë. Këta njerëz nuk më shkruajnë, ashtu siç i shkruhet, për shembull, një princi, apo ndonjë të madhi, që nuk e njeh. Më shkruajnë si vëllezër e motra, ose si bij e bija, me ndjenjat e lidhjes familjare, plot dashuri. Këtu preket me dorë ç’është Kisha – jo organizatë, jo shoqatë më qëllime fetare ose humanitare, por një korp i gjallë, një bashkim vëllezërish e motrash në Korpin e Jezu Krishtit, që i bën një, të gjithë. Ta përjetosh Kishën në këtë mënyrë e të prekësh me dorë forcën e së vërtetës dhe të dashurisë së saj, është burim e arsye gëzimi, në një kohë kur shumë flasin për rënien e saj. Por shohim se Kisha është gjallë sot.

Gjatë këtyre muajve të fundit, ndjeva se forcat po më linin dhe, i kërkova Zotit me këmbëngulje, në lutje, të më shndrisë me dritën e Vet, që të marr vendimin më të drejtë, jo për të mirën time, por për të mirën e Kishës. E bëra këtë hap, me vetëdije të plotë për rëndësinë dhe për risinë e tij, por me qetësi të thellë në shpirt. Ta duash Kishën do të thotë edhe të kesh guximin për të marrë vendime të vështira, të vuajtura, duke pasur gjithnjë parasysh të mirën e Kishës e jo vetveten.

Këtu, më lejoni të kthehem edhe një herë te 19 prilli i vitit 2005. Pesha e vendimit kuptohet edhe nga fakti se, që nga ai çast e më pas, isha i impenjuar përherë e përgjithmonë për Zotin. Gjithnjë – kush merr përsipër ministerin pjetrin nuk ka më jetë private. U përket gjithnjë e me gjithë vetveten të tjerëve, të gjithë Kishës. Jeta e tij, si të thuash, privohet krejtësisht nga përmasa private. Munda të provoj, e po e provoj edhe tani, se njeriu e fiton jetën, pikërisht kur e dhuron atë. Më parë, thashë se shumë njerëz e duan Zotin, duan Pasardhësin e Shën Pjetrit dhe ndjehen të lidhur me të; se Papa ka shumë vëllezër e motra, bij e bija në të gjithë botën dhe, ndjehet i sigurt në përqafimin tuaj, në bashkim me ju; sepse nuk i përket më vetvetes, u përket të gjithëve e të gjithë i përkasin atij.

“Përherë” do të thotë se është “përgjithmonë” – nuk mund të kthehesh më në jetën private. Vendimi im për t’u tërhequr nga ushtrimi aktiv i shërbimit, nuk e ndryshon këtë. Nuk kthehem në jetën private, apo në jetën e udhëtimeve, të takimeve, të pritjeve, të konferencave etj.. Nuk e braktis Kryqin, por mbetem, në një mënyrë të re, pranë Zotit të Kryqëzuar. Nuk kam më pushtetin zyrtar për qeverisjen e Kishës, por me lutje – shërbim tjetër ky – mbetem, si të thuash, brenda gardhit të Shën Pjetrit. Shën Benedikti, emrin e të cilit e mbaj si Papë, do të jetë një shembull i madh për t’u ndjekur. Ai na dëshmon udhën për një jetë, e cila, aktive apo pasive, i përket krejtësisht veprës së Hyjit.

Ju falënderoj të gjithëve dhe secilin, edhe për respektin dhe mirëkuptimin me të cilat e pritët këtë vendim, kaq të rëndësishëm. Unë do të vazhdoj ta shoqëroj udhën e Kishës me lutje e reflektime, me atë përkushtim për Zotin dhe Nusen e tij, që jam munduar ta jetoj deri tani, çdo ditë, e që do të dëshiroja ta jetoj përgjithmonë. Ju kërkoj të më kujtoni para Zotit e, sidomos, të luteni për Kardinajtë, të thirrur në një detyrë kaq të rëndësishme, si edhe për Pasardhësin e Shën Pjetrit Apostull: Zoti e ndihmoftë me dritën dhe forcën e Shpirtit të Vet.

T’i lutemi për ndërhyrjen amnore Virgjërës Mari, Nënës së Zotit dhe të Kishës, që ta shoqërojë secilin prej nesh e mbarë bashkësinë kishtare; Asaj ia besojmë vetveten, me fe të thellë.

Të dashur miq! Zoti e udhëheq Kishën, e mban dhe mbështet gjithmonë, edhe e sidomos në çaste të vështira. Të mos e humbasim kurrë këtë vështrim të fesë, që është i vetmi këndvështrim i vërtetë për udhën e Kishës e të botës. Në zemrat tona, në zemrën e secilit prej jush, të qoftë përherë siguria e lume se Zoti është pranë nesh, nuk na braktis, është afër e na përqafon me dashurinë e Tij. Faleminderit!(Kortezi Radio Vatikani)

Filed Under: Histori Tagged With: Benedikti XVI falenderon, Hyjin per Kishen

Tango e rrezikshme në Bosnjë: Islami dhe nacionalizmi

February 27, 2013 by dgreca

Raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave shqyrton një përzierje në rritje të nacionalizmit boshnjak, i cili mund të jetë islamik ose laik, dhe identitetit shetëror të Bosnjës. Islami politik është risi në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe rritja e tij shihet si kërcënim për partitë laike dhe jomyslimane.
Dhjetëra sulme, që u atribuohen boshnjakëve në dekadën e kaluar, kanë rritur frikën për terrorizëm. Megjithatë, grupet jo-tradicionale Salafi apo të tjerat islamike, të cilat janë shfaqur në margjinat e shoqërisë, mbeten të vogla dhe të izoluara.
“Pothuajse çdo akt i dhunës, i frymëzuar nga islamizmi, ka ardhur nga vendet ku institucionet islamike janë të dobëta ose mungojnë dhe autorët kanë pasur një të kaluar të trazuar”, thotë Marko Prelec, drejtor për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

​​“Ka shumë zemërim dhe frustrim në mesin e boshnjakëve dhe figurat kryesore në institucionet islamike kanë shfrytëzuar një gjë të tillë për të çuar përpara qëllimet e tyre politike”, shton Prelec.
Bashkësia Islame në Bosnjë është rritur nga një organizatë fetare në një aktor të rëndësishëm politik, i cili ka ndihmuar në formimin e identitetit boshnjak.
Lideri karizmatik dhe me ndikim i saj, Mustafa Ceriq, ka thënë se Bosnja, edhe pse me përbërje multi-etnike, duhet të jetë komb-shtet boshnjak, pasi “kroatët dhe serbët i kanë shtetet e tyre”.
Ky vizion është tërheqës për shumë boshnjakë, përfshirë edhe disa që janë krejtësisht laikë, por jo edhe për kroatët e serbët. Nëse kjo bëhet pikëpamje dominuese e Bosnjës, ka gjasa të ketë konflikt dhe paqëndrueshmëri të vazhdueshme, tërheq vërejtjen Grupi Ndërkombëtar i Krizave.
Andaj, sipas tij, Bashkësia Islame duhet të nxisë pikëpamjen e një shteti të përbashkët, në të cilin të gjitha grupet ndjehen të barabarta dhe përqendrohen në rinovimin e institucioneve të tyre.
Salafisët e Bosnjës janë të ndarë në lojalitetin ndaj shtetit dhe Bashkësisë Islame. Shumica e atyre që pranojnë këto institucione, janë patriotë të ashpër, ndërsa disa kanë luftuar si muxhahedinë në luftën e viteve 1990.
Ata që i cilësojnë ato si jo-islamike, kanë tendenca të tërhiqen në vendbanime të izoluara për të praktikuar besimin e tyre dhe janë më të interesuar për umma-n globale, përkatësisht komunitetin islamik, sesa për fatin e Bosnjës.
Asnjë grup nuk ka treguar tendencë për dhunë dhe shumica e sulmeve kanë qenë vepër e emigrantëve ose personave me të dhëna të dokumentuara kriminale dhe psikologjike, thuhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.
Sipas tij, Bashkësia Islame dhe shteti i Bosnjës duhet të bashkëpunojnë për të angazhuar Salafisët e padhunshëm, sidomos ata që kthehen nga diaspora, në dialogun që inkurajon integrimin e tyre.
​​“Komuniteti islamik ka promovuar një përqafim patriortik të shtetit. Stabiliteti varet nga ajo nëse arrin të ketë sukses në hartimin e një vizioni për Bosnjën, e cila mund të ndahet edhe me kroatët e serbët”, thotë Sabine Freizer, drejtore për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
“Me hyrjen në arenën politike, komuniteti islamik ka përgjegjësi që të riangazhohet në dialogun ndërfetar dhe të avancojë zgjidhjet e kompromisit, të cilat mund të shmangin copëzimin e mëtejshëm të vendit”, thotë Freizer. (v.tela)

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Islamizmi dhe nacionalizmi, ne Bosnje, Tango e rrezikshme

Saimir Pirgu, artisti që krijon në mes dy kontinenteve

February 27, 2013 by dgreca

Nga Blerim Shabani/

Paralelisht Pirgu po përgatit shfaqje edhe në Nju Jork, ku luan krahas Placido Domingos së madh. Albinfo.ch ndoqi shfaqjen “Rigoletto” ku artisti shqiptar luan rolin kryesor dhe i mori atij një intervistë ,

Perdja në skenën e sallës luksoze të Operës së Cyrihut hapet me figurën dhe zërin e Saimir Pirgut, i cili luan rolin kryesor në shfaqjen “Rigoletto” të Gjuzepe Verdit. Dhe, perdja bie po ashtu me zërin e tij, që vjen nga prapaskena, duke kënduar arien e njohur “La donna è mobile”. Vetë subjekti i shfaqjes fokusohet në dramën jetësore të Rigoletto-s, palaços së oborrit, i cili vuan nga shtypja që i bëhet, veç tjerash dhe nga i zoti i tij, Duka i Mantovës, rol negativ, të cilin e luan Pirgu…

Saimiri është familjarizuar prej kohësh me Cyrihun, gjegjësisht me skenën operistike të këtij metropoli zviceran. Rreth 10 vite më parë ai ka luajtur në skenën e këtushme të operës rolin e Dukës së Mantovës në “Rigoletto-n“ e famshme të Verdit. Tash sërish në këtë shtëpi, ai luan po në “Rigoletto” dhe si gjithnjë, rolin e Dukës.

Para pak vitesh Pirgu kishte marrë pjesë me rolin kryesor, atë të Alfredos në një spektakël operistik të llojit të vet, në inskenimin e operës së njohur të Verdit “Traviata” të luajtur jo në skenë por në stacionin hekurudhor të Cyrihut. Loja impresionuese që bartej nga hapësirat mes peronave të trenit, te shkallët elektrike të stacionit e gjetiu, ishte transmetuar drejtpërdrejtë nga televizionet zvicerane. Dhe kishte lënë mbresa të thella te një publik i gjerë, i cili në kushte normale, vështirë “e gjen rrugën” deri tek teatri i operës…

Gjatë gjithë muajit shkurt Saimir Pirgu, tenori i ri, i njohur edhe si miku dhe pasuesi i denjë i Pavarotit, ishte sërish mysafir në metropolin zviceran. Në të gjitha, shtatë shfaqjet, salla ka qenë e mbushur tërësisht dhe biletat kanë qenë paraprakisht të shitura.

Kënaqësinë që të përjetojmë artin e tij të madh e patëm në shfaqjen e “Rigoletto-s” të dhënë të martën, më 26 shkurt në “Opernahus Zürich”. Me këtë rast ia “vodhëm” Pirgut pak minuta nga agjenda e tij e ngjeshur, për t`iu drejtuar lexuesve të albinfo.ch.

Albinfo.ch: Posa përfundoi shfaqja e operës “Rigoletto” të Verdit në skenën e Cyrihut. Bëhet fjalë për shfaqjen e fundit të këtij cikli, të filluar me premierën e dhënë më 3 shkurt. Si ndjeheni pas gjithë këtij angazhimi?

Saimir Pirgu: Në fakt “Rigoletton” nga 3 shkurti e këndej e kemi shfaqur gjithsej shtatë herë. Sigurisht, ka qenë një periudhe mjaft e ngjeshur me punë. Ndërsa këtu do të jem sërish në muajin maj, kur do ta shfaqim operën “Traviata” që jemi duke e realizuar në shtëpinë operistike “Metropolitan” të Nju Jorkut. Nesër do të jem në Nju Jork për të vazhduar provat. Premiera shfaqet më 14 mars.

Që t`ua përkujtoj, në Cyrih kam bërë “Rigoletto”-n edhe para dhjetë vitesh.

Albinfo.ch: Dhe, çfarë solli të re versioni më i ri i “Rigoletto”-s së Cyrihut?

Saimir Pirgu: Është një version modern, komplet i ri, i moduluar në kushtet e ditëve tona, përfshirë këtu edhe gjithë agresivitetin që karakterizon kohën tonë. Dhe këtu ka qenë edhe e bukura e kësaj shfaqjeje po aq sa edhe vështirësia e realizimit të saj. Ndër risitë hyn dhe skenografia qëllimisht e varfër dhe kostumet e kohës moderne që veshn artistët. Ndërsa shfaqja e para 10 viteve ka qenë brenda kornizave të klasikes.

Albinfo.ch: Ju, sigurisht edhe në shfaqjen e përmendur keni luajtur rolin e Dukës së Mantovës?

Saimir Pirgu: Po, sigurisht pasi që vetëm atë rol mund ta luaj unë…

Albinfo.ch: … Për shkak të moshës, ose tipit të zërit?

Saimir Pirgu: Për këto që thatë por edhe për shkakun se Duka di Mantova duhet të jetë i bukur, fascinant … (qesh)

Albinfo.ch: Kemi lexuar se në shfaqjet e para (nga fillimi i shkurtit) ka pasur edhe reagime të një pjese të publikut, nisur nga ky inskenim ndryshe…

Saimir Pirgu: Po, është e kuptueshme, gjithmonë do të ketë persona të tillë brenda publikut që duan ta shikojnë gjithnjë atë shfaqje me të cilën janë mësuar, me këtë rast, versionin klasik. Megjithatë, kritika, sidomos ajo ndërkombëtare dhe shtypi e kanë vlerësuar shumë lartë shfaqjen në këtë variant. Po ashtu është e kuptueshme se mund të ketë edhe zëra kundërshtues, sepse ky është teatri…

Albinfo.ch: Megjithatë është një inercion që publiku më lehtë të identifikohet me rolet pozitive se sa me ato negative, çfarë ishte roli juaj në shfaqjen “Rigoletto”. A keni përjetuar diç të tillë me rastin e kësaj opere?

Saimir Pirgu. Absolutisht jo. Sado që të jetë urrejtur Duka si njeri, atë e kanë dashur gjithmonë si rol. Sido që të jetë, ariet ndër më të famshmet në literaturën botërore të muzikës, janë pikërisht ato të Duka di Mantova-s si për shembull perla e njohur “La donna è mobile” etj.

Por nuk diskutohet, në këtë inskenim, roli im është edhe më negativ se në inskenimet tjera. Me tekstin e njëjtë, regjisorja e ka ashpërsuar paraqitjen e Dukës.

Albinfo.ch: Cila është shfaqja e radhës që jeni duke e përgatitur ose do ta filloni, pas “Rigoletto-s”?

Saimir Pirgu: Unë jam i angazhuar në më shumë se 20 role, në shtëpi të ndryshme operash, të cilat i shfaq paralelisht gjatë gjithë kohës.

Premiera e radhës që do ta kem është “Traviata” (bashkë me Placido Domingon) të cilën jam duke e përgatitur në operën “Metropolitan” të Nju Jorkut, në mënyrë paralele me këtë të Cyrihut. Dmth. gjatë gjithë kësaj kohe të provave kam qenë “në ajër”, në relacionin Nju Jork-Cyrih. Pardje kam ardhur nga Nju Jorku dhe nesër (e mërkurë) do të fluturoj sërish për atje… Kështu do të jem edhe një kohë, pasi që seria tjetër e shfaqjeve të “Rigoletto”-s në Operën e Cyrihut do të jetë në muajin qershor. Dhe siç e përmenda, me “Traviata”-n do të jem këtu në muajin maj.(falenderojme stafin e Albinfo.ch per bashkepunim me Diellin)

Filed Under: Kulture Tagged With: artisti, Blerim Shabani, mes dy kontinenteve, qe krijon, Saimir Pirgu

Requiem për Vesel Kullën

February 27, 2013 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA/

Ike Vesel i dashur! Ike dhe na le vetëm në rrugën tonë. Nuk besoja kurrë se do të isha unë ai që do të thoja këto dy fjalë të përmortëshme në përcjelljen tënde për në banesën e përjetëshme.  Nuk besoja, se deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për mendimin tënd, për fjalën tënde. Por ti ike. Zoti kishte  vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.

Ishe pothuajse fëmi kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Ishe i detyruar të rriteshe jetim pasi komunizmi të vrau atin tënd të nderuar. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira. Po, Vesel i dashur, ti i  mbijetove  asaj  kohe  barbare, i  mbijetove  sepse  në  venat  e tua rridhte gjak fisniku dhe në këto çaste më kujtohet një frazë e filozofit të shquar Niçe:

Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku…

Dhe ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.

Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. Para syve më dalin ato ditë të zjarrta ku, atje në shtëpinë e kryetarit tonë të nderuar, Lalë Osmanit, mblidheshim dhe diskutonim për botimin e të parës gazetë nacionaliste, gazetës “Liria”, ku ti do të ishe njeri nga gazetarët më të mirë të saj. Ti e justifikove plotësisht besimin që të dhanë. Këtë  nuk do ta harrojmë kurrë për tërë këta vite që na kanë mbetur për të jetuar.

Veseli i përkiste asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për gazetarinë. Donin të shkruanin atë që mendonin, atë që ëndërronin. Donin të shkruanin për të vërtetën. Por, për fatin e tyre të keq, jetonin në një epokë të gabuar. Ata jetonin në atë epokë kur nuk mund të shprehnin ato që ëndërronin, ato që u buronin nga zemrat e tyre. Nuk mund të shprehnin mendimet e tyre të lira, ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër. Jetonin në atë kohë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ky regjim shpikte lloj-lloj formula totalitare për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formula absurde që ndrydhnin talentet e mëdha dhe u hapnin rrugën veprave standarte që në më të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë. Por talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve abstrakte në format nga më të ndryshmet. Një nga këta ishte edhe Veseli.

Të nderuar familjarë. Mos derdhni lot. Në krahinat tona nuk e kanë zakon të derdhin lot për burrat e shquar. Atyre u thurrin vargje, u këndojnë këngë. Veseli ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë më të mirë. Humbëm njeriun  që e kishim  në krahun tonë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e tij e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes Veselin tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.

Qoftë i lehtë dheu që do të ra përsipër!

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: per Vesel Kullen, requiem, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT