• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2013

MBRESA TË BUKURA, NGA KLLOKOTI I KOSOVËS…

May 5, 2013 by dgreca

-Përurohet libri “Më shumë heroizma, se sa grurë”, me autor albanologun suedez, Ullmar Kvik/
-Festohen 6-vjetori i Banjave “Nëna Naile” dhe 70-vjetori i presidentit të tyre, Sabri Maxhuni-Novosella/
Nga Prof. Murat Gecaj/
1.
Në mëngjesin e ditës së premte, më datën 3 maj 2013, u nisëm nga Tirana, bashkë me av.Gjin Niklekaj, kryetar i Shoqatës “Nikaj-Mërtur”, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Kishte për të ardhur me ne edhe shkrimtari e publicist i njohur, Viron Kona, por u pengua për këtë gjë, nga një fatkeqësi familjare.
Nëpër “Udhën e Kombit”, në tunelin e Kalimashit dhe deri në Kukës, në bisedat tona zuri vend edhe kjo vepër shumë e rendësishme e viteve të Demokracisë, e cila ndihmon për bashkimin e mëtejshëm shpirtëror e fizik të bashkatdhetarëve tanë. I ardhur nga fshati Zogaj, në dalje të atij qyteti na priste kolegu e miku Ibrahim Hajdarmataj, publicist e ish-drejtor Gjimnazit atje. Për t’u çlodhur pak, në një lokal tërheqës, pimë kafe dhe e vazhduam udhën më tej. Pas kontrollit të zakonshëm, në pikën e kalimit kufitar me Republikën e Kosovës, vazhduam udhën nëpër Autostradën e Re, në të cilën çdo drejtues mjeti e ndien veten shumë mirë.
Nuk ishte hera e parë, që ne e shihnim Kosovën. Megjithatë, duke vijuar për në pikëmbërritjen tonë, u kanaqëm duke parë bukuritë e këtij vendi të stërlashtë shqiptar, fshatra me toka pjellore dhe qytete të bukur, si Suhareka, Shtimja e Ferizaj.
Sigurisht, kërshëria jonë ishte të arrinim sa më parë në Banjat e Kllokotit. Këtë gjë na e lehtësoi edhe takimi i rastësishëm i yni, me publicistin e autorin e njohur, Mustafa Spahiu, me të cilin edhe bëmë foto për kujtim, kur u ndamë.
Megjithëse kishim parë dhe lexuar një botim të posaçëm, shoqëruar me disa pamje, ishte befasi e këndshme, kur na dolën përpara Banjat e Kllokotit, me emrin tashmë të njohur, “Nëna Naile”. Edhe këtë gjë e dinim, se Presidenti i kësaj qendre të madhe kurative e rehabilituese, Sabri Maxhuni-Novosella e kishte bërë për të ndruar kujtimin e nënës së tij, të dashur dhe të paharruar. Sapo Gjini e parkoi makinën, pranë nesh u afrua me mirësjellje një përfaqësues i këtij institucioni, i cili na uroi mirëseardhjen dhe na shoqëroi deri brenda.
Në një sallë mobiluar bukur, të pajisur dhe të ndriçuar shumë mirë, gjetëm disa të ftuar në veprimtaritë e asaj dite. Siç ndodhë zakonisht, në krye ishte mikpritësi ose më mirë të themi vëllapitësi, Sabri Maxhuni-Novosella. Meqenëse ai e kuptoi se cilët ishim, megjithëse nuk ishim takuar ndonjëherë më parë, iu paraqitëm atij dhe të tjerëve, se ishim një grup i ardhur nga Tirana. “Sa, po na e bëni qejfin, që vini nga një qytet i trojeve tona të përbashkëta!…”-u shpreh gjithë kënaqësi, gëzim e dashamirësi, kur na takoi ai. Pasi shkëmbyem përshëndetjet e rastit dhe bëmë njohjen me njëri-tjetrin, na pyetën se çfarë donim të pinim, për t’u freskuar e qetësuar, pas atij udhëtimi, të cilin na e zvogëluan e na e lehtësuan udhët e rehatshme, që janë ndërtuar kohët e fundit, në Shqipëri e në Kosovë dhe, më së pari, na bashkojnë zemrat e mendjet tona.

2.
Nuk kishte kohë për të pritur, pra kishim ardhur sipas parashikimit, për fillimin e veprimtarive. Në një sallë tjetër të madhe u tubuam për të marrë pjesë në përurimin e librit të albanologut të njohur suedez dhe mik i shqiptarëve, Ullmar Kvik, “Më shumë heroizma, se sa grurë”, me këshilltar editorial Sadulla Zendelin-Daja, shqipëruar nga Hajdin Abazi dhe me redaktor Baki Ymerin. Ishte edhe dëshira e autorit, që në atë ngjarje me rëndësi, për atë e të gjithë pjesëmarrësit, të kishte edhe te ftuar nga Tirana. Këtu ai na kishte dërguar, pak ditë më parë, afër 100 copë të këtij libri, dhuratë për lexuesit në Shqipëri.
Veprimtarinë e organizuar e drejtoi Selatin Novosella. Rreth përmbajtjes së këtij libri u lexua një shënim i Shefki Osekut, dërguar nga Suedia, posaçërisht për këtë përurim. Pastaj, mbresat nga leximi i librit të prof. Ullmarit, dërguar nga shkrimtari e publicisti Viron Kona, i lexoi Ibrahim Hajdarmataj. Me interes u ndoqën edhe folësit e tjerë, prof.dr.Emin Kabashi e Myrteza Nura. Ndërsa prof.dr. Resmije Kryeziu e juristi Ylli Morina lexuan një shënim të autorit, rreth librit në fjalë dhe falënderimin e tij, për organizimin e këtij përurimi, i cili ishte një nder dhe vlerësim tjetër për të.
U duartrokit nga gjithë të pranishmit propozimi, i cili u bë në këtë përurim, që dy shtetet tona shqiptare lipset ta çmojnë dhe vlerësojnë lart ndihmesën e veçantë për çështjen tonë kombëtare, të albanologut të shquar suedez, Ullmar Kvik. Tash afër 50 vjet, ai është i përkushtuar në këtë fushë, me punë, shkrime e botime të tij. Disa kopje të këtij libri, i cili është botuar me mbështetjen e Sabri Maxhunit-Novosella, iu dhuruan të pranishmëve në tubim.

3.
Pjesë e rëndësishme e veprimtarive, ku ne morëm pjesë, ishte edhe festimi i 6-vjetorit të fillimit të punës dhe jetës së Banjave “Nëna Naile”, në Kllokot të Kosovës, si dhe jubileu i 70-vjetorit të ditëlindjes së presidentit të tyre, Sabri Maxhuni-Novosella, autor edhe i disa librave me temë atdhetare etj. Në ceremoninë e organizuar, përshëndetën dhe uruan disa veta. Ndër ta, ishin Pashk Staka, Kadri Botusha e M.Gecaj. U recitua dhe poezia e bukur, “Kosova jonë” etj.
Për kërshërinë e lexuesit, shënojmë këtu se kjo qendër kurative e rehabilituese është ndër më të bukurat dhe të vlefshmet, në Ballkan e më gjerë. Qindra e mijëra veta, nga Kosova, Shqipëria dhe shtete të tjerë të Europës etj., shkojnë aty në 12 muajt e vitit, ku gjejnë një shërbim të përkryer dhe kushte mjaft të mira, në interes të shëndetit të tyre. Fakt domethënës është se aty, pjesëtarët e ish-UÇK-së dhe familjet e dëshmorëve, kurohen falas. Uji mineral, i nxjerrë nga mbi 50 metra thellësi, ka veti të shumta shëruese, ai pihet dhe përdoret në vaska etj.
Mund të flisnim edhe më gjatë për dobinë e këtyre banjave, për të cilat edhe kësaj here pjesëmarrësit u shprehën: “Këtu është një parajsë e vogël”, “Në Kllokot gjen mrekullinë” etj. Vlerësimet janë të tilla, pasi njerëzit, që shkojnë aty, ripërtërihen fizikisht, nga ana fiziologjike e psikike etj. Sigurisht, nuk mund të mos lëshë pa përmendur shërbimet mjekësore të specializuara dhe aparaturat më të reja rehabilituese. Por edhe ekonominë ndihmëse disahektarëshe dhe tufat e lopëve, nga të cilat sigurohen ushqime të freskëta dhe bëhen gatime të disallojshme e cilësore.

Pastaj, 6-vjetori i Banjave “Nëna Naile”, në Kllokot dhe ditëlindja e presidentit të tyre, Sabri Maxhuni-Novosella, u kthyen në një “dasëm” të vërtetë e masive, me këngë e valle etj. Në drekën e shtruar, ai preu torten e rastit dhe na qerasi me nga një copë të saj. Atij iu dhuruan libra, sidomos me përmbajtje nga vizitat në Suedi, të autorëve V.Kona, M.Gecaj e I.Hajdarmataj, por dhe buqeta me lule të freskëta, në shenjë nderimi e respekti për veprimtaritë e tij: atdhetare, mirëbërëse e botuese etj. Interesante e mjaft mbresëlënëse ishin vizitat tona në mjediset e banjave dhe pjesëmarrja në darken e shtruar, me këtë rast etj. Në qendër të bisedave të të gjithëve ishin edhe emrat e Ullmar Kvikut e Sabri Maxhunit-Novosella.
…U larguam nga vizita jonë, në Banjat “Nëna Naile” të Kllokotit, në Kosovë, me mbresa e kujtime të paharruara, pasi morëm pjesë në ato veprimtari masive festive, me tri “degëzime” të bukura. Me këtë rast, e përshëndesim nga zemra gjithë kolektivin shërbyes dhe mjekësor të tyre, si për punën e deritanishme, por dhe i urojmë ata për arritje të reja, në të ardhmen dhe u dërgojmë falënderime të sinqerta për ftesën e tyre, vëllazërore e bujare.

Tiranë, 5 maj 2013
NE FOTO: Gjatë përurimit të librit, me autor Ullmar Kvik…Duke diskutuar, E.Kabashi

Filed Under: Kulture Tagged With: Kllokot, Kosove, Murat Gecaj, Ullmar Kvik

EQREM BEJ LIBOHOVA, BESNIK I SHTETIT DHE MBRETIT

May 5, 2013 by dgreca

Një foto e rrallë e vitit 19o8-Eqrem bej Vlora me familje/

Shkruan Eugen SHEHU/

Padyshim që në historinë e një kombi,familjet e mëdha shërbejnë si gurë themeli.Mbi këta gurë (mbi historinë e këtyre familjeve) ngrihen më pas muret e rëndë e të mëdhenj,të asaj që e quajmë memorie të kombit.Përmbi këto mure,u derdhën nëpër shekuj robërie mijëra e mijëra ushtarë,topa,gjyle të rëndë e flakë zjarresh.Por,muret nuk ranë.Ato ishin ngjizur fort në historinë efamiljeve të mëdha,këto mure patën themele të thella,të patundshëm.Familja e shquar Libohova,ajo që i bën nder jo vetëm kombit tonë por edhe vetë Stambollit dikur aq të famshëm,jeton ende sot në shpirtërat e pastër të pinjollëve të saj.Njëri prej tyre,ai që dikur pat deklaruar se “do të mbetesh besnik i shtetit dhe mbretit”,Eqrem bej Libohova,vjen sot në shënimet e mia.
Eqrem bej Libohova ka lindur në qytetin e Gjirokastrës,në vitin 1882. I jati i tij,Neki Pashë Libohova,pat qënë dikur i zgjedhur deputet i vilajetit të Janinës,në parlamentin e parë të perandorisë osmane.Jo vetëm në rrethet e Janinës por deri në Gjirokastër e Prevezë,emri i këtij personaliteti përcillej me respekt të madh.Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,Neki Pashë Libohova në bashkëpunim të ngushtë edhe me Abdyl bej Frashërin dhe atdhetarë të tjerë të Çamërisë,u përpoq dhe bëri çfarë ishte e mundur për shtrirjen e pushtetit të kësaj lidhjeje nga Gjiri i Artës dhe deri në Gjirokastër.Në shtëpinë e Neki Pashë Libohovës,gjente prehje vazhdimisht Abdyl bej Frashëri por edhe një varg baballarësh bektashinj pasi vetë Neki Pasha ishte shpallur qysh herët si besimtar i asaj udhe.Dihet tanimë se këta burra trima,me bekimin e Baba Alushit të Teqesë së Frashërit,vendosën që beslidhjen e famshme të shqiptarëve,për të kërkuar të drejtat e tyre për autonomi,të kryenin në Prizren,duke e paraparë atë qytet si kërthiza e vilejeteve shqiptare.Neki Pashë Libohova,do të ruante kurdoherë të pavdekshëm në memorien e vet,,kujtimet e viteve të lavdishme të asj Lidhjeje.Në vitin 1881,duke ditur reputacionin e madh të Neki Pashës në jugun eshtetit amë,si edhe shkallën e lartë të arsimimit të tij,Porta e Lartë e emëron në funksionin e prefektit të Gjirokastrës,ku një vit më vonë,po në këtë qytet ka lindur djali i katërt i Neki Pashë Libohovës,Eqremi.Por ky nuk do të shijonte dot bukurinë e qytetit dhe sidomos kalanë e famshme të Libohovës(pronë e kësaj familjeje) pasi Porta e Lartë nuk është dakord me qëndrimin e “butë” të Neki Pashës ndaj shqiptarëve,gjë për të cilën ai transferohet në Janinë.
Në vitet e para të jetës 1889-1894,Eqrem Libohova do të merrte mësimet e para në qytetin e Janinës.Qyteti shqiptar buzë liqenit me të njejtin emër,ruante ende në kujtimet e tij,bëmet e Ali Pashë Tepelenës,i cili tejet i rrallë në trimëri dhe mizori bëri përpjekje për të formuar shtetin e parë shqiptar.Eqremi i vogël,dallon për dashurinë që rrëfen për dije,nis të mësojë turqisht e greqisht,por mësuesin e parë në shtëpi ka atë të shqipes.Neki Pasha ishte i kujdesshëm që në çdo rast,kudo t’i dërgonte djemtë për t’i shkolluar ,t’u kumtonte atyre historinë e lavdishme nga vinin shqiptarët dhe atë të familjes Libohova.Më pas,në vitet 1895-1899,Eqrem Libohova mbaron me rezzulltate të shkëlqyera sulltanijen,shkollë e cila hapte dyer të mëdha për të ardhmen.Me pëlqimin etij,Neki Pasha e dërgon të birin në Akademinë Ushtarake të Brukselit.Këtu,pos aftësimit nga ana ushtarake ai do të paisej edhe me shijet e holla të edukatës dhe kulturës së Evropës së qytetëruar,duke mos harruar kursesi krenarinë se nga cila familje e shquar shqiptare vinte.”Më 1904 doli nëntoger i kalorisë dhe hyri në ushtrinë perandorake otomane,duke arritur të gradohet katër vjet më pas,major në Regjimentin e Pestë,të kolonisë që qëndronte në Stamboll”.(A.Libohova “Breznitë Libohova në shekuj” – Tiranë 2003 , faqe 86 ).
Në kuadrin e një varg reformash që Porta e Lartë po ndërmerrte në vitin 1909,Eqrem Libohova dërgohet në ishullin Bozxhe-Ade,në ngushticën e dardaneleve,në detyrën e nënprefektit.Ai këtu do të rrëfente jo vetëm aftësi të shkëlqyera organizative por edhe korrektësi dhe përkushtim.Dardanelet,në fillim të shekullit të njëzetë,ishin një lloj qendre e botës dhe rendi,qetësia e vendosur në Bozxhe-Ade,i takonin pikërisht autoritetit të Eqrem bej Libohovës.Megjithatë si në çdo shpirt shqiptari,edhe tek burri i Libohovës,rrinte e zgjuar ideja për t’i shërbyer atdheut.Falë edhe reputacionit që gëzonte asaj kohe Mufid beu,(vëllai i madh i Eqremit) këtë të fundit e caktojnë në Vlorë si nënprefekt.Qëndrimi i tij në Vlorë 1910-1911 do të ishte njëherazi edhe fillimi i veprimtarisë për çështjen kombëtare.Në shoqërinë e Syrja bej Vlorës,Iljaz Vrionit e dhjetra atdhetarëve të tjerë shqiptarë,burri i Libohovës do të bënte ç’ish e mundur për të përhapur idetë autonomiste ndër shqiptarë të cilët ende mbanin shpresa tek porta e Lartë.
Në marsin e vitit 1911,me urdhër të Stambollit,Eqrem bej Libohova merr funksionin e mytesarifit të krejt Çamërisë, e cila më parë drejtohej nga turqit.Mendohet se emërimi i burrit të Libohovës në këtë funksion,të jetë bërë me këmbënguljen e atdhetarëve shqiptarë pranë Portës së Lartë,pasi në këtë vit po shiheshin verpime të fshehta të Greqisë me Bullgarinë dhe Serbinë për coptimin e trojeve shqiptare.Ushtarak dhe administrator i aftë,burri i Libohovës do të vendoste në Çamëri një rregull të madh,duke iu kundërvënë sidomos disa bandave helene,të cilat duke marrë urdhër nga Athina,kryenin terror tek shqiptarët myslimanë të paarmatosur.Brenda pak muajve këto banda muarën arratinë,ndërsa në Stamboll mbërrinin telegrame në të cilat paria greke “dënonte” Eqrem bej Libohovën për pushtetin e “hekurt” që po vendoste.Zyra e mytesarifit të Çamërisë,ishte shndrruar ndërkaq në vatër shqiptarizmi.Me dhjetra patriotë të çamërisë martire,mblidheshin aty dhe planifikonin veprimet luftarake për mnrojtjen e kufijve etnike të Shqipërisë.Me porosi të dretëpërsëdrejti të Eqrem bej Libohovës,në këtë kohë,mjaft prej nënpunësve të administratës vendore me kombësi turke apo greke u zavendësuan nga shqiptarë,po kështu në radhët e brigadës ushtarake u rreshtuan vetëm bij të Çamërisë.Dihet tanimë se në nëndorin e vitit 1912,atëherë kur plaku Ismail bej Qemali ngrinte Flamurin në Vlorë,monarkitë ballkanike po vepronin intensivisht si ushtarakisht ashtu edhe diplomatikisht për të mbytur qysh në djep,pavarsinë shqiptare.Forcat ushtarake të Athinës,duke anashkaluar Janinën,patën zënë disa qytete në Jugun e Shqipërisë dhe po afroheshin Vlorës.Eqrem bej Libohova duke marrë përforcime nga Porta e Lartë mendoi të mbante ende Janinën,ai nuk e uli në këto momente flamurin turk,duke qenë i bindur se do të ishte thjeshtë aventurë të luftoje me flamur shqiptar dhe të mbaje viset e Çamërisë,pa ndihmën e garnizoneve turke.Për këtë i dërgoi edhe një telegram Ismail bej Qemalit,duke marrë këtë përgjigje ; “Për shqiptarët eshtë një detyrë fort e madhe të mbrohet dhe të mbahet Janina.Megjithëse ushtarët shqiptarë luftojnë nën flamurin otoman,prapseprap këta duhet të dijnë këtë detyrë dhe ta njohin dobinë që ka Janina për atdhuen e tyre.Ata që s’patën turp e dezertuan nuk ruajtën nderin e flamurit nën të cilin gjenden dhe nuk e çuan në vend nderin dhe interesin e atdheut të tyre.Nëse Qeveria e Përkohshme ka një de¨shirë të sajën,kjo është që t’i çojë Janinës ushtarë pa humbur kohë… Tani përpjekja e zelli në këtë rast u besohet ndjenjave tuaja atdhetare”. ( Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi 245 ,Dosja 42 , fleta 20 ).Më tej,në marsin e vitit 1913,qeveria helene dërgoi në Çamëri rreth 20 mijë trupa të armatosur deri në dhëmbë për të djegur e shkretuar krejt ato fshatra të shqiptarëve që jetonin prej shekujsh aty.Vetëm për brigadën shqiptare të drejtuar prej Eqrem bej Libohovës u dërguan mbi 3 mijë ushtarë helenë,por,pas luftimesh të ashpra që zgjatën 4-5 ditë,në pamundësi për rezistencë të mëtejshme,kjo njësi ushtarake kthehet në qytetin e Delvinës.Aty në bashkëpunim edhe me forcat e tjera vullnetare të dërguara prej Tepelenës, Mallakastrës dhe Beratit,brigada e Çamërisë mundi të zbrapsë qindra ushtarë helenë të cilët ja mbathën nga sytë këmbët.Për të parënb herë në këto ditë,Eqrem beu organizon disa luftime edhe në kalanë e fmashme të Libohovës,aty ku ishin lindur e rritur paraardhësit e tij.Në shumë prej këtyre luftimeve,ai pati në krah vëllanë e tij më të madh,Myfid beun,i cili ishte zgjedhur në funksionin e ministrit të brendshëm në qeverinë e Vlorës,të udhëhequr prej Ismail bej Qemalit.Pikërisht në këto momente,Stambolli i ofron grada të tjera akoma më të mëdha Eqrem bej Libohovës.Porta e Lartë,kishte ndjekur me vëmendje veprimet e zgjuar luftarake të tij në viset çame,ndaj dhe kërkonte që me çdo kusht ai të linte Shqipërinë për të shkuar në Stamboll.”Çmimi që iu dha,i siguronte një të ardhme të shkëlqyer në ushtrinë perandorake.Mirëpo gjithë farefisi i tij ishin të lidhur ngushtë me lëvizjen kombëtare ndaj dhe ai preferoi të shërbente në vendin e tij të lirë,duke lënë karierën e sigurtë që e priste në Turqi”.
( Ajet Libohova “Breznitë Libohova në shekuj “, Tiranë 2003 , faqe 86 ).
Me ardhjen në Shqipëri të Princ Vidit,më 1914,falë reputacionit personal por edhe atij familjar,Eqrem bej Libohova,caktohet në funksionin e adjutantit,me gradën e majorit të ushtrisë shqiptare.Në kët funksion,burri i Libohovës do të përcillte jo vetëm mendimin e pjekur politik dhe ushtark por sidomos besnikërinë e tij permanente ndaj Princ Vidit.Ky në kujtimet e tij flet plot respekt për burrin e Libohovës duke parë figurën e Eqrem beut jo thjeshtë adjutantin,por njohësin e thellë të psikologjisë shqiptare dhe burrin që ju jepte zgjidhje të shkëlqyer problemeve nga më të koklaviturat.Një qëndrim të prerë do të mbante Eqrem bej Libohova,sidomos kundrejt Esat Pashë Toptanit,i cili kërkonte deri në zhdukjen fizike të Princ Vidit.Kanë qenë këto arsyet që Princi,ndërsa largohej prej Shqipërie në vitin 1914 e merr me vete burrin besnik.Pas disa endjeve nëpër Europë, në vitin 1919,Eqrem bej Libohovën e shohim në funksionin e përfaqsuesit të qeverisë shqiptare në Romë.Në këtë funksion ushtaraku dhe diplomati prej Libohove u përpoq të mbonte me çdo mjet të drejtat e kombit të vet.Ai do të merrte pjesë gjithashtu në mjaft prej takimeve të diplomacisë shqiptare në Konferencën e Paqës në Paris,duke ngritur zërin fort sa kundër ndikimeve greke e serbe,aq edhe ndaj ndërhyrjeve italiane.Këtu dua të them se Eqrem bej Libohova,bënte pjesë në atë grusht burrash të cilët pranonin edhe koncesione të ndryshme me Italinë,vetëm e vetëm të merrnin siguri prej saj,duke dashur të ruajnë së paku kufijtë e vitit 1913,prej Beogradit dhe Athinës.Gjykimi i atdhetarëve shqiptarë që donin të mbështeteshin tek italia,jashtë këtij konteksti,mund të merret si vështrim diletant dhe foshnjor i asaj periudhe kritike të historisë së kombit tonë.
Me shpalljen e Ahmet Zogut si president i vendit,shkon në Romë sërisht në funksionin e qeverisë shqiptare atje.Disa muaj më pas,Roma i shkruan Ahmet Zogut që nivelet diplomatike midis dy vendeve të rriten,me ç’rast përfaqsuesit duhet të emërohen në postin e ministrit fuqiplotë.Përgjigjja e presidentit shqiptar është që në këtë funksion ai vendos të lërë Eqrem bej Libohovën,por me sa duket kjo nuk i pëlqen Romës.Më shumë se sa një ushtarak të zotin dhe atdhetarë të shquar,italianët kërkojnë në Romë dikë për ta blerë lehtë.Por ata nuk mund ta thonë këtë dhe heshtin,heshtjen e prish vetë presidenti i Shqipërisë Ahmet Zogu,i cili më 10 korrik 1925 i shkruan Durracos : “Mos miratimi nga ana juaj e emërtimit të Eqrem bej Libohovës,si ministër i Shqipërisë në Romë,po merr një kuptim sinjikativ”.(Arkivi Qëndror i shtetit – Tiranë.Fondi Ministria e Punëve të Jashtme,dosja 75,fleta 14 ).
Pas kësaj Roma nuk mund të rrezistonte më.Me dekret të veçantë ajo pranoi Eqrem bej Libohovën në funksionin e ministrit të Shqipërisë.Vitet 1925-1927,ishin plot dinamizëm sidomos në marrëdhëniet italo-shqiptare,të cilat përfshinin ekonominë,ushtrinë etj.Në çdo rast presidenti i shqiptarëve Ahmet Zogu,shihte tek personaliteti i Eqrem bej Libohovës,jo vetëm diplomatin dhe ushtarakun e talentuar por edhe shqiptarin e madh.Me dhjetra e qindra procesverbale,ku ndodhet firma e burrit të Libohovës,sheh me çfarë kujdesi përpikmërie dhe tejpamësie shihen marrëdheniet italo-shqiptare.Ka qenë pikërisht Eqrem bej Libohova barriera e parë e shtetit shqiptar të asja kohe që këto traktate të mos degjeneronin në skllavëri për shqiptarët por t’u paraprinin atyre për në rrugët e Evropës së qytetëruar.
Në shtatorin e vitit 1928,atëherë kur Asambleja Kombëtare legjitimoi rendin Monarkik,Eqrem bej Libohova emërohet në funksionin e Ministrit të Oborrit Mbretëror.Në këtë funksion burri i Libohovës do të shpaloste edhe një herë maturinë,guximin,besnikërinë paskajshëm ndaj shtetit dhe mbretit.Ai do të ishte i pranishëm në atentatin kundër Mbretit Zog,në Vjenë,në vitin 1931.Kur rroja mbretërore Topallaj u përgjak prej plumbave dhe atentatorët po shtinin mbi Mbretin,burri i Libohovës mbuloi trupin e mbretit me të tijin pa u trembur vdekjes.Plagët e marra me këtë rast,bënë që ai të merritonte deri në ditët e mbrame të jetës respektin e pakufi të Mbretit Zog.
Në vitet 1936-1937,Eqrem bej Libohova,tanimë diplomat me përgaditje të gjithanshme,caktohet në detyrën e Ministrit të Jashtëm të mbretërisë shqiptare.Edhe në këtë funksion ai do të paraqiste me dinjitet të lartë diplomacinë shqiptare,duke e përshtatur atë sa më mirë në rrjedhat ballkanike dhe evropiane nga duhet të kalonin zhvillimet e atdheut të vet.Me dhjetra fjalë të tij,konfirmojnë dëshirën e vazhdueshme për ta radhitur Shqipërinë midis shteteve të qytetëruara ashtu sikur me veprimin e matur diplomatik e bëri kombin e vet të vogël të njohur në skajet më të largët.Dhe gjithshka e lidhte me Mbretin e Shqipërisë.Në një prej përshëndetjeve të rastit,pos të tjerave ai do të kumtojë ; “Kur nuk e kishim fitue ende lirinë,shqiptari dëshiroi afsh e zjarr të pathyeshëm vetqeverimin,kur vetqeverimi u fitue me flijimin e burrave tanë më të mirë,shqiptari dëshiroi pavarsinë,dhe kur kjo e fundit u sigurue,në saj të vetmohimit dhe vëmendjes së nderuar të Mbretit shpëtimtar,shqiptari dëshiroi dinastinë me në krye Prijësin e Madh të çdo beteje përparimtare dhe në fund nuk vonoi të kërkojë dhe të fitojë përjetsimin eMbretnis së Zogut”.( Shqipnia e lirë midis shteteve të qytetnueme, “10 vjet mbretni shqiptar”, Tiranë 1938 , faqe 173 ).
Me pushtimin fashist italian,së bashku me mbretin Zog largohet nga Shqipëria.Kthehet atje në fillim të viteve 1943,i thirrur prej disa atdhetarëve shqiptarë,por turbullirat e brendshme ia trishtojnë shpirtin.Largohet për në Itali dhe në fund të vitit 1944,internohet për dy vjet rresht nga Roma,në një prej provincave të humbura të Leçes.Me insistimin e vazhdueshëm të Mbretit Zog,më 1947 vendoset në Romë.Ndonëse mbi supe i peshojnë 65 vite,ai do të punonte me energjinë e jashtëzakonshme që e karakterizonte,për t’i bërë të njohur opinjonit Evropian se çfar do të ngjiste me kombin e vet të dashur.Mbanë korrespondencë me atdhetarë të tjerë shqiptarë në mërgim dhe posaçërisht me Mbretin Zog.Besnik i shtetit të dikurshëm shqiptar ( të cilin ai me burra të tjerë e orientuan nga perëndimi dhe qytetërimi) por edhe i Mbretit,mbylli sytë në Romë,në vitin 1951, me imazhdin e Shqipërisë së lirë,në mendje e shpresë.
Bern – Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eqrem Bej Vlora, Eugen Shehu

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS URON BESIMTARËT ORTODOKSË

May 5, 2013 by dgreca

Federata Panshqiptare e Amerikes dhe Gazeta DIELLI urojnë të gjithë besimtarët ortodoksë, si dhe të gjithë shqiptarët, kudo ku jetojnë: GËZUAR PASHKËT!

Filed Under: Featured

AGIM KARAGJOZI,NDERI I GJIROKASTRËS,PËRFAQËSUES I FAMILJES NACIONALISTE 3 SHEKULLORE TË KARAGJOZATËVE

May 5, 2013 by dgreca

Në Foto: Ish- kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, zoti Agim Karagjozi në Shtëpinë e Bardhë, duke udhëhequr delegacionin e diasporës shqiptare në takim me Presidentin Bill Klinton në Këshillin Kombëtar të Sigurisë të SHBA , për çështjen e ndërhyrjes Amerikane në bombardimin e Serbisë në 24 Mars 1999. Takimi është mbajtu në the West Wing of the White House 31 March 1999/
Nga Beqir SINA/

NEW YORK CITY : Simbas numrit më të fundit gazetës 104 vjeçare Dielli , organit të shoqatës VATRA, në Amerikë, thuhet se Qyteti i lindjes së tij, e ka shpallë z. Agim Karagjozi ”Qytetar Nderi të Gjirokastrës”. Ky është një vlerësim i merituar për z. Agim Karagjozi, i cili e ka nderuar qytetin me përkushtimin e tij atdhetar. President Nderi i Vatrës, për dy dekada kryetar i Vatrës, dhe për 55 vjet vatran, ai të gjithë jetën ia ka kushtuar çështjes Kombëtare.
Z. Karagjozi i tha gazetës “Dielli” se ky është nderi më i madh që i është bërë në jetën e tij, është një vlerësim që e ka gëzuar shumë. Ai ka marrë tituj e mirënjohje të shumta nga organizata dhe individë; nga shteti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, përfshirë dhe dekorimin me “Urdhërin e Artë të Shqiponjës” nga Presidenca e Shqipërisë apo nderimi nga Bashkia e New Yorkut, por ky nderim nga Gjirokastra e ka emocionuar shumë. I ndjehem mirënjohës Gjirokastrës, tha ai.
Gjirokastra ka nderuar me këtë titull personalitete të larta të kulturës si: Shkrimtaren antikomuniste Musine Kokalari, Gjuhëtarin Eqrem Çabej, shkrimtarin Ismail Kadare,ish kryeministrin e Italisë Romano Prodi, presidentin grek Karolos Papulias, pedagogun Muzafer Xhaxhiu, gazetarin Agron Çobani, akademikun Rexhep Qosja, ish kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj e të tjerë.

Kur kryetari i “Vatrës”, z. Agim Karagjozi dha dorëheqjen për arsye shëndetsore

Në një mbledhje e Këshillit të Federatës Panshqiptare “Vatra”, që u mbajt në Shtëpinë e Vatrës në Bronx- NY, më datën 18 mars 2010, u deklarua se kryetari i saj Agim Karagjozi dha dorëheqjen, për motive të forta shëndetësore.Ky vendim u morë në pëlqim të plotë në një mbledhje ku Këshilli i FPSHV, kishte si qëllim që të diskutonte intensifikimin e përpjekjeve për gjallërimin e aktivitetit të Federatës më të vjetër të shqiptarëve, përpara zhvillimit të Kuvendit të ardhshëm.
Kuvend ky që pritet të mbahet nesër 27 prill 2013, në Yonkers New York, 20 vjetë mbasi inxhinier Agim Karagjozi u zgjodhë kryetar, detyrë të cilën e kreu me një vullnet dhe përkushtim të pashoqë.
Duke hapur mbledhjen e fundit i ulur në karriken e kryetarit, zoti Karagjozi gjeti rastin të falenderoi pjesmarrësit për punën që kanë bërë me përkushtim e sakrifica dhe për mbështetjen që i kishin dhënë në këto 18 vite që ai udhëhoqi Vatrën.
Ai vazhdoi duke thënë se “në rrethanat e reja, ku kërkohet një ritëm i ri pune për ta gjallëruar Federatën Panshqiptare “Vatra”, për të shtuar anëtarë të rinj dhe për të ngritur degë nëpër shtete të Amerikës e Kanada, arsyet shëndetësore më detyrojnë që të japë dorëheqjen si kryetar i Vatrës”.
Ishte ai që propozoi që në vend të tij, deri në Kuvendin e ardhshëm të Vatrës,pra Kuvendin e New Yorkut, që mbahet nesër e shtunë 27 Prill 2013, ish- nënkryetari doktor Gjon Buçaj, të votëbesohej si kryetar i përkohshëm.
Anëtarët e Këshillit vlerësuan kontributin e jashtzakonshëm të kryetarit Agim Karagjozi në drejtimin e Vatrës, bashkëpunimin dhe mirëkuptimin me Këshillin dhe pranuan dorëheqjen e tij, duke i kërkuar që të ishte aktiv, sa të jetë mundur, edhe këtej e tutje.
Duke vlerësuar përkushtimin e z. Karagjozi në krye të Vatrës, Këshilli vendosi, që ai të shpallet kryetar nderi i përjetshëm i Vatrës, titull, që deri tani i është dhënë vetëm të ndjerit Anthony Athanas.
Me këtë rast Këshilli vlerësoi kontributin e dr. Gjon Buçaj, i cili realisht ka qenë një ndihmës i afërt i kryetarit Karagjozi, ka kryer disa nga detyrat e kryetarit dhe është treguar i palodhur. Këshilli votoi unanimisht dr. Gjon Buçajn si kryetar të përkohshëm të Vatrës.
Edhe kryetari i përkohshëm, z. Gjon Bucaj, vuri në dukje “vlerën e lartë të urtësisë dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të zotit Agim Karagjozi në udhëheqjen e Vatrës”, dhe falënderoi atë dhe Këshillin për besimin që i dhanë, duke e ngarkuar me drejtimin e Vatrës deri në Kuvendin e ardhshëm. “I vetëdijshëm për përgjegjësinë e rëndë të kësaj detyre” shtoi ai, ” e pranoj duke u mbështetur në besimin se zoti Karagjozi do të qëndrojë afër, sidomos me këshillime, dhe në premtimin e të gjithë Këshillit, për përkrahje dhe ndihmë të pakursyer”.

Karagjozatët, historia e familjes 3 shekullore, Gjirokastrite

Nga materiali historik të familjes Karagjozi nga Gjirokastra , ku pinjolli i kësaj familje, Kryetari i përjetshëm e Shoqatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, zoti Agim Karagjozi, u largua qysh fëmijë së bashku me prindërit e tij për në Turqi në fillim dhe më pasë në SHBA, 70 vjetë më parë faqia e internetit Wikipedia, fletë gjerësishtë dhe i jep një rëndësi të veçantë nëpërmjet informacionit kësaj familje fisnike dhe patriote shqiptare e dalluar për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë.
Në materialin historik Wikipedia, shkruan se Gjirokastra shquhet për morinë e familjeve të mëdha që kanë dhënë kontribut të çmuar në historinë e kombit shqiptar. Karagjozi është emri i njërit prej fiseve më të dëgjuar e të famshëm në Gjirokastër. Dokumentet më të vjetra që dëshmojnë prejardhjen dhe rrënjët e këtij fisi, janë gjetur në një libër të vjetër të mitropolisë së Gjirokastrës. Ndërsa fjala Karagjozi e ka prejardhjen nga gjuha turke e në shqip do të thotë “sy zi”. Në arkivat e mitropolisë thuhej se “Jani Karagjozi me banim në lagjen “Dunavat” ishte epitrop i manastirit ‘Ajio Maria'”, sipas dokumenteve, shtëpia e fisit Karagjozi ka qenë ndër të parat që u ndërtua jashtë mureve të kalasë së qytetit. Themelet e shtëpisë janë hedhur mbi 250 vjet më parë në tokën që i përkiste manastirit “Ajio Maria”.
Ajo që të bën përshtypje janë lidhjet mes fiseve më të dëgjuara të qytetit të gurtë. Karagjozatët lidhen me shumë fise të dëgjuara të qytetit të Gjirokastrës si: Kokalarët, Hoxhatët, Çabejtë, Topullarët, Hasanajt, Hadërajt, Xhaxhiajt, Selfot, Çoçolajt, e shumë e shumë të tjerë. Dihet që gjirokastritët kanë qenë gjithnjë të lidhur me njëri-tjetrin dhe krushqitë i bënin brenda për brenda qytetit. Po ashtu, ata lidhen me krushqi me Xhaxhiajt, Selfot. Shtëpia e Karagjozatëve ka qenë në Dunavatin e Parë, fqinjë kanë pasur fisin Topulli, për të cilin thonë se janë ndarë nga një zjarr. E tregojnë edhe si histori se dy vëllezër të Çerçizit, i kanë kapur dhe torturuar grekët, por, megjithatë, ata nuk u thyen, u rezistuan edhe këta të fundit u thanë stoikë, Topullos. Që atëherë, mbiemri i tyre u shndërrua për nder të kësaj qëndrese nga Karagjozi në Topulli. Kështu vazhdojnë lidhjet e kësaj familjeje shumë të dëgjuar me Kokalarët, që banonin në krah të shtëpisë së Enver Hoxhës.

Banesa e parë e Karagjozatëve, Shtëpia e parë e tyre ka qenë në krah të majtë të portës së kalasë në hyrje të saj. Me kalimin e kohës, kompleksi i shtëpive u shtri në një zonë më të gjerë po duke mbetur përfund lagjes Dunavat. Emrin Karagjozi, gjirokastritët autoktonë e lidhin me shumë, ngjarje, histori e emra të njohur. Ndër faktet më interesante është rrënja e përbashkët që kanë me fisin Topulli në Gjirokastër. Kjo histori ka kaluar gojë më gojë në qytet dhe ka rezultuar se nuk është thjesht një thashethem, por e vërtetë. Ndarja në dy mbiemra të ndryshëm lidhet me një ngjarje të hershme. Në dokumentet arkivore thuhet se “kur u ngritën themelet e shtëpisë së Karagjozit, vëllezërit Sali dhe Mehmet Karagjozi i parë jetonin bashkë. Më vonë Mehmeti mori mbiemrin Topulli, sepse shkrehu për herë të parë topat e kalasë në Gjirokastër. Fjala Topulli në turqisht do të thotë “djalë i topave”. Më tej, në dokumente thuhet se “qysh nga ajo kohë Mehmet Karagjozit i mbeti mbiemri Topulli dhe gjithë brezave të trashë-gimtarëve që erdhën më vonë”. Heronjtë e njohur, Bajo e Çerçiz Topulli, vijnë kështu nga e njëjta rrënjë bashkë me fisin Karagjozi.

Jo vetëm luftëtarë, por edhe të kamur

Njerëzit e fisit Karagjozi kanë qenë ndër më të pasurit në qytetin e Gjirokastrës. Këtë fakt e tregonte mënyra e ndërtimit të shtëpive të tyre. Në lagjen “Dunavat” përgjithësisht jetonin njerëz më ekonomi të pakët, që merreshin me blegtori ose punë të rëndomta. Mes tyre binin në sy Karagjozatët që merreshin edhe ata me blegtori, por kishin mundur të vinin pasuri. Shumë fakte e dëshmi, historike që flasin për emrat e njohur të këtij fisi, gjatë periudhës para pushtimit turk janë zhdukur. Ndër njerëzit më të njohur ka qenë Bahri Karagjozi. Ka qenë një nga njerëzit më të formuar, me intelekt e patriot. Kishte mbaruar studimet e larta në Stamboll të Turqisë dhe ka qenë një nga iniciatorët e ngritjes së flamurit më 4 nëntor të vitit 1912 në Gjirokastër.
Ndërsa, Sheraf Karagjozi ka qenë një ndër burrat më të pasur e të mençur në Gjirokastër. Ai ishte i vetmi në Shqipëri që në kohën e regjimit të Zogut mundi të bënte tregti mallrash me Amerikën. Ai eksportonte djathë në SHBA me firmën e tij “Delja”. Ai zotëronte kullotat më të pasura të rrethit të Gjirokastrës, të Çajupit, Lilqëthit, etj. Pas 50 vjetësh përfaqësues të firmës amerikane, me të cilat ai bashkëpunoi, erdhën në Gjirokastër dhe falënderuan të birin Feridin, për ndershmërinë, cilësinë dhe korrektesën që ky njeri kishte treguar në marrëdhënie më ta. Pasardhësit e tij tregojnë se pasuria i shtohej vazhdimisht edhe për shkak të shpirtit të madh që kishte. Ai punonte me moton “të punojmë bashkë e të fitojmë bashkë”, duke ndarë një pjesë të mirë të fitimeve me çobanët e njerëzit që përpunonin qumështin.

Tiparet e Karagjozatëve

Një tjetër figurë patriotike ka qenë Parashqevi Karagjozi. Në dokumentin që ndodhet në muzeun e Gjirokastrës del se “Parashqevi Karagjozi ka ndihmuar më parë për arsimin në Gjirokastër, për rrogën e mësuesve dhe nevojave të tjera të shkollës në vitin 1783”. Veç emrave të përmendur për kontribut në fushën e arsimit, patriotizimit, politikës ky fis përmendet edhe për jetëgjatësinë. Kuriozitet është fakti që njëri prej trashëgimtarëve të këtij fisi, Sali Karagjozi, ka jetuar 120 vjet. Edhe fizionomia e jashtme e njerëzve të këtij fisi ka qenë e veçantë. Ata kanë qenë njerëz me paraqitje, të bëshëm, të fortë e veç kësaj spikasin tipare të tjera si: bujaria, krenaria, e kokëfortësia. Nga brezi në brez, cilësitë më të mira u trashëguan tek pasardhësit e tyre.

Veprimtaria e Siri Karagjozit

Siri Karagjozi ka mbetur ende në kujtesën e gjirokastritëve si njeri korrekt, i ndershëm, i palodhur. Një pjesë e madhe e dokumenteve të cilave iu jemi referuar në shkrim janë mbledhur pikërisht nga Siriu. Ai kishte krijuar arkivin e vet që me mirësjellje na e ofroi mbesa e tij, Elvira Shapllo (Karagjozi). Siriu mbaroi studimet në Turqi për drejtësi. Në vitet 1912-1913 bëhet pjesë e rretheve të patriotikëve të shqiptarëve në këtë vend. ishte njeri i gjezdisur (i dalë) thonë gjirokastritët. Kishte shkuar në SHBA nga viti 1915 deri në vitin 1920 bashke me vellane e tij Njaziun. Aty u bë anëtar i shoqërisë “Vatra”. Kishte kontakte me Fan Nolin me të cilin shkëmbenin mendime mbi fatin e Shqipërisë kundrejt pretendimeve të fuqive të huaja. Mori pjesë aktive në lëvizjet përparimtare. Në kujtimet e tij ai përshkruan takimet me Avni Rustemin, si e përjetuan aktin e tij, ndryshimet e bindjeve me Mufit Bej Libohovën, takimet me Rexhep Pash Matin e mjaft personalitete të tjera të kohës. Gjatë kohës së luftës se dyte boterore, vëllai i tij Njazi Karagjozi trim dhe patriot i vertet vritet nga forcat reaksionare te asaj kohe dhe shpallet dëshmor i atdheut,sot eshtrat e tij ndodhen ne varezat e deshmorve ne Gjirokaster. Ndërsa Siriu në vitin 1945 hap vullnetarisht kursin e parë të analfabetizmit, kurs që funksionoi për 3 vjet rresht. Në të mësuan rreth 400 analfabetë. Këshilli bashkiak i Gjirokastrës vitin e kaluar ka vendosur që një nga lagjet e qytetit të Gjirokastrës ta pagëzojë me këtë emër.

Karagjozatët sot

Nga fisi Karagjozi sot në Gjirokastër kanë mbetur shumë pak pasardhës. Ata kanë mundur të sistemohen dhe të rregullohen në qytete e shtete të ndryshme, duke nxjerrë në pah gjenin e trashëguar. Pas vitit 1990 Karagjozëve iu kthye një pjesë e mirë e pronave, por trashë-gimtarët pohojnë se ka shumë pronat të tjera që nuk iu janë kthyer. Për to nuk ekzistojnë dokumente se një pjesë e para-ardhësve i kanë djegur nga frika e regjimit monist. Pronat e tyre shtrihen nga fushat përballë qytetit deri në kufijtë me Dropullin e në krahun tjetër të luginës së “Drinos”, pa përmendur kullotat e shumta e të pasura më shpatet e maleve. Një nga trashëgimtarët e denja të fisit që jeton në Gjirokastër është Elvira Shapllo (Karagjozi). Ajo ka qenë drejtoreshë e muzeut, deputete në Kuvendin e Shqipërisë gjatë vitit 1991-1992. Zonja Elvira sot është pedagoge e Fakultetit të Shkencave Shoqërore në departamentin e historisë në universitetin “Eqrem Çabej”.

Filed Under: Histori Tagged With: 3 shekullore, agim karagjozi, i familjes, perfaqesues, te karagozateve

Tribalizmi i politikës shqiptare!

May 5, 2013 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/
Në kohë krizash siç është kjo e tanishmja, është mirë të rishikohen dhe analizohen gjithë shkaqet që ndër të tjera na sollën në këtë derexhe. Tribalizmi i politikës shqiptare është një nga shkaqet madhore. Është shumë e rëndë dhe e dëmshme që të mos vihet re, të mos përfillet apo të neglizhohet. Tribalizmi është shkak madhor i prodhimit të krizave të njëpasnjëshme, të kapjes së shtetit, të abuzimit me pushtetin, me ambientin, me njerëzit, me qytetarët.
Tribalizmi, në thelb, nuk është asgjë tjetër veç racizëm. Është i thellë deri në atë pikë sa t’u mohojë të drejtat elementare pjesës tjetër të popullatës që nuk i përket tribusë të caktuar për të qeverisur. Këtu ka shumë cinikë, ironikë dylekësha, të cilët nuk më ndjellin asnjë ndjesi tjetër veç shfaqjes (ironikisht shfaqja kryhet nëpërmjet fshehjes) së kompleksin të tribalitetit. Nuk mund të neglizhohet, as të shpërfillet ngjarja madhore që i vuri vizë përfundimisht ndarjes në dy kampe të mëdha. Nëse kjo situatë vazhdon në këtë mënyrë dhe në këto kondita, përplasja e madhe është e pashmangshme, sepse sistemi është jashtë mase rigjid e nuk mund të bëhet elastik. Është i dënuar të përplaset.
Historia e Shqipërisë, deri më tani është karakterizuar nga këto përplasje tribale që kanë sjellë si rezultat qëndrimin vendnumëro. Sepse, qëllimi nuk është drejtuar kah së ardhmes, kah arritjes së vendeve të tjera, por ka patur gjithnjë një qëllim të fshehur (jo dhe aq ama) përplasjen e brendshme. Zyrtarisht, mund të quhemi vend me probleme madhore të brendshme. Pa frikë fare kjo.
Kjo situatë tribale është çelësi shpjegues i shumë situatave dhe gjendjeve në të cilat ndodhemi. P.sh.: Pse abuzojmë kaq shumë me ambientin? Pse ka mungesë patriotizmi real? Pse nuk dënohen politikanët e korruptuar? Pse ekziston korrupsioni kaq i përhapur?
Në rrënjë të gjithë këtyre problemeve, do të gjeni asgjë tjetër veç tribalizmit. Sepse, tribalizmi nuk është vetëm ideja e përkrahjes dhe stimulimit me baza fisnore, por edhe dritëshkurtësia, mungesa e identitetit të “përtejmë” – identitetit civil dhe nacional. Identiteti i tribalit është fisi dhe katundi i vet i rrethuar me një gardh imagjinar. Përtej gardhit është “tjetri”. Dhe me çdo gjë të tjetrit, mund të abuzohet. Mund të abuzohet me mjedisin e “tjetrit”, me identitetin, me pronën, me votën… dhe në rastin më fatkeq, me jetën e ‘’tjetrit”.
Kur thuhet rëndom se “gjërat nuk kanë për të ndryshuar”, kjo është relativisht e vërtetë, sepse pritet që “tjetri” të aplikojë të njëjtin sistem me të “ishit” (pse më i mirë është ai “tjetri”?). I takon politikanëve të së ardhmes, që duan vërtet të civilizojnë vendin, të bindin se do të veprojnë ndryshe. Në të kundërt, do të vijojë politika e rripa-rripave.

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, tribalizmi i politikes shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT