• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2013

NJE LIBER I RI PER HEROIN KOMBETAR GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU

June 27, 2013 by dgreca

KULTUROLOGU VIRGJIL KULE ME NJË KËNDVËSHTRIM TË RI PËR HEROIN KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE – GJERGJ KASTRIOT SKËNDERBEUN/

nga  Albert R. HABAZAJ/ studiues/

Në mjediset e bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi” të universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, një ngjarje e bukur kulturore – historike fisnikëron institucionin, studentët, pedagogët, njerëzit e letrave dhe artit në qytet. Bëhet përurimi i librit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqëtari i fundit” i autorit Virgjil Kule. Libri është një monografi historike për një periudhë dhe figurë të larguar në kohë, pikërisht heroin tonë kombëtar. Me një narracion të këndshëm dhe tërheqës autori operon në periudhën e luftës së Europës dhe perandorisë Osmane, duke u marrë në shumë plane me simbolin e harmonisë fetare, mbi komplekset psikologjike dhe epistologjike. Midis Janosh Huniadit të Hungarisë, Stefanit të Moldavisë, me Republikën e  Raguzës, Morè e Bosnjë, gjithandej shquhet si një lis i lartë, përjetësisht i gjelbër Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Gjergji i Motit të Madh është i njohur si hero i së mirës, i trajtuar në artet figurative, në letërsi dhe  muzikë brenda dhe jashtë Shqipërie, qysh nga Barleti, Naimi, Noli, Godo, Gegaj, Buda, Odise Paskali, Mano, Paço etj. e deri tek dramaturgu anglez Marlou apo poeti amerikan Hongfellou e shumë të tjerë. Gjithsesi, me gjithë krenarinë kombëtare për Heroin tonë, lexuesi ynë i kishte pothuaj klishe njohuritë skënderbejane. Një figurë disi e vjetëruar, që nuk rrezatonte më kërshëri, edhe pse shkëlqente kontinentalisht me betejat triumfatore çerekshekullore, nuk fekste më dramacitet, si duket… Duke patur parasysh këtë shqetësim, u fut  në zonat misterioze midis ngjarjeve të mëdha të jetës së përditshme i përkushtuari dhe i vëmendshmi poligloti Virgjil Kule. Sinqerisht na kishte marrë malli për Kurorën e Elokuencës së të Folurit Shqip, për këtë njeri të vyer që më jep imazhin e Ciceronit të Ri. Në ato zona shekspirjane të intrigës së oborrit të kohës mesjetare, në ato zona hamletjane, operon kirurgu i histories, Virgjil Kule, pasi ka kalëruar në një bllok dokumentash të reja, të panjohura më parë, të papërdorura deri më sot, duke udhëtuar shtet më shtet, atje ku i duhej për realizimin e synimit historik si dikur Tunmani, Pukëvili, Liku, Hani si dhe Karl Paç, Ugolini, Majer, Jokl, Nopça, apo lordi Bajron e mis Durham etj. Me lenten e studiuesit serioz, nga këndvështrimi i tij, me një stil të rrjedhshëm shkencor, duke dhënë mesazhe të qarta, autori i drejtohet lexuesit, mbarë publikut për ta njohur me gjithë dritë – hijet sagën skënderbejane. (Qysh kur doli libri nga botimi, tërhoqi vëmendjen e lexuesit shqiptar, edhe pse qe një periudhë jo pak spekulative nga Tirana e panaireve mediatike dhe promocioneve komerciale të “koksave” të librave).

Marrëveshjet e ndryshme, traktatet e shumta, volumi diplomatik e politik, që ka dashur të ideojë vetë, të projektojë vetë deri në finalizim të realizimit nga Skënderbeu jepen me kthjelltësi nga autori. Nuk kemi një skelet të kalcifikuar të heroit, por një tërësi organike të lidhur me të gjithë aktorët dhe faktorët e kohës, i cili plotësohet dhe rrezaton fosforishent për historinë, artet, kinematografinë, operën etj. “Gjeniu dallon nga të tjerët se ideon më shpejt se të tjerët – thotë autori – dhe po më shpejt se të tjerët dëshiron”. Duke dhënë gjithë gamën e problematikës që ndodh në përditshmërinë e dokumentuar sipas kriterit kronostopik, duke gërshetuar metodat bashkëkohore në kohë dhe hapësirë me linjën e arsyetimit, autori ravijëzon Skënderbeun që  diti të harmonizohej me rrjedhën e ngjarjeve, me zgjuarsinë e tij të lindur e të kultivuar, me intuitën fenomenale për të qënë gjithmonë në krahun e fituesit. Pa pretenduar se thotë të vërtetën absolute, autori e ndërton Skënderbeun mbi bazë kronologjike, hap pas hapi, në dinamikë, në vijimshmëri, me të gjithë konturin e lëvizjes jetësore, historike, diplomatike e ushtarake. Nëpërmjet dialogut me lexuesin studiuesi respekton numrin 3, fatmbarin magjik të mitologjisë, nëpërmjet treshes: Autor – Skënderbe – Lexues.

Nuk e trajon autori Skënderbeun si krishterin e fundit, por kryqtarin e fundit, sepse Gjergj Kastrioti, qe palë me më të mëdhenjtë e kohës, aleatë apo kundërshtarë me Perandorinë më të madhe të kohës, atë Osmane, me mjeshtrin e diplomacisë – Vatikanin, me qendrën fetare – Papatin. Në kryqëzatën ekonomike, ushatrake e politike, në këtë organizëm europian, si uragan, Skënderbeu arriti majën e kupolës, më të lartin post për të ruajtur identitetin e vendit të tij, që quhej Arbëri. Perandoria e ndritur dhe dërmuese Osmane e Mesjetës e shikonte si palë Skënderbeun, si pjesë integrale të frontit të madh kryqtar, prandaj i bënte dhe oferta për paqe, se e vlerësonte shumë.

Pra Skënderbeu ka operuar në zonat më të larta. Pra Skënderbeu politikan qëndron po aq lart sa Skënderbeu strateg. Pra t’i jepet Çezarit ajo që i takon.

Këto na argumenton bukur, si dikur fjalën, autori Virgjil Kule, me linjat e ndjekjes logjike të ngjarjeve, me shtrirjen në kohë e hapësirë na jep informacione të reja e të bollshme.

Ndihet akoma zjarri atdhetar dhe ngrohtësia qytetare e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare dhe me këtë logjikë, themi se, Virgjil Kule na nderon dy herë. Na pasuron fondin e qendrueshëm të bibliotekave tona dhe, ç’ka e falënderojmë më shumë, këtë prezantim të parë të librit të tij të mrekullueshëm nuk e bën në Tiranë, por këtu në Vlorën tonë, në Vlorën  e tij, në Vlorën e Ismail Qemalit, të pasardhësit të denjë kombëtar të Skënderbeut.

*ALBERT HABAZAJ

Drejtor i Bilbiotekës “Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA

Filed Under: Kulture Tagged With: nje liber i ri, per Skenderbeun, Virgjil Kule

Ambasadori Arvizu takohet me Ramën dhe Metën: Tranzicion i butë dhe i rregullt

June 27, 2013 by dgreca

Tirane, 27 Qershor- Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu ka deklaruar sot se duhet të zhvillohet një trazicion i butë dhe i rregullt në Shqipëri.

Në një prononcim të shkurtër për mediat pas takimit me kreun e PS-së Edi Rama, ambasadori theksoi se i ka përcjellë kryesocialistit Rama mesazhin se SHBA-ja mbetet partnere e Shqipërisë.

“Zhvilluam një diskutim të mirë dhe substancial. Dy gjërat më të rëndësishme që diskutuam e para ishte që të kemi një trazicion të butë dhe të rregullt dhe arsyeja e dytë që është edhe arsyeja se përse ndodhemi këtu që të ripohojmë angazhimin e fortë të SHBA-së. SHBA mbetet një partnere e Shqipërisë dhe ky është mesazhi që SHBA-ja përcjell” theksoi Arvizu.

 Meta: Të angazhuar për të përshpejtuar reformat integruese

Kreu i LSI-së Ilir Meta në një konferencë të përbashkët me ambasadorin Arvizu shprehu angazhimin e tij për të përmbushur të gjitha detyrimet në respekt të kodit dhe të ligjit dhe për të vazhduar marrëdhëniet shumë të mira dhe të fuqishme me SHBA-në.

“Do të vijojmë bashkëpunimin me SHBA-në me prioritetet që ne kemi për vendin tonë por edhe për SHBA-në sidomos në drejtimin e forcimit të ligjeve dhe pavarësinë e institucioneve. Për të krijuar një konsensus sa më të gjerë të përmbushjes së reformave që do të përshpejtojnë integrimin europian të Shqipërisë dhe do të adresojnë problemet e qytetarëve tanë” tha Meta.

Meta theksoi më tej se Shqipëria ka marrë një shtysë së fuqishme nga zgjedhjet e 23 qershorit dhe partneriteti me SHBA-në do të ndihmojë Shqipërinë të ecë më shpejt në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit. “Ne do ta bëjnë SHBA-në edhe më krenare për ndihmën që i kanë dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe në BE” tha Meta.

 Arvizu: Mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE

Ndërsa ambasadori Arvizu u shpreh se është takuar me kreun e LSI-së për t`i konfirmuar të ardhmen demokratike të Shqipërisë dhe anëtarisimin e saj në Bashkimin Europian.

“E falënderoj që gjeti mundësinë që gjeti të na presë dhe e falënderoj për kohën që na kushtoi pasi ai ka pasur një fushatë të lodhshme. Dhe arsyeja pse ndodhemi këtu është që të konfirmojmë të ardhmen demokratike e Shqipërisë dhe mbështetjen për në Bashkimin Europian. Sikurse janë në pritje për qeverinë e ardhshme, pritjet janë të larta, pritet një tranzicion i qetë dhe pres me kënaqësi të bashkëpunoj me z Meta dhe anëtarët e tjerë të koalicionit”, u shpreh Arvizu

Takimi me dy liderët e së majtës zhvillohet vetëm një ditë pasi në të gjithë vendin përfundoi procesi i numërimit të votave ku e majta fitoi bindshëm në zgjedhjet e 23 qershorit.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: ambasadori Arvizu, takon Ramen dhe Meten, tranzicion i bute

Berisha-administratës: Përkushtim të plotë deri kur të votohet qeveria e re

June 27, 2013 by dgreca

Kryeministri Berisha, një ditë pasi dha dorëheqjen nga çdo funksion drejtues në Partinë Demokratike është shfaqur sot para mediave në mbledhjen e qeverisë.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha ka porositur administratën të punojë me kapacitet të plotë, përkushtim e devotshmëri deri ditën kur të votohet qeveria e re.

“Detyra jonë është që deri ditën që Kuvendi të votojë kabinetin e ri, qeveria dhe administrata duhet të funksionojë me të gjitha kapacitete dhe xhiro të plotë, çdo lloj demotivimi është i pandershëm, i padenjë, i papranueshëm, administrata e vendit është pasuri kombëtare dhe duhet ta tregojë veten të funksionojë me kapacitet të plotë në përkushtim të madh deri ditën që do të votohet qeveria e re” tha Berisha.

Sipas tij, më pas do të jetë qeveria e re ajo që do të përcjellë rrugët e organizimit dhe motivimit të administratës.

“Jeni të lutur që këtë mesazh që kam për administratën tua përcillni direkt në takim me ta dhe ne qëndrojnë këtij projekti deri ditën e fundit, më tej vjen ekzekutivi i ri që të veprojë sipas platformës së re” tha kryeministri.

 Berisha:TAP, projekt historik per vendin

Kryeministri Berisha ka theksuar në mbledhjen e qeverisë se është takuar sot me përfaqësuesit e konsorciumit Shah Deniz të cilët e njoftuan zyrtarisht për përzgjedhjen e gazsjellësit TAP.

Duke vlerësuar TAP-in si një projekt historik për vendin, kryeministri theksoi se ndërtimin e tij Shqipëria do të zgjidhë përfundimisht situatën energjitike.

“Kjo përbën arritjen më të madhe të Shqipërisë pas anëtarësimit në NATO në fushën strategjike. Procesi i integrimit në BE është dominues, por aktualisht ky vendim është më strategjik për vendin dhe për shqiptarët, për zgjidhjen përfundimtaret të problemit numër 1 që ekziston në shumë vende të botës, ate të energjisë. Unë garantova se marrëveshjet e marra në unanimitet në Parlamentin shqiptare dhe kjo është garanci e plotë se projekti do të ketë mbështetjen totale të qeverisë dhe të opozitës nesër në Kuvend” tha kryeministri

Kryeministri Berisha shtoi se në sajë të ndërtimit të këtij projekti do të hapen mijëra vende pune për shqiptarët.

“Ky projekt që është defakto projekti më i madh i gazit në Europë, një investim prej 40 miliard dollarësh dhe tejkalon në investim çdo projekt tjetër. Ky projekt do të krijojë në Shqipëri mijëra vende pune dhe do të jetë një korridor i fuqishëm punësimi dhe të ardhurash për shqiptarët. I shpreh mirënjohjen më të thellë qeverisë së Azerbajxhanit që ka dëshmuar ndjenjat më të mëdha për shqipëritarët dhe Shqipërinë” tha Berisha.

 

Berisha-administratës: Përkushtim të plotë deri kur të votohet qeveria e re

 

Kryeministri Berisha, një ditë pasi dha dorëheqjen nga çdo funksion drejtues në Partinë Demokratike është shfaqur sot para mediave në mbledhjen e qeverisë.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha ka porositur administratën të punojë me kapacitet të plotë, përkushtim e devotshmëri deri ditën kur të votohet qeveria e re.

“Detyra jonë është që deri ditën që Kuvendi të votojë kabinetin e ri, qeveria dhe administrata duhet të funksionojë me të gjitha kapacitete dhe xhiro të plotë, çdo lloj demotivimi është i pandershëm, i padenjë, i papranueshëm, administrata e vendit është pasuri kombëtare dhe duhet ta tregojë veten të funksionojë me kapacitet të plotë në përkushtim të madh deri ditën që do të votohet qeveria e re” tha Berisha.

Sipas tij, më pas do të jetë qeveria e re ajo që do të përcjellë rrugët e organizimit dhe motivimit të administratës.

“Jeni të lutur që këtë mesazh që kam për administratën tua përcillni direkt në takim me ta dhe ne qëndrojnë këtij projekti deri ditën e fundit, më tej vjen ekzekutivi i ri që të veprojë sipas platformës së re” tha kryeministri.

 

 

Berisha:TAP, projekt historik per vendin

 

KRONIKA E PLOTE E MBLEDHJES SE QEVERISE

– “TAP, projekti më i madh i gazit në Evropë, i cili do të bëhet një korridor i fuqishëm punësimi dhe të ardhurash për shqiptarët

– “Administrata e këtij vendi është një pasuri e madhe kombëtare dhe duhet ta tregojë veten duke funksionuar me kapacitet të plotë dhe përkushtim të madh në shërbim të qytetarëve”

– “Është kënaqësi e veçantë të pohoj se 73 % e maturantëve përfitojnë vende studimi me kohë të plotë në universitetet publike, duke shënuar një numër prej 29 mijë studentësh.”

Kryeministri Berisha informoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, lidhur me takimin e zhvilluar me përfaqësuesit e qeverisë së Azerbajxhanit dhe të konsorciumit të Shah Deniz 2, të cilët njoftuan zyrtarisht përzgjedhjen e TAP, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e Shqipërisë në këtë proces.

Kryeministri e vlerësoi përzgjedhjen e TAP, si një zhvillim të një rëndësie strategjike të jashtëzakonshme për Shqipërinë, pasi me ndërtimin e këtij gazjellësi, Shqipëria zgjidh në mënyrën më përfundimtare dhe më të plotë çështjen e energjisë dhe krijon një mbështetje të jashtëzakonshme në të gjithë procesin e industrializimit të saj.

Në këtë kontekst, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj qeverisë së Azerbajxhanit, për ndjenjat më miqësore ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, si dhe mirenjohjen ndaj konsorciumit të Shah Deniz 2 për objektivitetin e vlerësimit.

* * *

Nga kjo mbledhje, kryeministri kërkoi nga kabineti qeveritar dhe nga administrata në tërësi që të vazhdojnë punën me kapacitet të plotë, duke mos lënë pas dore asnjë detyrim ndaj qytetarëve, deri në ditën e nisjes nga puna të qeverisë së re. “Çdo lloj demoralizimi është shumë i pandershëm, është shumë i padenjë, është i papranueshëm.” u shpreh kryeministri.

Duke vlerësuar punën e punonjësve të administratës dhe përkushtimin e tyre gjatë kësaj periudhe, Kryeministri ftoi ministrat që këtë mesazh tua përcjellin punonjësve të tyre në takime direkte me ta. “Administrata e këtij vendi është një pasuri e madhe kombëtare dhe duhet ta tregojë veten, të funksionojë me kapacitet të plotë dhe përkushtim të madh deri në ditën që do të kryesojmë, deri në ditën që qeveria tjetër do të përzgjedhë mënyrën e organizimit dhe të motivimit të administratës.”

* * *

Duke u ndalur tek projektligjet dhe projektvendimet e rendit të ditës, kryeministri Berisha veçoi vendimin “për kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit në institucionet publike të arsimit të lartë, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, për vitin akademik 2013-2014. Kryeministri shprehu kënaqësinë e veçantë të konstatonte se 73 % e maturantëve përfitojnë vende studimi me kohë të plotë në universitetet publike, duke shënuar kështu një shifër prej 2 % më të lartë.

Në fjalën e mbajtur, kryeministri Berisha u shpreh:

“Dy janë çështjet kryesore të cilat unë dua të sjellë në vëmendje të kabinetit qeveritar, së pari unë prita përfaqësuesit e qeverisë së Azerbajxhanit dhe të konsorciumit të Shah Deniz 2, të cilët më njoftuan zyrtarisht për përzgjedhjen e TAP, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e Shqipërisë në këtë proces. Unë i shpreha mirënjohjen më të thellë qeverisë së Azerbajxhanit, konsorciumit të Shah Deniz 2, fushës së gazit Shah Deniz 2 të detit Kaspik për përzgjedhjen e TAP dhe ky është zhvillim i një rëndësie strategjike të jashtëzakonshme për Shqipërinë, pasi me ndërtimin e këtij gazsjellësi, i cili pritet sipas tyre që në 2019 të sjell gazin në Shqipëri, vendi ynë zgjidh në mënyrën më përfundimtare dhe më të plotë problemin e energjisë në Shqipëri dhe krijon një mbështetje të jashtëzakonshme në të gjithë procesin e industrializimit të saj, si dhe e shoqëruar kjo me gazifikimin e vendit, pra shndërrimin e gazit si burim kryesor në gatim dhe në ngrohje dhe kështu që shqiptarët do të mund të gatuajnë dhe të ngrohen me burimin më të leverdishëm të energjisë që është gazi.

Ndërkohë, ky projekt që është de fakto projekti më i madh i gazit në Evropë, një investim prej 40 miliard dollarë tejkalon në investim çdo projekt tjetër gazsjellësish, do të krijojë në Shqipëri në të gjithë trajektoren e tij dhe më gjerë, mijëra vende pune, do të krijojë vende pune, jo vetëm me ndërtimin e tij, por qindra e qindra biznese, shërbime në të gjithë trajektoren e tij. Faktikisht ky korridor bëhet një korridor i fuqishëm punësimi dhe të ardhurash për shqiptarët.

Le të shpreh në emër të qeverisë mirënjohjen më të thellë qeverisë së Azerbajxhanit , e cila që në fillim ka dëshmuar ndjenjat më miqësore ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë. Të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj konsorciumit të Shah Deniz 2 i cili ka bërë vlerësimin më të objektiv bazuar kryekëput në kritere tregtare dhe TAP ka predominuar mbi Nabuccon në të gjitha kriteret.

Dua të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj vendeve mike Turqisë, Greqisë dhe Italisë, me bashkëpunimin më të shkëlqyer që kanë dëshmuar veçanërisht me këto dy të fundit, me të cilat janë nënshkruar marrëveshjet e para në histori trilaterale.

TAP përbën arritjen më të madhe të Shqipërisë pas anëtarësimit në NATO, në fushën strategjike dhe përgjigjen më të shkëlqyer të interesave të saj strategjike. Natyrisht procesi i integrimit në BE është proces dominues, por në situatën aktuale ky është vendi më i rëndësishëm në rrafshin strategjik për shqiptaret dhe për Shqipërinë, zgjidhjen përfundimtare të problemit numër 1 që ekziston për shumicën e vendeve të botës, problemit të energjisë.

Unë garantova përfaqësuesit se të gjitha marrëveshjet për TAP janë ratifikuar në unanimitet në Parlamentin shqiptar dhe se kjo është një garanci e plotë që projekti do të ketë mbështetje të plotë totale të qeverisë dhe të opozitës nesër në parlament dhe se shqiptarët e mirëpresin këtë projekt dhe se janë të vetëdijshëm për rëndësinë shumë të madhe strategjike që ka ndërtimi i tij ,ndaj dhe në rrafshin strategjik kjo përbën një fitore të jashtëzakonshme. Është njëkohësisht një vend nevralgjik në perspektiven e këtij korridori që tani preferohet të mos quhet më TAP, por preferohet të quhet korridori jugor i Gazit.

Sigurisht në këtë takim , por edhe më parë jemi përpjekur, kam paraqitur kërkesën që të përfshihet edhe Kosova sepse ndjenjat miqësore ndaj shqiptarëve në Kosovë, në Azerbajxhan janë të larta, por ka një problem që e ndërlikon pak këtë çështje, por ata do ta shqyrtojnë këtë çështje.

* * *

Tani detyra jonë është që deri ditën që Parlamenti të votojë kabinetin e ri dhe të dekretohet tek presidenti, qeveria dhe administrata duhet të funksionojë me të gjitha kapacitetet dhe xhiro të plotë. Pra çdo lloj demoralizimi është shumë i pandershëm, është shumë i padenjë, është i papranueshëm. Administrata e këtij vendi është një pasuri e madhe kombëtare dhe duhet ta tregojë veten, të funksionojë me kapacitet të plotë dhe përkushtim të madh deri në ditën që do të kryesojmë, deri në ditën që qeveria tjetër do të përzgjedhë mënyrën e organizimit dhe të motivimit të administratës.

Jeni të lutur që këtë mesazh që unë kam për punonjësit e administratës të cilët i përgëzoj për punën e shkëlqyer që kanë bërë dhe bëjnë , do tua përcillni direkt në takim me ta. Ne i qëndrojmë projektit deri ditën e fundit, ditën e fundit vjen një drejtim i ri i ekzekutivit të vendit i cili përcakton rregullat, normat, standardet, për të cilat ka të gjithë legjitimitetin e plotë për të vepruar sipas platformës së vet.

Këtu janë një seri vendimesh të cilat janë projektligje, projektvendime, nga më të rëndësishmet janë kuotat të cilat do të miratohen për studentë të viti që vjen, viti akademik. Është kënaqësi e veçantë të pohoj se 73 % e maturantëve përfitojnë vende studimi me kohë të plotë në universitetet publike. Këtu nuk janë llogaritur universitet private. Kjo është një rritje prej 2 %. Ky është numri më i lartë 29 mijë studentë. Ndërkohë janë parashikuar kuotat për studentët nga lugina e Preshevës, studentët nga Mali i Zi dhe Maqedonia, në degë të cilat nuk i kanë ose i kanë të kufizuara. Do të flitet edhe me autoritetet vendore sigurisht ne do të hapim vende për ta, por sigurisht përkujdesja duhet të jetë për Preshevën dhe shqiptarët e Malit të Zi. Kjo është një arritje shumë e madhe. Në fushat e lidhura me IT, nga 29 mijë studente dhe studentë që do të pranohen gjatë vitit të ardhshëm akademik, fatmirësisht 15 % e tyre do të ketë në fushën e IT dhe kjo përbën një arritje të madhe, në mënyrë që të plotësohen sa më mirë nevojat për Shqipërinë dixhitale.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Berisha, perkushtim deri en fund, thirrje adminsitrates

DR.SALI BERISHA : Gjithnjë kam qenë i vendosur t’i bindem verdiktit të sovranit

June 26, 2013 by dgreca

Fjalimi i plotë i kryeministrit të Shqipërisë Dr. Sali Berisha, me rastin e  dorëheqjes nga funksionet politike në Partinë Demokratike të Shqipërisë/
Në Foto: Pas fjalimit dr. Sali Berisha u përcoll nga selia e parties Demokratike me entuziazëm të jashtzakonshëm/

Sot jam para jush për një mesazh, por dua të theksoj një mesazh pak të vonuar, për faktin e vetëm se kam dashur të respektoj punën me vetëmohim të madh të komisionerëve tanë në numërimin e votave, proces i cili po shkon në kutitë e fundit.
Më së pari, më lejoni të shpreh mirënjohjen time të pakufishme ndaj qindra mijëra qytetarëve shqiptarë, të reja dhe të rinj, burra dhe gra, fëmijë dhe të moshuar, që më shoqëruan mua nga Koshovica në Tropojë, me mikpritjen më të çiltër, më fisnike, më entuziaste që kam provuar ndonjëherë. Në shi dhe rrebesh, në vapë dhe pikë të diellit, herët në mëngjes dhe vonë në darkë, ne shtrënguam duart njëri me tjetrin, shkëmbyem mendime, ndoqën me vëmendje alternativën tonë, brohoritën me entuziazëm në mitingjet tona dhe më bënë mua si dhuratën më të çmuar fushatën elektorale më të pasur, ndoshta më të bukurën e më masive të jetës sime. Unë personalisht, njëlloj si ata, jam përpjekur të bëj më të mirën. Kam punuar me energji, përkushtim dhe entusiazëm, edhe më të madh se në shumë fushata të tjera.
Por unë sot dua të përulem me nderimin më të madh para militantëve, anëtarëve të thjeshtë të Partisë Demokratike për sakrificën e mundin, djersën e tyre në këtë fushatë dhe në të gjitha fushatat. Ata janë energjia e pashtershme e Partisë Demokratike dhe të gjitha betejave të saj. Shfrytëzoj rastin të falënderoj përzemërsisht kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike, shtabet e tyre elektorale, komisionerët tanë për përkushtimin e tyre të madh në këto zgjedhje.
Dua të falënderoj me shumë mirënjohje të gjithë qytetarët shqiptarë që në këto zgjedhje votuan për Partinë Demokratike, kandidatët e saj, vendosën besimin e tyre tek Partia Demokratike dhe Sali Berisha, si dhe çdo shqiptare dhe shqiptar që mori pjesë në këto zgjedhje, duke nderuar me votën e tij sistemin tonë pluralist.
Unë e di se sot, të gjithë ju, ndiqni jo pa trishtim këtë fjalë timen. Dhe kjo është e ligjshme, sepse ju, me të drejtë, prisnit dhe meritonit sot një fjalë tjetër nga unë. Por unë jam këtu, para jush, jo për të komunikuar rezultatin e zgjedhjeve, sepse ai tashmë është i qartë për çdo njeri dhe natyrisht, i pranuar nga unë edhe Partia Demokratike, por jam para jush për t’ju njohur ju me një vendim tim.
Në karrierën time politike më shumë se dy dekada, unë në çdo pozicion që kam patur, e kam ndjerë veten si shërbëtori juaj dhe vendit tim edhe e kam konsideruar këtë privilegjin më të madh të jetës sime. Kam bërë gjithçka të përmbush me përkushtim, nder dhe dinjitet detyrimet e mia ndaj jush, duke qenë gjithnjë i vendosur se do të largohesha nga postet e mia ditën e parë që unë të konstatoja se arsyet shëndetësore nuk do të më lejonin të përmbush detyrimet ndaj jush. Lavdi Zotit, kjo nuk ndodhi. Energjitë e mia sot janë po ato që kam patur 20 vjet më parë.
Por përveç kësaj, unë gjithnjë kam qenë i vendosur t’i bindem plotësisht verdiktit të sovranit, i cili foli qartë në këto zgjedhje. Unë u përkas atyre politikanëve që besojnë se ai nuk gabon, që beson se ai ka gjithnjë të drejtë. Në këto zgjedhje, ne paraqitëm para qytetarëve shqiptarë një program konkret për finalizimin e projektit: Shqipëria vend i zhvilluar, rritjen e rrogave dhe pensioneve, krijimin e mbi 200 mijë vendeve të punës, punësimin me përparësi të të rinjve, mbështetje të fuqishme për bizneset dhe fermerët, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Mirëpo, qytetarët votuan në shumicë projektin e kundërshtarit tonë, të bazuar në premtimet që ne nuk mund t’i bënim si: shërbimet shëndetësore falas për të gjithë, heqjen e taksës së biznesit të vogël dhe TVSH-së për ushqimet dhe uljen e taksave për 95 për qind të qytetarëve. Këto premtime ne nuk mund t’i bënim, sepse ato bien ndesh me filozofinë dhe parimet që ne besojmë, bien ndesh me konkurrencën e ndershme, me lirinë ekonomike, me barazinë sociale. Me këtë rast, duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve, i uroj kundërshtarit, fituesit të zgjedhjeve mbarësi në detyrën e tij të lartë dhe uroj që qytetarët shqiptarë të gëzojnë një jetë gjithnjë e më të mirë.
Miqtë e mi, në këtë fushatë ju keni punuar fort, me sakrifica dhe përkushtim të madh. Sikundër unë jam përpjekur me mish e shpirt të bëj më të mirën për fitoren tonë. Por kjo nuk ndodhi. Ne i humbëm këto zgjedhje dhe besomëni mua, se për këtë humbje e tërë përgjegjësia bie vetëm mbi një njeri, vetëm mbi mua, Sali Berishën.
Kështu që, duke marrë gjithë përgjegjësitë që vërtet më takojnë, në një vendim të prerë, kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e Partisë Demokratike të jem thjesht njëri prej jush, anëtar i PD-së dhe deputet i saj, të punoj me përkushtim të madh së bashku me ju dhe lidershipin e ri, për të mbrojtur dhe promovuar si opozitë, vlerat dhe parimet themelore të programit tonë, për ta shndërruar atë përsëri në një program të shumicës së shqiptarëve. Ndaj dhe ju lutem të mos gaboni të merrni apo të konsideroni këtë fjalë si një fjalim lamtumire. I tillë ky nuk është. Madje nga unë, Partia Demokratike, anëtarët dhe mbështetësit e saj nuk do të dëgjojnë ndonjëherë fjalim lamtumire për faktin e thjeshtë, se ai do të ishte një fjalim të cilin unë s’do të mund ta lexoja kurrë.
Sot ju jeni mërzitur dhe ne vërtet kemi humbur një betejë, por alternanca e pushtetit me votën e lirë është parimi themelor i demokracisë që ne çmojmë më shumë, parimi që ne sollëm në Shqipëri me themelimin e Partisë Demokratike. Alternanca është jetike për demokracinë.
Ndaj dhe sot, si pushtet moral i këtij vendi është e domosdoshme të qëndrojmë më të vendosur, më të bashkuar se kurrë, të vazhdojmë luftën. Detyra shumë të mëdha na presin për ta shndërruar çështjen tonë të drejtë në çështje të shumicës së shqiptarëve. Gjithë jetën time politike edhe në këto momente të veçanta, jam ndjerë dhe ndjehem i frymëzuar edhe krenar me secilin prej jush, me Partinë Demokratike, forcën tonë politike që pata fatin e madh që ju të më besoni drejtimin e saj për 22 vjet.
Ne jemi e do të jemi krenarë, sepse së bashku, me kurajë, guxim dhe vendosmëri themeluam në kushtet e terrorit të egër komunist Partinë Demokratike si partinë e parë opozitare, si partinë e ëndrrave më të bukura të shqiptarëve, të vlerave dhe lirive themelore të njeriut dhe shoqërisë, interesit kombëtar dhe vokacionit perëndimor të kombit shqiptar. Ne jemi dhe do të mbetemi përjetë krenarë për gjithçka kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë për lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë.
Ne jemi dhe do të jemi krenarë, sepse bëmë realitet, bëmë të vërtetë ëndrrën më të bukur të njeriut – ëndrrën e lirisë për shqiptarët dhe dinjitetit të tyre njerëzor, sanksionuam, me ardhjen tonë në pushtet, me ligje kushtetuese, lirinë e mendimit dhe shprehjes së tij, lirinë e besimit dhe të gjitha liritë themelore të njeriut. Ne u kemi faktuar shqiptarëve se liritë dhe të drejtat njerëzore janë gjithnjë pasioni ynë, kryefjala e axhendës sonë. Sot shqiptarët janë më të lirë se kurrë më parë në fjalën e tyre, iniciativën e tyre, besimet e tyre fetare, lëvizjen e tyre.
Ne jemi dhe do të mbetemi gjithnjë krenarë, sepse në javën e parë të themelimit tonë shpallëm botërisht se lira kombëtare e shqiptarëve në Kosovë dhe kudo që jetojnë do të ishte ylli ynë polar. Dhe në një kohë të shkurtër, ne arritëm ta vendosim çështjen e lirisë së shqiptarëve në Kosovë në axhendën e kancelarive, samiteve, të organizatave më të fuqishme të botës dhe më pas ne, bazuar në parimin një komb një qëndrim, mbështetëm me të gjithë mundësitë tona luftën çlirimtare heroike të shqiptarëve në Kosovë dhe më vonë në Maqedoni.
Në këto vite, ne mbështetëm fuqishëm pavarësinë dhe njohjet ndërkombëtare të Kosovës. Koha është tani për pavarësinë e Kosovës – do të shpallte në Tiranë, në qershor të vitit 2007, në vizitën e tij historike në Shqipëri, Presidenti i SHBA-ve, Xhorxh W. Bush.
Ne të gjithë së bashku duhet të jemi krenarë me PD. Sot, ajo është e aderuar në EPP, EDU, CDIU, organizata politike të qendrës së djathtë më të mëdha në botë. Shqipërinë, vendin më të izoluar të planetit, e lidhëm në partneritet dhe miqësi me vendet dhe kombet më të mëdha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vende të rajonit dhe vende në Evropës dhe botës. Partia Demokratike, si parti e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar dhe ne të gjithë së bashku bëmë të vërtetë ëndrrën e shqiptarëve për anëtarësimin e vendit në KE, të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në BE, të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, të lëvizjes së lirë pa viza të qytetarëve shqiptarë në Evropë dhe së fundi, të rekomandimit për statusin e vendit kandidat.
Ne sot, të gjithë themelues, anëtarë, militantë dhe mbështetës të Partisë Demokratike jemi dhe do të mbetemi gjithnjë krenarë, sepse ne, në vendin e diktaturës dhe hiperkolektivizmit më të egër në Evropë, hodhëm themelet dhe konsoliduam në Shqipëri sistemin demokratik, bazuar në liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, shtetin ligjor, pronën private dhe ekonominë e lirë të tregut dhe falë reformave tona, bazuar në lirinë ekonomike, shqiptarët me iniciativën e tyre të lirë dhe solidaritetin ndërkombëtar bënë që në këto 21 vite, Shqipëria si asnjë vend tjetër, të rrisë me 11 herë prodhimin e saj të brendshëm.
Ne sot, të gjithë së bashku, duhet të ndjehemi krenarë me Partinë Demokratike, sepse ne pasi humbëm pushtetin për shkak të skemave piramidale në vitin ’97, ndërtuam opozitën e fuqishme shqiptare, qëndruam dhe rezistuam si opozitë e pamposhtur dhe në vitin 2005 përzumë nga pushteti me votën e shqiptarëve, në zgjedhje jo të lira e të ndershme, ata që erdhën me dhunë në pushtet.
Me rikthimin tonë në pushtet në vitin 2005, një ëndërr tjetër e madhe e mbarë shqiptarëve duhej të bëhej realitet dhe kjo ishte ëndrra e Shqipërisë së zhvilluar, Shqipërisë evropiane. Por, kjo mjerisht duhet të startonte në një kohë kur shqiptarëve u mungonin për shumë e shumë orë në ditë dritat, uji, kur rrogat dhe pensionet e tyre ishin të ulëta, qesharake, kur fëmijët e tyre mësonin në shkolla të rrënuara dhe me 50 nxënës në klasa, kur udhëtonin në rrugët, ndofta më të shkatërruara të kësaj toke dhe kur çdo vit zhdukeshin vetëm në taksa dhe tatime mbi 1,4 miliard dollarë nga zyrtarët e korruptuar.
Detyra ishte shumë e vështirë. Shqipërisë pothuajse askush nuk i besonte. Por ne ishim burrat dhe gratë e guximit. Në këto dy mandate, ne bëmë të vërtetë ëndrrën e shqiptarëve për të patur rrugë, drita, shkolla, ujë pothuajse afërsisht si vendet e zhvilluara. Ne ndërtuam rrugën e Kombit që bashkoi shqiptarët, ndërtuam rrugën Tiranë-Elbasan që bashkoi kryeqytetin me Elbasanin, ndërtuam gjysmën e rrugës së Arbrit, segmentin më të vështirë të Boshtit të Jugut dhe do ta ndërtojmë atë në mandatin e ardhshëm. Ne ndërtuam mbi 10 mijë kilometër rrugë nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Ne besojmë se aty ku jetojnë shqiptarë duhet të kenë rrugë dhe infrastrukturë moderne dhe i sigurojmë ata se me mandatin tonë tjetër do ta bëjmë realitet këtë projekt.
Ne duhet të jemi krenarë sot me Partinë Demokratike, sepse për të bërë të vërtetë ëndrrën e Shqipërisë së zhvilluar të qytetarëve shqiptarë, ne ndërtuam në mbarë vendin qindra ujësjellës dhe sisteme kanalizimi, një seri sistemesh të pastrimit të ujërave të ndotura dhe natyrisht mbetet ende shumë punë për të bërë. Por, në mandatin tonë të ri, ne do ta bëjmë Shqipërinë me infrastrukturën ujore më moderne që ekziston.
Shqipëria – vend i zhvilluar, për ne ishte dhe është para së gjithash Shqipëria e dijes. Për të arritur këtë objektiv, ne mbidyfishuam rrogat e mësuesve, ndërtuam dhe rindërtuam mbi 1300 shkolla fillore, nëntëvjeçare, të mesme, korpuse universitare. Ne sot, njëlloj si vendet e zhvilluara, kemi shtrirë internetin në çdo shkollë, nga vetëm 45 shkolla që kishin internet dhe nga vetëm 700 kompjuter që ishin shkollat tona pak vjet më parë, sot kanë mbi 24.500. Shqipëria ka arritur nivelin e vendeve të zhvilluara për studentë për 1000 banorë dhe përqindjen e nxënësve që ndjekin shkollat e mesme. Cilësia e sistemit tonë arsimor do të mbetet gjithnjë përparësi madhore e programit tonë.
Në përpjekjen tonë për shndërrimin në të vërtetë të ëndrrës së Shqipërisë së zhvilluar të qytetarëve shqiptarë, ne duhet të jemi krenarë, sepse sot, disa nga treguesit e zhvillimit njerëzor të shqiptarëve si: vdekshmëria foshnjore, ajo amtare dhe e përgjithshme, janë në nivelin e disa vendeve të zhvilluara dhe shumë të zhvilluara. Po kështu, qytetarët tanë në jetëgjatësinë nga lindja, por dhe në shtëpi banimi për 1000 banorë, jetojnë më gjatë dhe strehohen më mirë se sa qytetarët e disa vendeve të zhvilluara. Në këto pak vite, ne kemi ndërtuar mbi 400 qendra shëndetësore dhe spitale moderne, reforma e plotë e sistemit shëndetësor ishte drejt përfundimit. Në mandatin e ardhshëm do ta përfundojmë atë.
Këto vite të qeverisjes sonë ishin vitet e krizës më të thellë për ekonomitë e vendeve evropiane dhe ato të rajonit tonë. Mendoj se, të gjithë së bashku, duhet të jemi dhe mbetemi krenarë, sepse ekonomia shqiptare është nga më të paktat në Evropë, e cila falë reformave tona të bazuara në lirinë ekonomike, i rezistoi krizës, mbajti rritjen ekonomike dhe vazhdoi edhe vitin që kaloi të krijojë dhjetëra mijëra vende të reja pune. Ne ia dolëm me taksën e sheshtë dhe reforma të tjera të thella në këto pak vite që Shqipërinë, e cila para vitit 2005 kishte marrë mesatarisht vetëm 38 milionë dollarë në vit investime të huaja, ta rendisim mbi nivelin e disa vendeve të zhvilluara për lirinë fiskale, të bëjmë që të jetë i vetmi vend në rajon në të cilin eksportet të trefishohen dhe të renditet e 18-ta për thithjen e investimeve të huaja. Në katër vitet e fundit, ajo mori mbi 4,2 miliardë dollarë dhe papunësia edhe vitin e kaluar u ul nga 13,2 në 12,8%.
Në përpjekjen tonë për realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për Shqipërinë vend i zhvilluar, ne vendosëm energjinë në epiqendër të këtij projekti të madh. Sot në Shqipëri janë ndërtuar apo janë në ndërtim e sipër mbi 130 HEC-e, ndër të cilat kaskada e Devollit që po ndërtohet nga “Shtatkraft” e Norvegjisë, numri një në botë për ndërtimin e HEC-eve. Këto ditë konsorciumi i Shah Denis 2 vendosi për TAP-in. Ne kemi bërë gjithçka, kemi lobuar fuqishëm, kemi përmbushur çdo detyrim që rrjedh në kërkesat e marrëveshjet me konsorciumin dhe palët e tjera, vendet partnere dhe mike për të favorizuar vendimin në favor të tij. Dhe unë sot njoftoj shqiptarët se TAP-i fitoi.
Duke shprehur mirënjohjen më të thellë, qeverisë së Azerbajxhanit dhe konsorciumit të Shah Deniz 2, theksoj për të gjithë shqiptarët, por për ju demokratet dhe demokratët se kjo është një arritje historike e jona. Me përfundimin e TAP në 4-5 vitet që vijnë, Shqipëria zgjidh në mënyrë përfundimtare problemet e energjisë.
Shqipëria vend i zhvilluar është një ëndërr e mrekullueshme që do të bëhet e vërtetë edhe me zhvillimin e Shqipërisë rurale. Ne së bashku duhet të ndjehemi krenarë sepse, në një hark kohor të shkurtër, ne ndërtuam në Shqipërinë rurale mbi 8 mijë km rrugë, mbi 1000 shkolla, qindra ujësjellës e kanalizime, sisteme kullimi e vaditjeje. Me 45 mijë projekte që mbështetëm, me projektet kombëtare të ullirit dhe arrorëve edhe projektet e tjera, ne kemi bërë të mundur të katërfishohet toka e punuar në fshatin shqiptar dhe të mbillen miliona e miliona ullinj e dru të tjerë frutorë.
Shqipëria – kopshti i Evropës Juglindore është dhe do të mbetet projekti ynë.
Ne duhet të jemi krenarë se, Shqipëria – e bukura e dheut, që pak vite më parë nuk ekzistonte në hartën turistike të rajonit dhe botës, renditet sot në 10 vendet me rritjen më të shpejtë të turizmit në planetin tonë.
Me projektin tonë Shqipëria – vend i zhvilluar, ju duhet të jeni krenarë se ne ia dolëm në një hark kohor të shkurtër, që vendi me penetrimin ndër më të ulëtit në botë të internetit, vetëm 4,8% dhe telefonisë celulare me vetëm 38%, të ketë sot përdorimin e internetit mbi 60% dhe të telefonisë celulare 186% edhe me çmime 3-5 më të ulëta. Shqipëria dixhitale ishte ëndrra e të rinjve shqiptarë. Sot, ata komunikojnë në Facebook më shumë se të rinjtë e disa vendeve të zhvilluara.
Vitin që kaloi, ne patëm fatin e madh të qeverisim Shqipërinë në 100-vjetorin e lindjes së saj. Ne duhet të ndjehemi krenarë se me të gjithë shqiptarët nga Shqipëria, trojet e tyre etnike dhe mbarë bota, si dhe me miqtë tanë në të katër anët e planetit, festuam në mënyrën më dinjitoze, më të bukur, ditëlindjen e dheut tonë dhe bëmë që historia e falsifikuar dhe e ndaluar e shqiptarëve të dalë në dritë edhe të bëhet pjesë e pandarë e krenarisë sonë kombëtare.
Vetëm pak vite më parë, ora evropiane dhe euroatlantike e Shqipërisë ishte pothuaj e ndaluar. Ne sot dhe gjithnjë duhet të jemi krenarë se, së bashku ndërmorëm reformat më të thella e më të gjithanshme, konsoliduam shtetin ligjor, zhvilluam zgjedhje të lira dhe të ndershme, firmosëm dhe zbatuam Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, anëtarësuam Shqipërinë në NATO, merituam dhe arritëm heqjen e vizave me BE, merituam rekomandimin për statusin e vendit kandidat, nisëm punën serioze për liberalizimin e vizave me SHBA-në. Ne jemi, kemi qenë dhe mbetemi garant të shndërrimit në realitet të ëndrrës evropiane dhe euroatlantike të shqiptarëve.
Pra, edhe në këto dy mandate, ne kemi folur me vepra, të cilat kanë krijuar një Shqipëri tjetër, ndërtimin e të cilës ne do të jemi të gatshëm në çdo kohë ta vazhdojmë. Ato janë vepra që kanë ndryshuar përgjithmonë historinë, por edhe gjeografinë e Shqipërisë, janë dhe mbeten përjetë monumente të shqiptarëve të lirë.
Natyrisht, nuk janë arritjet tona ato për të cilat më 23 qershor nuk na votuan në mazhorancë shqiptarët. Jo, sepse këto arritje për çdo shqiptar, unë jam i sigurtë, janë arritje e veçantë. Partia Demokratike si parti e fillimeve të reja dhe ndryshimeve të mëdha do të lexojë me mençuri, me guxim e përulësi mësimin e sovranit në këto zgjedhje. Ajo, përveç trashëgimisë së saj që bën krenar çdo shqiptar, ka në gjirin e saj potenciale dhe vlera njerëzore të pakrahasueshme, ka projekte dhe ide, vlerat dhe parimet e drejta që mbron dhe që do të dijë nën lidershipin e ri, me një fillim të ri të fuqishëm, të shndërrohet dora–dorës në mazhorancë morale e pastaj zyrtare të vendit tonë.
Para se ta mbyll, dua t’u shpreh falënderimet e mia më të përzemërta dhe mirënjohjen më të madhe bashkëpunëtorëve të mi që unë kam pasur në të gjitha detyrat e mia këto 22 vite. Ata janë djem dhe vajza, gra dhe burra të mrekullueshëm, të përgatitur, dinjitozë, kompetentë, të përkushtuar, vetëmohues, me integritet të lartë njerëzor dhe profesional. Bashkëpunimi i shkëlqyer me ta ka qenë dhe do të jetë gjithnjë frymëzues për mua. Dua t’u shpreh mirënjohje të pakufishme miqve tanë në EPP, Presidentit Martens dhe kryetarëve të partive simotra në këto organizata për mbështetjen dhe bashkëpunimin e çmuar me Partinë Demokratike.
Një mirënjohje të pakufishme miliona e miliona shqiptarëve që këto 22 vite kanë vendosur votën, besimin e tyre mbi mua. Dhe unë çfarëdo që të bëj nuk mund të shpërblej malin e besimit të tyre, veçse i garantoj se do të vazhdoj të bëj gjithçka në mbështetje të interesave dhe aspiratave të tyre fisnike.
Gjatë këtyre kohëve, kam marrë dhjetëra mijëra mesazhe në Facebook, sms, në whatsapp, nga miq dhe mbështetësit e mi, të cilët më kërkojnë kësaj radhe një gjë që për fatin më të keq e kam të pamundur të heq dorë nga vendimi që unë kam marrë. Por i ftoj të gjithë ata që së bashku me energji, entuziazëm, vetëmohim dhe përkushtim të vazhdojmë të mbrojmë kauzën tonë, ta bëjmë atë kauzë të zemrave dhe mendjeve të shqiptarëve.
Arritjet e Shqipërisë nën qeverisjen e Partisë Demokratike do të kishin qenë të pamundura pa solidaritetin e jashtëzakonshëm ndërkombëtar të kombeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare. Ndaj dhe jam sot këtu për tu shprehur atyre mirënjohjen më të thellë për këtë solidaritet të jashtëzakonshëm që u kanë dëshmuar shqiptarëve. Të shpreh në mënyrë të veçantë mirënjohjen time të pakufishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatit më të madh të lirisë së kombit shqiptar.
Do ta mbyll me një mirënjohje të përhershme për Lilin dhe gjithë familjen time, për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme ndaj meje.
Së fundi, unë, në përputhje me Kushtetutën e vendit deri në muajin shtator do të vazhdoj të punoj me përkushtim të madh në projektin e Shqipërisë së zhvilluar dhe në përputhje me statutin e partisë, do të qëndroj në timonin e saj për të organizuar zgjedhjen nga anëtarësia e Partisë Demokratike, të lidershipit të ri, të cilin do ta mbështesim të gjithë së bashku dhe të ecim në udhëheqjen e tij drejt fitores së betejës më të afërt që na pret.
Përpara!
Zoti e bekoftë Partinë Demokratike, anëtarësinë, mbështetësit e saj!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë!
Faleminderit!

Filed Under: Editorial Tagged With: Fjalimi i doreheqjes, i dr. Sali berishes

SHBA përshëndet dorëheqjen e kryetarit te Partise Demokratike te Shqiperise, z. Sali Berisha

June 26, 2013 by dgreca

Vlerësojmë mbështetjen e tij për marrëdhënie të forta me SHBA/

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndesin vendimin e kryeministrit Berisha për tërheqjen e tij nga politika. Në një deklaratë për mediat, Ambasada amerikanë e akredituar në vendin tonë falënderon kryeministrin në largim për mbështetjen e tij konseguente për marrëdhënie të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

“Falënderojmë Kryeministrin në largim Sali Berisha dhe vlerësojmë mbështetjen e tij konseguente për marrëdhënie të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Më tej në deklaratë ndërsa përgëzon popullin shqiptar për pjesmarrjen masive në zgjedhjet e 23 qershorit, Ambasada e SHBA u bën thirrje institucioneve që të certifikojnë sa më parë rezultatin e zgjedhjeve.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara përgëzon qytetarët e Shqipërisë, të cilët morën pjesë masivisht në zgjedhjet kombëtare të 23 qershorit 2013 për të riafirmuar përkushtimin e tyre ndaj të ardhmes demokratike të Shqipërisë. Me përfundimin së afërmi të numërimit, nxisim institucionet zgjedhore të certifikojnë me shpejtësi zgjedhjet dhe të konfirmojnë vullnetin e popullit shqiptar. Pas formimit të një qeverie të re, nxisim udhëheqësit dhe zyrtarët shqiptarët të riangazhohen ndaj procesit të integrimit europian dhe reformave të tjera që nevojiten. Ndonëse pjesa më e madhe e votimit në ditën e zgjedhjeve dhe numërimi që pasoi u zhvilluan në mënyrë të rregullt, pati disa akte të pafalshme dhune që njollosën frymën e zgjedhjeve. Qytetarët shqiptarë nuk kanë pse ta përjetojnë diçka të tillë; ata meritojnë të hedhin votën e tyre dhe që ajo të numërohet në një mjedis të sigurt, të lirë nga kërcënimet dhe shtrëngimet”, përfundon deklarata.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Ambasada amerikane, doreheqjene Berishes, pershendet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT