• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

25 VJET NGA VRASJA E POETIT HAVZI NELA DHE PAFUQIA PËR T’U NDARË NGA E KALUARA

August 10, 2013 by dgreca

Nga AFRIM KRASNIQI/

Një mësues, poet dhe njeri rebel, Havzi Nela, e varën në litar publikisht në Kukës më 10 gusht 1988. Ishte koha kur regjimi në ikje donte të tregonte forcë, fliste për demokratizim dhe ndërkohë kryente akte terrori ndaj çdo lëvizje liberale. Varje publike, denigrim publik të kufomës, siç bëri në Korçë dhe Shkodër me disa të rinj të vrarë në kufi duke ikur, siç bëri në Kukës me Nelën, sic bëri në Sarandë e ndonjë qytet tjetër. Kohë për t’i kujtuar, nderuar dhe për të mos harruar sa kriminal dhe stalinist ishte regjimi që lamë pas 23 vjet më parë!
Përvjetori i vrasjes së H.Nelës tregon njërën anë: sistemin, dhe lihet pas një anë tjetër po me kaq rëndësi: reagimi ynë shtetëror e shoqëror. Emri i tij është përmendur shpesh, dhe në shumicën e rasteve, jo për të nderuar atë, por për të kritikuar dhe sulmuar politikisht emra politikë që lidhen direkt apo indirekt me vrasjen e tij! Në rastin e emrave të përfshirë direkt është e drejtë përmendja, madje edhe gjykimi historik, por është e padenjë ndarja e një emri nga një tjetër në varësi nga pozita e sotme e ndonjërit prej tyre apo pinjollësve të tyre. Në rastin e emrave të përfshirë indirekt është e drejtë kur jepet informacion dhe kërkohet një reflektim moral, por është e padrejtë kur përdoret për të denigruar në funksion të politikës së ditës, apo duke veçuar një emër nga 12 të tjerë të përfshirë në të njëjtën formë. Fatkeqësisht kjo ndodh, sepse vdekja, nderimi, rivlerësimi dhe gjithçka tjetër vijojnë të kenë vlerë, vetëm nëse kanë lidhje politike!
Le të marrim H.Nelën: edhe pse u përdor kaq shumë në retorikë politike, e di publiku se familja e tij nuk ka përfituar asnjë trajtim dhe kompensim financiar, për shkak se akti i tij hyn në kategorinë e terrorit dhe ligji i kompensimit të ish përndjekurve e përjashton nga e drejta e trajtimit? Është në dijeni publiku se familja e tij jeton në kushte minimale jetese dhe vetë bashkëshortja ishte një votuese publike kritike me qeverinë aktuale (në ikje), ndërkohë qëata që e dënuan, sot përfitojnë trajtime speciale financiare nga qeveria dhe shteti “demokratik”?Është në dijeni publiku se një pjesë e madhe e atyre që keqpërdorin sot emrin dhe aktin e tij disident në vitin 1988 kanë qenë anëtarë apo funksionarë të PPSH në Kukës dhe rrethet rreth tij, kanë qenë punonjës në zyrat e Komitetit Ekzekutiv apo strukturën e lartë të propagandës së regjimit? Ata kanë të drejtë të ndryshojnë mendim, por jo të shndërrohen nga avokatë të vlerave të disidencës kundër të cilës punuan një jetë të tërë, përfshirë edhe verën e nxehtë të vitit 1988. Është në dijeni publiku se krijimtaria e Nelës është botuar falë përkushtimit të një personi të vetëm (P.Palushi) dhe jo të një projekti rehabilitues të qeverive që keqpërdorën emrin e tij? Është në dijeni publiku se ata që sot bërtasin në podiume parlamentare e FB për Nelën edhe më 1990, pra dy vjet pas pushkatimit të tij, bënin thirrje publike nderimi për R.Alinë, më 1992 propozonin për deputet kreun e trupit gjykues që dënoi atë, dhe dy zyrtarë të tjerë të përfshirë në arrestimin e denoncimin e tij u bënë zyrtarë “demokratikas” pas ndryshimit të sistemit? Etj, etj.

Rasti i abuzimit politik “Nela” nuk është i vetëm, është një nga dhjetëra paradokset e tranzicionit! P.sh, pak vite më parë drejtuesi i Kuvendit ekspozoi një foto me deputetët disidentë të vitit 1946-1947 në muret e parlamentit, por më parë ishin kujdesur të fshinin emrin e prokurorit dënues apo të hetuesit të çështjes, të dy emra fëmijët e të cilëve u bënë, njëri ministra e deputetë gjatë qeverisjeve të PD. Kur nderohen çifti i mësuesve që u vra në kufi në Shkodër më 1990 nuk përmenden emrat e ushtarakëve “vigjilentë” sepse njëri prej tyre ishte deri përpara pak kohësh drejtues i lartë i policisë dhe shërbimit sekret. Kur flitet për demonstratat antikomuniste në Shkodër 1989-1990 dhe dënimet ekstreme politike nuk përmenden emrat e prokurorit dhe as gjykatësve sepse ata pas vitit 90 u bënë deputetë e drejtues kryesorë të gjykatave“demokratike”. Kur flitet për arrestimin e grevistëve studentë më 1991 nuk përmendet emri i prokurorit që kërkoi vite të tëra burgim, sepse ai, prej vitesh vijon të jetë avokat i politikanëve kryesorë të qeverisë në ikje. Kur flitet për mbylljen e kishave dhe xhamive, nuk përmenden nismat rinore të një gjimnazi në Durrës dhe njërit në Tiranë ku dy prej protagonistëve kryesorë u bënë (dhe janë ende) deputetë apo politikanë të lartë të PD e PS! Kur flitet për demonstratën antikomuniste në Elbasan 1990 nuk përmenden zyrtarët e lartë që u përfshinë në dënimet e ashpra të tyre, sepse ata prej vitesh kanë veshur kostumin antikomunist! Kur flitet për dënime politike të figurave të njohura të kulturës dhe artit, sidomos në vitet 70, lihen mënjanë emrat e ekspertëve dhe dëshmitarëve denoncues, shumë prej të cilëve janë edhe sot, aktorë më rëndësi në jetën politike e publike. Kur flitet për gjyqet politike të viteve 60, siç përmend edhe Kadare, del një foto gjykatësish të rreptë ushtarakë, njërit prej të cilëve që sot nuk i përmendet emri në foto, në fakt sot i jepet titulli i krye-disidentit politik. Kur flitet për ngjarjet e ambasadave më 1990 dhe dhunën ndaj rinisë rebele antikomuniste, shumë prej protagonistëve të kësaj dhune vullnetare, janë sot kudo, në jetë politike, parlament, në media dhe vendimmarrje ekzekutive…..
Dhe së fundi, përpara rastit “Nela” patëm rastin “Popaj” familja kurajoze që hyri në ambasadën italiane. Kush u kujtua për ta, kush i kërkoi, kush i nderoi, kush shkroi historinë e tyre sa tragjike aq edhe hollivudiane?? Askush. Sepse politika e ditës nuk pati ndonjë interes. Dhe lamë në anonimitet diçka për të cilën do të duhet të ishim krenarë!….
Shkurt dhe shqip: nuk ishim dhe nuk mund të ishim të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor, por shoqëria shqiptare nuk e ka bërë asnjëherë ndarjen me të kaluarën, nuk ka treguar ende vlera morale që e distancojnë nga gabimet dhe fajet, nuk ka gjetur ende mekanizmin e vendosjes së drejtësisë dhe as të rehabilitimin e të vërtetave historike! Gjithçka ajo ka bërë ka qenë një lojë me maska, përdorimi ekstrem i ngjarjeve dhe emrave për qëllime politike të ditës, konsensusi për të mbetur peng i të kaluarës dhe paaftësia për të krijuar themele të forta morale drejt të ardhshmes! Ndaj përvjetori i H.Nelës sot më shumë sesa rast tjetër për gjueti shtrigash politike, vlen për ti thënë atij dhe brezit disident që ai përfaqësoi, se shoqëria shqiptare ende e mban litarin në grykë, ende nuk është çliruar, ende denigron vlera e virtyte dhe ende nuk ka forcë, kurajë dhe as vullnet për ndjesë publike, për katarsis moral dhe të paktën, për të mos përsëritur gabimet e fajet e të kaluarës. Përkundrazi.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: 25 vjet nga vrasja, Afrim Krasniqi, e Havzi Neles

DILEMA HAMLETIANE E FISHTËS

August 10, 2013 by dgreca

NGA BEHAR GJOKA/

Poezia “METAMORPHOSIS” gjendet tek vëllimi poetik “Arnzat e Parnasit”, njërit prej librave nga më cilësorët të Fishtës qoftë për frymën e përcjellë, qoftë për shkathtësinë e mjeteve shprehëse. Ajo, poezi ka gjithsej 268 vargje, pra duke e kapërcyer pragun e një poezie të shkurtër, ku pulsojnë ndjesitë zemërake të kundërshtimit të realitetit mjeran, jo vetëm të vitit 1907, që i përket kohës shkrimore. Më tepër të rrudhjes dhe ndrydhjes së karakterit, të përshtatjes nënshtruese, të mbytjes së identitetit, deri në shndërrim total, të prishjes së natyrës së shqiptarit, ku shpalohet mllefi dhe zhgënjimi, toni dhe gjuha sarkastike, për t’i vënë barriera frenuese këtij mjedisi, që rrëshqet drejt rrokopujës. Duke u skeletuar kështu si një poemth sarkazëm, që ta ndërmend kohën, por që ndërkomunikon edhe me këndej kohën…

GJURMË TË UNIT POETIK

Frymëmarrja e vargjeve të kësaj poezie, ashtu si edhe ato të “Lahutës” apo te “Gomari i Babatasit” etj, ruan dhe shpërfaq tiparet e poetikës fishtiane: komunikimin e drejtpërdrejtë, bisedën e hapur, kur prek nër plagët tjetërsuese të botës shqiptare, si dhe gërshetimi i poezisë me retorikën. Pra, poezia “Metamorphosis” edhe njëherë formaton artin ku poeti shkrihet me bariun shpirtëror, çka në këtë rast ravizon një përmasë specifike të unit poetik:

– të lirikës së kulmeve dëshpërimore,

– të lirikës së zemëratës së fundme,

– të lirikës së shpresave të fikuna, që djegin dhe përvëlojnë.

Tonaliteti mbizotërues sarkastik i një mallkimi sipranie, kur është mbushur kupa e durimit, i përthyerjeve të trefishuara të unit poetik, por megjithatë asgjëkundi doravet padre Gjergj Fishta, ndikojnë për të shpërndarë mjegullën rozë, endur me pe të zi mbi poetikën e bardhë fishtiane…

 

HERO LIRIK I SHUMËFISHUAR

 

Pavarësisht ndërkomunikimit konkret dhe disaplanor, që e bartin vargjet e kësaj poezie, përthyerja e heroit lirik, madje paraqitja e tij si shumësi, i japin lirikës zemërake temporitëm dhe shprehësi të mirëfilltë artistike.

Së pari: Hero i kundërvënies ndaj realitetit rretheqarkues, që dita ditës zhbëhet, shpërfytyrohet dhe rrudhet si ndërgjegje, që na prezanton poetin e njohur, me ndjenja të përndezura, që, vazhdueshëm rezbitet nër plagët e pyllishtës, ku noton përditshmërinë shqiptari.

Së dyti: Hero lirik që grish në ndihmë të vetë historinë, faktet e njohura dhe të pranuara si të tilla, si ndër vargjet:

“ Por n’dashtë : le të thohet

Se dredhoi Leka,

Veç kurr mos t’thohet,

Se ka mbet Leka. ”(1990: 27),

si një deklamim i hapur i cilësisë që mbart.

Së treti: Hero lirik i ngashënjyer për të rrëmuar dhe kërkuar edhe përtejhistorie, kur i thërret Orfeut, “poetit më të shquar që jetoi para Homerit” (1987: 182), formulim që e hasim tek “Fjalori Mitologjik”, që vjen si i tillë, posaçërisht:

“E ka me e gjetun

Ndo’i farë Orfeut

Qi lavdet-t’ua

T’i a kndojë dheut. ” (1990: 31),

që ta sjell ndërmend piskamën, që ia drejton vetë Homerit, në poezinë “Ditën e të Shuemvet”, tek libri “Mrizi i Zanave”, vëllimit poetik që gdhend portretin e lirikut të vibracioneve këndellëse poetike dhe të një vokabulari farfuritës, sidomos kur thosh:

“Qi për liri t’Shqypnis’u bane flie:

Namin e tyre për m’e kndue si duhet,

Omiri lypet, lypet Iliada!” (1999: 24),

si dhe pasthirrmat buçimtare, që Fishta ua përthekon, hera-herës, orëve dhe zanave tek “Lahuta”. Materia e përthyer në këto forma, përveç se dëshmon tipin e poezisë klasike, madje që ngandonjëherë të përkujton Ovidin dhe metamorfozat e tij, veçse këtu me një funksion dhe semantikë të përmbysur, shpërfaqin dimensionin moral dhe artistik të poetit moskokëçarës si shprehësi, veçmas si kod i përplotësimit, kundërshtues i realitetit të atëhershëm, por edhe më gjerë se kaq…

KONTRASTI NDJENJOR

Poezia “Metamorphosis” duke qenë një dëshmi e dhimbcave sipërore, për atë farë shkërbimi që ka ndodhur dhe do të ngjante pa shkëputje me bashkëkombasit, faktikisht shënon një staturë të re poetike, në sendërtimin me nota sarkastike, të realitetit belban dhe shurdhmemec. Në njëfarë kuptimi, më së shumti ajo është poezi e kontrastit ndjenjor. Vargjet nistore:

“Qe besa, or burra,

Nuk dij kah t’çajë,

Mbasi do t’thirret

Sod derri dajë…

Me armiq t’Shqypnis

Un’pa u frigue

Mjaft jam i mjeri

Kacagjelue.

Po e kam pasë thanun

Deri sivjet:

Lum aj qi shkrihet

Për atme t’vetë” (1990: 24),

të cilat vetëm sa parashtrojnë vorbullën ndjesore, përhumbjen shpirtërore ku ka ra tashmë poeti. Më së fundi, kjo moçalishte përthithëse e jetës dhe oksigjenit, mund të përballet, nëse është e mundur, me ballëvëniet totale. Ndërkohë që antivlerat gëzojnë qytetari dhe nderim, vesi shpërblehet për virtyt, amoraliteti shpërndan mandate morali, hapësira e dinjitetit njerëzor ngushtohet çmendurisht dhe zhytet, pa përvuajtje nëpër zgafellat e pluhurosura dhe gjithë të gënies. Pozicioni sfidant, aspak lakmues dhe famësjellës, përkundrazi si shkak për ta keqkuptuar dhe lançuar, i Fishtës, shpaluar gjithkund në krijimtarinë e tij letrare, tek poezia “Metamorphosis” ka më tepër gjasë, të posedojë tepri qytetarie dhe sakrifice autoriale, në emër të përndritjes dhe shpëtimit të shqiptarit prej dangave dhe përllomjes. Poeti rreket të shpëtojë sa të mundet nga llumhania, ndonëse, për hir të së vërtetës filtrit të zemërimit nuk i shpëton gjësend, për të mbërritur tek përmbyllja fundore:

“Njata qi zhaben

N’këtë jetë t’a rrasën

Kështu kanë me t’shkrue

Mbi vorr ty rrasën:

Ktu njaj fatbardhi

Asht t’ue pushue

Për Fe e për Atme

Qi pat jetue. ” (1990: 32),

ku poeti raporton logjikën e ftohtë, bash si akulli, si dhe vlimin zemrak kundërvënës, ka gjetur shesh prehjeje në përvojën e lashtë, si gjurmë e qytetërimit që aderojmë ta përqafim sa më parë…

RITMIKA E PESËRROKËSHIT

Ajo çfarë e veçon poezinë, mbase me të gjithë veprën autoriale, që përbën vatra ku gjëmon tetërrokëshi tradicional i poetikës së shqipes, është kadenca ritmike e përshpejtuar e vargjeve, që përftohet nga lëvrimi i vargut me pesë rrokje. Ky lloj vargu, promovuar nga N. Frashëri me “Fjalët e qiririt’, si dhe nga A. Z. Çajupi në poezinë “Shqipëtar”, natyrisht, tek ky i fundit, duke përthyer tetërrokëshin karakteristik në dy formante, përkatësisht, në një njësi me pesë rrokje dhe në një njësi tjetër me trerrokësh, çka u ka dhënë vargjeve ritmin e trumbetës së alarmit luftarak.

Kurse Fishta, ashtu si Naimi mbart vetëm vargun me pesë rrokje, sepse aspiron të japë shumëfishin e ndjesive. Natyra specifike e vargjeve:

– të ritmit të kulmimeve trazimsjellëse,

– të dendurisë dhe densitetit ndjenjor,

– të përplasjes kozmogonike të antitezave kundërshtuese,

ka bërë që ky krijim të funksionalizohet edhe si artthënie, madje nga më të fuqishmit e këtij poeti.

Ritmika e ndërrimit të kahjeve, e përmbysjes së ndjesive të zemëratës, e kontrapunkteve të unit poetik, përpos përftesës autoriale në vjeshërimin me pesërrokësh, gjithsesi vatër e poetikës së shqipes, si dhe e bashkëngjitur kjo cilësi edhe me aktin e përzgjedhjes së fjalës që tenton qenien njerëzore shqiptare, të qarkëzuar prej theqafjeve të pafundme, e bëjnë të fuqishme artistikisht. Pra, “mëkati” pa një grimë mëkatimi, i vargjeve të poemthit “Metamorphosis”, një satirë e mprehtë dhe përplot polemika, një klithmë e mëdyshjes hamletiane të shkrimtarit, në fakt realisht shenjon gjurmë shprehësie letrare e jo “njolla” biografike të sajuara për ta përzënë nga panteoni i letrave shqipe.

1. Fishta, Gjergj: “Arnzat e Parnasit”, Sh. B. “Rilindja”, Prishtinë 1990.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behar Gjoka, Dilema hamletiane e Fishtes

THE ALBANIAN BESA AND A SHORT HISTORY OF JUDAISM IN ALBANIA

August 10, 2013 by dgreca

By Mal BERISHA*/

It is a great honour and a privilege for me today to be here and speak about a remarkable story of longstanding relations between the Albanian Nation and the Jewish Community in my country, Albania. This relationship is a case study, not only because every life of the Albanian Jews was saved in Albania, during the time of Holocaust but also because the number of Jews, who were fleeing Europe, sheltered and saved in Albania, was doubled and tripled during the W.W.II.

The history of Albanian – Hebrew relations goes back at the time of Romans and continues to be strong, peaceful, and excellent in the course of centuries. There is no pogrom, crime, offense, persecution whatsoever, performed by Albanians as a native population in their country against the Jews in more than two thousand years since the first Jewish settlement is recorded in the country. There are signs of Jewish presence in Albania, such as a Basilica of 5th century BC in the south-western city of the country, Saranda, a large archaeological excavated area of one of the biggest synagogues of the Balkan region. There are some very well-known Jews who have been related to Albania such as Sabatai Zvi, a famous traveller Nathans of Gaza, Albert Einstein, Herman Bernstein, etc.

In 1930 the United States assigned an Ambassador in Albania named Herman Bernstein – who was a Jew. Born in Lithuania, he had covered the Soviet Revolution for the New York Times. He took a serious interest on the Jewish History in Albania. Among things that he learned and discovered there was the Life of the Messiah False, Sabattai Zvi. In the Middle of the 17th century a soothsayer born in Izmir, Turkey known as Sabbatai Zvi proclaimed he was the Messiah and convinced thousands of Jews to sell their belongings and go with him to the Promised Land. His story goes on and on but finally he perished in Albania, interned by the sultan where he established a very liberal Muslim – Jewish sect named Bektashi which is still in existence in that country. He died in 1673 as the most famous non-Albanian Jew in Albanian’s history.

There are many newspapers that have published articles about a possibility that Albert Einstein was provided with an Albanian Passport when he left Europe for the United States. It was said that he went to Albania, got the passport and the US Visa and after 3 days he travelled to the United States. There are many Albanians who have given testimony about this fact. However, no records were found about this interesting fact. It might have been concealed for security reasons of that time. This fact makes Albanians also very proud for what they have done.

It is estimated that in the beginning of 1930, Albania had about 1000 Jews located mainly in Vlora, Durresi, Tirana, Berat and Elbasani.  In 1945 this number was about 3000. The Jewish population increased in Albania three times while in Europe it was reduced in millions. In Greece for example, the majority of them were consigned to the Germans. Why did Albanians save everyone, contrary to what was happening all over Europe? This is what I would like to explain.

When the Nazi Germans started to persecute Jews in Europe, it was the Albanian King, Ahmet Zogu who instructed all his Consular Missions to grant a visa to every Jew, who, despite the fact that his or her passport had a sign “J” for “Jew” stamped on it, should be allowed to enter Albania for an indefinite period of stay. From 1937 to the end of the war a big number of Jews entered and were sheltered in Albania, staying there or making their way out to other safe countries.

Albania is the only country in Europe where no life of a Jew was lost, no Jew was handed over to the Nazis. They were all sheltered by Albanians simply who pursued BESA, their Code of Honour. There was no government in place, to force them to do that, but they did it and they did not offer asylum to persecuted Jews  for monetary  gains either..

There are 69 Albanians remembered in the Row of the Righteous at Yad Vashem in Jerusalem.. To better understand why that miraculous behaviour was performed by Albanians it is necessary to explain the most, special, rare, righteous tradition of Albanians which stands above any other moral value and is named  BESA.. It is  the fundamental part of the Kanun. The Kanun is a very old code among the Albanian society. According to this Code/Kanun  explains: “The house of an Albanian belongs to God and to the guest” Every hour of the day and night, a man must be ready to receive a guest with bread, salt, and an open heart. He must offer him a bed, a pillow and a worm hearth. To the delight of the Jewish refugees seeking shelter among Albanians – many of whom were Muslims – from the Nazi killing machine “Guest” meant guests in the country as well guest in the house. Everyone can see himself as a good man when he is addressed as a man of honour.” A man must defend his guest’s honour even if he endangers his own life in doing so.”

A few case studies should suffice to show how the strong influence of BESA  made Albanians  offer shelter  between 1930 and 1945 to  many Jewish Refugees  that tried to survive the Nazi persecution. BESA  influenced  Albanians of the different religions with a majority of Muslims to provide  secret shelters for a large number of  Jewish Refugees  between 1930 and 1945.

Moshe Mandili and his 7 member family were among 120 Jews who travelled from Belgrade to Albania during the Italian occupation that started in 1938. They stayed in Tirana at the Refik Veseli’s Family while Italians were there. Later on, in 1943, Albania was occupied by Germans. Refik Veseli took them to his parent’s house in a village. There, they stayed one year. When they felt that Germans were coming to chase them, they were taken to a cave and saved. This host family took all the risks.

Sulo Mecaj was a farmer in Kruja and lived with his wife and son in a small house he built with his father. In 1943 he opened his house to ten Jews, members of the Battino family. When Sulo received a message that the Germans were going to his house looking for Jews, he told the Jews that when he gives a signal, they should go to the space that he had prepared for them in the attic. Panic surfaced and Sulo tried to reassure the Jews that it was unlikely they would be discovered. One Jew asked, what would happen if the Germans will set the house on fire. To reassure them, Sulo asked his only son to go to the attic with them and suffer their fate if the house is set on fire. Sulo had no choice. It was a matter of honour.

In 1943, the Germans asked the Albanian authorities to summon the Jewish Leaders to present a list of Jews living in Albania. That was the first step to collect them and transfer them to concentration camps. At that time Albania was ruled by Albanians who were forced to comply with the German orders. However, when the Albanian Quisling government signed the initial agreement with the German invaders they included  the following provision:  “The Germans have no rights to intervene into internal affairs of Albania”. Rafael Jakoel an Albanian Jew was summoned to turn up at the Minister of the Interior Xhaferr Deva who served the Germans. In spite of this he was first of all an Albanian. Rafael was very scared expecting he would be asked to provide a list of the Jews that were sheltered. To his pleasant surprise the Minister told him that he had called him only to

me: Please, handcuff me! Here! Here I am! I cannot, no, I cannotThe Minister was shocked and asked him Why are you doing this? You are not summoned to be arrested here! Yes, Rafael said, but I would rather get handcuffed and executed, than report my compatriots. The Minister pointed out:” No, you don’t have to do this. I summoned you to say, please tell your people to keep a low profile. We have an agreement with the Germans not to intervene to our internal affairs. The Jewish issue in this country is an internal issue. So go, be careful and stay safe! We will never hand over our Jews, neither those who were always here, nor those who took shelter in recent years.

Albanians have a rich and sometimes tragic history. But in their long history of relations with neighbours, invaders, guests, sojourners, minorities, people in need, the story how they saved 100 per cent of Jews during the time of Holocaust is like a jewel in their  crown.

Finally I want to quote the memories of  one of the Jewish survivor, Irene Grubman:

““Farewell, Albania, I thought. You have given me so much hospitality, refuge, friends and adventure. Farewell, Albania. One day I will tell the world how brave, fearless, strong, and faithful your sons are; how death and the devil can’t frighten them. If necessary, I’ll tell how they protected a refugee and wouldn’t allow her to be harmed even if it meant losing their lives. The gates of your small country remain open, Albania. Your authorities closed their eyes, when necessary to give poor, persecuted people another chance to survive the most horrible of all wars. Albania, we survived the siege because of your humanity. We thank you”.

This is why I wanted to share with you this wonderful story on this Memorial Day of the  Holocaust.

* On the HOLOCAUST MEMORIAL DAY 2013

SUNDAY, 20 JANUARY 2013

Speech presented by the London Albanian Ambassador

Filed Under: Histori Tagged With: and a short History, Mal Berisha, of Judaism in Albania, The Albanian Besa

Herman D. Berstein, ambasadori filoshqiptar, që shërbeu si urë lidhëse mes SHBA-së e Shqipërisë

August 10, 2013 by dgreca

Nga Prof. dr. URAN ASLLANI/

Duke filluar nga 28 korriku 1922, kur për herë të parë filluan marrëdhëniet diplomatike midis SHBA-së dhe Shqipërisë, me Maxwell Blackun, në ofiqin e komisarit, më pas me ministrat fuqiplotë Grant Smithin, po brenda atij viti, duke vazhduar më tej me Charles C. Hart, Herman Bernstein, Post Wheeler dhe së fundi me Hugh Gladney Grant, më filoshqiptari ka rezultuar të ishte Herman David Bernstein.Në almanakun e diplomatëve amerikanë për Herman D. Bernstein shkruhet: shkrimtar izraelit amerikan, korrespondent dhe reporter amerikan, editor gazetash amerikane dhe angleze, diplomat amerikan, ministër fuqiplotë në Shqipëri, përkthyes nga rusishtja.Diplomati amerikan me prejardhje izraelite nga Rusia kishte lindur në fshatin kolonësh gjermanë Neustadt Scherwindt (Vladislavor) të Donit, më 21 shtator 1876. Në vitin 1893, në moshën 17-vjeçare emigroi në SHBA, tek i ungji, që ishte një botues i njohur gazetash.Pas mbarimit të studimeve në SHBA, në vitin 1900 bëhet gazetar dhe bashkëpunoi me disa gazeta amerikane të kohës, si “The New York Evening Post”, “The Nation”, “The Indipendence” dhe “Ainslee’s Magazine”. Nga viti 1908 e deri në vitin 1912 ai ishte gazetar i “New York Times”, por personalisht ai themeloi dhe botoi edhe gazetat dhe revistat “New London Day”, “The Jewish Tribune”, “Jewish Daily Bulletin”.Me fillimin e Luftës I Botërore, në vitin 1915 vjen ne Evrope, si korrespondent i gazetës “New York Herald”, për të vrojtuar dhe raportuar mbi gjendjen e çifuteve në zonat e luftimeve.Në vitin 1917 botoi korrespondencën e Carit rus me Kaiser Wilhemin, në formë telegramesh të shumta, në rubrikën “Willy Nicky” e “Celebrities of our Time”, që më vonë i boton si libër me parathënien e ish-presidentit Theodhor Roosevelt. Në vitin 1921 botoi librat “History of a Lie”dhe “The Protocols of the Elders of Zion”. H. Bernstein njihet edhe si nga përkthyesit më të njohur të Cehovit, Tolstoit, Andrejevit dhe Gorkit. Njëkohësisht ai entuziazmohet nga veprimet e bolshevikëve, të cilët, fillimisht, kishin udhëheqës politike e shtetërore izraelite, ishin kundër pogromeve e të tjera persekutimesh. Me këtë bindje merr pjesë në fushatën prosovjetike në shtypin amerikan. Në vitet 1919-1920, si gazetar merr pjesë në stafin e Presidentit W. Wilson, në Konferencën e Paqes në Paris, ku në miqësi të ngushtë me filoshqiptarët e njohur si kolonelin, këshilltar i Presidentit Charles House, senatorin Walter Evans Edge, diplomatët Charles R. Crane, Fred Williams, profesorët Paul Monroe, dr. Telford Ericksonin diplomati Herman Bernstein vepron si një shqiptar i vërtetë.Herman Berstein ka shërbyer si ministër fuqiplotë SHBA në Tiranë, nga 11 marsi i vitit 1930 deri në 15 shtator 1933. Duke njohur qëndrimin proshqiptar të këtij diplomati pritja që i është bërë tij ka qenë e veçantë.Bashkangjitur me artikullin po botojmë një fotografi origjinale e marsit 1930. Në atë foto gjenden të vendosur nëpër shkallët e Legatës, gjithë personeli amerikan dhe shqiptar i përfaqësisë diplomatike, duke filluar nga ministri H. Bernstein, bashkëshortja Evelinë, sekretari Holmes, shqiptarët Loni Adhami, bashkëshortja e tij Melpomeni e tij. Në këtë foto janë pothuaj të gjithë personalitetet shqiptare të kohës, duke filluar nga ministrat shqiptarë Rauf Fico, Xhafer Ypi, Xhafer Vila, Hiqmet Delvina, Dhimitër Berati, Fuad Asllani etj.Gjatë kohës së shërbimit në Tiranë, ai u përpoq dhe arriti të tërhiqte interesin e gazetarëve dhe shkencëtarëve amerikanë. Këta si turistë vizituan Shqipërinë, madje disa prej tyre edhe dy-tre herë dhe me mbresat më të mira shkruajnë një seri artikujsh shumë dobiprurës. Të tillë ishin dr. David Fairchild, botanist dhe funksionar i Departamentit të Bujqësisë, që në fund të qershorit të vitit 1930, së bashku me miq të tij vizitojnë Shqipërinë mbështesin dhe shtojnë rekomandime të dobishme për zhvillimin e bujqësisë, arsimit bujqësor dhe fshatit shqiptar.Po në atë periudhë vijnë në Shqipëri, të ftuar nga H. Berstein edhe personalitete shtetërore, si nënsekretari i shtetit për financat, Ogden J. Mills së bashku me një grup specialistësh financiarë. Edhe ky grup dha këshilla të vlefshme ekonomike-financiare për shtetin shqiptar.Për ta bërë edhe më interesante Shqipërinë dhe traditat e saj, ministri amerikan solli në Shqipëri, në korrik 1930, edhe muzikologen dhe kompozitoren e njohur amerikane, mis Stela Cushing. Kjo e fundit mblodhi dhe koleksionoi shumë këngë, rapsodi dhe balada popullore. Njëkohësisht me mis Cushingun, shkrimtaret e publicistët e njohura amerikane May Mott dhe Ethel Watts vizituan çdo skutë të Shqipërisë Veriore dhe të asaj jugore edhe kur u kthyen në SHBA botuan një seri artikujsh dhe reportazhesh në gazetat e Bostonit.Disa muaj me vonë, H. Berstein solli në Shqipëri edhe gazetarët Floyd Gibbons dhe William McNutt të gazetave të Çikagos dhe Bostonit. Veprimtaria e Bersteinit në Shqipëri është komplekse, por pjesa më e rëndësishme, më kuptimplotë e saj është ajo që lidhet me kontributin e tij, themelor, për ngritjen dhe fillimin e punës të Institutit Amerikano-Shqiptar Bujqësor të Kavajës.Përpjekjet e mikut të madh të shqiptarëve dr. Telford Eriksonit për të hapur dhe mbarëvajtur një shkollë vajzash dhe djemsh në Kavajë arritën që ta realizonin vetëm për tri vite pune. Ndërprerja e veprimtarisë së saj u shkaktua nga mungesa e fondeve amerikane të Bostonit dhe nga pamundësia e mbështetjes financiare shtetërore.Në vazhdim të kësaj veprimtarie u tentua të ngrihej një institucion arsimor nga S. Irwingu, por edhe ky projekt u neglizhua për shkak të Krizës Ekonomike Botërore. Ndaj për shkak të nevojës së madhe për një arsimim bujqësor të rinisë shqiptare në këtë nismë u angazhua edhe vetë ministri fuqiplotë Herman Bernstein. Ai kërkoi ndihmën e një shoqate mirëbërëse amerikane, që kishte emrin Fondacioni i Lindjes së Afërme (The Near East Foundation), që gjatë 14 viteve kishte kryer veprimtari mirëbërëse në Siri, Palestinë, Egjipt, Turqi dhe në Armeni, duke mbajtur financiarisht 17 kolegje arsimore, kryesisht në fushën e bujqësisë. Fondacioni i Lindjes se Afërme, qysh në vitin 1927, ishin të mirinformuara për nevojat emergjente të popullit shqiptar, nga një studim që kishte kryer specialist i bujqësisë dr. Luther C. Fray.Më 1shtator 1930, vijnë në Shqipëri dr. James L. Barton, nënpresidenti NEF, shoqëruar nga dr. Barclay Acheson dhe më 2 shtator takojnë Kryeministrin Pandeli Evangjelin, së bashku me ta ishte ta ishin H. Bernstein, dr. Archer dhe sekretari i Legates, mr. Holmes. Bisedimet përfunduan me sukses. Një ditë më vonë, më datën 3 shtator në qeveri miratohet projekti i posaçëm i Institutit Shqiptaro-Amerikan, ndërsa nga parlamenti miratimi do të bëhej disa ditë më vonë, më 15 shtator.Një rol të madh në gatishmërinë e fondacionit për të ngritur shkollën në Shqipëri ka lozur dr. James L. Barton ose siç njihej plaku i mirë. Tek ndihma e tij u mbështet ministri amerikan, dr. J. Barton kishte qenë lidhur me problemet shqiptare qysh në vitin 1914, kur si mik i G. Fred Willamsit kishte themeluar organizatën filantropike “Albanian Relief Society”, me qëllimin e vetëm grumbullimin e ndihmave për muhaxhirët e Vlorës dhe dërgimin e tyre me një vapor në Shqipëri.Më 18 tetor 1930, përurohet fillimi i ndërtimit të Shkollës së Vajzave ku do të mësonin deri 100 vajza, ndërsa disa ditë më vonë, më 29 tetor, përurohet edhe ndërtimi i Shkollës Bujqësore Amerikane, për 100 djem. Me atë rast lexohet mesazhi i Mbretit Zog dhe mbahen fjalime nga James Barton, Hilë Mosi dhe H. Berstein;Për ndërtimin e këtyre shkollave u investuan 50000 dollarë, nga të cilat qeveria shqiptare pagoi 33%, ndërsa pjesa tjetër u përballua nga Near East Foundation si edhe nga grupi filantrop dr. Harold Marshall. Ndërkohë që ndërtimet në Kavajë vazhdonin, edhe procesi mësimor si edhe praktikat mësimore nuk u ndërprenë asnjëherë, Herman Berstein vazhdonte veprimtarinë njohëse dhe vlerësuese të gjendjes së Shqipërisë dhe qyteteve të saj. Ai filloi vizitat në qytetet kryesore shqiptare. Më 10 gusht 1931 i shoqëruar nga Mehmed Konica, vizitoi Korçën, ku mbeti shumë i kënaqur për arritjet e qytetit në arsim, kulturë dhe atdhetarizmin që kishin shfaqur. Këto kënaqësi i shprehu me telegramin e falënderimit dërguar prefektit Abedin Nepravishta. Aty nga fundi i gushtit dhe gjatë shtatorit ai vizitoi edhe Shkodrën, Vlorën e deri në Gjirokastër, duke u mahnitur me mikpritjen shqiptare dhe me natyrën e mrekullueshme të Shqipërisë.Në 12 shtator të vitit 1931, gazeta frënge “Le Temps” njoftonte se Herman Bernstein ishte zgjedhur një nga të tetë anëtarët e Akademisë Ndërkombëtare Diplomatike, përkrah Kryeministrit indian Khan Bahaduri, ministrave fuqiplotë gjermanë Von Wesendonk dhe Renwer, belgut Jansen, marokenit Ben Chabrit etj.Më 22 shkurt 1932, u mbush 200-vjetorin i lindjes së George Washingtonit dhe me këtë rast Legata Amerikane bëri një pritje, ku morën pjesë personalitetet shqiptare, po ashtu edhe përfaqësitë diplomatike evropiane. Me atë rast Eqerem Libohova lexoi telegramin e urimit të dërguar nga Mbreti Zog, Presidentit amerikan Hoover. Pas tij Herman Bernstein mbajti një fjalim të cilin po e citojmë më poshtë, me disa shkurtime:

“Sot populli amerikan feston 200-vjetorin e lindjes se George Washingtonit. Emri dhe vepra e tij e pavdekshme nderohen në shumë shtete jo vetëm në SHBA, por edhe prej të tjerësh, të cilët e dinë dhe e çmojnë punën e kryemjeshtrit të indipendencës s’Amerikës.Ne nuk e adhurojmë Washingtonin si një i shenjtë pa të meta njerëzore, as nuk e lavdërojmë vetëm si një hero viktorios në fushën e tij militare, sepse megjithëqë ai kishte një ushtri të vogël dhe të organizuar keq, që i mungonin ushqimet, municionet dhe uniformat, ai shpesh kthente humbjet e tija militare në fitore të përfundshme……… Besonte fort në fuqinë e së drejtës. E kontrollonte mjeshtërinë e udhëheqjes pa u diktuar. E drejta e çështjes së popullit dhe drejtësia e hidhërimeve të tij i kishin hyrë në shpirt……. Dhe kur ngadhënjimi i independencës kombëtare u realizua, vetëm prej mendshmërisë se madhe të tij. Dhe atëherë kur periudha e ndërtimit të lirisë së porsalindur kish mbaruar dhe Washingtoni u zgjodh i pari President i Shteteve të Bashkuara, bashkëpunoi me shokët e tij dhe bashkë me ta të ndërtonte urtësisht dhe ndërgjegjësisht godinën që i thonë Amerikë…

…Ishin kohëra kur Washingtoni u vu nën një mësymje politike të pajustifikuara dhe mizore, ashtu si u vunë Presidentit Linkoln, ashtu sikurse tani Presidenti Hoover… Dinjiteti i tij dhe ndjenja e përgjegjësisë në ofiq të lartë, besnikëria e tij dhe kuptimi i nevojave të popullit dhe shpresave të kombit, dija e tij profetike në të trajtuarit të politikes së Amerikës në marrëdhëniet e saj me kombet e tjera, të gjitha këto e përshenjtëruan Washingtonin në zemrat e popullit amerikan për gjithmonë….

…Është privilegji im që këtu në Shqipëri te celebroj këtë rast historik, populli i së cilës ka vuajtur dhe është munduar aq shumë përpara se të fitonte independencën e tij dhe heroi kombëtar i të cilëve, Skënderbeu, ishte një personalitet nga më të mëdhenjtë e botës, si prijës burrash ashtu si edhe kampion i independencës së popullit të tij.Shumë shqiptarë, të cilët emigruan në SHBA, janë bërë pjesë dhe ngastër e Amerikës, por ata e kane mbajtur dashurinë e tyre të thellë për vendin e tyre të lindjes dhe kanë ndihmuar si moralisht, po ashtu edhe materialisht për të mbrojtur dhe përparuar independencën e Shqipërisë. Ka një lidhje të fortë miqësie midis kombeve tona. Në shumë e shumë raste kam dëgjuar gjithkund nga qarqe të ndryshme të Shqipërisë shfaqjet e kthjellëta të falënderimit dhe të mirënjohjes së thellë të popullit shqiptar ndaj SHBA-së për shërbimet e saj për çështjet e independencës dhe ruajtjes territoriale të Shqipërisë.Për të përkujtuar këtë 200-vjetor të ditëlindjes të G. Washingtonit kam nderin, që këtu në tokën e Legatës Amerikane, këtu në Shqipëri, të mbjell farat e drurëve të mbjellë nga G. Washingtoni në kopshtin e tij, në Mount Vernon”. Në 5 prill 1932 Mbreti Zog priti në audiencë ministrin fuqiplotë Herman D. Berstein, si edhe Barclay Acheson; Harold B. Allée; Laird Archer Scarsdale; Joseph Beach Bangor, të cilët i falënderoi përzemërsisht.Në fund të prillit 1932, H. Bernsteini shkoi në SHBA, ku qëndroi rreth një muaj, ndërkohë që atë e zëvendësoi si Charge d’afaire, sekretari Charles A. Bay. Gjatë vizitës së tij në SHBA ai i bëri shërbime të mëdha Shqipërisë. Mbi të gjitha më i rëndësishmi ishte takimi i tij me Presidentin Taft, të cilin e informoi për punët dhe problemet e Shqipërisë, duke nxjerrë në pah se përpjekjet e qeverisë dhe popullit shqiptar dalëngadalë po jepnin frutet e tyre. Në bankete të ndryshme të shtruara për nder te tij, duke filluar nga ai Faik Konicës e të tjerë të shtruara nga miqtë e shqiptarëve, ai pati mundësinë që përveç miqve të njohur e të vjetër të Shqipërisë, bisedoi dhe bëri një prezantim dinjitoz të Shqipërisë dhe shqiptarëve miqve të rinj, siç ishin koloneli House, ish-ambasadorët Henry Morgenthau, Norman Hodgood, Frank Polk, gjykatësit Johan Goldstein, Shotwell etj.Më 22 qershor 1932 bëhet përurimi i ndërtesës se djemve, ku morën pjesë përveç amerikanëve të Shkollës Bujqësore e të fondacionit, edhe ministri i Arsimit Hilë Mosi, si edhe ministri fuqiplotë amerikan, H. Berstein.I pari e mori fjalën ministri i Arsimit Hilë Mosi, i cili lëvdoi nismën shumë të dobishme të shoqërisë amerikane NEF për përkrahjen që ajo i jepte zhvillimit të arsimit ne Shqipëri. Pastaj, ministri amerikan mbajti një fjalim përshëndetës, i cili në fillim lexoi mesazhin që kishte marrë nga Mbreti Zog dhe i dorëzoi shkollës flamurin kombëtar prej mëndafshi, dhuratë të tij.Më tej, vijoi duke e quajtur privilegj pjesëmarrjen në ceremoni dhe e ndiente veten të lumtur që merrte pjesë në atë ngjarje. Më tej, ai foli shkurt për rëndësinë e veçantë të përmbajtjes mësimore praktike të shkollës.E mbylli përshëndetjen, duke theksuar interesimin e amerikanëve për të ndihmuar.Sipas traditës amerikane, në themele u vu një arkë me zhavorr dhe përmbi të një kuti bakri ku u vendosën dokumentet kryesore të ngritjes së institucionit.Bashkangjitur po botojmë një fotografi, të nxjerrë me këtë rast, ku janë (nga e majta në të djathtë) Ralph Harold Allen, drejtor i arsimimit NEF; Laird Archer Scarsdale, nëndrejtor NEF; Sander Saraçi, ministër i Botores; Reshad Asllani, nëndrejtor i shkollës; Herman Bernstein, ministri fuqiplotë amerikan; Barcelay Acheson, sekretar NEF; zonja Bernstein, Joseph W. Beach, drejtori i përgjithshëm dhe Mehdi Frashëri, kryetari i Këshillit të Shtetit.Gjate periudhës kësaj periudhe u lidhën dhe u ratifikuan dy traktate dypalëshe, të cilat edhe sot e kësaj dite janë në fuqi. Ata ishin traktati “Mbi natyralizimin e qytetarëve” si edhe ai i “Ekstradimit”. Herman Bernstein u largua nga Shqipëria në 15 shtator 1933, por para largimit të tij, Mbreti Zog e dekoroi ministrin amerikan me dekoratën më të lartë shqiptare, “Kumandar i Urdhrit të Skënderbeut”. Dy vitet e fundit ai i kaloi i sëmurë dhe në 17 korrik të vitit 1935, vdiq në moshën 59-vjeçare.

 

Filed Under: Histori Tagged With: ambasadori filoshqiptar, bersntein, me SHBA dhe Shqiperise, Uran Asllani, urelidhese

Kush ishin emigrantët shqiptarë që erdhën në vitin 1960 në SHBA ?

August 10, 2013 by dgreca

Kontributi i Komitetit Shqipëria e Lirë për mërgimin e shqiptarëve nga nga Greqia, Italia, Austria, Gjermania e Franca në Amerikë/

Nga Dalip GRECA/

Komiteti Shqipëria e Lirë dha një kontribut të jashtzakonshëm për mërgimin e shqiptarëve që për arsye të shkeljes të drejtave njerëzore në vendlindje merrnin rrugët e mërgimit. Pjesa më e madhe e tyre kishin mbetur nëpër kampet e Evropës. Komiteti jo vetëm që ndermjetësonte për t’i pajisur ata me dokumente, jo vetëm që lëshonte garanci, por ai interesohej që komuniteti shqiptar i këtushëm të kontribuonte për sistemimin e tyre. Kështu në muajët tetor, nëntor dhe dhjetor 1960 erdhën shumë mërgimatrë me familjet e tyre. Dy ardhje masive mbërritën në New York  nga Italia dhe Greqia në datat 15 dhe 17 dhjetor 1960. Komiteti konstatonte se thirrjen e tij drejtuar komunitetin shqiptar n nga Greqia, Italia, Australia, Gjermania e Franca Nju Jork për t’i pritur vëllezërit që vinin nga trojet amtare, e kishin pritur mirë dhe të ardhurit ishin sistemuar në kohë. Gazeta Shqiptari i Lirë i 31 dhjetorit 1960 shkruante:” Kur lajmi i arritjes të dy prurjeve me refugjatë shqiptarë u dha në koloninë shqiptare të New Yorkut , vëllezërit emigrante hapën zemrën e tyre dhe të gjithë vrapuan të japin përkrahjet e nevojshme. Brenda pak orëve të gjithë emigrantët e rinj gjetën strehim dhe iu plotësuan të gjitha nevojat e domosdoshme. U sistemuan aq shpejt sa që na bënë të gjithëve kryelartë për këtë punë patriotike dhe nejrëzore. Mënyra e veprimit dhe ndihmat që u janë dhënë refugjatëve shqiptarë të ardhur së fundi na shtojnë më shumë vullnetin për të sjellë këtu sa më shumë vëllezër dhe motra nga kampet e Evropës, ku kanë qëndruar me vjete me radhë në pritje për emigrim këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vëllëzërve dhe motrave që janë në pritje e sipër për emigrim për këtu u themi pa frikë se në Amerikë do të gjejnë përkrahjen e merituar nga të gjithë emigrantët shqiptarë që kanë patur fatim e mirë të gjenden këtu me kohë.

Shqiptari i Lirë njoftonte se grupe të tjera po pajiseshin me dokumente dhe po bëheshin gati për të emigruar nga kampet në Greqi, Austri, Itali dhe Gjermani e Francë. Ndërkohë Komiteti Shqipëria e Lirë ishte duke marrë kërkesa të shumta për mbushje garancirash për refugjatët shqiptarë që përfitonin nga ligji i ri i emigrimit.Për të patur një ide më të qartë mbi numrin e shqiptarëve refugjatë të cilëve Komiteti Shqipëria e Lirë u kishte mbushur garancitë, po paraqesim listën e emigrantëve shqiptarë që patën mbërritur gjatë muajit nëntor dhe dhjetor 1960 si dhe listën e atyre që priteshin të vininb pasi u ishin plotësuar dokumentet nga ai Komitet.

Refugjatët shqiptarë që arritën në New York gjatë muajit Nëntor-Dhjetor 1960:

 

1-Kolë Kalaj dhe kushëriri i tij po me atë emër.

2-Ndoc Kapaj me zonjën e tij dhe dy fëmijët.

3-Josif Kajtazi me zonjën dhe dy djemtë.

4-Jaup Xhezaj

5-Hasbi Dikolli

6-Preng Cupi

6- Zef Deda

7-Hilmi Dashja

8-Gjon Dushovic

9-Isa Ramaj

10-Sadik Sakajani

11-Mark Deckaj

12-Osman Malushi

13-Selim Molla

14-Bektash Cacani

15-Islam Enver

16-Xhezair Kilafofski

17-Naxhi Ogreni

18-Nazmi Hyseni

19-Ahmet Xhafo(te plote lexoje ne Diellin e printuar)

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, emigrantet shqiptare, ne vitin 1960, qe erdhen ne Amerike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT