• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DILEMA HAMLETIANE E FISHTËS

August 10, 2013 by dgreca

NGA BEHAR GJOKA/

Poezia “METAMORPHOSIS” gjendet tek vëllimi poetik “Arnzat e Parnasit”, njërit prej librave nga më cilësorët të Fishtës qoftë për frymën e përcjellë, qoftë për shkathtësinë e mjeteve shprehëse. Ajo, poezi ka gjithsej 268 vargje, pra duke e kapërcyer pragun e një poezie të shkurtër, ku pulsojnë ndjesitë zemërake të kundërshtimit të realitetit mjeran, jo vetëm të vitit 1907, që i përket kohës shkrimore. Më tepër të rrudhjes dhe ndrydhjes së karakterit, të përshtatjes nënshtruese, të mbytjes së identitetit, deri në shndërrim total, të prishjes së natyrës së shqiptarit, ku shpalohet mllefi dhe zhgënjimi, toni dhe gjuha sarkastike, për t’i vënë barriera frenuese këtij mjedisi, që rrëshqet drejt rrokopujës. Duke u skeletuar kështu si një poemth sarkazëm, që ta ndërmend kohën, por që ndërkomunikon edhe me këndej kohën…

GJURMË TË UNIT POETIK

Frymëmarrja e vargjeve të kësaj poezie, ashtu si edhe ato të “Lahutës” apo te “Gomari i Babatasit” etj, ruan dhe shpërfaq tiparet e poetikës fishtiane: komunikimin e drejtpërdrejtë, bisedën e hapur, kur prek nër plagët tjetërsuese të botës shqiptare, si dhe gërshetimi i poezisë me retorikën. Pra, poezia “Metamorphosis” edhe njëherë formaton artin ku poeti shkrihet me bariun shpirtëror, çka në këtë rast ravizon një përmasë specifike të unit poetik:

– të lirikës së kulmeve dëshpërimore,

– të lirikës së zemëratës së fundme,

– të lirikës së shpresave të fikuna, që djegin dhe përvëlojnë.

Tonaliteti mbizotërues sarkastik i një mallkimi sipranie, kur është mbushur kupa e durimit, i përthyerjeve të trefishuara të unit poetik, por megjithatë asgjëkundi doravet padre Gjergj Fishta, ndikojnë për të shpërndarë mjegullën rozë, endur me pe të zi mbi poetikën e bardhë fishtiane…

 

HERO LIRIK I SHUMËFISHUAR

 

Pavarësisht ndërkomunikimit konkret dhe disaplanor, që e bartin vargjet e kësaj poezie, përthyerja e heroit lirik, madje paraqitja e tij si shumësi, i japin lirikës zemërake temporitëm dhe shprehësi të mirëfilltë artistike.

Së pari: Hero i kundërvënies ndaj realitetit rretheqarkues, që dita ditës zhbëhet, shpërfytyrohet dhe rrudhet si ndërgjegje, që na prezanton poetin e njohur, me ndjenja të përndezura, që, vazhdueshëm rezbitet nër plagët e pyllishtës, ku noton përditshmërinë shqiptari.

Së dyti: Hero lirik që grish në ndihmë të vetë historinë, faktet e njohura dhe të pranuara si të tilla, si ndër vargjet:

“ Por n’dashtë : le të thohet

Se dredhoi Leka,

Veç kurr mos t’thohet,

Se ka mbet Leka. ”(1990: 27),

si një deklamim i hapur i cilësisë që mbart.

Së treti: Hero lirik i ngashënjyer për të rrëmuar dhe kërkuar edhe përtejhistorie, kur i thërret Orfeut, “poetit më të shquar që jetoi para Homerit” (1987: 182), formulim që e hasim tek “Fjalori Mitologjik”, që vjen si i tillë, posaçërisht:

“E ka me e gjetun

Ndo’i farë Orfeut

Qi lavdet-t’ua

T’i a kndojë dheut. ” (1990: 31),

që ta sjell ndërmend piskamën, që ia drejton vetë Homerit, në poezinë “Ditën e të Shuemvet”, tek libri “Mrizi i Zanave”, vëllimit poetik që gdhend portretin e lirikut të vibracioneve këndellëse poetike dhe të një vokabulari farfuritës, sidomos kur thosh:

“Qi për liri t’Shqypnis’u bane flie:

Namin e tyre për m’e kndue si duhet,

Omiri lypet, lypet Iliada!” (1999: 24),

si dhe pasthirrmat buçimtare, që Fishta ua përthekon, hera-herës, orëve dhe zanave tek “Lahuta”. Materia e përthyer në këto forma, përveç se dëshmon tipin e poezisë klasike, madje që ngandonjëherë të përkujton Ovidin dhe metamorfozat e tij, veçse këtu me një funksion dhe semantikë të përmbysur, shpërfaqin dimensionin moral dhe artistik të poetit moskokëçarës si shprehësi, veçmas si kod i përplotësimit, kundërshtues i realitetit të atëhershëm, por edhe më gjerë se kaq…

KONTRASTI NDJENJOR

Poezia “Metamorphosis” duke qenë një dëshmi e dhimbcave sipërore, për atë farë shkërbimi që ka ndodhur dhe do të ngjante pa shkëputje me bashkëkombasit, faktikisht shënon një staturë të re poetike, në sendërtimin me nota sarkastike, të realitetit belban dhe shurdhmemec. Në njëfarë kuptimi, më së shumti ajo është poezi e kontrastit ndjenjor. Vargjet nistore:

“Qe besa, or burra,

Nuk dij kah t’çajë,

Mbasi do t’thirret

Sod derri dajë…

Me armiq t’Shqypnis

Un’pa u frigue

Mjaft jam i mjeri

Kacagjelue.

Po e kam pasë thanun

Deri sivjet:

Lum aj qi shkrihet

Për atme t’vetë” (1990: 24),

të cilat vetëm sa parashtrojnë vorbullën ndjesore, përhumbjen shpirtërore ku ka ra tashmë poeti. Më së fundi, kjo moçalishte përthithëse e jetës dhe oksigjenit, mund të përballet, nëse është e mundur, me ballëvëniet totale. Ndërkohë që antivlerat gëzojnë qytetari dhe nderim, vesi shpërblehet për virtyt, amoraliteti shpërndan mandate morali, hapësira e dinjitetit njerëzor ngushtohet çmendurisht dhe zhytet, pa përvuajtje nëpër zgafellat e pluhurosura dhe gjithë të gënies. Pozicioni sfidant, aspak lakmues dhe famësjellës, përkundrazi si shkak për ta keqkuptuar dhe lançuar, i Fishtës, shpaluar gjithkund në krijimtarinë e tij letrare, tek poezia “Metamorphosis” ka më tepër gjasë, të posedojë tepri qytetarie dhe sakrifice autoriale, në emër të përndritjes dhe shpëtimit të shqiptarit prej dangave dhe përllomjes. Poeti rreket të shpëtojë sa të mundet nga llumhania, ndonëse, për hir të së vërtetës filtrit të zemërimit nuk i shpëton gjësend, për të mbërritur tek përmbyllja fundore:

“Njata qi zhaben

N’këtë jetë t’a rrasën

Kështu kanë me t’shkrue

Mbi vorr ty rrasën:

Ktu njaj fatbardhi

Asht t’ue pushue

Për Fe e për Atme

Qi pat jetue. ” (1990: 32),

ku poeti raporton logjikën e ftohtë, bash si akulli, si dhe vlimin zemrak kundërvënës, ka gjetur shesh prehjeje në përvojën e lashtë, si gjurmë e qytetërimit që aderojmë ta përqafim sa më parë…

RITMIKA E PESËRROKËSHIT

Ajo çfarë e veçon poezinë, mbase me të gjithë veprën autoriale, që përbën vatra ku gjëmon tetërrokëshi tradicional i poetikës së shqipes, është kadenca ritmike e përshpejtuar e vargjeve, që përftohet nga lëvrimi i vargut me pesë rrokje. Ky lloj vargu, promovuar nga N. Frashëri me “Fjalët e qiririt’, si dhe nga A. Z. Çajupi në poezinë “Shqipëtar”, natyrisht, tek ky i fundit, duke përthyer tetërrokëshin karakteristik në dy formante, përkatësisht, në një njësi me pesë rrokje dhe në një njësi tjetër me trerrokësh, çka u ka dhënë vargjeve ritmin e trumbetës së alarmit luftarak.

Kurse Fishta, ashtu si Naimi mbart vetëm vargun me pesë rrokje, sepse aspiron të japë shumëfishin e ndjesive. Natyra specifike e vargjeve:

– të ritmit të kulmimeve trazimsjellëse,

– të dendurisë dhe densitetit ndjenjor,

– të përplasjes kozmogonike të antitezave kundërshtuese,

ka bërë që ky krijim të funksionalizohet edhe si artthënie, madje nga më të fuqishmit e këtij poeti.

Ritmika e ndërrimit të kahjeve, e përmbysjes së ndjesive të zemëratës, e kontrapunkteve të unit poetik, përpos përftesës autoriale në vjeshërimin me pesërrokësh, gjithsesi vatër e poetikës së shqipes, si dhe e bashkëngjitur kjo cilësi edhe me aktin e përzgjedhjes së fjalës që tenton qenien njerëzore shqiptare, të qarkëzuar prej theqafjeve të pafundme, e bëjnë të fuqishme artistikisht. Pra, “mëkati” pa një grimë mëkatimi, i vargjeve të poemthit “Metamorphosis”, një satirë e mprehtë dhe përplot polemika, një klithmë e mëdyshjes hamletiane të shkrimtarit, në fakt realisht shenjon gjurmë shprehësie letrare e jo “njolla” biografike të sajuara për ta përzënë nga panteoni i letrave shqipe.

1. Fishta, Gjergj: “Arnzat e Parnasit”, Sh. B. “Rilindja”, Prishtinë 1990.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behar Gjoka, Dilema hamletiane e Fishtes

Artikujt e fundit

  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”
  • DEMOKRACIA E POLITIKA: PËRFUNDIMET E PAPARASHIKUESHME TË LUFTËS
  • DUKE MEDITUAR PËR CAMAJN, KOLIQIN, FISHTËN… 
  • Murana e Gjergj Kastriotit në Prizren
  • PSE SHQIPTARËT DUHET TA KUNDËRSHTOJNË “BALLKANIN E HAPUR”?
  • KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON
  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT