• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

Jo gjithmonë replikat e kundërreplikat janë kaq miqësore!

September 28, 2013 by dgreca

Zotit Reshat Kripa!/

Nga Pellumb KULLA/

Pasi lexova replikën tuaj, vazhdova të lexoja me shqetësim në pjesën e komentatorëve që pasonte shkrimin…

I dashur miku im, ne që marrim përsipër të dalim në publik duhet të bindemi të durojmë reagimet që janë pa përgjegjësi, që janë tërësisht pasionalë, të anshëm dhe kryesisht të pasjellshëm. E duke qenë në një gazetë që mundohet me shumë vështirësi të mos anojë nga e majta, natyrisht rrebeshi dhe fyerjet e lexuesve të saj ndaj teje, miku im, ishin më të shumta. Dhe ndjej një farë përgjegjësie sikur vijnë edhe ca për shkakun tim, ndaj trishtohem. Këto radhë desha t’i shkruaja edhe unë në mes komenteve, natyrisht me emrin tim të plotë, por m’u duk më me vend ta bëj edhe më publike duke shkruar normalisht, pasi unë radhitem ndër bashkëpuntorët e kësaj gazete gjë që e kam për nder, kur kemi parasysh një gazetë që ka edhe ajo një meritë shumë të madhe në fitoren e demokracisë shqiptare më 23 të qershorit.

Zoti Reshat! Në shkrimin tim të para ca ditëve, unë nuk kisha fërkime me letrën tuaj, dhe ju duhet ta dini fare mirë se ishin plot të tjerë që e mbushnin dhe e derdhnin kupën. Bile unë nga droja se më keqkuptoni ju, citova nga letra juaj një frazë të qytetëruar dhe jo ato pjesë ku mund të mos isha dakord me ju.

Nga ana tjetër stili bardhezi I perceptimit të botës nga bashkëkombasit tanë, shkrimin tim e kanë parë si një rreshtim të verbër pas Ramës dhe asnjëri nga komentuesit e shumtë që pasuan publikimin e tij, nuk u ndal tek fraza ime finale “e dua Ramën por kurrë sa e kam dashur Berishën në agimin e viteve ‘90” që është në fakt dhe thelbi i shkrimit tim dhe që tregon se njeriun e paprovuar në udhëheqje të vendit e urojmë dhe e duam se presim. Presim!

Dhe juve miku im i vuajtur, ju them që ne kemi nevojë që të mësohemi të duam udhën më shumë se udhëheqësat. Por, mjerisht në Shqipëri, Kosovë apo diasporë, ne po shohim të kundërtën. Kam parë dyqane që shesin filxhana me fytyrën e Sali Berishës, Enver Hoxhës, artistë që akoma bëjnë dhe këndojnë këngë për ta.

Sot mora vesh me kënaqësi, se këtu në Nju Jork ka ndodhur një ngjarje e madhe një kapërcim cilësor, që tash 20 vjet që jam unë këtej nuk pat ndodhur. Një përfaqësi e Vatrës ka bërë një takim me kryeministrin e ri Rama. Është një gjë që unë e përshëndes me gëzim të madh. Përgëzoj për këtë tërë kryesinë e Vatrës, por vecan kryetarin e saj aktual Dr. Gjon Bucaj I cili duket që ka thyer një tabu në një ambient ku parrulla e ditës tash 20 vjet ka qenë “I kemi dhënë besën Berishës!” një postulat anakronik që u ka tamam hije malësorëve të Alpeve me mustaqe dhe qostekë. Ata nuk e dijnë se ka shumë burra të zamanit që venë dorën mbi ungjill në një kishë të madhe ku u bekon martesat prifti, betohen për besnikëri të përjtëshme dhe pastaj nuk hezitojnë të divorcohen sapo e ndjejnë veten të tradhëtuar ndyraz.

Dhe tradhëtia e idealeve të shfajëson nga tërë besat dhe besnikëritë.

Kjo ngjarje e mirë do ta verë dhe mërgatën shqiptare në një rrugë me atë të kombeve të tjerë që nuk i ndjekin aq me zjarr fushatat në atdhe, e thuajse janë gati indiferentë se kush e merr pushtetin në atje. Në konventat e përvitshme të grekëve dhe italianëve psh vjen vazhdimisht i ftuar Presidenti amerikan, kurse shqiptarët jo vetëm nuk bëjnë dot një konventë si ato, por në festat e flamurit as kryetarët e Bashkive të qyteteve amerikanë nuk dijnë cilës ftese t’i përgjigjen, pasi po atë natë për flamurin me dy krerë, janë organizuar tri darka shqiptarësh në çdo qytet. Dhe kjo përçarje është “meritë” e Sigurimit enverian dhe e udhëheqësit që sapo u përmbys.

Por përpara gjestit të Vatrës, unë më duhet të evidencoj veprën e madhe të shqiptarëve të 23 qershorit, edhe ky një kapërcim cilësor në jetën e të persekutuarve shqiptarë: refuzimin e votës për Berishën! Këtë fakt nuk e përmend njeri (që nuk kanë përmendur as edhe një shkak tjetër, veç gjoja arrogances së ministrave Jo të Kryes, port ë ministrave!!!). Humbja e kësaj mbështetje të të gjymtuarve të Enverit, jam i sigurtë që ishte një shkak madhor. Dhe kur them këtë mos mbështetje nuk llogaris e mbështetën apo jo Sali Berishën  kryesitë e shoqatave të të përndjekurve demokratë, të të përndjekurve legalistë, apo të përndjekurve socilademokratë e demokristianë.

Megjithëse i shfajësuar disi nga largësia dhe mungesa e informacionit, ju kërkoj ndjesë dhe ju përgëzoj për ato që citoni në replikën tuaj. Vetëm vepra juaj teatrale që më dërguat dhe që më pëlqeu pa masë, më siguron se në shumë gjëra ne të dy jemi në sintoni të plotë. (Dhe ju premtoj se çka është në dorën time, unë do të ndikoj fort që ajo të realizohet në skenë). Shkaku pse nuk u ngjit në skenë deri tani, se mos dogëndiste ndonjë të madh nuk qëndron më pas 23 qershorit!). Pra mua më pëlqen sintonia me ju.

Avantazhi im mbase është edhe për faktin që unë kam luksin dhe shpengimet që të jem më i patërthortë se sa jeni ju, që duhet të ruani ca ekuilibra politikë. Nxitoj të them që kam informacion qind për qind të sigurtë që këstin e dytë nuk e kanë marrë të gjithë, në kundërshtim me atë që konfirmoni ju. Nxitoj gjithashtu të nënvizoj, se nuk mund të mos trishtohem kur për grevën e urisë që përfundoi me djegje bashkëvuajtësish të dëgjoj “qëllimet e organizatorëve” që janë shprehje tipike berishiane. Ca ish të burgosur përdorin edhe shprehje më të sofistikuara, deri dhe qesharake për demostratën dhe përgjakjen e 21 janarit ’11, kur venë shënjat e barazimit mes revoltës dhe shtypjes, dhe thonë “mirë mirë, po kush i shpuri demostruesit para grykave të zjarrit?!” Sikur ato gryka nxjerrin zjarr tërë kohën! Kurkush nuk ish njoftuar se që nga dritaret kryeministria grykat e armëve lëshojnë zjarr të pandërprerë, se po të dihej kjo, që do vriteshin e plagoseshin njerëz, demostrata as do të bëhej hiç. Por nga dritaret e godinës së qeverisë nuk villet zjarr, as pas atyre  vrasjeve. Unë vetë në këta dy vjet, kam kaluar sypatrembur disa herë para kryeministrisë, por asnjëherë nuk e kam ulur kokën që të mos më kosisin breshëritë e grykave permanente të zjarrit! Bile kam patur rast që kam provokuar paturpësisht edhe më shumë: kam kaluar me duar në xhepa!..)  Pra, i dashur miku im, vetvetiu nuk më pëlqen, që në letrat e të përndjekurve nuk pashë të zihet në gojë hetimi i plotë, as i Gërdecit dhe as i 21 janarit, për të mos thënë thyerjet e embargos dhe zinxhirin e mëkateve që unë i shoh dhe ata nuk i shohin.

Në mbyllje të shkrimit unë nuk mund të mos nënvizoj pas eventit të 23 qershorit edhe shkrimin tuaj fisnik edhe takimin e kryetarit të Vatrës me kryeministrin e ri, në vizitën e parë në Nju Jork, që janë me një vlerë të madhe. Që të dyja këto ngjarje dëshmojnë dështimin politik të kreut demokratikas. Teorisë së shpifur berishiste “të ardhjes së bllokmenëve të rinj” nuk I merr më luga ujë!

I nderuari miku im Reshat Kripa, me respektin më të madh për figurën tuaj, ju uroj një pleqëri të bardhë, ju uroj një penë edhe më të mprehur për çështjet ende të pazgjidhura që më apelojnë t’ju bashkohem edhe unë, dhe në një farë mase kërkoj ndjesë për shqetësimin që ju kam sjellë dhe ju kam bërë të merakoseni më shumë seç duhet!

Filed Under: Featured Tagged With: kunderreplikat, Lellumb Kulla, reshat kripa

Një sqarim për mikun tim Pullumb Kulla

September 28, 2013 by dgreca

Nga Reshta KRIPA/

Po ju shkruaj me vonesë, pasi vetëm mbrëmë lexova në internet letrën e hapur që ju i drejtonit zotit Sali Berisha. Për këtë letër më njoftuan disa miq të mi që e kishin lexuar në gazetën “Dita”. U bëra kurioz, hapa internetin, gjeta shkrimin dhe e lexova. Natyrisht, sot në sistemin demokratik, kushdo ka të drejtë t’i shpreh mendimet e tij hapur dhe pa pasur frike, si dikur, se mos e persekutojnë. Unë, gjithashtu, mendoj se nuk ka te drejtë askush të kundërshtojë mendimin e tjetrit, për sa shkruan ai për një individ çfardo, kushdo qoftë ai. Ndaj unë nuk do të shfaq asnjë opinion për të gjitha ato që shkruani për Sali Berishën, qofshin merita apo dështime. Ato janë e drejta juaj personale t’i paraqisni sipas mendimit që ju keni për të. Kjo është e drejta juaj ekskluzive. Mua mund të mos më duken të gjitha të drejta, por nuk është detyra ime të ndërroj opinionin tuaj. Por unë do të përqëndrohem në disa çështje që dalin nga shkrimi juaj dhe që më përkasin personalisht mua dhe shoqatës që përfaqësoj. Lidhur me këtë mendoj se një gjë e tillë ka ndodhur pasi ju, për vetë faktin që ndodheni larg atdheut, keni mungesë informacioni lidhur me aktivitetin tim dhe të shoqatës tonë. Për sa më sipër dua të bëj sqarimet e mëposhtme.

Në artikullin tuaj ju shkruani: Ju i kërkoni qeverisë së re “Komuniste” që të shlyejë brenda dy vjetësh detyrimet financiare ndaj të përndjekurve. Nuk ia kërkuat kështu qeverisë “antikomuniste” të “premtimeve të mbajtura” që ju dha solemnisht zotimin se do t’i shlyente brenda tetë vjetëve.”

Një kërkesë e tillë nga ana e ime, i dashur Pullumb, nuk është një ultimatum që unë i drejtoj atij. Ajo është një kujtesë që unë i bëj për premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale prej tij dhe grupit të punës së ngritur për këtë qëllim me përfaqësues të të përndjekurve politikë. Unë mendoj se premtimet në një fushatë elektorale nuk duhet të jenë “Flluska sapuni” të hedhur në erë, por  të bazuara në një realitet të prekshëm. Madje unë e përgëzoj për këtë “nismë” të tij në favor të shtresës që përfaqësoj. Por, për të thënë të vërtetën, dyshoj në realizimin e këtyre premtimeve. Kjo ka arsyet e veta. Ai ka aluduar se me ardhjen në pushtet do të amendoj ligjin për dëmshpërblimin financiar me një nen që përcakton se çdo i përndjekur duhet t’i drejtohet gjykatës për përfitimin e dëmshpërblimit. Me pak fjalë ne, ish të dënuarit nga regjimi komunist, duhet të endkemi përsëri dyerve të gjykatave.

Nuk dua të flas për periudhën 1997-2005 kur qeveria socialiste drejtohej nga Nano. Majko dhe Meta. Gjatë tetë vjetve të sundimit të tyre nuk vrejtëm asnjë shenjë se kishin dëshirë të bënin diçka të mirë për këtë shtresë. Madje edhe një ligj dëmshpërblimi që miratuan ishte një tallje pasi na jepte, për mëshirë, një kafe 50 lekshe në ditë dëmshpërblim, ligj që, me të drejtë, u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Por do t’ju kujtoj periudhën 2005-2013. Është e vërtetë që qeveria demokratike dhe aleanca e drejtuar prej saj nuk i mbajtën të gjitha premtimet e bëra. Kështu për shembull ligji për dëmshpërblimin financiar u zbatua vetëm për dy këste kur duhej të ishin shlyer katër. Përveç miratimit të ligjit të dëmshpërblimit dhe ngritjes së Institutit për Hetimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist, nuk u zbatua asnjë prej pikave të tjera të Rezolutës së Kuvendit të Shipërisë për dënimin e krimeve të kryera nga ai regjim. Këto dhe të tjera tregojnë se predispozicioni i kësaj qeverie nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Por shumë herë më negativ ka qenë qëndrimi i opozitës socialiste kundrejt nesh dhe kjo opozitë drejtohej nga zoti Edi Rama. Kjo vërtetohet me nxjerrjen nga salla të deputetëve socialistë sa herë miratoheshin ligje në favor të shtresës tonë. Pikërisht për këto raste kam shkruar në shkrimin e mëparshëm. Ndaj atje i kërkoja Ramës të kërkonte ndjesë për këto veprime që, në një farë mase, do t’i quaja kundra interesave të kësaj shtrese, për të mos thënë armiqësore, gati gati si qëndrimi i dikurshëm ndaj saj.

Në artikullin tuaj shkruani se përse këto gjëra nuk ia paskemi kërkuar edhe Qeverisë Demokratike apo Sali Berishës. Edhe këtu gaboheni dhe unë jam i sigurtë se edhe kjo vjen nga mungesa e informacionit. Më lejoni t’ju rendis disa artikuj të mi lidhur me këtë çështje:

Më datën 22 shkurt 2007, lidhur me humbjen e shumë kryetarve demokratë të bashkive të mëdha në zgjedhjet lokale të zhvilluara atë vit,  në gazetën “Telegraf” kam botuar artikullin “Fitimtarët e pakicës” ku midis të tjerave shkruaja:

 

“Por së fundi dua t’i drejtohem edhe Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë ku bëjë pjesë dhe në mënyrë të sinqertë t’i shpreh mendimin tim për këto çështje. E çmoj së tepërmi kontributin tuaj në drejtimin e Partisë Demokratike dhe të qeverisë, por dua të shtoj se  përgjegjësinë kryesore në këtë humbje e keni ju. Pushteti i gjatë i konsumon njerëzit. Nuk e di se si do të veprojnë vartësit tuaj, ajo është e drejta e tyre,  por mendoj se është në nderin tuaj të tregoni fisnikërinë që ju ka karakterizuar. Bëni xhestin që ju takon burrave të shquar të politikës botërore. Jepni dorëheqjen. Partia Demokratike ka plot burra të tjerë të ndershëm dhe të zotë që mund  ta drejtojnë atë.”

Më datën 3 korrik 2007 kam botuar përsëri një letër të hapur drejtuar Kryeministrit Sali Berisha ku, midis të tjerave, theksoja: “Një miku im para disa ditësh më tha se kjo është rezultat i politikës së Katovicës që po ndiqet në vendin tonë. Natyrisht unë nuk dua ta besoj një gjë të tillë. Por nuk gjej as argumenta për ta kundërshtuar. Çdo ditë ndeshem me miqtë e mi bashkëvuajtës që e venë theksin në këtë çështje. Ata më flasin për miratimin e një ligji dinjitoz për dëmshpërblimin material të tyre,  për të vrarët nga rregjimi që akoma nuk kanë një varr ku të afërmit  e tyre të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule, për rishikimin e legjislacionit për ta bërë atë të pajtueshëm me rekomandimet e Këshillit të Europës, për hapjen e dosjeve për të gjithë ata që pretendojnë të futen në politikë, për largimin nga administrata shtetërore të gjithë ish sigurimsave dhe njerëzve të tjerë të këtij  kallëpi,   për rishikimin e teksteve shkollore që akoma vazhdojnë të jenë shkruar nën frymën e ideologjisë komuniste, për rivlerësimin e figurave të shquara të rezistencës antikomuniste dhe ngritjen e memorialeve per ngjarje të shënuara të kësaj rezistence, për hapjen e muzeumeve nëpër vendet ku është ushtruar më shumë dhunë, për barazimin të paktën të statusit të tyre me atë të veteranëve të luftës në mënyrë që të mos ketë diferencim në trajtimin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiprtare dhe së fundi për thirrjen e një konference me pjesmarrjen e përfaqësuesve të Presidencës, Qeverisë, Parlamentit, partive politike, shoqatave të të përndjekurve politikë, mediave dhe shoqërisë civile e cila do të shqyrtojë mundësinë e ngritjes së një komiteti me ekspertë të pavarur për shqyrtimin e krimeve të kryera nga sistemi komunist në Shqipëri.”

Le  t’i  hedhim  një  vështrim  shkrimit  tjetër me   titull “ A po zbatohet Katovica?”

botuar në gazetën “Metropol” datë 14 qershor 2012:Një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë, qysh në marsin e vitit 2010, të dënonte krimet e komunizmit. Po për këtë qëllim, më 14 dhjetor 2010, gjashtë ministra të jashtëm, ata të Lituanisë, Letonisë, Çekisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Bullgarisë i kërkuan Sekretares së Përgjithshme për Drejtësinë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zonjës Vivian Reding,  dënimin e këtyre krimeve por që, për fat të keq, kjo kërkesë nuk u përkrah nga Ministri ynë i jashtëm.”

E pra Ministër i Jashtëm ishte pikërisht zoti Ilir Meta, për të cilin ju shkruani se qenka një nga “njerëzit e paparashikuar në kornizat hoxhisto-ramiziste”.

Tani dua të flas lidhur me grevën e urisë të shpallur nga një grup të përndjekurish politikë, nga të cilët një pjesë ishin me të vërtetë të tillë. Megjithëse për këtë grevë unë kam rezervat e mia që nuk ia vlen t’i shpreh tani, po ju paraqes një fragment nga shkrimi im, botuar në gazetën “Metropol” datë 29  tetor 2012 me titull: “Greva e urise, media dhe të përndjekurit politikë” që bën fjalë pikërisht për qëndrimin e qeverisë për këtë çështje:

“Le të flasim  për menaxhimin që i bëri qeveria kësaj greve. Mendoj se ai nuk ishte i drejtë. Ajo ra në grackën e përgatitur nga organizatorët e grevës dhe zëdhënësit e saj dhe u kthye në një shkëmbim batutash jokorrekte midis tyre. Ditët e fundit Kryeministri deklaroi se ligji do të zbatohej një për një, se dëmshpërblimi do të përfundonte pikërisht në vitin 2017, se në ligj do të bëheshin edhe përmirësime dhe shtesa të tjera. Kjo është një gjë e mirë të cilën shoqata e jonë e ka kërkuar prej kohësh.  A nuk do të kishte qenë më mirë që këto deklarata t’u ishin bërë të ditura grevistëve qysh në ditët e para të saj? A nuk do të kishte qenë më mirë që një përfaqësues, për  shembull, i Ministrisë së Financave, t’u kishte bërë të ditur atyre të dhënat mbi përfitimet në privatizime e të tjera, që më vonë  u publikuan nëpërmjet organeve të medias?”

E pra këto janë vetëm një pjesë e shkrimeve të shkruara nga unë lidhur me çështjet që u përkasin të përndjekurve politikë dhe dua t’ju siguroj se asnjë nga shkrimet e mia nuk është hartuar në “kancelaritë e kryeministrit të përmbysur”, siç shkruani juve. Shkrimet e mësipërme flasin vetë për të kundërtën. Por ne jemi një shoqatë e të përndjekurve politikë dhe nuk mund të heshtim kur kryhen veprime që bien erë komunizëm nga cilido krah qofshin.

Ne kemi konstatuar dhe konstatojme ende se të dy krahët e politikës vazhdojnë të mbështeten në elementë, dosjet e të cilëve sikur të ishin hapur, nuk do të guxonte njeri t’i emëronte në detyra kyçe të pushtetit. Fjalën këtu e kam më tepër për ish punonjës të Sigurimit të Shtetit, prokurorive, hetuesive dhe gjykatave të regjimit komunist. Ne nuk kemi heshtur dhe nuk do të heshtim asnjë herë për këto raste. Jemi i vetmi vend i Europës Lindore ku individë të këtij kallëpi i gjen në majat e politikës shqiptare. Ndaj iu drejtova zotit Rama për emërimin në postin e këshilltarit të një agjenti të njohur të UDB-së dhe për këtë janë vetë kosovarët që flasin.

Para disa muajve ju dërgova për vlerësim,  një monodramë me temë sipas romanit tim “Shkallët e Ferrit”, botuar në vitin 2008. Monodrama bën fjalë pikërisht për penetrimin e këtyre tipave të cituar më sipër në postet më të larta të administratës së sotme. Ia kisha dërguar më parë disa aktorëve,  regjizorëve, dramaturgëve  të njohur të teatrit dhe kinematografisë, por asnjë nuk mori përsipër vënien e saj në skenë. Përse? Ndoshta nga frika se do t’u dogëndiste disave prej të mëdhenjve të vendit. Jua kërkova edhe juve një gjë të tillë. Pasi e vlerësuat më premtuat se kur të vini këtu në tetor do ta bisedojmë. Unë jam në pritje, por kam frikë se, përsëri tani, që u ndërrua pushteti, monodrama do t’u dogëndisë disa drejtuesve të rinj të këtij pushteti.

Këto ditë bënë një vizitë në SHBA, me ftesaë të ish Presidentit Klinton dy përfaqësues të pushtetit në Shqipëri, Presidenti Nishani dhe Kryeministri Rama. Ndërsa i pari, përveç pjesëmarrjes në ceremoninë në të cilën ishte ftuar, u takua edhe me përfaqësuesit e mërgatës shqiptare në Amerikë dhe zhvilloi një bisedë miqësore me ta. Ndërsa i dyti, harroi se në Amerikë jetojnë një bashkësi e madhe bashkëqytetarësh, të vjetër dhe të rinj dhe preferoi më mirë të merrte pjesë në ceremoninë e dasmës së një miliarderi ultra të majtë. Mendoj se ky krahasim nuk ka nevojë për koment.

Filozofi Friedrich Nietzsche shkruante në librin e pambaruar “Vullneti për pushtet” qysh në vitin 1906:

“Kam fatin që kam gjetur, pas mijra vjetësh aberacioni dhe konfuzioni, rrugën që të çon te një “jo” dhe te një “po”.

Unë ju mësoj që ti thoni “jo” gjithçkaje që ju bën të dobët, që ju ezauron.

Unë ju mësoj që t’i thoni “po”çdo gjëje që të jep forcë, që grumbullon forcë, që justifikon ndjenjën e forcës.”

Unë kam zgjedhur këtë të dytën, miku im. I përkas krahut të djathtë të politikës shqiptare dhe do të vazhdoj të jem i tillë deri në fund. Për mua nuk kanë rëndësi individët që drejtojnë forcat politike. Për mua kanë rëndësi programet e tyre. Jam me atë që është më afër nesh.

Ju përshëndes dhe ju uroj gjithë të mirat!

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Nje sqarim, reshat kripa

Ohër: Dikur na ishin shqiptarët, tani mbesin vetëm 6 për qind

September 28, 2013 by dgreca

Nga Ohri BEQIR SINA/

Ohri ka qenë një ndër qytetet më të lashta shqiptare. Qyteti ndodhet në pjesën jug-perendimore të Maqedonisë pranë liqenit me të njëjtin emër dhe ka diku rreth 50 000 banorë.Ohri, dikur shqiptar është ndërtuar nga ilirët, më drejt enkelejtët, që banonin ne këtë rajon. Sipas deponimeve historike, thuhet se në vitin 1462 Skënderbeu me ushtrin e tij zoteronte edhe Ohrin dhe rrethinat e tij si qytet. Ohri sipas statistikave më të fundit si qytet pa rrethinat ka 50.033 banorë (2012), prej tyre 80,39 % ose 33.791 Maqedonas dhe 7,02 % ose 2.959 Shqiptarë. Emra të fshatrave të Ohrit – dhe shenjat e sinjalikistikes , dokumentat zyrtare, tabelat e shitoreve , emrat e rrugeve, gudia truristike, librat shkollor, sherbimi social me perjashtim te lagjes se shqiptareve ne pazarin e vjeter ku flitet shqip, jan të gjitha Maqedonisht, kryesisht në alfabetin cirilik.Ky është një qytet karakteristik shqiptar i ndërtuar më shumë se 2/3 sipas modelit të disa qyteteve shqiptare. Ohëri ka ngjashmëri strukturore dhe arkitoteknetike të qyteteve tona, si Berati, Gjirokastra apo Kruja. Ohëri ndodhet në pjesën jugperëndimore te Republikës së Maqedonisë, rreth 176 kilometra larg kryeqytetit të Maqedonis – Shkupit. Ai është një nga vendet më të bukura turistike në vend, me një numër shum të madh vizitorësh sidomos gjatë sezonit veror. Nuk është qytet shumë i madh se me rreth 70 000 banorë me gjith fshatrat përreth tij.Pjesën më të madhe të popullsis sot e përbëjnë sllavo maqedonasit, mandej shqiptarë, turq, por ka edhe  romë e pakica të tjerë. Deri në Luftëm e Parë Ballkanike Ohri ishte një qytet i banuar kryesisht me shqiptarë, ku pjesën më të madhe të popullsisë e përbënin muslimanët. Sipas Edit Durham, një shkrimtare angleze, në vitin 1904 Ohri ishte një qytet musliman gjegjësisht shqiptarë. Pas ngjarjeve te fillim shekullit të kaluar, pas coptimit të shum territoreve shqiptare edhe Ohri mbeti nën adminstrimin e shteteve sllave, të cilë si në shumë qytete të tjera ushtruan politkën asimiluese ndaj shqiptarëve. Sidomos pas vitit 1945 në kohë e ish-Jugosllavisë, kohen famekeqe te Rankoviqit thuhet se nga qyteti i Ohrit, u largua një pjesë e madhe e popullatës shqiptare në drejtim të Turqis. Në qytetin e Ohrit kanë jetuar fiset ilire të gropajve. Por, sipas nji ciceroni shqiptar qe na shoqeronte ne kete udhetim Maqedonasit e shfrytezojne sot Ohrin para te huajve si vendorigjina e popujve sllavo-maqedonas. Statujat me te larta per rreth liqenit ne qender te qytetit i jane dedikuar figruave te njohura fetare sllavo – maqedonase.

Historia:

Për here të pare Ohri përmendet qysh në shekullin e III para erës sonë, me emrin Ilir Lyhnida. Më vonë mbas pushtimit romak Lyhnida u bë një ndër venbanimet më të rendësishme të rrugës më kryesore në ballkan Via Egnatia në sipërfaqen e Epirit të Ri. Prej vitit 976 deri në vitin 1014 ishte i pushtuar nga mbreti bullgar Car Samuili. Nga fundi i shekullit XI u sulmua nga Normanët nga Italia, mandej u pushtua përsëri nga bullgarët dhe më vonë përsëri nga Bizanti.

Në shekullin e XII ishte një qendër e rendësishme tregtare, ndërsa në shekullin XIII e kishte kolonin tregtare të Armenëve. Më pas si i gjithë Gadishulli Ballkanik edhe Ohri u psuhtua nga turqit. Në vitin 1941 dhe gjatë Luftës së Parë Botërore Ohri si disa qytete tjera shqiptare në Maqedoni dhe një pjesë e Kosovës ju bashkuan Republikës së Shqipërisë. Pas mbarimit të luftës këto territore ju shkëputen përsëri Shqopërisë dhe ju bashkuan shteteve sllave.

OHER-

Simbas Bardhyll Berberit në nji reportazh të tij për gazetën Shqiptare, thuhet se :”Vetëm 39 km larg nga dogana e Tushemishtit ndodhet qyteti i Ohrit. Një rrugë e veçantë midis pyllit dhe hapësirës së kaltër të liqenit deri sa të shkosh në Ohër pasi ke kaluar Lubanishtin, Trepezicën dhe Peshtanin kalon hotelet luksoze ‘Desaret’, ‘Metropol’, ‘Granit’ e ‘Sllavia’. Futesh në autostradë dhe befas shfaqen në sfond konturet e Ohrit në krahun e majtë të rrugës në mes të një pylli me mështekna dhe pisha ku ndodhet vila e marshallit Tito i cili çdo verë, ashtu si udhëheqësi komunist Hoxha, pushonte në brigjet e të njëjtit liqen ballë përballë njëri-tjetrit secili në pjesën e tij Kalaja dhe qyteti i Ohrit i futur në gjirin e liqenit i shtrirë edhe në kodër i japin Ohrit një pamje magjike. Ohri është qytet i turistëve të shumtë që i dy-trefishojnë popullatën çdo verë, është qytet i UNESKO-s së bashku me liqenin që mban emrin e këtij qyteti. E reja dhe e vjetra, modernia dhe tradicionalja bashkëjetojnë pranë njëra-tjetrës duke i dhënë qytetit një bukuri të veçantë.

 Ohri i dikurshëm

Dikur Ohri ishte qytet i rëndësishëm për shqiptarët, si për nga prezenca ashtu edhe për ndikimin e madh të banorëve të tij për kauzën shqiptare. Madje, në momente të caktuara të Rilindjes Kombëtare në shekullin XIX, Ohri nga patriotët shqiptar propagandohej edhe si kryeqytet i Shqipërisë së pavarur nga perandoria osmane. Mbi 80 % e banorëve të Ohrit kanë qënë shqiptarë. Por, sot pas njëqind vitesh gjërat kanë ndryshuar shumë. Tashmë, edhe prezenca shqiptare këtu është simbolike dhe e papërfillshme dhe padyshim shpërnguljet në drejtim të Turqisë dhe migrimet më të vonshme drejt Evropës dhe Amerikës kanë bërë të vetën në boshatisjen e këtij qyteti. Qyteti i cili në mesjetë qeverisej nga familja fisnike shqiptare Gropa, qyteti nga ku kanë dalë luftëtarët e mëdhenj të pavarësisë shqiptare si Dervish Hima, Hamdi bej Ohri dhe figura të tjera, sipas regjistrimit të fundit numëron rreth 3600 banorë shqiptarë ose rreth 6 % të numrit të përgjithshëm të banorëve të Komunës së Ohrit. Nga vitin 1930 deri në vitin 1945 midis Pogradecit dhe Ohrit ka pasur një linjë komunikimi nëpërmjet një vapori i cili vinte çdo ditë nga Ohri në Pogradec duke transportuar njerëz në të dy anët e kufirit dhe mallra ushqimore dhe industriale.

Qyteti i Ohrit sot

Sot qytetarët shqiptarë të Ohrit në masë të madhe ndjehen nën hijen e atyre të Strugës sepse gjithçka i lidh me Strugën, duke filluar nga biznesi, shkollimi apo edhe punësimi në disa raste pasi në Strugë jetojnë mbi 65 % shqiptarë. Struga është shfrytëzuar si një oaz për ata shqiptarë që nuk kanë ikur në emigrim janë afruar në qytetin e Strugës vetëm 11 km larg qytetit të Ohrit. “Kjo situatë ka ndikuar që disa edhe të shpërngulen në drejtim të Strugës”, – na thotë për “Gazetën Shqiptare” kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko. Ai thekson se, pothuajse se shqiptarët po braktisin Ohrin si rezultat i paperspektivës dhe mospasjes së vendeve të punës, respektivisht diskriminimit në këtë aspekt. Le të marrim një shembull konkret për të ilustruar mendimin e mësipërm: Në qytetin e Ohrit ka një shkollë fillore ku mësohet në gjuhën shqipe “Vëllazërim Bashkimi”, ku numri i nxënësve shqiptar është reduktuar në masë të madhe. Para disa viteve funksiononin katër klasë të para me nga tridhjetë nxënës, ndërsa sot zhvillojnë mësimin vetëm dy klasë me nga pesëmbëdhjetë nxënës, ky shembull nuk ka shumë nevojë për koment për shqiptarë të Ohrit. Nedim Pollozhani, veprimtar politik nga Ohri, thekson se pavarësisht ecurisë pozitive që është bërë në disa drejtime viteve të fundit, shqiptarëve të Ohrit iu mbetet të vazhdojnë me përpjekjet për përmirësimin e gjendjes se tyre. “Padyshim se për ndryshimin dhe përmirësimin e situatës së shqiptarëve këtu në Ohër, rol të rëndësishëm luajnë dhe subjektet politike shqiptare. Këtu para së gjithash është e nevojshme që subjektet politike të kenë më shumë mirëkuptim për kërkesat e qytetarëve të Ohrit të cilat nuk janë të parealizueshme. Kjo sipas Pollozhanit do të arrihej duke bërë përfshirjen dhe avancimin e kuadrove nga qyteti jonë në pushtetin qendror, si mekanizëm i drejtpërdrejtë në funksion të zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të kësaj komune. I vetmi përfaqësues i shqiptarëve në Këshillin Komunar të Ohrit, Kujtim Hyseni na thotë se nëse duam të përmendim për faktorët që kanë ndikuar për braktisjen e shqiptarëve nga Ohri të shqiptarëve është emigrimi, dëbimin apo degdisjen e shqiptarëve nga këto troje si rezultat i një trysnie sistematike. Kështu në 100 vjetët e shkuara në Ohër jetonin rreth 80% shqiptarë, ndërsa tani, kur takon ndonjë bashkëkombës nga diku tjetër, të pyet: ‘Paska shqiptarë në Ohër?'”, – thekson, – “Shqiptarët këtu kam përshtypjen se janë si ai zogu i vogël që sapo ka dalë nga veza e që pret zogun mëmë t’i sjellë për të ngrënë. Na ka mbetur të shpresojmë se mrekullitë vërtetë ekzistojnë”. Ndërkohë që, kryetarin e Komunës së Ohrit Aleksandër Petrevski, gradualisht gjendja e shqiptarëve po ndryshon pozitivisht në aspektin e investimeve dhe përfaqësimin e tyre në organet e pushtetit vendor. Kryetari Petrevski thekson se gjatë dy mandateve që ai po drejton qytetin e Ohrit vetëm në qeverisjen lokale të Petrevskit janë bërë një sërë investimesh në lagjet shqiptare, që për dekada të tëra ishin në pritje dhe harresë. Këshilltari shqiptar Hyseni thekson se problematike është çështja e punësimit sidomos nëpër institucionet e nivelit qendror. “Është e pakuptueshme që në Ohër të punësohen kuadro nga Struga, Dibra apo vende të tjera dhe qytetarët shqiptarë të Ohrit të mbesin pa punë. Kjo praktikë duhet të ndalet në të mirë të avancimit të banorëve shqiptarë të këtushëm. Ndërsa sa i përket punësimit në organet e pushtetit lokal, mund të them se janë bërë përpjekje dhe gradualisht numri i shqiptarëve është në rritje progresive, falë edhe kujdesit që po tregon në këtë drejtim Kryetari i komunës së Ohrit”, – thekson këshilltari i vetëm shqiptar në Këshillin e Ohrit, Kujtim Hyseni.

Marrëdhëniet e Ohrit me Pogradecin

Ndonëse kanë qënë kaq afër njëri-tjetrit për 50 vjet këto dy qytete fqinje kanë qënë krejtësisht të izoluara nga diktatura dhe shihnin në mbrëmje vetëm drita të ndezura buzë liqenit. Me ardhjen e demokracisë u shemb muri ndarës. Etapat evoluuan me shpejtësi nga një vizë që mund ta merrje në Tiranë për të kaluar në Maqedoni më pas vizat merreshin në kufi, më pas u vendos një pasaportë kufitare që futeshe në Maqedoni pa lekë dhe më pas nga dita e djeshme kalimi i kufirit në Maqedoni ka filluar për të gjithë shqiptarët me karta identiteti. Prej më shumë se 10 vjetësh është vendosur festa e Liqenit që festohet çdo 21 qershor me rotacion një vit në Pogradec, një vit në Ohër dhe vitin tjetër në Strugë. Së bashku të dy shtetet festojnë festën fetare të Shën Nuamit në çdo 3 korrik. Prej më shumë se 5 vjetësh është përcaktuar që të vendoset një traget midis Ohrit – Pogradecit dhe Strugës por kjo ka ngelur një ëndërr vere. Është një pengesë burokratike që vazhdon pambarimisht midis dy shteteve për të firmosur marrëveshjen dy palëshe që ky projekt të marri jetë. Tre kryetarët e bashkive respektive Artan Shkëmbi i Pogradecit, Ramiz Merko i Strugës dhe Aleksandër Petrevski i Ohrit kanë vendosur të sfidojnë pushtetin qendror të shteteve të tyre duke mbushur tragetin me administratat e tyre dhe gazetarët e rajonit dhe për të thyer këtë zvarritje burokratike, por edhe ata nuk e realizuan këtë premtim sepse as ata nuk e realizuan këtë projekt dhe ngeli si ëndrra e një nate vere.

Zhduken shqiptarët e Ohrit, mbesin 6 për qind

Ne nji shkrim te tij per gazeten “Shqiptare” , Bardhyl Berberi, shkruan se :”Vetëm 39 km larg nga dogana e Tushemishtit ndodhet qyteti i Ohrit. Një rrugë e veçantë midis pyllit dhe hapësirës së kaltër të liqenit deri sa të shkosh në Ohër pasi ke kaluar Lubanishtin, Trepezicën dhe Peshtanin kalon hotelet luksoze ‘Desaret’, ‘Metropol’, ‘Granit’ e ‘Sllavia’. Futesh në autostradë dhe befas shfaqen në sfond konturet e Ohrit në krahun e majtë të rrugës në mes të një pylli me mështekna dhe pisha ku ndodhet vila e marshallit Tito i cili çdo verë, ashtu si udhëheqësi komunist Hoxha, pushonte në brigjet e të njëjtit liqen ballë përballë njëri-tjetrit secili në pjesën e tij Kalaja dhe qyteti i Ohrit i futur në gjirin e liqenit i shtrirë edhe në kodër i japin Ohrit një pamje magjike. Ohri është qytet i turistëve të shumtë që i dy-trefishojnë popullatën çdo verë, është qytet i UNESKO-s së bashku me liqenin që mban emrin e këtij qyteti. E reja dhe e vjetra, modernia dhe tradicionalja bashkëjetojnë pranë njëra-tjetrës duke i dhënë qytetit një bukuri të veçantë. “(Ne foto: Beqir Sina-djathtas dhe Ylber Pilku)

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Beqir Sina, dikur shqiptaret, Ohri

PRESIDENTI NDEROI KONGRESISTIN ELIOT ENGEL NE DARKEN E KESHILLIT KOMBETAR SHQIPTARO AMERIKAN

September 28, 2013 by dgreca

*Dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” për kongresmenin Eliot Engel. Presidenti Nishani me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan: ”Mirënjohja, virtyt i lashtë i shqiptarëve/

Në takimin e organizuar në Nju Jork nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Presidenti Nishani dekoroi kongresmenin Eliot Engel me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacion “Në shprehje të mirënjohjes dhe nderimit të thellë për mbështetjen e vendosur për Shqipërinë, shqiptarët dhe veçanërisht për Pavarësinë e Kosovës”.

“Mirënjohja është një virtyt yni shumë i lashtë, trashëguar brez pas brezi. Kombi ynë dhe çdo shqiptar i është mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin vendimtar në pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, për shembjen e komunizmit dhe zhvillimin e demokracisë, për anëtarësimin në NATO dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve në rajon. Kongresmeni Eliot Engel është një nga personalitetet, që ka ngritur zërin në mbrojtje të të drejtave legjitime të shqiptarëve dhe ka mbështetur aspiratat e tyre për liri dhe demokraci. Pavarësia e Kosovës ka edhe vulën e kontributit të tij”.

Në fjalën e mbajtur në këtë takim, Presidenti Nishani vlerësoi rolin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan përgjatë 17 viteve në promovimin dhe rritjen e ndjeshmërisë ndaj të drejtave dhe interesave legjitime të shqiptarëve, për paqen, stabilitetin dhe demokracinë në Shqipëri dhe rajonin tonë.

Duke u shprehur se Republika e Shqipërisë ka shkelur në qindvjeçarin e dytë me objektiv strategjik parësor anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Kreu i Shtetit theksoi se vendi ynë pret me të drejtë, bazuar në meritë, të marrë statusin e vendit kandidat në BE.

“Shqipëria ka përmbushur plotësisht dymbëdhjetë rekomandimet e Komisionit Evropian. Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të kësaj fillimvere ishin të standardeve evropiane. Parë në tërësi, procesi zgjedhor, sjellja e politikanëve, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, si edhe periudha kalimtare e qetë e pushtetit, dëshmojnë se klasa politike shqiptare ka  arritur pjekurinë dhe përgjegjshmërinë e nevojshme të një vendi me demokraci funksionale”

Presidenti Nishani u ndal gjithashtu në fjalën e tij tek Kosova, shteti më i ri, por i provuar si faktor paqeje e stabiliteti në rajon.

“Besoj se Kosova ka bindur edhe më skeptikët se pavarësia e saj ishte alternativa e vetme. Njohjet e mëtejshme nga vende, që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, varen nga aftësia jonë informuese dhe interesat e secilit prej këtyre vendeve”.

Kreu i Shtetit shprehu bindjen se zbatimi i shpejtë dhe i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është jetik për bashkëjetesën ndëretnike dhe stabilitetin e qëndrueshëm të Maqedonisë duke siguruar se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë integrimin euroatlantik të saj. Kreu i Shtetit tha gjithashtu se Shqipëria është në favor të zgjidhjes së problemeve ekonomike, kulturore, arsimore, etj., të cilat shqetësojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës, në rrugë institucionale, me dialog, ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe qeverisë në Beograd.

“Ne jemi të përkushtuar në politikën e fqinjësisë së mirë dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal. Inkurajojmë shqiptarët, kudo në rajon, të mbështesin konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor dhe integrimin euroatlantik të vendeve ku jetojnë. Shqiptarët do të jenë bashkë në Bashkimin Evropian”-deklaroi Presidenti Nishani në takimin me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Filed Under: Featured Tagged With: Kongresisti Engel, President Nishani

RIKTHIMI I DR. IBRAHIM RUGOVËS NË PRISHTINË

September 27, 2013 by dgreca

Me ceremoni shtetërore, nderime të larta nga Garda e Shtetit, në praninë e mijëra qytetarëve dhe përfaqësuesve të shtetit, u bë zbulimi i shtatores e cila u cilësua si kthim historik i presidentit të parë të Republikës së Kosovës.

Shtatorja e ish-Presidentit Ibrahim Rugova u inaugurua pikërisht në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë.

Zbulimi u bë nga presidentja Atifete Jahjaga, bashkëshortja e ish-presidentit, Fana, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa. Për veprën e ish-presidentit të ndjerë foli presidentja kosovare dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa.

Presidentja tha se kjo shtatore e presidentit Rugova është bazament i lirisë. Sipas saj, prania e kësaj vepre arti nderon të gjithë duke dëshmuar rrugën dhe sakrificën përgjatë shekujve: “Kjo shtatore na kujton e dëshmon për rrugën dhe sakrificën për liri, pavarësi e demokraci. Rugova ishte i pari që solli frymën e demokracisë perëndimore.”

Ndërkohë, z.Mustafa tha se Kosova nderon presidentin Ibrahim Rugova, i cili ishte mjeshtër i artit poetik dhe dijetar i cili i doli në ballë të popullit në kohën më të vështirë dhe bënte thirrje për zgjidhje për paqe.

Shtatorja e liderit historik të Kosovës është punuar prej bronzi dhe ka lartësi prej 4.20 m. Ajo është punuar nga skulptori shqiptar Julian Muçollari dhe ndihmësit e tij, në një kohë rekord prej vetëm 15 ditësh. Kjo ceremoni është organizuar nga komuna e Prishtinës me mbështetjen e Presidencës dhe FSK-së.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ibrahim Rugova, Prishtine, Shtatorja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT