• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2013

Histori: Çfarë ka ndodhur më 17 tetor?

October 17, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI*/

1448 – Fillon Beteja e dytë e Fushë Kosovës midis forcave të Perandorisë Osmane nën udhëheqjen e sulltan Muratit, dhe koalicionit hungarez, shqiptar, rumun (Vllahia) dhe kryqtarë, të udhëhequr nga Janosh Huniadi. Ashtu si në Betejën e parë të Fushë Kosovës më 1389, ballkanasit do të humbisnin. Beteja zgjati 3 ditë, dhe osmanët, korrën fitore vendimtare duke shuar përgjithmonë shpresat e të krishterëve se ky rajon do të dilte ndonjëherë nga sundimi osman. Beteja e dytë e Fushë Kosovës ishte në vazhdën e fitoreve të sulltan Muratit, fillimisht ndaj kryqtarëve në Varna me 1444; pushtimit të Moresë (Peloponez) me 1446; dhe sulmi ndaj princit shqiptar Gjergj Kastriotit -Skenderbe, i cili arriti t’i rezistojë. Beteja e dyte e Fushe Kosoves ishte rezultat i perpjekjeve te Huniadit për të bashkuar forcat me Skënderbeun, por pa sukses. Por nga kjo humbje, Skenderbeu doli i paprekur, pasi nuk arriti dot në kohë në Fushë Kosovë. Historianët thonë se Skenderbeu u vonua nga princi serb Brankovic, i cili nuk e lejoi të kalonte nëpër despotatin e tij. Kur Skenderbeu mësoi se beteja morri fund dhe forcat e koalicionit ishin thyer keqaz, ai i zemeruar u lëshua me trupat e tij nëpër territoret e Brankovicit duke djegur e shkaterruar çdo gjë. Në fakt, Skenderbeu nuk dinte një gjë tjetër; se në Betejën e Fushë Kosovës, Brankovici kishte kaluar në anën e sulltanit, pas grindjejes me Huniadin se kush prej tyre duhej të udhëhiqte koalicionin – Huniadi i kishte ofruar Brankoviçit postin e nënkomandantit por ky e hodhi poshtë me përbuzje dhe nga inati u bashkua me trupat e Sulltan Muratit. Pas fitores në Betejën e dytë të Fushe Kosovës, 1448, Sulltani shkoi në Adrinopojë, për t’u kthyer vetëm pas disa muajsh, në pranverë, me një ushtri prej 80-mijë trupash – dhe me armën e tij të re (topat me gjyle) – për të larë hesapet me Skënderbeun, i cili tashmë dukej i vetëm.
1845 – Sipas një gazete të Bostonit, audienca u larguan nga salla kur autori filloi të lexojë një poemë të frikshme. Njerëzit ikën në shenjë kundërshtimi ndaj Edgar Allan Poes, i cili ishte lexuesi dhe autori i poemës i Korbi. Në vitin 1918, në kuadër të një nisme për përkthimin e kryeveprave të letërsisë botërore, Fan Noli u solli shqiptarëve edhe këtë poemë të Poes. Ja disa vargje nga:
Korbi – Edgar Allan Poe
(shqipëroi Fan Noli)

“Një mes-natë të bezdisur
Tek këndonja i zalisur
Disa pralla dhe magjira
Të një shkence të harruar,
Tek dermitnja i kapitur
Befas vjen nje e trokitur,
Me ngadalë e goditur
Përmi dere t’ odes sime.
“Dikush është, thashë, jashte
Që troket mi deren time –
Vetem kjo, dhe asgjë më.
….
Më zu gazi, më shkoi tmerri
M’ atë Korb të zi si Ferri,
Që po mbahej aq’ i rëndë
Aq’ i larte dhe i thom:
“Ndonese je perçe-prere,
S’ka dyshim, je trim i ndjerë,
Korb i mvrojtur, i vrerosur,
Arratisur zall me zall;
Thua-m’ emrin tente me nam
Ans detit Plutonian!”
Thotë Korbi: “Kurrë më,”

U-çudita fort, pa masë
Kur dëgjova Korb të flasë..”

1888 – Botohet numri i parë i revistës National Geographic. Në fillim, Revista doli jo rregullisht – materialet ishin vështirë për t’u mbledhur. Por kjo gjendje  nuk zgjati shumë; Revisa filloi të bëhej e famshme për hartat dhe persiatjet fotografike të njerëzve dhe vendeve ekzotike. Sot, revista National Geographic ka rreth  8.5 milion parapagues në mbarë botën.
1931 – Gangsteri Al Capone dënohet për shmangje pagimi të taksave mbi të ardhurat me 11 vjet burgim. Atij gjithashtu i kërkohet për të paguar të gjitha taksat e prapambetura, me interes, plus një gjobë. Në kulmin e karrierës së tij, Kapone thoshte se nuk mund të dënohej për mospagim taksash pasi fitimet e tij nga tregtia e pijeve ishin të paligjshme. Duket se Al Kapone nuk lexonte gazeta, sepse do të ishte njohur me lajmin mbi një vendim të gjykatës së lartë ku thuhej se vetëm për shkak se fitimet janë të paligjshme nuk do të thotë se ato nuk janë subjekt i taksave – Ishte ende periudha e prohibicionit, kur në SHBA ndalohej prodhimi, shpërndarja dhe shitja e pijeve alkoholike, Kjo masë kishte hyrë në fuqi në vitin 1920 dhe u shfuqizua më 5 dhjetor 1933.

1933 – Albert Einstein (Ajnshtajn) mbërriti në Shtetet e Bashkuara si refugjat politik i ikur nga Gjermania naziste. Kjo çështje sikur ishte harruar, kur në vitin 2011, zyrtarë britanikë të emigracionit njoftuan se krejt rastësisht kishin zbuluar dokumentin e emigrimit të Ajnshtajnit në Angli, pas ikjes së tij nga Gjermania naziste. Zyrtarët në Aeroportin Heathrow mbetën të habitur nga zbulimi i kartës së hyrjes (për 80 vjet e mbuluar nga pluhuri), e cila shënon ardhjen e shkencëtarit legjendar në Britaninë Madhe. Sipas dokumentit ,” ati i fizikës moderne” kishte mbërritur në Dover më 26 maj 1933 nga qyteti Ostende i Belgjikë. Në formularin e emigracionit, Ajnshtajni e përshkruan profesionin si “professor”; shtetësinë “zvicerane”;  dhe se po shkonte në universitetin Oksford. E veçanta rreth këtij dokumenti për historianët është se Ajnshtajni kishte hequr dorë nga shtetësia e tij gjermane vetëm disa javë më parë, në reagim të zemëruar ndaj politikave naziste. Anglia u bë strehë për shkencëtarin e madh për disa muaj, derisa ai u nis për t’u vendosur përfundimisht në SHBA. Policia britanike e mbajti Ajnshtajnin nën masa të rrepta mbrojtëse nga frika e ndonjë vrasje të mundëshme nga agjentët e zbulimit nazist. Fituesi i Çmimit Nobel, që nga viti 1914, kishte qenë profesor nderi në Akademinë Prusiane të Shkencave në Berlin. Por, kur Adolf Hitleri u bë Kancelar i Gjermanisë në vitin 1933, ai shpalli përndjekjen dhe urdhëroi djegien e librave të autorëve hebrenj, përfshi ato të Ajnshtajnit, Duke mos duruar dot këtë lloj klime, shkencëtari i madh u detyrua të  ikte.
1979 – Nënë Tereza nderohet me Çmimin Nobel për Paqe për punën e saj me të varfërit në Kalkuta të Indisë. Në moshën 12 vjeçare , kjo vajzë shqiptare katolike, Agnes Gonxhe Bojaxhiu, dëgjoi një thirrje. Perëndia kërkoi që ajo t’ia kushtonte jetën e Atij –  dhe kështu hyri në një manastir vajzash, mori arsimim, dhe u dërgua në Kalkuta të Indisë, si mësuese. Emri i saj i ri ishte Tereza. Në Indi, murgesha ose Motër Tereza mori një thirrje të dytë prej Perëndisë: “për të ndihmuar të varfërit, njëkohësisht duke jetuar mes  tyre” – kështu ajo themeloi një motërzim të ri që e quajti Misionaret e Bamirësisë. Nënë Tereza dhe përkrahësit e saj ndërtuan në Kalkuta shtëpi për jetimët , azile për lebrozët dhe qëndra për të sëmurët pa shpresë shërimi. Organizata Misionaret e Bamirësisë gjithashtu u angazhua në punë e ndihma në pjesët e tjera të botës. Murgesha modeste u bë i njohur në të gjithë botën. Në vitin 2003, Papa Gjon Pali i dytë mori hapin e parë drejt shenjtërimit të saj, duke e lumturuar.

Mendim i ditës
“Kushdo që rrit qoftë edhe dy kallinj misër ose dy fijet bari, i shërben vendit më shumë se të gjithë politikanët së bashku”.
Jonathan Swift

* Kortezi VOA

Filed Under: Featured Tagged With: Astrit Lulushi, cfare ndodhi, Histori, me 17 tetor, VOA

PRESIDENTI OBAMA, THIRRJE PER REFORMA TE THELLA TE IMIGRACIONIT

October 17, 2013 by dgreca

Presidenti Barack Obama bëri dje thirrje për një angazhim të ri dypartiak në përgjigje të sfidave kombëtare dhe sinjalizoi se do t’i bënte presion Kongresit për të miratuar reforma të thella për imigracionin./

Nga Michael Bowman/*
Më herët këtë vit Senati miratoi një sistem reformash në politikat amerikane të imigracionit. Projekt-ligji do të forconte kontrollin kufitar dhe do të ofronte një rrugë drejt shtetësisë për miliona imigrantë pa dokumenta.
Por kjo nismë ngeci në Dhomën e Përfaqësuesve, ku shumë anëtarë e konsiderojnë presionin për legalizim si amnisti për shkelësit e ligjit. Dje Presidenti Obama tha se reforma në imigracion mbetet përparësi:
“Duhet të mbarojmë detyrën e ndreqjes së sistemit defektoz të imigracionit. Shumica e amerikanëve mendojnë se ky është veprimi i duhur. Dokumenti pret miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve”.
Megjithë vëmendjen ditët e fundit mbi përparësitë fiskale, aktivistët kanë vazhduar përpjekjet për të siguruar mbështetje publike dhe për presion mbi ligjvënësit. Nëse ligjvënësit duan të arrijnë sukses ata duhet të veprojnë brenda këtij viti, pasi tradicionalisht ligjvënësit ngurojnë të votojnë për tema të nxehta politike në vit zgjedhjesh. Zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve dhe një pjesë të Senatit zhvillohen vitin e ardhshëm. Aktivisti pro reformave Frank Sharry thotë se koha është shumë e rëndësishme.
“Mendoj se do të jetë me rëndësi kritike që Dhoma e Përfaqësuesve të fillojë ta shqyrtojë këtë çështje, ta hedhë në votë. Mendoj se është e rëndësishme që të veprohet këtë vit”.
Zoti Sharry shton se mbetet kohë e mjaftueshme deri në dhjetor, nëse ligjvënësit duan ta realizojnë këtë reformë.
Kundërshtarët e projektligjit të Senatit thonë se do të ballafaqohet me rezistencë të fortë në Dhomën e Përfaqësuesve. Kreu i Qendrës për Studime mbi Imigracionin me seli në Uashington, Mark Krikorian, thotë se ligjvënësit mund të shqyrtojnë një propozim që nuk ofron shtetësi për personat pa dokumenta të rregullta:
“Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve mund të jenë dakord t’u japin këtyre individëve viza pune, që i shndërrojnë ata në persona me dokumenta të ligjshëm, por pa të drejtën e shtetësisë”.
Aktivistët pro reformave, përfshirë Presidentin Obama, kanë kundërshtuar idenë e çdo propozimi që nuk përfshin rrugën drejt shtetësisë. Presidenti tha dje se projekt-ligji i Dhomës së Përfaqësuesve mund të ndryshojë nga ai i Senatit, por mjafton të fillojnë negociatat.
Pas komenteve të Presidentit, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve nxorën një deklaratë ku bënin thirrje për veprim. Por analisti Mark Krikorian thotë se republikanët e Dhomës kanë vizion tjetër për reformat në imigracion nga ato të demokratëve dhe konsensusi mund të jetë i vështirë.
Nëse nuk realizohen reformat në imigracion këtë vit, analistët thonë se zgjedhjet e vitit të ardhshëm për Kongres do të përcaktojnë fatin e reformave në 2015.(Kortezi VOA)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Imigracioni, Presidenti Obama, reforma

James W.Pandeli: Shqiptarët, muze i gjallë i kulturës në botë

October 17, 2013 by dgreca

Interviste me shkrimtarin shqiptaro-amerikan James W.Pandeli/

Nga Raimonda MOISIU/

Ai nuk ka qenë kurrë në Shqipëri, por për të di pothuaj çdo gjë. E njeh historinë, vuajtjet, luftërat, emrat dhe personazhet. Shkrimtari dhe eseisti shqiptaro-amerikan, James W. Pandeli e ka origjinën nga Devolli i Korçës. Gjyshërit e tij emigruan në SHBA, respektivisht aty nga vitet 1904, 1911, 1917 dhe 1920. Babai i tij ka lindur në fshatin Tren të Devollit dhe emigroi në SHBA kur ishte 5 vjeç, ndërsa e ëma lindi në Filadelfia nga prindër shqiptarë në dhjetor 1920. James W. Pandeli është një produkt i erës “Noli-Konica” në Amerikë. Ai është diplomuar në Universitetin e Konektikatit në vitin 1966 për ekonomi dhe në vitin 1975 në Kolegjin Juridik të Kalifornisë e mban titullin Doktor-Jurist. Librin “Oh Shqipëri, Shqipëria ime e mjerë” e botoi në vitin 1980, duke zbërthyer një pjesë të “gjenezës së historisë të popullit ilir, që prej vitit ‘700, para erës sonë”. Libri është botuar edhe në shqip në marsin e këtij viti në Kosovë. Në këtë libër ju do të kini kënaqësinë të mësoni më shumë mbi çamët, gegët, toskët dhe labët, rrënjët e gjenezës ilire të popullit shqiptar, gjë që tregon se në të shumtën e rasteve grekërit e lashtë apo kronikanët e kohës, kanë fshehur të vërtetën rreth botës së lashtë ilire dhe shqiptare. Në të është pasqyruar me një theks të veçantë historia e lashtë shqiptare në letërsinë greke, gjëra që nuk kanë qenë në gjendje të shprehen më parë. Për titullin “Oh moj Shqipëri, Shqipëria ime e mjerë” autori u frymëzua nga Pashko Vasa. Ai nuk ka dyshime se ilirët janë pasardhës të pellazgëve, e për këtë faktet i gjen tek greku Hesiod…
Libri është një përgjigje e menjëhershme e një ideje të menjëhershme. Është pasqyruar me një theks të veçantë historia e lashtë shqiptare në letërsinë greke, gjëra që nuk kanë qenë në gjendje të shprehen më parë. Libri është titulluar “Oh moj Shqipëri, Shqipëria ime e mjerë”, si një inspirim i autorit nga vargjet e “Hymni i Çlirimit” të Vaso Pashës:

“O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush të ka qit në krye n’hi? Ti ke pas qënë një Zonjë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin Nanë!”

James Wm. Pandeli, e shikon fat, për të analizuar një këndvështrim ilirian të ri “Oh, Shqipëri, Shqipëria ime e mjerë” të lidhur me diçka në histori, për ta kuptuar e besuar botën e lashtë pellazge-ilire-shqiptare, prejardhjen e fjalëve ilirishte të lidhura me diçka në histori, si në shkrimet e Hesiodit, pra diçka nga klasicizmi grek. Është historia e “Nënës Shqipëri”, që nga fillimi i botës-shprehet – James Wm.Pandeli. Për më shumë ndiqni intervistën që unë pata fatin të bëja me të!
Thuhet: James wm. Pandeli është produkt i erës Noli-Konica. Çfarë mund të na thoni për këtë lidhje midis Ju dhe atyre?
Të katër gjyshërit e mi kanë qenë të gjeneratës së Fan Nolit. Erdhën në Amerikë aty nga vitet 1904, 1911, 1917, 1920. Prindërit e mi janë martuar në kohën kur Faik Konica jetonte e vepronte në Amerikë. Gjyshi tjetër, largohet nga Shqipëria në vitin 1884, në moshën nëntë-vjeçare dhe ka punuar në miniera, në Egjipt, Bullgari, Turqi dhe në fund në Rusi. Unë kam edhe sot e kësaj dite monedha të kohës së Car Nikollas që datojnë nga viti 1898, që mendohet të jetë edhe viti i mundshëm i kthimit të tij në Shqipëri. Diku aty pas vitit 1915, ndërtoi një shtëpi në Korçë dhe pati dy fëmijë. Largohet përsëri nga Shqipëria drejt Amerikës.

Cili është libri tuaj i parë?

Libri im i parë dhe i vetëm është “Oh Shqipëri, Shqipëria ime e mjerë”. Më pas krijimtaria ime ka qenë më produktive duke shkruar esse.
Çfarë viti ka qënë kur u botua libri?
Viti 1980.
Nuk e kam ditur që ju e paskeni botuar aq herët…
Po, po.
Sa vjeç ishit?
36.
Të shkruarit ka qenë një ndjesi pasioni i hershëm i juaji, apo ju e ndjenit se diçka duhej të shkruhej?
Ka qenë një dëshirë e madhe e imja për të shkruar historinë e prejardhjes, rrënjët pellazgo-ilire –shqiptare. Shumë fakte të rëndësishme dilnin ndërsa lexoja “Gjeneza e zotërve”, të Hesiodit, në vitin ‘700 para erës sonë, dhe kjo më shtyri të mendohem se çfarë unë kam për të bërë. Fillova të eksploroja rreth fiseve çame, gegë, toskë dhe idetë në lidhje me identitetin shqiptar nga koha pellazge, duke përdorur di-oun-sis si një tezë për të deshifruar idetë. Disa zbërthime historike të shkruara nga një urtësia e intelektit të emigrantit të hershëm në SHBA, mik i familjes, Ali Rushit, Plaku i Konispolit, në vitin 1972, më inkurajuan që të përqendrohem në lashtësinë pellazgo-ilire.
Ju keni botuar librin tashmë të titulluar “Oh Shqipëria, Shqipëria ime e mjerë”, që në vitin 1980, si ia keni arritur ta botonit?
Kjo nuk ka aspak lidhje me besueshmërinë për botuesit apo redaktorët. Këto kërkime e studime që lidhen me historinë e lashtësisë ilire duhet të zhvillohen më tej e të bëhen prezent nga studiues e historianët shqiptarë dhe jo të huaj. Ky është një projekt tërësisht i plotfuqishëm shqiptar. Librin e botova vetë në përputhje me politikat e botimit e të drejtën e autorit. I kam dhënë katër kopje misionit shqiptar në OKB, në datën 1 Prill 1980. Aty ia kam dhënë në dorën time Z. Todi Rizo.
Është thënë e vlerësuar, në rast se libri “Oh, Shqipëri, Shqipëria ime e mjerë”, shkruar nga James Wm. Pandeli do të rezultojë të vërtetën një ditë, ai do të jetë libri më i madh në historinë e shkruar shqiptare. A është ky libër i bazuar në fakte të vërteta historike?
Unë e kuptoj se çfarë përbëjnë faktet historike. Nëse ju, iu referohemi burimeve të botuara duhet të pyesni veten se çfarë është paraqitur në fakt. Nga tezat e hedhura nga të tjerët në lidhje me  historinë pellazge–ilire–shqiptare duhet tu besosh paraardhësve që kanë lidhje me historinë shqiptare, dhe jo ato ç’ka na sugjerojnë dijetarët e huaj, fetë e mëvonshme. Nga kjo pikëpamje ata kurrë nuk kanë mundur ta shkojnë nëpër mend deri në thellësi të ekzistencës tonë, pasi ata kanë qenë të shtyrë nga interesat e tyre dhe e kanë parë veten të “rrëzuar nga pemët”, sepse çdo gjë ka qenë e bazuar në fakte historike. Qeramikat më të lashta të gjetura janë një proces i arsyetimit dhe shpjegimit të vështirë për pasaktësitë. Në fakt ne duhet t’i falënderojmë, sepse idetë, tezat e tyre, në lidhje me para-historinë krijojnë një vakuum, një boshllëk, në argumentet e tyre. Besoni apo jo, grekët vuajnë shumë nga kjo. Dhe dalim në përfundim se të gjitha tezat dhe argumentet e tyre dështojnë dhe ADN shqiptare ka qenë e pranishme që në lashtësi. Askush nuk mund të dalë me fakte historike para, por nga përdorimi i zgjuar dhe i ndershëm të fakteve, emrat e lashtë, domethënies së fjalëve, rrënjët e emrave të fiseve një tablo më të qartë të evoluimit të së kaluar. Asnjë grup tjetër nuk ka qenë në gjendje të provojë atë që është e pamundur, të mbulojë lashtësinë pellazgo–ilire-shqiptare. Por ajo ç’ka mua më sjell ndërmend, në rast se ky libër provon të vërtetën, ai do të jetë libri më i madh historik i shkruar ndonjëherë, që do të thotë një këndvështrim i ri, deri tani i paimagjinuar, jo i ndërtuar mbi të pavërteta, por për të dhënë të vërtetën, që në fakt është e vërteta e shkruar. Kjo është më se e vërtetë, pa konsiderata për perceptimin e njeriut para-historik, gjuhën dhe faktet historike. Ky proces i së vërtetës prodhuar gjatë shekujve, ndërsa pellazgo-ilirët ishin në shakullinë e pushtimit dhe trazirave, fillimisht nga legjionet e perandorive romake, pastaj bizantine, pastaj otomane dhe më pas nga paqëndrueshmëria e shteteve–komb, dhe dyndja e grupeve të huaja etnike në këto qindra vjet. Fakte interesante dalin kur te filmi ”Aleksandri i madh” (Alexander the Great). Përfytyroni për një çast Aleksandrin e Madh duke u bërë thirrje trupave të tij ilire: “Ti kanas, kala”. Dhe një fakt shumë interesant në histori është shkruar nga vetë Hesiodi, për perëndeshën Afërditë, simboli i dashurisë dhe mbarësisë. Historia më e mundshme e lindjes së Afërditës është versioni që unë kam shprehur në librin tim. Shqiptarët e sotëm duhet të kuptojnë se ekuilibrat duhet të bëhen në idenë e tyre, por kjo nuk do të thotë të dorëzohen.
Ku fillon fillon libri? Ju u nxitët nga ndonjë studim rreth kërkimeve mbi lashtësinë ilire, apo u frymëzuat nga diçka tjetër?
Unë gjithmonë kam pasur kënaqësinë dhe dashamirësinë të lexoj mbi historinë e popullit tim shqiptar. Ajo ç’ka është shkruar nga të tjerët, si edhe ajo e shkruar nga shqiptarët, aty vjen edhe frymëzimi edhe kureshtja intelektuale, për të treguar ç’ka më lidh mua një shqiptaro-amerikan me popullin shqiptar. Ishte viti 1979, kur unë shkova në bibliotekën e Ft. Lauderdale, Florida. Ndërsa po lexoja Hesoidin, dhe mbaja shënime, i bëra pyetjen vetes: ”A mund të jetë ideja sipas versionit të lashë se fillimi i botës ishte burimi i lumit Shkumbin?? Kjo mund të mos ketë qenë fakt i një fillimi, por këto teza mund të jenë hedhur që në lashtësi, nga gojëdhënat e banorëve të kësaj zone. I erdha rrotull bibliotekës, dhe për çudinë time, rrëmbeva një libër gjeografik, dhe ishte vërtet befasuese e habitshme gjeta emrin e vjetër të lumit ishte “Genusus”. Aty kuptova se çfarë zbulova. Ky emër i lashtë ishte një pjesë dhe fakt i historisë. Një pjesë, që sa bashku me të tjerat na japin një ide të mundshme.
Si ka mundësi që ju të paraqisni një këndvështrim të ri, në shkrimin e Hesoidit, dhe se ai shkrim vlen edhe për pellazgo-ilir-shqiptarët?
Hesoidi më dha mundësinë që të jem në gjendje të prodhoj një interpretim të ri, një kaos të koncepteve të epokës së gurit dhe në “fillim të krijimit të botës” në histori. Kam luajtur me argumentat. Pra, pse jo “Çam & Geg”. Në fillim duket si diçka e pabesueshme, por ashtu si edhe idetë e tjera, u konsideruan si katalizator, u shëndruan më shumë esenciale, edhe me analizimin e tezave të ndryshme. Ajo ç’ka është më e rëndësishme është të kemi besim në krijuesit e lashtësisë dhe të vazhdojmë të ecim në labirintet e shtjellimit të këtij procesi. Disa vite më vonë unë fillova të shkruaja esse, për të sqaruar dhe mbrojtur tezën time, çfarë kishte nevojë për tu përsëritur, më pas implikimet, dhe unë e kuptova se sa drejt ishin mendimet e mija. Ky studim i racës shqiptare hap disa aspekte të veçanta në lidhje me atë që unë e quaj ADN shqiptare. Aftësia ime mendore nuk mundet të pushojë!!
Ne e dimë tanimë. Në rast se prova kërkohet vetëm në shprehjen ”almost impossible” (pothuajse e pamundur). Si do ta argumentoni Çam, Gegë, Toskë & Lab dhe evoluimin e historisë shqiptare për akademikët/historianët skeptikë?
Fraza “pothuajse e pamundur”, doli nga unë. Gjëja më pak e rëndësishme tashmë si rezultat i punës sime dhe viteve të shkuara, janë skeptikët, ata të cilët ushqehen me zaptimi e tokave dhe humbjes së identitetit. Këto ditë ikën në të vërtetë, por akoma ka gjasa që të vazhdojnë. Ata e ushqejnë veten me këto ide, por kjo nuk u jep atyre dinjitet, sepse ata do të terminizohen anti-shqiptarë. Çdo kush është i mirëpritur me ide, edhe në rast se janë anti-shqiptarë, por, koha e të pandershmëve ka mbaruar. Historiani ose akademiku me argumente dhe ide dinjitoze e të ndershme sigurisht që është më se i mirëpritur për diskutim. Përshembull, imagjinoni se sa grekët mund të mësojnë për të kaluarën e tyre, nëse ata e marrin seriozisht punën time. Edhe studiuesit perëndimorë në Europë e Amerikë mund të përfitojnë. Kjo do të provonte edhe njëherë se sa kanë gabuar në bërjen e historisë. Pra ku është dituria? E njëjta gjë vlen edhe për sllavët. Imagjinoni të gjithë ata mund të mësojnë rreth trashëgimisë së tyre, si p.sh. fjalët “Alps” (Alpet) apo “plain” (fushat). Por ata u shndërruan në “puppets” (kukulla) të interesuar për të mësyer e pushtuar Ballkanin, edhe vetë “puppets”, për veten e popullin e tyre duke e përvetësuar atë si trashëgiminë e tyre kulturore. Skeptikët? Çfarë? Janë ajo lloj race që janë xhelozë për prejardhjen e lashtë të popullit shqiptar. Ata vetëm i mbajnë sytë nga Rusia, jo për përfitime kulturore, por për të vazhduar valën e tyre të represionit në Balkan. Nëse ju i merrni me shaka këto që ju them, hidhni vështrimin në Greqi, çfarë po ndodh, njerëz të trishtuar për vendin e tyre, të dëshpëruar me trazirat ekonomike. Por kjo do të vërtetohet së shpejti edhe në Amerikë. Konceptet Çam, Geg, Tosk & Lab, kanë evoluar që në kohët e lashta në rrethinat e lumit Shkumbin, ashtu që aty ku ka filluar edhe jeta e njerëzve primitivë. Në nuk mund ta përfytyrojmë këtë kohë primitive, por ne mund të reflektojmë duke shfrytëzuar idetë e tezat e ndryshme, të përmendura më lart, perceptimet, faktet, gjuha, fjalët dhe emrat që i kanë mbijetuar gjithmonë evolucionit.
Kjo dituri vjen nga diku…
Dituria vjen nga eksperiencat e mia në jetë, që në moshën e hershme. Unë e kam kuptuar se pa arsimin nuk mund të ecësh, dhe nuk kam marrë parasysh koston e lartë, por kam ecur dhe bërë më të mundshmen.
Është kjo ç’ka ju e reflektoni në shkrimet tuaja?
Intelekti im është produkt i krijimit final, prirjet e mija kanë qwnë gjithmonë koncepte të rëndësishme të të kuptuarit dhe të pamundurës.
Ku jetoni?
Në Florida.
Si e interpretoni krizën e tanishme ekonomike globale? Është një trillim apo realitet?
Oh, ajo është një realitet tashmë që i ka rrënjët shumë të vjetra e të thella. Të vjetrit e kuptojnë dhe e analizojnë më mirë këtë.
Cilat janë ndjenjat tuaja për Kosovën e Shqipërinë?
Ndjenjat e mija janë të njëjta drejt së njëjtës strategji për “Nënën Shqipëri”. Nëna Shqipëri si gjithmonë në histori tregon forcën e saj nëpërmjet inteligjencës dhe atdhetarizmit të shqiptarëve të Ballkanit, por edhe jashtë Ballkanit.
A e konsideroni veten shqiptar?
Unë jam shqiptar i besimit e pasardhës e pellazgëve, ilirëve, shqiptarëve, e këtë e them me shpirt. Merreni këtë koment seriozisht kur ju shqyrtoni ngjarjet aktuale interpretimin shpirtëror dhe të qenit njeri, në këtë shtëpi të përbashkët që quhet toka mëmë. Nuk e bëj sa për tu dukur, por për të moralizuar, menduar shpirtërisht në këtë të vërtetë, që çdo njeri duhet ta përfytyrojë. Kjo është rëndësia e zbulimit të gjenezës pellazgo-ilire-shqiptare në kuptimin më madhor, sepse ata kanë ekzistuar dhjetëra-mijëra vjet më parë, dhe se njeriu ka arritur përtej kapacitetit të tij, për të menduar e vlerësuar ndjenjën shpirtërore për tokën amtare.
Ju thatë se inspirimi iu vjen nga origjina juaj shqiptare. Shkrimet, essetë tuaja, fantazohen apo krijohen ashtu si ishin? Kam përshtypjen se ato ndikojnë…
Jo. Frymëzimi nuk vjen nga “lart” por kjo “lart”, vjen si rezultat i vështrimeve ndaj kulturave të tjera, njerëzit e tjerë, kapacitetet dhe aftësitë e tjera më të mundshme, apo nga të rinjtë pellazgë-ilirë-shqiptarë. Puna ime vjen nga vlerësimi dhe respektimi e paraardhësve, me krijimtarinë e forcën e tyre, në kujtim të tyre, për mbijetesën tonë.
Pse shkruani?
Unë mendoj se nga kjo bisedë ti e ke kuptuar tashmë pse unë shkruaj dhe ti mund të mendosh pse unë ndjehem shqiptar. Unë kam qenë shumë i lidhur me historinë shqiptare. Ju këtë mund ta lexoni të pasqyruar, duke lexuar librin tim, idetë, zbulimet e mija, sepse ato tashmë janë përgjithmonë të vendosura në kontekstin shqiptar si një zanafillë.
Çfarë po shkruani tani?
Tani jam i interesuar për gjendjen ekonomike amerikane. Unë jam ekonomist dhe është një situatë që e kuptoj shumë mirë.
Një mesazh për komunitetin shqiptar?
Ju lutem, mos harroni fjalët e Muharrem Cerabregut: ”Shqiptarët janë muze i gjallë i kulturës në botë? Gjithçka unë bëra, e bëra për të hapur një dritare për të kuptuar se ç’është prejardhja, origjina. Ju lutem gjithashtu kini parasysh, unë jam gjithmonë i ndërgjegjshëm për vuajtjet e popullit tim shqiptar, për 50 vjet në Shqipëri e Kosovë, dhe më gjerë, në Ballkan. Brezi i ri ka një potencial, jeton në një botë perëndimore të lirë dhe industriale, produktive, të cilët kanë mundësi të mësojnë akoma më shumë për lashtësinë. Për të bashkëpunuar së bashku sa herë e kudo që është e mundur, të ndihmojnë shqiptarët për të kapur majat. Ky është “kismeti”, dhe ADN jonë!

Ju faleminderit!

Qofshi o nderuar dhe krenar për shpirtin tuaj shqiptar!

Bisedoi: Raimonda Moisiu

Hartford, CT- USA!

Filed Under: Featured

Rubrika e Diellit- NGA DOLI EMRI I BALLSHIT

October 17, 2013 by dgreca

Nga Nelson CABEJ/

 Krahina e bylinëve “ager Bullinum” (trojet e Bulinëve)1, gjëndej në krahun e djathtë të lumit Vjosa (Aoos), i cili i ndante ata nga fisi i amantëve. Sipas Stefan Bizantinit, βουλῖνοί ose bulinët (kështu shqiptohej ky emër fisi në greqishten klasike) ishin një fis në Iliri (ἔϑνος περὶ Ἰλλυρίαν), kurse kryeqendra e tyre ishte Βύλλις2, që shqiptohej Bylis në greqishten klasike dhe Bulis në greqishten e lashtë. Edhe latinët emrin e fisit e shënonin Bullini. Në juglindje krahina kufizohej me trojet e parauejve, kurse në veri – me taulantët, por sipas Tit Livit (59 p.e.s.-17), ajo shtrihej deri në brigjet e Adriatikut.

Bylisi ka ekzistuar si qytet të  paktën që nga shekulli IV p.e.s. dhe arriti lulëzimin e tij të plotë para pushtimit romak të Ilirisë, në shekujt III-II p.e.s. Pas kësaj ai provoi një rënie graduale deri në shuarjen e plotë të jetës qytetare në të nga shekulli VI, siç duket, si pasojë e sulmeve barbare. Megjithatë, në shekullin VI, në  afërsi të qytetit të lashtë,  aty ku gjëndet Ballshi i sotëm, u ndërtua një bazilikë dhe më vonë, në shekujt XI-XII, në këtë  vëndbanim u bënë ndërtime me lëndën e sjellë nga rrënojat e Bylisit të lashtë. Bashkë me lëndën, njerëzit, duke braktisur qytetin, mbartën emrin e tij në vendbanimin e ri. Vazhdimësia fizike dhe historike e qytetit të lashtë në Ballshin mesjetar, dëshmohet jo vetëm nga të dhënat historike dhe arkeologjike por dhe nga pikëpamja gjuhësore toponomastike.

Autorët e lashtë na kanë lënë dy rrënjë alternative  bul- dhe byl- e para për emrin e fisit dhe e dyta për emrin e qytetit Bulis (Βύλλις)/Bylis. Në përdorimin e këtyre dy formave të emrit të qytetit nuk mund të përjashtohen edhe shtrembërimet eventuale, që lidhen me veçoritë e fonetikës e të drejtshkrimit të greqishtes së lashtë e të latinishtes. Në  përpjekjen për të përcaktuar se cila prej këtyre dy formave i përgjigjet më mirë shqiptimit original ilir të toponimit na krijohet tablloja krahasimtare e më poshtme.

Forma Bylis eshtë më e përhapur, por pranimi i kësaj forme nxjerr një vështirësi të  pakapërcyeshme gjuhësore: as rregullat fonetike të shqipes, as ato të greqishtes e të  latinishtes nuk mund të na shpjegojnë shndërrimin yàa, që vihet re në formën Balis (Philocaris episcopus Ballidi”) në  një  dokument të  vitit 4583 dhe si qendër peshkopate “Ballidi in Epirus nova”4.

Forma Boulis (Bulis) lejon dhe shpjegon evolucionin fonetik të këtij vëndemri që vihet re në burimet e lashta, d.m.th. format Belis dhe Balis. Ky evolucion mund të  shpjegohet me rregullat fonetike të shqipes ku janë të njohura shndërrimet ouàe dhe ouàa, që  kërkohen për të dalë  në format Belis dhe Balis.

Në qoftë se do ta shpinim këtë hetim më tej në lashtësi, do të gjenim se rrënja indoevropiane *bhel kishte kuptimin “fryhet”, që në gjermanishten ka dhënë “bal” – ‘top’ dhe në shqipen dha emrin “ballë ” e po kështu dha fjalët për ballë edhe në prusisht (ballo) e në indishten e vjetër (bhālam).

Hipoteza se me po atë rrënjë *bhel dhe me fjalën *bala, që është faza ilire e fjalës shqipe “ballë”6, doli vëndemri Boul(is), gjen një mbështetje të fortë në një fakt tjetër historiko-gjuhësor. Në kohën e sundimit bullgar kur Boulis u ripagëzua nga pushtuesit si Gllavinica [gllava (глава) është fjala e bullgarishtes mesjetare për kokë], që shihet qartë se ishte një përkthim nga shqipja për nevojat e administratës dhe kishës në kohën e sundimit bullgar në shekujt IX-XI. Po kështu, emri Boulis (Bulis) del i përkthyer edhe në burime mesjetare bizantine si Kephale nga greqishtja κεφαλή ‘kokë’.

Përkthimi i vëndemrave gjatë sundimit sllav dhe zëvëndësimi i emrave shqip ose përdorimi parallel i tyre është një dukuri e njohur në trojet shqiptare.  Kështu ka ndodhur me përkthimin e emrit Zagori nga vëndemri Prapamal. Emri Prapamal përdoret ende në ditët tona nga banorët e rrethit të Përmetit, por jo nga ata të Gjirokastrës, të cilët, duke qënë më pranë qendrës administrative të sundimit bullgar dhe sërb përdorin për këtë krahinë emrin Zagori. Po kështu, sipas gjuhëtarit rus A.M. Selishçev (1886-1942), ka ndodhur edhe me vëndemrin e sotëm Velipojë në rrethin e Shkodrës, që deri vonë quhej Fushgjanë dhe me fshatin Starovë në rrethin e Pogradecit që më parë quhej Plakoni7.

Forma Balis  mund të  kalojë  rregullisht  (në  baze të  rregullave të fonetikës historike të  shqipes) në formën e sotme Ballësh, që është emri i këtij qyteti, fqinj të vëndbanimit të  lashtë Bulis.

Fakti që evolucioni i toponimit të lashtë ilir Boulis në Ballsh ndodhi në përputhje me rregullat e fonetikës historike të shqipes, krahas faktit që në burimet mesjetare bizantine ky qytet del si përkthim i fjalës kokë në greqisht e bullgarisht përkatësisht si kephale (κεφαλή) dhe Gllavinica, tregon se qysh nga lashtësia dhe pa ndërprerje ai qytet ka qenë banuar nga shqiptarë.

Referimet

1. Titus Livius (Livy), The History of Rome, Libri 36, 7.

2. Stephani Byzantii ethnicorum quae supersunt. Red A. Meineke, 1849, Berlin.

3. Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, doc. no. 23.

4. Fabricius, J.A. Bibliotheca græca: sive, Notitia scriptorum veterum …, volumes 11-12, f. 274.

5. Pokorny J. (1959). Indogermanisches etymologisches Wörterbuch. Bern : Francke, 1959-1969.

6. Çabej, E. (1976). Studime Gjuhësore I, Rilindja, Prishtinë, f. 53.

7. Селищев, А. (1931). Славянское население в Албании. София.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Emri i ballshit, Nelson Cabej, rubrika e Diellit

Deshmi ne Kongresin Amerikan per identitetin e shqiptareve ortodokse ne Maqedoni

October 17, 2013 by dgreca

Branko Manojlovski do të dëshmojë në Kongresin Amerikan për njohjen e identitetit shqiptarëve ortodoks në Maqedoni/

Nga Skënder KARAÇICA/

Branko Manojlovski në takimin e sotëm në Muzeun Holokaust në Çikago ka shtruar një varg çështjes që kanë të bëjnë me popullin e ndaluar shqiptar ortodoks në Maqedoni.Duke folur për këtë temë tabu tash e 72 vjet të regjimeve komuniste e totalitare,ai ka theksuar se në krahinën shqiptare të Rekës së Epërme me 17 katunde kryesisht shqiptare ortodokse,jetojnë më shumë se 250 mijë shqiptarë autokton me traditën shekullore të gjuhës,të kulturës dhe traditës shqiptare të besimit ortodoks.Shqiptarët ortodoks,ka thënë Branko Manojlovski,jemi populli i ndaluar dhe përmes skenarëve të njohur sllavomqedonas dhe të kohës komuniste në ish-Jugosllavi,bënë që bashkombasit e mi shqiptar ortodoks mbetën në orët e harresës historike.

Duke dëgjuar diskutimin e Manojlovskit,drejtoresha e Muzeut Holokaust Noreen B.Brand,theksoi se historia e popullit shqiptar ka shumë pikëtakime të dhimbshme me popullin hebrej.Ndërsa për këtë problem të anatemuar të shqiptrëve ortodoks në Maqedoni,e ka marrë fjalën Dan Shure,i cili theksoi se në bashkëpunim me SHSHA-në do të organizojmë që Branko Manojlovski të dëshmojë në Kongresin Amerikan në Uashington për njohjen e identitetit të shqiptarëve ortodoks në Maqedoni.

Ndërkaq,përfaqësuesit e SHSHA-së theksuan se për avansimin e problemit shqiptar ortodoks do duhej të merren më seriozisht deputet sshqiptarë të të gjitha subjekteve politike dhe të BDI-së në kaulicion me kryeministrin aktual Nikolla Gruevski,për të vënë në jetë të drejtën me ligjet kushtetuese në Maqedoni për njohjen e identitetit të anatemuar për këto 72 vjet të regjimeve kundër popullit shqiptar ortodoks në krahinën shqiptare të Rekës së Epërme,thuhet në këtë kumtesë që doli nga takimi i sotëm në Muzeun Holokaust në Çikago.


Filed Under: Featured Tagged With: deshmi ne kongresin amerikan, maqedoni, shqiptaret ortodokse, Skender Karacica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT