• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2013

Papulias neser në Shqipëri

November 2, 2013 by dgreca

Presidenti i Republikës Greke, Karolos Papulias, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri, nga e diela 3 nëntor, deri të martën më 5 nëntor.

Presidenca greke njoftoi zyrtarisht vizitën duke bërë të ditur se zoti Papulias do të takohet të hënën me udhëheqjen politike dhe shtetërore të Shqipërisë, pa specifikuar emrat e krerëve shqiptarë që do të takojë ai.
Ndërkohë të martën Presidenti Papulias do të shkojë me helikopter nga Tirana në Gjirokastër, ku do të vizitojë zona ku jeton minoriteti grek në Shqipëri.
Vizita e Papulias në Shqipëri, zhvillohet disa ditë pas asaj të ministrit të Jashtëm Evangelos Venizelos dhe nga media greke vlerësohet si një hap i duhur i Athinës për të “ngrohur” marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, të cilat u tensionuan disi pas vizitës së ministrit të Jashtëm.
Ky i fundit në një konferencë shtypi për gazetarët grekë tha pas vizitës, se deklaratat e tij në Tiranë janë tezat e politikës greke, mbi të cilat do të mbështetet edhe vizita e presidentit grek në Shqipëri.(Balkanweb)

Filed Under: Featured

Histori: Çfarë ka ndodhur më 2 nëntor?

November 2, 2013 by dgreca

1936 – Diktatori italian Benito Musolini shpall Boshtin Romë – Berlin, duke krijuar aleancën e Fuqive të Boshtit…/

Nga Astrit LULUSHI/

1936 – Diktatori italian Benito Musolini shpall Boshtin Romë – Berlin, duke krijuar aleancën e Fuqive të Boshtit. Termi “bosht” besohet të jetë përdorur fillimisht nga kryeministri fashist i Hungarisë, Gyula Gombos, i cili përkrahte idenë e një aleance  Gjermani – Hungari – Itali. Ai veproi si ndërmjetës mes Gjermanisë dhe Italisë për të arritur një aleancë të tillë. Por Gombos vdiq papritur në vitin 1936, dhe ardhja e Kalman Daranyit – pasardhës jo-fashist në postin e kryeministrit – i dha fund përpjekjeve të Budapestit për krijimin e një boshti 3-palësh .
1965 – Norman Morrison, 31-vjeçar nga shteti Maryland, i vë zjarrin vetes, duke u lyer me benzinë në hyrje të Pentagonit, në shenjë proteste kundër përdorimit të napalmit në Luftën e Vietnamit. Në qytetin vietnamez Da Nang, një rrugë mban emrin “Norman Morrison” në kujtim të aktit të tij kundër konfliktit Vietnam -SHBA .
1976 – Jimmy Karter fiton ndaj Gerald Fordit, duke u bërë presidenti i parë amerikan nga një shtet i thellë jugor që nga Lufta Civile. Para se të bëhej President, Karter, demokrat, kishte shërbyer si oficer marine, kishte qenë fermer kikirikësh, senator shteti për dy mandate dhe guvernator i shtetit Xhorxhia për një mandat. Pas një mandati si president, Xhimi Karter u nderua me çmimin Nobel për paqe për veprimtarinë e tij në pajtimin e konflikteve ndërkombëtare.
1983 – Presidenti amerikan Ronald Reagan nënshkruan ligjin për krijimin e Ditës së  Martin Luther Kingut, laureat i çmimit Nobel për paqe, udhëheqës i lëvizjes për të drejtat civile – i vrarë me atentat më 4 prill, 1968.

Mendim i ditës
“Njeriu nuk është çfarë mendon se është, por çfarë fsheh.”
André Malraux(Kortezi VOA)

Filed Under: Histori Tagged With: 2 nentor, Astrit Lulushi, cfare ka ndodhe

MBI KULLA STYLE, TEK “LEJLEKËT NUK DO TË VIJNË MË”

November 2, 2013 by dgreca

nga Merita McCormack/

I pari pohim që dua të bëj është se “Lejlekët nuk do të vijnë më” – një roman i përthyer në tregime-mozaikë, për mua është një libër i mrekullueshëm. 

Nuk nguroj të them që në fillim se ky libër në gjininë e tij nuk ka të krahasuar. Ia rekomandoj gjithkujt që ta lexojë.

Autori Pëllumb Kulla, i mirënjohur në veprimtarinë e tij, i afirmuar në fushën e artit, një personalitet i përveçëm në kulturën shqiptare, jam e sigurtë që nuk ka nevojë për një kritikë letrare timen, pasi unë nuk kam çertifikatat e duhura profesionale të bëj një analizë apo një kritikë letrare. Por që unë t’i shpreh kënaqësinë që më dha leximi i librit, them se ai ka nevojë, si çdo autor tjetër. Ai ka nevojë për mirënjohjen e lexuesit. Dhe unë i shpreh vërtet mirënjohje, pasi ka shkruar diçka të veçantë, një pasqyrë thuajse të plotë të tipareve të diktaturës, me realizëm dhe me ngjyra humori, që vetëm ai di t’i qëmtojë, mbledhë, formulojë artistikisht dhe t’i përcjellë te lexuesi sa më mirë.

Gjithashtu, do të mundohem të bëj një përmbledhje mbresash, jo vetëm si lexuese e pasionuar, por edhe si një personazh, që ka përjetuar një pjesë të mirë të fakteve që regjistrohen në atë libër. Janë, si të thuash, shënimet e një lexuesi-personazh. Ato ngjarje janë pjesë e jetës sonë, e jetës sime, e të afërmeve të mi apo tuajve dhe nën këtë dritë do të mundohem të sjell emocionin tim apo përjetimin tim gjatë leximit të këtij libri dhe përcjelljes së çdo ngjarjeje. “Lejlekët nuk vijnë më” është një libër që duhet lexuar nga të gjithë, pasi  tregon me zhdërvjelltësi, me vërtetësi, me dhimbje, gatuar me humor tepër të hollë, me një teknikë përcjellëse të fjalës që është unike apo “Kulla Style”, nëse mundem të emërtoj stilin e Pëllumb Kullës të tillë, duke marrë shkas qoftë nga krijimet e tij unike. Këtu do të përmendja atë përcaktimin e thekur në një fjalë të re që na e ka ofruar vetë ai: “kripëmjaltëza”, një neologjizëm i goditur, që ka marrë jetë për herë të parë në librin  e tij “Skënder Sallaku, ose si qeshnim nën diktaturë”.

Diktatura në libër përfshihet gjerësisht mes dy tregimesh emblematike, në të cilat përshkruhen dy vdekje me peshë: ajo e Stalinit dhe e Enver Hoxhës. Këto dy tregime hapin dhe mbyllin librin. “Vdekja e Stalinit”, tregimi i parë i këtij libri, bën fjalë për një periudhë që vjen ende e gjallë nga rrëfimet e pleqve, ekzaktësisht si e tregon autori. Njerëzit “u marrosën” dhe falën vite për Stalinin, të cilit vdekja i kishte trokitur në portë dhe fanatikët stalinistë, edhepse me Zot të mohuar, i mbante shpresa se Zoti do mbyllte sytë mbi paudhësitë e tyre e do t’u bënte një shërbim: t’ u merrte jetë atyre e t’ia shtonte Carit komunist të Rusisë. Pavarësisht se sa “vite i dhuronin formalisht në mbledhjet e asambleve” diktatorit rus, njerëzit nuk e kuptonin se ishin viktima të ideologjisë së tij, por edhe po ta kuptonin kjo nuk u vlente. Fatet e tyre ishin shënuar.

Pa dashur të kaloj në një analizë më të gjerë sociale, dua të vazhdoj me përshtypjet e mia për librin. Një radhë tregimtarie e vendosur bukur kronologjikisht, një përshkrim artistik mjeshtëror, një qetësi në rrëfim, për të lënë shpërthimin e pikave kulmore mes një humori magjepsës dhe ti, ndërsa je me lot dhimbje në sy, shpërthen papritur në lot të tjerë gazi, – lotë përmbi lotë,  – në një të qeshur të papërmbajtur, pasi “Kulla Style” bën efektin e vet: faktet janë të vërteta, por natyrisht treguar me imtësi dhe organizuar në optikën e groteskut që tani duket i lehtë për t’u zbuluar. Për shëmbull: lufta e klasave ekzagjerohet aq sa ti habitesh që ajo ndërkohë është edhe plotësisht e besueshme. Një individ mund të mos lejohej të ndiqte universitetin, mund të mos dekorohej, mund të mos lejohej të lozte në një film, por që ta vuajë këtë edhe një gomar i gjorë!!! Flitet për një kafshë fatkeqe, që ngre kundër tij turma fanatikësh të egërsuar, që shkakton mbledhjen e një pleniumi partie,për një gomar që e rrahin dhe në fund e shtyjnë në greminë, vetëm se punonte dhe hante në grazhdin e një njeriu që ishte politikisht i deklasifikuar?! Ajo që unë quaj “Kulla Style” shfaq këtu devijim nga objekti, por jo nga tema! Jo nga tema e luftës së klasave! Devijim nga objekti është edhe servilizmi kolektiv në tregimin e rrallë “Një shofer hijerëndë” por ama autori nuk lëviz nga tema nga mesazhi. Shoferi i kryeministrit pushon çdo vit në fshatin e tij të lindjes dhe në atë muaj në ato anë vihet re çdo vit një gjallëri e jashtëzakonshme. Në atë fshat bëhen festivale, aparatet e komiteteve ngrysen e gdhihen në fshat, teksa shoferin e nderuar e marrin në dreka e darka Sekretari i Parë i rrethit dhe Kryetari Komitetit Ekzekutiv. Leri më bashkëfshatarët që presin me ankth t’i qajnë hallet atij, të lumurit, që fati e ka shpënë bripërbri me të parin e vendit!…

Kështu qesh dhe qaj me këtë libër dhe besoj se kjo e lehtëson disi dhimbjen.

Me një finesë të veçantë artistike, Kulla tregon episode komike, por që popullit i kushtuan tragjikisht dhe vraga përcjellëse djeg, dhemb, të rikujton dhe natyrisht të mëson. Nuk mund të mbash lotët nga e qeshura, kur lexon për atë rojën te lëmi i fshatit që mbushte grykën e çiftes me fasule, apo grurë gjatë të korrave… Është zor të frenosh lotët e dhimbjes përgjatë leximit të tregimit të shkëlqyer “Lejlekët nuk do të vijnë më” që i jep edhe titullin librit. Shtëpia e Xha Sulit, varjet në litar, dënime për zjarre të inskenuar nga vetë Sigurimi në mullarët e kashtës, përgojimet, përçmimi, kjo dukuri e keqe, pjellë e një sistemi ideologjik, mbjellë në shpirtrat e pastër, që tani kërkon kohë të shkulet, janë të gjitha aty, brenda qëniesh njerëzore që vuajtën, që ndjenë thikën e vdekjes e të torturës deri në palcë.

Lejlekët nuk erdhën më… I dhimbshëm fundi i lejlekëve, i të vetmeve qënie të gjalla që shtegtonin, dilnin e hynin përmbi kufijtë e vendit të mbyllur duke zilepsur e ngjallur ëndrra për një botë pa tela, pa viza dhe pa kufij. I dhimbshëm internimi i individit brenda vetes!

E nëse unë mund të dukem se po i mëshoj kësaj pike, më ndjeni, më dhemb, mendoj se shoh nënën time në një nga ato vajza shpresëprera që nga dritarja sodisnin ardhjen e shpendëve nga vendet e ngrohta. Në ato faqe libri gjej tim gjysh, tek ai kulaku i moshuar Bezhani, që edhe pse thellë e urrente Stalinin dhe stalinizmin, detyrohej “t’i falte vite” Stalinit, pasi ashtu kishin bërë dhe fshatarët e tjerë, për të gëzuar barazinë me ta. Refuzimi i viteve të tij për Stalinin, nga të parët e fshatit është pjesë e tragjikomedisë multidimensionale të popullit tonë. Mbase unë gjej edhe veten në një nga ata fëmijët me pamje të përhumbur që nuk kuptonin përse-në e shkrimit të parullave si “Uji fle hasmi nuk fle” mbi muret e lyera me gëlqere të bardhë të shtëpive të tyre.

Këto nuk mbarojnë, por unë bëj mirë t’ju le ta shuani kuriozitetin vetë duke e lexuar librin në të cilin flitet për një çrregullim psiqik pesëdhjetëvjeçar, për një përçartje ideologjike, një utopi qesharake, për një vuajtje, një vuajtje madhore, për një mbijetesë që nuk ka shëmbuj në histori.  “Kulla Style” e ka sjellë mjeshtërisht këtë në dritë të plotë, të dhimbshme, plot humor, rekomanduese në thelb.

Por ky mësim duhet të përçohet, duhet t’ju jepet brezave, duhet t’ju njihet me vërtetësi ashtu si ka filluar të shkruhet së fundi dhe nga autorë të tjerë, të tregohet e vërteta me dhimbje apo me humor, me mjete artistike të ndryshme, por me vërtetësi. Mendoj se një nga vlerat më të mëdha të këtij libri në aspektin historik është se ka një dëshmi besnike në çdo paragraf, në çdo tregim. Brënda faqeve të librit ka një ngacmim të vazhdueshëm për t’iu rikthyer së mbari një historie të pa shkelur, që prêt të arshivohet me vërtetësi dhe me mendje të ftohtë. Unë, nga ana tjetër kam bindjen e patundur se kjo vepër letrare e rrallë, do të bëhet një objekt leximi dhe studimi për vlerat e veçanta njohëse dhe estetike, vlera që unë në pamundësi t’i shpalos kam kënaqësinë vetëm t’i propozoj për vëmendje.

             I uroj suksese autorit dhe shpresoj se gjithkush që e lexon këtë libër të ketë mësuar atë të vërtetën e hidhur që la breza shqiptarësh nën hijen e rëndë të abuzimit, ndarjes së vëllait nga vëllai, përçarjen, ndjenjën e urrejtjes apo egoizmit në kufijtë më ekstremë. Autori  besnik stilit të tij të përveçëm tashmë të mirënjohur, e përcjell dhimbjen me shumë zhdërvjelltësi, me humor, duke reflektuar gjestin e madh të faljes, duke evidentuar dashurinë që mbijeton, duke i dhënë udhë fillimit të procesit të shërimit, na ka sjellë një vepër të përkryer, që i shtohet ajkës së thesarit letrar shqiptar. Dhe gjithmonë me “Kulla Style”!…

Filed Under: Featured Tagged With: Lejleket nuk vijne me, Merita McCormoack, pellumb Kulla

Rubrika e Diellit-DROPULLI

November 2, 2013 by dgreca

Nga NELSON CABEJ/

 Me këtë emër njihet lugina e rrjedhjes së sipërme të lumit Drino, në rrethin e Gjirokastrës. Përgjithësisht pranohet se emri i Dropullit rrjedh nga emri i një qyteti të lashtë iliro-epirot që është lokalizuar me siguri në atë rajon, rreth 14 km në jug të Gjirokastrës. Në dokumentet e lashtësisë ky qytet del me emrin Hadrianopolis (Άδριανούπολις) dhe është thënë se këtë emër qytetit ia kanë vënë për nder të perandorit romak, Hadrian (76-138 të erës sonë), që  sundoi si perandor për 21 vjet, nga viti 117 deri në vdekjen e tij në vitin 138.

Megjithatë, dokumente autentike, joanekdotike, se ky qytet e mori emrin nga perandori Hadrian, me sa di unë të paktën, nuk ka. Ne dimë se për nder të atij perandori u emërtua Hadrianopolis, qyteti mbi të cilin është ngritur Edreneja në Turqinë europiane, dimë për Murin e Hadrianit që ai ngriti në veri të Anglisë, dimë se ai perandor ngriti një bibliotekë madhështore në Athinë si dhe një lagje krejtësisht të re, që për nder të tij u quajt Hadrianupolis1,2. Ndonëse Hadriani u shqua për vizitat që bëri anembanë perandorisë, si kurrë ndonjë perandor tjetër, nuk dimë që ai ta ketë vizituar ndonjëherë këtë qytet, e mbase  as  rajonin e Epirit. Ai ndërtoi shumë ujësjellsa, amfiteatre, duke përfshirë amfiteatrin në Durrës, biblioteka dhe banja por nuk dimë të ketë bërë ndonjë gjë të tillë në “Hadrianopol”.

Për të gjitha arsyet e sipërpërmëndura, prejardhja e vëndemrit Dropull duhet kërkuar edhe diku tjetër dhe, lidhur me këtë, duhet mbajtur mënd se për pesë shekuj para se të bëhej Hadriani perandor, d.m.th. që nga koha kur u themelua në shekullin IV p.e.s., ai qytet ka pasur një emër. Cili  duhet të ketë qënë ai emër?

Në gjysmën e parë të shekullit VI qyteti del në formën Hadrianupolis (Ἀδριανούπολις)3 te Synecdemos e Hieroklit.

Ndërkohë që nuk kemi të dhëna të tjera të lashta që mund të shfrytëzoheshin për të gjetur prejardhjen e vëndemrit Dropull, ne kemi nje burim gjuhësor, që është shfrytëzuar për herë të parë nga E. Çabej (1987). Është fjala për emrin e lumit Drino nga i cili, mendonte ai, ka dalë emri Drino-polis (qyteti i Drinos), në bregun e majtë të të cilit ky qytet shtrihej para se të zhvendosej në kodrat e fshatit të sotëm Peshkëpi, në të djathtë të rrjedhjes së Drinos, në periudhën e sulmeve barbare nga shekulli VI, kur administrate bizantine e ripagëzoi këtë qytet me emrin Justianianopolis. Siç na bën të dimë Prokopi i Cezaresë: “Këtu, gjithashtu, ai ndërtoi qytetin Justinianopolis, i cili më parë quhej Adrianopolis”)5. Por vetëm tre shekuj më vonë, në shekullin  X, Konstantin Porfirogeneti, në një listë të qyteteve të Epirit të Vjetër, e jep përsëri emrin e qytetit në formën klasike Hadrianopolis (Άδριανούπολις)6.

Emri Drin është një emër tipik i lumenjve në Iliri. Në trojet e Ilirisë së jugut sot ky emër del  në lumin Drino -degë ë Vjosës- (Gjirokastër) si dhe në Drinin e Bardhë dhe Drinin e Zi, kurse në trojet ilire të veriut ai del te lumi Drina në Bosnjë. Ne dimë se emrat e lumenjve në Iliri janë përdorur për të emërtuar qytetet që shtriheshin  në brigjet e tyre ose në luginat e tyre (kujto Salonën, Naronën dhe Rizonin në bregdetin  dalmat, Devollin dhe dhe Skampën e lashtë, p.sh.). Për këtë arsye, ngjashmëria e emrit të qytetit mbi Drino (Drinopolis) me emrin e perandorit Hadrian mundtë ketë ndikuar në autorët e lashtë për të quajtur atë qytet Hadrianopolis (kujto këtu se Ptolemeu quan Albanopolis kryeqendrën e fisit të albanëve, ndërkohë Zgërdheshi i sotëm ku është lokalizuar me siguri ai qytet, pas gjithë gjasash, ka qënë quajtur Skydreon polis (Σκυδρέων πόλις) e mbase thjesht Skydreon).

Burimet e lashta dhe mesjetare përgjithësisht janë konservative në kuptimin që forma në të cilën shfaqen emrat e qyteteve në ato burime shpesh janë forma të vjetruara ose libreske, larg emrave të vërtetë bashkëkohorë (shëmbuj, Berati, Vlora, Gjirokastra, Butrinti)

Është me interes të vihet re se të dy emrat libreskë Hadrianopolis dhe Justinianopolis nuk mbijetuan dhe u shuan jo vetën nga kujtesa e banorëve të atyre anëve por gradualisht edhe nga burimet historike bizantine. Të paktën që nga fillimi i shekullit IX, d.m.th. dy-tre shekuj pas futjes së emrit Justianopolis ai qytet del me emrat Adrianopoulis/Dryinopolis si qendër peshkopate7. Në vitin 1018 qyteti del me emrin Dryinoupolis, krahas njëmbëdhjetë qyteteve të tjerë Epirit, Nikopolit (Νικόπολις), Dodonës (Δωδώνη), Finiqit (Φοινίκη), Anhesmit (Άγχιασμός), Butrintit (Βουϑρωτός) dhe ujdhesave të Korfuzit (Κερκυρα) e të Itakës (Ίϑάκη) 8. Shihet se pas shekullit X emri Adrianopoulis ka humbur A-në fillestare për të dhënë formën Dryinopolis, që do të mbizotërojë në burimet e mëvonshme bizantine. Kështu, në shekujt XI-XII del si një nga peshkopatat ndihmëse (suffragane) të peshkopatës metropolitane të Naupaktit, krahas atyre të Janinës, Butrintit, Artës etj. 7, 10 .

Për të shpjeguar këtë dukuri fonetike duhet ose të pranohet se format Hadrianopolis dhe Justinianopolis janë forma letrare skolastike të variantit  hipotetik *Drinopolis ose shpjegimin alternative se emri i qytetit Hadrianopolis duke filluar nga shekulli X kishte evoluar në Drinopolis, evolucion që mund të shpjegohet me regullat fonetike të shqipes, por të asnjë gjuhe tjetër të popujve fqinj të Ballkanit ose të latinishtes.

Ndërkohë që hipoteza e Çabejt se emri original i qytetit ka qënë Drinopolis4 ka përparësi për arsyet që u parashtruan më parë në këtë shkrim, hipoteza që e lidh emrin e Adrianopolisit me emrin e perandorit Hadrian, nga e cila anon Profesor Demiraj8 nuk mund të hidhet poshtë përfundimisht.

Thelbësore këtu është se cilido shpjegim i prejardhjes së emrit Drinopolis të pranohet, evolucioni i këtij emri u bë në bazë të fonetikës shqipe, gjuhës së banorëve të lashtë të luginës së Drinos.

Referimet

1. Brockhaus` Konversationslexikon, 1902-1910, II, 14 Auflage, Brockhaus, Leipzig-Berlin Wien, f. 24.

2. Cybulski, S. (2013). Die Kultur der Griechen und Römer: Bilderatlas der Gebrauchsgegenstände und Bauten. BoD – Books on Demand, f. 31.

3. Hieroclis Synekdemos (Guide). Sipas Ernest Honigmann, Le Synecdèmos d’Hiéroclès et l’opuscule géographique de Georges de Chypre, Bruxelles 1939 referenca 651, 8).

4. Çabej, E. (1987). Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes III, Tiranë, f. 319.

5. Procopius Buildings Libri IV, 1, 36.

6. Corpus  Scriptorium Hisotoriae Byzantinae. Constantinus Porphyrogenitus. Ed. B.G. Niebuhr, Bonn, 1840,  p. 392-393.

7. Prinzing, G. (2012). The AutocephalousByzantineEcclesiasticalProvince of Bulgaria: Hoë independent ëere its archbishops? Bulgaria Mediaevalis, III, 355-383 (376).

8. Demiraj, Sh. (2008). Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët. Infbotues, Tiranë, f. 170-71.

9. Haldon, J.F. (1999). Ëarfare, State and Society in the Byzantine Ëorld, 565-1204. Psychology Press, f. 89.

10. Angold, M. (2000). Church and Society in Byzantium under the Comneni, 1081-

Filed Under: Kulture Tagged With: dropulli, Nelson Cabej, rubrika e Diellit

Shën Pali, «ungjillori» i Ilirisë

November 2, 2013 by dgreca

Nga Luan Rama/

Jeta e Shën Palit  është një nga jetët më interesante të njerëzve të shenjtë, pasi ky njeri i cilësuar «i çmënduri pas Zotit» dhe dikur persekutor i tij, ky njeri i linçuar për vdekje dhe i burgosur disa herë, ishte nga bohemët më të mëdhenj që njeh historia e vjetër e Mare Nostrum dhe ai që shkroi tekstet e para të fesë kristiane. (Teksti i parë zyrtar i njohur nga Kisha ishte një Epître (Letër) që Pali u shkruante kristianëve të Selanikut në vitin 50.) Ky shkronjës e dijetar, përshkoi me këmbë mijra e mijra kilometra për të përhapur dritën e një ungjilli, e një «lajmi të ri». Shën Pali është gjithashtu një nga figurat kristiane më të njohura ndër shqiptarët, meqë ai ishte ndër të parët kristianë që solli lajmin e misionit të Jezu Krishtit në brigjet e Ilirisë. Kjo dëshmohet jo vetëm pse shumë kulte të hershme kristiane mbanin dhe mbajnë ende emrin e Shën Palit,(madje dhe fshatra të tëra, të cilat në këtë mënyrë nderonin kujtimin e tij nëpër shekuj), por edhe pse një nga misionet më të mëdha dhe kryesori në jetën e këtij apostulli ishte përhapja e kristianizmit në Maqedoni, Greqi dhe në Iliri që në dekadat e para të erës sonë. Mungesa e sinagogave hebraike në vitet 50, në brigjet e Ilirisë (hebrenjtë u vendosën pak më vonë në Iliri, në brigjet e jugut), e bënë më të vështirë ndalesën e Palit në Iliri, pasi aipërgjithësisht predikonte në sinagogat dhe vëndet e populluara helenike ku jetonin dhe hebrenj dhe jo aq ndër paganët (malet shqiptare ishin ende pagane dhe jo helenike, në këtë kohë). Por udhëtimet e tij në Romë e anasjelltas, duke përdorur gjithnjë itinerarin e Via Egnatia-s, që ishte rruga e zakonshme e udhëtarëve që shkonin nga Lindja në Romë e anasjelltas, sollën kontaktin e Palit me Ilirinë, edhe pse në letrat e tij apostolike nuk flitet me emër për këto vënde. Në fakt duhet ditur se shumë letra apostolike të këtij autori të parë të Kristianizmit, nuk kanë arritur deri në ditët tona, meqë ai ishte një nga martirët e kishës kristiane që u përndoq më shumë: disa herë i linçuar nga turmat dhe i rrahur në sheshet publike; disa herë i burgosur, gjersa më së fundi do të vritej nga romakët. E megjithatë, ky njeri nuk e humbi asnjëherë besimin në misionin e Jezusë.

Por së pari, cili shte në fakt ky apostull, të cilin gjatë shekujve kristianët e cilësuan «të Parin pas të Vetmit», d.m.th. pas Zotit Jezu Krisht dhe që do të hynte në tregimet e hershme biblike edhe të banorëve të Ilirisë? Cili ishte ky shkronjës i parë i historisë së Kristianizmit, duke paraprirë katër ungjillorët e mëdhenj, Markun, Mateun, Lukën dhe Gjonin? Sipas André-Marie Gerard, në librin e tij Dictionnaire de la Bible, ai e vendos lindjen e Shën Palit në vitet 5-15 të erës sonë, ndërkohë që biografë të tjerë nuk arrijnë ta fiksojnë me saktësi datëlindjen e tij. Studjuesja franceze Marie-Françoise Baslez, në biografinë e saj mbi të e ka përcaktuar këtë në vitin 10 të erës sonë.

Shën Pali rridhte nga një tribu e vjetër hebrenjsh, ajo e Benjamin-ëve. Ai lindi në Tarse të Cilicie-s (në Turqinë e sotme), në një familje farisejsh. Atëherë Tarse ishte një qytet i helenizuar dhe flitej greqisht, i cili kishte një universitet dhe një teatër shumë të njohur. Kur u lind, ai u quajt Saul, (emri Paul -Paulus – Pal do t’i vihej kur ai do të bëhej romak, meqë familja e tij ishte një familje tashmë romane e vendosur në pllajat e Anatolisë). Padyshim që ai ka qënë i pranishëm kur në këtë qytet u martirizua vazhduesi i veprës së Jezusë,Etienne, i cili më pas do të shpallej shenjt. Që i ri, Pali punoi në tezgjah,meqë ky qytet kishte traditë në prodhimin e pëlhurave me leshin e dhive. Familja e tij merrej me tregëtinë e tekstilit, çka shpjegon dhe vendosjen e tyre në Romë. Sipas një burimi historik, në vitin 55, ai kishte një vëlla që jetonte në Romë, i cili quhej Rufus, por që në fakt emri i tij hebre ishte Ruben. Me të jetonte dhe nëna e tij. Më pas, sipas traditës së familjeve hebre të diasporës, Pali shkoi të studjonte në Jeruzalem.

 

Persekutori i kristianëve

 

Kur ishte i ri,Pali nuk i donte kristianët, pasi për hebrenjtë, Jezuja ishte një «tradhëtar» i fesë së tyre dhe kristianët shiheshin vëngër nga hebrejtë. Madje kur shkruan, Pali e thotë hapur: «Shumë herë i kam përndjekur kristianët dhe i kam futur ata në burgje. Si i çmendur i detyroja të blasfemonin dhe i ndiqja deri në qytetet e huaja.” Në atë kohë, shumë kristianë të persekutuar në Jude, Galile apo në qytetet rrotull Detit Mesdhe,kishin ikur në qytetin bregdetar të Antioche-s si dhe në Damask të Sirisë, meqë atje ndjeheshin më të mbrojtur. Madje Siria i ishte shkëputur tashmë pushtetit romak. Por rrugës për në Damask, Palit i kishte ndodhur mrekullia. Siç shkruan ai në Letër galatasve (Epitre aux Galates), rrugës, atij i ishte shfaqur Jezuja me dymbëdhjetë apostujt. Papritmas ai kishte dëgjuar një zë: – “Saul, Saul, përse më persekuton?”Dhe ai i ishte përgjigjur: “Kush je ti Zotëri?” – “Unë jam Jezuja. Ndërsa ti je ai që më persekuton!» Ai kishte mbyllur sytë një çast dhe kur i kishte hapur, gati ishte verbuar nga drita e madhe. Ky ishte çasti kur dhe ai u konvertua në kristianizëm. NëAktet IX, Luka e përshkruan vazhdimin e këtij episodi: «Ç’duhet të bëj o Zot? – e kishte pyetur ai Jezunë. – Ngrihu dhe shko në Damask dhe atje do të ta them se ç’duhet të bësh!»…Dhe kështu Pali vazhdoi rrugën në këmbë gjer në Damask. Ai ishte i tronditur.Tre ditë e netë kishte mbetur pa ngrënë. Dhe kur mbërriti atje, ai filloi të predikonte se «premtimi i Zotit ndaj Abrahamit ishte përmbushur te Jezuja që ishte Mesia i Historisë, Bir i Zotit». Ai filloi të predikonte në turmat e popullit dhe në sinagoga. Kur e dëgjuan, hebrenjtë u habitën nga fjalët ehebreut dhe pastaj të revoltuar iu drejtuan mbretit të Damaskut, Aretas, që aita ndëshkonte. Dhe mbreti, i shtyrë nga turmat e revoltuara, donte ta kapte,por një natë më parë, Pali kishte ikur jo nga portat e qytetit, por nga dritarja e një shtëpie që ishte rrëzë mureve rrethuese. Siç tregohet dhe në disa afreskë e mozaikë të vjetër, thonë që atë e kishin futur në një shportë të madhe dhe e kishin zbritur fshehurazi nga muret e lartë. Kjo ndodhi në vitin 40…

Objektivi i parë i Palit ishte tashmë Jeruzalemi, ku sapo shkoi, ai u takua me të parin e apostujve, Pjetrin. Aty ai gjeti dhe mikun e tij Barnabé, i cili do ta njohë me Jakun, peshkopin e Jeruzalemit. Në Jeruzalem, ai qëndroi dy javë, ku nga Pjetri dëgjoi historitë e jetës së Jezusë, Ringjalljen e tij. Ai shkoi të lutej në Tempull, por hebrenjtë sa e panë e përndoqën si një renegat. Kështu ai u detyrua të arratisej drejt Cesare-se dhe pastaj në vëndlindjen e tij në Tarse. Kur Barnabe-ja shkoi në Antioche, e cila atëherë ishte qëndra e tretë e kristianëve pas Romës dhe e Aleksandrisë, me tu njoftuar, Pali shkoi të bashkohej me të. Ishte pikërisht në Antioche, në këtë qytet kozmopolit që kishte shumë hebrenjtë helenizuar, ku për herë të parë u përdor fjala “kristian”.

Misioni i vërtetë i Palit për përhapjen e Krishtërimit filloi me Barnabe-në, kur ata ndërmorën udhëtimin në fillim drejt Qipros e pastaj drejt Salaminës së Greqisë, duke ndaluar kudo ku kishte sinagoga. Aty ku ishin “qingjat e humbur të Izraelit”, ata predikonin për shpëtimtarin Jezu. Kur u kthye në Antioche, Pali ishte bërë tashmë një personazh i njohur. Siç shkruhej në tekstet e vjetra, «Që të dy ata, Pali dhe Barnabé-ja kërkuan ta nxirrnin kristianizmin nga vëndet e fshehta, pra jo vetëm në lagjet periferike,por ta vinin atë në qëndër të qytetit». Midis turmave dhe në sinagoga ai mbante fjalime dhe të shumtë ishin ata që konvertoheshin në kristianë. Pali tashmë e kishte ndërruar dhe emrin e tij dhe nga Saul quhej Paulus. Por një ditë, hebrenjtë që kishin filluar ta urrenin, e kapën dhe e linçuan për vdekje, aq sa ata e lanë pothuaj të vdekur. Por lumturisht Pali ende jetonte.

Në Antioche erdhi dhe Pjetri, por ndryshe nga Pali kurajoz, ai nuk foli me atë gjuhë para hebrenjve dhe kur Pali e dëgjoi të predikojë, u zëmërua me të. Kjo ishte dhe grindja e parë e tij me Pjetrin. Për këtë qëndrim të Pjetrit, do të mblidhej dhe një koncil në Jeruzalem, ku erdhën gjithë priftërinjtë e lartë, të cilët kur dëgjuan Palin dhe Pjetrin, më në fund i dhanë të drejtë Palit. Pas këtij qëndrimi në Jeruzalem, Pali do të marrë udhën drejt brigjeve të Mesdheut, përmes Sirisë dhe Cilicie-s. Në Lystres, ai u njoh më një prift të quajtur Timothé, që kishte një nënë çifute dhe një baba grek. Më vonë, ai do të ishte një nga nxënësit e tij më besnikë. Pikërisht atje ai dëgjoi zërin e një maqedonasi që e thërriste. Siç shkruan ai, në ëndërr kishte dëgjuar zëra që i thonin: «Foli popullit… ti ke besnikë në Korint… shko pastaj në Romë. Mos ki frikë. Unë jam me ty!»… Kjo gjë e bindi se ai kishte vendosur një lidhje direkte me Krishtin dhe ashtu, si dhe apostujte tjerë, këtë thirrje ai e mori si një detyrë të vetë Jezusë.

Atëherë Pali vendosi të mos shkojë në Efez, siç kishte parashikuar, por përmes Via Egnatia-s të nisej për në Maqedoni,Greqi e Iliri. Ky udhëtim e çoi fillimthi në portin e Neapolis, (Kavalla e sotme, vendlindja e Mehmet Ali Pashës), ku zbarkoi dhe pastaj, përmes «Via Egnatia» vazhdoi drejt Filipes, një koloni e dikurshme romake dhe një nga qytetet e krijuara nga babai i Aleksandrit të Madh, duke marrë kështu dhe emrin e tij. Meqë atje nuk kishte sinagogë, hebrenjtë mblidheshin buzë një përroi për të bërë rritet e tyre jashtë mureve të qytetit. Në letrat e tij, Pali tregon për qëndrimin e tij në Filipes, qytetin e ngritur nga Filipi i Maqedonisë dhe njohjen me një tregëtare të quajtur Lydie. Shën Luka, që ishte bashkëudhëtar me të, në Aktet, XVI, e përshkruan këtë skenë të mbërritjes së tyre në Filipes. «Ditëne shabatit ne kapërcyem portën hyrëse përgjatë një lumi, ku në breg ishin grumbulluar gra. Ne u ulëm dhe u folëm grave. Njëra nga to quhej Lydie, një tregtare nga Thyatre. Zoti ia kishte hapur zemrën të dëgjonte fjalët e Palit.Kur ajo dhe shtëpia e saj u pagëzuan, ajo na ftoi me këto fjalë: «Meqë ju mendoni se unë besoj te Zoti, ejani rrini në shtëpinë time. Dhe ajo na shtyu të pranonim.»

Meqë Pali shpëtoi nga «demonët» një shërbyese, në Filipes fjala mori dhenë dhe banorët e qytetit e akuzuan se «po i largonte banorët nga zotërit e Romës». Madje ata donin ta vrisnin, por guvernatori vetëm e futi në burg. Pas pak kohësh, një tërmet i çau muret e burgut, dhe gardiani filloi të qante i tmerruar për fatin e tij, por Pali iu shfaq përpara dhe arriti ta konvertojë në kristian. Kur emori vesh se Pali nuk kishte përfituar të ikte, guvernatori e fali dhe Pali u kthye sërrish në shtëpinë e tregtares dhe pak ditë më vonë iku drejt Amthipolis dhe Apollonia-s, ku siç shkruante ai, «nuk kishte sinagoga, por veçse kaloi andej». Shpesh emërtimi i Apollonisë si vënd ku kaloi Pali, është ngatërruar me Apolloninë e Shqipërisë, por në fakt në këtë udhëtim, bëhet fjalë për një Apolloni tjetër, buzë një liqeni të Maqedonisë, pasi në atë periudhë, për nder të Apollonit, disa qyteza kishin marrë emrin e Apollonisë.

Pas këtij udhëtimi në këmbë, Pali ndaloi në Selanik, ku kishte sinagoga dhe ku jetonte elita e asaj zone. Aty ishte rezidenca e prokonsullit romak, Beroia. Gjatë tre «shabateve»(e shtuna hebraike që është pushim), ai dhe miku i tij Silas, veçse predikonin dhe shumë nga gratë e larta të qytetit, greke dhe hebre u konvertuan në kristiane. Pali predikonte në sinagoga dhe «agora», në pazare apo qëndrën ku mblidheshin njerëzit në shesh. Por përsëri hebrenjtë u revoltuan kundër tij dhe prijësit e qytetit e përndoqën atë. Kështu, ai u detyrua të largohet për në Korint, ku kishte një komunitet të fuqishëm hebrenjsh, por dhe mijra prostituta, të cilat mblidheshin rreth tempullit të Afërditës. «Tashmë në Iliri flitej se Pali do të shkonte atje», shkruan në biografinë e saj për Palin, studjuesja Marie-Françoise Baslez. Në atë kohë Korinti ishte një qytet-port i fuqishëm dhe me lëvizje të madhe. Ishte kryeqytet i rajonit të Achaie, e cila ishte provincë romake dhe me guvernator romak. Por edhe këtu, hebrenjtë u revoltuan kundër tij dhe Pali, pasi themeloi kishën e parë, u detyrua të largohej drejt Athinës, ku e priste një sprovë e vështirë.Biografët thonë se ai shkoi dhe në Delf, Epir dhe Achaie, ku ishte një prokonsull romak dhe ku qëndroi të banonte te një prift i quajtur Titius Justusdhe romaku Aquila. Por sidoqoftë, kudo që shkonte, Pali themelonte kishëzatkristiane, si në Filipes, Selanik apo Korint, siç tregohet më vonë dhe nëletrat e tij dërguar filipasve, selanikasve, korintasve, etj… Deri në atë kohë predikohej me fjalë, por Pali mendoi që të vepronte dhe me të shkruar, çka shënoi fillimin e teksteve të para të kristianizmit. Ai mendoi të përdorte formën e letrave të hapura (Epitres), dërguar kishave të ndryshme, letra të cilat u shndërruan në “Letra apostolike”. Por atmosfera në qytet ishte e rëndë. Prokonsulli e akuzoi se “i bënte njerëzit të kishin frikë nga Zoti”. Megjithatë prokonsulli Gallion ishte i njohur për tolerancën e tij.

Udhëtimii tretë i Palit njihet si udhëtimi drejt Efezit, përmes Ballkanit. Pas qëndrimit në Athinë dhe një rikthimi të shpejtë në Korint, ai kishte marrë rrugën drejt Cesare-se dhe Jeruzalemit dhe që andej, pa humbur kohë ai i ishte drejtuar përsëri Efezit, ku kishte një komunitet hebrenjsh. Vallë a kaloi ai nga Shqipëria ilirike që ishte në kufi? Sigurisht, zona e maleve ballkanike ishte një zonë e vështirë për tu kaluar dhe popullsitë ishin ende pagane,ndryshe nga qytetet bregdetare apo ato të ndërtuara përgjatë Via Egnatia. Pali kishte qënë më parë në Galate dhe aty kishte krijuar kishën kristiane. Misioni i tij ishte të shikonte se si funksiononte kjo kishë. Në Efez ai gjeti një hebre të ditur, të quajtur Apollos, i cili i ishte kushtuar kishës kristiane. Pasi e nisi atë për në Korint, Pali filloi nga fjalimet dhe predikimet ndër qytetarët e Efezit. Ai ishte bërë tashmë mjaft i dëgjuar. Të gjithë shkonin të dëgjonin fjalët e tij për Jezunë. Të varfërit dhe të sëmurët zgjasnin duart ta preknin si të ishte i shenjtë. Por ndërkohë ai mendonte gjithnjë për Maqedoninëdhe Greqinë. Për të drejtuar kishat që ngrinte ngado ku shkonte, ai vazhdoi tu shkruajë letra ithtarëve. Ishin letra pasionante, me një art poetik, me pathos e frymëzim, siç është dhe një nga letrat e para të tij, ku në Letra drejtuar romakëve, ai shkruan: «Jam Pali, skllavi i Jezu Krishtit, i thirrur dhe i dërguar si një mesazher i vetmuar i Lajmit të Zotit, të premtuar tashmë prej Profetëve në shkrimet e shenjta. Ajo ka të bëjë me birin e tij, nga prejardhja e Davidit, i caktuar si biri i Zotit dhe i Frymës së Shenjtë… Unë kam besimin se as vdekja dhe as jeta, as ëngjëjt dhe as komandantët e tyre, as forcat kozmike lart në qiell dhe as forcat poshtë, asnjë krijesë e botës, nuk do të mundë të na ndajë nga dashuria për Zotin, dashuria që është tek Jezu Krishti, Zoti ynë…»

Pra në muajt e parë të vitit 65, Pali, pasi kaloi Korintin, ku kishte krijuar kishën kristiane të qytetit, ai iu drejtua Illirisë përmes Durrësit apo Apollonisë, pasi nga Roma, udhëtarët për të kaluar në bregun tjetër të Adriatikut, për të marrë Via Egnatia kalonin nga këto dy porte mjaft të rëndësishme dhe vënde të njohur nga të gjithë romakët. Në Durrës, gjer në afërsi të Apollonisë ishte zhvilluar dhe beteja e famshme e Pompeit me Cezarin. Në letrën dërguar besnikut të tij, Titi, Pali i shkruan: «Eja sa më shpejt tek unë në Nikopojë, sepse vendosa që ta kaloj dimrin atje»… Nikopoja ishte në atë kohë qëndër e Epirit dhe për të shkuar atje, duhej kaluar nga Via Egnatia, të hyhej në Shqipërinë e jugut, ku zbritej poshtë Apollonisë, drejt Bothrotum dhe dhjetra kilometra më poshtë ishte Nikopoja. Në vitin 1576, duke iu referuar familjes së Dukagjinit, Lavardini shkruan se «në brëndësi të kësaj krahiune shihen monumente prej mermeri, ku lexohen akoma emra perandorësh romakë, etj, e midis tyre ka dhe disa dëshmi që tregojnë se apostulli Shën Pal i predikoi këtij populli Ligjin e Birit të Perëndisë».Po cilat ishin tekstualisht këto dëshmi? Lavardini nuk na e thotë…

Emri e Palit (ndryshe nga apostuj të tjerë), u ngulit në kujtesën arbërore, pasi pikërisht ai kishte vendosur një lidhje konkrete me këtë territor. Historiani grek Menalogu, përmënd martirizimin e Shën Astit, peshkopit të Durrësit, në kohën e përndjekjeve të perandorit Trajan (98-117) kundër kristianëve. Ai shkruan dhe për martirët Floriani dhe Laurini nga Ulpiana (pranë Prishtinës së sotme), të vrarë gjatë sundimit të Adrianit(117-138). Por kristianizmi depërtoi gradualisht në Shqipëri dhe fillimthi në Apolloni e Durrës, në këto dy qëndra të mëdha tregtare e komunikimi në Adriatik. Në Index discipulorum, Epiphaniosshkruante për „Marcos, kushëriri i Barnaba-s, që është bërë peshkop i Apollonisë dhe që për të cilin flet Pali“. Ky ishte nga dokumentet më të hershme të Kristianizmit në Shqipëri, pasi bëhej fjalë për vëndet e kultit të kohës së Shën Palit, i cili, siç shkruante shenjti në letrat e tij (Epîtres de Saint Paul), do të bënte udhëtimin drejt Ilirisë. Mëpas, në „Concilia Oecumenica“, Concilium universale Ephesenum, të vitit 431 shkruhej se „për praninë e tij në Koncilin e Shenjtë ka firmosur Felix, peshkopi i qyteteve të Apollonisë dhe Bylis. (Në këtë koncil ishte dhe peshkopi Eusebe, po i Apollonisë.) Në vitin 458, ishte peshkopi Philocaris që përfaqësonte në koncilin e Chalcédoine-s peshkopatën e Bylis. Në fakt, që në koncilin e Nikesë (viti 325), «kanë marrë pjesë dy peshkopë dardanë: Beni, peshkopi i Stobit dhe Dakusi, mitropoliti i Shkupit, atëherë kryeqytet i Dardanisë. Ndërsa në koncilin e Sardikës (Sofies) në vitin 343, – shton ai, – janë gjashtë emra peshkopësh të këtyre zonave që kanë hedhu rfirmat.»

Profesori amerikan i dorëshkrimeve biblike Bart D. Ehrman, duke iu referuar figurës së Palit në historinë e fillimeve të kristianizmit, vë në pah një element të veçantë të kësaj figure: nocionin e tij të fesë kristiane si një fe e një shoqërie që nuk sundohej nga meshkujt. Ndoshta kjo ishte një meritë apo një notë moderne dhe emancipuese që ai i dha fesë kristiane. Shpesh në letrat e tij apostolike janë emrat dhe figurat e grave. Ai flet gjatë për ato, siç flet në Letra dërguar romakëve. Madje ai emëron Febën të drejtojë një kishë, çka do ishte e pa imagjinueshme shekuj më vonë;përshëndet Prishilën që shtëpinë e saj e ka kthyer në kishë; përshëndet Marien që punon me romakët dhe që i shërben Jezusë; përmënd Trifonën, Trifozën Persidën; shkruan për Junian dhe nënën Rufus. Madje Junian ai e quan “më e madhja e apostujve”. Tek Letra filipianëve ai përmënd Evodia-n dhe Sintika-n, ndërsa në Letrën drejtuar korinthasve, ai përmënd vlerat e tyre të larta morale, por dhe vuajtjet e tyre të mëdha, në një kohë kur kristianët e parë përndiqeshin veçanërisht nga romakët. «Ne jemi të çmendur për hir të Krishtit,- shkruan ai në Letër korinthasve, – por ju të tjerët qëndroni të paqtë te ai. Nejemi të dobëtit dhe ju të fortët. Ju të famshëm dhe ne të shkurorëzuar. Deri tani ne njohim urinë, etjen dhe goditjet, jemi të xhveshur dhe pa strehë, por ne punojmë fort me duart tona. Edhe pse na shajnë, ne pagëzojmë. Edhe pse të përndjekur, ne rrezistojmë. Edhe pse mbi ne bien gjithë shpifjet, ne ngushëllohemi. Ne jemi kthyer në fëlliqësira të botës dhe si fundërrinat e të gjithëve…»

Në vizionin e Palit, te Jezu Krishti shkriheshin të gjitha qëniet njerëzore, të cilat ai i shikonte të barabarta. Pali besonte se do të ishte gjallë kur Krishti do të kthehej nga Parajsa në Ditën e Gjykimit, për të sjellë në tokë mbretërinë e Zotit (Letër selenikasve). Ai ishte një i krishter apokaliptik.

 

I burgosuri i Cesare-së

 

Në vitin 58, Shën Pali u kthye përsëri në Jeruzalem, ku u prit nga priftërinjtë e vjetër të Jeruzalemit. Me këtë rast Shën Pali tentoi gjithashtu të shkojë me ca paganë në Tempullin e Jeruzalemit,tempull i cili ishte kulti më i madh për hebrenjtë. Por të çoje paganët atje,kjo gjë dënohej me dënimin më të madh, me vdekje. Ata e njohën Palin dhe të revoltuar nga ngjarjet e turbullta, romakët e arrestuan. Hebrenjtë kërkuan me ngulm vdekjen e tij. Por kur e nxorrën para turmës dhe tribunit romak Claudius Lysias, Pali iu drejtua në greqisht dhe iu lut romakut që t’i drejtohet turmës për t’i folur. I habitur që ky fetar fliste greqishten, ai ra dakort dhe Pali filloi të fliste në gjuhën aramene (hebraishtja e vjetër dhe popullore). Pormegjithatë turma ishte e vendosur kundër tij. Atëherë tribuni romak vendosi ta rrahin me shkopinj. Pali protestoi dhe tha se ai ishte një qytetar romak. Kështu ata u detyruan ta nxjerrin atë para Këshillit të Lartë të Priftërinjve hebrenj të Jeruzalemit që atëherë quhej “Sahredin”, i njëjti këshill që më shumë se dy dekada më parë kishte kërkuar dënimin e Krishtit. Por debati me ta ishte i ashpër dhe ai tentoi që «farisenjtë» dhe radikalët “sadysienë»t’i vinte kundër njëri-tjetrit. Atëherë tribuni romak vendosi ta çojnë te guvernatori i Cesare-së, duke e shoqëruar me ushtarë dhe kalorës, nga frika se mos vritej rrugës nga hebrenjtë. Në Antipatris, atë e dorëzuan te guvernatori Felix, i cili e mbajti në burg gjatë dy vjetëve, duke pritur të bëhej ndonjë lloj proçesi. Por në gjyqin që u bë në Cesare, Pali kundërshtoi dhe sipas të drejtës romake nëse dikush i drejtohej “Cesar»-it, ai duhej të gjykohej në Romë. Dhe ashtu do të ndodhte. Por ndërkohë, mbreti i hebrenjve Agrippas II,kishte dëshirë ta dëgjonte atë pasues të Krishtit që fliste aq bukur dhe u nis drejt Cesare-së, bashkë me Berenice-n, (heroinën e Racine-it e të Corneille-it),e cila edhe pse ishte motra e tij, jetonte me të si një konkubine. Agrippas II u habit dhe u mrekullua aq shumë nga fjalimet e Palit, sa donte ta falte, pormeqë letra ishte nisur drejt Romës, atëherë asgjë nuk mund të bëhej. Kështu, më së fundi, Pali u detyrua të nisej drejt Romës i shoqëruar nga ushtarë.

Ishte viti 60 dhe me anije ata morrën drejt brigjeve të Greqisë, duke ndaluar së pari në ishullin Rodes. Por një fortunë e madhe që i zuri nga Kreta, pas dy javësh i hodhi ata në Maltë, banorët e së cilës atëherë ishin romanizuar. Ishte Pali ai që i kishte shpëtuar nga mbytja, duke i bindur ushtarët që në momentet më të vështira të mos ta braktisnin anijen e tyre. Vëndi ku anija zbarkoi quhet sot gjiri i Shën Palit. Por si gjithnjë, Pali e kishte mëndjen të konvertonte besimtarë të rinj. Thonë se atje ai shëroi njerëzit nga dizanteria, siç ndodhi dhe me atin e Publius, prijësit e Maltës, i cili, siç shkruhej në tekstet kristiane, u shërua kur Pali i vuri dorën në bark. Tre muaj më vonë ata morrën rrugën drejt Sirakuzës. Pasi zbarkuan në Italinë e jugut, me këmbë ai u nis drejt Romës, i shoqëruar gjithnjë nga Julius dhe ushtarët e tij, në pritje të gjykimit nga Perandori.

 

Vdekja e shenjtit

 

Pali jetonte i ekzaltuar me mision kristian që kishte ndërmarrë, edhe pse tashmë atë e konsideronin si një njeri që duhej dënuar. Me të mbërritur në Romë, atë e dorëzuan te policia perandorake. Në atë kohë mbretëronte Neroni (65-66), i cili e konsideronte veten «sacré» të shenjtë. Ai ishte një nga «Çezarët» më të tmerrshëm romakë. Në fillim Palin nuk e futën në burg, por thjesht e vendosën në një shtëpi, të lidhur me zinxhirë dhe ku ruhej nga një roje. Por edhe atje ai vazhdoi të predikonte për Krishtin, edhe pse atmosfera ishte e rëndë dhe shumë nga kristianët e Romës kishin ikur drejt Azisë. Siç shkruan Luka, i cili ishte i afërt me Palin dhe ishin shkëmbyer disa herë në misionet e tyre nëpërVia Egnatia, në proçesin e bërë në Romë, në vitin 63, ai doli i pafajshëm, osemë saktë u kërkuan hetime të tjera dhe ai u la i lirë.

Endrra e Palit ishte të shkonte që të predikonte në Spanjë. Spanja atëherë ishte një vënd shumë tolerant dhe mjaft kristianë të persekutuar gjenin strehë e paqe. Por historianët nuk janë të sigurtë nëse ai arriti të shkonte atje apo jo. Ndërkohën ë Romë ishte dhe Pjetri, i cili predikonte Kristianizmin dhe midis dy pasuesve të afërt të Jezusë ndihej një lloj konkurence. Në asnjë dokument të vjetër ne nuk i gjejmë ata bashkë dhe Pali shihej gjithnjë në pozicion dytësor. Në vitin 90, Clementi i Romës shkruante se «Pali ishte një lloj filozofi publik dhe një njeri i mënçur». Siç dihet, Neroni i shihte me sy të keq filozofët, që siç mendonte ai, “nxisnin magjitë”. Mund të thuhet se vitet 60 janë vitet e udhëtimit të apostullit të famshëm në tokën shqiptare. Vetë Shën Pali, në Letër romakëve, shkruan se «Nga Jeruzalemi,duke hedhur dritën gjer në Iliri, unë përmbusha plotësisht lajmërimin e ungjillit të Krishtit». Ky tekst përbën dhe dëshminë themelore për misionine Shën Palit në Iliri. Akademiku dhe historiani francez Alain Decaux, në një biografi të tij për Shën Palin, na jep një të dhënë tjetër mjaft interesante. Ai shkruan: «Via Egnatia shtrihej para tij. Pa iu ndarë trasesë së rrugës, ai vazhdoi drejt Filipes për në Selanik, Edesse dhe pastaj të kapte bregun e Shqipërisë së sotme në portin e Apollonisë. Një anije do ta çonte lehtësisht, (në brigjet italiane L.R.), ku do të vazhdonte Via Appia-n, e cila të çonte në Romë.»

Biografë tëndryshëm njoftojnë se në kthim nga Roma, Pali ndërmorri përsëri Via Egnatia-n,duke iu drejtuar Azisë së Vogël. Por kur ishte kthyer në Troas, ai ishtearrestuar përsëri gjatë predikimeve të tij. Sipas shkrimeve të tij, Palin e dërguan përsëri që ta gjykonin në Romë. Ishte vjeshta e vitit 67. Dihet që nga burgu ku e kishin futur, ai kishte shkruar Letrën e Dytë dërguar besnikut të tij Timothé. Kjo letër në një lloj kuptimi ishte dhe testamenti shpirtëror i Palit, pasi siç duket, ky njeri e kishte kuptuar semë së fundi, romakët mund ta vrisnin. Ai doli dy herë para gjyqit, ku më së fundi e dënuan me vdekje, me prerje të kokës.Ishin pikërisht astrologët e Neronit,«thaumaturges», ata që e dënuan. Lidhur me proçesin dhe dënimin e tij, nga kronistët e vjetër shkruhet se “Ai ungrit, ktheu kokën nga Lindja dhe u lut për një kohë të gjatë: At, po e lë shpirtin tim në duart e tua!… dhe pastaj e kishte përfunduar lutjen e tij në hebraisht. Në fund kishte zgjatur qafën dhe ata i kishin prerë kokën.”

Sipas legjendës, Palin e nxorrën nga Roma dhe e ekzekutuan jashtë qytetit, në Ostie, në vëndin që sot quhet «Tre Burimet», ku sipas historisë, koka e prerë e Palit u rrokullis tre herë dhe në çdo vend që binte, dilte një burim uji. Në portën e Ostie-s, më vonë, u ngrit “Basilica Pauli”, në kujtim të emrit të tij. Megjithatë, Kisha e Romës, që u drejtua nga pasuesit e Pjetrit, e njohu gradualisht figurën e plotë të Palit, veçanërisht në shekullin II, III dhe të IV, duke zbuluar rolin themeltar të martirit tëKrishterimit. Në epokën e perandor Konstantinit, ata zbuluan më së fundi kultine vërtetë të heroit të vdekur. Tashmë në Romë dhe në gjithë trevat eKristianizmit flitej për dy apostuj: Pjetri në Romë dhe Pali në Ostie. Dhe Eusebe, në historinë për fillimet e Kristianizmit flet për ekzekutimin e Palit.Interesant është dhe një variant i ekzekutimit të Palit që përshkruhet nga një tekst apokrif, i cili ruhet sot në bibliotekën e Heidelberg-ut që nga viti 1896, shkruar gjatë shekullit të II të erës sonë. Në të tregohet sesi Pali ikundërshtoi Neronit, duke i thënë se dhe ai duhej të vihej në shërbim tëKrishtit. Nga zëmërimi, Neroni i tmerrshëm kishte dhënë urdhër që atë ditë të ekzekutoheshin bashkë me të dhe një tufë ithtarësh që ndiqnin mësimet e Palit.

Kështu përfundonte jeta e këtij apostulli të madh, të cilin Netzche e quante «themeluesin e vërtetë të Kristianizmit”. (Botohet me lejen e autorit. Ne Foto Shen Pali Jeremit)

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: «ungjillori» i Ilirisë, Luan Rama, Shën Pali

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT