• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2013

Arben Imami: Gjithë akuzat janë politike

December 10, 2013 by dgreca

Ministria e Mbrojtjes mbetet një nga institucionet më të mira të vendit. Jam i bindur se nuk janë bërë shkelje dhe abuzime, thotë për DW, ish ministri i Mbrojtjes, Arben Imami/

Deutsche Welle: Zoti Imami, e quajtët hakmarrje politike gjithë padinë që paraqiti publikisht ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli? Jeni i sigurtë se nuk ka pasur shkelje gjatë kohës që ju drejtuat këtë dikaster? Kodheli e arsyetoi padinë me fakte të mirëargumentuara, ju vetë keni fakte të tjera?

Arben Imami: Prej dy vjetësh ndaj ministrit dhe Minisrisë së Mbrojtjes ka pasur një sulm të vazhdueshëm nga partia socialiste lidhur me menaxhimin e kësaj ministrie. Në vijëmësi kam sqaruar opinionin publik dhe kam hedhur poshtë çdo akuzë, me shifra dhe me fakte, pra me gjithçka që është me vlerë për opinionin publik. Natyrisht që këta akuzatorë të djeshëm dhe të sotëm do të duhej që të vërtetonin ato teza themelore lidhur me trafiqe armësh, lidhur me keqpërdorimin e pronave, lidhur me shkarkimet e paligjshme të gjeneralëve deri edhe në përdorimin e karburanteve për fushatën e partisë demokratike, të cilat u provuan që janë krejtësisht, krejtësisht akuza fallse. Atëherë u ndërtua një akuzë për një prokurim lidhur me ministrinë e mbrojtjes. Nga pikpamja procedurale nuk pati gjë. Por kjo vijëmësi sulmesh, e cila u mbyll me një dështim, më çon tek mendimi që është një hakmarrje politike e lidhur me pozicionet politike të 2011 dhe me sa duket partia socialiste dhe zoti Rama nuk ka pasur rrugë tjetër, por të hartojë qoftë edhe do si do një akuzë ordinere.

Pra ju mendoni se të gjitha akuzat janë shpifje, ndërkohë që ministrja Kodheli për DW deklaroi se janë fakte të pamohueshme të gjitha paditë duke besuar grupin me ekspertë që kanë punuar për të zbardhur me detaje të gjitha shkeljet apo abuzimet.

Edhe unë si Arben Imami po flas me ju vetë, pra vetë me Deutsche Wellen. Edhe ne vetë me ekspertë kemi punuar, nuk kemi punuar me njerëz nga rruga. Kjo është një çështje që të gjitha faktet konkrete do të shqyrtohen dhe sigurisht që kjo do të bëhet nga organet kopetente. Por ajo që tërheq vemendjen unë është fakti që kjo çështje nuk ka lidhje me menaxhimin e ushtrisë dhe me sulmet e vijueshme për dy vjet rrjesht.

Zoti Imami, thuhet se ushtria në kohën tuaj është kthyer në bazë logjistike të partisë demokratike?

Kjo është krejtësisht e pavërtetë, kjo akuzë sigurisht që do të bie ashtu sikurse kanë rënë edhe të tjerat. Kjo është e tëra politikë. Absolutisht të gjitha akuzat janë sulm politik, ka edhe një element personal, por është i parëndësishëm. Unë e kam deklaruar edhe këtë. Pra është një sulm për të denigruar personalitetin e një drejtuesi të partisë demokratike.

Zoti Imami, dikasteri juaj sikurse e përmendët vetë ka qenë në fokus të akuzave edhe më herët nga partia socialiste. Pyetja është se ju a e keni pasur nën kontroll këtë dikaster dhe a jeni në dijeni për shkeljet apo abuzimet që janë bërë në këtë dikaster kur iu ishit në krye të ministrisë?

Ato akuza për të cilat janë bërë kanë qenë akuza të mëdha dhe të rëndësishme dhe që lidhen me thelbin e ministrisë së mbrojtjes. Të gjitha ato akuza kanë rënë, një. Së dyti, Ministria e Mbrojtjes ka qenë dhe besoj do të mbetet një nga institucionet më të mira të këtij vendi dhe unë jam i bindur që nuk ka shkelje dhe nuk ka abuzime.

Nuk ka shkelje edhe me shpenzimet e bëra në favor të PD, duke shpërdoruar fondet publike për fushatë, zoti Imami?

Shpenzimet për reklamat nuk janë bërë gjatë kohës së fushatës. Shpenzime janë bërë vetëm për një ushtri të NATO-s, për mobilizimin, për ndihmën që ka dhënë ushtria në emergjenca. Kjo e tëra është e parashikuar në buxhetin e shtetit me ligj dhe sigurisht që është shpërdoruar mbi bazën e e ligjit.

Tashmë pas padisë, çfarë rruge do të ndiqni zoti Imami?

Rruga ime, sepse unë vetëm një rrugë kam, është rruga që kam pasur gjithë jetën time, rruga ime nuk ndryshon. Sigurisht që respekti për ligjin është mbi gjithçka.

Intervistoi: Mimoza Cika-Kelmendi

Filed Under: Interviste Tagged With: Arben Imami, pergjigjet

Mimi Kodheli: Korrupsioni në Ministrinë e Mbrojtjes – shqetësim i madh për Shqipërinë

December 10, 2013 by dgreca

Padia ndaj Arben Imamit, vendimi ndaj armëve kimike, bashkëpunimi rajonal dhe ai gjerman në fushën e mbrojtjes, janë temat që trajton Mimi Kodheli në bisedë me Deutsche Welle-n/

DW: Zonja Kodheli, bisedën e nisim me ngjarjen më të fundit në Tiranë, me padinë ndaj ish ministrit të mbrojtjes. Sipas deklaratës suaj, akuzat mbështeten në fakte të pamohueshme dhe të mirëargumentuara. A do të thotë kjo që keni në dorë vërtet fakte konkrete që flasin bindshëm për abuzime të detyrës së ish ministrit Imami?

Mimi Kodheli: Së pari më lejoni të them që unë në pozicionin tim si minister e mbrojtjes dhe pjesë e qeverisë Rama kam ardhur në pushtet me votat e 1 milion shqiptarëve për ta drejtuar këtë vend dhe jo për tu marrë me gjueti shtrigash. Por pa dyshim që një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare është dhe do të mbetet korrupsioni, i evidentuar ky fenomen, jo vetëm ne çdo qelizë, por i ngritur madje në çdo institucion brenda shoqërisë shqiptare dhe po ashtu i evidentuar kjo nga të gjitha dokumentat që të gjithë vëzhguesit e BE kanë konstatuar apo edhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare që kanë verifikuar për gjatë tetë viteve të fundit të qeverisjes Berisha. Me ardhjen time në Ministrinë e Mbrojtjes, një nga detyrimet e mija ligjore përtej drejtimit, menaxhimit të ministrisë dhe çuarjes përpara të gjithë punëve të kësaj ministrie dhe qeverisë, ka qenë edhe evidentimi i rasteve të abuzimit me pushtetin dhe të abuzimit me paratë e taksapaguesve shqipëtarë siç duhet të jetë në nderin dhe detyrimin e çdo qeverie,e çdo pushtetari madje dhe e çdo qytetari të thjeshtë. Mendoj se pas këtij togfjalëshi (mirëargumentuar) ka një punë të madhe të administratës së Ministrisë së Mbrojtjes, të inspektorëve dhe të audituesve të brëndshëm për të evidentuar këto raste abuzimi, të cilat ju siguroj që në dijeninë time janë të shumta. Kanë qenë në dijeninë time të shumta rastet edhe kur unë kam qenë në opozitë dhe ju siguroj që sot që jam duke drejtuar këtë institucion mund të them se opozita e mëparshme nuk ka gabuar në pretendimet që ka ngritur ndaj kësaj ministrie.

Janë të mirëargumentuara, sepse flasim për njerëz profesionistë, flasim për njerëz seriozë, pjesë të stafit të ministrisë, të cilët kanë bërë thjesht dhe vetëm detyrën për të investiguar mbi ato fakte ose mbi ato të dhëna që kanë rezultuar abuzive. Nuk ka pasur asnjë tendencë për të kapur atë që nuk ekzistonte apo për të krijuar një tymnajë në një kohë që auditimi dhe inspektimi kanë bërë vetëm detyrën e tyre. Ju siguroj që ka disa institucione apo agjensi apo ndërmarrje brënda dhe në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat nuk janë audituar prej vitesh, agjensi që nuk janë audituar prej 5 vitesh, kur bazuar në ligjet e shtetit shqiptar, duhet të auditohen çdo vit. Kjo ka shtuar zullumin e keqmenaxhimit të këtyre institucioneve brenda Ministrisë së Mbrojtjes dhe padyshim me abuzimin me parat e taksapaguesve.

Zonja Kodheli, deri në ç’masë janë bërë keqpërdorime në këtë dikaster? Duke pasur parasysh se ka edhe persona të tjerë të paditur, sa ka qenë në dijeni personalisht zoti Imami? Po në dikastere të tjera mund të ketë të tilla abuzime, të cilat mund ti keni konstatuar edhe më parë kur ishit në opozitë?

Unë nuk flas për dikasteret e tjera, sepse në këtë moment nuk mund të flas apriori. Sigurisht gjatë periudhës që unë kam qenë në opozitë dhe kam qenë nënkryetare e komisionit të ekonomisë dhe financës në Parlamentin shqiptar kam pasur disa mundësi për të hulmtuar mbi abuzimet që janë bërë me pushtetin gjatë kohës së qeverisjes Berisha, por nuk është në detyrimin tim ligjor për të bërë krahasime dhe vlersime të tilla, nëse ky institucion është më i korruptuar se sa një tjetër. Padyshim që unë kam të gjitha mjetet që më jep ligji për të hulumtuar mbi keqpërdorimin që është bërë në këtë dikaster, por nuk di tju them nëse zoti Imami ka qenë në dijeni të të gjitha keqpërdorimeve dhe abuzimeve që janë bërë këtu, sepse unë bëj ministren e Mbrojtjes, nuk bëj as prokurorin as gjykatësin. Gjëja që unë mund të ndaj me ju është që kjo ministri është përgjegjëse përpara ligjit dhe padyshim që përgjegjës moral për çdo gjë që ndodh në dikaster është ai që e drejton, kështu që ministrin kjo e involvon, në mos në mënyrë të drejtpërdrejtë, në mënyrë të tërthortë në çdo kohë.

 

Vetë Imami e quajti hakmarrje politike padinë e ngritur nga ju?

 

Ajo që unë kam thënë dje kam parë që është komentuar në rrjetet publike si një gjest dobësie. Unë e thashë që nuk jam aspak në një pozicion komod që unë të dorëzojë një akuzë, një kallzim penal për ish ministrin Imami. Unë ju siguroj që votat e qytetarëve shqiptarë, unë dhe kolegët e mi dhe padyshim kryeministri Rama dhe forca politike që unë përfaqësoj i kemi marrë për ta qeverisur dhe për ta çuar përpara këtë vend, por korrupsioni është një gangrenë dhe një sëmundje që ka shtrirë tentakulat, kthetrat në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare dhe duhet të vinte një ditë që këtij korrupsioni ti thuhej stop. Unë ju siguroj që korrupsioni në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcat e Armatosura kishte mbërritur në nivele kaq shqetësuese sa kjo ishte bër një shqetësim i madh edhe për Shqipërinë si vend i Nato-s,pra ne disa qarqe ishte diskutuar që qoftë Shqipëria anëtare e Nato-s ka filluar të ketë shumë probleme me këtë institucion dhe kjo është një gjë që duhet parë. Madje mund tju siguroj për dicka, lufta kundër korrupsionit nuk filloi me kallzimin penal që unë kam bërë dje, por ka filluar që me ndryshimin e kreut të forcave të armatosura të Repubikës së Shqipërisë, i cili është zëvëndësuar një muaj më parë: Gjeneneral Bazon, Shefi i ri i Shtabit të Forcave të Armatosura është padyshim një nga njerëzit dhe ushtarakët më me integritet në Republikën e Shqipërisë dhe ishte shenja e parë e lëvizjeve drejt një lufte frontale ndaj kësaj klime dhe këtij realiteti që për fat të keq perceptojnë jo vetëm qytetarët shqiptarë me të drejtë për politikëN dhe mua padyshim që sot jam duke drejtuar ministrinë.

Nisur nga deklarata e fundit e kryeministrit Rama, i cili e ka cilësuar vendimin për ti thënë “Jo” armëve kimike një vendim të vështirë, a ka qenë edhe për ju si ministre e Mbrojtjes, vërtet një vendim i vështirë? A kishim të bënim në këtë rast vërtet me një detyrim si vend anëtar i NATO-s apo thjesht një kërkesë nga ana e SHBA-së? Ndërkohë ka pasur vlerësime të ndryshme, por nëse flasim sot, ju çfarë do të bënit ndryshe nga ajo që ndodhi?

Më lejoni t’ju them se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri më i madh dhe strategjik i Shqipërisë si vend anëtarë i NATO-s dhe jo vetëm kaq. Detyrimi ka qenë në detyrimin, mendoj unë të çdo vendi anëtar të NATO-s, të çdo vendi në të cilin lulëzon demokracia, pra besoj të paktën që çdo vend Europian të merrej dhe përballej me këtë proces siç ishte procesi i largimit të elementëve kimik dhe armëve kimike nga një vend me një rrisk të lartë dhe një kaos total siç është Siria. Mendoj që si Shqipëria dhe çdo vend tjetër anëtar ose jo i NATO-s duhej ti përgjigjej pozitivisht këtij procesi për aq kohë sa ky proces nesër, të qënit E armëve kimike në duar qoftë të regjimit apo qoftë të rebelëve mund të sillte pasoja akoma më katastrofike sesa ato të cilat ne kemi parë. Kështu që ka qenë në nderin tonë të kërkoheshim nga partnerët tanë strategjik, përfaqësuesit më të lartë të SHBA-së, për të qenë pjesë e këtij procesi. Shqipëria nuk ishte i vetmi vend, por sigurisht që Shqipërisë ju kërkua një gjë e veçantë partikolare. Ne mendojmë që u pronocuam duke qenë të vetëdijshëm që përgjegjësia e një vendi të vogël si Shqipëria, është aq sa Shqipërisë mund t’i mbajnë këllqet, mund t’i mbajë kurrizi, por ndërkohë nuk harrojmë asnjëherë që Shqipëria është një vend anëtarë i NATO-s, që Shqipëria ka një pozicion të caktuar gjeografik që mund të ndihmonte, mund të fasilitonte procesin e largimit të armëve kimike nga Siria.

A bëmë ne gjithçka, apo ne duhet realisht të kishim bërë diçka ndryshe. Unë besoj që ne duhet të kishim bërë diçka ndryshe. Duhet të kishim sqaruar opinionin publik për riskun, apo lidhur me mundësitë që Shqipëria kishte për të qenë pjesë e këtij procesi. Shqipëria nuk i ka kapacitetet për ta bërë këtë gjë, por në fakt nuk diskutohet kapaciteti i Shqipërisë, sepse të gjithë procesin, tjetërsimin e lëndëve kimike do ta bënin ekspertë që vinin nga vende të tjera shumë të zhvilluara. Shqipëria do të ofronte vetëm vendin ku ky proces do të bëhej. Mendoj se njerëzit duhej patjetër të ishin sqaruar kohë më parë dhe më shumë. Por, ne morëm një mësim të madh. Kuptuam se sa e emancipuar është shoqëria shqiptare dhe padyshim, le të themi një epokë e re, një erë e re fryu mes qeverisë së re dhe opinionit të shoqërisë shqiptare dhe të shoqërisë civile, që është era e besimit reciprok dhe e respektimit të opinionit publik, të cilin ne nuk e kemi parë në qeveritë e mëparshme. Kështu që e gjitha kjo ishte një vendim i vështirë për qeverinë shqiptare, padyshim ishte dhe një aksion i mirë që ne mësuam, që ne dhamë tek shoqëria shqiptare, që ne jemi atje, të hapur për t’iu përgjigjur kërkesave të shoqërisë shqiptare në maksimumin e disponilitetit tonë si qeveri.

Zonja Kodheli, edhe shoqëria është vetëdijësuar për ambientin që e rrethon, për faktin që ende ka armë kimike në Shqipëri dhe rrezikohet mjedisi, apo trauma e Gërdecit që është ende e pashëruar në memorien e shqiptarëve. Tashmë ju me dikasterin që drejtoni, mendoni se ka ardhur koha që ky mjedis të pastrohet një herë e mirë?

Më lejoni t’ju korrigjoj. Në Shqipëri nuk ka më armë kimike. Në Shqipëri ka mbetje të lëndëve të rrezikshme kimike, të cilat janë rreth 13 hotspote, tashmë të lokalizuara. Më duhet t’ju them që unë tashme kam finalizuar një proces të nisur nga paraardhësi im, lidhur me një ripaketim të një pjese të këtyre mbetjeve kimike, një projekt i mbështetur nga OSBE-ja dhe disa donatorë të tjerë, të shumë vendeve aleate, të cilët kanë mundësuar ripaketimin e disa lëndëve të rrezikshme. Shumë shpejt do të organizojmë një tryezë për një find raising, lidhur me gjetjen e një fondi që do të mundësonte largimin e këtyre mbetjeve tashmë të ripaketuara dhe jashtë rrezikut dhe absolutisht të sigurta, jo në rrezik për jetën e njerëzve për t’i nxjerrë këto kontenierë jashtë vendit. Ndërkohë kemi përfituar nga SHBA një fond prej 1.4 mln USD, i cili do të mundësojë pastrimin e disa prej hotspoteve. Në total, në vlerësimin tonë, kemi nevojë për rreth 3 mln USD për të pastruar të gjitha hotspotet me mbeturina të rrezikshme që janë përdorur për armë, por jo vetëm këto, por edhe të një natyre tjetër, gjithsesi të rrezikshme për jetën e njerëzve. Besoj se me donacione apo duke financuar edhe vetë Ministria e Mbrojtjes me fondet e saj dhe me ekspertët e saj, do të mundësojmë një pastrim të territorit tonë, të paktën nga këto lëndë të rrezikshme. Besoj dhe shpresoj shumë se deri në fund të vitit që vjen ne ta quajmë Shqipërinë një vend free.

Zonja Kodheli keni projekte konkrete me vendet fqinjë për një bashkëpunim më të mirë rajonal, për të pasur vërtet një rajon të sigurtë me vendet që aspirojnë drejt BE-së, kjo në kuadër edhe të kritereve të BE-së, ku Shqipëria pritet të bëhet vend kandidat?

Në fakt besoj që të gjithë ne vendet anëtare të NATO-s, pjesë e këtij rajoni, pjesë e Ballkanit, duhet të kuptojmë që rruga jonë është një dhe e vetme, është rruga e përbashkët drejt BE-së edhe NATO-s, sepse mendoj që nën këtë ombrellë dhe duke ecur në këtë rrugë vendet tona do të prosperojnë më shumë, do të jenë më të sigurta dhe ne do të mundësojmë një tjetër demokraci brenda shoqërive tona. Ballkani, siç të gjithë e dimë vjen mbas një historie dramatike të dy dekadave të fundit dhe askush nuk e ka menduar se në vitet ’90 do të vinte shumë shpejt koha që ne do të flisnim për bashkëpunim të ngushtë, për fqinjësi të mirë, madje dhe për të njënjtën rrugë, që realisht ne jemi duke punuar për të shkuar në BE dhe NATO, për të gjithë ata që nuk janë anëtarë të saj. Shqipëria dhe shqiptarët kanë një rol të veçantë në këtë rajon, janë një faktor absolutisht stabilizues dhe një faktor i rëndësishëm. Unë mendoj që qeveria shqiptare është këtu për t’i mbështetur vendet e rajonit në rrugën e tyre drejt NATO-së dhe kërkon patjetër mbështetjen e vendeve të rajonit për të gjitha ato vende që janë përpara, në fazat e integrimit në BE, që ato vende të na mbështesin dukë na treguar neve të njëjtat hapa që ata kanë ndjekur për t’u integruar në rrugën drejt BE-së. Ky bashkëpunim i ndërsjelltë dhe i ngushtë besoj se do të çojë, ndofta në periudhën më të mirë të bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit. Unë kam fatin dhe qeveria ime ka fatin që të drejtojmë Shqipërinë në një moment sa kritik aq dhe fatlum, sepse ne jemi vend anëtarë i NATO-s, por ndërkohë presim me padurim, jo vetëm që të bëjmë detyrat që BE ka përcaktuar për ne, por edhe mundësinë dhe shansin e madh për të marrë statusin e vendit kandidat

Sa afër është Gjermania në bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes, zonja Kodheli? Ministria e Mbrojtjes ka një traditë bashkëpunimi prej kohësh. Ju si e vlerësoni rolin e Gjermanisë në këtë drejtim?

‘Bashkëpunimi midis Gjermanisë dhe Shqipërisë në lëmin ushtarak të mbrojtjes apo të sigurisë është një bashkëpunim që daton herët, shumë më herët që Shqipëria të bëhej një vend anëtar i NATO-s dhe është në nivelet e saj më të mira, madje të shkëlqyera. Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj dhe më bujarë jo vetëm për realizimin e reformave në ushtri, por dhe për të gjithë asistencën e nevojshme për të cilën FA kanë pasur nevojë në fushën e mbrojtjes në gjithë këto vite. Ajo që më ngazëllen më shumë është fakti që në Gjermani studiojnë një grup studentesh shqiptarë, flasim gjithmonë në fushën e mbrojtjes dhe kjo padyshim e rrit cilësisht nivelin e bashkëpunimit duke bërë të mundur, le të themi që fryma e menaxhimit të reformave, pse jo dhe të mënyrës së organizimit që vjen nga niveli i lartë i ushtrisë gjermane, të mund të përçohet në reformat apo strategjitë e përbashkëta që Shqipëria ndjek. Padyshim që Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, ashtu siç është dhe Gjermania, këtu niveli i bashkëpunimit ngrihet në një nivel akoma dhe më të lartë. Më duhet të falënderoj në mënyrë të veçantë dhe jo pse jemi duke folur për Dojçe Velen, por sepse e ndiej që kështu është, qeverinë gjermane, ministrin e Mbrojtjes për të gjithë asistencën e dhënë gjatë këtyre viteve, bujarinë që kanë treguar edhe pozitivitetin që vazhdojnë të tregojnë në marrëdhëniet tona dypalëshe

Mbrojtja si sektor është një sektor delikat i shtetit dhe posti i ministrit është një post që përgjithësisht i është besuar burrave. Ju jeni gruaja e parë në krye të kësaj ministrie. Ju duket e vështirë ose të paktën më e vështirë se sa e kishit menduar në fillim?

Unë besoj që nuk ka asgjë të pamundur. Shekspiri thoshte: “Nuk ka gjëra të pamundura, por ka vetëm njerëz të pazotë”, qo do të thotë që edhe kur gjërat janë të vështira, ndofta mua më tërheqin më shumë sesa kur gjërat janë të lehta dhe kjo nuk e besoj se është e vlefshme vetëm për mua, por për këdo. Të bërit politikë është një profesion i vështirë sidomos për një grua, kjo jo vetëm në Shqipëri; por kudo. Tashmë u bë më shumë se një dekadë që unë merrem me politikë dhe më vjen llogjikshëm të merrem me politikë dhe në nivele të larta, siç mund të jetë ajo e drejtimit të një ministrie. Të them të drejtën, kur më është propozuar nga kryeministri Rama, padyshim që kam qenë e suprizuar. Unë jam financiere në profesion dhe kam menduar gjithmonë që fokusi im duhet të ishin ministritë të cilat merren më së shumti me këtë gjë, por një politikan është një politikan, drejton politikisht një institucion. Mendoj se këtë pozicion dhe këtë propozim e kam konsideruar së pari respekt për personin tim dhe një vlerësim shumë të lartë t’ju them të drejtën, sepse është një ndër pozicionet më të rëndësishme në qeveri, por dhe një përgjegjësi e madhe. Nuk e shikoj të vështirë dhe ajo çka më kënaq më shumë është ajo që as të tjerët nuk kanë vështirësi të komunikojnë me mua, për shkak të faktit që unë jam një grua. Besoj që jam këtu dhe do të jem për të bërë më të mirën dhe dua që t’ju siguroj përmes kësaj bisede me DW që Shqipëria duhet t’i përkasë një gjenerate tjetër dhe që t’i përkasë një gjenerate tjetër, duhet që ne të punojmë fort. Ja kemi borxh këtë fëmijëve tanë, unë ja kam borxh djalit tim dhe shpresoj shumë të bëj më të mirën. Zoti më ndihmoftë në detyrën time, jo fort të thjeshtë.

Intervistoi: Mimoza Cika-Kelmendi

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Arben Imami, korrupsion, Mimi Kodheli, Ministria e Mbrojtjes

LULE MBI KENGE

December 10, 2013 by dgreca

Intervistë me poetin dhe studiuesin e iso-polifonisë Timo Mërkuri/

Nga Agron Mema/

Pyetje:- Z Timo! Bashkia  dhe Këshilli Bashkiak i Himarës, me propozim të një grupi intelektualësh të pavarur, kanë vendosur që një nga korifejtë e polifonisë bregdetare dhe një nga ikonat e kulturës shqiptare, Neço Muko, të nderohet me titullin “Nderi i Himarës”. Si e shikoni ju këtë vendim dhe  çmund të na thoni për Neç Mukon dhe pjestarët e tjerë të grupit të tij .

Përgjigje:E përshëndes nxehtësisht këtë vendim të Këshillit Bashkiak të Himarës, Kryetarin e Bashkisë dhe grupin e intelektualëve të pavarur për këtë nismë dhe vendim, që nderon në radhë të parë propozuesit dhe vendimmarësit dhe e konsideroj jo vetëm të drejtë e të denjë, por edhe pak të vonuar.

Me këtë rast më lejoni të risjell në vëmëndjen e lexuesve tuaj faktin se po ky grup intelektualësh të pavarur, kjo Bashki dhe po ky Këshill Bashkiak propozuan dhe vendosën nderimin me titullin “Nderi i Himarës” edhe kolosin e letrave shqipe, Petro Markon, titull që ju akordua  me një ceremoni prekëse në vendlindjen e tij, Dhërmi në 100 vjetorin e lindjes. Me këtë rast u nderuan me titull nderi edhe figura të tjera të artit si Andrea Varfi, Aleks Çaçi, Robert Ndrenika etj. Kjo do të thotë se një stinë pranvereore vlerësimi për njerzit e  kulturës dhe artit mbizotëron sot në Himarë.

Unë do të uroja që kjo klimë të mbizotërojë edhe në njësitë e tjera vendore, të cilat kanë detyrën e vlerësimit të bijve të tyre, që kanë punuar pa u lodhur për artin dhe kulturën, shpesh edhe duke sakrifikuar apo martirizuar për të.

Neço Muko dhe pjestarët e grupit të tij famoz ( si dhe vazhduesit nëpër vite të  veprës së tij, të cilët gjithashtu do të  nderohen dhe vlerësohen me tituj në këtë evendiment) e nderuan Himarën dhe shpirtin e saj artistik. Çuan në Europë artin shqiptar dhe sollën në jetën shqiptare europën.  Është nderi i Himarës tu kthejë “borxhin” këtyre  artistëve, autorë të monumentit  “Kënga Himariote”.

Realisht, Neço Muko dhe antarët e  grupit të  tij,    nuk u vlerësuan nga regjimi monist.

Asnjë monument nuk u ngrit për këtë kolos të artit shqiptar. Por ndërkohë këngët e tij këndoheshin nga çdo himarjot e me tejë. Në çdo stan e mal, në çdo shtëpi e breg, çdo dasëm a festë familjare apo më gjërë, në çdo zemër e buzë këngët e Neço Mukos ishin, jo vetëm të pranishme por ishin lezeti dhe bukuria e çastit. Kënga e Neço Mukos u bë pjesë organike e jetës shqiptare. Në këtë mënyrë emri i Neço Muko dhe grupit të  tij u identifikuan me këngën iso-polifonik.

Kjo çertifikatë nderimi që i jep Himara është një lule shpirti e vendosur mbi këtë këngën e tij .

Në realitet, ata qenë nëntë veta, dhe nëse dikush nuk i di emrat e tyre, kjo ka ndodhur se ata në kujtesën e kombit kanë hyrë me një emër të përbashkët, gjithsesi duke i lënë vendin e nderit prijësit të tyre, Neço Muko Himarjotit. Ata kanë hyrë në histori me emrin e përbashkët “Grupi i Neço Mukos”, ndonëse secili kishte portretin dhe profilin e tij. Këto portrete do përpiqemi tju paraqesim, me aqë sa mundemi.

Por le tu prezantojmë me autorët e monumentit dhe origjinën e tyre

1-Neço Muko Himarjoti   Nga Himara      2-Koço Çakalli                  Nga Piluri..

3-Pano  Kokaveshi            Nga Himara      4-Andrea Bala                   Nga Piluri

dhe të cilët do të nderohen me të njëtin titull nderi nga  Bashkia e Himarës, pa përjashtuar këtu kontributin, kryesisht në muzikën e lehtë, të artistëve dhe tenorëve të talentuar profesionistë si:

1-Dhimitër  Rrumbo        Nga Stegopulli (Lunxhëri) 2-Tefta Tashko Koço        Nga Korça

3-Llambi Turtulli              Nga Korça                  4-Tula Paleologu               Nga Stambolli

5-Kleo Georgas                 Greke

Le të flasim shkurtimisht për secilin prej pjestarëve të grupit polifonik, për ata djem të rinj që e ngritën në majat më të larta të artit këngën aqë të bukur himarjote:

a-Neço Muko  (Nestor Muko) lindur më 1898 në Himarë dhe vdes  në vitin 1934. Largohet shpejt nga Himara (15 vjeç)dhe shkon në Pire ku mbaron shkollën e mesme të mbrëmjes për mekanik,pas punës së lodhëshme. Kthehet në Atdhe në moshën 24 vjeçare vendoset në Sarandë. Këtu së bashku më  Koco Cakallin, Andrea Balën, Pano Kokaveshin krijojnë grupin artistik ku fillon ajo veprimtari e ethëshme artistike dhe krijuese, me cfaqje estrade, parody, botime reviste (revista Pif-Paf) duke e shndruar këtë qytet të vogël në një teatër kulture. Por ajo që ka rëndësi është fakti se  këtu krijon atë që hyri në historinë e polifonisë me emrin “avazi himarjot”, variantin himarjot të këngës iso-polifonike, atë që më të drejtë mund ta quajmë “Margaritari i kuorës” së këngës sonë popullore.  Vdes beqar dhe, mqse  vëllai i tij, ishte ish ministri kuinslig Koço Muka , gjatë diktaturës  nuk ju përmënd asnjëherë emri zyrtarisht, ndonëse  këngët e tij u bënë pjesë organike e kulturës bregdetare. Me këtë rast duhet të theksojmë se të gjithë antarët e këtij grupi dhe familjet e tyre, pësuan persekucione nga regjimet e kohës.

b-Koço Çakalli  i lindur në Pilur më 1897, me një fëmijëri të zakonëshme fshati, ku gjithsesi do dallohej në mes të shokëve për vokalitetin e zërit të tij. Zbret në Sarandë për të mësuar zanatin e rrobaqepësit nëpër kurset e asaj kohe. Këtu miqësohet me Neço Mukon dhe bëhet pjestar aktiv i grupit të tij teatror dhe interpretues i parodive. Është marës i grupit famoz të Neço Mukos  dhe si i tillë, edhe pjesmarës aktiv në  krijimin e vijës melodike të këngëve të këtij grupi ose siç quhet rëndom, të “avazit himarjot”.

Tenor amator, me zërin e tij të fuqishëm inçizoi  qysh në pllakën e parë te Disku nr 44001 këngën hymn “Shqipëria” si dhe “Hymnin e Flamurit”. Është ndër të parat inçizime të Hymnit  të Flamurit që njohim dhe që pati përhapje,jehonë dhe pëlqim mbarëpopullor.

Ai, ndërsa ishte marës te pothuaj të gjitha këngët  iso-polifonike, , ndërsa është tenor te hymnet si “Shqipëria”, Hymni i Flamurit”, këndon me lehtësi me këngëtaret famoze Tefta Tashko Koço, me Tula Paleologun  dhe Dhimitër Rumbon.

Po kaqë madhështor paraqitet edhe te këngët gazmore apo paroditë që, jo vetëm janë luajtur ne  skenat e improvizuara në Sarandë, por edhe janë fiksuar te disqet e inçizuara te firma PATHE në Paris, si psh “Autobuzi dhe pasagjerët”,”Karnavali i Sarandës 29”, Hurrah,  dëfrim”  etj etj.  Vdes në moshën 40 vjeçare.

c- Andrea Bala lindi në 1902  dhe vdiq në vitin 1937 në  Pilur. Shkoi në Francë për të studiuar për  financë-kontabilitet, profesion të cilin nuk e ushtroi asnjëherë në administratën shtetërore. Duke qënë I zgjedhur edhe kryeplak në Pilur, me shpenzimet e tij ndërtoi rrugën Vumlo-Pilur, të cilën për arsye të vdekjes së parakohëshme, nuk e përfundoi dot, duke e lënë në kilometrin e fundit. Sot, e përfunduar dhe asfaltuar. Rruga e Pilurit quhet “Rruga Andrea Bala”.

Kontriboi financiarisht për udhëtimin e  parë të grupit të Neço Muko Himarjotit në Francë.

Në Sarandë, bashkë me Neço Mukon, sajojnë një dyqan në breg të detit. dhe aty ngritën skenën teatrale të  grupit. Aty luheshin skeçet, këndoheshin këngët lirike, paroditë dhe këngët iso-polifonike. Duke qënë tip gazmor dhe i shoqërueshëm, Andrea ishte shpirti i skeçeve dhe parodive të grupit. Po aty  shtypej edhe revista e parë “Pif-Paf” e grupit  të quajtur “ Miqtë e dëfrimit”. Bëhet inisiator për këngën kushtuar Sarandës, Konispolitja, Stambollitja etj.

Vdekja e tij ishte më se aksidentale, duke lënë  djalin e porsalindur 6 muajsh dhe katër vajza në moshë fëmijërie, jeta e mëvonëshme e të cilëve kaloi të gjitha persekucionet e regjimit Italian, gjerman dhe komunist. Neço Muko i ka kushtuar këngën “Rinia” Andrea Balës.

ç- Pano Kokaveshi, i lindur më 1907 në Himarë dhe vdekur në vitet 80, ishte një djalë i ri 23 vjeç kur u aktivizua në grupin e Neço Mukos në Sarandë, ku kishte shkuar të mësonte zanatin e kepucarit. Pati një jetë të gjatë dhe plot peripeci, sepse dajua i tij ishte vëllai i Neço Mukos, ish prefekti zogist i Gjirokastrës dhe ish Ministri i Brendshëm i viteve të pushtimit Italian, Koço Muka, por edhe për faktin se , në vitet gjashtëdhjetë një nga  tre djemtë e tij, që kryente shërbimin ushtarak në Durrës, tentoi aratisjen, tentativë që i kushtoi jetën.

Pas vdekjes së këtij të fundit, punoi e jetoi në heshtje në Himarë.

U afrua me  Dhimitër Varfin në grupin e Himarës, i cili këndonte këngët e grupit të Neços. Ndryshe nga Koço Çakalli shumëdimensional, Pano Kokaveshi këndonte vetëm në këngët iso-polifonike….

Kjo është një biografi e shkurtër e këtyre artistëve të mëdhenj popullor që  i dhanë vendit nje kryevepër, këngën iso-polifonike himarjote, këtë monument të gjallë arti.

Pyetje: Duke qënë se jini marë me studimin e iso-polifonisë  në tërësi dhe të asaj himarjote në  veçanti, mund të na thoni se ku konsiston kontributi i Neço Mukos në krijimin e variantit himarjot të këngës iso-polifonike dhe ku qëndron karakteristika e  këtij varianti?

Përgjigje: Të kemi parasysh se kënga iso-polifonike shqiptare, e lindur nga vajtimi, është një këngë shumëshekullore, fillesat e të cilës datojnë me jetën e njeriut shqiptar. Ajo u rrit bashkë me  krijiomin e identitetit shqiptar, duke u bërë pjesë organike e AND të kombit tonë.  Por  në kohën që doli në skenë Neço Muko, mënyra e të kënduarit të kësaj kënge ishte e tipit…o shokë more…, gati e njëjtë në të gjithë trevën iso-polifonike. Por Himara ka karakteristikat e saj të të jetuarit dhe të perceptuarit të jetës, kështu që ky variant kënge nuk i përshtatej shumë. Këtu fillon novacioni i Neço Mukos. Në qoftë se ariti sukses dhe ngeli i pavdekshëm Neço Muko Himarjoti, mbeti pikërisht për  rolin që i dha  zërit të tretë , ‘’hedhësit’,’ duke e veçuar atë dhe duke e bërë më funksional dhe duke i dhënë kështu këngës himarjote , jo vetëm atë forcë të re që e dallon, por duke e bërë edhe më të zhdërvjellët. .Pikërisht ky rol i ri i këtij zëri e ndryshoi drejtimin e këngës himarjote duke e shkëputur atë dallueshëm nga kënga labçe e gjirokastrite.

 

Dikush do thotë që ky zë ka egzistuar me kohë dhe se këtë zë nuk e futi në polifoni Neço Muko. Kjo është e vërtetë, ky zë ka egzistuar, por pa atë funksion që i dha Neço Muko te kënga himarjote.

Të krijohet një teknike e re polifonike është shumë e vështirë dhe duhen shekuj,por ama të veçosh një zë të polifonisë dhe ti japish atij një rol të ri duke i rritur tonalitetin dhe muzikalitetin, kjo po, është plotësisht e mundëshme dhe e pranueshme kur bëhet me mjeshtëri. Këtë bëri Neço Muko dhe jo vetëm që u pranua, por novacioni mori emrin e tij. Mandje sot themi këngët e Neço Mukos shpesh  në vend që të themi këngët himarjote ose anasjelltas.

Duhet të pranojmë se kjo ishte një punë viganësh, ishte si  të gdhëndje një mal stëralli dhe prej tij të nxirje një Afërditë magjike. E tillë është kënga himarjote , për nga bukuria, finesa dhe emocioni që të shkakton me bukurinë e saj.

Pasi përpunoi këtë zë, bashkë me shokët e tij të Sarandës niset për në Paris më 1929, ku në rethet studentore dhe artistike gjen dhe angazhon për incizim edhe Dhimitër Rumbo,Llambi Turtulli,Kleo Jorgji,Tefta Tashko e Tula Paleologu. Dhe kështu  te firma ‘’Pathe’’ kryhen inçizimet e para  në historine e polifonisë shqiptare. Kështu përjetësohen këngët ‘’Vajzë e valeve’’ ,’’Doli hëna’’,’’Llaj çoban’’,’’910 viti’’,’’Moj Katina nina nina’’ “Kënga e Ismail Qemalit”,Shqipëria, Kënga e Çerçiz Topullit,etj etj.

Këto këngë i kemi dëgjuar,kënduar e admiruar  dhe në heshtje i kemi shprehu  mirënjohjen autorit të tyre dhe grupit të tij famëmadh.  Kënga iso-polifonike e njohur nga UNESCO si kryevepër e njerëzimit në 25 nëntor 2005 ka Brenda saj edhe kontributin e Neço Mukos si nismëtar dhe autor I krijimit të variantit himarjot të kësaj kënge. Sepse vetëm pas  suksesit të variantit himarjot, filluan të dalin edhe variante të tjera , si ai i Dukatit, Gjirokastrës, Pilurit etj, ashtu siç dalin filizat e rinj të degëve në trungun e një rrapi shekullor kur klima është e përshtatëshme.

Të mos harojmë novatorizmin e shoqërimit të kësaj kënge (himarjote) edhe me istrumenta, si kënga ‘’Llaj çoban’’,novacion të cilin do ta çonte më tejë në këngën pilurjote në ditët e sotme Lefter Çipa.

Por ajo që dua të theksoj këtë herë është  një fakt që pothuaj kalohet në heshtje kur flitet për Neço Mukon;Ai është pioneri i këngës së lehtë qytetare  në Shqipëri.

Këngët “O moj korçare”, Saranditja, Konispolatja, Tirana, Shkodra etj mbanë firmën artistike të Neço Mukos.

Por nuk mbaron me kaqë kontributi i Neço Mukos  në historinë e këngës.Më sipër kemi thënë se ai krijoi në Sarandë një grup estrade që bënte të qeshte gjithë qyteti, por dhe në këtë rast , pra në inçizimin e pllakave , ai nuk haroi të inçizonte parodi e dialogje humoristiko-satirike, duke u bërë kështu i pari në historinë e  muzikës shqiptare në këtë fushë.

Dhe të mos harojmë edhe kontributin e tij si poet, krijues i teksteve të këngëve, skeçeve dhe parodive, ku gati 80% e tyre kanë autor Neç Mukon. Niveli i lartë artistik i këtyre krijimeve ka bërë që ato ti rezistojnë “harimit”.

Pyetje:Kini thënë se… të këndosh këngën labe nuk është e lehtë, por të këndosh këngën himarjote duhet të kesh dy palë mushkëri. Pse thoni këtë?

Përgjigje: Sepse jo kushdo mund të këndojë këngë himarjote, për vetë mekanizmin e të kënduarit. A e kini vënë re që isua e këngës himarjote i ngjan një plumbi që ngrihet e ngrihet lart dhe thua me vete se s’do mbarojë kurrë kjo ngritje. Duhet të keshë mushkëri të forta ta mbashë këtë iso, deri në momentin që prerësi ta presë këngën. A e kini vënë re, psh që kënga “Vajzë e valëve” nuk ka refren? Kjo ndodh për arsyen e thjeshtë se edhe rolin e refrenit e ka marë iso-ja.

Nisja e këngës himarjote është shumë e thjeshtë, marësi  këndon një varg (vajz’ e valëve, psh). Pastaj futen gjithë pjestarët e grupit me iso, për ta mbajtur dhe ngritur lart këtë këngë. Pa ison e saj të fuqishme dhe fine, kënga himarjote nuk do egzistonte.

Thashë që marësi citon një varg dhe jua le vendin pjestarëve të tjerë ta mbushin botën me ison e tyre. Kjo teknikë e të kënduarit, ku marësi citon vetëm një varg, dëshmon lashtësinë e këngës iso-polifonike, ku më shumë se evidentimit të rolit të marësit, i kushtohej rëndësi  isos kolektive (bashkë të kënduarit).

Duke e dëgjuar këngën himarjote, thua me vete: Më madhështore nuk e bën dot njeriu. Krijime të tilla janë vepra viganësh,viganë nga shpirti,viganë nga diapazoni pamor.

Të tillë ishin pjestarët e grupit të Neço Muko Himarjotit, por edhe vazhduesit e mëvonshëm, pjestarët e grupit të Dhimitër Varfit dhe Lefter Çipës, të cilët me të drejtë i nderon sot jo vetëm Himara.

Prandaj ju ftoj edhe juve   që ti nderojmë, qoftë thjeshtë me pjesmarjen tonë në këtë ceremoni në datën 14 dhjetor në Himarë.

Faleminderit!

Filed Under: Featured Tagged With: Agron Mema, Lule mbi Knege, Timo merkuri

Xhevat Sherifit i jepet përkrahje për kryetar të DSHM-së

December 10, 2013 by dgreca

(Kumtesë e shoqatave dhe të asociacioneve shqiptaro-amerikane në Nju Jork)/*

Në organizim të LQSHA-së (Joe DioGuardi)dhe të shoqatave shqiptaro-amerikane në Nju Jork dhe nga Çikago,u mbaj një takim madhështor në thellimin e matjemë të marrëdhënieve shqiptaro-hebreike që hedh dritë për pranimin dhe shpetimin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore.Për aktivitetin dhe kahet e kauzës kombëtare,shoqatat dhe asociacionet shqiptaro-ameriakne theksuan se ka ardhur koha e unifikimit tonë në një rrugë të përbashkët,ndonëse çështja shqiptare ende nuk është zgjidhur në Ballkan.Orët e kohës historike po trokasin në ndërgjegjën tonë se nuk na duhet përqarjet dhe ndasitë në vijat militantiste të partive politike në atdhe.Diaspora Shqiptare në Amerikë ndër vite ka qenë krah i fuqishëm për zgjidhjen e drejtë kombëtare shqiptare për liri dhe mëvetësi të Shqipërisë dhe të shtetit të Kosovës,si dhe për secilën pjesë etnike në Maqedoni,Mal të Zi,Preshevë dhe Çamëri.
Përkitazi me çështjet aktuale,shoqatat shqiptaro-amerikane në Nju jork i dhanë përkraje të parezervë Xhevat Sherfiit për kryetar të DSHM-së,asociacion ky politiko-kombëtar që ka marrë mbi vete përgjejgësinë dhe të drejtën legjitime nga Amerika e largët që të loboj dhe tgë anagazhohet gjithanshëm në të gjitha fushat që përmes vlerave universale të lirisë dhe të demokracisë të zgjidhet çështja shqiptare në Maqedoni.Për këtë të drejtë,ata thonë se na duhet unifikimi dhe vijat e unitetit kombëtar për realizuar të drejtën legjitime shteformues për popullin shqiptar në Maqedoni,thuhet në këtë kumtesë për opinion të SHSHA-ve në Nju Jork.
Kësaj nisme iu bashkuan Musa Prrquku,kryetar i Shoqatës Atdhetare Dibra,Haxhi Dauti,Kryetar AAC,Emin Egriu,kryetar i PUSHIT,Bashkim Glloboqishta,nënkretar i PUSHIT,Branko Manojilovski,misionar për çështjen shqiptare ortodokse në Maqedoni,Ramazan Veliu,ish kryetar i Fondit të përbshkët në Nju Jork,Ylber Pilku SHA Dibra dhe Ibrahim Kollari,ish kanditat për kryetar të komunës së Dibrës.

Shoqatat dhe asociacionet shqiptaro-amerikane

Nju Jork

* E dergoi per Gazeten DIELLI, z. Skender Karacica

Filed Under: Featured Tagged With: DSHM, perkrahje per kryetar, Skender Karacica, Xhevat Sherifi

NELSON MANDELA: GJIGANT I HISTORISË

December 10, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Kështu e quajti Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, Nelson Mandelën, luftëtarin e lirisë, të burgosurin, simbolin e Afrikës  kundër shtypjeve dhe diskriminit racial dhe më në fund Presidentin e Afrikës së Jugut dhe fituesin e Çmimit Nobel për paqë, gjatë një ceremonie përkujtimore të martën në Xhohanesburg.   Nelson Mandela ndërroi jetë javën që kaloi në moshën 95-vjeçare.  Në shërbimin përkujtimor, sipas mediave të ndryshme, morën pjesë rreth 90-mijë vetë, përfshirë edhe udhëheqës nga 100 shtete, nga mbarë bota.  Delegacioni amerikan kryesohej nga Presidenti Obama dhe përfshinte tre ish-presidentë të këtij vendi, Xhorxh Bush, Bill Klinton dhe Xhimi Karter.

Presidenti Obama e cilësoi Nelson Mandelën si liberatorin e fundit të shekullit të 20-të, duke e quajtur atë, “një gjigant të historisë, i cili shtyri vendin e tij kah drejtësia”.  Presidenti amerikan e krahasoi Mandelën me gjigantët e shekullit të kaluar si Mahatma Gandhi dhe Martin Luther Kingu, duke thënë se ai, “vuajti pasojat e qëndrimeve të tija, duke kundërshtuar shtypësit e tij të fuqishëm.”  Gjatë fjalimit të tij,  Zoti Obama invokoi edhe emërin e Abraham Linkolnit, duke e krahasuar Mandelën me ish-presidentin amerikan të periudhës së luftës civile në Amerikë, si dhe me themeluesit e tjerë të Amerikës.  “Nevojitej një burrë si Mandela”, tha presidenti amerikan, që me veprën dhe qëndresën e tij paqësore, jo vetëm të, “lironte të burgosurin (vetveten) por njëkohsisht edhe rojën e burgut” (shtypësin e tij). Madje, madje, në ianugurimin e tij për president, Mandela kishte ftuar rojën e tij të burgut dhe e kishte ulur atë në rendin e parë me personalitete të tjera. I tillë ishte sensi i tij i pajtimit për një shoqëri të dalë nga një diktaturë e tmershme. Udhëheqsi amerikan iu drejtua afrikano-jugorëve duke thënë se, “Lufta e tij ishte lufta e juaj. Triumfi i tij ishte triumfi i juaj. Dinjiteti dhe shpresa e juaj gjenin shprehje në jetën e tij, ndërsa liria dhe demokracia që ju gëzoni sot, janë trashëgimia e tij e shtrenjtë”, tha presidenti Obama para më shumë se 90-mijë të pranishëmve në stadiumin e Sovetos.

Ndërsa Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon tha me këtë rast se, “Afrika e Jugut humbi një hero, humbi një baba, i cili ishte njëkohsisht edhe një prej mësuesve më të mëdhej.  Ai ishte shembull frymëzues vetmohimi që sakrifikoi aq shumë për liri dhe demokraci”, tha Ban Ki Moon, duke shtuar se “gjithandej ndihet dhëmbje për një humbje të madhe, por njëkohsisht është edhe një moment celebrimi i një jete të madhërishme.”

Mandela qe burgosur në vitin 1962, i akuzuar për konspiracion për të rrëxuar qeverinë raciste të Afrikës së Jugut. Në gjyqin që e dënoi atë me burgim të përjetëshëm, ai mbrojti veten,  duke mbajtur një fjalim prej katër orësh, ku ndër të tjera ka thënë se, “Unë kam luftuar kundër dominimit nga të bardhët dhe kam luftuar kundër dominimit nga zezakët”, tha ai.  “Unë mbështes dhe shpresoj në idealin e një shoqërie të lirë dhe demokratike, ku të gjithë njerëzit, pa dallim, të mund të jetojnë së bashku në harmoni dhe me mundësi dhe të drejta të barabarta.  Është ky një ideal për të cilin dua të jetoj dhe të cilin më në fund shpresoj t’a realizoj. Por nëqoftse është e nevojshme, ky është një ideal edhe për të cilin jam gati të vdes.”

Pas 27 vitesh dhe vuajtjesh në burg, dhe pas lirimit të tij nga burgu, më 1990, Nelson Mandela realizoi ëndërrën dhe idealin e tij për një shoqëri të lirë dhe demokratike për vendin e tij.  Më 1994, ai zgjidhet president i Afrikës së Jugut.  Mandela ka thënë  në vitin 2004, me rastin e 10-vjetorit të demokracisë në vendin e tij se megjithëse bota priste një gjakderdhje dhe luftë civile raciale gjatë tranzicionit, “ne jo vetëm që mënjanuam një masakër raciale, por ne të gjithë së bashku, krijuam një prej sistemeve  demokratike, progresive, jo raciale më shembullorë të botës moderne.”

Në fjalimin me rastin e inugaurimit të tij në postin e presidentit të Afrikës së Jugut, më 1994, vetëm katër vjetë pas lirimit të tij nga burgu, Nelson Mandela, duke pasur parasyshë vuajtjet e veta dhe të bashkombasve të tij gjatë dekadave të aparteidit të egër, tha se, “Nga përvoja e kësaj tragjedie të jashtzakonshme njerëzore që zgjati aq shumë, duhet të lind një shoqëri e re, e cila do të jetë krenaria e gjithë njerëzimit.”  Ai ishte i vetdijshëm se këjo shoqëri e re nuk mund të lindëte pa një pajtim mbarë kombëtar, duke thënë me tonin e tij pajtues se për vendin e tij “kishte ardhur koha për shërimin e plagëve dhe se ishte momenti historik për të tejkaluar ndasitë që na përçajnë, me qëllim për të ri-ndërtuar vendin.”   Në fjalimin inuagurues që vuri bazën e qeverisjes së tij të ardhëshme dhe të procesit të pajtimit, Presidenti Mandela, u angazhua, se “do ndërtojmë një shoqëri në të cilën të gjithë afrikano-jugorët, të bardhë  e zezakë, do të jenë krenarë, pa kurrfarë frike në zemërat e tyre, të sigurt për të drejtat  dhe për dinjitetin e tyre njerëzor.”

Duke theksuar se dita e lirisë për ‘të dhe për bashkombasit e tij nuk ishte realizuar  pa vuajtje e sakrifica të shumëta, Mandela tha me atë rast se, “Ne, ua dedikojmë këtë ditë të gjithë heronjve dhe heroinave të këtij vendi dhe anë e mbanë botës, të cilët kanë sakrifikuar edhe jetën për të qenë të lire.  Ëndërrat e tyre janë bërë realitet. Shpërblimi i tyre, është liria”, përfundoi fjalimin e tij inagurues si president i parë zezak i Afrikës së Jugut, në vitin 1994.

Editorialet në media, analistët dhe komentues të ndryshëm, me të drejtë e cilësojnë Nelson Mandelën si njërin prej udhëheqësve më të dalluar modern jo vetëm në Afrikë por kudo në botë.  Ai triumfoi mbi të keqen dhe udhëhoqi duke nxjerrur popullin e vet nga gremina ku kishte renë shoqëria jug-afrikane për shkak të aparteidit racial, pa derdhur as një pikë gjak, megjithë ndasitë e mëdha shoqërore që ekzistonin në atë kohë.  Mbi të gjitha, atij i akordohet merita e madhe për mbikqyrjen e zbatimit të procesit të quajtur, “E Vërteta dhe Pajtimi”, një proces ky që më në fund, u njohu sadopak viktimave të aparteidit racial të Afrikës së Jugut,  vuajtjet, sakrificat dhe viktimizimin e tyre, nga njëri prej sistemeve më anti-njerëzore që ka njohur bota.  Nelson Mandela, siç theksuan edhe shumë nga folësit në cermeninë pëkujtimore të Martën, në Soveto të Afrikës së Jugut, me personalitetin e tij, ai dijti të përdorte fitoren mbi të keqen, duke e këthyer atë në një paqë dhe pajtim për bashkkombasit e vet.  Ashtu siç tha edhe Presidenti Obama në fjalimin e tij të Martën në Xhohanesburg, Nelson Mandela ishte një udhëheqës i cili tregoi me fjalë dhe vepra se, “është e nevojshme që t’u besosh  të tjerëve nëse dëshiron që të tjerët të besojnë ty dhe se që të praktikosh pajtimin shoqëror, nuk do të thotë se mohon ose justifikon të kaluarën, por  përkundrazi, pajtimi është një proces për tu përballur me të kaluarën, me gjithëpërfshirje, bujari dhe me të vendosjen në vend të së vërtetës”, përfundoi Presidenti amerikan Barak Obama, fjalimin e tij në përkujtim të Nelson Mandelës.

Ai ishte një model udhëheqsi për çdo shoqëri post diktatoriale, sidomos ai do mbetet shembull i pajtimit. Por mbi të gjitha, siç tha në një editorial, gazeta afrikano-jugore, Cape Tajms, “Kontributi më i madh i tij do të mbetet me siguri, roli që ai luajti si luftëtar i lirisë”. “Ajo që arrijti Mandela – me ndihmën e të tjerëve – është fakti se ai zbërthei zinxhirët e aparteidit dhe u paraqiti bashkombasve të vet alternativën demokratike”, përfundoi gazeta afrikano jugore.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, gjigant i historise, nelson Mandela

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT