• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

Shfletojme Historine e Vatres:KËSHILLA KOMBËTARE

January 22, 2014 by dgreca

Nga “Historia e Federatës Panshqiptare VATRA” e Refat Gurrazezit/

             Duke parë se afroj ora më kritike për çështjen shqipëtare, javën e tretë të Nëntorit 1918 Vatra u-dërgoj nga një qarkëtore degëve të saj dhe i këshillonte të bëjin mbledhje të posaçme që të zgjithjin nga një delegat të zotin për në kuvënt të pazakontë që do të mblidhej në Boston për së shpejti. Me 11 t’atij muaji u-bë Armëpushimi dhe mori funt Lufta e Parë e Përbotëshme n’Evropë. Komisioni Qendral u-bëri një thirrje patriotike Shqipëtarëve t’Amerikës që të mblidheshin rreth Federatës Vatra, dhe me anën e saj të gjithë të bashkuar të nxirjin një zë të fortë në Konferencën e Paqës për të drejtat kombëtare të Shqipërisë.

            Përveç dy degëve të riorganizuara, e Chicago-s dhe e Syracuse-it, në pakë dit’e sipër u-filluan dhe pesë degë të ra: në Portsmouth, N.H., Në Erie dhe Branddock, Pa., në Barberton dhe Niles-Youngstown, Ohio.

            Duke parëshikuar se do t’i shtoheshin përgjigjësitë për çështjen e Shqipërisë dhe do të kish nevojë për fonde financiare më tepër, Vatra u-bëri thirrje gjithë Vatranëve që t’i jepjin edhe një sulm të ri Fushatës “Dita Tri Qershor” për Shpëtimin e Shqipërisë.

            Vatra priste informata nga kryedelegati i saj në London Mehmed Konitza se si dukeshin punët e Shqipërisë pas pushimit të luftes, q’ashtu të dinte se ç’masa munt të mirte kuvëndi që pritej të bëhej për së shpejti. Dhe ay, Mehmed Konitza, kish shkuar në Shqipëri ato ditë që organizoj Kongresin e Durrësit dhe u-formua Guverna Provizore nënëe kryesin’ e Turhan Pashës. Me gjith’ato, koha nukë priste dhe u-vëndos mbajtja e kuvëndit.

            Të Dielën me 29 Shën-Ëndre 1918 u-mbloth kuvëndi i Pazakontë në Winthrop Hall, Boston, dhe u-përfaqësuan 51 degë të regullshme të Federatës VATRA. Çairman i atij kuvëndi me rëndesi u-zgjoth Dennis J. Kambury, delegat’ i  degës Nr. 69, Niles-Youngstown, Ohio, e cila s’kish pakë javë që ish themeluar. Sekretar i kuvëndit u-zgjoth Loni Kristua, delegat i degës Lynn, Mass., dhe raporter u-zgjoth Kostë Hotova, Delegat i degës Albany, N. Y.

            Kuvëndi vazhdoj një javë, mbajti XV (15) sesione gjithësej, dhe mbaroj duke bërë miaft punë me rëndësi për të mirën e Shqipërisë. Në sesionin e 5-të u-leçit një Memorandum i bërë dhe i nënëshkruar prej klerit orthodhoks shqipëtar t’Amerikës, dhe u-prit me të trokitura duarsh të nxehta nga delegatët e kuvëndit. Memorandumi hidhtë poshte çpifjet dhe tëndencat e Grekëve edhe të grekomanëve të vëndit që thoshin se “Shqipëtarët e kërshtërë orthodhoksë duan bashkimin e tyre me Greqinë”! Kish shumë Epirotë që vërtet atë dëshirojin, të cilët ishin vërbuar nga propaganda e Grekëve fanatikë. Për atë shkak Shqipëtarët qenë goditur dhe gjakosur me Epirotët në mbledhjet e tyre në Boston.

            Memorandumi u-bë sipas kërkimit dhe pëlqimit të Vatrës, dhe u-nënëshkrua nga këta klërikë orthodhoksë shqipëtarë: At Fan Noli, At Naum Cere, At Marko Kondili, At Damiani, At Pando Sinica dhe At Vangjel Çamçe. Pastaj ay Memorandum j’u dërgua Presidentit Woodrow Wilson në Washington, edhe Kryeministrive të Fuqive të Mbëdha n’Evropë.

            Kuvëndi e gjeti të nevojshmë shtuarjën e delegatëve të Vatrës, dhe emëroj keta: Dr. Charles T. Erickson, Rasim Bej Dino, Anselmo Lorechia (drejtor i gazetës “Kombësia Shqipëtare” që diltë në Romë), dhe Faik Konitzën me Sotir Pecin si delegatë nderi. Faik Konitza ahere u-lëshua nga guverna Austriake passi u-munt nga Aliatet dhe e humbi luftën. Bashkë me Faik Konitzën ishin t’internuar në Vienë dhe Kolonel Zogu me Fazlli Frashërin, dhe kur u-lëshuan nga internimi ata të dy shkuan në Shqipëri dhe Faik Konitza vajti në Romë, i cili hyri prapë në shërbim të Vatrës si delegat i saj.

            U-vëndos nga kuvëndi që Fan Noli të shkonte në Paris si delegat i Vatrës dhe të punonte me delegatët e tjerë atje. Për n’Amerikë, u-emërua Kostë Çekrezi delegat dhe editor i Revistës “Adriatik”. Dr. Ericksoni qëndroj një kohë të shkurtër në Paris, dhe, me këshillat e Mehmed Konitzës dhe të Dr. Turtullit, Vatra e thirri prapë Dr. Ericksonin dhe e emëroj delegat të saj në Washington bashkë më Çekrezin.

            Ay kuvënt votoj me-një-zë sumën prej 120,000 dollarësh që të harxhohesh nga delegatët e Vatrës në Konferencën e Paqës në Paris edhe gjetkë për të fituar Independencën e Shqipërisë me kufit’e saj ethnografike.

            Duke parë se vepërimet e Vatrës u-shtuan tepër dhe s’munt t’u bënte dot ballë Komisioni i Qendrës, kuvëndi e pa t’arësyshme zgjedhjen e një Këshille Kombëtare të përbërë prej 11 anëtarësh, njerës t’aftë për atë punë. Passi kjo çështje u-bisedua mirë prej delegatëve, u-vëndos zgjedhja e Këshilles Kombëtare dhe u-proponuan shumë njerës miaft të zottë, po me shumësin’e votave fituan këta:

            Dennis J. Kambury, Paskal Aleksi, Shefki Aliko, Kristo Kirka, Kostë Hotova, Kosta Issak, Bahri Omari, Xhevat Harxhi, Anastas Pandele, Loni Kristo dhe Thimi Hondro.

            Regullore e Këshillës: (1) Këshilla Kombëtare kish fuqin’ e një kuvëndi dhe jipte përfundime mi punët e Vatrës vetëm në çështjet politike. (2) Fuqia e Këshilles ish gjër në kuvëndin e regullshmë të Vatrës. (3) Anëtarët e Këshillës të zgjidheshin nga anëtarët e Vatrës me votim të kuvëndit. (4) Këeshilla Kombëtare thirrej në mbledhje kur ish nevoja nga kryetari i Vatrës, i cili e kryesonte gjër sa zgjidhej çairmani nga anëtaret e Këshillës. (5) Komisioni i Vatrës ish pjesëtar i Këshillës Kombëtare, sikundër dhe delegatët e saj n’Amerikë, po s’kishin të drejtë të votojin në bisedimet dhe vëndimet e Këshillës, natyrisht munt të pyeteshin për gjëra të Federatës që i dijin.

            Kuvëndi vëndosi këtë thirrje patriotike për gjithë Shqipëtarët e Amerikës (po vetëm Vatranët përgjigjeshin!):

            “Shqipëtarë t’Amerikes! Ardhi koha kritike në të cilën do të gjykohet fati i Shqipërisë. Armiqtë t’anë janë të pasur e të fortë dhe duhet t’u bëjmë ballë. Për të fituar të drejtat t’ona kombëtare duhet t’i lëftojmë këmba këmbës dhe që t’i lëftojmë me efekt na duhen para. Pjesë të çmuara t’Atdheut t’onë janë në rezik dhe tani ështe rasja t’i çkëputim nga duart e armikut. Ndihni pra më dorën plot dhe pa kursyer që t’a fitojmë Shqipërinë e madhe, plotërisht independente me Kosovën , Çamërinë dhe gjithë krahinat e tjera fjesht shqipëtare, dhe të rojmë të lirë, të lumur dhe kryelartë nënë hien e Flamurit të Skënderbeut. O burrani!”                                               

Në sesionin e fundit, Kuvëndi i Pazakontë bëri dhe votoj me-një-zë nga gjithë delegatët Rezollutën që shënojmë ketu më poshtë, dhe u a dërgoj guvernave të Fuqive të Mbëdha: t’Amerikës, t’Inglisë, te Francës, t’Italisë dhe të Japonisë.

                                                                           REZOLLUTA:

                                                                            “Delegatët e Federatës Pan-Shqipëtare të Amerikës VATRA, të mbledhur në Kuvënt të Pazakontë në Winthrop Hall, Boston, vëndosnë me 4 Jenar (1919) t’u bëjnë një thirrje Guvernave t’Amerikës dhe të Fuqive Aliate për rivëndosjen e independencës mbretërore të Shqipërisë;

Për ndreqjen e kufive me një mënyrë që të hyjnë brënda krahinat fjesht e kryesht shqipëtare të cilat u çkëputnë padrejtësisht prej Konferencës së Londrës me 1913; fjala vjen

Malësit’e Hotit, Grudës, Plavës, Jakovës, Prizrenit, Mitrovicës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Dibrës, Strugës, Ohrisë, Manastirit, Kosturit, dhe Krahinën e Çamërisë me qytetet e Prevezës dhe Janinës;

Për një Plebesitë në viset e përmëndura më sipër, i cili të bëhët pas zaptimit të këtyre vëndeve prej ushtrisë Amerikane që kështu të shigurohet çfaqja e lirë e dëshirave të ndenjësve; dhe

Për qasjen e delegatëve Shqipëtarë në Kongres të Paqës për të shtruar dëshirat dhe kërkimet e kombit Shqipëtar para se të vëndoset fati i Shqipërisë.”

Delegatet e atij kuvëndi me rëndesi, duke nisur nga Dega Nr. 1, Boston, Mass., dhe gjër të Dega Nr. 70, Barberton, Ohio, qenë këta:

Vasil Naso, Loni Kristo, Lazar Selenica, Kosta Issak, Ilo Pano, Pandi Vodica, Stathi Suli, Foqion Postoli, Paskal Aleksi, Arif Hiqmeti, Guri Filip, Muke Permeti, Vasil Bradvica, Mihal Kosmo, Kostaq Lepcishti, George Luarasi, Evan Elia, George Konda, Luka Trebicka, Xhevad Harxhi, Shaban Halil, Kosta Progri, Dhimitri Sido, Shefqet Frashëri, Thimi Hondro, Ligor Panajoti, Koço Grameno, Sulejman Hysen, Sotir Treska, Kost Hotova, Reis Asllan, Dr. Kondi, George Qafzezi, Ibrahim Bitincka, Kosta Pano, Qani Shehu, Luka Lasko, Hysen Leskoviku, Xhafer Starja, Isuf Maleshova, Anastas Pandeli, Nasi Aristidhi, Abas Kamenica, Sinan Lekdushi, Dennis J. Kambury dhe Isuf Vincani.

Çairmani u dha leje delegatëve të çfaqjin mendimet e tyre më parë se të mbyllte kuvendin. Me atë rast, shumë delegatë mbajtnë fjalë patriotike për independencen e plottë të Shqipërisë e cila ish e gjakosur, e djegur nga luftrat, e shtypur nga fqinjët, dhe me kufire të krasitura. Delegatet gjith’ashtu folën me emfaze për bashkimin e gjithë Shqipëtarëve t’Amerikës rreth Federatës VATRA, q’ashtu t’i bëhej ballë rezikut të Shqipërisë nga fqinjet e saj të cilet po i mprehjin thiket e tyre për t’i prerë kokën, se këmbet dhe krahet ja prenë duke i marë Kosovën dhe Çamërinë. Për fatin e zi të Shqipërisë, përçarja e Shqipëtarëve vazhdonte, dhe shpresa për bashkimin e tyre ish fare e pakët, sido që Shqipëria po jipte shpirt.

Për shëmbell, passi mori funt lufta e madhe n’Evropë dhe ish nevoja për punë kombëtare, Shqipëtarët e Shteteve Ohio, Michigan dhe Pennsylvania deshnë të bëjin një mbledhje dhe paradë të madhe n’Akron, Ohio. Po Kryekatundari (“the Mayor”) nuk u dha leje të paradojin në ruget e qytetit. Shkaku? Ay tha: “Juve e kini flamurin të kuq, dhe populli do t’a marë për flamur të Bolshevikëve dhe ashtu do të ndizet shamata në rugët e qytetit”! Po s’qe ay shkaku, e vërteta është se vanë Grekët që i thanë kryeplakut të qytetit t’a ndalonte mbledhjen e Shqipëtarëve, dhe ay i dëgjoj për interesin e votave se ata ishin me shumicë n’atë qytet.

Pas asaj ngjarjeje, Shqipëtarët vanë në Pittsburgh, Pa., që e bënë mbledhjen edhe paradën e madhe. Atje gjetnë përkrahje nga disa zyrtarë të qytetit, dhe nga policia. Komisioni që pregatiti atë mbledhje ftoj Vatrën dhe “Partinë Politike” që të dërgojin përfaqesonjësit e tyre. Vatra dërgoj Kostë Çekrezin, dhe “Partia Politike” dërgoj Kristo Dakon.

Pas paradës, u-bë mbledhja në një sallë të madhë të një binaje të lartë të qytetit. Ishin në mbledhjen jo më pak se 1,000 Shqipëtare t’ardhur nga kollonira të ndryshme të shteteve që shënuam më sipër. Mbledhja vëndosi bërjen e një Rezollute që t’u dërgohej Fuqive të Mbëdha për të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. Rezolluta u-bë dhe u-pëlqye nga mbledhja, po duhej nënëshkruar edhe nga përfaqësonjësit e Vatrës dhe të “Partisë Politike.”

Kristo Dakua refuzoj t’a nënëshkruante Rezollutën, ay thosh se “Vatra donte protektoratën e Italisë në Shqipëri”, dhe s’desh të bashkëpunonte me përfaqësonjësin e saj Kostë Çekrezin. Dakua e bazonte akuzimin e tij në vajtjen e kryetarit të Vatrës Kol Tromarës nj’a dy herë në Washington që bashkoj ambassadorin e Italisë, po akuzimi i tij nuk u-vërtetua.

Populli u-mërzit nga ajo sjellje, dhe kërkonte nënëshkrimin e Rezollutës nga përfaqësonjësit e të dy organizatave. Ahere u-ngrit një Vatran i qojtur Ali Kuçi nga Tomorica e Beratit, një burrë i math gjashtë këmbë e ca i gjatë, qe u-vajti pranë tyrë dhe u-tha: “Jemi mbledhur sot këtu për një qellim të shëntë, për të kërkuar të drejtat dhe lirinë kombëtare të Shqipërisë. Tani, nënëshkruajeni atë Rezollutë se për këtë Flamur ju hodha të dyve jashtë nga penxherja”! Dhe e zuri Flamurin më dorë qe e puthi. Më në funt, passi shikuan penxheren që ish katër patoma lart nga ruga, u-bintnë të dy “kundërshtarët” dhe e nënëshkruan Rezollutën.

Kuvëndi i Vatrës u-hap të Dielen me 29 Shën-Ëndre 1918, dhe Kongresi i Durresit u-mbloth me 25 te muajit, katër ditë më parë. Nje nga organizatorët kryesorë t’atij Kongresi që delegati i Vatrës Mehmed Konitza, i cili bashkë me Myfit Be Libohovën vanë nga Roma në Durrës, të dërguar për atë qellim nga ministri italian i punëve të jashtme Baroni Sonino.

Mehmed Konitza lajmëroj Vatrën me kabllogram për formuarjën e guvernës provizore të Durrësit nëne kryesin’ e Turhan Pashës. Me 25 Jenar 1919, Komisioni i Vatrës pati mbledhje. Mbledhja vazhdoj dy ditë, të parën u-kënduan disa telegrame të dërguar nga miq të huaj Filoshqipëtarë, dhe raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë. Gjith’ashtu u-këndua një kabllogram nga Turhan Pasha, kryetar’ i qeverisë provizore të Durrësit. Në përgjigjjën që i ktheu Vatra, i zotohej se do t’i jipte përkrahjen e plottë qeverisë së tij.

Nga ana tjatër, Vatra falënderoj Guvernën Italiane për përkrahjen që i dha Kongresit të Durresit, dhe i lutesh qe t’i jipte përkrahjën qeverisë shqipëtare në Konferencën e Paqës për të fituar independencën e plottë të Shqipërisë.

Është fakt që vërtet guverna italiane e përkrahu bërjen e Kongrësit të Durrësit, po me dy zemera nga frika se munt të gjënte kundërshtime nga fqinjët e Shqipërisë. Po gjith’ashtu fakti është se guverna italiane një mot më von u-përpoq t’a ndalonte Kongresin e Lushnjes, po nuke mundi dot. Do të flasim shkurtazi mi këtë pike kur të vemi atje.

Në mbledhjen e dytë, të nesërmen me 26 të muajit, Komisioni vëndosi t’i dërgoheshin 5,000 dollarë delegatit të Vatrës Mehmed Konitzës në Romë. Gjith’ashtu n’atë mbledhje u-emërua Kostë Hotova si konferencier i Vatrës që dolli nëpër kollonitë shqipëtare t’Amerikës, për t’u dhënë dritë Vatranëve mi veperimet e Vatrës për çështjen shqipëtare.(Ne foto: Komisioni themelues i Vatres)

Filed Under: Histori Tagged With: Historia e Federates Panshqiptare, Keshilla Kombetare, refat Gurrazezi, te Amerikes Vatra

Heshtja që flet bukur me shqisën e penelit….

January 22, 2014 by dgreca

Nga Raimonda MOISIU/

Pikturistja e talentuar Lidia Capa, vjen nga shtresa e Personave me Aftësi të kufizuar, ajo nuk flet dhe dëgjon. Por kjo mungesë aftësie, ku realiteti i zhurmshëm nuk depërton te ajo,  nuk e ka ndaluar atë që të sfidojë në jetë, të shprehet  bukur nëpërmjet talentit dhe pasioni për pikturën, nëpërmjet ngjyrave që ajo me penel në dorë hedh “fjalët”, që asaj i mungojnë në botën e saj. Situtata më mbresëlënëse ka qenë ekspozita e parë më mbështetjen e Zonjës Liri Berisha. Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar në ambientet e  Muzeut Historik Kombëtar, ditë  që përkonte edhe me 25 vjetorin e  Artistes, -Lidia me mbështetjen e familjes dhe shoqërisë  celi ekspozitën “Heshtja flet”,  dhe promovoi pikturat e saj. Morën  pjesë shumë prej figurave të njohura nga bota e artit, letrave shqipe dhe jetës social-ekonomike politike e kulturore të shoqërisë shqiptare. Ja si shprehet intelektuali e politikani Arben Malaj, pjesëmarrës në këtë ekspozitë: “Lidia është një nga pak shëmbujt e përkyer që na tregojnë se si vullneti dhe pozitiviteti mposht cdo kufizim edhe kur padrejtësisht një person mund të ketë kufizime të ndryshme. Lidia nuk flet dhe nuk dëgjon, por ajo është një piktore e talentuar. Lidia flet shumë bukur me pikturat e saj dhe dëgjon shumë mirë kur tregon se cfarë mesazhi përcjell me artin e saj”.

Edhe Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, znj. Eglantina Gjermeni, e pranishme  në Ekspozitën e 25-vjeçares me aftësi të kufizuar, por shumëë të talentuar, Lidia Capa, të titulluar “Heshtja që flet” ishte befasuar nga kolori i ngjyrave plot jetë, shpresë e optimizëm, ndërsa rektori  i Akademisë së Arteve z.Petrit Malaj,  i cili e ka njohur Lidian që në moshë të re  dhe ka ndjekur atë hap pas hapi në artin e pikturës, njohës mbresëlënës i sukseseve të saj, u shpreh se ai dhe institucioni që drejton do të mbështesin gjithmonë Lidian. Për më shumë ndiqni intervistën.

-Zonjusha Lida, jeni diplomuar në Akademinë e Arteve. Cila është eksperienca tuaj më e preferuar si një artiste, në Skulpturë apo pikturë?

Po është mëse e vërtetë që jam diplomuar në Akademin e Arteve, biles  kam mbaruar edhe Masterin. Të dyja janë degë të bukura, pak më e vështirë është  skulptura për delikatesën femërore. Nëse dëshiron të jesh piktore e mirë duhet të jesh më parë skulptore e mirë. Këtë  ide ma  mësoi xhaja im Dashi, si një  nga  zgjedhjet e mia të para. Kjo më bëri më pas që unë  vendosa të mos i ndahem penelit e t’i përkushtohem artit të bukur të pikturës .

-Cfarë  do të thotë për ju të bësh skulpturë? Po pikturën! Ku qëndron ndryshimi mes të dyjave, që janë pjesë e artit?

Të bësh skulpturën është pak vështirë, sikundër e theksova më lart. Do  punë e përkushtim, me procese të ndryshme kohore.Ndërsa  piktura gati është e përcaktuar në imagjinatën time. Piktura më duket më e leht, ka variacione e bukuri në ngjyra që mund të luash simbas emocioneve e ndjenjave.Ky është   mendimi im.

-A mund të më  përshkruani  lidhjen  që ju keni me artet, vecanërisht me pikturën? Pse jeni kaq e apasionuar pas pikturës? Cfarë ju ka inspiruar e motivuar të bëhen artiste në artin e bukur të pikturës?

Lidhja ime me artin është gjenetike. Babai im e ka pas ushtruar e punuar me skulpurë që  në rininë e tij.Po ashtu edhe dy xhajat e mij.Ndërsa halla ime që është poeteshë   më ka mbështetur dhe inkurajuar me këshillat e saj. E palodhura nëna ime më ka shoqëruar kudo në konkurse dhe ekspozita. Piktura ka qenë për mua gjithshka e munguar tek unë, ka qenë pjesë e jetës, mbushja e ushqimit tim shpirtëror e mendor. Motivet kanë qenë të ndryshme, të kohës e të moshës.

– Cila ka qenë piktura tuaj e parë, tema dhe subjekti i saj?

Piktura ime e parë ka qenë një shtëpi e vogël, në një kodrinë, mes gjelbsrimit, buzë një përroi dhe një varkë pranë. Por nuk ka qene vetëm kjo e para. Shtysa ime ka qenë disi e vecantë; në një ditë me shi dhe unë  nuk mundesha të dilja në oborr të luaja me dy kushërinjtë e mij më të vegjël. Kështuqë halla ime na bëri një lojë. Të përfytyronim  sikur ishim në klasë në një  minikonkurs të improvizuar.  Mua më caktuan që të pikturoja dicka , ndërsa ata që dinin dikush të  imitontë dikë e dikush të këndonte. Në fund panë të befasuar, që unë kisha bërë një kopje identike me kopertinën e një reviste. Halla e gëzuar sikur kishte gjetur celësin e Aladinit, dhe  e mori fletën në dorë dhe me vrap jau tregoi pjestarëve të tjerë të familjes.Që nag ai moment intersant e mbresëlënës  u vendos fati im. Te nesërmen u regjistrova te një mësues privat, që të vazhdoja trajnimin me  pikturën. Ai e pëlqeu punën time  dhe kështu unë më pas  vazhdova Liceun me  konkurim si të gjithë të tjerët.

-Punimet tuaja të para janë disi të ndryshme nga ato aktualet. A mos në penelin tuaj udhëhiqeni nga  vizioni konceptual?

Unë nuk ndjek një linjë,  unë eksploroj, unë pikturoj edhe kur jam e mërzitur, edhe kur kam shi brenda meje, edhe kur kam gëzim, unë edhe fantazoj shumë,  perdor imagjinatën.Kolorin e ngjyrave e përdor simbas emocionit aktual të gjendjes.

-Nga ju vjen inspirimi në pikturat abstrakte, peisazhe të natyrës, –duke rënë shi, apo borë, lindja apo perëndimi i diellit, deti i qetë apo me valë?

Natyra më pelqen në pikturat e mia, cdo gjë që ka toka më bukurit e saj edhe shiu edhe dimri me ftohtësinë e tij edhe vera me detin, malin. Cdo gjë që ka lidhje me natyrën, më inspiron. Perëndimin shpesh e kam filmuar në ikjen e diellit mbrapa kodrës, me nuancat e tyre të ndërmjetme, pemët që kanë atë madhështi zogjtë kafshët më dhimbsen, jam vetë vegjeteriane .

-Keni piktura që kanë gati të njëjtën mënyrë trajtimi si në fillesën tuaj.Pra jeni shumë e vetëdijshme për sipërfaqen dhe ngjyrat, por kur i shihni mbas një kohe, vini re bojë të pasur dhe material, por duke punuar me të njëjtën teknikë që nuk gjendet në origjinal, pse ndodh kjo?

Mundohem të jem vetvetja, të kem imazhin tim original, sepse edhe bota ime kështu është e vecantë.

-Cfarë stili të artit, do e klasifikoni talentin tuaj ?

Stili i Artit tim është Modern, më pëlqejnë aplikacionet e ndryshme e të tjera si këto.

-Jam kurioze të dij si lindi ideja për të celur  ekspozitën që ju promovuat paradokohësh në Tiranë, në Ditën e Personave me Aftësi të Kufizuara? C’mund të na thoni për burimet origjinale të pikturave tuaja?

Ideja ishte se ditëlindja ime përkon me këtë ditë.  Kjo më dha  mundësinë që ta bëja në këtë ditë, por edhe me rastin e mbarimit të Akademisë e Masterit më duhej të hapja këtë ekspozitë, plus që ditlindja ime ishte përvjetor e kështu u bënë tre mundësi për këtë ekspozitë. Burimet origjinale të pikturave janë  ndjeshmëria, talenti, vullneti e dëshira për të qenë dikush në jetë.

-Si ja keni arritur të jeni kaq e sukseshme? Si ia keni dalë që pikturat tuaja janë bërë të mirënjohura e plot talent?

Suksesi nuk arrihet pa punë, pa talent e pa dashuri për atë që do e bën në jetë.

-Kur dhe ku keni lindur? A mund të na tregoni fakte interesante nga jeta tuaj?

Unë kam lindur në Tiranë nga dy prindër shëmbullorë, nga një baba që unë i kam ngjarë në cdo gjë, si nga ngjashmëria fizike. Talentin e kam nga ai të trashëguar. Unë jam vajza e vetme e tyre, mbasi kam pasur  një vëlla që e doja e më donte aq shumë sa betohej për kokën time. Jeta ka dhimbjet e saja, dhe mua më goditi në të dyja anët e saja më të errta. Si sprovë më vuri durimin dhe  unë luftoj e sfidoj të përballem me të gjitha vështërsitë e saj, e vetme në mes dallgëveqë rrahin cdo ditë të jetës..

-Një moment i vështirë në jetën tuaj?

Moment i vështirë në jeten time, sikundër e përmenda më lart ka qenë ndarja nga jeta me vëllain tim të vetem që e doja si sytë e ballit. Nuk ka më vështirë dhe dhimbje  se të humbësh njeriun tënd të vetëm dhe më të dashur e të shtrenjtë  të familjes, aq më tepër  në prag të martesës, mua më ikën gjysma e gëzimit tim. Ai ishte gjithshka për mua , gjithshka që kishim ëndërruar u shemb brenda një dite, brengë që më duhet ta vuaj gjithë jeten time.

-Një situatë mbresëlënëse?

Situata më mbresëlënëse është një surprizë që ma bëri halla ime me  hapjen e ekspozitës time të parë nga prezantuesja Rudina Magjistari, ku të ftuar kishim edhe znj. Liri Berisha e shuëe Artistë të Artit e Kulturës. Në një kohë që jeta  ime ishte kthyer mbrapsh, në vetëm gri e pa shpresa, që nga ndarja e vëllait tim të dashur.

-Cfarë këshille do ju jepni artistëve fillestarë?

Artistët fillestarë duhet të kuptojnë a kanë talent. Më pas duhet ta dashurojnë punën me vullnet që të arrijnë sukseset.

-Cfarë po pikturoni aktualisht? Cilat janë projektet e pikësynimet në të ardhmen?

Tani kam disa piktura të pa mbaruara të lëna përgjysëm.

-Cili është mesazhi tuaj optimist, për personat me Aftësi të kufizuara?

Kam dëshirë të filloj  punë në mesin e personave me aftësi të kufizuara që të jap shëmbullin tim personal edhe duke u frymëzuar nga sakrificat që bëjnë për jetën e tyre .

-Kush janë artistët-pikturistë  famozë të preferuar nga Ju, të huaj e shqiptarë?

– Artistët që  me frymëzojnë  janë nga e madhja Helen Keler  e Dalia dhe  shumë artista famozë , librat e  të cilëve i kam në komonë time, që miq të ndryshëm m’i kanë dhuruar

Ju faleminderit,

Bisedoi :Raimonda MOISIU

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Heshtja qe flet, Lidia Capa

Struga do të binjakëzohet me qytetin e Waterbury në SHBA

January 22, 2014 by dgreca

* Në korrik kryetari i Waterburyt Neil O Leary, do të vizitojë Strugën/

* Kryetari i qytetit të  Strugës zoti Ziadin Sela , me këtë rast pranoi shpalljen për një ditë “Major i Qytetit” nga autoritet lokale , shtetërore , dhe politikanët federalë , në një ceremoni simbolike, ku atij iu dha çelësi i qytetit nga  kryetari i Bashkisë së Waterburyt Neil O’Leary , i cili me të drejtë pranoi se komuniteti shqiptarë në këtë bashki ka ndikimin të fuqishm të shqiptarëve etnikë nga Struga në strukturën dhe  jetën e qytetit, shkruan gazeta Waterbury Observer /

Nga BEQIR SINA, New York/

WATERBURY – STRUGE : Kryetari i komunës së Strugës, zoti Ziadin Sela po qëndron për një vizitë në SHBA, i ftuar nga komuniteti shqiptar këtu. Ai fillimisht javën e kaluar ka zbritur në qytetin e Waterbury në shtetin e Connecticut, ku është takuar me komunitetin shqiptar të këtij shteti, por edhe me kongresmenë e senatorë amerikan. Sela ka pasur rastin të takoj edhe kryetarin e qytetit Waterbury, ku është theksuar arritja e një marrëveshje të bashkëpunimit. Kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela takoi gjatë viztës së tij edhe  dy senatorët amerikanë përfaqësues të këtij shteti në Senatin e SHBA-ve, Richard Blumenthal dhe Chris Murphy, me të cilët ka diskutuar për tema të përgjithshme dhe zhvillimet në Maqedoni dhe qeverisjen lokale në komunën e Strugës. Gjithashtu kryetari Sela ka pasur rastin që të falënderoj dy senatorët për gjithçka që SHBA kanë bërë për shqiptarët.

Kurse,në takimin mes kryetarit të Waterburyt Neil O Leary, dhe kryetarit të komunës së Strugës, Ziadin Sela, është diskutuar mundësia e intensifikimit të marrëdhënieve mes komunës së Strugës dhe qytetit të Waterburyt, sidomos ato në fushën e ekonomisë dhe të kulturës, ndërmjet këtij komuniteti i cili përbëhet më së shumti nga struganët.

Bashkëbiseduesit, duke shfrytëzuar këtë rast, vlerësuan praninë e komunitetit shqiptar në SHBA, si një komunitet i mirë-integruar në shoqërinë amerikane. Më tej, ata propozuan një binjakëzim të qytetit të Strugës dhe Waterburyt.

Dhe kjo u realizua dje! Qyteti i Strugës, me rreth 22 mijë banorë, tashmë, sipas gazettes së qytetit me të njëjtin emër është binjakëzuar me qytetin e Waterbury me 110 mijë banorë , qytet që gjendet në jug lindje të shtetit të Connecticut në SHBA-, shkruan sot gazeta amerikane Waterbury Observer.

Waterbury dhe Struga ranë dakord për t’u bërë qytete binjakë , O’Leary pritet të vizitojë Strugën në Maqedoni verën që vjen.
Qytetet si motra si i quajnë këtu në SHBA, kanë një lidhje unike dhe të fuqishme , dhe në këtë frymë , qytetet e Waterbury i shtetit federal Connecticut, dhe Strugës të Maqedonisë, ranë dakord që të bëhen qytete si motra – binjakzim, u tha dje gjatë një takimi midis liderëve të tyre komunale në zyrën e Komunës së Waterburyt – City Hall . Kryetari i qytetit të  Strugës zoti Ziadin Sela , me këtë rast pranoi shpalljen për një ditë “Major i Qytetit” nga autoritet lokale , shtetërore , dhe politikanët federalë , në një ceremoni simbolike, ku atij iu dha çelësi i qytetit nga  kryetari i Bashkisë së Waterburyt Neil O’Leary , i cili me të drejtë pranoi se komuniteti shqiptarë në këtë bashki ka ndikimin të fuqishm të shqiptarëve etnikë nga Struga në strukturën dhe  jetën e qytetit, shkruan gazeta Waterbury Observer .    Sipas saj Kryetari i Bashkisë Sela e ftoi kryetarin e bashkisë së O’Leary, të vizitojë Strugën në korrik(këtë verë) për të bërë zyrtarizimin e marrëveshjes së dy qyteteve në binjakzim. Kryetari i bashkisë O’Leary , i cili tha se ai do të paguajë udhëtimin nga xhepi e tij , pranoi ftesën , dhe tha , “Se ky është një binjakëzim i madh mes dy qyteteve , por kur unë kam për të shkuar atje , kam për të shqyrtuar munhdësit se si ne mund të ndihmojmë njëri-tjetrin në këtë binjakzim dhe për të parë se:” Cilat janë nevojat tona ? ”

Waterbury dhe Strugës së shpejti do të jenë të binjakzuara – simotra .
Gazeta shkruan se Bashkia e Waterburyt, nuk i mbylli zyrat dje, megjithse, ishte një ditë pushimi në respektimin e Dr Martin Luther King Day , por kryebashkiaku O’Leary, i ka hapur zyrat e tij për të përshëndetur kryetarin e bashkisë së Strugës, zotin Ziadin Selën dhe rrethin e liderëve lokalë të komunitetit shqiptarë, që e shoqëronin atë gjatë kësaj vizite .
Gjatë takimit të Kryetari O’Leary dhe Kryetarit Ziadin Sela, gazeta shkruan se ata kan prekur gjatë bisedës së tyre vllazërore, shumë çështje në lidhje me qeverisjet në komunat e tyre , dhe të dy pohuan vështirësitë në këndëvështrimet e tyre.
Struga, ka dy qytete të tjera simotra – Mangalia , Rumani dhe Famagusta , Qipro ndërsa tani me Waterburyn ajon bën qytetin e tretë simotër, citohet të ketë thënë kryetari i Strugës zoti Ziadin Sela. duke shtura se :”Struga, është qytet shqiptar në Maqedoni , është një qytet turistik, sidomos në verë , kur ky qytet pret edhe një nga festivalet më të mëdha me poezi në botë çdo gusht , i quajtur Mbrëmjet Poetike të Strugës “.
Kryetari i Bashkisë Neil O’Leary, gjatë bisedes me kolegun e tij nga Struga,  ka veçuar një lidhje të veçantë me komunitetin lokal shqiptar nga Struga në Waterbury, atë kur ai  merr pjesë në të gjitha  festivalet , me këngë e valle popullore shqiptare, dhe aktivitetet e ndryshme komunitare .
Waterbury, shkruan kjo gazetë është nji qytet i rreth 110,000 banorëve me qytetarët nga çdo cep të botës – irlandezë , italianë , francezë, kanadezë , Puerto Ricanë , grekë , libanezë , Domenikanë , portugezë dhe dhjetra të kombësive të tjera. Sipas saj tani mendohet se ka 12.000 shqiptarë që jetojnë në Waterbury , më së shumtë nga qyteti i Strugës , Maqedoni . Ata janë biznesmen në biznese të tilla si dyqane për shitjen e bukës, dhe ëmbëlsirave , piceri , restorante dhe kanë edhe oficer të policsë në Waterbury dhe kan një ndihmëse për kryetare komune që punon brenda bashkisë . Kryetari Ziadin Sela u zgjodh vetëm nëntë muaj më parë , dhe ka përpara shumë punë të vështirë në një qytet, që është dalluar me një ndarje nga tensionet etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve . Shumë shqiptarë në Strugë, shkruan gazetari janë në favor për t’u bashkuar me Shqipërinë dhe Kosovën për të formuar një shtet të Shqipërisë Etnike.
Para Luftës së Dytë Botërore një copë e Maqedonisë, e cila etnikisht ka qenë pjesë e Shqipërisë ,  kur u ndryshuan kufijtë për të krijuar Jugosllavinë , i janë grabitur Shqipërisë dhe kan mbetur nën Maqedoninë, shkruan sot Waterbury Obserever .
Saranda Belica, sipas saj është shqiptare,  një zyrtare e bashkisë së Waterburyt, që ka lindur në Strugë dhe u zhvendos në Waterbury me familjen e saj kur ajo ishte 16 vjeç . Familja e saj u rikthye përsëri në Strugë , por Belica ka vendosur të jetojë  në Waterbury, dhe tani punon në administratën O’Leary si një ndihmëse e zyrës së  zhvillimit ekonomik . Prania e saj brenda bashkisë ka ndihmuar që të “çmitizojë” politikën integruese të komuniteteve për shumë njerëz, edhe në komunitetin shqiptar , ashtu si prania Geraldo Reyes ‘ i cili  ka ndihmuar komunitetn e tij hispanikë të ndërveprojnë me zyrën e kryetarit të bashkisë.
Maqedonia shpalli pavarësinë nga ajo e ish-   Jugosllavisë , dhe është ende e përfshirë në një mosmarrëveshje me Greqinë rreth emrit të Maqedonisë . Grekët shkruna gazeta Waterbury Observer, e  kanë bllokuar përpjekjen e Maqedonisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian ( BE ) , dhe deri sa të zgjidhet mosmarrëveshja për emrin , situata nuk ka gjasa të ndryshojë .
Komuniteti lokal shqiptar në Waterbury, sipas gazetës Waterbury Obserev ka dy klube të komunitetit . Një në zonën e lagjeve në rrugën  Raymond që është kryesisht shqiptarë nga Shqipëria .Dhe  Klubin e Komunitetit në Columbia Boulevard e cila është kryesisht me shqiptarë etike nga Struga .Që të  dy grupet po punojnë mirë së bashku deri tani . Ata çdo vit  organizojnë së bashku  Festivalin e tyre shqiptare çdo vit , por të dy klubet i kanë festuar gjithmonë së bashku festat e 28 Nëntorit Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

 

Filed Under: Featured Tagged With: binjakezim, Neil O Leary, Struga-Waterury, Ziadin Sela

Shtatorja e Nënë Terezës është rivendosur në Mitrovicë

January 22, 2014 by dgreca

* Autoritetet komunale që rivendosën shtatoren mendojnë që ajo është rrëzuar vetvetiu dhe u zotuan për renovim dhe forcim të bazamentit./

*Policia heton rrëzimin e shtatores së Nënë Terezës në Mitrovicë/

*Përfaqësuesi i Kishës Katolike Dom Lush Gjergji, i cili drejton edhe shoqatën humanitare me emrin e Nënë Terezës bëri thirrje që ky rast të mos shfrytëzohet për përçarje në shoqëri. Ai bëri thirrje po ashtu që të priten përfundimet e hetimeve të policisë para se të sillen çfarëdo përfundimesh. /

Autoritetet thanë se shtatorja mund të jetë rrëzuar për shkak të bazamentit të dobët, por po hetojnë edhe mundësinë që të jetë rrëzuar qëllimshëm.Në Kosovë, policia tha se është duke hetuar rrethanat dhe shkaqet e rrëzimit të shtatores së humanistes shqiptare Nënë Tereza në Mitrovicë. Gjatë fundjavës, shtatorja që ndodhet në qendër të pjesës jugore të këtij qyteti, u gjet e rrëzuar.

Policia tha se dyshimet e para flasin për mundësinë e rrëzimit të shtatores për shkak të bazamentit të dobët dhe këputjes së bulonave mbajtës, por nuk ka përjashtuar as mundësinë që ajo të jetë rrëzuar qëllimshëm.
Autoritetet komunale që rivendosën shtatoren mendojnë që ajo është rrëzuar vetvetiu dhe u zotuan për renovim dhe forcim të bazamentit. Shtatorja ka pësuar dëme të lehta.
Në pritje të hetimeve, përfaqësues të shoqërisë civile në Mitrovicë, thanë se rrëzimi i shtatores, nëse është bërë me qëllim, do të mund të ndikonte në marrëdhëniet e mira ndërfetare e ndërkulturore.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Kishës Katolike Dom Lush Gjergji, i cili drejton edhe shoqatën humanitare me emrin e Nënë Terezës bëri thirrje që ky rast të mos shfrytëzohet për përçarje në shoqëri. Ai bëri thirrje po ashtu që të priten përfundimet e hetimeve të policisë para se të sillen çfarëdo përfundimesh.
Shtatorja e Nënë Terezës në Mitrovicë ishte ngritur që në vitin 1999, ndërsa shtatorë të ngjashme janë ngritur edhe në shumë qytete të Kosovës.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që u bë më pastaj në gjithë botën e njohur si Nënë Tereza, u lind në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 në një familje me prejardhje nga Prizreni. Më 1979 ajo mori çmimin Nobël për Paqe. Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë. Në vitin 2003, i ndjeri Papa Gjon Pali i dytë e shpalli atë të lume, një hap drejt shenjtërimit të saj.

Filed Under: Featured Tagged With: eshte rivendosur, Shtatorja e Nene Terezes

Tre të vrarë gjatë protestave në Ukrainë

January 22, 2014 by dgreca

Perëndimi dënon me forcë dhunën që çon në humbjen e jetës së protestuesve/

Zyrtarët në Ukrainë thonë se tre protestues kanë humbur jetën në kryeqytetin Kiev gjatë përleshjeve me policinë. Njoftohet se dy protestues kanë marrë plagë nga armët e zjarrit. Një zyrtar mjekësor tha se një aktivist tjetër po ashtu gjeti vdekjen në skenën e përleshjeve. Tre udhëheqës të partive opozitare kanë fajsuar presidentin Viktor Yanukovych për dhunën.
Sipas njoftimeve, policia po përpiqej të hiqte kampin e protestuesve sot dhe përdori gazin lotsjellës ndaj demostruesve të cilët u kundërpërgjigjën duke qëlluar policinë me gurë dhe mjete shpërthyese të prodhuara në rrugë artizanale.
Ministrja e Drejtësisë së Ukrainës e vlerësoi punën e policisë duke thënë se ajo ishte krenare për kurajon dhe tolerancën e treguar nga ata.  Olenka Lukash foli me diplomatët e huaj gjatë një takimi në Ministrinë e Jashtme.
“Forcat policore duke rrezikuar jetën e tyre, demostruan durim të madh me ekstremistët.” 
Por ajo u gjend përballë një reagimi shumë kritik nga ambasadori gjerman në Ukrainë, Cristof Weil.
“Nuk është vetëm formulimi i ligjeve kundër protestave, por shpirti i ligjeve që na bën të ndjehemi të zhgënjyer. Ne i lexojmë ligjet tuaja por gjithashtu duam të theksojmë procedurën e diskutueshme përmes të cilës u futën në zbatim dhe kontekstin tejet të politizuar përmes së cilës u miratuan ato.”   
Ambasadori gjerman tha se të pranishmëve u kishte bërë përshtypje se askush nga qeveria nuk kishte shprehur keqardhje për dy të vrarët e një natë më parë.
Ndërkohë, ambasada amerikane në Kiev tha përmes një deklerate sot se kishte anuluar vizat për disa shtetas ukrainas që kanë lidhje me dhunën atje.
Policia e specializuar për protestat ndërmori një aksion mbrëmë kundër qindra protestuesve për t’i larguar ata nga kampi me tenda të ndërtuar në Qendren Pavarësia.
Shefja e politikës së jashtëme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton bëri thirrje sot për dhënien fund menjëherë të dhunës në Ukrainë. Ajo dënoi me forcë dhunën që çoi në humbjen e jetës së protestuesve.
Ndërsa në Uashington, Bordi i Guvernatorëve të Transmetimeve Amerikane, që mbikëqyr edhe Zërin e Amerikës, reagoi ashpër ndaj sulmeve të përgjakëshme nga policia ndaj dhjetëra gazetarëve në Kiev, përfshi dy gazetarëve të Radios Evropa e Lirë. Ata po mbulonin protestat të hënën kur u rrahën dhe goditën nga pjestarë të forcave speciale.
Protestat masive në kryeqytetin ukrainas Kiev shpërthyen pasi presidenti Viktor Yanukovych refuzoi një marrëveshje me Bashkimin Evropian dhe zgjodhi në vend të saj lidhje më të ngushta me Rusinë. Kjo e fundit i ofroi atij një hua prej 15 miliardë dollarësh.

Filed Under: Kronike Tagged With: ne proteste, tre te vrare, Ukraine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT