• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

NEXHMIJE PAGARUSHA NË “GALERI LAFAJET”

January 30, 2014 by dgreca

RAMIZ KELMENDI PËR NEXHMIJE PAGARUSHËN*

“Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha – nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet. I ngre përmendore vetvetes.” (Ramiz Kelmendi: Nexhmija)/

 NEXHMIJA NË “GALERI LAFAJET”/

Parisi është plot me shtëpi të mëdha mallrash. I ka të thuash, në çdo hap: “Prentan”, “Bazar d’Otel dë Vil”…Por, shtëpi mallrash mbi shtëpi mallrash është pa mëdyshje “Galeri Lafajet”, një nga më të mëdhatë kësodore jo vetëm në Paris, po ndoshta edhe në mbarë botën. Pa tepri: po të duash të vizitosh çdo stand të kësaj galerie, të shikosh vetëm vitrinat e tyre e tërë ata artikuj të ndryshëm të ekspozuar me shije, si të ishte vërtet ndonjë ekspozitë e jo magazine, shtëpi mallrash, njeriut i nevojitet të paktë një javë. Për “Galeri Lafajet” mund të thuhet me plot të drejtë se në të mund të gjejë njeriu çdo gjë – nga gjilpëra deri te lokomotiva.

Kisha dëgjuar e lexuar edhe unë për “Galeri Lafajet”.

Dëshirova, prandaj, ta vizitoja sa më parë, të bindesha edhe vetë.

Fillova njëherë të vështroja standet me radhë, por kur pashë se koha po kalonte shumë shpejt e unë s’do të arrija deri në mbrëmje të shikoja as dy kate të saj, vendosa: po shikoj vetëm çfarë më intereson posaçërisht.

Me një prirje diskofili në kohën e fundit, zura të kërkoja atë pjesë të “Lafajetit”, që mirret me shitjen e disqeve.

Pasi kalova një varg labirintesh të katit të parë, kur iu afrova pjesës ku ishin ekzpozuar televizorët, radiot, tanzistorët, magnetofonët e prodhimet tjera kësodore të çdo lloji, e dita: aty afër duhet të jenë disqet.

I gjeta më në fund.

Diskofilit, tek e sheh tërë atë mori disqesh në një vend, si të ishte shtëpi disqesh, i bëhet sikur ka arritur në parajsë dhe mahnitet fare.

Kahdo të sillesh: disqe. Kahdo të shikosh: disqe. Të gjitha me kopertina të ilustruara me shije. Me fotografi këngëtaresh më të njohur botërorë.

Megjithatë: myshteriu mund të orientohet menjëherë. Madje edhe shumë lehtë. Më një vend shiten disqet e muzikës serioze, me një tjetër ato të muzikës argëtuese, mandej ato të muzikës popullore e të tjera. Në “Galeri Lafajet” ka stande të posaçme edhe të disqeve të këngëtarëve më të popullarizuar, sidomos të muzikës argëtuese.

Kështu bie fjala, pashë standin e pagëzuar “Festivali i Sharl Azvanurit”. Aty afër: Zhilber Beko. Mandej: Edit Piaf.

Në atë të soditur të asaj begatie, thashë: pa le të shikoj vallë mos është ndonjë disk në gjuhën shqipe.

Pasi flitet aq shumë për të, e thonë se s’ka gjë që lypet e s nuk mund të blihet në “Galeri Lafajet”, thashë: ja, pra, unë dua të blej një disk shqip. Dhe – vendosa ta lyp në mjedis të Parisit, mu në shtëpinë famëmadhe të mallrave.

-Ju lutem, keni ndonjë pllakë të Nexhmije Pagarushës?

Po, mu kështu i thashë. Pa kurrfarë shpjegimi tjetër. Pa i treguar cila është Nexhmije Pagarusha, çfarë këngësh këndon, a ia ka dëgjuar ndonjëherë zërin, se mos është e detyruar ajo në Paris të dijë për një Nexhmije që jeton atje diku, kushedi ku, në njëfarë qyteti të vogël të Ballkanit.

–  Si urdhëroni, zotëri, – ma ktheu ajo me buzëgaz dhe, pa mëlënë të vi në vete, më vuri përpara një pllakë të Nexhmijes me katër këngë shqipe, titulluar “Shanson popyller dë Skipetar dë Jugosllavi”. Po, në ato mbështjellëse të bukura të këtij disku francez, lexova edhe emrin e Nexhmije Pagarushës.

Natyrisht s’e zgjata më tutje. Si mund të më bindte ndryshe “Galeri Lafajet” pos kështu?!

 

(“Rilindja”, 1965)

NEXHMIJA

Si lum e lum ata të rrallë, për ata, si thotë populli, që lindin me yll në ballë, e pse jo, madje dhe hiç më pak, lum e lum edhe për atë popull që i lind, që i ka, që i nderon (pse e nderuan) dhe mjafton t’u zësh n’goje vetëm emrin, a vetëm mbiemrin, e ta kesdh saora parasysh tërë figurën, personalitetin, veprën. Se me gjith çfarë bënë, bënë emër. U bënë emër. U bënë të merituar e të nderuar. Të çmuar.

Një emër i tillë në muzikën shqiptare, një emër i tillë në mbarë kulturën tone kombëtare, është edhe emri: Nexhmija.

 

Se jo në çdo popull dhe jo në çdo ditë lindin talentë nga më të rrallët, artistë nga më të mëdhenjtë, emra që nderojnë dhe krenojnë kombin, qytetërimin e tij, kulturën e tij.

Populli ynë, përkrah emrave të mëdhenj, prijatarë nga më të ndryshmit, pati edhe jo pak femra prijatare, duke nisur nga Teuta. Bënë emër dhe na bënë nderë Elena Gjika – Dora D’Istria, Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë, Motrat Qiriazi, Sevastia dhe Parashqevia, e në këtë artin e Nexhmijes, më e para dhe më e madhja: Tefta Tashko Koço dhe, shoqja e saj Marie Kraja.

 

Nexhmija, falë pakujdesit dhe mospërfilljes së atyre që vendosin për rrugët e zhvillimit të mëtejmë të talentëve nga më të rrallët, nuk studioi kanton në Konservatorin e Parisit të Tefta Tashko Koço, as në Konservatorin e Romës si Jorgjia Filçe (Truja), as në Konzervatorin në Austri si Marije Paluca (Kraja).

 

Artisti, thonë, krijon me gjallje bazamentin e përmendores së vet, ndërsa ardhmëria është ajo që ia vë (ose jo) bustin. Më e mira soprano – koloraturë shqiptare, Tefta Tashko, nga të 37 vjetët e jetës, 22 i kaloi jashtë vendit të vet, vendit i cili mezi ia siguroi asokohe – një piano. Shoqja më e denjë e Tefta Tashkos, mbase këngëtarja më e madhe dhe më e çmuara e këngës sonë popullore, e cila do të ketë ca më vonë një motër të vet më të re në Kosovë, të denjë t’i vihet përkrah, Nexhmijen, Marie Kraja, me Konservatorin e mbaruar në Austri, u emërua – mësuese e gjimnastikës në një shkollë të Shkodrës.

Edhe Nexhmija, e përgëzuar dhe e pagëzuar si “Bilbili i këngës shqipe”, “Zëri më i bukur dhe më i ëmbël i Kosovës”, “Ambasadorja jonë e kulturës”, “Artsitja jonë e madhe e këngës popullore shqipe”, që për shumë vjet me radhë shkriu veten, energjitë dhe trohët e fundit prej artisteje të madhe në bazamentin e përmendores së vet, zor të ketë qenë dhe zor të jetë e kënaqur. Jo pa ndjenjën e borxhit bukur të madh që i kemi dhe i mbetemi, u desh të mbushë të gjashtëdhjetat dhe Shkupi të gëzojë nderin (u qoftë aferim atyre që u kujtuan dhe e organnizuan!) për të mbajtur një akademi solemne.

Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha – nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet. I ngre përmendore vetvetes.

Unë kam një kënaqësi të rrallë që të paktën me këto fjalë përurimi e përgëzimi, fjalë të përvujta e të vockëla për punën e madhe dhe artin e lartë të Nexhmijes, po e thyejmë me njëfarë dore atë ligjin tone të pashkruar që nuk na bën nderë: jo t’u ndërtojmë më të merituarve tanë, qoftëlarg, bustin, por as t’ua çmojmë e t’ua nderojmë, t’ua vëmë në spikamë e t’ua kujtojmë bile – bazamentet e busteve të tyre kurrë të ngritura nga pasardhësit, që pandehin se me ta nis bota. Lodhnie mendjen një çikë dhe pale a mund të ju kujtohet fare qoftë edhe një përmendore e vetme në të gjitha trojet tona etnike këtej kufirit me shtetin tonë amë, përmendore e ndonjë shkrimtari, artisti a shkencëtari shqiptar! Asnjë! Asnjë fare! Dhe, përse ta fshehim: jo gjithmonë qe i huaji ai që nuk na lejoi këtë! Jo gjithmonë. Mbushi dhe kaloi të treqind vjetët e vdekjes i linduri në Gur të Hasit skaj Prizrenit dhe i vdekuri në Prishtinë, 363 vjet i vjetri, po më lashti dhe më i merituari punëtor aq i mençur i këtyre trojeve, Pjetër Bogdani, po nuk mbahet mend, sot e treqind vjet, t’i jetë kujtuar ndonjërit nesh: o, burrani! T’ia ngrejmë bile Pjetër Bogdanit një përmendore, qoftë në Gur të Hasit, qoftë në Prizren, qoftë në Prishtinë!

Nuk e did he s’ma ha mendja gjithaq se ndoshta me këto ngushëllova sadopak Nexhmijen për pakujdesin dhe pamiradinë tone karshi meritave dhe artit të saj, që do të mbetet përgjithmonë një vlerë e shquar në kulturën shqiptare dhe një perlë, një yll, në panteonin e muzikës sonë, një rruzë smeraldi në gjerdanin e këngës popullore shqipe.

Për një popull, si ky yni, i vetmi a më i madhi përjashtim ndoshta në krejt rruzullin tokësor, NJË popull i ndarë në DY pjesë, në TRI fe, në PESË shtete, me SHTATË million banorë, po ama jo më pak se me NJËQIND E NJËZET E SHTATË parti, paraparti e pasparti, mbiaparti, mesparti e nënparti, me gjithëfarësoj shoqata e korporata, nuk është mençuri, është luks i madh, është në të mirë të së keqes sate, është dëm, është gabim, është e pafalshme, është kundërproduktive dhe kundërkombëtare, të harrosh, të mos çmosh dhe të mos nderosh njerëzit tu të mëdhenj, të mos vlerësosh vlerat e mirëfillta të tyre, të zvogëlosh madhështinë e tyre duke privuar kështu vetveten nga begatia e jashtëzakonshme e tyre.

Jo çdo ditë lindin Nexhmije.

Lindin shumë këngëtare në ndërkohë. Këngëtare të mira dhe shumë të mira.

Por një këngëtare mbetet e paharruar, mbetet atje lart, në majë të këngës shqiptare: Nexhmija. Prandaj, Nexhmije, të na rrosh edhe shumë vjet dhe – ta paçim borxh!

28. V. 1993

* Dy shkrimet me autor Ramiz Kelmendin, janë marrë nga libri i gazetarit Shaqir Foniqi: Nexhmije Pagarusha – Bilbili i Kosovës

*(Fragmente nga libri: Ramiz Kelmendi dhe Sibila e Ulqinit)

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: nexhmije Pagarusha, Ramiz kelmendi

AT GEGË LUMAJ I MALEVE TË DUKAGJINIT…

January 30, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë. Foto: At Gegë LUMAJ O.F.M./(15 Tetor 1904 – 18 Nandor 1990)/

 Nga Fritz RADOVANI/

            At Gegë Lumaj ka lé në fshatin Plan të Dukagjinit me 15 Tetor 1904. Mësimet e mesme i mori në Lice të Françeskanëve të Shkodres, ndersa të naltat i ka perfundue në Romë…Vazhdoi Akademinë e Arteve per pikturë në Siena t’ Italisë, dhe u laurue atje.

            Shugurohet meshtar në vitin 1931. Filloi me sherbye në Malësi të Shoshit derisa shkoi së fundi në një nga qendrat atdhetare të Veriut, në Iballe të Pukës, ku u arrestue nga sllavokomunistët e Enver Hoxhës, kur po thonte Meshë, me 17 Janar 1945. U dënue me 28 Gusht 1945, mbas tetë muejsh tortura me një grup klerikësh që asnjeni nuk dinte me tregue per shka u “akuzuen” kur perfunduen dënimet nder kampe shfarosje…

Asht Kleriku i Parë Katolik Shqiptar, që fillon Kalvarin e Gjenocidit komunist të viteve 1944 – 1991… dhe e mbyllë até me 18 Nandor 1990, po në Plan të Dukagjinit…

Kohen ma të gjatë nder burgje e ka kalue në Burgun e Burrelit…  

Ishte “trim i çartun”, i matun dhe i heshtun si Burrat e motit t’ atyne Bjeshkëve.

Nuk kishte ma të voglën kreni për punët e mëdha që kryente në famullinë e Tij. Dallohej si trim. Në gjyq asht në bankën e të akuzuemve me At Dioniz Maken dhe At Giacomo Gardin S.J., edhe ky, i arrëstuem në Shkodër ndër ato ditë. At Dionizi më tregonte aty nga viti 1994, se gjyqi po zhvillohej i rrebtë mbasi mendohëj nga Sigurimi me hjedhë “thëmelet” e një “Partisë Demokristjane”, që as nuk i kishin ndigjue zanin se asht formue në Shqipni. Flitëj për vitët 1943-44. At Gega vazhdonte me mohue para gjyqit akuzat false në drejtim të tij nga hetuesi Ali Xhunga. At Gardini, në krahun tjetër nuk pranonte se ka ardhë në Shqipni për qëllime spijunazhi ndërsa, At Dionizi, qëndronte në të tijën, se nuk asht marrë kurrë me politikë. Njëfarë Nuri Llazanit, agjent i Sigurimit komunist, akuzon At Gegën, se ky i kishte ndjekë me kalë kur Nuriu ishte kenë me një grup partizanësh… At Gega mohon tue kërkue dëshmitarë tjerë që janë kenë me té, mbasi ishte i sigurt se ngjarja nuk asht e vërtetë, por asht trillim i Nuriut. Nuriu, jo vetëm, ngulë kambë se asht ashtu si thotë ai, por edhe kërkon nga trupi gjykues që At Gega, me shokët e tij në bankën e të akuzuemve, të marrin dënimin ma të randë.

At Gega, aty për aty çohët në kambë dhe, u thotë: “Po më vjen marre mue sësi nji turk Shkodrët akuzon në rrenë nji klerik katolik, pa kenë kurrgja e vërtetë!”.

Fadil Kapisyzi që do të dëshmonte për At Dionizin, e zbutë “dëshminë” e tij, tue pasë frikë se edhe ai po merr një përgjegje si Nuriu, prej At Dionizit.

Kjo thanje e At Gegës, më tregonte At Dionizi, u ba shkak që na me marrë dënime të lehta, mbasi fjala e At Gegës mori dheun.

At Gega arrëstohet më 17 janar 1945, lirohët në mars të 1962.

***

E njoha në vitin 1966, kur pata hapë një ekpozitë pikture personale. Erdhi si vizitor me At Aleks Baqlin, dhe mbasi më la dhe një pershtypje modeste të veten, mbas pak ditësh erdhi me pi një kafe urimi tek shtëpia. Ishte hera e parë që kam dëgjue një prift tue folë me detaje per artin… dhe ishte prap hera e fundit që mbas pak muejsh do të zhdukeshin perfundimisht gjurmët e mbetuna pa u shkatrrue mbas vitit 1944, prap nga pushtuesit sllavokomunistë e anadollakë në permbytjen perfundimtare të Shkodres, që do të zbulonin fëtyren e tyne prej terroristësh me 6 Shkurt 1967…

Asht prap i Pari Klerik që u arrestue në “Revolucionin Kultural” të vitit 1967, kur u thirr me u demaskue në Istitutin Pedagogjik të Shkodres, në mars të atij viti…

At Gega ishte i bindun se do t’ arrestohet, po nuk iu tremb syni fare…

Me arrestimin e dytë At Gega, në vitin 1967 në “Revolucionin Kultural”, prap akuzohët për “Partinë Demokristjane”. Ai deklaron në hetuesi dhe në gjyq: “U kam thanë në vitin 1945 hetuesëve Ali Xhunga me shokë, dhe prap tashti në 1967 Elham Gjikës dhe Dhimiter Shkodranit, si edhe shokëve që kanë mendue se nuk asht keq me pasë në Shqipni një Parti Demokristjane, mbasi mund të lidhemi me vendët e Evropës Perëndimore sot nëpërmjet të kësaj partie, duhët me pasë shumë kujdes dhe mos me e formue kurrë këtë parti, mbasi barra ka me i ra Klerit Katolik. Ka 20 e sa vjet që vazhdoni me akuzue Klerin, pa kenë kurrkund partia, po ba me pas kenë shka paskeni dashtë me ba ndër né, ju kështu, edhe po na qitni fare!?” (Dosja 2291 Arkivi M.M.Tiranë).

I pathyeshem deri diten e vdekjes!

            Arrëstohet në vitin 1967 dhe lirohët në vitin 1977.

            Ka vdekë në vitin 1980, i rrëthuem nga dashnija e pakufi e kushrinjve të Tij, ndër malët e egra e shumë të dashtuna të Alpëve, prej të cilave At Gega, trashigoi karakterin e fortë burrnor e trim të Tij.

***

At Gegë Lumaj, një Françeskan i vertetë, filloi i pari Golgoten Shqiptare, dhe deri në vitin 1977 ishte vetem pesë vite pa pranga, hekura rrethues dhe polic…Bashkë me permbytjen në zjarrin e luftës civile në Shkoder, filloi dhe lufta kunder Klerit Katolik Shqiptar, një luftë e pashembullt në Historinë e Shqipnisë, e cila shumë shpejtë merr percaktimin e saktë: “Gjenocid komunist” i zbatuem nga sllavo anadollakët tanë.

            Në gjysen e dytë të Shekullit XX (1944 – 1991), komunizmi në Shqipni ishte urrejtja sllave shekullore antishqiptare, që ushtroi Gjenocidin kunder Klerit Katolik Shqiptar, inteligjencës dhe Atdhetarëve tanë, me anën e një grupi anadollak tradhëtarë e antishqiptarë të shitun tek ata!

  Melbourne, Shkurt 2014. 

           

 

Filed Under: ESSE Tagged With: At gege Lumaj, Fritz radovani, i maleve te Dukagjinit

Z. Vehbiu, nuk të shkon roli i atij që e kanë keqkuptuar

January 30, 2014 by dgreca

Nga Minella Aleksi/

Ca kohë më parë kisha shkruajtur një mendim kritikë me titull “Inati dhe poshtërsia na mbajnë gjallë” në adresë të A. Vehbiut në lidhje me një opinion denigrues që ai shprehte ndaj shkrimtarit Kadare.(botuar edhe ne Dielli)

Atëhere z.Vehbiu nuk reagoi. E drejta  etij. Mirëpo mbas një farë kohe për të njëjtin argument lexoava në gazetën Panorama një shkrim kritik ndaj z. Ardian Vehbiu nga një penë e njohur në letrat shqipe, z. Sadik Bejko.

Z. Bejko krahas të tjerave në shkrimin me titull “Çmimi britanik dhe shkrimtari Kadare” i kërkonte Z. Vehbiu që të prononcohej mbi akuzat e ashpra që z. Aleksi i drejtonte.

As kësaj here Z. Vehbiu nuk lëvizi nga llogorja e tij. Bëri të heshturin. Përpara një jave e kam kritikuar zotin Ardian Vehbiu lidhur me shkrimin e tij «Tradhtia e besnikëve».

Reagoi në mënyrë të menjëhershme me përpjekjen për të na bindur se shumica e lexuesve idenë e tij e kanë keqkuptuar. Nuk harroi të theksonte atë që rëndom e përdor si formulë justifikuese se shkrimin dikush pa leje ia ka marrë nga uebsiti i tij dhe e ka hedhur në të tjera blogje deri edhe te gazeta Express e Prishtinës.

Me këtë justifikim përpiqet që të shpërndajë disi ndjenjën e fajit. Do të thotë se nuk na qënka faji i atij që e ka shprehur mendimin në blogun e tij, fajtori është ai që shkrimin e ka marrë dhe e ka shpërndarë pa leje. Shumë naive. Në uebsitin e A. Vehbiut mund të shkojë kushdo, s’ka derë, të lexojë gjithëçka që publikohet aty dhe kjo qartazi duket që atij vet i pëlqen. Ndryshe do i vendoste derë e do e mbyllte me çelës për të pa dëshiruarit.

Kur ia do puna si në këtë rast zë e ankohet. Njëlloj si ai që nxjerr një krevat apo një tavolinë në anë të rrugës për tu marrë nga ndonjë nevojtar dhe të nesërmen fillon e ankohet deri në bashki se dikush ka marrë krevatin në anë të rrugës pa lejen e atij që e nxorri për tu marrë. Kjo lloj perdeje ndarëse e uebsitit e sajuar si valvul shpëtuese kur ia do puna, është tepër transparente për të mbajtur të fshehura ato mendime që vet z. Vehbiu është shumë i interesuar për tua bërë të njohura të tjerëve.

Dihet se sa e vështirë është të polemizosh me spekulantët. Të mësuar me dredhi, me fraza ekuilibruese, ata i shmangen përgjigjeve direkte, sajojnë çështje të paqena, e devijojnë diskutimin.

Kritikat e mija kanë qenë konkrete. Në këtë shkrim të Vehbiut, për të ilustruat tezën e tij për besnikërinë e shkrimtarëve ndaj komunizmit, ai ka interpretuar në mënyrë skandaloze, sipas meje, një episod fare anësor të romanit «Koncert në fund të dimrit». E kam kritikuar Vehbiun jo vetëm sepse «Koncerti» është një nga veprat më të vlerësuara të letërsisë në Shqipëri dhe në Europë, dhe në dhjetëra artikujt dhe studimet për të, askush nuk ka gjetur gjurmën më të vogël të «besnikërisë së autorit ndaj partisë». Në të kundërt, të gjithë, kanë vënë në dukje tablonë negative të komunizmit botëror, që jepet në këtë roman, arsye për të cilën ai është kritikuar e madje ndaluar për një kohë të gjatë, në vendin e vet.

Në reagimin e tij kundër meje A.Vehbiu nuk jep asnjë përgjigje për ato çështje që ngre unë. E kam kritikuar Vehbiun për krahasimin që ai bën midis dy shkrimtarëve tepër të shquar të Ballkanit: Ivo Andriçin dhe Kadarenë. Sipas meje, kur merresh me «gabimet» e tyre, është e padrejtë që të vihet shenja e barazimit midis Ivo Andriçit , që fatkeqësisht ka aprovuar doktrinën e Cubrilloviçit për zhdukjen e kombit shqiptar, me «gabimet» e Kadaresë, i cili s’e ka bërë kurrë një gjë të tillë për kombin serb.

Në reagimin e Vehbiut nuk ka asnjë përgjigje për këtë.

Në shkrimin tim kam trajtuar shpifjet shumë të rënda kundër Kadaresë, duke u përqëndruar te shprehja «jashtëqitja e kombit». Kjo nuk ka qenë vetëm punë shprehje. Sipas kësaj shprehjeje të sajuar e të përhapur nga Sigurimi shqiptar, shkrimtari Kadare iu kundërvu lëvizjes për emancipim të vitit 1990, duke hedhur baltë mbi pararojën e saj: refugjatët shqiptarë. Sipas meje, Vehbiu, në vend që të ndihmojë për sqarimin e kësaj shpifjeje, kundër së cilës jane dëshmitarë njëqind mijë banorët e Tiranës, i shmanget së vërtetës, duke e pranuar përgjysëm atë.

As për këtë A.Vehbiu nuk jep përgjigje në reagimin e tij me titull “Kur paguan autori”.

Vehbiu ankohet shumë për kritikat ad-hominem që i bëhen atij, por ai bën të njëjtën gjë kundër Kadaresë. Mendimi im ka qenë shprehur qartë se kryesorja tek një shkrimtar mbetet vepra e tij. Megjithatë askujt s’mund t’i ndalohet të merret me biografinë. Por në këtë të fundit duhen parë të gjitha aspektet. Vehbiu flet për Kadarenë si anëtar partie e vjershat për partinë, për nderimet që i janë bërë dhe kjo është e drejtë e tij. Por unë e kritikoj se ai s’ka të drejtë që, duke folur për njerën anë, të lejë në heshtje anën tjetër të tablosë, që është krejt e kundërta. Në shkrimin tim unë përmend dosjen «Ziçishti» të vitit 1982, madje emrin e hetuesit që është ende gjallë, ku shkrimtari akuzohet me akuzën absurde për komplotist.

Në reagimin e tij Vehbiu nuk jep përgjigje as për këtë.Z.Vehbiu përpara sesa të nxitojë e ta quaj kritikuesin profan, i cili edhe as hiçgjë nuk është, le tu japë përgjigje këtyre çështjeve që janë parashtruar më sipër, jo për të “begenisur profanin”. Studjuesi serioz nuk mund t’i shmanget qëndrimit serioz ndaj lexuesit objektiv.

Studjuesi dhe shkrimtari A.Vehbiu është tepër i tronditur për reagimet jashtëzakonisht të ashpra kundër tij, lidhur me shkrimin e tij «Tradhtia e besnikëve». Në këtë ngjarje, shpresoj, që ai të ketë nxjerrë mësim për një të vërtetë të hidhur për të dhe për gjithë kritizerët, që me shumë lehtësi sulmojnë të tjerët, por që s’durojnë dot t’i prekë askush. Këta kritizerë duhet të kuptojnë se lexuesit shqiptarë pavarësisht nga vërejtjet që mund të kenë, janë të vendosur të mbrojnë vlerat e letërsisë dhe të shkrimtarëve të shquar shqiptarë.

A.Vehbiu, duke hyrë me vonesë në botën e shkrimtarëve duhet të kuptojë se në këtë botë ka rregulla të tjera dhe spekullimet dhe dredhitë nuk pijnë ujë. Në këtë botë nuk hyhet me bërryla, duke shtyrë të tjerët.

A.Vehbiu ka botuar kohët e fundit një libër me tregime me nivel tepër të zakonshëm, për të mos përmendur fjalën mediokër. Kjo është një arsye më shumë që ai të jetë më i përmbajtur kur kërkon t’u japë mësime dhe të fyejë shkrimtarët e përmasave të mëdha. Në një rast të tillë dihet fati dhe pozicioni i shkrimtarit që ndjek rrugën e gabuar. Ai është i humbur dhe pa shpresë.

Shprehja: “studjuesi A. Vehbiu do bëj të heshturin si ajo vajza që, kur dikush i futet në shtrat, ajo bën sikur fle”, ishte zilja që e “zgjoi” të alarmuar Vehbiun. Reagoi aq shpejt, gjë që si çdo gjë e nxituar e largoi nga thelbi i argumentave, nga gjykimi me urtësi. Nga gjykimi i denjë për nivelin ku pretendon se ndodhet në fushën e letrave.

Z. Vehbiu duhet ta dijë se “inati, hakmarrja është një pjatë që duhet ngrënë e ftohtë”. Përndryshe ndodhesh ngushtë, nga e keqja si në këtë rast e kërkon shpëtimin te arsyetimi që shumë lexues më kanë keqkuptuar, doja të paraqisja një qëndrim jo bardhe e zi, ngaqë unë e vlerësoj shkrimtarin Kadare, etj,. Përfundimisht shkrimi “Tradhëtia e besnikëve” dëshmoi dy gjëra: ishte shkrim i menduar për keq, me një argument spekulativ ndaj shkrimtarit Kadare dhe së dyti, si pasojë logjike e së keqes që mbart tregoi pamundësinë, panikunçorientues për të dhënë përgjigje direkte mbi çështjet e ngritura në shkrimin “Mbi marifetin psikanalitik “Loyalty mod” të Ardian Vehbiut”.

 

Filed Under: Featured Tagged With: i atij, Minella Aleksi, nuk te shkon roli, qe e kane keqkuptuar, z. Vehbiu

SHURDHËRIA

January 30, 2014 by dgreca

Nga KRISTAQ TURTULLI/

Apologji për vete dhe për të tjerët…/

Para do kohe bëra një shkrim ku në qendër trajtoja një temë madhore: ‘Njohjen dhe rivendosjen e drejtë të çështjes së pronës në Shqipëri. Në realitet vazhdon padrejtësia dhe mohimi, ndaj pronës së ligjshme ose kompensimin fizik prioritar  ish pronarëve. Si dje, sot, dhe gjithë ditën vazhdon me ta e njëjta lojë dhe hipokrizi. Qeveritë, nxjerrin akte dhe vendime. Të nesërmen i kompensojnë me të reja. Uji rrjedh gjithnjë në mullirin e tyre. Pronat e trashëguara brez pas brezi nuk u kthehen qytetarëve të ndershëm. As dhe kompensimin fizik prioritar nuk u bëhet. Vetëm shurdhëri.

Për fat të keq qytetarët e varfër, presin. Shumë prej tyre pensionistë, që janë rropatur gjithë jetën, tani jetojnë me listë në furrën e bukës. Ata nuk kanë përfituar apo nuk janë kompensuar, me asgjë. Pronave të tyre i shohin me dylbi në këto njëzet e ca vjet të ‘shenjta’ demokraci.’Por më thënë drejt, në hark kohor, shtatëdhjetë vjet, qysh me vendosjen e komunizmit në Shqipëri.

Shkrimi nuk ishte thjesht spunto, por një përgjegjësi morale dhe shoqërore, ndaj vetes dhe të tjerëve . Gjithashtu duke pare dhe lexuar vendimet e qeverise lidhur me pronën, këto ditët e fundit. Që u hiqet mundësi për kompensim ish pronarëve.

U  indinjova prej padrejtësisë që ju bë bashkëqytetarëve të mi korçarë si dhe familjes sime, që i ka dhënë aq shumë qytetit të vet, Korçës së dashur, me burra të shquar, intelektualë, patriotë të mëdhenj dhe bamirës si rrallë kush në botë.

Në mot të ftohtë janari, të këtij fillim viti, ndodhi që 165 familjeve të vjetra korçare u grumbulluan dhe protestuan  me drejtë përpara bashkisë së qytetit të tyre.

Gjithashtu në shkrim theksova dhe për qëndrimin dhe veprimin arbitrar, mohues nënvleftësues të kryetarit të bashkisë, Sotiraq Filo. Kryetar bashkie ky, i njërit prej qyteteve më të rëndësishme të Shqipërisë, Korçës. Ky qytet, dikur, me të drejtë quhej ‘Parisi i vogël’. Mbasi qyteti i Korçës kishte shumë elemente të rëndësishme zhvillimi dhe civilizimi të një qyteti me pamje evropiane, në kushtet e asaj kohe. Liceu i famshëm francez i Korçës, i cili kishte filluar të bëhej njohur në Evropë, për cilësinë e studentëve. Shëtitjet në mbrëmje. Ballot, kinematë, teatrot, koncertet, serenatat e mrekullueshme, karnavalet. Këtë e bënin korçarët punëdashës e artdashës dhe familjet e mëdha.

Gjithashtu aso kohe thuhej shpesh: Po të digjet Selaniku e bën Korça, ndërsa po të prishet Korça nuk e bën dot Selaniku… Kjo tregon se në vitet tridhjetë qyteti i Korçës kishte zhvillime  cilësore e potencë tregtare dhe luante një rol të rëndësishëm në Ballkan.

Shkrimi im ishte me titull:

‘ Një bejlurçinë e re në Korçën plakë’.

Aktin flagrant i kryetarit të bashkisë Sotiraq Filo, për zhbërjen e pronave të ligjshme, me tapi, të 165 familjeve të vjetra korçare. Si dhe për indiferencën, shurdhërinë dhe ironinë  e pa konceptueshme të një drejtuesi qyteti të tillë me tradita dhe kulturë. Të cilit, pra shokut Sotiraq, banorët e qytetit votuan për ta zgjedhur kryetar, nga nënkryetar që ishte më parë. Kryetari i mëparshëm i qytetit të Korçës Niko Peleshi, iku, u ngrit në detyrë, u bë zëvëndëdkryeministër i qeverisë socialiste. Sotiraqi i morri votat me shumë siklet në zgjedhjet e fundit. (Për të mos bërë këtu analizën dhe vërtetësinë e marrjes së votave, apo vjedhjes së tyre. Çështje kjo që ka folur mjaft shtypi shqiptar dhe shpirti i tij dhe i partisë së tij e di. Ndaj nuk dua të zgjatem në këtë pikë.

Sido që të jetë, Sotiraq Filo tani është në krye të stafit të tij besnik dhe të qytetit të Korçës. Qytet, i cili shpesh herë ka qenë pulsi e vërtetë vendit dhe shpejt a vonë të gjykon me gjakftohtësi dhe të nxjerr natyrshëm jashtë rrjedhës dhe kohës. Sotiraqi tashmë ‘duhet të jetë i përgjegjshëm,’  për detyrën dhe përgjegjësinë qytetare dhe shoqërore që ka ndaj bashkëqytetarëve dhe çështjeve të tyre dhe të shohë përtej hundës së vet. Por siç duket, dhe siç po ndodh rëndom tek ne, detyrat dhe përgjegjësitë nuk merren për të bërë progres, për ti shërbyer shoqërisë, vendit dhe qytetit por interesave të ngushta vetjake dhe të grupeve të veçanta. Kryetar Sotiraqi sapo morri detyrën, nuk duroi dot. Nuk ndenji as dy muaj dhe menjëherë ua ndërroi destinacionin e pronave të pronarëve të trashëguara brez pas brezi, nga zonë e verdhë në zonë të gjelbër. Gjoja unë u premtova qytetarëve në fushatë. Siç duket mendja e Sotiraqit kujton se meqë u bë kryetar, Korça është çiflig i tij dhe me një lëvizje të lapsit, pa fermane dhe vula, mund të bëjë me pronat e të tjerëve si të dojë.

Një të thënë dhe një të bërë…Pronarët e ligjshëm mbetën me gisht në gojë.

 

Ndërkohë u bë shurdhëri e madhe, sunduese pas shkrimit në fjalë dhe botimit të tij.

Kush është ky që kërkon të bëhet zhurmë, kur më mirë është shurdhëri! Nuk si shurdhëria. E përse duhej të vihej uji në zjarr, kur nuk shihet kurrkund shkëndija, u pëshpërit.

Kur në të njëjtën kohë këto prona janë të trashëguara brez pas brezi nga familjet e vjetra korçare në qindra vjet. Ky vend, këto prona janë shumë të rëndësishme, ngrihen si ballkon i qytetit dhe i gjithë fushës së Korçës. Ato toka gjenden në kodrat e qytetit, të cilat dikur ishin vreshta, fill pas murit të spitalit, që e ndërtoi dhe i dhuroi Korçës njëri prej pjesëtarët e fisit tim, i madhi mirëbërës Thoma Turtulli.

Sigurisht duhet të ketë shurdhëri.

Për këto toka u përgatit një projekt dhe ky projekt ju paraqit bashkisë në vitin 2010. Ky plan-projekt i afërt, do bëhej me investime të huaja, për ndërtimin dhe zbukurimin e qytetit, në bashkëpunim me ish pronarët.

Nuk dihen arsyet përse u la në sirtar, u zvarrit, u harrua,  ky projekt madhor evropian izraelit, intrigues dhe shumë i rëndësishëm. Ky projekt ndërtimesh, me urbanistikë moderne, të kohës, me 80 përqind investime, vila banimi dhe 20 përqind gjelbërim, do ti jepte qytetit të njohur për kulturë dhe përparim, një tjetër pamje dhe zhvillim, si dhe në aspektin e zhvillimit të turizmit dhe të tregtisë. Për ta bërë qytetin e kangjellave, gjelbërimit, kulturës dhe të serenatave, me plot të drejtë, të thirrej, ashtu siç thuhej dikur ‘Parisi i vogël’.

Kur nuk ke mundësi të na i kthesh pronat tona, tokat tona, o shoku kryetar. Të paktën na i kompenso, i thanë ish pronarët, si të vetmen zgjidhje të mundëshme. Ta jetojmë dhe ne si gjithë të tjerët, atë qe nuk e jetuam shumë nga prindërit tanë për shtatë dekada me radhë.

Kompesim pronash!? Por bashkia është e varfër nuk ka fonde për të tilla kompensime, u  tha shoku kryetar.

 Shurdhëri. Ka si shurdhëria! Media hesht, shoqatat e ndryshme heshtin, partitë heshtin. Kanë të tjera çështje më të mëdha.

Ne si pronarë të ligjshëm a nuk kemi të drejtë të kryejmë veprime, ndërtime në pronat tona, tokën tonë? Toka jonë! Jo nuk keni asnjë të drejtë në tokën tuaj, u tha shoku kryetar. Pra ne jemi njëlloj si më parë, në diktaturë, në monizëm, në kooperativë, në shtetëzim. Kur thuhet që jemi një shtet demokratik. Ne o shoku kryetar, që të paçim sa malet, që na mbron, na ndihmon, që na bën të shurdhër. Ne kemi shtatëdhjetë vjet që presim që haka të shkojë tek i zoti. Të marrin pronën e grabitur dhe të mohuar. Ka logjikë dhe drejtësi këtu, oi madhi shoku kryetar? Deri kur më, nuk kemi të drejtë ta jetojmë jetën si të tjerët? Na thuaj një fjalë, hë të paçim?!

Ndërkohë kryetari File me ironi, dhe për ti përcjellë, u tha: mos u mërzitni, duroni dhe ca. Paçka se mund të mbillet ndonjë pemë, ju do ta keni pronën. Ju e them unë kryetari i bashkisë, nuk ua mohon kush. Bëni siç keni bërë.

Po bëhet njëzet e katër vjet që po na thonë këtë gjë, e kemi pronën, tokën tonë, por hiç, i thanë ish pronarët. Kryetari mblodhi supet dhe nënqeshi. Përse të mos bëjë, tashmë shoku kryetar Sotiraqi ka dhe gurin dhe arën. Ish pronarëve u është mësuar shpina me nëpërkëmbje. Ata janë të butë, të urtë, të edukuar, nuk të bëjnë gjë.

Prandaj nuk u çudita aspak nga shurdhëria që ndodhi pas botimit të artikullit dhe indiferentizmi me të cilin u pasua. E prisja këtë gjendje, shurdhëri. Por njëherësh dhe u trishtova. Për veten dhe për shoqërinë shqiptare. Sepse nuk është problemi e siç thuhet: një gjellë që nuk e ha le të digjet me gjithë tenxhere. Ose: kur nuk kam pula përse të bëj dava me dhelprën. Këtu nuk bëhet fjalë për gjellë dhe për dhelpër dhe pula.

Njëkohësisht duke parë që qeveria ndryshe nga premtimet e deridjeshme për një skemë të re e cila do të kishte një kompensim fizik prioritar për ish pronarët. Me aktin e djeshëm, të datës 29 janar qeveria i hoqi të gjithë tokën e mundshme të Agjencisë së Pronave dhe rrjedhimisht për ish pronarëve. Pra veprimi fillon qe nga qendra në bazë.

 

Çështja e pronave në Shqipëri është thembra e Akilit shqiptar. Kjo do të ish shkallina e parë e progresit dhe e ardhmërisë qysh në vitet e para të lëvizjes demokratike në Shqipëri.

Dikur, në fillim të vitit- 1992 takova në Korçë dhe i mora një intervistë Sabri Godos.  Kisha një njohje të thjeshtë me të. E pata takuar më parë, rastësisht në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Atëherë ai porsa ishte zgjedhur kryetar i partisë republikane. Pyetjen e parë që i bëra ishte: Çdo të bëhet për pronat dhe ish pronarët?  Ai më pa ngulët dhe më tha: Pronat! Ato janë themeli i programit të partisë sonë. E besova, sepse ai kishte lidhje familjare me familjen e madhe të Vrionasve, të cilët ishin pronarë të mëdhenj tokash. Por kthimin e pronave e kanë edhe partitë e tjera, i thashë. Partia Republikane është ndryshe, më tha. Shtylla kurrizore e programit tonë është e drejta e ligjshme e pronës e trashëguar brez pas brezi.

Për fat të keq të gjitha mbetëm në letër. Plaku i republikanëve iku dhe çuditërisht, vazhdoi e njëjta gjendje. Ndoshta plaku i mençëm Godo nuk kish shumë forcë, etj e të tjera…

Ndërkohë po kalojnë më shumë se  dy dekada, kjo çështje gjithnjë është nënvleftësuar ose keqpërdorur. Mbasi nuk ka gjetur mbështetjen e duhur prej dy forcave të mëdha politike. Dhe çuditërisht në programet e tyre kanë kthimin e pronave, ose kompensimin e tyre. Po ti shohësh hollë nuk e dallon ndonjë gjë esenciale një program të një partie nga programi tjetër, paçka se thonë se një është e majtë dhe tjetra është e djathtë. Një program të djathtë të mirëfilltë nuk ka, në mendësi dhe praktikë. Nuk ka si të ketë, mbasi shtresa që duhej ta mbështeste dhe ta udhëhiqte këtë çështje madhore ishte e vënë me shpatulla, për të mos thënë shumica ishte asgjësuar, burgosur, internuar. Dhe kur dolën prej qelive apo u kthen prej internimeve ishin të topitur. Pilafin e kishin përgatitur dhe gatuar të tjerët, të sprovuar dhe të stërvitur në kudhra dhe furtuna të këtilla. Tavolina ishte shtruar dhe të ftuarit ishin ulur. Ata me ndrojtje u munduan të afroheshin pranë tavolinës. Të thoshin fjalën e tyre. Por vështroheshin me kureshtje, gati me habi. Vazhdonte buzëqeshja hipokrite. Më pas tinës tyre i shkelnin syrin njëri tjetrit. Pastaj me lezet lëviznin majtas dhe djathtas. Të përndjekurit dhe të persekutuarit ndjeheshin që po shtyheshin me bërryla prej sofërshtruarve. Kishte dhe ndonjë gjuajtje të fortë, nervoze, në ije, derisa i nxorën jashtë tavolinës, i lanë në të thatë. Shtresa e mirëfilltë ishte prapa listës, si mbetej tjetër veçse të priste dhe të shpresonte.

Por ju lutem, më thoni, kujt duhet ti a vëmë fajin  dhe përgjegjësinë e kësaj shurdhërie dhe indiferentizmi. Problemeve të mëdha që ka sot shoqëria shqiptare? Po a ka problem më të madh se prona? Kudo sot në botë,edhe më parë, në mijëra vjet të gjitha ngjarjet e mëdha, përmbysjet dhe luftërat bëheshin dhe bëhen për interesa dhe para. Apatisë, korrupsionit galopant. Shtetit të zënë me punë, punonjësve të saj të paaftë? Apo mendësinë të theksuar të shoqërisë shqiptare e cila është akoma komuniste. Që o burra të flasim shume se diçka do të mbetet dhe o burra të rrëmbejmë kur s’ka të tjerë. Ndërkohë sot në Shqipëri numërohen me dhjetëra milionerë dhe disa janë miliarderë.

Nga dolën këta pasanikë të rinj të nuk të falim për asgjë, që nuk kanë ngopje, sepse u pasuruan me të gjitha mënyrat dhe jo me djersën e ballit, si dikur të parët tanë? Të cilët bënë bamirësi, ndërtuan qytetin dhe nderuan vendin. Sigurisht, paraja e fituar me mund e djersë shijohet dhe ka fryt dhe vlerë. Sesa paraja e vjedhur e rrëmbyer dhe e bërë me poshtërsi e korrupsion. Por këtë nuk mund ta kuptojnë ata që nuk e kanë.

Është folur dhe stërfolur në këto dy dekada dhe ca, që haka të shkojë tek i zoti, nga të dyja forcat politike. Kjo ka qenë dhe është thjesht demagogji, mbasi në to fshihen shumë interesa të afërta dhe të largëta.

Ish pronarët e ligjshëm, qytetarët e ndershëm dhe të nderuar, mbas protestës paqësore të bërë përpara baskisë së qytetit, caktuan një grup përfaqësues  dhe kërkuan takim me prefektin e qytetit. I cili iu hoq sikur nuk dinte gjë dhe tha se do ta shoh këtë çështje. Ndërkohë ditët dhe javët kalojnë. Heshtja dhe indiferentizmi shtetëror vazhdon sot dhe gjithë ditën.

Shurdhëri e prapë shurdhëri.

Prefekti nuk ka çfarë të shohë, kur në to ka interesa të tjera. Nuk kam dëgjuar ndonjë prej pushtetarëve tanë, të djeshëm dhe të sotëm, të vënë interesin e popullit , aq më tepër të ish pronarëve mbi interesin e vet dhe të tarafit të tij. Ish pronarët presin. Ata janë të çorientuar, të hutuar. Përsëri shurdhëri.

Por partitë politike nuk kanë kohën të bëjnë fushata elektorale, ku të prekin me forcë çështjen  e pronës. Nuk di zoti prefekt se çfarë bëhet në qytetin e tij! Nuk është koha të flasin për pronën, pronarët dhe të drejtën e saj të ligjshme. Nuk është koha, mbasi është shumë shpejt, të bredhin qytet më qytet dhe të bëjnë premtime zhurmë mëdha, për marrje pushtetesh dhe vendesh në parlament. Më mirë duhet shurdhëri. Do disa vite, që të vijë koha fushatave dhe të përpjekjeve për marrje pushteti.  Ç’ishte për të bërë u bë. Prandaj tashmë le të merren me cic mice, të grinden në parlament, të shajnë dhe stërshajnë njëri tjetrin, për një heqje, largim militanti prej detyrës, dhe emërim detyre të një militanti të krahut tjetër. Për ndarje hesapesh dhe pasurish.

Korça plakë, qytet ky, që ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e kombit Shqiptar, është në shurdhëri. Le të jetë kështu si më parë, në këto shtatëdhjetë vite apatie. Edhe pse ky qytet dikur ka nxjerrë figura të shquara, patriotë të mëdhenj, në të gjitha fushat e jetës dhe të aktivitetit shoqëror. Të cilët kanë sakrifikuar jetën, rininë dhe pasurinë, për qytetin  dhe kombin për gjatë rrjedhës së historisë. Por mos harrojmë, qytetin e bëjnë njerëzit dhe e përfaqësojnë familjet që kanë jetuar dhe kontribuar në shekuj dhe vazhdojnë jetojnë në të. Korça pret si gjithnjë në apati.

Thuhet gjithnjë që, këtij vendi po i merret fryma nga fenomeni i korrupsionit. Tani po çuditeni, apo më parë nuk e dinit se ka qenë shurdhëri. Mbasi qysh në fillim të viteve 90 nisi të prisheshin shumë gjëra që nuk duheshin prishur, për të filluar nga zeroja e famshme. Të bëhej dhe të montohej mbi mohimin e pronës dhe të pronarëve të ligjshëm.

Shqipëria filloi të ecte duke u mbështetur mbi paterica drejt ekonomisë së tregut. Në truallin e  pa shtruar, pa vënë arsyen dhe të drejtën në mes, lindi, u ndez etja e papërballueshme, e tmerrshme, për tu pasuruar me të gjitha mjetet dhe mënyrat. Rrëmbimit, mohimit të pronës, të së drejtës dhe të gjithë vlerave shoqërore dhe materiale prej të tjerëve.

Përflitet  se tani është caktuar nga qeveria një fond i veçantë për kompensimin e pronave, të ish pronareve. Të jetë dhe kjo një demagogji, mashtrim dhe hipokrizi e radhës?! Kur është thënë ky haber i madh, përpara apo pas mohimit të pronave të qytetarëve të qytetit të Korçës?

Ditën tjetër vjen lajmi se qeveria ndryshe nga premtimet e deridjeshme për një skemë të re e cila do të kishte një kompensim fizik prioritar për ish pronarët. Me aktin e djeshëm, të datës 29 janar qeveria i hoqi të gjithë tokën e mundshme të Agjencisë së Pronave dhe rrjedhimisht për ish pronarëve. Pra veprimi fillon qe nga qendra në bazë. Sot e bëjmë zonë të gjelbër. Nesër. Prapë këtu jemi, mblidhemi  dhe e kthejmë si më parë në të verdhë, për interes tonë…

Më thuaj mik, ka si SHURDHËRIA?!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Kristaq Turtulli, Shurdheria

SHBA: Kërkohet dënimi me vdekje për vënjen e bombës në Maratonën e Bostonit

January 30, 2014 by dgreca

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, zoti Eric Holder : ” Pas shqyrtimit të fakteve përkatëse, ligjet në fuqi dhe pretendimeve të bëra nga avokatët e të pandehurit, unë kam vendosur se Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë dënimin me vdekje në këtë çështje. Natyra e të kryerit të aktit në fjalë dhe të deponimeve rezultante, janë të mjaftueshme për dhënjen e dëmit me vdekje në këtë vendim/

Nga BEQIR SINA, New York/

WASHINGTON D.C: Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara, ka njoftuar se ka në plan të kërkojë dënimin me vdekje kundër Dzhokhar Tsarnaev , të pretenduar për vënjen e bombave në Maratonën e Bostonit.   Kështu të paktën thotë sot shtypi amerikan, kur permend se Tsarnaev , 20 vjeç, dhe vëllai më i madh i tij Tamerlan Tsarnaev janë akuzuar për vendosjen e bombave më 15 prill 2013, gjatë përfundimit të vrapimit në Maratonën e Bostonit. Ata të dy mendohet se vendosën dy bomba artizanale të mbushura me eksploziv në afërsi të vijë-finishit – vend përfundimin e maratonës Boston – që vrau tre persona dhe plagosi qindra të tjerë.Njeri prej vëllezërve Tamerlan Tsarnaev, ai më i madhi, u tha se vdiq gjatë një kërkimi nga policia disa ditë pas sulmit , i fshehur në një motrbarkë dhe vëllai i vogël që gjendet aktualisht pas hekuave Dzhokhar Tsarnaev u kap disa orë më vonë, i plagosur .

Ai ka qenë në paraburgim që nga dita e arrestimit , megjithëse kaloi disa javë në spital në kushte arresti dhe është në pritje të gjykimit për akuza , duke përfshirë përdorimin e një arme të shkatërrimit në masë që rezulton në vdekje , bombardimin e një vend të përdorimit publik që rezulton në vdekje , shkatërrim me qëllim të pronës private që rezulton në vdekje , dhe konspiracion , ai ështëakuzuar gjithashtu për vrasjen e një oficeri të policisë në kampusin e Massachusetts Institute of Technology – MIT, gjatë kohës që policia ishte vënë në ndjekje të tij .
Sipas një deklarate nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, zoti Eric Holder ” Pas shqyrtimit të fakteve përkatëse, ligjet në fuqi dhe pretendimeve të bëra nga avokatët e të pandehurit , unë kam vendosur se Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë dënimin me vdekje në këtë çështje . Natyra e të kryerit të aktit në fjalë dhe të deponimeve rezultante, janë të mjaftueshme për dhënjen e dëmit me vdekje në këtë vendim . ” ka deklaruar zoti Holder.
Gazeta më e madhe amerikane , njujorkezja The New York Times, shkruan sot se :”Po të dënohet , Tsarnaev, domosdoshmërisht do të dënohet me vdekje, mbasi ajo vëren se prokurorët federalë nuk do të tërheqin nga dënimin me vdekje, ashtu si dhe ka ndodhur edhe në rreth gjysmën e rasteve të tyre , zakonisht edhe në sajë të marrëveshjeve të pranimit të fajësisë .”

Shtypi thotë se Tsarnaev ka pranuar fajin për akuzat, por nuk janë të sigurtë sesa kjo do të ndikojë në marrjen e vendimit për dënimin me vdekje apo jo ? këtë nuk e di asnjeri deri në dhënjen e vendimit të Gjykatës Federale të SHBA .
Gazetarët amerikan kan mundur të kontaktojnë me nënën e dy fëmijëve që akuzohen për këtë akt, dhe thonë se  “Kur i than asaj se Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, zoti Eric Holder ka kërkuar  dënimin me vdekje , nëna e dy fëmijëve Tsarnaev  , Zubeidat Tsarnaeva , u tha gazetarëve , ” Se si mund të ndjehet një nënë për këtë ? Ndjehem një asgjë…. . ”
Shtypi amerikan thekson se deri tani “Nuk ka datë të caktuar të gjykimit “.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, bombevensit, e bostonit, Kerkohet denimi me vdekje

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT