• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

Persekutimi i ekzekutimi i Lef Nosit nga diktatura komuniste

January 28, 2014 by dgreca

Nga Edmond Malaj/

Për të pasqyruar sa më saktë persekutimin dhe dënimin e tij nga shteti komunist u mbështeta kryesisht në të dhëna dokumentare arkivore. Dhe në disa artikuj të botuara në shtypin shqiptar vite ma parë. Se kush ishte Lef Nosi, dhe cili qe kontributi i tij i shumanshëm tashmë nuk është e nevojshme të përsëritet nga unë, pasi të pranishmit e nderuar e dëgjuan në mënyrë të detajuar nga parafolësit. Unë këtu do të hedhë dritë, apo do të thërras në kujtesë vetëm një periudhë të shkurtër të jetës së tij, periudhë që ishte më e vështira për të. E kam fjalën këtu për përndjekjen, procesin gjyqësor dhe ekzekutimin me vdekje të Lef Nosit nga diktatura komuniste.

Përndjekja e Lef Nosit

Tani, përsa i përket përndjekjes së Lef Nosit, ai u përndoq gjatë gjithë gjysmës së parë të vitit 1945, deri më 7 gusht 1945, datë kur ai u arrestua. Sipas Stiliano Nosit,[1] Lefi nga njëra anë shpresonte që ndryshimi i gjendjes ndërkombëtare të ndryshonte situatën edhe në Shqipëri, prandaj fillimisht nuk donte që të largohej nga Shqipëria. Një arsye tjetër, pse Nosi nuk iku, ishte edhe, se ai tashmë ishte 68 vjeç dhe vitet e fundit të jetës së tij do të ishin shumë të rënda, nëse ai do ti të kalonte në emigracion. Ai zgjodhi kështu rrugën e arratisjes nëpër male brenda territorit shqiptar. Nosi fillimisht qëndroi në Shkodër dhe në malësinë e Dukagjinit, duke u fshehur së bashku me patër Anton Harapin. Ai ikë nga Malësitë e Shkodrës për shkak, se jeta atje ishte shumë e rëndë, duke pasur parasysh edhe moshën që kishte, dhe furnizimi me ushqime ishte bërë gjithnjë e më i vështirë.

Pasi Nosi[2] kishte ndenjur për disa kohë në Shkodër, kohë për të cilën nuk kemi gjetur të dhëna të tjera, ai vjen në Tiranë në muajin shkurt të viti 1945. Megjithatë ai më vonë ndërroi mendje, në lidhje opsionin e arratisjes. Kështu me shpresë se britanikët do ta ndihmonin, ai paraqitet tek Misioni Anglez si shitës antikash, dhe i kërkon këtij misioni ndihmë, për tu larguar nga vendi, porse britanikë e zhgënjejnë duke i  thënë, se nuk kishin mundësi që ta nxirrnin jashtë.[3] Nga Tirana kishte marrë rrugën për në Elbasan me Vasilin Nosin.

Fillimisht Lefi qëndroi në afërsi të Manastirit të Shën Gjonit dhe takimet gjatë kësaj kohe i bënte me Vasilin në një vende të caktuara të fshehta.[4] Më pas (qershor 1945)  ai vazhdoi të qëndronte në rrethinat e Elbasanit, dhe pikërisht në fshatin Godolesh, dhe gjatë kësaj kohe mbante lidhje me Vasilin dhe me Stiliano Nosin, të cilët për të takuar Lefin shkonin aty si të maskuar. Megjithatë fjala ishte përhapur tashmë, që Lefi ndodhej diku në rrethina. Si rrjedhojë “komanda e Mbrojtjes së Popullit dërgoi menjëherë njerëz në Godolesh për të filluar kontrollet, pa treguar se bëhej fjalë për arrestimin e Lefit.”[5] Gjatë kësaj kohe  Lefi banonte në shtëpinë e Adem Samurit. Nosi ka qëndruar i fshehur edhe në Fshatin Fikas e pastaj në një pyll, ku ndenji pa ngrenë përreth dy a tre ditë dhe nga aty është zhvendosur pastaj tek shtëpia e Ademit. [6] Adem Samuri me Lef Nosin kishte një miqësi të vjetër pasi edhe gjyshi i Ademit kishte qenë mik i Lef Nosit. Pastaj ngaqë gjendja e ishte bërë e padurueshme nga kontrollet e partizanëve, Lef Nosin e kishin shpënë në fabrikën e alkoolit në dalje të Elbasanit, fabrikë kjo që ishte pronë e familjes Nosi.[7]

Më pas aktiviteti i Ademit për fshehjen e Lef Nosit qe zbuluar dhe për këtë Ademi u arrestua dhe përfundoi në hetuesi e pastaj në burg. Nosi më tej u dërgua në shtëpinë e Vasilit, a pastaj ka qëndruar i fshehur në lagjen Kala në shtëpitë e Kolë Gignasit dhe Ahmet Daklit dhe prej aty qe transportuar për në tiranë, ku qe fshehur fillimisht tek Mulliri i Xhemal Farkës në hyrje të Tiranës.[8] Inxhinieri hebre Mark Menahem i gjen strehim dhe e dërgon Lefin tek shtëpia e një mësueseje shkodrane që quhej Fahrije Haveriku banuese në Tiranë, e cila kishte miqësi me Menahemin që në vitin 1937 në Sarajevë ku Fahrija kishte kryer shkollën e vajzave.[9]

Fahrie Haveriku njihej për urrejtjen e saj ndaj pushtetit komunist dhe kishte vepruar për ti krijuar Lefit mundësi të tjera strehimi në Tiranë, pasi ishte e ndërgjegjshme se Lef Nosi nuk ishte tradhtar, siç e paraqiste propaganda, por një patriot i këtij vendi dhe për këtë gjë kishte refuzuar të merrte të holla për ta strehuar atë.[10] Shtëpinë e Fahrijes Lefi detyrohet ta lëjë sepse kishte dyshime, se mos bëheshin kontrolle dhe për këtë arsye atë e dërgojnë në shtëpinë e Xhelal N.[11] (Emrin e këtij personi nuk kam mundur ta gjej të plotë). Xhelal N. Ishte rekrutuar nga “Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit” i cili në mënyrë të pabesë e çoi Lef Nosin në duart e forcave që e arrestuan.[12] Lef Nosi u arrestua më 7 gusht 1945 në Tiranë. Me arrestimin e Lefit janë marrë Siri Çarçani dhe Edip Çuçi, Manol Milo dhe një person tjetër me inicialet Z. M.[13]

Sekuestrimi i Pasurisë së tij

Në lidhje me sekuestrimin e pasurisë së tij, disponojmë një dokument nga arkivi qendror, i cili paraqet një listë të detajuar të asaj që u inventarizua në shtëpinë e Lef Nosit. Dokumentin për rëndësinë që ka po e sjellim të plotë:

“Pasunia e t’arratisunit politik Lef Nosi:

Nji kopsht me pemë të ndryshme në semtin e kullës e përbame prenj një pendë dheje Kufijt nga L. Ibrahim Bicoku, në perëndim Xhemali Filja, në Veri Demir Lulja e nga Juga Shtëpia e engleskës.

Vërejtje: Ky kopsht administrohet prej vetë pronarit.

Gjendja familjare e politike e pronarit përbahet prej nji personi, gjendja politike e tij para se të arratiset sih pjestarë i ballit kombëtar dhe tash më banim të paditun. Firmosës të këtij dokumenti janë: Hajrullah Demeli, Kostandin Doku, Pavli Kavaja, Selim Shehu.

II Shtëpi në lagjen Xhomi Elbasan Tre kate

Kati I tre dhoma si depo, njena bibliotekë

Kati II tre dhoma e nji banjë komplete e një kuzhinë

Kati III dy dhoma e nji sallon

Në kufi me Vasil Nosin. Gjendja e shtëpisë

Shënim: “Në këtë Shtëpi banon komandanti i Qarkut shoku Arif Konica si dhe Matilde Nikoll Nosi (nëna e Frederik Nosit) Matilde deklaron se shtëpia së bashku me të gjitha mobiljet që gjenden brenda i kemi me Lef Nosin.

Gjendja politike ish organizues i Ballit Kombëtar.”[14]

Në faqen e dytë të dosjes nga ku është marrë dokumenti i mësipërm jepet urdhër që pasuria të sekuestrohet, por në rast se janë të varfër jo. “Megjithatë, në ato raste qi pasuria asht e madhe ose punohet me bujq komisioni i sekuestron dhe i administron sikurse pasunit e t’arratisunve politikë e bejlerëve”[15] Pra, nga ky dokument nuk del në dritë, se çfarë u mor në shtëpinë e Lef Nosit. Megjithatë ky dokument është vetëm një inventar dhe por më vonë dënimi me vdekje i Lef Nosit, Patër Anton Harapit dhe Maliq Bushatit, kishte të përcaktuar edhe sekuestrimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme, sepse ata persona që dënoheshin “nga gjyqet ushtarake me burgosje që nga një e gjer më 30 vjetë, ose me burgim të përjetshëm ose me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë së tyre të tundshme dhe të patundshme dhe me humbje të përhershme ose të përkohshme të të drejtave politike.”[16]

Përveç kësaj Lefi pati edhe një sërë studimesh që u ndalën në vitin 1944 e për fatin e keq nuk u botuan, por ngelën nëpër arkiva, nga ku një pjesë, me sa duket është vjedhur. Megjithatë në Arkivin Qendror Shqiptar ka një fond të veçantë në lidhje me Lef Nosin. Humbja është shumë e madhe pasi Shtëpia e Lef Nosit ishte një muze materialesh të ndryshme që kishin vlera të mëdha, dhe librat e bibliotekës së tij përfunduan në drejtime të ndryshme, dhe mesa duket një pjesë e tyre gjendet edhe në Bibliotekën e qytetit të Elbasanit.

Ai botoi më 28 nëntor të vitit 1937 dokumentin historik të Shpalljes së Pavarësisë,[17] por sot ky dokument nuk gjendet.

Procesi gjyqësor ndaj atyre që e ndihmuan 

Më 9 tetor 1945 prokuroria me aktakuzën që e kishte nxjerrë nga  procesverbalet e hetimeve të para, i dërgon Gjykatës Ushtarake të Tiranës aktet kundër të pandehurve Vasil Nosi, Stilian Nosi, Marko Menahem, Adem Samuri, Fahrie Haveriku dhe Xhemal Farka. Ata akuzoheshin se kishin “strehuar kriminelin e luftës Lef Nosin duke qenë dhe ndërlidhës”[18]. Mbi këtë prokuroria kërkonte caktimin e ndëshkimit të tyre në bazë të artikullit 1 të ligjit nr. 21, botuar në “Gazetën Zyrtare”, datë 23 dhjetor 1944, pra një ligji që u botua më vonë dhe hyri në fuqi më 15 dhjetor 1944. Këtë ligj po e citoj më poshtë:

 “Artikulli 1. Të gjithë ata që sabotojnë luftën dhe pushtetin e popullit, ata që fshehin kriminelët e luftës dhe ata që ndiqen prej ligjit, ata që kanë dije mbi këta dhe nuk tregojnë, ata që vjedhin pasurinë e Shtetit dhe të popullit, ata që spekulojnë dhe falsifikojnë ata që bëjnë kontrabandë, ata që fshehin sende të domosdoshme për ushqimin, strehimin e popullit dhe për ndërtimin e vendit, dënohen nga gjyqet ushtarake me burgosje që nga një e gjer më 30 vjetë, ose me burgim të përjetshëm ose me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë së tyre të tundshme dhe të patundshme dhe me humbje të përhershme ose të përkohshme të të drejtave politike.”[19]

Më 21 tetor 1945, gjykata e formuar nga Irakli Bozo (kryetar), Q. Deçka, R. Kruja, në bashkëpunim me prokurorin Skënder Kosova i ka shpallur fajtorë të gjithë të pandehurit në bazë të nenit 1 të ligjit të sipërpërmendur i ka dënuar si vijon[20]:

Vasil Nosi u dënua me 6 vjet burgim dhe humbjen e të drejtave politike e civile për aq kohë, ai vdiq i burgosur në fabrikën e alkoolit në Elbasan;

Mark Menahem u dënua me 4 vjet burg dhe humbjen e të drejtave politike e civile për aq kohë;

Stiliano Nosi u dënua me 3 vjet burg dhe humbjen e të drejtave politike e civile për aq kohë. Ai vdiq në vitin 1983;

Fahrie Haveriku u dënua me 3 vjet burg dhe humbjen e të drejtave politike e civile për aq kohë dhe më pas, së bashku me të vëllanë, u arratisën nga Shqipëria dhe shkuan në një shtet evropian;

Xhemal Farka u dënua me 2 vjet burg dhe humbjen e të drejtave politike e civile për aq kohë. “Më pas u ridënua me pushkatim për shërbime në misionin ushtarak anglo-amerikan”;

Kurse Adem Samuri u dënua me 6 vjet burg, nga të cilat vuajti 4 prej tyre. Ai vdiq në  shtëpinë e tij si mik i familjes Nosi.

Pas procesit të tyre disa muaj më vonë nisi një proces tjetër, ai i Lef Nosit dhe i dy personave të tjerë, këta ishin Maliq Bushati dhe kleriku françeskan Patër Anton Harapi OFM.

Gjyqi ndaj Lef Nosit

Lef Nosi qëndroi në hetuesi për 5 muaj, deri në fund të janarit të 1946, kur ai u nxor në gjyq më 31 janar 1946. Aty prokuroria e Gjykatës Ushtarake të Tiranës lëshon aktakuzën kundër të tre të arrestuarve, duke i akuzuar  ata si “kriminelë lufte dhe armiq të popullit”, dhe me shumë akuza të tjera, që sigurisht nuk ishin të vërteta. Procesverbalin me Akuza po e japim në vijim:

 

 

“Republika P. e Shqipërisë

Gjykata Ushtarake e Tiranës

Nr. 24 i Librit Themeltar

Tiranë, më 31 janar 1946

 

Procesverbal

Prokuroria e kësaj Gjykate me akt-akuzën datë 31 janar 1946 na deferon për gjykim bashkë me aktet tre të pandehurit: Lef Nosi nga Elbasani, Patër Anton Harapi nga Shkodra dhe Maliq Bushati po nga Shkodra, të akuzuar pse si kriminela lufte dhe armiq të popullit: dy të parët në cilësinë e tyre anëtarë të Regjencës në kohën e okupacionit nazist, kanë bashkëpunuar dhe i kanë shërbyer këtij okupatori në dëm t’interesave të larta të Atdheut dhe janë përgjegjës për të gjitha krimet, shkatërrimet dhe dëmet materiale të kryera në vendin tonë dhe i treti ka përgatitur, n’ bashkëpunim me tradhtarë të tjerë, terrenin për okupimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste, ka sabotuar rezistencën e popullit shqiptarë, në cilësinë e tij Kryeministër në kohën e okupacionit fashist ka bashkëpunuar në mënyrën më të ngushtë me okupatorin në dëm të popullit shqiptar dhe ka mobilizuar e subvencionuar forca armate për kundra luftës Nc. Çl, etj, etj. Aktet u regjistruan nën Nr. 24 të Librit themeltar të këtij vjeti dhe për ditë gjykimi të çështjes u caktuan data 1 fruer 1946, ora 9, duke iu njoftuar të pandehurve që ndodhen të arrestuar.”[21]

 

Pra më 1 shkurt 1946, një trup gjykues prestarë të të cilit ishin Irakli Bozo, Tonin Jakova dhe Gjon Banushi, në praninë e prokurorit Misto Treska, hapë gjyqin në kinemanë “Kosova” në Tiranë (sot Teatri Kombëtar).[22] Gjykimi u mbajt, në tetë sesione, të pranishëm ishin edhe shumë anëtarë të partisë që vazhdimisht e ndërpritnin procesin dhe me tallje dhe sharje.[23] I pari është marrë në pyetje Lef Nosi, i përfaqësuar nga avokat Zoi Xoxa. Ndër shumë akuza të tjera Lef Nosi, nga prokurori u akuzua edhe si përgjegjës për vrasjen e 50 mijë vetëve, pavarësisht se e gjithë lufta nuk kishte më shumë se 3 – 4 mijë të tillë. Të tre ndër të tjera u mbajtën përgjegjës edhe për të gjitha humbjet që pati Shqipëria gjatë luftës.[24]

Në përfundim të këtij procesi politik ku nuk doli asnjë akuzë e drejtpërdrejtë nga ato që mëtoheshin nga prokurori dhe vendimi i gjykatës, qe dënimi me vdekje për të tre të pandehurit. Pra, më 12 shkurt 1946 Gjykata Ushtarake e Tiranës mori vendimin për dënim me vdekje për Lef Nosin, Maliq Bushatin dhe Patër Anton Harapin. Dokumentin e Vendimit po e sjellim më poshtë:

 

“Akt-Gjykim

Gjykata e Lartë Ushtarake e formuar prej: N/Kolonel Gaqo Floqi Kryetar, Major Frederik Nosit Anëtar, Kapiten Ire Veledin Zejneli, anëtar.

Me ligj:

Vendimi i gjykatës së faktit është i bazuar në dispozitat ligjore përkatëse, sasia e ndëshkimit caktuar me VDEKJE për të dënuarit është i drejtë dhe në përpjesëtim me fajet dhe veprat e kryera prej tyre:

Prandaj:

Gjykata e Lartë duke pëlqyer edhe mendimin e Prokurorit në bazë të nenit 31 të Ligjit Nr. 41 datë 14 Janar 1945 mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë

Vendosi:

Aprovimin e akt-gjykimit Nr. 24 datë 12. II. 1946 të Gjykatës Ushtarake të Tiranës, me të cilën është vendosur ndëshkimi me VDEKJE të pandehurve: Lef Nosi nga Elbasani, Patër Anton Harapi nga Shkodra dhe Maliq Bushati nga Shkodra, me të cilën humbin të gjitha të drejtat qytetare dhe politike, sekuestrimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.”[25]

 

Lef Nosi nuk pranoi të bënte kërkesë faljeje. Megjithatë organet e atëhershme bënë një dokument, që gjoja Lef Nosi kishte kërkuar që ti falej jeta. Dokumentin e përmendur do sjellim si më poshtë:

 

“Vdekje Fashizmit liri e popullit

            P. T. Asamblesë kushtetuese Tiranë

            I nënshkruemi Lef Nosi kam nderin me parashtrue sa më poshtë:

            Gjykata Ushtarake e Tiranës me vendimin e saj datë 12 të muajit vazhdues më     ka ndërshkue me vdekje.

            Tue përsërit gjithçka kam thënë gjatë rrjedhimit të gjykimit lutem të kini mirësinë të më falet jeta

            Tiranë 12/2/1946                   

            Me nderime Lef Nosi (firma).”[26]

 

Një dokument me përmbajtje pak a shumë të ngjashme gjeta edhe për pater Anton Harapin, kurse “kërkesën për falje” të Maliq Bushatit nuk munda ta gjej. Vendimi u la në fuqi edhe dy ditë më pas nga Gjykata e Lartë Ushtarake, Lef Nosi u ekzekutua tek “Kodrat e Priftit” në Tiranë, por ka edhe një version tjetër ku thuhet se ai u pushkatua në Kodrën e Kryegjyshatës Bektashiane.[27]

Sipas Katriot Dervishit, “Lef Nosi i ka “ftuar” xhelatët e tij t’i jepnin fund kësaj komedie siç e kishin nisur duke mos pasur as besimin më të vogël në të ashtuquajturën “drejtësi të popullit” që nuk ishte gjë tjetër veçse vegla e Partisë Komuniste në ekzekutimin e planit famëkeq për zhdukjen e kundërshtarëve politikë dhe të njerëzve të ditur të këtij vendi.”[28]

Adelina Kosturi, pak vite më parë në moshën 92-vjeçare, në lidhje me ekzekutimin e Lef Nosit kujton: “Fill pas pushkatimit, kunati im, Jorgaq Kosturi, që ka vdekur prej shumë vitesh, mori dy punëtorë, i mbuloi me dhé, se ishin varrosur shumë cekët dhe vendosi një kavanoz tek këmbët e Lefit për ta identifikuar më vonë. Ky varr nuk është gjetur akoma”.[29] Personin që tradhtoi Lef Nosin, sipas Adelina Kosturit, “më pas e graduan nga kapiten në major dhe me sa di unë, bëri 10 vjet burg, u lirua pas viteve ’90 dhe sot gëzon statusin e të përndjekurit politik, madje shkruan edhe kujtime?!”[30]

 

 

 

 

Literatura e përdorur

Arkivi Qendror Shqiptar

Arkivi i Ministrisë së punëve të Brendëshme

AMB, F. 1, D.1068. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.
AMB, F.1, D.9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.

1912-1937 Dokumenti i shpalljes s’Indipendencës Kobëtare në Vlonë më 28 Nanduer 1912 edhe fytyrat e përfasuesvet të popullit shqiptar që paten fatin e lumtun me e shpallë. E boton Lef Nosi. Ribotimi asht I rezervum. Tiranë 28 Naduer 1937. (Dokument i fotokopjuar.)

Deçja, Klevisa, “Kur injoranca ndëshkonte intelektualët….” URL:  http://www.lajmishqip.com/?p=13958 (23. 11. 2012)

Deçja, Klevisa, “Proceset famëkeqe: diktatura e gjykoi tradhtar Lef Nosin”. Standard. – Nr. 1559, 29 maj, 2010, f. 16 – 17.

Elsie, Robert, Historical Dictionary of Albania. Second edition. Maryland: Scarecrow Press 2010, f. 335.

Gazeta Zyrtare, 23 dhjetor 1944, Nr. 2, f. 2.

Historia e Sigurimit të Shtetit, 2, botim i brendshëm i MPB-së, sekret.

Sadiku, Miranda, “Dokumentet, si u pushkatua Lef Nosi, miku i Qemal Stafës”, Gazeta Panorame, dt. 31 Janar, 2012. Online: URL: http://www.panorama.com.al/2012/01/31/dokumentet-si-u-pushkatua-lef-nosi-miku-i-qemal-stafes/ (19. 11. 2012)

Zane, Hyqmet, “Ditët e fundit të Lef Nosit Para Pushkatimit”, në: ”http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=SHQIPTAR%C3%8BT&article=19779 (dt. 19. 11. 2012)

 



[1] Në lidhje me dënimet e personave të sipërshënuar shih: AMB, F. 1, D. 1068. -AMB, F. 1, D. 9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.

[2] Po  aty.

[3] Po  aty.

[4] Po aty.

[5] Po aty.

[6] Po  aty.

[7] Po aty.

[8] Po aty.

[9] Po aty.

[10] Po aty.

[11] Po aty.

[12] Po aty.

[13] Po aty.

[14] AQSH, F. b 497 V. 1945, D. 1945, Dt. 17 prill 1945,  Fl. 16/12.

[15] Po aty.

[16] “Gazeta Zyrtare”, Tiranë e shtunë më 23 dhjetor 1944, Nr. 2, f. 2.

[17] 1912-1937 Dokumenti i shpalljes s’Indipendencës Kombëtare në Vlonë më 28 Nanduer 1912 edhe fytyrat e përfasuesvet të popullit shqiptar që paten fatin e lumtun me e shpallë. E boton Lef Nosi. Ribotimi asht I rezervum. Tiranë 28 Naduer 1937. (Dokument i fotokopjuar.)

[18] AMB, F. 1, D. 1068, AMB, F. 1, D. 9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.

[19] “Gazeta Zyrtare”, Tiranë e shtunë më 23 dhjetor 1944, Nr. 2, f. 2.

[20] Në lidhje me dënimet e personave të sipërshënuar shih: AMB,F.1, D.1068. -AMB, F.1, D.9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.

[21] Klevisa Deçja, “Kur injoranca ndëshkonte intelektualët….” URL  http://www.lajmishqip.com/?p=13958 (23. 11. 2012)

[22] AMB,F.1 , D. 1068. -AMB, F. 1, D. 9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.

[23] Po aty.

[24] “Lef Nosi was brought to trial in February 1946, together with Anton Harapi and former prime minister Maliq bey Bushati. According to the British Military Mission, which covered the trial: The trial took place, in eight sessions, in a squalid cinema in Tirana before a house packed by Party members who constantly interrupted and jeered, while three military judges on the stage kept hurling accusations and abuse at the defendants, jointly and severally. All three were held responsible for, among other things, Albania’s entire war losses…. Defendant’s counsel was howled down as a ‘fascist’ and never succeeded in making himself heard… The three accused were shot two days afterwards, on 15 February.” Robert elsie, Historical Dictionary of Albania. Second edition. Maryland: Scarecrow Press 2010, f. 335.

[25] Klevisa  Deçja,  “Kur injoranca ndëshkonte intelektualët….” URL  http://www.lajmishqip.com/?p=13958 (23. 11. 2012)

[26] AQSH, F. 889, V. 1946, D. 204, fl, 55.

[27] Hyqmet Zane, “Ditët e fundit të Lef Nosit Para Pushkatimit”, në: ”http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=SHQIPTAR%C3%8BT&article=19779 (dt. 19. 11. 2012)

[28] AMB,F.1, D.1068. -AMB, F.1, D.9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.

[29] Hyqmet Zane, “Ditët e fundit të Lef Nosit Para Pushkatimit”, në: ”http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=SHQIPTAR%C3%8BT&article=19779 (dt. 19. 11. 2012)

[30] Po aty.

Filed Under: Histori Tagged With: Edmond malaj, Lef Nosi, Persekutimi i ekzekutimit

HUMBIN SHQIPTARËT NË ULQIN

January 28, 2014 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Thonë se bashkimi bën fuqinë, ndërsa përçarjet gjithmonë përfundojnë në disfatë.  Kjo fjalë e urtë merr një domethënje të veçantë kur flitet për mungesën e bashkpunimit midis faktorëve politikë anë e mbanë trojeve shqiptare, por sidomos i përshtatet faktorëve politikë të shqiptarëve nën Ma të Zi, ku një grusht shqiptarësh janë të ndarë në një dyzinë partishë dhe faktorësh të tjerë politikë.   Të djelën që kaloi, në Komunën e Ulqinit u mbajtën zgjedhjet për qeverinë e ardhëshme komunale.  Sipas informacioneve nga media e Ulqinit, shumicën e vendeve në Kuvendin e Komunës së Ulqinit i fitoi, për herë të parë, në këto 20-e sa vitet e demokracisë faktori politik malazez, Partia Demokratike e Socialistëve, PDS.

Shumë nga problemet e sotëme të shqiptarëve në Mal të Zi mund t’i atribohen politikave të hershme dhe aktuale të Cetinës ose Podgoricës kundër interesave të shqiptarëve në trojet e veta, por humbja e faktorit shqiptar në zgjedhjet e fundit në komunën e Ulqinit duhet të vendoset aty ku e ka vendin — para dyerve të partive dhe faktorëve të tjerë politikë dhe udhëheqsve të tyre, në rrethin e Ulqinit. Gjatë dy dekadave të fundit, anë e mbanë trojeve shqiptare, krijimi i partive dhe faktorëve politikë është këthyer në një industri të vërtetë, por është një industri e cila nuk krijon punë për askënd, përveçse garanton vetëm punësimin e  kryetarit të partisë,gjithmonë në kurriz dhe pa marrë shumë parasyshë interesin e përbashkët.  Kjo ka  ndodhur edhe në radhët e shqiptarëve nën Mal të Zi, por u vu në dukje haptas të djelën që kaloi, ku sipas dhënave mund të ketë pothuaj një dyzinë partishë dhe faktorësh të tjerë politikë, iniciativash qytetare e tjera, për një popullsi shqiptare që nuk i kalon 50 mijë banorë.   Ndoshta një gjë e tillë nuk do të ishte aq katastrofale, nëqoftse atyre nuk do tu mungonte bashkrendimi i mirëfilltë i politikave dhe strategjive bashkrenduese, në interesin e përbashkët të popullësisë shqiptare të atyre anëve. Është e qartë se për derisa të vazhdojnë këto përçarje në radhët e faktorëve politikë të shqiptarëve në Mal të Zi, ata vet si udhëheqës dhe as problemet me të cilat përballen shqiptarët nën Mal të Zi, nuk do të merren seriozisht as nga Tirana as nga Prishtina, madje as nga ndërkombëtarët — por mbi të gjitha, as nga  qeveria në Podgoricë, e cila do të vazhdojë të luaj me fatin e tyre politik dhe ekonomik, për derisa shqiptarët të mos kenë një strategji veprimi të përbashkët politike. Numëri i madh i këtyre partive nuk është asgjë tjetër veçse një fushë e përshtatshme për tu shfrytëzuar në bazë të thënjes së vjetër romake, “Divide et Impera”, përçajë e sundo.

Shpresoj që zgjedhjet e të djelës që kaloi në komunën e Ulqinit të jenë një zgjim nga gjumi, nga një ëndërr e keqe, dhe që të ketë tronditur politikanët shqiptarët të këtyre trevave.  Si rrjedhim, ende ka mundësi për shpresë se ata do të shikojnë përtej interesave të ngushta të karrigave të tyre partiake dhe të bashkohen për interesin e përbashkët të shumicës së banorëve të Komunës së Ulqinit.  Ende ka mundësi për ndreqjen e gabimeve para zgjedhore.  Ka ende mundësi për shpëtim, ka ende mundësi që politikanët shqiptarë të riabilitohen, jo vetëm në sytë e banorëve të kësaj treve, por  edhe në sytë e të tjerëve jashtë kësaj komune, qoftë mbrenda Malit të Zi, qoftë jashtë tij.  Pasi nevojiten 17 vende për të qeverisur Komunën e Ulqinit, lind pyetja nëse a do të bashkohen tani në koalicion, të pakën tri partitë kryesore të shqiptarëve të cilat duke bashkuar forcat, do të përbënin shumicën dhe si të tillë do të mund të qeverisin përsëri Ulqinin?

Kjo besoj është dëshira e të gjithë shqiptarëve kudo, por sidomos e banorëve të Ulqinit të cilët duan një qeverisje që do të mbronte dhe do të mështeste interesat e tyre politike, ekonomike dhe kombëtare.  Duke iu referuar udhëheqësve të tri partive kryesore të shqiptarëve, redaksia e faqes elektronike, Lajme Nga Ulqini, në një artikull me titull: “A do të bashkohen këta tre burra që të shpëtojnë fëtyrën e ulqinakëve”, pyetje me vend dhe me seriozitetin më të madh, drejtuar klasës politike të Ulqinit, duke nënvijuar siç duket shqetësimet e mëdha në radhët e banorëve të asaj komune. Duke shprehur shqetsimet e saja mbi të ardhmen e komunës, redaksia bën këto pyetje:   “A do të bashkohen këta tre burra për të shpëtuar fytyrën e Ulqinakëve? Apo ndoshta këta tre burra nuk do të mund të merren vesh se kujt t’i takojë ulësja e kryetarit të qytetit, e kujt ajo e kryetarit të Kuvendit? A do mund të merren vesh këta burra se kush do udhëheqë me departamente të ndryshme të komunës?  Apo ndoshta këta tre burra as që e kanë ndërmend të bisedojnë për një gjë të tillë?  Ndoshta për ta ky opsion nuk do të shqyrtohet fare, ose do të shqyrtohet sa për sy e faqe, ashtu siç u shqyrtua opsioni i bashkimit për zgjedhjet parlamentare, e i cili dështoi ende pa nisur mirë.  E kjo “tentativë” do ju shërbejë, si edhe më heret, për të fajësuar njëri tjetrin për dështimin e iniciativës.   A do të mendojnë një herë të vetme këta tre burra për të mirën e qytetarit, për të mirën e shqiptarëve në Ulqin?   Ne qytetarët gabuam, kush me dëshirë, kush nga mosdija, e kush nga kushtet e vështira me të cilat po manipulon shtresa politike.   Por a do gabojnë edhe këta tre burra, e do lejojnë këtë njollë në historinë e Ulqinit të shqipeve?   Nazif, Fatmir e Mehmet, mendojini mirë veprimet tuaja sepse ju do shkruani historinë tonë, ju do vizatoni të ardhmen tonë. Mos shkatërroni atë për çka të parët tuaj e tonët kanë dhënë edhe jetën. Mendoni mirë …”, shkruhet në faqen elektronike Lajmet nga Ulqini.

Përfundimi i zgjedhjeve  të së djelës në Ulqin dhe gjëndja politike dhe ekonomike e shqiptarëve në Mal të Zi në përgjithësi, ndiqen me interesim të madh edhe nga diaspora e madhe në numër nga ato troje shqiptare, sidomos nga diaspora që ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Ameikës.   Njëra prej organizatave që  vepron në Nju Jork, Shoqata Shqiptaro-Amerikane, “Ana e Malit” e cila grumbullon rreth vetes shqiptarët e emigruar në Amerikë nga ato troje, i dërgoi një letër të hapur  udhëheqësve të subjekteve politike të komunës së Ulqinit duke u bërë thirrje që tri partive kryesore të shqiptarëve dhe udhëheqsve të tyre, (Forcës së re Demokratike, Koalicionit “Për të Ardhmen e Ulqinit” dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve) që  të bashkojnë fuqitë duke krijuar kështu një shumicë në kuvendin e komunës, ndonëse shumica dërmuese e kësaj komune janë shqiptarë.  Letra e hapur e shoqatës “Ana e Malit”, shprehë ndjenjat e shumë shqiptarëve jo vetëm në diasporë, kurë shprehet se, “Apeli i ynë buron thjeshtë nga ndjenja e dashurisë sonë për vendlindjen dhe të ardhmen e saj. Tani është momenti që Ju të lëni në një anë interesat partiake, dhe vendimin Tuaj t’a bazoni në interesat e përgjithshme kombëtare apo në interesat e shumicës shqiptare të Komunës së Ulqinit.  U  jemi drejtuar me këtë rast pasi që juve u është dhënë edhe një mundësi e fundit që gjendjen ta ktheni në tabanin kombëtar dhe që asnjë subjekt politik shqiptar, të mos bëhet derë e hapur për dorëzimin e Komunës.  Ju bëjmë thirrje që të shfrytëzoni këtë mundësi në favorin tuaj duke marrë parasyshë se çdo opcion tjetër shkon kundra interesit të pergjithshëm dhe do të mbani përgjegjësi dhe do të merrni gjykimin e përshtatshëm në faqet e historisë. Gjeneratat e ardhshme nuk do t’ju gjykojnë në bazë të asaj se çka është folur, por në bazë të asaj se si keni vepruar dhe koha është tani për të vepruar”, përfundon letra e kryesisë së Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Ana e Malit” në New York, drejtuar klasës politike të shqtarëve nën Mal të Zi.

Edhe po të doja, unë nuk mund të shprehesha ndryshe dhe as më mirë se nga thirrjet e mësipërme drejtuar ndërgjegjes së faktorëve politikë të shqiptarëve në rrethin e Ulqinit.  Shpresoj që këto thirrje të mos jenë thirrje në shkretëtirë, por të plotësohet dëshira e popullit për unitet dhe strategji të përbashkët programesh për përmirësimin e jetës të të gjithë banorëve të asaj komune. Thirrjet e banorëve të komunës Ulqinit, të pasqyruara në shkrimin e agjencisë, “Lajme nga Ulqini” dhe letra e hapur e të mërguarve shqiptarë në Amerikë nga Ulqini me rrethe, për nga forca e tonit të ashpër,  janë tepër dëshpëruese nga një anë, por edhe shpresëdhënse nga ana tjetër se udhëheqsit politikë të partive shqiptare nën Mal të Zi, më në fund do të tregojnë ndërgjegje dhe përgjegjësi të lartë morale dhe politike duke dëgjuar zërin dëshpërues por shpresëdhënës të shqiptarëve kudo, i cili thërret për bashkim të forcave politike shqiptare në Mal të Zi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, humbin shqiptaret, Ulqin

Në OKB Përkujtohet Dita Ndërkombëtare e Holokaustit

January 28, 2014 by dgreca

Jetën ja detyroj shqiptarëve…  Po qe se bota do të ishte shqiptare ne nuk do të flisnim për Holokaust sot, tha znj.Johanna Nehumann e mbijetuara e Holokaustit/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në Ditën Ndërkombëtare përkujtimore të Holokaustit në mjediset e Kombeve të Bashkuara u bënë homazhe për 6 milion hebrenj, viktima të Holokaustit nazist te udhëhequra nga Hitleri.27 Janari është ditë që përkon me kampin e shfarosjes së Auschwitz-Birkenau i cili u çlirua në vitin 1945.

Kjo Ditë Ndërkombëtare përkujtimore kthehet në edukimin e gjerë të popujve, duke u shfaqur filma të ndryshëm, dëshmi, seminare që këto histori makabre mos të përsëriten më.  Megjithatë tragjeditë në vende të ndryshme të botës ende po vazhdojnë, jo shumë larg le të kujtojmë Kosovën tonë martire ku bisha serbe vrau, dogji, masakroi, dhunoi, apo dhe në ditët e sotme, popullin e pafajshëm ne Siri, Ruandë etj…

Në selinë qëndrore të OKB-s në sallën e konferencave u zhvillua panel diskutimi me temë:  “Një komunitet i shpëtuar” organizuar nga organizata B’NAI B’RITH International në bashkëpunim me Misionin e Përhershëm shqiptar në Kombet e Bashkuara në diten përkujtimore ndërkombëtare të Holokaustit.  Në sallë ishin plot shqiptarë, veprimtarë të dalluar, të mbijetuar të Holokaustit, si dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York Ambasador Bekim Sejdiu, Konsulli pranë Misionit të Përhershëm në OKB z.Petrika Jorgji etj.

Fjalën e hapjes e mbajti presidenti i B’NAI B’RITH International Allan J.Jacobs i cili shprehu mirënjohjen e pakufishme për popullin shqiptar.  Moderatori i programit ishte z.Daniel S.Mariaschin zv/president B’NAI B’RITH International  i cili ia dha fjalën Ambasadorit të përhershëm pranë OKB-s z.Ferit Hoxha.  Në fjalën e tij Ambasadori Hoxha tha: “Qëkur mbaroi lufta e dytë botërore 6000 libra janë shkruajtur dhe po shkruhen çdo vit duke dokumentuar të vërtetën se çfarë hebrenjtë kanë kaluar gjatë jetës së tyre.  Në librat e shkruara shumë pak është shkruajtur rreth shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri.  Komunizmi i dogji dokumentat për 50 vjet dhe ne duhet të prisnim për vitin 90 në përmbysjen e komunizmit që të kishim dritën e parë të dëshmisë.

Fatmirësisht gjatë këtyre dy dekadave të fundit janë zbuluar dokumente, dhe kanë sjellë gjërat të çmuara dhe gjërat e çmuara janë identifikuar”.

Ndërsa Shirley Cloyes Dio Guardi Këshilltare e çështjeve ballkanike e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në panelin e diskutimit tha se: çfarë kanë bërë shqiptarët për të shpëtuar hebrenjtë duhet të kuptohet kultura e tolerancës fetare midis shqiptarëve.  Ata janë popull i mrekullueshëm, mikpritës dhe të besës.  Dy kongresistët amerikanë Tom Lantoshi i mbijetuar i Holokaustit  dhe Dio Guardi me origjinë shqiptare shkuan në Kosovë dhe ishin ndër të parët që dëgjuan historitë se si hebrenjtë ishin shpëtuar nga shumë familje shqiptare.  Të gjitha këto histori u përhapën si vetëtima në të gjithë botën.

Shirley dhe Joe Dio Guardi janë dy veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare.

Fjala e znj.Johanna Nehumann e mbijetuar e Holokaustit ishte tejet emocionante.  Ajo transmetoi mesazhin e fuqishëm se: Jetën ja detyron shqiptarëve…  Po qe se bota do të ishte shqiptare ne nuk do të flisnim për Holocaust sot. Znj.Nehumann ka lindur në Hamburg Gjermani dhe ndjehej me shumë fat që mbijetoi me prindërit e saj nga populli shqiptar.

Znj.Melina Lito foli për gjyshin e saj që kishte punuar në spitalin e Prishtinës dhe kishte ndihmuar 60 të burgosur hebrenj.  Gjyshi i saj ishte doktor dhe kur zyrtarët gjermanë i thanë se do t’i çonin në kampin e përqëndrimit në Poloni, ai gjeti një rrugë tepër të zgjuar për t’i mbrojtur ata.  Ju tha se ata janë me sëmundjen e tifos dhe i frikësoi se në se do t’i çonin atje do të përhapej me shpejtësi dhe do të prekte dhe punonjësit gjermanë.  Ata u frikësuan dhe hebrenjtë i çuan në Shqipëri, në Kavajë, Vlorë dhe shpëtuan nga shfarosja.

Ndërsa znj.Majlinda Myrto tha se ishte e nderuar që të fliste në emër të shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë nga Hitleri dhe jam e gëzuar t’ju tregoj historinë e familjes së bashkëshortit tim.  Vjehrri im, i ndjeri Shyqyri Myrto u takua me Joseph Jakoel në shkollë të mesme dhe ishin shokë.  Në pranverë të vitit 1944 kur erdhën gjermanët të cilët po kërkonin çdo emër hebre, vjehrri im me lejen e prindërve të tij i ftoi Joseph dhe Keti të strehoheshin në shtëpinë e tyre për t’i ruajtur nga ushtria hitleriane.  Ata ndenjën atje për 6 muaj.  Të gjithë fqinjët e dinin që ishin hebrenj dhe i mbanin tepër sekret.  Vjehrri i kishte treguar se kur gjermanët erdhën nëpërmjet derës kryesore ata nuk e hapën derisa i fshehën dhe Ketin e veshën me kostum shqiptar dhe e çuan në dhomë, atyre u thanë se burrat nuk janë të lejuar të vizitojnë.  Ata e vazhduan shoqërinë përgjithmonë.  Në vitin 1991 u larguan nga Shqipëria për në Izrael.  Ata përherë kanë shprehur mirënjohjen për vjehrrin tim, por familja ka vepruar natyrshëm se në se Jozefi dhe Keti do të kishin të njejtën situatë dhe ata do ta bënin për ne. Gjithmonë mendoj se ai ishte nje burrë i veçantë dhe jam shumë krenare për të.  Unë vetëm dëshiroj të jem një rol model për femijët e mi siç ishte ai dhe do ta mbyll duke thënë: Në se njerëzit do të jenë më të pranueshem dhe tolerant me njeri tjetrin kjo do të filloj nga unë.

Duke marrë pjesë në këtë panel diskutimi dhe në Ditën përkujtimore të viktimave të Holokaustit mendoj se gjithë bota duhet të edukohet që këto krime barbare të mos ndodhin më kurrë, ndaj dhe duhen dënuar.

 

27 Janar, 2014

Manhattan, New York

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: e Holokaustit ne OKB, Perkujtohet Dita nderkombetare

MESAZHI I ATE NIKOLLA MARKU PER DIASPOREN SHQIPTARE

January 28, 2014 by dgreca

*PERSHENDETJE TE PERZEMERTA DIASPORES SHQIPTARE KUDO QE NDODHET/

*ANASTAS JANULLATOS PERFAQSUES I SHOVINIZMIT MODERN GREK NE SHQIPERI/

*PUSHTUESI I KISHES ORTODOKSE KOMBETARE SHQIPTARE QUHET ANASTAS JANULLATOS. KY NJERI I VESHUR ME RROBEN E KRYEPESHKOPIT ESHTE SHOVINISTI MODERN EUROPIAN I VORIO-EPIRIT.

*GJITHCKA QE BEN KY NJERI NE SHQIPERI, ESHTE NE SHERBIM TE PROJEKTIT VORIO-EPIR NE JUGE  TE SHQIPERISE.

*NDERTIMI I KISHAVE ME FINANCIME TE FSHEHTA, DO TE NA KTHEHEN NE KISHA TE VORIO-EPIRIT. KY ESHTE PLANI I RREZIKSHEM PER TE ARTHMEN E KOMBIT SHQIPTAR.

NGJARJET E ORGANIZUARA ME QELLIM TE VECANTE NGA JANULLATOS DHE DISA BASHKPUNTORE TE TIJE , NGJARJE SI, CVARRIMET TRONDITSE TE VARREVE SHQIPTARE, VARREZAT E USHTRISE VRASESE DHE KRIMINALE GREKE  GJATE LUFTES DYTE BOTERORE NE KELCYRE, NGJARJET E DHUNSHME  NE PERMET TE ORGANIZUARA DIREKT NGA  ANASTAS JANULLATOS, BENE QE STATUSI I VENDIT KANDIDAT PER NE BASHKIMIN EUROPIAN TE HUMBASE PER MOMENTIN.

ANASTAS JANULLATOS, KY KLERIK SHOVINIST, FATKEQSISHT MORI DHE MBESHTETJEN E AT ARTUR LIOLINIT, KY I FUNDIT I INFLUENCUAR  ME FRYMEN E LOBIT GREK NE SHBA. SHPRESOJ QE QENDRIMI I TIJE TE NDRYSHOJE.  AT ARTUR LIOLIN DUHET TE DENOJE TE GJITHA VEPRIMET E JANULLATOSIT NE DOBI TE SHOVINIZMIT GREK KUNDER SHQIPERISE.

ANASTAS  JANULLATOS, KY SHOVINIST  MODERN I VESHUR ME RROBEN E PRIFTIT ORTODOKS, NE EMER TE KISHES ORTODOKSE SHQIPTARE, NUK ESHTE GJE TJETER  VETEM SE FANTAZMA E NJE PRETENDIMI TERRITORIAL SHOVINIST GREK NDAJ GJYSMES SE SHQIPERISE.

UNE I KUJTOJ GJITHE SHQIPTAREVE KUDO QE NDODHEN SE, ORTODOKSIA SHQIPTARE ESHTE VEPER E FAN NOLIT DHE MBRETIT ZOG. FAN NOLI KY KRYEPESHKOP I PERJETSHEM, NA KUJTON GJITHMONE SE KISHA ORTODOKSE KOMBETARE SHQIPTARE, NUK KA ASGJE TE PERBASHKET ME ORGANIZIMET POLITIKO-EKONOMIKE TE PATRIARKANES NE DEM TE SHQIPERISE. VEPRIMTARIA E JANULLATOSIT ESHTE ANTI FETARE, ANTI SHQIPTARE, ANTI PERENDIMORE, ANTI AMERIKANE.

ANASTAS JANULLATOS DHE BASHKPUNTORET E TIJE, DUHET TE LARGOHEN MENJEHERE NGA SHQIPERIA, SEPSE JANE ORGANIZATA E SHOVINIZMIT GREK NE DEM TE SHQIPERISE. VORIO-EPIR GREK NUK KA, POR KA CAMERI DERI TEK GURET E ARTES, KA GENOCID GREK NDAJ KOMBIT SHQIPTAR , KA GENOCID SERB NDAJ KOMBIT SHQIPTAR.

DY VENDET FQINJE, ME POLITIKA TE DEMSHME NDAJ SHQIPERISE MARTIRE, POR ME POPULLSI TE RESPEKTUSHME DHE PAQSORE, DUHET TI KERKOJNE KOMBIT SHQIPTAR FALJE. TI SHTRIJNE DOREN E MIQESISE DHE BASHKJETESES SE PERBASHKET. ZOTI NA KA BEKUAR NE KETO TROJE QE KEMI, LE TA FALENDEROJME DHE TE RROJME NE PAQE.

AT NIKOLLA MARKU, KISHA ORTODOKSE PAVARUR KOMBETARE SHQIPTARE SHEN MARIA ELBASAN.

 

Filed Under: Featured

Albanians for a Democratic Albania

January 28, 2014 by dgreca

Albanians for a Democratic Albania/

January 28, 2014/

Joseph M. McShane, S.J./

President, Fordham University/
Cunniffe House
Rose Hill Campus
441 E. Fordham Road
Bronx, NY 10458

Dear Mr. McShane:

I am writing to inform you that Fordham’s decision to bestow an honorary degree upon Anastasios Janullatos is viewed as an insult to Albanians throughout the world.

You should be aware that the wide majority of Albanians in Albania and among our Diaspora consider Col. Janullatos to be an interloper and provocateur.  We know him as an agent of Greek belligerents who seek the further annexation of southern Albania by Greece and who remain unapologetic for human rights violations committed upon Albanians.  

Albanians have a simple message for Janullatos: leave the Albanian Orthodox Church in the hands of Albanians where it belongs!

Sincerely,

Gary Q. Kokalari

Albanians for a Democratic Albania

New York, NY

 

www.adausa.org

 

Filed Under: Featured Tagged With: Gary Kokalari, Joseph M. McShane, S.J

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT