Archives for February 2014
Pse jetojmë?
Opinion nga Faik KRASNIQI/Prishtine/
Lumturohemi me faktin që jetojmë në këtë jetë, që na pushton fort nën krahët e saj dhe na dhuron emocione të paimagjinuara, ëmbëlsohemi me freskinë dhe aromën e puthjeve që na dhuron dashuria e jetës sonë, meditojmë dhe ëndërrojmë për diçka më shumë, gjithmonë më shumë, sa herë i afrohemi një pragu më të lartë, përsëri nuk ngopemi me dëshirën për të shkuar më tej, kjo është të jetojmë si njerëz, të logjikojmë si njerëz, të edukohemi si njerëz dhe të ëndërrojmë dhe veprojmë si të tillë.
Jetojmë, përse jetojmë?
Qëllimi i gjithsecilit është të lëmë ‘’gjurmë’’ në këtë tokë. Të ndihet emri ynë në ketë jetë, të mundohemi që nëpërmjet inteligjencës, zgjuarsisë, kureshtjes, hamendësimeve, ironisë, kënaqësisë, dashurisë, praktikës dhe veprave tona, të luftojmë për një jetë më të mirë. Jetojmë që brezat që vijnë ta shohin me nostalgji punën dhe veprat e të parëve të tyre, dhe të luftojnë dhe ata që jeta e pasqyruar në shpirtin e stërmunduar të një brezi te mëparshëm, të gjejë përkrahje, mbështetje dhe të mos sugjestionohet nga frika e ekzistencës së një pesimizmi që kërkon të shuajë një planet të tërë.
Pse kemi lindur në këtë botë?
Shpesh gjykojmë se lindja jonë ka qenë e kërkuar nga të tjerë dhe jo nga ne, shpesh hidhërohemi me faktin që ne jemi pjellë e një ngjarje të emetuar nga shkarkime të fuqishme emocionale dhe erotike, që pushtuan një natë vere, dimri, vjeshte apo pranvere mendjet apo zemrat e prindërve tanë. Shumë herë e shohim jetën të mbështjellë nga ajo guaska e ledhatuar e duarve të prindërve, e sjelljes së influencuar të ambientit përreth, dhe shpesh nxitojmë në arritjen e konkluzioneve të personalizuara nga një logjikë e pastër e pa sterilizuar dhe pasterilizuar më parë nga shoqëria që na ëmbëlson apo hidhëron me fjalët dhe veprimet e saj.Kemi lindur në këtë botë, për t’i shërbyer të mirës së njerëzimit, edhe pse egoja njerëzore, kërkon që në radhë të parë të arrijë të mirat individuale, përsëri kjo gjë e parë në një këndvështrim më të gjerë, dhe më të fokusuar, gjithë përpjekja e tij, gjithë ai vullnet, sakrificë, forcë të vendosura dhe të ofruara në shoqëri, kanë një rol shumë të rëndësishëm, atë të çuarjes së shoqërisë drejt principeve më të larta të jetesës. Njeriu për njeriun është bishë, por është pikërisht kjo bishë e stërvitur inteligjente, që në saje të zgjuarsisë së saj arrin të emetojë me forcë, zjarr, dashuri, dhembshuri dhe zemërgjerësi, e në të njëjtën kohë bëhet burim i një ndenjeje të një smire të jashtëzakonshme në sytë e personave të tjerë, duke i bërë ata të gjykojnë mbi jetën e tyre, dhe të kërkojnë më shumë, duke nxitur tek ata shpirtin ambicioz, dëshirën për të arritur diçka më të mirë, për të arritur edhe ata majat.Ambicie e kushtëzuar nga një fakt pozitiv për mbarë njerëzimin, duam të korrim suksese, duam të jemi të parët, duam që askush të mos jetë mbi ne, dhe të jemi ne ata që komandojnë, e pra nëse çdo kush synon majat atëherë edhe e ardhmja do të jetë më e mirë, se në saje të këtyre përpjekjeve të gjithsecilit për të bërë diçka më të mirë për jetën e tij, në mënyrë të pandërgjegjshme ai krijon mundësi të reja, dhe shpresa të reja për brezat e ardhshme.
Jetojmë, luftojmë, krijojmë, ndërtojmë, një të ardhme që të jetë shembull për të gjithë, edhe pse shpesh e lyer me gjakun e kuq të sakrificave njerëzore, kjo e ardhme duhet të jetë e denjë për brezat që do të vijnë.Jetojmë për të ndihmuar atë që ka më shumë nevojë. Shpesh hidhërohemi duke parë mijëra persona të lënduar, persona të dëshpëruar, persona pa familje, pa strehë, pa të ardhme, pa para, pa praninë e një njeriu të dashur, që t’i shtrëngojë fort në gjirin e tij dhe t’i japi ngrohtësi. Jetojmë në një jetë që është shumë kapriçoze dhe që nuk të afron pranë vetes, por të qëndron e ftohtë, e egër, e ashpër, e dhunshme, shpesh e pafajshme në sjelljen e saj, dhe e kushtëzuar nga veprimi i disa personave që deklarojnë se janë ata që do t’i vijnë në ndihmë paqes, mirëkuptimit, tolerancës, dashurisë dhe një të ardhmeje më të mirë. Duam të jemi të lumtur, duam të jemi të parët, duam të arrijmë çdo gjë që ëndërrojmë dhe dëshirojmë, duam të duhemi, duam të na jepet ngrohtësi, duam që të gjejmë mirëkuptim, po vallë ku po i kërkojmë këto? Nëse nuk alternojmë vizionin e fantazisë së logjikës sonë me dashurinë e emetuar me forcë, zjarr dhe pasion nga zemra jonë, atëherë jeta do të jetë vetëm një vazhdueshmëri e njëtrajtshme e një vije fundi i së cilës është toleranca zero. Jeta është e bukur, jeta është e dashur, jeta është e mbushur plot gëzim e hare, por që të arrish të futesh në zemrën e saj, në të privilegjuarit e saj, duhet që më parë të shikosh në brendësi të vetes, dhe të kuptosh se çfarë kërkon vërtet të arrish, cili je dhe si mund ta vësh zgjuarsinë tënde në të mirë të çdo kujt që të rrethon, duke i bërë mirë vetes, por në të njëjtën kohë duke i dhuruar dashuri, paqe dhe mirësi dhe personave që të rrethojnë. Mos e shikoni jetën si një plaçkë që mund ta bleni dhe ta hidhni kur të doni, ajo është e vyer, e shenjtë dhe e dlirë. Portat e saj janë të hapura, por më parë duhet t’i gjeni ato, për të arritur atë që të gjithë dëshirojmë, një të ardhme më të mirë dhe më të lumtur, paqe, harmoni, dhe gëzim.
ZOT I MADH SHPËTOI SHQIPTARËT NGA VETVETJA! ALI AHMETI I BISHTNON PRESIDENTIT KONSENSUAL
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Dua të kthehem paksa prapa në kohë, kur në Maqedoni nuk kishte shpërthyer ende konflikti që do ta vinte në qendër të vemendjes Ali Ahmetin si hero dhe do të sillte për pasojë Marrëveshjen e Ohrit, e cila edhe sot e kësaj dite nuk është e implementuar.
Kur hymë në Maqedoni atë botë si gazetë, ishte viti 1999-2000, ne filluam të denonconim segregacionin sllavomaqedon kundër shqiptarëve, por nuk kaloi shumë dhe u shkua deri aty sa do të na akuzonin si shkaktarë që rrezikonim stabilitetin e Maqedonisë. Për të qeshur dhe qarë.
Nuk janë përralla, po realitet. Një realitet që ka ndodhur jo më larg se një dekadë e ca më parë. Mjerisht ata që i ngritën këto akuza kundër nesh duke i shtyrë militantët të pengonin shitjen e gazetës, e cila përpihej nga shqiptarët e Maqedonisë, ishin shqiptarë – atë kohë në pushtet. Si reaksion i këtyre akuzave monstruoze, gazeta Bota Sot digjej në Shkup e Tetovë dhe bëhej gjithçka që të pengohej shpërndarja deri sa iu ndalua botimi në Maqedoni.
Paralelisht në Zvicër u përcoll „akuza“ kundër gazetës dhe ne gazetarëve të saj për racizëm antisllav, e cila na solli andralla të tjera, por që në fund fitoi drejtësia dhe ne dolëm të pafajshëm, ndërkohë që ambasadori shqiptar i asaj kohe i Maqedonisë nuk do të vononte e do të shpallej non grata nga autoritetet zvicerane, sepse flitej se kishin kapur të ngiste makinën në gjendje të dehur!
Dolëm të pafajshëm, sepse drejtësia në Zvicër nuk është si në Ballkan! Dhe ne si gazetarë asnjëherë nuk përdorim gjuhën e urrejtjes dhe dasive, as kundër shqiptarëve dhe as kundër kombeve të tjera. Kështu, kush do t’i analizojë shkrimet tona me një lupë të madhe, nuk do të gjejë kurrë diçka që bie ndesh me principet demokratike, të cilat ne i kemi udhërrëfyese si profesionistë.
Ne kërkojmë që shqiptarët të jenë të barabartë mes të barabartëve, të jenë europianë midis europianëve. Dhe është shumë e lehtë të kërkosh të drejta nga këto pozita që i kërkojmë ne, sepse vizioni jonë është thellësisht Perëndimor, por problemi është kur përballemi me mendësinë arriviste dhe tribale të klasës politike shqiptare, e cila është kthyer në një hendikep të madh për integrimet e shqiptarëve në Europë.
Siç po flasin edhe lajmet e fundit që vijnë nga Maqedonia, ku Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partia e Ali Ahmetit, heroit të luftës dhe antiheroit të paqes, që bashkëqeveris vendin që pas konfliktit të Maqedonisë bashkë me VMRO-DPMNE ka deklaruar se do t’i bojkotojë zgjedhjet presidenciale.
Ky prononcim nga BDI vjen si kundërthënie në kohën, kur Partia Demokratike Shqiptare e opozitës ka paraqitur si kandidat të saj për president Iljaz Halimin, zyrtar i lartë i kësaj partie dhe ish-nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë.
Pra prapë shqiptarët janë të ndarë e përçarë. Në vend të bashkimit të të gjithë faktorit politik shqiptar, Ali Ahmeti i bishtnon bashkërendimit dhe mbetet nën varësinë e VMRO-DPMNE.
Rreth një presidenti të përbashkët konsensual të faktorit politik shqiptar në Maqedoni është shprehur edhe Rufi Osmani, kryetari i partisë Rilindja Demokratike Kombëtare. Rufi Osmani iu bëri thirrje dy partive më të mëdha shqiptare, BDI dhe PDSH, që pavarësisht ndarjeve, për këtë çështje duhet të bëhen bashkë dhe të dalin me një emër të përbashkët. Këto thirrje kanë rënë në vesh të shurdhët.
Tani qëndrimet e dy partive kryesore i kemi të qarta, ashtu si edhe qëndrimin e Ali Ahmetit që i bojkoton zgjedhjet presidenciale.
Edhe një herë u shfaq në dritën e diellit qëndrimi destruktiv dhe obstruksionist i faktorit politik shqiptar, në këtë rast i Ali Ahmetit i cili bllokon rrjedhat normale që duhet të ketë faktori shqiptar në Maqedoni.
Zgjedhja e një emri të përbashkët, e një shqiptari me integritet që e meriton të jetë kandidati i përbashkët për president i faktorit shqiptar, mendoj se është gjëja më e mundshme, por faktori politik sheh vetëm intersin e vet dhe pak interesohet për të përmirësuar dhe faktorizuar komunitetin e shqiptarëve si palë shtetformuese e vendit.
Klasa politike shqiptare në përgjithësi është mjeshtre për ta bërë të mundshmen të pamundshme në dëm të integrimeve të natyrshme të shqiptarëve në një shoqëri demokratike me perspektivë integrimin europian.
Por nëse shqiptarët nuk integrohen dot me veten, nuk gjejnë dot gjuhë të përbashkët, paçka se flasin të gjithë shqip, atëherë mbetet t’i lutemi Zotit që t‘i pështojë shqiptarët nga vetvetja!
DJALI YNË SHKËLZEN RAÇA
NGA KRISTO ZHARKALLIU /Athinë/
Shumë herë përpiqemi të kalojmë dhimbjen duke i u kthyer kujtimeve. 25 shkurti ishte një ditë e rëndë, një ditë që na shkaktoi dhimbje të thellë nga vdekja e papritur e “djalit” tone, historianit të njohur Shkëlzen Raça. Lajmin e zi nga Prishtina e mësova nëpërmjet internetit (si zakonisht, vitet e fundit, askush nuk u kujtua të më lajmëronte mua!)- se historian i shquar vdiq në moshon 62 vjeç. Është e natyrëshme dhe e kuptueshme që ndokush të pyesë: Pse duhej të të lajmëronin ty? Ç’lidhje mund të kishe ti me historianin dhe punonjësin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, kur banon më shumë se gjysmë shekulli në Athinë? Por kjo pak rëndësi ka. Humbja ishte e njëllojtë, e madhe. Shkëlzeni na braktisi në kulm të krijimtarisë së tij, kur kishte grumbulluar materiale të çmuara për historinë e Kombit Arbëror, duke mos arritur t’i nxjerrë të gjitha në dritë. Megjithatë ai na la botime të çmuara historike, sidomos për marrëdhëniet, lidhjet, bashkëvuajtjet dhe bashkëluftimet të shqiptarëve dhe grekëve. Ai rrëmoi dhe zbuloi arkiva dhe ngjarje historike të panjohura deri tani, për të cilat do të flasim më poshtë.
Shkëlzen Raçën e njoha aty nga fillimi i vitit 1981. Një mbasdite më trokit në derë dhe ,kur e hapa më tha, këshu thjesht, me dialektin e tij kosovar të asaj kohe: Jam student nga Prishtina dhe nuk di aspak greqisht. Më dërgoi tek ju arvanitasi Jani Profis i cili më tha se jeni i vetmi shqiptar që ai ka njohur në Athinë” Pa thënë asgjë pak i hutuar-jo se nuk isha mësuar të më vizitonin shqiptarë se aso kohe çdo shqiptar që do të kalonte nga Athina do të kërkonte të takohej me mua, (madje, si për të qeshur ca miq grekë më kishin ngjitur nofkën “ambassador shqiptar në Greqi” shumë më pare se të rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike të të dy vendeve), por për faktin se ishte student dhe nga Prishtina, gjë që nuk kishte ngjarë më pare.Ishte djal i ri aso kohe Shkëlzeni. Gjëja e pare që më bëri përshtypje tek ai ishte thjeshtësia dhe ai afrim i pa shtirur duke menduar se ishte i sigurtë se ndodhej në një shtëpi miqësore, në një shtëpi ku kishte të drejtë të hynte, ndonse nuk dinte shumë gjëra për mua. Më informoi se kishte fituar një burse studimore në Institutin e Gadishullit të Ballkanit në Athinë që drejtohej nga albanologu i njohur grek Titos Johallas dhe se nuk njihte asnjë njeri në Greqi dhe se Janis Profisin e kishte takuar në aeroport dhe i kishte kërkuar ndihmë. Profis ishte arvanitas dhe dinte disa fjalë shqip-gjë që ndihmoi shumë Shkëlzenin- dhe kur pa se studenti nga Prishtina nuk dinte nga t’ja mbante e mori në shtëpi në Koropi dhe atje i kishte rekomanduar të më drejtohej mua për ndihmë duke i dhënë si telefonin tim ashtu dhe adresën e shtëpisë. Ai nuk mori telefon duke menduar se ishte më mire të më paraqitej përpara që të më befasonte gjë që ja arriti si jo më mire.Më hyri në zëmër ai njeri që në çastet e para. E inkurajova dhe i thashë se e njihja Tito Johallën si të vetmin albanolog të vërtetë në Greqi. Ai hapi çantën dhe më dha disa kopje të botimeve të Institutit Albanologjik të Prishtinës gjë që për mua në atë kohë ishin një dhuratë e çmuar…
Miqësia jonë u bë e vazhdueshme vitet që do të vinin. Lidhjet e mia me Kosovën që kishin nisur aty nga fundi viteve 60 kur kisha takuar një familje kosovare në Llavrio (deri atëhere shumë pak që të mos themi aspak – gjëra njihja për Kosovën dhe kosovarët) që më la mbresa të pashlyera duke më bërë të betohem me veten times se do t’i kushtohesha plotësisht në të ardhmen “çështjes kosovare”.Prandaj ardhja e Shkëlzenit ishte një dhuratë e çmuar për mua, sikur po më binte nga qielli…Prej tij do të mësoja gjëra që nuk kisha mundur as të imagjinoja më pare për shqiptarët e Jugosllavisë së atëherëshme. Nga ana tjetër brënda atij vitit do të zhvilloheshin trazirat studentore në Prishtinë ku kishin filluar reprezaljet e egra të sërbomëdhenjve. Fatmirisht kjo nuk ndikoi në bursën e dhënë Shkëlzenit, i cili, përderisa ndodhej në Athinë nuk mund të akuzohej për pjesmarrës në trazirat kosovare.Ndërkohë mundëm të krijonim nëpërmjet tij dhe disa shokëve të emigracionit lidhje të vazhdueshme me Prishtinën dhe me trevat e tjera të banuara me shqiptarë në Jugosllavi. Sigurisht se çështja e Kosovës ishte në plan të pare të shqiptarëve të emigracionit që, pothuajse kishin harruar sistemin komunist të Tiranës. Ishte e natyrëshme. Në brëndësi të shtetit sllav shqiptarët shtypeshin e terrorizoheshin nga pushtuesit e huaj, nga armiqtë shekullorë të shqiptarizmit që ishin shovinistët e egër fashisto-komunistë sërbomëdhenj. Ndërkohë dhe unë të gjitha shkrimet e mëpastajshme do të kishin objekt të vetëm: luftën për çlirim të shqiptarëve të Jugosllavisë së atëherëshme, e cila akoma ishte vendi i përkëdhelur i perëndimasve .Dikush kishte thënë: Shthurja e shtetit jugosllav ka filluar në Kosoavë dhe atje do të mbarojë. Sa të drejtë kishte pasur!..
Ndërkohë Shkëlzeni punonte papushim që të mësonte gjuhën greke dhe krahas me studimet në Institutin e Tito Johallës, nisi të bënte kërkime në arkivat e shumta të Athinës, duke filluar nga ato muzeale. Duke mos njohur akoma mire gjuhën greke, vazhdimisht kërkonte ndihmën time duke m’u lutur shumë here t’i përktheja materialet e zbuluara në arkivat greke.Me nxitjen time gjeti shkrimet më të herëshmne të Fan Nolit të botuara në revistën greke “NOUMAS” me pseudonimin Mavromatis. Këto shkrime filozofike-shoqërore ja përktheva dhe ai i botoi në Prishtinë (më vonë do të botoheshin dhe në Tiranë, pa përmendur sigurisht emrin e përkthyesit!!!) Ndërkohë ai udhëtoi në Trakë ku takoi motrën e Nolit, Sulltanën e cila rronte akoma. Ai bënte një veprimtari të dendur si në Athinë ashtu dhe në Prishtinë ku herë pas herë botonte në revista dhe gazeta studimet dhe zbulimet e tij historike nga arkivat e pasura dhe të pacënuara greke. Mund të themi plot goje se ishte studjuesi i pare shqiptar që mundi të hynte në arkiva e “mbyllura” të Ministrisë së Jashtëme greke, ku zbuloi dhe botoi dokumenta të panjohura të shtetit grek që kishin të bënin me të ashtuquajturën “Çështje Shqiptare”. Nga kjo punë intensive erdhi dhe libri parë i tij: “MARRËDHËNIET SHQIPTARO –GREKE (1829-1881) Prishtinë 1990. Instituti Albanologjik. Ky botim para se të jipet për botim e kishim shoshitur të dy me hollësi. Madje, për këtë ai më kishte sjellë që në vitin 1987 desertacionin për diplomim- doktoratën që kishte të njëjtin titull në të cilin unë i bëra mjaft vërjetje të cilat ai i mori seriozisht parasysh. Pas kësaj ai e hapi rrugën vetë- edhe më pare materialet i zbulonte vetë dhe dua të theksoj se ndihma ime ishte më tepër morale, ose e pjesëshme përsa i përket gjuhës greke. Me kalimin e kohës ai bëri dhe miq të tjerë grekë dhe arvanitas në Greqi ku shpesh udhëtonte për takime dhe kërkime të materialeve. Në një nga udhëtimet tona nga Athina nç Korfuz duke kaluar në luginën e famëshme të Margëllëçit, ai më pyeti se si quhej më parë një fshat (shumica e fshatrave në atë zone kanë ndërruar emra) I thashë se quhej Laurat. Pas një viti kur I lindi djali ai i vuri emrin…LAURAT! Si rrjedhojë nënjëfarë mënyre jam emërvënësi i djalit të tij të cilin shpresoj diku ta takoj dhe ta ngushëlloj….
Në vitin 2004 ai botoi librin e dytë historik: “Shtegëtimet dhe Ngulimet e shqiptarëve në Greqi në shekujt XIII-XIV” Prishtinë 2004. Libri i tij i fundit që më ra në dorë është: “GJURMË NË HISTORINË SHQIPTARE” dhe shumë artikuj përkatës të botuara në gazeta dhe revista të ndryshme akoma dhe në ato greke. Ndërkohë takimet tona po rralloheshin- ai ishte larguar nga Athina dhe punonte në Prishtinë. Sa here udhëtoi në Athinë me grupe pune ai më lajmëronte të takoheshim ndonse në përgjithësi ai më vinte në shtëpi dhe ne e konsideronim si djalin tone. Madje na hyri në zëmër dhe e shoqja, Remzia të cilën e kujtojmë me dashuri. Kisha shpresë se pas fitores kundër sërbomëdhenjve dhe pas shpalljes së pavarësisë do të kisha dhe unë fatin të udhëtoja në “Kosovën time” për të cilën kaq kisha “luftuar” e shpresuar. Mjerisht u “harrova”plotësisht në një kohë ku herëpasherë organizoheshin mbledhje”seminare” takime me shqiptarët e Greqisë (domethënë emigrantët e ardhur pas shëmbjes së komunizmit në Shqipëri) të cilët i quanin…diasporë. Nëpërmjet tyre dhe veçanërisht nga gazetari i njohur Abdurahim Ashikut, i cili ka udhëtuar në Prishtinë disa here me këto grupe të ftuara, mësoja të rejat e Kosovës dhe për miqt e mi atje, sidomos për Shkëlzenin tone. Herën e fundit, në vjeshtë e kaluar, më tha se nuk kishte mundur të takohej me Shkëlzenin se kishte qënë pak i sëmurë. Kjo më shqetësoi shumë dhe, duke mos pasur mënyrë tjetër komunikimi i dërgova një e mail. M’u përgjigj se nuk ishte gjë serioze, por më vonë më tha se do të udhëtonte në Stamboll për një ndëhyrje kirirurgikale. i u përgjigja duke i u lutur të më lajmëronte nga Stambolli, ose si të kthehej në Prishtinë se isha shumë i shqetësuar…
Mesazhin e fundit e mora prej tij më 4 janar 2014. Më thoshte se shkonte mire…Dhe lajmi i kobëshëm më erdhi nëpërmjet internetit në shtypin kosovar…Shkëlzeni na “tradhtoi”! Ai na mori radhën duke harruar se ne e konsideronim “djalë” akoma. Dhe ishte vetëm 62 vjeç!! U nxitua së tepërmi Shkëlzeni ynë…nuk i kishim ne faj që të na lëndojë, të na japë kaq dhimbje kur ndërsa unë prisja që ai dikur të kujtohej të shkruante për mua, detyrohem unë të shkruaj kujtimet për të. Jeta është shumë e padrejtë,ç’të bëjmë?
QOFTË I PËJETËSHËM KUJTIMI YT I DASHUR SHKËLZEN! NJERËZIT E TU TË RROJNË DHE TË TË KUJTOJNË!
Kristo Zharkalli, 27 shkurt 2014, Athinë.
….E PASKE BËRË LIBRIN
-Bisedë me Sadulla Zendeli-Daja në prag të botimit të fjalorit shqip-suedisht/
Nga Sokol Demaku /
Çdo shqiptar që ta pyesesh diçka, ai ka një poezi të veten. Edhe unë kam një poezi timen, ishte një poezi e dhimbjes dhe titulli i librit është ”Ditari i dhimbjeve” edhe ai libër është kur unë kam shkruar kur kam qenë i vogël diku 10 vjeç, pra ishte viti 1945.
Fjalori ka vlerë shumë të madhe. Numrohet që të jetë ndër fjalorët më voluminoz – ka rreth 35 mijë fjalë, është në 1.600 faqe, por presim se ketë punë do e vazhdojnë edhe gjeneratat tona të ardhshme. Fjalori i ri u ngjanë Fjalorëve të Mëdhenj te Akademisë se Shkencave në Suedi.
Jemi këtu në Muzeun Kombëtar Historik në Tiranë në Republikën e Shqipërisë, ku mysafir kemi Sadulla Zendelin -Dajën për një intërvistë rreth punës së tij këto ditë këtu në Tiranë lidhur me shtypjen e Fjalorit Shqip-Suedisht në Shtëpinë Botuese ”Toena” në Tiranë dhe deri ku ka arritë Daja me këtë projekt madhor të tij.
Dajë, sa kohë ka që jeni në Tiranë?
Profesor mr.fil. sci. Sadullah Zendeli – Daja (Daja): Ka afërsisht dy javë!
Si jeni akomoduar këtu në Tiranë?
Ishte fjala që Fjalori im të shypet dhe të kemi në dorë me promovimin e librit tash më datën 13-të. Ishin disa punë që unë kisha, sidomos me z. Rami Memushaj, që ishte redaktori i fundit këtu në Tiranë dhe më atë u takuam. Pastaj ndërmjet kohës kam edhe një libër me poezi, e cila edhe ajo redaktoheshe nga profesori shumë i nderuar z. Kujtim Dashi, dhe unë erdha këtu të shoh se çfarë kanë bërë. Pak jemi vonuar, mirëpo, nuk është fatkeqësi ajo, sespe është bërë punë e madhe. Fjalori, sa unë kam menduar, ai duhej të është nja 1.200 faqe, mirëpo, kur u redaktua nga e respektuara Lavdie Cenëmurati, dual se Fjalori do t’i ketë 1.600 faqe dhe Shtypëshkronja ”Toena” vendosi që Fjalori të shypet jashtë Shqipërisë, do të thotë të shypet në Greqi ose diku tjetër. Dhe, kështu me shpresë se do e kemi fjalorin, se do e shohi dritën tani në Panairin e Librit, por nuk u bë, sepse nuk do arrijnë me lidhjen e Fjalorit, atëherë do të prezantoj vetëm librin me poezi, i cili libër është shumë i mirë, ka disa vjersha satirike, sipas meje janë vetëm një këshillë, nuk janë kritike, vetëm se një këshillë se si të ecën populli, njeriu apo mërgimtari kudoqoftë shqiptari në jetën e vet, se ashtu né jemi popull dinamik, popull shumë i fortë, jemi popull shumë i mirë edhe ké femrat tona edhe ké mëshkujt tonë që historia i ka vërtetuar vet, kur femra shqiptare ka dalë me pushkë në dorë për ta mbrojtuar atdheun e dashur, si në Drenicë e kudoqoftë…
Daja, ky është Fajlori i katërt dhe nuk është suedisht-shqip, por është SHQIP-SUEDISHT. Të tre fjalorët e parë janë suedisht – shqip, e ky fjalori i katërt është në katër gjuhë. Është interesant pak për dëgjuesin të na thuani për këtë Fjalorin e katërt, është Fjalor me njëmijë fjalë, me njëmijë fotografi në katër gjuhë, cilat janë ato gjuhë?
Ky Fjalor është një Projekt i bërë nga një grup ekspertësh nga Milano e Italisë dhe këtë Projekt, është përkthye në Suedi dhe Licencën e atij fjalori e ka blerë Shytpëshkronja ”Toena” në Tiranë, e cila Shtypëshkronjë përafërsisht të gjitha librat e m’i i ka botuar dhe Drejtoresha znj. Toçi , e cila ka bërë shumë për mua, e cila më ka stimulua që unë të shkruaj. Dhe këta ma dhanë mua që ta përkthej fjalorin në Suedisht, kështu që Fjalori është në Anglisht-Italisht-Shqip dhe Suedisht. Secila gjuhë e ka Fjalorin e vet, sidomos për fëmijë, se kanë fjalorin aty, por edhe për të rritur që mund të mësojnë edhe gjuhën Angleze, me lehtësira të mëdha – përmes fotografive.
Ju keni bërë punë të madhe për shqiptarët në Skandinavi. Po Fjalori i ri në Shqip-Suedisht, çfarë vlere ka?
Fjalori ka vlerë shumë të madhe. Numrohet që të jetë ndër fjalorët më voluminoz – ka rreth 35 mijë fjalë, është në 1.600 faqe, por presim se ketë punë do e vazhdojnë edhe gjeneratat tona të ardhshme. Fjalori i ri u ngjanë Fjalorëve të Mëdhenj te Akademisë se Shkencave në Suedi. Pra, kuptohet, është Fjalor i Madh, është Fjalor shumë mirë i punuar. Në të kanë punuar katër redaktorë, ndër të cilët profesori i nderuar Xhevat Lloshi, pastaj kemi prof.dr. Shefkije Islamaj, që është nga Instituti Albanologjik në Prishtinë dhe profesoreshë univërsiteti, e cila ka qenë një stimulans shumë e madhe ndaj meje. Secilën shkronjë qe ajo ka parë ka thënë: ”Dajë, shumë mirë, Dajë shumë mirë…!” E pas këtyre fjalëve më ka ardhë ajo forca e dhënë nga një shkencëtare që e kemi në Kosovë. Pastaj u gjend se ishin bërë shumë lëshime, ndër të cilat të shumtat ishin lëshime të mia, por edhe lëshime të vogla dhe këto bërën që Shtypëshkronja ”Toena” të angazhoj edhe redaktor të tjerë. Kështu që redakturën e bëri profesori shumë i respektuar i dëgjueshmi prof Rami Memushaj, i cili ishte shkencëtar shumë i madh, kështu që Fjalori im do të ketë tre emra të tre njerëzve të mëdhenj që e kanë redaktuar, e këta janë: 1.Xhevat Lloshi, 2. Prof.dr. Shefkije Islamaj dhe 3. Rami Memushaj, pra ka tre emna me peshë të leksikografisë shqiptare. Këta të tre shkencëtarë kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Të them të vërtetën se edhe unë kam punuar gjashtë (6) vite, duke shfrytëzuar përvojën time të madhe me Fjalorin e Parë, të Dytin, të Tretin…dhe m’u duk se unë mund të punojë, se jam i gatshëm për Fjalorin e Ri, Fjalorin e Madh dhe ia dola që ta bëjë të njejtin, i cili do jetë një Fjalor i Madh shumë…Nuk do e krahasoi me ”Mus’hafin, Kur’anin” apo me ”Biblen” si dy Libra të shenjtë, por po them se vërtetë duhet të jetë si një nga Librat e Shenjtë veçanërisht për shqiptarët në mergim apo kudo qofshin shqiptarët.
Dajë, ju thatë se Leksikologjia ështëe lëmia e juaj, lëmi të cilën e keni kultivuar me vite. Mirëpo, si duket, kohëve të fundit Daja ka kalua në një lëmi jtetër letrare, ka fillua ta kulitvojë edhe poezinë. Sa di unë, ky është libri i dytë me poezi. Cili ishte libri i parë dhe ku e keni botuar, kush e redaktoi librin e parë?
Librin e parë e redaktoi i ndjeri Skënder Hasko, i cili ka qenë një çudi! Unë atë libër e shkruajta herën e parë, unë nuk jam poet dhe më thënë se jam poet atëherë nuk do ishte mirë. Interesant, poezia qenka ke çdo shqiptar?! Çdo shqiptar që ta pyesesh diçka, ai ka një poezi të veten. Edhe unë kam një poezi timen, ishte një poezi e dhimbjes dhe titulli i librit është ”Ditari i dhimbjeve” edhe ai libër është kur unë kam shkruar kur kam qenë i vogël diku 10 vjeç, pra ishte viti 1945. T’hjekat (vuatjet) e mia që i patëm né prej armikut që na okupoj, pra prej sllavëve, atëherë u mblidhen tek unë si pëngesë, sepse u shkruajten ato vjersha u hudhen, u lanë në një vend edhe para mërgimit dhe kur dola në mërgim. Ka qenë situata e Xhemë Gostivarit kur unë kam qenë vetëm 10 vjeçar, kur nga Shkupi e kanë sjellur kokën e Xhemë Gostivarit dhe ia kanë tregua njerëzimit (publikut) spektatorëve që: ”…né e kemi vrá një antijugosllav, apo s’di çka…!” dhe ka qenë një gjë shumë e çuditshme! Të gjithë brohoritnin ata, më në fund nuk kishte asnjë brohoritje, dhe filluan të brohorasin shqiptarët e kjo brohoritje e shqiptarëve ishte shumë e çuditshme – kështu brohoritnin shqiptarët: ” Urra, urra, këtu e kemi, urra-urra ky është i joni…!” dhe do pëngesa më vonë… e unë duke u rritur e duke parë, vendosa ta shkruaj këtë libër. E kam marrë dhe ua kam treguar disa poetëve, por me marre/turp se thoja se s’kisha bërë asgjë…kisha deshirë t’i shkruaja diku ato fjalë…ua tregova dhe thuaja se ata nuk më dhanë rrugë mua, më thanë shkruaj si do te jetë ose jepja dikujt! Edhe unë atëherë do të vija në Shqipëri, e mora materialin, e rregullova bukur, e pata shkruar bukur dhe erdha të shtypëshkronja ”Toena” dhe jam ulur me të nderuaren Irena Toçi e i them: ” Irena, unë vetëm me ju do të bisedoj, jo me Fatmirin Pse Daja, a ka ndonjë fshehtësi, po na jemi një ( kupto me Fatmirin)!? – më pyeti e unë i thashë: ” Jo, jo nuk ka asnjë fshehtësi, po më mirë ju do ma mbani sekret këtë material, të cilin dua dikush ta shohi, ta shoh ndonjë poet!”? – e ajo më thotë: ”Ké shkruajt poezi? – më pyeti. ”Po e nderuar!” iu përgjigja! E ajo ma bëri: ”Dajo, pa e parë atë materialin tënd, ti je poet edhe kur fol, o Dajë!” – kështu ma bëri z. Irena Toçi, e unë i thashë: ”Mos të lutëm se shumë lavdata është shumë keq!” Irena me mua shkojmë të Fatmiri e po i thotë: ”- Ore Fatmir, ky ka shkruar një poezi, por ka droje se…? e duhet né ta shohim!?- i tha Irena. Z. Fatmiri ma bëri: ”Kështu ka nisë poezia të çdonjëri nga né, kështu edhe njerëzit e mëdhenj që janë, kështu edhe ata kanë filluar, edhe né do të thirrim profesorin e nderuar (tani të ndjerin) Skënder Hasko e ai do ta shoh atë material!? Ma bëri Fatmiri, dhe Skënder Hasko erdhi menjëherë. Kur e shiqova, Skënder Hasko ishte ”burrë i vogël”. Unë kur e pashë atë se ishte ”burrë i vogël” – se kam pasë disa komplekse në jetën time, e i bleja kundrat me taka pak më të gjata, si të ”rritëm”pak – dhe thashë: ”Shyqyr Zotit qe pashë një burrë që është më e i vogël se unë – jo me diturinë e tij, po me veshjen e tij, unë isha më i rregulluar- me krevatë e kështu…! E ai Skënder Hasko) do ta marri materialin e do ta lexojë, por kisha deshirë që vetëm unë e ai të gjëndeshim në sallë, në dhomë, e askush tjetër. Mirëpo, aty erdh i gjithë personeli i ”Toenës”… dhe ai (Skënderi) kishte aty afër një shportë, e unë mora një letër A/4 e theva në dysh dhe e hudha dhe i thashë: ”- Profesor, hudhe materialin tim në shport pa problem hudhe!?” Ai qeshi e s’më tha sgjë! Ai e mori materialin (pasi e lexoj) e theu në katërsh, e futi në xhep. Ai ishte materiali im, por pasi futi në xhep më tha: ”Më duhet nja një muaj, se kam shumë punë të tjera, se ky qenka një material shumë interesant, material i qëlluar,një material shumë interesant!” Veç më tha ashtu, e ata të gjithë fillua me duartrokitje dhe ma uruan duke me thënë se ”…e paske bërë librin!” dhe… duel ajo poezi. Kur e bëra këtë Fjalorin e ri, të madh, kisha disa idé dhe ato idé më çlodhnin sa herë kisha ato idé, u tërhiqesha nga Fjalori dhe pushoja, ato idé më pushonin, u ulesha në një ”kolltuk” aty dhe bëja disa vjersha, kur zgjohesha i shiqoja i kontroloja dhe thoja:” Të mira janë!” Dhe fillova të shkruaj edhe do vjersha dashurie, disi nuk dija të hyja n’ato rrugë por shoh që kishin shkruar shumë nga të tjerët dhe vjersha shumë të mira. Ngadalë! – thashë, çfarë do të bëja të tjera, do i kompletoj të gjitha letrat që i kisha marrë nga bashkëatdhetarët– edhe ato për Fjalorin me 28.500 fjalë, që u botua dhe që u promovua në Ambasadën e Shqipërisë në Stockohlm të Suedisë, me të nderuarin Ambasadorin z. Shaban Muratin, edhe ashtu ndodhi, të gjitha ato letra i grumbullova, disa letra që nuk i kisha, i thirra me telefon të mi dërgojnë dhe i grumbullova ato letra, i kompletova dhe kjo do ishte ajo që, të gjitha këto letra që i kompletova, jam mundua që t’i shpreh ndërmend ato, i kam shprehur, jo kundër ndokujt, por i kam shprehur për atë se kam menduar se ndokush do i lexojë!?
Dajë, krejt në fund, një pyetje: Kur pritet të dal inga shtypi ky libri me poezi?
Po, ky libri me poezi, tani sa ka dalë!
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- …
- 84
- Next Page »