• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

“Humnera’ që marin dritë nga vlera e penës së Vranarit

February 14, 2014 by dgreca

 Kritika e novelës “Një mall i pashuar”/

Nga Dr. Fatmir Terziu/

Fillimi i këtij viti (2013) të gjithë dashamirësit e letërsisë shqiptare i ndoqi bashkë me urimin edhe surpriza artsjellëse e shkrimtares, Vilhelme Vranari Haxhiraj, “Mjeshtër i Madh”. Fragmenti i I-rë nga novela “Një mall i pashuar” erdhi në syrin e lexuesit pikërisht mes “Fjala e Lirë” si një shtesë në urimin dhe zemrën e madhe të shqiptares që tashmë i mëshon penës pëditë e më shumë të arrijë majat e letrave. Ashtu si shkrimtari Alexander Solzhenitsyn, tek romani i tij “Një ditë në jetën e Ivan Denisoviç”, (1962), të cilin e publikoi në fillim në Tetorin e vitit 1962 tek Revista letrare, “Novy Mir” (Bota e Re) edhe shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhirraj, e filloi botimin duke e ndarë atë mes miqve krijues të “Fjala e Lirë”, një novelë që e kishte shkruar që në Tetorin e kaluar. Dhe ndoshta jo më kot ajo e nisi këtë fragment me siparin e jetës ku citon se “Jeta është një nga mrekullitë e Universit, që i është dhuruar botës humane nga Hyu. Veçse për ata që nuk e kuptojnë sa duhet dhe si duhet trajtuar, ajo ngelet e huaj si herioglifet kineze, që i përkasin vetëm gjuhës së atij kombi…”

Dhe kështu fragmenti dhe ata fragmente të novelës, që pasuan më pas ndoqën një ritëm në rritje të ndjeshme të gjuhës, stilit, fragmentarizmit letrar, pasurimit didakt të mesazhit, krijimit të veçorive tipike të një shkrimtareje që di të rritet duke sfiduar çdo gjë. E ulur në fronin e artë të letrave shqipe, tashmë Vranari ka në kryet e saj misionin e qartë që mes kësaj novele të depërtojë edhe në skuta të tjera të pashkelura disi më parë. Janë pikërisht ato skuta që errësojnë lirinë vetiake që sipas aurores është pikërisht ajo që duhet kuptuar se “Liria vetjake është hyjnore. Në këtë përcaktim nuk nisem se ajo arrihet me urdhër të Zotit, por e di mirë se diçka mbinjerëzore, që është shumë më e thellë dhe kushton shumë më shtrenjtë se liria kombëtare. Duke mposhtur veten, ajo qëndron më lart se vet qenia e tij. Madje është kjo pavarësi e ndërgjegjes që ndikon fuqimisht në formimin individual dhe atdhetar të njeriut. Pa e ditur se çdokush qëndron vetë mbi tokë me tru në kokë, i cili mbështet e udhëheq individin për të qenë i lirë, për të qenë vetvetja. Liria e individit është stisur dhe është sunduese e një personi, vetëm duke u mbështetur mbi këmbët e veta, pa e bindur veten se jeta individuale nuk urdhërohet, nuk kontrollohet, nuk drejtohet nga kurrëkush….”

Struktura të avancuara letrare

Përdorimi i strukturave më të avancuara letrare tek novela “Një mall i pashuar” refuzon kategorizimin në një stil të vetëm, në një lexim apriori apo të ngjashëm me leximet e mëparshme, apo të parathotë thjesht si një gjini. Përkundrazi, ajo mishëron një numër të qasjeve dhe formateve për një largim radikal nga ajo që është diktuar si e parashikueshme në novela me këtë tematikë, apo edhe ato që luajnë me taktikat e fiksimit apo edhe ato që mbështeten thjesht në jastëkun e letërsisë feministe. Paradigmat për suksesin e kësaj novele janë përcaktuesit e mëposhtëm:

Apologjia ekzistencialiste

Novela nuk është thjesht një mbrojtje dhe festim metaforik i mekanizmave të dëshpëruara përballuese me të cilat gratë apo edhe ato lidhje me ta, janë rrezikuar nga të mbijetuarit, apo edhe kur minojnë zhvlerësimin, shtrëngimin jetik, skllavërimin, torturat, dhe gjenocidin e plotë. Bazuar në vetë arsyethirjen logjike të shkrimit dhe paraqitjes së novelës ne gjejmë arsyen tek fragmentarizmi i saj: “Gjithçka që i përket ndërgjegjes së atij individi, i cili mendon dhe vepron lirisht, besoj se ka fituar lirinë vetjake, e cila është hyjnore… E këtë këndvështrim të botës ta jep vetëm dija, si njohëse e botës që na rrethon,” -kjo gjë më shkoi ndërmend, kur sapo kisha përfunduar së lexuari një ngjarje rrënqethëse, që më gozhdoi në vend dhe më bëri të mendoj për lirinë vetjake. Sot janë të gjitha mundësitë të zhbirosh dhe të njohësh jetë personalitetesh botërore, të cilët këtë lloj pavarësie, lirie dhe vetëbesimi e kanë fituar me shumë mund dhe djersë. Shpesh kanë flijuar edhe jetën, vetëm për të fituar një të drejtë që u takon me ligj dhe me zakon. Pasi e dimë se njeriu lind bashkë me lirinë për të qenë i tillë në rrugëtimin e tij të gjatë dhe të vështirë… që e ka emrin jetë...”. Dhe kështu “Një ditë në jetën e Ivan Denisoviç”, një histori e ndërtuar në kampet sovjetike të punës në vitet 1950-të, që përshkruan një ditë të vetme të një të burgosuri ordiner, Ivan Denisoviç Shukhov, natyrisht është larg tematikës së novelës së marrë në konsideratë, por në thelbin e filozofisë së apologjisë ekszistencialiste, ajo lidhet mafatet e jetës që Vranari i sugjeron artsistikisht. Është kjo lidhje e tërhtortë që rishfaq kohë-hapësirën deduktive mes asaj që na shtron leximi dhe praktika e ardhur nga vitet. Ashtu si Zhukovi, që hyn në një ditë të Ivan Denisoviçit, nëpërmjet trukeve maskarade ndaj jetës, me metodat brutale dhe absurde të kohës staliniste, edhe kozmetika logjike në këtë novel arsyeton se si ana virtule e jetës është përçudnimi dhe djegja e mallit që vjen nga kohëlargësia dhe strukturat që fishken nën emrin jetë. Në këtë virtualitet shkrimtarja sedërton mesazhin dhe kap atë arsye që lidhet me tërë strukturën e jetës. Në këto struktura jete ajo shtron pikërisht edhe arsyet sociale ku qëllon me shenjën e duhur tek ndjenja: “Ndjenja është si qenia që rritet, zhvillohet, ndryshon formë, që edhe mund të vdesë, por nuk largohet pa lënë pas gjurmët e së shkuarës. Dhe ja ti e sheh të gjallë të munguarën, e rijeton ndjenjën të freskët, të përtërirë si dikur…Vështron rreth vethes, sheh shembëlltyrën tënde në pasqyrë dhe beson se ajo që shkoi është aty pranë , madje gëlon në ecejaket e përditësië bashkë me ty…”

Historia gojore (apo internet-kallzore):

Ky faktor letrar sot në arsyen e tij postmoderne të trajtimit letrar, duket si një automjet i shpeshtë në itinerarin e tij, si një produkt didakt i njerëzve të shtypur, të cilët, për nga natyra e tyre, janë zvetanakë të arsyeshëm e të paarsyeshëm ndaj çdo padrejtësie nëpërmjet humbjeve të lirive personale. Kështu lakonia e historisë gojore, që transmetohet mes filozofisë së komunikimit, apriori kthehet në tregim personal, që strukturohet si një mjet për ruajtjen me arsye e logjikë të vetë arsyes në një përvojë kuptimplote, si dhe për recitimin e transfertave argumentuese, mes ‘karakter-dëshmitarëve okularë’ të ngjarjeve apo ndodhive që ciflon penëgoditja armore e shkrimtares. Kjo është arsyeja logjike në një përpjekje për të qartësuar mangësitë, mitet, gabimet, dhe madje edhe idetë e gabuara. Dhe këtu është sërrish ajo lidhje me jetën, dashurinë, ndodhinë e kallëzuar, lexuar apo argumentuar, si shtrat për novelën: “Nuk di sa herë e lexova dhe rilexova atë rrëfim plagëhapës. Mendja më ishte mpirë si e të alkolizuarit, që e rrëkëllen faqoren me fund dhe nuk ndjen më asgjë. Ndërsa i ngjaja një druri të kalbëzuar, që nuk do t’ia dijë më për veprimin shkatërrues të natyrës, nisa të shoh portretin e saj, atë portret të dashur që kujtoja se ia kisha lenë kohës ta varroste në brazdat e thella dhe të errëta të harresës. Veçse kisha gabuar rëndë. Që ta nxirrja nga nëntoka të shkuarën, nuk kishte nevojë për qelizmë, për gërmime apo hulumtime historianësh. Ajo kishte qenë aty, kishte ecur bashkë me mua, madje kishte bërë fole dhe kishte fjetur në shtratin e ëndrrave të mija. Vetëm se e kisha kujtuar si të tillë… Sepse… vetëm një shkak dhe plaga u rihap, nisi të rrjedhë duke shkaktuar të njëjtën dhembje si atë ditë kur plagosën “Atë”, ia shqyen e ia copëzuan zemrën dhe po ai plumb… rikoshet më sakatosi edhe mua. Pas atij leximi u binda se dashuria jeton gjatë dhe kuptohet më mirë pa fjalë, gjë që ndodh shpesh në jetë. I përhumbur në analizë, nisa të meditoj atë kohë të papërsëritshme, që ndoshta nga mungesa e përvojës nuk i kisha thënë të gjitha atëherë…”

 • Fiksioni jashtë spekulatives, një formë dhe një përzierje e qëmtuar:  Dashje padashje novela e shkrimtares Vranari riskon fatet e jetës, duke prurë fiktiven jashtë spekulatives, si një formë e trazuar me të qëmtuarën letrare. Novela e shkrimtares është kështu edhe një paralajmërim bazuar në trendet aktuale politike, sociale, ekonomike dhe kulturore. Si një shkrim modern “Një mall i pashuar” duket dhe shfaqet herë në sytë tanë mes një ngarkimi metafizik që vjen sa emocionalisht dhe shpirtërisht, duke na detyruar të jemi të ngeshëm e të destinuar për të lexuar, madje edhe për të argumentuar e për të ritreguar historinë e ndodhinë e novelës.

Nga referencat e qarta të autores lexojmë se jeta vjen mesazhit, mes komunkimit, mes gjuhës së fotove, arsyes së varrezave, kapërcimit të ngjarjeve në fletët e novelës, apo edhe miniheshtjet logjikuese të vetë Aurelit që struk jetën në arsyen, madje edhe përtej saj: “…shihja fotot e moshave të reja që e kishin lënë këtë botë, një ndjenjë trishtimi dhe keqardhjeje më kaploi. “Sa i padrejtë dhe mizor tregohet fati për disa duke ua mohuar jetën...”-mendoja…” Dhe arsyeja sërrish shkon përtej fksimit jashtë spekulatives, edhe kur Genti pyet ‘se përse varrëzat i interesojnë Aurelit, edhe kur në një farë mënyre del shpjegimi për një lidhje të ikur: “Genti më pyeste, kurse mua s’më shqitej nga sytë portreti i saj. Për sytë e të tjerëve ajo mund të ishte mëse e zakonshme. Kurse për mua ishte si drita e mëngjesit, apo si buzëqeshja e parë e pranverës, simboli i së cilës janë bukuria dhe aroma që dhuron çelja e mimozavee më pas e manushaqeve. Janë të parat aroma që priten me ëndje nga të gjithë. Ndaj edhe natyra i ka të përkdhelurat e saj. Atë çka ndieja dukej si një ëndërr e bukur që ke frikë të zgjohesh, pasi nuk do që ajo të ketë fund. Kjo ndjesi m’u bë si fiksim, si ajri, si uji dhe si drita… Mezi prisja të agonte e nesërmja, që ta shihja përsëri. Që nga ajo ditë, m’u bë zakon që çdo mëngjes dilja herët nga konvikti dhe shëtisja ngadalë përgjatë rrugës së shkollës. Qysh të nesërmen u binda se nuk kisha gabuar. E vura re që së largu. Nuk ishte vetëm, por me dy vajza të tjera. E vështrova mirë. Bëhej fjalë për të njëjtën vajzë që më parakaloi te muri i varrezave dhe ishte po ajo, që më la pa gojë te shkallët e shkollës. Ajo në këmbësoren e majtë, kurse unë si gjithmonë, nga e djathta e rrugës, ku ndodhej edhe shkolla. Mendova se ishte rastësi kryqëzimi i shikimeve tona, buzëqeshja e saj, sepse ajo këmbehej me mua pa m’i hedhur sytë fare. Sjellja e saj m’u duk pak fodulle, apo shpërfillëse ndaj meje…”

Udhëtimi në novelë është i tillë, sa forma e përzierjes së qëmtuar e sjell Brikenën, atë përshpirtje të shtrydhur në qenien e ndjesisnë jetike të Aurelit si një arsye me të cilën ne tentojmë të mos shkëpusim faqet në vijim.

Rrëfimi tipologjik si një zbulesë e jetës private apo filozofi e destinuar si çlirim psikologjik nga fati:

Dhe fatin nëpërmjet analizës së destinacionit tregues e merr përsipër në novelë edhe racionalizimi. Ashtu si rrëfimi në gojën e Aurelit edhe udhëtregimi në novelë realizohet mes një rrëfimi tipologjik, ku normat e lejuar të jetës private janë një filozofi e destinuar për çlirimin psikologjik ehde të karaktereve, por edhe të lexuesit. Vetë shkrimtarja femër gjen racionalizmin të tregojë e ndërhyjë edhe mes dialogut: “-Ide shumë e mirë. Ju femrat edhe mendjen e keni femër…

-Pse këtë mendim ke për femrat? Gjithsesi po ta fal, që të mos ndahemi me mëri. Kujdes herë tjetër kur komunikon, jo vetëm me mua, por edhe me të tjerët…”

 • Dystopia (dy herë ndalimi) e një bote imagjinare:

Shkrimi i novelës i ardhur në një mjedis lëvizës, raporti i ndikimit tektonik në të, arsyeja dhe mjaft faktorë të tjerë bëjnë që ajo të dallohet nga ndalimi i dyfishtë në transferim të mesazhit, dhe në atë të interpretimit të tij. Idealizmi jepet si kalim parcial, dhe ai mes ikjes na dyzon ngjarjet dhe temat që nuk korrespondojnë me pritjet, parimet dhe sjelljet e njerëzve realë, duke e bërë kështu novelën të jetë e gjallë mes botës imagjinare.

Mes fytyrave të ‘liçencuara’ nga pena e Vranarit sfidojmë edhe lidhjet e tejzgjatura. Kështu nëna na vjen direkte në momentin e duhur dhe dialogu i saj qartëson: “Mbarova studimet dhe u ktheva në atdhe. Në shtëpi më pritën si ujët e paktë. Gjatë qëndrimit tim disa ditor për t’u çmallur në familje, më shumë kohë kaloja me nënën. Një mëngjes ishim vetëm. Ndërsa po më shtronte tavolinën për mëngjes me gatime nga duart e saj të arta, u ul përballë meje , mbështeti faqen e saj mbi pëllëmbën e dorës dhe po më vështronte gjithë mall. Nuk ngopej duke më parë, apo duke më pasur pranë.

-Aurel, sa e mirë ishte ajo! Kishe të drejtë, biro! Edhe engjëlli e kishte zili.

-Nuk të kuptoj nënë. Për kë e ke fjalën?

-Për Brikenën , vajzën që doje ti…

-Briii…Brikenën…? E ke takuar? Ku? Në ç’rrethana, moj nënë?- pyetje pambarim dhe kulaçi m’u bë si shkëmb në fyt. Pastaj më nisi një kollë që desh u mbyta. Nuk kapërditesha dot. Me pak ujë u qetësova dhe lëmshi u zvarg drejt stomakut për t’u bërë si një peshë e rëndë në kraharor, e cila më merrte frymën.

-Më fal, biri im! Nuk e dija që ajo ende jeton brenda shpirtit tënd.

-Të lutem nënë, më trego! Si është …ku është?

-Eh , more bir ajo ishte vajzë që ta pije në kupë. Ishte nuse për djalë të vetëm.

-Mos nënë…Të lutem pse ishte? Mos vallë ka vd…?

-Gjallë është bir, gjallë…Jo vetëm bukuria, por sjellja e saj ishte për t’u admiruar. Ka qenë mësuese këtu në shkollën tonë, tre vjet pasi ti shkove me studime… Ishte e fejuar në Tiranë me një inxhinier që punonte në sharrat e FushArrëzit. E njoha një ditë që binte shi i rrëmbyeshëm. Ajo vinte nga shtëpia dhe zbriti nga një kamion. Që nga koka deri te këmbët ishte bërë si kokosh i lagur.”

Konkluzion

Duke përfunduar mes këtyre kapjeve analitike të veçorisë së shkrimit dhe rrëfimit të Vranarit, natyrshëm argumentoj dhe qartësoj se novela “Një mall i pashuar” nuk vjen thjesht për aritmetikë, as për të shuar malle, por hyn nxitimthi në murin e madh të kulturave të tilla që tregohen dhe dimensionohen me kalimin e kohërave, pa tentuar tu zverdhen fletët. Shkrimtarja tashmë me plot gojën ka kapërcyer muret që ndikonin me kohë në një kohëngricë të trazuar jovlerash, e që i diktuan qepjen e pamerituar. Vranari meriton përditë e më shumë në rritjen e saj artprurëse. Jo më kot i mirrënjohuri Profesor Eshref Ymeri do të shprehej teksa e kishte lexuar e rilexuar novelën në dorëshkrim “Për herë të dytë, e rijetova me emocione shumë të thella atë kohë të largët rinie, të mbytur në humnerat e kujtimeve drithëruese.” Këto humnera kanë marë dritën e penës së Vranarit.

 

Filed Under: Featured Tagged With: "humnera" qe marrin drite, Fatmir Terziu, nga pena e Vranarit

Kosova – Dardania e hershme, krenari historike kundër nënshtrimit

February 14, 2014 by dgreca

Kosova e Pavarur, e vendosur në rrugën drejt integrimit europian/

Nga Neki Babamusta/

Paqja e Shën Stenfanit (1877), Kongresi i Berlinit (korrik 1878) dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër (korrik 1913) coptuan padrejtësisht kombin shqiptar, ndër më të vjetërit në Evropë dhe në botë.

Me datën 31.1.2013 në Kroaci (Dalmaci) zbulohet harta e fiseve ilire, 2200 para erës së re, harta më e vjetë në botë. Me 1.2.2013 për herë të parë TV Klan publikon hartën më të vjetër të Shqipërisë etnike. Trojet e Shqipërisë etnike përmblidhnin: Ilirinë, Epirin, Dalmacinë, Maqedoninë e sotme, Janina me gjirin e Nartën. Tokat e të parëve tanë figurojnë të dokumentuara në katër vilajete: Kosova, Shkodër, Manastir dhe Janina. Në këto vilajete përfshihen territore mbi 90,000 km katrore bazuar në hartën e publikuar këto ditët e fundit. Vetëm Vilajeti i Kosovës kishte 30,000 km katrore. Shqipëria sot ka sipërfaqje të përgjithshme 28,748 kilometra katrorë dhe Kosova ka 10.887 km katrorë.

Gjatë sundimit serb (shekulli 19-20) me forcë janë përzënë mbi 5 milion shqiptarë që jetojnë në Turqi, përveç qindra mijë të vrarë, të burgosur, etj. Dhjetëra dhe qindra mijë shqiptarë janë vrarë dhe në kohën e sundimit turk për pavarësi. Shqiptarëve padrejtësisht ju morën pronat, shtëpitë, ju mohua gjuha amtare. Politika e genocidit, ajo e Serbisë, edhe ajo Turke, nuk lejuan shqiptarët të mësonin gjuhën e bukur shqipe. Kur nuk mësohet gjuha e të parëve, një popull zhduket.

14 Gusht 1941: Karta e Atllantikut

Me 14 gusht 1941 në bordin e anijes “Princi i Uellsit” u bë marrëveshja midis F.D Rusveltit të ShBA-së dhe Uillson ÇURÇILLit të Britanisë, të cilës më vonë me 24 shtator 1941 iu bashkua edhe Stalini i ish Bashkimit Sovjetik. Në takimin historik të tre udhëheqëseve botëror u vendos: (1) të përkrahej në shkallë ndërkombëtare lufta kundër nazi-fashizmit. Kontribut në këtë luftë po jepte edhe populli shqiptar, si pjesë e kualicionit kundër Hitlerit dhe Musolinit. (2) Pas fitores kundër fashizmit, popujt të kishin të drejtë për vetëvendosje gjer në shkëputje.

Kryetari i Lidhjes së Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Tito, nëpërmjet agjentëve të tij Çubrojlaviç, Miladin Popoviç, Mugoshës (këshilltar pranë partisë komuniste të Shqipërisë –PKSH), bënin politikë që Kosova të mbetej pjesë e pandarë e Serbisë.

Me 24 Janar 1946 Marrveshja në Bujan vendosi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Dinaku Tito nuhati etjen për pushtet të drejtuesve të PKSH-së dhe entuziasmohej kur dëgjonte se në Shqipëri hidheshin parrulla “Rroftë Tito!”.

Në këto situata të favorshme për Jugosllavinë Tito deklaroi me hipokrizi: “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është i pamundur, megjithëse unë dua, por na keqkuptojnë Republikat e tjera…!”

Genocidi ndaj shqiptarëve

Nëpërmjet kryekiminelëve të popullit shqiptar, që nga Rankoviçi, ish-ministër i brendshëm i Jugosllavisë, e deri tek Millosheviçi, “kasapi i Ballkanit” në Kosovë filluan përsëri ndjekjet, persekutimet, burgimet, vrasjet ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në dy anët e kufirit.Masakra e Tivarit (23.3.1945) është një tragjedi e përmasave botërore ku shërbimi sekret jugosllav vrau në pabesi mbi 4,000 shqiptarë. Ndërsa në vitin 1947 u vranë edhe 13,000 shqiptarë të tjerë në Shqipëri dhe Kosovë, në bashkëveprim me sigurimin e shtetit shqiptar dhe Titos (Uran Butko, Masakra e Tivarit, 2012).

Krimineli Jankoviç i Jugosllavisë nga viti 1965-1980 shpërnguli me forcë mbi 500,000 shqiptarë, duke vrarë dhe masakruar mijëra prej tyre. Të njëjtën politikë famëkeqe ndoqi edhe Millosheviçi, veçanërisht në vitet 1998-1999, kur përdori politikën e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë. Mbi 800,000 shqiptarë u përzunë nga trojet etnike në Kosovë, u dogjën fshatëra dhe qytete të tëra, u vranë gra, pleq dhe fëmijë, u pushkatuan njerëz të pafajshëm duke i futur në varre masive. Këto krime barbare si të Hitlerit ngjallën zemërimin e tërë popujve të botës. Mbi 14,000 viktima të pafajshme u vranë, mbi 2,000 u zhdukën ku edhe sot nuk i dihen varret. Kosova u përfjalk. Kjo e detyroi Presidentin Klinton dhe NATO-n që t’u thonë ndal masakrave fashiste në zemër të Evropës, në Kosovë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës u rradhit pranë ushtrisë së NATO-s për t’i dalë zot vendit të tij. Me 24.3.1912 ish-presidenti i Serbisë Tadic këto operacionet e NATO-s kundër Serbisë i quajti agression ndaj Serbisë.

Me 5 mars 1998, kriminelët serb kyen masakrën gjakatare ndaj fisit Jashari, në Prekaz. U vranë afro 50 pjesëtarë të familjes të familjes dhe të fisit Adem Jashari. Pushtuesit serb e harruan historinë se legjendari Adem Jashari simbolizonte unitetin kombëtar dhe dëshirën për të jetuar të lirë. Më 27 prill të vitit 1999 forcat militare e paramilitare serbe vrarë e masakruar 377meshkuj të 15 fshatra të rrethit të Gjakovës (Masakra e Mejës).

Popujt e Ballkanit duhet të bashkohen me gjuhën e dashurisë

Populli Anglez ka një thënie të urtë, “shtëpia ime është kështjella ime”. Shqiptarët në Kosovë luftuan për trojet e tyre etnike dhe shtëpitë e tyre.Me 6 shkurt 1999 në Konferencën e Rambujes u miratua paketa Ahtisari, ku Kosova do të qeverisje në mbikqyrjen e OKB-së. Me të drejtë ish-presidenti Bush i Sh.B.A.-së, e miratoi plotësisht planin e Ahtisarit, si rruga e duhur për të ecur përpara. “Ky është edhe pozicioni i Sh.B.A.- së,” deklaroi Presidenti George Bush. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri me 10 qershor 2007 Presidenti Bush u prit në mënyrë madhështore nga populli shqiptar, e cila ka hyrë si një ngjarje historike. I intervistuar përpara vizitës nga TV Vizion Presidenti Bush deklaroi, “do të shkoj me kënaqësi të madhe në Shqipëri me një bregdet të bukur, me histori interesante, me njerëz myslimanë që mund të jetojnë në paqe…Unë vij si dashamirës i lirive në një vend ku njerëzit i dijnë të mirat e lirisë… Më kanë bërë përshtypje udhëheqësit tuaj.”

Kosova me një popullsi të edukuar, punëtor dhe trima, dëshmoi përpara botës se ishte në gjendje të vetëqeverisej. Për këto arsye me 17 shkurt 2008 Kosova shpallet e pavarur.

Kosova sot është e forcuar ekonomikish, e konsiliduar si shtet, dhe është njohur deri më sot nga 105 shtete të botës. Me datën 2.2.2014 kreu i Europës Juglindore Xhonatan Mur (Drejtori për Europën Qëndrore dhe Juglindore në Departamentin e Shtetit) deklaroi, “Kosova duhet të jetë krenare për suksese që ka arritur”.

Për sukseset dhe arritjet e Kosovës meritë historike kanë ish-presidenti Rrugova, Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës, dhe kryeministri Hashim Thaçi, Gjenerali shqiptar i maleve që bashkoi dhe ngriti në këmbë popullin e Kosovës, përkrah UÇK-së, kundër pushtuesve serb. Meritë historike për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës kanë në rradhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ish presidentin Bush dhe Klinton, vendet anëtare të NATO-s si dhe populli vlla shqiptar që iu gjend në ditë më të vështira popullit vlla të Kosovës.

Me 19.4.2013 arrihet në Bruksel marrëveshja historike mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Kryeministri Thaçi dhe Daçiç kishin drejtuese baroneshën Ashton. Me 21.4.2013 Parlamenti i Kosovës e miratoi marrëveshjen historike.

Shqiptarët në Kosovë shtrinë dorën e paqes me Serbinë, duke u dhënë pakicave serbe në Kosovë dhe Mitrovicë shumë të drejta, bazuar në kushtetutën e Kosovës. Por këto veprime miqësore nuk u reflektuan nga Serbia për shqiptarët në luginën e Preshevës.

Tingëllojnë absurde dhe pavlerë deklaratat e disa udhëheqësve të Serbisë për mosnjohjen e Kosovës, gjë që nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Me 17.5.2012 Boris Tadic deklaroi nëse fiton si President do e fus Serbinë në Evropë, por do e mbaj edhe Kosovën si pjesë të Serbisë. Me 31.5.2012 Presidenti Nikoliç deklaroi se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të Metohisë. Me 1.6.2012 Presidenti Nikoliç deklaroi se “mes të Kosovës dhe BE-së do zgjidhnim këtë të fundit…kemi aleatën tonë Rusinë.”

Me 27.7.2012 kur Ivica Daçiç bëri betimin si kryeministër i Serbisë deklaroi se Kosova dhe Metohija do të jenë pjesë e pandarë e Serbisë. Me 27.7.2012 ish ministri i Jashtëm i Serbisë Jeremiç, sot në OKB, deklaroi “sa të jem në postin e lartë në OKB, do të luftoj për mosnjohjen e Kosovës në botë.” Zëvënëndës kryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli e quajti këtë deklaratë të Jeremiç, deklaratë naziste. Ndërsa kryeministri Thaçi iu përgjigj, “nuk do të kthehet ora e historisë mbrapsh.”

Me 31.10.2012 Sekretarja Amerkane e Shtetit Hillari Klinton deklaroi, “çështja e pavarësisë së Kosovës është problem i mbyllur, po ashtu edhe tërësia tokësore.”

Në takimin që pati Presidenti i Shqipërisë z. Bujar Nishani me zv. Sekretarin e Shtetit të Sh.B.A.-së Nikolla Burns, dhe sekretarin e shtetit për punë të jashtme, z. Xhon Kerry, me datat 6-7 shkurt, 2014 ata vlerësuan punën e presidentit Nishani si garant i kombit: për forcimin e sistemit ligjor dhe ruajtjen e dialogut politik, për reforma në drejtësi, Kosova u vlerësua si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan dhe rajaon.

Të huajt që kanë vizituar Mitrovicën nga komuniteti ndërkombëtar me 15.4.2012 kanë vërtetuar se në Veriun e Mitrovicës përtej lumit Dibër nga 13,000 shqiptarë kanë mbetur vetëm 4,000, si rezultat i spastrimit etnik nga struktura paralele kriminale serbe.

Lugina e Preshevës vazhdon të trajtohet nga Beogradi si koloni. Ministrja e Integrimit znj. Vlora Çitaku deklaroi se, “lugina e Preshevës është ndër më të diskriminuarat në Evropë.” Me 8.1.2013 policia serbe shkatërroi në Preshevë Monumentin e Dëshmorëve në qendër të qytetit. Me 20 mars 2013, sërish policia serbe pa shkak rrahu shqiptarin nga Bujanoci sepse nuk kishte marrë leje për të kullotur bagëtinë në tokën e tij. Kjo është çmenduri e shekullit!

Edhe në Mal të Zi, përdoret po e njëjta politike diskriminuese ndaj shqiptarëve, duke i trajtuar si qytetarë të dorës së dytë. Nga 100,000 shqiptarë që banonin në trojet e veta në Mal të Zi, sot kanë mbetuar vetëm 40,000. Reprezaljet dhe vrasjet malazeze i kanë detyruar shqiptarët në Mal të Zi të marrin rrugën e kurbetit.

Sipas dëshmisë të RTV21 Kosovë është deklaruar se sundimatarët e Beograditn e kthyen Kosovën në tokë të djegur, duke i shkaktuar edhe një dëm kolosal prej 15 miljard euro. E megjithatë shqiptarët në Kosovë, pa harruar të kaluarën janë si gjithmonë për fqinjësi të mirë, për stabilitet në Ballkan sepse kjo është në interes të dy popujve shiqptar dhe serb, të cilët duan të aderojnë në Bashkimin Evropian. Inkuadrimi në BE arrihet kur mes klasave politike ka mirëkuptim, bashkëpunim me interes reciprok, sepse kjo i shërben mirëqenies së dy vendeve dhe paqes mes popujve.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Dardania e hershme, kosova, Neki Babamusta

TE DIELEN ME 16 SHKURT VATRA DHE BASHKESIA SHQIPTARE FESTOJNE 6 VJETORIN E PAVARESISE

February 13, 2014 by dgreca

NE FESTEN QE ORGANIZON VATRA ME 16 SHKURT 2014, NE OREN 12-00 NE MAESTROS KRAHAS TE MIRENJOHURIT GEZIM NIKA & KINO E GRUPIT ESHTE E FTUAR EDHE BILBILI I KENGEVE VLONJATE KLEOPATRA SKARCO- DOKLE

KLIKO MBI POSTER

Filed Under: Featured Tagged With: festa e Pavaresise, Vatra

Robert Hand: Klasa politike shqiptare të mos bjerë në vetëkënaqësi

February 13, 2014 by dgreca

Nga Keida Kostreci/

Analisti me përvojë i politikës së Shqipërisë, Robert Hand vlerëson transferimin e rregullt të pushtetit në Shqipëri vitin e kaluar, por thotë se në kontekstin e përgjithshëm ky ishte thjesht një hap i vogël që në vendet demokratike duhet të merret si i mirëqenë. Këshilltari i lartë politik i Komisionit amerikan të Helsinkit, Robert Hand paralajmëron se klasa politike në Shqipëri nuk duhet të bjerë në vetëkënaqësi dhe të bashkëpunojë për të mirën e vendit. Në një intervistë që i dha koleges Keida Kostreci, zoti Hand tha se shpreson që Shqipëria të marrë këtë vit datën për bisedime për anëtarësim në Bashkimin Evropian.Zëri i Amerikës: Zoti Hand, kanë kaluar pesë muaj nga zgjedhjet në Shqipëri. Cili është vlerësimi juaj për zhvillimet politike në vend që nga ai moment deri tani?

Robert Hand: Mendoj se në përgjithësi zhvillimet kanë qenë pozitive. Tranzicioni ishte shumë i rregullt dhe ky ishte një hap i rëndësishëm për Shqipërinë. Megjithatë duhet të kuptohet se në kontekstin e përgjithshëm, ishte thjesht një hap. Një tranzicion i rregullt duhet të jetë rruga normale për një qeveri demokratike, kështuqë shpresoj që si opozita ashtu edhe pala në pushtet të mos ndjehen të vetëkënaqur dhe të mendojnë se kjo mjafton. Ata duhet të bëjnë hapa përpara për të përballuar sfidat e tjera dhe të bëhen gati për integrimin në Bashkimin Evropian. Desha të them, që javën e kaluar Presidenti (Bujar) Nishani ishte këtu në Uashington dhe mendoj se ai kishte një vlerësim pozitiv për situatën në Shqipëri. Anëtarët e Kongresit vunë në dukje se partia që e emëroi atë për presidencën nuk është më në pushtet dhe ky është një zhvillim i ri për Shqipërinë,  është hera e parë që ndodh një gjë e tillë dhe duke pasur parasysh historinë e vështirësive mes partisë në pushtet dhe opozitës ndër vite, ky është një shans për të parë se si mund të funksionojnë gjërat.  Ne u inkurajuam që Presidenti Nishani shprehu angazhimin që ai të luajë rolin e vet që gjërat të funksionojnë dhe që të gjitha palët në Shqipëri, qofshin në qeveri ose jo, të tregojnë të njëjtin angazhim dhe të përpiqen ta çojnë vendin përpara, Shpresoj që qeveria të bëjë të njëjtën gjë në mënyrë që të shohim një konsolidim të vërtetë të instiucioneve demokratike në Shqipëri. Vendi ka vërtetë nevojë për një gjë të tillë dhe unë kam shpresë që të ndodhë.

Zëri i Amerikës: Tensionet politike mes dy partive kryesore kanë vazhduar dhe ka nga ata që mendojnë se këto janë tensione artificiale, ndërkohë që vendi përballet me sfida reale. Cili është mendimi juaj?

Robert Hand: Kjo që përshkruani ju, ndodh në çdo demokraci. Çështja është nëse del jashtë kontrollit, apo nëse për të siguruar një avantazh politik, njëra palë ose tjetra e frenon përparimin e vendit. Sigurisht që nëse kjo ndodh, do të thotë që po teprohet dhe një gjë të tillë e kemi parë në të kaluarën kur ka pasur bojkote dhe veprime të tjera të ngjashme. Përsa kohë të ketë pjesëmarrje dhe angazhim, le të ketë mosmarrëveshje, por duhet të ketë angazhim dhe përpjekje për të arritur kompromise për të mirën e vendit. Në politikë gjëja më e rëndësishme është që të të njihet merita për atë që bëhet dhe fakti që njëra palë është në pushtet nuk do të thotë që palës që është në opozitë, të mos i njihet merita për kontributin e saj. Në fakt, në vend që të hezitojë, opozita duhet të ndërmarrë veprime për të inkurajuar hapa me një ritëm edhe më të shpejtë.  Opozita ka një rol shumë të rëndësishëm në demokraci pra nuk bëhet fjalë vetëm për qeverinë por për gjithë sistemin politik.

Zëri i Amerikës: Si mund të gjejë qeveria një ekuilibër mes detyrës që ka për qeverisjen e vendit –për shembull lufta kundër krimit, duke pasur parasysh se kohët e fundit ka pasur shumë krime në Shqipëri – pa u shfaqur arrogante, ndërsa njëkohësisht të bashkëpunojë me opozitën në drejtim të realizimit të reformave?

Robert Hand:  Duhet të shohim sesi do ta realizojnë një gjë të tillë. Duhet të jenë të përkushtuar për të zgjidhur problemet me të cilat përballet Shqipëria dhe duhet ta bëjnë së bashku për aq sa është e mundur. Shqetësimi im kryesor është siç e thashë edhe më parë, që të mos ketë një vetëkënaqje me mënyrën e transferimit të pushtetit. Duhet të vazhdojnë hapat e tjera përpara më shpejtësi.

Zëri i Amerikës: Vetëkënaqësi nga ana e kujt?

Robert Hand: Nga të gjithë. Një si farë lehtësimi që zgjedhjet shkuan mirë, që u realizua transferimi i pushtetit dhe kjo ishte pozitive por nuk përfundon këtu, ky është vetëm fillimi i procesit. Është diçka që në vende të tjera është normë dhe merret e mirëqenë, por në Shqipëri nuk merret si e mirëqenë. Duhet të bëhet një normë në mënyrë të tillë që të konsiderohet si e mirëqenë në zgjedhjet e ardhshme dhe në gjithë procesin politik.

Zëri i Amerikës: Ju i njihni të gjithë faktorët e politikës amerikane që merren me Ballkanin. A i kanë Shtetet e Bashkuara këto pritshmëri që përmendni ju për Shqipërinë?

Robert Hand: Po, besoj se po. Nuk besoj se ka njeri në Shqipëri që të mos i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara si miq dhe ne e shohim Shqipërinë nën një dritë shumë pozitive. Por ne gjithashtu e kuptojmë se si miq ne kemi përgjegjësinë të ngremë shqetësime kur i shohim ato. Aktualisht zhvillimet kanë në përgjithësi një prirje pozitive, por duhet të kenë kujdes të mos rrëmbehen nga entuziazmi, sepse ne duam që ata të hedhin hapa përpara. Gjithashtu – dhe tani po shpreh më shumë mendimin tim, nuk po flas për administratën apo anëtarët e Kongresit për të cilët punoj – mendoj se edhe Evropa duhet të luajë rolin e vet. Kemi parë në të kaluarën që vende të Ballkanit ndërmarrin hapa pozitivë dhe ato hapa nuk vlerësohen. Kjo krijon një ndjenjë cinizmi në këto vende, një ndjesi se nuk po trajtohen me drejtësi, nuk po merren seriozisht. Mendoj se Shqipëria ka marra hapa të mjaftueshëm pozitivë, prandaj shpresoj që gjatë këtij viti – përsa kohë të vazhdojë në këtë rrugë – Shqipërisë t’i jepet një datë për bisedime për anëtarësim. Unë personalisht do ta inkurajoja Bashkimin Evropian që të shkojë në këtë drejtim, sepse mendoj se kjo do ta ndihmonte Shqipërinë që të kuptonte se procesi ka marrë një ritëm të caktuar dhe se ata duhet të vazhdojnë në këtë rrugë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se vendimi që do të marrë BE-ja në qershor varet më shumë nga ecuria e reformave nga ana e Shqipërisë, apo nga politikat e vendeve të veçanta të Bashkimit Evropian? Dhe a mendoni se ka ndryshuar gjë që nga fundi i vitit të kaluar kur  Shqipëria nuk e mori statusin?

Robert Hand: Është pak e vështirë për mua ta përcaktoj pasi nuk jam zyrtar i Bashkimit Evropian. Por unë jam i shqetësuar se nga ndjesia e lodhjes me zgjerimin, ose fajësimi i zgjerimit për disa nga problemet e tanishme, vendet që aspirojnë anëtarësimin dhe që kanë marrë hapat që u janë kërkuar për anëtarësim, mund të mos marrin përgjigjen që në fakt e meritojnë. Mendoj se ky do të ishte gabim. Unë nuk jam evropian, kështu që nuk mund të them se çfarë është në interesin e BE-së, apo vendeve anëtare, por mendimi im është se një Evropë më e madhe do të jetë një Evropë më e mirë. Ata kanë marrë angazhim para këtyre vendeve dhe duhet ta çojnë në vend këtë angazhim dhe duhet ta kuptojnë që nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, do të ketë pasoja. Politika e çdo vendi të BE-së është e ndryshme, diçka me të cilën udhëheqësit e tyre duhet të përballen, por shpresoj shumë që brenda BE-së këtë vit, të bëhet më e qartë që angazhimi i premtuar ndaj Ballkanit, duhet të plotësohet dhe se kur vendet marrin hapat e nevojshëm, këto hapa duhen vlerësuar.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Klasa politike shqiptare, Robert hand

ZEMRA JOTE: MË E SHENJTA E KËSAJ BOTE!

February 13, 2014 by dgreca

Proze poetike nga Xhemail Peci/

Po afron nata. Hëna po ndrinë e yjet i bëjnë shoqëri në qiellin e kthjellët. Konstelacioni i yjeve si medaloni i varur në gjoksin tënd. Shkëlqimi i tyre shpërndahet si dritë farfuritëse në të kaltërtën që si aureolë e rrethon hënën. Hëna e soditë portretin tënd, e gjumi i butë bie tani bie mbi qepallat. Gjumi i butë sytë i puthë – tek dehur ka gjithçka në ëmbëlsinë dhe butësinë e tij. E më butësisht se rënia e qerpikëve përmbi sytë, hije e engjëjve bie mbi një pamje pafajësie: që si puhi ledhatare perkëdhelë ballin si një bardhësi bermeri! Hija e hënës zbret me ngadalë nëpër sfondet e bardha – shket ngadalë përmbi ballin, e yjet përmbi qerpikët e shuajnë mallin. Engjëjt i gëzohen pamjes që përkundet në pafajësinë e ëmbëlsisë së gjumit. Mbi sfondet e ballit kanë rënë fijet e flokëve ngjyrë gështenjë, e në shkëlqimin e tyre, flokët si kallinjtë e grurit! Të buta si vetmi e thellë e natës që përshpëritë: emrin tënd të bardhë…Magjepsur nga pamja që kanë përpara, engjëjt sodisin harkun e hijes që qepallat lëshuar kanë përmbi mollëzat e njoma të faqeve. Duart e bardha, duart më të buta, pëllëmbët ua kanë falur pushtetit të gjumit. Gishtërinjtë e hollë me thonjtë si thelpinjtë e lajthive, ngjajnë me butësinë e agimeve të trëndafilta. E qerpikët e hollë me harkun e lakuar si shtigje të pafundme rrijnë sogjetarë mshimi mbi sytë që aq shumë u ngjajnë kopshteve të planeteve. Prekur nga një pamje e tillë, engjëjt ulin fletët përunjësisht. Pastaj si ca hije të shenjta drite, qetë – qetë e sikur druajnë se mos zgjojnë nga gjumi, fare ngadalë dhe duke e shtruar rrugën me lutje dhe me lule, ashtu siç bëjnë kur hapin portat e parajsës: hyjnë ngadalë dhe qetë në stendat e muzeut krahanor, aty ku Zemra Jote është:

MË E SHENJTA E KËSAJ BOTE!

 

Aty ku bota ngjanë me një llampë magjike! Pamja përrallore i ka magjepsur edhe engjëjt: një botë e bardhë ku lumenjtë rrjedhin si ar, ku lulet janë më të buta se në të gjitha pranverat, ku trëndafilat e marrin ngjyrën e tyre, ku ylberi e shuanë etjen, ku lotët e fluturave e gjejnë prehjen, ku jeta e gjenë paqen, ku gjumi e puthë ëndrrën, ku zogjtë falin gjithë cicëprimat e tyre, ku kanarinat këndojnë më ëmbël se kudo tjetër, ku pranverat vijnë më herët, ku krojet e fjalës rrjedhin si hojet e mjaltës, ku takohen horizontet e hapësirave dhe horizontet e detërave, ku shiu u falet lutjeve, ku tik – taku i jetës ngjanë aq shumë me tik – takun e zemrës sate, ku bien të gjitha lulet, të gjitha lutjet, të gjitha përgjërimet, të gjitha pafajësitë, të gjitha përjetësitë!…

 

Aty-ku zë fill amshimi e ku shiu i lutet qiellit, sa herë që mëshira hyjnore ia njeh lutjet.

Aty-ku engjëjt e bardhë shtrijnë krahët e hija e krahëve të tyre, mbulon gjithë parajsën e zemrës: pafundësisht! Engjëjt flejnë në parajsën e zemrës sate! Aty – ku kanë çerdhen e tyre. Aty prej ku zemra ia ka falur zërit tënd tingujt e vet më hyjnor! E gëzimi i engjëjve u ngjanë gëzimit të luleve, e butësia e fletëve si fletët e trëndafilave. Ditën i falen parajsës, e natën? Natën i falen zemrës sate. Rrugën e kanë të shtruar me lutje, e hija e butë e tyre zgjatet, siç zgjatet dhe hija e qepallave: si kurora dafinash përmbi sytë. Mesnatë e thellë. Qetësi që përpinë çdo gjë. Mbretëri e qiellit hënën e ka për emblemë. E thellësi e zemrës sate parajsën e mbështjellë!

Si në një paqe të përjetshme, e si në një marëveshje mes zemrës dhe parajsës: gjumi mbi qepallat dhe gjumi i engjëjve!

Çdo natë, engjëjt zbresin në zemrën tënde!

E kur aurora afrohet ngadalë me hapin tënd të butë, kur agimi zë ta mund vetminë e natës, e kur rrezja e dritës sytë i hapë përmbi universin, drita e shenjtë si drita e syve blu, i thërret të ngjiten sërish lartësive…

 

Magjepsur nga magjia e zemrës, engjëjt e dinë se duhet të ngjiten po të njëjtës rrugë, po të njëjtit shteg prej ku kanë zbritur: pikat e shiut janë litarët e lotëve që u shërbejnë engjëjve për të zbritur nga qielli dhe për t’u ngjitur sërish lart!

Magjepsur nga pamja magjike, e gjumit dhe e zemrës që aq shumë shëmbëllen me parajsën; me zërin e zemrës zate, në thellësinë e kësaj nate, engjëjt i luten mëshirës hyjnore:Na lerë të flejmë: veç edhe pak!

E në utjen e tyre zemra jote: MË E SHENJTA E KËSAJ BOTE!

A I THUA ZEMRËS SATE, T’I NGJAJË NJË ÇOKOLLATE?!

Në thellësinë e një nate, kur shkëlqimi i hënës ka tretur e kur prapa ka lënë veç dritën që në tingujt e shkëlqimit pre ari  i shëmbëllen një sonate, kur pikat e shiut bien me ritmin e zemrës sate, e ritmi i pikave si ritmi i tik – takut të një ore, kur faniten përpara pamjet e asaj dore gjithë butësi e bardhësi e magji; kur këmisha e kaltërt të rri veshur si një qiell i qeshur, e kur rimti i pikave të shiut ende nuk ka tretur, kur gjumi rri për t’u rrekur qepallave, kur të gjithë lumenjtë, të gjitha krojet, të gjitha burimet rrjedhin në pafajësinë e fjalëve që përshpërisin, kur erërat e zefirit ballin ta flladisin e kur gishtërinjtë e hollë të agimeve të trëndafilta perkëdhelin ato flokët e tua të buta e që ngjajnë si arat me grurë: herë shpleksur supeve e herë lidhur mbrapa; kur shpalosen sfondet e fytyrës si sfondet më të bukura të natyrës, kur të bien mbi supet e tua: zogj e pëllumba, e lulet me dafina; kur yjet të bien mbi qepalla e kur përtej sfondeve blu të syve tu shfaqet Atlantida, kur mbi harkun e lëmuar të vetullave të bie harku i hënës; kur në gishtërinjtë e hollë të bien fletët e luleve, e kur në pëllëmbët e duarve të bien shkëndijat e diellit si përmbi manushqet, kur mbi mollëzat e faqeve të bie hija e trëndafilave, e kur buzëve pikojnë qershitë, e kur nga fjala pikon mjalta, kur nga majat e qerpikëve pikojnë kristale, e kur engjëjt ulin fletët tek përshpërisin emrin të të bardhë, në thellësinë e kësaj mesnate, kur çdo gjë i ngjanë një sonate:

A I THUA ZEMRËS SATE, T’I NGJAJË NJË ÇOKOLLATE?!…

 

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT