Proze poetike nga Xhemail Peci/
Po afron nata. Hëna po ndrinë e yjet i bëjnë shoqëri në qiellin e kthjellët. Konstelacioni i yjeve si medaloni i varur në gjoksin tënd. Shkëlqimi i tyre shpërndahet si dritë farfuritëse në të kaltërtën që si aureolë e rrethon hënën. Hëna e soditë portretin tënd, e gjumi i butë bie tani bie mbi qepallat. Gjumi i butë sytë i puthë – tek dehur ka gjithçka në ëmbëlsinë dhe butësinë e tij. E më butësisht se rënia e qerpikëve përmbi sytë, hije e engjëjve bie mbi një pamje pafajësie: që si puhi ledhatare perkëdhelë ballin si një bardhësi bermeri! Hija e hënës zbret me ngadalë nëpër sfondet e bardha – shket ngadalë përmbi ballin, e yjet përmbi qerpikët e shuajnë mallin. Engjëjt i gëzohen pamjes që përkundet në pafajësinë e ëmbëlsisë së gjumit. Mbi sfondet e ballit kanë rënë fijet e flokëve ngjyrë gështenjë, e në shkëlqimin e tyre, flokët si kallinjtë e grurit! Të buta si vetmi e thellë e natës që përshpëritë: emrin tënd të bardhë…Magjepsur nga pamja që kanë përpara, engjëjt sodisin harkun e hijes që qepallat lëshuar kanë përmbi mollëzat e njoma të faqeve. Duart e bardha, duart më të buta, pëllëmbët ua kanë falur pushtetit të gjumit. Gishtërinjtë e hollë me thonjtë si thelpinjtë e lajthive, ngjajnë me butësinë e agimeve të trëndafilta. E qerpikët e hollë me harkun e lakuar si shtigje të pafundme rrijnë sogjetarë mshimi mbi sytë që aq shumë u ngjajnë kopshteve të planeteve. Prekur nga një pamje e tillë, engjëjt ulin fletët përunjësisht. Pastaj si ca hije të shenjta drite, qetë – qetë e sikur druajnë se mos zgjojnë nga gjumi, fare ngadalë dhe duke e shtruar rrugën me lutje dhe me lule, ashtu siç bëjnë kur hapin portat e parajsës: hyjnë ngadalë dhe qetë në stendat e muzeut krahanor, aty ku Zemra Jote është:
MË E SHENJTA E KËSAJ BOTE!
Aty ku bota ngjanë me një llampë magjike! Pamja përrallore i ka magjepsur edhe engjëjt: një botë e bardhë ku lumenjtë rrjedhin si ar, ku lulet janë më të buta se në të gjitha pranverat, ku trëndafilat e marrin ngjyrën e tyre, ku ylberi e shuanë etjen, ku lotët e fluturave e gjejnë prehjen, ku jeta e gjenë paqen, ku gjumi e puthë ëndrrën, ku zogjtë falin gjithë cicëprimat e tyre, ku kanarinat këndojnë më ëmbël se kudo tjetër, ku pranverat vijnë më herët, ku krojet e fjalës rrjedhin si hojet e mjaltës, ku takohen horizontet e hapësirave dhe horizontet e detërave, ku shiu u falet lutjeve, ku tik – taku i jetës ngjanë aq shumë me tik – takun e zemrës sate, ku bien të gjitha lulet, të gjitha lutjet, të gjitha përgjërimet, të gjitha pafajësitë, të gjitha përjetësitë!…
Aty-ku zë fill amshimi e ku shiu i lutet qiellit, sa herë që mëshira hyjnore ia njeh lutjet.
Aty-ku engjëjt e bardhë shtrijnë krahët e hija e krahëve të tyre, mbulon gjithë parajsën e zemrës: pafundësisht! Engjëjt flejnë në parajsën e zemrës sate! Aty – ku kanë çerdhen e tyre. Aty prej ku zemra ia ka falur zërit tënd tingujt e vet më hyjnor! E gëzimi i engjëjve u ngjanë gëzimit të luleve, e butësia e fletëve si fletët e trëndafilave. Ditën i falen parajsës, e natën? Natën i falen zemrës sate. Rrugën e kanë të shtruar me lutje, e hija e butë e tyre zgjatet, siç zgjatet dhe hija e qepallave: si kurora dafinash përmbi sytë. Mesnatë e thellë. Qetësi që përpinë çdo gjë. Mbretëri e qiellit hënën e ka për emblemë. E thellësi e zemrës sate parajsën e mbështjellë!
Si në një paqe të përjetshme, e si në një marëveshje mes zemrës dhe parajsës: gjumi mbi qepallat dhe gjumi i engjëjve!
Çdo natë, engjëjt zbresin në zemrën tënde!
E kur aurora afrohet ngadalë me hapin tënd të butë, kur agimi zë ta mund vetminë e natës, e kur rrezja e dritës sytë i hapë përmbi universin, drita e shenjtë si drita e syve blu, i thërret të ngjiten sërish lartësive…
Magjepsur nga magjia e zemrës, engjëjt e dinë se duhet të ngjiten po të njëjtës rrugë, po të njëjtit shteg prej ku kanë zbritur: pikat e shiut janë litarët e lotëve që u shërbejnë engjëjve për të zbritur nga qielli dhe për t’u ngjitur sërish lart!
Magjepsur nga pamja magjike, e gjumit dhe e zemrës që aq shumë shëmbëllen me parajsën; me zërin e zemrës zate, në thellësinë e kësaj nate, engjëjt i luten mëshirës hyjnore:Na lerë të flejmë: veç edhe pak!
E në utjen e tyre zemra jote: MË E SHENJTA E KËSAJ BOTE!
A I THUA ZEMRËS SATE, T’I NGJAJË NJË ÇOKOLLATE?!
Në thellësinë e një nate, kur shkëlqimi i hënës ka tretur e kur prapa ka lënë veç dritën që në tingujt e shkëlqimit pre ari i shëmbëllen një sonate, kur pikat e shiut bien me ritmin e zemrës sate, e ritmi i pikave si ritmi i tik – takut të një ore, kur faniten përpara pamjet e asaj dore gjithë butësi e bardhësi e magji; kur këmisha e kaltërt të rri veshur si një qiell i qeshur, e kur rimti i pikave të shiut ende nuk ka tretur, kur gjumi rri për t’u rrekur qepallave, kur të gjithë lumenjtë, të gjitha krojet, të gjitha burimet rrjedhin në pafajësinë e fjalëve që përshpërisin, kur erërat e zefirit ballin ta flladisin e kur gishtërinjtë e hollë të agimeve të trëndafilta perkëdhelin ato flokët e tua të buta e që ngjajnë si arat me grurë: herë shpleksur supeve e herë lidhur mbrapa; kur shpalosen sfondet e fytyrës si sfondet më të bukura të natyrës, kur të bien mbi supet e tua: zogj e pëllumba, e lulet me dafina; kur yjet të bien mbi qepalla e kur përtej sfondeve blu të syve tu shfaqet Atlantida, kur mbi harkun e lëmuar të vetullave të bie harku i hënës; kur në gishtërinjtë e hollë të bien fletët e luleve, e kur në pëllëmbët e duarve të bien shkëndijat e diellit si përmbi manushqet, kur mbi mollëzat e faqeve të bie hija e trëndafilave, e kur buzëve pikojnë qershitë, e kur nga fjala pikon mjalta, kur nga majat e qerpikëve pikojnë kristale, e kur engjëjt ulin fletët tek përshpërisin emrin të të bardhë, në thellësinë e kësaj mesnate, kur çdo gjë i ngjanë një sonate:
A I THUA ZEMRËS SATE, T’I NGJAJË NJË ÇOKOLLATE?!…