• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amerikane u takua me presidentin Nishani

February 10, 2014 by dgreca

AAFH/Washington, D.C./

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pati një takim të veçantë me drejtorët e bordit drejtues të organizatës Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amerikane me qendër në Washington, zotërinjtë Zef Bala dhe Mustafa Xhepa. Presidenti Nishani, pasi vlerësoi rolin dhe ndihmesën e pakursyer që ka dhënë diaspora gjatё tё gjithё historisё së kombit tonë, qё me krijimin e shtetit shqiptar e deri  me shëmbjen e komunizmit e  ndërtimin e shtetit ligjor, nënvizoi angazhimin e tij të plotë për të intensifikuar bashkëpunimin me të gjitha organizatat kudo që ato ndodhen. Për këtë, Presidenti Nishani kishte caktuar dy anëtarë te kabenetit tij të merreshin veçanërisht me diasporën.

Zoti Zef Balaj nga ana e tij shprehu vlerёsim pёr angazhimin e Presidentit pёr bashkёpunim me diasporёn pёr çёshtje dhe sfida me tё cilat pёrballet kombi ynё, si dhe çmoi rëndësinë që ka vlerësimi i punës së diasporës.

Ne Foto: Zef Balaj, Presidenti Bujar Nishani dhe Mustafa Xhepa

Filed Under: Featured Tagged With: Mucc Xhepa, presidenti Nishani, Zef Balaj

Nënë Tereza: shënjtorja e ‘djallit’*!

February 10, 2014 by dgreca

TE DHENA TE REJA NGA DR. GEZIM ALPION/

Dr Gëzim Alpion nxjerr në pah disa nga arsyet për trajtimin armiqësor që murgeshës shqiptare i bënë kolegët e saj në urdhërin e Loretos në Kalkutë që nga momenti kur ajo i bëri me dije në vitin 1946 se dëshironte të bëhej murgeshë e pavarur.

http://www.birmingham.ac.uk/news/latest/2014/02/mother-teresa-demon-saint.aspx

Sipas një studimi të ri nga Universiteti i Birminghamit në Angli, Nënë Tereza, një nga figurat më të njohura fetare në botë, ishte akuzuar se ishte e çmedur, e cekët, djallëzore, dhe se gjoja kishte patur një lidhje intime me një prift i cili ishte drejtori i saj shpirtëror. Në studimin e botuar në revistën shkencore ‘International Journal of Public Theology’,* sociologu i Universitetit të Birminghamit, Dr Gëzim Alpion nxjerr në pah disa nga arsyet për trajtimin armiqësor që murgeshës shqiptare i bënë kolegët e saj në urdhërin e Loretos në Kalkutë që nga momenti kur ajo i bëri me dije në vitin 1946 se dëshironte të bëhej murgeshë e pavarur. Dr Alpion shprehet: ‘Në studimet e mija të mëparshme, veçanërisht në librin e botuar në vitin 2007 ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ (‘Nënë Tereza: Shënjtore apo e Famshme?’), kam argumentuar se Nënë Tereza u diskriminua gjatë kohës kur ishte anëtare e urdhërit të Loretos si rezultat i origjinës se saj etnike dhe veçanërisht kur pati kurajon për t’i njoftuar eproret e saj irlandeze se nuk mund të vazhdonte të qëndronte në një urdhër fetar qëllimi kryesor i të cilit ishte arsimimi i vajzave të pasanikëve. Duke krijuar urdhërin e saj fetar të Misionereve të Bamirësisë (Missionaries of Charity) në vitin 1950, Nënë Tereza dëshmoi se ishte një personalitet fetar revolucionar me një vizion të qartë se çfarë duhej të bënin misionarët kristianë në një vend si India pas shpalljes së pavarësisë nga Britania.’

Botimi i shkrimeve private të Nënë Terezës, fillimisht në vitet 2000 dhe 2001 dhe veçanërisht në vitet 2007 dhe 2010, ofroi për herë të parë informacion për këtë misionare që, sipas Dr Alpion, paraqet interes për studiues nga disiplina të ndryshme akademike si sociologjia, misiologjia, teologjia, psikologjia, studimet e njerëzve të famshëm, studimet kulturore, studimet postkoloniale, studimet e racës dhe etnicitetit, etj.

Siç shprehet Dr Alpion, ‘Vizionarja Nënë Tereza bëhet një figurë me komplekse dhe më tokësore si individ si rezultat i informacionit të ri që kemi për gruan që fshihet pas kësaj murgeshe publike.’

‘Materiali i ri arkivor na lejon të krijojmë një ide shumë më të mirë për disa nga arsyet e armiqësisë që urdhëri i Loretos dhe disa urdhëra të tjerë fetarë në Kalkuta i rezervuan Nënë Terezës në fund të viteve 1940-të si dhe për disa dekada më vonë. Helmi që villej kundër saj është vërtet shqetësues: ajo u akuzua se ishte e çmendur, e cekët, djallëzore, dhe se gjoja kishte një lidhje intime me një prift i cili ishte drejtori i saj shpirtëror.’

Duke u përqëndruar kryesisht në veprat e studjuesve si Max Weber dhe Jürgen Moltmann, në këtë studim Dr Alpion e trajton qëndrimin armiqësor ndaj Nënë Terezës nga dy këndvështrime: sociologjik dhe ai i teologjisë publike. Vështirësitë që Nënë Tereza hasi para dhe pasi u largua nga urdhëri i Loretos, nxjerr konkluzionin Dr Alpion, është me interes për dy arsye: ‘Së pari, ata dëshmojnë natyrën e trajtimit armiqësor që u rezervohet udhëheqësve revolucionarë karizmatikë si në sferën e besimit fetar ashtu edhe në politikë. Së dyti, ata dëshmojnë edhe një herë se Nënë Tereza shkoi në Indi jo thjesht për t’i shërbyer Krishtit, siç kam theksuar në studimet e mija të mëparshme, por edhe për një arsye tjetër që është po aq e rëndësishme, pra me shpresë se do ta gjente në mjerimin e Kalkutës atin e saj hyjnor, për të cilin ajo zhvilloi një përkushtim të fortë pas vdekjes së papritur të babait të saj, Nikollë Bojaxhiu.’

Në këtë studim, Dr Alpion argumenton për herë të parë se megjithëse Nënë Tereza nuk ofronte ‘falje’ (absolutions), ajo e konsideronte si detyrim të kujdesej për të varfërit pa harruar të përkujdesej ndaj të pasurve’.

Ky studim, në të cilin argumentohet se me besimin e saj si veprimtare, karizmatikja Nënë Tereza përgatiti terrenin për rolin publik që feja po luan në ditët tona, është pjesë e projektit shkencor afat-gjatë të Dr Alpion në lidhje me errësirën shpirtërore të kësaj murgeshe të famshme, projekt që do të rezultojë në disa studime që do të botohen në revista shkencore dhe në një libër në të cilin ai shtjellon rolin e fesë në postmodernizëm.

Për më shumë informacion, ju lutem kontaktoni znj. Jenni Ameghino, Zyra e Shtypit, Universiteti i Birminghamit, +44 (0)121 415 8134. Celular: +44 (0)7768 924156. Email: j.ameghino@bham.ac.uk

  • “The Emergence of Mother Teresa as a Religious Visionary and the Initial Resistance to Her Charisma: A Sociological and Public Theology Perspective”, “International Journal of Public Theology”, Vol. 8, No. 1, February 2014, pp. 25-50.

                   KUSH ESHTE DR. GEZIM ALPION?

* Dr Gëzim Alpion ka një BA nga Universiteti i Kajros dhe një PhD nga Universiteti i Durham-it në Angli. Aktualisht Sociolog në Universitetin e Birminghamit, Dr Alpion është anëtar i Grupit Studimor Weber i Shoqatës Britanike të Sociologjisë, dhe në bordin e editorëve të disa revistave akademike, përfshirë revistën ‘Celebrity Studies’ që botohet nga Routledge.

* Disa nga botimet kryesore të Dr Alpion përfshijnë: ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ (‘Nënë Tereza: Shënjtore apo e Famshme?’) (Routledge 2007; Routledge India 2008; Salerno Editrice 2008), dhe ‘Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa’, (Takimet e Civilizimeve: Nga Aleksandri i Madh tek Nënë Tereza) (Transaction Publications 2011). Një libër i ri i Dr Alpion për Nënë Terezën do të botohet po në gjuhën angleze në vitin 2014.

 * Disa nga revistat shkencore që kanë botuar studimet dhe reçencat e Dr Alpion janë: ‘International Journal of Public Theology’, ‘Studies in Religion/Sciences Religieuses’ Journal, ‘Continuum: Journal of Media & Cultural Studies’, ‘The Journal of the Royal Anthropological Institute’, ‘Journal of Southern Europe and the Balkans’, ‘Islam and Christian-Muslim Relations Journal’, ‘The Review of Communication Journal’, ‘Film & History: An Interdisciplinary Journal of Film and Television Studies’ dhe ‘Scope: An Online Journal of Film and Television Studies’.

* Disa nga shkrimet e Dr Alpion për politikën, kulturën dhe identitetin Britanik, Ballkanik, Indian dhe të Lindjes së Mesme janë botuar në gazetat angleze ‘The Guardian’, ‘The Birmingham Post’, dhe ‘The Huddersfield Daily Examiner’, si dhe në ‘The Middle East Times’ (Kajro) dhe ‘The Hürriyet Daily News’ (Stamboll).

* Dr Alpion ka zhvilluar leksione dhe biseda në një numër konferencash ndërkombëtare dhe universitetesh në Britaninë e Madhe (Universiteti i Oksfordit, London School of Economics, University College London) si dhe në Shqipëri, Australi (Universiteti i Melbournit dhe Universiteti Deakin), Kanada (Universiteti McGill), Kinë (Universiteti i Shangait), Finland (Universiteti i Helsinkit dhe Universiteti Turkut), Gjermani, Indi (Universiteti i Delhit dhe Kolegji Universitar i Shenjtorit Xavier)), Itali (Universiteti Pontifikat Salesian në Romë), Kosovë (Universiteti i Prishtinës), Maqedoni (Universiteti Shtetëror i Tetovës), Rusi (Akademia e Shkencave të Rusisë), Afrikën e Jugut (Universiteti i Witwatersrand-it, Johannesburg) dhe në SHBA (Konveta AAASS në Washington DC, Universiteti i New York-ut, dhe Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos).

 

 

  • Dr Gëzim Alpion, School of Government and Society, University of Birmingham,

Tel: +44 (0)787 651 2001

E-mail: g.i.alpion@bham.ac.uk

Http:// http://www.birmingham.ac.uk/staff/profiles/government-society/alpion-g%C3%ABzim.aspx

*Njoftimi vjen nga  Universiteti i Birminghamit

10 Shkurt 2014

 

 

________________________________________________

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Alpion, Nene Tereza, shenjtorja e djallit

ENIGMAT SHEKULLORE

February 9, 2014 by dgreca

Nga Ilia S. KARANXHA*/Firenze/

Vepra më e njohur dhe më e nderuar në gjithë botën shqiptare mbetet edhe sot e kësaj dite  pas gati pesë shekujsh një rebus enigmash të ndërthurura  me art nga autori i saj Marin Beçikemi. Kur doli për herë të parë vepra e tij nuk dihej kur e kush e botoi? Cili ishte autori dhe ku ndodhej ky autor?  Ku dhe kur vdiq ky autor? Kush ishte portreti i tij?  Pse  vepra  u botua në Romë dhe jo në Venedik? Kush ishin prezantuesit e saj  Petro Regulus Vicentini dhe Domenic Alzanjano Padovani? Përse  u maskua kjo vepër ? … Për të zgjidhur disa nga këto  pyetje  u deshën shekuj  e shekuj dhe akoma  shumë prej tyre kanë mbetur pezull në shkencën albanollogjike./

  ENIGMAT SHEKULLORE NË “HISORIA E SKËNDERBEUT” E MARIN BEÇIKEMIT (BARLETI)/

 Elementi  i parë që  bie në sy  në vepra  Historia de Vita et gestis Scanderbegi.dhe e bën atë  një publikim jo normal ka të bëjë me aspektet  tipografike e ikonografike të lidhura me ambientin venecian (Essling: “les bois et les initiales dont il est orné étant de facture toute vénitienne..)kur  ndërkohë  na është paraqitur si  një produkt  roman. Në mbyllje të veprës(colophon)  editori shënon vetëm gërmat fillestare të emrit të tij dhe shmanget  përcaktimi i datës së botimit (Impressum Rome per B.V.), haresa të cilat nuk duhen konsideruar kurrësesi të paqëllimshme. Bile edhe letrën e Marko Marulit që e botoi në të njëjtën kohë po në Romë  ai e paraqatet gati në të njëjtën mënyre Impressa Romae per B.V., vetëm se në këtu shton edhe datën e botimit: Anno .D(omini) M.D.XXII. pridie kalendas maii feliciter explicit.((Në)Vitin e  Zotit 1522 përfunduar me sukses  ditën e parë të muajit maj.)

   Një paraqitje të tillë nuk e gjejmë p. sh., më 1507 dhe më 1508 kur De Vitali boti dhe riboti veprën e Ptolomeut në Romë. Në të dyja këto raste në colophon gjemë: Romae : nouiter impressum per Bernardinum  Venetum  de Vitalibus, expensis Euangelista Tosino Brixiano bibliopola, die VIII Septembris M.D.VII(Romë. Shtypur rishtmas prej Bernardino Venecianit të Vitalve,  me shpenzimet e Evangjelista Tosino-s librar më 7  shtator 1507). Pra dy vizita nga Bernardino de Vitali në Romë dhe dy mënyra  të ndryshme paraqitje të veprave.  Me gjithë këtë  edhe në mënyrë instiktive nga intelektualë të shquar venecianë Historia e Skëndërbeut  nuk është vlerësuar si një vepër që i përket ambientit  roman por atij venecian. Më 1847 E.A. Cicogna në veprën e tij bibliografike mbi editorinë veneciane fut   mes tyre si  një përjashtim edhe veprën e Skënderbeut  me komentin e veçantë se: Jeta e veprat e Skëndërbeut janë të lidhura me mjra fije me  venecianët.

Përsa i përket editorit sot  ngjan një fakt i thjeshtë dhe i ditur prej të gjithëve se B.V. do të thotë Bernardino De Vitali.  Mirëpo për të aritur në këtë pikë u deshën të kalonin gati dy shekuj e gjysëm nga botimi i veprës  që studiuesi arbëresh Pietro Pompilio Rodotà (1707-1770)  të vendoste  një paralele mes editorit   të Rrethimit të Shkodrës  në Venedik  dhe B.V.–së  të  Historisë të Skënderbeut në Romë.

    Maskimi i kësaj veprës duket tek  tendenca  për të paraqitur  atë si një vepër të kompletuar me portretin e autorit në faqen e parë ku është dedikimi i veprës. Kjo formë paraqitje krijonte  për  lexuesin e thjeshtë   por edhe tek ndonjë ndonjë studiues përshtypjen se ka përpara imazhin e vërtëtë të një autori  që duhej të ndodhej diku në Romë si famulltar. Me vdekjen e Marin Beçikemit(1468-1526) autorit të vërtetë të veprës Historia de Vita et gestis Scanderbegi..   editori i saj Bernardino de Vitali që e dinte më së miri se ai portret nuk kishte pasur  të bënte fare me  imazhin e ndonjë personi  por ishte   thjesht   një ksilografi simbolike e kalon atë më  30 shtator 1526 edhe në veprën e Aloyse Cynthio degli Fabritii   mbi proverbat popullore. E pra edhe në këtë rast Bernardino de Vitali deshte  t’i bënë një farë maskimi autorit  mirëpo Alvise Cincio  ishte një person i njohur publikisht dhe u bë objekt ndjekjesh nga ana e klerit. Ishte  pikërish kjo vepër që  shtyvi Signorinë të vendosë  më 29 janar 1527 censurën mbi edirotinë në Venedik si mbi librat e shtypuara aty si mbi ato të importuara. Ky vendim prekte edhe veprën tonë që po qarkullonte aty si një vepër importi.

Çështja tjetër akoma  më enigmatike ka të bëjë me dy autorët që  na prezantojnë veprën e Historisë të Skënderbeut të paraqitur  në ballinën e  saj me nga një vjershë të shkurtër. Është fjala për Petro  Regulus Viçentino dhe Domenik  Alcinjano Padovani-n.  Në këtë rast është normale të bëhet pyetja: Kush janë këta persona? Sa të njohur kanë qënë ata  kur u botua vepra dhe sa mundësi kishte dikush që nëpërmjet tyre të arinte tek autori i vërtetë i saj ?

Dh. Shuteriqi i ndodhur para  faktit mbi pamundësinë e mbledhjes të të dhënave biografike për Barletin nëpërmjet veprave të tij, mbasi ato paraqiteshin  hermetike  në këtë drejtim,  sugjeronte që të ndiqeshin  jetët e këtyre dy personave  për të cilët  mendonte se duhet ta njihnin Barletin. Po aty tërheq vëmëndjen  se ata  ishin injoruar gati krejt nga historiografia shqiptare(Shuteriqi-1979).

Të njëjtat probleme i parashtruma edhe në vepra Barleti apo Beçikemi?.., dhe tashmë duket  se në këtë drejtim kanë filluar  kërkimet e para  të cilat nuk duket se e kanë qetësuar  këtë çështje.  Ata vazhdojnë të parqesin akoma vështirësi identifikimi apo njohje të veprimtarisë së tyre në mënyrë  të tillë që të mund të gjejmë kontaktet me autorin e veprës sonë.

Mbiemri Alzignano (Alcinjano)i përdorur në shekullin e XV duket se ka filluar të lihet pasdore dhe ai evulon në fund të këtij shekulli dhe në fillim të shekullit të XVI në formën  Olzigniano(Olcinjano). Kështu një student në Padova  në aktet kuries e gjejmë: d.(om)  mag.(ister) Iacobi Alzignani Patavii art. doct.(Divers. 44. f. 109) po të njëjtin person  më 1488  fillojmë ta takojmë në aktet e këtij universiteti  me emrin  mag. Jacobi f.(ilius)  ser Gasparis de Olzignano civis Pad.(ova)  por edhe në formën:  Iacobus de Olzignano de Padova f(ilius) ser Gasparis (Baldasris) doct., art. (doctoris in artibus)

    Ndërsa një tjetër Iacob me mbiemrin Arzignano (Arzignana)  do ta takojmë më 4 shkurt 1474 në variantin Iacopi de Supatis Jordanis de Arzignano f.(ilius) ser Nascimbeni doct. i. civ.  por edhe  në variantin d. Jordani de Arzignano Vicentini.

Për periudhën 1500-1550 nuk gjejmë në Universitetin e Padovës asnjë studentë me mbiemrin Arzignano apo Alzignano por ndërkohë kemi dy studentë  që venë mbas emrit të tyre  de Olzignano (nga Olcinjano) dhe  që të dy janë nga Padova. Kështu kemi Heironimus de Olzignano de Padova  e po kështu edhe  Doymus (Doimus) de Olzignano (Olzignanus) de Patavius q.(unadam) Antoni

Ja pra është me se e qartë që mbiemrat  Alzignano (= Olzignano) dhe Arzignano nuk mud të shkrihen tek njëri tjetri mbasi janë dy lokalitet te ndryshme larg nga njëra tjetra. Njëra është në afërsi të Padovës mos lagje e saj (kemi edhe Palazzo Olzignani ndërtuar qysh më 1466 nga Pietro Lombardo)  dhe tjetra në Vincenza.

Kështu  Dominicus de  Alzegnano  Patavius  i Historisë të Skënderbeut nuk mund të jetë  i njëjtë me mjekun  Domenico Massari( Dominici Vincentini Arcignanei) aktiv në shek. XV-XVI  lindur në Arzignano provinca e Viçencës.

Mbi jetën e këtij humanisti  dihet shumë pak.  Emri i tij del si autor në dy  vepra. Në të parën ai është kujdestar i veprës  të Aristotelit: Problemet(1505) e cila edhe pse konsiderohet një vepër e dyshimtë e Aristotelit  pati një  popullaritet  në gjithë Evropën. Ajo është e ndërtuar nëpërmjet pyetjeve dhe përgjigjeve të 900 çështjeve (problemeve) të ndryshme.

Libri i  dytë i Domenico Massari-t ka të bëjë me peshat dhe mastat mjekësore i cili u botua fillimisht më 1511 dhe më pas pati edhe dy ribotime të tjera në Itali  një në Pavia(1516) e një në Bologna(1516).  Në këto vepra  ai prezantohet me emrin: Dominici Vicentini  Arcignanei  por edhe më  thjesht:  Dominici Arcignanei. Dy botimet  e fundit janë të bashkuara  me vepra të  autorëve të tjerë.

Në këtë pikë duket më interesant të gjyrmohet  Doymus (Doimus) de Olzignano (Olzignanus) de Patavius  i të ndjerit Antonio për të cilin folëm më lart. Ky e nis karierën e tij univesitare disa muaj pas vdekjes të Marin Beçikemit dhe është pranuar në universitetin e Padovës  mbasi ka dhënë prova për aftësitë e tij. Nuk është çudi që në mënyrë private ai të ketë pasur si profesor Beçikemin. Pas disa vjetësh  të një kariere të shkëlqyer universitare Doimus që duhet të jetë Domenik ka aritur të bëhet primar i Kolegjit të Shënjtë të Juristëve në Padova.

Çështja duket sikur është zgjidhur me Petrus Regulus Vicentinus me që emri i një Petro Regola del së  fundi në aktet arkivale të kuries së Padovës dhe ngjan që të ketë qënë sekretar qysh në kohën e peshkopit  Jacopo Zeno(1460-1481)  mirëpo nuk duket të ketë mbajtur të njëtin ofiq  gjatë peshkopatës të  Pietro Barozzi-t (1487-1507) dhe riaktivizohet me ardhjen e peshkopit të ri Pietro Dandolo(1507-1509). Në këtë periudhë ai duhet të ketë qënë  mbi 60 vjet

Duke ndjekur gjithmonë studentët që kanë studjuar  në Padova takojmë disa prej tyre që mbajnë mbiemrin Regulus apo Regulinus me prejardhje  udineze, veneciane apo toskane. Pra mbiemri nuk ka qënë dhe aq i rallë siç menduam kur botuam veprën Barleti apo Beçikemi?…

Sidoqoftë në lidhje  me Petron që del në dokumentat e kuries të Padovës  del pyetja a ishte gjallë ai  kur u botua Historia e Skëndërbeut më 1522?  Pastaj  sa  i gatshëm ishte ai të na informonte për këtë Marin Barleti  që në duket si një person nga  Roma e që në realitet  ishte Marin Beçikemi nga Padova?

Me gjithëatë ka rëndësi fakti se diçka ka filluar të lëvizë edhe në shkencën shqiptare  për të gjetur të vërtetën. Fillimisht u provua  për ruajtjen e anakronizmave. Emri i Barletit e vepra e tij  bënin  pjesë në ADN-ne e kombit e të shkencës  albanollogjike.  Ndryshimet e tyre  prishnin shumë ekulibra e rëzonin shumë mite. Jo më kot në shtypin e kohës u përdorën fjalët:   rikthim tek Barleti, rishikim, rivlerësim i figurës të  Barleti apo rigjetja e Shqipërisë të humbur. Të gjitha kishinn qëllim të theshin  të ruajmë me çdo kusht Barletin.  Shpresojmë e urojmë  të bëhen tentativa të tjera. Hulumtime apo diskutime  e pse jo edhe konfernca mjaft që të mos anullohen pasi janë deklaruar. Të  gjitha këto do të kenë  edhe anën  pozitive mbasi sa më shumë variante të  hamendësohen për ekzistëncën historike të  Barletit  aq më shumë do të bindemi se prapa këtij emri  qëndron  profesori dhe oratori zyrtar i Rpublikës të Venedikut  Marin Beçikemi. Njeriu që njihte nga afër dhe larg segretet, skenat dhe prapaskenat që luheshin në pallatet e dozhëve.

*(Ne Foto:Stema e familjes Beçikemi.)

Firenze 31.I.2014

Filed Under: Featured Tagged With: ENIGMAT SHEKULLORE, Ilia S Karanxha, NË “HISORIA E SKËNDERBEUT

NËNQIELLI POETIK I JAHO MARGJEKËS

February 9, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Ai nuk ishte amfiteatri i Athinës së lashtë ku poetët e antikitetit recitonin krijimet e tyre, po amfiteatri natyror i Dragobisë skej lumit Valbona ku në ma të bukurin muaj të pranverës, në qershor 1986, trojenikët e atyshëm çohen njani pas tjetrit e recitojnë krijime poetike aq të veçanta sa mos me i shkue kurrkujt mendja se ato janë fryte të një frymëzimi të çastit. Atëherë, superfuqia poetike, Dritëroi Agolli, miku shoqëror e zyrtar ma i nderuar i asaj “dite poetike” spontane e të rrallë çohet në kambë e tue ngrit dolli iu flet malësorve, Alpeve, brezave: “Ky vend i mrekullueshëm i natyrës, historisë e i kulturës, i lind të gjithë poetë. Tropoja është një poezi e vërtetë…”.
Dragobia e “Shtatë Grykave”, e Kadri Zmajlit e Fatime Sokolit, e lindi të parin poet tropojas Idriz Metaliaj, i cili ndonëse i verbër, pas kthimit nga kampi gjerman i Mathauzenit, e botoi vëllimin poetik “Sytë e mi”, që tevona lufta e klasave e çoi për karton. E sot, vetëm kulla e tij i ka katër poetë.
Homeri shqiptar, Fishta i madh, tek kryevepra e tij “Lahuta e Malcies” jo rastësisht hyjnon se në kryerrjedhë, “atje mbi Valbonë, rri Ora e Shqypnisë”. Në teposhtën e kësaj rrjedhe ujëkaltër, në “Lugjet e Verdha” të Eposit të Kreshnikëve, bash në Klisyrë, legjenda fjalaflet se Ajkuna e varrosi aty Omerin e saj, e cila e vajtoi në vargje me mallkime saqë prej asaj dite e më sot, realisht, aty nuk këndon asnjë zog, asnjë qyqe. Në Margegaj, në afri të  trojeve të Haxhi Zekës, Bajram Currit, Rexhep Krasniqit e Elez Biberaj, ka jetue në shekuj legjenda e kanga e epikës legjendare: Kanga e Ali Bukurisë me 374 vargje, që përngjason me atë të Konstandinit e Doruntinës po nga këndvështrimi e ndryshme nga ajo. Poeti i mirënjohur i këtij trualli, Mehmet Elezi, e cilëson “një valixhe me ngarkesë  bërthamore” (Albania, 5 tetor 2008). Në fundrrjedhën e Valbonës, aty ku bashkohet me Drinin e Mesëm, në vendlindjen e Avni Ponarit, një udhëpërshkrues europian i shekullit të kaluar e përcakton si “vendi ku njerëzit flasin me perënditë e Eskilit”. ..
Valbona që rrjedh përfundi trojeve të Jahos, prej nga buron e deri ku derdhet në lumin Drin, i ka disa qytete e kala nga antikiteti ilir e deri kah mesjeta. Qyteti ilir i  Rosujës (para katërmijë vitesh). Kalaja e Shoshanit (shek. I-V pas K.). Një qytet antik i fshehur nëntokë me një manastir të jashtëzakonshëm në Margegaj, prej nga ka origjinën edhe një nga Papët e Vatikanit. Qyteti në Breglumi deri mbi Nimaj (ku sot ngrihet qyteti i Bajram Currit) në të cilin janë gjet edhe skulptura bronzi të shek. III-IV të pas K. Qyteti kilometrik i Cerrnicës, që nis me kalanë e Dizdarit, aty ku bashkohet Valbona me Bushtricën e deri në Gash. Vendbanimi ilir e mesjetar i Selimajt, ku gjenden edhe gjurmë të kalasë së Lekës, të princit Leka Spanit, që sëbashku me të atin, princin e Pultit Pjetër Spani e tre vllaznit ishte përkrah Skënderbeut në Kuvendin e Beslidhjes së Lezhës më 2 mars 1444. Në Dushaj e  Rajë, në vendbanimet e hershme të Ponarit të Lekës, aty ku bashkohet Drini me Valbonën, në qytetin e Fierzës së dritës, ka pasë një qytetërim antik ilir dhe dioqeza disashekullore e Pultit, kah fundi i Mesjetës së Vonë lartohet edhe Kalaja e Lekë Dukagjinit e, pas ndamjes së zotërimeve principatore sipas  “Via Publika”, edhe e Leka Spanit. Në këtë vis, në dioqezën e të cilit ka shërbye ipeshkv në rininë e tij edhe poeti Pjetër Bogdani, kanë lind poetët Gjon Ndue Markokaj dhe Isa Rexhep Ponari.
Në brigjet e Valbonës kanë shtegtuar e kontribuar njerëz të mëdhenj të kombit si Frang Bardhi e Pjetër Bogadani, albanologë të shquar si Johan Georg von Hahn, Franc Baron Nopça, etj. etj.
Këto janë disa nga dhjetra fuqitë e frymëzimit e lartësimit poetik të Jaho Margjekës që ia jep vendlindja e tij në brigje të Valbonës e të Drinit. Këto janë motivet e librat e Jaho Margjekës, janë emri e mbiemri i tij poetik. Këto e kanë kthyer poetin Jaho Margjekën në një fuqi poetike të kohës.
                                                        2.
Fenomeni i heshtur letrar, Jaho Margjeka, ka botuar me dorën e mendjes së tij e sakrificat e tij disa libra si vëllimet poetike margjekiane: Lojë në pasqyrë (1998), Ëndrra midis (2000), Edhe pak qiell për dashuri (2004), vëllimin me tregime diamantore “Letra nga planeti i borës” (2005) e, diku fjalathotë, se e ka dorëshkrimor edhe një tjetër vëllim poetik “Pak dëborë e diell”, një monografi për kryetrimin luftëtar Ibish Osman Margjeka, stërgjyshi i tij, një vëllim me intervista përgjatë kohëpunës me kulmime si gazetar i mediave të shkruara e i Radio Tirana.
Mbi të gjitha poeti, prozatori e gazetari i njohur Jaho Margjeka është një njeri dinjitar i përkushtuar e ndihet krenar pa kufi për rrënjët e genet e vllaznisë e fisit të tij:
… Jam bërë sa herë therorë miku im !
Për këtë vehtes lavde s’i këndoj.
Në shkollën e qenërisë
S’u bëra dot kurrë nxënës i mirë,
Pse e përmend s’po lavdërohem: është rrënja e fisit !
Poeti Jaho Margjeka e ka kullën e lindjes aty ku Valbona bigohet me lumin Bushtrica, bash në Mollë të Kuqe të Bujanit, veç  240 metra lartësi mbidetare.
Në arat e tij janë disa kodra të vogla me varre ilire apo si njihen në shkencën arkeologjike “Tumat e Bujanit”. Aty, më 1982 arkeologët kryen kërkime e dolën me përfundimin se kemi të bëjmë me një vendbanim ilir mbi tremijëvjeçar, qyshse në kohën e hekurit të hershëm. Asokohe, Jaho njëzet vjeçar, ka punue përkrah arkeologëve në zbulimin e thesareve të identitetit kombëtar shqiptar, ku janë gjet enë balte, stoli prej bakri, bronxi, qelqi, etj. Ia merrte nëntokës ato objekte të rralla e të vyera, i kqyrte, i pastronte, i ledhatonte, i meditonte…, si poezitë e tij margjekiane.
Kur e kapërcen Valbonën, në të djathtë të saj, në afri të Mollës së Kuqe të Jaho Margjekës gjendet qyteti i fortifikuar ilir i Rosujës, sot i populluem nga dy vllazni të të njëjtit trung, nga Margjekaj e Dozhlan. Kërkimet arkeologjike (1964-1965) e datojnë të banuar të paktën dymijë vjet para Krishtit, biles nga shek. IV i kësaj periudhe historike u kthye në qëndra ma e randësishme zejtare-tregtare dhe administrative e krahinës. Në rrënoja të saj janë gjet monedha ilire të Shkodres, Durrësit, Apollonisë, etj.
Skej Mollës së Kuqe, krejt ngjitas me trojet e vendlindjes së Jaho Margjekës, ndamas me kufij prej lumenjve Valbonë e Bushtricë, ngrihej dikur qyteti i madh antik  ilir në rrafshinën e gjanë e të gjatë të Cerrnicës së sotme, me argjilën e së cilës u ngrit dhe digat ma të mëdha në Europë, ajo e hidrocentralit të Fierzës. Ipeshkvi, shkrimtari e etnografi Frang Bardhi, një nga katër “B”-të e Letërsisë së Vjetër Shqipe, e përmend në udhëpërshkrimet e tij të shek. XVII, ndërsa albanologu i shquar Milan Shuflaj rrënojat e  kalasë të Dizdarit (Cerrnicë-Zomaj) i lidhnon me qytetin mesjetar të Sapës. Gjetjet e atyshme arkeologjike dëshmojnë se vendbanimi i përket periudhës së bronzit (sipas një çekiçi guri) apo edhe me periudha paraqytetare (sipas një heshte ilire), etj.
Jo fort larg nga Molla e Kuqe e poetit Jaho Margjeka, në kishën e Selimajve (Geghysen)  në rrethina të kalasë të princit Leka Spani, është ngritë një nga shkollat ma të vjetra në historinë e arsimit shqiptar, krahas atyne në Stubëll (1584), Himarë (1627), Kurbin të Krujës (1632), Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1637), etj. Në këtë shkollë mësohej shqip, aritmetikë, etj. dhe, sipas kritereve të asaj kohe, vlerësohej si shkollë e mesme. Aty kanë dhanë mësim edhe personalitete të shquara kombëtare shqiptare si Frang Bardhi (1638), Pjetër Bogdani (1651) e, ky i fundit, edhe tek shkolla bash tek kisha me kullë e Grisë.
Përballë kullës së Jaho Margjekës në Mollë të Kuqe të Bujanit, sapo kapërcen në të djathtë lumin e Valbonës, gjenden kulla të historisë kombëtare shqiptare, dy kullat muzeale: Kulla e Mic Sokolit, Hero i Popullit, që i vuni gjoksin topit otoman dhe, kulla e Sali Manit, e njoftun si “Kulla e Konferencës së Bujanit”, që firmosi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si dhe kulla e prijesit popullor Binak Alia i Mulosmanëve,“njeriu universitet popullor i urtive”, një ”gjykatë supreme popullore” në Rrafshin e Dukagjinit, Fushë-Kosovë, etj. Me këto tri kulla historike, që në mbi tre shekuj ishte selia e Bajrakut të fisit të Krasniqes, të fisit me histori e kulturë të Jaho Margjekës.
Këto janë “rrënjët e fisit” krenari e Jaho Margjekës, të cilat, njëherash e pandamun, e kanë krenari të tyre edhe Jaho Margjekën, si njeri qytetar, si poet, prozator e gazetar, si figurë publike e letrave shqipe. Këto rrënjë i mbajnë fort e mirë degët e fjalëve në pemët poetike të tij, që e kanë brumue, lumnue e hijeshue palcë e kockë Jaho Margjekën si një fuqi poetike e kohës.
Rrënjët e fisit të poetit, prozatorit e gazetarit Jaho Margjeka, rrënjët e fisit të Krasniqes (këndej Qafës së Kolçit) kanë nxjerrë gjithata njerëz të letrave: Skënder Buçpapaj, Skënder Sherifi, Besnik Mustafaj, Mujë Buçpapaj, Elez Biberaj, Mehmet Elezi, Lulzim Logu,  Ukzenel Buçpapaj, Alfons Zeneli, Abedin Mulosmanaj (editor i gazetës “Adheu”–Amerikë) Arbër Ahmetaj, Brunilda Zllami, Zeqir Lushaj, Ilir Buçpapaj, Bislim Ahmetaj, Hysen Mulosmanaj, Halil Buçpapaj, Idriz Lamaj, Elona Zhana, Halil Elezi, Zog Hysenaj, Flamur Buçpapaj (poet, dramaturg, publicist, botues i gazetës javore “Nacional”), Ibrahim Kadri Malaj, Ilir Seci, Musli Mulosmanaj, Afërdita Sokoli, Elez Qerimaj, Seit Musaj, Shpend Sherifi, Xhevdet Malaj, Mustafë Elezi, Nuredin Lushaj, Osmanie Çakraj, Ramë Ismajlaj,  Everest Imeraj, Isa Breçani, Besa Gjyriqi, Migena Ismailgeci, Hasan Buçpapaj, Nexhat Imeraj, Selim Musaj e shumë të tjerë.
 
      3.
Jaho është poet e prozator me profilin e tij të mirënjohur, interpretues i talentuar i fjalës artistike, publicist me kontribute të vyera në media (ndër)kombëtare e lokale dhe në RTSH, i dhanun prej kryeherit edhe pas sporteve nga noti në Valbonë e deri tek futbolli në “Livadhin e Turkut”, ku të parët e tij ishin pjesmarrës të një epopeje luftarake nga ma historiket kundër otomanëve. Ai ka sakrifikuar jo pak në udhët e jetës së tij dinjitare, në udhën e tij si poet, prozator, publicist me “orë shpirti”  e “dorë të bekueme”, në shtegtimet e dijes nga shkolla e mesme në Kuçovë deri në Universitetin e Shkodrës, e mësues në Llugaj e me detyra profesionale në kulturë e media në qytetin e alpeve. I ka kapërcyer dy dekada jetë në Radio-Televizionin Shqiptar, pothuaj gjysmen e jetës, ku duket se pasionet e tij të mëdha për gazetarinë radiofonike e kanë gjetur vetëveten.
Jaho Margjeka nëpër biseda s’lenë pa përmendur me mirënjohje ndihmen e atyre që e ndihmuan për të studiuar Gjuhë-Letërsi shqipe,e ndër ta Dritëro Agollin,..
Poeti, gazetari e prozatori Jaho Margjeka në çdo hap e fjalë është vetëvetja, sikurse në ditët me diell edhe në ato me ngrica; sikur flet në Radio Tirana edhe në kafe me miq ose me kundërshtarë të vargut ose hapit; sikur shkruan një poezi, një tregim apo shkrim radiofonik, edhe kur flet në telefon celular apo kur ecë trupdrejtë e hapapeshë në dy rrugët e tij me blina: në vendlindje, nga Molla e Kuqe në qytetin alpin të Bajram Currit dhe tek puna në Tiranë, nga selia e RTSH tek banesa e vet në afri të Qytetit të Studentëve:
Nuk po gjejë qetësi miku im!
Se shpirti im nuk qënka si i gjithkujt !
Vehten s’e genjej se jam më i mirë
se të tjerët, po të tjerët qënkan më
të zgjuar, më hileqarë,…domethënë !
Për këtë i penduar nuk jam miku im,
Se jam pjellë e tim’ eti e s’kam nga t’ia mbajë.
            Dy prindërit e tij, Salihi – baba engjëllor (që iku i nderuar nga kjo jetë) e Bora – nana hyjnore e tij, kanë për emër e mbiemër në gojën e kohës e në genet e brezave vetëm dy fjalë medalion: “njerëz të mirë”.
            Këta, ndër gjashtë fëmijët, dy iu banë poetë: Jaho që erdhi në Tiranë e Ismeti, që punoi në televizione si Shijak TV e gazeta si “Emigranti Shqiptar” gjersa shkoi emigrant politik e ekonomik në Francë, në vendin ku emigronin me seli e pushtetet e tyre edhe Ismail Qemali, edhe Ahmet Zogu.
            Se mos vetëm djemtë e Salih Ramës të Margjekajve, nipat e Ram Binakut të Mollës së Kuqe, shkruajnë poezi për kohnat e realitetet e tyre nga Prehistoria deri tek Rendi i ri Botëror. Edhe Populli ka ngrit kangë për Derën e Margjekajve, edhe për stërgjyshin e Jahos, për brezin e shtatë të tij, për Ibish Osmanin:
 Dirgjet Hamza per dugaj
 Po i pervet do sheherjanè
 As ma paté Ibish Osmané,..
            Në vitin 1886, Ibish Osman Margjeka i Mollës së Kuqe vet i katërt, sëbashku me djalin e tij Daut Ibishin dhe me kushëririn e vet, Rexhë Mehmet Margjeka i Rosujës, ky i fundit, me nanën e tij-bijë Kosove, me armë brezit, ranë në  tregun e Gjakovës. Këta e thyen urdhërin e Brahim Pashës për “mos me hy në shehrin e Gjakovës me armë…”. Bimbashi (majori) me zabitët (ushtarët, rojet) e tij iu dolën para në rrugë për me i çarmatos trimat e Margjekajve. Krisi pushka. N’atë përleshje u vra bimbashi me të tjerë, po mbeti shehit edhe Rexhë Mehmet Margjeka, sepse  e kishin ba betimin: …S’ja jap turkit armët e babës / Pa ia djeg sarajet Pashës… /.
Ibish Osman Margjeka, Rexhë Mehmet Margjeka, Daut Ibish Margjeka (pas vdekjes) janë shpallur “Nderi i Komunës”Bujan.
Në luftëra më armiqtë dhanë jetën trimnisht disa margjekas: Ibish Metë Margjeka në 1912-tën e Shpalljes së Pavarësisë në Qafë të Morinës kundër otomanëve; Avdyl Syl Margjeka e Qerim Brahë Margjeka më 1913 kur malazezët e pushtuan e dogjën Malësinë e Gjakovës, etj.
            Margjekajt e Jahos nuk janë vetëm trima të pushkës, por edhe të mendjes, me emna të dëgjuar në gjithato fusha të jetës, ku po i veçoj ata të arsimit, të letërsisë e të penës. “Mësuesi i Popullit” Zenun Margjeka, “Mësuesi i Merituar” Mehmet Margjeka (i vllai), mësues e veprimtar të rendit të parë: Idriz Margjeka, Astrit Margjeka. Nuk po rri pa e përmend edhe mësuesen time të nderuar, nga të parat në Malësinë e Gjakovës, Sofë Margjeka (bashkëshorte e ndërtimtarit Ali Margjeka), që tashti është pensioniste rreth të 80-tave. Dikur, në vitet ’90, doli si zë i veçantë në shtypin letrar me poezitë e saj Vjollca Margjeka (Taipi) e, me sa di, është martuar në Shkup e jetojnë familiarisht në SHBA. Tashti edhe Ismet Margjeka nga Franca ka me na ardhë sivjet me një vëllim poetik.
            Jaho Margjeka, si stërgjyshi i tij, Ibish Osman Margjeka. Askush, astenjiherë e në asnjë kohë, nuk ka me mujt me ia hjek armën e tij, pendën si poet, si prozator, si gazetar. Krijuesit nuk kanë shumë shpenzime për vete: një stilolaps e një letër, po japin shumë për kohën e të tjerët me krijimet e tyre dhe marrin pak prej tyre.
                                          4.
            Në agun e Demokracisë poeti Jaho Margjeka ia dërgon Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë vëllimin e parë poetik “Nesër do të agojë”, prej së cilës në vitin 1990 i vjen përgjigjia: “Pasqyrim i ftohtë i realitetit”. Kur e pata lexuar atë letër Jaho më tha ato fjalë që s’i harroj asnjëherë: “Këta të Naim Frashërit sipas kësaj letre të çojnë në burg…” Po vet Koha e burgosur e me një kambë në varr po kërkonte Lirinë… Jaho nuk kishte astenjë poezi të vetme për lidershipin e partinë-shtet, për njeriun e ri të sistemit të huajtun nga stepat e Rusisë. Ekspertat e letërsisë politike të asaj kohe ia kishin gjuejt në shenjë. Jahon, njeri i mirë në gene e fytyrë e i lindur e rritur si poet i vërtetë, realisht nuk e ngrohte koha e atëherit, ai,“dimri i madh”, si e simbolizon shkrimtari klasik universal, Ismail Kadare.
            Poeti Jaho Margjeka, megjithëse i lindur kah fund marsi i pranverës, prej vitesh  pena e tij e ka një luftë të pambyllun me dimrin saqë edhe tek poezia ma e fundit “Ky dimër” çka si thotë kësaj stine të moti, politike e në shpirtin e ndokujt:
I ftohtë ky dimër, edhe pse pa borë.
Muret e zemrës hèje akulli ngrirë.
Minutat çalojnë, ditënata s’ka orë.
 Rrëknyer shpirti në numbëtirë.
I pashpirtë ky dimër, edhe pse i butë.
Pa cicërima e zogj nën çati…
…I pabesë ky dimër plak, i pabesë.
Tutje pëlcet e kërcet një gosti.
Gdhihet e ngryset njeriu i urtë,
Ftohur e ngrohur me frymën e tijë  .
Edhe kryetitullin ballinës së librit me tregime margjekiane ia ka vnue “Letra nga planeti i borës” (Tiranë, Morava, 2005, redaktor Besnik Mustafaj).
Jaho Margjeka, si qytetar dardan modern dhe në poezitë e tij margjekiane bashkëkohore, ndjen dhimbje prej vakive kur dimri i egër, i pabesë, i pa shpirtë i cegmë deri në akullnim shumanësh “shpirtfisnikët e urtë”. Si poet i palctë e i kocktë, me inde e vena poetike, me detyrë misionare prej vetëvetës e me fytyrë të pastër prej të vërtetës, prej metropolit shqiptar, nga selia e RTSH, i dhemb një pemë në vendlindjen e tij breg Valbonës, në Mollën e Kuqe. Ajo pemë është e vetme në arën e madhe e ngado t’i sillesh asaj i sheh tana anët e horizontit: edhe Qafën e Morinës, edhe malin e Shkëlzenit, edhe Qafën e Luzhës e të Kolçit, edhe luginën Ndërlumna të rrjedhës së fundme të Valbonës për në Drinin e Mesëm. Kit’ “pemë të poetit” e kam pa edhe në FB më 21 janar 2014 me një thanie shenjtërie: “Dimër. Edhe kjo pemë ndjen ftohtë”. Kjo shenjtëri poetike e bante poetin Jaho Margjeka mos me ba hulme e hoje poetike për ata emra në kryevend të piramidës të shtetit që e  varnin poetin Havzi Nela para popullit në qytetin e Kukësit më 10 gusht 1988 vetëm për disidencën e poezive të tij. Njësoj edhe për të tjerët në kohën e sotme të demokracisë: kur paradoksalisht dy presidentë, në dy raste: më 7 maj 2003 dhe më 4 tetor 2007 dekoratën me emrin e Poetit Kombëtar, me Urdhërin “Naim Frashëri i Artë”, ua japin dy gjyqtarëve që kanë firmos për ekzekutimin politik e barbar të poetit disident Havzi Nela.
5.
Ky emri Jaho e ka kuptimin në shqip: Jeto. E vërtetë Jaho jeton në poezi e për poezinë. Duket sikur të dy kanë lindur për njëri-tjetrin. Gurrat poetike të Jahos në mbi 30 vite krijimtari e kanë krijue tashma lumin e vet në detin e poezisë shqipe në shekuj. Është lumi poetik Margjeka, janë poezitë e tij margjekiane., janë tregimet e tij margjekiane.
Disa herë ka fitue edhe çmime (ndër)kombëtare e lokale me poezitë e tij, qyshse në vitet e rinisë studentore me çmim vjetor në revista “Nëntori” (1988). Në kit’ vargavijë stimujsh përveçon edhe Çmimi “Pjetër Budi” nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës (2005). Është vlerësuar edhe Çmimin e parë “Konstandin Kristoforidhi” në Festivalin Mbarëkombëtare “Ditët poetike të verës”- Elbasan, 2006 dhe Çmimi i parë në Festivalin Mbarëkombëtar “Pranvera poetike durrsake”- Maj, 2013. Gjithashtu ka marrë çmime e mirënjohje edhe në veprimtari të tjera.
Poezia e Jaho Margjekës është botuar gjithandej në hapësirat shqiptare në Ballkan por edhe më gjerë, edhe e përkthyer në anglisht në SHBA apo në rumanisht nga revista “Hemus” në Bukuresht, etj.
Ky, Jaho ynë i sotëm, poeti i përjetshëm, ka ecë me vargun e hapin poetik si të gjithë poetët e piedestalit, prej atëherit kur në shkollë të mesme në Kuçovë botonte të parat cikle me poezi në “Zëri i Rinisë” (shkurt, 1981) apo në “Nëntori” (1988) kur ishte student i gjuhë-letërsisë shqipe në Shkodër, apo mësues në Llugaj të Lugut të Malësisë së Gjakovës, e në të gjitha kohët,  është në kërkim të pranverës… Po, para së gjithash, sipas këndvështrimit tim, poeti margjekian lëshon kumtin e tij: “Na duhet të jemi gjallë lum’ miku!”
I dashuruar në vetvehte s’qesh’ kurrë miku im,
Se pak kohë më lanë për të lakmuar vetvehten.
Po ta shkruaj
Në rrasë të gurit këtë kumt’ miku im !
Nëse andej të bie udha ti gjegjen po ma kthen !
Se në ditën e amshueme
njësoj të dy do të jemi,
E deri atëherë…
Po na duhet të jemi gjallë lum’ miku !
            Jaho Margjeka, poeti i lindur në pranverë, me shpirtin poetik pranverë, kërkon edhe për të tjerët pranverë… prandaj siç duket edhe vëllimit poetik dorëshkrimor ia ka vnue titullin: “Pak dëborë e diell”. Poeti, prozatori, gazetari i mediave të shkruara e i Radio Tirana, Jaho Margjeka si e shenjojnë dhe titujt ballinë të veprave të tij: është kundër çdo “Lojë në pasqyrë” nga koha e njerëzit; nuk don të rrijë “Ëndrra midis” po të marrë krahë e lartësi; nuk don të presin gjatë e shpesh “Letra nga planeti i borës”, pasi po kërkon “Edhe pak qiell për dashuri”, pasi “duhet të jemi gjallë”. Gjallnik për kohën, për vete, për brezat.

Filed Under: ESSE Tagged With: i Jaho Margjekes, nenqielli poetik

SHKRIMTARI SKËNDER HASKO, NDEROHET ME “ÇMIMIN E KARRIERËS”

February 9, 2014 by dgreca

Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta/

Nga Murat Gecaj/

Në njëvjetorin e ndarjes përgjithnjë nga jeta të shkrimtarit e publicistit të njohur, Skënder Hasko, u organizua një takim përkujtimor. Ishin të pranishëm familjarë, shkrimtarë e publicistë, kolegë dhe miq të tij. Në fjalën e rastit, shkrimtari e publicisti Bardhyl Xhama-“Mësues i merituar”, u foli, shkurt, pjesëmarrësve për  jetën dhe krijimtarinë e pasur, letrare e publicistike, të Skënder Haskos. Ndër të tjera, përmendi ndihmesën e shquar dhe trashëgiminë e pasur letrare, që ai la pas vetes, në gjini të larmishme letrare e publicistike. Ajo do ta bëjë atë të paharruar ndër breza dhe do t’u shërbejë moshave të ndryshme të shqiptarëve, sin ë Shqipëri e trojet tjera amtare dhe në disporë, për ta njohur e kuptuar ende më mirë kohën, në të cilën ai jetoi, punoi e krijoi. Pastaj, shkrimtari Pandeli Koçi ia dorëzoi bijës së tij, Alketa Haskos, dëshminë e Diplomës së “Çmimit të Karrierës” (pas vdekjes), dhënë tani nga Shoqata Mbarëkombëtare e Letërsisë për Fëmijë e të Rinj. Në motivacionin përkatës, bëhet ky vlerësim i merituar, për Skënder Haskon:“Për ndihmesën e shquar në krijimtarinë e tij artistike, në lëmin e letërsisë për fëmijë e të rinj dhe për mbarëvajtjen e gjallërimin e Shoqatës”.

Duke e marrë këtë Çmim, Alketa Hasko dhe vëllëzërit e Skënderit, Birçe e Arif Hasko e falënderuan nga zemra kryesinë e kësaj Shoqate për këtë nder, që i  bëjnë njeriut të tyre shumë  të dashur e të paharruar, në njëvjetorin e ndarjes përgjithnjë nga jeta.

Duke shprehur respektin dhe dëshmuar vlerat e gjithanshme, njerëzore dhe në fushën e krijimtarisë, të shkrimtarit e publicistit Skënder Hasko, me radhë, folën: Viron Kona, Sejdo Harka, Murat Gecaj e Gjikë Kurtiqi; Sofo Kuteli, Gafurr Brahimi e Sokol Abazaj. Ata theksuan se ai ishte shumë i përkushtuar, jo vetëm në punë, por dhe në të gjitha veprimtaritë shoqërore e jetësore. Në tërë vitet e jetës së tij, Skënder Hasko dëshmoi atdhetarizëm e profesionalizëm, për të shkruar e botuar vepra sa më të dobishme për brezin e ri dhe për të gjitha moshat. Ishte mjaft domethënëse, që ai kërkoi, qyshë në gjallje, për ta varrosur në vendlindjen e tij të dashur, në Dukat të Vlorës, pranë bashkëshortes e bashkudhtares së jetës, Shanes, për të cilën kishte botuar librin-vajtim, “Më iku, gjysma ime”.

Janë kaq domethënës vargjet-amanet, që shkroi Skënder Hasko:

…Ndaj, po vij të tretem në gjirin tënd-valë,

Se unë të kisha prind e Ti më kishe djalë.

Me dheun tënd trupin do përziej,

Që ngrohtësinë tënde, ditë  e natë, ta ndiej!

Veprimtaria e thjeshtë përkujtimore, kushtuar Skënder Haskos, u shoqërua edhe me kujtime e mbresa nga të pranishmit, si në punë dhe miqësinë e pandarë me të, por dhe në bashkëpunimet, në krijimtarinë letrare e publicistike. Përmbajtja kryesore e tyre ishte se, njerëz e shkrimtarë si ai, do të mbeten kurdoherë të paharruar e të pashlyer në kujtesën e gjithë atyre, që e kanë njohur, si tani dhe në të ardhmen. Për fjalët e shprehura, me aq respekt e dashamirësi, në adresë të njeriut të tyre aq të dashur, ata i falënderuan nga zemra: Birçe, Arif e Alketa Hasko.

* Ne Foto: Alketa, bija e S.Haskos, me diplomën në duar…

Tiranë, 9 shkurt 2014

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: cmimi i Karrieres, Shkrimtari Skender Hasko

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT