• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2014

Kush fshihej pas palltos së Rugovës

March 2, 2014 by dgreca

Intrigantët që betohen në emrin e Rugovës …/

Shkruan: Gani MEHMETAJ/

Kohë më parë një sharlatan i publicistikës e mercenar islamik, gënjeu sërish opinionin kinse pati afri me presidentin e ndjerë, apo sikur u takuan dikur me filan ambasadorin. Pse e bën këtë gjë: ta shes lëkurën sa më shtrenjtë të partia ku u vu në shërbim, apo të Serbia e shtetet islamike ku e ka shitur shpirtin? Por nuk përjashtohet mundësia që synon ta denigrojë Rugovën, sepse gënjeshtari ka reputacion të keq në opinion, prandaj njëkohësisht do ta kënaq sedrën e njeriut të vogël që pati rastin të pi kafe me një personalitet të madh. Ky nuk është i vetmi gënjeshtar, por është ndër eksponentë më agresiv e më të ndotë në publicistikën e gënjeshtrave.

Intrigantët që betohen në emrin e Rugovës

Pas vdekjes së presidentit Rugova, themeluesit të shtetit të Kosovës, dështakë të politikës e shkrimtar me reputacion të dyshimtë origjinaliteti, nisën të shprehin dashuri të pakufi ndaj Rugovës, kurse në të gjallë shquheshin për ndërskamca, intriga e grupime politike, duke i rivalizuar prapa shpinës. Sikur nuk u mjaftonte kjo, ia ndërsenin fraksionet brenda partisë, shpërndanin thashethemnaje të tipit të Jagos nëpër kuluare, rigrupoheshin, krijonin klane lokaliste e familjare, bënin aleanca të fshehta me partinë kundërshtare ose me struktura të dyshimta. Në të gjallë asnjëherë nuk e patën guximin t’i dalin përballë. Zilia e smira e sëmurë i mundonte gjithë kohën, sepse kurrë nuk u pajtuan të jenë hija e Rugovës, ndërsa s’kishin kaçik të ishin ndryshe: u mungonte karizma, u mungonin idetë, u mungonte origjinalitetet në çdo gjë, s’ kishin as guxim e moral intelektuali. Megjithatë nuk i shqiteshin Rugovës gjatë fushatës elektorale, në takime me popullin, nëpër mbledhje partiake etj. Nuk i shqiteshin edhe kur Rugova i nxori nga dera, ndërsa ata u futën për dritare.

Betoheshin se do ta ndjekin strategjinë kombëtare të Rugovës (miqësi të përhershme më SHBA-në dhe integrim në BE), ndërsa në fakt nga pro amerikanizmi i Rugovës e LDK-së po rrëshqasin në erdoganizmin anadollak, e vehabizëm të frikshëm mesjetar, ashtu sikurse në vend t’ia vënë në pah presidentit të ndjerë filozofinë politike që e mahniti botën, krahas personalitetit karizmatik që e pati, ata përqendrohen në krijimtarinë letrare! Ndërkaq, dihet fare mirë se Ibrahim Rugova, pavarësisht se në politikë u fut nga bota e letërsisë, ndër shqiptar, sidomos në botë u bë i famshëm me karizmën politike, me qasjen e veçantë dhe, më meritën e jashtëzakonshme të themeluesit të shtetit të Kosovës. Nuk dinë të merren me analiza të këtilla komplekse? Apo duan ta paraqesin vetëm një segment, duke anashkaluar kontributin kombëtar?

Të tretët dikur i rrinin prapa me servilizëm skllavi, pastaj nisen të përjargeshin para ndërkombëtarëve në mënyrë qesharake për t’ua bërë qejfin, pa i pyetur askush, duke u betuar se e duan Krishtin (I love Jesus, u thoshte njëri syresh një grupi ndërkombëtarësh në restorantin Emerald, me tregonte miku im), ndërsa pas disa vjetësh mbështesin vehabizmin që i mbulon gratë, madje del në mbrojtje të atyre që shkuan të luftojnë për islamin në Siri. Ata nuk i dhanë asgjë LDK-së, ndërsa përfituan shumë nga të qenit në partinë e Rugovës, ata ia ndryshuan kursin kombëtar kësaj partie, duke e mashtruar elektoratin kinse po e ndjekin rrugën e qytetërimit evropian dhe strategjinë kombëtare për shtetin e Dardanisë.

Gënjeshtrat serike   

Kështu, në vargun e shpifjeve e të gënjeshtrave, gënjen taliban-publicisti, ashtu sikurse gënjejnë ata që shtihen miq të Rugovës. Gënjente provinciali zëçjerrë kinse e donte Krishtin, sikurse gënjen tash gjoja e do myslimanizmin. Të tillë gënjeshtarë e mburracakë që nga fillimi i përpjekjeve për karrierë politike kanë mbledh pikë në emër të Rugovës, janë bërë ndër më të pasurit në Kosovë, janë futur në strukturat e larta të LDK-së, duke lozur rolin e kalit të Trojës. Ata e mbështesin njëri-tjetrin sa herë u rrezikohet posti apo u rrezikohet çjerrja e maskave. Po këta gënjeshtarë e ushqenin shtypin e verdh me proçka sikur kishin miqësi me presidentin qe kur nuk mbahet në mend.

Edhe në të gjallë Rugova nuk i  përgënjeshtroi mashtrimet e këtilla, nuk i përfillte mashtruesit, madje ua kthente me një qeshje babaxhane edhe kur disa prej tyre i vinin e i kërkonin falje për “pasaktësi” shtypi, sikurse i komentonin deklaratat e tyre. Me heshtje e shpërfillje ai i çarmatoste si kundërshtarët politikë që përjargeshin kundër tij, ashtu edhe gënjeshtarët.

Disave syresh u shpërthente mllefi pse ai nuk i caktoi apo nuk i sugjeroi pasardhës të tij.

Shumëkush ia pa për të madhe presidentit të ndjerë pse nuk la pasardhës politik, apo pse nuk e sugjeroi asnjërin nga bashkëpunëtorët. Por asnjëri nga “bashkëpunëtorët’ të cilët më shumë i silleshin nëpër këmbë se sa që e ndihmonin, nuk u shqua për asnjë ide origjinale gjatë periudhës 20-vjeçare të pluralizmit. Asnjëri nuk pati koncept politik avancues, që s’do t’i përsëriste ato që ishin thënë, asnjëri nuk e dha kurrë ndonjë intervistë apo deklaratë që do ta shquante nga të tjerët. Pjesa më e madhe e “bashkëpunëtorëve’ fshiheshin prapa palltos së tij të gjatë të presidentit Rugova, duke e fshehur kështu paaftësinë politike e intelektuale, mungesën e guximit, mungesën e ideve. Dhe shumica e tyre kanë mbetur në skenën politike me intriga e koalicione nga më të çuditshmet. Asnjëri prej tyre jo vetëm që nuk ishte në hap më Rugovën, por ishte me kilometra larg tij me shpirt e më trup.

Lidhja Demokratike e Kosovës në Kosovë e në Diasporë pati dhe ka potencial të jashtëzakonshëm të njerëzve e të intelektualëve, ka një strukturë organizative të shkëlqyeshme, të ndërtuar në kohën e Rugovës, ka militantë që si ka asnjë parti tjetër. Por këta s’ka kush i këndell nga zhgënjimi as t’i ve në veprim. Nuk u gjet ende emër që do t’i bindte se e vlen të sakrifikojnë e të angazhohen.

Ndërkaq, në periudhën e pasluftës pjesë më e madhe e idealistëve e intelektualëve u larguan nga LDK-ja, sepse s’i mbronte askush, ndërsa kundërshtarët politik i vrisnin pa mëshirë ose i kërcënonin me vdekje.

Ndonjëri syresh nga frika jo vetëm që u largua nga Rugova, por u dhanë detyrë punëdhënësit e rinj ta sulmonin egërsisht në shtyp e televizion ish shefin. Për turp ata e bënë këtë gjë sikur nxënësi kur e kryejnë detyrën  që ua ka dhënë mësuesi

Filed Under: Featured Tagged With: Gani mehmetaj, kush fshihej, pas palltos se Rugoves

Pa Mitrovicën nuk ka kuptim Kosova

March 2, 2014 by dgreca

Politika kombëtare nuk duhet ta heqi nga axhenda ditore për asnjë çast “çështjen Mitrovica”/

Ne Foto:Nga promovimi I organizuar ne Tirana International Hotel/

Shkruan: Dr. Nuri Dragoj/

Libri i Ramadan Kelmendit “Gërshetime faktesh në përplasjet politke”, na tregon se Mitrovica është zona e betejave të mëdha, që kanë hyrë në histori si emblema e saj. Ajo është kapilari që lidh sakrificat mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës në përpjekjet shekullore për pavarësi nga sundimi serb, është etaloni i besnikërisë dhe patriotizmit, ku çdo banor i asaj zone ndjehet krenar për identitetin e vet. Mitrovica është pjesa e zhuritur dhe e goditur rëndë nga okupatorët, por ajo është njëkohësisht edhe barrikada e rezistencës apo treguesi i qëndresës shqiptare. Ajo është djegur e mitraluar disa herë dhe burrat e pafajshëm të kësaj zone janë vënë me qindra herë para murit të pushkatimit të pushtuesve. Por trimat e kësaj toke, ku shkruheshin gjithmonë qartë vetëm fjalë lirie, mbi pellgjet e gjakut të luftës mbollën pemën e lirisë. Mitrovica nuk është dorëzuar asnjëherë dhe duke shtrënguar në trup një koleksion plagësh, kjo zonë ka rigjeneruar vetveten, duke u kthyer në fortesë të papushtueshme të qëndresës. Në Mitrovicë, ku kanë munguar historianët a shkrimtarët e mëdhenj, nuk kanë munguar komandantët e luftrave çlirimtare, heronjtë dhe dëshmorët, patriotët dhe nacionalistët, të cilët, të gjithë së bashku, zbukurojnë aureolën e Nënës Shqipëri. Vet Mitrovica nëpër shekuj ka mëkuar njerëzit e saj me vlerat e humanizmit dhe respektit, prandaj për këtë arsye secili banor atij qyteti, ndihet me fat që ishte bir i asaj treve të përvuajtur, por të lavdishme. 

Duke shfletuar këtë libër, nuk është e vështirë të shohësh që Ramadan Kelmendi na shfaqet si një hero, jo vetëm i Kosovës, por i krejt çështjes shqiptare. Ai ka qënë një politikan i shkëlqyer, diplomat bashkëkohor dhe një gazetar për ta patur zili. Në shkrimet e tij në median e shkruar, si dhe në intervistat e dhëna, na rezulton një publicist skrupuloz, që nuk bënë kompromis me askënd para së vërtetës, para mbrojtjes deri në sakrificë të Mitrovicës në veçanti dhe Kosovës në tërësi, mbrojtës i shqiptarizmës. Një person që di të shkruaj, pa shumë ujëra në frazat e veta, problemor, i qartë në mendime, konkret dhe vizionar, gazetar që di të respektoj etikën, por që nuk i trembet kritikës, analist që u paraprin ngjarjeve dhe jurist mjaft i mirë i së drejtës. Stili i Ramadanit është i qartë, i saktë dhe ai anon nga lakonizmi, gjë që nuk është aspak e lehtë për t’ia universalizuar mendimet dhe idetë e tij. Për të shpërthyer kufijtë e kufizimeve provinciale, ai i ka dhënë rëndësi ndërlidhjeve në rrafshin kombëtar, duke cituar dhe thënie shumë të goditura të autorëve të mëdhenj botërorë që kanë qenë mjeshtra të materies historike. Nga kjo pikëpamje, ai ka konstruktuar një vepër të jetës, duke hedhur tej komplekset, duke u dhënë rëndësi çështjeve në dukje të vogla, prej të cilave strukturohet e madhja.

Si rrallëkush, ai nuk e kërkon të keqen te armiku i jashtëm, siç bëjmë shpesh ne, por te vetvetja, te bashkëatdhetarët e tij, te drejtuesit e pushtetit vendor, te deputetët, ministrat e kryeministrat e vendit të vet, te çdo qytetar shqiptar.

Në kohën kur grupet militare serbe ishin shtuar, militarizuar dhe egërsuar, Ramadan Kelmendi shpreh dhimbjen që ashpërsia e tyre ndihmohej nga spiunë shqiptarë, njerëz të paguar e të vënë në shërbim të Serbisë, për të dëmtuar vëllezërit e vet, çështjen e Kosovës, në shkëmbim të pagesave plot helm. Ai bënë publike në gazetën Rilindja dhe Bota sot, listën me 66 shqiptarë atdhetarë që duhej të vriteshin nga serbët, emrat të cilëve jepeshin po nga shqiptarë, ku bënte pjesë dhe vet Kelmendi. I njëjti fenomen që ka ndodhur edhe në Jug të Shqipërisë, në vitet 1914, kur forcat militare greke vrisnin, burgosnin dhe internonin parinë e fshatrave dhe të gjithë shqiptarët patriot që dëshironin të flisnin e lexonin shqip.

Ramadan Kelmendi kur shkruan nuk merr porosi nga askush. Nuk bënë si të tjerë që udhëzohen nga pronarë të mediave, krerë të institucioneve shtetërore apo edhe më keq akoma nga struktura antishqiptare. Ai shkruan me mendjen e vet, duke mos e shmangur për asnjë çast Mitrovicën dhe Kosovën. Në faqet e gazetave ai na jep të gjalla krimet serbe të vitit 1999, vrasjen e një numri të madh qytetarësh kosovarë, djegien e shtëpive, ndarjen e familjeve më dysh, duke krijuar dhimbje e mjerim për fatin e njëri tjetrit, ikjen e tyre refugjatë, vështirësitë e hasura dhe mbështetjen e gjetur te vellëzërit e tyre në Shqipëri.

Interesante janë takimet me përfaqësues të besimeve fetare dhe mendimet e shprehura prej tij para ndërkombëtarëve, ku kërkonte që Mitrovica të ishte shembull i paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe më gjerë. Duhej të ngrihej vetëdija fetare, morale e njerëzore. Por mbi të gjitha ishte e nevojshme të forcoheshin lidhjet me organizatat ndërkombëtare dhe mbi të gjitha të dënoheshin kriminelët për vrasjet e masakrat e bëra.

Ramadan Kelmendi e di mirë se pa ekonomi të stabilizuar, pa resurse natyrore dhe të ardhurat e nevojshme, një komb nuk mund të qëndrojë në këmbë. Prandaj, më 1 dhjetor 1999 në Kosova Sot, ai botoi artikullin, “Kush fiton betejën për Trepçen, fiton luftën për pushtet në Kosovë dhe Serbi”, të cilin e bazon në resurset e mëdha që rrjedhin prej saj.

Në shtypin e ditës, jo pak vend zënë shkrimet e Ramadanit lidhur me vazhdimin e spastrimit etnik në veri të Mitrovicës, tashmë me një metodë të re, të blerjes së shtëpive të shqiptarëve. Në vitet 2000-2005, ishin shitur rreth 100 shtëpi, gjë e cila e trishtonte Kelmendin. Edhe ai ishte banor i veriut të Mitrovicës, ku kishte një shtëpi 4-katëshe, të cilën ia kishin djegur, por nuk e braktisi. E rikonstruktoi sërish shtëpinë e vet dhe ndonëse serbët i afruan një shifër maramëndëse prej 980 mijë euro, nuk pranoi ta shiste. Ndaj kishte të drejtë të qortonte bashkëatdhetarët e vet, se duke shitur shtëpitë ndihmonin politikën serbe për të shpejtuar ndarjen e Mitrovicës dhe sabotuar politikën e Kosovës, që e donte qytetin shqiptar në veri të pandarë, ashtu siç kishte qënë historikisht. Shtëpitë bliheshin nga Qendra Kordinuese e Serbisë për Kosovën dhe nëse një shtëpi kushtonte 40 mijë euro, ata e 5-6 fishonin çmimin, pasi në to strehoheshin paramilitarë dhe roje të urës. Në kohën e sotme, të turbullt dhe të sodonizuar nga politika, të spekullimeve gjoja globaliste, kur zbehet fare nocioni i kombit dhe për rrjedhim, nocioni i krahinës dhe vendlindjes, Ramadani ndihet i tronditur. Ai e pranon eternitetin njerëzor, me kushtin e një sfide të vërtetë, të afirmimit të vlerave kombëtare, të krahinës dhe vendlindjes së tij, që ai iu përgjërohet. Ai e ka bërë këtë afirmim, sepse vetëm kështu mund të afirmohet vetë përpara lexuesit, i cili është shpesh i vështirë, plot kërkesa, dyshime, si dhe sqimatar, dëbatues dhe kriticist, që kërkon të vërtetën.

Ndërtimet masive serbe në veri të Mitrovicës, që bëheshin për strehimin e forcave esktremiste serbe, e shqetësonin shumë deputetin. Revanshin serb ai e bënte problem të shoqërisë kosovare, të plolitikës, kuvendit dhe organizmave ndërkombëtare, duke protestuar në shtypin e ditës, ndonëse reagimet herë ishin të mefshta dhe herë mungonin fare. Ai nuk mund të pajtohej me një gjendje të tillë, ndaj kritikonte autoritetet lokale dhe ato qëndrore, që nuk kishin bërë sa duhet për të ndalur aktivitetin serb në spastrimin e popullsisë shqiptare. Ndërtimi i pallateve në lagjen e Boshnjakëve vazhdonte pandërprerë, në një kohë kur politika kosovare nuk qe ngritur në nivelin e duhur për të tronditur opinionin ndërkombëtar dhe të detyronin të dërguarit e Europës të mbanin qëndrimin e duhur.

Kelmendi nuk pajtohej me konsiderimin e strukturave serbe të mbrojtjes si diçka e zakonshme, pasi forcimi i tyre synonte trembjen e shqiptarëve dhe detyrimin e tyre të zbraznin territorin, pasi vetëm kështu mund të shpejtohej procesi i spastrimit etnik. Shqiptarët që vazhdonin të jetonin në veri të Kosovës, po shiheshin nga të dy palët si qytetarë të dorës së dytë, në vend që Kosova të përqëndronte vëmendjen te ta dhe të nxiste të tjerët të bënin të njëjtën gjë.

Ramadan Kelmendi rezultonte deputeti që kishte shtruar më tepër probleme për t’u zgjidhur dhe pati dhënë mendime konstruktive. Fakti që Komuna e Mitrovicës nuk kishte riparuar asnjë shtëpi të djegur në veri, tregonte se ajo e kishte lënë atë jashtë dore. Për Kelmendin, kur krerët e Kosovës e shihnin që serbët blinin shtëpi shqiptarësh dhe shtonin ndërtimin e pallateve, duhej të mësonin nga veprimi i tyre dhe të investonin edhe ata në riparimin e shtëpive të djegura, të frenonin shitjen e banesave duke u gjendur në krah të njerëzve të gënjyer apo të frikësuar. Pavarësisht nga shkalla e lartë e varfërisë, nuk mund t’u falej shurdhësia dhe indiferenca e treguar përballë realitetit të bërë prezent nga Kelmendi me shokë. E në rrethana të tilla, Ramadani detyrohej të shpresonte te ndëgjegja qytetare, ndaj u bënte thirrje banorëve të Mitrovicës e krejt Kosovës, të votonin ata persona që nuk donin privilegje, por qëndronin mbi ligjin dhe nuk keqpërdoreshin.

Kemi të bëjmë me një politikan klasi, syrit dhe mendjes së të cilit nuk i shpëton asgjë. Është ndër të paktët që vëren gjithçka me sy analitik. Kritikon publikisht përpjekjet që bëheshin, gjoja pa dashur, për të shuar unitetin midis kombit të ndarë më dysh. Në prill të vitit 2000, në Kosova Sot, me artikullin “Çfarë i mungon ekspozitës 80 vjet paralament në Shqipëri”, ai evidenton mungesën e madhe të asaj ekspozite, që lidhej me trungun amë, mos ekspozenë e rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë që e njihte Kosovën si shtet të pavarur, telegramet e personaliteteve politike dhe shkencore të shtetit shqiptar për këtë çështje, qëndrimin e Kuvendit të Shqipërisë ndaj luftës heroike të kosovarëve etj. Mungesa e tyre i shërbente politikës së përçarjes dhe çonte ujë në mullirin e politikës serbe.

Kelmendi si një intelektual i ndjeshëm, tërhiqte vëmendjen për mohimin e të drejtës së pensioneve për shqiptarët e Kosovës, si një veprim antinjerëzor, pasi mijëra njerëz nuk kishin të ardhurat më elementare për mbijetesë. Në shkrimin me titull “Pensionistët të mos i trajtojmë si lypsa”, në një kohë që NATO kishte mbi një vit në Kosovë, i bëhej apel politikës kosovare por dhe asaj ndërkombëtare, që ta vlerësonin këtë çështje si të dorës së parë, pasi kishte të bënte me dinjitetin njerëzor, me mbijetesën ekonomike.

Akti i vetvendosjes së shqiptarëve në Kosovë, në të cilin Ramadan Kelmendi ka qënë ndër aktorët kryesor, kryetar nderi i 2 korrikut 1990, e konsideron hapin e parë drejt pavarësisë, një rezultat historik të vetëdijes së popullit shqiptar. Duke nderuar 7 shtatorin, ditën e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në Kaçanikun Legjendar, ku ai ishte vet delegat, e konsideronte atë si përvjetorin e pavarësisë juridike, por ai nuk e sheh me vend për të festuar, pasi endërra e tyre ishte pavarësia. Ajo ishte një platformë e kombit kosovar, që shërbeu si bazë organizative e luftarake, për ndërkombëtarizimin e çështjes.

Përpjekjet e tij në hartimin e Statusit të Komunës së Mitrovicës, si kryetar komisioni, ruajtjen e tërësisë territoriale në mënyrë ligjore dhe përplasjet me grupin që shprehej pro heqjes së Zveçanit nga Statuti, tregojnë qartësinë e tij politike. Ai deklaronte në atë kohë se heqja e Zveçanit çonte në ndarjen e Mitrovicës, kur dihet që është territor i atij qyteti shqiptar. Heqja e tij nga statuti do të thoshte pranim nga ana e vet shqiptarëve, juridikisht dhe politikisht, të ndarjes së Mitrovicës.

Kelmendi si një person që i dhimbej Kosova deri në qelizë, nuk mund të pajtohej me punësimin e njerëzve që i kishin shërbyer Serbisë dhe lënien jashtë pune të shqiptarëve me kontribute të njohura për lirinë. Ishte për zhvillimin e konkurseve, ku të fitonte më i miri. Në gazetën Metalisti, 10 maj 2001, ai kritikonte diskriminimin në punësim, duke dhënë një shëmbull nga industria e akumulatorëve, ku nga 11 emra të punësuar, vetëm dy ishin shqiptarë. Në këtë kuadër, më 16 gusht 2001, në gazeta 55, ai botoi artikullin “Kush e fitoi luftën në Kosovë dhe kush e humbi”, ku ironizon veprimet spekulative dhe antikombëtare, pasi ata që nuk dhanë kontribut fituan beneficet, ndërsa ata që bënë sakrifica mbeten të papunë. Në Mitrovicë 93% e punëkërkuesve ishin shqiptarë. Në vitin 2008 Kelmendi pohonte se 63 mijë shqiptarë qenë të papunë. Në këtë kontekst, ai citon Abraham Linkolin, që thoshte: “Të jesh njeri i pandërgjegjshëm në veprimin tuaj, është tragjedi e juaj pesonale dhe e familjes që i përket, por të jesh politikan i papërgjegjshëm, nuk është më tragjedi personale, por tragjedi e popullit dhe shoqërisë që i përket”.

Në gazetën Koha Ditore ai kundështonte marrëveshjen për tjetërsimin e pasurisë së heroit Kombëtar, Isa Boletinit. Në nëntor të vitit 2007, Ramadan Kelmendi u kërkoi institucioneve të Kosovës të merrnin masa që rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit të bëhej në varrezat e fshatit të lindjes, Boletinit. Kërkonte të ristrukturohej kulla e Isës, të hapej rruga e vjetër dhe të asfaltohej ajo ekzistuese nga Mitrovica në kompleksin e kullave të Boletinëve.

Si intelektual dhe deputet ai kundështoi me forcë ndarjen e Mitrovicës mbi baza etnike. Ishte kundër intolerancës, mungesës së disiplinës, papërgjegjshmërisë. Në detyrën e kreut të LDK-së, dega Mitrovicë nuk pranoi që të legjitimohej ndarja e Kosovës me statut. Në mars të vitit 2002, shtypi publikoi apelin që ai u bënte strukturave më të larta të Kosovës për çështjen e integritetit politik, territorial, administrativ e juridik të Mitrovicës, pasi shqiptarët e njihnin Mitrovicën si qytet të lirë e të pandarë. Ai kritikoi në shtyp krerët e Kosovës që u shprehën pro krijimit të komisionit në veri të Mitrovicës. Gazeta Zëri, më 1 korrik 2002, tregonte se Kelmendi ishte kundër pjesëmarrjes së partive serbe në zgjedhjet lokale të Kosovës, të tetorit 2002, duke mos u pajtuar me vendimin e OSBE për pjesëmarrjen e tyre, pasi ishin parti të regjistruara në Serbi. Ai kishte hyrë në debate edhe me kryeadministratorin e Kosovës, Bernard Kushner, lidhur me shkeljen e të drejtave që u bëheshin fshatrave Kelmend, Boletin e Zhazhës të Mitrovicës, që jashtë vullnetit të tyre patën mbetur në varësi të Zveçanit. Fshatarëve shqiptarë u mohoeshin të gjitha të drejtat, edhe pse komuna në fjalë financohej nga Kosova. Madje edhe pasaportat u lëshoheshin me kombësi serbe. Ndaj në emër të LDK për Mitrovicën, në qershor të vitit 2003, ai kërkonte nëpërmjet gazetës Bota Sot, që të sigurohej e drejta e pronës, e ruajtjes së saj dhe trashëgimisë ligjore, e rregullave, transparencës dhe ligjit.

Nëpërmjet shtypit Ramadan Kelmendi ka sqaruar shkencërisht kuptimin gjeografik të Kosovës veriore dhe spastrimin etnik të shqiptarëve nga vitit 1941 deri në vitin 1999. Ai thotë hapur që Serbia nuk e ka fshehur asnjëherë tendencën e spastrimit. Në vitet 1941-1953 nga Mitrovica janë larguar me dhunë 5 135 banorë. Nga treva e Shalës shqiptare, duke u mohuar të drejtën e punës, mbrojtjen shëndetësore, atë sociale, shkollën, pensionin, serbët bënë që të largoheshin 21.783 banorë. Ai jep shkollat e djegura, shtëpitë, bagëtitë e rrëmbyera, mjetet e punës, bibliotekat e zhdukuara. Mbi 3001 shtëpi të djegura dhe 26.836 banorë të larguar në prag të vitit 1999.

Ramadan Kelmendi është shumë i vëmendshëm. Ai sheh dhe analizon çdo veprim të politikanëve kosovarë dhe atyre të huajë, qëndrimin e shoqatave dhe organizatave të ndryshme joqeveritare, të institucioneve apo individëve që angazhoheshin me problemin e Kosovës, duke e parë gjithçka në raport me çështjen kombëtare. E kuptonte që politika serbe gjente njëmijë e një mënyra për të realizuar qëllimin e saj. Kur Instituti Europian për Stabilitet bëri propozimin e ndarjes së qytetit të Mitrovicës, pra pjesa veriore të kalonte me komunën e Zveçanit, ai dha alarmin për një rrezik serioz që e kanoste Mitrovicën. Kjo shoqërohej me masa të tjera shtrënguese nga ana e serbëve, pasi shqiptarët që ishin larguar nuk po i lejonin të ktheheshin sërish në pronat e tyre, duke u mohuar të drejtën e banimit në vendlindje, duke cënuar dukshëm unitetin etnik të rajonit të Mitrovicës.

Mos zgjidhjen e çëshjes së Mitrovicës, ai e shihte si bazë për destabilitet, se pa Mitrovicën nuk mund të kishte Kosovë, nuk do të plotësoheshin standartet e kërkuara. Deputeti Kelmendi nuk kishte qetësi, nuk mund të pushonte në plazhe kur vëllezërit e tij në Mitrovicë përjetonin pasigurinë. Në një nga seancat parlamentare, kur u deklaruan pushimet e sezonit dhe deputetët mendonin të zgjidhnin vende të bukura bregdetare, Ramadani befasoi tërë opinionin publik, duke deklaruar se nuk do të pushonte por do të qëndronte mes qytetarëve të Mitrovicës, në shërbim të tyre. Ngritja e problemeve lidhur me padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve të Mitrovicës shihej si obligim qytetar. Shqiptarët duhet të jetojnë aty ku kanë pronat pa dallime etnike e fetare.

Më 3 dhjetor 2006 ai i kërkoi Kuvendit të Kosovës të miratonte një rrezolutë të veçantë për Mitrovicën. Nuk duhej harruar që para lufte Mitrovica kishte 76% të popullsisë shqiptare, ndaj popullsia e dëbuar nga trojet e veta duhej të kthehej sërish përtej lumit Ibër, ku banonte në shekuj.

Më shtator 2006 Kelmendi u kërcënua për të mos kandiduar si kryetar i LDK por në 3 shkurt 2007, u bënë zgjedhjet dhe ai fitoi sërish.

Sipas tij decentralizmi politik i Kosovës ishte konceptuar vetëm si nevojë etnike serbe, kur duhej parë si proces i lehtësimit ekonomik. Kjo bëri që komunat me shumicë serbe të mos njihnin autoritetet qëndrore të Kosovës, nuk përmbushnin obligimet buxhetore, aplikonin ligjet serbe, vulat dhe simbolet e alfabetit serb. Për këtë, Kelmendi ngarkonte me përgjegjësi Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Pushtetit Lokal. Plani i decentralizmit bazohej në përvojën e demokracive të zhvilluara, por nuk përshtatej me kushtet e Kosovës.

Në kohën kur Kosova shpalli pavarësinë e u bë shtet më vete, Kelmendi trajtonte në shtyp praktikën që duhej ndjekur për shqiptarët e Kosovës që mund të bënin ankim në Gjykatën e Strasburgut, për çështjet e genocidit të ushtruar mbi të, të dëmtimeve, përvetësimeve dhe të drejtës së pronësisë.

Regjistrimi i popullsisë ai kërkonte që të bëhej mbi bazën e kriterit të së vërtetës. Ata shqiptarë që ishin larguar me dhunë nga veriu, duhej të ktheheshin sërish, të regjistroheshin po në veri, pasi ai ishte trualli i tyre. Para vitit 1999 aty ishin 83% e popullsisë shqiptare, ndërsa në vitin 2011 vetëm 20%. Ai shqetësohej pse krimet serbe nuk po i dënonte askush. Kritikonte mefshtësinë e politikës së jashtme për lobim, pasi ata që ngarkoheshin me punë të tilla shihnin vetëm për të pirë ndonjë kafe apo për të zgjidhur probleme të biznesit personal.

Kelmendi është nga të paktët që ka ngritur zërin kundër paraqitjes së Kosovës si një vend me numër të madh etnish, kur në të vërtetë pakicat ishin të papërfillshme. A duhet të quhej Kosova multietnike, kur 93% e popullisë ishte shqiptare? Padyshim që jo. Politika kosovare u ndikua nga presioni i jashtëm, qofshin ata dhe individ të dërguar me mison. Duket se mbi ta ka patur më shumë efekt politika serbe, së cilës i interesonte kjo larmi e paqënë etnish. Edhe këtë veprim Kelmendi e shihte si qëllim dashakeq të serbeve por dhe të ndonjë përfaqësuesi të ndërkombëtarëve, që mendonin se në këtë mënyrë mund të zbutej klima me pakicat etnike.

Të gjithë duhet t’i hedhim sytë te Mitrovica. Pa Mitrovicë nuk ka Kosovë. Politika shqiptare dhe ajo kosovare të mos e ndajë për asnjë moment Mitrovicën nga axhenda e punëve diplomatike. Mitrovica është e shenjtë dhe e shtrenjtë, në radhë të parë sepse është shqiptare, por edhe sepse ka derdhur shumë gjak, edhe sepse ka resurse të mëdha natyrore, ka ujë të bollshëm që i duhet Kosovës. Sot në Europë ka vende që kanë prodhuar shumë kështjella, por pak heroizma. Ka të tjera vende që kanë nxjerrë shumë historianë, por pak histori. Dhe kjo ndodh për disa arsye. Por shkaku i parë ka të bëjë me faktin se në vet zonat e tyre mungojnë epopetë e luftrave legjendare ose për faktin tjetër se nëpër Europë sot kultivohen më shumë biznesmenë se sa heronj. Ndërsa me Mitrovicën ka ndodhur e kundërta. Ajo ka prodhuar gjatë shekujve shumë dëshmorë dhe pak historianë, shumë epope lufte dhe gjaku por pak faqe librash, ku brezat të shikojnë të pasqyruar identitetin e tyre. Dhe sipas një analize të thjeshtë, shkaku është se heronjtë janë trima të çartur në luftë, por tepër të urtë e modestë pas luftës, pra në kohë paqeje.

Kaluan 100 vjet nga momenti i copëtimit të Kosovës prej Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës 1913. Po ato fuqi që firmosën copëtimin, duket se u bindën për veprmin e gabuar. U ndërgjegjësuan se pa zgjidhur çështjen shqiptare nuk mund të ketë qetësi në Ballkan. Kjo duhet vlerësuar. Të bashkohemi dhe të punojmë për bashkimin, pasi këtë mund ta bëjnë vetëm shqiptarët. Të tjerët janë gati të bëjnë sehir dhe punojnë që t’u thonë të mëdhenjëve: “E kini gabim, ai komb nuk bëhet”.

Të mësojmë nga jeta dhe veprae Ramadan Kelmendit. Libri i tij është një kontribut i madh për historiografinë shqiptare. Ai duhet të studiohet nga politikanët dhe t’u shërbej si udhërrëfyes për mbrojtjen e çështjes kombëtare. Të analizohet nga historianë, psikologë, sociologë e të tjerë dhe të shërbejë për hartime planesh e platformash në dobi të kombit. Në rikonceptimin e historisë duhet patur me të drejtë një shërim nga dogmat. Ka ardhur koha që të shohim faktet historike në autonominë e tyre, të mos politizohet historia. Gjërat duhen thënë ashtu siç kanë qenë. Historia nuk mund të jetë shërbëtore e politikës. Mund të ketë ndonjë diskutim, por nga diskutimi nuk vjen asgjë e keqe. Janë burimet historike që hulumtohen, që hedhin dritë mbi ngjarjet, të cilat nuk ka askush të drejtë t’i kanunizojë. Dhe më kryesorja duhet parë thelbi, që lidhet me pikënisjen dhe përfundimin e historisë. Ka rëndësi kriticizmi pozitiv. Duket se kjo provë është përballuar nga Ramadani.

Të jetë e qartë për këdo se nuk është Ramadan Kelmendi ai që ka nevojë për Shqipërinë, por është shoqëria shqiptare, kombi shqiptar, që ka nevojë për jetën dhe veprën e tij. Kemi nevojë për të patur sa më shumë Ramadan, pasi shprehja e Sami Frashërit, gati një shekull e gjysmë më parë, është aktuale edhe sot: “Shqipëria do të bëhet kur shumica e shqiptarëve të bëhen shqiptarë”.

Filed Under: ESSE Tagged With: nuk ka kuptim Mitrovica, Nuri Dragoi, Pa Mitrovicen

Ramadan Behram Kelmendi-atdhetari i shquar kosovar dhe Çamëria

March 2, 2014 by dgreca

Ne Foto:Nga promovimi I organizuar ne Tirana International Hotel-Paneli drejtues/

Nga Arben KONDI/

Dëshiroj të them qysh në fillim, se kur kam mbaruar së lexuari librin “Gërshetime faktesh në përplasjet politike”, jo vetëm jam befasur me kontributin atdhetar të zotit Ramadan Kelmendi, por sinqerisht më ka ardhur keq që nuk kam pasur rastin ta njohë nga afër këtë figurë të ndritur të lëvizjes sonë kombëtare. Pra, faleminderit familjarëve të tij, motrës Emine, të shoqit të saj, zotit Behxhet, si dhe mikut tim të vyer, legjendës së Radios “Kosova e Lirë”, profesor Nusret Pllanës që bënë të mundur të njoh me rrënjë këtë figurë të shquar të popullit tonë. Theksoj me bindje të plotë se Ramadan Behram Kelmendi e shkriu jetën jo vetëm për Mitrovicën, jo vetëm për Kosovën, por për mbarë Shqipërinë etnike, duke përfshirë këtu edhe vendin e origjinës sime, Çamërinë që për dhimbje edhe sot e kësaj dite mbetet vërtet në robëri, veçse jo pa shpresë. Për Ramadanin këtu u fol gjerë e gjatë. Parafolësit e mi të nderuar e krijuan të plotë portretin e tij politiko-atdhetar. U tha këtu se ai u rrit në Mitrovicë dhe shpejt u bë një ndër veprimtarët më të rëndësishëm të saj. U tha se Ramadani ishte një ndër deputetët kryesor që më 2 korrik të vitit 1990, mes një shtetërrethimi të egër serb shpallën deklaratë kushtetuese të Kosovës. U tha gjithashtu se ai ka qënë përsëri ndër ata deputet pararojë, që megjithëse të ndjekur hap pas hapi nga policia sërbe, më 7 shtator po të 1990 u mblodhën në Kaçanik dhe miratuan një zëri Kushtetuta e Republikës së Kosovës që në thelbin e saj simbolizonte vetë Pavarësinë. U theksua po ashtu se Ramadani u zgjodh nënkryetar i këtij forumi të lartë e të nderuar. Më pas i detyruar prej ndjekjes e përsekutimit të pandërprerë të UDB-së hidhet për të vepruar në Perëndim e në Shqipëri. Me fillimin e luftës së UÇK-së rikthehet sërish në vendlindje. Shpejt bëhet përkrahës dhe mbështetës i saj. Madje Ramadani ka qënë me fat pasi ka pasur rastin të takoj në Prekaz vetë komandanitn legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin, që për mua është figura e dytë e shqiptarëve pas heroit tone kombëtar Gjergj Kastriot Skëndërbeut. Pas luftës, Ramadan Kelmendi zgjidhet sërish deputet i Mitrovicës për disa legjislatura rrjesht në kuvendin e Kosovës. Si rrallë kush, në Kuvendin e Kosovës së lirë, ai do vazhdojë të luftojë me mish e me shpirt për bashkimin e qytetit të ndarë. Mbetja e ndarë e Mitrovicës sikur coptoi, sikur e ndau në dysh vetë zemrën e tij. Pra, me pak fjalë e për të mos u zgjatur më shumë, parafolësit e mi të nderuar e skicuan të plotë figurën e atdhetari të spikatur. Por, diçka mbeti këtu pa u theksuar mirë, pa u zënë ashtu siç duhej me gojë. Lidhja e Ramadan Kelmendit me Çamërinë martire. Sinqerisht jam emocionuar kur mësova se në vitin 1993, Ramadani e ka vizituar ilegalisht të gjithë Çamërinë që nga Filati e deri në Prevezë. Dhe me siguri atij i ka rënkuar shpirti thellë, i është ngjethur mishi keq kur ka parë ato qindra e mijra shtëpi gërmadha që edhe sot e kësaj dite, pas plotë 70 vitesh mbeten dëshmitarë tipikë të genocidit grek ndaj popullit shqiptar të Çamërisë. Theksoj me bindje të plotë, se ky genocid as më shumë e as më pak është identik me genocidin e kryer nga Sllobodan Millosheviçi në Kosovën e vitit 1999. Ramadanit, me siguri kur ka ecur nëpër kalldrëmet e qyteteve të Camërisë, si në Pargë, në Paramithi, në Margëlliç, në Gumenicë apo në Filat, i janë bërë të gjalla krimet e Napolon Zervës që krejt ndryshe nga Sllobodan Millosheviçi ende mbetet i pa dënuar për krime lufte ndaj njerëzimit. Në Çamëri, Ramadani ka ndjerë ulurimat e nënave apo grave çame të vrara apo të përdhunuara pa mëshirë prej andartëve grekë. Ka dëgjuar të qarat e fëmijve të mbetur jetim. Ka parë foshnje majë bajonetava që kullonin qumësht e gjak bashkë. Ka parë pleq e të rinjë përmbys përmbi trotuarë. Ka parë tymë e flakë. Ka parë porta të shqyera. Ka parë ullinjtë shekullorë që rrëzonin tokës së përgjakur kokrrat e tyre si pikëza të mëdha loti. Ka parë bisha, vampirë dhe jo njerëz që endeshin udhëve e rrugicave të qyteteve apo fshatrave çame të etur për të pirë gjakun e shqiptarëve. Dhe pikërisht kjo vizitë në Çamëri do e bënte Ramadanin të lidhej edhe me fort me këtë pjesë të pushtuar të kombit tonë. Ky fakt, kjo e vërtetë do të bjerë menjëherë në sy në intervistat apo shkrimet e tij nëpër gazetat apo mediat e Shqipërisë dhe të Kosovës. Kështu në një intervistë me gazetarin e mirënjohur çam Hiqmet Zane, në 2 maj të 1999, në gazetën “Albania”, Ramadani duke folur rreth genocidit serb në Kosovë do të heqë një vijë paralele mes tij dhe genocide grek të kryer nga Zerva në Çamëri në verën e 1944. Kurse një ditë më vonë në Radio Televizionin Shqiptar, ai do të theksojë se “Kjo që po ndodh me shqiptarët e Kosovës është vazhdim i pastrimit etnik i filluar qysh në vitet 1876-77 që nis në Toplicë, i vazhduar më tej në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit, më tutje me shpërnguljet e dhunshme e të një pas njëshme të shqiptarëve nga mbarë hapësira e tyre etnike në vitet 1912, 13, 52, 53, 68, pa harruar këtu kurrsesi genocidin ndaj Çamërisë në vitet 44-45”. Ndërsa më 12 maj, në gazetën 55, në një artikull të fortë të titulluar “Përse Kosova mund të jetë një shtet i pavarur”, i cili ribotohet pak ditë më vonë edhe në gazetën Albania, Ramadani sërish nuk ka për ta harruar as Shqipërinë etnike e as plagën e saj më të dhimbshur Çamërinë martire. Ndërkohë që me 19 qershor 1999, në gazetën, “Çamëria- vatra jonë amtare”, organ i shoqatës atdhetare patriotike Çamëria, Ramadan Kelmendi do të botojë një shkrim interesant me titull ‘Genocidi grek ndaj Çamërisë, simetri e shëmtuar e shovinizmit serb në Kosovë”. Në këtë artikull tronditës, Ramadani jo vetëm që i sheh si të njëjta këto dy genocide, por hedh idenë se është çasti më i përshtatshëm për një bashkim të mundshëm kombëtar. Edhe në këtë rast, Ramadani nuk gabon në parashikimin e tij. Dy luftrat e më vonshme të shqiptarëve në luginën e Preshevës dhe në Iliridë e vërtetetuan si të drejtë idenë e tij. Por shprehja e dashurisë së pakufishme e Ramadanit Kelmendit ndaj Çamërisë arrin pikën e saj më të lartë më 29 maj 1999, kur ai mes një letre të hapur në gazetën “55” do të kërkojë të bëhet anëtar i komunitetit çam. Kërkesa e tij plotësohet menjëherë dhe kështu me 11 qershor 1999, nëpërmjet një mbledhje solemne, drejtuesit e organizatës atdhetare patriotike Çamëria e pranojnë Ramadanin anëtarë të saj. Pra, që nga moment, Ramadani Kelmendi është sa shqiptarë i Kosovës e po aq edhe i Çamërisë. Ndërkohë që Çamëria, të cilën Ramadani e deshi aq shumë mbeti dhe mbetet edhe sot e kësaj ditë plaga që rrjedh gjak prej trupit të kombit shqiptar. Kjo jo thjesht për faktin e njohur e tragjik të mbi 200 000 çamërve mysliman që jetojnë të përzënë me dhunë larg vatrës së tyre amtare, por edhe të mijëra e mijëra çamëve të krishterë, sivëllezërve tanë të një gjuhe e të një gajku, të cilët edhe sot e kësaj dite që prej Filatit e deri në Prevezë kanë frikë të shprehen në gjuhën e nënës, në gjuhën amtare pasi grushti i egër i shtetit diktatorial nacinalist grek do të binte mbi ta pa mëshirë. Lëre më pastaj të mendohej për hapjen e ndonjë shkolle shqipe apo ndonjë gazeta në gjuhën kombëtare. Sidoqoftë, populli ynë i vuajtur, por tejet fisnik ka një shprehje të vyer kur thotë se guri i rëndë rrokulliset e rrokulliset, por një ditë patjetër do ta zërë vendin e vet. Dhe për këto Kosova është treguesi me i qartë. Faleminderit Ramadan Kelmendi! I përjetshëm i qoftë kujtimi atdhetar! Faleminderit edhe ju të pranishëm të nderuar!

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Arben Kondi, kosovar dhe Çamëria, Ramadan Behram Kelmendi-atdhetari i shquar

Tabela e Bashkëtingulloreve në Shqip dhe Anglisht

March 2, 2014 by dgreca

Shkruan: Nik Klementi/

Pas një persiatje të gjatë dhe hulumtimi të vazhduashëm të disa librave mbi fonetikën e gjuhës shqipe nga autorët Anastas Dodi, Bahri Beci, David Luka, dhe albanistave Shaban Demiraj e Kolec Topalli, arritëm në perfundim se tabelat e bashkëtingulloreve të gjuhës shqipes kanë nevojë për një përkthim të qartë në anglisht.  Përveq përkëthimit, bashkëtingulloret e shqipes duhen februa edhe në disa aspekte të tjera, si p.sh., influencat tingullore nga fqinjët tanë.  Ma tej, termat gjuhsore duhen përkthye në një shqipe të qartë e kuptimplote.

INFLUENCAT E FQINJËVE

Nuk asht nevoja të jesh gjuhtarë për t’a kuptua se tingujt e shqipes ‘q, gj, ç, xh’ ndryshojnë nga visi në vis.  Gjithashtu, nuk nevojitet të jeshë gjuhtarë për t’a kuptua se në viset jugore këta tinguj janë influencua nga greqishtja, ndërsa në viset veriore, si Shkodra, Malsia e Madhe, dhe Kosova, ata janë influencua nga sllavishtja.

Mundet që nyitimi ma i afërt me shqipen mesjetare ruhet në zonat e Matit, Mirditës, dhe Dibrës.

 

FJALOR

vendnyitim – vendi ku prodhohet tingulli

nyitim – mënyra sesi prodhohet tingulli

trysore – ngritja pas dhâmbëve

treng – tingullimë (shih fjalorin e gazullit)

parore – tingujt formohen to përdorë pjesën e parme të gjuhës

mbyllore – shtegu i ajrit mbydhet përkohsisht

shtegore – shtegu i ajrit mbahet i hapun

februa – zhbirua; studjua; hulumtua

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Nik Klementi, tabela e bashkenigelloreve, te shqipes

A ka liri krijimtarije në Shqipëri?

March 2, 2014 by dgreca

Nga Reshat KRIPA/                          

Dëshirën për të lexuar dhe për të shkruar e kam pasur qysh në fëmininë time. Kam pasur dëshirën por jo mundësinë. Sistemi totalitar, që sundonte atëherë, mundësitë e publikimit të krijimeve letrare i kishte kufizuar vetëm tek ata që i bënin “Hosana Barabait”. Unë nuk mund ta bëja një gjë të tillë. Jeta më kishte gremisur në disa humnera të thella nga të cilat ishte shumë vështirë të dilje. Megjithatë ia dola. Në ato humnera u njoha me disa figura të shquara që më mësuan të gjeja rrugën nëpër të cilën duhej të ecja. Kështu veprova. Por malet që më dilnin përpara ishin pothuajse të pakapërcyeshëm. Ishte e pamundur t’i kapërxeja. U mundova shumë gjatë jetës, por nuk munda. Do t’iu tregoj një ngjarje të cilën e kam treguar edhe më parë. Më falni nëse po e përsëris, por ia vlen. Vazhdoja gjimnazin e mbrëmjes në qytetin tim. Ishte ora e shpalljes së korigjimit të hartimeve që kishim bërë më parë. Profesori më dorëzoi fletoren e hartimit. E hapa dhe lexova: “Gjuhë dhe stil të sigurtë. Vazhdo të shkruash tregime, “po të kesh kohë të lirë”.

Shprehjen “po të kesh kohë të lirë” e kishte shkruar me laps me bojë të kuqe dhe vendosur në thonjëza. E kuptova domethënien e asaj fraze. Ajo më tregonte se për mua do të ishin të mbyllura dyert e publikimit të veprave që mund të shkruaja. Megjithatë guxova të sfidoj. Shkruajta një tregim ku personazh i vetëm ishte një fëmijë jetim, prindërit e të cilit ishin vrarë gjatë luftës. E dërgova për botim, por asnjë përgjigje nga gazeta së cilës ia kisha dërguar. Atëherë heshta. Nuk mund të shkruaja ndryshe.

Pas ndryshimeve demokratike fillova përsëri të shkruaj. Megjithëse isha në një moshë të shkuar shkruajta. Botova një libër me tregime, një me kujtimet e fëminisë e rinisë dhe dy romane. Në njerin nga romanet përshkruhej historia e një inxhinieri, biri i një dëshmori të luftës Nacionaçlirimtare, që rrethanat e jetës e kishin lidhur me dy ish të përndjekur politikë. Një gjë e tillë kishte rënë në sy të ish-sigurimit të shtetit që i kërkoi të bashkëpunonte me të për të denoncuar shokët. Ai nuk pranoi. E arrestuan dhe e torturuan për të deponuar, por ai , përsëri, nuk pranoi. Atëherë sigurimi i nxorri përpara bashkëshorten dhe vajzën 15 vjeçare duke tentuar t’i përdhunojnë në sy të tij. U thye. Pranoi gjithçka ata deshën. Më prapa vajza e çakërdisur u hodh nga ballkoni i shtëpisë, ndërsa bashkëshortja, kur mësoi se kishte mbetur shtatzanë me kriminelin, helmoi veten.

Këtë dramë familjare e shndërrova në një monodramë. E ktheva në ditët e sotme, ku ish-sigurimsat kishin arritur pozita sunduese në hierarkinë shtetërore. Ia tregova një mikut tim, që kishte një pozitë të lartë shtetërore. Ai ia dha një aktori të njohur të kinematografisë dhe teatrit shqiptar. Prisja një përgjigje prej tij, nëse ia vlente si monodramë apo jo, por ajo, çuditërisht, nuk erdhi. Ia dërgova edhe disa aktorëve dhe regjizorëve të tjerë të teatrit shqiptar, madje edhe një dramaturgu, por përsëri heshtje. Përse? A nuk do të ishte më mirë të më kishin kthyer përgjigjen se monodrama nuk vlente si e tillë? Megjithatë heshtën. Përsëri dua të pyes: Përse?

Së fundi monodramën ia dërgova Teatrit Kombëtar në Tiranë. Për të thënë të drejtën drejtori e paraqiti në konkursin e dramës shqiptare, të organizuar me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Nuk fitoi. Për këtë nuk kam asnjë pretendim. Për mua kishte rëndësi që ajo u paraqit atje dhe kjo tregonte se ia vlente të paraqitej. Në fund të atij konkursi u deklarua se pjesët e paraqitura do të viheshin në skenë nëpër teatrot e vendit në të ardhmen. Nuk e di nëse pjesët e tjera janë vënë në skenë, por monodrama ime mbeti në sirtaret e Teatrit Kombëtar. Përse?

Do të doja të dija përse ndodhi një gjë e tillë? Mos vallë për një hezitim të personave drejtues të institucioneve teatrore të vendit tonë karshi presioneve politike të segmenteve të caktuara të shtetit shqiptar? Mos vallë prekesh një fenomen aktual që bie ndesh me politikën zyrtare që ndiqet në Shqipërinë e djeshme dhe të sotme? Unë kam bindjen time për këtë çështje, por nuk dua të prononcohem. E le në dëshirën e lexuesve dhe, në radhë të parë, të specialistëve ta bëjnë një gjë të tillë. Këtë duhet ta bëjnë fillimisht ata që e kanë lexuar mondramën, pikërisht ata që ua dhashë për ta lexuar dhe  deri tani nuk kanë guxuar të më përgjigjen. Të gjithë janë specialistë të dramës shqiptare dhe le të shprehin mendimet e tyre. Mua nuk më vjen rëndë edhe nëse shprehen kundër nivelit të monodramës.

Si përfundim, unë mendoj se teatri shqiptar duhet të dalë me më shumë guxim në përkrahje të temave që pasqyrojnë realitetin shqiptar, pavarësisht se kush është në krye të politikës. Në mënyrë të veçantë ai duhet të pasqyrojë më tepër periudhën e errët të diktaturës komuniste dhe në këtë drejtim teatri shqiptar i është shumë borxhli kësaj periudhe. Si krahasim do t’iu sjell periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Kanë kaluar 70 vjet nga përfundimi i saj por, edhe sot, temat mbi genocidin nazist mbi hebrejtë, janë nga më të preferuarat. Po genocidi komunist mos ishte më i vogël nga ai nazist? Por për këtë duhet kurajo dhe inisiativë.

Dramaturgjia botërore njeh shumë raste kur dramaturgë të njohur i kanë bërë jehonë ngjarjeve apo fenomeneve negative të vendeve të tyre, sido që kanë qenë ato, megjithatë ato kanë gjetur shtegun për t’u shfaqur në skenat botërore. Të tillë mund të përmend, si shembull, vetëm njërin, Artur Milerin, me dramat e tij “Shtrigat e Salemit” apo “Pamje nga ura” ku paraqet anët negative të shoqërisë amerikane, megjithatë ato vazhdojnë të shfaqen atje. Ndaj duhet më shumë kurajo për t’u shkëputur nga diktati i politikës shqiptare.

Këtë shkrim mendoj t’ua dërgoj disa prej gazetave shqiptare. Nuk e di se cila do ta botojë. Kjo është e drejta e tyre, por kjo do të tregojë edhe se sa i lirë dhe i pavarur është shtypi në Shqipëri. Megjithatë sot mundësitë e publikimit janë të shumta. Edhe nëse ato nuk e botojnë faqet e internetit janë të hapura për këdo. Këtë po bëj edhe unë. Po ua dërgoj mediave elektronike në mënyrë që lexuesit të njihen me të, pamvarësisht nëse shtypi do e botojë apo jo. Njëkohësisht, për ata që nuk e kanë lexuar monodramën po e dërgoj  edhe atë në  këto media. Lexojeni dhe gjykoni.

Mos harroni!

(Skena është e errët. Përballë një ekran. Në të shfaqen pamje të alternuara filmike. Pamje të luftës për liri, kampesh të punës së detyruar, aksione të rinisë, Enver Hoxha duke folur dhe tituj lajmesh nëpër gazeta që ekzaltojnë mënyrën socialiste të jetesës, gjyqe politike dhe burgje të tmerrshëm, Ramiz Alia duke deklaruar: “Edhe bar do të hamë, edhe gjak do të derdhim“, pushkatime dhe varje në litar, dyndje nëpër ambasada dhe emigrim masiv, rrëzimi i monumentit të diktatorit, fitorja e demokracisë.

Dalëngadalë fillon të vijë drita. Në skenë duket pamja e një varreze në krye të së cilës shquhet një varrosh madhështor, në ballë të të cilit një fotografi e familjes dhe poshtë saj emrat Agron, Lumturi dhe Rida Canaj.  Nën  to epitafi:

   Në jetë kërluat gëzim,

Njerëzit ju kishin harruar

  Por Zoti me përdëllim,

 Ju dha lirinë e amëshuar!

(Pason një heshtje që zgjat disa minuta. Në sallë dëgjohen pëshpëritje)

Një spektator –  (Me padurim) – Do  të fillojë apo jo kjo  shfaqje?

(Heshtja vijon edhe për disa minuta të tjera)

Spektatori –      Kjo është mungesë korrektese.

(Nga fundi i sallës hyn autori i veprës dhe drejtohet për në skenë)

Autori –            (Duke kërkuar ndjesë) –  Të nderuara zonja dhe zotërinj! Më falni për vonesën, ju lutem më falni për mos korrektesën time! Do kisha ardhur me kohë, por  më  vonoi  urbani.  Ju  i  dini  si  janë këta urbanët e sotshëm. Tani më lejoni të paraqitem: Jam autori i veprës.

 

Spektatori –      (I nervozuar)  – E pastaj, do e filloni shfaqjen apo jo?

Autori  –           Pikërisht kjo është çështja.

Spektatori –      Çfarë  çështje?

Autori –            Kam frikë, të dashur miq! Kam frikë ta shfaq se një pjese  prej jush mund  t’i  dogëndisë.  Dhe unë nuk dua të bëjë armiq.

Spektatori –      Përse?

Autori –             Sepse ruhem nga hijet. Ato janë si kentaurët e qëmoti, gjysmë njerëz dhe gjysmë kuaj, simbol të dhunës dhe çfrenimit.

Spektatori –      Ku janë ato? Unë nuk i shoh.

Autori  –           Janë kudo. Madje  mund të ketë ndonjë edhe këtu në këtë sallë.

Spektatori –      Këto janë vetëm përralla.

Autori –            E   keni   gabim  i  dashur  mik.  Hijet nuk duken, por janë kudo. Kur shfaqen  ato   sjellin   fatkeqësi.  Pikërisht   këtyre    u  ruhem  unë.  Ndaj jam në mëdyshje në duhet ta shfaqë apo jo.

Spektatori –      Ç’lidhje kanë hijet me shfaqjen?

Autori  –           Sepse disa prej tyre janë  brenda saj.

Spektatori –      E pastaj?  Ne duam të shohim shfaqjen.

Autori –            Doni shfaqjen?  Mirë or miq, mirë. Ju po më detyroni. (Kthehet nga varroshi dhe thërret) Agron, ngrehu! Të lutem, ngrehu nga varri! Ngrehu dhe tregua historinë tënde!!

 (Tërhiqet  mbrapsht  deri sa largohet nga skena. Muzikë. Një re tymi ngrihet nga varri. Gjithçka mbulohet prej saj. Së bashku me të fillon të dalë ngadalë ngadalë Agroni, mjaft i zbehtë, veshur krejtësisht me të  bardha. Afrohet në qendër të skenës dhe fillon të flasë me një zë që duket sikur vjen nga një botë tjetër. Muzika pushon).

U ngrita të dashur miq, u ngrita! Të tregoj? Çfarë të tregoj, jetën time? Po ajo është shumë e dhimbshme. Doni ta tregoj? Dakord, por më parë lejomëni të vështroj atdheun. Sa më ka marrë malli! E donim atdheun të çliruar nga ferrat dhe gjëmbat që e kishin mbuluar, por nuk na lejuan. Edhe juve, të dashur miq, ju donim, por na hodhën në humnerë.(Ecën nëpër skenë) Muaj të tërë i lidhur kështu. (Kthehet nga publiku, ngre duart lart dhe duket si i lidhur prej duarsh dhe këmbësh në kanxha.). Ja kështu. i  kryqëzuar si Jezusi. Dhe hienat që argëtoheshin duke na torturuar. Hienat që ushqeheshin me dhimbjet dhe vuajtjet tona.

(Afrohet në fillim të skenës. Psherëtin thellë). Oh, ja ky është atdheu për të cilin ëndërronim! I lirë, i lirë ku çdokush shpreh mendimet e tij. (Hedh vështrimin diku larg. Kalojnë disa çaste në heshtje). O perëndi!   Çfarë po më shohin sytë?  Kush janë ata tre atje? I shihni? Qetësi, ju lutem, qetësi! Dëgjoni! Po jepkan leksione për të drejtat e njeriut? Ata që i shkelën me të dyja këmbët ato? (Duke fërkuar sytë) Mos po më bëjnë sytë?  Le të afrohem  edhe   pak  për të parë më mirë. (Afrohet në cep të skenës dhe vë dorën në ballë) Ata janë, ata. Ilia dhe Demiri, ish operativi i sigurimit dhe ish hetuesi im. A mund të ngjallen lugetërit dhe të shndërrohen në engjëj? Po ai i treti, a mos është miu i birucave që e fusnin nga qelia në qeli, për të mësuar ato çka donin ata? Fatziut, i shkoi jeta si skllav. Vite me radhë duke u zvarritur si krimb i birucave. 

(Duke u drejtuar nga publiku) Si thatë? Dy sigurimsat  po flitkan për drejtësinë? Për cilën drejtësi? Mos vallë për atë që duhet t’i dënojë ata? Po miu i  birucave? Kryetar i një shoqate të përndjekurish? Jo, jo nuk ka mundësi. Nuk mund të jenë ata. Ato janë vetëm hijet e tyre.

            (Fillon të dridhet) Kam ftohtë! Nuk kam më  gjak  në  trupin  tim.  Gjakun  ma  kanë  pirë hijet. Shikoni si lëvizin në errësirë, të gatshme për t’iu hedhur gjahut sipër. Kam ftohtë. Ftohtë. (Pauzë) Sa vjet? Sa vjet të shkulura nga jeta ime? (Muzikë rrënqethëse. Kalojnë disa çaste. Përmendet) Po unë, çfarë bëj? Mos erdha nga bota tjetër për të filozofuar së  koti? Jo, mua  më thirrën për të treguar. Por,  a ia vlen të tregoj?

 (Pauzë)

A e dini historinë e familjes time? Jo? Po jua tregoj. Babaj, kapiten  i  ushtrisë   mbretërore. Kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Itali. Nëna   mësuese. Ishin  komshinj me njeri-tjetrin. Ishin  dashuruar.  Një  rast  shumë  i rrallë  për  atë  kohë. Por ata e sfiduan kohën. U martuan.

Pushtimin e Shqipërisë e priti me pushkë në dorë. Kur u organizua Lëvizja Nacionalçlirimtare, u bashkua me të. Doli në mal. E caktuan komandant batalioni. Në çdo betejë ishte në ballë të saj. Kështu vazhdoi deri në korrikun e vitit 1943. Atë ditë një çetë nacionaliste, ku ndodhej edhe Syrjau, një i njohur i babait tim, kishte rënë në përpjekje me fashistët. Në  atë   çetë bënte pjesë edhe djali i një komshiut tonë, Sabriu  njëzetvjeçar. Babai, sapo dëgjoi se beteja kishte filluar, mblodhi batalionin dhe i vajti në ndihmë. Në atë kohë ishin të zakonshme luftërat e përbashkëta ndërmjet dy formacioneve ndërluftuese.

Lufta u ndez e ashpër. Sabriu me një mitroloz të lehtë, në vend që të qëllonte mbi ushtarët italianë, qëllonte flamurin e tyre. Im atë, që ishte në krah të tij, i thoshte:

– More, pse qëllon flamurin dhe jo ushtarët?

– Dua të thyej krenarinë e tyre. – përgjigjej Sabriu.

Në të vërtetë nuk vonoi shumë dhe flamuri u këput dhe ra. Sabriu, i entusiazmuar, u ngrit në këmbë dhe filloi të brohorasë. Një plumb  e goditi në ballë. Ai ra. Babai e mori në krah dhe i foli:

– Sabri, ngrehu bir!

Por ai nuk lëvizte. Atëherë babai rrëmbeu mitrolozin dhe filloi të qëllojë mbi armikun. Donte të hakmerrej. Por një  plumb e  goditi në gjoks. Ra  pranë  Sabriut. Syrjau që luftonte aty pranë, erdhi menjëherë. Babai i tha me një zë  që mezi dëgjohej:

– Do të lë… një amanet… Dy trupat… tanë… t’i shpini… në shtëpi… dhe na varrosni… pranë… e pranë… U vramë… bashkë… duam… të pushojmë… bashkë…

I mbylli sytë. Ishte vetëm dyzetetre  vjeç.

Syrjau e mbajti fjalën. Kur mbaroi beteja, me një grup shokësh, morën trupat e të rënëve dhe, me njëmijë rreziqe, mundën t’i sillnin në shtëpi. Të nesërmen i varrosën në varrezat e qytetit pranë njëri-tjetrit, ashtu siç ishte amaneti i babait.

(Pauzë)

Erdhi edhe dita e lirisë. Gëzimi  i  popullit   ishte  shumë  i  madh.  Të  gjithë  brohorisnin dhe këndonin për fitimtarët.  Edhe ne fëmijët bashkë me të mëdhenjtë. Një ditë në shtëpi erdhi një grup partizanësh.  Komandanti i tyre i drejtohet nënës:

– Shoqja Gjyla! Trupin e burrit tuaj duhet ta hiqni nga ai varr dhe ta vendosni diku tjetër.

– Përse? – pyeti nëna.

– Sepse   nuk  mund  të  rrinë  bashkë  një  dëshmor  i  atdheut  me  një tradhtar.

– Po Sabriu nuk ishte tradhtar. Ata u  vranë  të  dy  së  bashku  për  një qëllim?

– Ato janë përralla. Të këshillojmë ta heqësh. Kjo është porosia e udhëheqjes.

Nëna u mendua gjatë për këtë çështje. Në fund vendosi. Nuk do ta  lëvizte. Nuk  mund  të harronte amanetin e të shoqit.

Disa vite  më  vonë,  kur  u  ngritën  varrezat  e  dëshmorëve,  trupin  e babait nuk e vendosën atje. Nëna e kërkoi, por asnjë nuk ia vari. Ishte hakmarrja për mosbindjen e saj. Atëhere u ngrit e shkoi në kryeqytet. Donte të takonte të madhin e vendit. Nuk e linin. Por ajo këmbënguli. Është një histori më vete si mundi. Ruante çdo ditë ta shikonte kur shkonte në punë. Një ditë e pa. Vrapoi dhe i doli para. Rojet u munduan ta ndalonin. Ai i pa dhe thirri:

-Lereni!

Ata u tërhoqën.

– Jam gruaja e Bexhet Canajt, – i tha nëna.

Ai e kishte njohur tim atë. Kishin qenë së bashku në disa takime. E dëgjoi me vëmendje. Së fundi,  urdhëroi të korigjohej gabimi sa më parë. Pas disa ditësh trupin e babait e vendosën në varrezat e dëshmorëve.

Nëna më fliste shpesh herë për këto. Unë e dëgjoja me vëmendje dhe mendoja:

– Partizanë që luftojnë së bashku me nacionalistë! Një partizan i rënë në betejë së bashku me një nacionalist. Partizanë që papritur bëhen armiq me nacionalistë.  Përse? Përse? Përse?

(Muzikë. Agroni shetit poshtë e lart nëpër skenë pa folur.)

(Duke parë nga publiku) Doni të dini si u njoha  me  time  shoqe?  Fare rastësisht. Isha kthyer nga Praga, ku kisha studiuar për inxhinieri elektrike. Prisja emërimin. Kisha shkuar në kryeqytet për t’u interesuar. Po kaloja në parkun Rinia. Shoh një vajzë që diçka kërkonte.

– Ju ka humbur gjë? – e pyeta pa vetëdije.

– Unaza që më kishte dhuruar mami, – u përgjigj.

Ai vështrim më turbulloi. U skuqa në fytyrë dhe ndjeva një nxehtësi nga brenda.

– Ju dhuroj unë një tjetër më të mirë, – i thashë pa e ditur edhe  vetë  se çfarë flisja.

Ajo u skuq dhe duke më vështruar me dyshim më tha:

– Faleminderit, po më mjafton ajo që më ka dhuruar mami.

Filluam të kërkojmë të dy. Fati e pruri që ta gjeja unë.

– E gjeta, e gjeta! – thirra gjithë gëzim.

– Faleminderit edhe një herë! Qenkeni me të vërtetë i sjellshëm.

Filluam të bisedojmë.

– Mund të njihemi? Agron Canaj, inxhinier elektrik.

– Lumturi Begonja, studente e vitit të parë, dega matematikë.

– Shkojmë të hamë ndonjë akullore? – e ftova unë.

– Me kënaqësi! –  u përgjigj pa mbaruar unë fjalën.

Qeshëm të dy dhe u futëm në një bar. Qëndruam më shumë se dy orë. Përveç akullores shijuam edhe nga një tortë. Diskutimet u përqendruan më tepër në shijet tona estetike. Flisnim për shkollën dhe modën, për leximet dhe teatrin. Biseda nuk kishte të mbaruar. Të dy  qëndronim të mbërthyer pas atij takimi. Së fundi u ndamë. Para ikjes i thashë:

– Kam dëshirë t’ju takoj përsëri.

– Të djelën e ardhshme në orën dhjetë.

Nuk u largova në qytetin tim. Një forcë e pakuptueshme më mbante në kryeqytet.  Ajo javë m’u  duk shumë e gjatë. Të dielën u takuam përsëri. Të njëjtat biseda. Një gjë e tillë vazhdoi për disa javë. Nëna, e shqetësuar, më pyeste vazhdimisht se përse nuk po kthehesha. Unë i përgjigjesha se po interesohesha për emërimin. Së fundi edhe emërimi erdhi. Së bashku me të edhe fundi i takimeve tona. Të nesërmen duhej të nisesha.

– Lumto! – i thashë. – Të dua! A dëshëron të bashkosh fatin tënd me timin?

Ajo vetëm buzëqeshi dhe sytë  e  saj  thanë  më  shumë  se  “po”. Aty,  nën  hijen e shelgjeve shijuam të puthurën e parë.  Të nesërmen u nisa.

– Mos më harro! – i thashë në çastin e ndarjes.

– Vetëm vdekja do të na ndajë, – desh të thoshte, por nuk foli. Ato fjalë i shprehu dora e saj që u shkri me timen.

Pasi u diplomua, u martuam.  Unë isha ngritur në përgjegjësi. Isha emëruar kryeinxhinier i ndërmarrjes elektrike. Atë e emëruan drejtoreshë në një shkollë të mesme. Ishim një çift i lumtur.  Pas dy vjetësh lindi vajza, Rida. Lindja ishte e vështirë. Megjithatë, në saj të kujdesit të mjekëve, vajza lindi e shëndetëshme dhe Lumtua shpëtoi për mrekulli. Mjekët na këshilluan që të mos tentonim të lindnim më fëmijë se mund të rrezikonim jetën e nënës.  Kështu që Rida mbeti fëmija ynë i vetëm. Ajo u bë gëzimi ynë, lumturia e familjes tonë. (Muzikë).

(Pauzë)

Ishte fundi  i  gushtit. Atë  vit  ai  po  mbaronte me  shumë shira. Retë  ngërtheheshin   me   njëra-tjetrën   dhe   gjatë   përplasjes  lëshonin  vetëtima verbuese që pasoheshin nga bubullima shurdhuese. Atë ditë ndejta deri  vonë  në  zyrë.  Kur  u  ngrita, shiu vazhdonte të binte si me shtëma.

– Shumë u vonove sonte, shoku kryeinxhinier, – më foli Rustemi, roja i zyrave.

– Po ju e shikoni se ç’shi po bie. Ku të le ky i uruar të dalësh?

– Eja të rrimë një copë herë bashkë dhe të fjalosemi, –  vazhdoi ai.

Hyra në dhomën e tij dhe filluam të bisedojmë. Rustemi kishte qenë partizan, së bashku me të atin, që kishte rënë në luftën për liri. Pas përfundimit të saj ishte veshur oficer. Mirpo fatziu kishte vetëm shkollën fillore, kështu që pas disa vitesh e zhveshën. Megjithatë, një favor ia bënë. Në vend që ta çonin në kooperativë, që ndodhej midis dy maleve ku dhe arat ishin si oazet në shkretëtirë, e kthyen në qytet, ku mundi të zerë punë si roje.

Unë ia njihja mirë karakterin. E dija që po ta lavdëroja pak dhe ta ngacmoja, do të më tregonte gjithçka dinte. Ai ishte anëtar partie, ndërsa unë jo. Kështu që e ngacmova atje ku i dhimbte. Filloi të zbërthehej. Më tregoi se në mbledhjen e organizatës bazë kishin  biseduar për mua dhe dy shokët e mi, Stefanin dhe Gjergjin. Kishin thënë që si ka mundësi që një bir dëshmori të ketë shoqëri me dy djem që rrjedhin nga familje reaksionare.

– Aman mos i thuash njeriu për këto që ju thashë se më merrni në qafë, – më tha Rustemi i tronditur që kishte folur pak si tepër.

E sigurova se nuk do e bisedoja me njeri dhe u largova, pasi edhe shiu kishte pushuar.

(Pauzë)

Stefani me Gjergjin ishin dy inxhinierë të rinj. Ishin kushërinj me njëri-tjetrin. I pari kishte xhaxhanë në burg për motive politike, ndërsa i dyti gjyshin të arratisur si komandant i një çete nacionaliste. Një kushëri tjetër i tyre, që kishte një detyrë të rëndësishme në kryeqytet, i kishte ndihmuar të vazhdonin universitetin, të cilin e kishin përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Ishin beqarë. Ishin djem për së mbari. Punonin me ndërgjegje. Në sajë të kësaj karakteristike formuam një shoqëri të mirë.  Kudo  ishim   bashkë. 

Pas disa ditësh, ndërsa ecja rrugës në këmbë, ndjeva  zhurmën e një gazi që frenoi pranë meje. Ktheva kryet dhe pashë Petritin, Kryetarin e Degës së Punëve të Brendëshme, që zbriti nga makina dhe duke buzëqeshur më ftoi të pimë një kafe. Hipa në makinë dhe ndaluam në një hotel  restorant  që  quhej “turizmi”. Kamarieri na futi në një dhomë të veçantë. Kryetari më qerasi me uiski.  Pastaj hyri në temë:

– Dëgjoni, Agron! Ju jeni njeriu ynë. Partia te ju ka  besim. Por dhe ju duhet t’ia shpërbleni. Ne kemi disa të dhëna se  tek ju  punojnë edhe disa individë me përbërje jo të mirë politike. Ata ne duhet t’i survejojmë.

Më përmendi emrat e Stefanit dhe Gjergjit.  M’u duk sikur më kishte kafshuar një gjarpër. Sikur uiski që më kishte ofruar ishte helm. Sikur më kishte dhënë qëllimisht një gotë plot me të. Asnjëherë deri atëherë nuk kisha provuar një ndjenjë të tillë. Kisha një përceptim tjetër për shoqërinë. Ky përceptim ishte mbështetur në ndershmërinë dhe sinqeritetin. Kurse tani më kërkohej të vija një maskë, në mënyrë që ndryshe të mendoja dhe ndryshe të veproja. Një gjë e tille binte ndesh me karakterin tim.

Shkova në shtëpi dhe fillova të lexoj librin  “Idetë filozofike të shekullit të njëzet”  të filozofit Izajah Berlin, që ma kishte sjellë Beni, një shoku im që punonte në  ambasadën  tonë  në

Romë. Atje shkruhej: Dëshira ime si njeri është që jeta ime dhe vendimet e mia të varen vetëm nga unë. Dëshëroj të urdhërohem vetëm nga vullneti im dhe askujt tjetër. Dëshëroj të jem subjekt dhe jo objekt, të udhëhiqem nga arsyeja ime, nga synimet e mia të ndërgjegjëshme. Dëshëroj të jem dikushi dhe jo askushi. Të jem veprues, të marrë vendime dhe jo të vendosin të tjerët për mua. Të drejtojë vetveten dhe jo të jem nën veprimin e fuqive të jashtme natyrore apo njerëzore, si të isha send apo kafshë, apo në gjendjen e skllavit që nuk është në gjendje të luajë rolin e tij si qenie njerëzore.

Më   dukej   sikur   këto  fjalë  autori  i  kishte  shkruar enkas për  mua. Ky ishte lejtmotivi i jetës time.   Më  mbërtheu një ankth i fortë që s’e kisha provuar ndonjëherë. Megjithatë thirra dy shokët e mi dhe iu tregova çfarë kisha biseduar. Ata u tronditën tepër. Stefani foli:

– Jetojmë në kohën e absurdit. Individi kërkon të mendojë dhe veprojë i lirë, pa i rënë askujt në qafë, por nuk mundet. Vijnë të tjerët dhe të kërkojnë të mendosh dhe veprosh  ashtu siç duan ata, paçka se mund të jenë njerëz fare të rëndomtë, pa personalitet. Ti duhet t’u nënshtrohesh atyre, t’i himnizosh, t’i ngresh lart në qiell, me pak fjalë të kthehesh në një servil i ndyrë dhe pa moral. Kjo është tabloja e shoqërisë së sotme.

Këto fjalë më bënë të mendoja se në rast se doje të jetoje në botën tonë, duhet të qeshje, kur nuk të qeshej, të pranoje absurdin, kur logjika nuk ta pranonte, të duartrokisje kur fliste eprori yt, pavarësisht nëse fjalët që thoshte ishin qiqra në hell. Të harroje se duhet të kishe dinjitet. Të zhvisheshe nga çdo formë e ndjenjave njerëzore. Ky ishte “Njeriu i ri” që po krijohej në vendin tonë. Ai ishte spiuni i ndyrë që kërkonte t’i bënte varrin shokut më të mirë. Ishte djali që spiunonte   babanë   dhe    vëllai   vëllanë.  Spiunllëku,  servilizmi  dhe  dyfytyrësia mbretëronin në zemrat e shqiptarëve. (Muzikë tragjike. Agroni shetit poshtë e lartë)

(Pauzë)

Pas disa ditësh më thirri  operativ  Ilia,  pikërisht  ky  Ilia  që  sot  po  mban  leksione  për drejtësinë. Më  priti me buzë në gaz. Më bënte lajka dhe herë pas here e hidhte fjalën te vigjilenca që duhej të kishin njerëzit kundrejt armiqve të popullit. Fjalët e tij më dukeshin si thika që më nguleshin pas shpine. Mora kurajon dhe e pyeta se çfarë donte të thoshte me ato fjalë. Ai më përmendi shokët e mi. U hoqa sikur nuk kuptova gjë. Atëherë më nxorri një shkresë dhe ma dha. E lexova. Ishte një deklaratë ku pranoja të bashkëpunoja me Sigurimin e Shtetit.

– Nënshkruaje! – më tha.

Ajo  letër  po  më  digjte  dorën.  Ndjeva  një  neveri  të   madhe   për   atë  që  ma  serviri. Fillimisht mendova t’ia përplasja në fytyrë dhe të ikja. Por e mbajta veten. Një veprim i tillë do të më kushtonte shtrenjtë. Mendova se duhej përdorur diplomacia.

–  Për të punuar për partinë dhe atdheun, mendoj  se  nuk  duhen  deklarata të tilla. Ne për çdo ditë punojmë për to. Atyre ua dedikojmë arritjet tona, – thashë i vendosur.

Vendosmëria ime e stepi. Nuk ishte mësuar që ta kundërshtonin.

– Po të le dy javë kohë. Mendohu mirë dhe vepro! – më tha.

Dola jashtë. Isha jashtëzakonisht i tronditur. Nuk e dija se ku po më shpinin këmbët, kurse mendja më trokiste te biseda me Ilian. Papritur u ndodha pranë Muzeut Historik. U kujtova. Aty ishte edhe im atë. U futa brenda. Vizitova pavionin e dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare.  Nëpër muret e pavionit ishin fotografitë e të rënëve. Midis  tyre  edhe  babai.

Nën fotografinë e tij ishte shkruar: Këto sende i përkasin dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare, komandantit trim të batalionit partizan,  Bexhet   Canaj,  rënë  më  12 korrik 1943 duke luftuar trimërisht me hordhitë fashiste dhe tradhtarët e vendit.

Në atë çast, nga sytë, më rrodhën dy pika loti. Sa  do  të  doja  ta  kisha pranë. Të këshillohesha me të. Sa shuuë e ndjeva mungesën e tij në ato çaste! Ta pyesja.  Në rast se do të kishte qenë në konditat e mia, si do të vepronte? Por ai më vështronte dhe heshtte.

Vështrova rreth e rrotull. Në sallë nuk kishte njeri. Atëhere iu drejtova tim eti:- Folmë, or babë, folmë! Dua të dëgjoj zërin tënd. Jam në hall, or babë. Është morali im në pikëpyetje, është karakteri im. Rrëmbeve armët dhe dole malit për liri.  Shiko se çfarë kanë shkruar: – Rënë në luftë me tradhtarët e vendit. – Kush ishte tradhtar? Mos vallë Sabriu që  luftoi së bashku me ty dhe ratë së bashku e u varrosët së bashku?

Ti re që ne të gëzojmë lirinë. Por, a jemi me të vërtetë të lirë? Dikur mendoja se isha i tillë. Tani kam filluar të dyshojë. Jam njohur me dy djem të rinj, që fati i ka hedhur në kampin e të mundurve  Më kërkojnë të spiunoj për ta.

Sot më thirri operativi i sigurimit. Më kërkoi të denoncoj shokët e  mi. Po  si  mund  t’i  denoncoj

unë, kur ata nuk kanë bërë asgjë? Të kthehem në një spiun ordiner? Por a mund ta bëjë unë një gjë të tillë? Jam në udhëkryq, or babë. Dua mendimin tënd. Folmë babë, folmë!

Kështu i fola tim eti. Për një çast m’u duk sikur edhe ai m’u përgjigj:

–          Ndiq rrugën time, mor bir!

(Pauzë)

Pas dy javësh Ilia më thirri përsëri. Tani toni i tij ishte  bërë  kërcënues.  Por  edhe unë e kisha vendosur. Le të dilte ku të dilte. E kundështova për gjithçka.

Dola përjashta. E ndjeva përsëri veten keq. Vetmia më torturonte. Doja të takoja dikë, t’i shprehja shqetësimin tim, por nuk dija se kujt. Të gjithë njerëzit që më kalonin pranë, më dukeshin si armiq që mezi prisnin të më hidhnin në humnerë.  Nuk shkoja dot në shtëpi. Çfarë t’u thoja? Që isha në rrezik të arrestohesha? U ngjita në një kodër, aty mbi qytet dhe u ula nën një ulli të madh. Kishte filluar të errej. Vështroja qytetin dhe habitesha se si ka mundësi që ky qytet kaq i bukur tani më dukej si një shkretëtirë? Qëndrova gjatë atje. Pastaj u kujtova se në shtëpi duhej të ishin bërë merak. U nisa. Kur mbërrita, nëna me tha:

– Ç’u bëre, more bir? Ora po shkon njëmbëdhjetë.

Iu përgjigja me çfarë më  erdhi  ndër  mend.  Ime shoqe, që ndodhej aty,  nuk  foli.  Kur  u  shtrimë për të fjetur, i tregova.

– A e di Goni? – më tha –  Mos e humb toruan. Duhet  të  gjejmë  një mënyre për  t’i  bërë ballë. Le të presim dhe të shohim.

U përqafuam fort me njëri-tjetrin. Në ato  çaste  ndjeva  një  dashuri  të jashtëzakonshme për të. Kishim shtatëmbëdhjetë vjet që ishim martuar. Asnjëherë nuk kishim patur krisje në marëdhëniet tona. Lindja e Ridës na kishte lumturuar më tepër  Mbyllëm sytë dhe qepallat na i rëndoi gjumi. (Përsëri muzikë.).

(Pauzë)

Muaji tetor i atij viti ishte i veçantë. Rida mbushte pesëmbëdhjetë vjeç. Në ditlindjen e saj u mblodhën plot njerëz. Mungonin vetëm disa, ata që ishin në krye të elitës. Siç duket kishin marrë urdhër nga partia. Megjithatë, të pranishmit u argëtuan më së miri. Më e gëzuara ishte Rida. Ajo shkëlqente midis shoqeve të saj.

Por mesnata kishte përgatitur një të papritur. Një trokitje e fortë na zgjoi nga gjumi që porsa na kishte zënë. Dëgjuam një zë të akullt:- Kërkojmë Agron Canajn.

Dola para tyre.  Zëri vazhdoi me të njëjtin ton:

– Në emër të popullit jeni i arrestuar!

Në emër të kujt populli fliste? Unë nuk kisha dëgjuar të pyetej ndonjëherë populli. Diktatura tallej me të e qeshte me sarkazëm dhe populli e duartrokiste. Më prangosën dhe më përplasën në një qeli të errët. Në murin përballë saj ishin katër kanxha.  E pra, në ato kanxha më lidhën duar dhe këmbë. Hodha vështrimin në muret. Dallova disa shënime të ndryshme. Ishin psherëtima të dhimbshme të shkruara prej atyre që ishin ndodhur në atë qeli. 

Fillova të mendoj. Në ato kushte mendimet janë e  vetmja  pasuri  që  ka  njeriu.  Trurit,  i burgosur edhe ai si unë, nuk i mbetej tjetër veçse të mendonte. E pra, mendimet vinin rrotull. Shkonin nga shkonin dhe takoheshin në një pikë, atje ku rrihte çekani: Kush do të jetë fundi? A do të triumfonte drejtësia? Cila drejtësi? Arsyeja ime rrekej të më mbushte mendjen se kishte ende shpresë, por ashtu i kryqëzuar siç isha zhgënjimi më bluante përbrenda.

Errësira e qelisë më përpinte të gjithin. Nuk e dija nëse ishte ditë apo natë. Një errësirë e përjetshme. Në këto kushte njeriu humbet nocionin e kohës. Nuk përcakton dot sa kohë ka kaluar. Mua më dukej sa një shekull.

(Pauzë pak a shumë e gjatë)

  Më falni, të nderuara zonja e zotërinj! Më falni për këtë pauzë të gjatë! Jam i lodhur. Rëfimi më shkakton dhimbje. Mos u mërzitni! Megjithse po më afrohet koha për t’u kthyer në botën time, nuk largohem pa përfunduar. Ku e lashë? Ah, po, kur isha i mbyllur në qelinë e errët.

Një ditë u hap porta e qelisë dhe pashë rreshter Myfitin. Më shpuri në dhomën e hetues Demirit, pikërisht këtij Demiri që tani mban leksione pwr tw drejtat e njeriut. Ai ishte ulur në tryezë dhe shfletonte disa shkresa. Më vështroi për një kohë të  gjatë, sikur  do të  më  hante  të  gjallë. Pastaj  më  komunikoi  akuzën  e  arrestimit,  organizimin  e  një  grupi  antipushtet, sabotim ekonomik, terrorizëm dhe agjitacion dhe propagandë.

Dëgjoja akuzat e tij dhe më dukej si çudi se si njeriu mund të arrijë deri aty sa të besojë të tilla shpifje. Iu përgjigja i vendosur:

– Të gjitha ato që thatë nuk janë veçse dokra.

Nuk e zgjati më tej. Lëshoi ultimatumin:

– Po të le tri ditë kohë. Mendohu dhe kur të të thërras përsëri të dish si të flasësh.

Ato tri ditë ishin ditë ankthi për mua. Shpirti më ziente si vullkani pas shpërthimit. Mali i akuzave që më kishte hedhur Demiri më shtypnin si guri i Sizifit. Ndieja se isha para një kërcënimi të madh, pasojat e të cilit mund të ishin të tmerrshme. Dobësia që më kishte pushtuar bënë që të më mbylleshin sytë.

Në qeli më futën edhe miun e birucave që sot na qenka bërë kryetar shoqate të përndjekurish.  Ai u mundua të nxirrte diçka prej meje. Por mundimi i shkoi kot. Nuk kisha çfarë t’i thoshja. Atëhere u detyruan ta hiqnin përsëri. Kushedi në cilën qeli do e vazhdonte detyrën e tij? Pas  tri ditësh Demiri më thirri përsëri. Më pyeti nëse kisha ndërruar mendje. Iu përgjigja vetëm duke tundur kokën  majtas djathtas,  Atëherë filloi të më fliste për Stefanin dhe Gjergjin, se si gjoja ne kishim planifikuar të hidhnim në erë turbinën e hidroçentralit, që do të vendosej së shpejti dhe një lumë me akuza të tjera. Unë buzëqesha si  me ironi dhe e kundërshtova. Filluan  seancat  e  torturave  të  vërteta.  Më lidhën përsëri në kanxhat e qelisë.

Por unë nuk dua të flas më për to. Ju thashë, jam i lodhur dhe kujtimi i tyre më ngjall dhimbje.   Megjithse   nuk   jetoj   në  këtë  botë,  përsëri  ndiej   dhimbje.  Jam  i  dënuar  të  vuaj  përgjithmonë nën shtypjen e kësaj torture. (Lëviz në skenë).

Karakteret   e  njerëzve  janë  të  ndryshëm.  Ata  më   stoikët   e   ruajnë  karakterin  e  tyre  gjatë gjithë rrjedhës së jetës. Stoicizmi i tyre i bënë që të durojnë çdo lloj torture fizike ose psikologjike. Mendoja se një nga këta isha dhe unë.

Një grup i dytë janë kameleonët. Ata i përshtaten çdo regjimi. Vihen në shërbim te çdo padroni. Në këtë kategori hyjnë spiunët, servilët, dallkaukët. Kësaj kategorie i përket edhe miu i birucave të dikurshëm apo kryetari i shoqatës së sotme.

Por ka edhe një tip tjetër. Një tip i veçantë nga i pari. Tek ata mbizotëron ndjenja e urrejtjes për viktimat që  ua ka verbuar sytë dhe shkatërruar ndërgjegjen. Urrejtja është e vetmja ndienjë që ka pushtuar zemrat e tyre. Kjo ndienjë i ka bërë egoistë, sadistë, barbarë, të gatshëm të përdorin çdo lloj mjeti për të realizuar qëllimet e tyre. Janë tipa të etur për gjak bashkëqytetarësh. Gjaku është ushqimi i shpirtrave të tyre. Fatkeqësisht në këtë kategori bënin pjesë operativi dhe hetuesi im, Ilia dhe Demiri.

            Më kërkonin të pranoja një krim që nuk e kisha kryer. Përse? Për të goditur dy shokët e mi. Ata i kishte hedhur historia në kampin e të mundurve. Si të tillë ndëshkimi duhej të shkonte deri në fund. Fundi ishte zhdukja e tyre. Për këtë duhej të përdoresha unë, biri i një dëshmori të luftës, i një familje  që kishte qënë në krahun e Lëvizjes Nacionalçlirimtare.

Por, a mund ta bëja unë një gjë të tillë? Kurrën e kurrës!  I   kisha   ngjarë  tim  eti. Ai nuk doli malit për të luftuar bashkëqytetarët e tij. Doli  për  të  luftuar  armikun dhe ra së bashku me një nacionalist. Tani më kërkonin të shndërrohesha në një spiun ordiner. Të bëhesha krimb, kur kisha ëndërruar të isha vetëm  zgalem.

   (Përsëri muzikë dramatike. Pauzë)

29 nëntor 1974, tridhjetëvjetori i ditës së çlirimit. Në qelitë e degës mbretëronte heshtja.  Shumica e punonjësve të saj kishin ikur për festë. Nga oficerët ndodheshin  vetëm  hetues  Demiri  si  oficer  roje  dhe   operativ   Ilia.  Si zakonisht, unë  ndodhesha i kryqëzuar në kanxhat e torturës. Edhe për ditën e çlirimit nuk më  kishin  zgjidhur.  Demiri  vazhdonte  pyetjet  e  tij  të

zakonshme: – Ende do të vazhdodh të heshtësh?

E vështrova një periudhë pa folur, pastaj i thashë me një zë që mezi më dilte nga shpirti:

– Kot e keni. Nuk kam bërë asgjë. Nuk di asgjë.

– Nuk dini? Do jeni në gjendje ta mbani fjalën deri në fund? – tha me një zë të akullt.

– Kush është fundi, vdekja ime?

– Ndoshta edhe më keq…

Jashtë,   në   korridor   u   dëgjuan  disa  hapa.   Porta u hap. Në qeli hyri operativ Ilia. Pas tij qëndronin Lumtua dhe Rida. U tmerrova. Përse i kishin sjellë në atë ferr? Rida, sa më pa në atë gjendje, lëshoi një klithmë të tmerrshme dhe u lëshua drejt meje dhe, në mes të lotëve, duke më rrokur këmbët, klithi me të madhe:

– Babi, babi, ç’të kanë bërë kështu? – dhe duke u   drejtuar  nga  përbindëshat  u   bërtiti –

Përse? Përse?

Lumtua qëndronte si e mpirë. Demiri rrëmbeu me forcë Ridën.

– Hë, do të flasësh? – qeshi ai.

– Ju jeni kriminelë! – thirra – Nuk kam bërë asgjë. Nga unë nuk do të nxirrni gjë.

Duke iu drejtuar Lumtos, Demiri vazhdoi:

– E dëgjon? Ende nuk do të flasë. Foli ti se ndoshta bindet.

Por Lumtua nuk kishte se si të  më kërkonte diçka nuk e kisha kryer. Ajo e njihte karakterin tim dhe e dinte se nuk do t’ia falja. Atëhere dëgjova Demirin që tha me një keqardhje të shtirur:

– Më qafë paçi veten!

Pashë dorën e tij të futej në kofshët e Ridës time, fëmijës tim pesëmbëdhjetëvjeçar, ndërsa Ilia filloi t’i zbërthejë gjoksin Lumtos. (Nga sytë fillojnë t’i rrjedhin lotë)

(Pauzë)

Po qaj? Si është e mundur?  Kam pesë vjet, që kur ika nga kjo botë dhe lotët ishin  tharë. Unë  vij nga bota tjetër dhe atje nuk ka lot. Por ajo ishte një natë makabre. Nuk ka se si të mos krijojë dhimbje  edhe  lot, qoftë  edhe sikur të jesh banor i një bote ku ato nuk ekzistojnë.

– Lëshojini, të poshtër! – thirra që nga ganxhat ku isha lidhur

Ata vazhdonin.  Sa do të  doja  në  ato  momente  të  kisha   fuqinë  e  Herkulit,  t’i këpusja ato pranga që më mbanin lidhur dhe t’i  copëtoja   ato  dy  hiena.  Por  ata  përsëri vazhdonin. Dëgjoja zërin e tmerruar të Ridës:

– Lëshomëni! Lëshomëni!

Ndërsa Lumtua, në mes të të qarave,  thërriste:

– Lereni vajzën! Është vetëm pesëmbëdhjetë vjeç.

Por ata nuk kishin veshë. Ujqërit e kishin kapur gjahun dhe po e shqyenin. Dëgjova përsëri klithmën e Ridës:

– Babi, babi. Ndihmomë!

Ndërsa Lumton:

– Agron!

Nuk   munda,   nuk   munda   më.  Nuk   munda!  (Këlthet   Muzikë   e dhimbëshme). Papritmas, nga dikush që isha deri atëherë, u shndërrova në askush. Mendoja se kisha personalitet, por edhe ai ishte bërë hi. Ishte shkërmoqur. Ëndërronim. Na dukej sikur fluturonim në qiell, por në tokë gjërat ishin ndryshe. Në tokë ishte e ndaluar edhe të ëndërroje.

– Ndaloni! – thirra me një zë që më shpërtheu nga brenda.

Hienat i lëshuan viktimat e tyre. Me një  shenjë  të  Demirit,  Ilia  mori  Lumton  e Ridën dhe  doli.  Demiri  nxorri  nga  çanta  një  shkresë  me  shumë  faqe  dhe  duke  m’u  drejtuar më tha:

– Nënshkruaje!

Mora penën me dorën që më dridhej dhe nënshkrova pa e lexuar.

– Agron  Canaj  vdiq. –  munda   të  pëshpëris   me  një  zë  të  mekur. (Muzikë)

(Pauzë)

 Pas tre ditësh u arrestuan Stefani me Gjergjin. Ndërsa pas pesë muajsh u zhvillua gjyqi. U ndodha ballë për ballë me shokët  e  mi,  por  ata  më  kthyen  krahët. Procesverbali  im  ishte  një aktakuzë shumë e rëndë për ta. Ndjeva ndërgjegjen time të thyer të më thërrasë:

– Si munde të biesh kaq poshtë? Ku është personaliteti yt?

– Personalitetin tim e vranë! – u përgjigja me një gjysmë zëri.

– Përse jetoni atëherë? – më nguli thonjtë në zemër ndërgjegja

– Jetoj? Unë nuk e di përse jetoj , – ia ktheva, se vërtet që nga ai çast kisha vdekur.

Në makinën burg që na shpinte në qelitë, iu kërkova falje miqve të mi. Ata nuk pranuan të bisedonin me mua.  Kjo ma ndrydhi edhe më zemrën e plagosur. Mendoja se do të më dëgjonin dhe do të më kuptonin. Por çdo gjë fluturoi. Ata nuk denjuan, dhe kanë të drejtë, mendova.

Të nesërmen u dha vendimi i gjykatës. Stefani me vdekje  me  pushkatim,  Gjergji pesëmbëdhjetë vjet burg, ndërsa unë dymbëdhjetë. U drodha. Kurrë nuk mund ta kisha parashikuar një dënim kaq të rëndë.

Prisja përgjigjen e Gjykatës së Lartë dhe   të  Presidiumit  të  Kuvendit Popullor. Ato ishin instancat më të larta. Kisha shumë shpresë se diçka do të  ndryshonte,  sidomos për Stefanin.

Kishte kaluar mesnata. Për çudi, atë natë nuk më zinte gjumi. Ai kishte fluturuar. Dëgjova një zhurmë hapash të gërshetuar me atë  të  prangave  të  rënda.  Ndjeva një portë që u hap dhe zërin e dikujt që foli:

– A je bërë gati?

– Gati jam,. – ishte përgjigjja.

U drodha. Njoha zërin e Stefanit. Kur hapat kalonin pranë qelisë time, nuk  e di pse thirra me të madhe:

– Stefan, më fal! (Jehona e zërit përhapet bashkë me zhurmën e prangave).

Nuk mora përgjigje. Ai iku pa më falur. Nuk doja të jetoja më. Por nuk kisha fuqi. Zemra ishte dobësuar aq tepër, sa nuk mundesha as të vrisja veten. Isha i pavullnetshëm. Isha një njeri amorf.

Të nesërmen na komunikuan vendimin përfundimtar. Asnjë ndryshim. Kishin lënë në fuqi vendimin e gjykatës së  faktit. Na shpunë në burgun e qytetit.

(Pauzë)

Kaluan gjashtë muaj. Çdo dy javë prisja të më vinin të afërmit e mi. Por askush nuk dukej.  Një ditë më njoftuan për takim. Qëndroja para kafazit të hekurave. Nga ana tjetër e tyre u shfaq figura e nënës. Ecte e mbështetur në dy paterica. M’u duk jashtëzakonisht e plakur.

– Nënë! – munda të them dhe nga sytë filluan të më rrjedhin lotë, – përse?

– Fshiji lotët, biri i nënës! – tha ajo. –  Burrat nuk qajnë.

– Unë nuk jam burrë, nënë. –  pëshpërita.

– Kaq shpejt u dorëzove? Bëhu i fortë. Burgu për burrat është. – ndjeva zërin e vendosur të saj.

I thirra mendjes. Fillova ta pyes për veten e saj. Më tregoi se kishte pësuar një aksident nga një makinë.

– O Zot! – thashë me vete, –  si ka mundësi?

Natyrisht që e pyeta edhe për  gruan  dhe  vajzën.  ( Pauzë.  Agroni  vendos  kokën  midis duarve. Dëgjohet dialogu i mëposhtëm ndërmjet nënës dhe djalit)

– A je i fortë, bir?

– Përse nënë?

– Për ato që do të dëgjosh.

– Çfarë do të dëgjoj?

– Ato që mendja nuk mund t’i përfytyrojë.

– Fol, nënë, çfarë nuk mund të përfytyrojë?

– Premtomë se do të qëndrosh si burrë.

– Nënë, tregomë! Çfarë ka ndodhur?

– Toka nuk i deshi Lumton dhe Ridën. Ato ishin prerë për më lart. Fluturuan në qiell. Zoti i mori në gjirin e tij.

– Nënë, më thuaj që nuk është e vërtetë!

– Ngrije kokën, bir! Mblidhe veten! Ke nënën tënde.  Unë  do  të të pres deri sa të kthehesh. Të premtoj!

– Si ndodhi, nënë?

– Mos më pyet më. Hidhe në detin e harresës.

– Por, a mundem?

– Mundesh, bir, mundesh!

– Jo, jo nuk mundem!!

– Do t’ia dalësh bir, do t’ia dalësh! Unë të njoh. E njoh karakterin tënd! Tani do të iki. Nuk mund të qëndroj më gjatë. Një ditë do t’i tregoj të gjitha. Mirupafshim bir!

– Mirupafshim, nënë! ( Agroni ngre kokën. Sytë i ka të mbushur me lotë. Ngrihet dhe drejtohet te kreu i skenës)

Ajo u largua dhe unë u ktheva në qelinë time. U ula në dyshekun tim dhe fillova të mendoja:

– Si ka mundësi që u fikën të dyja? Nëna më tha ta hidhja në detin e harresës. Përse? Mos vallë nuk guxonte në sy të rojeve? Çfarë kishte ndodhur? Apokalipsi? A mund të ketë apokalips në shekullin e njëzetë! A do ta mësoj ndonjëherë të vërtetën?

(Pauzë e gjatë)

 Pas dhjetë vjetësh tre muajsh dhe dymbëdhjetë ditësh, erdhi dita e lirimit. Mbi dhjetë vjet të kaluara pothuajse në vetmi, i braktisur nga shokët,  i heshtur, i vetmuar. I vetmuar, edhe mes të burgosurve të tjerë. Për shokët unë isha një vullnet-sëmurë që isha thyer gjatë  procesit  të hetuesisë.

Atë ditë kujtoja vitet e kaluara në burg. Kampi i parë Spaçi. Një ferr i vërtetë. Në atë kamp qëndrova  katër vjet. Pastaj më çuan në burgun e Burrelit. Atje gjeta Gjergjin. U mundova të afrohem me të, por më priti shumë ftohtë, gati me përbuzje

– Gjergji, dua të bisedoj me ty, – i thashë një ditë.

– Do të bisedosh? E çfarë paske më për të biseduar? – më  tha  me  një zë ironik.

– Dua të të shpjegoj arsyet. Dua të të kërkoj të falur.

– Të më kërkosh të falur? Po Stefani a mundet të të falë vallë?

Më   ktheu   shpinën   dhe  u  largua.  Mbeta  përsëri  në  vetminë  time,  duke  luftuar  me ndërgjegjen e copëtuar. Kisha mbi shpatullat peshën e rëndë të tradhtisë  dhe të pabesisë dhe këtë peshë duhej ta mbaja për vite të tëra.

(Pauzë)

Më së fundi u lirova. Në qytetin tim mbërrita shumë  vonë,  pas  mesnate. Nënën e  kishin  nxjerrë nga apartamenti ku banonim dhe e kishin përplasur në një të ashtuquajtur dhomë, në një rrugicë në dalje të qytetit. Adresën e kisha, por nuk përcaktoja dot godinën. Ndërkohë aty po kalonte një burrë i moshuar. I fola:- Më falni! A e dini ku banon Gjylo Canaj?

Më vështroi me vëmendje.

– E ç’ju duhet e ngrata plakë? – më tha – Lereni në hallin e  saj. Kush  jeni  ju  që   e  kërkoni   në

këtë orë të vonë  të natës?

– Jam i biri, – iu përgjigja, – vij nga një botë tjetër.

– Agroni? Po ti, mirserdhe, more bir! – tha duke më përqafuar me  gëzim të madh.

Unë qëndroja i habitur. Kush ishte ky person kaq i afërt që nuk e njihja?

– Më falni, kush jeni juve?

– Jam Syrjau, miku i babait tuaj.

Ishte pikërisht ai, Syrjau, që kishte sjellë trupat e pajetë të babait dhe Sabriut.

U nisëm. Kur mbërritëm para portës, Syrjau trokiti lehtë. U dëgjua një zhurmë hapash dhe një zë që foli me ngadalë:

– Kush është?

Njoha zërin e nënës time të përvuajtur.

– Jam unë, Syrjau!

Por nëna e ndieu. Ia ndieu zemra.

– Bir, ti je?

Me një zë që mezi më dilte iu përgjigja:

– Po nënë, unë.

Porta u hap dhe  ramë   në  krahët   e   njëri-tjetrit.  Vetëm   lotët   ishin  preludi  i  këtij takimi. Kishim dhjetë vite të ndarë. Ishte si dikur, kur shqiptarët shkonin ushtar në Jemen dhe shumica nuk  ktheheshin. Kurse  unë pata fatin të kthehem përsëri.

Syrjau nuk ndenji gjatë. Na përshëndoshi  dhe  u  largua. Donte  të  na linte vetëm. U futëm në dhomë. Mbi mur ishte fotografia e familjes, unë, Lumtua dhe në mes Rida. Kishim dalë një muaj para arrestimit. E mora dhe në mes të lotëve fillova t’i puth.

– Qaj bir, qaj – më tha nëna. – Lotët të lehtësojnë. Ndoshta nuk i prekim. Ndoshta nuk i shohim, por ato janë pranë nesh. Kanë fluturuar në qiell për të na mbrojtur. Unë e mbajta premtimin, bir. Të prita. Tani nuk më vjen keq nëse mbyll sytë dhe iki nga kjo botë.

Ngrita kokën dhe po vështroja fytyrën e saj. Ajo, mësuesja e nderuar, gruaja e një ushtaraku të njohur, ishte shndërruar në një plakë kërcure. Ku kishte shkuar bukuria e asaj fytyre?

– Po ajo si ndodhi? – e pyeta.

– Cila bir?

– Ajo, tragjedia. Si u shuan të dyja përnjëherësh?

Më vështroi në një mënyrë të tillë, sikur kërkonte të gjente  një  rrugë  zgjidhje.  Së  fundi foli:- Jo sonte bir, jo sonte! Kur  të  vijë  dita  do  ta  tregoj. Të  premtoj  dhe  ti  e  di  që  unë  i  mbaj premtimet.

    (Pauzë)

Një pasdite, kur u ktheva në shtëpi, e gjeta nënën në shtrat.

– Nënë, pse je shtrirë? – e pyeta se kuptova menjëherë se diçka nuk shkonte.

– Erdhi fundi, more bir. – më tha me zë të shuar, por ishte e qetë.

– Mos fol ashtu nënë!  Mos e lësho  veten. – dhe e mora në gjoks.

– Ti më njeh, mor bir. – psherëtiu ajo –  Por tashti jam tetëdhjetë vjeçe dhe në këtë moshë  njeriu duhet të jetë i gatshëm për gjithçka. Kam kaluar një jetë të vështirë, por kam ditur t’i bëjë ballë. Këtë këshillë po të le edhe ty. Mos mendo për vdekjen. Sido që të jetë, jeta është gjithmonë e bukur dhe ia vlen ta jetosh. Ky është amaneti im.

Desha të shkoja të merrja një mjek, por nuk më la.

– Nuk është nevoja, – më tha – Të premtova se do të tregoj gjithçka. Tani erdhi koha. Në xhepin e xhaketës së Lumtos ke një letër. Merre dhe lexoje! Aty besoj se janë të gjitha.

Hapa dollapin dhe me duart që më dridheshin gjeta letrën. Ishte e mbyllur në zarf. Mbi të ishte shkruar

Gonit tim të shtrenjtë

 Grisa zarfin, nxora letrën dhe fillova ta lexoj:

  I dashur Goni!

 Tani që po të shkruaj këto radhë, jam bërë gati të pi lëngun vdekjeprurës. Në fundin e jetës time, dua  të të tregoj shkakun që më shtyri drejt një veprimi të tillë. Çdo gjë filloi natën fatale  që na ballafaquan bashkë. Por ngjarja nuk përfundoi pas ndarjes me ty. Akti tjetër u luajt pasi na hoqën nga ajo birucë. Ne u bëmë pre e akteve epshore të atyre dy përbindshave. Kur u larguam nga ajo skëterrë, Rida ishte e çakërdisur, ndërsa unë si një grua mëkatare.

            Vajzën e shtruam në spitalin psikiatrik. I vetmi njeri që përmendte ishe ti. Për asnjë çast nuk të hiqte nga goja.  “E  kanë rrëmbyer djajtë! – thoshte – Unë do të fluturoj te babi! “

            Mjeku na këshilloi ta merrnim në shtëpi. Mjedisi i spitalit   e  rëndonte më shumë. Nëna i rrinte gjithë kohën mbi kokë. Por një ditë, ndërsa ajo kishte dalë për  pak  minuta,, sa për të marrë ushqimin e  saj,  doli  në  ballkon dhe fluturoi prej andej

            Pas disa javësh kuptova një gjëmë tjetër më të madhe. Kisha mbetur shtatzanë. Në barkun tim kisha fëmijën e një krimineli. Por ai nuk mund të ishte as motra dhe as vëllai i Ridës. Ai ishte fëmija e një përbindëshi. Me siguri do të ishte ndonjë djall si i ati, ndërsa Rida ishte një engjëll. A mund të ruaja unë kujtimin e një engjëlli bashkë me  të një djalli?

            Vendosa t’i  jap fund jetës. Më vjen turp të dal para teje, pas asaj që ka ndodhur. Ndoshta këto që po të shkruaj do të lëndojnë. Më fal Agron!  Të përqafoj përjetësisht për vete dhe Ridën!

            Mos na harro! Kujtona!

Besnikja jote

  (Pauzë. Agroni fut kokën midis duarve dhe vajton)

 Kur mbarova leximin, nëna kishte fluturuar. Kishte ikur në botën tjetër. Ishte goditja ime e fundit. Pas dy vjetësh i mbylla sytë edhe unë.

  (Përsëri pauzë)

    Kjo ishte historia e ime. Më dëgjuat? Ju më thirrët dhe unë ju përgjigja kërkeses suaj. Tani më duhet të iki. Por dua t’ju them edhe  dy fjalë. Ne ikëm nga kjo botë se nuk mund të jetonim bashkë me hijet. Por une po shoh se ato qenkan kthyer pwrswri. Ndaj po iki. Njw porosi do t’ju le: Mos harroni hijet! Mos harroni! Mos harroni! Mos Harroni!

 

  (Zëri  sa vjen dhe shuhet. Muzikë. Agroni futet në varr dhe zhduket. Së  bashku me të edhe tymi. Gjithçka errësohet. Në ekran shfaqet citati i mëposhtëm:)

 Njerëzit që kurrë nuk e kanë njohur diktaturën dhe tiraninë, e kanë të lehtë të jepen pas retorikës për lirinë, duke harruar fare realitetin e thjeshtë dhe të tmerrshëm të shtypjes së vërtetë, atje ku ekziston me të vërtetë- Giovani Sartori-Edhe një herë mbi teorinë e demokracisë

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: a ka liri, krijimtarie, ne Shqiperi, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • …
  • 97
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT