• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2014

KRAJLIZIMI I MALIT TË ZI

April 23, 2014 by dgreca

Milo Gjukanoviç, ky “krajl i ri” i shek. XXI, kërkon që edhe me figurën e krajl Danilo I Petroviç-Njegos, edhe me zgjedhjet e 25 majit 2014, të “krajlizojnë” Malin e Zi./
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
25 maji i sivjetëm i zgjedhjeve lokale në ma shumë se gjysmën e komunave të Malit të Zi si në ato me popullsi etnike shqiptare si në Podgoricë e dy komunat urbane të saj (Tuzi/Malësi e Golluboci/Zeta), në Plavë, Tivar, Guci, Rozhajë, etj. përkon jo rastësisht me përvjetorin e ditës të lindjes të krajlit malazez antishqiptar Danilo I Petroviç-Njegos (1826-1860).
Mali i Zi, pasi fjeti mbi tetë dekada me ëndrrën fillkëputun të krajlisë nga Jugosllavia e Parë Versajiste, u zgjua në vitin 2006 kur kryeministri Gjukanoviç e Co e tij kërkuan të organizonin referendumin për pavarësi më 13 korrik, në përvjetorin kur Kongresi i Berlinit (1878) e njohu botnisht si principatë, si krajli ballkanike. Kjo u kundërshtua nga Komuniteti Ndërkombëtar, pasi e shihnin si rrezik të ringjalljes të nacionalizmit malazez të krajlisë në këtë shtet të vogël multietnik.
Atëherë, Gjukanoviçi që i parapëlqente eventet madhore në muajin e tij të lindjes në shkurt e përzgjodhi muajin Maj për organizimin e refendumit. Përndryshe: “muajin e krajl Danilo”, me synim rrënjas e perspektiv krajlizimin e Malit të Zi. U përcaktua data 21 Maj për referencumin, e cila tashma është festë zyrtare, Dita e Pavarësisë të Malit të Zi.
Prej kësaj kohe nisi kremtimi e promovimi i muaji Maj si”Muaji i krajl Danilo I”. Faktet flasiv vet, sikur të marrim në shqyrtesë vetëm zgjedhjet lokale: A nuk u kryen më 23 maj 2010 zgjedhjet lokale në 12 komuna të Malit të Zi si në Podgoricë, Ulqin, Tivar, Rozhajë etj ?! A nuk u përzgjodh 28 maji 2013 për zgjedhjet në komunën e re të Petnjicës?! Po këto të sivjetmet pikërisht më 25 Maj 2014?!
Çështja parashtrohet edhe ndryshe: zgjedhjet e vjetme për komunën e re të Petnjicës me shumicë boshnjake pse nuk u lanë më 28 shtator, në Ditën Ndërkombëtare të Boshnjakëve?! Apo këto të sivjetmet në komunat shqiptare në Guci e në Plavë pse nuk u shtynë për 28 Nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Shqiptarëve?!

2.
Krajl Danilo I Petroviç-Njegos nuk e ka Majin vetëm muaj të lindjes së tij, po edhe të shovinizmit të tij gjakatar ndaj shqiptarëve etnik që kulmon me Betejën e Grahovacit (1 maj 1858), e cila u zhvillua në komunën e sotme Nikshiq. Kryeministri Gjukanoviç (me klanin e tij politik nikshiqas) u rrit e mburrej me historinë e kësaj lufte, e kishte dhe e ka rituale shkuarjen tek vendi i saj gjatë gjithë jetës së vet.
Ky krajl, Danilo I Petroviç-Njegos, djali i luftëtarit të madh njegosh, Stanko Stijepov, kushëri i princit-bishop Pjetri II (1813-1851) është një figurat ma të shquara në historinë diplomatike, politike e fetare të Malit të Zi. I etnisë serbe dhe gruaja e tij Darinka Kreviç (Petroviç-Njegosh) ishte serbe, femën e ditur e frankofone, nga një familje shumë e pasur në Trieste. Nga princ-bishop Danilo II (1851-1852) kthehet në princ (krajl) Danilo I (1852-1860) i një principate laike të vogël me 1.500 km2 e cila përfshinte katër krahina: e Katundeve, e Rijekës, e Cërmnicës, e Leshanit. Kjo principatë, kishte marrë (për)forcime në vitin 1833 nga Car Nikolla I mbi 18.000 rubla ruse, nga të cilat 8.000 vetëm për ngritjen e institucioneve, si dhe Kisha Ortodokse Ruse i dha mbështetje për institucionet fetare, po e ndihmonin e mbronin edhe Vjena e Parisi, Serbia. Krajlit Danilo I Franca i jepte çdo vit nga 200.000 franga, etj.
Krajli Danilo I Petroviç–Njegos, kit’ principatë me mbështetje ndërkombëtare, e dyfishoi në 3.000 km2, e cila kishte 80.000 banorë sipas rregjistrimit zyrtar të vitit 1855. Pas betejës së Grahovacit (1 maj 1858) të ndërmarrë e fituar sëbashku me të vllain, Vojvoda i Madh Mirko (baba i Krajl Nikolla I) i zgjeroi prapë territoret e principatës së tij me pushtime të përgjakshme, aneksime me masakra e asimilime të pashembullta, marrëveshje me otomanët, etj. si qytetin e Grahovës me rrethina e Rudinat e Nikshiqit, Danilovgrad, kah Shavniku, Pluzhina, Zhabjak, Vasojeviçin e Epërm e Kuçi, etj., të cilat u formalizuan padrejtësisht në Kongresin e Berlinit (1878), në kohën e Krajl Nikollës.
Nipi i tij, krajl Nikolla I Petroviç-Njegos ia hyjnizoi emrin e famën krajlit paraardhës Danilo I Petroviç-Njegos, që ia rriti me rreth 3.000 km2 sipërfaqen Malit të Zi, etj. duke marrë territore etnike shqiptare. Djalit të tij të parë, ia vuni emrin Danilo Nikolla Petroviç-Njegos (1871), princi që drejtoi Grupimin ushtarak të Qëndres me 13.000 ushtarë për pushtimin e Shkodrës… Qyshse në maj të vitit 1870, krajl Nikolla I filloi ndërtimin e një kryeqyteti malazez (projekt) me emrin e krajl Danilo I, përndryshe: komuna e sotme Danilovgrad, midis Nikshiqit e Podgoricës, në brigjet e lumit Zeta, vendbanim i fisit të madh të Palabardhëve shqiptar.

3.
Menjëherë pas shpalljes e njohjes së Malit të Zi shtet i pavarur e sovran, Gjukanoviçi e Co politike, sikurse edhe krajl Nikoll I Petroviç-Njegosh (1860-1918) filluan promovimin e figurës së krajl Danilo I Petroviç-Njegosh.
Në maj të vitit 2006 përuroi memorialin e Betejës së Grahovës në 150 vjetorin e saj, e cila ishte tjetër përpjekje për ringritjen simbolike të antishqiptarit krajl Danilo I Petroviç-Njegos e vllait të tij, Vojvoda i Madh Mirko apo ndryshe: “Duka i Madh i Grahovacit”.
Pra, eventet e majit ndër vite, të paktën nga Referendumi i 21 majit 2006, i kremtimit të 150 vjetorit të Betejës të Grahovës (2008), zgjedhjet lokale në maj 2010, 2013 e këto të fundit të 25 majit 2014 kanë vetëm një domethanie: krajlizimin e Malit të Zi.
Tregues burimor e ballor është edhe vet kryeministri antishqiptar Milo Gjukanoviç, i cili prej 15 shkurtit 1991 e drejton Malin e Zi, herë si president e herë si kryeministër. Ky është edhe kryetar i Partisë të Socialistëve Demokratë (PDS), parti e cila e ka zgjedh nga radhët e saj edhe Presidentin Filip Vujanoviç (president prej vitit 2003 e kryeministër në vitet 1998-2002). Nga koalicioni partiak i Gjukanoviçit është edhe kryetari i Parlamentit Ranko Krivokapiç (prej vitit 2006). Uzurpim të pushtetit nga Gjukanoviçi ka edhe në pushtetin lokal si kryebashkiaku i Podgoricës, Miomir Mugosha prej vitit 2000 e ministër nga viti 1990, etj. Përndryshe: këta janë “oborrtarët” e Gjukanoviçit.
Ky është viti i 24-t që Milo Gjukanoviç drejton Malin e Zi, një mandat si president e shtatë mandate si kryeministër, si asnjë politikan tjetër në të gjitha shtetet antëre në BE e në NATO. Përndryshe është një “krajl i ri” i Malit të Zi.
Milo Gjukanoviç, ky “krajl i ri” i shek. XXI, kërkon që edhe me figurën e krajl Danilo I Petroviç-Njegos, edhe me zgjedhjet e 25 majit 2014, të “krajlizojnë” Malin e Zi.

Filed Under: Opinion Tagged With: KRAJLIZIMI I MALIT TË ZI, Ramiz Lushaj

Përditshmëria tek shkrimtari amerikan John Cheever

April 23, 2014 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/
Në botë ai është përcaktuar mjeshtër, këngëtar i hipokrizisë dhe palumturisë, shkrimtar artistikisht i sinqertë, i sofistikuar dhe therrës. Për shumë të tjerë konsiderohet brilant dhe i shumë i dashur, pavarësisht shpirtit të tij dhe personit shpesh të rënduar nga rezultatet e një malinkonie të pashlyeshme dhe të një ndjenje shumë të thellë vetmie. Cheveer zë një pozicion, në plan të parë, në kuadrin e skenës letrare amerikane të ‘900, brenda së cilës është dalluar se është një prej autorëve më të mirë të historive të shkurtra që ka nxjerrë ndonjëherë Amerika. Që zëri i Cheever vjen nga shumë anë, i konsideruar si një prej zërave më të pashmangshëm në të gjithë letërsisë së ‘900 të përtejoqeanit, nuk të befason, nëse merret parasysh se shkrimtari i Masaçusetit, duke filluar nga mesi i viteve ’30 e deri në fillim të viteve ’80 të shekullit të 20-të, përpunoi dhe zhvilloi dora dorës një stil letrar që, edhe pse duke iu referuar disi kordinatave stilistike preekzistuese dhe të përcaktuara mirë ( e afrojnë me Kafkën, Çehovin, Fitzeralsin, por edhe me shkrimtarë të tjerë amerikanë si Fante dhe Caverin e ri që duket se me Cheever kanë të përbashkëta disa aspekte jete jolineare të kaluara në rini) i paraqitet lexuesit si original dhe shumë i njohur. Për shkurtësinë dhe formën e veçantë në të cilën konkretizohet, në historitë e tij të shkurtra të panumërta, shprehja narrative cheeveriane, mund ta kujtojmë si shkrimtarin i cili është filluesi i një stili letrar që pret brenda vetes një amalgamë shumë të goditur të gjurmëve realiste dhe minimaliste. Ironik dhe shpesh me dhunti shumë të holla humori në historitë e tij, ai përshkruan ngjarje ëmbëlsisht të hidhura, jo rrallë të ambientuara brenda familjeve borgjeze. Tregimet tij me një ton që sipas rasteve mund ta quajmë konfidencial, i përshpëritur, bindës, diskorsiv, i kthjellët dhe gjithmonë mungues nga çdo rëndim sintaksor, mund të tregojnë minuta të përditëshme dhe raporte të vështira mes komshinjve apo vëllezërve që jetojnë larg dhe që nuk çmohen aspak, për nëna dhe gra nervoze, çifte në krizë, mirëmbajtës të impenjuar dhe të duruar bashkëpronarësh, shtëpiake konfuze dhe gra shërbimi në depresion, manovrues të ashensorit të papunë etj. Duket i qartë objektivi i fundit i shkrimit cheeverian, që evidenton parapëlqimin e autorit për historitë që e lejojnë lexuesin të reflektojë për kufizimin, për meskinitetin, egoizmin dhe dobësitë e lindura në kushtet shoqërore. Nuk ndodh kurrë që në tregimet e tij këta elementë, të lidhur si janë me sfumaturë hidhësie dhe sugjestione nostalgjike që përbëjnë atë mjet të domosdoshëm dhe herë herë vendimtar i cili të ndihmon ta rrokësh kuptimin më intim të historisë së treguar, janë shprehur në mënyrë të qartë dhe të hapur. Studiuesi Italian Bajani mendon se në këtë mohim të fantazmave, ose më mirë në veprimin e tyre shqetësues, turbullues, me pjesë tallës, qesharak…ka një nyjë poetike të Cheeverit dhe për këtë krizë të klasës së mesme që kap shumë vend tek tregimet dhe romanet e tij. Studiuesi tjetër Cioni thotë se ishte shumë i lidhur me atë shoqëri për të cilën përshkruante meskinitetin, në një dorëzim të lumtur që pak janë në gjendje ta njohin. Motivet e kësaj lidhje duken jo krejtësisht të panjohura për ata që i njohin ngjarjet rinore të autorit amerikan : biseksual që për një kohë të gjatë të jetës bashkëjeton pak e lumtur me prirjet dhe alkolin, dihet se i ati që në momentin e gjizjes, i kërkoi gruas që ta abortonte, por edhe fakti se fëmijëria e tij u vulos rëndë me kushtet ekonomike dhe shoqërore të familjes, për shkak të alkolizmit të prindit. Vetë i ati nuk ia këshillonte që ta ndërmerrte profesionin letrar. Autori në vitet e fundit të jetës u rrëfye dhe thotë: Nuk u diplomova, as shkollën e mesme nuk e mbarova. Periudhën që duhet të isha në Universitet e kalova vetëm, i uritur, në një dhomë të ftohtë të Manhatanit. Këto dhe përvoja të tjera e pushtuan shpirtin e shkrimtarit në rëniet më të thella gjatë gjithë jetës. Vetëm në fund të viteve ’70 të shekullit të kaluar, u shërua nga alkolizmi dhe përsa i përket biseksualizmit e pa veten me më shumë dashamirësi. Thelbi tek poetika e tij sintetizohet me efikasitet nga vetë autori me pohimin : Zoti X u përmor tek sirtari i gruas. Ky është një fakt, por unë them se nuk është një e vërtetë. Është dhe mënyra e Cheeverit sesi i mbyll historitë që të dalin në pah. Autori amerikan, larg nga historitë që mbyllen me aksione ekstreme, shqetësuese, të pazakonta, e përqëndron vëmendjen në ngjarje apo ndodhi që gjenden në mesataren e rasteve të jetës së protagonistit dhe në realitet të konsumimit të tyre ditor, shumë të ngadaltë, kjo është mundësia më e madhe që efektivisht të verifikohej një gjë e tillë. Kjo natyrisht nuk e përjashton se në tregimet e tij ka gjithmonë të pranishëm në reshta agroëmbëlsinë, hidhtësinë, shqetësimin dhe në kundërdritë, një sfond dhimbjesh intensive që protagonistët e përthithin brenda vetes, gati në heshtje. Karakteristikat e shkrimit të tij nuk mungojnë as në tregimet që i ambjenton në Itali, autori jetoi aty gati nja dhjetë muaj në gjysmën e dytë të viteve ’50. Mes tyre shembuj përfaqësues të barabartë për aftësinë e dukshme që të përshkruante rrethana dhe mjedise të cilat paraqiten në imagjinatën e lexuesit, si shumë të vërteta, dhe ta thellonte psikologjikisht profilin e personazheve të ndryshëm që janë të pranishëm në tregimet e tij, si tek Një djalë në Romë, Bota e mollëve, Gjuha e bukur dhe Klementina, ngjarje që ka si protagoniste një vajzë fshati italiane të rritur mes paragjykimesh dhe bestytnish, e cila shkon në Amerikë pas një familje amerikane, ku e detyruar nga rrethanat, vë në diskutim themelet e edukatës që kishte marrë në Itali. Aty tronditet nga stili i jetës dhe nga mjetet e modernitetit shumë të përhapura në botën e re, ku jeta është kaq absurd dhe e ndryshme. Për të atin e vet, e bija e tij Susan, thotë në një intervistë : Është një prej atyre prindërve që shkaktojnë brenda teje ndryshime perspektivash. Pasi e ke lexuar, kur i ngre sytë, bota duket pak ndryshe, sesa ishte më parë. Ky është, si për të thënë, efekti anësor që lexuesit e historive të Cheeverit e njohin mirë dhe duket se tregon aftësinë e tregimeve që t’ia lërë të hapura rrugët për interpretime, nga më të ndryshmet, atij që i lexon. Bëhet fjalë për një pavendosmëri false, edhe lexuesi më pak i vëmendshëm mund ta interpretojë si dobësi strukturore të mesazhit që autori synon ta përhapë, ose të mungesës së kurajos nga ana e shkrimtarit që të tregojë në botën ekstreme dhe aspektet më të errëta, apo më të parrëfyeshme të personalitetit të vet. Për t’i larguar dyshimet e mundshme, edhe një herë është vetë Cheeveri që i jep drejtim. Pyetjes në një intervistë të dhënë në vitin 1976, nëse të shkruash njëkohësisht është më shumë autobiografik në lidhje me të shkuarën, ai përgjigjet : …autobiografia dhe letrat mund të jenë më interesante, sesa përcaktimi, por unë do të vazhdoj ende me romanet që është një mënyrë intensive komunikimi nga ku tipet e ndryshme të lexuesve mund të marrin përgjigjet që nuk i marrin nga letrat apo ditaret. Fjalë plot me të vërteta të thëna nga një shkrimtar që e kthehu në poezi përditësinë e thjeshtë dhe ndodhitë e jetës të asaj qënie njerëzore më të brishtë që është njeriu.
Përgatiti për botim:Arjan Th. Kallço

Filed Under: ESSE Tagged With: Arjan Kallco, John Cheever, Përditshmëria tek shkrimtari amerikan

“VULLNETI I TYNE I FUNDIT !..”

April 23, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/
“Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Papa, Rrnofshin Katolikët, Rrnoftë Shqipnia! U baj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!” (At Mati Prennushi, Dosja 1302/A, ArkivMM)/
Nga Fritz RADOVANI/
Ky ishte vullneti i fundit të njenit prej Martirëve ma të mëdhej të Kishës sonë në vitin 1948, në Zallin e Kirit të Shkodres, pranë vorrezave të Rrëmajit.
U shkrue nga dora gjakatare e gjykatësit komunist Misto Bllaci, per të cilin mbas sa vjetësh tregon i biri se çka i thonte atij diktatori anadollak Enver Hoxha: “Prokurorët e vendosur si ti janë maja e shpatës së diktaturës së proletariatit, shoku Misto.
I tmerrove klerikët me pretencat e tua, që s’njohin dënim tjatër veç atij me vdekje. Uroj që edhe Agimi të eci në gjurmët e tua.”
Në vitin 1464 Papa Piu II donte me vizitue Shqipninë dhe me kunorzue Mbret me doren e vet Gjergj Kastriotin, mbrojtësin e Trojeve Ilire nga robnia turke, po, që njëherit, njihej nga Europa “Mbrojtësi ma i rreptë i Krishtenimit” nga kamba ma dhunuese e atyne shekujve osmanllinjtë. Papritmas Papa vdiq në Ankona me 15 Gusht 1464.
Në vitin 1911 nder Malet e Hotit Burri i pathyeshem i Bjeshkëve të Nêmuna, me Flamurin e Kastriotit në dorë, Heroi i Pavdekshem Dedë Gjo’ Luli, trandi perandorinë otomane dhe njëherit i tha komshijve serb se “kanë mbetë edhe grusht Shqiptarë!”
Hakmarrja e tri palëve ndaj Këtij Burri kje e mnershme! Serbët, me otomanët dhe tradhëtarët e shitun të Esad Pashë Toptanit e vranë dhe i dhunuen edhe kufomen… Po, nuk u ngopën me aq, tue i vra djelmët e tue i shfarosë Fisin deri në vitin 1946, me të Pathyeshmin Gjelosh Luli, por nga dora tradhëtare e një turkoshaku tjeter të shitun tek po ata serbë, diktatorit Enver Hoxha, që punoi 50 vjetë bashkë me trashigimtarët e vet per shfarosjen dhe shitjen e shkatrrimin perfundimtarë të Atyne Alpeve kreshnike.
Shqipnia e Pavarun e Ismail Qemalit, Don Nikollë Kaçorrit, Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit, At Gjergj Fishtës, Bajram Currit, Imzot Luigj Bumçit, Hasan Prishtinës, Imz. Mjedjes, Mustafa Krujës e sa Atdhetarëve tjerë, plot 70 vjetë ma parë u permbytë nga një perbindsh e diktator i renditun në “100 Tiranët” e mbi 3000 vjetëve; Enver Hoxha.
Imzot Luigj Bumçi porsa filloi detyrën e Kryetarit të Delegacionit Shqiptar në Paris, ishte i pari që protestoi tek Presidenti Willson për krimet që po kryenin serbët mbi popullsinë Shqiptare të Pejës, Gjakovës, Plavës, Gucisë dhe i dorëzoi Atij listën me emnat e viktimave në krahinën e Rugovës.

Imz. Bumçi, mbasi vëren një mungesë të madhe sinqeriteti nga delegati italian në Paris, Ministër i Jashtëm i Italisë, me të cilin Ai u takue me datën 26 tetor 1919 për marrveshjen “Titoni – Venizellos” mes Italisë dhe Greqisë, në dam të tokave Shqiptare, Imz. Luigj Bumçi u takue edhe me delegatin francez dhe amerikan, tue nxjerrë nga këta bisedime një aksiomë filozofike që mund të shpikej vetëm nga koka e Imz. Bumçit: Me 29 Dhetor 1919 Ai arrinë në Vatikan dhe në ditët e para të Janarit 1920, u takue me Papen Benedikti XV, të cilit i tha: “Tash pra Shejtni, të gjithë Misat e Dergatës Shqiptare që janë në Paris e që shumica asht myslimane, më kanë çue këtu përpara Shejtnisë s’Uej e të gjithë për njëgoje Ju lutën që me fuqinë Tuej morale e me influencën e madhe që keni në Botën mbarë, të na jepni ndihmën Tuej të vlefshme sikur dini Ju vetë, që na të pështojmë dy provincat Shqiptare, Korça e Gjinokastra, të cilat janë në rrezik prej akordit Titoni – Venizellos.” Papa i shpjegoi Imz. Bumçit se Vatikani nuk kishte marrdhanje të mira me Francën dhe Italinë, por do të takohej urgjentisht me ambasadorët anglez dhe amerikan në Vatikan, të cilëve, Ai do t’u kërkonte me qendrue në përkrahje të Popullit Shqiptar…dhe, e mbajti premtimin, Korça dhe Gjinokastra mbetën Tokë Shqiptare!
Një dishmi e At Jakë Gardinit, jezuit italian që mbijetoi dhe erdhi në Shqipni në vitin 1992, tregoi: “Mbreti i Shqipnisë Ahmet Zogu ka pas thirrë Delegatin Apostolik, në vitin 1925 që ishte në Shkodër, dhe i ka pas kërkue me dijtë se shka mendon Vatikani për lidhjet me né, në kjoftë se né mund të hyjmë në “Konferencën Islamike”, mbas një kërkese që i ishte ba Atij nga ana e tyne ato ditë.
Delegati tue u ndodhë para një kërkese të papritun prej Mbretit i kishte kërkue dy javë kohë, sa me shkue deri në Vatikan dhe me sjellë mendimin e tyne për këtë punë. Mbreti asht kenë dakord. Delegati ka shkue tek Papa Piu XI, dhe i ka tregue kërkesën e Mbretit. Papa i asht përgjegjë Mbretit nëpërmjet të Delegatit, me këto fjalë: “Në kjoftë se doni me ruejtë edhe atë pak Shqipni që ka mbetë, ju, nuk duhet të angazhoheni me vendët e Lindjës. Na gjithmonë kemi thanë se Shqipnia asht vend Evropian.
Ju, mund të veproni si të doni. Ky asht mendimi i ynë!”.
Delegati asht këthye në Shqipni dhe i ka tregue Mbretit përgjegjën e Papës. Zogu asht kenë i squtë dhe nuk ka hy në asnjë lidhje me shtetët e Lindjës.” (Dishmi A.J.Gardin)
Me 5 Maji 1945 qeveria Tiranës, e kryesueme nga Enver Hoxha po, e mvarun kambë e kokë nga shovenistë sllavokomunistë të Titos nxjerr jashtë Delegatin Apostolik të Vatikanit në Shqipni Imz. Leone Nigris… (shkresa e largimit nga qeveria shqiptare u ba me 25 maji…). Imz. Frano Gjini, Abat i Mirditës u caktue nga Vatikani si zevendës i Tij. Me kenë se Imz. Frano Gjini nuk pranoi me shkëputë Kishen Katolike Shqiptare nga Vatikani, u arrestue me 15 Nandor 1946 dhe u pushkatue me 11 Mars 1948.
Ja dhe vullneti i Tij i fundit i shkruem nga krimineli Misto Bllaci: “Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe Katolikët në botë, Rroftë Papa, gjaku dhe trupi i em mbetët këtu, por Shpirti dhe zemra është tek Papa. Rroftë Shqipnia!” (Dosja 1302/A, Arkivi).
Edhe pse me 1 korrik 1951, gazeta komuniste shqiptare “Zëri i Popullit” bani të dijtun se Kleri Katolik Shqiptar “i ka pre mardhanjet me Vatikanin”, tue nenshkrue një “Statut”, per të cilin Ata që e kundershtuen u burgosën dhe Don Ejëll Kovaçi (1958) e Don Dedë Malaj (1959) u masakruen nder hetuesi dhe u pushkatuen, Papa Piu XII, me
3 shtator 1951 urdhnoi Sekretarinë e Shtetit të Qytetit të Vatikanit, që Radio Vatikani të flasë edhe në Gjuhën Shqipe. Udha e saj nisi me: “Udhën e Kryqit”, program i cili asht drejtue nga Don Zef Shestani dhe At Daniel Gjeçaj, gjatë gjithë “Udhës së Kryqit” që ka vazhdue me ba Populli Shqiptar deri në 1991, nën Gjenocidin komunist të E. Hoxhës.
Plot 55 vjet perpara Papa Gjoni XXIII, ditën e Pashkëve, nga Vatikani, kur i bani urimet popujve të Botës, ishte Papa i parë që na uroj nga zemra në Gjuhen Shqipe, të gjithë Popullit Shqiptar “të harruem e të coptuem”: “Per shumë mot Pashkët!”…
Në vitin 1980 asht Papa Gjon Pali II, nga Otranto i Italisë, që drejton mesazhin e Tij per grigjen e vogel Shqiptare të martirizueme nen thundren komuniste:
“Sot nuk mund të mos e hjedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipni tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasunohet nga dëshmia e Martirëve të saj: Ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, e besimtarë të thjeshtë”.
Në vitin 1993 asht Ky Papë, që puthi Token e rijtun me gjak të burgosunëve që kishin ndertue Aeroportin e Rinasit, të Tiranës, per të cilin çast më asht shpreh Prof. Sami Rrepishti: “Sa herë shoh foton e Papës Gjon Pali II tue puthë token në Rinas, më kujtohen ata bashkvuejtës që vdiqën dhe që janë të vorrosun nen atë tokë…” (2013)

Papa Gjon Pali II dhe Nanë Tereza 1993.

Në darken e 25 Prillit 1993, Papa Gjon Pali II, në Sheshin “Skenderbej” të Tiranës tha: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit… Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ Ju harrojë.
Dhe, në fakt, ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e madje, e domosdoshme, por me një kusht që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë… Një demokraci pa vlera, – kam shkrue në Enciklikën Centesimus Annus – mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon historia…Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu, Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vepruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithёshëm. Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vëllavrasëse të ulta e të pakuptim…”
Papa Gjon Pali II, në mesazhin e tij “Urbi et Orbi”, pikërisht, për Pashkët e vitit 1999, ka thanë:”I lutem Zotit të Ringjallun t’i japë dhuratën e paqes, së pari tokës së martirizueme të Kosovës, ku lot e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vra, për ata që kanë mbetur pa shtëpi, për ata që janë largue me forcë nga familjarët, për ata që janë detyrue të ikin larg…”
***
Edhe pse Toka Shqiptare asht ma e aferta me Vatikanin (tue perjashtue Italinë), qeveritarët tanë vazhdojnë me u largue sa ma larg… E, mundsisht, me “harrue” të gjitha këto perpjekje shekullore të Papëve per vendosjen tonë në Vendin e merituem në shekuj!
Edhe pse Gjaku i Martirëve tanë vazhdon me vlue!.. Ai nuk shuhet kurrë, ashtusi, nuk shuhet as thirrja e Tij: “Rrnoftë Papa, Rrnoftë Shqipnia!’
Vetë Papa Françesko, me Flamurin e Gjergj Kastriotit dhe Nanë Terezës në qafë, tregon se, Papa, si gjithmonë edhe SOT, vazhdon rrugen e Paraardhësve të Tij:
Rrnoftë Shqipnia Europjane e Gjergj Kastriotit !
Melbourne, 24 Prill 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: “VULLNETI I TYNE, Fritz radovani, I FUNDIT !..”

NE I THEMI”JO” GJYKATES SPECIALE KUNDER KRIMEVE TE LUFTES NE KOSOVE

April 23, 2014 by dgreca

Deklaratë për mjetet e informimit e Shoqatës “Atlantiku” me seli në New York të SHBA-së/
Në mbledhjen e saj mbajtur me 22 prill 2014 në New York Kryesia e Shoqatës “Atlantiku”, e cila përfshinë veteranët e Batalionit “Atlantiku” që luftoi në kuadër të UÇK-së për çlirimin e Kosovës dhe qindra simpatizues shqiptaro-amerikanë në mbarë Amerikën, vendosi të dalë me këtë deklaratë për media mbi planin për Gjykatën Speciale kundër Krimeve të Luftës në Kosovë./
Ne si shqiptaro-amerikanë iu bashkëngjitëm luftës së UÇK-së dhe NATO-s kundër regjimit pushtues serb për të ndaluar që populli shqiptar të vazhdonte të ishte viktimë e fashizmit të Milosheviqit. Agresori në Kosovë ka qenë shteti serb dhe shteti serb duhet të jep llogari për vrasjet, dëmet dhe shkatërrimet që solli lufta. Në historinë e luftërave çlirimtare nuk ka ndodhur ndonjëherë të themelohet Gjykatë Speciale për palën çlirimtare, por për atë agresore dhe pushtuese. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë që ka respektuar të gjitha ligjet dhe konventat ndërkombëtare dhe ka kaluar edhe nëpër shoshitjen e drejtësisë ndërkombëtare në sistemin e Tribunalit të Hagës, prandaj formimi i një Gjykate Speciale për Kosovën është një sulm politik që si qëllim ka kontrollimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës, disiplinimin dhe frikësimin e popullit të saj që të veprojë duke u bazuar në vullnetin dhe të drejtat e tij sovrane. Mijëra krime serbe në Kosovë kanë mbetur të pa hetuara. Këto krime dhe krimet nga kushdo qoftë duhet të hetohen dhe gjykohen nga sistemi i drejtësisë së Kosovës. Mos lejoni lojëra politike me luftën çlirimtare dhe sakrificat titanike të popullit shqiptar për liri sepse kështu do të preket e kaluara e lavdishme por edhe e ardhmja e Republikës së Kosovës. UÇK dhe NATO kanë qenë aleate në çlirimin e Kosovës dhe asnjëra nuk kanë kryer krime lufte. Ne si organizatë e veteranëve të luftëtarëve të UÇK-së nga Amerika i themi JO Gjykatës Speciale dhe thërrasim deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe sidomos qeveritarët e Kosovës të mos i nënshtrohen imponimit të askujt dhe t’i thonë JO Gjykatës Speciale.

Kryesia e Shoqatës “Atlantiku”

New York
SHBA

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gjykates Speciale, Ju, ne Kosove, Shoqata Atlantiku

Fitorja plebishitare e opozitës shqiptare është e vetmja atlernativeë në këto zgjedhje

April 22, 2014 by dgreca

Opinione mergimtaresh/
Me 27 prill 2014 mbahen zgjedhjet Presidenciale (rrethi i dytë) dhe Parlamentare në Maqedoni. Diaspora për Shqiptarët e Maqedonisë (DSHM) si lëvizje e shqiptarëve të Diasporës për këto zgjedhje shumë kohë përpara ka paraqitur qendrimet e veta. Një nga qendrimet kryesore të angazhimeve tona ka qenë refuzimi i sistemit unitarist, që është baza e diskriminimit të shqiptarëve, bojkoti i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, pasi nuk përmbushin standardet demokratike dhe nuk janë të lira, fer dhe demokratike.
Sot, kur e dëgjon nga gjuha e kupolës së dështakëve të BDI-së në krye me Ali Ahmetin: “Pse shqiptari të mos jetë Kryeministër, Kryetar shteti dhe Kryeparlamentar” vjen si rezultat i presioneve të DSHM-së që kanë zhvilluar një kampanjë për vetëdijësimin e shqiptarëve për më shumë se dy vjet. Duhet të potencojmë se Ali Ahmeti me rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2011 shiti interesin e votuesve shqiptar dhe nuk kushtëzoi “Qeverinë 3” të Gruevskit para formimit të qeverisë, njejtë sikur i shiti idealet e atyreve që i nxiti për luftë të pakuptimtë në vitin 2001. Ky dështim i Ali Ahmetit nuk ka qenë i pari, as nuk do të jetë i fundit, përderisa ky njeri, duke shfrytëzuar rrethanat e politikave rajonale dhe globale në lidhje me integrimet e Maqedonisë, veten e ka shpallur se ka qenë shkatrrues i Jugosllavisë, kurse në këto zgjedhje u tha shqiptarëve të Diasporës “ejani e mbjellni sallata dhe patate” dhe mburreshte me misionet e dështuara me servilë të tipit të Izet Mexhitit, Fatmir Deharit, Ruzhdi Latës, Azis Pollozhanit, etj. se janë djemtë e BDI-së që harxhojnë paratë e shqiptarëve të varfër nëpër Diasporë, por harronte të tregonte se misionarët e tij ku shkonin ndesheshin me rezistencën e vizionit shqiptar në Diasporë dhe me DSHM-në.

Ideja e Ali Ahmetit për President konsensual dhe bojkoti vetëm i zgjedhjeve presidenciale ka qenë një ide hipokrite, një marrëveshje e tij me “Car Nikollën” për përkrahje në heshtje të Ivanovit. Agjenturat e tij bolshevike, lidhjet e tij marksiste-titiste, në Kosovë dhe jashtë, eksponentët e tij, që shumica janë bijë të komunistëve, në televizione, gazeta dhe portale u angazhuan që dështimet e tyre 12 vjeçare t’ia atribojnë vetëm një njeriu, e ai ishte Menduh Thaçi, kryetari i partisë më të madhe opozitare shqiptare, i cili ushtron këtë detyrë me përgjegjësi nga viti 2007.
DSHM bën dallim mes kohës së Arbër Xhaferit dhe Menduh Thaçit, prandaj kur ka zgjedhje në Maqedoni të gjithë ngriten dhe bashkohen për ta demonizuar kryetarin e PDSH-së, z. Menduh Thaçi, për ta paraqitur si gogol në sytë e shqiptarëve dhe fajtorë kryesor për të gjitha dështimet e BDI-së dhe gjoja se ky po mbanë peng opozitën shqiptare në Maqedoni. Ky fabrikim, kjo kampanjë gebelsiane në vitin 2014 kundër Opozitës duke edemonizuar figurën politike të Menduh Thaçit, u dekonspirua pikërisht nga DSHM-ja dhe shumë veprimtarë të tjerë shqiptarë, por edhe thirrjet e Menduh Thaçit ndihmuan për këtë dekonspirim drejtuar Ali Ahmetit “O, Ali, eja e bëhemi bashkë e t’u ndihmojmë shqiptarëve!” “O, Ali, eja dhe i bojkotojmë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, bllokojmë sistemin” e shumë tjera. Në të gjitha këto thirrje përgjigjia e Ali Ahmetit ishte: “Jemi parti me përgjegjësi të shtetit unitar” “Nuk duhet shqiptarët të ndërtojnë politika nacionaliste, nuk duhet të jenë bashkë” edhe pse kupolla e krimit të BDI-së bashkimin e shohin sipas dioptrisë së njëmendësisë bolshevike të klanit të Zajazit, Ali Ahmeti, Fazli Veliu dhe Musa Xhaferi, të cilët me shumë përkushtim madhërojnë figurën e diktatorit Enver Hoxha në Kërçovë.

Nisur nga këto fakte, DSHM doli në mbrojtje të kandidatirës së shqiptarit Iljaz Halimi dhe 40 mijë votat shqiptare për Ilaz Halimin ishin votat më shqiptare, pasi ishin të hapura dhe në çdo lagje, rrugicë ishin të kërcënuara nga agjenturat bolshevike, bandat kriminele të Ali Ahmetit, kurse shenja e ngjyrës në gishtin e madh ishte shenja sikur e kampeve naciste të Hitlerit ose internimeve të Stalinit. A ka më keq se të kërcënosh një shqiptar me vend punë në shekullin 21? A ka ma keq se kur dëgjon nga goja e analfabetëve të BDI-së, që janë kandidatë për gipsa në Parlament dhe 40 mijë shqiptarët që votuan Iljaz Halimin në rrethana të trysnive të mëdha, t’i quajnë se nuk kanë gjak shqiptari? A ka ma keq kur edhe pas 13 vjetëve, pas të gjitha tradhëtive, përdorin luftën e vitit 2001? Kjo farë e analfabetëve, që macen prej përsheshit nuk mund ta nxjerrin, që kanë uzurpuar me manipulim vullnetin e shqiptarëve në vitin 2001, që nuk kanë dije as elementare për të ndërtuar shtetin e shqiptarëve në Maqedoni, por edhe ndarjen, patjetër të ndalen dhe shqiptarëve t’u kthehet liria, dija dhe profesionalizmi!

DSHM ka përcjellë me vëmendje çdo situatë të krijuar rreth dhe për këto zgjedhje, dhe kemi disa qendra ku na vijnë informata edhe nga Kërçova, disa vende nga Shkupi, Kumanova dhe Tetova, ku shqiptarët janë të gatshëm të denojnë politikën kapitulluese të kupellës së klanit të Zajazit, që ka manipuluar me BDI-në për 12 vite rresht, përkundër presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve të racës vasale të BDI-së.

Prandaj, duke pasur parasysh të gjitha këto fakte, duke e kuptuar indinjatën e thellë të shqiptarëve me BDI-në, duke e respektuar lirinë dhe verdiktin e qytetarëve, kërkesën e madhe për ndryshime në skenën politike në Maqedoni, qendrimin opozitar të shumë intelektualëve, pasi shqiptarët e Maqedonisë kanë vendosur të votojnë në zgjedhjet parlamentare, DSHM-ja, edhe pse nuk do të pranojë asnjë rezultat nga Kërçova dhe disa vende tjera, siç janë disa njësi zgjedhore në Shkup, Tetovë dhe Gostivar, përkrah fuqishëm opozitën shqiptare, anëtarësinë e partisë më të madhe opozitare PDSH dhe kryetarin e saj, z. Menduh Thaçi, sikurse përkrah edhe partinë tjetër opozitare RDK-në dhe kandidaturën e Xhezair Shaqirit. Prandaj, ata që mundohen të mbrojnë kupollën e klanit të Zajazit në BDI, duke demonizuar angazhimin politik të kryetarit të PDSH-së, kanë alternativë, le të dalin e të votojnë opozitën shqiptare, që fitorja të jetë plebishitare me votën e lirë të shqiptarëve, pasi çdo veprim tjetër është vazhdimi i agonisë bolshevike që personifikohet me emrin Ali Ahmeti.

DSHM
Musa Lamallari (Tim Shkupi), Angli
Natmir Hazbi Ismaili, Suedi
Agron Bajrami, Belgjikë
Imer Rrahmani, Chicago, USA
Zaim Buçi, Hollandë
Hadi Osmani, Zvicër
Ibrahim Sherifi, Angli
Chahil Neziri, Texas, USA
Minci Akija, Gjermani

Filed Under: Mergata, Opinion Tagged With: Fitorja e opozites, ne zgjedhjet ne Maqedoni, Opinione mergimtaresh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT