• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2014

Serbo -shqiptarët në luftën e Sirisë për para,”Allah” e fe ?!

August 3, 2014 by dgreca

Nga Asllan Dibrani/
Konflikti dhe lufta civile në Siri, që kur ka filluar mes regjimit të Bashar Al-Assadit dhe rebelëve sirianë, në fushëbetejat dhe frontet e Sirisë u përfshinë numër i madh vullnetaresh dhe mercenarësh.
Kjo luftë tërhoqi edhe një numër të konsiderueshëm nga shtete e Ballkanit , kundër dhe pro Al-Assad-it. Mercenarët nga vendet e BE-së nuk janë vetëm myslimanë, por edhe të krishterë, katolik e ortodoks. Përfshirja nga Ballkani në këtë luftë, është ma e theksuar pjesëmarrja e shqiptarëve dhe serbëve!Vetëm nga Kosova janë mbi 150, po që nuk kemi ndonjë rezervë nga të dhënat zyrtare të qeverisë Thaçi në ikje .Qeveri, që në kohën e saj,prodhoj dhe përgatiti teren të terrorizmit dhe ekstremizmi të pa parë në (Historinë e shqiptarëve)!?. Po edhe nga Shqipëria, në regjimin e Salih Berishës u rekrutuan me qindra njerëz për luftën civile në Siri. Edhe për atje thuhet qe ka mbi 120 veta?. Edhe këtu ka mundësi dhe mos përputhje me realitetin. Aspak nuk ka mundësi të jetë reale kjo shifër as në Shqipëri, po as në Kosovë po me rendësi eshtre se shqiptaret, po manipulohen dhe mashtrohen. Ata po mbesin vegël e huaj pa interesa kombëtare . Kosova s’ka treguar ndonjë sinjal të ndalimit të këtij fenomeni aq vetëvrasëse në arenën ndërkombëtare. Përkundrazi nga radhët e qeverisë së Kosovës, edhe përkrahen sidomos nga disa deputet me prejardhje jo shqiptare?. Në këto fronte nuk shkojnë “shehit ” vetëm shqiptarët, por në këtë luftë kundër regjimit të Al-Assadit shkojnë mijëra persona nga vendet e BE-së dhe nga mbarë bota.
-Zyrtarisht ndërkombëtar thuhet se në Siri luftojnë mbi 65.000 luftëtarë të huaj, ndërsa presidenti sirian Bashar Al Assad, flet për një shifër prej mbi 100,000 të luftëtarëve dhe mercenareve të huaj.
Megjithatë, regjimi i Al-Assadit nuk është i vetëm, sepse në krahun e tyre luftojnë mijëra vullnetarë,si mercenarë, të cilët paguhen për të mbrojtur regjimin e tij . Numri më i madh i mercenarëve ballkanik janë serb nga Serbia, rreth 500 të tillë.
Pjesëmarrja e shqiptareve në këtë luftë ka një epilog tragjik, as pak të favorshëm për shqiptarët?. Për ta fuqizuar këtë mendim kemi njëmijë e një fakte, argumente dhe dëshmi që këta mercenarë shqiptar, po i krijojnë një imazh të keq vendit sidomos me terrorin që po i bëjnë atje ,atij populli .Shqiptarët atje paraqiten si mercenar në anën e rebelëve,terrorist , si vrastar , si hajna, me plaçkitje kasap me prerje kokësh atij populli të varfër e të mjerë. Organizimi i tyre është i dobët që ka një sinjal negativ në epërsi të serbeve në këtë luftë .Është e dhimbshme tragjike pjesëmarrja e shqiptareve të mbështetur për “fe e allah” të pa shkolluar shumica analfabet dhe mercenar po edhe ordiner duke u vrare për ditë ne fushat e betejës, po edhe në vepra ordinere . Këta mercenar të mashtruar nga hoxhallarë të ndryshme, po lënë eshtrat në tokën e Sirisë. Këta kane trurin e shpërlarë nga një literaturë prpoganduese e sektit islam, po për ata qe nuk dine shkrim lexim ciceron i kane hoxhallarët si mashë të Beogradit.
Po, serbët ku gjenden në krah të kujt luftojnë!?…
Edha ata janë të përfshire në këtë luftë, po në krahun e Al-Assadit. Këta shumica e tyre janë të përgatitur me përvoja ushtarake , si pilot , rreshter , toger etj. Pjesëmarrja e tyre si profesionist dhe shkolluar,paguhen si mercenar shumë mirë, po edhe janë të përcaktuar në vende kyçe me arsenal armatimi modern e përkrah të pushtetit të Al Asaadit ,ndërsa shqiptarët në krah të rebelëve dhe grupeve terroriste bëjnë luftë me pushke dhe thika karshi avionëve luftarak, raketave dhe teknikës moderne qe ka Siria si shtet.

Mercenarët serb të organizuar në luftën e Sirisë si luftëtar profesionist në krah të Al Asaadit.
Mercenaret xhihsadist shqiptarë në luftën e Sirisë në krye me Lavdrim Muhaxherin duke i prerë kokën fëmijëve të huaj , dhe duke kërkuar kokën e gjeneralëve amerikan, që e shpëtuan popullin shqiptare nga shfarosja dhe dëbimet masive nga trojet tona në 1999, po edhe në themelimin e shtetit shqiptar në vitin 1912.
Shqiptarët dhe serbet janë të rreshtuar kundër njeri tjetrit. Nuk u dëgjuar akoma që ka të vrarë nga 500 serbët , ndërsa shqiptarët nuk e di a do të kthehet kush i gjallë prej tyre. Kur themi kështu duhet shtuar se këta shpesh janë gjetë prej tyre edhe në grupe të ndryshme dmth në front kundër njëri tjetrit. Lind pyetja si përfundim , ku qëndrojmë ne shqiptarët?.Ku jemi ? Kah jemi duke shkuar ?.A dimi ndonjë herë të bëhemi shërbëtor të vendit tonë, apo të mbesim si vegël e huaj gjithmonë?. Nga kush nga hoxhallarët, ekstremist për interesat arabe qe s’ta kanë njohur akoma shtetësinë e Kosovës ?.Pse lejohet të manipulohet nga një numër i vogël mercenarësh dhe islamikësh ekstrem si rom, hashkali dhe boshnjak bashkë me ta edhe të konvertuar serb në islam të udhëhequr nga Serbia!!!????… “Serbët luftojnë në anën e Asadit për 2.000 deri në 5000 euro me teknikë moderne që rrallë bien viktimë,ndërsa shqiptarët në anën tjetër përkrah rebelëve si mercenar për “Allah e fe”!?… Atje bëhet lufta mes sunitëve dhe shiitëve, qe shqiptarët asnjëra as tjetra si pengon, as që duhet t’i tërheq pas vete deri në dhënien e jetës për ta. Kosova dhe trojet tjera shqiptare kanë mbetur akoma nën zgjedhën e sllaveve,grekëve dhe maqedonasve, ku janë këta mercenar!!!???…Këta bëjnë një luftë primitive me pushkë e thika në dorë duke vrarë e prerë në fyt fëmije , gra dhe pleq të pafajshëm.
Edhe ata i përkasin fesë islame, por jo si këta .! Shqiptarët kanë mbetur me tespi në dorë dhe librin e shenjtë ” Kuranin” duke e lexuar i cili u shkruar dhe botuar, para një mijë viteve ndërsa Al Asaadi dhe mercenarët serb e shfrytëzojnë, pos biblës së tyre në besimin e tyre për të krishterët edhe teknologjinë ma moderne të kohës , po edhe arsenalin ushtarak , pastaj ju epni prognozën se kush do të jetë i fituar, ata me thikë në dorë apo ai me avion?.Këtë ma se miri e dëshmoj edhe vet Lavdim Muhaxheri një kryeterrorist i përfshirë në këtë luftë të përgjakshme.
Gusht 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: "Allah" e fe ?!, asllan dibrani, në luftën e Sirisë, për para, Serbo -shqiptarët

Ansambleisti Mark Gjonaj nderon Dr. Dobrecin me Proklamatë

August 3, 2014 by dgreca

Në proklamatë thuhet se motivacioni për nderimin e tij është duke pa punën Dr. Sim Dobrecit për të arritura të jashtëzakonshme në shkencë, kulturë, dhe art, dhe në ruajtejn e identitetit kombëtar./
Nga Beqir SINA – New York/
NEW YORK : Me rastin e takimit të 5-të me emigrantët nga Ulqini,që mbahet 2 gusht 2014 në Reç Ulqin, nderohet me këtë Proklamat nga Asambleja e Nju Jorkut, me sponsorizimin e asamblesitit shqiptar Mark Gjonaj – Doktor Simë Dobreci, nga fhsati Braticë i Ulqinit
Në proklamatë thuhet se motivacioni për nderimin e tij është duke pa punën Dr. Sim Dobrecit për të arritura të jashtëzakonshme në shkencë, kulturë, dhe art, dhe në ruajtejn e identitetit kombëtar.,,,,,,,,
“Si dhe duke parë punën e bërë prej tij dhe kontributin tk revista Buzuku e cila një muaj me parë festoj numrin jubile 40. Në këtë kontekst , theksohet në proklamatën e sposorizuar nga asamblesiti Gjonaj vlersimi është bërë duke parë se kjo revistë ishte dhe vazhdon të jetë frymzim dhe urë lidhese mes vendlindjes dhe diasporës për ruajtjen e kulturës dhe identitetit kombëtar si në Mal të Zi, po ashtu edhe në diasporë dhe veçanarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Dr Simë Dobrecit zë me punimet e tij shkencore një vend të veçantë dhe meriton mirnjohjën dhe falnderimin”
Proclamation
ndërsa
Simë Gjon Dobreci lindi (27.3.1934) në Braticë, Ulqin, Mali i Zi. Shkollën tetëvjeçare e kreu në Braticë e Ulqin (1953), gjimnazin klasik në Tivar (1957), fakultetin e mjekësisë në Beograd (1963). Punoi në Tivar e Ulqin (1964-1967). Shkoi në Spitalin e Prishtinës (1967), ku e filloi specializimin e dermatologjisë dhe e kreu në Zagreb (1970).
ndërsa
Me 1973 zgjidhet asistent i dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës themeluar më 1969. Më 1974, ai qëndroi një vit në Klinikën dermatologjike të Vankuverit, Kanada. Në Klinikën e Prishtinës u mor me veprimtari shëndetësore, edukative dhe shkencore. Një kohë ishte drejtor i Klinikës. U zgjodh docent i dermatologjisë (1984), profesor inordiner (1989), profesor ordiner (1994).

ndërsa

Për studentët e mjekësisë botoi tekstin Dermatologjia më 1980, i cili u ribotua i përmirësuar më 1984, si dhe botimi i tretë i ripunuar më 1998, kurse ribotimi i katërt i plotësuar më 2009. Për studentët e stomatologjisë botoi tekstin Sëmundjet e Lëkurës më 1989. Më 1990/91, regjimi serb e përjashtoi prej klinikave kuadrin arsimor shqiptar. Fakulteti i Mjekësisë e vazhdoi punën nëpër shtëpia private.
ndërsa
Sa i takon veprimtarisë shkencore, Dobreci kryesisht u mor me mikozat e lëkurës. Temën e doktoraturës Dermatomikozat endemike në Kosovë e mbrojti më 1980 dhe u zgjodh doktor shkencash në mjekësi. Botoi 25 punime shkencore në revista profesionale (kryesisht në Acta dermatologica jugoslavica dhe në Praxis Medica). ndërsa
Me paraqitje të punimeve shkencore mori pjesë në Kongresin e Dermatologëve Botëror në Berlin më 1987, në Kongresin e Dermatologëve Europianë në Bari të Italisë më 1987 dhe në Konferencën Internacionale të Dermatologëve në Atinë më 1994. Prej 1994-1999 ishte kryeredaktor i Praxis Medica, revistës profesionale-shkencore të Shoqatës së Mjekëve të Kosovës. I pensionuar, tash jeton në Braticë, Ulqin, ku redakton revistën kulturore Buzuku, si dhe nga pak ende merret me profesionin e vet.
ndërsa
Për rastin e takimit të 5-të me emigrantët nga Ulqini, që do të mbahet 2 gusht 2014 në Reç (shtëpia e gjyshit tim – vendorigjina ime), në Bratica, Ulqin, nderohet me këtë Proklamat
ndërsa Duke pa punën Dr. Sim Dobrecit për të arritura të jashtëzakonshme në shkencë, kulturë, dhe art, dhe në ruajtejn e identitetit kombëtar.,,,,,,,,
ndërsa
Duke pa se revista Buzuku muaj me parë festoj numrin jubile 40. Duke parë se kjo revistë ishte dhe vazhdon të jetë frymzim dhe urë lidhese mes vendlindjes dhe diasporës për ruajtjen e kulturës dhe identitetit kombëtar si në Mal të Zi, po ashtu edhe në diasporë dhe veçanarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dr Simë Dobrecit meriton mirnjohjën dhe falnderimin
Assemblyman Mark Gjonaj New York State Assembly
County: Bronx
District: 80th
Party: Democratic Party

Kush është Dr. Simë Dobreci !
Simë Dobreci (lindur më 1934, në Braticë të Ulqinit), mjek i shquar dhe i nderuar në Tivar, Ulqin dhe në Prishtinë, doktor i shkencave të mjekësisë, profesor universiteti, autor tekstesh universitare dhe studimesh shkencore- profesionale, tani i pensionuar, sikur të kujton Gjon Buzukun, idealin dhe përpjekjet e tij. Ndoshta edhe rrënjët i kanë të përbashkëta Në këto anë, Doktor Sima është një majemali e lartë, e bardhë si bora e Rumisë. Trashëgoi dhe kultivoi, gjatë gjithë jetës, dashuri të veçantë për vendin dhe për kombin e vet. Emrin e ka Shqiptar, mbiemrin Njeri. Është shqiptar i mirëfilltë dhe altruist i madh, gjithnjë në shërbim të njerëzve, pa asnjë dallim. Është fisnik dhe zemërbardhë. Nuk e ndanë fjalën nga vepra.
Por, Doktor Simës i dhemb shpirti i tij prej atdhetari, i dhemb shpirti për fatin e trevave stërgjyshore, për gjakun dhe gjymtyrët e shprishura të bijve dhe bijave të Nënrumisë. Megjithatë, ashtu si Buzuku shekuj më parë, ai nuk pajtohet me këtë gjendje, me përshkrimin dhe me “vajtimin” e saj. Simë Dobreci është krenar për të parët e tij dhe ka shpresa për të ardhmen. Ka kohë që përpiqet të bëjë diçka me vlerë për brezat e kaluar, për brezin tonë dhe për brezat që do vijnë. Ndonëse me një peshë moshe mbi supe, Doktor Sima, pa ndjer lodhje dhe pa përfilluar asnjë pengesë, ashtu si rilindës i vërtetë, qëmtoi dhe qëmton me akribi dhe me përkushtim për admirim vlera, fakte, ngjarje, personalitete…, sidomos nga e kaluara e Anëssë Sipërme. I evidentoi ato me besnikëri e me korrektesë metodologjike dhe i publikoi në revistën “Buzuku”, në gjuhën e burimit të tyre. Kur lexon njeriu materialet e tilla të kësaj reviste, natyrshëm të duket sikur je duke biseduar me Gjon Buzukun, apo me tezën Tone! Të gjitha ato i shoqëroi dhe diokumentoi me të dhëna të nevojshme për burimet e tyre përkatëse. Doktor Sima, i mbështetur nga bashkëshortja e tij fisnike, zonja Lule, dhe me ndihmën e vullnetmirëve të tjerë, përpiqet me të gjitha forcat dhe me mundësitë që ka në dispozicion të shpëtojë atë që mund të shpëtohet nga pluhuri i harresës, të ringjallë atë që mund të ringjallet. Shumë nga përmbajtjet dhe ilustrimet e kësaj reviste të kujtojnë Krajën, sidomos Shestanin dhe shestanasit e hershëm, të shquar për vlera e vërtyte të larta njerëzore dhe kombëtare, pasardhësit e të cilëve, dheut dhe varreve të të parëve, fatkeqësisht, u lanë lamtumirën. O Zot, Shestani-pa shestanas! Kanë marrë botën në sy!
Koleksioni i 38 numrave të revistës “Buzuku”, të botuar deri sot, është një burim shumë i çmuar, jo vetëm për kujtesën atërore dhe kombëtare, por edhe për studuesit e gjuhës, historisë, etnografisë, folklorit etj., si të këtyre anëve, ashtu edhe në shkallë kombëtare. Koleksioni i revistës “Buzuku” është një “përmendore” e të parëve, por edhe një “arkivë” shumë e çmuar, njëkohësisht.
Doktor Sima është pjesëmarrës aktiv edhe në aktivitete të tjera shoqërore, shkencore dhe kulturore, që lidhen me Shestanin, Krajën, Anën e Malit, Ulqinin, Tivarin etj., me të tashmen dhe me të kaluarën e tyre. I vogël me trup, por i madh me shpirt dhe me vepër, Simë Dobreci, ky pinjoll dinjitoz i Gjon Buzukut dhe i të parëve të tij, është model për t’u ndjekur nga intelektualët dhe veprimtarët tjerë të këtyre trevave të Arbërisë etnike dhe më gjerë. Personaliteti dhe vepra e prof. dr. Simë Dobrecit të bëjnë të mendosh se këto treva, në të gjitha kohërat, kanë patur dhe do të kenë bijë dhe bija që e duan dhe punojnë për mëmetin, gjuhën, kulturën dhe Atdheun e vet. Ndonëse, shpesh eremitë, ata janë njerëz me dinjitet dhe me integritet shembullor, ashtu siç është edhe prof. dr. Simë Dobreci.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ansambleisti, Beqir Sina, Mark Gjonaj, me Proklamatë, nderon Dr. Dobrecin

SISTEMI KA RËNË – VENDI DEL NGA KOMA ME NJË ANGAZHIM BIPARTIZAN

August 3, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Janë disa pyetje që duan përgjigje të sakta, duke i vënë pikat mbi « i ».
Ku janë intelektualët në Shqipëri?/
Ata janë të atashuar pranë oligarkisë politike. Përfitojnë privilegje në këmbim të heshtjes. Ata që kanë dashur të ruajnë integritetin dhe nderin, janë të papunë rrugave të ekskomunikuar nga regjimi kriminal i tranzicionit.
Ku janë gazetat dhe televizionet në Shqipëri?
Janë, janë pa fund, tituj gazetash dhe televizione private me statusin e televizioneve kombëtare, me një teknikë të orës së fundit, me mundësi të pafundme për të qenë në funksion të pushtetit të katërt, por që kanë dalë nga funksioni dhe nuk mbrojnë assesi interesat e kombit dhe shtetit, porse veç të xhepit të tyre. Janë të ndarë. Mbrojnë një palë dhe sulmojnë një palë. Pra nuk janë të paanshëm dhe as të pavarur.
Ku janë elitat në Shqipëri?
Nëse nuk kanë zgjedhur statusin e servitorit, të përuljes, përkuljes, të të përkulurit në këmbim të luksit dhe komoditetit, nëse nuk e kanë vënë dijen e tyre në shërbim të konformizmit me të keqen, ata janë të përjashtuar nga sistemi i ri që po krijohet në Shqipëri.
Ndërkohë që braindrain vazhdon.
Si një tragjedi kombëtare. Kapitali më i çmuar njerëzor, i destinuar për të qenë në shërbim të vendit, largohet nga atdheu, sepse klanet e familjeve të politikanëve nuk u lenë asnjë mundësi që ata të dëshmojnë talentin, kompetencat dhe aftësitë e tyre profesionale dhe morale.
Por megjithatë ka nga ata personalitete të elitës, shumë të rrallë, duhet thënë, që janë vënë në shërbim të vendit, duke sakrifikuar komoditetin personal, por mjerisht politika bën sikur nuk i vë re, kur do të duhej t’i mbante në krah të djathtë.
Çfarë sistemi po krijohet në Shqipëri?
Kur nuk funksionon shteti i së drejtës;
kur gjykatat janë të korruptuara;
kur gjykatësit janë milionerë me paratë e kriminelëve;
kur politikanët jetojnë në një luks të shfrenuar;
kur korrupsioni është për fushë dhe askush nuk guxon të hapë gojën ose kush e hap gojën shpallet heretik për turrën e druve;
kur mediat kanë dalë nga roli dhe vetëm manipulojnë e kamuflojnë realitetin e për të fshehur të vërtetën;
kur klasa politike ka si objektiv pasurimin e vet në kurriz të varfërimit të mëtejshëm të popullit;
kur informaliteti përbën 70% duke i hapur portat korrupsionit dhe mafies;
kur Shqipëria perlë e krijuar nga Zoti për turizëm është vend i frikshëm për turistët dhe biznesin e huaj,
kur vriten bankierë, deputetë, biznesmenë dhe kriminelët bredhin të lirë në rrugët e vendit ose janë bodyguardë të politikës;
kur meritokracia, njeriu i ndershëm dhe me integritet nuk gjen vend në këtë vend për të jetuar;
kur nuk ndalet dëshira tragjike për të braktisur Atdheun, sepse ky nuk të siguron jetën dhe nuk të jep punë që t’i rrisësh fëmijët me djersën e ballit e punën e pastër;
kur brezi i ri nuk gjen mundësi të shprehë talentin e tij,
ku përfundimisht ka hyrë në fuqi ligji i xhunglës, ku ligjin e bën më i forti, i cili pasuron zyrtarët më të korruptuar, i mbron politikanët më të korruptuar dhe u jep para të zeza mediave që t’i mbrojë ata duke shtrëmbërojnë dhe ta fshehin të vërtetën,
atëhere sistemi ka dështuar dhe vendin e tij e ka zëvendësuar sistemi mafioz.
Pra ka rënë sistemi në Shqipëri?
Mjerisht ka rënë ose është në gjendje kome.
Ka shpresë?
Ka shpresë, sepse shpresa vdes e fundit. Por kjo kërkon një ndërhyrje të fuqishme, të të gjithë shqiptarëve të përkushtuar, pa dallime politike, si një akt vëllazërimi, për të shpëtuar vendin.
Kauza e madhe që duhet të na bashkojë janë fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve, të cilëve po u lemë si trashëgimi një shtet rogue nëse nuk intervenojmë tani, të gjithë, më të mirët!
Por kjo kërkon detyrimisht që pozita dhe opozia të jenë bashkë. Shqiptarë të dinjitetshëm ka.
Ky angazhim përjashton luftën e palëve dhe përdorimin e një demagogjie vulgare për një popull lopë. Opinioni publik nuk ha bar më.
Le të sjellim në qendër të vemendjes skandalet më të fundit.
Po të hapësh gjithë televizionet, opozita si megafon i prishur akuzon pozitën për gjoja «aferën CEZ », ndërsa autore e marrëveshjes me Kompaninë çeke është ajo vetë, kur ishte në pushtet. Nëse mazhoranca e sotme bëri koncesion në favor të CEZ, këtë e bëri sepse Çekia e kushtëzoi me veto kundër statusit të Shqipërisë në BE. Çekia përfitoi, natyrisht, sepse këtë shans ia krijuan politikanët e Shqipërisë, të cilët majmen në luks të shfrenuar me paratë e taksapaguesve duke mashtruar besimin e Sovranit.
Kemi skandalin më të fundit të vjedhjes së Bankës së Shtetit, ku Guvernatori i saj ka dështuar së qeni guardian i pasurisë publike paçka se për të kryer këtë detyrë ka marrë një rrogë super të majme dhe ka bërë një jetë tycoon-i me privilegje totalisht të papërshtatëshme në raport me varfërinë e vendit. Guvernatori duhej të jepte menjëherë dorëheqjen, sepse me rrogat që ka marrë nuk e ka kryer detyrën. Por Guvernatori bëhet sharlatan dhe i pacipë, sepse i ka miq e shokë, duke i komprometuar me privilegje të gjitha palët. Përfiton gjithashtu sepse mediat nuk po e venë me shpatulla për muri.
Ndërsa lideri i opozitës ndaj skandalit të BSH hesht. Me një heshtje të patolerushme.
Po ashtu lideri i opozitës hesht dhe nuk u përgjigjet fakteve rrëqethëse që flasin se njerzit e afërt të mazhorancës së djeshme dhe opozitës të sotme, dmth njerëzit e afërt të zyrtarëve të lartë të PD, janë të punësuar pranë institucionit ku guvernator është Ardian Fullani, duke patur një konflikt të hapur interesi. Çka është shpërdorim i detyrës dhe i dënueshëm nga ligji.
Kësisoj daljet e opozitës duke kërcënuar me destabilitetin e vendit janë në funksion të tymnajave dhe thashethemnajave për të larguar vemendjen, sepse opozita ka televizionet dhe gazetat e veta për të publikuar të vërtetat nëse i ka, për të përgënjeshtruar nëse faktet që botohen janë rrena, gjë nuk e ka bërë dhe nuk e bën sepse është pjesë e sistemit të kalbur.
Palët mbrohen me sulme të ndërsjellta ndaj palëve, makiavelizëm kooperativist. Sepse kjo katrahurë nuk u krijua sot dhe as dje, por gjatë 23 viteve dhe prandaj përgjegjësia i bie edhe njërës edhe tjetrës palë, pra përgjegjës janë PD dhe PS. Ky fakt i pakundërshtueshëm, se janë shkaktarët e katrahurës kombëtare, kërkon reflektim obligues të palëve dhe bashkërendimi pozitë-opozitë është detyrues për të shpëtuar vendin dhe sistemin nga gjendja koma ku gjendet. Ose sot, ose kurrë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, SISTEMI KA RËNË –, VENDI NE KOMA

JO TA SHKARKOJNË POR TA ARRESTOJNË FULLANI!

August 3, 2014 by dgreca

Çfarë krim tjetër më i madh e më i përbindëshëm duhet bërë në këtë vend që të dalësh para togave të zeza? Mos vallë duhet vjedhur një bukë si Zhan Valzhani ….e jo 7 milionë euro?/
Shkruar nga KOLEC TRABOINI/
Pse hesht Qeveria, se Opozita nuk ka çfarë të flasë meqë Fullanin me dallaveret bankare e kishte aleat për kokë kryeministrin që iku, e që largohet nga kjo temë hajdutllëku supergjigant si djalli nga temjani. Nuk ndjehen as pasuesit e ish kryeministrit që akuzojnë qeverinë edhe për incidentin më të vogël tip thashetheme fshati, se kështu e ashtu tha kryeministri në takim me të vetët, apo të gjithë këta trimosha opozitarë tashmë bëjnë pulën, sepse kanë të punësur në Bankën e Shtetit fëmijët e të afërmit e tyre. Po pse more kështu funksionon shteti, si vegël e klanit? Vërtetë kemi përpara një opozitë të qorrollepsur që nuk arrin të rinovohet sepse partia është kapur nga individë që luftojnë si hiena për pushtet, për kolltuk e karrige.
Vërtetë punë e paqme me një zgjuarsi mafiozësh, njëra dorë lanë dorën tjetër dhe të dyja fytyrën e pistë të korrupsionit e të vjedhjeve. Ndaj mos prisni qe opozita te flase për Fullanin sheikun e parave të shqiptarëve. Mirë opozita hesht sepse është e menderosur deri në fyt e nuk po arrin të bëjë adetin e shpëlarjes pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, por, cilin paska korruptuar Fullani në qeverisjen e re që nuk po dëgjohet asnjë deklaratë? Pse është e friksuar qeveria që me këtë heshtje jep të kuptojë se e mbron Fullanin me prapësitë e tij. Dhe nuk mund të harrojmë se opozita e djeshme e qeveria e sotme ka bërë një luftë shëmbullore në parlament duke e demaskuar Fullanin me akuzave bindëse për shpërdorim të parave të popullit.. Po tani çfarë ndodhi! Ku ngeci entusiazmi reformues?
Qeveritarët duhet ta dinë se e vetmja gjë që kanë në dorë votuesit është të flasin dhe nëse nuk pranojnë ti dëgjojnë, atëherë s’ju mbetet tjetër vetëm të protestojnë kundër hajdutëve të djersës së tij, sepse nuk e vodhi njeri Qeverinë, nuk e vodhi njeri Opozitën, por vodhi popullin që ka 24 vjet që dëgjon vetëm të tilla mynzyra nga ata që kurrë nuk u ngopën se vjedhuri, madje edhe së vrari. E, që të jemi të ndërgjegjshëm për ato që konstatojmë, përditë e më shumë ky shtet po shkatrrohet nga antikombëtarët.
Po le ta shohim problemin nga ana tjetër. Të shumtë ishin zërat trimërorë kundër ish kryeministrit Sali Berisha, “kumbarit” të paralliut Fullanit, po tani kundër Balit të tij as që po ndjehet njeri, çfarë të bën të kuptosh se lufta ndaj Sali Berishës nuk paska qënë veç për përfitime e jo për ideale të së drejtës, e shpëtimit nga e keqja shoqërore që e kishte pllakosur këtë vend. Ky shejku i parave Fullani, me pasuri familjare përrallore, është një spekullator i vërtetë, që vetëm për blerjen fiktive të Hotel Dajtit, shteti i shtet shtetit hotelin me disa dhjetra milion euro, duhej dërguar në burg sepse ishte një korrupsion i pastër, një mënyrë gjoja legale për të nxjerr para nga thesari, që ti merrte qeveria e Sali Berishës dhe ti shpërdoronte duke darovitur sahalëpirësit e politikës, bosat e medias vizive, apo miliona të shpenzuar për koncerte partiake duke darovitur këngëtarët. Përse nuk po flitet më për këto? Qëndrimi i Qeverisë së re ndaj këtij Furfullani në dhomat e thesarit ështe letër lakmuesi që tregon të vërtetën se kemi a s’kemi drejtësi në mënyrën e qeverisjen se re, dhe a është marrë seriozisht lufta kundër hajdutllëkut në shtet apo gjithçka, mjerisht,(çfarë nuk duam ta besojmë) është një fasadë premtimesh të rreme elektorale.
Qëndrimi ndaj Fullanit, mos dënimi i krimeve dhe hajdutëve, ministrave milionerë që i përmbysi populli me votë e vullnet të lirë, është një gur prove se çfarë qeverisje kemi. Njerëzit nuk janë budallej. Nuk e japin votën për sytë e bukur të askujt por për të punuar me ndërshmeri e me drejtësi për këtë vend. Nëse vazhdohet kështu është jo vetëm e frikëshme por edhe e neveritshme dhe populli duhet të lëvizë e të tregojë se nuk është aq durimshumë që ta përdorin si kalë në lëmë.

3 gusht 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: ARRESTOJNË FULLANI!, JO TA SHKARKOJNË, Kolec Traboini, POR TA

UDHËTIM, ME “DJALIN E TIGRIN”, NË ZOGAJ E GJAKOVË…

August 2, 2014 by dgreca

Nga: Ibrahim Hajdarmataj/
1.Po bisedoja me kolegët dhe miqtë e mi, Viron Kona e Murat Gecaj, shkrimtarë, publicistë e studiues të njohur. Ndër temat më të dashura për ta janë dhe ato për mbresat e përshtypjet e tyre, nga vizitat në Mbretërinë e Suedisë. Tashmë, kanë publikuar jo vetëm shkrime të bukur e mbresëlënës nga ato vizita të paharruara, por dhe libra të veçantë. Sigurisht, ata janë me mjaft vlera për t’i njohur lexuesit shqiptarë me jetën e atij vendi mik skandinav.
Në vazhdim, së bashku, ne u ndalëm edhe në një fakt interesant. Jo shumë kohë më parë, erdhi në Tiranë arsimtari, shkrimtari e publicisti i njohur, Sokol Demaku. Ai ka vite që jeton në qytetin Boras të Suedisë, por dhe është nismëtar i lidhjeve të ngushta shqiptare-suedeze. Kësaj here, kishte me vete 1.000 kopje të librit-përrallë për fëmijë, që e ka shqipëruar vetë, me autor shkrimtarin suedez, Lars Westman, “Djali dhe Tigri”. Nuk do të ndalem këtu për fillimin e punës së dhurimit të këtij libri, në disa shkolla të Tiranës e Durrësit, por dhe të Tetovës, pasi është dhënë njoftim më pare, për këtë gjë. Por do të tregoj se si u bëra dhe unë bashkëpuntor në plotësimin e kësaj nisme, me vlera të veçanta.
2.
Pasi mora me vete disa kopje të librit “Djali dhe Tigri”, së pari, shkova në Gjimnazin “Hoxhë Zogu” të fshatit Zogaj, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Aty më priti me dashamirësi drejtori, Bujar Hajdarmataj, i cili e shprehu falënderimin e tij, si për Sokol Demakun dhe autorin, Lars Westman. Pastaj, me këtë nismë u njohën edhe mësueset e gjuhës e letërsisë shqipe, Bukurie e Ajshe Hajdarmataj. Ato u shprehën: “Ky libër i ri, nga Suedia e largët, do ta pasurojë më tej bibliotekën e shkollës sonë. Sigurisht, pas leximit, me përmbajtjen e tij do të njihen nxënësit tanë, me të cilët do të organzojmë edhe diskutime të lira”.
Kur po largohesha, në emër të kolektivit mësues-nxënës të këtij Gjimnazi, Bujari më dorëzoi nga një “Mirënjohje”, si për përkthyesin dhe autorin e librit. Në njërën, shkruhen këto fjalë: “Falënderojmë prof.Sokol Demakun, shkrimtar, gazetar dhe përkthyes, që na dhuroi për bibliotekën e shkollës sonë librin me titull “Djali dhe Tigri”, të autorit Lars Westman.Gjithashtu, këtij shkrimtari të mirënjohur suedez i urojmë krijimtari të suksesshme!”
3.
Meqenëse fshati Zogaj ndodhet vetëm 9 km larg Gjakovës, me librin në fjalë, u ndodha edhe në shkollën e mesme të ulët, “Mazllum Këpuska”. Aty më priti drejtori, Islam Juniku. Ai më tregoi se edhe shkrimtarë të tjerë i kanë dhuruar libra bibliotekës së tyre. Duke shprehur falënderimin e tij për këtë dhuratë, ai përgatiti e më dorëzoi “Mirënjohje”, si për përkthyesin e autorin e librit. Në të shkruhet: “Shkolla e Mesme e Ulët “Mazllum Këpuska”-Gjakovë, jep këtë “Mirënjohje”, për shkrimtarin, gazetarin e përkthyesin Sokol Demaku: Për dhjetë libra të dhuruar, bibliotekës së shkollës sonë, “Djali dhe Tigri”, nga autorit suedez Lars Westman.-Drejtori: Islam Juniku”.
Këto ndjenja miqësore dhe shprehje mirënjohjeje, i gjeta edhe në Bibliotekën Ndërkomunale të Gjakovës, qytet me tradita të njohura: atdhetare, arsimore e kulturore. Pasi biseduam për nismën e dhurimit të këtyre librave, drejtori i këtij institucioni, Engjëll I.Berisha ma dorëzoi “Falënderimin”, me dëshirën që t’u jepet, si dhuruesit të librit dhe autorit. Ja, çfarë shkruhet aty: “Dhuratë shumë e çmuar dhe e qëlluar, për pasurimin e fondit bibliotekar. Falënderimi vjen nga lexuesi dhe nga institucioni, duke ruajtur bashkëpunimin me krijues, posaçërisht me vepra me interes për lexuesit besnikë. Pasurimi i fondit librar është një motiv më tepër për punëtorët bibliotekarë. Ndërsa, kur vjen nga autori, është një nder më tepër. Ky libër është shumë i veçantë për pasurimin e bibliotekës sonë”.
…Jam i bindur se lexuesi i këtyre radhëve do të më mirëkuptojë, pra kur në mbyllje po shënoj se ky udhëtim i imi, si në Zogaj e Gjakovë, ishte shumë i veçantë e mbresëlënës për mua. Prandaj dhe këtë detyrë miqësore e kreva me kënaqësi. Siç dihet nga të gjithë, kur shpërndan libra, ndihmon sadopak në misionin e dhuruesve të tyre për t’i pajisur të tjerët, me dituri dhe njohuri të reja për jetën.
2 gusht 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: E GJAKOVË…, Ibrahim Hajdarmataj, ME “DJALIN E TIGRIN”, NË ZOGAJ, UDHËTIM

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT