Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Sivjet, Shqipëria Londineze, i ka 49 ambasadorë të dekretuar e akredituar në botë, gjithnji sipas faqes zyrtare të MPJ të Shqipërisë, e cila mban për okelio, në kryevend, thanien “Shqipëria Jo Duhanit (!). 7 ambasadorë janë në organizata ndërkombëtare: OKB (Nju Jork e Gjenevë), NATO, BE, OSBE, KE, UNESCO. 42 ambasadorë janë me seli diplomatike në 42 shtete. 29 në kontinentin europian tokë e ishuj, nga të cilët 11 në gadishullin tonë ballkanik. 2 në Amerikën e Veriut – SHBA e Kanada. 9 në Azi – Izrael, Japoni, Kinë, Indi, Arabi Saudite, Malajzi, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar. 1 në Afrikë (Egjypt) dhe 1 në Amerikën e Jugut (Brazil). Aq sa kam njohje kisha me thanë se aktualisht rreth 20 ambasadorë shqiptarë janë në listë-pritje njëvjeçare ose të pathirrun astenjiherë ndërvite në kit’ detyrë të lartë nga shteti shqiptar, nga trekandshi vertikal: Ministri i Jashtëm-Kryeministri-Presidenti.
Fatkeqësisht, nga rreth 60 ambasadorë shqiptarë të derisotëm, që janë në detyrë ose të larguar, asnjani prej tyre nuk e ka gradën e lartë “Ambasador”, po veçse e kanë fituar kit’ emër zyrtar e popullor nga posti i tyre ndërvite diplomatike.
Prapë po e rithem, fatkeqësisht, jemi i vetmi vend në Europë që nuk kemi asnjë diplomat me gradën “Ambasador” (!) Ky është një shembull i pazakontë edhe për shtete të Afrikës apo Azisë të përfshira nga luftra rajonale e civile në dekada të fundit.
Sigurisht nuk ka asnji argument shfajësues e as tolerues ky fakt: Kemi 70 vjet vend i çliruar, 70 vjet nga çlirimi i Tiranës, metropolit shqiptar. Një çerek shekulli nga Lëvizja e Dhjetorit ’90. Patjetër, të mjafta që të kemi ambasador të karierës, “Ambasador” me gradë, me dekret të veçantë presidencial.
Fatmirësisht kemi dhe një Ligj të standartit euro-atlantik “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, i cili mban nr. Akti 9095 e i datës 3 korrik 2003. Kemi edhe një Rregullore bashkëkohore për Sherbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë me plot 23 faqe. Këto të dyja, në disa nene të tyre, përcaktojnë kushte e kritere për marrjen e gradës “Ambasador”: Jo ma pak se 21 vjet vjetërsi të integruar në punë në MPJ e Shërbimin Diplomatik, nga të cilat të paktën dy mandate si ambasador, 2.5 vjet “Ministër Fuqiplotë”, etj.
Mbi të gjitha kemi edhe diplomatë shqiptarë që i plotësojnë këto kushte e kritere. Nuk janë të pakët. I kemi të mirë. Disa prej tyre janë fokusue edhe si kandidatura për President të Republikës së Shqipërisë si Artur Kuko, Qirjako Qirko. Absurdi shqiptar: mund të jesh edhe President i Shqipërisë po nuk ta japim gradën “Ambasador” i Shqipërisë (!) Absurdi tjetër: para do kohësh një gjyqtar më thotë se diplomati Shpëtim Çaushi po e kërkon gradën “Ambasador” në dyert e shkallët e gjyqësorit shqiptar (!) Po ka edhe diplomat të tjerë meritor me kit’ gradë, si diplomati i karierës Dashnor Dervishi, Kastriot Robo…dhe disa të tjerë. Nuk e di a iu jepet kjo gradë dhe atyre që kanë ndrrue jetë në dy dekadat e fundit si diplomati Ljublin Dilja ish “Ministër Fuqiplotë” në Ambasaden e Shqipërisë pranë OKB në Nju Jork, diplomati Florent Çeliku e të tjerë. Ç’ka them kështu: kur nuk ua japin të gjallëve si do ua japin atyre që ikën herët nga kjo jetë, nga kjo botë (!)
Troç po e them pse nuk ua japin gradën “Ambasador” diplomatëve shqiptarë të mirënjohur e meritor në karierën e tyre diplomatike: Disa diplomatë i keqcilësojnë si “të Berishës”, si “të Nanos”, si “të këtij apo atij presidenti”, ndonjanin e sulmojnë për shkak të mbiemrit, nistue nga vendlindja e tij, ndokujt ia mbajnë “nën dorë” inatin e cekjes në ndonjë post të lartë në shtet, etj. Paragjykimet e pandame politike ua mbulojnë përkohor meritat e tyre diplomatike, ua pengojnë me shtysa e qyta gradat diplomatike, etj. Edhe në vet MPJ ka hile me kile dhe bunarë me xhelozi kariere. Këto fakte e dukuri i kam pa e ndesh disi nga afër e lerg pasi kam punue disa vite në Drejtorinë e Shërbimit të Trupit Diplomatik të MPJ (2006-’09). Çështje të brendshme të kësaj natyre po e pengojnë e demtojnë shërbimin e jashtëm të Shqipërisë në veprimtarinë e tij dhe në imazhin ndërkombëtar.
Komisioni për Gradat Diplomatike, sipas Rregullores së Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, funksionin në MPJ me pesë antarë e me të drejtë sanksion për t’u mbledh periodikisht çdo muaj të vitit kalendarik. Këta duhet të japin grada të tilla si: ambasador; ministër fuqiplotë; ministër këshilltar; këshilltar; sekretar i parë; sekretar i dytë; sekretar i tretë; atashe si dhe ato në shërbimin e jashtëm konsullor të Shqipërisë. Patjetër, këta janë funksional, japin grada të tilla vazhdimisht, shkallë-shkallë, deri tek ato ma të lartat: “Ministër” apo “Ambasador”. Këtu bollis e bullis ajo shprehja për shtat” “Ndal Beg se ka hendek”. Kush janë “Beg” po e dijmë. Kush është “Hendeku” shumkush nga diplomatët shqiptarë e ka përjetue e mësue ndërvite.
Çështja shtrohet me sirenë diplomatike, politike, kombëtare. Gjithqysh. O sot, o kurrë. Të mos e lamë shërbimin e jashtëm të Shqipërisë Londineze në kit’ ditë të pameritueme as prej kontributeve të tij traditë e vlera dhe as prej ecurive e lartësimeve të shtetit shqiptar të sotëm. Nuk i falet Shqipërisë të mos ketë sot asnjë diplomat me gradën “Ambasador”, të ketë vetëm një “Ministër Fuqiplotë”, dy apo tre “Ministër Këshilltar”. Po diplomatë me këto grada edhe po të jenë 30 të tillë prapë janë pak. Shumë pak.
Gradën diplomatike “Ambasdor” e propozon Ministri i Jashtëm, e miraton Kryeministri dhe e dekreton Presidenti i Shqipërisë. Kjo “treshe” duhet me e terezit mirë kit’punë që nuk duron kopili jo vetëm politike po prêt drejtësi të shpejtë.
Shteti me strkturat e nivelet e tij nuk duhet të tregohet i padrejtë me diplomacinë shqiptare në dy shekujt e fundit, me diplomatët shqiptarë që kanë dhanë shumë për shtetin e kombin e vet. Fjala vjen: Shumkush u dekorue në 100 vjetorin e Pavarësisë po Presidenti i kësaj kohe të afërt, Bamir Topi, nuk dha asnjë dekoratë për një diplomat të vetëm. Nëse nuk ia mbushnin synin këta diplomatët e sotëm këtij kryespecialisti të blegtorisë le t’ia mbushte mendjen Faik Konica. Le ta dekoronte të paktën atë, që i bante nder gjithkujt e nuk i prishte punë askujt. I nderuar do të ishte çdo president shqiptar sikur të dekoronte, për shembull, edhe diplomatin e madh Rauf Fico, i dekoruar nga Mbreti Zog, nga Franca, Perandoria Austro-Hungareze, Italia, Bullgaria, po jo nga Shqipëria e pas 1990-tës. Gjithashtu, i nderuar do të ishte çdo president shqiptar sikur të dekoronte edhe diplomat të pasçlirimit, si diplomatin Jovan Antoni, ish partisan i luftës, në misione diplomatike të Shqipërisë, drejtor në vite i Protokollit të Shtetit në MPJ. Shembujt të tillë ka plot, po puna po ban not. Nuk po del në breg…Po mëkatarë janë edhe ish presidentët e tjerë të Shqipërisë. Vetëm presidenti Alfred Mosiu e ka dekorue më 11 dhjetor 2006 me “Medalja e Mirënjohjes” ambasadorin Arben P. Cici, i sapo larguar nga ambasador në Kroaci e i ardhun pas disa muajsh (2007-2010) si Këshilltar Diplomatik i Presidentit. Çdo shtet euro-atlantik në BE e NATO po ta marrin vesh se Shqipëria në 30 vjet ka dekorue vetëm një diplomat do ta para-gjykonte keqaz Shtetin Shqiptar, çdo president e kryeministër të tij. Sikur Shqipëria të dekoronte edhe dhjetë diplomatë të sotëm është pak.
Pse u vendos një Ministër i Jashtëm me emrin Ditmir do të ketë “Ditë të Mira” edhe MPJ e Shërbimi Diplomatik e Konsullor i Shqipërisë Londineze. Nuk po duam as me na i kujtue fjalët e Naim Frashërit: “ Ditë të mira paskëtaj vijnë…”. Çështja shtrohet sotpërsot, brenda ditës, pa kalue muaji nëntor, as ky vit kalendarik 2014, me një pyetje që prêt përgjigje: Pse po e lini Shtetin Shqiptar pa asnjë diplomat me gradën diplomatike “Ambasador”, si askund në botë, si askush në planet.
Archives for November 2014
GAZETARËT E GJYSMËS SË SHEKULLIT TË FUNDIT
Nga Gëzim Llojdia/
1.Gazetaria, thotë Institute American press,është aktiviteti i grumbullimit, vlerësimit, duke krijuar dhe paraqitur lajme dhe informacione. Ajo është gjithashtu produkt i këtyre aktiviteteve. Gazetaria shqiptare e viteve ‘30-40 e krijoi një traditë ku mbahet si më brilantja për kohën. Ka mjaftë botime dhe analiza deri në studime,që i referohen kësaj fushe dhe kryesisht emrave të spikatur të publicistikës shqiptare të viteve ‘30. Një periudhë , që ngjall kërshëri mbetet gjysma e dytë e shekullit të XX. Gazetaria e kësaj kohe e vendosur nën korniza të kohës dhe regjimit u njoh si kohë e socializmit .Gazetarët e shtypit të shkruar,një pakicë që shfaqte talent ,pasi hodhën hapat e parë në këtë udhë bënë ,bënë më tej një rrugëtim të mundimshëm duke kaluar në letërsinë e mirëfilltë artistike. Një ndër emrat e spikatur të kësaj fushe që shkëlqeu dhe të kësaj e periudhe është gazetari dhe shkrimtari Duro Mustafaj. Kur nisa punë në “Zërin e Popullit” shkruan. D.Mustafaj,atje gjeta në detyrën e gazetarit ,Dritëro Agollin,Hamdi Sollakun,Vangjush Gambetën,Xhelil Gjonin,Isuf Alibalin,Niko Nikollën.Pastaj erdhën pas pak kohe Filip Cakuli,Agim Shehu,Pavlllo Gjidede,Ibrahim Baci,Irfan Bregu,Mitro Cela,Thimi Nika,Xhevahir Spahiu,Bashkim Koci,Mehmet Elezi,Shaban Murati,Fahri Balliu,Astrit Nuri.
-Ishte koha, kur njerëzit privoheshin nga liritë qe u takonin,shkruan D.Mustafaj te botimi i tij për gazetarët e asaj kohe. Dhe, ne, nga qe ishim te pa fuqishëm ta ndryshonim kohen, pavarësisht nga dëshirat e përpjekjet tona, si gazetar, po edhe si qytetar, shpesh mbetem skllevër te asaj kohe te dhimbshme, që diktonte të mbyste ëndrrat e bukura, pa çka se shpresat për dite me te mira, ishin brenda nesh, si një drite e ndezur, që nuk u fik kurrë.. Te shkruarit për te tjerët, qe një ëndërr e bukur, qe” mbeti si një drite e ndezur brenda meje, e nuk është shuar edhe tank. E kisha nisur me disa reportazhe e poezi të botuara në shtypin qendror, qysh kur isha nxënës ne vitet e para te Normales se Elbasanit. Dhe ëndrra qe ushqente pasionin për te shkruar, me pushtoi gjithë jetën. Për me se 60 vite kam shkruar për te tjerët, te tjerëve u kam dhënë zemrën e me te edhe mendimet e ndjenjat e mi a për ta. E kjo i ka dhëne kënaqësi e bukuri jetës sime…
Për gazetarin e kësaj periudhe Duro .M shprehet:Një miku im më pyeti një ditë se,cilat kanë qenë çastet më të vështira të punës time si gazetar. E mua më është dashur ti përgjigjem.Nuk është fjala për çaste të vështira ,gjithë koha e punës sonë si gazetarë në ato vite,që sot u themi:vitet e diktaturës,ishte e vështirë,me telashe,rreziqe e të papritura. Duro Mustafaj gazetari, që punoi në organet shtypit drejtues të kohës dhe regjimit u rikthehet atyre viteve duke hapur brazda në gjuhën e Agollit, me një kthjelltësi e vizion gati të panjohur për një pjesë të lexuesit të sotëm. D.Mustafaj gjen një shprehje të çmueshme kur përmend një thënie si:Afro 100 vjet më parë,një shkrimtar i huaj ka thënë se :Në diktaturë,njeriu detyrohet të jetë ose çekan(për të goditur të tjerët),ose kudhër( të presë goditjet e të tjerëve).
2.Qëllimi kryesor i atyre që punojnë në profesionin e gazetarisë është që të japë lexuesit dhe audiencat e tyre me informacion të saktë e të besueshëm që duhet të funksionojnë në shoqëri thuhet në një postulat të gazetarisë.
“Kur nisa punën në gazetë, shkruan D.Mustafaj,unë si shumica e koleve të mi,isha fare i ri, që do të thoshte i paformuar intelektualisht, por dhe pa përvojën e jetës. Dhe duhet thënë se një i ri i ushqyer që në fëmijëri me idealet e sistemit socialist,mendon se regjimi i plotësonte ëndrrat e rinisë. E kjo e bënte që,natyrshëm të prirej të ishte anëtar partie pa çka se ai si shumë të tjerë me kalimin e viteve do të zhgënjehej.Le të përmendim një fakt historik shprehet D.Mustafaj.Ne ishim brezi i ri i letrarëve të pas luftës së Dytë Botërore,që kish marrë me vete miliona viktima,burra,gra e fëmijë të pafajshëm. Ishte koha e një kthese të madhe dhe e një ndryshimi të madh edhe në jetën tonë.Dhe njerëzit ëndërronin e punonin për një botë më të mirë,për një jetë më të mirë….thotë D.Mustafaj në kapitullin :Ne ishim idealistë”.Duro Mustafaj një ndër penat e arta të gazetarisë shqiptare shkruan ashtu siç i ka ndjerë dhe i ka përjetuar ato vite madje gati kuptimplotë mbetet edhe titulli i librit “Ne gazetarët e atyre viteve”.Duro Mustafaj mbas një periudhe 40 vjeçare në media kryesisht shtypi me letër të printuar,kthehet dhe e shikon këtë kohë në një këndvështrim tjetër,krejt ndryshe duke sjell me realizim dhe vërtetësi gati të habitshme shumë nga prapaskenat e mediumeve të asaj kohe të cilat cuditërishtë kanë mbetur nën hije pa i zhbiruar nga mediumet sotme.Duro Mustafaj ka një qartësi dhe mëndje kthjelltësi të habitshme kurrë sjell atë kohë vitet e punës në mediumet shtetërore të kohës.
Çfarë të re sjell gazetari ,publicisti dhe shkrimtari Duro Mustafaj në “skanerin e tij profesional”, për “punëtorët e medieve” të gjysmë së dytë të shekullit të XX?
1-e para: D.Mustafaj fokusohet te njerëzit e kohës:” punëtorët e mediumeve shqiptarë” duke lënë në hije regjimin ose duke e sjell atë kohë me dritë hijet e saj.
2-e dyta:D.Mustafaj nuk sjell thjeshtë kujtime të mërzitshme gati bajate nga ato që jemi mësuar të sajojnë mediumet e sotme për kohën e socializmit,por ai sjell me vërtetësi, një kohë duke e pikturuar atë me ngjyrat e saj.
3-D.Mustafaj është një mjeshtër i rrallë dhe i veçantë në gjininë e publicistikës shqiptare. Ai qëmton dhe nuk sajon,ai rrëfen bukur dhe shkoqur ndodhi të kohës duke lartësuar figurat e tyre në atë kohë ,gjysmë terri, e gjysmë gri.
D.Mustafaj shprehet:Kohet e funditit, një gazetar i ri, i gazetës “Shekulli” më pyeti se cila është dobia e te qenit gazetar. Dhe mua mu desh ti përgjigjesha: “Dobia? Është e madhe, e pallogaritshme. Është e vërtetë që gazetar, të merr shumë nga energjitë e tua,por ama të jep akoma më shumë në fushën e intelektit, të formimit shpirtëror, të përvetësimit të dijeve. Të bën person publik. Dhe natyrisht ndikon në vetëdijen për te qene i përgjegjshëm për ato qe thua, se te lexojnë qindra njerëz, rreh ide e bindje te ndryshme. Kështu nuk i shpëton pergjegjesise qytetare. Pse, e paktë është kjo? Do te shtoja se te qepurit gazetar me ka bere te shihja e të njihja Shqipërinë, te takohesha me njerëzit, ne pune e jashtë punëve, në fushe e në male, të vëzhgoja hallet dhe shqetësimet e tyre. Po kush mund ta mohoje qe natyra dhe njerëzit përbejnë një pasuri, qe rralle e gjen edhe ne librat me te mire? Është domethënës fakti, qe gazetari është e duhet të jete përherë në lëvizje. Me mjekun, ekonomistin, inxhinierin e përgjithësisht me njerëzit e profesioneve te tjera nuk ndodh kështu. Hapësira e punës dhe jetës se tyre është më e kufizuar. Ne punuam dhe jetuam në një kohe tjetër, ndryshe nga e sotmja, në rrethana e kushte që na privonte.A e kishit dëgjuar ndonjëherë se edhe prof DH.Shuteriqi mund të kishte pësuar ose të binte në kurthin e letrave anonime?Armiku në zarfin pa emër”,është një skicë e bukur e thjeshtë me gjuhën e Petro Markos që rrëfen se si Shuteriqit,kur gjendej në Shëngjergj për Muajin e letërsisë dhe arteve, pra duhej të kishte qenë tetori,vjeshta e argjend,muaji kur mbylli sytë poeti ynë i bukuri Naim,i dhanë një zarf për ta shpurë në Komitetin e partisë dhe rrëfenja me një fabul të lezetshme është se në zarf brenda saj ishte shkruar se Shuteriqi ka fjetur mbrëmë te familja e kulakut.Kjo rrëfenjë më cingris një skicë tjetër e një autori :”Revania e kulakut”,shkurt në një damë ishte sjell nj revani me ara,gjalpë ku të gjithë lëvdonin nikoqiren duke thënë:I lumshin duart! dhe pyetën të zotin,cila ishte ajo fatbardhë që kishte sjell këtë revani. Çuditërisht e kishte gatuar gruaja e kulakut dhe përnjëherë të gjithë e nxorën nga goja e shanë dhe e hodhën përtej ferrave.Poetin Agim Shehu ,ky burrë nga progonati me vulë,poet ,çfarë poeti që i bënte nënat të lëshonin çurg lotët nga poezitë e tij është edhe ai në lakun e dënimit.Autori në këtë botim të tij sjell rastin e botimit të një poezi në gazetën letrare të së dielës “Drita”, ndërkohë që poeti ishte dënuar të punonte në metalurgjinë e Elbasanit. Ratsi i dramaturgut Kol Jakova.D.Mustafaj e tregon se ai shquhej për humorin e tij të mençur e të këndshëm.”As partia nuk më ndihmon dot..”.Çfarë, halli kishte dramaturgu, që e kishin thirrur në Lidhje për ta ndihur.. Shtëpi, besoj ,jo punë për fëmijët,jo që ajo.
-Ahere,llafit si i bëhet,çfarë kërkonte Kola,pra çfarë halli e brente atë?
– Shoku Foto,unë dua të ndajë gruan,se më ka vajtur mëndja për një vajzë të re,boll jetova 50 vjet me atë që kam. Ja ky është halli im, a ma zgjidh dot partia….Kukuris së qeshuri e shkrihem në gas.
Për artistin gjirokastrite P.Lulon kam shkruar ca rreshta,që hëngri një pulë te kulaku i fshatit,mirëpo për mjeshtrin e shquar ,klarinetistin përmetar Laver Bariun’, që e kërkonin ta fusnin me zor në parti dhe kushtet, që i kishin vënë, asnjëherë se kisha dëgjuar dhe jo më ta lexoja të shkruar bukurish, bukur.Mënyra se si i kishin vendosur katër kushte bëhet akoma më intriguese:’Të mos shkonte nëpër dasma,të mos merrte para,të mos pinte raki,të mos shikonte ndonjë fustan në dasmë se dëmtonte figurën e partisë.
Ja kësaj i them prozë,për mënyrën se si mjeshtri i saj D. Mustafaj e gdhend bukur e mirë si mjeshtri gurin e radhës. Ka fabul ,ndërkohë që në anët tonë thonë ka lezet,por ka edhe nur bukurie. Rrëfimi i sinqertë për Xhevon,skraparlliun poetin e shkuar poetit,atë që do ta mërgonin larg,përtej Dajtit,poetit do ti gjej një punë në vatrën e kulturës , akuzohej se shkruante si Sartri,i mjeri dhe i bukuri poet ,që kurrë nuk u kuptua.
Tef Palushi ka diçka për me thënë:”Si do të jetë Shkodra në komunizëm”.
3.Atje në jugperëndim ku dallgëzohet deti. E florinjta ngjyrë puqet në muzg. Mirëpo Timua djali i doktor Fllokut e ka thënën pakëz më ndryshe :”Rrëmbeva blunë e detit dhe të qiellit/ Perëndimin okër të Nestor Jounzit/ Thellësinë plumb të Skënder Kamberit…Ky është qyteti ynë .Natyra i ka dhënë bukuri Perëndie. Njerëzia e saj i dha flamur lirie. Në lagjet e qytet janë ngjizur mijëra njerëz nëpër mote e kohëra të largëta e të afërta. Kanë gdhendur në “tenien e këtij” qyteti gjurmë të mira, patriotike dhe liridashëse. Ka buste e memorialë për burra më të shquar të pavarësisë .Varreza të mëdha në kodër. Muzeume,veshje,shenja të veçanta. Një gjurmë e një njeriu jeton gjatë nëpër shpirtra njerëzor shkruajnë librat e shenjtë. Në një hark të tillë kohor ai ka lënën gjurmë të një njeriu që punon ndershmëritë për gazetarin dhe vitet e fundit në demokraci edhe për vendlindjen e tij Vranishtin në zonën e Lumit dhe ,qytetin në jugperëndim me detin,Sazan e Karaburun.
Duro Mustafaji tregon bukur kur shkruan skicën nga një fshat i Vlorës :”Vetëm ballist mos më bëni!”.Durua është skenaristi i filmit :”Guna mbi tela”,një përkushtim për luftën e Vlorës të vitit 20.
“Me regjisorin e njohur të kinostudios Muharrem Fejzon,autorin e shumë filmave artistik me vlerë gjendeshim në fshatin Dukat të Vlorës .Me ne ishte edhe shkrimtari Vath Koreshi,që atëherë punonte me mua si redaktor i gazetës “Drita”. Muharremi na kish ftuar për të parë skenën e fundit të filmit :”Guna mbi tela” ,skenën :”Ultimatumi”,dërguar xheneral Piacentinit…shkruan D.Mustafaj.
Po të rikthehesh ndër vite ,dikur mbaja mend se kisha lexuar tregimin :”Nuk kam pushkë në muze”” të autorit D.Mustafaj ,botuar te gazeta letrare artistike e kohës “Drita”.Ishte një tregim i bukur kuptimplotë për luftën e famshme të lebërve në vitin e vështirë ‘20. Mjeshtri i penës përshkruan një skenë të habitshme .Regjisori i kërkon një labi me qylaf në kokë të ishte personazhi ballist një film të kohës,mirëpo burri ka kundërshtuar :”Vetëm ballist mos më bëni”se atë rol e loza njehur e s’më doli gjë…”
Rrëfimi për shkrimtarin Petro Marko mbetet gati i paharruar. Vet Petro ka shkruar një libër në të gjallë të tij:”Retë dhe gurët” ku bënë historinë e jetës së tij në një auto-intervistë me vetveten,por nga mënyra e rrëfimit ai botim është një roman i këndshëm i shkruar bukur dhe mirë, lexohet në çdo kohë dhe nga çdo moshë. D.Mustafaj më ngjet e ka këtë stil të ngrohtë të thjeshtë me fabul të zgjedhur, që të tërheq të mbanë të mbërthyer dhe në fund të mbetet diçka nga këndimi i rrëfimit të tij. D.Mustafaj sjell në këndvështrimin e tij shkrimtarin e vuajtur nga rrëgjimi për shkak të rebelizmit të tij. Autori tregon Petron ashtu siç e ka takuar në redaksinë kur Petro një ditë shkoi dhe kërkoi të shkruante një shkrim publicistikë,pra një reportazh për hekurudhën dhe pastaj vijueshmëria se çfarë ndodhte pas botimit si ishin reagimet nga lartë dhe poshtë. Telefonat e kryeministrit të vendit:”Si e kam Petron… dhe përndjekja ,kujtoj kohën kur Petro shkonte te Lidhja në udhën e kavajas ,në katin e parë ku gjendej lokali me ca tavolina dhe kolltukë të trishtë, kur Petro vinte rrallë. Dua ti tregoj lexuesit se shkrimtari, Duro Mustafaj është anëtar i klubit të shkrimtarëve në qytetin e Vlorës, që mbanë emrin e ”Petro Markos”.
Duke folur për personazhe nga vendlindja ,autori sjell me ngrohtësi një rrëfim për Prof ,Shaban Demirajn,
Rrëfimet e tjera janë për sekretarin e plakut të Vlorës si dhe përshkrimi tjetër,djali i sekretarit,etj do ti rendisë te publicistika ,reportazhi :” fotografia për Selam Musan”,Avdurrahmën Ciraku,topçiu që rrëzoi ballonin e Italisë ,Bogonica me Cipinë çka që qajnë me lot ,vajza që u betua mbi varret e katër heronjve .
Në kapitull më vete, gati interesant ku janë përfshirë figura të ndritura siç është mbesa e Ismail Qemalit,studiuesja Nermin Vlora,e cila me pasionin dhe atdhetarizmin e saj së bashku me të bashkëshortin ,shkruan mjaftë gjera me vlerë për shqipen dhe shqiptarët ,mirëpo fokusimi i gazetarit ishte te kërkesa e saj për të ngritur në Vlorë ,një akademi ,pikësynimi i saj ishte në Jonufër dhe atje qendra do të kishte gjithshka, që i duhej për një akademi,mirëpo burokratët shqiptarë e mbajtën bijën e botës ,studiuese që kishte ardhur me mend e para,me ujë të ngrohtë e gurë në trajsë. Shpirti i Nerminit rron atje,ku shpirtrat rrojnë dhe varrin e ka në Kaninë me bashkëshortin italian,përkarshi të ketë detin. Rrëfimi për poetin e tokës Drithëron e penës,Nikon Nikollën e humorit, Filipin e Fiksit,atë mjeshtër të humorit,që nuk ju ndanë letrat anonime. Mënyra se si autori i sjell portrete e tyre mbetet e veçantë .Me këtë stil autori bëhet jo vetëm i lexueshëm,por tërheqës një rrëfim,skicë, reportazh të nguliten në kujtesë,ke dëshirë ti rilexosh kur arrin në këtë gjendje, libri quhet ushqim shpirtëror.“Penat e artë” duhet tu jepen pikërisht këtyre mjeshtreve shqiptarë, lëvruesve të mrekullueshëm të këtyre gjinive publicistike.
4. Qëllimi kryesor i atyre që punojnë në profesionin e gazetarisë është që të japë lexuesit dhe audiencat e tyre me informacion të saktë e të besueshëm që duhet të funksionojnë në shoqëri. Gazetarët e gjysmës së shekullit të fundit, si rrëfen gazetari, Duro Mustafaj ka qene një mision i vështirë . Duro Mustafaj rreth 60 vjet më vonë rrëfen atë kohë dhe një mision me mënyrën e vet,pra atë të informuesit publik në mediumet e printuara të saj kohe.
”Ne gazetarët e asaj kohe” nuk është një libër himn për kohën, por një vlerësim i vlerave njerëzore të intelektualëve të cilët punuan në të gjitha kushtet. Autori i është referuar për atë kohë, gjeniut të letrave shqipe,Kadare.Dhe më mirë se e thotë Kadare,pena jonë modeste nuk mund ti thotë dot.
D.M shkruan:Një miku im me pyeti një dite se, cilat kane qenë çastet më të vështira të punës si me, si gazetar. E mua me është dashur ti përgjigjem. Nuk është fjala për çaste të vështira, gjithë koha e punës sonë si gazetare, ne ato vite, qe sot u themi, si “Vitet ne diktature”, ishte e vështire, me telashe, rreziqe e te pa pritura.. Por, pati edhe viteve te bukura, qe i ushqente pasioni për te here diçka te mire ne dobi te shoqërisë, (vite te tilla nuk mund ti mohoj). Sidoqoftë, më tepër ndjenim trysnin e atyre viteve qe te bënin te mendoje.. “A do te mbijetoj me faqe te bardhe, valle? Dhe, si një lloj kompensimi, a ekuilibri, veç artikujve kritike, shkruanim edhe nga ata ilustrativet, qe zbukuronin realitetin.. Ndodhte kjo, pse kështu e deshnim realitetin tone, te bukur? Apo, ishte pjese e detyrueshme e punës sonë si gazetare? Ndoshta ishin te dyja.. Po ishte edhe një faktor i trete, i brendshëm, psikologjik, ishte edhe frika mos gabonim e ndëshkoheshim, siç ndodhte here pas here. Dhe, bashke me ne ndëshkohej edhe familja, qe nuk kish bere asnjë faj… Megjithatë, shkrimet me tone pozitive, shpesh shërbenin edhe si licence, për të hapur rrugën artikujve kritike, qe botonim.. Sidoqoftë, edhe këtu, ne se “gjella duhej me kripe, edhe kripa duhej me karar e me kandarë” Se këto lloj shkrimesh te hapnin telashe, sado qe, mes telashesh punonim e jetonim.
Dy fjalë do ti kushtojë veprimtarisë së krijuesit D.Mustafaj.D.Mustafaj me atë përkushtim boton libra,por përgatit dhe nxjerr një revistë me një titull kuptimplotë “Hora”,revistë periodike e fshatit Vranisht, Vlorë.
NGA NJËRA ANË VLAN &PDK – NGA ANA TJETËR AMERIKA & AMBASADA E SHBA NË KOSOVË
NGA NJËRA ANË VLAN &PDK – NGA ANA TJETËR AMERIKA & AMBASADA E SHBA NË KOSOVË – Zonja Clinton nuk do ta kishte toleruar këtë situatë 5 muaj
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
SHBA – Aleat jetik për shqiptarët
Një nga temat e mia të papreferuara është të shkruaj për Ambasadorët Amerikanë në Kosovë dhe Shqipëri. Megjithatë nuk i jam shmangur as kësaj teme kur e ka lypur nevoja. Është një temë delikate, sepse SHBA janë aleati jetik i shqiptarëve. Dhe kritikat ndaj një diplomati të lartë të cilin e ka sjellë aty presidenti i SHBA, keqinterpretohen nga dashakeqët. Në fakt nuk është e lehtë sepse të duhet të kritikosh përfaqësuesin e shtetit më aleat, që i shpëtoi shqiptarët nga zhbërja, shfarosja, deportimi dhe u plotësoi më në fund dëshirën e tyre shekullore për pavarësi.
Kjo është Amerika për shqiptarët.
Siç dihet në 8 qershor në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat i dhanë PDK-së në aleancë me Partinë e Drejtësisë dhe disa parti të vogla një fitore si të Pirros, që nuk mund të prodhonte një mandat të tretë për Thaçin nëse PDK nuk do të rikonfiguronte një koalicion të ri me ndonjë nga partitë e opozitës, që ishin LDK, VV, AAK dhe Nisma.
Dhe pikërisht këtu nis drama për PDK-në dhe kthesa historike për klasën politike të Kosovës, çlirimi i klasës politike nga kthetrat e liderëve partiakë që për interesa të pushtetit personal venë në lojë interesat e vendit dhe sovranit. Hashim Thaçi i luajti të gjitha gurët që të krijonte aleancë me ndonjë nga partitë që përmenda më sipër, por asnjëra nuk pranoi.
VLAN-in e prodhoi dialogu, konsensusi dhe kompromisi
LDK, VV, PDK dhe Nisma që për arsye të ndryshme në zgjedhjet e 8 qershorit kishin bërë secila një fushatë individuale, pas zgjedhjeve arritën të hynin në bisedime dhe të gjenin gjuhën e përbashkët të konsensusit e të kompromisit. LDK, paçka se ishte partia më e madhe, lëshoi pe dhe postin e kryeministrit, lëshime të tilla iu bënë edhe VV. Të katër forcave politike iu deshën një raund tryezash që më në fund të dilnin si një bllok politik me aleancën që mban emrin VLAN. Ky ishte një sukses i demokracisë në Kosovë.
Faktori ndërkombëtar, në vend që ta përshëndeste këtë përparim të nivelit të demokracisë në Kosovë, ka pesë muaj që rri heshtur.
Ndërsa qeveria Thaçi akuzohet nga institucione ndërkombëtare me emër si Transparency International si nga më të korruptuarat në Ballkan, heshtja e faktorit Ndërkombëtar, përfshi edhe SHBA, përkthehet nga Hashim Thaçi si mbështetje e Amerikanëve dhe BE që i jepet atij për një mandat të tretë!
Por kjo s’ka si të jetë e vërtetë. Që SHBA të mbështesin Hashim Thaçin. Edhe sikur të jetë e vërtetë. Sepse demokracia ka ligjet e veta, me të cilat askush nuk mund të bëjë as lëshime dhe as kompromis aty ku fitues është shumica.
Dhe shumica në Kosovë përfaqësohet nga VLAN me rreth 400 mijë votues, ndërsa PDK me me Partinë e Drejtësisë ka rreth 220 mijë vota.
Votimi i 8 qershorit ishte legjitim. Përfshi Haradinajn dhe Limajn, të cilët me vendime gjykate dolën të pastër nga drejtësia, pas procesesh të gjata në Hagë apo edhe në Kosovë.
E rrezikon stabilitetin e Kosovës PDK?
Nëse Perëndimi dhe SHBA janë të shqetësuar për stabilitetin e Kosovës, kjo s’do të thotë që, prej frikës të stabilitetit, të mbështesin atë forcë politike që e rrezikon stabilitetin, dmth PDK! Aq më tepër, kur në Kosovë integritetin territorial e garanton NATO përmes KFOR-it.
Në këta pesë muaj stanjacion, të cilat ishin në disfavor të popullit të Kosovës dhe të interesve të vendit, u dëshmua qartë se VLAN nuk ndërmori asnjë hap destabilizues, kur në fakt të protestosh apo të demonstrosh është një instrument legjitim demokratik.
VLAN ka respektuar kërkesat e SHBA për tryeza me presidenten, e cila ka marrë rolin e kukullës, sepse pushtetin që asaj ia garanton Kushtetuta, ajo ia kaloi Gjykatës Kushtetuese, e cila dhënien e një vendimi që mund të jepej për disa orë, e shtyu për disa muaj, duke dëshmuar se pushteti i tretë, ai juridik është i varur dhe i kapur nga Hashim Thaçi.
VLAN kanë shkuar në tryezat aspak produktive tek Jahjaga, për hir të SHBA, duke pritur që më në fund, SHBA të dilnin me një qëndrim zyrtar përmes DASH. Po të ishte në krye të DASH zonja Clinton, ajo do të dilte hapur dhe qartë dhe nuk do ta kishte toleruar këtë situatë dramatike për popullin, sepse politikanët e Kosovës majmen në luks, ndërsa papunësia në Kosovë është 70%.
Vizita e Murphyt ngjalli shpresë ndërsa zgjedhjet në SHBA kambanë alarmi
Gjithsesi u krijua shpresë sidomos pas vizitës të Senatorit Christopher Murphy, i cili në fjalën që mbajti në Uashington, lidhur me turin e kryer në Ballkan, i përcolli administratës amerikane mesazhin se paqja në rajon është ende e brishtë dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të rikthejnë vëmendjen dhe të riangazhohen aty.
Por kambana më e fortë e alarmit vjen nga zgjedhjet e 4 Nëntorit në SHBA, ku Partia Demokratike e Presidentit Obama humbi kontrollin edhe në Senat. Dhe një nga pikat e dobëta që kritikohet administrata e Obamës është pikërisht politika e jashtme. FORBES ka dy vjet që presidentin Obama e ka kaluar në vendin e dytë dhe vendin e parë si njeriu më i fuqishëm i botës e ka marrë Putini, i cili ka interesa në Ballkan.
Një bravo për durimin e hekurt të Vlan
Por VLAN këto 5 muaj ka treguar durim dhe vullnet të hekurt dhe nuk ka bërë asnjë lëvizje që bie ndesh me kërkesat Amerikane, qofshin këto në kurriz të vlerave të demokracisë. Ka vepruar mirë, paçka se kjo ka pasur çmim për vendin.
Ndërkohë, në debatin e Lëvizjes Fol – Fol Hapur zonja Ambasadore e SHBA kritikoi rreptë udhëheqësit politikë të Kosovës për t’i dhënë fund bllokadës pesëmuajshe politike në vend.
Në fakt, Kosovën nuk e kanë bllokuar liderët e VLAN, por Hashim Thaçi. VLAN i ka përdorur të gjitha instrumentat e demokracisë, bisedimet, dialogun, konsensusin dhe kompromisin. Ka gabuar sepse ka pritur 5 muaj zvarritje. Këtu ka gabuar.
Vlan të lidhet me lobin shqiptaro-amerikan në SHBA
Çfarë duhet të bënte VLAN këta pesë muaj zvarritje? Unë do të sugjeroja që të organizonin një delegacion me përfaqësues politikë dhe ekspertë të fushës e të bënin një vizitë zyrtare në SHBA, duke kontaktuar me lobin shqiptaro-amerikan dhe bashkë me to të merrnin kontakt me Departamentin e Shtetit ku të sqaronin gjithçka. Sepse demokracia në Kosovë duhet të ketë të njëjtat standarde që ka në SHBA. Kur humb zgjedhjet Presidenti Obama, e përse të shqetësohemi kaq fort se humbi zgjedhjet njëra nga qeveritë më të korruptuara të Ballkanit, si ajo e Hashim Thaçit! Përkundrazi. Të kënaqemi.
Në kërkesat e saj tek ‘Fol Hapur’, Ambasadorja Amerikane kishte të drejtë në faktin se, deri sa nuk është konstituar parlamenti, politikanët i kanë duart e lidhura.
Parlamenti mund të konsituohej shumë lehtë. Mjafton që SHBA t‘i bënin thirrje direkt Thaçit që të lejonte procedimin e Kushtetutës, apo këtë thirrje t’ia bënin Presidentes së Republikës së Kosovës, që, pasi partia e parë e dalë nga zgjedhjet nuk arriti dot të krijojë shumicën, ajo t’ia lëshonte vendin koalicionit paszgjedhor VLAN.
Të flasësh hapur, duhet të tregosh se kush është shkaktari i vërtetë i bllokadës.
Dhe shkaktari i vërtetë është Hashim Thaçi që kërkon me çdo kusht pushtet politik përmes një mandati të tretë ose kolltukun e Presidentit të Kosovës.
Diçka e pamundur, sepse në demokraci fuqinë për të operuar me çdo kusht e ka vetëm shumica. Ashtu si thotë Aristoteli (Aristotle), Vullneti i shumicës është suprem! The will of the majority is supreme.
Duke iu referuar aktualitetit, VLAN bëri lëshimin e rradhës
Unë mendoj se në demokraci lëshimet nuk tolerohen të bëhen në këtë pikë, kur shumica del nga roli që ka dhënë Kushtetuta e vendit. Veprimi i VLAN justifikohet rishtas si dëshmi loyalitetit ndaj Aleatit jetik që janë SHBA, por vetë SHBA i janë loyalë vetëm parimeve të demokracisë.
Gjithsesi ky lëshim i VLAN e largon nga skenari banalitetin që ka ofruar Flora Brovina e cila besnike i është shefit të saj Hashim Thaçi dhe i hap rrugën krijimit të institucioneve.
Por le të mos harrojmë se kryekuvendari duke qenë gur shahu në duart e Hashim Thaçit nuk të lë asnjë shteg për të parashikuar asgjë pozitive.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme do t’i jepnin fund këtij tmerri pa fund, por kanë një tingull të pasens dhe nonsens sepse e përjashton nga e drejta dhe nuk i lejon shumicës, dmth VLAN, të marrë atributet që ia garanton ligji.
Mark Gjonaj falenderon mbështetësit pas fitores së mandatit të dytë
ALBANY NY: Mark Gjonaj, Assembleisti i Shtetit të New Yorkut, nga Distrikti 80 në Bronx – New York, me rastin e rizgjedhjes së tij në zgjedhjet e 4 nëntorit, i është drejtuar votuesve të tij me një notë falemnderimi.
Gjonaj, i cili është shqiptari i parë në historinë – e shqiptarëve të Amerikës që zgjidhet me vota në postin më të lart në SHBA- atë të asambleistit të Shtetit të New Yorkut, duke bër histori, thotë se :”Do të doja të me këtë rast të falenderoja të gjithë anëtarët e komunitetit shqiptar, ata që më votuan që përsëri të shërbej si Asembleisti(përfaqësuesi) i tyre, për një mandat të dytë në Asemblenë(Kuvendin) e Shtetit të New York”.
Dhe shtonë se gjtihashtu faleminderojë vullnetarët të cilët u angazhuan gjatë gjithë fushatës time, dhe stafin tim elektoral. Ndërsa, ndihem sinqerisht borxhli për çdo njerin nga ju për votën dhe mbështetjen tuaj kam një falenderim të veçantë, me të cilin dua të përcjell edhe për të gjithë ata që kontribuan me kohën e tyre dhe mbështetjen financiare – gjatë gjithë fushatës – time.
Kuvendari shqiptaro amerikan Mark Gjonaj, duke ju faleminderuar së pari shqiptarëve dhe më pa të gjitha komuniteteve thotë se “Kjo fitore nuk do të ishte e mundur pa Ju. Andaj jam i lumtur dhe i gatshëm që në Asemblenë e shtetit të New Yorkut – të përfaqësoj të gjitha komunitetet përfshirë edhe komunitetin shqiptarë të New York-ut, shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kudo ku ndodhen në botë”.
Mark Gjonaj-Asambleist me prejardhje shqiptare dëshmon peshën e veçantë të Diasporës shqiptare në ShBA…kjo është dëshmuar edhe nga fjalimet e shumta në mbështetje të shumë përfaqësueseve në Senat dhe Asamble, nga zona të ndryshme të shtetit të Nju Jorkut në Asamblen e tij. Ai është pjesmarrës pothuajse në çdo veprimtari me shqiptarët e Amerikës/Beqir SINA/
KUJTESE- Në prag të 90 vjetorit të vrasjeve masive në Shahoviq të Sanxhakut
Për krimin në Shahoviq të Sanxhakut që ndodhi në fillim të nëntorit të vitit 1924 pothuajse askush nuk ka guxuar të flas apo të shkruaj. Ky krim është fshehur aq shumë sa që edhe sot dihet pak për te. Milovan Gjilas ishte ndër të rrallët që ka shkruar në librin e tij “ Bezpravna Zemlja”. Aty ai përshkroi Gjenocidin në Shahoviq duke bërë me dije se ky krim, i përmasave të gjenocidit, nuk ka qenë një hakmarrje spontane, siç e ka përshkruar shtypi serb e malazez, por i planifikuar në detaje.
Shkruan: Ismet Azizi/
Shqiptarët në vitin 1924 kanë përbërë gati gjysmën e popullsisë të vendbanimit të quajtur Shahoviq. Kjo popullsi është vrarë dhe dëbuar nga shtëpitë e tyre brenda 24 orëve nga malazezët. Kjo ngjarje jo e ndriçuar sa duhet, u jep mundësi historianëve të ndryshëm të japin shifra të ndryshme për numrin e viktimave.
Malazezët duke publikuar shifrën vetëm 80 viktimave, në shkrimet e ndryshme japin edhe arsyet e sulmeve malazeze ndaj fqinjëve të tyre.
Numri i saktë i viktimave të krimit në Shahoviq nuk dihet, por mendohet se është diku rreth 600-750 të vrarë. Në Shahoviq para kësaj ngjarje kanë qenë të banuara 576 shtëpi me malazezë, 1580 shtëpi me shqiptarë dhe boshnjakë, ose 26.8% serb e malazezë dhe 73.2 % shqiptarë e boshnjakë.
Vazhdimësia e krimeve kundër sanxhaklinjëve ka vazhduar nga luftërat ballkanike të vitit 1912, mandej krijimi i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve në 1918 e deri në rënien e Mbretërisë së Jugosllavisë në vitin 1941 por edhe gjatë shkatërrimit të Jugosllavisë së Titos. Jeta e shqiptarëve dhe myslimanëve të Sanxhakut dhe më gjerë në Jugosllavinë e Parë, nuk kishte asnjë vlerë, sikurse edhe në viset tjera të banuara me shqiptarë dhe jo serb edhe në Sanxhak ishte tejet e vështirë.
Në Sarajevë, në vitin 1919 qëndroi gazetari francez i revistës Tempos, i cili është takuar me Reis-ul-Ulemanë Xhemaludin Çausheviqin. Gazeta në fjalë citon deklaratën e Reisit: Mijëra njerëz u vranë, gjashtë gra u dogjën, 270 fshatra u shkatërruan dhe u plaçkitën, ky është bilanci për ne myslimanët me rastin e krijimit të Jugosllavisë…
Masakra në Shahoviq, Pavino Pole, Vranesh dhe fshatrat përreth, ishte krimi më i madh kundër popullsisë të përkatësisë myslimane gjatë kohës së paqes në Mbretërinë SKS. Gjenocidi është kryer më datën 9 dhe 10 nëntor të viti 1924. Praprakisht më 7 nëntor të viti 1924, komitat malazeze kanë vrarë Boshko Boshkoviqin në një pritë në malin Cer. Është me rëndësi të përshkruajmë se kush ishte Boshko Boshkoviq dhe çka thotë në lidhje me te në librin e tij Milovan Gjilas “Vendi pa drejtësi”(anglisht: Land Without Justice), (serbisht: Besuda zemlja, 2005).
Boshkoviq ishte një toger i këmbësorisë në formacionin rezervë, inspektor i Ministrisë së Punëve të Brendshme, shefi i qarkut të Kollashinit, mbështetës fanatik i krahut të Pribiqeviqit të Partisë Demokratike. Ishte dalluar në shtypjen e lëvizjes së kaçakëve. Këto detyra i kishte kryer me arrogancë dhe mizori, duke i terrorizuar kundërshtarët politikë. Kjo ishte arsyeja që kundër tij në vitin 1921 është ngritë interpelancë në Asamblenë Kombëtare. Gjillasi e përshkruan në detaje vrasjen e vëllaut të plaqkitësit të famshëm Todor Duloviqit gjë që më vonë do të jetë shkak i likuidimit Boshkoviqit nga komitët malazezë. Sipas të gjitha gjasave Boshkoviq është vrarë nga vëllezërit Drago dhe Radosh Bullatoviq.
Krimi apo vrasja masive kundër sanxhalinjëve në Shahoviq është kryer më 9 dhe 10 Nëntor 1924
Togeri Boshkoviq me një batalion bënë krime të rënda, plaçkitje dhe vrasje në vitin 1912 në fshatrat e banuara me shqiptar në Peshter. Në fshatin Doliq ka vrarë 20 persona, pesë vetë u vranë nga ai në fashatin Uglla kurse në Tuzinje janë vrarë 10 veta. Në fshatin Rasnë një përson ka ekzekutuar katër anëtarë të familjes Kurtagaj kurse në Koritim u vranë 58 meshkuj dhe dy femra.
Për vrasjen e Boshkoviqit u akuzua komiti i njohur Jusuf Mehonjiqi, i cili në këtë kohë nuk gjendej në këtë anë. Varrosja e Boshkoviqit është bërë më 9 tetor në fushën e Kollashinit. Aty ishte një numër i madh i njerëzve, zyrtarë e qeveritarë, të cilët ishin ftuar nëpërmjet korrierëve. Vlerësohej se ka pasur rreth 2000 njerëz. Janë mbajtur fjalime që kishin ndezur masën duke akuzuar Jusuf Mehonjiqin dhe banorët e fshatit Shahoviq dhe Vranesh si përkrahës të tij, ku u kërkua hakmarrje.
Një ditë para se të kryhej varrimi i Boshkoviqit autoritetet urdhëruan popullsinë myslimane që të sjellin të gjitha armët e tyre për t’iu ndarë malazezëve. Kryeshefi i qarkut të Bjellopoles, Cemoviq, duke kaluar nëpër Shahoviq, dhe duke shkuar në varrimin e Boshkoviqit, xhandarëve u urdhëroi evidentimin e të gjithë myslimanëve të dalluar të Shahoviqit dhe rrethinës. Evidentuesi kishte mbledhur 32 myslimanë me pretekstin se jeta e tyre ishte në rrezik por në realitet u burgosën.
Kur kryeshefi Cemoviq ishte kthyer nga funerali dhe pa se ishin vetëm 32 pengje kërkoi më “turq “. Xhandarët me shpejtësi arrestuan edhe 20 të tjerë. Të gjithë këta njerëz janë kapur në mashtrim. Këto pengje, pranë varrezave myslimane, jo larg vendbanimit, në mënyrën më mizore janë ekzekutuar . Nga i gjithë grupi vetëm dy kanë shpëtuar. Një fëmijë 13 vjeç u shpëtua nga nji malazez i cili gati u vra për shkak të këtij veprimi. Sipas dëshmisë së Bahrës, bijës së myftiut të Bjello Poles, Mustafa Salihbegoviqit, i cili ishte në komisionin për hetim, tha se janë identifikuar 60 pengje të masakruara.
Në peticionin për mbretin Aleksandër Karagjorgjeviq, të 21 nëntor të viti 1924, të cilin e dërguan popullsia myslimane e Shahoviqit dhe Pavino Polës, thuhet se sulmi është kryer nga rreth 2000 malazezë të armatosur të Kollashint dhe nga viset tjera kurse fronti shtrihej në vijën prej 19 kilometra gjatësi. Hamdi Beg Hasanbegoviqi dhe Amir Musiqi u përpoqën personalisht ta informojnë mbretin në Beograd, por ai i refuzoi kurse ankesën ia kishin dorëzuar stafit të mbretit.
Gazeta “Politika” e Beogradit nr. 5947 e 13 nëntorit të vitit 1924 raporton se pas vrasjes së Boshkoviqit, gjatë ndjekjes së hajdutëve, kanë marrë pjesë fshatarët nga rrethina e Bijelo Poles, për dy ditë të plota gjatë 10 dhe 11 nëntorit. Gjithë ky aksion ishte nën zinxhirin komandues, i cili u ndërmor kinse ishin “lodhur” nga komiti Jusuf Mehonjiqi. Sikur mos të kishte reaguar xhandarmëria dhe ushtria, pasojat do të ishin edhe më të mëdha.
Kryetari i Xhemijetit Ferhat bej Draga më 14 nëntor të viti 1924 iu drejtua ministrit të Punëve të Brendshme me një mocion lidhur me mizoritë e tmerrshme në këtë rajon. Ky mocion u botua në “Pravda” të Sarajevës (nr. 262) të 18 nëntorit. Aty, në mes të tjerash, thuhet: Zoti ministër! Kjo masakër si një veprim i përbashkët i autoriteteve policore lokale dhe Vasojeviqëve, përgjegjës janë autoritetet policore, të cilët kanë qenë me kohë të paralajmëruara për rrezikun dhe nuk ndërmorën asnjë veprim për ta parandaluar këtë masakër. Në këto rrethana përgjegjësia është më e madhe e pushtetit se sa e bandave, sepse deri tash askush nuk është arrestuar …
Ndërsa gazeta “Politika” e Beogradit nr. 5949 e datës 15 nëntor 1924 raporton me titullin: Protesta e Ferhat Beg Dragës me rastin e hakmarrjes së Vasojeviqëve ndaj vrasjes së Bosko Boshkoviq. Mandej gazeta shkruan për veprimin e Ferhat beut, i cili i dërgoi një letër proteste ministrit të Punëve të Brendshme V. Maksimoviqit.
Gazeta “Politika”, kështu kishte parë të nevojshme të shkruaj në lidhje të një letër proteste të Ferhat Beut dhe krimet e kryera ndaj qindra burrave të pafajshëm, grave dhe fëmijëve. Më shumë ka pasur viktima se sa shkronja të harxhuara për këtë artikull të botuar në gazetën Politika. Krejt kjo flet për qëllimin e paramenduar të spastrimit etnik dhe fshehjes me qëllim që askush mos të thirret në përgjegjësi.
Përsëri duhet cituar Millovan Gjilasin: prijësve myslimanë u janë shkulur mjekrat dhe u është gdhendur kryqi në kokat e tyre. Në një fshat i kanë lidhur një grup të njerëzve me tela rreth stogut me kashtë dhe iu është dhënë zjarri. Pas kësaj njerëzit për një kohë të gjatë kanë folur për mënyrën e djegies së njerëzve në flakë. Një grup prej tyre kishin sulmuar një fshatar në shtëpinë e tij në një zonë të largët. Fshatari sapo kishte rrjep një qengj të varur në një kumbull. Ata kishin për qëllim ta pushkatonin edhe këtë fshatar, t’ia djegnin shtëpinë por qengji i rrjepur i kishte nxitur që edhe me fshatarin e gjallë të veprojnë njësoj siç kishte vepruar ai me qengjin. Njëri prej tyre e vari fshatarin në kumbullë kurse një një kasap me përvojë, me sopatë is përgjysmoi trupin.
Në librin e Gjillasit në gjuhën serbe “Vendi pa drejtësi” këto pjesë të dëshmimeve të krimeve janë hequr por ato gjenden në versionin anglisht.
Menjëherë pas vrasjes së pengjeve filloi një sulm i përgjithshëm, dogjën shtëpi, vranë të rinj dhe të vjetër, gra dhe fëmijë nga krahët e nënave të tyre. Numri i viktimave nga tregimet e njerëzve të cilët mbijetuan tmerret është mbi 500 kurse sipas disa tregimeve dhe të dhënave historike, numri është shumë më i lartë. Këto të dhëna u siguruan nga numërimi i të afërmve dhe fqinjëve të tyre. Derisa ndodhte tmerri autoritetet lokale nuk kanë ndërmarrë asgjë ndaj kriminelëve bile edhe në këtë krim kishin marrë pjesë edhe ata vet. Rasti i vetëm ishte kur shefi i qarkut Plevlës, Kreckoviq, iu vjen në ndihmë njerëzve të pafajshëm, duke iu kërcënuar se do ta angazhoj ushtrinë.
Sanxhaklinjtë të cilët i mbijetuan gjenocidit në Shahoviq dhe rrethinë kurrë nuk u kthyen në tokën e tyre. Shumë shpejt, kjo zonë mbeti e shkretë ndërsa tokën e mbetur e grabitën fqinjët e tyre malazezë. Askush ndonjëherë nuk është përgjigjur për këtë këtë vrasje masive.
Popullsia e mbetur u shpërngul në brendësi të Sanxhakut dhe Bosnjës. U shpërndanë nëpër tërë viset e Sanxhakut, trevave të Vishegradit dhe nëpër qytetet tjera por një numër i konsiderueshëm i tyre më tepër se 100 shtëpi emigruan në Turqi kryesisht në Izmir.
Sot vendbanimi Shahoviq quhet Tomashevo, sipas një komandanti partizan, në të nuk jeton më asnjë mysliman. Kolonët e tanishëm në Shahoviq thonë se shpesh gjatë natës nuk mund të flenë, sepse dëgjojnë zëra të thirrjes së ezanit për namaz, shkruan revista e Podgorices “Vjesnik “ e 25 janarit 2005. Për të njëjtin fenomen shkruajnë edhe Harun Crnovrshanin dhe Nuro Sadikoviq në librin e tyre “ Bijt e Sanxhakut”(“Sinovi Sandžaka” ).
- « Previous Page
- 1
- …
- 50
- 51
- 52
- 53
- 54
- …
- 69
- Next Page »