• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2014

TRINGË SMAJLJA- NJË MALËSORE QË NDERON KOMBIN SHQIPTAR

November 4, 2014 by dgreca

Tringë Smajlja në pullën postare të Kosovës/
Nga Frank Shkreli/
Të hënën me 3 nëntor, Posta e Republikës së Kosovës njoftoi publikun se lëshoi në qarkullim një pullë postare, kushtuar “njërës prej luftëtareve më të shquara shqiptare” Tringë Smajles ose Tringës së Maleve. Në njoftim thuhet se Tringa ishte vajza e bajraktarit famëmadh Smajl Martini (Ivezaj) dhe jep një biografi të shkurtër të Tringës dhe familjes nga e cila ajo rrjedhë. Ajo u lind në vitin 1870, në Grudë, në periudhën e rëndësishme të përpjekjeve historike të shqiptarëve për të ruajtur trojet etnike në luftërat e tyre kundër turkut e kundër sllavit. Rrreziqe të mëdha po i kërcënoheshin Shqipërisë dhe shqiptarëve prej synimeve të të huajve ndaj trojeve shqiptare, në atë kohë. Posta e Republikës së Kosovës, në njoftimin e saj duke shkruar për familjen dhe meritat e Heroinës shqiptare të Maleve, shënon se në luftën për mbrojtjen e trojeve shqiptare, në vitin 1883, ranë heroikisht dy djemtë kreshnikë të Smajl Martinit, Zef e Gjon Smajli, duke e lënë ketë shtëpi fisnike pa asnjë djal. Është ky moment i hidhët i sakrificës në familjen e Smajl Martinit që e bën Tringën të bëjë betimin dhe të jepte fjalën se do të bëhej burrneshë — trim e fisnik ashtu siç ishte edhe i ati i saj, i cili thuhet se qe rrëmbyer dhe fati i të cilit nuk dihet as sot. Në përputhje me këtë betim të saj, në vend të stolive të asaj kohe për vajzat, Tringa veshë “çakçirë e xhamadan, ngjeshë alltinë dhe rripin e fishekëve dhe në krah vendosë pushkën”.
Në lidhje me pjesëmarrjen e grave malësore –siç ishte Tringa — në luftën për liri e pavarësi të kombit shqiptar fillim shekullin e kaluar, gazeta shqipe, “E Vërteta” që dilte në Stamboll, më 27 Mars, 1911, boton artikullin me titull, “Trimëresha gra malësore”, marrë nga një gazetë turke e kohës dhe e cila vërteton pjesëmarrjen e grave të Malësisë së Mdhe në luftërat për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtuesit e huaj. “Pas lajmeve të veçanta që kemi, u vërtetua se midis kryengritsve malësorë gjënden edhe gra të armatosura si burrat dhe luftojnë me trimëri dhe inat më tepër se burrat, duke dëshiruar më mirë vdekjen se të këthyerit prapa”, shkruante gazeta turke e cituar nga gazeta shqipe “E Vërteta”. Një prej këtyre grave kryengritëse malësore të cilën Posta e Republikës së Kosovës e nderoi me një pullë postare ishte edhe Tringë Smajlja e cila pas rënjes së dy vëllëzrve të saj Zefit dhe Gjonit dhe zhdukjes së babait të tyre Smajl Martinit — varri i të cilit nuk u gjet kurrë — vendosi të zënte vendin e tyre jo vetëm në frontin e luftës por edhe në log të kuvendit. Thuhet se në vend të babait Smajl Martinit, i cili kishte marrë pjesë në Lidhjen e Prizrenit, thuhet se ajo i bashkohet grupit të atdhetarëve malësorë në përpilimin e Memorandumit të Gërçës, ose të Librit të Kuq, ku përcaktoheshin 12 pikat kryesore të kërkesave të shqiptarëve. Prania e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit në atë kohë në Malësi, i jepte kryengritjes se malësorve një karakter dhe mbështetjeje mbarë kombëtare. Malësorët dhe malësoret e fillim shekullit të kaluar, përfshirë edhe Tringë Smajlen, me qëndresën dhe luftën e tyre në mbrojtje të trojeve të veta, ishin bartës të aspiratave të mbarë kombit shqiptar për liri dhe pavarësi, ndërkohë që shumë prej tyre vdiqën duke vendosur flamurin e kombit shqiptar në maje të Deçiqit më 24 mars, 1911. Këtë gjë, siç duket e kishin të qartë edhe më mendjendritur e kombit shqiptar të asaj kohe, me praninë e tyre atje.
Tringa, dallohej si e urtë e trimëreshë sa që me veprat e saja kishte frymëzuar edhe Poetin Kombëtar At Gjergj Fishtën i cili në veprën e tij “Lahuta e Malëcisë” ia dedikon asaj “Kangën e Njëzetedytë”, të titulluar thjeshtë, “TRINGA”. Poeti kombëtar tregon për “vashën” e quajtur Tringë, e cila jetën dhe rininë ie saj ia kushton vëllait të saj të plagosur në luftë me “shkje”. Kujdeset për të, por më në fund i vëllai vdes nga plagët. Tringa mbetet vetëm, ndërsa armiku i afrohet tek dera, ajo megjithëse e tronditur nga vdekja e vëllait, çohet e merr armën, ndërkohë që “një çetë shkjeshë” përpiqet ta kapin në dorë. Por ajo, sipas portretit që i bën poeti kombëtar, Tringa drejton pushkën për të sulmuar armikun dhe i këndon kësaj heroine:
“Hiqi gisht he, bujareshë!
Se njëmend kenke nji bi prej fisit!
Bjeri Shkjaut, bre sokoleshë,
Mu në parzme për mjedisit!
E t’a ndjejë Knjazi n’ Cetinë
Se edhe n’i qitët Shqyptarët ai fare,
Pasha Zotin në Shqypni s’hinë,
Der të jetë gjallë ndoi bi shqyptare,
Që për erz e Besë e Atdhe
Këto edhe vdesin si me le.
Edhe dielli dheut i ra,
Gjallë por Tringa Shkjaut n’dorë s’ra!
Për veprimtaritë dhe luftërat patriotike të malësorve për liri e pavarësi të popullit shqiptar, ndër të tjerë, ka shkruar edhe nglezja Edith Durham e cila ka jetuar me familjet e kryengritsve malësorë shpesh të fshehur nepër shpella. Edhe veprimtaria e Heroines së Maleve, Tringë Smajles kishte marrë dhenë, falë korrespondentëve të disa gazetave të huaja të kohës, përfshirë edhe gazetën amerikane Nju Jork Tajms që e kishte cilësuar Tringën malësore si “Joan of Arc e Shqipërisë”, duke e krahasuar atë me vajzën fshatare franceze e cila sipas gojëdhënës ishte caktuar nga Perëndia për të udhëhequr Francën drejtë fitores në luftën e gjatë të atij vendis me Anglinë në mes të viteve 1400, dhe e cila sot e kësaj dite konsiderohet si simbol i qëndrueshëm i bashkimit dhe nacionalizmit francez. Gazeta Nju Jork Tajms, në korrespeondencën e saj të 9 majit, 1911 nga Cetina, e përshkruan Tringë Smajl Martini Ivezaj, si njërën prej legjendave të Ballkanit dhe heroinave luftëtare më të guximshme në historinë e rajonit, duke shkruar se “Ajo zuri menjëherë vendin e babait të saj dhe udhëhoqi fisin e Martinajve në fitoren kundër Turqve.” Gazeta Nju Jork Tajms e përshkruan këtë “Joan of Arc” të re e cila ende nuk i kishte 22 vjetë, si të “gjatë, të bukur, dhe si një vajzë të re të zhvilluar mirë”. Të gjitha femërat shqiptare janë trimëresha, shkruante gazeta amerikane mbi Tringën dhe se ç’prej moshes së re ato mësohen të përdorin armët.
E vërtetë se Tringa e Maleve ishte trimëreshë dhe e bukur, siç e përshkruan Nju Jork Tajms, por ajo ishte më shumë se aq. Ajo e dinte se trimëria është e nevojshme e dinte se trimëria në vetvete nuk mjafton për t’i sjellur kombit dobi dhe një të ardhme të lumtur afatgjatë. Thuhet se kjo kjo atdhetare, përveç flijimit personal dhe familjar në altarin e Atdheut, Tringë Smajlja që ndryshe njihet edhe si Tringa e Grudës dhe Tringa e Maleve, shkriu tërë pasurinë familjare për të hapur shkolla në gjuhën shqipe në Malësi.
Mirënjohje Postës së Republikës së Kosovës për vendimin e saj për të përjetësuar me pullë postare Heroinën shqiptare Tringë Smajlja, sepse njeh me këtë nismë veprën dhe sakrificën që është përjetësuar dhe vlerësuar atëherë dhe sot nga të huajt dhe nga historia. Në shkrimin mbi Tringën, para më shumë se 100-vjetësh, gazeta Nju Jork Tajms i përshkruan Shqiptarët si “Racën më të mirë në Europë. Gratë e tyre janë shumë të bukura… t’i shikosh duke ecur është një kënaqësi…u kënaqa për së tepërmi kur i pashë për herë të parë Shqiptarët duke ecur. Ata janë të hijshëm, elegantë dhe të fuqishëm, “shkruan korrespeondenti. Ata janë një racë e mirë dhe të talentuar. Ata janë raca më e mirë si nga pikëpamja fizike ashtu dhe intelektuale në Ballkan”. Artikulli vazhdon duke nënvijuar se po të shkosh në Konstantinojë, atje do të zbuloni se ndër burrat më të mirë — jo vetëm në radhë të ushtarëve por edhe në radhët e burrave të shtetit — janë shqiptarët. Njëkohsisht, gazeta Nju Jork, para më shumë se 100-vitesh, fatkeqsisht raporton edhe se “E meta e shqiptarëve për arsye të shkallës së qytetërimit që gëzojnë tani, është se ata nuk e kanë idenë e një shteti. Klani është organizimi i tyre më i lartë dhe e kanë të vështirë të shohin rëndësinë e kombinimit të interesave të klanit me interesat e krijimit të shtetit. Por kjo të ndodhë me kohë” shprehë shpresën gazeta Nju Jork Tajms në artikullin e shkruar më 1911.
Kam drojë se i njëjti korrespondent i huaj, po të vizitonte trojet shqiptare sot, do të vinte re patjetër shumë përparime: do të shikonte dy shtete shqiptare, përparime në shumë fushë, por ama do të vinte re — siç ka venë re më se 100 vite më parë –se interesat e klasës politike të shqiptarve sot, ndonëse nuk janë të bazuara në nivel klanesh fisnore si atëherë, por do të arrinte në përfundimin se interesat janë në bazë të klaneve politike, pasi duke se shqiptarët edhe sot sikurë e kanë të vështirë të vendosin interesat kombëtare mbi interesat e klaneve politike. Por, shpresojmë që siç ka thënë e dhe Nju Jork Tajms 100- e ca vite më parë, se kjo do të ndodhë me kohë, por kur?
Liria që gëzon sot kombi shqiptar ka kushtuar gjak e sakrifica, mund e djerës, vuajtje e mjerime të shumë brezave. Shembulli i sakrificës së Tringës së Maleve dhe familjes së saj — si dhe i mijërave familjeve të tjera shqiptare gjatë shekujsh, anë e mbanë trojeve shqiptare — duhet të shërbejë si simbol i përpjekjeve që edhe sot me urtësi dhe me atdhedashuri, kombi shqiptar të sigurojë vendin dhe emërin e ndershëm në radhë të kombeve të tjera europiane, duke hequr dorë nga interesat e ngushta klanore të partive dhe t’i përveshen interesit të kombit, duke ndërtuar shtetin funksional dhe juridik. Ky do të ishte justifikimi më i mirë dhe më atdhetar për të kujtuar meritat, sakrificat dhe trimërinë e Tringës së Maleve dhe malësorve trima. Në këtë mënyrë, bota do t’i konsideronte shqiptarët, jo vetëm si “raca më e mirë, më e pashme dhe më e talentuara në Europë”, por edhe si një racë me ndërgjegje dhe vetdije kombëtare që nderon e respekton lirinë e vet dhe të fisit, për të cilën luftoi Tringa e Maleve.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Kombin Shqiptar, NJË MALËSORE, qe nderon

JAM ME TY LUIZA!

November 4, 2014 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Florida/
Jam me ty thjesht si prind. Pasi shumë herë gjykohemi për pa aftësi në edukimin e fëmijëve. Unë do thosha se është e pa drejtë. Deri diku, fat. Pa mohuar përpjekjen prindërore. Gjithsecili nga ne, që herët lutet në heshtje të jemi larg nga telashet, sidomos nga fëmijët. Por barra bëhet e rëndë kur kemi përgjegjësi publike. Ashtu si ushtari, nuk kemi më jetë vetjake. Kështu shkruan një poet ballkanas.
Në vendin tone është bërë e udhës, reflektimi në adresë të institucioneve shtetërore, duke mohuar kategorikisht pikërisht angazhimin civil, përgjegjesinë individuale të intelektualit të vërtetë. Për të cilin aq shumë po vuan ai vend. Pra vendi ynë. Duhet të ndryshojmë në raport me institucionin. T’i pasurojmë me përgjegjësinë civile.
Më kujtohet si sot, në marsin e vitit 2010, i vure gishtin Fatmir Mediut për katastrofën e Gërdecit. Këtë e bërë në sallën e Kuvendit. Me të drejtë. Por edhe ai dha dorëheqjen. Pastaj në zgjedhjet e radhës, fitoi. Çuditërisht, kjo ndodhi disa vite më pas me ty. Një lloj ”hakmarrje” e fatit. Sinqerisht më erdhi keq. Ashtu sikur u gjënda tek ty, për kokëfortësinë e fatit. U gjënda më shumë në dhimbjen e familjes që humbi djalin.
Megjithatë, ti vazhdove në fushata elektorale të tjera. Sot Saranda Web, kërkon reagimin minimal. Distancimin tend dhe dorëheqjen. Ndofta është pikërisht ajo përgjegjësia civile për të cilën fola pak më sipër. Eshtë problemi yt.
Unë e kam tek shoqëria në përgjithësi. Shoqëria e shtetarëve tanë. Intelektualëve. Përgjegjësia civile e tyre deri sa nuk kanë jetë vetjake.
Nuk e harroj edhe sot e kësaj dite, kur një këngëtare e njohur, Liljana Kondakçiu, pas problemeve me drejtësinë italiane, burgun etj…, doli në publik në një studio televizive si ajo e Klanit, tu fliste shqiptarëve për eksperincën e saj të shkëlqyer në karrierën muzikore. Prita më kot. Radhë pas radhe tregoi kujtime nga shkuara. U trishtova.
Në fakt, po zhvillohej standarti i mbrapsht i rivlerisimit. I rehabilitimit. Apo i bërjes së nderit midis vedit. Këngëtarja i tha gazetares se as që duhej ta diskutonte problemin me drejtësinë italiane. Ishte aty për tjetër gjë. Një lloj kulture e mbrapsht në vendin tonë. Mungesa e përgjegjësisë.
Nuk ka artistë, intelektualë, apo ku di se çfarë tjetër…., pa përgjegjësi personale, civile të personit publik. Për rrjedhojë s’ka si të ketë as shtet.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, Jam me ty Luiza

PD:Vlerësojmë dorëheqjen e Xhuvanit jo melodramën e shpifur të Ramës

November 4, 2014 by dgreca

Tiranë – Partia Demokratike e vlerëson dorëheqjen e deputetes Luiza Xhuvani, por dënon me forcë “melodramën e shpifur ” në Kryeministrit në këto orë dramatike, pasi bën demoagogji, sulmon opozitën, kur përgjegjësia morale dhe politike është vetëm e tij.
Kreu i grupit parlamentar, Edi Paloka, në një deklaratë para medias në orën 20:10, tha se vrasja e sotme mund të ishte parandaluar nëse vrasësi, Kostandin Xhuvani, person i shpallur në kërkim që me 26 prill të këtij viti se ka kanosur qytetarët me armë në Gjirokastër, do të ishte ndaluar nga policia që atëherë kur u soll me vrik nga Lazarati me mjete të ushtrisë, për t’u përdorur si sulm ndaj opozitës.
Deklarata e plotë e deputetit Paloka.
“Sot ka ndodhur një krim i tmerrshëm, që mori jetën e katër qytetarëve. Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet më të ndjera viktimave dhe gjendet pranë dhimbjes së tyre. Ne inkurajojmë drejtësinë të veprojë me forcën më të madhe të ligjit.
Dorëheqja si deputete e mamasë së autorit të krimit këtë mbrëmje, është një gjest për t’u vlerësuar, ndonëse mbarë opinioni publik e kërkonte këtë me ngulm gjatë gjithë ditës.
Por është e refuzueshme deri në neveri melodrama e shpifur e luajtur nga Edi Rama, i cili rreket që edhe në këtë orë dramatike, kur katër familje janë në zi të thellë, të bëjë demagogji, të përfitojë nga rasti për të sulmuar opozitën, dhe të lajë duart nga përgjegjësia e rëndë morale dhe politike që është sot dhe gjithë ditën e tija dhe vetëm e tija për këtë vrasje të paralajmëruar.
Me paramendim, me një fjalim të shkruar e të lajmëruar që paradite, Edi Rama i diferencon qytetarët e këtij vendi, duke treguar dashuri, përvuajtje, e konsideratë për prindërit e autorit, që janë miqtë e tij, dhe duke lënë në një qoshe e në përcmim 4 viktima, familjet e të afërmit e tyre, të cilët në retorikën e tij të gjatë morën vetëm një rresht.
Në vend të dedikimit përdëllyes për familjen e autorit, Edi Rama duhet të përgjigjet për një fakt që ai e di shumë mirë, për një fakt që nxjerr zbuluar përgjegjësinë e tij për këtë krim, një fakt që po ia risjellim në vëmendje publikut.
Kostandin Xhuvani ka qenë person i shpallur në kërkim nga policia që me 26 prill të këtij viti, për shkak se ka kanosur qytetarët dhe ka qëlluar me armë në lagjen 18 shtatori në Gjirokastër.
Eshtë shpallur në kërkim, por nuk është ndaluar kurrë nga policia. Sepse Konstandin Xhuvani është shpallur në mbrojtje nga qeveria, përpara se të shpallej në kërkim. Sic u shpall në mbrojtje edhe kur iu kundërvu me armë forcave të policisë gjatë operacionit në Lazarat, një fakt i dëshmuar nga vetë Drejtori i Policisë së Gjirokastrës në mediat televizive.
Nëse ligji do të zbatohej njësoj për të gjithë, autori i krimit të sotëm që mori katër jetë do të ishte ndaluar në oborrin e parlamentit, ku u soll me vrik nga Gjirokastra me mjete të ushtrisë, për t’i shpëtuar aksionit të policisë dhe për ta përdorur para kamerave edhe këtë rast si sulm ndaj opozitës.
Nëse Edi Rama nuk do ti bëhej mburojë recidivistit të dënuar për vrasje,
-nëse nuk do të ekzistonte Shqipëria ku kriminelët e lidhur me Edi Ramën kanë imunitet e bredhin lirshëm me pistoletë në brez edhe pse janë në kërkim,
-nëse nuk do të ekzistonte Shqipëria e të tjerëve që bien viktima të fëmijëve të pushtetit,
-Shqipëria ku policia i merr shpirtin qytetarëve të zakonshëm për një tullë, apo për një faturë energjie që nuk e paguajnë dot se s’kanë bukë të hanë
-po ku nderohen banditët e lidhur me qeverinë apo të dënuarit e sjellë deri në Kuvend si deputetë nga Edi Rama,
-atëherë krimi i sotëm mund të ishte evituar.
Rrethanat e krimit të ndodhur janë objekt hetimi i drejtësisë, por ka disa rrethana të tjera që duhet tja themi sot hapur njëri-tjetrit.
Në Shqipëri është instaluar një oligarki e përzier me bandat, si pjellë e aleancës me krimin që lidhi Edi Rama para zgjedhjeve.
Shqiperia nuk do të ketë paqe po nuk shpëtoi nga kjo mynxyrë. Sa më gjatë të sundojë kjo e keqe aq më të mëdha do të jenë dëmet që do të shkaktojë ne jetët dhe shpirtrat e njerëzve dhe mbarë shoqërisë. Tani është koha të reagojmë.
Ora 12:50 Opozita ngarkon qeverinë me përgjegjësi për krimin e paralajmëruar
Vrasjen dramatike të 4 personave në një lokal nate në Tiranë, opozita ia ka ngarkuar si përgjegjësi qeverisë shqiptare duke e cilësuar krim të paralajmëruar, pas të cilit, sipas deputetit Gent Starzimiri, qendron djali i deputetes se mazhorancës, Luiza Xhuvani.
Partia Demokratike ka reaguar ashpër lidhur me masakrën e mëngjesit të sotëm në Tiranë, ku mbetën të vrarë katër persona. Fillimisht reagoi deputeti i PD-së Strazimiri, më pas ish kryeministri Berisha dhe më pas kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Reagimi i Strazimirit
Deputeti demokrat, Gent Strazimiri, denoncoi lehtësitë që sipas tij i krijohen krimit e bandave, dhe represionin e dhunshëm policor ndaj qytetarëve të pafajshëm.
“Kryeministri dhe banda e tij kanë krijuar të gjitha lehtësitë për autorin, djalin e deputetes Xhuvani, që të lëvizë i lirshëm me armë në brez, madje të krijojë edhe një bandë kriminale dhe ta ushtrojë aktivitetin me shantazhe, gjobvënie e vrasje në mes të Tiranës”.
Sipas Strazimirit, autori i dyshuar, djali i deputetes Xhuvani, ka mbështetjen e Policisë, pasi ishte një nga personat që i shpëtoi aksionit të Lazaratit dhe u transportua me mjete ushtarake në Tiranë e u soll në oborrin e parlamentit për t’ia treguar edhe kamerave.
“Në këtë “shtet” që në 13 muaj është bërë armiku i cdo qytetari, cdo qytetar që jeton me djersë e respekton ligjin është fatkeq!Të nderuar motra dhe vëllezër! Koha është tani! Të mbrojmë shtetin nga sulmi i krimit, përpara se të kthehemi zyrtarisht në vitin ’89!” tha Strazimiri.
Basha: Krimi ka hyre nën petkun e qeverisë, të gjithë të gjykohen njësoj
Ndërkaq shefi i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi barazi para ligjit.
“Krimi ka hyre nën petkun e qeverisë. Të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit dhe duhen gjykuar njësoj”.
Kreu i demokratëve thotë se është pikërisht kriminalizimi i parlamentit, që nuk i lë hapësira opozitës për për tu kthyer në Kuvend.
“Parlamenti shqiptar është ilegjitim” thekson Basha.
Berisha:Qeveria ne kembe per te shpetuar vrasesin!
Më herët edhe ish-kryeministri Sali Berisha përmes rrjetit social fb akuzoi qeverinë se është ngritur në këmbë per te shpetuar vrasësin.(BW)

Filed Under: Politike Tagged With: dorëheqjen e Xhuvanit, jo melodramën e shpifur, PD:Vlerësojmë, të Ramës

Luiza Xhuvani la mandatin e deputetes

November 4, 2014 by dgreca

Deputetja e Partisë Socialiste e zgjedhur në qarkun e Vlorës, Luiza Xhuvani, ka lënë mandatin sot pasdite, pas ngjarjes tragjike ku u përfshi i biri i saj, Kostandin Xhuvani, ku u vranë 4 përsona, njëri shtetas italian.
Kostandin Xhuvani u arrestua nga policia dhe Prokuroria e Tiranës po heton me shpejtësi ngjarjen e rëndë ku në të gdhirë, 4 persona humbën jetën si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit.
Sipas hetimeve paraprake, Kostandin Xhuvani, mbetet i dyshuari kryesor, bashkë me 3 persona të tjerë.
Deputetja Luiza Xhuvani, doli sot pasdite në një deklaratë për mediat në Kryeministri, ku theksoi: “Dhimbja e një nëne që e ka të pamundur të marrë përsipër fajin e së birit. Edhe unë e dhe Gjergji përfaqësojmë një familje që nuk ka asnjë lidhje me krimin. Çdo prind dëshiron më të mirën për fëmijën e vet, por me sa duket kemi qenë të pafat në këtë drejtim. Kjo nuk ka lidhje me familjen e Kostandinit, as me prindërit e tij, as me mandatin që nëna e tij përfaqëson.Janë 4 familje që sot vajtojnë, dhe kërkojnë drejtësi, dhe drejtësia duhet të bëjë drejtësi, e duhet t’i trajtojë të gjithë si të barabartë. Kostandini është djali im, e do të jetë djali im, e një nënë duhet të jetë në krah të djalit të saj. Në pamundësi për t’i shërbyer zonës që përfaqësoj, kam kërkuar dorëheqjen nga kryeministri. Mos i ndodhtë asnjë prindi ajo që më ka ndodhur mua, e mos i ndodhte akujt ajo tragjedi që i ka ndodhur kësaj familje ”.
Kryeministri, Edi Rama, e ka vlerësuar si etik aktin e deputetes dhe ka deklaruar se drejtësia do të jetë e barabartë për të gjithë pa dallim.
Duke marrë fjalën pas znj. Xhuvani, Kryeministri Edi Rama u shpreh se drejtësia do të veprojë ndaj kujtdo që thyen ligjin dhe se të gjithë janë të barabartë. Kryeministri vlerësoi punën e policisë së shtetit për kapjen në kohë reale të autorëve të ngjarjes tragjike, ndërsa shprehu mbështetjen dhe për familjen Xhuvani në këtë moment të vështirë.
“Kjo histori papastërtie sociale ka krijuar idenë tek njerëzit se ka një ligj për fëmijët e tyre dhe një tjetër për fëmijët e politikanëve. Një shtet për ata dhe një shtet tjetër me autorë politikanë, zyrtarë, një Shqipëri për fëmijët e njerkës popull dhe një Shqipëri për fëmijët e nënës politikë. Unë di me siguri që koha e dyfytyrësisë ka përfunduar në 23 qershor”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se Kostandin Xhuvani do ta ketë shumë të gjatë rrugën e kthimit në shtëpi, duke u shprehur se ligji do jetë i barabartë për të gjithë. Kryeministri Rama theksoi se katër familjet kërkojnë tashmë drejtësi, ndaj “duhet të presim me qetësi vendimin e drejtësisë”. Duke folur për të birin e Luiza Xhuvanit, Konstandinin, ai e ka cilësuar si “tragjedia e gjallë e dy prindërve të pamerituar”, i cili është produkt i një keqqeverisjeje që ka prodhuar kriminalitet.
“Ai nuk është fëmijë por një burrë 26 vjeç tragjedia e gjallë dhe e pamerituar e dy prindërve të mrekullueshëm. Gurët e mbushura plot të zbrazur ndaj Luiza Xhuvanit i përkasin jetës së ulët, gruaja dhe nëna që i ra fatkeqësia ta jetojë në çdo qelizë të vërtetën e shprehjes “ç’të bën fëmija s’ta bën as perëndia” i përket jetës së lartë prej nga erdhi në politikë. Dy prindër tragjikisht fatkeq, jeta e tyre familjare është një film tragjik me një vajzë të mrekullueshme dhe një djalë që do ta ketë shumë të gjatë rrugën e kthimit për në shtëpi”, tha Rama.
Rama: Shëmbull dinjitoz i Luiza Xhuvanit
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetin social, shpreh dhimjen për humbjen e katër të rinjve në ngjarjen tragjike sot në kryeqytet, ndersa cilëson si një shembull dinjitoz dorëheqjen e deputetes Luiza Xhuvani.
Shefi i qeverisë ka postuar pas thenies “shëmbull dinjitoz i Luiza Xhuvanit “, fjalën e plotë të saj në konferencën e mbajtur të martën pasdite për median .
“Fjalët nuk më mjaftojnë për të shprehur dhimbjen dhe drithërimat e shpirtit! Dhimbje për katër jetët e humbura! Dhimbje për familjarët e atyre, që sot vajtojnë bijtë, që nuk jetojnë më! Sigurisht, dhimbjen e një nëne që sot e ka të pamundur të mbajë fajet e të birit.
E kuptoj se, sot, gjëja më e lehtë dhe e thjeshtë është të fajësosh prindërit e familjen e Kostandinit. Edhe pse nuk bëhet fjalë për një fëmijë, por për një burrë 26 vjeç. Edhe unë, edhe Gjergji përfaqësojmë një familje që nuk ka asnjë lidhje me krimin. Të dy njerëz të lidhur me artin dhe kulturën, të përkushtuar ndaj profesionit. Prindër, që si çdo prind dëshiron më të mirën për fëmijët e vet, por mesa duket paskemi qënë të pafat në këtë drejtim.
Ngjarja e ndodhur sot në të gdhirë është një ngjarje tragjike. Por ajo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen e Kostandinit. Nuk ka lidhje as me prindërit e tij, as me mandatin që unë, nëna e tij, ushtroj.
Janë 4 familje që sot vajtojnë humbjen e njerëzve të tyre më të shtrenjtë.
Janë 4 familje që sot kërkojnë drejtësi.
E drejtësia duhet të bëjë drejtësi.
Drejtësia duhet t’i trajtojë të gjithë të barabartë përpara ligjit.
Kush është prind më kupton. Kush është nënë më kupton edhe më mirë. Kostandini është djali im dhe pavarësisht të gjithave do të mbetet djali im.
E, pikërisht, se një nënë duhet të gjendet pranë fëmijës edhe në momente tragjike si këto, me bindjen se drejtësia duhet të veprojë me rreptësi ndaj çdokujt që shkel ligjin edhe kur behet fjalë për fëmijën tënd, për t’i hequr çdolloj alibie çdokujt që mund t’i shkojë nëpër mend se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, në pamundësi për të vazhduar t’i shërbej dhe t’i dedikohem zonës që më ka zgjedhur, duke kërkuar ndjesë, i kam paraqitur Kryeministrit të vendit dhe Kryetarit të PS, dorëheqjen time si deputete e Sarandës.
Mos i ndodhtë asnjë prindi kjo që më ka ndodhur mua. Mos i ndodhtë askujt ajo tragjedi që ka ndodhur sot në të gdhirë, Jam nëna e Kostandinit dhe ai do të jetë gjithmonë biri im. Nuk mund ta mohoj se ai është gjaku im.
Do të tërhiqem në thellësinë e dhimbjes me peshë të parehabilitueshme. Drejtësia le të bëjë drejtësi!”, mbylli fjalën e saj në dhimbje Luiza Xhuvani, postuar nga Kryeministri Rama.

Filed Under: Kronike Tagged With: i biri, jep doreheqjen, Kostandini, Luiza Xhuvani, vrau 4 persona

Altercation In Nightclub Leaves 4 Dead In Albania-

November 4, 2014 by dgreca

Altercation In Nightclub Leaves 4 Dead In Albania/
Four people, including an Italian citizen, have been killed as gunshots were fired in the early hours of Tuesday morning in the Albanian capital Tirana following an altercation in a nightclub, authorities said.
The Tirana police said in a statement that Kostandin Xhuvani (25), the son of the Albanian ruling party’s (Socialist Party) member of Parliament, Luiza Xhuvani, was one of the three detained as suspects.
Kostandin Xhuvani was sentenced to two years in prison in 2011 for a “murder committed in excess of the limits of necessary defense.”
The 60-year old Italian victim did not have anything to do with the altercation, according to the private Albanian TV station Top-Channel.
Djali deputetes socialiste Xhuvani vret 4 persona dhe plagos dy të tjerë

Njoftimi zyrtar i Policise se Tiranes

Ora 08:16 Ditën e sotme rreth orës 04:00 shërbimet e policisë morën njoftim se në bar “Ante Grand”e ndodhur në rrugën e “Elbasanit” në Tiranë në një lokal nate, ka pasur të shtëna me armë zjarri.
Menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë shkuar shërbimet e policisë duke bërë rrethimin e lokalit, të zonës përreth, shoqërimin e personave prezent në vendngjarjes. Nga hetimi paraprak ka rezultuar se në këtë lokal nate pas një konklikti të çastit midis disa shtetasve, konflikt i cili më pas ka denigruar me armë zjarri, ku për pasojë kanë gjetur vdekjen 4 shtetas:
1. Edison Jaho , vjeç 36, lindur në Berat dhe banues në Tiranë.
2. Enea Xhaj , vjeç 38, lindur në Berat dhe banues në Tiranë.
3. Arber Demiraj, 19 vjec, lindur dhe banues në Tiranë.
4. Paolo Azzolo, 60 vjec, me shtetësi dhe kombësi italianë.
Menjëherë në vend ngjarje, ka mbërritur grupi hetimor i përbërë nga ekspertë kriminalist, oficerët për Krimet e Rënda, Prokurori i gatshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, të cilët adminstruan dhe sekuestruan provat në vendin e ngjarjes.
Nga veprimet e shpejta të policisë është bërë kapja në kohë reale e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje, të cilët janë shtetasit :
• Konstandin Xhuvani, 25 vjeç, Erald Sida 24 vjeç, si dhe Albano Ballcaj, 19 vjeç, si dhe janë shoqëruar shtetas të tjerë prezent në ngjarje.
Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri të llojit pistolete, 3 gëzhoja fishekësh luftarak si dhe dy automjete të markes Mercedes Benz më targa “TR0250N”.
Aktualisht, nga strukturat e policisë po vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë…
Viktimat
Edison Jaho, 36 vjeç lindur në Berat dhe banues në Tiranë
Enea Xhaj , 38 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë
Arber Demiraj, 19 vjec, lindur dhe banues në Tiranë
Paolo Azzolo, 60 vjec, me shtetësi dhe kombësi italiane
Autorët e dyshuar të krimit
Konstandin Xhuvani, 25 vjeç, djali i deputetes te PS, Luiza Xhuvani
Erald Sida 24 vjeç
Albano Bllacaj, 19 vjeç

Filed Under: Kronike Tagged With: 4 Dead, Altercation In Nightclub Leaves, in Albania

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • …
  • 69
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT