• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2015

Reagim i vakët i institucioneve të shtetit

February 23, 2015 by dgreca

Të thuhet se qytetarët e Kosovës po hanë krunde në vend të bukës dhe të mos aktivizohet i tërë aparati kompetent për të hetuar këtë shqetësim, kjo vetëm sa e forcon dyshimin për përzierje të njerëzve të profilit të lartë në këtë “ krim” të papresedan/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Nga java e shkuar mediat aktivizuan alarmin për një ngjarje që pak kush e ka pritur se do të mund të ndodhte dhe që në asnjë mënyrë nuk do të guxonte të ndodh në një shtet normal. U dha alarmi se qytetarët e Kosovës një kohë të gjatë në vend të bukës po hanë krunde dhe merre me mend deri me tash kemi vetëm një deklaratë të të parit të qeverisë se kërkon një informacion lidhur me këtë dukuri si dhe të ministrit për financa që, po ashtu, kërkon të njëjtën gjë. Ky reagim i vakët i institucioneve të shtetit vetëm sa e forcon edhe më fuqishëm dyshimin së në këtë “ krim” janë të përzier edhe profile të larta të shtetit të Kosovës. Po e them këtë se po të ndodhte në ndonjë shtet tjetër një dukuri e tillë jam i sigurt se do të aktivizoheshin e gjithë aparatura kompetente për të hetuar në detaje prejardhjen e grurit dhe përbërjen substanciale të këtij ushqimi që, në rend të parë, e përdorin qytetarët e vendit tonë. Ndoshta ka filluar të punohet diçka në këtë drejtim, mirëpo kjo nuk është transparente karshi qytetarëve të cilët tash e disa ditë jetojnë e presin në panik se çfarë mund të ndodh me ta për shkak të përdorimit të këtij lloji gruri për ushqimin e familjeve të tyre. Pavarësisht se këto mund të jenë supozime, megjithatë, kjo nuk është shaka dhe institucionet e shtetit duhet që për çdo ditë të japin informacione se çfarë është duke u punuar dhe deri në çfarë shkalle kanë arritur hetimet e para në këtë drejtim.
Pse shukat prokuroria?!…
Pos inspektoratit përkatës që duhet të punojë natë e ditë për të hedhur në dritë të vërtetën e hidhur për këtë dukuri të papresedan, për mua është e pakuptimtë se përse deri me tash nuk është aktivizuar edhe prokuroria, policia dhe organet tjera kompetente. Të thuhet se qytetarët në vend të qumështit të lopës po përdorin qumësht pluhur dhe në vend të bukës po hajnë krunde, ndërsa në anën tjetër këto organe nuk e ndërmarrin asnjë hap, kjo është e patolerueshme dhe e pafalshme. Prokurori i ri i shtetit pas zgjedhjes së tij në këtë post ët lartë, bukur shumë i dha “ zjarr” se do të punoj shumë në çrrënjosjen e shumë dukurive negative që janë prezente pothuajse në të gjitha poret e jetës dhe të punës, mirëpo mos aktivizimi i tij, përkatësisht qëndrimi i tij inferior karshi kësaj dukurie mjaft serioze, lë shumë për të dëshiruar se ai do të jap kontribut të rëndësishëm në këtë fushë . Puna dhe aktiviteti i Prokurorisë së shtetit në këtë moment do të duhej të përqendrohej edhe në punën, përkatësisht lëshimet që janë duke u bërë në doganë nga kuadro të larta, të cilët nuk e bëjnë pa u shpagua nga firmat e mëdha, sidomos nga ato që kanë monopol në shumë fusha të veprimtarisë ekonomike. Një fjalë popullore thotë se të keqes duhet me i ra në kokë për ta zhbë, ndërsa institucionet dhe organet kompetente të shtetit të Kosovës duhet merren me njerëzit e “ fort” që vendin e kanë sjell buzë greminës. Kjo mund të ndodh vetëm nëse ka guxim e vullnet. Ndryshe perspektiva për një jetë më të mirë e më të shëndetshme për qytetarët tanë dukët mjaft e zymtë.
Sa paguajnë devollët tatim për dhjetë mijë të punësuar?
Në një reagim të vëllezërve Devolli, të cilët mirëpresin një hetim për këtë alarm të ngritur, e thanë edhe këtë se më këtë “fushat” që po bëhet po rrezikohen të ardhurat e dhjet mijë familjeve në Kosovë. Kjo mund të kuptohet se në kuadër të kësaj kompanie janë të punësuar dhjet mijë punëtorë. Edhe këtu ka hapësirë për të hetuar se a kanë të gjithë këta të punësuar kontrata të punës dhe apo e paguajnë të gjithë tatimin e obliguar në të ardhura personale. Apo ndoshta shumë prej tyre punojnë në të “zezë” duke iu shmangur obligimit që kanë ndaj shtetit.
Dhe krejt në fund: Qytetarët e vendit tonë nga fillimi i këtij viti u ballafaquan me dy dukuri mjaft të rënda dhe të papërballueshme. E para ishte braktisja e mijëra familjeve në vendet e perëndimit , ndërsa e dyta “afera” e grurit dhe qumështit. Inshalla nuk ndodh edhe ndonjë ngjarje tjetër që do të fut panik e pasiguri tek qytetarët tanë. E mira e së mirës do të ishte që qeveria dhe organet e saj të jenë më transparente, sepse tek e fundit ata janë të obliguar edhe me aktin më të lartë të vendit- Kushtetutës që të punojnë për të mirën e vendit dhe prosperitetin e qytetarëve të saj. Përkundër këtij obligimi reagimi ishte mjaft i vakët. Të shohim se çfarë mund të ndodh në ditët në vijim…

Filed Under: Analiza Tagged With: i institucioneve, Reagim i vakët, të shtetit, Xhavit Citaku

Dy futbollistë të vjetër shqiptaro-amerikanë, drejtues të ekipit kombëtar shqiptar, U-21

February 23, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/
Ishte një befasi e këndshme takimi i ditës së sotme me dy futbollistë të vjetër, zotërinjtë Skënder Gega {ish futbollist i ekipit të “Partizanit”}, dhe zotit Gut Tafaj, {portier i ekipit të “Tiranës”}, sportistë me emër në historinë e futbollit shqiptar, për talentin dhe spektaklin që i kanë dhuruar dashamirësve të këtij sporti para dhe pas viteve ’80. Një takim moshatarësh, që na riktheu kujtimet e atyre viteve. Komanda e Forcës Detare, ku unë punoj, e vendosur tashmë në ambientet e Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëvë në Plepa, më mundëson të sodis jo vetëm qytetin bregdetar të Durrësit, por dhe detin që e rrethon, duke më lehtësuar punën time si gazetar i kësaj fushe. Por sot, në shëtitjen e radhës përjetova surprizën më të këndshme të këtyre ditëve. Nuk më shkonte në mëndje që pas 30-të e ca vitesh, të takoj këta yje të futbollit shqiptar. Në kufirin midis Shtëpisë së Pushimit dhe Kompleksit “Tropikal” pashë dy burra me trup atleti që po shëtisnin duke biseduar për detin, mjedisin dhe ndotjet që kishte krijuar moti i këtyre ditëve. Vitet bëjnë të vetën, por tek Skënderi dhe Guti, vec thinjave, pashë energjinë dhe zhdërvjelltësinë e moshës së rinisë. Dukej qartë që ata nuk e kishin lënë sportin e tyre të dashur dhe në këtë moshë. Një takim bashkëmoshatarësh që na riktheu në vitet tona të rinisë, kur ata si futbollistë por dhe unë si ushtarak vraponim nga ishKavaleshenca në Golem e kthim, ku vec jodit shijonim natyrën e virgjër me plot pisha dhe rërë të pastër të këtij bregdeti. Ndjemë keqardhje për situatën e tanishme të ndotjes mjedisore. Dhe fotot që bëmë nuk ja cuam fëmijëve tanë në SHBA. Na vjen vërtet keq për këtë situatë thotë Skënderi, se ne po përpiqemi të sjellim sa më shumë turistë Amerikanë në vendin tonë. Mbase do përmirësohet në muajt në vijim, ja ktheu Guti. Më pas biseda vazhdoi për futbollin shqiptar dhe përgatitjen e brezave të rinj në këtë sport të parapëlqyer të bashkëkombasve tanë kudo që janë. Tashmë Skënderi dhe Guti jetojnë familjarisht në SHBA, ku dhe atje janë të angazhuar me këtë sport, por aktualisht federata shqiptare i ka thirrur ata të grumbullojnë e stërvisin kombëtaren shqiptare të U-21. Është zgjidhja e duhur të vendosësh në krye të juniorëve shqiptarë këta yje të futbollit shqiptar. Futbollistë të talentuar dhe me përvojë që kanë cfarë ti japin ekipit tonë të të rinjve. Stërvitje, disiplinë, kolektivitet, pasion, garë të fortë sportive, kjo është motoja që karakterizon skuadrën tonë të U-21. Dhe për këtë po punojnë intensivisht dy trajnerët tanë, Skënderi dhe Guti, që nga New Jersey i SHBA, me përkushtim e profesionalizëm po përgatisin kombëtaren tonë të të rinjve për sfidat e radhës. Në këtë ditë shkurti, bashkë me kolegët e mi detarë, i uruam me zemër fitore e përfaqsim dinjitoz në kampionatin evropian kombëtares sonë të U-21, të drejtuar nga dy përfaqësues të denjë të futbollit shqiptar, por dhe qytetarë të nderuar në SHBA.

Filed Under: Sport Tagged With: Gut Tafaj, Shefqet Kercelli, Skender Gega, U-21

Reforma e emigracionit në SHBA

February 23, 2015 by dgreca

Urdhëri ekzekutiv i Presidentit Obama për mbrojtjen nga deportimi të miliona emigrantëve pa dokumenta duhet të kishte hyrë në fuqi këtë javë, por është pezulluar pasi një gjykatës federal e bllokoi atë. Siç njofton korrespondenti Michael Bowman, beteja ligjore sapo ka filluar, dhe si mbështetësit ashtu edhe kundërshtarët e urdhrit të njëanshëm të presidentit nuk tregojnë shenja se do të lëshojnë terren.
Në komunitetet e emigrantëve ra një hije e zymtë gjatë seminarëve që po zhvilloheshin për të ndihmuar emigrantët pa dokumente të përfitonin nga urdhëri i presidentit. Kjo nismë është pezulluar tashmë. Në Arizona, Idalia Cervantes shpresonte se prindërit e saj të lindur në Meksikë do të mbroheshin nga deportimi. “Jemi zemërthyer tani. E morëm vesh në mesnatë, dhe na filluan lotët.” Pak orë më vonë erdhi dhe konfirmimi nga Shtëpia e Bardhë. “Nuk do ta injorojmë këtë vendim të gjykatës federale. Pra, nuk do të pranojmë aplikime derisa të qartësohet kjo çështje.” Sipas drejtorit për studime ligjore të Universitetit të Masaçusets, Paul Collins, do të duhet kohë për një zgjidhje përfundimtare. “Ligji në të vërtetë nuk është bardhë e zi. Nëse do të çohej në Gjykatën e Lartë dhe ata do të pranonin të merreshin me çështjen, atëherë do të duhet rreth një vit kohë.” Deri atëherë, do të mbizotërojë pasiguria për të huajt pa dokumente, si Steven Rodriguez, i cili u soll nga Meksika në SHBA kur ishte foshnjë, dhe nuk mundet të punojë ligjërisht tashmë që është në moshë madhore. “Nëse dal të kërkoj punë, nuk më punëson askush.” Kongresi nuk ka mundur të bjerë dakord për një plan reforme të sistemit të emigracionit, për të cilin pothuajse të gjithë mendojnë se duhet ndryshuar. Por, mosveprimi legjislativ nuk justifikon veprimin e tepruar ekzekutiv, thotë kongresmeni republikan Lamar Smith. “Presidenti tha se do t’u jepte leje pune, leje qëndrimi, dhe të drejtën për të marrë përfitime nga qeveria federale. Kjo është pika ku unë mendoj se ai e teproi.” Pavarësisht protestave, zyrtarët në shtetet që paraqitën padinë gjyqësore thonë se ata janë duke mbrojtur rendin kushtetues. “Ky është një parim i rëndësishëm kushtetues që shtrihet përtej thjesht çështjes së emigracionit. Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk mundet të veprojë në mënyrë të njëanshme për asnjë çështje ligjore”, thotë Mark Brnovich, prokuror i përgjithshëm në shtetin Arizona. Presidenti Obama nuk zmbrapset nga qëndrimi i tij. “Mendoj se kemi me vete ligjin, dhe historinë në anën tonë. Ne do ta apelojmë këtë vendim. Do të jemi gjithashtu të përgatitur që ta zbatojmë këtë urdhër plotësisht sapo të qartësohet aspekti juridik.” Deri në këtë moment, historiku juridik duket se favorizon pozicionin e zotit Obama. “Gjykatat federale kanë qenë përgjithësisht në mbështetje të politikave të qeverisë federale për emigracionin, në veçanti kur janë paraqitur padi nga autoritetet e shteteve. Kështu që atyre do t’u duhet të bëjnë një betejë të fortë.” Për grupimet e emigrantëve lind detyra të bindin emigrantët pa dokumenta të mos vetëizolohen, por të qëndrojnë të angazhuar. “Unë do ta vazhdoj këtë betejë, ndërkohë që e di se kam të gjithë komunitetin që më mbështet, derisa të sigurohem se prindërit e mi do të qëndrojnë në këtë vend.”
Marrë nga VOA, 21 shkurt 2015

Filed Under: Featured

KERCENIMI I PUTINIT NDAJ STABILITETIT TE KUFIJVE EUROPIAN ESHTE SHUME I VERTETE

February 23, 2015 by dgreca

Nga Liam Fox/*
Perktheu per Diellin- GJON KADELI/
Kriza e tashme ne Ukraine asht pjese e nji procesi te vazhdueshem, qe asht zhvillue gjate vjeteve te fundit. Besimi qe duket se ka Kremlini, se Ruset qe banojne ne vende te tjera, duhet te mbrohen nga nji force e jashtme, asht plotesisht e paperputheshme me ligjin nderkombetar.
Rusia ka perdorun konfliktin ne Ukraine, per te provue, sisteme te reja armesh, ne token e Ukraines. Aneksimi i Krimes me force, e ka afrue mundesine e nji ballafaqimi ushtarak ne Europe, ma afer, se asnjihere ma pare, qe nga koha e perfundimit te Luftes se Ftohet.
Vazhdimi i pjesmarrjes se forcave Ruse ne Ukraine, e shton edhe ma teper, tensionin ne ate zone, dhe duhet te shikohet, si nji paraljmerim, edhe nga ata njerez, te vendeve Perendimore, qe mund te simpatizojne Putinin.
Kriza e tashme ne Ukraine, nuk asht nji rast i vecante,por nji pjese e nji procesi te vazhdueshem disacjecare. Tuej vazhdue keshtu, Rusia, nuk po rrespekton, rregullat dhje normat nderkombetare, te cilat cdo shtet, asht angazhue t’i respektoje Doktrinat e Luftes se Ftohet:
E para e ketyne asht, se Putini ende vazhdon te zbatoje doktrinat e Luftes se Ftohet; gjana keto,qe e cojne ate drejte nji perpasjeje me vendet e botes se lire. Ne menyre te vecante, perdorimi i vetos, lidhun me politiken e jashtme dhe te sigurise, persa u perket, vendeve
te tija fqinje, asht nji mbeturine, te ciles i ka kalue koha.Ose te
pakten duhett’i kete kalue.koha.
Shume prej ish-shteteve satelite sovjetike, si per shembull Polonia,ose shtetet Baltike, u kthyen ndaj Perendimit, pikerisht, sepse ato besuen se shtetet sovrane, duhet te jene te lira, te vendosin vete per fatin e tyne. Ky asht nji koncept qe Ruset nuk e pranojne, dhe
arsyetimi qe Putini perdor, per veprimet e tijane Ukraine.
Ukraina shqyrtoj mundesine, per marredhanje ma te ngushta, politike e ekonomike me Bashkimin Europian. Kete gja Putini nuk e pranoj, dhe si rrjedhim, pushtoj Krimene, qe ishte pjese e Ukraine, shtet sovran. Gjithashtu, besimi qe duket se ka Kremlini, se Ruset etnike,
pavaresisht se ku banojne, duhet te mbrohen, jo nga ligjet, ose kushtetutat e vendeve ku banojne, por nga nji force e jashtme, domethane nga Rusia. Nji gja e tille, asht krejtesisht ne kundershtim me ligjin nderkobetar. Asht ky ndryshjim themelor, qe e bane, dhe do
te vazhdoje t’a baje, shume te veshtire, normalizimin e marredhanjeve ndermjet Rusise dhe Perendimit.
Kryengritesit qe perkrahen nga Rusia, kane nji sistem mjetesh mbrojtese, dhe nji program stervitjesh dhe manovrash, te organizueme nga Rusia, ku perfshihen ma se nji mije instruktor Ruse.Kjo gja duhet t’i jap shejin Perendimit, per rrezikun qe i paraqitet.
Do te ishte gabim te pretendohet, se kjo gja, ka te baje, thjeshtesisht, me sovranitetin dhe mireqenjen e popullit Ukrainas.
Pavaresisht se sa me randesi, asht kjo gja; pergjegjeja ndaj krizes ne Ukraine, asht ne pjesen ma te madhe, besueshmenia ndaj Perendimit, dhe ne menyre te vecante NATO-s.
Kercnimi i Putinit ndaj kufijve te Europes asht i pamohueshem. Nga zona e Baltikut e ne Balkan, e deri ne pjesen jugore te Kaukazit, Rusia po siguron baza te randesishme specifike, nga te cilat mund te distabilizoje NATO-n. Prandaj NATO-ja duhet te marri kundermasa, per
te mrojtun kufijte e saj.
*Liam Fox asht nder te tjera edhe antar i Parlamentit Britanik

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon kadeli, Kercenimi i Putinit, Liam Fox

Ne megjithatë do të fitojmë përsëri

February 23, 2015 by dgreca

Nga Uk LUSHI/
Keqqeverisje. Keqdrejtim. Vjedhje. Korrupsion. Varfëri. Skamje. Ligështim. Dëshpërim. Dorëzim. Këto janë disa nga fjalët që faniten si fantazma mbi ekzistencën tonë në mesin e dekadës së dytë të shekullit XXI kudo jetojmë shqiptarët në Ballkan. Pavarësisht rrezikshmërisë së pranisë së këtyre fjalëve në ligjërimin dhe realitetin e një populli, fjala më e errët dhe me rrezik vdekjeprurës nuk ishte thënë zëshëm ndonjëherë. Por, këto javët e fundit, edhe fjala, të cilën çdo shqiptar dhe shqiptare duhet ta luftojë si murtajën dhe deri në zhdukje nga fjalori i përditshmërisë sonë, gjeti ca vrima në bedenet e e kështjellës së kombit shqiptar dhe bile po tenton të ulet këmbëkryq me ne siç ulet xhebraili me dikë që do t’i marrë shpirtin. Fjala në fjalë është fjala pashpresë dhe— po— popujt që humbin shpresën vdekjen e kanë alternativë të pashmangshme.
Është e vetëkuptueshme që kur në TV apo Internet transmetohen skena që tregojnë ikjen nga vendlindja të qindra-mijëra shqiptarëve, fillikat apo me foshnje gjegjësisht me fëmijë njomakë ngryk, duke rrezikuar jetët e veta dhe të pasardhësve të tyre ndërsa kapërcejnë këneta plot me llucë dhe lumenj me ujin akull deri në fyt, vetëm që të arrijnë të hyjnë brenda kufijve politikë të Bashkësisë Europiane, njeriu nuk ka si të mos trishtohet dhe eventualisht të mëkatojë në ballafaqimin me tundimin e humbjes së shpresës. Shpresa përpëlitet mes jetës dhe vdekjes sidomos kur njeriu i informuar e di që pamjet pikëlluese të ikanakëve nga Kosova janë ato që kanë marrë vëmendjen e mjeteve të informimit dhe medieve aktualisht, por assesi nuk janë të vetmet. Ikje të shqiptarëve ka edhe nga Ulqini, Tuzi, Presheva, Kumanova, Shkupi, Gostivari, Gjirokastra, Berati, Durrësi, Tirana, e Kukësi. Herë me heshtje e herë me gjurulldi, gati çdo ditë, shqiptarët ikin nga çdo cep i atdheut, sa që sot, mund të thuhet pa drojë gabimi: jashtë trojeve shqiptare jetojnë mbi një e treta e popullit shqiptar. A janë këto fakte një gjëmë për të cilën duhet t’i çojmë duart lart dhe të fillojmë kukatjen?! A jemi afër fundit tonë si popull dhe civilizim?!

Jo! Jo dhe jo! Kapitullimin shqiptar nuk mundet dhe nuk do të guxoj ta nënshkruaj askush.

Populli shqiptar gjithherë duhet të ketë pjestarë që jetojnë dhe veprojnë në botë, mirëpo njerëzit tanë do të duhej të largohen nga tokat stërgjyshore atëherë kurnga vendet tjera mund të kontribuojnë më shumë për popullin shqiptar apo atje të realizojnë veten në gjëra që nuk janë të mundshme në atdhe. Momentalisht shqiptarët që po braktisin trojet tona në Ballkan janë duke u larguar sepse gjendja politiko-ekonomike është e zymtë dhe përgjegjësia për këtë nuk është e të gjithë neve, por e shumicës dërmuese të kastave që janë në krye të organeve dhe institucioneve partiako-shtetërore. Drama e të larguarve të zhgënjyer nga të katër anët e mëmëdheut duhet të shërbejë si një katarsis i pranimit të dështimeve kalimtare të shteteve shqiptare. Pra, ikjet e bashkëkombasve tonë janë dëshmitë që vërtetojnë përtej çdo dyshimi të bazuar se jemi në krizë. Porse, bazuar në përvojat e mëhershme historike— tonat dhe të tjerëve— krizat janë situata kritike gjatë të cilave kombet dhe popujt mund të ndërrojnë kurs dhe të fillojnë (ri)ngritjen, prandaj tautologjikisht për ne janë duke rënë këmbanat e fundit për ndërrim drejtimi.
Ndryshimi i parë urgjent që duhet të bëjmë është ndalimi i përgjithësimeve të stilit të gjithë jemi një lloj; të gjithë jemi të prishur; të gjithë jemi përgjegjës— gjeneralizime këto, të cilat, pastaj, rrjedhin në segmente tjera si fjala vjen: të gjithë politikanët janë hajdutë; të gjithë intelektualët janë të përfshirë në rrjete klienteliste; të gjithë gjykatësit dhe prokurorët shiten; të gjithë punëtorët janë dembelë, e të tjera budallallëqe të përngjashme. Këto (para)gjykime të padrejta lënë të kuptohet që gjoja ne shqiptarët posedokemi gjene të cilat na pengojnë të jetojmë në shtete me rend dhe ligj. Një pikëpamje e këtillë gjithsesi që është e pasaktë dhe raciste. Njeriu me mendje të shëndoshë nuk ka nevojë të rrëmojë shumë prapa që të gjejë raste konkrete të cilat lehtësisht hedhin poshtë kësi tezash të gabuara gjeneraliste. Le të përkujtohen si prova sakrificat e mijëra martirëve heronj si Arben Broci nga Shkodra, Antigona Fazliu nga Gradica e Drenasit, Ismail Mehmeti nga Drenoveci i Tetovës apo Tahir Sinani nga Gria e Bujanit. Për persona të tillë që nuk pranojnë flijimin për të mirën publike si aktin më të lartë (!!), ka edhe heronj të gjallë dhe krejt të zakonshëm që poashtu hedhin poshtë tezën e futjes së të gjithë shqiptarëve në një thark derrash të ndyer dhe diabolik që nuk do të arrijnë stabilitetin dhe progresin kurrë. Sa për ilustrim dhe sigurisht duke u hyrë në hak qindra-mijëra shqiptareve dhe shqiptarëve të dobishëm dhe punëtorë, që sillen dhe kontribuojnë si qytetarët e vendeve më të mira, le të theksohen katër femra tonat: Dr. Mira Mezini, profesoreshë e informatikës në Universitetin e Darmstadt-it në Gjermani, të cilës para ca kohe Këshilli Europian për Studimet Shkencore i akordoi çmimin “ERC Advanced Grant” prej 2 milionë eurosh për të vazhduar punën e çmueshme akademike; Majlinda Kelmendi, kampione botërore në xhudo, e cila ka reprezentuar edhe Republikën e Shqipërisë edhe të Kosovës në evenimentet madhore globale sportive; dhe, së fundi, dy zonjusha studente në Universitetit të Prishtinës, Gentiana Desipojci dhe Blerta Likaj, të cilat po të ishin në vende përendimore korporatat e sukseshme do t’u ofronin qindra-mijëra dollarë apo euro për aplikacionin e tyre kreativ përmes të të cilit kandidatët për vendstudim mund të shohin në kohë reale rangimin e tyre dhe nëse nuk duan që shënimet e tyre të mbahen në DropBox, Google Drive apo MS Drive, aplikacioni i vajzave inteligjente prospektuesve u mundëson t’i vendosin të dhënat në ownCloud duke ruajtur kështu pronësinë. Shqiptarët e mirë janë me miliona, shqiptarët përgjegjës dhe keqbërës janë në dhjetra-mijëra apo shprehur matematikisht— për çdo shqiptar të keq, në anën e kundërt, janë 100 shqiptarë të mirë. Semantika e gjuhës nuk është mirë të relativizohet dhe të sulmohen njerëzit ad hominem pa u ballafaquar argumentet dhe faktet. Secili le të shikojë në familje, rreth shoqëror dhe ku jeton dhe do të shihni që shumica nuk janë përgjegjës për terrin që na ka mbështjelllur kudo gjallëron etnia shqiptare. Si pasojë e kësaj të vërtete mjaft me përgjithësime, sepse ato u shkojnë për shtati më së shumti mu pakicës së shqiptarëve që duhet të japin llogari për baltovinën ku jemi futur.
Ndryshimi i dytë urgjent që duhet të bëjmë është ta heqim bindjen që jemi totalisht të pafuqishëm për të ndërruar gjërat. Pozicioni dhe gjendja e një kombi nuk është vetëm trill i fatit gjeo-politik apo historik, por rezultat i angazhimit të anëtarëve të tij me ç’rast secili njeri e bartë pjesën personale të barrës së atdheut, ashtu që askujt të mos i bie barrë më e madhe. Askush nuk do të ndërtojë mëmëdheun tonë dhe askush nuk do ta përmirësojë të ardhmen tonë nëse jo ne. Kombi është një abstrakcion konceptual dhe nuk mund të mbahet në këmbë pa bashkëpunim dhe kohezion social. Pezmi dhe mllefi ndaj dergjës që na ka kapluar duhet të vihen nën kontroll dhe të çlirohen arsyeja dhe vendosmëria për veprime dhe aktivitete. Rruga më e mirë për të treguar fuqinë tonë është dhënia e votës atyre që ofrojnë alternativën dhe zgjidhjet më të mira dhe realistike të problemeve, por, në fund të fundit, le të thojë kush të dojë çfarë të dojë, në qoftë se cilido pushtet në shtetet shqiptare në Ballkan barrikadohet në mbrojtje të interesave klanore dhe jo respektimit të atyre të popullit shqiptar, veç 100.000 shqiptarë, në Sheshin Nënë Tereza në Prishtinë, në Sheshin Skënderbej në Tiranë apo në Sheshin Makedonija në Shkup, të ulur dhe plotësisht paqësor, mund të rrëzojnë cilëndo qeveri apo sistem brenda një jave duke qëndruar stoikisht ditën e natën aty, e lëre më nëse populli vendos të përdorë mjete tjera më serioze. Është lajthitje naive që jemi të pafuqishëm dhe kjo bindje defektive duhet të mënjanohet nga truri i çdo shqiptari sepse kur një grupacion njerëzor merr vendim të arrijë një qëllim, “dies irae” e secilit do të arrijë patjetër.
Mirëpo duhet të thuhet pa fshehur, pa nxehtësinë e shpresës në zemër dhe flladin e saj në mendje, populli shqiptar nuk do të bëjë as ndryshimet urgjente dhe as ato jourgjente— ndonëse të rëndësishme sa urgjentet. Shpresa mbahet gjallë kur njerëzit kanë qëllime të qarta, janë me besim dhe përdorin forcën e vullnetit se do t’i arrijnë ato. Simboli i shpresës është dallëndyshja dhe ky simbol nuk do shumë interpretim. Historia e popujve fortësinë e saj e merr nga vështirësitë me të cilat ndeshen popujt. Vështirësitë paraqesin probleme por edhe kërkojnë zgjidhje nga ne, mosgjetja e të cilave mund të rezultojë në degradim dhe mbase vdekje. Problemet me të cilat ballafaqohen grupet e ndryshme njerëzore kanë qenë të ndryshme për popuj të ndryshëm dhe dallimi që përcakton një popull si fitues apo humbës qëndron në mënyrës se si ata reagojnë ndaj problemeve dhe si i mposhtin vështirësitë. Unë e ndiej dhimbjen e popullit tonë, vuajtjet dhe frikën se ndoshta zhvillimet mund të na çojnë në dreq të mallkuar, porse unë gjithashtu e di— nga historia dhe nga përvoja ime direkte— që një popull i cili fiton mbi dy katastrofa njerëzore si diktatura dhe pushtimi, ai popull gjithmonë e ka në shpirt shpresën. Unë jam i sigurt që shqiptarët që janë si unë jemi shumica absolute e popullit shqiptar dhe ne megjithatë do të fitojmë përsëri për ta shtyrë civilizimin shqiptar në një nivel më të lartë nga ku ne do të vazhdojmë të pasurojmë mozaikun e vlerave për tërë njerëzimin. Sëkëndejmi, kryet nalt shqiptarë— ditët e mira janë shumë afër sepse nata është më e errët krejt pak para agimit!

Filed Under: Featured Tagged With: ne do fitojme, Uk Lushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT