Ish-deputeti i LSI, Dritan Prifti i njohur për konfliktin e tij me kreun e kuvendit, Ilir Meta ka përgënjeshtruar fjalën e këtij të fundit gjatë seancës së sotme plenare ku e lidhte videon e famshme të Dritan Prifit 3 vjet më parë, me emrin e djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. Përmes një deklarate, Prifti shprehet se Shkëlzen Berisha nuk është përmendur kurrë në videot që unë kam pasur për Metën apo të afërm të tij dhe se çdo insinuatë në këtë drejtim është vetëm shpifje
“Sot në Parlament nga Ilir Meta dhe Paulin Stërkaj u përmend emri im shumë herë. Pa i cituar fjalë për fjalë, afërsisht Meta tha se unë kam video me Shkëlzen Berishën, kurse Stërkaj tha se unë paskam krijuar këtë situatë, sepse jam shumë i pasur. Ilir Metës po i them se nuk kam dhe s’kam pasur kurrë video me Shkëlzen Berishën. Shkëlzen Berisha nuk është përmendur kurrë në videot që unë kam pasur për Metën apo të afërm të tij. Çdo insinuatë në këtë drejtim është vetëm shpifje. Kam takuar Ilir Metën shumë kohë pas përplasjes tonë në Prokurori dhe Gjykatë dhe kisha kuptuar se kishim vendosur një paqe mes nesh. Për hir të kësaj paqe u prira të besoja që ai nuk kishte gisht në goditje të ndryshme që vinin drejt meje. Mbase jam i gabuar se mes nesh mund të këtë ndonjëherë paqe. Kurse Paulin Stërkajt po i them se financiarisht nuk jam as i pasur dhe as i varfër. Ndërkohë, ai thotë se nuk ka asnjë përfshirje me denoncimet e Tom Doshit”, – thekson Prifti.
Sipas Priftit, Meta do ta vrasë Doshin, pasi e ka përkrahur atë për të publikuar videon e Ilir Metës.
“Vrasja porositet në shenjë hakmarrje për mbështetjen që Tom Doshi më dha mua për të publikuar videon me Metën, që në publik ka marrë emrin ‘video e 700 000 eurove’”, thotë Prifti.
Archives for March 2015
Rrëfimi i Tom Doshit në Top Story
Doshi: I them Metës se nuk kam armik tjetër veç teje/
Tom Doshi ka rrëfyer se Durim Bami ka qenë në dijeni se ishte duke u regjistruar biseda që po bëhej.
Gjatë një interviste të bërë në Top Story të Sokol Ballës, Doshi ka thënë se ka qenë Mark Froku personi i cili e ka njoftuar për atentatin që po i bëhej.
Pas kësaj, Doshi thotë se ka parë për herë të parë Rezin, personin që e ndiqte për të ditur lëvizjet që bëheshin.
Pasi ka treguar gjithë ngjarjen që lidhet me të Tom Doshi ka rrëfyer se, nuk ka asnjë lidhje me atentatin që i është bërë Tonit dhe siç tha ai, “më intereson të jetë gjallë pasi është dëshmitar”.
Në fund Doshit tha se nuk ka armik tjetër përveç Ilir Metës.
“I them Ilir Metës se nuk kam asnjë armik tjetër përveç teje”, përfundoi Tom Doshi.
Rrëfimi i Tom Doshit në Top Story:
“Sokol Balla: Zoti Doshi unë sapo pashë videon që ju keni regjistruar me vrasësin me pagesë të pretenduar nga ju dhe të paguar sipas vrasësit dhe sipas jush nga Ilir Meta dhe një plani vënë në ekzekutim nga një seri emrash që i përmendi edhe Ministri Saimir Tahiri gjatë konferencës për shtyp. Desha që për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, kjo është një video e regjistruar nga ju. Durim Bami a ka qenë në dijeni se biseda po regjistrohej?
Deputeti Tom Doshi: Po ka qenë.
Sokol Balla: A ka qoftë mundësinë më të vogël që për shkak se ai e dinte që intervista po regjistrohej, të ketë qenë në një farë presioni prej jush?
Deputeti Doshi: Jo, asnjëherë!
Sokol Balla: Ju me Durim Bamin i referoheni një bisede në të shkuarën që keni bërë me Kryeprokurorin Adriatik Llalla, pra intervista është bëra pas takimit me Adriatik Llallën?
Deputeti Doshi: Po.
Sokol Balla: Dhe është bërë para takimit të dytë tuajit dhe Durim Bamit në zyrën e Tahirit?
Deputeti Doshi: Këtë nuk mund ta përcaktoj. E kam takuar aq shumë atë Durimin këtë kohë. E kam kontaktuar përditë sepse mendoja që po e eleminojnë sepse mendoja që ata e morën vesh që ky ka bërë takim me mua dhe ishte i vetmi dëshmitar që njihte ndërmjetësin mes Ilirit dhe Durimit, që ishte Toni. Toni, Durimi dhe grupi tjetër.
Sokol Balla: Të qendrojmë pak tek mënyra se si ju ratë në kontakt me vrasësin e pretenduar prej jush, Durim Bamin. Pra si ndodhi, si erdhi tek ju?
Deputeti Doshi: Unë kam qenë në Budva me familjen, më mori në telefon Mark Frroku dhe më tha që ku je se dua të të takoj se është një problem urgjent. I thashë që për dy ditë kthehem. Kur u ktheva më thotë që kam takuar një person që unë e njoh dhe më ka thënë që Ilir Meta ka paguajtur lekë për të të eliminuar ty dhe Mhill Fufin. Më erdhi shumë papritur dhe e çuditshme sepse me Ilir Metën kemi ndenjur disa herë për drekë e darka. Kemi shkuar në Dukagjin bashkë, më 30 korrik festuam edhe ditëlindjen e Taulant Ballës.
Sokol Balla: Do t’i rikthehemi raportit, për mua të çuditshëm që keni me Ilir Metën, në kuptimin që të paktën jeni konsideruar gjithmonë një njeri i afërt me këtë. Të qendrojmë pak tek personazhi i bisedës tuaj, Durim Bami. Thatë që ishte Mark Frroku personi që ju telefonuar dhe ju tha që e njihte Durim Bamin. Mark Frroku është deputet i Partisë Kristiandemokrate, është një ndër njerëzit tuaj më të afërt, keni bashkëpunuar ngushtë gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 dhe prap nuk them ndonjë sekret të madh që zoti Frroku ndoshta ju detyrohet gjysmën e mandatit ju në Qarkun e Shkodrës. Zoti Frroku, jo ai personalisht ka një problem me drejtësinë, vëllai i tij, Arben Frroku që akuzohet për vrasjen e Kryekomisar Dritan Lamaj. Një nga personat i akuzuar zyrtarisht nga prokuroria si bashkëpunëtor dhe ndihmues i Arben Frrokut është një person, s’e di tamam mbiemrin, por që akuzohet se ka ndihmuar zotin Frroku duke vjedhur makinën me të cilën ai ka realizuar vrasjen e Dritan Lamaj. Sipas burimeve jozyrtare të prokurorisë, jam informuar se Durim Bami është shok me këtë person, si ndihmues i Arben Frrokut në vrasjen e Lamajt. A keni dijeni, a keni folur me Arben Frrokun që ju tha se e njihte Durim Bamin, rrethanat, kishte apo jo lidhje me këtë person të akuzuar si bashkëpunëtor, si ndihmës në vrasjen e Dritan Lamaj?
Deputeti Doshi: Nuk kam dijeni as nuk e di se kush ka qenë i ndaluar për punën e makinës.
Sokol Balla: Është një person që aktualisht rezulton i rrëmbyer nga policia, është rrëmbyer pak kohë më parë dhe një nga dëshmitarët kyç në proçesin ndaj Arben Frrokut.
Deputeti Doshi: Durimin e kam takuar vetëm njëherë me Markun. Më pas i kam bërë takimit gjithmonë vetëm.
Sokol Balla: Pra roli i Mark Frrokut në këtë histori është thjeshtë prezantimi që ai të ka bërë me Durim Bamin?
Deputeti Doshi: Vetëm kaq.
Sokol Balla: Pse i besoni kaq shumë versionit të Durim Bamit?
Deputeti Doshi: Për të vërtetuar këtë pasi u ktheva nga pushimet më mori Mark Frroku dhe më tha shkojmë pijmë një kafe. Ishim tek hyrja kryesore e “Sheraton”. Më thotë që po vjen një djalë me një bluzë portokalli me syze dhe ky është personi që të ndjek ty. Aty po rrija jashtë. Erdhi ky djalë me bluzë portokalli, me syze, më pa aty, u kthye dhe iku. Kur dola i thashë Markut do të ecim në këmbë. Ky djali me bluzë portokalli po priste në makinë. Vazhduam rrugën, unë hipa në makinën time dhe atë natë, nuk i rashë nga Ministria e Shëndetësisë, por i rashë nga rruga Qemal Stafa. Kur erdha te porta e shtëpisë, kur frenoi shoferi te dritat pashë këtë djalin me bluza portokalli.
Sokol Balla: Kush ishte ky sipas informacioneve që more më pas?
Tom Doshi: Ky është Rezi, i thonë këta. Djali i xhaxhait të Tonit dhe ky ishte personi që më ndiqte mua kudo.
Sokol Balla: Pra kjo është prova që ju konfirmoi se rrëfimi i Durim Bamit ishte i besueshëm.
Deputeti Doshi: S’e kisha takuar akoma Durimin. I thashë Markut ta takoj njëherë këtë person, a pranon të më takojë? Po më tha Marku. E takova një natë dhe ai rrëfeu të gjithë ngjarjen. Është një djalë, është në moshë dhe e ka emrin Toni e ka një restorant Viva. Ai më ka ardhur në emër të Ilir Metës, jo se i ka thënë që vij në emër të Ilirit, por i ka thënë që porosia është për Ilirin. I ka thënë janë 500 mijë euro për Tomën. Është edhe në video, kur i kanë thënë njëherë 200 mijë, e më pas i ka thënë që dua 500 për Tomën dhe 100 mijë për Mhill Fufin se kanë menduar që Mhilli është kollaj se ikën natën vetëm në shtëpi se e kishin marrë informacion edhe lëvizjet e Mhillit. Me thënë të drejtën, duke bërë lidhjet që edhe Mhilli meqë u vra një person që ishte me Monikën në zgjedhjet në Laç…
Sokol Balla: I referoheni ngjarjes së vetme të dhunshme të zgjedhjeve të 23 qershorit?
Deputeti Doshi: Këtë të gjorin, që nuk jeton më, më pati thënë edhe Iliri njëherë që e kemi pasur shumë mik. Njëherë më pat thënë që vajza ime e vogël akoma e përmend, kaq shumë e ka dashur. Unë bëra lidhjen që thashë; mirë për mua po them që s’është e vërtetë, po për Mhillin? Unë bëra lidhjet që i njëjti person ka bërë një porosi për të dy.
Sokol Balla: Tahiri në deklarimin e tij ju akuzon ju se keni ndryshuar në dy raste ose më shumë versionin tuaj mbi autorësinë. Në fakt edhe në bisedën e regjistruar me Durim Bamin ai referohet një tavoline miks, ku shfaqet Eugen Beci, tashmë ish-prokuror i Krimeve të Rënda dhe i transferuar nga Adriatik Llalla, shikohen në atë video gjithashtu edhe Ylli, pra pronari i lokalit Viva, së bashku me Fatjon Skënderin, baxhanakun e tij, pra së bashku me Eugen Becin në të njëjtën tavolinë. Por Durim Bami në dëshminë që ju ka dhënë ju flet edhe për ju flet edhe për ish-nëndrejtorin e policisë, Agron Kuliçaj, flet gjithashtu për kunatin e Berishës dhe zoti Tahiri në dëshminë e tij publike thotë se ju fillimisht keni akuzuar ish-kryeministrin Berisha për këtë ngjarje dhe më pas keni ndryshuar versionin tuaj dhe në takimin e fundit në zyrën e tij keni përmendur ju më shumë se sa Durim Bami emrin e Ilir Metës.
Deputeti Doshi: Kjo s’është e vërtetë! Të parin njeri që i kam thënë përveç gruas time, sepse dihet që këto gjëra edhe ndodhin se janë vrarë edhe të tjerë, deputetë. Të parit njeri i kam thënë gruas që po më ndodhi gjë e kemi prej Ilir Metës. Ja kam thënë edhe Ilirit këtë. E di edhe ai vetë kur e kam takuar. Të parit njeri i thashë Edi Ramës më 30 gusht në Durrës, kemi bërë atë analizën, në pushim të drekës Rama po pinte një cigare në ballkon dhe i thashë që kam një bisedë me ty. I thashë më ka ardhur informacion që Ilir Meta ka paguajtur lekë për të më vrarë dhe më kanë vendosur eksploziv te makina me një motor picash. Shprehimisht ka qenë fjala e Edi Ramës: Tomë të ka ruajtur Zoti! Ndër të tjera, se dua të sqaroj edhe publikun, më tha atë ditë që ne pesë deputetë po festonim ditëlindjen e Markut dhe nuk shkuam në votim, Ilir Meta dërgoi Nasip Naçon dhe si përfundim unë thashë që nuk votoj sot. Pas Nasipit erdhi vetë Iliri. Rama më tha: Ou më bëri përshtypje, si mua edhe Gramozit, si e la parlamentin ky edhe erdhi tek ti?! Për këtë punë e paska bërë, për të mbuluar gjurmë?! Pra ishte që unë lë parlamentin, kaq mik të kam.
Sokol Balla: Ju s’mund ta mohoni që keni patur një miqësi të ngushtë me zotin Meta, që daton që herën e parë që ai ka qenë Kryeministër, në vitet 1999-2001.
Deputeti Doshi: Për në atë kohë është e vërtetë, por…
Sokol Balla: Edhe në këtë kohë zoti Doshi. Unë kujtoj fundin e vitit 2013 kur PS…ju kishit filluar fërkimet e para, që me sa kujtoj unë kanë qenë me 2-3 ministra të kësaj qeverie dhe mbaj mend që personi që ka ndihmuar në pajtimin mes jush dhe Kryeministrit Rama ka qenë Ilir Meta.
Deputeti Doshi: Po është e vërtetë.
Sokol Balla: Atëherë si shpjegohet që ju ngrini gishtin e akuzës, përtej dëshmisë së Durim Bamit dhe çdo lloj fakti tjetër?
Deputeti Doshi: Në botën e tij ai ka luajtur një rol si aktor shumë i aftë, por nuk ia doli. Bindi opinionin që ne jemi shumë miq, kurse në krahun tjetër po përgatitej të më eleminonte fizikisht.
Sokol Balla: Në videon e Durim Bamit që unë pashë, aty përmendet fakti që ju keni qenë ‘sponsor’, ose negociator mes Dritan Priftit dhe Edi Ramës për publikimin e videos, pra videos së famshme që u provua më pas si e pavërtetë dhe e pavlefshme nga gjykata dhe Meta u shpall i pafajshëm. Me thënë të drejtën, lista e atyre që zoti Meta duhet të ekzekutonte sipas këtij versioni është shumë e gjatë, sepse do të përfshihej Dritan Prifti, por edhe njerëz e gazetarë që publikuan këtë çështje, përfshirë edhe mua që e kam publikuar i pari të plotë këtë video pas transmetimit nga Fiks Fare. Pse duhet të ishit ju nga gjithë ky grup personash të përfshirë në këtë ngjarje.
Deputeti Doshi: Tani, shkaktari i nxjerrjes së videos është Edi Rama, pas Dritan Priftit. Edi Rama, ishim një natë te shtëpia ime. I tha Tanit (Dritan Priftit), nxirre videon, biles i tha anglisht: Please just do it! I tha Tomën e kam vëlla, ti do të jesh deputet i PS sepse po doli ajo video bie qeveria, qëllimi ishte me djeg Metën. Faktikisht Tani (Dritan Prifti) nuk i besonte Ramës, thoshte është i pabesë, s’mban fjalën. Unë e binda Tanin që të nxjerrë videon dhe Iliri për këtë është në dijeni shumë mirë. Jo se kisha unë ndonjë gjë me Ilirin.
Sokol Balla: Përkundrazi ju keni pasur një bashkëpunim të mirë me Metën.
Deputeti Doshi: Këmbëngulja ishte e Edit (Edi Ramës), por e quaja atë kohë se kam dëgjuar disa deptuetë që thonë sot që e kam pas thjesht bashkëpunëtor, por e vërteta është që kemi qenë më shumë se sa deputetë e kryetarë, unë e kam respektuar dhe kam bërë shumë për të. Për 8 vjet kam shkatërruar ekonominë për të në të gjitha zgjedhjet.
Sokol Balla: Çfarë do të thotë kjo, ke shkatërruar ekonominë tënde personale?
Deputeti Doshi: Kjo do të thotë që të jesh në opozitë dhe dihet që zgjedhjet kanë kosto, kam përballuar 3 palë zgjedhje duke qenë kryetar partie Edi Rama, çdo protestë. Thonin që Tom Doshi ka blerë njerëzit për të ardhur në Tiranë, faktikisht…
Sokol Balla: I referoheni 21 Janarit?
Deputeti Doshi: Jo s’po them vetëm për 21 Janarin se ne kemi bërë protesta çdo dy ditë, por të sjellësh 2500 vetë prej Shkodrës, vetëm transporti shkonte 25 milion në ditë. Pra nuk e di se si mund ta quash se 25 milion nuk janë pak.
Sokol Balla: Është e vërtetë që ju i keni kërkuar që të qendrojë në krye të partisë pas humbjes së 2009 duke i thënë që keni shpenzuar 500 mijë euro për të?
Deputeti Doshi: Jo.
Sokol Balla: Kur Partia Socialiste fitoi zgjedhjet edhe në Shkodër me kontributin tuaj, a prisnit që këto para t’ju ktheheshin mbrapsht?
Deputeti Doshi: Jo. Unë nuk jam natyrë që e kam lënë fatin tim, as tek tenderat, as tek punët e tjera që bëhen publike. Kam një ndërmarrje që e sheh vetë. E kam riblerë prej gjermanëve.
Sokol Balla: Në kohën e Ilir Metës…
Deputeti Doshi: Jo po flasim për vitin e kaluar. U detyrova të shes prej sulmeve politike që kisha prej Berishës. Në 2011 më kanë vënë një gjobë prej 2 miliard e 550 milion lekë të vjetra. Më është dashur të marr 1 milion euro kredi për të paguajtur 50 përqindëshin e gjobës dhe më pas kam hyrë nëpër gjyqe.
Sokol Balla: Përfliteni edhe mes ministrave që jeni një nga personat që në emër të kontributit që keni dhënë kërkoni lehtësira. Është përmendur që keni kërkuar të keni pjesë tek Albpetroli, keni kërkuar pjesë të majme sa i përket industrisë së barnave, ku keni edhe një investim shumëvjeçar, është folur se keni kërkuar jo rrallë edhe me arrogancë që të keni emërime në dogana, tatime dhe polici dhe në fakt ju e dini që qoftë Tahiri, qoftë drejtorja e Doganës dhe e Tatimeve kanë qenë objekt sulmesh të ashpra nga ana juaj.
Deputeti Doshi: Në Policinë e Shtetit kam futur nja 3 policë pas një viti e gjysmë.
Sokol Balla: Këtë sepse nuk ua ka lejuar Ministri i Brendshëm apo sepse kaq keni kërkuar ju.
Deputeti Doshi: Unë u kam thënë që nuk dua të përzihem, por të jenë korrekt me ata njerëz që do të vijnë atje, me njerëzit që na kanë votuar. Kaq! Mos të marrin njerëz nëpërkëmbë sepse ka njerëz që nuk kanë patur mundësi të paguajnë një siguracion, mos ia blloko makinën. Pra ka mundësi që atë shtresën e varfër mos t’ja marrim edhe kafshatën e fundit. Për në dogana prap unë s’kam futur asnjë njeri, në tatime po ashtu dhe nuk e di se si thonë që unë kam përfituar apo kam ngulur këmbë. Qëllimi im ka qenë që të punësoj njerëzit që kanë punuar për fushatën.
Sokol Balla: Nga viti, 2009 ka pasur herë pas herë qendrime të ashpra të Ambasadës Amerikane ndaj jush, përfshirë një incident me një nga gazetarët e rrjetin BIRN, më pas edhe reagime të tjera për të arritur tek deklarata e ditës së hënë, kur u përjashtuar nga grupi i PS, ku u tregua shumë e ashpër duke thënë ndaj jush si person i dyshuar për veprimtari kriminale dhe pyetja ime është nëse autoritetet i rikthehen figurës së Tom Doshit, a ka gjasa që të zbulojnë hije që shkojnë në shkelje të ligjit?
Deputeti Doshi: Asnjëherë! Unë kam 10 vjet në parlament, 8 vjet ti e di se Sali Berisha kundërshtarin më të madh në parlament më ka pasur mua, ka çuar në Australi edhe drejtorin e pastrimit të parave dhe nuk ka arritur të zbulojë gjënë më të vogël që unë kam pasur, ndonjë shkelje me ligjin. Edhe në Shqipëri po ashtu. Nuk më është hapur ndonjëherë ndonjë çështje penalë për 25 vjet. Të gjitha këto, edhe ambasadat i kanë prej xhelozisë. Një pjesë i ka çuar Berisha, një pjesë Blushi, një pjesë vetë Rama në 2004-2005 kur kam kandiduar. Vazhdojnë këta ministrat, Bushati. Para se të plasë kjo kam informacion që i ka çuar edhe Meta për t’i paraprirë duke më akuzuar mua se po i bëj presion qeverisë.
Sokol Balla: Në fakt Berisha, ose më saktë gazeta e tij, vetëm pak kohë më parë, në kohën e aksionit të policisë në Dukagjin, la të kuptohej se ju kishit fshehur në makinën tuaj trafikantë duke sabotuar operacionin.
Deputeti Doshi: S’është e vërtetë! S’ka qenë makina ime.
Sokol Balla: Makina e dikujt tjetër?
Deputeti Doshi: Atë ta gjejë policia, unë nuk e di.
Sokol Balla: T’i rikthehemi pak dëshmisë publike që bëri Ministri i Brendshëm lidhur me ngjarjen e fundit. Ministri nuk mohoi që ju keni shkuar dhe keni kërkuar që ta takoni dhe më pas edhe me personin e përmendur, Durim Bamin si vrasës i penduar i kësaj ngjarjeje. Megjithatë Ministri thotë se ka të faktuara hetimet që policia ka bërë lidhur me këto akuza, pavarësisht se as ju dhe as zoti Bami nuk keni pranuar që të bëni një denoncim në polici, prokurori, as atë të dëshmitarit të mbrojtur të zotit Bami. Cila është e vërteta sipas jush? Ju kujtoj diçka zoti Doshi, nga dëshmia e Ministrit të Brendshëm, nga fakti që ai kundërshton 100 përqind ato që ju keni dëshmuar në Facebook, me gazetarët apo edhe këtë mbrëmje, ju nesër rrezikoni të hetoni për dëshmi të rreme, pengim të drejtësisë dhe mund të rrezikoni edhe burgun.
Deputeti Doshi: Unë kam penguar drejtësinë për të hetuar?!
Sokol Balla: Atëherë pse nuk bëtë denoncimin në policia apo në prokurori, pse sipas Ministrit të Brendshëm ju nuk pranuat që zoti Bami të merrte statusin e dëshmitarit të mbrojtur?
Deputeti Doshi: Unë nuk bëra dëshmi sepse fillimisht duhet të hapte çështjen penale policia. Në një artikull në gazete nisin hetimet, edhe këtu. Unë i kam dhënë informacion të plotë edhe Prokurorit të Përgjithshëm, edhe Ministrit të Brendshëm, edhe kryeprokurorit të Krimeve të Rënda. Pra duke patur personin përballë që ua shpjegon komplet ngjarjen, nuk e di se çfarë dëshironin më tepër?!
Sokol Balla: Ta dorëzonit si padi në policia apo në Prokurori.
Deputeti Doshi: Por asnjëri nuk tha hajde nesër bëj kallëzim.
Sokol Balla: Ministri i Brendshëm pretendon të kundërtën…
Deputeti Doshi: Jo, mua jo! Për Durimin i ka thënë hajde bashkëpuno. Por mua nuk më ka thënë ndonjëherë hajde bëj kallëzim.
Sokol Balla: Në rrëfimin e tij përballë jush, Durim Bami, kur ju i thoni që ai duhet të marrë mbrojtje, duket që ai nuk e kundërshton. Atëherë pse kjo nuk ndodhi, sepse sipas Ministrit të Brendshëm, zoti Bami ka refuzuar?
Deputeti Doshi: Bami kishte dhënë shpjegime që i kam blerë edhe makinë, po është e vërtetë i kam blerë një makinë të blinduar. Kam qenë i shqetësuar shumë për jetën e tij, edhe sot që është në duart ë policisë.
Sokol Balla: Unë kam informacione jozyrtare nga prokuroria e rrethit se Durim Bami, personi që duhet t’ju kishte ekzekutuar ju ka punuar pranë jush dhe zotit Frroku si shofer, është e vërtetë?
Deputeti Tom Doshi: Unë thashë që e kam njohur në fund të gushtit. S’ka lidhje me mua, ta mbaj shofer.
Sokol Balla: Zoti Frroku?
Deputeti Doshi: Jo s’e kam parë asnjëherë. Hera e parë që e kam parë ka qenë kur kam kërkuar ta takoj.
Sokol Balla: T’i referohemi qoftë dëshmisë së zotit Bami, qoftë të ministri Tahiri, lidhur me natën e atentatit të dështuar ndaj jush përballë Dy Kullave, pranë Gjykatës Kushtetuese, çfarë date është ajo?
Deputeti Doshi: Nuk mund ta përcaktoj…
Sokol Balla: Bami thotë që është 21 qershori i vitit 2014.
Deputeti Doshi: Atë mund ta përcaktojë ai, a në mes a në fund të qershorit. Sipas tij rreth datës 20.
Sokol Balla: Ministri i Brendshë thotë që duke marrë parasysh dëshminë që ai ka marrë nga Bami, që nga një bar aty kanë marrë kamerat e sigurisë shumë përpara dhe shumë më pas dhe në asnjë prej tyre nuk rezulton Durim Bami dhe këto janë arkivuar në dosjen hetimore , nuk ka asnjë motor picash, i vjedhur në Paskuqan sipas Durim Bamit, dhe ku ishte futur tritoli.
Deputeti Doshi: Mua s’më ka dhënë ndonjë informacion që është bërë kjo punë. Nëse e ka bërë dje dhe sot, është puna e tij, por të paktën të jetë i sinqertë.
Sokol Balla: Ai thotë që ka filluar për shkak se ju keni refuzuar të bëni denoncim hetimor.
Deputeti Doshi: Unë i kam dhënë informacion Ministrit të Brendshëm që njeriu që vjen në emër të Ilir Metës është Toni. Toni rri në Gjermani, në Hanover. I kam thënë kërkoju autoriteteve gjermane që ta sjellin në Shqipëri ku Durim Bami është gati t’i dalë përballë, t’i thotë po ti ke ardh. Djali i xhaxhait të tij nëpër Tiranë ka qenë, ky që më ka ndjekur mua, asnjëherë s’mori mundimin që t’i shoqërojë për këtë çështje.
Sokol Balla: Në fakt Ministri i Brendshëm thotë që janë shoqëruar këta persona, përfshirë edhe baxhanakun, edhe djalin e xhaxhait dhe asnjëherë nuk ka ekzistuar qoftë edhe një fakt që të lidhë dëshmitë e tyre me këtë akuzë.
Deputeti Doshi: Unë ja kam thënë Tahirit që kam pasur një takim me të. I thashë që ty të vunë një tritol në majë të kondicionerit dhe arrestove 50 vetë, mua më vunë tritol në makinë dhe nuk arrestove asnjë. I thashë që do ta bëj publike sepse edhe ato që ka dhënë Durimi i di që nuk i ke regjistruar. Jo më tha i kam regjistruar.
Sokol Balla: Ju keni qenë përfshirë në çështje dhe ndoshta nuk ka qenë ligjërisht e mundur që të informoheni për këtë.
Deputeti Doshi: Ligjërisht…personi që do më ekzekutonte, por unë jam deputet, por sërish edhe qytetar i Shqipërisë policia dhe prokuroria ka të drejtë ta marrë në mbrojtje dhe të hetojë sidomos kur bëhet fjalë për eleminim fizik. Asnjëherë Saimir Tahiri apo prokurori nuk më ka thirrur për këtë çështje.
Sokol Balla: Një nga detajet e bisedës tuaj me Durim Bamin është fakti se ju aty i referoheni në të shkuar, takimit me prokurorin e Republikës për këtë çështje?
Deputeti Doshi: Me prokurorin e Republikës kemi qenë për drekë. Bisedat që bëhen gjatë drekës, e kam konsideruar mik dhe kam thënë që do ta votoj haptas. Por nuk pati nevojë sepse ishin vota të mjaftueshme dhe vota ime i prishte punë, edhe dalja ime publike.
Sokol Balla: Kishit ndonjë ndërmjetësim nga krahu tjetër për ta votuar?
Deputeti Doshi: Jo. Biles krahu tjetër u bë xheloz që unë dola në mënyrë publike, se thanë mos paska lidhje me Tomën.
Sokol Balla: Shkojmë tek dreka apo darka…
Deputeti Doshi: Në fund i thashë që kam një shqetësim persona…
Sokol Balla: Për kur bëhet fjalë?
Deputeti Doshi: Në shtator. I thashë që kam informacion që prej vetë personit që ka marrë përsipër eleminimin tim që një lokal në bllok, emrin Viva, pronari i saj ka dhënë një porosi në emër të Ilir Metës, por me thënë të drejtën nuk e besoj. Në atë lokal rri edhe prokurori jot, i thashë, Eugeni. I thashë që Eugeni rri ditë dhe natë aty. Është Toni, Ylli, sipas dhënieve të Durimit. Vinte Agron Kuliçaj, dhe kunati i Berishës që është baxhanak me Yllin. Në fillim normal që do kishte dyshime. Në atë kohë më dukej e çuditshme, dhe mendoja që po më vjen nga krahu tjetër.
Sokol Balla: A është e vërtetë që këto ja keni thënë edhe zotit Meta në zyrë që dyshoni që Sali Berisha përmes kunatit të tij po sponsorizon vrasjen tuaj?
Deputeti Doshi: Mbarojmë njëherë me prokurorin. Më tha më lër 4-5 ditë kohë. Faktikisht ditën e premte më kërkoi një takim Durim Bami dhe më thotë ka ardhur Toni dhe më ka thënë që Toma e ka marrë vesh që duam ta vrasim dhe më thotë që ne rrezikojmë të gjithë, morëm fund po doli. Kishte thënë që duhet ta vrasim se s’bën, brenda 24 orëve. Durimit i kishin thënë që të çonte vëllanë ta vrasë në lokal ditën se nuk bën as burg se kemi mbrapa Ilirin. I vetmi person që unë i thashë ishte kryeprokurori.
Sokol Balla: Zoti Doshi jeni i ndërgjegjshëm për çka po thoni? Pra ju po thoni që ka pasur një komplot shtetëror mes kryeprokurorit dhe kryetarit të Kuvendit për ekzekutimin tuaj?
Deputeti Doshi: Këtë nuk mund të them, lidhjen e prokurorit për ekzekutimin tim. Për prokurorin them që, jam i bindur që këtë ja ka thënë Metës, se kam informacion që Meta e ka thërritur në Lalz një ditë të dielë, dhe në bindjen time ai ja ka thënë. Ma ka thënë edhe Meta më pas, e dinte që unë nuk dyshoj tek Meta. Por kur nisi parlamenti, duke pas atë miqësi që kishim përpara, u bëmë dy seanca dhe me Ilirin nuk komunikuam më. Bisedova me një shok timin që më thotë a t’i them kështu- kështu është situata. Isha në Shëngjin për një darkë me Blendi Klosin dhe më mori ky shoku për të folur me Metën. Meta më thotë çfarë janë këto muhabete?! Mirë i thashë, hajd pijmë një kafe nesër. E mora në telefon ditën tjetër, shkuam te Sheratoni dhe ja shpjegova, i thashë Toni në emrin tënd ka shkuar ka bërë porosinë për të më vrarë mua dhe Mhill Fufin. Unë i thashë që nuk e besoj, është absurde, të quaj mik ty. Thirri edhe Monikën. Më tha po lajmëroj ambasadat. Pyeti Monikën dhe i tha ti e njeh Tonin? Po i tha Monika, Toni i Kombinatit. A e di, i tha, ku e ka lokalin? Po, i tha, afër shtëpisë tonë. Më tha mua po shkoj të takoj pak Ramën. I çova mesazh Ramës ku e njoftova që i thashë Ilirit që t’i s’ke dijeni. Shkoi Meta te Rama dhe Rama luajti rolin se s’dinte gjë. U kthye prap Iliri. Kemi ndenjur rreth 4 orë bashkë. E kishte një siklet. E lamë në darkë për t’u takuar në Durrës, ku vjen me Ramën me Saimirin. Duke qenë bashkë i thashë që nuk dyshoj tek ti, duhet të jenë ata tjerët i thashë. Kushedi ka dash Berisha me krijuar destabilitet. Ky u qetësua. Këtë ja thashë edhe në zyrë, por këtu nuk ka lidhje as kunati i Berishës dhe asnjë prej krahut kundërshtar. Kisha dashur të ishin ata, që të mos ndodhte tek krahu im politik.
Sokol Balla: Ka diçka, kemi dy dëshmi, atë që ju ka dhënë ju dhe atë që i ka dhënë policisë dhe prokurorisë të mërkurën. Fakt është që Rilindja Demkratike ju ka kthyer në një hero duke ju mbrojtur dhe ju të enjten e kaluar keni dhënë edhe një shoë të vogël duke takuar publikisht Sali Berishën dhe gjithashtu flitet se një natë më parë jeni takuar privatisht me të, është e vërtetë?
Deputeti Doshi: Jo s’është e vërtetë. Berisha doli në foltore ku tha që mua kanë dashur të më vrasin. Tha që ma kanë mbyllur gojën, ta ka mbyllur Shullazi. Unë nuk e njoh se kush është Shullazi, e kam ndjerë vetëm në media. Por nuk më ndodh që dikush të më marrë në telefon dhe të më bëjë presion. Pas kësaj i shkova Berishës tek vendi ku rrinte në parlament dhe i thashë, ti doktor e di që nuk është Shullazi. E di, e di më tha.
Sokol Balla: Po nga e dinte Berisha? Ja kishit thënë ju? Po ku e takova unë që t’ja them. Berisha e ka marrë vesh se ka informacion më shumë se sa Rama se çfarë bëjnë ministrat. I thashë, dëgjo s’ka ardhur koha akoma për të folur, se ti e di që unë nuk kam frikë. Kur të vijë koha kur të flas, mos e merr në mbrojtje atë person se e ke marrë njëherë. Jo më tha nuk do e marr. Kjo histori ka një 3 javë dhe kisha paralajmëruar që një ditë do të plasë.
Sokol Balla: Ajo lëvizja e dorës, që i drejtoheshit Kryeministrit dhe ministrave, në një vend demokratik…
Deputeti Doshi: Lëvizja e dorës ishte që unë do t’i nxjerr të gjitha. Nuk ishte ashtu sic e kanë marrë. Nuk ishte punë presioni, pavarësisht se ai u mundua…i thashë mqs po sillesh kështu edhe unë i thashë nuk është puna se atë ditë u nxitova kur thashë që do t’i hap luftë…
Sokol Balla: Faktikisht i keni hapur luftë, jo vetëm atij, por mazhorancës dhe kontributi më i madh që po i bëni është për opozitën dhe vecanërisht Sali Berishës.
Deputeti Doshi: Këtë e kam bërë për jetën time. Kam 6 muaj që pres dhe kam menduar që do kem mbështetjen e Edi Ramës. Në fillim u tregua i gatshëm, por pasi i kam thënë Ilir Metës që je ti personi, Rama nisi u tërhoq dhe mbajti krahun e Metës. Më 11 nëntor është takimi i fundit që kam bërë unë me Ramën, katër muaj që nuk kam komunikuar. I kam thënë nuk dua të rrëzoj qeverinë, por nuk dua që parlamenti të drejtohet nga një njeri që ka dhënë urdhër të vrasë dy deputetë.
Sokol Balla: Cili mendoni që është guri, lidhja, prova që fakton që vërteton që sipas jush Ilir Meta është urdhëruesi i këtyre vrasjeve, pasi deri më tani mbështetemi tek video e Durim Bamit, që në dy dëshmi deklaron dy gjëra të ndryshme. Madje ju akuzon që ju e keni paguajtur për të luajtur një rol.
Deputeti Doshi: E vërteta është ajo që pe në video. Durimi nuk është i vetëm. Ka disa bashkëpunëtorë. Është Toni, është djali i xhaxhait Rezi…
Sokol Balla: Të gjithë të shoqëruar në polici sipas Saimir Tahirit dhe nuk ka asnjë indicie që ata kanë qenë të përfshirë apo të paguar nga Ilir Meta apo Sali Berisha për ekzekutimin tuaj dhe zotit Fufi.
Deputeti Doshi: Kush do ja thotë? Rezi apo Toni?! Një grup kur kapet nuk lëshohet për 3 orë, merren në pyetje, bëhen ballafaqime, merren informacione. Qëllimi i këtyre ka qenë sepse ishte emri i Ilirit, sepse po të ishte emri i Agronit, i kunatit të Berishës do të ishte zbardhur, do ishte bërë publike. Por duke qenë Ilir, as Saimiri nuk mund të vepronte i vetëm.
Sokol Balla: Në fakt e shkuara thotë të kundërtën. Ju çfarë nuk keni deklaruar kundër Tahirit…
Deputeti Doshi: Që sa është marrë vesh kjo çështje më ka ndenjur i gatshëm, por është tërhequr duke më thënë që i kishte deklaruar Kryeministri që s’dua ta ndjej më atë çështje.
Sokol Balla: Gënjeni ju, apo gënjen Saimir Tahiri për këtë çështje?
Deputeti Doshi: Unë besoj në Zot, dhe mashtrimin dhe gënjeshtrën nuk e kam praktikuar.
Sokol Balla: Si shpjegohet që Durim Bami ndryshe ka folur me ju dhe ndryshe me grupin hetimor?
Deputeti Doshi: Durim Bamin, pas atentatit që i bënë para një jave. E takova dhe më tha që mënyra se si ishte vënë eksplozivi tregonte një dorë profesioniste.
Sokol Balla: Një dorë profesioniste do ta kishte ekzekutuar aktin.
Deputeti Doshi: Nuk hipi në makinë. I thashë që a je i bindur që është e njëjta dorë, po më tha. Ai ishte i vetmi dëshmitar në këtë çështje dhe donin të zhduknin. I thashë që të bashkëpunojë me policinë. Më tha më lër edhe disa ditë. E kishte ndarë mendjen për të bashkëpunuar. Faktikisht në këtë rast u nguta unë që e bëra publike përpara. Ai do dëshmonte në polici, por prap i bëj thirrje Prokurorit e Përgjithshëm që nëse ka dëshirë për të zbardhur çështjen, Durim Bamin duhet ta marrë në mbrojtje si dëshmitar dhe jo si vrasës. Ai nuk ka bërë atentat, aq më tepër që më ka informuar mua, personi që isha etiketuar. Të marrë në mbrojtje edhe 2-3 veta të tjerë që të zbardhet e vërteta. Durimi thotë që motorin e ka vjedhur në Paskuqan dhe nuk ka qenë vetë. Eksplozivin e ka montuar te servisi i Tonit, eksplozivin e kishte sjellë një djalë i vogël. Interesi im është zbardhja e kësaj çështjeje. Nuk më intereson, përveç Tonit, këta djem i detyrohem gjithë jetën, sidomos Durit.
Sokol Balla: Pavarësisht dëshmisë së tij në prokurori?
Deputeti Doshi: Dëshminë ai e ka bërë sot në një terror që ka pas. Nuk është e lehtë të akuzosh Ilir Metën sot, jam i vetmi në Shqipëri, por jo se i shpifëm. Njerëzit kanë frikë. Më ka falur Zoti që nuk e kam njohur frikën kurrë dhe jam më i fortë kur mendoj që unë edhe vdekjen do ta kisha tragjike me eksploziv. Nuk më bëjnë përshtypje deklaratat e Ramës, Metës dhe Tahirit. E kam bërë këtë për ta ditur gjithë shqiptarët se kush drejton parlamentin. Unë në 25 vjet nuk kam shkeljen më të vogël.
Sokol Balla: Flisni me detaje për njerëz të përfshirë direkt apo indiriek në këtë tentativë vrasjeje me porosi ndaj jush. Përmendet shpesh emrin e Fatjon Skënderajt, apo Tonit. Në fakt në të shkuarën këtij personi i është bërë një atentat, pa pasoja. Në dëshminë e tij, ai flet për Durim Bamin, se si ka shkuar atje me disa personazhe të tjera, por informacione të marra në mënyrë operative nga agjentë kriminalë dhe nga burime të prokurorisë më thonë se prapa atentatit të dështuar ndaj Elton Skënderajt keni gisht ose ju, ose njerëz të lidhur me ju?
Deputeti Doshi: Mua nuk më intereson që askush të vritet, aq më tepër Toni që është dëshmitari kyç i çështjes. Palës porositëse i intereson ta eleminojë. Prokuroria ta zbardhë, nëse do, nëse nuk do i them Ilir Metës që armik tjetër në Shqipëri nuk kam, përveç teje.
Edi Rama: Vrasja e Tomes farse- Ndoshta Doshi vuan nga paranoja
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në tv Klan se nuk ka pasur asnjë tentativë për të eliminuar deputetin Doshi. Ky sipas tij, është rezultati ku ka dalë policia pas pretendimeve dhe provave që Doshi pretendonte se kishte.
Rama tha që ngjarjen ia ka rrëfyer vetë Doshi, por i cili i ka shprehur shqetësimin se ishte në dijeni të një komploti, ku përfshiheshin personat që tashmë dihet se kush janë, sic tha Rama dhe “që minsitri i Brendshëm i ka renditur dje besnikërisht”.
“Kemi ndjekur këtë situatë hap pas hapi me minsitrin e Brendshëm dhe u njoftua edhe Kryeprokuri. Që të ketë një hetim ligjor duhet të ketë një kallëzim, gjë që deputeti nuk ka dashur asnjëherë ta bëj”, tha Rama.
Rama pretendon se videoja e bërë publike nga deputeti Doshi, ku tregohet skenari i atentatit të mbetur në tentativë ndaj Doshit e Fufit, nuk është gjë tjetër veçse një farsë. Sipas tij edhe Durim Bami, personi që do kryente atentatin është një aktor.
“Çdo deputet mund të shfaqet në derën e ministrit të Brendshëm dhe mund të pretendojë këtë histori. Por deputeti Doshi ka refuzuar të japë dëshmi, ndaj ka refuzuar dy oficerët. Ne e kemi marrë vesh qysh në krye të herës. Kjo është një bisedë kot, një farsë.
Nuk ka pasur një përpjekje për të eliminuar deputetin. Deputeti dhe personat publikë mund të shfaqen me një person tjetër, në këtë rast Doshi është shfaqur me një aktor, i cili është futur në një rol. Mbi shqetësimin ministri ka ngarkuar policinë për të hetuar çështjen dhe policia ka dalë në konkluzionin që është një aktrim. Policia ka ndjekur rrugën e treguar nga indiciet, kjo nuk ishte përpjekje për të vrarë askënd.
Drejtori i Përgjithshëm i policisë ka qenë atë ditë me ministrin. Nuk kërcënohej jeta e askujt. Policia ka marrë masat, ka marrë protagonistët në vëzhgim dhe ka arritur në këtë konkluzion që në momentin e parë është njoftuar Prokurori i Përgjithshëm që e ka ftuar Doshin të denonconte.
Ministri i Brendshëm na ka informuar mua, Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llallën dhe kryeparlamentarin Meta menjëherë. Është një aktor, nesër mund të dalë video tjetër me aktor tjetër, ku pagues mund të dal unë apo Sandri dhe çfarë do bëjmë ne do ngrihemi në këmbë? Policia e ka ndjekur procesin ka fashikuj të regjistruar për këtë çështje”.
Më tej kryeministri është shprehur se kërkon që kjo çështje të zbardhet nga organet hetimore në mënyrë të plotë.
“Çështja do zbardhet nga pikëpamja penale. Pastaj kush janë organizatorët dhe nxitësit e këtij procesi do vërtetohet, por kjo është një farsë që ka sjellë në marrjen peng të opinionit dhe parlamentit të bazuar në një hiç. Nuk ka pasur komplot për të vrarë asnjë deputet.
Personi i shfaqur në cilësinë e të penduarit ka refuzuar mbrojtjen edhe deputetit i është kërkuar të bëjë kallëzim dhe ka refuzuar. Kryeprokurorit i kërkova me këmbëngulje të zbardhë çështjen që e vërteta të dalë në diell, nuk ka më një person që aktron, por një person që është ndaluar nga policia”.
NË NJË KËSHTJELLË LEGJENDARE TË PREKAZIT
Në përvjetorin e rënies së Adem Jasharit/
Nga blloku i shënimeve /
Nga: Prof. Murat Gecaj/
Sot, po shikoja me vëmendje dy data në kalendar…Ato lidhen me jetën dhe lavdinë e njërit ndër trimat më të shquar atdhetarë, të Kosovës e mbarë trojeve shqiptare, pra me emrin e Adem Jasharit. Ditëlindja e tij është simbolike: 28 nëntor 1955, në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë sonë. Por dhe datërënja e tij heroike, 7 mars 1998, ka breda simbolikën e veçantë, pra ajo na kujton 7 Marsin e vitit 1887, kur në Korçë u hap shkolla e parë shqipe…
I përqendruar në këto dy data, në përkujtim të Heroit të madh të Kosovës, Adem Jashari, shfletova faqe të ditarit tim. Kështu, së bashku, le të lexojmë disa radhë në të, shoqëruar dhe me fotografi.
x x x
“Nëntor, 2000…
Në varganin e stërgjatë të vizitorëve, nga qytete e fshatra të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria dhe mbarë trojet tona amtare, në fshatin e dëgjuar Prekaz, isha edhe unë. Ndieva emocione të patreguara, kur atë mbrëmje shkela për herë të parë në pragun Kështjellës legjendare të Jasharajve. Na priti buzagas e krahëhapur vëllai i Ademit, Rifat Jashari. Ndërsa në odën e shtruar me qilima, gjetëm djalin e Ademit, Lulëzimin, me pjesëtarë të tjerë të familjes. Dëgjuam tregimet rrënqethëse të tyre për ato ditë të paharruara, pamë fotografi dhe botime të ndryshme. U përpoqëm të krijonim në kujtesë ato skena sa të dhimbshme, por dhe aq heroike. Baca Rifat foli me zë kumbues:
“Ishin afër 5 mijë forca serbe. Ata u sulën si bisha të tërbuara kundër 12-13 luftëtarëve të Kullës sonë. Masakra e armiqve ishte e pashoqe. Nga familja jonë u vranë e u masakruan 20 veta: fëmijë, gra e pleq. Ndërsa nga e gjithë lagja dhanë jetën e tyre për lirinë 54 veta. Nga Prekazi 109 veta dhe nga gjithë komuna e Skënderajt u vranë në luftën e fundit kundër agresorëve serbë 1.028 veta…”.
Këtu, ai e ndali pak tregimin e na vështroi si kreshnik dhe na u drejtua: “Por kemi mbetur mjaft e do të qendrojmë fort, se çdo gjë ia falëm vatanit. Lulëzimin e fejuam tash vonë. Nipa e mbesa do ta mbushin prapë këtë truall…Jemi të lumtur, se u thye përgjithnjë kufiri shqiptar-shqiptar, që na ndante padrejtësisht. Detyrë e madhe për ne tashti është: Të bëjmë shtet dhe të gjithë së bashku të shikojmë kah çështja jonë kombëtare…”.
Pastaj biseda jonë rrjedh për Adem Jasharin dhe shokët e tij trima. Ndërsa unë mbaj shënime e meditoj…
Epopeja heroike në Kullën e Jasharajve u shkrua në disa faza, që po i përshkruajmë shkurt më poshtë.
Rrethimi i parë
Ishte mëngjesi i ftohtë i 30 dhjetorit 1991. Në kullën e Jasharajve ishin bashkë të tre vëllezërit: Rifati, Hamza dhe Ademi. Pasi e kishin ndjekur hap pas hapi veprimtarinë e tyre, forcat policore serbe vendosën që ata t’i rrethonin dhe t’i fusnin në një darë të hekurt, nga mendonin se nuk do të delnin dot. Pra, donin që me çdo kusht t’i kapnin të gjallë. Ishin çaste të vështira e vendimtare. Trimat e Jasharajve vepruan me gjaftoftësi dhe me guxim të pashoq. Nga magnetofoni, vinte zëri i komandantit të policisë serbe: “Dorëzojuni, se jeni të rrethuar e nuk shpëtoni dot të gjallë!” Ndërkaq, me veprime të matura e të shpejta, Ademi me dy vëllezërit arritën ta çanin rrethimin, duke qëlluar me breshëri kundër armiqve dhe duke plagosur disa prej tyre. Jehona e kësaj qendrese u përhap menjëherë në tërë krahinën. Drenica u ngrit e tëra në këmbë. Burra e të rinj të armatosur krijuan kolona të gjata drejt Prekazit.
Që nga ajo ngjarje, Prekazi jetoi ditë në liri, serbët nuk shkelën më në tokën e bekuar shqiptare.
Rrethimi i dytë
Megjithatë, siç thotë populli, “uji flë e hasmi nuk flë”. Policia dhe ushtria serbe vëzhgonin e përgatiteshin që të sulmonin në befasi. Ata grumbullonin forcat dhe mjetet në fabrikën e municionit të Skënderajt, që u shërbente si kazermë. Prej andej, dukeshin si në pëllëmbë të dorës, jo vetëm Kulla e Jasharajve, por dhe më gjerë.
Më 22 janar 1998, kur ende nuk kishte zbardhur dita, armiqtë iu afruan Kullës së Jasharajve dhe befas e rrethuan atë nga të katër anët. Një njësi e posaçme armike, e pajisur me minahedhës, mortaja dore e armë automatike, sulmoi me shpejtësi. Po, a ishin trimat kosovarë në gjumë? Jo, ishin zgjuar dhe i përgjonin lëvizjet tinzare të armiqëve: Baca Shaban, Hamza, Besimi, Fitimi, Kushtrimi…Sakaq, këta ia nisën furishëm kundërsulmit të tyre.
Lajmi i kësaj qendrese u përhap anë e mbanë, në mbarë Kosovën dhe e shtoi besimin e fitores përfundimtare të luftës mbi pushtuesit serbë. Ndërsa armiku përsëri përgatitej për hakmarrje.
Por, tashmë, po forcohej dhe UÇK-ja. Një muaj më vonë, në fshatin Likoshan u zhvillua një përleshje e përgjakshme ndërmjet një grupi të vogël të saj dhe policisë serbe. Ashtu siç pohonin burimet serbe, u vranë, së paku, gjashtë armiq. Por u plagos edhe një luftëtar i lirisë.
Pas kësaj, pushtuesit serbë ndërmorën një sulm të ashpër hakmarrës, kundër fshatrave Likoshan e Qirez. Përvç forcave policore, sulmuan edhe mjaft tanke e dy helikopterë. Bilanci ishte tragjik: u vranë 24 veta, nga të cilët 4 kishin qendruar me armë në dorë. Masakruan dhjetë meshkuj të familjes Ahmetaj dhe vranë një grua shtatzënë, me fëmijën e tmerruar në gjoks. Sapo morën vesh, Adem Jashari me bashkëluftëtarët, u erdhën në ndihmë, duke i tërhequr të plagosurit dhe njerëzit e mbetur gjallë e të tmerruar.
Rrethimi i tretë
Pas kësaj ngjarjeje tragjike, Adem Jashari shkoi në Kullën e tij dhe bisedoi me bashkëluftatarët e familjes. I njihte armiqtë mirë dhe e dinte se cili ishte qëllimi përfundimtar i tyre. Pra, duheshin bërë përgatitje të shumta për ngjarje e luftime të reja, kundër serbëve. Sigurisht, kjo gjë kërkonte zgjuarësi, trimëri, guxim e sakrifica. Kishte patur ndonjë mik dashmirës, që i kishte këshilluar të largoheshin, për t’u shpëtuar goditjeve të pritshme. Por ishin të lidhur aq shumë me trojet amtare, me shtëpinë, ku kishin lindur dhe ishin rritur, sa ishin bërë njësh me to. Pra, betimi i tyre ishte: “Kurrë nuk i lëshojmë, për së gjalli, këto troje, se dheu e toka janë tonat…Serbi nuk ka asnjë punë këtu dhe duhet të largohet, sa më pare, në skutat e veta!”
Dhe erdhi një ditë tjetër e madhe, që do të ruhet e pashlyer, brez pas brezi. Ishte dita e qendresës së pashoqe të Adem Jasharit, por dhe aq e dhimbshme për familjen, Prekazin, Drenicën, Kosovën, UÇK-në e mbarë Shqiptarinë. Ishte data 5 mars 1998. Nëpër terrin e natës, si korba të zinj, lëviznin forcat serbe, në kolonë dhe me armët ngjeshur, deri në dhëmbë. Kur i morën masat, që Jasharajve mos t’u vinte ndihmë nga ndonjë drejtim i mundshëm, gjeneralët e zinj serbë bënin shënja në hartën luftarake të Prekazit, me lapsat e tyre të kuq. Në qendër të saj shënohej, posaçërisht, Kulla e Jasharajve. Sipas planit të parashikuar, armiqtë e rrethuan përsëri Drenicën, se donin ta gjunjëzonin e ta gjakosnin për vdekje.
Në Kullën e pamposhtur ndodheshin 22 pjesëtarë të familjës Jasharaj, përveç Rifatit, Muratit, Bekimit e Lulëzimit, që ishin në mërgim dhe Ilirianës, Shqipes, Fazliut e Marigonës, që një ditë më parë kishin shkuar te dajtë, në fshatin Akrashticë. Rrethimi armik sa vinte e ngushtohej, gjë që e vërente mirë edhe Adem Jashari me të tjerët, që ndodheshin zgjuar. Para se të dilte plotësisht drita, ky iu drejtua të pranishmëve: “Sot. do të kemi luftë. Pra, të qendrojmë, si na ka hije dhe mos ta lëshojmë vatanin tonë. Me fat na qoftë!”
Çastet kalonin me vështirësi dhe po vinte ora e betejës së madhe, legjendare. Artileria e rëndë villte zjarr papushim, po kështu tanket i drejtoheshin Kullës së pamposhtur. Ndërsa aty secili e kryente detyrën luftarake, të caktuar nga komandanti Adem Jashari: baca Shaban, Hamza, daja Osman, Bashkimi, Besimi, Fitimi, Kushtrimi, Adilja, Feridja, nëna Zahë, Selvija…Dikush qëllonte mbi armiqtë dhe dikush tjetër i mbushte krehërat me fishekë. Po qendronin me armë në dorë dhe ata pak banorë të lagjes, që ishin ndodhur atë natë në shtëpitë e tyre.
Lufta vazhdonte e ashpër. Por, ah, plumbi i mallkuar armik ia përshkoi trupin Adiles, që ishte dëshmorja e parë e lirisë, në këtë Kullë. Megjithatë, nuk u ligështuan. Sulmi armik vazhdoi gjithë ditën e natën tjetër, por dhe të pasnesërmen. Tri ditë luftë e rreptë dhe Kalanë nuk e morën dot. Veç qëllonin nga larg me topa. Më në fund, një predhë goditi prapa kthinën, ku ishin shumica e pjesëtarëve të familjes. U vranë menjëherë 13 veta: nëna Zahide, Zarifja, Feridja, Selvetja, Hidajetja, Valdetja, Afetja, Liria, Fatimja, Blerimi, Igbali, Igbalja dhe Blerina. Shpëtoi vetëm Besarta, që u bë dëshmitare e asaj dite tragjike e të tmerrshme.
Ndërsa komandant Ademi u jepte zemër të gjithëve. Sakaq edhe këtë Burrë kreshnik e mori plumbi në gjoks, por qendroi në këmbë, nuk ra përdhe. Se të parrëzuar ishim mësuar ta shihnim këtë Hero të Kombit dhe i tillë do të mbetet në përjetësi. ”Gjenerali i kryengritjeve popullore”, e patën quajtur bashkëkohësit, Isa Boletinin. Po kështu, “Gjeneral i qendresës mbarëkosovare”, meriton të quhet edhe Adem Jashari. I fundit në këtë betejë, për jetë a vdekje, ra Kushtrimi 13-vjeçar.
Kishin rënë për lirinë e dëshiruar ndër mote, 20 pjesëtarë të Kullës së Jasharajve dhe po kaq të familjes së gjerë Jasharaj. Po kështu, figuronin të zhdukur ose të vrarë 14 veta, me mbiemrin Jasharaj dhe disa veta të Prekazit ose që u kishin ardhur në ndihmë atyre, nga fshatrat e tjerë. Në varrezat e Fushës së Pajtimit, nën tytat e policisë serbe, u dërguan të prehen në përjetësi, 53 dëshmorë.Të gjithë u betuan, se atyre do t’ua merrnin hakun shumëfish. Dhe rrokën armët, deri sa u çlirua përgjithnjë Kosova: Shqipja 18-vjeçare, Bashkimi 20-vjeçar, Sahiti, Musa, Hatixhja, Xhemilja, Ragipi…”.
Mars, 2015…
Përsëri, në Kullën legjendare të Jasharajve, tani hyjnë e dalin vizitorë të panumërt. Në përvjetorin e rënies heroike të kyetrimit Adem Jashari e të familjarëve të tij, por dhe të dëshmorëve të shumtë, nga Prekazi i Kosovës, ata përkujtojnë e nderojnë të gjithë të rënët. Por, natyrshëm, i gëzohen Republikës së pavarur të Kosovës, që ecën pa u dalur në rrejedhat e demokracisë europiane. Se kjo ishte ëndërr dhe e kryetrimit Adem Jashari, e gjithë martirëve të atij trualli të stërlashtë shqiptar.
Tiranë, 5 mars 2015
Oda – Universiteti yne
Nga Sadik Elshani, Philadelphia/
Ky titull dikujt, ose shumekujt mund t’i duket i cuditshem, anakronik, i papranueshem ne shekullin XXI, por le te vazhdojme rrefimin. Ne shqiptaret per shkak te rrethanave jo te favorshme ne te cilat u ndodhem gjate historise sone, nuk patem mundesi, ose thene me mire, na u mohua mundesia qe t’i formojme institucionet e mirefillta si shumica e vendeve tjera te perparuara. Deri vone nuk patem shkolla – as fillore, as te mesme, universitete, akademi te shkencave, teatro, salla koncerti, e keshtu me radhe. Por populli, shoqeria shqiptare kishte krijuar dicka karakteristike, dicka te improvizuar, dicka te thjeshte e sublime, si besa, oda, etj. Dhe vertete keto ishin institucionet tona, vlerat tona, qe u ben pjese e identitetit dhe trashegimise sone shpirterore. Nje nga keto institucionet ( me qellim nuk po e shkruaj ne thonjeza) eshte oda, dikush e quan edhe oda e burrave, por nuk dua te bej ndarje gjinore.
Oda zakonisht eshte e ndare nga shtepia, por mund te jete edhe brenda shtepise si dhoma me e rregulluar ku jane pritur miqte. Ne ode jane mbledhur burrat dhe kane biseduar, kane debatuar per ceshtje te rendesishme: aty jane ndare pleqni, jane treguar histori, jane pajtuar gjaqe, burrat kane lidhur besen per te luftuar pushtuesit, por edhe eshte kenduar, njerezit jane argetuar. Aty jane hapur shkollat tona te para, aty rapsodet do t’i kendonin krijimet e tyre qe pastaj brez pas brezi do te vinin gjer ne ditet tona. Per rolin e odave ne jeten e shqiptarit jane dhene edhe mendime, perkufizime te ndryshme. Eshte perdorur edhe thenja: Oda ka qene Universiteti yne. Kete mund ta kene thene shume veta, por une vete e kam degjuar nga profesor Anton Cetta (1920 – 1995), mbledhes i pasionuar dhe studius i folklorit dhe krijimtarise sone popullore, padyshim njohesi me i mire i traditave, dokeve dhe zakoneve tona. Kete thesar te popullit tone ai e kishte mbledhur neper oda nga njerez te mencur. Gjate viteve te 90-ta, profesor Antoni ka qene mjaft i angazhuar ne Kosove edhe ne pajtimin e gjaqeve. Me profesor Anton Cetten kam patur rastin te rri se bashku kur me 1974 ne Brezovice u organizua nje seminar per teatrot amatore te Kosoves dhe ai ishte njeri nga ligheruesit.
Nuk kam ndermend ketu te bej nje shkrim etnografik, apo studim per odat, sepse nuk jam i kualifikuar per kete pune dhe ky nuk eshte qellimi i ketij shkrimi. Por ne keto nete te gjata e te ftohta dimri, mendja po me shkon te ato nete te gjata e te ftohta dimri te femijerise dhe rinise sime ne vendlindje – mendja me shkon te odat tona te dikurshme. Qe nga fundi i vjeshtes kur kryheshin punet kryesore te fushes e gjer ne fillim te pranveres kur punet perseri fillonin, njerezit neper fshatra e qyteza, si Suhareka/Theranda ime, mblidheshin, rrinin e bisedonin me njeri – tjetrin ne odat e tyre, here te njeri e here te tjetri. Ne ate kohe kur pak njerez kishin radio e gati askush televizor, ky ishte argetimi i vetem ne ato nete te gjata e te ftohta dimri. Edhe ne rrinim ne oden tone dhe ne odat e dajve te mi. Beheshin biseda serioze, sidomos kur vinte ndonje mik i rende, burre i respektuar e me autoritet. Aty une i kam marre mesimet e para te historise sone kombetare. Flitej hapur e pa kurrefare censure, pa u druajtur nga njeri – tjetri dhe nga askush. Shume ngjarje te rendesishme te historise sone, ata i kishin perjetuar vete. Kishte njerez qe i kishin perjetuar Lufterat Ballkanike, mbanin ne mend Shpalljen e Pavaresise se Shqiperise. Mua si femije e me vone si i ri kurreshtar keto rrefime me benin pershtypje. Flitej per iliret, Pirron, Skenderbeun, Lidhjen Shqiptare te Prizrenit, Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Azem Galicen, kolonizimin e Kosoves me kolone serbe ne mes te dy lufterave boterore, shpernguljen e shqiptareve me dhune per ne Turqi. Ngjarjet e Luftes se Dyte Boterore, apo sic njihet ajo periudhe ne Kosove, “Koha e Shqipnise” shpesh ishin tema te bisedave – kujtohej hapja e shkollave shqipe, administrata ne gjuhen shqipe. Pastaj bisedohej edhe per masakren e Tivarit – nje pjese e atyre burrave vete kishin qene deshmitare, i kishin perjetuar ato tmerre dhe ende habiteshin se si kishin mundur te shpetonin gjalle. Teme e shpeshte e bisedave ishte edhe qendresa heroike e Shaban Palluzhes ne Drenice, kembengulja e tij per te mbrojtur trojet shqiptare per te mos rene nen sundimin sllavo – komunist. Kishte mjaft kritika per naivitetin e komunisteve shqiptare dhe udheheqesve te Brigades se Peste e Brigades se Shtate Shqiptare qe u besuan komunisteve jugosllave dhe ne vend se te qendronin ne Kosove e te mbronin popullsine shqiptare, ata u larguan nga Kosova per te luftuar ne Bosnje e vise tjera joshqiptare. Ne Kosove erdhen brigadat serbo – malazeze te cilat filluan terrorin dhe masakrat ndaj popullsise se pambrojtur shqiptare. Disa nga te pranishmit ne ato biseda kishin qene te rekrutuar ne ato brigada, prandaj i dinin gjerat shume mire. Nganjehere vinte ndonje mysafir qe kishte qene i pranishem ne te ashtuquajturen mbledheje te Keshillit Popullor Rajonal ne Prizrenit me 1945, kur me force ishte vendosur qe Kosova te mbetej nen Jugosllavi e jo te bashkohej me Shqiperine, ashtu sic kishin votuar tri here shumica e delegateve shqiptare. Shume bisedohej edhe per te ashtuquajturin “Akcion per Mbledhjen e Armeve” me 1956, kur UDB-ja ushtronte dhune ndaj shqiptareve, u kerkonte armen edhe kur ata nuk e kishin. Babain tim, Avdyl Elshani (ndjese paste), pasi e kane rrahur rende e kane lene per te vdekur, e kane hedhur ne rruge ne akull, ne acar, vetem ne kemishe e telina (done), sic thone ne Kosove. Si ka shpetuar, ajo eshte nje mrekulli ne vete. Ndersa ate nate, bashkevendesi yne Jetullah Kuqi, nuk ka mundur t’i perballoje torturat, ka mbetur i vdekur ne duart e UDB-se. Po, bisedohej shume dhe shprehnin urrejtje per “Kohen e Rankoviqit”, xhelatit te shqiptareve. Kishte nga ata qe i kishin perjetuar burgjet me te renda te regjimit jugosllav, si burgun e Goli Otokut (shqip, Ishulli i Zhveshur), Nishit, Idrizoves, Mitrovices se Sremit, Zenices, etj. – secili me i zi se tjetri. Tregonin per torturat, trajtimin cnjerezor te tyre. Disa ishin akuzuar pa faj, disa per veprimtarine e tyre atdhetare per t’i mbrojtur te drejtat e shqiptareve, gjuhen tone, traditat tona – vete ekzistencen tone. Per keto ngjarje atehere nuk mesohej neper shkolla, nuk shkruhej neper libra. Nese dicka ishte shkruar, faktet, e verteta ishte shtremberuar, falsifikuar. Erdhe pastaj viti 1968, viti kthese ne historine e Kosoves. Ate vit shperthyen demonstratat e studenteve, filluan kerkesat per Kosoven Republike, filloi nje ringjallje ne jeten e shqiptareve te Kosoves. Filluan te botoheshin libra nga historia, letersia, ndersa dy vite me vone u hap edhe Universiteti i Prishtines. Kuptohet, keto ishin edhe temat qendrore te bisedave edhe neper oda, beheshin organizime, planifikime per veprime te metutjeshme.
Mund te shkruaj faqe te tera per ato vite te shkuara, per ato ngjarje qe kam mesuar nga ata burra te thjeshte, por qe jeta i kishte kalitur me pervojen e saj. Para se gjithash mbizoteronte atdhedashuria, perpjekjet dhe deshirat per ta pare vendin tone te cliruar e te perparuar. Keto biseda na burreronin, na ngjallnin atdhedasurine, respektin dhe krenarine per te kaluaren tone te lavdishme. Na mesonin sesi duhej respektuar njeri – tjetrin, ata flisnin me shume miresjellje e respekt, pa fyer asnjeri. Edhe kur nuk pajtoheshin me dicka, ata nuk e thonin drejtperdrejt, por si thone andej, me mesele dhe ne menyre teper te qete – dhe tjetri e kuptonte menjehere se ku qendronte ceshtja. Nuk nderhyhej kur tjetri fliste dhe askujt nuk i nderpritej fjala. Pra, ishte ky ai arti, ajo mjeshteria e komunikimit burreror. Me vone kur u rritem pak edhe ata deshironin te degjonin dicka nga ne. Mbaj mend qe nganjehere ulesha ne mes te odes dhe u lexoja poemat e Naim Frasherit, vjershat e Cajupit, Vaso Pashes, Dom Ndre Mjedes, At Gjergj Fishtes, etj. Pervec bisadave qe pershkrova me larte, shpesh tregoheshin edhe anegdota, mahi dhe kur ishte vetem grupi me i ngushte, benin shume hajgare, si thone ne Kosove – dhe vertet krijohej nje atmosfere shume e ngrohte dhe gazmore, tamam si ato shfaqjet e estrades. Ne ate grup te ngushte mund te permend: Veli Brahim Gashin, Haki Osman Kuqin, Rrahman Dane Kryeziun, Miftar Bajraktarin, Jetullah Fazli Gashin, Shefki Regjep Gashin, Eqerem Brahim Gashin, etj.
Kur me vone shkova per studime, fillimisht ne Universitetin e Beogradit e me vone ne Universitetin e Zagrebit, edhe atje mblidheshim here pas here dhe diskutonim per problemet tona studentore, gjendjen ne Kosove dhe viset tjera shqiptare, ceshtjen tone kombetare. Tani odat tona ishin dhomat tona studentore. Mbarova universitetin, me vone fitova edhe gradat e magjistrit e te doktorit te shkencave, punova ne kater universitete amerikane. Keto universitete me ben ate qe sot jam ne profesionin tim, por ai universiteti tjeter (oda), si dhe edukata familjare me ben ate qe sot jam si njeri, formuan dhe forcuan karakterin tim, formuan dhe ngriten ndergjegjen dhe vetedijen time kombetare. Vete ky shkrim eshte deshmi se ato vite kane lene mbresa te thella, te pashlyera ne jeten time. Philadelphia, qyteti ku une jetoj tani, ka muzeume te pasura, galeri artistike, teatro, ka nje orkester simfonik te klasit boteror e shume gjera te tjera interesante, por ja qe edhe ne kete qytet, malli me ka marre per ato odat tona te thjesha, per ate atmosfere qe krijohej aty. Disa gjera jane te perjetshme.
Gjate viteve te 90-ta te shekullit te kaluar kur regjimi serb mbylli institucionet, shkollat tona, shume veprimtari, shume tubime u zhvilluan neper oda. Aty priteshin edhe delegacionet e huaja – te kujtojme takimin e diplomatit amerikan Richard Holbrook qe u zhvillua ne nje ode te Junikut.
Tani kemi edhe dy oda te medha moderne kombetare, Kuvendin e Shqiperise dhe Kuvendin e Kosoves, por aty nuk bisedohet me njerezi, nuk veprohet me atdhedashuri si dikur ne ato oda te thjeshta fshatare. Ne te dy kuvendet, atmosfera shpesh eshte e neveritshme, aty nuk mbrohet ceshtja kombetare, por interesat e ngushta partiake. Deputetet e te dy kuvendeve nuk mblidhen per t’i kryer punet e popullit, per t’i sherbyer atdheut, por per te fyer e akuzuar njeri – tjetrin. Nganjehere keto skena as qe mund t’i shohesh me sy, niveli i tyre intelektual, niveli i miresjelljes se tyre eshte ne nje nivel te mjerueshem. Prandaj eshte mire qe te studiohen e te ruhen traditat tona te mira, vlerat tona kombetare – ato gjithmone do te jene te nevojshme ne jeten tone. Kuptohet, gjithmone duke iu pershtatur kushteve te reja te krijuara.
Sadik Elshani, Philadelphia, 5 mars, 2015
Shenim: Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.
- « Previous Page
- 1
- …
- 64
- 65
- 66
- 67
- 68
- …
- 80
- Next Page »