Besimtaret ortodokse shqiptare jane teper te shqetesuar me ngjarjet qe po ndodhin ne lindjen e mesme, ngjarje qe po masakrojne jete njerezish, vlera kulturore , prona dhe cdo gje tjeter. Si besimtare te paqes , dashurise dhe harmonise fetare dhe njerzore, kemi pergjegjesi dhe shqetesim. Kisha ortodokse pavarur kombetare shqiptare Shen Maria ne Elbasan mendon se ne shqiptaret mund te afrojne strehe shpirtrore per familjet qe perndiqen dhe po masakrohen ne Lindjen e Mesme pa dallim fetar, per cdo besimtar dhe jo besimtar qe predikon dhe kerkon te jetoje ne dashuri, paqe dhe mirqenie sipas parimeve fetare dhe demokracise njerzore.
Sigurisht nje strehe shpirtrore, ushqimore, fjetjeje dhe mbrojtje kerkon infrastrukture te ngritur nga shteti me mbeshtetje te fuqive perendimore.
Revolucioni i zi, anarkist dhe terrorist, i mbeshtetur ne metoda te dhunes, krimit, frikes, pasigurise, shkatrrimit, ka rritur kriminalitetin, vjedhjen dhe terrorin ne njerez krejtesisht te pafajshem.
Shohim perdite qe familje pa fund me femije te vegjel, braktisin shtepite, pronat, te afermit duke marre nje rruge drejt vdekjes, drejt urise ne qiell te hapur. Me te drejte theme se zoti na ka bekuar qe ne jemi jashte kesaj masakre, por, Ai na meson se duhet te kujdesemi per njeri tjetrin. Ne kemi vete probleme me varferine, strehimin dhe gjera te tjera por, kjo nuk na e largon shpirtin human dhe njerezor qe na karakterizon.
Ne jemi nje vend i vogel si territor dhe popullsi, kapacitete tona jane modeste qe duhet ti veme ne veprim me ndihmen e nderkombetareve. E kemi treguar nje shembull ne vitin 1999 me vellezerit tane te Kosoves. Shqiperia ka biznesmene te fuqishem dhe te mesem qe pekohesisht mund te afrojne strehe dhe ushqim per ata popuj qe sot ndodhen ne kurthin e vdekjes. Shteti shqiptar mund tja dale per nje gadishmeri modeste per tu bere shembull dhe vendeve gjigande te mesdheut dhe perendimit.
Njerzit po mbyten ne mesdhe ne emer te jetes dhe lirise. Vetem mund ti shohim? Grate dhe vajzat po perdhunohen dhe martohen me zor dhe ne, vetem mund ti shohim? Femijet po shfrytezohen per qellime terroriste, ne vetem mund ti shohim? Semundjet dhe urija po mbjell vdekje, ne vetem mund ti shohim? Shkatrrohen banese, prona, vlera kulturore, ne vetem mund ti shohim? Jo. Zoti u qofte prane ketyre njerezve. Te mos harrojme se zoti ka besimtaret e tije qe ne asnje menyre nuk duhet te rrine indiferente. Ne ne cdo meshe, lutemi per jetet e humbura ne agoni, frike dhe padrejtesi. Lutemi qe mendjet e nxeta, qe sot perdoren dhe politikisht te ndalin mendjen kriminale dhe te respektojne jeten e njerzve. Askush nuk ka te drejte te beje krim dhe cnderim ne emer te Zotit. Eshte spekullim skandaloz dhe semundje psikike e delirit egoist, qe i drejton keta anarshiste te ngjashem me nje revolucion te zi dhe vdekje prures.
Mungesa e dashurise, mungesa e respektit, mungesa e kushteve njerzore per jetese dhe sidomos mungesa e besimit te vertete sjell si pasoje, ligesi, injorance, dhune, krim, anti besim, anti dashuri, anti respekt, racizem dhe sidomos zhdukjen e njeriut human.
Ne lutemi qe Pashket Ortodokse se bashku me ngjalljen e Jezu Krishtit te jene dhe fillimi i nje paqe ne lindjen e mesme. Dhe ne kishen Shen Mari Elbasan, aty ku ndodhet dhe busti i kryepeshkopit te pare shqiptar im zot Fan Noli. Kryepeshkop i cili do te mbetet ylli polar i kishes ortodokse pavarur kombetare shqiptare, ne do te lutemi dhe per paqe ne lindjen e mesme.
KISHA ORTODOKSE PAVARUR KOMBETARE SHQIPTARE
ATE NIKOLLA MARKU
Archives for April 2015
“NGUL E SHKUL”
Nga Fadil LUSHI/
Ky Rufati nga Tetova, që e kam shok nga fëmijëria ime, një ditë më mori në telefon për të më thënë diçka. Çuditërisht nuk e zgjati muhabetin, i ra “shkurt telit”, sepse u “tut” se po ia përgjojnë llafet. Se ç’llafe ishin nuk e kuptova dot. Erdhi me vrap në zyrën time. Ishte mbushur me frymë dhe, ende pa u ulur në ndenjësen e gjerë dhe të butë (të cilën, sa herë më viziton, aq herë e koncepton si kolltuk berberi), pos të tjerash më tha: “Ti miku im që merresh me “thashetheme”, hap veshët dhe më dëgjo me vëmendje! Më lejo që për shkrimin tënd të radhës të të sugjeroj një ide frytdhënëse, andaj do të ishte mirë që një pjesë të kësaj ideje ta hedhësh në të”. Tërë sy e veshë, ia ktheva: ”Po hajde, or qerrata, pa ma thuaj idenë që e bëre tërkuzë!? “Ja, po ta shpjegoj unë!”, vijoi ai duke më thënë mes të tjerash: “…, nuk është keq që në opinionin në vijim t’i përdorësh foljet, siç janë – ngul e shkul”(!?). Hajde mendje, hajde! Ç’më polli belaja me këtë gjysh “belaqar!”. Po si do e bëj këtë punë! A mos vallë do më duhet që këtij shkrimi t’ia ngul gozhdën, vallë do më duhet t’ia ngul hunin, ose do më duhet t’ia ngul shtyllat, apo do t’ia ngul kazmën, po do t’ia ngul thellë a cekët, do e rëndoj me forcë, e të tjera “ngulje”(!?). Vallë ky vështrim do të ketë “takat” që t’i durojë gjithë këto “ngulje”…. Hajt, ta marrim me mend, se këtij shkrimi do t’ia “ngulim të tërat”, por ama pastaj si do t’ia shkulim hunin, gozhdën, “thashethemin a sajimin”, do t’ia shkulim gardhin, thinjat e tjera të tilla që ndoshta nuk i meriton t’ia shkulësh. Meqenëse për një moment më “vajti” mendja te “Gomari i Buridanit”, mikut tim ia parashtrova mëdyshjet e mia: “Ja, po themi se do të veproj ashtu si më sugjeron, atëherë ku do më dalë ky shkrim…, po edhe sikur ta bëjmë këtë, a mendon se e gjithë kjo do t’i hyjë në punë dikujt…, po kujt i plas e gjithë kjo vaki, kush është ai lexues që do të çajë kokën për këtë!?“… “Po, po!”, ma ktheu, “Ka të tillë që u plas…,” Pastaj e pyeta se kush janë ata. “Janë sehirxhinjtë dhe ata që para se të bëhen atdhetarë, ashtu padrejtësisht parapëlqejnë të bëhen nacional-shovinistë provincialë, folkpatriotë a edhe burra që rrahin gratë e tyre kur ato ua vonojnë çorbën e sabahit”(!?). M’u duk ide e mirë, por ama, thashë, sikur këtij shkrimi t’ia kisha “futur” foljet ngul e shkul, a thua vallë do të bëhej hataja!? Besoj se jo. Pavarësisht se kjo punë a mesele mund të na “sjellë ndonjë ngatërresë”, vendosëm që këtij shkrimi, të mos ia heqim foljet e lartpërmendura me qëllim që t’i “japim frymë” paragrafit në vijim.
Mes një pazari të shehrit, ku nuk ka rend, e ku ka sa të duash hallakamë mendimesh gjithsesi të shtrembëruara dhe ku ka ca mallra “paksa të veçanta” që shiten nën dorë, ishin ngatërruar dy shqiptarë me profesion prej gazetari. Ata që i njihnin për së afërmi thoshin se që të dy kishin “zbritur nga fshati” para një çerekshekulli dhe ishin sistemuar pranë “vendalinjve” të cilët u kishin “hipur sipër” dhe i “mbanin nën tutelë”(!?). Muhabeti i tyre kishte filluar me “ngul e shkul”. I pari, ishte arsimuar në oksident dhe hiqej me kulturë katolike , kurse i dyti, karakterizohej me“tabiate” orientale. Origjina fetare e të të dyve konsistonte me islamin. Njëri prej tyre kishte devijuar pak nga “fiqiri!”. Si duket nuk merreshin vesh më zë të ulur andaj, kishin “vendosur” të ngritin tonet duke menduar se ashtu do t’i vinin pikë konfliktit mes tyre. Edhe përtej kësaj, asnjëri nuk e kuptonte tjetrin, ndonëse që të dy flisnin me atë dialektin e tyre krahinor, njëri me pak theks anglez e tjetri me atë turk. Njëri ngulte hunin, tjetri shkulte gardhin dhe kështu vazhduan të ofendohen si kalamajtë e mëhallës së… Njëri i tha se ç’pat me atë dhe me mbiemrin e tij…, kurse tjetri i tha se nuk u bë hataja…, po të marrë mushkën dhe t’i ngarkojë drutë…, po të mos harrojë e ta lërë vetë atë, po të shkojë t’ia tregojë rrugën…, pastaj tjetri i thotë që të marrë gomarin dhe t’ia ngarkojë mendtë e tij!? Ky “orientalisti” sikur qenkësh ndier i ofenduar pse ky “shqiptari evropian” i ishte drejtuar me atë fjalinë: “Ik o anadollak dhe qeleshexhi i Perandorisë Otomane”(!?). “Anadollaku” nuk ia paska vonuar “xhevapin” duke i thënë: “Ti i përngjan asaj letre tualeti të prodhuar diku në Evropë”(!?).
Një i moshuar që ishte dukur atypari dhe që hiqej si puro shehërli i vjetër, u paska hyrë ndërmjet me qëllim që t’i qetësojë “gazetarët e ngatërruar” (Stërgjyshë-rit tanë dikur moti kishin thënë se ku janë dy vetë, mos u bëj i treti). Ky “shehër-liu“ që kishte rastis ta dëgjonte këtë “muhabet ngul e shkul”, i kishte pyetur për “sebepin” e kësaj ngatërrese. Njëri që dukej më “fodull dhe që çante trapin, po edhe që i binte fyellit në një vrimë”, i përgjigjet “… e gjithë kjo mesele ka të bëjë me bombat, gjegjësisht me skandalin e përgjimeve “të prodhuara nga ana e kryeparit të partisë politike maqedonase në opozitë”(!?). Shehërliu tha: “Po çfarë të keqe ka këtu!?” Që të dy ashtu në kor dhe ashtu me një zë, ia kthyen: “Të gjitha këto përgjime dhe bomba janë njënacionale…, përse nuk ka një bombë edhe për ne shqiptarët”(!?). Eh, ju “axhaminjtë e mi”, po ç’na duhet bomba e Zaevit, kur ne kemi një të tillë tonin, ua ktheu “shehërliu“.
Para se ta përfundojmë ne këtë “muhabet ngul e shkul”, do ta lakojmë atë meselenë e fshatarëve të cilëve dikur moti mbreti u kishte dhuruar një elefant.., por ama elefanti si elefant, u kishte bërë shumë “zullume”. Një ditë, fshatarët kishin vendosur që të shkojnë te mbreti për t’ia shpjeguar “dertet” e tyre. Fshatarët, kishin emëruar kryeplakun e katundit i cili do t’i rrëfehej mbretit për shqetësimet e tyre. Por ama gjatë rrugëtimit, numri i fshatarëve kishte filluar pak nga pak të “shterej”…, dhe në fund kryeplaku kishte mbetur vetëm. Dhe kur futet në oborr, mbreti e pyeti: “Ç’hall të solli këtu?” Kryeplaku i kishte thënë: “Lartmadhëria Juaj, bashkëfshatarët e mi, kërkojnë prej jush t’ua sjillni edhe dy elefantë”(!?)
Ky Rufati, që nuk është i kompleksuar e as i frustruar, para se të ikte më pyeti: “Hë, mor jaran, pa më thuaj kujt do t’ia “ngulësh“ këtë shkrim?!” Ia ktheva – ideatorit!?
Fan Noli: Nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë anëtar i ndonjë organizate komuniste
Një luftë e rreptë shpërtheu brenda gjirit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë në vitet 1949-55, ateherë kur një pjesë besimtarësh brenda saj, u orvatën ta rrëzonin Peshkop Nolin nga kryesia e Kishës duke e akuzuar si komunist. Qarqet shoveniste greke shfrytëzuan rivalitetet klanore të shqiptarëve, duke i nxitur të kërkonin prej Patrikanës së Stambollit një Peshkop tjetër, të përshtatshëm. Patrikana nisi menjëherë Mark Lipen, prift me origjinë shqiptare, duke e emëruar pa asnjë të drejtë kanunore Kryepeshkop. Qe një manevër djallëzore për të futur kishat shqiptare të Amerikës, qendrat kulturore të identitetit dhe të ndjenjave patriotike, nën kupolën e kishës greke. Per disa vjet kishat shqiptare u përçanë duke patur secila palë kryepeshkopin e saj. Më se tre të katërtat e kishave shqiptare qendruan me Fan Nolin, ndaj diversioni i Patrikanës nuk pati sukses. Pas vdekjes së Mark Lipës, 2 nga 3 kishat që ishin bashkuar me të, u kthyen në gjirin e Kishës shqiptare. Artikulli i Nolit shquhet për parashtrimin e fakteve me logjikë, për forcën e argumentimit dhe për gjuhën e mprehtë, duke shkëlqyer me polemikën e tij në mbrojtje të pavarësisë së Kishës shqiptare në Amerikë dhe dinjitetit kombëtar.
Letra e Fan S Nolit:
Në përgjegje të disa aludimeve të bëra në raportin e zotit Glenn A. MëkLein prej Quincy, Mass., të cilat u futën në Apendiksin e Fjalimeve të Kongregacionit të 31 korrikut dhe të 1 gushtit të vitit 1951 prej të nderuarit Harold H. Velde nga Ilinoisi, dëshiroj të bëj deklaratën që vijon:
Unë nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë anëtar i ndonjë organizate komuniste, ose prokomuniste dhe asnjëherë në jetën time nuk kam bërë predikime komuniste, prokomuniste ose anti-amerikane. Përkundrazi gjithmonë kam lavdëruar modelin e demokracisë amerikane dhe jam përpjekur të evidencoj faktin historik se Shqipëria ia detyron pavarësisnë në radhë të parë përkrahjes së Amerikës dhe veçanërisht Presidentit Wilson. As Kisha ime, as unë nuk jemi nën juridiksionin e ndonjë Sinodi a Patrikane të huaj komuniste a të çfardo lloji tjetër, sepse Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës, të cilën e kryesoj, është e pavarur administrativisht. Nuk kam pushuar nga detyra ndonjë prift për arsye se ka qenë antikomunist. At Radoja e humbi detyrën që kishte në Nju Jork sepse ai vetë i kërkoi Kryesisë së Kishës lokale ose t’i paguanin një rrogë më të lartë, ose të gjenin prift tjetër. Sa për emërimin ose shkarkimin e Peshkopëve (Dhespotëve) ose Kryepeshkopëve të Kishës Ortodokse në Shqipëri, unë nuk kam të bëj aspak me atë çështje.
Të thënat e zotit MëkLein janë një çorbë derri që s’e tret stomaku, gatuar me materiale të ardhura nga burime të dyshimta dhe jo të besueshme. Informatorët e tij kryesorë, të cilët i përmend shpesh, janë von Redlik, panegjirist i mbretit Zog dhe Vasil Alarupi, prokonsulli i shquar Fashist i Korçës gjatë pushtimit italian të Shqipërisë. Zoti MëkLain tregohet tepër naiv kur çirrjet e tyre i merr si të vërteta të shenjta.
Duket qartë se zoti MëkLain nuk ka aftësinë e duhur të gjykojë Kishën Ortodokse Shqiptare, ose përgjithësisht Kishën Ortodokse të Lindjes, sepse është komplet injorant në këtë fushë. Atij i thotë mendja, për shembull, se Patriku i Stambollit e ka pozitën njëlloj si Papa i Romës dhe kësisoj gëzon të drejtën të caktojë një Kryepeshkop për shqiptarët ortodoksë të Amerikës, ashtu siç bëri kur dërgoi Mark Lipen në Boston. Sikurse dihet mirëfilli Patriku i Stambollit nuk e ka këtë të drejtë. Juridiksioni i tij përfshin vetëm Dioqezën e Stambollit (Konstantinopolit), me një popullsi prej më pak se 100.000 grekër. Kishat e tjera e njohin atë nominalisht si krye, po nuk marrin urdhëra prej tij, sepse praktikisht janë të pavarura. Këshilli Ekumenik, ku gjithë kishat përfaqësohen nga Peshkopët e tyre, është autoriteti i vetëm, urdhërat e të cilit janë të detyrueshme. Patriku i Stambollit vetëm emrin ka igumenik, ndërsa në të vërtetë s’është veçse një kryepeshkop provincial grek i parëndësishëm dhe çka është më keq, grigja e tij po pakësohet me shpejtësi, nga që mijra grekë po ikin prej Stambollit për shkak të përndjekjeve turke dhe në një të ardhme të afërt, ka perspektivën të katandiset Peshkop titullar “in partibus infidelium,” pa asnjë besimtar.
E vërteta është se në të kaluarën Ortodoksët e Shqipërisë kanë qenë nën juridiksionin e Patrikut të Stambollit, por më 1936, kur ai njohu Kishën Shqiptare si autoqefale, ky juridiksion mori fund. Që nga ai vit Patrikana s’ka asnjë të drejtë kanonike të ndërhyjë në çështjet e Kishës Ortodokse Shqiptare kudo qofshin ata. Për pasojë ai ka kryer një akt jo kanonik kur caktoi Mark Lipen si Kryepeshkop për Ortodoksët Shqiptarë në Amerikë. Edhe përpara këtij akti, qysh më 1950, Patriku shkeli rregullat kanonike qysh kur lejoi Mark Lipen të bëhej në mënyrë të rrufeshme dhjak, prift dhe Kryepeshkop brenda gjashtë muajsh. Kanuni I i Këshillit Ekumenik VII të Nikesë, Kanuni X i Këshillit të Sardës, Kanuni XVI i Këshillit të Parë dhe të Dytë të Konstantinopolit kërkojnë respektimin e rregullit se askush nuk mund të dorëzohet Peshkop pa patur shkollë dhe pa një periudhë të gjatë shërbimi si dhjak e prift. Konsakrimi i Lipes si Kryepeshkop pa përgatitjen e duhur është po aq qesharak sa edhe të prezantosh doktor me gradë shkencore një njeri që ka kryer vetëm gjashtë muaj shkollë mjeksore.
Zoti MëkLain nuk e njeh mirë as gjeografinë e Ballkanit. Na kumton se Lipa “e ka marrë edukatën fetare në shkollën telogjike të Kalkës në Shqipëri.” Çdokush që e njeh sadopak gjeografinë e Ballkanit dhe të Patriarkatit të Stambollit do ta dinte se shkolla telogjike e Kalkës gjendet afër Stambollit, në Turqi dhe jo në Shqipëri. Me sa duket vështirë të besohet se Mark Lipa ka kryer ndonjë shkollë teologjike në Kalkë ose në ndonjë vend tjetër. Duke gjykuar nga letrat e tij, si zor të ketë mbaruar edhe shkollën fillore.
Konsakrimi i këtij batakçiu injorant tridhjetvjeçar në postin episkopal është një veprim pa mend dhe shkatërrimtar që nuk i gjendet shoku në historinë e kishës. Ne s’kemi nevojë të shkojmë larg për të zbuluar arsyet pse u flakën mënjanë në mënyrë aq cinike ligjet kanonike nga konsekratorët e Mark Lipes. Edhe fëmijët e Lindjes së Afërme e dinë se Patrikana e Stambollit s’është veçse një zgjatim i zyrave të Propagandës Greke. Duhej të punonte një agjent ndërmjet shqiptarëve ortodoksë për të fituar përkrahës për aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia. Mark Lipa u shenjua për ta kryer këtë detyrë, nën rason fetare dhe kështu u konsakrua në kundërshtim me traditat e lashta të kishës.
Zoti Mëklein më akuzon mua dhe Kishën time si antiamerikane, ndërsa Mark Lipen e gjen si të vetmin njeri të aftë t’u mësojë shqiptarëve demokracinë amerikane. Absurditeti i kësaj lidhje duket sheshazi për çdo njeri që njeh faktet. Dalka se Mark Lipa nuk merr erë nga anglishtja dhe nuk ka të ngjarë të ketë mësuar shumë për demokracinë amerikane në Stamboll, a në Turqi ku lindi dhe u rrit. Ndryshe nga ç’pandehet, Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës përbëhet kryesisht nga qytetarë amerikanë, të cilët shkulen së qeshuri me idenë që të marrin mësime për demokracinë amerikane nga një ignoramus1 si Lipa, këmba e të cilit s’ka veçse disa muaj që shkeli në tokën amerikane.
Po bëhen tani më se dhjetë vjet qëkurse Kisha jonë iu vu punës për të zbatuar programin e amerikanizimit të kishës. Na u duk se rruga më e mirë qe të futnim shërbesën anglisht për Kishën tonë, duke filluar nga të kremtet e mëdha si Krishtlindja dhe Pashkët. Këtë gjë duhesh ta bënim për të tërhequr brezin e ri, shumë nga të cilët as nuk e flasin shqipen, as nuk e kuptojnë. Po për ta kthyer shërbesën anglisht duhesh një punë kolosale dhe shpenzime të mëdha. Jam i kënaqur të them se kësaj detyre themeltare i dolëm mbanë. Më 1949 Kisha jonë botoi “Libri i Lutjeve të Ortodoksëve të Lindjes” (The Eastern Orthodox Prayer Book), një vepër prej 695 faqesh, ku janë përmbledhur të gjitha shërbesat e Kishës Ortodokse të Lindjes në anglisht. I vetmi libër në gjuhën angleze që mund të barazohet me të, është ai i Ms. Hapgood, shpenzimet e të cilit u mbuluan nga Sinodi i Shenjtë i Rusisë gjatë regjimit carist. Këtë vit vit Kisha jonë botoi “Hymnore e Ortodoksëve të Lindjes” e cila padyshim është më e mira dhe më e kuptueshmja e hymnoreve të Ortodoksëve të Lindjes që janë botuar anglisht. Këto dy libra flasin më shumë se fjalët për punën tonë për amerikanizimin e kishës.
Kryepeshkop F.S. Noli
i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë
18 tetor 1951
E përktheu nga anglishtja Naum Prifti(Dielli-arkiv)
SHENIM RRETH DEKLARATES TE KESHILLIT TE FEDERATES PAN-SHQIPTARE TE AMERIKES “VATRA”
D E K L A R A T E/
E Keshillit Qendror te Federates Panshqiptare te Amerikes “VATRA”/
***************
(Shenim.- Ne vitin 1949, Patrikana Greke e Stambollit dergoj ne Shtetet e Bashkuara nji “peshkop” grek “shqipfoles” i quejtun Mark Lipa, me qellim te marre ne dore Kryepeshkopaten Orthodokse Autoqefale Shqiptare, (KOASH) te themelueme dhe te mirembajtun nga i ndjeri Imzot Fan S. Noli. Ardhja e “Peshkop Lipes” shkaktoi nji ndamje te forte ne mesin e popullsise orthodokse ketu ne Amerike, dhe rrezikoi perfundimin e Kishes (K.O.A.SH) ne nji dege te Kishes Greke te Amerikes. Ne mes te veprimeve anmiqsore te nji grupi te shqiptareve orthopdoks te Bostonit, ka qene edhe nji fushate shpifje e organizueme dhe e drejtueme kunder te ndjerit Imzot Fan S.Noli, kryetar i KOASH-it. Ne numrin e saj 2350,date 13-19 mars 2015, gazeta Illyria e New Yorku-t botoi nji pergenjeshrim te plote te progandes pro-greke te grupit “Peshkop Lipa” shkrue nga mjeshtri i madh i pendes Imzot Fan S. Noli.
Me kete rast, edhe Federata Panshqiptare e Amerikes “VATRA” mori nji qendrim te preme kunder kesaj manovre tinzake, dhe ne nji Mbledhje Plenare te mbajtun ne New York City vendosi te leshoje nji Deklarate publike ku te sqarohej qendrimi i saj. Ma poshte do te lexoni Deklaraten ne gjuhen shqipe.
Me keqardhje duhet te pohojme se edhe disa ish emigrante politike antikomuniste, te zemruem nga qendrimi i Imzot Fan S. Nolit qe shikohej si pro-qeverise se Tiranes, nxituen dhe perkrahen “Peshkop Lipen” deri sa kuptuen gabimin e tyne. Kjo Deklarate botohet sot si shtese e shkrimit ne fletoren Illyria te New Yorkut mbi kete subjekt. Sami Repishti)
***
Boston, Mass.- Bashkesia Shqiptare ne Shtetet e Bashkuara te Amerikes ka mesuar me nje keqardhje tronditese- megjithese nuk eshte habitur- veprimtarine e koheve te fundit te ndermarrur nga Peshkop Mark Lipa kunder Diocezes Shqiptare Orthodokse ne Amerike , si dhe nje tentative tjeter ne perpjekjet e tia per te shkaterruar ose te marre ne dore kete Dioçeze.
Keshili Qendror i Federates VATRA, ne mbledhjen e tij Plenare, te mbajtur ne Sheraton Atlantic Hotel, New York City, i ndergjegjshem per pergjegjesine qe mban ne ruajtjen e interesave te bashkesise shqiptare ne Shtetet e Bashkuara, i kushtoi nje vemendje te veçante ketij rreziku te ri qe vjen nga jashte, dhe pas nje studimi te imte te gjendjes se krijuar, vendosi te adaptoje, si parim drejtonjes te qendrimit te tij kundrejt Peshkop Mark Lipes, deklaraten (e botuar ne Illyria,SR) e bere nga i ndjeri Metropolit Fan S. Noli, ish Kryetar Nderi i Federates VATRA, dhe ish Kryetar i Kishes Shqiptare Orthodokse ne Amerike. Deklarata thote sa vijon:
“Patrikana Greke e Stambollit nuk eshte ne lufte vetem me Kishen ne Shqiperi. Ajo eshte ne lufte gjithashtu edhe me Kishen Shqiptare ne Amerike. Per kete qellim, Patrikana dergoi Mark Lipen, Peshkop Titullar i Lefki-t ne Shtetet e Bashkuara me 1949. Misioni i tij eshte qe te shkaterroj Kishen Shqiptare Orthodokse ne Amerike dhe te marre Kishet ne dorezim. Pretendimi i tij se eshte nga raca shqiotare nuk ndryshon aspak situaten. Ketu nuk eshte fjala per prejardhje kombetare. Ketu ka rendesi autoriteti kishetar qe ai sherben dhe natyra e misionit te tij. Ne te gjithe e dijme se ai sherben Patrikanen Greke te Stambollit, dhe misioni i tij eshte qe te vere Shqiptaret Orthodokes te Amerikes nen juridiksionin e asaj agjensie Greke dhe armike. Per kete arsye ai eshte vetem nji Peshkop grek, pavaresisht nga origjina e tij. Ska asnji dyshim se perpjekja e tij eshte Don Kishoteske dhe e pa shprese. Ai nuk mund te kthej prapa rroten e historise”.
Keshilli Qendror i Federates VATRA muar ne shqyrtim gjithashtu faktin se nje propagande e çthurur ka mepire ndjenjat e detyres morale te disa bashkeadhetareve tane.
Eshte nje krim te ushqesh ne mendjet e bashkesise shqiptare ne Shtetet e Bashkuara iluzionin se zgjidhja e vetme e problemit te krijuar artificialisht ne Kishen tone Shqiptare Orthodokse eshte te pranosh nji peshkop te paligjeshem dhe qe ka bere veten Kryetar te Kishes. Nuk ka dyshim se eshte shume me e ndereshme te deklarosh haptas –ashtu siç vepron VATRA- se nje grup njerezish preferon sundimin e individit me shume se sundimin e ligjit, dhe se ky grup njerezish deshiron te imponoje vullnetin e tij kunder frymes dhe shkrimit te Kushtetutes. Duke manovruar me permbajtjen e errte te nje letre, ata kane hedhur poshte ligjin themeltar te Diocezes sone qe eshte formuluar, shkruar dhe aprovuar nga i njejti leader, kujtimin e te cilit ata pretendojne te nderojne sot. Pas nje perdeje te mjegullte fjalesh, qellimi i vertete i tyre duket akoma i qarte: ata po perpiqen te krijojne nje precedent ne shkeljen e Kushtetutes sot qe emocionet kane arrijte kulmin, me qellim qe te jene te lire te perserisin akoma me vone, sipas kapriceve te nje grupi ambicioz, me pikesynimin e fundit te nenshtrojne plotesisht Diocezen tone interesave te ketij grupi. Eshte pikerisht ky qendrim i gabuar qe perben rrezikun e vertete per Kishen Shqiptare Orthodokse ne Amerike.
Prandaj, VATRA ka marre persiper detyren qe te veje ne dijeni te gjithe Shqiptaret e Amerikes per faktin se ligji themeltar i njerit nga institucionet tona, d.m.th. i Kishes Shqiptare orthodokse te Amerikes po shkelet vazhdimisht. VATRA ve ne dukje faktin se eshte e para here qe bashkesia Shqiptare ketu ne Shtetet e Bashkuara po perballon nje rrezik te tille, i cili po te mos ndalohet mund te behet vdekje-prures per Diocezen Shqiptare Orthodokse ne Amerike. VATRA i drejtohet te gjithe bashkesise Shqiptare ne Shtetet e Bashkuara pa dallim feje dhe bindje politike te bashkohen ne nje perpjekje te sinqerte per te zhvilluar akoma me shume frymen e lire dhe demokracine mbrenda institucioneve tona, duke krijuar keshtu nje shembull te shkelqyer per brezenite e sotme dhe te ardhme.
Ne duhet te veprojme ne kete drejtim per arsyen e thjeshte dhe themelore se eshte e vetmja menyre e drejte me veprue.
Me ne fund, Keshilli Qendror I Federates VATRA perkrahu unanimisht deklaraten e bere ng Presidenti i saj, me te cilen ai premton ndihme morale dhe materiale te pa kursyer per Diocezen Shqiptare Orthodokse ne Amerike ne luften e saj kunder nderhyrjes se huaj, dhe ne perpjekjet e saj per te jetuar si nje institucion fetar dhe shqiptar I lire.
Nga KESHILLI QENDROR I FEDERATES PAN-SHQIPTARE TE AMERIKES “VATRA”
12 qershor 1966
Sheraton Atlantic Hotel-New York City
******************
(Shenim 2: Per kete sherbim modest timin per VATRA-n, nji grup te gabuaresh nga Bostoni, te kryesuar nga i ndjeri Peter Minari akuzuan VATRA-n se sherbehet nga “turqit”. Natyrisht kjo influence greke qe njeh vetem orthodoks (greke) dhe
“mysliman” (turq) eshte perdorue shume per mashtrime edhe ketu ne Amerike.SR)
(Marre nga gazeta DIELLI (The Sun), vol.56, Nr. 20, data 22 qershor 1966, f.1)
SHQIPTARET E AMERIKES KREMTOJNE PASHKET
Panoramë shumë e bukur e kremtimit të Pashkëve nga besimtarët shqiptarë në SHBA/
Shkruan: Beqir SINA – New York/
Gëzuar Pashkët! Happy Easter!
NEW YORK CITY : Pashkët Kataolike kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit, ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq – janë duke u kremtuar me gëzim të madh edhe në mesin e katolikëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, sidomos në dy vendvendosjet më të mëdha të tyre, në zonën e Detroitit – Michigan dhe zonën e Tri-Shteshit – New York, New Jersey dhe Connecticut.
Kjo, panoramë e bukur festive pasqyrohet mjaft mirë edhe në informacionin e përcjellur në faqet e interrnetit, rrjetet sociale face book dhe tweeter, të kishave shqiptare katolike në SHBA, ku tregohet se celebrimet dhe krimtimet kudo janë madhështore, në kishat katolike shqiptare, nëpër Amerikë, duke iu bashkuar kështu kremtimeve në të gjithë botën katolike, kryqetërthor rruzullit, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe viset shqiptare dhe diasporë.
Më së miri këtë fakt, e shohin në videot dhe fotografite e hedhura sot në rrejetin social facebookun të Kishës Katolike Zoja e Shkodrës – Our Lady of Schodra – (https://www.facebook.com/albanianchurch?fref=ts), ku shikojmë se mesha qendrore e festës, është kremtuar të shtunën, më 4 prill, në orën 21.00, duke gëdhirë e Diela e Madhe e Pashkëve.
Ndërkohë, që po sot Ditën e Pashkëve, të dielën, më 5 prill, po në këtë kishë, kryefamullitari Dom Pjetër Popaj, dhe ndihmësi i tij Dom Viktori, kremtojnë së bashku me besimtarët e tyre, meshën në orën 09.00 dhe 12 të mesdrekës, sipas traditës së kësaj kremte të madhe.
Çka, ajo duket qartë edhe në pamjet filmike , ku në Kishë për të celebruar së bashku Pashkët, janë mbledhur mijëra besmitarë katolikë shqiptarë, të cilët mbasi kan qendruar mbrëmë deri vonë në meshat madhore për Pashkët në Kishën Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës – Our Lady of Shkodra në Harstdale në Nju Jork, përsëri sot u mblodhën së bashku me fëmijët e tyre në të Dielën e Pashkëve.
Ku, simbas traditës, dhe kryerjes së këtij riti fetar katolik në liturigjinë e tij meshtari i saj Dom Pjetër Popaj – thotë ndër të tjera se :”Ndihma jonë është në emër të Zotit, i cili krijoi Qiellin dhe Tokën! O Zot dëgjoje britmen time dhe ajo të mbrrijë tek Ti! O Ati Ynë bekojë gjithë këtë ushqim, bukën, vezët dhe djathin dhe ushqimet e tjera që kemi përgatitur për këtë festë dhe na bën që në dashuri me gëzim t’i kremtojmë këto Pashkë – Na përmbush me fuqin tande që qysh tani te jetojmë me Krishtin dhe duke u ringjallemi me Të, që jeton dhe mbretëron në shekuj të shekujve. Amen!”
Më tej, Dom Pjetër Popaj lutet, duke thënë: “Zoti qoftë me Ju! ju bekoftë Hyji i gjithpushteshëm: Ati e biri e Shpipri Shenjt. Zoti ju ruajtë dhe për shumë mot dhe më gëzime – për shumë vjetë dhe Gëzuar Pashkët! të gjithë besimtarëve”,
Kurse, në fund të meshës famullitari i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj, thotë se :”Meqënse, kjo natë është nata e felënderimit – dhe falënderojmë Zotin për ringjalljen e Krishtit prej së vdekurit që është shëlbimi ynë, shpresa jonë për jetën e amshueme. Dhe, ne ju falënderojmë të gjithë ju besimtarëve, sikur meshtarët e juaj, për shembullin e mirë që jepni, për inspirimin që keni ndaj një feje të dallueme tuajën, që vazhdimisht e tregoni me bujarinë tuaj të pashterrshme, solidaritetin dhe besnikërinë tuaj – Shumë ju falëmi nderit, ne sikur meshtarët tuaj – shërbëtorët tuaj gjithmonë e ndijemë veten edhe më të gëzueshëm kur ju shohim ju të gëzueshëm dhe jeni aq afër Zotit dhe aq afër njëri tjetrit. Dhe një falënderim të posaçëm të gjithë atyre që kan ndihmuar këtë Meshë të Madhe dhe për shumë vjetë dhe Gëzuar Pashkët! të gjithë besimtarëve”.
Pashkët të cilët simbas riteve nisën ditën e Ejte, sot, të Dielën, kan vazhduar me dy mesha të Shejta dhe gjatë gjithë ditës, besimtaret shkëmbejn dhe thyejn vezët mes tyre – deri tek banketet e shtura dhe të mbushura përplot me ushqime, të ndryshme në mjediset familjare, drekën e Pashkës – një drekë e veçantë, kjo e cila dallohet për gatimet tradicionale të krishtera – dhe më pas daljet familjare nëpër pikniqe në parqet e qyteteve për reth qendra të banimit dhe vizita tek njëri tjetri.
Një foto album në adresën e internetit të kishës Our Lady of Schodra shihet si është përcjell me një gëzim të madh edhe kremtimi Pashkëve Katolike në mesin e fëmijëve shqiptar në Amerikë, Të cilët kan zgjedhë diçka argëtuese sipas traditës së Pashkëve, për të bërë edhe më të bukur dhe kremtuar së bashku me prindërit e tyre të Dielën e Pashkëve. Fëmijët e veshur bukur me shportat me vezët me të gjitha ngjyrat, e kan bër këtë ditë festive të Pashkëve edhe më gazmore – më të mrekullueshme, për të gjithë fëmijët katolik në Nju Jork, që përfshin zonën e Tri Shtetshit .
Në hyrje të Kishës “Our Lady of Schodra”, i veshur me një mbulesë artizanale Lepuri i Pashkëve- Easter Bunny” i cili është një element kryesor kryesor i Pashkëve në shumë mjedise të krishtera, sot anembanë botës, është pjesë edhe e fëmijëve shqiptarë. Ai ishte duke qëndruar në oborrin e Kishës, teksa mbante të fshehur në shportë të madhe, vezë për ata që ai i quan fëmijët e mirë dhe ka lënë atyre nëpër shportat e tyre të Pashkëve edhe me ndonjë lodër dhe ëmbëlsira.
Megjithatë, duke e përshkruar atmosferën madhështore të kësaj kremte të madhe , duhet cekur se një pjesë besimtarëve, kan zgjedhur, edhe një nga mënyrat e tjera për të festuar me të afërmit e tyre , teksa kan vendosur,të festojnë Pashkët, edhe me vizitat tek familjarët e tyre, ose të dalin shëtitje më fëmijët jashtë në fushat e lojës dhe parqe, kopshte zoologjike dhe vende të bukura të tjera në qytetin e Nju Jorkut, e për rreth tij
Në facebookun Our Lady of Schodra (https://www.facebook.com/albanianchurch?fref=ts),Kryetaria e Këshillit të Kishës, Margarita Gazivoda Kocovic, mbasi ka uruar “Për shumë vjet Pashkët!”, shkruan në postimin e saj se :”Pashkët jane simbol i triumfit të jetës, ringjalljes se shpresës. Jezusi zbriti mbi tokë për dashurinë e për shëlbimin tonë. Ai na shpëtoi me gjithë jetën e tij: me mrekullitë, me predikimet por në mënyrë të veçantë me mundimet, me vdekjen e ngjalljen e tij pas kryqëzimit, për të ndryshuar boten.
Gëzuar Pashkët të gjithë!Ringjallja e Jezusit u sjelltë bekim dhe paqë në familjet tuaja! thotë Kryetarja e Këshillit të Kishës Katolike Shqiptare, Zoja e Shkodrës në New York, Margarita Gazivoda Kocovic
- « Previous Page
- 1
- …
- 53
- 54
- 55
- 56
- 57
- …
- 70
- Next Page »