• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2015

RUAJTJA E LIRISË DHE E SIGURISË SË INTERNETIT

May 20, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
  Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry gjatë një vizite në Seul të Koresës së Jugut të hënën, mbajti një fjalim të rëndësishëm mbi lirinë dhe mbi sigurinë e përdorimit të Internetit, duke theksuar nevojën për bashkpunimin ndërkombëtar në këtë fushë.  Në fjalimin e tij në Universitetin e Koresë, Z. Kerry foli mbi aspekte të ndryshme të kësaj teknologjie si dhe mbi dobitë që vijnë nga përdorimi i Internetit, duke dhënë shembuj të shumtë nga dobitë e kësaj teknologjie në shumë vende të botës, përfshirë sidomos vendet e botës në zhvillim e sipër.  Kryediplomati amerikan vuri në dukje gjithashtu mundësitë e shumta që ofron Interneti për përforcimin e lirisë së të shprehurit në shoqëritë ku liria e fjalës shtypet nga regjimet diktatoriale.   Në lidhje me këtë, ai theksoi se kontrolli i Internetit nga qeveritë e ndryshme është një mallëkim ndaj lirisë në përgjithësi, ndërkohë që regjimet shtypëse, tha ai, përdorin kontrolle të tilla ndaj përdorimit të internetit për të shuar zërin e disidentëve dhe të kundërshtarëve të tyre. 
Në fjalimin e tij, të cilin media të ndryshme e konsideruan ndoshta si  hapin e  parë serioz drejtë një dialogu ndërkombëtar në lidhje me këtë çështje — Sekretari Amerikan i Shtetit u bëri thirrje vendeve të botës që të bashkohen me Shtetet e Bashkuara në mbështetje të politikës së Washingtonit për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin e Internetit dhe për të bashkpunuar me këtë industri me qëllim për të siguruar që Interneti të mbetet i lirë dhe në dispozicion të të gjithëve, pa dallim.   “Është e një rëndësie të veçantë për ne”, tha ai, “se si kjo teknologji përdoret dhe si administrohet. Kjo, shtoi Z. Kerry, është ekzaktërisht arsyeja sepse, “Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë promovimin e internetit të sigurtë, të hapët dhe të lire për të gjithë, si një element kyç i politikës sonë të jashtme.”  Ai shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të punuar me ortakët ndërkombëtarë për tu përballur me sfidat që paraqet kjo teknologji, por njëkohsisht edhe me mundësitë e mëdha që ofron Interneti për mbarë njerëzimin. 
 
Në fjalimin e tij në Seul të Koresë së Jugut, John Kerry tha se rregullat dhe ligjet e tanishme kryesore ndërkombëtare duhet të zbatohen edhe në lidhje me përdorimin e Internetit dhe u bëri thirrje të gjitha shteteve që të veprojnë së bashku për të krijuar një kornizë për bashkpunim ndërkombëtar në hapësirën e Internetit. Njëkohsisht, ai u bëri thirrje vendeve të cilat ende nuk bëjnë pjesë në Konventën e Budapestit mbi Krimet në Hapësirën e Internetit, t’a nënshkruajnë atë sa më parë. Kryediplomati amerikan paralajmëroi se cilido vend që përpiqet të ndërpresë veprimtarinë e lirë të Internetit ose të sulmojë të tjerët nepërmjet këtij medium, “Do të mbahen përgjegjës për veprën e tyre” duke shtuar se, “Shtetet e Bashkuara rezervojnë të drejtën të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme, përfshirë ato ekonomike, diplomatike, tregëtare sipas rastit e nevojës, me qëllim për të mbrojtur vendin tonë, ortakët, miqët dhe aleatët tonë”, ndaj atyre që përdorin Internetin për sulme të tilla.   Përkundrazi, ai tha se Interneti mund të jetë një mjet që duhet të përdoret për ruajtjen e stabilitetit në botë si dhe për zhvillimin ekonomik, por dhe si një mundësi e re për të promovuar transparencën e punës së qeverive dhe për të mbajtur qeveritë përgjegjëse për veprimtaritë e tyre.  Ai e cilësoi Internetin si, “formën shoqërore më demokratike të shprehjes së lirë që mund të jetë shpikur ndonjëherë.” 

Kryediplomati amerikan, në fjalimin e tij në Seul, theksoi se Interneti sim jet komunikimi, është i lidhur ngushtë me lirinë e individit. “Shtetet e Bashkuara”, nënvijoi ai, “besojnë fuqishëm në liri — në lirinë e të shprehurit, në lirinë e shoqërimit dhe në lirinë dhe të drejtën e individit për të zgjedhur fatin dhe për të vendosur ato që dëshiron për veten.  Ne e duam të drejtën e lirisë për veten tone dhe e duam këtë të drejtë ta kenë edhe për të tjerët, madje edhe nëqoftse nuk jemi gjithmonë dakort me pikëpamjet e tyre”, u shpreh kryediplomati amerikan. 
 
Nuk është e rastit, shtoi ai, që shumica e vendeve të cilat shkelin lirinë e internetit, nuk janë të angazhuara seriozisht as ndaj të zbatimit dhe respektimin të të drejtave të njeriut në përgjithësi për qytetarët e vet.  Regjimet që zakonisht shkelin liritë dhe të drejtat e njeriut, tha Z. Kerry, pretendojnë se nuk kanë asnjë detyrim që të shpjegojnë se si ata veprojnë mbrenda kufijve të tyre, duke thekësuar se ky qëndrim i tyre është në kundërshtim të drejtë për drejtë me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe me shumë deklarata dhe marrveshje të tjera ndërkombëtare.  “Frymëzimi i një individi për të qenë i lirë mund të jetë forca më e fuqishme në këtë planet”, tha Z. Kerry. “Kjo është venë re gjatë gjithë historisë, përfshirë revolucionin amerikan të 1700-ave”, tha ai, “si dhe në veprimtarinë e disidentëve anti-komunistë gjatë Luftës së Ftoftë me radio programet dhe me fletushkat që shpërndanin ilegalisht — e deri tek ditët tona kur rinia anë e mbanë botës po sfidon padrejtësitë në fusha të ndrysshme, të armatosur vetëm e vetëm me telefonat e tyre celularë”, theksoi Sekretari Amerikan i Shtetit.
 
Zoti Kerry e cilësoi Internetin si një instrument të lirisë. Është një mjet, nënvijoi ai, të cilin njerëzit e përdorin në raste të dështimit në punë ose të abuzimeve nga ana e qeveritarëve, andaj disa qeveri kanë frikë nga Interneti ashtu siç kishin frikë diktatorët e shkeullit të kaluar nga librat, nga gazetat dhe nga programet në radio.  Sekretari Amerikan i Shtetit përfundoi fjalimin e tij në Seul të Koresë së Jugut duke u  thënë të pranishmëve se, “Liria duhet të fitojë mbi cenzurën”, duke shtuar se ky nuk është vetëm një parim i rëndësishëm por është njlkohësisht edhe një detyrim praktik. “Nga fillimi i historisë e deri tani”, shtoi Z. Kerry, “shtypjet ndaj kundërshtarve nuk kanë shpikur asgjë të re.  Liria është mënyra për të krijuar punë të reja, është mjeti për të shëruar sëmundjet, mënyra për të gjetur alternativa të reja energjie. Ai vazhdoi duke thënë se liria mundëson gjetjen e mënyrave të reja për të ushqyer popullësinë botërore që është katërfishuar gjatë shekullit të kaluar dhe e cila pritet të rritet deri në 9 miliardë veta gjatë 40deri në 50-vitet e ardhëshme. Pa liri qytetërimi nuk mund të shkojë përpara”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry duke shtuar se liria dhe siguria e Internetit në ditët e sotëme është , si e tillë është pjesë integrale e lirive të tjera bazë të njeriut.

Gjatë fjalimit të tij në kryeqytetin koreano-jugor, Kryediplomati amerikan i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të “bashkohet në mbështetje të këtyre parimeve duke krijuar një bazë solide të lirive tona – parimeve#, siç pohoi ai, “të cilat do të mbrojnë liritë bazë të individëve, privacinë e qytetarëve tanë dhe sigurinë e kombeve tona”, duke u lënë porosi të pranishëmve që të ngrejnë zërin në mbështetje të një hapësire Interneti të lirë, të haptë dhe të sigurt dhe që gjithmonë të mbrojnë të drejtën e fjalës së lirë për të gjithë e pa dallim.  Revolucioni i Internetit, tha më në fund John Kerry, “Do të përcaktojë të ardhmen për të cilën shpreson rinia e sotëme, një të ardhme në të cilën Interneti do të ndihmojë në përforcimin e qeverive, do të ndihmojë drejtë një të ardhme që do të ofrojë mundësi të shumëta pune, do të na bëjë të gjithëve më të sigurt, do të na bashkojë dhe në përgjithësi do të përcaktojë fatin e botës në shekullin 21” përfundoi ai. 
 
Ekspertët e kësaj fushe, e cilësuan  fjalimin e Zotit Kerry në Seul, mbi lirinë dhe sigurinë e Internetit si shpresëdhënës për këtë fushë të re të medias dhe të komunkimit, një fjalim që sipas tyre mund të nxisë fillimin e një dialogu serioz në vendet përkatëse, por edhe midis vendeve të ndryshme, ashtuqë në nivel ndërkombëtar, të sigurohet liria dhe siguria e përdorimit të kësaj teknologjie, ndërkohë që venë në dukje se vet Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë shumë për të bërë në këtë drejtim.  Megjithëkëtë, ekspertët thonë se shpresojnë që fjalimi i Sekretarit Amerikan të Shtetit të ketë shënuar fillimin e hapjes së një dialogu të përgjithshëm për një Internet të lirë dhe të sigurt për brezin e tanishëm dhe për brezat e ardhëshëm anë e mbanë botës.

Filed Under: Analiza Tagged With: E LIRISË SË INTERNETIT, Frank shkreli, RUAJTJA, Sekretari John Kerry

Grekët provokojnë në Delvinë…

May 20, 2015 by dgreca

Grekët provokojnë në Delvinë, ushtar grek me rroba civile ulin flamurin shqiptar dhe ngrenë flamuri e aneksimit të jugut-Autonomia e Vorio Epirit./
Nga Arben LLALLA/
Më 16 Maj, me rastin e 101, vjetorit të aneksimit të jugut të Shqipërisë që njihet nga grekët si Autonomia e Vorio Epriti-Protokolli i Korfuzit, një grup grek të shoqëruar nga minoritar grek në Krani të Delvinës bënë homazhe në përmendoret e adartit grek Thimios Lolis i cili ka kryer masakra mbi popullsinë shqiptare në vitet 1914-1944. Gjatë homazheve ushtari grek me rroba civile Stavros Gjinos uli flamurin shqiptar dhe vendosi flamurin e Autonomisë së Vorio Epirit. Ky provokim i rëndë nga ana e grekëve të Athinës është pjesë e skenarëve të ditëve të fundit të Greqisë duke provokuar rëndë Shqipërinë. Minoritari Odiseas Boro, kryetar i organizatës Vorio Epeirit PIRRO në Thesali, mbajti një fjalim me tone nacionaliste ku bënte thirrje se Vorio Epiri është Toke Greke dhe nuk e kemi harruar. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm dhe trupa paraushtarake greke të Lidhjes Nacionaliste Greke.
Akte të tilla si ulja e flamurit shqiptar dhe ngritja e flamurit të aneksimit të jugut brenda territorit të Republikës së Shqipërisë nxisin urrejtjen etnike midis qytetarëve shqiptar në prag të zgjedhjeve vendore që do të mbahen më 21 Qershor. Këto aktivitete janë të eksportuara nga qeveria e Athinës e cila përkrah çdo aktivitet me karaktere antishqiptare.
Të nesërmen më 17 Maj, Stavros Gjinos, Odiseas Boros bashkë me kryetarin e OMONIA-s, Leonidhas Papas, morën pjesë në Delvinaq të Pogonit në paradën e përvjetëshme që organizon Mitropoliti i Konicës për shpalljen e Autonomisë së Vorio Epirit-aneksimi i jugut të Shqipërisë. Kryetari i OMONIA, mbajti një fjalim për aneksimin e jugut të Shqipërisë dhe u takua me oficerë të lartë të sigurimit dhe ushtrisë greke. (Ka më se dy vjet që në jugun e Shqipërisë lëvizin ish-ministri i mbrojtjes së Greqisë, ish-Shefi i Shtabit të Ushtrisë greke dhe gjeneralë të sigurimit zbulim dhe kundërzbulimit grek. Qëllimi i tyre është njohja e terrenit shqiptar në rast lufte). Paraushtarakët grek mbanin në duar parrulla ku shkruante: Vorio Epiri Tokë greke, do të rikthehemi dhe toka do të dridhet.
Në të njëjtën kohë nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Vangjel Dule, Fredi Beleri, Anastas Gudas, Jani Babis, organizuan tubim për këtë përvjetor duke kërkuar me çdo kusht që minoritarët të votojnë vetëm për kandidatët e PBDNJ dhe OMONIA. Sepse këto zgjedhje janë vendimtare me ndarjen e re territoriale për të treguar se jugu i Shqipërisë është Vorio Epir, deklaroj Dule dhe kandidatët për kryetar bashkie të PBDNJ në manifestimin që mbajtën në Athinë më 17 Maj, 2015.
Vangjel Dule në vitin 2010 është njeri nga iniciatorët për vendosjen e përmendores së adartit Thimi Lolis në fshatin Krania të Komunës së Delvinës. Vangjel Dule për çdo vit merr pjesë në përvjetorin e Autonomisë së Vorio Epirit në përmendoren e Thimios Lolis në Krania, por sivjet pas shkrimeve të shumta ku kam denoncuar aktivitetet e tij antishqiptare, si buracak që është ai i është shmangur aktiviteteve të tilla këto ditë.

Filed Under: Komente Tagged With: arben llalla, ne Delvine, provokim grek

Djemtë e plehrave

May 20, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti, USA/*
Demokracia nuk mund të imponohet duke eliminuar pikëpamjet rivale; suksesi i saj nuk mund të garantohet as kur ideali fiton një pranim të përgjithshëm. Demokracia thjesht nuk mund të garantohet, sepse ajo mbetet e kushtëzuar nga energjitë krijuese të atyre që marrin pjesë në të. Shqiptarë të FYROM-it, mos rrini pasiv, bashkojuni protestave të opozitës sllavo-folëse, alternativa më e mirë për momentin, hapi parë…Shtyni në përdorim energjitë e juaja ose digjuni.
***
Një firmë punoi dy javë në rindërtimin e kuzhinës verore në kopshtin para shtëpisë time në Kaliforni si dhe plazhit privat që kufizohet me kuzhinën. Puna u krye para tre ditëve, por pastrimin e terrenit nga mbeturinat duheshe ta bën ndonjë firmë tjetër e nivelit të ulët. Kërkova në internet, gjeta një reklamë ku thuhej:
Djemtë e plehrave
Ne i marrim dhe i bartim plehrat dhe mbeturinat tua shtëpiake për riciklimin. Djemtë e plehrave i hedhin mbeturinat tua.
Një alternativë më e mirë se sa t`i hedhësh në koshin e plehrave!
Ne mbledhim dhe hedhim:
– Të gjithë mbeturinat që ju kanë mbetur pas rindërtimit të nevojtoreve ose objekteve tjera shtëpiake
– Mbeturinat e kopshtit që me muaj kanë qenë në qese mbeturinash
– Çfarë ju nuk e kuptoni se pse është e vendosur në bodrum ose në nën çatinë e shtëpisë
Dhe çdo gjë tjetër që ju nuk dëshironi për të disponuar.
***
Më shkoi mendja te tradhtarët Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, të cilët unë nga respekti i madh që kam për ta, nuk do t`i quaj: “enveristi i Zajazit” dhe “bakllavaxhia i Tetovës”, por “Djemtë e Plehrave”. Kjo sepse këta dy nuk vyejnë gjë. Rrenave të tyre për gjoja se avancimin e çështjes shqiptare u besojnë vetëm budallenjtë.
Ndodhi edhe Kumanova – Maj 2015, por djemtë e plehrave pasi janë pjesëmarrës në inskenimet e ngjarjeve tragjike atje, nuk largohen vullnetarisht nga qeveria terroriste e FYROM-it. Djemtë e plehrave e kuptojnë vetëm forcën por pasi për momentin nuk shohin rrezik nga ajo, akoma mashtrojnë shqiptarët, tani, që të mos u bashkohen protestave të opozitës sllavo-folëse në krye me Zoran Zaevin. (Jo për të ngritur Zajevin por rrëzuar Gruevskin).
Nuk ka dyshim se nevojiten ndryshime të mëdha, të gjitha këto parti të korruptuara shqipfolëse duhet të shemben, shkatërrohen. Nuk pritet që „politikanët“ të heqin dorë nga interesat vetjake. Prandaj lypset mobilizuar opinionin publik për të ushtruar trysni mbi ta.
A do të mbijetojnë si komb shqiptarët etnik të FYROM-it nuk është aspak e sigurt, kjo varet nga fakti nëse rendi i tanishëm kriminel do të mbijetojë apo jo. Do të mbijetojnë nëse më përpara e pastrojnë oborrin e vetë nga djemtë e plehrave. T`i shembim kriminelët më përpara se kriminelët të na shembin neve.
Djemtë e plehrave 25 vjet me radhë përçmojnë, shtypin dhe kontrollojnë shqiptarët e pambrojtur, të paorganizuar dhe të paarmatosur që nuk mund t`jua kthejnë goditjen. Këta tipa janë sadistë pikërisht për shkak se ndihen të pafuqishëm, të paaftë. Sadisti orvatet të gjejë një kompensim, duke ushtruar pushtet mbi të pambrojturit, duke u shndërruar – ai që ndihet një krimb – në një zot.
Qysh prej vitit 2001 kam shkruar rregullisht se shqiptarëve etnik të FYROM-it u duhet një UNITET që të reagojnë s`bashku kundër regjimeve terroriste të atij shteti të përkohshëm, përndryshe kurrë nuk do të jenë në gjendje të konkurrojnë shtetin terrorist sado i dobët të jetë ky, sepse shteti ka forcën e detyrimit.
Sa më shumë atdhetar të jenë të aftë të vërejnë me qetësi dhe sy kritik skenën për shqiptarët, të cilën e përgatisin armiqtë e jashtëm në bashkëpunim me armikun e brendshëm, aq më i vogël do të jetë rreziku i çmendurive të mëdha kolektive, dhe në radhë të parë, i luftës vëllavrasëse. E ardhmja e juaj varet nga serioziteti i juaj: si t`i shkatërroni partitë “politike”, si t`i qaseni problemit të juaj ekzistencial dhe cila rrugë ju shpie drejt lirisë, demokracisë dhe barazisë me sllavo-folësit, ose ndarja definitive dhe ribashkimi me shtetin amë.
“Suksesi”, popullariteti dhe pasuria personale janë, vetë-terapia e “politikanëve” shqipfolës (djemve të plehrave) kundër depresionit dhe çmendurisë. Duke luftuar për të arritur pikësynimet e tyre, në të vërtetë luftojnë për shëndetin e tyre mendor. “Politikani” shqipfolës i tokave shqiptare, është i hareshëm dhe mbron pareshtur se është i kënaqur prej jetës së tij, mbetet i pështjelluar nga ëndrra, dhe fillon të shprehë pikëpamje të ndryshme mbi punën e tij përkundër faktit se veprimtaria e tij “politike” nuk ka asnjë qëllim Kombëtar përveç atij për të bërë pasuri për vete dhe se, për të ky është një motiv i mjaftueshëm për jetën; dhe më tej, me gjithë larminë në dukje, problemet “politike” të cilave duhet t`u jep zgjidhje, janë në thelb të gjithë të njëllojtë, ose mund të “kryhen” me një numër të kufizuar të metodave të përsëritura..
***
Ngjashmëria në themel e një njeriu me një tjetër dhe të drejtat e patjetërsueshme të njeriut janë ide të një epoke tjetër. Thjesht fakti se jemi qenie njerëzore nuk sjell me vete ndonjë të drejtë: përballë ligjit skllavi nuk ndryshon nga një pasuri tjetër e tundshme. Privilegjet i takojnë më fortë pozicionit në jetë sesa vetë personit. Për shembull, në një shoqëri feudale toka është më e rëndësishme se pronari i tokës, ky i fundit privilegjet i gëzon vetëm nga që zotëron tokën.
*Ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Dasareti, djemte e plehrave

Beteja në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë

May 20, 2015 by dgreca

Nga Fetnete Ramosaj/
Mëngjesin e nëntë majit, të gjithë shqiptarët u zgjuan me ankthin e lajmeve për luftën e sapofilluar në qytetin e Kumanovës, madje jo vetëm kaq. Sakaq pamjet e tmerrit të luftës në “Lagjen e Trimave” pushtuan botën. Një shtet i tërë, i njohur tashmë për ligje e veprime raciste, madje edhe terroriste kundër njërit nga popujt më të fuqishëm shtetformues të tij, madje jo vetëm kundër atij, vuri në përdorim gjithë arsenalin e rëndë luftarak tokësor e ajror kundër një lagjeje shqiptare me një popullsi prej 20 mijë banorësh! Edhe banorët, edhe vendbanimi u godit pa paralajmërim nga të gjitha anët, nga toka dhe nga ajri, me të gjitha mjetet!
Madje nën hijen e luftës së Kumanovës, mbeti edhe parada e famshme e Moskës, e organizuar në 70-vjetorin e luftës kundër fashizmit, në të cilën presidenti i shtetit pa emër, Ivanov, po merrte pjesë, krahas homologut të tij serb, Nikoliq, të dy të ftuar nga presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin. Të ndalemi pak këtu.
Maqedonia ka vite që është duke u vërtitur ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Paraprakisht në Maqedoni askush nuk foli për vendimin e Ivanovit për të shkuar në Moskë, në kohën e acarimit të raporteve Perëndim – Rusi, kur pothuajse të gjithë përfaqësuesit e shteteve perëndimore refuzuan ftesën e Putinit. Në prag të shkuarjes në Moskë, Ivanov, doli dhe i qortoi edhe një herë NATO-n dhe BE-në, të parën kinse për mashtrimin e popullit për integrim në strukturat euroatlantike, ndërkaq të dytën se nuk ia paska zgjidhur çështjen e emrit! Njëherësh deklaroi se ai drejton një politikë të “të qenit të hapur ndaj të gjithëve”, dhe se shkuarjen në Moskë e konsideron “interes shtetëror”!
Po. Kishte ndarë mendjen të shkonte në Moskë, ku Rusia pritej që të tregonte fuqinë e saj luftarake, dhe prej andej do t’i përcillte porosinë Perëndimit se Rusia ka dhe investon në pajisje moderne luftarake, sidomos në prodhimin e saj të famshëm tankun e sofistikuar të tipit “T-14 Armata”. Por, ndodhi që pikërisht ky tank – “krenaria ruse” të prishet mu në mes të Sheshit të Kuq në Moskë gjatë provës gjenerale për paradën e 9 Majit, dhe u detyruan ta tërheqin zvarrë për ta larguar nga parakalimi!
Ditën e 9 majit, që në orët e hershme të mëngjesit shteti pa emër (IRJM) ndërmorri një operacion terrori kundër lagjes shqiptare në Kumanovë, që assesi nuk mund të quhet ndryshe pos luftë, që la pas viktima, djegie e shkatërrim, bërje rrafsh me tokë të një lagjeje të tërë. Agjencia e lajmeve “Reuters” duke parë gjendjen e pasluftës vlerësoi se “Lagja e Trimave” në Kumanovë duket sikur të jetë goditur nga një cunam, rrugët kanë mbetur të shkatërruara dhe muret të rrëzuara nga artileritë e rënda ushtarake të njësisë anti-terrorizëm të forcave speciale maqedonase”.
Natyrisht se i gjithë ky operacion dyditor i luftës e terrorit shtetëror u mbulua edhe nga një fushatë mediale, e përcjellë me informacione të mangëta, të pavërteta dhe tendencioze. Ndonëse, u tha se nuk kishte viktima civile, kësaj të dhëne është vështirë t’i besohet, pasi që tashmë shteti pa emër ka stazhin e veteranit për fshehje, montime e tjetërsime faktesh! Çuditërisht mjetet dhe metodat që po i përdorë tash sa vite kundër shqiptarëve nuk dallojnë fare nga ato millosheviqiane. Me banorët e lagjes një pjesë të burgosur e të terrorizuar, të lënë pa strehë, një pjesë të degdisur në të katër anët, pa guxuar as të flasin, vështirë të besohet kjo. Do të ishte e udhës që të vërtetën e Kumanovës ta zbardhë pa humbur kohë një Komision Hetues Ndërkombëtar. Është e çuditshme se si na kategorizojnë ne shqiptarëve, si heshten e minimizohen aktet e rënda të terrorit shtetëror. Paramendojeni se çdo të kishte ndodhur po të ishte aplikuar një terror i tillë kundër serbëve apo të tjerëve?! Të paktën do të mblidhej me urgjencë Këshilli i Sigurimit!
Ndonëse ministrja e brendshme, Jankullovska, deklaron se i duhet vetëm pak kohë për t’i zhdukur shqiptarët (siç u zbardh edhe nga bisedat e përgjuara), lufta në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë e dëshmoi të kundërtën, ashtu siç e kishin dëshmuar shqiptarët edhe më 2001. 30-40 të rinj shqiptarë u përballën me 3 – 4 mijë forca ushtarako-policore e njësite speciale, të cilat i lëshuan edhe pikat kufitare për të mësyer Kumanovën. Në kushte tepër të pabarabarta, luftuan e qëndruan mbi 30 orë, të rrethuar nga të gjitha anët në një qendër urbane!
Po t’u referohemi njoftimeve të para mediale, ende të pacensuruara, duke iu referuar deklaratave të policëve të plagosur maqedonas të dhëna nga spitalet e Shkupit mësojmë se pos që kanë pasur armatimin më modern të kohës, “personat e armatosur që janë përleshur me policinë maqedone në Kumanovë” gjatë tërë kohës sa janë zhvilluar luftimet në “Lagjen e Trimave” kanë kënduar këngë patriotike shqiptare. Policët e plagosur vazhdojnë më tej se “personat kanë qenë të armatosur mirë dhe të veshur me uniforma të zeza, të ngjashme me ato të njësive speciale “Tigrat”, por se në krah kanë pasur emblemën e UÇK-së. Madje, sipas tyre, kanë qenë uniformat ato që i kanë hutuar në disa raste pjesëtarët e Njësive Speciale të policisë maqedone, me ç’rast edhe është shënuar një numër i madh i viktimave në radhët e tyre”. (Zëri.info, 9 maj 2015).
Po, një pjesë e këtyre djemve kishin mbi supe përvojën e fituar në nga dy-tri luftëra: në Kosovë, në Kosovën Lindore dhe në IRJM më 2001! Ata që ishin liribërës, madje me ndikim në fitoren e luftës më 2001 në këtë vend, pasi që partitë politike shqiptare të atjeshme kanë dështuar të mbrojnë interest e popullit që e përfaqësojnë, kur Marrëveshja e Ohrit ka vdekur ende pa u realizuar, kishin 1001 arsye për ta riaktivizuar Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare për t’i dalë në ndihmë popullit të vet, dhe për këtë treguan se nuk mund t’i ndalojë asgjë, sikurse nuk mund ta tjetërsojnë misionin e tyre për liri, barazi e mirëqenie të shqiptarëve. Prapë u treguan të gatshëm të vdesin për atdheun e tyre, për njerëzit e tyre!
Mirsad Ndrecaj, një nga drejtuesit e kësaj lufte, më 26 prill 2015, pas aksionit në pikën kufitare në Gushincë, do t’i drejtohej në mes tjerash popullit me një letër publike, për t’i sqaruar se këtë aksion nuk e ndërmorën njerëzit e Gruevskit, por luftëtarët më të mirë të luftës së vitit 2001: “…Popull i dashur Shqiptar në tokën e Iliridës, ju betohemi në gjakun më të ndershëm të Dëshmorëve të Kombit Shqiptar se ne djemtë Tuaj, për Lirinë Tuaj ne më shumë e duam Vdekjen se sa armiku e don jetën, vetëm e vetëm që fëmijët tanë dhe ju shqiptarë një herë e përgjithmonë të jetoni në tokat tuaja të lirë, ndershëm, si çdo popull i botës së civilizuar”.
Kur ndalemi dhe i analizojmë porositë e shkruara që kanë lënë ata që tashmë domosdoshmërisht janë shndërruar në heronjtë e kësaj beteje të përgjakshme, dhe si të tillë shpirtërisht me dhembje e krenari po i njeh dhe po i pranon mbarë Shqiptaria, nuk lë fare hapësirë për të dyshuar në misionin e tyre atdhetar, ndonëse po udhëhiqet një fushatë e tmerrshme mediale për poshtërimin e tyre. Por, këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme! Nuk është hera e parë që e bëjmë këtë, mbase na është bërë tradicionale, jemi të vonuar në hap me kohën në reagime e në veprime, dhe me dije apo pa të e bëjmë punën e tjetërkujt.
Po të kthehemi prapa, shohim se pothuajse ndaj të gjithë heronjve tanë kemi bërë të njëjtat veprime, të njëjtat gabime. Fillimisht i kemi akuzuar, i kemi poshtëruar ende pa u varrosë as pa u tharë gjaku i tyre i derdhur për liri. Përmendim këtu vetëm rastin e Tahir Mehës, meqë këto ditë e kishte 34 vjetorin e rënies, pikërisht më 13 maj 1981 në ditën e të ashtuquajturës polici jugosllave, kur u rrethua nga të katër anët në kullën e tij në Prekaz. Ndonëse shtypi, mediat e politika e kohës tentoi ta poshtërojë e ta etiketojë si armik të popullit, qëndresën dhe rënien e tij populli e ndjeu ndryshe. Ndër ata të paktët që i bënë nderime dhe e varrosën pa pyetur për “hyqymet” qenë Shaban Jashari me të bijtë Hamzën e Ademin. Aty edhe u betuan se do të hakmerren për të, aty edhe u ribetuan se do ta vazhdojnë luftën për liri. Epilogun e këtij betimi e dimë të gjithë. Ndaj, është e habitshme se si populli di të ecën me kohën, di t’u bëjë vend në zemër heronjve të vet. Këtë e bëri edhe me heronjtë e betejës më të re – me Heronjtë e Betejës së Kumanovës.
Sipas të dhënave zyrtare, në luftimet dyditore në Kumanovë u vranë 8 pjesëtarë të njësive speciale (katër maqedonas, tre serbë dhe një shqiptar) dhe u plagosën rëndë e lehtë 37 të tjerë. Ndërkaq, të dhënat për palën shqiptare qoftë për të vrarët, qoftë për të plagosurit, qoftë për të burgosurit që po keqtrajtohen tmerrësisht janë kontadiktore. Njëherë u tha se janë vrarë 14 shqiptarë, pastaj se janë vrarë 10! Familjarëve të luftëtarëve shqiptarë, emrat e të cilëve u publikuan pos që jozyrtarisht u kanë thënë se të afërmit e tyre janë të vrarë, janë të masakruar e të bërë copë-copë sa të mos mund t’i njohin, zyrtarisht ende nuk u janë dorëzuar trupat e tyre! Shteti i Kosovës ka bërë fare pak, për të mos thënë aspak për t’u interesuar për qytetarët e vet, për t’u dalë në ndihmë familjeve të tyre, për të zbardhur të vërtetën ciladoqoftë, për të kërkuar zbatimin e konventave ndërkombëtare për raste të tilla. Realisht interesimi dhe përkujdesja për qytetarët e vet nuk do të duhej të varet nga vullneti, dëshira apo disponimi pro apo kundër i zyrtarëve, por si në çdo shtet normal të botës edhe zyrtarët e shtetit tonë interesimin dhe përkujdesin për qytetarët e vet e kanë obligim kushtetues.
Asnjë prej mekanizmave ndërkombëtarë perëndimorë luftëtarët e Betejës së Kumanovës nuk i etiketoi si terroristë, sepse nuk e përbënin asnjë element të terrorizmit. Asnjë prej shteteve më të fuqishme perëndimore nuk i etiketoi si të tillë. Ashtu iu atribuuan vetëm qeveritarët e zyrtarët e shtetit pa emër, ata të Serbisë e të Rusisë. Ashtu iu referua edhe ndonjë politikan apo zyrtar shqiptar nga shteti pa emër, nga Kosova e nga Shqipëria që dolën me deklarata të ngutshme e të papeshuara.
Në ditët e sotme si të doni quajeni, por Beteja e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e zhvilluar më 9 e 10 maj, në Lagjen e Trimave në Kumanovë, domosdoshmërisht shënon fundin e regjimit terrorist kundër shqiptarëve dhe fillimin e një epoke të re. Nëse shpëtohet, kjo betejë do të jetë faktori vendimtar që do ta shpëtojë shtetin pa emër, ashtu siç e shpëtoi UÇK-om më 2001. Ka kaq ditë dhe shqiptarët anembanë botës po jetojnë me jehonën e saj, me dhimbjen e saj , me krenarinë e saj, me heronjtë e saj të papërsëritshëm!

Filed Under: Analiza Tagged With: Beteja në “Lagjen e Trimave”, Fetnete Ramosaj, NE KUMANOVE

Kadare për Lubonjën: Çmitizuesi shqiptar


May 20, 2015 by dgreca

Epoka (e turpit ) para gjyqit – Pjesa e dytë


/
Gjyqi moral kundër Fatos Lubonjës, për shtrembërimet e tija të porositura nga dikush të historisë shqiptare dhe “mundi “ i tij i pa shoq për të rrënuar Kështjellën e Madhe të trashëgimisë sonë identitare po e filloi me fjalët e gjeniut tonë Ismail Kadare ; i cili tezat lubonjase i quan antishqiptare, dhe tejet të rrezikshme.

“…Ditën e 31 majit 1999, në kulmin e bombardimeve të NATO-s, shënimi i ditës merret me një polemikë midis shqiptarësh në gazetën “Illyria” të Nju-Jorkut. Shkak është shkrimi “Skënderbeu e kishte nënën sllave” (me autor Fatos Lubonjën), botuar pak ditë më parë në “Courrier International” të Parisit. Autori shqiptar i shkrimit fajësohet me një gjuhë tejet të ashpër, për qëndrim antishqiptar e njëherësh antieuropian. Pra, është 31 maj i vitit të fundit të mijëvjeçarit të dytë. Shprehja “ora e keqe”, më shumë se metaforë, është përcaktim i saktë i kohës për Kosovën. Ajo mezi po merr frymë nën masakrën serbe, një nga më të egrat e shekullit. NATO-ja është duke bombarduar Serbinë, për shkak të shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarët po paguajnë taksën. Shkurt, për ndëshkimin e Serbisë, NATO-ja ka vënë aviatorët dhe avionët më modernë të saj, kurse Kosova ka vënë gjënë më të vjetër në botë, në kësi rastesh: gjakun. Liria e kërkon se s’bën këtë karburant të vjetër, dhe shqiptarët e dinë këtë. Hakmarrja serbe është në kulmin e saj: grirje foshnjash, përdhunime vajzash e grash, djegie shtëpish, vrasje verbazi, shpërngulje, tmerr…”
“Ata zbuluan se “çmitizuesi” shqiptar nuk ishte aspak origjinal, siç kishin kujtuar. Tezën e prindërve serbë të Skënderbeut, e kishte marrë nga dikush tjetër dhe ky dikush tjetër nuk ishte veçse famëkeqi, sipas tyre, Vuk Drashkoviç, një nga ministrat e Millosheviçit, rrjedhimisht një ndër përgjegjësit për plojën e Kosovës. Së dyti, se kjo tezë ishte botuar në vitin 1987, pra, dymbëdhjetë vjet përpara plojës, në gazetën franceze “Le Monde Diplomatique” dhe bënte pjesë në tezat që duhej të përgatisnin shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova. Së treti, se as Drashkoviçi nuk ishte origjinal, por përsëriste në shkrimin e tij teza të vjetra serbe, të Radonicit, 1942, e teza edhe më të vjetra të Vladan Gjorgjeviçit, të Grashaninit, të Çubrilloviçit, të Millosheviçit, që flisnin jo vetëm për zanafillën serbe të Skënderbeut, por, kryesorja, e lidhnin këtë zanafillë me këmbënguljen e tyre se Kosova kishte qenë e mbetej djepi i serbizmit, ndaj serbët nuk do ta lëshonin kurrë atë. Së katërti, strehsat zbuluan se shumicën e argumenteve, qoftë për Skënderbeun, qoftë për rrënjësinë e shqiptarëve në Ballkan, mohsat i kishin marrë nga famëkeqja, sipas tyre, Akademia serbe e Shkencave”-shkruan ndër të tjera Kadare


Fahri Xharra
20.05.14 , Gjakovë

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharra, Kadare për Lubonjën: Çmitizuesi shqiptar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT