• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2015

Neki Shkaba, një ndër 10 aktorët më të mirë profesionistë të Korçës

May 8, 2015 by dgreca

Nga Vepror Hasani/
KORÇË – Më në fund Korça do të kishte teatrin profesionist të saj. Trupa teatrore do të përbëhej nga 18 veta. Dhjetë prej tyre do të ishin aktorët më të mirë profesionistë që mund të kishte Korça, ndërsa 8 të tjerët aktorë gjysmëprofesionistë. Edhe këta të fundit do të përzgjidheshin ndër më të mirët. Për zbulimin e tyre ishte ngarkuar një grup pune që kryesohej nga aktori Dhimitër Trajçe, krijuesi i teatrit amator partizan në qarkun e Korçës. Teatri partizan u krijua prej tij në fshatin Lavdar të Oparit në fundqershorin e vitit 1944. Në të njëjtën kohë u krijua edhe kori partizan. Të dy grupet së bashku formuan Ansamblin Artistik Partizan të qarkut Korçë. Regjisor i teatrit u caktua Sokrat Mio, ndërsa dirigjent Gaqo Avrazi. Shumë shpejt, Mio dhe Avrazi vunë në skenë vepra të tilla, si: “Hakmarrja”, “Luftëtari i Lirisë”, “Vëllavrasja”, “I torturuari”, “Kryengritja e Çifligut”, “I arratisuri” e të tjera. U dhanë shfaqje në shumë fshatra: Lozhan, Bofje, Kolanec, Opar, Lavdar, Mazrekë e gjetkë. Interpretoheshin pjesë të ndryshme e këndoheshin këngë. Ansambli Artistik Partizan i qarkut Korçë mori pjesë edhe në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar në Berat. Në këtë mbledhje u mor vendimi që Këshilli të quhej “Qeveria Demokratike Provizore e Shqipërisë së Re”. Ansambli Artistik dha shfaqje edhe për delegatët e Kongresit të Gruas Antifashiste Shqiptare, i cili, edhe ai, po zhvillonte punimet e veta në Berat. Pikërisht aty, në këtë qytet, u vendos shpërndarja e Ansamblit, ku Dhimitër Trajçes nëpërmjet Behar Shtyllës iu ngarkua një detyrë e re: ai duhej të kthehej në Korçë për të organizuar teatrin në këtë qytet. Pra, Trajçe do të ishte në gjurmim të aktorëve më të mirë të qytetit të Korçës. Këtu zë fill dhe rrëfimi ynë mbi aktorin e mirënjohur Neki Shkaba, i cli u përzgjodh si një ndër 10 aktorët më të talentuar të qytetit të Korçës. Këtë rrëfim e sjell aktori i madh i Korçës, Koço Qendro, i mironjohur ndryshe si “Kopraci”
Dhimitër Trajçe në Korçë
“Tashmë Dhimitër Trajçe kishte vetëm një qëllim: të ngrinte një teatër profesionist, vijon rrëfimin e tij, Koço Qendro. Kjo ishte ëndrra e tij. Teatri i viteve ’30, që kishte patur një farë emri në Korçë, nuk ekzistonte më. Sokrat Mio që kishte udhëhequr aktorët e atyre viteve, kishte filluar punë në Teatrin Popullor në Tiranë. Aktorët ishin shpërndarë që nga koha e luftës dhe nuk u bënë dot më bashkë. Për këtë arsye, Trajçe nisi të ndiqte me kujdes çdo shfaqe që jepej nga grupet amatore, si “Shtëpia e rinisë”, klubi i sindikatave “Naim Frashëri” etj, me synimin e vetëm të gjente aktorët më të talentuar të qytetit të tij. Grupe të rinjsh jepnin teatër edhe në lagjet e tyre. Atmosfera që krijohej mbrëmjeve të Korçës, ishte e mahnitshme. Gjithsesi, ende nuk e kishin një regjisor profesionist, dhe kjo i mundonte shumë të rinjtë. Gjithë pesha e ngritjes dhe e organizimit të teatrit binte mbi aktorin dhe regjisorin me përvojë Dhimitër Trajçe. Ai vazhdonte të ndiqte me vëmendje grupet teatrore të të rinjve, të partizanëve, të sindikatave, të nxënësve etj. Gjatë gjithë kohës mbante shënime. Shënonte emra aktorësh amatorë, bënte vlerësime për ta. Synonte vetëm një gjë: të zgjidhte më të mirët. Për evidentimin e tyre iu desh një kohë mjaft e gjatë. Kishte shënuar shumë emra, mes tyre edhe Neki Shkabën, të cilin e vlerësonte shumë”.

Aktori Neki Shkaba
“Sipas rrëfimeve të kolegëve, vazhdon të tregojë Koço Qendro, Neki Shkaba, ishte një aktor i talentuar, i aftë të luante çdo rol që mund t’i jepej. Shkëlqente në rolet e mëdha, stepej spektatori para lojës së tij, mrekullohej dhe e duartrokiste me adhurim, por edhe roleve të vogla dinte t’u jepte jetë e t’i bënte të paharrueshme. Në memorjen e spektatorit arrinte të linte batuta, të cilat, pas shfaqjeve mund t’i dëgjoje në rrugë apo kafene. Mbi të gjitha shkëlqente me thjeshtësinë e tij. Nuk ndërhyri kurrë te regjisorët për të luajtur qoftë edhe një rol që mund të kishte qenë ëndrra e tij. Druhej se mos bëhej i padrejtë me kolegët, edhe pse e dinte që shumëkush prej amatorëve ishin larg të qenit aktor. Që të gjitha këto ishin vërejtur nga Dhimitër Trajçe, ndaj ai nuk harronte kurrë të jepte vlerësimin e tij për aktorin Neki Shkaba. Megjithatë, ende nuk kishte mbërritur dita e shpalljes së 10 aktorëve më të mirë të Korçës. Ende nuk dihej kush do të përzgjidhej nga të rinjtë. Dhimitër Trajçe gjithçka e mbante të fshehtë. Sigurisht, për më të vjetrit si Vangjel Grabocka, Lefter Sofroni, Andrea Thano etj ishte menduar të ishin pjesë e 10 aktorëve më të mirë. Mes të rinjve konkurenca po bëhej edhe më e ashpër. Përveç Neki Shkabës, Pandi Raidhit, Stavri Shkurtit, kishin nisur të binin në sy edhe aktoret femra: Qefsere Kushe, Valentina Asllani, Martha Burda etj. Megjithatë, askush nuk e dinte kush do të ishte fitues dhe kush jo. Ardhja e të rinjve, kishte filluar të trembte edhe më të vjetrit. Të rinjtë po vinin me një frymë tjetër. Shkaba ishte njëri prej tyre. Nga sa shihej “lufta” mes brezave do të ishte e forte”.
Të gjithë nën vëzhgim
“Dhimitër Trajçe vazhdonte të punonte për vënien shfaqjeve në skenë. Të gjithë aktorët gjendeshin nën vëzhgimin e tij. Më 8 prill 1945 u shfaq drama “Armiku i Popullit” e Henrik Ibsenit, përkthyer nga Fan S. Noli. Rolin e doktor Stokmanit e luajti Vangjel Grabocka, ndërsa atë të zonjës Stokman, Krisanthi Bicka. Edhe vetë Trajçe spikati në lojën e tij aktorale. “Armiku i Popullit” u shfaq për disa mbrëmje radhë. Suksesi qe i madh, ndaj vendosën ta shfaqnin edhe në kryeqytet për delegatët e Kongresit të Rinisë Antifashiste Shqiptare. Më në fund edhe Sokrat Mio u kthye në Korçë. Pas ardhjes së tij, më 16 nëntor 1945, u shfaq drama “Mbrëmja e madhe” e Leopold Kompf! Më pas erdhën shfaqje të tjera edhe më të bukura, edhe më cilësore. Më 26 qershor 1947 u shfaq “Dasma”, me skenar dhe regji të Dhimitër Trajçes. Pati mjaft sukses. Gjithsesi, edhe Trajçe ishte në fillimet e karrierës së tij. Pastaj, më 11 nëntor 1947, u dha drama “Çështja ruse”, e Simonovit. Skenograf i shfaqjeve vijonte të mbetej Vangjush Mio, i cili gjithnjë arrinte të sillte një dekor mbresëlënës. Pandi Raidhi luajti rolin e pronarit të shtypshkronjës. Më 1 dhe 2 mars 1948 u dha në kinema-teatër “Morava” drama “Përralla e malit” e Pushkinit dhe komedia “Një propozim për martesë”, e Çehovit me regji të Sokrat Mios. Gjithashtu në vijim u dhanë të tjera shfaqe, variete, komedi dhe drama, si: “Të rit e baballarëve”, “Nën gështenjat e Pragës” “Ishulli i paqes” etj, në të cilat disa prej aktorëve të rinj spikatën për talentin dhe origjinalitetin e tyre. Për Dhimitër Trajçen, Neki Shkaba e kishte fituar betejen për të qenë një nga aktorët më të mirë të qytetit të Korçës, por tashmë Shkaba kishte marrë edhe vlerësimin e regjisorit profesionist që kishte studiuar në Paris, Sokrat Mio. Madje, më pas, Mio e përzgjodhi Neki Shkabën për të qenë pjesë e Teatrit Kombëtar në Tiranë”.
Aktorët profesionistë
“Tashmë aktori dhe regjisori Dhimitër Trajçe dhe Sokrat Mio e kishte një listë me emrat e aktorëve më të mirë të qytetit të Korçës. Nuk ishte e lehtë që mes aktorëve të shumtë të zgjidhje 10 më të mirët. Qefmbetjet nga aktorët e vjetër do të ishin të mëdha dhe shumë të rinjë do të mbeteshin të zhgënjyer, por Trajçe kishte vendosur të merrte më të mirët, pasi me ta do të ngrinte teatrin profesionist të Korçës. Përzgjedhja e tyre u bë më 22 qershor 1950. Sokrat Mio e pëshkruan kështu këtë ngjarje të madhe, kujton Koço Qendro: “Më 22 qershor të vitit 1950, në kinema “ Morava ” të qytetit u zhvillua ceremonia e krijimit të teatrit profesionist të Korçës. Për këtë ceremoni gazeta “Zëri i popullit” në artikullin e datës 24 qershor shkruan: “ Më 22 qershor 1950 në kinema “Morava” të qytetit të Korçës të mbushur plot e për plot me amatorë e artdashës u zhvillua ceremonia e themelimit të teatrit profesionist të qytetit. Në këtë ceremoni morën pjesë edhe udhëheqësit e partisë dhe të shtetit…”. “…Ceremonia u çel me ekzekutimin e Himnit të Flamurit tonë kombëtar” “ … Për të pranishmit në këtë ceremoni kori i qytetit dha një program të zgjedhur me këngë patriotike dhe këngë qytetare korçare, ndërsa nga aktorët e trupës profesioniste u interpretuan disa fragmente të dramave e komedive të shfaqura më përpara. I gjithë ky program u pëlqye së tepërmi dhe u duartrokit nga gjithë të pranishmit”. Ishte krijuar kështu teatri profesionit i Korçës. Në organikën e kësaj trupe do të bënin pjesë, regjisori, skenografi dhe 10 aktorë profesionistë. Mes të dhjetëve ishte dhe i madhi Neki Shkaba. Kishin mbetur jashtë dhjetshes aktorë të talentuar si Pandi Raidhi etj. Gjithashtu, si pjesë e trupës profesioniste do të ishin edhe 8 aktorë gjysmë profesionistë, ku mes tyre bënte pjesë edhe Starvri Shkurti, Qani Nevruzi, Spiro Karanxha etj. Emrat e përmendur më sipër tregojnë qartë se sa e vështirë kishte qenë të përzgjidheshe ndër 10 më të mirët e qytetit të Korçës, nga ku do të niste udhën teatri profesionist i tij”.
“Përmbysja”
“Drama e parë e tyre si trupë profesioniste ishte “Përmbysja” me regji të Sokrat Mios, e cila u shfaq më 22 qershor të vitit 1950 në kinema-teatër “Morava”, vazhdon të na tregojë Koço Qendro. Shfaqja e kësaj drame që hyri në historinë e artit skenik korçar si shfaqja e parë e teatrit profesionist të këtij qyteti me tradita në këtë art, ruan emocione që nuk mund të harrohen. Sokrat Mio e përshkruan kështu, ku ndër të tjera thotë: “… Ç’po ndodhte me ne!… Një ngjarje e rëndësishme dhe e paharruar na kishte përfshirë të gjithëve! Teatri ynë u bë profesionist!… ëndrra jonë e madhe u bë realitet! Të gjithë ne që tërë jetën ia kishim përkushtuar skenës Korçare është pak të them se punonim, por fluturonim në skenë!… Pa humbur kohë, menjëherë filluan provat për premierën e parë. Pjesa ishte zgjedhur, rolet u ndanë, skicat e dekoreve dhe kostumeve u ishin dhënë piktorëve Vangjush Mio dhe Kostaq Tushi. Aktorët punonin për rolet me një përkushtim të paparë, punonin me dashuri që të dlinin sa më mirë. Po , punonin kështu, sepse më në fund dhe ne tani kishim teatrin tonë profesionist, kishim piktorin tonë, rrobaqepësin, marangozin! Këtej e tutje nuk do të bezdisnim nënat, motrat, të afërmit tanë që t’iu merrnim fustanet, perdet, qilimat, tryezat e orenditë e tjera për të mobiluar shfaqjet ashtu sic kishim vepruar më përpara. Mbas një pune me të vërtetë për t’u admiruar, më në fund erdhi dhe ajo mbremja e 22 qershorit, kur atje në kinema “Morava”, me emocion prisnim se si do të reagonin spektatorët e shumtë që kishin mbushur sallën plot e për plot, prisnim që të hapej sipari dhe të fillonte shfaqja jonë!” Dhe sot e kësaj dite mund të thuhet, nënvizon Koço Qendro se ajo shfaqe ishte vertët nje realizim profesionistësh, ashtu sikurse edhe Neki Shkaba diti të tregonte, si gjithnjë, talentin e tij të lindur për aktor”.
Shkaba përzgjidhet për teatrin kombëtar
“Pjesë e “Përmbysjes” së Lavranjevit, padyshim, ishte dhe Neki Shkaba me rolin e kundëradmiralit Milicin. Rolet kryesore u rezervuan për aktorët e vjetër dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Shtypi i kohës që e përshkruan shfaqjen e kësaj drame si një ngjarje të madhe në jetën kulturore të qytetit të Korçës, nuk lë pa përmendur emrin e Neki Shkabës, i cili si gjithnjë do të shkëlqente me lojën e tij aktoriale. Pas kësaj shfaqjeje, Shkaba do të luante, te “Zëri i Amerikës”, sërish e Lavranjevit, (1950), në rolin e senatorit Herbert D. Wheeler; te“Kopraci” i Molierit, (1951), në rolin e Shigjetës, besniku i Kleanthit; te “Martesa” e Gogolit, (1951), në rolin e Kockarevit, miku Podgolesinit; te “Makar Dubrava” e Korneiçuk, (1952), në rolin e Filip Smenjenko; te “Nën Gështenjat e Pragës” e Konstandin Simonov, (1952) në rolin e oficerit Fentzik. Gjithashtu, në këto vite u shfaqën edhe vepra të tilla, si: “Revizori” i Gogolit ( 1951), “Gjashtë dashnorët” e A. Arbuzov (1952), “Nderi i familjes” e Hysen Myftarit (1952), “Rrënjët e thella” e Arnold d’Jusso (1953), “Njerëz të rinj” të V. Vinçanit (1953), “Vajza nga fshati” e Fatmir Gjatës, (1954), “Koria e Kalinajve” e A. Korneiçuk (1954), ku në shumë prej tyre Shkaba pati role të rëndësishme. Megjithatë, gjatë këtyre viteve gjithkush vuri re se dy ishin aktorët që shkëlqyen me talentin dhe interpretimet e tyre: Neki Shkaba dhe Pandi Raidhi. Për këtë arsye, kur Sokrat Mio u kërkua sërish nga Teatri Kombëtar, mori me vete edhe këta dy artistë që po bënin emër. Të rinj të tjerë do t’i bashkangjiteshin teatrit të Korçës, si Pasa Pema, Isuf Ibrahimi, Pandeli Mborja, Xhevdet Hasani, Aleksandër Tasho, Xhevdet Myftiu, Andon Frashëri, Valentina Asllani, Ali Dhoga, Tefta Rusi, Dezdemona Mehmeti, Refik Xhinaku, Neta Vodica etj, gjithkush prej tyre ka udhën e vet, por te Neki Shkaba shumë gjëra i gjejmë ndryshe, ato rrëzëllijnë”,- na thotë Koço Qendro
Ikja nga Korça
“Me mbërritjen në Tiranë, Neki Shkaba u bë pjesë edhe e lojës aktoriale kinematografike, ku mund të përmendim filmat “Toka jonë” (1964), “Njësiti guerril” (1969), “Brazdat” (1973) etj”. Megjithatë, duke iu referuar gjithnjë kolegëve dhe spektatorit, Koço Qendro kujton se, “pas ikjes së Shkabës nga Korça, mes artdashësve u krijua një boshllëk. Ishin mësuar ta prisnin gjithnjë ardhjen e tij në teatër, daljen në skenë dhe lojen e tij të vecantë. Prania e tij gjithmon ngjasonte me kthimi i babait në shtëpinë e vet për t’u dhuruar të gjithëve ngrohtësi. Ai do të mbahet mend për shkëlqimin e thjeshtësisë së tij. Ndaj për artistë të tillë që dinë të flasin vetëm në skenë dhe kurrë për veten, sa herë që mund t’u drejtohesh jetës së tyre mund të zbulosh diamante që të lënë të befasuar dhe të bëjnë të mendohesh.
Ne Foto: Teatri Popullor Në Gjeneve (1957) majtas Neki Shkaba, Ndrek Luca, Lazer Filipi, Sander Prosi

Filed Under: Kulture Tagged With: akori me i mire, Neki Shkaba, Vepror Hasani

Presidenti Nishani, bashkëpunim për reformën në drejtësi

May 8, 2015 by dgreca

Nga Rudina DERVISHI/
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ndodhet prej disa ditësh në Nju Jork për të nderuar rolin e shqiptarëve për shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Presidenti Nishani vizitoi kryeqytetin e Nju Jorkut, Albany, ku mori pjesë në një numër ceremonish solemne që kishte organizuar me këtë rast legjislatura e këtij shtetit.
Gjatë fjalimit në Asamblenë e Nju Jorkut Presidenti Nishani tha se në përfundim të luftës “Shqipëria numëronte një numër disa herë më të madh hebrenjsh në territorin e saj sesa në fillim të Luftës dhe shihet si vendi i vetëm në Evropë që shënon një rekord të tillë”. Me këtë rast, të dyja dhomat e Asamblesë së Nju Jorkut miratuan një rezolutë për rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Po gjatë ditëve të qëndrimit në Nju Jork Presidentit Nishani iu dorëzua medalja e Nderit e Fondacionit ndërkombëtar Raul Wallenberg, për rolin e Shqipërisë në shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke marrë medaljen, Presidenti Nishani tha se ajo i takon të gjithë shqiptarëve, të cilët pa marrë në sy rrezikun strehuan dhe shpëtuan me qindra hebrej gjatë luftës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës gjatë programit televiziv Ditari, presidenti Nishani foli për sfidat në sistemin e drejtësisë si dhe për procesin e dekriminalizimit.
Zëri i Amerikës: Zoti President! Gjatë qëndrimit tuaj në Nju Jork, përveç nderimit të përpjekjeve të Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ju patët takime me komunitetin shqiptar dhe me disa figura të tij. Çfarë roli ka ky komunitet për Shqipërinë? A mendoni se Shqipëria ka bërë sa duhet për të tërhequr energjitë e komunitetit shqiptaro-amerikan për zhvillimin e vendit?
President Bujar Nishani: Së pari, unë do të desha të ndalem tek vlerësimi dhe nderimi i rolit prej dekadash dhe, pse jo, historik të diasporës shqiptare në Amerikë, nisur nga figurat e para të diasporës shqiptare si Noli, Konica e mjaft të tjerë burra të shquar, të cilët punuan gjithmonë për çështjen kombëtare shqiptare. Pastaj është diaspora antikomuniste në Amerikë, e cila gjithmonë përkrahu popullin shqiptar dhe nxiti administratën amerikane, që të ishte pranë popullit shqiptar për të kaluar vitet e errëta të komunizmit në Shqipëri. Po ashtu pas rënies së sistemit komunist në Shqipëri diaspora shqiptare luajti një rol të jashtëzkonshëm për të lobuar pranë administratës amerikane, e cila duhet të ishte pranë Shqipërisë në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e lirisë dhe ekonomisë së tregut. Momentet e veçanta të historisë së kombit shqiptar, të çlirimit të Kosovës dhe pavarësisë së saj gjithashtu patën përkrahjen dhe angazhimin e diasporës shqiptare. Sot ka gjenerata të reja, të cilët jo vetëm janë bërë pjesë e rëndësishme e jetës në Amerikë, por edhe pjesë e administratës në SHBA. Ne gjithmonë e kemi një obligim të rëndësishëm ta vëmë në dukje ekzistencën dhe aktivitetin e tyre.
Për të ardhur tek pjesa e dytë e pyetjes tuaj; unë jam absolutisht i pakënaqur me aq sa shteti dhe institucionet shqiptare dhe shoqëria jonë në tërësi bën jo vetëm për të evidentuar këtë kontribut të jashtëzakonshëm, por edhe për të bërë pjesë më aktive diasporën shqiptare, kapacitetet intelektuale të saj, dëshirën dhe vullnetin e saj edhe përparimin e mëtejshëm të institucioneve në Shqipëri.
Zëri i Amerikës: Zoti Nishani, gjyqësori mbetet një nga sistemet më të diskutuara në Shqipëri, nga njëra anë lidhjet dhe ndikimet politike, dhe nga ana tjetër korrupsioni. Pak ditë më parë ambasadori gjerman në Tiranë deklaroi se gjyqtarët e nisin ditën e punës duke marrë zarfet, pra ryshfetet. Madje një vit më parë edhe ju keni folur për gjyqtarë, që mendojnë për zarfet. Megjithatë deri tani nuk kemi parë ndonjë gjyqtar, që të dënohet apo ndëshkohet për rryshfet apo korrupsion…
President Bujar Nishani: Ashtu është dhe në fakt shqetësimi im i përhershëm ka qenë që ne duhet të largohemi përfundimisht nga retorika. Retorika nuk është e nevojshme, retorika nuk sjell ndryshimin, retorika nuk bën realisht reformat. Shqipëria ka nevojë për reforma të thella në shumë fusha, por veçanërisht në fushën e drejtësisë, posaçërisht në atë të gjyqësorit. Dhe unë e kam theksuar gjithë kohës që kam qenë në zyrën e presidentit të Republikës dhe do të vazhdoj ta them se baza për të filluar dhe për të realizuar një reformë në sistemin e drejtësisë është vullneti, kryesisht vullneti politik. Ndaj unë i kam thirrje vazhdimisht vendim-marrësve; legjislativit, qeverisë, klasës politike në tërësi që të shpalosë një vullnet të qartë e të vërtetë për të nisur një reformë në sistemin e drejtësisë, për t’u shkëputur një herë e mirë nga idetë e pasjes së influencave të politikës dhe të njerëzve me pushtet në legjislativ apo ekzekutiv mbi sistemin e drejtësisë gjithmonë në interes të objektivave të ndryshëm politikë për ta bërë gjyqësorin një instrument në shërbim të shtetit të së drejtës. Nëse nuk do të paraqitet një vullnet i qartë e i fortë për të ndërmarrë reforma, çdo angazhim tjetër do të mbetet në kuadrin e retorikës.
Zëri i Amerikës: Ambasadorja e BE-së në Tiranë u shpreh ditët e fundit se KLD nuk po merr pjesë në diskutimet për reformat në drejtësi. Si iu përgjigjeni këtyre kritikave?
President Bujar Nishani: nuk e kam dëgjuar këtë deklaratë, për hir të të vërtetës, duhet t’iu them që sapo mori ftesën për të marrë pjesë në komision janë deleguar dy përfaqësues nga KLD; gjyqtari Dritan Hamitaj dhe kryeinspektorja e KLD zonja Marsida Xhaferllari.
Zëri i Amerikës: Zoti Nishani, ka kritika që Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka marrë masa për gjyqtarë të korruptuar. Në Këshill ka patur dhe raste që janë denoncuar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë, duke qenë se nuk justifikojnë dot të ardhurat e shumta, por Këshilli nuk ka vepruar. Si e gjykoni ju këtë?
President Bujar Nishani: Unë nuk e kam parë punën e KLD si një punë të përsosur. Jam munduar gjithmonë si një prej antarëve të këtij Këshilli shpesh herë pa të drejtë vote në vendim-marrjen e Këshillit, por si një nga drejtuesit e KLD për të inkurajuar antarët e KLD që të jenë të përgjegjshëm dhe të angazhuar thellësisht. Unë e kam mbështetur angazhimin e tyre dhe për hir të të vërtetës, vetëm gjatë këtyre dy viteve të fundit ka patur një numër të caktuar gjyqtarësh, të cilët jo vetëm janë përjashtuar nga sistemi gjyqësor. Ka patur prej tyre të cilët i janë deleguar hetimit penal, një pjesë e tyre tashmë janë edhe të dënuar. Por gjithsesi ajo që unë kërkoj dhe do të vazhdoj të kërkoj nga antarët e KLD është që të dalin përtej angazhimeve të tyre në raportet personale që kanë ata me gjyqtarë të caktuar apo t’i qëndrojnë fort presionit që vjen nga politika, i cili për fat të keq vazhdon të jetë i pranishëm në forma dhe në mënyra të ndryshme përmes presionit, përmes korruptimit administrativ dhe jo vetëm financiar të antarëve të KLD por edhe nëpërmjet formave dhe metodave të tjera që vijnë nga pushteti, i cili ka se çfarë ofron në këmbim të favoreve. Unë do të vazhdoj të inkurajoj antarët e KLD, do të mbështes të gjithë integritetin e tyre për të qenë në lartësinë që u kërkon atyre opinioni publik.
Zëri i Amerikës: Këshilli i Lartë i Drejtësisë, u bë disa muaj që funksionon pa nënkryetar, një figurë kushtetuese dhe kyçe këtij institucioni. Kur pritet që ju të bëni emërimin e tij?
President Bujar Nishani: Nënkryetari i KLD ka një detyrë specifike thjesht administrative. Nuk ka të bëjë me punën përmbajtësre të KLD. Ai është një antar si gjithë antarët e tjerë, por është i ngarkuar me drejtimin e administratës. Për fat të mirë, qysh para dy vjetësh është futur funksioni i sekretarit të përgjithshëm, i cili tashmë e zëvendëson krejtësisht nga pikëpamja administrative mungesën e nënkryetarit të KLD. Presidenti do të zbatojë detyrën dhe tagrin e tij kushtetues për ta zgjedhur nënkryetarin e KLD. Por, ashtu si të gjithë jemi të njohur ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka hedhur poshtë dhe e ka quajtur të pabazuar bazën ligjore me të cilën parlamenti mori vendimin për të shkarkuar dy antarët e KLD. Unë besoj që parlamenti do të reflektojë ndaj këtij vendimi të Gykatës Kushtetuese, sepse në fund të fundit, të gjithë jemi të obliguar para këtyre vendimeve. Procedura që u realizua është tashmë pa asnjë bazë ligjore dhe asnjë akt procedurial nuk mund të jetë në fuqi pa një bazë ligjore të caktuar. Ky është thelbi i doktrinës së të drejtës.
Zëri i Amerikës: Zoti Nishani, muajt e fundit në Shqipëri është debatuar gjatë për atë që quhet si dekriminalizim i politikës. Por ndërsa palët në Shqipëri përfshihen me polemika, ambasadorët e huaj janë më konkretë dhe kanë shprehur shqetësim për disa emra, që janë përfshirë dhe në listat e kandidatëve për zgjedhjet vendore. Ju si e shihni këtë situatë?
President Bujar Nishani: Krijimi i kësaj situate është një akt shqetësues dhe na bën me turp që të gjithëve. Nuk mund të parashikohej dhe as të mendohej që në këto vite të demokracisë shqiptare, pas kaq kohësh ne të diskutonim për dekriminalizimin e politikës, parlamentit, institucioneve kaq të larta të shtetit. Si kemi mbërritur në këtë pikë është e turpshme, e papranueshme. Menjëherë duhet reflektim për t’u korigjuar dhe në radhë të parë nga vendim-marrësit e politikës dhe të partive politike. Ne i falenderojmë partnerët dhe miqtë tanë përmes ambasadorëve që kemi në Shqipëri, por janë shqiptarët, institucionet shqiptare, klasa politike, vendim-marrësit shqiptarë, të cilët duhet të zgjidhin dhe të marrin vendimet e duhura. Vetëm ne mund të bëjmë korigjimet. Prandaj unë kam inkurajuar dhe do të vazhdoj të kërkoj me forcë nga drejtuesit e partive politike, nga klasa politike që jo vetëm të distancohen por menjëherë të nxjerrin jashtë radhëve të përfaqësimit të politikës së tyre në parlament dhe në administratën shtetërore të gjithë që kanë rekorde kriminale, pasi është e papranueshme kjo jo vetëm në funksionimin e administratës dhe të vendim-marrjes, por edhe për imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, presidenti Nishani, Rudina Dervishi, VOA

Presidenti i Shqipërisë dekoroi me urdhrin “Naim Frashëri”,Beqir Sina

May 8, 2015 by dgreca

*Presidenti i Shqipërisë dekoroi me urdhrin “Naim Frashëri”, dhe me me Medaljen E Meritës zonjën Majlinda Myrto dhe veprimtarin Sejdi Hysenaj me motivacionin: “Për Merita të Veçanta Civile”./
* Gazeta Dielli uron kolegun dhe bashkëpunëtorin Beqir Sina për dekorimin e merituar nga Presidenti i Shqipërisë, z. Bujar Nishani me Urdhërin “Naim Frashëri”. Gazetari Sina është treguar i palodhur duke mbuluar ngjarjet e komunitetit shqiptar, jo vetëm në Nju Jork, por edhe në Washington dhe shtete të tjera të Amerikës./
MANHATTAN NYC : Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani gjatë vizitës në Nju Jork, dhe në vazhdën e vlersimit të disa figurave të diasporës shqiptare në SHBA, i akordoi mbrëmjen e së Enjtes, 7 Maj 2015, gjatë një ceremonie të zhvilluar në mjediset e hotel Kimberli në Manhattan, zotit Beqir Sina dekoratën “Naim Frashëri” me motivacionin “Në vlerësimin për punën e palodhur si gazetar dhe kontributin për përhapjen e bërjen të njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të historisë, shpirtit liridashës dhe vlerave më të mira të popullit shqiptar .”
Ndërsa, me Medaljen “Për Merita të Veçanta Civile”, nderoi veprimtarin e komunitetit zotin Sejdi Hysenaj dhe veprimtaren znj. Majlinda Myrto si pjestare e një familje shqiptare që gjatë Luftës së Dytë Botërore mori në mbrojtje një familje hebraike, duke sakrifikuar edhe jetën në atë kohë, një medalie kjo që u jepet shtetasve shqiptarë dhe të huaj për kontribute të veçanta civile në Shqipëri (në fushën e zhvillimeve demokratike, në atë humane etj.)
Fjala e plotë e zotit Beqir Sina, drejtuar Presidentit të Republikës zoti Bujar Nishani:
I nderuar zoti President Nishani,
E nderuar zonja Nishani,
Duke falenderuar për medaljen që po më jepet, mendja më shkon menjëherë tek ish të përndjekurit e periudhës së komunizmit. Mund të them se kjo është një medalje për të gjithë ata njerëz që vuajtën.Qëndresa jonë e asaj kohe, sot rrezaton dinjitet në një formë tjetër: në mesazhet që ne percjellim për paqen dhe kundër hakmarrjes.
Mendja më shkon gjithashtu tek dy mentorët e mi heronj që nuk janë më: Babai dhe Nëna, të cilët u ndanë nga jeta pak vite më parë. Nëse unë sot përpiqem të jap diçka për komunitetin, janë ata që më edukuan dhe më rritën në kushte jashtëzakonisht të vështira.
Zoti President,
Komuniteti i shqiptarëve të Amerikës është një bashkësi historike për nga ndihma dhe inkurajimi që i ka dhënë vendit amë gjatë më shumë se një shekulli. Mu bë zemra mal kur ju pashë të rrethuar me respekt nga deputetët e Asamblesë në Albany, sepse aty pashë respektin për Shqipërinë. Në rolin tim si gazetar, e kam për krenari të jem pjesë e kësaj historie që është ende duke u shkruar.
Me rastin e këtij nderi që më bëtë, ju shpreh edhe mirënjohjen e familjes sime – bashkëshortes Altinës, dhe fëmijëve Avenirit dhe Nedës.
Shënim i Editorit të Diellit:
Gazeta Dielli uron kolegun dhe bashkëpunëtorin Beqir Sina për dekorimin e merituar nga Presidenti i Shqipërisë, z. Bujar Nishani me Urdhërin “Naim Frashëri”. Gazetari Sina është treguar i palodhur duke mbuluar ngjarjet e komunitetit shqiptar, jo vetëm në Nju Jork, por edhe në Washington dhe shtete të tjera të Amerikës.

Filed Under: Vatra Tagged With: dekoroi, Mailinda Myrtaj, presidenti Nishani

ME PRESIDENTIN NISHANI NË MANHATTAN COLLEGE

May 7, 2015 by dgreca

Të pranishëm edhe një grup vatranësh me Kryetarin Gjon Bucaj/
Gjatë ditës së sotme, Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani,ishte në Manhattan College, Riverdale të Shtetit të Nju Jorkut, ku mbajti ligjëratën me temë: “Mbi tolerancën fetare”.
Përpara një auditori të zgjedhur,ku nuk mungonin përfaqësuesit e komunitetit shqiptar dhe një grup studentësh me kombësi shqiptare, që kryejnë studimet në këtë Kolegj, presidenti është duartrokitë e vlerësuar.
Ligjëratën e Presidentit Nishani e ndoqi edhe një grup vatranësh: Kryetari Gjon Bucaj, zv/ Kryetari Agim Rexhaj me zonjën Laura, zv/Kryetari Asllan Bushati, anëtarët e Këshillit të Vatrës Mithat Gashi, Ardian Neritani, Zef Balaj, Sejdi Hysenaj dhe editori i Diellit, Dalip Greca.
Manhattan College është një nga kolegjet me histori në Nju Jork. Ai u themelua fillimisht në një ndërtesë të vogël në Canal Street më 1853 nga pesë francezë. Shpejt u diktua nevoja e zgjerimit dhe i detyroi themeluesit që ta zhvendosnin nga Lwer Manhattan, në 131 rrugë dhe Broadway, në seksionin Manhattanville e Harlem. Më pas shkolla u zhvendos përfundimisht në vendndodhjen aktuale në seksionin Riverdale të Bronx. Fillimisht Kolegji ndiqej vetëm nga meshkujt.
Kolegji është i dalluar në fushat e akademikë, artit, inxhinieri, letërsi, biznes, sport dhe fushën e ligjit. Janë shumë personalitete amerikane që janë diplomuar në këtë Kolegj.(Më shumë do të lexoni në Diellie printuar)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Bujar NISHANI NË, dalip greca, MANHATTAN COLLEGE, me presidentin

Në Nju Jork, u themelua një shoqatë e re me profesonistë të rinj në SHBA

May 7, 2015 by dgreca

Nga Beqir SINA/
NEW YORK CITY: Shqiptaro Amerikanët në Arkitekturë, Ndërtimin, dhe Inxhinieri, një grup bashkë themeluesish të kësaj shoqate më të re, me profesonistë të rinjë në SHBA, si: Luis Puna, Armir Taraj, Redi Gjecka, Ilir Dulaj, Fild Kroqi – shkruan në rrjetin shoqëror facebook, se :” Qëllimi i këtij grupi është që të shërbejë si një platformë komunikimi për organizatën e tyre, përmes të cilit ata shpresojnë për të krijuar një ambient të rehatshëm ku profesionistët shqiptarë të ndërtimit dhe të projektimit, tregojn dhe mund të njohin njëri-tjetrin, të ndërveprojnë, në interact dhe netwo.
Rreth krijimit të kësaj shoqate, profesontistësh të shkolluar dhe diplomuar në universitetet amerikane, ne folëm me njerin prej bashkëthemelusve të “Albanian Americans in Architecture, Construction, and Engineering – AAACE”, zotin Armir Taraj.
Inxhinieri Taraj – thotë se ideja për këtë organizatë lindi mes disa shqiptarëve prej nesh në fushën e inxhinierisë së ndërtimit, kur pamë se mes nesh dhe atyre që njihnim po bëheshim një numër i mirë inxhinierësh shqiptarë dhe kështu menduam pse të mos krijojme organizatën tonë per arkitektët, inxhinierët, dhe profesionistët shqiptarë në fushën e ndërtimit.
Takimi i parë ideator, simbas tij ndodhi para disa muajsh në një lokal në midtown Manhattan ku morëm pjesë unë, Luis Puna, Ilir Dulaj, Fild Kroqi dhe Redi Gjecka. Gjatë këtij takimi vumë re se njohjet që secili nga ne kish në fushën AEC (architecture, engineering, construction) ishin të mjaftueshme për të krijuar bërthamën e një organizate të mirëfilltë profesionale. Pasi kompiluam listën e emailave të të gjithë shqiptarëve që njihnim në AEC, dërguam një email prezantues dhe organizuam takimin e parë të anëtarësisë. Ky takim ndodhi në 20 Janar të këtij viti dhe morën pjesë mbi 20 shqiptarë profesionistë në fushën AEC.Kështu, thotë Taraj, qëllimi ishte të njiheshim e prezantoheshim me njëri tjetrin e të fillonim të diskutonim idetë rreth qëllimit të shoqatës dhe mënyrës më të mirë të organizmit. Takimi i dytë i anëtarësisë ndodhi me datë 9 Prill tek Hotel Indigo ku morën pjesë mbi 30 veta dhe ku vazhduam me diskutimet për organizimin e shoqatës dhe aktivitetet tona të ardhshme.
Duke sqaruar diçka mbi qëllimin e këtij grupimi inxhinjerësh shqiptarë në Amerikë, zoti Taraj, theksonë se qëllimi i AAACE është që të shërbejë si një platformë komunikimi ku të mund të krijojmë një hapësirë të rehatshmë, aty ku profesionistët shqiptarë dhe jo-shqiptarë në fushat AEC të mund të njohin njëri-tjetrin, të ndërveprojnë e të krijojnë lidhje profesionale. Përveç aktiviteteve profesionale dhe networking, një nga qëllimet tona është që të mund të arrijmë të prekim mendjet e studentëve të rinj shqiptarë në shkollat e mesme të Nju Jorkut e ti ndihmojmë duke i orientuar në programet më të mira të studimit në AEC dhe t’ju bëhemi atyre si “mentor” afatgjatë.
“Tani për tani organizatën, u shpreh Taraj , e kemi lënë qëllimisht pa udhëheqës zyrtarë duke preferuar një mënyrë horizontale organizimi, ku gjithkush është i lirë të kontribuojë sa të ketë dëshirë e mundësi. Në të ardhmen, kur anëtarët të kenë pasur kohë të njohin më mirë njëri tjetrin dhe kontributet e secilit, do organizojme edhe zgjedhje dhe një bord drejtues. Ndërkohë, përveç 5 bashkëthemeluesve që përmenda më sipër, anëtarë shumë aktivë me kontribut si tek faqja jonë në facebook, apo tek uebsajti që po ndërtojmë etj. janë edhe Valentin Dhima, Ardian Pistoli, Denisa Lleshi dhe Afërdita Mulaj”.
Ai nuk dëshiron të përmend emra “hë për hë” si i themi ne shqiptarë duke shtuar se :”Nuk po përmend emra të veçantë por në grupin tonë ka profesionistë shumë të suksesshëm me mëse 10 vjet eksperiencë në fushat AEC, ashtu siç ka edhe studentë të rinj që posa kanë filluar karrierën e tyre. Në këto pak muaj qe ekzistojmë, kemi pasur sukses në gjetjen e vendeve të punës për të paktën tre anëtarë. Shpresojmë që këto suksese në networking dhe job placement të vijnë e të shtohen, e po ashtu bashkëpunimi ynë profesional në projekte të ndryshme, dhe shpresojmë që të kemi një impakt pozitiv në komunitetin tonë”.
Në fund z. Armir Taraj PE AAACE Co-founder, faleminderon gazetën tonë, dhe të gjithë kolegët e tij

Filed Under: Komunitet Tagged With: profesioniste te rinj, Shoqata ne Nju Jork

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT