• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2015

FILMI “SKENDERBEU” SHFAQET ME 9 MAJ NE MONROE COLLEGE

May 4, 2015 by dgreca

Nga Astrit Tota/
Njoftojme komunitetin shqiptar ne Nju Jork dhe rrethina se me date 9 maj do te shfaqet filmi”Skenderbeu”, ku hyrja do te jete falas.
Shfaqja e Filmit te Ri Dokumetar Gjergj Kastriot ” S K E N D E R B E U “/
Regjisor – Skenarist : Vladimir Prifti ” Mjeshter i Madh ”
Kompozitor : Aleksander Peci
Punuan per Filmin : studiues, historiane dhe aktore nga te gjitha trevat shqiptare.
Premiera e filmit te Ri Dokumentar me dy seri, Gjergj Kastriot Skenderbeu, organizohet me rastin e pervjetorit te 610 te lindjes se Tije, nen kujdesin e Anssamblyman Mark Gjonaj, drejtuesve te Federata Pan Shqiptare “Vatra”, Prof. Haxhi Berisha, Zj. Mimoza Dajci, Z. Mark Shkreli, Regjisori Roko Markolevic, Z. Gjergj Dedvukaj, Piktori-skenograf Astrit Tota etj.

Vendi;
Monroe College
Bronx. NY. 10468
Nr. Tel: ( 718) 933-6700 Hyrja eshte Falas.
Data : 9 Maj 2015
Ora 1 pm – 4 pm

Filed Under: Komunitet Tagged With: 9 maj, Astrit Tota, Filmi "Skenderbeu", Monroe College

PËRPARIMET DHE SFIDAT NË BALLKANIN PERËNDIMOR

May 1, 2015 by dgreca

Shqetësime serioze për influencën e Rusisë në Ballkan/
Nga Frank Shkreli/
Ky ishte titulli i seancës që u mbajtë të mërkurën nga Nën-Komisioni i Punëve të Jashtëme të Kongresit Amerikan që merret me punët e Europës dhe të Euro-Azisë. Kryetari i këtij Nën-Komisioni, deputeti i shtetit Kalifornia, Dana Rohrabacher e hapi sesjonin duke thënë se është hera e dytë në dy vitet e kaluara që ky Nën-Komisio i Kongresit merret me këtë subjekt të rëndësishëm, dmth., me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Për të dëgjuar mbi zhvillimet më të fundit në rajon, Nënkomisioni i Kongresit për Europën dhe Euro-Azinë kishte ftuar, ndër të tjerë Zëvendës-ndihmës Serektarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee. (Të ftuarit e tjerë ishin Susan Fritz, Ndihmës-Administratore e USAID për Europën dhe Euro-Azinë, Ivan Vejvoda, Zëvëndës president i Fondit Gjerman Marshall në SHBA dhe ish-Kongresmeni me origjinë arbëreshe, Joseph J. Dio Guardi, President i Ligës Civile Shqiptaro-Amerikane).
Diplomati amerikan, Hyot Yee, ç’prej fillimit të kumtesës së tij pohoi para anëtarëve të komisionit se vizioni për një Europë të tërë, të lirë dhe në paqë, kërcënohet sot më shumë se çdo herë tjetër, ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë. Diplomati amerikan, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, tha se agresioni i Rusisë në Ukrainë dhe terrori i ushtruar nga grupi ISIL në Siri dhe në Irak u jep vendeve të Ballkanit një rëndësi më të madhe gjeopolitike, dhe si përfundim i këtij konteksti të ri gjeopolitik, theksoi ai, “Puna e jonë me partnerët tanë dhe me Aleatët tanë Ballkanikë për të krijuar një hapësirë më të mirë të tregëtisë së lirë dhe të popujve të lirë, është më e rëndësishme se kurrë — qoftë kjo në përpjekjet tona për të ndihmuar këto shtete që të marrin vet vendimin sovran për të ardhmen e tyre Euro-Atlantike…e deri tek përpjekjet për të çrrënjosur kancerin e korrupcionit që është duke brejtur përmbrenda këtyre shoqërive, duke ndikuar dëmshëm në jetën e përditshme të njerëzve, dhe njëkohsisht duke rrezikuar demokracinë dhe sigurinë e këtyre vendeve.” Megjith përparimet e bëra në këtë rajon dhe megjithë ndihmën morale dhe financiare (mbi 7 miliardë dollarë për rajonin, sipas tij) nga Shtetet e Bashkuara ç’prej vitit 1999, vendet e Ballkanit Perëndimor përballen gjithnjë me sfida të mëdha, theksoi Zëvendës-ndihmës Sekrektari amerikan i Shtetit, Hoyt Yee, para nën-Komisionit të Kongresit për Europën dhe Euro-Azinë.

Duke thënë se megjith përparimet që janë shënuar në atë rajon gjatë dy dekadave të kaluara, Hoyt Yee shtoi se Ballkani Perëndimor përballet gjithnjë me sfida të mëdha. Ai e përqëndroi kumtesën e tij mbi disa fusha kryesore, duke theksuar shkurtimisht gjëndjen aktuale në secilin prej shtatë vendeve të rajonit. Përveç kësaj, ai foli edhe shqetësimet mbi atë që ai cilësoi si “ndikimi kompleks i influencës së rrezikshme ruse” në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe bashkpunimin në lidhje me hetimin dhe dënimin e luftëtarve të huaj terroristë, si dhe mbi gjëndjen ekonomike të rajonit.

Duke folur për Shqipërinë, diplomati amerikan Hoyt Yee u tha anëtarve të Kongresit se ç’prej shembjes së sistemit shtypës komunist, Shqipëria ka shënuar përparim të dukshëm demokratik. Ai vuri në dukje nënshkrimin kohët e fundit të Partneritetit Strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, në të cilin, theksoi ai, nënvijohet bashkpunimi midis dy vendeve në fushën e sigurisë, të qeverisjes së mirë, të zbatimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, shoqërisë civile, zhvillimit ekonomik, sigurisë, si dhe në fushën energjetike, në arsim dhe në shkëmbimet dy-palëshe. “Ne vazhdojmë të gjëjmë mundësi të reja për të ndihmuar Shqipërinë të krijojë rritje të gjithanshme dhe të vazhdueshme ekonomike, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian”, tha Hoyt Yee. Por megjith përparimet e shënuara deri tani, Zëvendës-ndihmës Serektari amerikan i Shtetit i tha Kongresit se, “Në Shqipëri mbetet shumë për t’u bërë.” Ai shtoi se, “Ndonëse ka marrë statusin e vendit kandidat, Shqipëria do të përballet me sfida të mëdha në zbatimin e reformave që janë të nevojshme për të filluar bisedimet për antarësimnë BE. Shqipërisë i duhet të intensifikojë përpjekjet drejtë përforcimit të institucioneve demokratike, të bëjë reformat në drejtësi dhe të luftojë korrupcionin dhe krimin e organizuar. Influenca e krimit dhe e korrupcionit në politikë vazhdon të jetë një shqetsim i vazhdueshëm. Ne jemi duke i bërë thirrje qeverisë dhe opozitës të punojnë së bashku për të luftuar krimin dhe korrupcionin dhe që të heqin dorë nga politika e mbrendshme konfliktuale dhe e korruptuar”, përfundoi Hoyt Yee paraqitjen e tij mbi Shqipërinë, para Nën-Komisionit të Kongresit që merret me Europën dhe Euro-Azinë.

Në lidhje me Kosovën, diplomati amerikan Hoyt Yee tha se gjatë këtyre shtatë vite pavarësi dhe ç’prej përfundimit të mbikqyrjes ndërkombëtare, Republika e Kosovës “Ka hedhur hapa të rëndësishëm në zhvillimin e saj si shtet i cili gëzon sovranitet dhe pavarësi të plotë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin Kosovën në përpjekjet e saja për të ndërtuar një shtet modern, multietnik me institucione demokratike dhe gjithëpërfshirse.” Duke theksuar se Shtetet e Bashkuara përkrahin themelimin tani të shumë përfolur të Gjykatës Speciale për tu marrë me pretendimet e raportit të Këshillit të Europës nga senatori zviceran Marty, diplomati amerikan Hoyt Yee theksoi se, “Është me rëndësi që udhëheqsit e Kosovës të marrin masat e nevojshme dhe të miratojnë amandamentet kushtetuese dhe legjislacionin e nevojshëm për krijimin e Gjykatës Speciale, ashtuqë vendi të merret me këto akuza në mënyrë të besueshme.” Kjo, nënvijoi ai, “Është me rëndësi për viktimat, por është gjithashtu me rëndësi edhe për të ardhmen e Kosovës, me qellim që të largohet njëherë e mirë nga ky kapitull dhe të vazhdojë në udhën e sajë të konsolidimit demokratik dhe drejtë integrimit Euro-Atlantik të vendit.” Në lidhje me këtë, përfaqsuesi i Departamentit Amerikan të Shtetit, në dëshminë e tij para Kongresit të mërkurën theksoi se, “Ne mbështesim antarësimin e Kosovës në NATO, në Organizatën për Bashkpunim dhe Siguri në Europë (OSBE), si dhe në Bashkimin Europian — dhe njëkohsisht i bëjmë thirrje Kosovës të ndërmarrë reformat e nevojshme me qëllim për të qenë në përputhje me standardet e këtyre institucioneve.”

Duke folur për Malin e Zi, Hoyt Yee tha se megjithë përparimet e shënuara , ai citoi Progres Raportin e Bashkimit Europian në të cilin thuhet se Mali i Zi nuk ka një sistem të besueshëm hetimesh, gjykimesh dhe dënimesh, sidmos në raste korrupcioni, duke përfshirë edhe raste të korrupcionit në nivele të larta të shtetit. Në lidhje me Malin e Zi, ai theksoi ato që ai cilësoi si “Shqetësime serioze përsa i përket lirisë së fjalës dhe lirisë së medias, përfshirë edhe rastet e dhunës kundër gazetarve.”
Në lidhje me zhvillimet e fundit në Maqedoni, Hoyt Yee shprehu shqetësimet e Shteteve të Bashkuara dhe të partnerve të tyre europianë në lidhje me zhvillimet në atë vend si dhe mbi marrëdhënjet midis pozitës dhe opozitës atje, duke bërë thirrje që kriza të zgjidhet sa më pare dhe në një frymë që “demonstron angazhimin serioz ndaj parimeve Euro-Atlantike, përfshirë zbatimin e ligjit, zgjedhje të lira dhe të drejta si dhe pavarësinë e gjykatave dhe të medias.” Në lidhje me gjëndjen e acaruar kohët e fundit në Maqedoni, diplomati Hoyt Yee i tha Kongresit se Shtetet e Bashkuara, gjithashtu, “Janë të shqetësuara në lidhje me ndasitë në rritje e sipër në shoqëri, midis shumicës maqedone dhe komuniteteve të minoritetit shqiptar në Maqedoni.”
Ai përfundoi dëshminë e tij nga pikpamja e Shteteve të Bashkuara në lidhje me gjendjen aktuale në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar shqetësimet e Washingtonit mbi atë që ai cilësoi si “influencën e rrezikshme” të Rusisë në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ai i tha Kongresit se, “Kur të merret parasyshë agresioni i vazhdueshëm rus në Ukrainë ne po i ndjekim me kujdes përpjekjet ruse në rajon. Ne përkrahim vendosmërisht integrimin Euro-Atlantik të rajonit dhe mbështesim aspiratat e vendeve të Ballkanit Perërdimor për antarësim në këto organizata. Në kundërshtim me këtë”, shtoi zyrtari amerikan, “Shtatorin që kaloi Ministri i Jashtëm rus, Lavrov ka deklaruar se zgjërimi i NATO-s në Ballkanin Perëndimor do të ishte një akt provokues.”. Zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit tha se, “Vendet e rajonit janë dhe do mbeten të lira të vendosin vet se në cilat organizata duan të antarësohen ato dhe Rusia nuk ka të drejtë vetoje mbi këtë çështje”, theksoi diplomati amerikan në dëshminë e tij para antarëve të Nën-Komisionit të Kongresit për Europën dhe Euroazinë, Hoyt Yee.
Mbi një subjekt tjetër, diplomati amerikan i tha Kongresit se vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos Bosna-Hercegovina, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria janë burim nga ku rekrutohen terroristët për të luftuar në Irak dhe Siri. Ai shtoi se këto vende po i marrin seriozisht kërcënimet që vijnë nga ky fenomen dhe se të gjitha këto vende kanë miratuar ligje duke shpalur si krim pjesëmarrjen në luftimet përjashta si dhe mbështetjen ndaj tyre.
Zëvendës-ndihmës Serektari amerikan i Shtetit, Hoyt Yee përfundoi kumtesën e tij në Kongres, mbi gjëndjen aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke thënë se megjithë sfidat e mëdha me të cilat përballet rajoni, “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre Europianë do të vazhdojnë t’i mbështesin këto vende me të gjitha mundësitë që kemi, ashtuqë ato të mund të ndërmarrin bërjen e reformave të nevojshme, për t’u përballur me këto sfida, sidomos në zbatimin e reformave që kanë të bëjnë me përparimin ose me mungesën e përparimit në rrugën e tyre euro-atlantike.” Por, ai përfundoi duke thënë se, “Ndërsa ne jemi serioz në angazhimin tonë për të krijuar një të ardhme më të mirë për atë rajon, duhet t’a kenë të gjith të qartë se përgjegjësia kryesore më në fund — për të shkuar drejtë udhës së reformave dhe integrimit Euro-Atlantik – është dhe mbetet në dorë të udhëheqsve të zgjedhur të rajonit. Qytetarët dhe shoqëria civile e këtyre vendeve duhet të tregojnë gatishmërinë e vet që të mbajnë përgjegjëse qeveritë e tyre kur ato devijojnë nga kjo rrugë, ose kur pengojnë zhvillimin e procesit të integrimit”, paralajmëroi shoqëritë dhe qytetarët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee në kumtesën e tij të mërkurën, para seancës së Nën-Komisionit të Punëve të Jashtëme të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, për Europën dhe Euroazinë.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Sfidat. ballkani Perendimor

FESTIVALI-NJË FILM NGA KOSOVA, SHFAQET NË FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR NË BOSTON

May 1, 2015 by dgreca

Nga Fuat Memelli/
Në qytetin Belmont afër Bostonit,po zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Filmit Artistik Ndëkombëtar, me temë :” Sekrete dhe gënjeshtra”. Është një temë pak e veçantë kjo e sivjetmja , por organizatorët thonë se këto janë pikat e përbashkëta që i bashkojnë këta filma. Në këtë festival, i cili është i 14-ti vit që organizohet , marrin pjesë 18 shtete, si Gjermania, Franca, Kanadaja, Italia, Turqia,Japonia, etj. Për herë të parë në këtë festival ,mer pjesë edhe Kosova, me filmin” Tre dritare dhe një varje”.
Drejtorja ekzekutive e festivalit, Ellen Gitelman, thotë se ne bsashkëpunojmë me distributorë ndërkombëtarë për të zgjedhur filmat. Shumica e tyre kanë fituar çmime në festivale prestigjoze ndëkombëtare të filmit artistik ose janë filma përfaqësues nga shtetet përkatëse, në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj, pranë Academy Awards( Çmimet e Akademisë). Filmi i Kosovës, “Tre dritare dhe një varje” ishte filmi i vetëm prezantues në gjuhë të huaj , për Oscarin e këtij viti dhe ne ishim shumë kureshtarë për ta parë. Pasi u pa në mënyrë anonime, u vendos se është film shumë i mirë për t’u shfaqur në këtë festival. Ky është filmi i parë kosovar që shfaqet në këtë festival, thotë zonja Ellen.
Autorë të filmit kosovar janë: skenari Zymber Kelmendi, regjisor Isa Qosja ndërsa në rolet kryesore interpretojne: Irena Cahani, Luan Jaha, Donat Qosja ,etj. Filmi trajton një temë delikate, atë të dhunimit seksualisht të grave e vajzave gjateë luftës në Kosovë. Gjatë kësaj lufte, mendohet se janë dhunuar seksualisht 20 mijë gra e vajza. Në qendër të filmit është Lushja, një mësuese fshati. E shtyrë nga ndërgjegja dhe nevoja e kthimit të dinjitetit, deklaron para një gazetareje të huaj se ajo dhe tri gra të tjeta të fshatit, janë viktima të dhunimit nga forcat sërbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Nga ky deklarim , nis edhe një tragjedi e dytë për këtë mësuese: shikimi shtrembër dhe përçmimi nga fshatarët. Përçmimi arrin deri aty sa fshatarët ndërhyjnë te fëmijët e tyre që mos shkojnë në shkollën ku jep mësim kjo mësuese. Skenat ndërthuren edhe pas kthimit të të shoqit në shtëpi, ku Lushja gjen kurajon e ja tregon edhe të shoqit këtë ngjarje. Filmi mbaron pa ndonjë zgjidhje konkrete, pasi i tillë është problemi. Duhen kuptuar normat, traditat e zakonet që janë në Kosovë. Filmi është një apel për këtë dramë të grave e vajzave kosovare të dhunuara seksualisht gjatë luftës. Është një apel për drejtësi, një apel për ndërgjegjësimin e njerëzve që këto gra e vajza të mbahen pranë, që ato ta kalojnë këtë traumë, pasi nuk është faji i tyre për çka që u ka ndodhur. Disa nga pjesëmarrësit e quajtën atë një film rrënqethës.
Në mbarim të shfaqjes, foli drejtorja e festivalit, Ellen Gitelman, ndër të tjera theksoi se ky është një film që tregon dramën e grave dhe vajzave kosovare të dhunuara gjatë luftës, por tani gjërat në Kosovë, kanë ndryshuar. Kosova është shteti më i ri në Europë. Ajo ka një presidente femër dhe se nuk është çdo gjë bardh e zi në shoqërinë kosovare. Kosovarja Rita Saliu, e cila jeton në Amerikë por ka qënë vetë në Kosovë gjatë viteve të luftës dhe ka ndihmuar mjaft çështjen e Kosovës, tha se unë kam njohur nga afër gra e vajza të dhunuara. Me nismën e presidentes së Kosovë, Atifete Jahjaga, është krijuar një fondacion i veçantë për këto gra e vajza.
Ashtu si në veprimtari të tjera të shqiptarëve të Bostonit, edhe këtë herë shqiptaro- amerikania Shpresa Theodhosi, foli plot pasion për padrejtësitë që i janë bërë popullit të Kosovës nga makina ushtarake sërbe. Amerika dhe Bashkimi Europian e ndihmuan Kosovën për të fituar lirinë, por Kosova ka mjaft probleme. Për zgjidhjen e tyre, nuk duhet pritur çdo gjë nga të huajt. Vetë shqiptarët duhet ta ngrenë zërin e tyre dhe të bëhen ata promotorë të zgjidhjes së problemeve që kanë.
Një fjalë të veçantë në mbarim të filmit , mbajti e reja , Shengjyl Osmani, e lindur dhe rritur në Manastir. (Ajo ka mbaruar studimet në Universitetin Amerikan të Kosovës dhe ka jetuar gjashtë vjet në Kosovë. Nga këto tre vjet ka punuar si gazetare tek rjeti ballkanik për gazetari hulumtuese. Tani është në përfundim të Masterit në zgjidhjen e konflikteve, në një universitet të Bostonit.) Në fjalën e saj, Shegylja tha për pjesëmarrësit, ato që si të thuash nuk i tha filmi.- Ka 16 vjet që ka mbaruar lufta në Kosovë, por çështja e dhunimit të grave e vajzave ka filluar të përmendët në shoqëri, këto dy vitet e fundit. Kosova ka formuar institucion për mbrojtjen e këtyre viktimave, i quajtur Këshilli Kombëtar për për të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, institucion i formuar nga presidentja Atifete Jahjaga. Edhe shoqëria civile ka themeluar Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës e po përpiqen t’ua lehtësojnë jetën këtyre grave e vajzave. Siç paraqitet në film, kjo dhunë e përjetuar gjatë luftës për gratë e Kosovës, ka vazhduar në një formë tjetër edhe pas luftës. Ngurimi dhe frika nga mos përkrahja e paragjykimi nga familja, i ka detyruar këto gra e vajza të mbyllen në vetvete e të mos flasin për këtë krim të ushtruar ndaj tyre nga trupat e armatës sërbe. Është e rëndësishme që përkrahja të fillojë së pari tek familjet e viktimave , te komuniteti ku jetojnë e më pas te shoqëria e gjerë. Shpresoj të mos duhen edhe 10 -15 vjet të tjerë për të treguar progres e përkrahje për këto viktima dhe familjet e tyre, ka përfunduar fjalën e saj, shqiptarja nga Maqedonia,Shengjyl Osmani, njohëse e mirë e situatës në Kosovë, si të ishte një bijë Kosove. Dhe pjesëmarrësit e “shpërblyen”, duke i dhuruar duartrokitjet e tyre.

Filed Under: Komunitet Tagged With: FESTIVALI-NJË FILM NGA KOSOVA, Fuat Memeli, ne Boston, SHFAQET NË FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR

RUSIA NJË DASHAKEQE E PËRHERËSHME E KOMBIT SHQIPTAR

May 1, 2015 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/Zevendes KRYETAR I VATRES/
Më 9 maj 2015 është 70 vjetori i përfundimit të Luftës Dytë Botërore (LDB). Kjo ngjarëje dhe një deklaratë e para disa ditëve e Rusisë (nëpërmjet Ministrisë saj të Jashtëme) me titull” Retorika për Shqipërinë e Madhe nuk kontribuon në ruajtjen e klimës së stabilitetit dhe të mardhënieve të mira fqinjësore në Ballkan”, më dhanë shtysën për të bërë disa refleksione historike dhe aktuale që lidhën me Rusinë dhe qëndrimin e saj ndaj Kombit Shqipëtarë.
Së pari, pak histori.
LDB pa dyshim ishte një nga ngjarjet më të rënda (në mos më e rënda) e historisë njerëzore. Bisha ushtarake nazi-fashiste me zjarr e hekur fillimisht sulmoi vendet fqinje, në krye të të cilave ishte vendi ynë ,Shqipëria.Ajo që më 7 prill 1939 e kundërshtoi me armë pushtimin për dy javë, megjithëse ishte në një raportë forcash të disfavorshëm gati dyzet me një.Por edhe pas pushtimit tërësor, italianët ishin nën zjarrin dhe pritat e shqipëtarëve duke e ndier vehten si në një fushë të minuar.E njëjta gjë ndodhi edhe me pushtimin gjerman. Parë në tërësi në këtë periudhë nazi-fashistët pasi pushtuan fqinjët e tyre, e zgjeruan pushtimin me gati gjithë shtetet e Evropës duke u shkaktuar atyre dhjetra miliona të vrarë, qindra miliona të plagosur, qytete,fshatra,rrugë , pasuri e objekte të shkatërruara tërësisht.Populli hebre e pagoi më shtrejt se gjithë popujt e tjerë duke u rrezikuar deri në kufijt e cfarosjes së plotë. Hitleri e Musolini këto pushtime dhe këto masakëra, nuk i bënë pa dijëninë e Stalinit, madje kjo situatë është e lidhur me një traktat të fshehtë midis Hitlerit dhe Stalinit që formësonte ndarjën e zonave të influencës dhe sigurisë ndërkombëtare reciproke.Pra Stalini pati dhënë OK-ein për pushtimin fashist të Shipërisë, duke qënë në të njëjtën vazhdë me politikën e vjetër ruse kundër popullit shqipëtar që fillon të shënjohet që me Kongresin e Berlinit të 1878-tës për coptimin e tokave shqiptare dhe dhënien shpërblim të tyre fqinjëve sllav (Sërbi e Mali i Zi).
Marrveshja e fshehtë Hitler- Stalin, u prish vetëm më 22 qershor 1941 kur Hitleri sulmoi ushtarakisht Bashkimin Sovjetik (BS).Prej ketij moment e gjithë bota filloi të mendojë se si ti kundërvihej bllokut nazi-fashist (Gjermani,Itali dhe Japoni).Edhe SHBA-ja filloi të ndihmojë BS me armatim,aeroplanë, paisje e material ushtarak nëpërmjet koridorit Alaskë- Vladivostok.Kjo ndihmë është konsideruar në të gjitha kohërat normale, sepse akoma SHBA –ja nuk kishte hyrë në luftë, dhe se ishte e domosdoshme që të bashkoheshin forcat , mjetet dhe energjitë e të gjitha vendeve paqëdashëse të botës në luftën kundër nazi-fashistëve, në një kohë që popujt evropianë po luftonin me armë në dorë kundër tyre.Kur Japonia sulmoi pabësisht SHBA-në në Pearl Harbour, forcat gjermane kishin arritur në dyert e Moskës. Atëherë SHBA vendosi të hyjë në luftë dhe me operacionin e desantimit në Padegale (së bashku me Anglinë dhe Francën) hapi frontin perëndimor që coji në clirimin e Europës perëndimore. Kurse fronti lindor me në krye BS dhe gjithë vendet e tjera lindore mori fuqi dhe coji në clirimin e tyre sa që më 9 Maj 1945 u shpall zyrtarisht kapitullimi i nazi-fashistëve.Në raportë me popullatën, sipërfaqen dhe shkallën e angazhimit në luftime edhe populli shqipëtarë dha kontributet e veta duke u rreshtuar në krahun e vendeve fituese të LDB-së.
Por, brënda kësaj fitoreje të LDB-së,ka edhe disa keqbërje të tjëra ruse kundër shqipëtarëve.Ata fillojnë me infiltërimin e agjenturës sovjetike e cila kishte hapsire të madhe veprimi në Jugosllavi, dhe që nëpërmjet saj zbriti në trojet shqipëtare me idenë e krijimit të grupeve komuniste dhe strukturave ushtarake për interes t ë saj, sic janë krijimi i Partise Komuniste Shqipëtare(PKSH), dhe i formacioneve partizane të udhëhequra nga jugosllavët . Këto formacione politico-ushtarake vërtetë e rreshtuan vendin tonë me fitimtarët, por në të njëjtën kohë e këthyen Shqipërinë në një shesh beteje të luftës civile e vllavrasëse. Por e keqja më e madhe shqipëtarëve ju bë me marrvëshjen e Jaltës ku Stalini forcërisht insistoi përpara Presidentit amerikan Rusvelti dhe Kryeministrit Britanik Curcill ,që Shqipëria të ishte në anën lindore madje mundësisht nën Jugusllavi.Pra , pa marrë para syshë origjinën ,identitetin,zakonet, traditat, mentalitetin, kontributin në luftë dhe të drejtën e zgjedhjes, dhunëshëm e radhiti Shqipërinë nën ombrellën sovjetike.
Pas LDB-së, lufta e ftohtë.
Pas prishjes me jugosllavët, Shqipëria në cdo segment të jetës u “pushtu” nga sovjetikët.Ata nëpërmjet këshillëtarëve të tyre të vendosur pranë cdo posti ushtarak e civil për dymbëdhjetë vite drejtuan shtetin shqipëtar në funksion të interesave të tyre sikur kjo të ishte një republikë shtesë e BS-së . Kjo ka lënë gjurmë të rënda në mënyrën e politikë bërjes , drejtimin e shtetit, diplomaci ,punën e shërbimeve inteligjente, ushtri , metodën e punës në drejtim e vendim marrje deri në ditët e sotme ne Shqipëri . Nisur nga interesat sovjetike, ata e futën Shqipërinë nën suazat e Traktatit të Varshavës(TV) dhe krijuan bazën ushtarako-detare të Vlorës si një avanpost kundër Natos e vendeve perendimore dhe si pikë mbështetëse për flotën ushtarakë sovjetike të mesdheut. Kjo lëvizje ushtarake e bënte Shqipërinë pikë nevralgjike midis perëndimit e lindjes dhe që dukshëm Vlora ndiellte zjarr mbi vehte për interesat sovjetike (ose thënë thjeshtë –ruse). Diktatori Enver Hoxha ka bërë nga krimet më të shëmtuara kundër popullit të vet,dhe historia është e obliguar ti vërë ato në dukje. Por në vitin 1961 kur i largoi ushtarakët rusë nga Vlora dhe specialistët e këshilltarët nga Shipëria, ( kuptohet për të ruajtur karrigën e sundimtarit dhe për të shlyer gabimin e rëndë që kishtë bërë), i ka bërë në të njëjtën kohë edhe një të mirë Shqipërisë dhe vendeve perendimore, mëgjithëse në Shqipëri fara e spiunazhit rus ishte mbjellë gjithandej.
Në 1968-ën rusët pushtun ushtarakisht Pragën(Cekosllavakinë) aleatin e tyre ne TV, dhe nën teorinë e sovranitetit të kufizuar dhanë shenja se këtë veprim mund ta bënin edhe kundër të tjerëve të pa bindur.Marrë shkas nga ky veprim( dhe nga frika), diktatura komuniste në Shqipëria juridikisht shpalli daljen nga ky traktat duke i bërë edhe një shërbim tjetër të mirë vehtes dhe perendimit . Këtë veprim të dytë diktarori Hoxha e bëri sepse kishte dijeni se në rast se sovjetikët do të ndërhynin në Hungari sic bënë me Cekosllavakinë, Nato –ja, kishte në plan pushtimin e Austrisë dhe Shqipërisë në të njëjtën kohë. Në se një situatë e tillë do të ndodhte, atëherë karriga e tij ishte përfundimisht e rrëzuar.Duke parë këtë realitet ,diktatiori Hoxha luajti me dy porta me hafijet ruse në Shqipëri . Ai me vetëdije nuk i shkuli të gjitha njëherëshi,kjo sa për pa mundësi dhe sa për interesa të tjera që atij i lypseshin për veprime të mëtutjeshme me të ashtu quajturat grupe armiqësore.Një gjë e tillë del në pah me të ashtu quajturin” plani ushtarak për pushtimin e Kosovës” ku theksohen kontaktet dhe veprimet e përbashkëta me komandantin e Traktatit Varshavës. Pra nga njëra anë kishin dalë nga TV, nga ana tjetër bënte lojën e maces dhe të miut me marshallin sovjetik. Sipas këtij plani (të bërë publik nga ish Shefi Shtabit Përgjithshëm të Ushtisë shqipëtarëe,Veli Llakaj), marshalli sovjetik ( njëkohësisht komandanti i TV), pranonte të bënte presion ushtarak në kufijtë lindorë të Jugosllavisë për ti mundësuar Shipërisë pushtimin e Kosovës, por me kusht që më parë Shqipëria të pranonte rikëthimin në TV.Kushti nuk u pranu nga diktatori Hoxha se rrezikonte karrigen e tij dhe planet mbetën vetëm ide ose e thënë më shkoqur ëndërra në diell.
Periudha e pas LDB-së në ish BS ishte euforike në cdo drejtim .Vërtetë ky vend mbajti peshën më kryesorë të luftës, por paslufta ishte periudhë dehjeje,dalldisje vetëmburrje pa kufi , lum vetlëvdatash heronjsh,gjeneralësh,marshallësh e dekoratash. Kjo bëri që fundi i viteve 80-të ta shihte BS-në në rrukullime e shkërmoqje. Kjo situatë i konvenonte perëndimit e mbi të gjithë SHBA-së. Ata filluan të duartrokasin dhe ta quajnë fitorën e dytë të madhe edhe fitimin e betejes së ‘luftës së ftohtë”.Por , sot mund të themi se aso kohe ata u shpejtuan dhe harruan se i plagosuri i shëruar është më i rrëzikshëm se para plagosjes.Kështu është Rusia e sotme,një i plagosur i luftës së ftohtë i shëruar nga plaga.
Në periudhën e “luftës së ftohtë” ish BS ,kishte investuar strategji politikë dhe ushtarake kundër perëndimore në shumë vende të botës, por mbi të gjitha në kufirin e ndarjes midis dy blloqeve ushtarake Nato e TV dhe fqinjëve në këto blloqe. Ky investim ishte real politik me qeveri pro ruse dhe në të njëjtën kohë ushtarak duke ju shitur këtyre vendeve teknikë teknologji ushtarake të gjeneratave të fundit. Edhe kjo duket si relikë e “luftës së ftohtë’,por që në të vërtetë ishte një minë në themelet e demokracisë perëndimore të dekadës dytë të shekullit 21 vecanërisht me të ashtu quajturën “pranvera arabe”.Asnjë strategjist dhe analist i gjeo-politikës botërore nuk e pa dhe nuk e përfytyroi se cdo të ndodhte me Rusinë pas një cerek shekulli, pra në ditët e sotme. Nuk u vlerësuan shërbimet e saj sekrete dhe investimet që ishin bërë në veriun e Afrikës ,në Lindjen e Mesme,në ish republikat sovjetike, në Kaukaz, Krime, Ballkan etj.Pagesa e kesaj mos vëmendjeje janë shumica e dështimeve perëndimore të ditëve te sotme, në fushbetejën politike dhe ushtarake ku pengesa më madhore është veprimtaria kundër vënëse e Rusisë.
Shërbimet inteligjente, politika dhe mafia
Unë nuk jam ekspert i fushës së shërbimeve inteligjente, por me aq sa lexoj në shtypin e hapur dhe sa më mundëson eksperienca ime personale, shoh një aktivizim maksimal të shërbimeve sekrete ruse në disa rajone të botës e vecanërisht në Ballkan. Ata kanë filluar të aktivizohen në fushata zgjedhore për të sjellë në politikë grupe e individe që u shërbejnë interesave të tyre dhe realisht kanë arritur disa suksese .Investimi bëhet po ashtu aty ku janë projektuar zhvillime ekonomike ruse të fuqishme dhe afatgjata ose ku ka interesa gjo-strategjike.Në ato vende që nuk ecet nëpërmjet fushatave zgjedhore, investimi bëhet në vende të larta të administratës shtetërore,banka,korporata e shërbimet inteligjente të vendeve të tjera.Parapëlqehen vende ose rajone me stabilitet jo të qëndrueshëm për të hapur vatra të reja zjarri me qëllim shitjen e armëve ose për t’ju kundërvëne politikave europiano-perëndimore dhe vecanërisht atyre amerikane. Këto shërbime shihet të lëvizin vitet e fundit në veriun e Afrikës si Algjeri, Marok, Libi, Egjipt,Palestinë, Siri, si dhe në vende të tjera si Irak,Jemen, në vendet e Kaukazit, Ukrahinë e deri tek vendet balltike. Por kohët e fundit ato janë fokusuar me veprimtari intensive në Ballkan e vecanërisht rreth (e në )trojet shqipëtare.
Qysh nga shpërbërja e Jugosllavisë e vecanërisht me fillimin e luftës në Kosovë, ka një prani të dukshme të shërbimeve inteligjente ruse në Serbi. Ato jo vetëm kanë gjithë hapsirën e nevojshme për të vepruar, por kanë edhe një status të vecantë besueshmërije dhe bashkë veprimi me strukturat serbe të kësaj fushe.Pengesat për të formuluar arsyet e për të mos lejuar njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të Kosovës, fillimisht lauborohen nga këto skifterë që enden nëpër Serbi dhe pastaj cohen si parafabrikat në Moskë.Veprimet subversive në Mitrovicë, politikat bllokuese, ngacmimet , grindjet, krijimi i grupeve të armatosura, kontrabanda e mallrave, ndiellja e shqiptarëve të Kosovës për emigracion në Europë dhe ISIS kanë më parë pëlqimin e skifterëve rus në Serbi dhe pastaj të atyre serbe. Këto grupe kontrollojnë nga larg fijet kryesore të mafisas vendase duke marrë shpërblimin e nevojshëm për këto punë të pista, por edhe duke mbjelle panik e destabilitet.E keqja është se pjesë e kësaj tablloje të zezë janë edhe disa politikanë e qeveritarë kosovare të përfshira në afera korrupive.
Degë të këtyre strukturave të errta ruse kanë zbritur edhe në Mal të Zi, duke u marrë më pisllëqet e përmendura më sipër, duke korruptuar politikanë vendas, por mbi të gjitha duke vënë në shenjestër plazhet, tokat, pyjet, kullotat dhe kojrite shqipëtare.Mafia ruse kërkon të bëhet zotëruese me cdo kusht e pasurisë së shqiptarëvë atje, sepse shumica janë shpërngulur e kanë shkuar në emigracion ose nuk janë në gjendje të paguajnë taksat. Por edhe malazesëve ju intereson kjo situatë se fitojnë para duke ju shitur rusëve pasuritë e shqiptarëve dhe ndiehen më komod me vllezërit sllav rus se sa me shqipëtarët autokton të atyre trojeve.
Edhe në Maqedoni situata nuk është më e mirë. Të njëjtat segmente, të njëjtat forma, të njëjtat dukuri janë prezente si në Serbi , Kosovë e Mal të Zi, vecse dallimi është më i dukshën në kompromentimin e klasës politike dhe në vënien e saj në dispozicion të grupeve të caktuara të informacioneve secrete .Po ashtu dallim është edhe brishtësia e theksuar e marrdhënieve ndër etnike më tendencë shtyrjen dhe nxjerrjen e familjeve shqipëtare jashtë zonave ku shqiptarët janë pakicë.Lojë me pakicat turko folëse të cilat shumica janë autoktonë shipëtarë, dhe me komunitetin ortodokës shqipëtar vecanërisht të Rekës së Epërme të cilët nuk lejohen të identifikohen si shqipëtar vetëm se i përkasin fesë ortodokse.
Ardhja në pushtet e të majtës greke, qëndrimet e saj dashamirëse e specifike me Kremlinin, insinuatat për të marrë kredi, mundësitë për të patur lëshime në cmimet e mallrave ruse etj, nuk janë të rastësishme. Ka më shumë së dy dekada që skifterët rus vijnë vërdallë Egjeut, bëjnë planë e programe,nxisin antiamerikanizmin dhe antieuropianizmin.
Në Shqipëri duket se ka një shkujdesje të madhe ndaj veprimtarisë subversive ruse. Sjelljet e politikanëve shqiptarë shpesh i ngjanë pompozitetit e deklaratave butaforike e megallomane të Enver Hoxhës.Në parlament e në administratë erdhën me shumicë të inkriminuar të mbështetur nga grupe të inkriminuara vendase dhe te huaja. A jeni të sigurtë ju drejtues të politikës shqipëtare se prapa grupeve e segmenteve të inkriminuara shqipëtare nuk qëndrojnë ato të huaja: serbe, greke,maqedonase , malazeze, turke, arabe e mbi të gjtha ato ruse? Në së mendoni se kjo nuk është e vërtetë, përpiquni të gjeni lidhjet fundore të dy fenomenëve: atij të emigrimit për llogari të ISIS dhe të emigracionit për në Gjermani. Pyesni veten :pse shqipëtarët emigrojnë në rrugën: Kosovë-Serbi-Hungari…Gjermani ?
Dhe së fundi.
Pushtimi i Krimesë nga Rusia dhe hapja , nxitja e mbështetja prej saj e luftës vëllavrasëse në Ukrahinë me qëllim shkatërrimin e saj si shtet, e kanë vënë në pozita të vështira Putinin e Kremlinin. Gjithë bota i pa dhe i përcolli veprimet e skifterërve rus para dhe gjatë këtyre evendimenteve. Për të shpëtuar nga kjo situatë Putini po kërkon që ngarkesën negative të Krimesë dhe Ukrahinës të mund ta trasfërojë diku larg vetes.Më e mira gjë do të ishte Ballkani e vecanërisht trojet shipëtare që s’kanë asnjë lidhje me Rusinë e sllavët dhe me këtë rast u vinte në ndihmë vllezërve sllavë në Ballkan dhe ju jepte një grusht amerikanëve dhe europiano-perëndimorëve. Pra me një gur të vrasë jo dy por tre zoq.
Ky është mendimi im vllezër të një gjaku. Në gjykimin tim kjo situatë e krijuar me shumë kujdes , nuk është alarm falls, por një bombë me sahat që pret kohën për shpërthim. Shpresoj që unë të jeme gabim, nga i cili nuk pëson kurkush asgjë. Por nëse kam të drejtë, shqetësohuni për deklaratën ruse që thotë:”…përsëritja e retorikës panshqipëtare nuk ka gjasa të kontrbuojë në ruajtjën e klimës së stabilitetit dhe fqinjesisë së mirë në rajonin e Ballkanit, që është jetik për Rusinë..”

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati, dashakeqse, Kombi Shqiptar, Rusi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 65
  • 66
  • 67

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT