Hakerët kinezë dyshohet se kanë kryer një sulm të madh kibernetik, duke prekur të dhënat e miliona punonjësve të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Zyra për Menaxhimin e Personelit ka thënë se gati katër milionë të punësuar aktualë dhe të mëparshëm janë prekur.
Zyrtarët po ashtu kanë paralajmëruar se sulmi mund të ndikojë në çdo agjenci federale.
Susan Collin, anëtare e Komitetit të Senatit për Inteligjencë, ka thënë se sulmi dyshohet se ka origjinën në Kinë.
Ambasada e Kinës në Uashington ka kërkuar që të “mos kërcëhet në konstatime”.
Zëdhënësi i ambasadës, Zhu Haiquan, i ka thënë agjencisë Reuters se akuzat janë “të papërgjegjshme dhe kundërproduktive”.
Zyra për Menaxhimin e Personelit ka thënë se ka zbuluar sulmin në muajin prill, para se të bënte “përpjekjet agresive” për të zbatuar kontrolle më të rrepta. Sipas saj, FBI dhe Deparatamenti për Siguri Kombëtare janë duke hetuar rastin, për të përcaktuar shkallën e plotë të dëmit.
FBI ka thënë se i merr shumë seriozisht të gjitha kërcënimet për sektorin kibernetik publik dhe privat dhe se do të mbajë përgjegjës ata që bëjnë kërcënime të tilla.
Kongresisti Adam Schiff ka kërkuar që bazat e të dhënave në internet të përmirësohen.
“Kërcënimet kibernetike nga hakerët, kriminelët, terroristët dhe aktorët shtetërorë janë sfida më e madhe me të cilën përballemi në baza ditore. Andaj, është e qartë se një përmirësim i konsiderueshëm në bazat tona të të dhënave, është rrezikshmërisht i vonuar”, ka thënë Schiff.
Zyra për Menaxhimin e Personelit shërben si departament i burimeve njerëzore për qeverinë federale. Ajo harton të dhënat e të gjithë punëtorëve federalë.
Informacionet që ruhen në bazën e saj përfshijnë funksionet e punonjësve, performancat dhe trajnimet e tyre.
Sulmi kibernetik në Zyrën për Menaxhimin e Personelit mund të jetë më i madhi, por kjo nuk është hera e parë që hakerët sulmojnë sistemet kompjuterike të qeverisë federale.
Kompjuterë të paklasifikuar të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit janë sulmuar, ashtu si edhe llogaritë në Twitter dhe YouTube të komandës ushtarake qendrore të SHBA-së.
Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme, i cili është përgjegjës për mbledhjen e taksave, ka thënë muajin e kaluar se hakerët kanë vjedhur informacionet e mbi 100,000 taksapaguesve amerikanë.
Hakerët kanë sulmuar edhe gjigantët komercialë, si Sony Pictures dhe eBay.
Për disa nga sulmet janë fajësuar Koreja e Veriut, Rusia dhe Kina. Ekspertët thonë se Kina është e etur për të futur duart e saj në sekretet industriale dhe tregtare të SHBA-së. Kina i mohon akuzat dhe thotë se ka qenë vetë shënjestër e sulmeve kibernetike të SHBA-së.
Archives for June 2015
Milionerë nga politika
Nga Nadie Ahmeti/
Profesioni më fitimprurës në Kosovë vlerësohet të jetë politika, thonë përfaqësues të shoqërisë civile, sipas të cilëve pasuri më të madhe krijon në ndonjë post publik në sektorin shtetëror se sa më ndonjë biznes privat.
Sipas tyre, edhe pse Republika e Kosovës konsiderohet vendi më i varfër në rajon, me shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë, megjithatë në vend ka qytetarë milionerë apo vlerësohen qytetarë të pasur, kryesisht nga politika.
Nga deklarimi i pasurisë që kanë bërë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, vërehet se zyrtarë të institucioneve, disa nga të cilët janë pjesë e legjislativit, kanë pasuri të paluajtshme, pasuri të trashëguar nga familja, para të gatshme dhe vetura luksoze.
Ndërkaq, pagat për ta sillen rreth 17 mijë euro vjetore.
Artan Demahasaj, përfaqësues ligjor në Organizatën Joqeveritare “Çohu“, shpreh shqetësimin se pasuria e tyre nuk korrespondon me pagat e tyre që marrin, madje pasuria rritet nga viti në vit.
“Pasuria që këta e kanë nuk është krijuar nga paga që ata e marrin sepse të gjithë zyrtarët e lartë më i mbledhë pagat bashkë, nuk mund të krijojnë pasuri milionëshe”.
Pagat janë të ulëta dhe nuk korrespondon pasuria që këta e kanë me pagën që marrin. Kjo të krijon hapësirë për dyshime se pasuria e deklaruar, të jetë fituar në mënyrë të paligjshme”, thekson Demhasaj.
Të hyrat nga sektori publik kurrsesi nuk e arsyetojnë pasurinë milionëshe të shumicës se politikanëve në Kosovë, thotë edhe Agron Demi, kryeshef ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara GAP.
Demi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se “nga të qenurit pjesë e politikës në Kosovë, përfitimet janë të shumta, sepse shpenzimet për vete dhe familjen janë në minimum pasi shfrytëzohen resurset shtetërore”.
Përfitim tjetër nga të qenurit në politikë, Demi përmend edhe punësimin e bashkëshortëve në sektorin privat.
“Të hyrat e sektorit publik nuk e arsyetojnë asesi pasurinë milionëshe të shumicës së politikanëve që janë në poste publike më shumë se një dekadë. Ata kanë krijuar pasuri milionëshe dhe nëse shikohen të hyrat vjetore apo përfitimet vjetore nga postet publike del se ato janë shumë më të mëdha se sa bizneset mesatare në Kosovë. Ky është problemi, sepse në Kosovë është bërë shumë më profitabile të kesh një post publik se sa një biznes privat”, tha Demi
Në anën tjetër Artan Demhasaj, nga Lëvizja “Çohu” thotë se në Kosovë mungon baza ligjore që sanksionon pasurinë e paligjshme. Një ligj i tillë, thotë ai, vështirë se do miratohet në Kosovë, pasi pasuria e tyre mund të përfundojë me konfiskim.
“Mungon baza ligjore që sanksionojnë pasurinë e paligjshme në mënyrë që autoritet e drejtësisë të kenë mundësi që të hetojnë pasurinë e tyre. Nëse nuk janë në gjendje të argumentojnë që pasurinë e tyre e bëjnë në mënyrë të ligjshme, shteti më pas ka të drejtë ta konfiskojë”.
“Normal se këto ligje nuk do të bëhen asnjëherë sepse bëhet fjalë për ata zyrtarë të cilët i bëjnë ligjet. Kështu nuk presim se do të bëjnë ligje që të hetohet pasuria e tyre dhe mund të përfundojë me konfiskim të pasurisë“, tha Demhasaj.
Sidoqoftë, zyrtarë qeveritarë tashmë sa herë kanë deklaruar se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që me reformat e nisura të rrisin edhe më shumë transparencën dhe kredibilitetin e sistemit për menaxhim me paratë publike.
ARRESTIME PER KORRUPSION
*Skandali i barnave, arrestohen Drejtori me dy zyrtarë të FSDKSH dhe 5 drejtues farmacish/
*Akuzohet për korrupsion, arrestohet gjyqtari i Sarandës, Rasim Doda/
Vetëm një ditë pas firmosjes së firmosjes së 10 urdhër-arresteve nga Prokuroria e Tiranës, policia ka ekzekutuar në orët e vona të mbrëmjes së enjtes (4 qershor 2015) 7 arrestimet e para lidhur me skandalin e rimbursimit të barnave, ndersa paraditen e sotme ka ndaluar Drejtorin e FSDKSH-së.
Në pranga kanë rënë Drejtori Rajonal i Fondit te Detyrueshem te Kujdesit Shendetesor Tirane, Pjerin Xhuvani sebashku me dy zyrtare te tjere te kesaj Drejtorie dhe 5 drejtues farmacish.
Hetimet po vijojnë edhe për persona të tjerë që mendohet se janë përfshirë. Pritet të ekzekutohen në vijim edhe dy ndalime të tjera.
Ndërkohë do të jetë gjykata që do të vendosë nëse këta persona nëse do të mbahen në arrest, apo do të ndalohen si persona që kanë informacion lidhur me skandalin.
Hetimet lidhur me skandalin e barnave nisën dy javë më parë nga njësia Task-forcë në prokurorinë e Tiranës.
Është një skandal në të cilin përfshihen 47 farmaci. Në cilësinë e provës materiale, Prokurorërët kanë sekuestruar të gjithë informacionin. Por bëhet fjalë edhe për 600 receta ilaçesh që kapin vlerën e 56 milion lekëve të reja.
Dy ditë më parë Prokurorët hetimorë kanë sekuestruar katër zyra të institucioneve shëndetësore, duke dërguar për aktekspertim disa komjutera ku mbahen të dhëna të nevojshme për hetim.
Bëhet fjalë për listën e barnave të rimbursueshme dhe shumë fiktive të paguar nga Fondi Shëndetësor i rimbursimit.
Të ndaluarit
1. Pjerin Xhuvani, Drejtori Rajonal i Fondit te Detyrueshem te Kujdesit Shendetesor Tirane
2.E. Mara, Juriste pranë Drejtorisë Rajonale të Fondit
3.K. Mahmutaj, Punonjëse pranë Drejtoria Rajonale e Fondit
4.H. Roci. Administrator i Farmacisë, Lundër
5.M. Tufi, Drejtuese teknike e farmacisë Lundër
6.N. Thanasi, Drejtues Teknik i farmacisë “Nutrimed”
7.A. Spahiu, Drejtues Teknik i farmacisë Bërzhitë
8.A. Manaj, Drejtuese Teknike e farmacisë “Adelina”.
Hetimet mbi skemën e mashtrimit me rimbursimin e barnave
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin për këtë rast për veprat penale të “Mashtrimi me subvencione”, “Fallsifikimit të dokumentave shëndetësorë”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, dhe “Shpërdorimit të detyrës” në datë 22.05.2015, bazuar në informacionin e ardhur nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se disa punonjës të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, në kundërshtim me ligjin, u kanë dhënë disa farmacive të drejtën e përfitimit nga rimbursimi i medikamenteve.
Sipas organist të auzës, “Nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se gjatë periudhës shtator 2014 – mars 2015, këto farmaci kanë përfituar në mënyrë të kundraligjshme një shumë totale rimbursimi nga shteti në vlerën 55.941.901 lekë. Nga hetimi i Prokurorisë Tiranë rezulton se barnat, çmimet e të cilave janë rimbursuar, kanë qenë kryesisht për kurimin e sëmundjeve tumorale”.
Ndërkohë nga Prokuroria janë kryer veprime hetimore mbi recetat mjekësore, të cilat kanë shërbyer për farmacitë që të japin klientëve medikamente të rimbursueshme. Nga këto veprime rezulton se mjekët, recetat e të cilëve kanë qenë objekt verifikimi, janë të fallsifikuara.
“Në vijim të hetimit, ka rezultuar se punonjësit e Drejtorisë Rajonale të (FSDKSH) Tiranë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, me dashje, në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës, kanë mundësuar që farmacitë të përfitojnë padrejtësisht. Këta punonjës kanë mundësuar lidhjen e kontratave me këto farmaci, në kushtet kur farmacitë nuk kanë përmbushur kriteret e kërkuara nga ligji dhe aktet nënligjore në fuqi”.
Pas vendimit të KLD, Akuzohet për korrupsion, arrestohet gjyqtari i Sarandës, Rasim Doda/
Më urdhër ndalimi të Prokurorisë së Krimevë të Rënda dhe pas autorizimit të Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ndalohet në Tiranë gjyqtari i Sarandës, Rasim Doda.
Në një mbledhje emergjente, KLD votoi pro kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke i hapur rrugë arrestimit të gjyqtarit, i cili akuzohet për korrupsion.
Hetimet e prokurorisë, Doda mori ryshfet
Nga hetimi i deritanishëm i Prokurorisë për Krime të Rënda, i cili është regjistruar në dt.21.04.2015, janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Rasim Doda, në një çështje civile, ka kontaktuar me njërën prej palëve një ditë para dhënies së një vendimi civil që po e gjykonte ai dhe, në këmbim të vendimit në favor të kësaj pale, dyshohet se i ka kërkuar një shumë të konsiderueshme parash.
“Madje, për ta bërë më të besueshëm faktin se vendimi do të ishte në favor të kësaj pale, gjyqtari, një ditë para seancës përfundimtare, i ka vënë në dispozicion palës dispozitivin e vendimit, i cili do të ishte në favor të tij.
Pala e kontaktuar nga gjyqtari ka kuptuar shumën që kërkonte gjyqtari për dhënien e këtij vendimi dhe i ka deklaruar se nuk mund të paguante shumën që i kërkohej. Pas këtij diskutimi, gjyqtari dhe personi që përfaqësonte njërën palë janë ndarë, pasi diskutimi ishte bërë gjatë një takimi rastësor në mbrëmjen e së dielës, datë 19.04.2015.
Të nesërmen, ditën e vendimit, pra të hënën datë 20.05.2015, gjyqtari Rasim Doda ka shpallur vendimin, duke i dhënë të drejtë palës tjetër, pra jo personit të kontaktuar një ditë më parë”.
Për të provuar pretendimet e kallëzuesit, pra personi që nuk kishte pranuar të jepte shumën e kërkuar, Prokuroria për Krime të Rënda urdhëroi ekspertimin e kompjuterit të gjyqtarit Rasim Doda.
Sipas aktit të ekspertimit teknik-kompiuterik është konkluduar se : Në njësinë kompiuterike të sekuestruar gjyqtarit Rasim Doda, nga të dhënat e fshira, u rikuperua një dokument i tipit Microsoft Word, ku pjesa e fundit e tij është identike me dokumentin objekt ekspertimi (fleta format A4 me përmbajtje dispozitivin në favor të kallëzuesit).
Në këto kushte, nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se gjyqtari ka konsumuar elementët e veprës penale « Korrupsioni pasiv i gjyqtarit…. » .
SHOQATA”RUGOVA” NE NJU JORK ORGANIZON PIKNIK ME 14 QERSHOR
PIKNIKU 2015!/
Shoqata Rugova me kënaqësi ju lajmëron se pikniku i këtij viti do të mbahet më datë 14 Qershor, 2015 duke filluar nga ora 9 në mengjes.
Pikniku do të mbahet në FDR State Park New York.
Parkingu numër 4 është i rezervuar për pjesëmarrësit e piknikut tonë.
Ftojmë të gjithë Rugovasit dhe mbarë komunitetin Shqiptar në Amerikē që të bëhet pjesë e këtij pikniku.
Këtë vit do të ketë aktivitete sportive, muzikë, lojra tradicionale Rugovase, dhe surpriza nga tradita Rugovase te përgatitura nga Ansambli.
Nuk do të mungojnë ushqimet tradicionale dhe pije të freskuese.
Ju mirëpresim të gjithëve!
2015 PICNIC!
The Rugova Association would gladly like to inform you that this year’s picnic will be held on June 14, 2015 starting at 9 in the morning.
The picnic will be held at FDR State Park, New York.
Parking lot number 4 is reserved for our picnic participants.
We invite all Rugovas and the entire Albanian-American community to participate in the picnic.
This year, there will be sports, music, traditional Rugovase games, and there will be plenty of surprises prepared by the Rugovase Ensemble.
The annual picnic will also serve traditional food and refreshing drinks.
Welcome all!
“Virgjëri të vjedhura” ne Universitetin e Palermos
Librin e shkrimtares së suksesshme shqiptare Ismete Selmanaj Leba,Verginità Rapite”( Virgjëri të vjedhura) e japin provim studentët e Universitetit të Palermos./
Intervistë nga Liliana Pere me Ismete Selmanaj
Nga Liliana Pere-Presidente e Gruaja Shqiptare në Botë/
Në prill të këtij viti u publikua në Itali libri “Verginità Rapite” ( Virgjëri të vjedhura) nga Ismete Selmanaj Leba me parathënie të përgatitur nga profesor Matteo Mandalà i Universitetit të Palermos. Ky libër u është dhënë për t’u studiuar rreth 200 studentëve të Universitetit të Palermos, mbi gjendjen e gruas shqiptare dje dhe sot. Pikërisht këto ditë studentët po japin provim mbi këtë libër.
Ismetja tani është një shkrimtare e njohur, për të cilën kanë folur shumë media lokale italiane si dhe gazeta prestigjioze “Corriere Della Sera”, që e quan një shkrimtare brilante.
Romani i saj i parë ka qenë “Gjembi dhe trëndafilat”, i publikuar nga shtëpia botuese Dudaj. Ky roman mori pjesë në Panarin e Librit “Tirana 2013”. Më pas, publikohet një libër tjetër në shqip me titull, “Kokat e dy lejlekëve të purpurt” nga e njëjta shtëpi botuese. Të dy librat janë pritur shumë mirë nga publiku në Shqipëri. Te parin e përktheu vetë në italisht dhe pati një interes të madh nga një numër i madh i shtëpive botuese ne Itali për ta publikuar. Libri doli me titullin “Verginità Rapite” nga shtëpia botuese, Bonfirraro Editore, që shpërndan në të gjitha libraritë Mondadori në Itali. Përveç kësaj libri “Kokat e dy lejlekëve të purpurt”, që autorja po e përfundon në italisht dhe shumë shpejt del në tregun italian, është në program për t’u studiuar nga studentët që do të diplomohen në vitin akademik 2015-2016 në Universitetin e Palermos.
Janë bërë disa promovime në Itali, në Capo d’Orlando, Palermo, Milano. Në promovimin në Capo d’Orlando, mori pjesë edhe kryetarja e bashkisë së qytetit ku banon, Bernadette Grasso.
Ne 19 maj 2015, ishte e ftuar edhe për një seminar me studentet e Universitetit të Palermos.
Diçka nga jeta e shkrimtares Ismete Selmanaj
Kam lindur në qytetin bregdetar të Durrësit në vitin 1966. Mbarova studimet në gjimnazin “Naim Frashëri” dhe më pas Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë, ku dhe u diplomova në vitin 1991. Prej vitit 1992 jam transferuar me familjen në Itali ku banoj ne provincën e Messina-s. Letërsia ka qenë pasioni im i hershëm dhe kam shkruar poezi e tregime që kanë fituar edhe çmime në konkurset kombëtare të kohës. Kam shkruar më pak gjatë viteve të Universitetit duke qenë se ishte një degë studimesh që kishte shumë pak lidhje me letërsinë.
Por pasioni mbetet pasion …
Kështu nisa të shkruaj sërish. Në nëntor të vitit 2013 u publikua nga shtëpia botuese “Dudaj” , libri im me titull “Gjembi dhe trëndafilat” që mori pjesë në Panairin e Librit “Tirana 2013”. Një vit më vonë, në nëntor të vitit 2014, publikohet nga e njëjta shtëpi botuese libri “Koka e dy lejlekëve të purpurt” që mori pjesë në Panairin e Librit “Tirana 2014”.
Pyetje: Liliana Pere
Diçka të shkurtër mbi tematikën që trajton libri “Verginità Rapite” dhe “Kokat e dy lejlekëve të purpurt”?
Përgjigje: Ismete Selmanaj
Historia e këtij libri, nis në fund të vitit 1979. Mira, një vajzë 15-vjeçare përdhunohet në mënyrë çnjerëzore nga Sekretari i Partisë së shkollës. Kalon njëkohësisht tmerrin e përdhunimit, përçmimin e opinionit që e quan atë fajtore, dhe ndarjen me forcë nga e vetmja krijesë që solli në jetë. Është vështirë që t’i kuptosh vitet e diktaturës, po të mos i kesh jetuar. Mira u përpoq me të gjitha forcat t’i mbijetojë atij Gjembi të errët, që shqiptarët e përjetuan për pothuajse 50 vite radhazi, duke pritur të shohin dritën në fund të tunelit. Ajo mbolli mirësi tek shumë njerëz, e më në fund e gjeti dashurinë e vërtetë të saj. Iu desh të kalojë shumë dhimbje, por edhe të luftojë për lumturinë e saj. Kur më në fund diktatura ra, Mira vuri re me hidhërim, se ish- komunistët e vjetër ishin “shndërruar” në “demokratë”të flaktë dhe kishin ndërruar vetëm emrin. Pasi kishin pastruar arkivat e shtetit nga materiale komprometuese që i lidhnin në mënyrë direkte me krimet e komunizmit, filluan të ngjisnin gjithnjë e më shumë shkallët e politikës. Shqipëria mbeti në një tranzicion të pafund, si një grua me dhimbje lindjeje prej 25 vjetësh që nuk arrin të lindë e të sjellë në jetë demokracinë.
Ndërsa libri “Kokat e dy lejlekëve të purpurt”, trajton një aspekt tjetër të shoqërisë shqiptare. Atë të pasojave shkatërruese që ka lënë tek dy fëmijë të vegjël gjakmarrja që u zgjua nga gjumi letargjik ku e vuri diktatura komuniste për gjysmë shekulli. Por ky libër trajton edhe “të rejat” e huazuara nga bota perëndimore që për shoqërinë e kulturën shqiptare kanë qenë të panjohura; atë të pedofilisë dhe të abuzimit me të miturit. Kohët e fundit janë të shumta rastet që dëgjojmë për ngjarje të tilla të rënda dhe të panjohura për kulturën dhe shoqërinë shqiptare tradicionale.
Pyetje : Liliana Pere
Ismetja tani punon jo si Inxhiniere por si një shkrimtare e suksesshme, sa e vështirë ka qenë kjo rrugë për Ismeten ?
Përgjigje: Ismete Selmanaj
Fillimi ka qenë shumë i vështirë. Kur erdhëm në Itali së bashku me tim shoq, të dy Inxhinierë Ndërtimi, u ndeshëm me vështirësitë e gjuhës, të ambientimit në një vend që s’e kishim parë ndonjëherë, të të gjendurit vetëm, por edhe pse jo, me indiferentizmin e shoqërisë. Na është dashur të punojmë dhe të djersitim shumë. Por pak nga pak, arritëm ta gjejmë veten në shoqëri dhe të rrisim tre fëmije të mrekullueshëm që janë krenaria jonë; Arbër 22 vjeç, student i mjekësisë në Bologna, Andrea 16 vjeç që sapo mbaroi vitin e dytë të gjimnazit dhe Fabio 9 vjeç që mbaroi klasën e tretë.
Pyetje : Liliana Pere
Si vazhdon komunikimi me Shqipërinë? Sa nostalgjike është Ismetja për vendin e saj Shqipërinë dhe sa mirënjohëse për Italinë qe i krijoji këto mundësi si një shkrimtare e vlerësuar dhe sa është nostalgjike për vendin e saj Shqipërinë?
Përgjigje: Ismete Selmanaj
Nostalgjia është e paimagjinueshme dhe sa herë që kthehem në Shqipëri, ripërtërihem. Është toka ku kam lindur dhe jam rritur. Në Shqipëri kam rrënjët e mia dhe ato janë të domosdoshme e të një rëndësie jetike sepse na mbajnë me këmbë në tokë. Pa rrënjë, na merr era dhe na çon kuturu. Edhe librat e mi trajtojnë tematika sociale të shoqërisë shqiptare. Mund t’i publikoja fillimisht në Itali ku shtëpitë botuese kane politika ekonomike të ndryshme nga ato në Shqipëri. M’u duk e udhës kështu; t’i publikoj fillimisht në Shqipëri. Gjaku s’bëhet ujë.
Sinqerisht, prisja të flitej më shumë në mediat shqiptare ku librat kanë disa vjet që janë publikuar. Është folur më shumë në Itali ku libri ka vetëm disa muaj që ka dalë në treg; dhe kjo është diçka që më hidhëron.
Më pyetët se sa mirënjohëse jam për Italinë.
Italia është vendi im i dytë, kam kaluar këtu gjysmën e jetës sime. Në Sicili, ku banoj, kanë lindur e rritur fëmijët e mi. Sicilia është një tokë e ngrohtë dhe njerëzit i ka të tillë. Edhe në librin “Verginità Rapite” ka një lidhje shumë mallëngjyese me Sicilinë dhe sicilianët. Italia e priti historinë që solla me anë të librit tim jashtëzakonisht mirë dhe jam e mbytur nga mesazhet që arrijnë nga persona nga çdo cep i Italisë.
Pyetje : Liliana Pere
Si ndihet Ismetja si nënë e tre djemve ?
Përgjigje: Ismete Selmanaj
Si nënë, jam shumë e lumtur dhe krenare. Djali i madh është një student model në Bologna. Edhe dy të tjerët janë në gjurmët e të madhit. Janë mbi të gjitha shqiptarë dhe flasin gjuhën shqipe shumë mirë.
Pyetje : Liliana Pere
Rruga juaj e suksesit si shkrimtare, a ka qenë e vështirë në një vend të huaj si Italia?
Përgjigje: Ismete Selmanaj
Mund të duket si paradoks, por më të vështirë e pata në fillim kur sapo mbërrita, se sa kur i hyra rrugës së publikimeve në Itali.
Nuk njihja asnjë, kisha vetëm një libër në duar dhe me mijëra e mijëra adresa e-mail- i të shtëpive botuese në Itali. Fillova t’u shkruaj duke bërë një prezantim të shkurtër, një përmbledhje të librit dhe në se do t’u dukej me interes do të me kërkonin tekstin e plotë. Më kërkuan tekstin e plotë të gjitha shtëpitë botuese që u kisha shkruar! Mbeta e habitur, nuk arrija ta besoja por edhe u lumturova. Zgjodha Bonfirraro Editore sepse e kisha vendosur që librin ta publikoja me një shtëpi botuese siciliane. Dhe kjo shtëpi botuese është nder më të mirat dhe të gjithë librat që publikon, shpërndahen në të gjitha libraritë Mondadori.
Jam krenare që kam shkruar tema të shoqërisë shqiptare dhe jam përpjekur t’u tregoj , si të rinjve të sotshëm në Shqipëri por edhe publikut italian, si ishte të rroje në vitet e diktaturës dhe mbi të gjitha të ishe grua në ato vite. Nuk e di sa e kam përmbushur këtë objektiv timin, por kur një nga studentët e Universitetit të Palermos më tha që, pasi kishte lexuar librin tim kishte mësuar shumë gjëra për Shqipërinë, por mbi të gjitha kishte kuptuar pse ikën shqiptarët nga vendi i tyre në vitet 90, kjo për mua ishte krenaria dhe fitorja më e madhe.
Pyetje: Liliana Pere
Si e shikoni pozicionin e gruas në emigracion dhe në Shqipëri?
Përgjigje: Ismete Selmanaj
Mendoj se për çdo njeri që emigron në një vend tjetër, vështirësitë janë të shumta. Jo gjithmonë i jepet pozicioni që meriton dhe duhet të jetë i aftë dhjetëfish më shumë se një vendali. Vështirësitë shtohen kur vjen nga një vend që ka pasur probleme ekonomike e politike. Kjo gjendje të detyron të mbijetosh, para se të fillosh të jetosh në vendin që ke shkuar. Kur je grua, nënë, bashkëshorte, emigrimi peshon shumë dhe shpesh je e kushtëzuar nga impenjimet familjare. E megjithatë shumë gra shqiptare në shumë vende të botës, kanë arritur suksese të jashtëzakonshme. Kanë treguar që kanë talent, inteligjencë, forcë, zemër, pasion. Dhe kur dëgjoj për gra të tilla, duke qenë edhe unë në emigrim dhe e di sa e vështirë është, më mbushet zemra plot. Dua t’i njoh, t’i përqafoj ,të dëgjoj historitë e tyre…
Ja pse falënderoj pa masë Organizatën e Gruaja Shqiptare në Botë, që na njeh me gra të tilla që janë shembull frymëzimi për shumë të tjera.
Edhe në Shqipëri janë bërë hapa të rëndësishëm përpara. Gruan tashmë e gjen në pozicionet më të larta dhe prestigjiozë. Për pozicionin e gruas ne Shqipëri, folëm edhe me studentët në Palermo. Më pyetën për shumë aspekte të jetës së gruas. U tregova se në Tiranë, ku është stabilizuar një numër shumë i madh banorësh që kanë zbritur nga zonat malore, është normale të gjesh familje ku dominon Kanuni i Lek Dukagjinit me rregullat e ligjet e tij. Çifte që bashkëjetojnë të qetë pa e pasur aspak problem që s’janë të martuar. Gjen vajza që janë bërë nëna dhe i rrisin fëmijët vetëm pa i treguar njeri me gisht si jo të denja për shoqërinë.
Megjithatë, dominon familja tradicionale dhe mentaliteti maskilist që ka shoqëruar në shekuj shoqërinë shqiptare, është i vështirë për t’u përmbysur. Është shumë më e lehtë të ndryshohen ligjet, se sa mentaliteti maskilist i burrave shqiptarë. Në këtë pikë, mendoj se gruas shqiptare, por mbi të gjitha shoqërisë shqiptare, i duhet shumë punë për të bërë.
Pyetje : Liliana Pere
Si e morët informacionin për Organizatën tonë Internacionale Gruaja Shqiptare në Botë që promovon gratë e suksesshme,dhe pse pikërisht mu drejtuat mua ?
Përgjigje: Ismete Selmanaj
Në radhë të parë ju falënderoj për punën që po bëni për promovimin e grave të suksesshme shqiptare në botë. Unë nuk dija asgjë për organizatën tuaj, por fare rastësisht pashë një shkrimin tuaj për Irma Kurtin që është një poeteshë dhe shkrimtare e shkëlqyer që na bën të ndjehemi krenarë. Ju drejtova ju sepse u kam shkruajtur shumë gazetarëve dhe mediave shqiptare, por nuk kanë treguar shumë interes. Janë shkruar dy intervista të mia tek një portal në Shqipëri dhe Kosovë dhe asgjë më tepër.
Ju falënderoj për interesimin dhe punë të mbarë!
Nga Liliana Pere
Presidente e Gruaja Shqiptare në Botë
- « Previous Page
- 1
- …
- 63
- 64
- 65
- 66
- 67
- …
- 79
- Next Page »