• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova pa asnjë gazetë të shtypur

March 15, 2021 by dgreca

Nga Nadie Ahmeti*/

Në Kosovë janë zhdukur gazetat e shtypura, duke bërë Kosovën vendin e vetëm në rajon dhe Evropë pa ndonjë gazetë të tillë, revistë javore apo mujore, thonë Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe profesori i gazetarisë, Milazim Krasniqi.

Zhvillimi i teknologjisë, e veçmas përdorimi i internetit në masë të madhe, politizimi i gazetave, vështirësitë financiare të kompanive mediale dhe së fundmi pandemia e shkaktuar nga koronavirusi, sipas tyre, janë faktorët që kanë ndikuar në shuarjen e mediave tradicionale.

Mushkolaj: Pandemia i dha goditjen përfundimtare botimit të gazetave 

Deri para një viti në Kosovë, tregon Mushkolaj, janë botuar katër gazeta ditore: “Koha Ditore”, “Epoka e Re”, “Zëri” dhe “Bota Sot”. Por, në muajin mars të vitit të kaluar, këto ndërprenë botimin, pas vendosjes së masave kufizuese nga qeveria e atëhershme, për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe futjen e vendit në izolim, dhe këto media vazhduan punën online.

Çështja e financimit mbetet një tjetër problem, thotë Mushkolaj, duke konsideruar të vështirë rikthimin e botimit të tyre.

“Pandemia i dha një goditje përfundimtare të botimit të gazetave, për shkak se kostoja e botimit të gazetave në njërën anë dhe anën tjetër tirazhet jo të mëdha të këtyre gazetave, shuma e vogël e mjeteve financiare të gjeneruar nga shitja, janë arsyet kryesore që një gjë e tillë ndodhi. Pas përfundimit të pandemisë do të jetë e vështirë që këto gazeta të mund të rifillojnë të dalin në treg, për shkak se pa një ndihmë financiare, që do duhej të vinte nga institucionet, kjo është e pamundur”, tha Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë. Një nga gazetat që kishte qëndruar në treg për 20 vjet ishte e përditshmja “Zëri”. Kjo gazetë kishte filluar të shtypet në vitin 2000, me një tirazh në mbi 7.500 kopje në ditë, kurse botimin e ka ndërprerë më 14 mars të vitit të kaluar dhe funksionin në formën online, thotë drejtori financiar i këtij mediumi, Ismail Musliu.

“Kostoja e shtypit është e lartë, fuqia blerëse dhe publikimi i reklamave kishte rëndë dukshëm. Shtypjen e gazetave pa e mirëmbajtur dikush, nuk mund vetë të ekzistojë”, tha Musliu.

Gazetat në “xhep” 

Qytetarë të moshave të ndryshme në Kosovë japin mendime të ndryshme sa i përket rëndësisë së ekzistencës së gazetave të printuara në treg.

Afrim Shala, ka punuar si ekonomist në një nga ndërmarrjet publike. Ai kujton se çdo mëngjes ka blerë një nga gazetat e botuara dhe tashmë i mungojnë shumë.

“Unë kam lexuar gazetat, duke filluar nga ‘Rilindja’, ‘Bujku’, e tani gazetat tjera ditore që kanë qenë pasluftës. Mua më mungojnë shumë sepse të lexuarit e gazetës është më mirë edhe për shëndet edhe për çështje tjera. Edhe të kuptuarit është më i lehtë, ndryshe nga interneti. Në fletë e përjeton ndryshe rrëfimin apo ngjarjen”, thotë Shala.

Artan Duriqi, shitës në një nga kioskat në qendër të kryeqytetit, tregon se nga muaji mars i vitit të kaluar asnjë gazetë ditore më nuk del në treg. Ai tregon se ka raste kur kërkohen, në të shumtën e rasteve nga moshat më e vjetër.

“Para pandemisë janë shitur, jo shumë, por ka pas kërkesa”, tha Duriqi.

Por, një qytetar tjetër, i cili blinte gjëra në kioskë, i pyetur a i mungojnë gazetat, shprehet se të “gjitha gazetat i ka në xhep”, duke aluduar në telefonin e mençur.

Zhdukja gazetave të printuara nga tregu nuk duket interesante për Arbër Beqirin, 18 vjeç. Ai thotë se internetin e përdorë si burim të informacionit.

“Përdorë teknologjinë e avancuar për të marr informacione, pasi është më lehtë dhe më shpejtë. Për gazetat e kam parë gjyshin duke lexuar, por tashmë as ai nuk i lexon”, thotë ai.

Përdorimi i internetit sfidon gazetat e printuara 

Zhvillimi i teknologjisë, thotë Mushkolaj, sidomos përdorimi i internetit në masë të madhe nga qytetarët, për shkak të shpejtësisë së përhapjes së lajmit si dhe kostos më të vogël në shpërndarjen e lajmit, ka ndikuar që kompanitë mediale të ofrojnë shërbime vetëm online.

“Duhet të merret parasysh se Kosova është shumë mirë e mbuluar me internet dhe qytetarët e Kosovës janë përdorues të mëdhenj të telefonave mobil dhe të pajisjeve të tjera, ku qasja në këto përmbajtje online është jashtëzakonisht e lehtë. Kjo është një ndër faktorët kyç, por mos të harrojmë se jo të gjithë qytetarët e Kosovës dinë apo duan të kenë qasje në përmbajtje online. Kështu që, është e domosdoshme dhe e nevojshme që të ketë edhe një media të shkruar”, shprehet ai.

Përdorimi i internetit viteve të fundit ka pasur rritje të madhe në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, 93 për qind e kosovarëve kanë qasje në internet. Kurse, numri i përdoruesve të shërbimeve të internetit mobil apo qasja në internet përmes rrjetit mobil 3G dhe 4G ka arritur në 1,3 milion përdorues.

Krasniqi: Shuarja e gazetave, disfatë kulturore 

Disfatë kulturore, politike dhe biznesore për gjithë shoqërinë e konsideron shuarjen e gazetave ditore, Milazim Krasniqi, profesor i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Ai ndryshe nga Mushkolaj, shprehet se politizimi i gazetave të printuara dhe mungesa e një vullneti politik për të mbajtur në jetë shtypin ditor, janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në shuarjen e tyre.

“Afërsia e pronarëve të gazetave me partitë politike ka dëmtuar reputacionin e mediave të shkruara. Kjo tashmë është konsumuar dhe paraqiti krizën në të cilën jemi”, thotë Krasniqi.

“Këto të dyja se bashku kanë sjell krizën. Përndryshe teknologjia informative, siç ka mundur të jetë hendikep, mund të jetë edhe favor sepse zhvillimi teknologjik, ka mundur dhe mundet të ulë koston e përgatitjes së gazetave, të rritë efikasitetin dhe imazhin e tyre në sytë e publikut që të identifikohen me atë media. Kjo ndodh në gjithë botën dhe as që bëhet fjalë për shuarje të gazetave”, thekson ai.

Rikthimi i “Rilindjes”

Profesor Krasniqi vlerëson se institucionet e Kosovës duhet të krijojnë politika për të mbrojtur tregun e gazetave të botuara. Madje, sipas tij, Kuvendi i Kosovës duhet të krijojë bazë ligjore që të rikthehet në treg gazeta e parë në Kosovë, “Rilindja”, fillimisht si gazetë publike. Kosova, thotë Krasniqi, duhet të ketë minimumin tri gazeta ditore në treg.

“Diçka duhet të bëhet sepse mbyllja e të gjitha gazetave nuk ka rezultuar me asnjë deklaratë as nga zyrtarët e kuvendit, as të qeverisë dhe as të partive politike. Pra, është një injorancë kolektive e kësaj elite politike dhe kjo tregon edhe shkakun kryesor të mbylljes së gazetave ditore. Sikundër që tregon edhe heshtja e pronarëve të mediave, tregon një konsumim të tyre në tregun medial”, thotë Krasniqi.

Gazeta e parë shqipe në Kosovë ishte “Rilindja”, që fillimisht ishte gazetë e përjavshme. Kurse nga viti 1958 kjo gazetë ishte e përditshme, ku tirazhi maksimal ka arritur në mbi 200 mijë ekzemplarë. Në vitin 1990 botimi i saj u ndalua nga pushteti i atëhershëm serb, për të rinisur përsëri në vitin 1999, pas hyrjes se forcave të NATO-s në Kosovë. Gazeta “Rilindja” u mbyll në vitin 2002, pas largimit nga Pallati i Rilindjes.

Edhe Mushkolaj pohon se në tregun e Kosovës duhet të ekzistojë shtypi ditor, qoftë edhe në mënyrën publiko-private.

“Për fat të keq Kosova ka kohë që e ka mbyllur gazetën e parë të botuar, ‘Rilindjen’, dhe kjo ka kaluar në heshtje. Ndryshe nga vendet e rajonit, ku 90 për qind e mediave që kanë ekzistuar në kohën e ‘Rilindjes’ vazhdojnë të funksionojnë, kjo tregon se çfarë qasje kemi ne si shoqëri ndaj gazetarisë. Duhet të gjendet një gazetë publiko- private, që të mund të funksionojë në treg edhe për shkak të një lloj trashëgimie kolektive historike dhe kulturës që ekziston në çdo vend të botës”, tha ai.

Në vitin 2009, vetëm një vit pas shpalljes se pavarësisë, në Kosovë janë botuar tetë gazeta ditore, të gjitha në gjuhën shqipe. Në një hulumtim të Institutit të Kosovës për Hulumtime dhe Zhvillim Politikash (KIPRED), realizuar në vitin 2010, thuhet se tetë gazetat ditor (“Koha Ditore”, “Kosova Sot”, “Express”, “Epoka e Re”, “Bota Sot”, “Info Press”, “Zëri” dhe “Lajm”), kanë pasur kanë tirazh mes 25.000 dhe 35.000 kopje. Ky numërnë atë kohë ishte vlerësuar tejet i ulët në krahasim me popullsinë e përgjithshme (2.1 milion banorë). Në atë kohë, tre në pesë njerëz lexonin një gazetë ditore.

* Nadie Ahmeti është gazetare e Radios Evropa e Lirë në Prishtinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosova pa gazeta, Nadie Ahmeti, ne Shtyp

Diaspora vazhdon të paguajë sigurimin kufitar për vetura

June 27, 2020 by dgreca

Qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme të Evropës, sa herë që hyjnë në Kosovë obligohen që në kufi të paguajnë një shumë të mjeteve financiare për sigurimin e veturave të tyre.

Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura duhet të paguajnë 15 euro për qëndrimin prej 15 ditësh. Ndërkaq, qëndrimi për një muaj kap vlerën e sigurimit prej 20 eurosh. Këto tarifa ndryshojnë nga kategoria e mjeteve motorike dhe periudha e qëndrimit në Kosovë.

Njëri nga ta është Fidaim Zeqiri, i cili që gjashtë vite jeton në shtetin e Gjermanisë. Ai thotë se çmimi i policës së sigurimit nuk është shumë i lartë. Por, vonesa për shkak të kolonave të gjata, për të përfunduar këtë obligim është e mërzitshme.

“Ka pasur raste kur kam pritur më shumë se një orë deri sa të vjen radha për të paguar. Ne edhe ashtu bëjmë rrugë të gjatë për të ardhur në Kosovë dhe pritja për këtë pagesë është maltretim”, thotë Zeqiri.

Qeveria e kaluar e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti ka aprovuar një kërkesë të Ministrisë se Financave për krijimin e një mekanizmi për mbulimin e obligimeve të sigurimit kufitar nga Qeveria e Kosovës.

Kjo do te vlejë për të gjithë bashkëatdhetarët dhe të huajt që janë subjekt i policës kufitare dhe vijnë në Kosovë për vitin 2020.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti, nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje se a kanë filluar procedurat për zbatimin e këtij vendimi apo do të anulohet.

Hoti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ditë më parë ka thënë se “qeveria do analizojë me kujdes të gjitha vendimet e marra nga qeveria e kaluar, për të siguruar se a janë në përputhje më ligjin”.

Pagesa e sigurimit kufitar të auto-përgjegjësisë është e obliguar me ligj për të gjitha mjetet motorike me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Aty përfshihen edhe automjetet e mërgatës, diasporës së Kosovës.

Në Byronë Kosovare të Sigurimeve pohojnë se janë të gatshëm për diskutime lidhur me këtë çështje, edhe pse sipas tyre, kjo është komplekse dhe kërkon trajtim profesional.

Blerim Pushkolli, drejtor ekzekutiv në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), thotë se një vendim eventual do të krijojë implikime financiare dhe duhet te shikohet edhe aspekti ligjor. Sigurimi kufitar është i bazuar në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

“Duhet të mendohet mirë për shkak të bartjes se rrezikut me lëshimin e çdo police të sigurimit. Implikimi financiar është mjaft i lartë, për shembull për një rast të siguruar që kushton 15 euro për 15 ditë, kërkesa e personave për dëmshpërblim mund të shkojë deri në 1.2 milion euro. Kurse për dëmet e shkaktuara nga përdorimi i autobusit dhe mjeteve motorike të destinuara për transportin e lëndëve të rrezikshme, zbatohet dyfishi i shumave minimale të sigurimit”, tha Pushkolli.

Ai shtoi se nëse koston e sigurimit kufitar do ta merr përsipër Qeveria e Kosovës, atëherë do të ketë implikime financiare dhe rëndim të buxhetit të Kosovës, i cili mbulohet kryesisht nga tatim-paguesit kosovar.

“Dhe këtu është normale të shtrohet pyetja, si të ngarkohen taksapaguesit kosovarë që ta paguajnë sigurimet e drejtuesve të mjeteve motorike më regjistrime të huaja?

Por, Byroja Kosovare e Sigurimit do të jetë bashkëpunuese në proces dhe do të respektoj çdo vendim që merret nga Qeveria e Kosovës”, thotë Pushkolli.

Nga tarifat e sigurimeve kufitare, thotë Pushkolli, vitin e kaluar janë grumbulluar mbi 7.7 milionë euro të hyra, kurse pagesa e dëmeve të paguara nga BKS për periudhën e njëjtë rezulton vlerën prej 7.9 milionë eurosh.(Kortezi: Nadie Ahmeti-Evropa e Lire)

Filed Under: Mergata Tagged With: diaspora, Nadie Ahmeti, paguan sigurimin kufitar

Mitrovica – komuna më e varfër në Kosovë

February 8, 2016 by dgreca

Mitrovica, dikur komuna më e zhvilluar industriale në Kosovë dhe me numrin më të madh të të punësuarve, sot është qyteti pothuajse më i goditur nga papunësia dhe varfëria.
Bazuar në marrëveshjet politike dhe procesin e decentralizimit, Mitrovica është ndarë në dy komuna – atë veriore, të banuar nga shumica serbe dhe Mitrovica jugore, e populluar nga shumica shqiptare.
Përderisa për pjesën veriore, nuk janë ofruar shënime nga autoritetet lokale, sipas të dhënave zyrtare të muajit dhjetor të vitit 2015, në pjesën jugore të komunës së Mitrovicës, afër 2000 familje me rreth 10 mijë anëtarë janë të përfshirë në skemat sociale, shifër kjo që e radhit në vendin e parë krahasuar me komunat tjera.
Kurse, punëkërkues të regjistruar llogariten të jenë mbi 6700 sosh.
Ndryshe, komuna e Mitrovicës (jugu) numëron mbi 72 mijë banorë me 46 vendbanime.
Se Mitrovica është me shkallën më të lartë të varfërisë, pajtohet edhe drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Mitrovicës, Miran Salihu.
“Shkalla e varfërisë ekstreme në Mitrovicë dallon nga qytetet tjera. Vetëm varfëria ekstreme mund të sillet deri në 18 për qind”, deklaron Salihu për Radion Evropa e Lirë.
Që nga vendosja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në qershor të vitit 1999, Mitrovica mbeti një prej komunave më të tensionuara duke u ndarë dy pjesë, atë jugore dhe veriore.
Problemet e vazhdueshme politike në këtë komunë, vlerësohen të jenë një prej arsyeve që kanë çuar edhe në ngecjen e zhvillimit ekonomik.
Por, ekspertët e ekonomisë fokusohen sidomos te shkalla e zhvillimit ekonomik si problemi kryesor pse mitrovicasit ballafaqohen më së shumti me probleme sociale.
Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se problem kryesor në këtë qytet mbetet politizimi.
Në këtë qytet, më shumë zhvillohet politikë se sa ekonomi, thotë Gërxhaliu, duke shtuar se në këtë kuadër mungon edhe një dialog i mirëfilltë ndërmjet komuniteteve.
Ai, madje, thekson se Oda Ekonomike ka rekomanduar që në qytetin e Mitrovicës, në lumin Ibër të krijohet një zonë ekonomike.
“Vetëm ekonomia dhe zhvillimi ekonomik mund të jetë mekanizimi kyç i përafrimit të interesave të të gjithëve që jetojnë në Mitrovicë dhe më gjerë. Ne, si Odë Ekonomike, kemi kërkuar që në Mitrovicë të zbatohet modeli i Traktatit të Romës, ku ekonomia dhe zhvillimi ekonomik i përafron kombet, i përafron interesat dhe të gjithë të mendojnë për ardhmërinë dhe jo për të kaluarën”, thekson Gërxhaliu.
Niveli i lartë i papunësisë dhe varfërisë, sipas Gërxhaliut, burimin e vet e ka te jofunksionaliteti dhe jofunksionimi me kapacitete të plota i kombinatit “Trepça”.
Kombinati metalurgjik “Trepça”, ishte i njohur në Kosovë në vazhdimësi si gjigant i zhvillimit ekonomik-industrial. Sektorët e këtij kombinati gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit të Mitrovicës.
Aty, para viteve ’90, kanë punuar 25 mijë veta, ndërkaq aktualisht, sipas shifrave zyrtare, ka rreth 1,435 punëtorë. Përderisa rreth 1200 veta, marrin pensione qoftë edhe të parakohshme.
“Ne jemi duke pasur kontakte të shumta me komunat dhe vërtet një ndër shkaktarët kyç pse jemi në këtë situatë, është procesi i privatizimit. Në këtë drejtim, nëse analizohet viti 1990 kur në Trepçë kanë qenë më tepër se 20 mijë të punësuar dhe sot kur në Trepçë nuk janë të punësuar as 1500 persona, është përgjigjja më e mirë se çka ka ndikuar në këtë varfëri apo gjendje të rëndë sociale dhe ekonomike në Mitrovicë”, potencon Gërxhaliu.
Komuna e Mitrovicës, përveçse është e pasur me minerale dhe xehe, është vend i pasur edhe me argjend dhe plumb.
Duke u bazuar në pasuritë e Kombinatit “Trepça”, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë fushatës parazgjedhore, kishte premtuar se do të gjeneronte mijëra vende pune duke ulur kështu papunësinë dhe varfërinë.(Nadie Ahmeti)

Filed Under: Analiza Tagged With: komuna me e varfer, Mitrovica, Nadie Ahmeti

Krimi ekonomik “vret” bizneset

June 13, 2015 by dgreca

Nga Nadie Ahmeti/

Niveli i lartë i krimit ekonomik në Kosovë po pengon zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe zvogëlimin e të hyrave në buxhetin e Kosovës,thonë ekspertë për çështje ekonomike në Kosovë.

Sipas tyre, pastrimi iparave, krimeve tjera ekonomike dhe financiare, në pjesën më të madhe konsiderohen krime të fshehura.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit vlerësojnë se korrupsioni, shkeljet tatimore, krimet që lidhen me prokurimin, kontrabandën, krimet financiare, krimet e drogës janë krimet më të shpeshta, por që ende nuk dihet se në çfarë përmasash.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, konsideron se kjo dukuri po shkatërron veprimtarinë e bizneseve, të cilat aktivitetin e tyre e zhvillojnë në mënyrë të rregullt.

“Sipas të gjitha perceptimeve, analizave, hulumtimeve, ekziston krimi ekonomik. Po në çfarë mase asnjëherë nuk mund të vërtetohet kjo, ashtu siç nuk mund të vërtetohen shifrat e sakta për korrupsionin dhe ekonominë joformale”.

“Ky fenomen negativ karakterizohet edhe me haraç, shantazhe të ndryshme, që iu bëhen njerëzve dhe bizneseve”, thotë Shahini.

Ekonomia kriminale është e pranishme në Kosovë dhe kjo po pengon ekonominë reale, zhvillimin e shoqërisë, por edhe buxhetin e Kosovës, thotë edhe Ismail Kastrati, ekspert për çështje ekonomike.

Ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se krimi ekonomik pengon edhe në mundësitë e zhvillimit të arsimit, shëndetësisë dhe veprimtarive tjera publike.

Kastrati konsiderojnë se autoritetet kompetente nuk po tregojnë një gatishmëri për të luftuar këtë dukuri.

“Në realitet, ekonomia kriminale nuk luftohet fare , përveç deklaratave dhe formimin e disa grupeve, komisioneve dhe strategjive, të cilat vetëm në aspektin formal e plotësojnë vakuumin,përndryshe në aspektin real kurrgjë nuk bëhet në këtë drejtim”, thekson Kastrati.

Ndërkaq, Agim Shahini thekson se prania e kësaj dukurie në Kosovë është për shkak të mosfunksionimit të duhur të sistemit të drejtësisë.

“Kjo vjen si pasojë e mosfunksionimit të rendit dhe ligjit, e cila është e nxitur nga njerëzit e papërgjegjshëm, por dhe njerëzit e përgjegjshëm, sepse janë të nxitur nga të parët. Përderisa në Kosovë ende nuk janë të mbrojtur dëshmitarët në nivelin e duhur, kjo do të vazhdojë të jetë në rritje, për shkak se askush nuk e ka atë guxim shpirtëror që të denoncojë gjithë këto dukuri, apo njerëz të caktuar në organet e drejtësisë”, shton Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, zyrtarë qeveritarë tashmë sa herë kanë pohuar se lufta kundër këtyre krimeve është përparësi e institucioneve të Kosovës. Madje, për luftimin e kësaj dukurie janë krijuar disa strategji.

Në Strategjinë kombëtare për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizimit dhe krimeve ekonomike për vitin 2014- 2018 thuhet se do të reduktojë shkallën e ekonomisë joformale në 5 për qind mes 2014 dhe 2018.

Kurse, gjatë vitit 2015 deri në 2018, vlera e konfiskimit të të ardhurave nga krimi duhet të jetë 1,000 000 euro për vit.

Filed Under: Analiza Tagged With: krimi ekonomik, Nadie Ahmeti

Milionerë nga politika

June 5, 2015 by dgreca

Nga Nadie Ahmeti/
Profesioni më fitimprurës në Kosovë vlerësohet të jetë politika, thonë përfaqësues të shoqërisë civile, sipas të cilëve pasuri më të madhe krijon në ndonjë post publik në sektorin shtetëror se sa më ndonjë biznes privat.
Sipas tyre, edhe pse Republika e Kosovës konsiderohet vendi më i varfër në rajon, me shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë, megjithatë në vend ka qytetarë milionerë apo vlerësohen qytetarë të pasur, kryesisht nga politika.
Nga deklarimi i pasurisë që kanë bërë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, vërehet se zyrtarë të institucioneve, disa nga të cilët janë pjesë e legjislativit, kanë pasuri të paluajtshme, pasuri të trashëguar nga familja, para të gatshme dhe vetura luksoze.
Ndërkaq, pagat për ta sillen rreth 17 mijë euro vjetore.
Artan Demahasaj, përfaqësues ligjor në Organizatën Joqeveritare “Çohu“, shpreh shqetësimin se pasuria e tyre nuk korrespondon me pagat e tyre që marrin, madje pasuria rritet nga viti në vit.
“Pasuria që këta e kanë nuk është krijuar nga paga që ata e marrin sepse të gjithë zyrtarët e lartë më i mbledhë pagat bashkë, nuk mund të krijojnë pasuri milionëshe”.
Pagat janë të ulëta dhe nuk korrespondon pasuria që këta e kanë me pagën që marrin. Kjo të krijon hapësirë për dyshime se pasuria e deklaruar, të jetë fituar në mënyrë të paligjshme”, thekson Demhasaj.
Të hyrat nga sektori publik kurrsesi nuk e arsyetojnë pasurinë milionëshe të shumicës se politikanëve në Kosovë, thotë edhe Agron Demi, kryeshef ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara GAP.
Demi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se “nga të qenurit pjesë e politikës në Kosovë, përfitimet janë të shumta, sepse shpenzimet për vete dhe familjen janë në minimum pasi shfrytëzohen resurset shtetërore”.
Përfitim tjetër nga të qenurit në politikë, Demi përmend edhe punësimin e bashkëshortëve në sektorin privat.
“Të hyrat e sektorit publik nuk e arsyetojnë asesi pasurinë milionëshe të shumicës së politikanëve që janë në poste publike më shumë se një dekadë. Ata kanë krijuar pasuri milionëshe dhe nëse shikohen të hyrat vjetore apo përfitimet vjetore nga postet publike del se ato janë shumë më të mëdha se sa bizneset mesatare në Kosovë. Ky është problemi, sepse në Kosovë është bërë shumë më profitabile të kesh një post publik se sa një biznes privat”, tha Demi
Në anën tjetër Artan Demhasaj, nga Lëvizja “Çohu” thotë se në Kosovë mungon baza ligjore që sanksionon pasurinë e paligjshme. Një ligj i tillë, thotë ai, vështirë se do miratohet në Kosovë, pasi pasuria e tyre mund të përfundojë me konfiskim.
“Mungon baza ligjore që sanksionojnë pasurinë e paligjshme në mënyrë që autoritet e drejtësisë të kenë mundësi që të hetojnë pasurinë e tyre. Nëse nuk janë në gjendje të argumentojnë që pasurinë e tyre e bëjnë në mënyrë të ligjshme, shteti më pas ka të drejtë ta konfiskojë”.
“Normal se këto ligje nuk do të bëhen asnjëherë sepse bëhet fjalë për ata zyrtarë të cilët i bëjnë ligjet. Kështu nuk presim se do të bëjnë ligje që të hetohet pasuria e tyre dhe mund të përfundojë me konfiskim të pasurisë“, tha Demhasaj.
Sidoqoftë, zyrtarë qeveritarë tashmë sa herë kanë deklaruar se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që me reformat e nisura të rrisin edhe më shumë transparencën dhe kredibilitetin e sistemit për menaxhim me paratë publike.

Filed Under: Featured Tagged With: Milionere nga politika, Nadie Ahmeti

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT