• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2015

Kriza financiare greke, presidenti Nishani takim me Guvernatorin Genti Sejko

July 7, 2015 by dgreca

Presidenti Bujar Nishani është takuar me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko. Kreu i shtetit i ka kërkuar Guvernatorit informacione të imtësishme rreth rreziqeve të mundshme ndaj sistemit tonë bankar.
Ai kërkoi të informohej edhe mbi impaktin mbi ekonominë shqiptare në përgjithësi, duke pasur parasysh faktin se shteti fqinj i Greqisë është edhe investuesi kryesor i huaj në Shqipëri.
President Nishani u informua gjithashtu edhe mbi masat e marra si edhe rreth ndjekjes së kujdesshme e të vëmendshme të situatës financiare që po bëhet nga Banka e Shqipërisë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kriza greke, Nishani, takon guvernatorin

Tahiri në komisionin e sigurisë: Në Lazarat ishte krijuar një kriminalitet masiv

July 7, 2015 by dgreca

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka raportuar paraditen e së martës në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare lidhur me ngjarjet e ndodhura së fundmi në Lazarat.
Në fjalën e tij, duke iu përgjigjur akuzave të deputetëve të opozitës se në fshatin jugor të vendit policia dhe RENEA ndërhynë pa plan veprimi, Tahiri ka thënë se, kriminaliteti i krijuar ndër vite në Lazarat nuk mund të asgjesohej për një vit, pavarësisht rezultatit të suksesshëm të arritur në operacionin e vitit të kaluar.
“Në Lazarat ishte krijuar një kriminalitet masiv. Vitin e kaluar policia i dha fund kultivimit masiv të drogës, vlera e të cilës arrinte në disa miliardë euro. Me paratë e drogës korruptohej Policia e Shtetit, drejtësia dhe vendimmarrja politike”, ka thënë Tahiri.
Ministri ka theksuar se, kur qeveria aktuale erdhi në pushtet gjeti një Shqipëri të zhytur në kultivimin e narkotikëve, gjë që sipas tij kishte pasoja të rënda në sigurinë publike, drejtësinë dhe politikën.
“Fluksi kriminal i atyre përmasave nuk mund të gjente zgjidhje pa operacionin e vitit që kaloi”, ka theksuar Tahiri, i cili sa i takon ngjarjeve të fundit, ku humbi jetën efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha, ka thënë:
“Ajo që ndodhi ishte një ngjarje e rëndë, por që gjeti zgjidhjen e duhur me arrestimin e të dyshuarve. Ajo ishte diçka e organizuar dhe policia nuk kishte informacion as nga SHISH, por mori zgjidhjen më të shpejtë të mundshme”, ka shtuar Tahiri.
Ne komision ka pase debat te ashper mes pozites dhe opozites.

Filed Under: Kronike Tagged With: Lazarati kriminalitet, Tahiri ne Komision

NAFTA NЁ SIRTARЁT E QEVRISЁ SHQIPTARE

July 7, 2015 by dgreca

Duke nisur nga dita 26 mars 2015 në Shqiperi do të importohen pa taksa TVSH-je disa lloje kafshësh, ku vlen të përmenden gomari, struci, deveja, etj.-Nga shtypi shqiptar/
Shkruan: Ing. Ahmet Ҫollaku-SHBA/
1-Nga shtypi Shqiptar mesoj se Ministria e Energjisë dhe Industrise ka vendosur të shtyjë afatin e dorëzimit të ofertave për blloqet e lira të naftës që do tu jepen kompanive të huaja private, duke anuluar kështu dy urdhrat e mëparshëm. Afati i ri i dorëzimit të ofertave do të jetë 15 korriku dhe se në këtë ofertë përfshihen Blloqet 4, 5, C, i Panajasë dhe Blloku i Dumresë… Më tej thuhet se shtyrja bëhet, pasi disa kompani ndër më të mëdhat, kanë kërkuar më shumë kohë në dispozicion për studimin e të dhënave dhe përgatitjen e ofertave…
Deri më sot, zonat hidrokarbure kane qënë nën administrimin e “Albpetrol”, i cila i ka
transferuar ato tek kompanitë private përmes negociatave të drejtpërdrejta. Me ndryshimin e ligjit, Qeveria thotë se blloqet e reja do t’i nënshtrohen garës në një proҫes të hapur dhe fituesit do të zgjidhen përmes kritereve të paracaktuara…
2-Keto zigzage qeveriatre më japin rastin të radhisë faktet e më poshtëme, jo për t’ iukundërvënë ndonjë istitucioni shqiptar, por për të treguar aparencën e komunikimit të institucioneve qeveritare me publikun e specializuar, ndryshe nga sa është shprehur kohë më pare shefi radhës Edi Rama. Këtu më poshtë do të lexoni ҫfarë bëhet me administratën qeveritare. Kur ky trajtim më bëhet me mua, imagjinoni komunikimin me popullin e thjeshtë!
Para disa vitesh kompania sizmike Gustavson nisi studime në zonën Papër deri në Tiranë, të cilën së pari e kishim studjuar ne shqiptarët, dhe pas nesh kompanija Franceze Coparex.
Më pas kompanija Gustavson u konvertuan kompani Manas Petroleu(!). Ne shqiptarët e
kishim vlertësuar këtë zonë me shumë perspektivë.
Po vidhej puna e mirëfilltë shqiptare. Së pari iu drejtova vetë kompanisë Gustavson, ekipit te saj, z. Alexander Becker, z. Jan Tomcenek dhe z. Erik Herlyn (Chief operating officer). Vetëm ky i fundit më kushtoi pak vëmëndje. Ai më përcolli një e-mail, me anën e të cilit më falenderonte që interesohesha për operacionet e tyre në Shqipëri dhe se dëshironte të bisedonte me mua… Dikush me pas (!?), pa dyshim ndonjë shqiptar,(aforizmi thotë, i joti të bënë gropën), mundet të jetë konsultuar me këtë kompani, dhe z. Erik Herlyn e këputi komunikimin me mua…
Biznesi I kësaj kompanie në Shqipëri ka shumë mistere. Ajo përlau Coparexin dhe, siҫ më tha më pas një koleg, kjo kompani bënte vetëm retushime grafikësh shqiptarë, të cilët më tej I shiste si punime të vetat… Tmerri më i madh në Shqipëri bëhet me pasuritë minerale, me gjeologjinë, me të drejtat e autorit, me fondet e gjeologjisë, po sidomos me naftën shqiptare. Kompania mixt Shell-Petromans Energy, me materialet e gjeologëve tanë T.Velaj, H. Bakiu, A.Mema, K.Rama e tjerë, po shëmbin malin e Shpiragut. Në këtë zone janë shpuar disa puse. Konkretisht pusi Shpirag- 2, ka arritur fundin 5,553 m. Nuk është pak. Shpenzimet totale në dollarë një Zot i di. Pra, kjo kompani mixt do naftë pa tjeter, prandaj po e sheshon me buldozier malin e Shpiragut kurse ne Shqiptarët, nafëtarë dhe jo naftëtarë, autorë dhe jo autorë, bëjmë parada në facebook me detashmentin fiktiv “Armata e Naftëtarëve”, pa marrë guximin më të vogël tu kundërvihemi haptazi qeveritarëve tanë, që vjedhin dhe mashtrojnë… Po kjo kompani i ka vënë syrin edhe objektit të Paprit. Konkretisht ajo ka retushuar profinin tonë gjeologjik, që kalon në pusin Pa- 4, projektuar dhe shpuar nga ne shqipatët, duke e quajtur punë të tyre. Si mund të qeveriset një vend, që ka 246 lloje djathrash, thotë Charles de Gaulle.
Pa dyshim, për këto probleme shumë të rëndësishëm, që kanë të bëjnë me studimin e mirëfilltë shqiptar, kam bërë përpjekje të komunikoja me Qeveritë Shqiptare të ҫdo krahu. Kështu, në vitin 2008 iu drejtova me një leter zyrtare direkt ish K/Ministrit të asaj kohe, Z. Sali Berisha. Nga Ai mora letrën me nr. 17/585 Prot,dt.9.12.2008, ku më thonëse me porosi të Tij letra ime do t’i dërgohej Ministrit të Ekonomisë, Tregetisë dheEnergjitikës, z. Genc Ruli. Kjo letër është firmosur nga z. Elham Sharra, Drejtor i Komunikimit me Publikun. Në të njëjtën kohë unë i kisha nisur letër edhe vetë z. G. Rili.
Më 30.12. 2008, nga Ministria e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës, nepërmjetë Drejtorit Adrian Jasimi, mora shkresën nr.10774/3 prot. ku ai tenton të më sqarojë duke ju shmangur studimit tonë shqiptar, që kishte të bënte me vjedhjen e punës shkencore. Ai në atë letër bënë histori të investimeve në Shqipëri, liҫensimin e kompanive të huaja dhe lidhjet Hidrokarbure. Pra, ai hidhet degë më degë, duke ë vendosur veten në pozicionin e specialistit të mirëfilltë të naftës shqiptare. “Gjeologjia e Shqipërisë është shumë e komplikuar (!!), dhe duhen investime të konsiderueshme që të paraprijnë vertetesimin e tyre”, thotë ai, dhe më tej shton se ju (është fjala për mua),ndërkohë mund t’ia paraqisni idetë ndonjë kompanie dhe, nëse është e nevojshëme, ne mund tu vëmë në kontakt me perfaqësuesit e saj, madje edhe tu krijojmë mundësi për prezantimin e studimeve tuaja… Fatkeqësisht, Ai nuk bëri asgjë për të më dhënë mundesinë të prezantohem me këto kompani të huaja të naftës në Shqipëri.Administrata Shqipatre bënë sherbimin e rojes së gadishmërisë ushtarake pranë istitucioneve shqiptare.
Po për këto probleme, në vitin 2014 iu drejtova edhe qeverisë së z. Rama. Këtë radhë bëra
saktësime gjeografike dhe përcaktim zone. Me shkresën nr. 5957-1 prot. dt. 2.19.2014,
administrata e z. Rama, me përgjegjëse Znj. Ana Rafti-Drejtore e mardhënieve me qytetarët, më vuri në dijeni se letrën time ia ka dërguar për ndjekje Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Nga kjo e fundit, nëpërmjetë z. Koli Bile-Sekretar i Përgjithshëm, mora shkresën me nr.5251/1 prot. dt. 29.9. 2014, ku ai më porosiste të bëja më shumë saktsime, të jepja kordinatat e puseve (?!), për të bërë më tej korrespondencën me blloqet e kërkimit
Sipas administratës qeveritare, ne shqiptarët duhet tu japim të huajeve edhe koordinatat e puseve ku të shpojnë(!) Më pas Ai thotë se, do të mundësojmë komunikimin me ju për të bërë saktësimet e kërkimeve… Por, deri më sot edhe me këtë dinasti nuk është bërë asgjë konkrete…
Në letrën që I nisa këtij istitucioni dhashë kordinatat e katër zonave të cilat une I mendoj shumë perspektivë, konkretisht zona e parë përfshihet në sektorin X0.00-Y5.00, X0.00-Y5.00, X5.00-Y5.00, X5.00-Y5.00, zona e dytë në sektorin X0.00-Y5.00, X0.00-Y5.00, X0.00-Y5.00, X0.00-Y5.00, zona e tretë në sektorin X0.00-Y07.50, X0.00-Y07.50, X0.00-Y07.50, X0.00-Y07.50, dhe zona e katërt në sektorin X0.00-Y0.00, X05.00-Y05.00, X06.00-Y0.00, X05.00-Y05.00. Në letër theksoj se vlerësimi dhe përvetësimi I këtyre të dhënave nga ndonjë person tjetër zyrtar ose jo zyrtar shqiptarë apo kompani e huaj që bënë kërkime për naftë në territorin e Shqipërisë, do ta quaja vjedhje dhe do ti drejtohem zyrave juridike që mbrojnë të “Drejtën e autorit”… .
Gjithashtu, këto ia përcolla edhe zyrës së AKBN, e cila e dredh Shqipërinë nga të katër anët. Nëse doni të skanoni korrupsionin Shqiptar, studjoni gjithë arkivat zyrtare të kësaj zyre, bashkë me personelin që ka punuar ose punon aty. Veҫse mos harroni të kujtoni se shumë nga ai personel tekniko-administrariv, që ka bërë ato negociata dhe marrëveshje konçensionare monstruoze, ia ka mbathuar jashtë shtetit, fshehur tashmë nëpër kompanitë e huaja me karta identiteti të tjera, kurse ca të tjerë janë këtu pranë nesh, dhe nuk ua bënë syri tërr…
Sa i grabiten Shqipërisë në një ditë në naftë? Sipas ministrit Gjiknuri, në vitin 2013 Shqipëria ka prodhuar 1 milion e dyqind mijë tonë naftë. Çmimi i naftës në botë ka qënë mesatarisht 105 $ fuçia. Marrim çmimin 90 dollarë fuçia dhe rezulton se kjo sasi nafte ka vlerën 540 milionë $. Pra, në ditë na janë grabitur 1 milion e 480 mijë dollarë. Në vitin 2014 Shqipëria prodhoi një milion e katërqind mijë tonë. Vlera e kësaj nafte është 630 milionë $. Në këtë raste na janë grabitur një milion e 726 mijë dollarë amerikanë në ditë Po në krom, në bakër-flori?.. Eshtë tmerr i vërtetë, kurse qeveria jo vetëm nuk bënë transparencën e konçensioneve, por do të shkërmoqë gjithë Shqipërinë! Ne bëjmë sehir!
Nga AKBN më dt.8.9.2014 mora shkresën nr. 7501/1 prot. firmosur nga z. Dael Dervishi, Derejtor Ekzekutiv. Ai thotë se aktualisht blloqet e kërkimit për naftë dhe gas në
vëndin tonë administohen nga Albpetroli, kurse AKBN ndjek zbatimin e marrëvëshjëve të lidhura, prandaj, ju sugjeroj,-vazhdon Ai,- të merrni kontakt të drejtëpërdrejtë me kompanitë që kanë interes për zonat ku juve keni projekte të gatëshme studimore… Ah,dua t’i them zotërisë, si nuk e kuptoni apo bëni sikur nuk e kuptoni, se këto projekte me vlera kolosale, janë projekte tona shqiptare, te popullit tone… Unë nuk pres kurrë që Banka Boterore, apo zyra financimi të Bashkimin Europian të na thonë: Ju shqiptarët keni naftë, eksperiencë një qind vjeҫare, specialistë… Ne do tu japim 800.000.000 ero të zhvilloni këtë industri fitimprurëse. Ju keni plot rrugë te dilni nga kjo varfëri e turpëshme…
I nderuari z.Dael Dervishi e di mirë, se të gjithëve specialistëve të naftës shqiptare
u është mbyllur dera e komunikimit me këto kompani të huaja, biles është vështirë të komunikosh edhe me vëtë AKBN. Vite më parë fola me një koleg, që punonte në ato zyra.
Ai i trembur më tha që të mos bëja zë me asnjë që kemi bisedur bashkë, se ndryshe do ta hiqnin nga puna. Pra, siҫ kuptohet, është më lëhtë të hysh në Pentagonin Amerikan sesa nëpër institucionet që merren me naftën shqiptare. Kjo derë u mbyllet specialistëve të naftës shqiptare.
3- Për problemet e naftës në përgjithësi, dhe për ato specifikenë veҫanti, unë u kam drejtuar letra të hapura në shtypin shqiptar, si z. Berisha dhe z. Rama. Të gjitha janë në faqet e internetit. Për këto letra të hapura, zotërinjtë nuk treguan interesin më fillestare, të paktën të më ҫonin dy gisht letër. Ja, kështu kominikojnë qeveritë shqiptare dhe administratat e tyre me specialistët dhe popullin e vetë…

Për qeveritë shqiptare, unë specialisti i naftës nuk jam asgjë. Përse këto AKBN, Albpetrol, Ministiria e te tjera institucione Hidrokarburesh, nuk gjejnë një rrugicë të kominikojnë me specialsistet e vërtetë të naftës shqiptare, të cilët dinë jo vetëm zonat perspektive, por edhe ku duhet shpuar. Nuk është gjë e thjeshtë t’i ofrosh një kompanije të huaj një studim të gatshëm, një objekt konkret për të cilin nëse ata do ta pregatisnin vetë, do harzhonin shuma të mëdha, kurse për objektin tonë konkret, ata do të harxhonin një shumë minimale parash, vetëm për ta verifikur, për tu bindur për saktësinë e vizatimit. A ka gjë më të ndershme dhe më të thjeshtë se kjo?! Të gjitha këto të ardhura, do të shkonin në rritjen e mirëqënies dhe ekonomisë shqiptare! Sepse dihet nga të gjithë, se studimi sizmo-gjeologjik i një objekti për shpim, ka gati po atë vlerë monetare sa edhe vetë shpimi i pusit.

Nëpër digasteret shqiptare, janë instaluar disa specialistë, që dinë vetëm të servilosen, të kominikojnë tinaz vetëm me ministrin. Këta beniaminë pengojnë ҫdo llojë komunikimi të
specialistëve me institucionet shqiptare. Pa u krehur këto plehra, nuk do të ketë ecje
përpara. Shqipëria nuk do të zhvillohet me propagandën, “do të nxitim poҫerinë e Korҫës”. Përse qeveriaja shqipatre nuk fton në një takim të gjithë specialistet e naftës shqiptare të njihen me këto oferta vendase, se vetëm këta do t’i ngrejnë ato paketa në nivele të larta!? Komunikimi i popullit me institucionet qeveritare është baza morale e një shteti demokratik. Specialistët e naftës nuk kanë asnjë rrugicë komunikimi me institucionet qeveritare, sepse këto rrugica janë të mbyllura ose të minuara. Z. Rama ka mbajtur një leksion për punën e administratës qeveritare, ndërsa për naftën, kujtohet pas një ëndërre të keqe! Thirrjet nëpër fushata, ku veshi nuk të zë fjalën naftë, janë ulërima për pushtet!

Filed Under: Analiza Tagged With: Ahmet Collaku, Nafta, Qeveria shqiptare

Shmitti dhe deformimi i qëllimshëm i historisë

July 7, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA*/
“Humbja e traditës në kombinim me dobësine e shtetit, ka krijuar një masë kaotike të hutuar. Këtë më së miri e pamë te Shqipëria post-komuniste. Komunizmi kishte ndaluar traditën dhe kishte instaluar një shtet të hekurt autoritar, për ta zevendesuar traditën. Fuqia, dhuna e shtetit dhe regjimi, ishte ajo qe e mbante nën kontroll të hekurt hutinë e shqiptarit, që vinte për shkak të mohimit të tradites (religjioneve dhe kanunit). Pasi shqiptari u lirua nga hekurat në të ’90-at, ai nuk e pati më traditen në shpirtin dhe moralin e tij, por doli prej komunizmit si një egërsirë qe del prej një kafazi të hekurt. Ta zhveshësh një individ nga tradita, veçanërisht shqiptarin, ai shndërrohet në egërsirë (*2). Viti 97 ishe shfryerja kulminante e kësaj hutije kolektive. Kanë kaluar 18 vjet që nga ajo kohe. Shteti është duke u ri instaluar dalëngadalë, por dobësia e institucioneve të tij krijon një mosbesim të madh në masë, dhe në anën tjetër kjo shoqëri pa autoritet shtetëror, rikthehet ne kohërat homerike e mesjetare, kur shoqeria pa shtet ka funksionuar me kanunin e trashëguar në besim (*2). Por, tani tradita është ndërprerë në kohën e komunizmit, dhe kjo tendencë per rikthim të traditës bëhet në mënyrë të devijuar dhe të keqinterpetuar, sa që në emër të kanunit i ngujojnë edhe fëmijtë ( Besir Bajrami Hutia e shqiptarit !, )

vazhdon nga dje…
Ndersa fakti qe tani politika ia bene kete ‘dhurate’ ASHAK-ut ka te beje edhe me lidhjet e disa shokeve ‘historiane’ te Schmitt-it ne Kosove, qe politikisht jane te afert me ‘rilindjen’ ne Shqiperi, te cilet ‘historiane’ jane te ‘shkolluar’ ne universitetet evropiane, dhe (vetem) per kete arsye paraqesin ‚eliten‘ e re ‚shkencore‘ e politike.
Kjo ‚elite‘ e re paraqitet si ndjekese e Schmitt-it qe para publikimit te perkthimit te A. Klosit, si ‚liber‘ kunder Skenderbeut ku provon qe gjithe luften e Skenderbeut ta paraqes si lufte per hakmarrje, me crast ai ‘harron’ qe Skenderbeu kishte luftuar edhe kunder Republikes se Venedikut, kunder Brankoviqeve vasal te Sulltanit, kishte ndihmuar Huniadin ne Hungari dhe per me teper kishte ndihmuar Romen dhe Mbreterine e Napolit (Alfonsin V) ne Itali, duke fituar keshtu feude ne Jug te Italise dhe duke u bere feud me te dy anet e Adriatikut !! Duke marr titullin me te larte te asaj kohe „Athleta Christi“ !
Gjera qe nuk jane bere, as arritur per hakmarrje, respketivisht nje pohim i tille eshte jo vetem joshkencor, por edhe nonsens. I kategorise se tille eshte edhe qendrimi se ne ate kohe te Gjergj Kastriotit nuk kishte Komb shqiptar, pasiqe nuk kishte kombe, mirepo ne te njejten kohe, po ne kete ‚liber‘ shkruhet se nena e Skenderbeut ishte serbe e ai ‚nip serb‘, qe ne fakt deshmon manipulimin tjeter ne kete liber, te shpaljes se ‚kombit serb‘ ne kohen kur nuk kishte kombe ?!
Per me shume perpilimi shkencor i manipulimit shkon edhe me tutje, duke provuar qe edhe vellezerit e motrat e Gjergj Kastriotit, per me teper edhe babain e Tij Gjonin ti nxjerr si sllav e serbe, per shkak te orthodoksise se tyre. Dicka teper e pavertete per atehere, por edhe per tash, pas aq shume falcifikimeve te historise, pasiqe orthodoksizmi tek shqiptaret nuk mund te shlyhet me nje rishkrim te historise.
Ashtu sic nuk mund te heshtet e tretet Kuvendi i Arberit (1444), si Kuvend i Princave dhe Feudaleve Shqiptare te mbledhur per te krijuar nje ‘Beselidhje’ dhe nje organizim politiko-ushtarak per lufte dhe mbrojtje kunder perpjekjeve te Perandorise Osmane per te pushtuar trojet e tyre. Kuvend ky qe u thirr ne baze te kritereve te prejardhjes, pra gjuhes dhe kultures, me perfshirje te perbashket territoriale me forca te armatosura e burime materiale, i cili doli me vendime e perfundime per nje ushtri te perbashket, me udheheqje politike dhe ushtarake te perbashket dhe me financa te perbashketa, artibute keto qe se bashku tregojne per karakteristikat, jo vetem te Kombit, por edhe te shtetit, respektivisht mbreterise – per me shume jo vetem per ate kohe, por edhe per sot – per te cilin Gjergj Kastrioti ishte shpallur udheheqes i Beselidhjes politiko-ushtarake (1444) dhe me vone ishte shpallur Mbret i Shqiperise, Epirit e Maqedonise (1458) dhe njohur nga Papa Piu II. 
…
Keshtu, ata historiane qe kundershtuan Schmitt-in u etiketuan si historiane te komunizmit dhe keto etiketime fillimisht i bene bartesit e ‘rilindjes’ se historise dhe politikes ne Shqiperi dhe perkrahesit e ‘rishkrimit te historise’ shqiptare, e cila prap filloi ne Kosove me kerkesen e Turqise dhe pajtimin e KEQqeverisjes se kaluar, per te vazhduar mandej si fushate e ‚osmanlinjeve te rinj‘.
Shkrimtari i shquar Ismail Kadare konfirmoi faktin se është në listën e intelektualëve që kanë firmosur peticionin kundër rishikimit të historisë nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore turke. Po, tha Ismail Kadare, unë u jam bashkuar intelektualëve pasi mendoj se ky është një problem madhor. Por ai shtoi se nuk është ai nismëtari. Jam një nga firmëtarët dhe ndaj të njëjtin mendim me intelektualët e tjerë shqiptarë se ndryshimet e historisë me ekspertë turq përbëjnë një agresion kulturor që godet shtyllën kurrizore të kombit, ato janë një fyerje e papranueshme për shqiptarët dhe me pasoja për të ardhmen dhe identitetin tonë. Të gjithë tashmë e dimë se çdo ndërhyrje në histori sipas skenarëve të paracaktuar politikë cenon ADN-në e kombit shqiptar dhe ne nuk duhet ta lejojmë këtë, theksoi Kadare.
“Nga Peticioni “Përpjekja për të trilluar një histori të paqenë, me pseudohistorianë dhe pseudokomisionerë shtetërorë, të drejtuar sipas një projekti të errët politik, s’i shërben as paqes dhe as miqësisë së vërtetë mes popujve dhe as projektit të një të ardhmeje që sjell paqe, harmoni e mirëkuptim. Përpjekjet që interpretimi i historisë të bëhet në funksion të pushtetit dhe jo në funksion të së vërtetës, janë të rrezikshme dhe vënë në pikëpyetje të ardhmen tonë.( Kadare: Pse e firmosa peticionin, kundër rishikimit të historisë nën mbikëqyrjen turke )
Ndryshimi i historisë në formë arbitrare, duke i ardhur rreth oreksit të diplomacisë turke, krijon një precedent të rrezikshëm: pas disa vitesh edhe Serbia mund të kërkojë të shpallet vetëm një administratore në Kosovë dhe ajo të vlerësohet pozitivisht për lirinë, pavarësinë, kulturën dhe identitetin tonë. Paqja e bazuar në drejtësi është përvojë që i ka ndihmuar shumë popujve të kuptojnë të kaluarën, pa e mohuar atë, pa i fshehur ose shtrembëruar të vërtetat historike. “E vërteta është e padiskutueshme”, pati thënë Winston Churchill-i.
*( Pjesa 2 ). Vijon neser
Fahri Xharra. 07.07.15 Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: deformimi i qellimshem, i historise, Shmitti

Senatori Wicker: ISIS duhet të mposhtet ushtarakisht

July 6, 2015 by dgreca

Senatori republikan i Shteteve të Bashkuara, Roger Wicker, thotë në një intervistë ekskluzive për Radion Evropa e Lirë se ISIS-i është një “kancer shumë i rrëzikshëm”, që duhet të mposhtet ushtarakisht. Sipas tij, ky grup militant nuk mund të zhbëhet me diplomaci.
Me senatorin Wicker ka biseduar shefja e programit në gjuhën shqipe të Radios Evropa e Lirë, Arbana Vidishiqi.
Radio Evropa e Lirë: Senator Wicker, jeni në Evropë për të shënuar 40 vjetorin e Marrëveshjes së Helsinkit, e cila, mes tjerash, mbron parimin e tërësisë territoriale të shteteve në Evropë. Sot, kufijtë në Evropë duket se janë në rrezik. Rusia ka aneksuar Krimenë, ka pushtuar rajonin e Transnistrisë në Moldavi, të Abkhazisë dhe Osetisë Jugore në Gjeorgji. A ka vdekur Marrëveshja e Helsinkit?
Roger Wicker: Jo, nuk kanë vdekur dhe këtë do ta bëjmë të qartë edhe një herë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së në Helsinki. Kjo është një asamble parlamentare vjetore, në të cilën do të diskutohen një numër çështjesh, me theks të veçantë shkeljet e vazhdueshme të çdo parimi të Marrëveshjes së Helsinkit nga ana e Rusisë.
Radio Evropa e Lirë: Disa zyrtarë rus kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara se kanë orkestruar protesta dhe revolucione në Armeni, Gjeorgji, Ukrainë, madje edhe në Maqedoni. Si do t’u përgjigjeshit këtyre pretendimeve?
Roger Wicker: Do të përgjigjem në këtë mënyrë: ne mirëpresim një transmetim të hapur dhe transparent të lajmeve nga organizata të interesuara, të cilat do të lejohen në këto zona dhe do të tregojnë të vërtetën ashtu siç është.
Por, nuk është e pazakontë për Qeverinë ruse që të angazhohet në propagandë sistematike dhe të rreme dhe ajo është shumë e mirë në këtë punë, në përpjekjet për të diskredituar Shtetet e Bashkuara dhe vendet që mbështesin transparencën, sundimin e ligjit dhe lirinë e përcaktimit.
Andaj, nuk jam i befasuar nga propaganda ruse që bën përpjekje të diskreditojë të gjithë nga ne që kundështojmë shkeljet e gati çdo parimi që bën Rusia, jo vetëm të Aktit Final të Helsinkit, por edhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Radio Evropa e Lirë: Askush nuk e do një Luftë të Ftohtë; kjo është fjalia të cilën e dëgjojmë shpesh së fundmi, por a nuk ka nisur tashmë kjo luftë?
Roger Wicker: Ne, sigurisht, se nuk e duam një Luftë të Ftohtë. Duhet të pranoj se një Luftë e Ftohtë është më e mirë se një Luftë e Nxehtë dhe, sinqerisht, kjo është ajo që kemi parë në Krime dhe në lindje të Ukrainës. Plumba të shtënë nga trupa që mbështeten nga Rusia dhe njerëz që vdesin për pasojë. Andaj, për ata njerëz që kanë qenë të angazhuar në beteja, luftime dhe konflikte, ata janë vrarë dhe nuk do të kthehen më.
Pra, për ta është luftë e nxehtë. Pres ditën kur mund të kemi atë që kemi pasur me Rusinë një dekadë, një dekadë e gjysmë më parë – miqësi, sinqeritet dhe shkëmbime midis Rusisë, ish-vendeve sovjetike dhe Shteteve të Bashkuara. Ky është qëllimi im.
Por, nëse udhëheqësi rus, zoti Putin, vazhdon me veprimet e tij, atëherë mendoj se është e rëndësishme për të gjithë ne në botën e lirë, për ne që mbështesim lirinë, të qëndrojmë të fortë dhe të flasim të vërtetën. Le ta dijë pjesa tjetër e botës se ne i dimë veprimet e zotit Putin dhe ato paraqesin shkelje të pothuajse çdo parimi të lirisë, respektit të vendeve të tjera dhe respektit për sundimin e ligjit.
Radio Evropa e Lirë: Në Kombet e Bashkuara po zhvillohet një betejë diplomatike mbi një rezolutë e cila do të dënonte gjenocidin në Srebrenicë. Rusia, e cila ka lidhje të ngushta më Serbinë, ka vënë në qarkullim një rezolutë rivale, e cila nuk e përmend as Srebrenicën, dhe as gjenocidin. Si do t’i cilësonit deklaratat që mohojnë se masakra në Srebrenicë është përkufizim i gjenocidit?
Roger Wicker: Më lejoni të ju them se sa të fuqishme ndjehen Shtetet e Bashkaura në lidhje me këtë çështje – në baza dypartiake. Unë jam senator republikan i Kongresit të SHBA-së. do të jem pjesë e një delegacioni dypartiak, që do të udhëtojë fundjavën e ardhshme në Srebrenicë, nën udhëheqjen e ish-presidnetit Clinton.
Mund t’ju them se presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ndjehet mjaft rehat për të dërguar një ish-president për të përfaqësuar qeverinë tonë dhe për të udhëhequr një delegacion dypartiak, për të kujtuar 20-vjetorin e kësaj masakre.
Dhe, mesazhi i qartë që mendoj se do të transmetohet në skenën botërore, fundajëvn e ardhshme nga Bill Clinton, është se kjo ka qenë gjenocid, mizori, masakër, brutalitet i papërshkrueshëm. Është e rëndësishme që 20 vjet pas, të mos harrojmë kurrë se mund t’i parandalojmë, deri në një masë, këto gjëra që të mos ndodhin përsëri. Kjo do të jetë një deklaratë shumë e fuqishme, në lidhje me këndvështrimin e shumicës dërrmuese të amerikanëve.
Radio Evropa e Lirë: Kosova ka shpallur pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008. Shtetësia e saj nuk pranohet nga Serbia dhe as nga Rusia. Presidenti rus, Vladimir Putin, madje ka shfrytëzuar pavarësinë e Kosovës si pretekst për aneksimin e Krimesë. A po shfrytëzohet Ballkani si një fushë-lojë nga Putini?
Roger Wicker: Më lejoni t’ju them se e gjithë historia e presidentit Putin ka qenë përdorimi i pretekst pas preteksti, për të justifikuar atë që bën, qoftë në Osetinë e Jugut, Gjeorgji apo në konfliktin që po kryen për më shumë se një vit e gjysmë në lindje të Ukrainës.
Ka gjithmonë një justifikim, gjithmonë një pretekst. Kjo është denoncuar rëndë dhe është dëshmuar të jetë një gënjeshtër nga miratimi me shumicë dërrmuese i rezolutave në OKB, në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.
Më lejoni t’ju them këtë, populli rus nuk ka arsye të ndjejë ndonjë armiqësi nga populli amerikan, nga komuniteti evropian, vendet e BE-së. Ne duam të jemi miq, njerëzit që duan lirinë duan të jenë miq me popullin e Rusisë. Dhe, unë pres ditën kur Rusia të udhëhiqet nga dikush i denjë për ëndrrat për liri dhe sinqeritet.
Mendoj se (populli) do që të jetë në gjendje për të zgjedhur udhëheqësit e tij, për të marrë pjesë në zgjedhje, pa e ditur që në fillim se një njeri i fuqishëm do t’i fitojë ato dhe nuk ka arsye reale për të marrë pjesë. Mendoj se populli rus pret për këtë ditë.
Radio Evropa e Lirë: A jeni optimist se kjo ditë është afër?
Roger Wicker: Nuk jam optimist se është pranë dhe për aq kohë sa Vladimir Putin është udhëheqës i Rusisë, më duhet të them se përgjigjja ndaj veprimeve të tij duhet të përfshijë forcën dhe vendimet nga ana jonë. Bota që do lirinë nuk do ta mbështesë atë. Por, shumë gjëra marrin kohë. Kam qenë student në vitet ’70, kam vizituar Berlimin Lindor dhe Berlinin Perëndimor, dhe nuk e di nëse kam menduar ndonjëherë në jetën time se Muri do të bie, se komunizmi do të bie, se Bashkimi Sovjetik do të shpërbëhet, por kjo ka ndodhur.
Kur kjo ka nisur të ndodhë, ka ndodhur shumë shpejt, një vend pas tjetrit. Sistemi i korruptuar që nuk i ka shërbyer popullit, doli të jetë i rrezikshëm dhe kur ka nisur të shkatërrohet, është shkatërruar shumë shpejt. Nuk e përjashtoj që në dekadën e ardhshme të ndodhë diçka dramatike, që sjell liri për njerëzit në Rusi, në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Nuk e përjashtoj këtë.
Por, po ashtu duhet të jemi realë, se kjo mund të kërkojë ndryshimin e udhëheqjes dhe mund të marrë kohë. Në ndërkohë, reagimi i Perëndimit duhet të jetë i fuqishëm dhe jo të ketë pikëpamje joreale. E tëra çfarë duam është që Rusia dhe lideri i saj t’iu përmbahen marrëveshjeve që paraardhësit e zotit Putin i kanë bërë në Kartën e OKB-së, në Aktin Final të Helsinkit.
Radio Evropa e Lirë: Senator, të flasim pak për grupin militant Shteti Islamik. Qytetarë nga Kosova, Shqpëria, Bosnja dhe vende tjera të Ballkanit po i bashkohen këtij grupi si luftëtarë të huaj. Çfarë duhet të bëjnë këto shtete saktësisht që të përballen në mënyrë efektive me këtë sfidë globale?
Roger Wicker: Duhet të pranojmë se ISIS është efektiv në mediat sociale, me tërheqje të caktuar të natyrës njerëzore. Dhe, nuk i duhen shumë të konvertuar për të shkaktuar një problem. Nuk bëhet fjalë vetëm për Ballkanin, janë edhe Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, ku të rinjtë rekrutohen përmes Internetit dhe mediave sociale; ata binden se duhet të luftojnë në emër të grupit të Shtetit Islamik.
Kjo nuk është dashur të ndodhë fare dhe unë jam shumë kritik ndaj administratës së tanishme amerikane. Adaministrata e mëparshme, me udhëheqje ushtarake, është angazhuar në Irak dhe, në parim, kemi arritur te një pikë ku Iraku ka qenë i qëndrueshëm. Qeveria atje nuk ka qenë ashtu siç e kemi dashur, por ne kemi pasur vullnet për të mbajtur një forcë në Irak dhe për të stabilizuar rajonin.
Në vend të kësaj, administrata Obama ka tërhequr pothuajse çdo ushtar amerikan dhe atje ka mbetur një vakuum që është mbushur nga ISIS, ISIL, Shteti Islamik… sido që ta quani. Problemi i rekrutimit në Ballkan ose në hemisferën perëndimore vjen vërtet nga fakti se ka ndodhur një vakuum dhe ne kemi lejuar që ky grup të dalë në vendin e parë. Keni të drejtë, është një zhvillim shumë, shumë sheqtësues dhe nuk mund të lejojmë që ISIS të ketë sukses.
Nuk mund të lejojmë që një Kalifat Islamik të mbizotërojë dhe të jetë i qëndrueshëm në atë zonë, në mënyrën se si ata shpresojnë. Përfundimisht, ISIS do të mposhtej ushtarakaisht. Shpresojmë që kjo të ndodhë nga fqinjët tanë në atë rajon. Mensoj se bota që do lirinë, bota që kupton rrezikun e ekstremizmit islamik do të bëjë hapa para dhe kur t’i bëjmë, nëse i bëjmë, problemi i rekrutimit do të zgjidhet.
Radio Evropa e Lirë: Pra, ju pajtoheni me thirrjet për një angazhim më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor?
Roger Wicker: Pajtohem se diçka duhet të bëhet. ISIS nuk do të zhbëhet për shkak të diplomacisë. Nuk do të zhbëhet për shkak se do të denoncohet në OKB. Ata duhet të mposhen ushtarakisht. Do të sfidoj secilin që më tregon një mënyrë tjetër të moshtjes.
Duhet të konfrontohemi me këtë realitet të pakëndshëm; është një realitet me të cilin njeriu duhet të përballet. Do të doja që të mos e kishim braktisur fushën e lojës më herët, por kjo është histori tani. Do të doja që kjo të mos ishte e vërtetë, por tani përballemi me një kancer shumë, shumë të rrezikshëm në këtë rajon, që duhet të moshtet ushtarakisht.
Shpresoj se mund ta bëjmë këtë me një vendosmëri të gjerë, nga një koalicion i gjerë i njerëzve që do ta kryejnë këtë punë shpejt. Ne duhet të përballemi me realitetin.(Bisedoi: Albana Vidishiqi)

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, Isis, Roger Wicker, Senatori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • …
  • 100
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT