• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2015

Lushnja dy ditë kryeqytet i folklorit shqiptar

October 25, 2015 by dgreca

Edicioni i tetë i Festivalit Folklorik të Valles Burimore në Qendrën Kulturore “Vaçe Zela” Lushnje/
Nga Engjëll Zerdelia/
Për dy ditë me radhë në qytetin e Lushnjes, u organizua edicioni i VIII-të i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar i Valles Popullore Burimore, duke e kthyer këtë qytet në kryeqytetin e trevave shqipfolëse të folklorit të shprehur përmes valles popullore. Kjo ngjarje është një nga pesë Festivalet Tipologjike më të rëndësishme që organizon Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike. Nëpërmjet këtij aktiviteti bëhet afirmimi i kostumeve popullore, ansambleve folklorike, valles tradicionale shqiptare sipas krahinave në qarqet përkatëse, e këngës që shoqëron vallen, njëkohësisht edhe ruajtja dhe përcjellja e traditës në brezat e ardhshëm. Festimet dyditore kanë gëzuar dhe gjallëruar jetën artistike të qytetit duke e kthyer këtë aktivitet në një panair të vërtetë tradite, i cili ka filluar me paradën e ansambleve të çdo qarku në sheshin qendror të qytetit të Lushnjes, i cili sot është më i bukur se kurrë. Performanca e pjesëmarrjes ka qenë dhe vazhdon të jetë e shpërndarë në të gjitha trevat shqiptare. Duke qënë se ky Festival ka edhe një karakter konkurues, ansamblet dhe elementët më të spikatur janë përzgjedhur nga një juri profesioniste. Organizimi i festivalit bëhet në bazë qarqesh dhe nga çdo qark hyn në programin e konkurimit një grup valleje popullore. “Në bazë të kritereve shkencore të miratura bashkarisht nga ana e qëndrës sonë në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit dhe Ministrinë e Kulturës, interpretimet duhet të jenë krejtësisht burimore dhe çdo interpretim i grupeve pjesëmarrëse do të jetë vetëm 20 min”. Edicionin e kaluar morën pjesë 6 qarqe, ndërsa sot do të përfaqësohen 6 qarqe të tjera me qëllim që të përfshihet në pjesëmarrje çdo trevë shqipfolëse dhe të shpalosen vlerat dhe kualiteti burimor i valleve popullore, -thotë drejtuesja e Qendrës Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, Znj Meri Kumbe.
Në këtë konkurim ditën e parë morën pjesë grupet folklorike të valles që përfaqësonin qarqet: Elbasan me 24 valltarë, Dibër me 25 artistë popullorë dhe qarku Lezhë me 25 valltarë. E veçanta e këtij festivali tipologjik është se pranohen të interpretojnë jashtë konkurimit edhe shumë grupe valltarësh nga grupet foklorike, ansamblet dhe qendrat kulturore brenda vendit dhe nga trojet shqiptare jashtë vendit. Në natën e parë përshendetën festivalin grupi nga Tirana “Visaret e Krrabës” drejtuar nga fokloristi Ilir Selba, grupet e ftuara nga Maqedonia, grupi i valleve nga Çegran, grupi Shoqërisë Kulturore “Jahi Hasani” nga Gostivari. Në datën 24.10.2015 mbyllet nata e dytë e Festivalit Tipologjik të Valles Burimore. Në konkurim ishin : Gjirokastra e përfaqësuar nga grupet e valleve të bashkisë së Dropullit dhe ai i valles labe nga Antigonea, Kukësi përfaqësohej nga grupi i valleve të Hasit dhe grupi i valleve të qarkut të Durrësit. Gjithashtu, në këtë natë përshëndetën festivalin grupet e ftuara nga Kosova, Gjilan dhe AKV “Agim Ramadani.

Juria e përbërë nga: Mjeshtër i Madh, Rexhep Celiku, Mjeshtër i Madh, Liljana Cingu, Gerti Drogu, kompozitor, Nikoleta Allkanjari, violinist, mësuese-mjeshtre, Rovena Dhima, mësuese e talentuar e edukimit fizik me profesionizëm të lartë, si rrallë herë, shpallën:

Fitues i Edicionit të tetë të festivalit, Qarkun e Lezhës

Mirëseardhjen e festivalistëve e dha nënkryetari i Bashkisë, z. Gentian Nushi, i cili theksoi rëndësinë e këtij festivali të ideuar dhe realizuar nga i madhi i letrave shqipe dhe kinematografisë kombëtare, Vath Korreshi. Vlerësoi lart historinë e qytetit të kongreseve dhe vlerave artistike me mbretëreshën e shqiptarisë, zonjën Vaçe Zela. Edhe drejtorja e Qendrës Folklorike, znj. Meri Kumbe duke theksuar pasurinë e pashtershme të kombit shqiptar dhe në veçanti të valles burimore popullore, ku dhe Myzeqeja ka vendin e saj të rëndësishme vlerësoi dhe çmoi qytetin tonë për këtë bashkëpunim sa të frytshëm e dinjitoz për kombin. Po cilat ishin të rejat apo risitë e këtij festivali? Sipas mendimit të pjesëmarrësve të qendrës Tiranë dhe lokale të Lushnjes, të jurisë së festivalit tepër korrekte, profesioniste dhe e saktë, të grupeve të valltarëve dhe drejtuesve të qarqeve përkatese janë: – Edicioni u organizua në një atmosferë festive nga të gjithë pjesëmarrësit para fillimit të shfaqjes në sheshin qendror të qytetit.

– U krijua një klimë e ngrohtë komunikimi, falë përkujdesjes së grupit të përbashkët të organizimit që artistët konkurues dhe përshëndetës të ardhur nga të gjitha trevat e banuara nga shqiptarë brenda dhe jashtë vendit të komunikonin me banorët vendas dhe orët para të fillimit të shfaqeve u kthyen në festa të vërteta popullore.
– Mjeshtri i Madh Rexhep Celiku, përmes emocionit dhe gëzimit për suksesin e festivalit do te shprehej se ndjehej krenar dhe I vleresuar, por dhe teper I pergjegjshem per ndarjen e cmimeve, të cilat jo vetëm nuk u kundërshtuan, por u miratuan nga duartrokitjet e gjata të publikut e sidomos të artisëve konkurues të trevave shqiptare. – Mjeshtrja e Madhe Liljana Cingu, kyetarja e jurisë tha: “Ky festival tipologjik është një kontribut në ruajtjen dhe zhvillimin e valleve popullore burimore, i konceptuar dhe realizohet mbi disa kritere shkencore përcaktuese për ruajtjen dhe transmetimin e pastër të këtyre vlerave, dhe theksoi me patetizëm se jam mirënjohëse ndaj Lushnjes dhe kombit”. – Nënprefekti i Lushnjes,zoti Ilir Dervishi, me qytetari, në fjalën e tij përshendetëse për vendin e dytë Durrësit, do të shprehej krahas vlerësimit dhe arritjeve të padiskutueshme të artistëve, organizatorëve, komunitetit, duartrokitjeve të zjarrta të publikut lushnjar, nënvizoi se ishte krejtësisht e pafalshme dhe e dënueshme, që për të dytin vit rresht qarku më i madh i Shqipërisë, ai i Fierit, por dhe vetë Lushnja, me trofe të shumta në veprimtaritë e këtij lloji, si vend organizator, nuk merr pjesë në këtë eveniment të rëndësishëm kombëtar. Quo vadis??!!(Per me shume fotografi shih ne Facebook)

Filed Under: Kulture, Reportazh Tagged With: Engjell zerdelia, i folklorit shqiptar, Lushnja dy ditë kryeqytet

VETEVENDOSJA:Zhvatja përmes autostradës nuk e mbulon dot ‘Zajednicën’!

October 25, 2015 by dgreca

Koalicioni i Rashkës PDK-LDK-Srpska, për ta tërhequr vëmendjen nga gjendja që ka krijuar duke mbrojtur me çdo kusht ‘Zajednicën’ ka filluar të shpikë ngjarje sa për ta aktruar normalitetin. Qenka përuruar autostrada që lidhë Prishtinën me Shkupin? Jo, në fakt, u mblodhën dhe festuan për përfundimin e ‘një segmenti’.
Ky koalicion për ‘Zajednicën’ zbulon brishtësinë e tij pikërisht tek çështjet ku pretendon të prezantojë tregime suksesi. Isa Mustafa duke u krekosur tha se “ky qenka udhëkryqi më i madh në rajon”. Autostradat e ndihmojnë zhvillimin, kur ato shërbejnë si ulje e kostos për eksportin e mallrave të prodhimit vendor. Por, në kushtet e nivelit të ulët të eksportit, ato veçse ndihmojnë në rritjen e bilancit negativ tregtar. Përderisa në fushatë zgjedhore partitë e koalicionit gënjenin popullin duke premtuar herë 120 mijë e herë 200 mijë vende pune, tash krenohen që Kosova po bëhet treg e vend tranziti për mallrat e huaja, duke i dhënë me këtë rast tender prej 600 milionë euro korporatës Bechtel-Enka, e cila më herët na i fshiu një miliardë euro për asfaltin që shkoi sa trefishi i çmimit të tregut.
Projekti 600 milionësh për autorrugën Prishtinë-Shkup është në përputhje të plotë me logjikën që e ka përcjellur procesin e dialogut me Serbinë. Kjo Qeveri është formuar për të shërbyer si instrument për interesat e huaja: qoftë të korporatave të huaja që marrin tenderë apo privatizojnë pasuritë publike, të mallrave të huaja që po ua shtrojmë rrugën, apo të shteteve fqinje që po u japim territor.
Pa fabrika tonat, autostradat tona nuk janë tonat. Në autostradën “Arbën Xhaferi” do të kalojnë 20 herë më shumë kamionë me mallra të Maqedonisë për në Kosovë sesa anasjelltas. Arbën Xhaferi po rrotullohet në varr nga përurimet e kësaj qeverie kuislinge.

25 tetor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Filed Under: Politike Tagged With: ajuzon, Qeverine, vetevendosja, zhvat me autostrade

SINONIMET E NJË SHPIRTI TË TRAZUAR

October 25, 2015 by dgreca

Shënime rreth vëllimit poetik “Ekstremume ”,të Hamdi Skejës/
NGA PËLLUMB GORICA/
Të shkruash për librin e parë të një një autori, do të thotë ta rivendosësh atë në një konteks vlersues me të tjerët. Jemi të ngopur me qindra libra dhe letrarë, por risitë që sjellin ata janë të pakta. Në labirinthet e pafundme të shprehjes së ndenjave poetike, mendimi kritik duhet ta thotë fjalën e tij. Po botohen vepra letrare mediokre, e pa asnjë vlerë artistike, por edhe me tematikë të përsëritur, pra një nivel i ulët i artit, sepse nuk mund të vlersosh një libër nga ana e jashtme: kopertina, cilësia, titulli, emri. Ajo është si fasada e një ndërtese, por pa kushte komode jete. Impakti i parë, dashuria për të fillon kur e shfleton. Dhe është kënaqësi kur lexon një libër të mrekullueshëm si ky i Hamdi Skejës, duke zbuluar pak nga pak vlerat e tij shpirtërore dhe poetike.
Janë disa fakte që e bëjnë më të këndshme leximin e vëllimit poetik “ Ekstremume ”, të Hamdi Skejës.
-Përputhja midis ndjenjës dhe arsyes,për të krijuar një realitet të besueshëm poetik. Arsyeja dhe ndjenja që e kompensojnë njëra tjetrën, ku shpesh atë që le mangët apo nuk e rrok arsyeja si koncept logjik e kompenson, ndjenja, emocioni, pasioni e vrulli shpirtëror. Shpesh herë thotë Xhefersoni “ Zemra ka arsye që arsyeja nuk i njeh “ Kjo nuk ndodh me vëllimin në fjalë.
-Vëzhgimi zhbirues, intim i një realiteti jetësor, që çdo sy i zakonshëm mund të rrokë. Zhbirimi poetik i mjedisit vjen natyrshëm nëpërmjet një njohje, një detaji të elemeteve të natyrës, dhe kthehen në vargje frymëzuese përmes një sinqeriteti krijues intim.
-Peizashi i dashurisë, që është mbizotërues në vëllimin poetik “ Ekstremume ” mbeshtetet në një peizash të koklavitur përpjekjesh e pasionesh, ku i pari shërben si ndriçim i të dytit, e i dyti shërben si ushqim për të parën.
Por,të tre këto motive realizohen jo vetëm nëpermjet një gjetje të qelibartë poetike, edhe në konceptin real, intim e simbolik të mjedisit jetësor. Ajo që e dallon poetin Hamdi Skeja është edhe një tjetër veçori, guximi për të rrokur tema, problematika e fenomene të vogla në dukje, por që në fakt janë oksigjen që ushqejnë jetën. Duke shfletuar në detaje vëllimin poetik “ Ekstremume ”, të Hamdi Skejës takohemi artistikisht në një mozaik shpirtëror, i cili është rrethuar nga mistere ndenjash që kërkojnë një çelës për t’i zbërthyer ato. Çdo krijim i tij flet për një emocion, për një enigmë ndenjash, por, edhe një mbështjellje shpirtërore. Autori zbulon përmes figurës, idesë, mendimit, e muzikalitetit të vargut, shpirtin dhe botën e vet. Detajet jetësohen e herë abstragohen nëpërmjet një figuracioni dhe lartësohen të konkretizuara ndjenjërisht, duke lidhur reciprokisht arsyen e shëndoshë. Por ato herë kanë një masë të caktuar mendimi dhe herë një limit të tillë të kapërcyer gjithashtu. Edhe kur poeti duket sikur bën lojë fjalësh, ai prap nuk i largohet ndjesisë dhe rregullit poetik.
Nga pesë ciklet e ndara të vëllimit poetik, “ Ekstremume ” të Hamdi Skejës, ai për dashurinë është më i ndjeshmi, më i arriri artistikisht, me një sensibilitet njerzor që të bën ta duash jetën në çdo qelizë të saj. Për autorin ndjenja e dashurisë është zbukurimi i shpirtit. Jo me kot poeti një cikël të bukur poezish ia dedikon kësaj ndjenje, që në shekuj ka ‘‘mposhtur’’ njerëzimin. Përmes një aliteracioni të fuqishëm, ku gjithmonë urëlidhëse është ndjenja dhe arsyeja poetike, autori mundohet të përputhë ekstremitetet e të lartësojë portretin e dashurisë së vërtetë: “ Dashuroj Dashurinë e dashurisë/Përjetoj përjetimin e përjetësisë ”.
Është kjo dashuri jetike, e domosdoshme për vazhdimësi e arritje fitoresh, se ndryshe “ Vdes vdekjes së vdeksisë ” e nuk mund të “ Ringjallesh prej ringjalljes së dashurisë! ” Burimi i ngadhënjimit e i mposhtjes së gjithçkaje të keqe në jetë, është vetëm një, dashuria, sepse siç thotë dhe poeti kur ai është “ Plakur prej dhimbjes ” së plagëve të jetës, përsëri është rinuar dhjetëfish nga puthja dashurore. Poeti abandonon çdo pengesë, çdo vështërsi e përshtirosje për të shijuar deri në fund bukurinë e jetës, dhe “ Prangat e dashurisë ” i duron “ sepse ato nuk e lenë të jetë rob i vetmisë ”.
Në ciklin tjetër me një titull mjaft të gjetur “ Rrugë kotësie ”, poeti thekson se në labirintet e jetës gjen edhe trishtim, pakënaqësi, urrejtje, mosrelizime, që nuk është e lehtë për tu përballuar. Me mendje dhe zemër, me këmbë dhe me shpirt, poeti ecën në “ Rrugë kotësie ” pushon pak “ Në lëndinën e fatit të zi ” përballet me “ Zhgënjime të rënda të jetës ” dhe trishtohet përsëri kur nuk arrin të shoh dritë në shpirt. Poeti shtjellon praninë e mendimit, se është kotësia një element i kësaj bote që herë të çmend me mendësitë e kulluara, herë të mbyt me prapësi budallallëqesh kotsie. Ndaj dyshues poeti pyet “ Çdreq bote është krijuar me kështjella padrejtesie ” retorike kjo që të kujton dyshimin hamletian “ Që të rrosh apo të mos rrosh, kjo është çeshtja ”, në “ Këtë botë të çthurur pa moral.” Edhe kur ndonjëherë atë e mbulon pesimizmi, ai shpejt ngrihet mbi ndjenjat dhe nostalgjitë, mbledh forcat për ta shijuar jetën gjer në fund në çdo grimcë të saj. Jeta shpeshherë nuk është ashtu siç shkruhet,por ashtu si merr frymë, ashtu si bie ose lartësohesh, ashtu si qan ose si qesh. Janë pikërisht, të pashkruarat e jetës që të bëjnë të meditosh, të vuaj apo si gëzohesh. Sepse ndodh që gjatë përplasjes me dallgët e realitetit i “ Shembet çatia e ëndrrave ” humbet disi fillin e udhëtimit për ku je nisur,dhe bie në një plogështi, por ai as vet nuk do ta pranojë kur deklaron “ Si eca kështu, pa zbuluar kush jam, çfarë kam në shpirt ”. Poeti endet në rrugët bardhë e zi të jetës, të kuqe e të gjelbër, dhe kërkon të kap të bardhën e të braktisë të zezën, megjithatë fati e katandis në honin gri“ E kuqja e shpirti e gjakosur dhe gri dhimbja e prarosur ” – shkruan ai…
Mbas ciklit të dytë “ Rrugë kotësie ” poeti dikur e mbledh veten, mposht dhimbjen dhe trishtimin, hallet e paudhësitë, e pasi është rrëzuar “ Kalldrëmeve të dhembjes ” del në një horizont plot dritë e thërret i ngazëllyer “ Mbijetova ” duke gdhendur si një diçiturë të një ardhmërie plot shpresë vargjet: “Kur u ktheva në fillin e shpresës / për jetën u shërova …/ Mbijetova! ”
Natyrisht kjo poezi dhe të tjera i ngrenë hymne shpresës. Ato janë edhe refleksionet e mozaikut të ndenjave. Thërrmijat e tyre janë mbështjellë edhe me mëllef ndaj padrejtësive të kohës. Tek poeti ndjehet ky zhgënjimi për kohën që po jetojmë, e cila shmang vazhdimisht humanizmin, dhe është e parapanushme si bota e “ baltëzimit ” siç e quan ai. Sipas poetit, baltëzimin se duron as gëzimi as mjerimi, as vdekja, as mashtrimi. Thirrja e poetit është e thjeshtë dhe e sinqertë; “Mos baltëzo! ” Ndaj ai përherë ngre një piedestal shqetësimi kujdestar : “ I baltëzuari baltëzon, gëzimin dhe mjerimin përballë njerzimit.”
Poeti e mbyll vëllimin poetik me ciklin “ Rrënjët e mija ”ku bën jo vetëm një sintetizimin të një jete që iku, por dhe jep idenë e vazhdimësisë së traditave e ripërtëritjen e brezave. Diku gjen vargje të dobëta, prozaizëm pa figuracion, por ka dhe vargje që të frymëzojnë, të ngjallin nostalgji e njerzillëk, kur shkruan; “ Tek molla s’vijnë më burrat e vjetër/ të ulen këmbëkryq si dikur/, trishtueshëm erdhi një kohë tjetër / e vend të mollës është vënë një gur. ”
Autori, duke u shkrirë në rrëfimet poetike, që i ka bërë pjesë të vetvetes, tregon lidhjen me vendlindjen, hyn dhe bisedon me të, e “Shtëpinë, më se gjej si atëherë”, por shton idenë se familja është gjëja më e shtrenjtë në jetë dhe çel lulet e rëndësishme të shoqërisë. “ Ti ëndrra, qënia, shpirti im, /falë teje jetës i vura emrin gëzim.”
Më mirë se kaq nuk mund të përshkruhet lidhja midis brezave e traditave, përkushtimi familjar, lufta e vazhdueshme për të mbajur ndezur prushin e tyre.
Para se ta mbyllim këtë analizë ta shkurtër për vëllimin poetik “ Ekstremume ”, mund të përmendim disa të meta, që nuk ja zbehin vlerat poezisë të Hamdi Skejës. Së pari, poeti mund t’i shmangej deri diku rënjes në një pesimizëm e fatalizëm të pajustifikuar, në disa raste deri në ekstrem si : “ eca me ç’fat …”, “ fati im është pa fat…”, etjer. Së dyti, në mjaf raste ka përsëritje mendimi, ndjenjash e ide në të njëjtat poezi, ku fare mirë mund të vendosej në libër vetëm njëra nga ato. P.sh mendimi i të shprehurit tek “ Pesha e natës ” është përsëritur edhe tek poezia “ Zhgënjimi ” ashtu siç ndodh në anologjinë midis poezive të tjera. “ Rrugë e trishtuar ” dhe “ Ma thoni ”. Ka ndonjë poezi të varfër artistikisht si “ Mall mërgimtari ” ku poeti ndoshta, duke mos e njohur në intimitet kalvarin e kurbetit, që nuk po i ndahet edhe sot shqiptarëve, bie në prozaizëm e folklorizëm, kur shkruan vargjet si : “ Mërgimi më ka drobitur as gjumi i natës s’më zë ”. Por në përgjithësi poezitë kanë një figuracion origjinal të mbushur me metafora e krahasime djaloshare, që të mbeten në mendje. Mbisundon vargu koçiz, me idenë kryesore që përshkon, se kjo jetë ka nisur e do vazhdojë midis ekstremiteteve dhe vazhdimsisë së brezave, gërshetimit të madh të arkaikes me modernen, dhe se të jetosh nuk është thjeshtë luftë, por dhe fat.
Një moment tjetër në këtë vëllim poetik, janë vlersimet modeste të miqve për figurshmërinë e kësaj poezie befasuese, që është një përpjekje për të ndërtuar ndërmjet tyre sinonime, e për të vështruar të vërtetat e padukshme dhe të prekshmen njerzore. Rruga e zbërthimit të tyre natyrisht është një qëllim në vetvete, i dimesioneve të shpirtit, dhe një kredo për autorin.
Ne i urojmë autorit libra të tjerë po kaq të bukur, dhe vëllimit poetik “Ekstremume” rrugë të mbarë në duart e lexuesëve.

Filed Under: LETERSI Tagged With: "Ekstremume ”, Pellumb Gorica, të Hamdi Skeja

Kosova po lëviz përpara

October 25, 2015 by dgreca

PRISHTINË, 25 Tetor 2015/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan: Sot isha i nderuar me pjesëmarrjen inauguruese të segmentit të parë të Autostradës “Arbën Xhaferi”.
Infrastruktura rrugore është shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik përmes së cilës rritet cilësia e sistemit të transportit, mundësohet qarkullimi i njerëzve, mallrave dhe kapitalit. Rrjedhimisht, investimet në infrastrukturën rrugore siç janë Rruga e kombit që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe autostrada “Arbën Xhaferi”, ndikojnë në zhvillimin ekonomik, standardin e jetës dhe konkurrencën ekonomike.
Sot u lëshua në qarkullim një segment autostrade, ndërsa pas pak ditësh, hapim zyrtarisht rrugëtimin historik të perspektivës evropiane për Kosovën duke nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe mëpastaj, liberalizimin e vizave. Këto janë argumente se Kosova po lëviz përpara, duke dëshmuar se është faktor stabiliteti në rajon, partner kredibil i bashkësisë ndërkombëtare dhe partner i besueshëm në marrjen e detyrimeve ndërkombëtare.
MSA-ja e rikonfirmon fuqishëm përcaktimin e qytetarëve të Kosovës dhe qasjen tonë integruese për komunitetet, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike e politike, kështu bashkërisht ta kemi vendin tonë të merituar brenda familjes evropiane.
Të gjithë atyre që do ta shfrytëzojnë këtë autostradë, ju dëshiroj rrugëtim të mbarë, të sigurt dhe me fat. Po ashtu, përgëzoj autoritetet qeveritare për investimin e tyre dhe punëkryesit e këtij segmenti të Autostradës.
Kjo Autostradë, mban me plot meritë emrin e Arbën Xhaferit, mendimtarit dhe politikanit që besonte në fuqinë e komunikimit të lirë, në rrugët që lidhin popujt dhe që thyejnë paragjykimet, që sjellin zhvillim për shtetet dhe popujt e këtij rajoni./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, kosova, po lëviz përpara, Veseli

LUAN SHKURTA, IA KUSHTOI TËRË JETËN SHKOLLËS DHE DIJES

October 25, 2015 by dgreca

Nga Prof.Murat Gecaj*/
Mësuesi i palodhur Luan Rushit Shkurta,tërë jetën ia kushtoi shkollës dhe dijes. Punën e arsimtarit e filloi, kur ende s’i kishte mbushur të tetëmbëdhjetat dhe e vazhdoi atë për mbi 40 vjet me radhë. Punoi me përkushtim, mësues dhe drejtues në shumë shkolla të Përmetit. Kudo që shërbeu e jetoi, la pas emrin e mësuesit dhe drejtorit novator e tepër energjik.Ai ishte i lidhur ngusht me nxënësit dhe mësuesit. Me dijet dhe guximin e tij, theu barrierat dhe metodat e vjetra ,që e mbanin nxënësin ,mësuesin dhe prindin larg problemeve themelore të mësimit dhe edukimit.Kjo bënte që ai të arrinte rezultate të larta , kudo që punoi dhe të gëzonte miqësinë dhe respektin e tyre të përhershëm.
Luani lindi në Zhepovë të Përmetit, më 5 shkurt të vitit 1949, në një familje të nderuar, me tradita e kulturë. Mësimet e para i kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme pedagogjike e përfundoi në Tiranë. Për arritje të shkëlqyera, me të cilat ai u diplomua në këtë shkollë, emri i tij gjendej me shkronja të arta në qendër të kryeqytetit, ndërmjet maturantëve më të mirë të Shqipërisë, për brezin e tij. Motra e tij, Nafije Abazi ,që në atë kohë vazhdonte shkollën pedagogjike bashkë me të, tregon se e ndiente veten tepër krenare, që vëllai saj shkëlqente në të gjitha lëndët dhe që i ndihmonte pa u lodhur, jo vetëm atë ,por të gjithë shokët dhe shoqet e shkollës.
Krahas punës së përditshme në profesionin e mësikmdhënësit, Luani i nisi studimet e larta në degën histori-gjeografi, pranë Universitetit të Tiranës, të cilat i përfundoi me rezultate të mira.Falë këmbnguljes , aftësisë së vëçantë për të mbajtur mend dhe mundësive, që iu krijuan për të punuar e jetuar në disa vende të botës , ai mësoi të flasë dhe të shkruajë lirshëm gjuhën greke dhe italiane. Njohja e përsosur e këtyre gjuhëve të huaja dhe temperamenti i veçantë i tij,bënë që ai të krijonte një shoqëri të gjerë edhe përtej kufijve të vendit.
Kush jetoi dhe punoi bashkë me të dhe nuk iu gëzua miqësisë dhe shoqërisë së tij të rrallë. Kush u mat me Luanin dhe nuk e ndjeu veten “të mundur” nga forca e logjikës,puna e palodhur dhe pathyeshmëria e karakterit të tij ,për të kapërxyer çdo pengesë dhe vështirësi. I lexuar dhe me një kujtesë të jashtëzakonshme, ai kishte gjithmonë një këshillë optimiste për këdo që takonte. Luani ishte burrë i pamoshë dhe energjik, ndaj pleqërinë nuk e provoi kurrë.
Por, fatkeqësisht, pas një sëmundjeje të pashërueshme,pikërisht natën e 14 tetorit të këtij viti , mësuesi dhe edukatori i paharruar, Luan Shkurta u nda përgjithmonë nga jeta.Ishte e vështirë t’i thoshe “lamtumirë”, sepse ai kurrë s’do ta pranonte atë! Megjithatë , me qindra ishin njerëzit, që kishin ardhur për ta përcjellur për në banesën e fundit, nga brenda dhe jashtë vendit.
Udhëtoi për 18 orë ,nga Italia në Shqipëri,për të dhënë shpirt i qetë, në vendin e shtëpinë e tij, në tokën amtare. I bindur se la pas gruan e tij fisnike dhe të fortë, Trëndelinën ,tre fëmijët e mrekullueshëm, Almën,Cenin dhe Kelën ,si dhe shumë nipër e mbesa, që i donte dhe e donin aq shumë! Me humbjen e tij, fëmijëve do t’u mungojë babai i tyre i shtrenjtë dhe udhërrëfyesi për të ndjekur drejtimin e duhur në jetë. Bashkëshortes do i mungojë krahu i saj i djathtë, motrave e vëllezërve vëllai i madh, që dinte t’u qëndronte pranë, në ditë të mira e të vështira,ndërsa shkollës dhe arsimit, por dhe prindërve të nxënësve, mësuesi dhe drejtuesi i përkushtuar.
Luan Shkurta la pas emrin e tij të mirë .Ndaj,nga goja e të gjithë atyre, që e njohën, del ngushëllimi kuptimplotë: Qoftë i paharruar përjetë!
Tiranë, tetor 2015
—————————————–
(x)Sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë

Filed Under: ESSE Tagged With: Luan Shkurta, Murat Gecaj, nderroi jete

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 104
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT