• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2015

Kosovë- Gazi lotësjellës në Kuvendin e Kosovës – DEMOKRACI NE TYM….

October 8, 2015 by dgreca

-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga- Dënojmë veprimet e papranueshme që shkaktuan ndërprerjen e punës së Kuvendit të Kosovës për të tretën javë me radhë/

-Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje grupit të deputetëve opozitarë që t’i japin fund dhunës dhe çfarëdo veprimi në kundërshtim me interesat vitale të qytetarëve, të shtetit si dhe partneritetin e çmuar të Republikës së Kosovës me SHBA-të dhe vendet e BE-së/     

-Opozita: Vazhdojmë përpjekjen për të mbrojtur Republikën, pa kompromis. ‘Zajednica’ nuk kalon!/

– Deputetë të opozitës kanë hequr “mbulojat” e muraleve. Mëse 11 vite pikturat në Kuvendin e Kosovës ishin të mbuluara/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Tetor 2015/ Gazi lotësjellës i hedhur nga opozita  ka përfunduar seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, me ndërprerje e bllokata, në rrethana që mund të cilësohen edhe të jashtëzakonshme.Në sallën e seancës së Kuvendit, opozita ka hedhur gaz lotësjellës,  dhe më pas kryesuesi i seancës Xhavit Haliti tha se “me kaq seanca përfundon”.Deputetes Flora Brovina i është dhënë ndihma e parë mjekësore në ambientet e Kuvendit, ku është hedhur gazi lotësjellës. Edhe deputetja Blerta Deliu është shoqëruar për në automjetin e ndihmës së parë mjekësore. LVV konfirmoi hedhjen e gazit lotësjellës.

OPOZITA: ‘ZAJEDNICA’ NUK KALON, MBAJTJA E SEANCËS ISHTE PROVOKIM

“Përkundër përpjekjeve të pozitës që të vazhdojë seancën edhe në kushtet kur Kosova po defunksionalizohet nga veprimet e qeverisë, opozita pamundësoi një gjë të tillë. Plani i Kadri Veselit nuk u realizua. Opozita vazhdon përpjekjen për të mbrojtur Republikën, pa kompromis. Gazi lotësjellës që u hodh në Kuvendin e Kosovës është marrë nga aktivistët tanë gjatë protestave të janarit, kundër Jabllanovicit. Kjo ishte një nga qindra bombolat e gazit që janë hedhur mbi ne në ato protesta, por që nuk ka shpërthyer. Aktivistët e kishin gjetur në rrugë. Sot deputetët e përdorën atë bombolë.‘Zajednica’ nuk kalon!”, deklaroi LVV, subjekti më i madh opozitar.Mbajtja e seancës së Kuvendit ishte provokim , deklaroi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.Sipas kësaj partie opozitare, shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës, që është nën dikatatin e Qeverisë dhe të Kryeministrit, është përgjëgjëse për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës.

“Përpjekja e tyre, për ta zhvilluar senacën sikur gjithcka është normale, është një provokim i hapur për opozitën dhe një përpjekje për t’i  shmangur dështimet e kësaj shumice”,  u shpreh AAK.

“Qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se shfaqja e sotme në Kuvend nuk është zgjedhje e opozitës, por veprim i domosdoshëm”, vijoi më tej.

 “Ne vazhdojmë të jemi të palëkundur në kundërshtimin e dy dështimeve historike të kësaj qeverie, siç janë Demarkacioni dhe Asociacioni.

Prandaj e ftojmë shimicën parlamentare dhe liderët e tyre Mustafa e Thaçi, që t’i japin vendit zgjidhje dhe gjithçka të rikthehet në normalitet. Në të kundërtën ata do të jenë përgjegjës për eskalimin e mundshëm të situates”, thekson AAK në deklaratën e dërguar.

ISHIN PARASHIKUAR TË SHQYRTOHEN NËNTË PROJEKTLIGJE

Në njoftimin zyrtar të Kuvendit të Kosovës behet e ditur se “sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, nuk ka mundur të vazhdojë seancën e rregullt plenare për shkak të bojkotimit të saj nga partitë opozitare dhe ‘Lista Serbe’. Në këtë seancë plenare, ishin parashikuar të shqyrtohen nëntë projektligje”.

“Deputetët e partive opozitare: Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, edhe në tri seancat e kaluara plenare e kanë bojkotuar vijimin e punimeve. Ato insistojnë se pa tërheqjen e nënshkrimit të kryeministrit Mustafa nga marrëveshjet e Brukselit me Serbinë dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk do të lejojnë vijimin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në faqen zyrtare te Kuvendit.

VESELI: NUK ËSHTË SITUATË DRAMATIKE

Përkundër këtyre zhvillimeve, të bllokimit të Kuvendit nga opozita, kryeparlamentari Veseli me tone qetësuese duke folur para medias tha se “nuk është situatë dramatike dhe është shumë e qetë”, megjithatë theksoi se “është një situatë që më së paku i duhet Republikës së Kosovës”. Kryeparlamentari Veseli ftoi qeverinë që të shkojë në Kuvend. “Qeveria duhet të vijë në Kuvend”, u shpreh ai.

Në fillimin e seancës së Kuvendit të Kosovës sot nuk ishte Lista Serbe. I pyetur lidhur me këtë, kryeparlamentari Veseli tha se “nuk kam ndonjë qëndrim zyrtar të Listës Serbe, është e vërtetë se nuk është në seancë”.

Ndërkohë, pas pushimit të zgjatur, seanca ka nisur rivazhdimin mes fërshëllimave të opozitës dhe e kryesuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, nga ulësja e deputetit në sallë e jo e keyesuesit. Në vendin e tij të kryesimit të seancës, brenda në sallë, ishte kryetari i Kuvendit, Veseli, i cili sqaroi se nënkryetari Haliti është kryesuesi i seancës në këto momente. Lista Serbe shihej se tash pas ndërprejes së zgjatur po merrte pjesë në seancën e Kuvendit.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e kësaj jave, të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, ku për herë të dytë nuk mori pjesë opozita, ka ftuar për sot seancë plenare të Kuvendit, gjatë të cilës “do të shqyrtohen pika të papërfunduara nga mbledhjet e kaluara”, të pamundësuara e ndërprera nga opozita, që nga fillimi i sesionit vjeshtor.

“10 minuta pushim brenda” dha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i “rrethuar” nga opozita ende pa filluar seanca, dhe i ftoi mediat që të hyjnë në sallën e seancës te fotorja – “nga lart të vijnë poshtë”… Në sallën e seancave opozita fërshëllen derisa kryeparlamentari flet para medias në sallë dhe jep përsëri “pushim gjysëm ore”.

“Nuk do të lejojmë që nga Kuvendi të promovohen konflikte”, u shpreh kryeparlamentari Veseli që mezi dëgjohej nga fërshëllimat e opozitës. Ndërsa, opozita në sallë para mediave përsëriti qëndrimin “ose tërheqje nënshkrimesh nga 4 marrëveshjet me Serbinë e marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, ose dorëheqje të qeverisë”.

JANË HEQUR “MBULOJAT” E MURALEVE NË KUVENDIN E KOSOVËS

Ndërkohë, deputetë të opozitës në një “aksion simbolik” kanë hequr “mbulojat” e muraleve në Kuvendin e Kosovës, para seancës së ftuar për sot.Ka mëse 11 vite që pikturat në Kuvendin e Kosovës fshihen prapa pëlhurës.“Skënderbeu”, “Lidhja e Lezhës” dhe “Lidhja e Prizrenit”, janë tri nga disa muralet që u vendosën më 2004 në muret e hollit e në sallë, pas renovimit të objektit të ligjvënësve. Por “ekspozita” e tyre nuk zgjati shumë. Vendimi për mbulimin e tyre u mor në kohën kur Nexhat Daci ishte kryetar i Kuvendit, pas disa ankesave të deputetëve serbë.

DEKLARATA POZITË-OPOZITË GJATË NDËRPRERJEVE TË SEANCËS

“Veprimet e opozitës janë një tentativë për të bllokuar shtetin e Kosovës”, deklaroi për median për zhvillimet në Kuvend shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ai shtoi se pakica, 30 deputetë po bllokojnë shumicën prej 90 deputetëve.

“Ne kemi protesuar dhe vazhdojmë të protestojmë kundër qeverisë dhe marrëveshjeve të saj të dëmshme për Kosovën”, deklarojnë deputetë të opozitës për median jashtë sallës së Kuvendit, derisa ende nuk kishte vazhdim seance.

VAZHDON KUNDËRSHTIMI DHE BLLOKADA NË KUVEND QË NGA FILLIMI I SESIONIT VJESHTOR

Në axhendën zyrtare për seancën e Kuvendit të Kosovës për sot ishin renditur 9 pika. Në kundërshtim të katër marrëveshjeve me Serbinë të 25 gushtit dhe të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, opozita në Kuvendin e Kosovës edhe po bojkoton mbledhjet e Kryesisë me shefat e prupeve parlamentare edhe mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Kundërshtimi brenda Kuvendit nisi dhe vazhdoi me “aksione simbolike” protestuese në sallën e seancave plenare. Raportimi i qeverisë së Kosovës lidhur me katër marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015 ishte në axhendë në seancat e 17 e 22 shtatorit.

Në seancën e parë nuk ishin të pranishëm raportuesit dhe koalicioni qeverisës kërkoi shtyrje, por opozita me bllokim nuk lejoi votimin për këtë kërkesë as vazhdimin me pikat e tjera të axhendës.

Në seancën e dytë të Kuvendit të Kosovës, që u shpall e mbyllur pas disa ndërprerjeve e pa u zhvilluar, pati edhe gjuajtje vezësh nga opozita drejt kryeministrit sapo ai nisi raportimin.

Edhe rivazhdimi i seancës së parë të sesionit vjeshtor, të enjten, në 1 tetor, u pamundësua nga protesta e opozitës, edhepse nuk ishte në axhendë raportimi i qeverisë për marrëveshjet. Në këtë situatë, seanca e Kuvendit të Kosovës, e radhitur si e treta e sesionit vjeshtor, që ishte në axhendë të mbahej të premtën e 2 tetorit, është anuluar.

Opozita e bashkuar në Kosovë ka bërë të ditur se ka mbledhur më shumë se 160 mijë nënshkrime në peticionin ku kërkohet që “qeveria të tërheqë menjëherë nënshkrimin nga katër marrëveshjet me Serbinë të datës 25 gusht 2015 si dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi”.

Lëvizja Vetëvendosje të martën njoftonte se, kryeministri Isa Mustafa “është gjuajtur me vezë nga aktivistët në Podujevë”. “Policia ka arrestuar dhunshëm dy aktivistë të Lëvizjes”, shtohej më tej për ngjarjen në shesh në manifestimin tradicional “Dita e Mjedrës”, ndërsa LDK ka reaguar lidhur me dënimin nga gjykata me këtë rast të gjuajtjes me vezë, duke u shprehur se, “vlerëson se dënimi prej 150 eurosh për një sulm të përsëritur ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës, është një lloj inkurajimi dhe nxitje për vazhdim të formave të tilla të sjelljes”.

Ndërsa, vetë kryeministri Mustafa mbrëmë në ‘facebook’ është shprehur mes tjerash se: “Çmimi më i lartë që do të paguani për jetën e Kryeministrit është 150 euro. Aq më tepër ky çmim është në veresi. Sepse Gjykata ju pret, kurse ju mund të ankoheni. Kjo është fytyra e drejtësisë sonë. Turpi ynë!”.

Nuk ka pasur ende ndonjë njoftim për ndonjë masë për gjuajtjet me vezë në seancë Kuvendi nga deputetë të opozitës.

“Opozita e vendosur të mos lejojë zhvillimin e seancës”, është sot një nga titujt e ballinave të shtypit kosovar, ku theksohet se, “sipas skenarit të njëjtë pritet të zhvillohet edhe vazhdimi i katërt i seancës së parë plenare të sesionit vjeshtor, i caktuar për të enjten”.

Megjithëse zyrtarisht nuk dihen veprimet që do të mund t’i ndërmarrë kryeparlamentari Kadri Veseli, një burim i gazetës brenda Kuvendit ka thënë se nuk janë diskutuar veprimet që mund të jenë “ndryshe” prej seancave të kaluara, shkruan sot Koha Ditore.

Por, as këtë herë nuk do të mungojnë përpjekjet e Veselit që përmes dialogut ta kthejë normalitetin në Kuvend, ashtu siç ka vepruar në tri seancat paraprake.
“Nëse pamundësohet puna duhet ndërprerë seanca. Janë deputetët që e kanë çelësin e zhbllokimit të kuvendit”, ka thënë burimi. “Megjithatë kjo gjendje nuk pritet të shkojë në pafundësi, por se kur do të futen masat e jashtëzakonshme ende nuk është vendosur”.
Por, opozita e ka bërë të qartë se do të vazhdojë bllokimin sikur në tubimet e kaluara.

 PRESIDENTJA JAHJAGA DËNON VEPRIMET E PAPRANUESHME NË KUVENDIN E KOSOVËS

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në një deklaratë dënon veprimet e papranueshme që shkaktuan ndërprerjen e punës së Kuvendit të Kosovës për të tretën javë me radhë.

Presidentja Jahjaga tha se këto veprime të deputetëve të opozitës janë të shëmtuara dhe në kundërshtim me praktikën demokratike dhe sjelljen institucionale të cilën po mëtojmë ta ndërtojmë.Presidentja Jahjaga fton deputetët e Kuvendit të Kosovës të distancohen nga dhuna, respektojnë institucionet që janë ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë, përfshirë me sakrificën e tyre personale. Mospajtimet konceptuale dhe politike duhet të diskutohen me forcën e argumentit dhe kulturës parlamentare, shprehet ajo.Presidentja Jahjaga thekson se qytetarët e Kosovës presin nga të zgjedhurit e tyre, si në pozitë dhe në opozitë, që të  avancojnë proceset e konsolidimit të Republikës së Kosovës, e jo t’i shndërrojnë ata në spektatorë të tensioneve, krizave dhe bllokadave të vazhdueshme që pengojnë përparimin e Kosovës dhe rrezikojnë mirëqenien e qytetarit.

  QEVERIA E KOSOVËS SHPREH KEQARDHJE PËR DHUNËN  SOT NË SEANCËN E KUVENDIT

 Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për dhunën që një grup i deputetëve të opozitës përdori sot në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku për pasojë disa deputetë morën lëndime dhe kërkuan ndihmë mjekësore, thekson komunikata e sapodërguar.Më tej theksohet se, përkundër kushteve ekstreme të krijuara nga dhuna e manifestuar nga ky grup i deputetëve opozitarë, megjithatë, falë vendosmërisë dhe përkushtimit demokratik të shumicës parlamentare, sot në Kuvend u miratuan disa projektligje me rëndësi për jetën e qytetarëve, të propozuara nga Qeveria e Kosovës.Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje grupit të deputetëve opozitarë, të cilët me sjelljet e tyre të dhunshme, në veçanti sot, tejkaluan çdo kufi të sjelljes institucionale dhe demokratike, që t’i japin fund dhunës dhe çfarëdo veprimi në kundërshtim me interesat vitale të qytetarëve, të shtetit si dhe partneritetin e çmuar të Republikës së Kosovës me SHBA-të dhe vendet e BE-së.     

Qeveria e Republikës së Kosovës, përkundër këtyre rrethanave, mbetet e përkushtuar për të përmbushur obligimet e saj ligjore dhe kushtetuese, si dhe për të qenë pjesë aktive e çdo debati parlamentar i cili do t’i kontribuonte zhvillimit ekonomik, shtetit ligjor dhe proceseve integruese euroatlantike të vendit.

  LDK: SHPREHIM SHQETËSIMIN DHE BRENGËN E JASHTËZAKOSHME PËR DHUNËN E USHTRUAR NË KUVEND

Lidhja Demokratike e Kosovës  në një komunikatë të sapodërguar shpreh shqetësimin dhe brengën e jashtëzakoshme për dhunën e ushtruar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në institucinon më të lartë përfaqësues të qytetarëve të Kosovës.Dhuna e tillë cënon interesat madhore të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.

Qytetarët dhe institucionet e Kosovës si shtet i ri kanë nevojë për punë dhe përkushtim.

Opozita duhet të heqë dorë nga bllokimi i dhunshëm Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe nga sjelljet primitive.

Edhe deputetët e opozitës kanë marrë votat e qytetarëve që të punojnë në interes të tyre dhe jo të rrezikojnë sigurinë e të rrënojnë institucionet e vendit.

LDK-ja mbështet deputetët e shumicës, të cilët me gjakftohtësi dhe dinjitet përballuan dhunën e ushtruar ndaj tyre dhe i falënderon ata për sjelljen e përgjegjshme.

LDK-ja shpreh keqardhjen e thellë për rrezikimin e shëndetit të deputetëve të Kuvendit dhe në veçanti të deputetëve Flora Brovina dhe Blerta Deliu-Kodra, përfundon komunikata.

Shenim i Diellit

DEMOKRACI NE TYM

Klasa politike ne Kosove ia shkele me te dyja kembet rregullat e Demokracise. Pas vezeve, i erdhi radha gazit lotsjelles ne Tempullin e ligjbersve. Kesaj i thohen demokraci ne Tym…

Kaq per kete here….

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, gaz ne Kuvendin, Kosove

NDESHKIM FATAL NE SHTESE, POR ENDRRA VAZHDON

October 8, 2015 by dgreca

TIRANË, 8 Tetor/Serbia ka fituar me rezultatin 2-0 ndaj Shqipërisë, falë dy golave të shënuar nga Kolarov e Ljajiç në minutat 91′ e 93′.Ndeshja ishte mjaft e fortë. Skuadrat dhanë gjithçka në fushë. kuqezinjtë mund ti gëzohen faktit se Portugalia mundi Danimarkën dhe tashmë na duhet vetëm një fitore në Armeni për tu kualifikuar në europianin e Francës, vitin e ardhshëm

-Mbyllet në barazim pa gola pjesa e parë mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për eliminatoret e kampionatit Europian të Francës.

Raste për gola ka patur nga të dyja krahët. Kuqezinjtë ishin mjaft agresivë, ndërsa lojtarët serb rrezikuan përmes kundra sulmeve.

Ndër rastet, që vlen për t’u thekuar ishte goli i anulluar për skuadrën nga Beogradi, e cila arriti të gjej golin përmes Ljajiç, por gjyqtari i takimit kishte ndaluar lojën disa sekonda më herët, pasi Tosiç shkaktoi faull në dëmë të Bashës.12067809_979719728738616_883068780_n

Lojtarët patën dhe fërkime mes tyre lidhur me këtë rast. Veç këtij episodi, në fund të pjesës së parë, Andi Lila ka mbetur i dëmtuar, ç’ka detyroi teknikun De Biasi të kryej dhe zëvendësimin e parë.

Lojtari mësohet të jetë dëmtuar në gjurin e majtë. Urojmë që kuqezinjtë të kenë një pjesë të dytë më të mirë.

Përpara fillimit të lojës u ekzekutuan himnet kombëtare të dy vendeve, ndërsa serbët shkelmuan topin e parë.

IMG_7119[1]Në një atmosferë elektrizuese, kombëtarja shqiptare do të kërkoj të marrë tre pikët e radhës në rrugën e saj drejt Europianit “Francë  2016”, teksa përfaqësuesja serbe do të bëjë të pamundurën për të ndalur kombëtaren tonë për të prekur ëndrrën europiane.

Trajnieri Xhani De Biasi ka përzgjedhur formacionin 4-4-1-1. Në portë Berisha. Në mbrojtje do të jenë Gjimshiti e Cana në qendër, Agolli e Hysaj në krah.

Mesfusha do të jetë e përbërë nga katërshja, Basha Xhaka në qendër, Lila e Lenjani në krah.Kryeministri Edi Rama ne stadimin Elbasan Arena Foto Agim Dobi

Trekuartist do të luaj Memushaj, teksa Balaj do të jetë i vetëm në sulm.

Tekniku serb,  Radovan Curçiç ka përzgjedhur formacionin 4-2-3-1. Stojkoviç, Tomoviç, Ivanoviç, Kolarov, S.Mitroviç, Tosiç, Milivojeviç, Matiç, A.Mitroviç, Tadiç, Ljajiç.

Këto rreshtime janë shumë të ngjashme, çka do të thotë se skuadrat kanë përzgjedhur një strategji thuajse të njëjtë për t’u përballur.

IMG_7126[1]Shqipëria: Berisha, Hysaj, Cana, Gjimshiti, Agolli, Basha, Xhaka, Lila, Lenjani (Meha), Memushaj, Balaj (Çikalleshi).

Serbia: Stojkovic, Tomovic, Ivanovic (Tosiç), Kolarov, S.Mitrovic, Tosic, Milivojevic, Matic, A.Mitrovic, Tadic (Sulejmani), Ljajiç.(Kortezi-Arbi Fortuzi)

Filed Under: Sport Tagged With: endrra vazhdon, Serbi fiton, Shqiperia ndeshkohet

Shqipëria shans për të bërë historinë

October 8, 2015 by dgreca

Ndeshja me Serbinë, Shqipëria shans për të bërë historinë/

Atmosferë festive në Elbasan për ndeshjen Shqipëri-Serbi/

TIRANË, 8 Tetor/Nga Gjergji Mima/ -Ndeshja e futbollit Shqipëri-Serbi e mbrëmjes së sotme në “Elbasan Arena”, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian “Francë 2016”, është një nga sfidat më të rëndësishme që kombëtarja shqiptare kaluajtur në historinë e saj, sepse kjo ndeshje mund të vleje kualifikimin historik për herë të parë në fazën finale të një Kampionati Europian.

Shqipëri – Serbi, skenaret e kuaifikimit të kombëtares

Shqipëria momentalisht ndodhet në vendin e tretë të grupit I, me 11 pikë, 1 më pak se rivalët e drejtëpërdrejtë për vendin e dytë, Danimarka dhe 4 më pak se Portugalia kryesuese. Në këtë aspekt, vendimtare për shanset e kuqezinjve për t’u kualifikuar do të jetë edhe ndeshja e sotme në Braga mes Portugalisë dhe Danimarkës. Nëse skuadra e Olsen nuk fiton në ndeshjen e saj të fundit të kualifikuese dhe kjo kombinohet me suksesin e shumdëshiruar të Shqipërisë në Elbasan Arena, atëherë mbrëmja e sotme do të jetë ajo e festës së madhe, pasi Shqipëria siguron automatikisht vendin e dytë në grup.

E rëndësishme do të jetë që Danimarka të mos fitojë, pasi kjo do t’i lejonte Shqipërisë që të shpresojë kualifikimin nga dera e madhe në Europian edhe në ndeshjen e fundit, të dielën e ardhshme në Yerevan me Armeninë, ku në këtë rast do t’i duhej me cdo kusht fitorja për të siguruar vendin e dytë. Shqipëria ruan këtë opsion për në Yerevan edhe nëse arrin në 8 tetor të njëjtin rezultat me danezët. Skenari më i keq, më mirë të mos thuhet qoftë edhe për supersticion, kombinimet matematikore janë disa, por e sigurt është dicka, Shqipëria ndryshe nga Danimarka është vetë zonjë e fatit të saj dhe ka në dorë për të hedhur cdo skenar negativ. në rast të dy fitoreve rradhazi kuqezi në dy ndeshjet e fundit të kombëtares, atëherë nuk ka opsion që shpëton rivalët.

Shqipëri-Serbi, shifra dhe fakte historike

Serbi-Shqiperi1Në prag të përballjes vendimtare mes Shqipërisë dhe Serbisë në “Elbasan Arena”, mbrëmjen e sotme në oren 20:45, në kuadër të eliminatoreve të Europianit, panoramimi i disa fakteve historike, por edhe të ditëve të sotme, do të jepnin një ide më të qartë rreth diferencave që ekzistojnë mes të ekipeve.

Federata Shqiptare e Futbollit është pranuar në FIFA në vitin 1932, ndërsa homologia serbe është bërë anëtare e institucionit më të lartë të futbollit botëror që në vitin 1919.

Pozicionin më të mirë në renditjen e FIFA-s, të 22-tin Shqipëria e ka arritur në Gusht të këtij viti, pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë për t’i dhënë fitoren 0-3 në tavolinë ndaj Serbisë, për sfidën e Tetorit të një viti më parë, ndërsa pika më e ulët, që është vendi i 124-t, është shënuar në vitin 1994.

Ndërkohë, Serbia pozicionin më të mirë të 10-tin në botë, e ka arritur në vitin 1998, ndërsa pozicioni më i ulët, i 101, është shënuar në vitin 1994.

Golashënuesi më i mirë i kombëtares shqiptare është Erjon Bogdani me 18 gola, ndërsa futbollisti me më shumë ndeshje është Lorik Cana me 86 paraqitje me fanellën kuqezi. Te Serbia si golashënuesi më i mirë i historisë spikat Stjepan Bobek, me 38 gola, ndërsa Dejan Stankovic ka luajtur plot 103 ndeshje, më shumë se cdo futbollist tjetër me kombëtaren serbe.

Vlera totale e futbollistë kuqezi kap shifrën e 34 milionë euro, ndërsa lojtarët serbë vlerësohen 158 milionë euro.

Fitoren më të thellë Shqipëria e ka arritur në miqësore ndaj Qipros në gusht të 2009, me rezultatin 6-1, ndërsa humbjen më të thellë e ka regjistruar me Hungarinë 12-0 në vitin 1950.

Në vitin 1972, Serbia, në atë kohë pjesë e ish-Jugosllavisë, fitoi 10-0 me Venezuelën, ndërsa humbjen më të rëndë e ka pësuar ndaj Cekosllovakisë në vitin 1920 me rezultatin 7-0.

Shqipëria i luan ndeshjet brenda në “Elbasan Arena”, që ka një kapacitet 12 800 vende, ndërsa Serbia në stadiumin e Partizanit të Beogradit, që mund të akomodojë 32 719 persona.

Shqipëri- Serbi, interesim maksimal i medias botërore

1444289566elbasan-arena-1Ndeshja e “Elbasan Arena” mes Shqipërisë dhe Serbisë ka tërhequr vëmendjen e disa prej mediave kryesore botërore.

Interesimi i jashtëzakonshëm padyshim që ka të bëjë me historinë mes dy vendeve, por mbi të gjitha me ato që ndodhën një vit më parë në Beograd, me mediat globale që janë të interesuara të bëjnë dhe krahasimin me mënyrën se si u sollën tifozët serbë në 14 tetor dhe atë që do të shohin e përjetojnë në ‘Elbasan Arena’.

Mësohet se në tribunën e shtypit të “Elbasan Arenës” si kurrë më parë në ndonjë stadium shqiptarë do të jenë përfaqësues të mediave më të njohura të planetit. Siç konfirmon zyra e marrëdhënieve për shtyp në Federatën Shqiptare të Futbollit, në tribunën e mediave do të jenë gazetarët e CNN, BBC, Sky, Daily Mail, NY Times e të tjerë dhe padyshim ata të gazetave më të rëndësishme sportive si Gazzetta Dello Sport në Itali, L’Equipe e Francës apo Marca në Spanjë.

Shqipëri-Serbi, masa të rrepta sigurie për mbarëvajtjen e ndeshjes

Policia-Foto-Agim-Dobi-(2)Për sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri- Serbi në Elbasan janë marrë një sërë masash të rrepta sigurie nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit.

Në kuadër të këtyre masave që prej orës 08.00 të mëngjesit të sotëm është ndaluar qarkullimi rrugor tek bulevardet “Qemal Stafa” dhe “Aqif Pasha”, si dhe në aksin rrugor nga ish-Konservimi i vjetër deri tek Harullajt.

Gjithashtu, gjatë ditës nuk do të lejohet parkimi i automjeteve nga rrethrrotullimi i Luleve deri tek ai i Zaranikës; përreth dhe përballë stadiumit; si dhe përgjatë dy bulevardeve kryesore.

Hyrja e tifozëve në stadium do të fillojë në orën 16:30, me qëllim shmangien e radhëve të gjata. Ata do të kontrollohen të gjithë në hyrjen e stadiumit dhe duhet të jenë të pajisur me kartën e identitetit dhe të mos kenë me vete sende të forta, shishe, monedha apo metale. Lidhur me ndeshjen janë angazhuar 1.500 punonjës policie, nga të cilët 308 nga Drejtoria e Elbasanit.

Gjithashtu, të gjitha lokalet në këto zona do të jenë të mbyllura nga ora 12:00 deri në përfundim të ndeshjes, ndërsa në pallatet përreth nuk do të lejohen persona që nuk janë anëtarë të familjeve që jetojnë në to.

TIRANE, 8 Tetor /- Qyteti i Elbasanit është kthyer ditën e sotme në kryefjalën e emocionit, festës dhe shpresës për fitore, për të gjithë tifozët e kombetares shqiptare që do të ndjekin ndeshjen në Shqipëri-Serbi në stadiumin “Elbasan Arena”.

Flamuj kuq e zi, kapele, bluza e shalle me simbolet e Shqipërisë shihen ngado në rruget e sheshet e qytetit te Elbasanit.

Ndërkohë që, përveç tifozëve të kombëtares shqiptarë nga e gjithë Shqipëria, shumë tifozë shqiptarë nga Kosova, Danimarka, Zvicra etj, do të jenë sot në stadium për të parë ndeshjen Shqipëri- Serbi, e cila është vendimtare në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Euro 2016.

Qindra tifozë nga Kosova, Presheva dhe Shkupi kanë mbërritur prej mbrëmjes se djeshme në Elbasan dhe të tjerë pritet të mbërrijnë gjate dites.

Tifozët, përveçse shprehin emocionet e mëdha për këtë ndeshje, u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve për të shmangur çdo incident, pasi kjo mund të ndikojë në të ardhmen e futbollit shqiptar.

Kombetarja shqiptare do të kërkojë trepikëshin në fushën e gjelbërt, ndërsa festa në të gjitha trevat shqipëfolëse ka nisur prej ditësh.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes. Janë mbi 2300 policë si dhe njësia antiterror që janë angazhuar prej ditës së mërkurë, ndërsa RENEA do të ruajë kombëtaren serbe.

Kompanitë e basteve: Shqipëria favorite përballë Serbisë/

TIRANE, 8 Tetor /ATSH/. – Per ndeshjen Shqiperi – Serbi, në grupin I të eliminatoreve për Euro 2016, qe do te luhet sot ne oren 20.45 ne “Elbasan Arena”, kompanitë e basteve qe operojne ne vend favorizojnë ekipin shqiptar.
Ja disa nga kuotimet e kompanive te basteve:
1              X              2
Eccobet          2.50          2.95         2.80
bet365            2.87          3.00         2.90
eurolloto         2.75          3.00          2.75
lottosport        2.45          3.10          2.80
xhoilloto          2.75          3.00          2.80   /a.ke/

Filed Under: Sport Tagged With: atmosfere festive, elbasan, per histori, shans, shqiperia

Shqipëri-Serbi, dy tifozeritë bashkë

October 8, 2015 by dgreca

-Ndeshja e futbollit Shqipëri-Serbi e mbrëmjes së sotme në “Elbasan Arena” e vlefshme për eleminatoret e Kampionatit Europian “Francë 2016”, duket se ka bashkuar edhe tifozeritë e dy vendeve.

Kështu faqja e “Facebook”-ut “Jeta Osh Qef” ka publikuar një foto ku dy vazja nga Zvicra kanë dërguar një foto ku mbajnë flamurin e Serbisë dhe Shqipërisë, para lojës në Elbasan Arena.

Në një moment ku media të shumta botërore kanë hedhur sytë nga Shqipëria, kjo foto sjell një moment të bashkimit mes dy tifozerive për ta perjetuar këtë ndeshje, si një aktivitet sportiv ku tensionet historike duhen ulur.

Filed Under: Sport Tagged With: bashke, dy tifozerite, Shqiperi-Serbi

Marinarë dhe shqiptaro-amerikanë mes ekipit tonë Kombëtar të futbollit

October 8, 2015 by dgreca

Ekskluzive per Diellin- nga Shefqet Kërcelli/

Jo të gjithë shqiptarët  luajnë futboll, por të gjithë janë dashamirës futbolli/

Nga dritarja e katit të 3-të të Komandës së Forcës Detare, Plepa,  mund të sodis një pjesë të Gjirit të Durrësit, por po të hedh sytë në veri të godinës, rreth 30 -50 m,  mund të ndjek lehtësisht aktivitetin e djemve tonë të kombëtares  së futbollit. Aty kombëtarja jonë vjen rregullisht para cdo ndeshje, gjë që nuk i ka shpëtuar syrit të kolegëve të mi detarë. Kam qënë dhe ngelem tifoz i motociklizmit, atletikës dhe notit, pamvarësisht se kam luajtur dhe futboll, por  nuk mund ta mohoj, se ka 6 vite që unë po ndjek me vëmendje kombëtaren tonë të futbollit, cdo stërvitje që ajo zhvillon tek fusha sportive e “Tropikalit”. Pse? Këtë pyetje mund ta bëjë cdo shqiptar kudo që është. Por në llogjikën time them se këta djem që përbëjnë këtë kombëtare na e kanë bërë të magjishëm këtë sport, ashtu sic e perceptojnë shumica e ndjeksve të këtij sporti.

Loriku dhe familja Cana

Në fakt për hatër të studimve të mia në fushën e historisë kam një lidhje të vjetër më të ndjerin Prof. Zekeria Cana, xhajën e Lorikut. Kam vizituar profesorin në shtëpinë e tij sa ishte gjallë. Një shtëpi qytetare prishtinase,  që nuk dallonte shumë nga shtëpitë qytetare shkodrane, tiranase, durrsake, korcare, etj. Isha mik në këtë shtëpi disa here, sa ishte profesori gjallë, jo thjesht prej punës sime studimore, të cilën e kam theksuar tek vëllimi i parë i “Antologjisë së Detarisë  Shqiptare”, por dhe për një shkak tjetër, pasi kjo familje krahas kontributit në qytetarinë e spikatur dhe  studimeve historike, ka nxjerë dhe pinjollin e kulturës dhe profesionistit të futbollit, kapitenin e lavdishëm Lorik Cana. Kam pasur fat që në intervistën e realizuar me prof. Zekerinë, midis të tjerave më ka thënë se, unë ja kam vënë emrin Lorikut. E shoh shpesh këtë djalë në ndeshje futbolli në shumë TV Evro-shqiptare, ndërkohë e kam takuar disa herë tek “Tropikali”. Një njeri i thjeshtë, që të bën për vete, modest për atë cka përfaqëson në të vërtetë, atdhedashës, futbollist profesionist, qytetar i spikatur shqiptaro-evropian, familjar, vlera që hasim rrallë tek brezi i tij, ky është kapiten Loriku.  Loriku shquhet jo vetëm si kapiten i fushës së blertë por dhe si dashamirës i detit, pasi vitin e kaluar bregëzoi lehtësisht jahtin e tij në portin e Sarandës,  ndaj ai  vec shkrimeve të shumta për sportin, është pjesë e 3 vëllimeve të “Antologjisë së Detarisë”. Kapiteni i skuadrës sonë kombëtare  ka dy vite që është pronar dhe kapidan i një mjeti detar, pra është kapidan në stere dhe në det, njëkohësisht  ai është dhe student i Historisë së Popullit Shqiptar në Universitetin e Tiranës. Mbase një ditë të bukur do shkruaj shumë  për këtë familje të ndritur të kombit shqiptar, por sot po them vetëm kaq,  për mua dhe mjaft qytetarë shqiptarë, Loriku është “Nder i kombit shqiptar”.

Loriku dhe marinarët

Mbasi mbylla punët e mija të përditëshme në komandën e FD, i dërgova një email të shkurtër kapiten Lorikut, nëse kishte kohë për një takim të shkurtër. Midis qindra emaileve që i vinin nga gjithë bota, Loriku vecoi emailin e detarëve, ndaj dhe gjeti kohën të priste. Me miqtë e mi, Adin, Naimin e Bardhin u drejtuam tek rezidenca “Tropical”. Ne fakt ne si ushtarakë të pavlerësuar nga të tjerët u ngazëllyem nga ftesa e kapitenit për takim. Një ditë para ndeshjes na u duk si befasi e këndshme. Shkuam 10 minuta para. Shiu i rrëmbyer i datës 7 tetor nuk i pengoi djemtë tanë të kombëtares të zhvillonin stërvitjen e radhës. Shpresojmë që nesër “Elbasan Arena” do jetë e thatë nga moti. Mbasi kaluam postbllokun e “Tropikalit” ju drejtuam hotelit ku pushonin futbollistët tanë. Ishim 10 minuta para, kur nga dritarja e barit kryesor të këtij resorsi po trokiste dikush. Ishte Loriku që sapo na pa, trokiste tek xhami. Hej! Deri ku shkon thjeshtësia e këtij njëriu, thamë së bashku. Në këtë afrimitet biseda rodhi natyrshëm. Fillimisht e uruam për djalin, Boikenin.  Si detarë i propozuam  se dëshira jonë është që Boiken të bëhet kapidan anije. Dhe unë kam shumë dëshirë, le të bëhet! Një kapidan deti më shumë për kombin shqiptar! Na gëzoi fakti që kapiteni ishte mirë me shëndet, pamvarësisht problemit të javës së kaluar. Por Kapiteni, mbasi na siguroi për shëndetin e vet, i përqëndruar ke shokët,  na shpjegoi se gjendja shëndetsore e skuadrës është shumë e mirë. Nuk deshëm të jepnim këshilla, se ekipi ynë kombëtar përbëhet nga profesionistë të mirë, por dhe trajnierë e psikologë të spikatur. Pamë se djemtë e kombëtares ishin gjakftohtë, të qetë dhe bisedonin lirshëm me personelin e restorantit, por dhe me vizitorët e shumtë. Natyrisht që në kësi rastesh cdo njeri përpiqet të dhurojë dicka,  ndaj i dhuruam kapitenit “Antologjinë e Detarisë Shqiptare”, vëllimi i dytë, me nënshkrimin, Kapiten Lorik Canës, si qytetar, atdhedashës,  futbollist profesionist dhe dashamirës i detit”, të cilin ai e pranoi me kënaqësi.

Shqiptaro-amerikanë dhe futbollistë

Ndërkohë që po dilnim në pjesën e jashtme të restorantit, një grup njerzish po bisedonin dhe bënin foto me futbollistët tanë. Janë shqiptaro-amerikanë e diaspora, na sqaron Loriku.  Kanë erdhur nga New Yorku, New Jersey, Suedia, Zvicra, etj, për të ndjekur ndeshjen, por paraprakisht me plot dashuri takojnë me lojtarët tanë. Trajnieri ynë De Biazi ka një mënyrë të veten origjinale, futbollistët i le të takojnë dashamirësit e futbollit kudo që janë, duke lënë një orë të caktuar, thotë kapiten Loriku. Kështu dhe grupi ynë bëhet pjesë e këtij gëzimi. Shaka, lotë gëzimi, shtrëngime duarsh, urime pa fund, kjo ishte atmosfera që të dhuronin ambientet e “Tropicalit”, sot 7 tetor. Kujtimi, Murati, Lulzimi, Aliti, Xhevati, Burani, Syrjaj, Elvisi,  Luftari, Kreshniku, amerikani Charlie Asken,  bashkë me lojtarët  Ansi Agolli, Ervin Bulku, Cikalleshi, Lila, Berisha, etj. ishin pjesë e kësaj feste të përbashkët.  Në këtë ambient tepër miqësor kapiten Loriku thekson, “Le të fitojë futbolli, kultura, toleranca nesër më 8 tetor. Futbolli është i magjishëm se ka brenda emocionet, por djemtë tanë dinë ti menaxhojnë ato si duhet, gjë që do tregojnë dhe nesër”. Por kjo ditë e bukur, me plot emocione dhe takime nuk mbaron këtu.  I ndodhur disa metra larg, trajnieri De Biazi po shihte këtë ambient miqësor dhe na u afrua menjëherë. Jam me ju, na thotë, ky njeri i thjeshtë dhe me zemër të madhe. Të them të vërtetën e kisha parë në TV trajnierin, por duke shtrënguar duart, mu duk shqiptar e kaluar shqiptarit! Kam parë dhe trajniere të tjerë të huaj para tij që nuk afronin kollaj shqiptarë. Mes këtij gëzimi ku përfshihen shqiptarë nga cdo cep i globit, erdhi dhe presidenti Duka, që u bë pjesë e grupit tonë. Emocione pa fund! Më mirë që  këto emocione po i kalojmë mbas shiut dhe para ndeshjes, u shpreh dikush. Ndërkohë që një TV shqiptaro-amerikan po përgatiste një dokumentar për kombëtaren tonë të futbollit të cilin do e japë në SHBA për gjithë shqiptaro-amerikanët javën e ardhëshme. Mu ka shtu jeta 30 vite sot, o miq, na flet Murati, president i klubit sportiv, “Harvardmaint”, ne New Yourk.

Skënderbeu dhe ekipi ynë i futbollit

I ndodhur në këtë grup miqsh, ku ciltërsia, zemërgjerësia  dhe krenaria shpreheshin natyrshëm, mendja më shkonte dhe më larg për këta djem. Dikur Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, për luftëtarët e shquar në beteja afronte pushime në kalatë e ngritura përgjatë bregdetit. Midis tyre kalaja e Rodonit ishte më e preferuara. Mund të duket paksa naive, por që djemve tanë tu sigurohet nga një lundrim i përshtatshmë kohor përgjatë bregdetit shqiptar me anijet e Flotës Luftarake, “Butrinti”, “Lissus”, etj, nuk është nonjë gjë e madhe. Sigurisht që tashmë ata kanë parë aeroportet e rivierat e botës, por  shteti shqiptar le tu afrojë dhe mundësi të tilla. Besoj se djemtë tanë e mirëpresin. Gjatë takimit me futbollistët  kishte biseda të ndryshme. Njëri thoshte harxhova kaq për biletën me ardh nga New Yorku, tjetri kaq nga Suedia, tjetri  thoshte bleva enkas ekranin plazma  x, euro, etj. Kur dëgjoja këto më kujtoheshin mundësitë e Federatës sonë të futbollit për pagesat e këtyre djemve që lartësojnë emrin e shqiptarit. Unë dhe mjaft kolegë të mi, nuk e kalojmë 300 $ në muaj, dhe prapë kur vjen puna për këta djem jemi gati të japim dicka. Po këta bashkëatdhetarë që harxhojnë kaq këtu e aq atje, le të rezervojnë një sasi të hodhash në numurin e llogarisë të kombëtares sonë. Se dhe këta kanë shpenzime pa fund. Mendoj se ka ardhur momenti që gëzimin, spektaklin  dhe emocionet që po na dhurojnë këta djem ta shoqërojmë jo vetëm me brohoritje, por kush ka mundësi dhe me dicka konkrete. Këta njerëz na e bëjnë zemrën mal e na shtojnë krenarinë si shqiptarë, kudo që të jemi. Por dhe institucionet shtetërore shqiptare që japin medalje duhet të mendojnë dicka për kapiten Lorik Canën e këtë Kombëtare Historike. E pra, këtyre djemve i takon “Medalja e Artë e Shqiponjës”, se bënë histori në futbollin shqiptar, ndaj duhet të hyjnë në historinë e kombit tonë.

Ndeshje futbolli si gjithë të tjerat

Këtë po më thoshte Adi, një miku im që e ka mbushur lokalin me foto të kombëtares sonë në vite, por dhe me foto të  Erion Bogdanit, Alban Bushit, Lorik Canës, etj. Më pëlqeu qetësia dhe gjendja e ekipit sqaron Adi. Mos i japim kësaj ndeshje asnjë ngjyrë ekstremizmi nacionalist, politik e gjithfarësh, sic ndodh rëndom. S’ka asnjë arësye. Luajmë me një shtet fqinj si gjithë të tjerët.  Ne kemi luajtur dhe me Greqinë disa here. Po ti hyjmë gjërave, është i njëjti mentalitet e relacion politik, thonë disa qytetarë.  Këtë mendim ma forcoi dhe kushuriri im Pëllumbi në Elbasan, i cili ka shtëpinë ngjitur me stadiumin, ku dikur nga ballkoni i katit të IV-të,  së bashku shihnim ndeshjet. Qytetarët elbasanas e shohin si një ndeshje të radhës, pamvarësisht nga emri i ekipit. Mjaft qytetarë durrsakë që takova kur po shkoja në shtëpi, më shprehën të njëjtin mendim. Man Tonuzi, Suel Strazimiri, Endri Shquti, Elio Kokomani, etj, më thanë se i urojmë shqiponjave kuq e zi fitore, ashtu si dhe në ndeshjet e tjera. Ne presim që të na dhurojnë një finale të bukur. Një fitore do ja lehtësonte kalimin në Euro 2016. Përndryshe do s’forcohen me Armeninë. Kështu e shihnin këtë ndeshje qytetarët durrsakë. Nuk shihja asnjë shenjë ekstremizmi. Nuk jam marrë me parashikime futbolli, as me lloto, por po i bësoj parashikimit të djalit tim, një fitore të Shqipërisë me rezultatin një më zero. Dhe njëherë, urime Shqiponjave Kuq e Zi në Elbasan-Arena!

Shefqet Kërcelli

Tropikal Resors

Durres

7 tetor 2015

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Me futbollistet e Kombetares, në Durrës, Shefqet Kercelli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 83
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • …
  • 104
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT