• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

Kosovë-Abrashi: Punësimi, prioriteti i vitit 2016

December 26, 2015 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, në konferencën për shtyp të fundvitit/
-Zgjidhje ligjore për njohjen e stazhit të punës në institucionet e Republikës së Kosovës të Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 edhe për çështjen e pensionimit, për çka do krijohet një komision i veçantë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Dhjetor 2015/ Punësimi do jetë prioriteti i vitit 2016 i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Qeverisë së Kosovës, tha sot ministri Arban Abrashi, i pyetur nga korrespondenti në Prishtinë i Gazetës Dielli në konferencën për shtyp e pritjen e fundvitit, ndërsa paralajmëroi edhe zgjidhjen ligjore për njohjen e stazhit të punës në institucionet e Republikës së Kosovës të Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 edhe për çështjen e pensionimit, për çka do krijohet një komision i veçantë.
Për vitin e punës 2015 ai ka theksuar funksionalizimin esistemit të regjistrimit të punëkërkuesve. “Janë 115, 868 punëkërkues të regjistruar – 50, 666 femra; 12, 762 vende të lira pune të identifikuara; 4,188 biznese të regjistruara; 40-100% rritje të shifrave të ndërmjetësimit dhe punësimit”, bëri të ditur ministri Abrashi.
Duke folur për aftësimet profesionale ai theksoi ndërtimin e qendrës së aftësimit profesional në Gjakovë; trajnimet për ndërmarrësi në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan; aftësimin dhe përkrahjen në formë grantesh në Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Graçanicë, Mitrovicë, Leposaviç, Vushtrri dhe Gjilan; akreditimin e kurrikulave aktuale të programeve të aftësimit profesional si dhe programeve të reja, konform standardeve të profesionit; ofrimin e trajnimeve në qendrat korrektuese.
Ministri Abrashi më tej foli ehe për dialogun social dhe përkrahjen sociale, duke theksuar “rritjen e pagesës për asistencë sociale për 25% për rreth 26.000 familje, që ka ngritur pragun mes 40-120 euro, sa ishte, në 50-150 euro sa është tash”.
“Për herë të parë ka filluar licencimi i ofruesve të shërbimeve sociale. Janë licencuar 733 ofrues publikë dhe privatë të shërbimeve sociale. Në shumën prej 100 euro për muaj janë përkrahur 2,750 familje, që kanë fëmije me aftësi të kufizuara. Në shumën prej 150 euro për muaj, janë përkrahur 108 fëmijë të strehuar jashtë familjeve të tyre. Janë ndihmuar 243 familje me nga 100 euro 49 familje me nga 150-300 euro si ndihmë emergjente për situatë të jashtëzakonshme. Është bërë subvencionimi i energjisë elektrike për përfitues të skemës së ndihmës sociale dhe familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, janë subvencionuar 22.669 familje nga Skema e Ndihmës Sociale dhe 11.368 familje të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës. Në total 34.037 familje me nga 130 euro në vit”, bëri të ditur ministri kosovar i Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Lidhur me legjislacionin si theksoi se është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për aftësim, riaftësim profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, si dhe Projektligji për regjistrimin dhe ofrimin e shërbimeve dhe masave për punësim.
Ministri Abrashi ka prezantuaer raportin vjetor edhe për investimet, pensionet, uljen e informalitetit, si dhe për buxhetin me rritje për 43,536,872,00 euro.
• “Alokimi për pensionet kontribut-dhënëse ngritet nga 68.214.478,00 në 91.683.800,00; alokimi për asistencë sociale nga 25.145.593,00 në 30.500.00,00 euro”, tha ministri Abrashi, i cili në përmbyllje foli edhe për komunikimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se ishin 126 komunikata, 690 shkrime të evidentuara në media, 43 marrëveshje të nënshkruara.
• “Kishte takime të rregullta me grupe të margjinalizuara dhe palë tjera. Kanë marrë përgjigjeje të gjitha kërkesat për qasje në dokumente zyrtare”, tha ministri i Ministrisë kosovare të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Abrashi, Behlul Jashari, prioritet 2016, Punesimi

Festoni fort për një 2016 të ashpër

December 26, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Ka filluar një fllad nervash. Më saktë një mësymje ndryshe. Dhe kjo jo për shkak të idealeve. Por të gjëndjes. Përshembull revolta e pare vjen nga të papunët e Agonchanel. Shumë prej tyre habiten që janë të papunë. Që kanë mbetur pa punë. (Megjithëse shëndet plot i pohojnë kamerave se ashtu thatë nuk janë, bëjnë ndonjë punë aty këtu.) Një vend vërtet është dramë kur ka gazetarë të papunë. Por është tragjedi kur ka ashtu, të papunë, një popull të tërë. Se ku bën pjesë vendi ynë, nuk është nevoja ta theksojmë.
Megjithatë edhe ata që punojnë i përkasin një informaliteti të madh.
Ka filluar një mllef gazetarësh, që më shumë se idealit të profesionit i ngjan politikës së padronëve të tyre në këtë treçerekshekulli të përpjekjes së një shoqërie për të qënë e barabartë me simotrat e saja në Perëndim. Ndaj them se duhet të festoni fort këtë fund viti. Për të qënë të përgatitur në 2016.
Mbaj mend kështu ndodhi edhe në 96-ën. Hëngrëm shumë sa nuk mbante. Pastaj protestuam deri në shpërbërje. Megjithatë heronjtë dhe antiheronjtë dekoruan njëri-tjetrin. Kurse masat morën kush malet dhe kush detin.
Ka shumë pikëpyetje që shqiptarët për një ose dy arsye janë duarlidhur. E para dhe më brutalja është fakti i ekzistencës së politikanit njëzet e pesë vjeçar. Nuk e di se si akoma vazhdoni të besoni se mund të ketë të tilla, reforma të ndershme, të drejta dhe të domosdoshme nga njerëz që kanë njëzet e pesë vite në pushtet.
Mund të ketë manovra. Por asesi reforma. Reforma është diçka jashtë konceptit të atij që fle me shuma eurosh apo dollarësh tek koka. Që mban lekë kesh në shtëpi për ditën e zezë. Nga ata që I kanë fëmijët e tyre jashtë, në universitetet më të mira. Kurse juve u privohet e drejta për t’u arsimuar. Se si mund të ketë reforma në shëndetësi, nga ata që vetë kurohen jashtë shtetit, kurse ju në mizerjet e shëndetësisë publike ”falas” shqiptare. Në atë shëndetësi që nuk kap as 00001% të diktaturës së djeshme. Dhe normalisht as klasin e asaj të pardjeshmes. Nuk e di se si akoma vazhdoni të besoni në reformat në drejtësi, kur edhe pse kanë kaluar njëzet e pesë vjetë, ngërçi qëndron tek siguria që duan nga njëri-tjetri baronet e politikës shqiptare. Prokurorët dhe avokatët flen me dyshekë të mbushur me euro e dollar. Dhe ju nuk u besohet. Nga ana tjetër janë militantë që përdoren nga politika. Ngasin makina me aromë meshini dhe hukamë livandoje. Kanë vila dhe super vila. Janë ata që bëjnë sehir kur ju vriteni e digjeni nëpër sheshe.
Të jeni të bindur se reforma e vetme dhe e drejtë në drejtësi, është ajo që do bëni ju me Venecian. Jo politika…. Ajo që po bën politika është manovër. Nuk është reformë.
E gjitha kjo në fakt është luftë-manovër midis pushteteve. Atij njëzet e pesë vjeçar. I përbërë nga një shpurë gazetarësh të kënaqur me nga një makinë markë. Ca fonde për t’u mbajtur gjallë edhe pse informalë. Nga një tufë politikanësh tmerrësisht të pasur…dhe përjetësisht në pushtet. Nga një shpurë ligjëbërësish, që veprojnë dhe i bëjnë ligjet ashtu si i duan ligjet kapot. Me një popull muhaxhir por krenar.
Arsyeja e dytë është një pikëpyetje e vonuar. A do ta fitojnë gazetarët këtë luftë? Pas gjasave jo…Ka indinjatë personale tek-tuk. Nuk ka lëvizje në sharmin e pushtetit të shtypit. Tek-tuk do të thotë ndonjë lule. Dhe proverb ballkanas thotë, që ”pranvera me një lule nuk vjen”.
Ka vetëm kaos. Dhe vështrim social që kënaqen me lëvizjet midis Metës, Ramës dhe batalionit të Berishës.
Ndaj festoni fort, pasi nuk është e qartë se kush do e fitojë betejën e 2016. Kështu që radha është për ju.

Filed Under: Analiza Tagged With: Festoni fort, Ilir Levonja, për një 2016, të ashpër

Harresa e së kaluarës historike rrezikon t’na përsëritet

December 26, 2015 by dgreca

Nga Prof. Dr. Ejup Sahiti*/
Sot po promovohet botimi i VI-të i plotësuar i librit të Prof. Dr. Nusret Pllanës, me titull: “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”. Në këtë libër Prof. Pllana si asnjëherë më parë, detajisht dhe bindshëm i argumenton krimet monstruoze të Serbisë të kryera për një peridhë kohore më shumë se një shekull e gjysmë.
Libri i Prof. Pllanës trajton në një masë masakrat e Serbisë ndaj shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit dhe dëbimin nga trojet e tyre. Pastaj u referohet masakrave të shumta që nga okupimi i Kosovës me 1912 e tutje. Vëmendje të posaçme i kushton masakrave të regjimit të Millosheviqit. Libri ka pak tekst, por në të prezentohen shumë fotografi tmerri, të cilat argumentohen me datë dhe vend të saktë të krimeve si dhe me emrat e të masakruarve, e herë herë edhe të masakruesve. S’ka dyshim se fotografitë e të torturuarve dhe të masakruarve e shprehin shumë më bindshëm gjendjen faktike se sa përshkrimi me fjalë.
Libri i Nusret Planës, i përkthyer në shumë gjuhë(anglsiht, frengjisht, gjermanisht, turqisht, serbisht, maqedonisht, japonisht e suedisht), mundëson njohjen e të vërtetës për barbarizmat e Serbisë në Kosovë. Në të përshkruhen dhe dokumentohen torturimet, dhunimet, djegëjet, vrasjet pa gjyq, deportimet masive, dhe vrasjet masive të popullsisë civile të pafajshme. Ndër të vrarët kishte nxënës, arsimtarë, studentë, bujqë, zejtar dhe me atë rast nuk kurseheshin as fëmijët, gratë, as pleqtë.
Gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, me vendosjen e masave të dhunshme në Kosovë, pushteti i Serbisë e kishte pushtetin apsolut në Kosovë. Atë botë me të madhe propagohej se po zbatohej shteti i të drejtës, mirëpo realiteti ishte krejt tjetër. Shumë persona u vranë dhe u masakruan pa gjyq. Gjatë viteve 1998-1999 u shfarosën 175 familje. Shteti ligjor nënkupton që, për rastet kur dyshohet se një person (personat) kanë kryer vepër penale, të zhvillohet procedurë penale ku do të vërtetohej nëse vërtetë është kryer vepër penale dhe kush është kryerësi i saj. (Ne e dimë se gjatë viteve të 90-ta janë zhvilluar shumë procese gjyqësore politike të montuara. Në mungesë të provave në proceset e tilla janë bërë torturime të llahtarshme për t’i detyruar të akuzuarit që ta pranojnë veprën penale që u ngarkohej. Pastaj pohimi i imponuar me dhunë përdorej si provë pë fajësinë e tyre. Në gjithë fatkeqësinë e këtyre proceseve gjyqësore të montuara, nëse mund të thuhet, kishte një fat – të akuzuarit mbetën gjallë).
Vrasjet masive pa gjyq bëheshin me qëllim që të nxitnin frikën dhe tmerrin tek popullata shqiptare, në mënyrë që ajo ta braktisë Kosovën, sepse Serbia e donte Kosovën pa shqiptarë.
Librit që po promovohet, veç tjerash, ia shtojnë vlerën të dhënat faktografike konkrete për më shumë se 1.300 fëmijë të vrarë, bile një numër i konsiderueshëm i tyre ishte i moshës nën dy (2) vjeçare. Dihet se fëmijët janë e ardhmja e kombit. Konform të drejtës ndërkombëtare fëmijët gëzojnë kujdes të posaçëm, ndërsa në aspektin penalo juridik gjithashtu gëzojnë trajtim të posaçëm. S’ka dyshim se vrasja është akt i rëndë pavarësisht se kush është viktimë e saj. Mirëpo, vrasja e fëmijëve, pastaj vrasja e grave dhe e pleqve, e posaçërisht vrasja e fëmijëve, siç ndodhi në Kosovë, atakonte pikën më të ndjeshme të qenies kombëtare. Me këto vrasje pushteti i Serbisë kreu krime kundër të drejtës humanitare ndërkombëtare.
Siç u tha, promovimi është organizuar me moton “Mos – harresa në shërbim të kujtesës historike”. Prof. Pllana me librin e tij opinionit botëror dhe neve këtu në Kosovë (duke u nisur nga klasa politike deri te çdo individ) na ka ofruar material faktografik të konsiderueshëm për masakrat e bëra. Kurrsesi nuk bën të harrohet e kaluara, sepse harresa e të kaluarës rrezikon që të këqijat të përseritën. Këtë fakt të gjithë duhet ta kemi parasysh vazhdimisht.
Duke e përgëzuar autorin, i urojmë suksese në punën e tij të mëtejshme.

* Kumtese e mbajtur me rastin e promovimit të botimit të VI-të të librit:
”Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”
të Prof. dr. Nusret Pllana në Bibliotekën Kombëtare “Pjeter Bogdani”
Prof. Dr. Ejup Sahiti

Filed Under: Analiza Tagged With: Ejup Sahiti, Harresa e, rrezikon, së kaluarës historike, të na përsëritet

Aroganca e një institucioni shtetëror

December 26, 2015 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Në jetë mund të ndeshesh shpesh herë me shfaqje të arogancës së individëve të ndryshëm, por të ndeshesh me arogancën e nje institucioni shtetëror kjo është e pa pranueshme. Megjithatë kjo ndodh në Shqipërinë e sotme dhe rasti më tipik është ai që më ka ndodhur mua me Operatorin e Shpërndarjes se Energjisë Elektrike, një institucion që pretendon se është krejtësisht në shërbim të qytetarëve shqiptarë.
E kuptoj se, ndoshta, kjo çështje nuk i intereson disa prej atyre që do e lexojnë këtë shkrim, por unë dua ta bëjë të ditur për të kuptuar se ky nuk është fenomeni i vetëm që ndodh në shoqërinë shqiptare. Le të hyjmë në temë.\
Kam qenë banor në qytetin e Vlorës deri më datën 14.01.2000, ku posedoja edhe një shtëpi për të cilën kisha lidhur kontratën për konsumin e energjisë elektrike me nr. FIOA170012016896. Në këtë datë, me rastin e largimit tim nga qyteti i Vlorës, ia shita shtëpinë qytetarit Limoz Alliraj duke lidhur kontratën e shitjes me nr. repertori 29 dhe nr. koleksioni 26 pranë noteres Jetmira Velaj Vlorë. Por, për një pakujdesi timen, nuk bëra ndërrimin e kontratës së energjisë elektrike duke ia besuar këtë blerësit të banesës, gjë që ai jo vetëm nuk e bëri, por vazhdoi me vite me rradhë mospagimin e energjisë elektrike. Aktualisht sot në banesë banon vëllai i blerësit, zoti Festim Alliraj
Për këtë arsye më datën 14.06.2012 më vjen njoftimi nga shoqëria “Shërbimi
Përmbarimor ZIG sh.p.k”. për bllokimin e shumës prej lekë 201.745,34 në bazë të vendimit Nr.230, datë 20.01.2012 të Gjykatës së Rrethit Vlorë për mos likujdim të faturave të energjisë elektrike për periudhën janar 2007-tetor 2011, vendim që mundi të zbatohet me shkreaën Nr. 20254/1, datë 03.12.2012 vetëm për shumën 3.273 lekë, pasi kaq kisha gjendje në llogarinë time në Raiffeisen bank.
Duke filluar nga kjo datë dhe deri më sot u jam drejtuar zyrtarisht me letra, madje i kam takuar edhe personalisht, administratorët e ish Cez-Shpërndarje Vlorë, zotërinjtë Agron Sharra, Sabaudin Abazi dhe Luljan Demaj, Administratorët e Përgjithshëm zotërinjtë Sahit Dollapi dhe Arben Seferaj, madje e kam ngritur çështjen edhe në Gjykatën e Faktit Tiranë, por ky problem nuk gjeti zgjidhje. Kështu kjo çështje kaloi në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Me emërimin e zotit Adrian Çela administrator të përgjithshëm të OSHEE, duke u nisur nga vendimet e fundit të qeverisë, më në fund, zoti Festim Alliraj u detyrua të nënshkruante, më datën 06.12.2014, akt marrëveshjen me shoqërinë OSHEE Vlorë, sipas së cilës merrte përsipër detyrimin që figuronte në emrin tim dhe detyrimet pasardhëse duke i shlyer ato brenda 174 kësteve. Duke filluar nga kjo datë ai vazhdon të shlyejë për çdo muaj detyrimin përkatës. Por, çuditërisht, me shkresën Nr. 6438/3, datë 27.03.2015 të OSHEE zyra përmbarimore e mësipërme ka tërhequr për llogari të OSHEE shumën prej lekë 232.345,34, duke e çuar shumën e përgjithshme të tërhequr nga Raiffeisen Bank ku unë i kisha depozituar në 235.618,34 lekë. Një gjë e tillë më habiti pasi si ka mundësi që mua të me bllokohet kjo shumë në një kohë kur konsumatori i vërtetë i saj kishte pranuar detyrimin dhe po vazhdonte ta shlyejë.
Për sa më sipër më datën 08.05.2015 i drejtohem zotit Çela me një letër ku i kërkoja një takim për zgjidhjen e çështjes por çuditërisht nuk mora asnjë përgjigje. Ndërkohë Gjykata e Apelit Tiranë, ku vazhdonte gjykimi i çështjes në fjalë, i kërkoi të dhënat OSHEE-së e cila, nëpërmjet administratorit Ardian Çela, iu përgjigj duke dërguar akt-marrëveshjen e zotit Festim Alliraj me OSHEE Vlorë ku ai merte përsipër likujdimin e faturave të energjisë elektrike në ngarkimin tim si dhe fotokopjen e faturës së pagimit të këstit të parë dhe deklaratën e tij për pranimin e pagesës për periudhën janar 2007-dhjetor 2014. Mbështetur në këtë përgjigje të OSHEE Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin Nr. 1448, datë 10.06.2015 mori vendimin e formës së prerë duke më hequr detyrimin si debitor i OSHEE dhe duke ia kaluar këtë blerësit të banesës time. Në të njejtën kohë ajo lëshoi edhe urdhërin e ekzekutimit për këtë çështje. Më datën 14.06.2015 iu drejtova përsëri zotit Çela ku i kërkoja kthimin e shumës së tërhequr padrejtësisht por edhe kësaj here prej tij nuk mora asnjë përgjigje.
Qysh prej kësaj date jam paraqitur disa herë në Drejtorinë Juridike të OSHEE por asnjëherë nuk kam marrë një përgjigje të saktë. Më datën 17.09.2015 kërkova një takim tjetër me këtë drejtori por recepsionisti, pasi bisedoi në telefon, më adresoi në Drejtorinë e Financës. Atje një zonjë më njoftoi se ishte marrë vendimi për të më kthyer 201.745 lekë. I kërkova arsyen përse nuk ishte shuma e plotë e tërhequr prej tyre prej 235.345 lekë. Zonja më tha se për këtë duhej të drejtohesha përsëri në Drejtorinë Juridike. Ashtu bëra, por një zonjë apo zonjushe e kësaj dretorie, me arrogancë, refuzoi të takohej me mua duke pretenduar se më kishte sqaruar më parë. Një veprim aspak i denjë për një punonjëse të administratës publike të një shteti demokratik.
Për këtë, më datën 18.09.2015, iu drejtova përsëri zotit Adrian Çela dhe për dijeni zotit Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë. i cili ia kaloi për kompetencë Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, zotit Dasmian Gjiknuri dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, zotit Adrian Çela megjithatë prej asnjerit prej tyre nuk mora përgjigje. Atëherë u detyrova që t’i drejtoja një letër tjetër Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama. Vetëm atëherë OSHEE u detyrua të më kthente një përgjigje, pas dy muaj e gjysmë, nëpërmjet zotit Përparim Nebiaj, Drejtor i Divizionit të Administrimit të Korporatës ku midis të tjerave shkruhej:
Prej nga sa parashtruam më lart, nga ana e OSHEE sh.a në cilësinë e debitorit është ekzekutuar Vendimi Nr. 1448 datë 10.06.2015 i Gjykatës së Apelit Tiranë, por në lidhje me pretendimet tuaja për vlera detyrimi të tjera, ju vemë në dijeni se shoqëria OSHEE sh.a nuk mund të ekzekutojë vlera të cilat nuk janë pjesë e vendimit të gjykatës.
Le të shikojmë dhe Vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë me Nr. 1448 datë 10.06.2015 ku thuhet:
Deklarimin e shuar të detyrimit për paditësin Reshat Kripa sipas titujve ekzekutiv, fatura të konsumit të energjisë elektrike të lëshuar në emër të paditësit, për periudhën janar2007-dhjetor2011, për shkak të zëvendësimit të debitorit me një person tjetër.
Lidhur me sa më sipër u drejtova në zyrat e OSHEE ku kërkova një takim me Administratorin e Përgjithshëm por më thanë se nuk mund të takohem. Kërkova takim me zotin Përparim Nebiaj, por e njëjta përgjigje. M’u paraqit një zonjë apo zonjushe me të cilën isha takuar edhe më parë e cila nuk më sqaroi asgjë. Kaq i vështirë qenka qenka takimi me këta persona? A mos vallë qenkan të pa arritshëm? Kjo gjë më kujtoi një ngjarje të viteve të kaluara kur në Shqipëri ishte ende pushteti totalitar. Porsa kisha dalë nga burgu për një aktivitet antikomunist që përmbante shpërndarje traktesh kundër regjimit. Isha fare i ri. Vazhdova shkollën e mbrëmjes të cilën e përfundova me rezultate të shkëlqyera. Kisha bërë kërkesë për vazhdimin e arsimit të lartë por nuk m’u dha. Kërkova një takim në Ministrinë e Arsimit. Më priti Zëvendës Ministri, Anastas Kondo. Nuk ma zgjidhi çështjen por të paktën më priti dhe më dëgjoi. Kurse drejtuesit e sotëm nuk denjojnë as të presin. Të nderuar zotërinj! Mos kujtoni se duke qenë në ato pozita keni arritur majat e qytetarisë. Mos harroni se në Shqipëri ka edhe plot individë të tjerë me të cilët ju nuk mund të krahasoheni.
Në përfundim dua t’iu drejtoj këtyre zotërinjve disa pyetje të cilave po të kenë kurajo le t’i përgjigjen nëpërmjet shtypit:
1. Përse nuk zbatoni urdhër ekzekutimin e formës së prerë të vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës për kthimin e plotë të shumës së sekuestruar, por e ktheni atë pjesërisht? Në bazë të kujt vendimi? Përse më keni kthyer vetëm 201.745 lekë kur duhej të më kishit kthyer 235, 618 lekë, duke më mbjatur 33.600 lekë? Ju pretendoni se keni mbajtur shumën për shpenzimet e administrimit të dosjes përmbarimore por, edhe sikur kjo të jetë e vërtetë, sipas shkresës Nr. 08654 datë 11.03.2015 të Shoqërisë Përmbarimore “ZIG”, kjo vleftë është vetëm 6.000 lekë dhe jo 33.600 lekë
1. Për deri sa pronari i ri i ish-banesës sime kishte nënshkruar me ju marrëveshjen për likujdimin e detyrimit me 174 këste dhe qysh nga muaji dhjetor 2014 vazhdon pagesën e kësteve regullisht, atëherë përse urdhëruat Shoqërinë Përmbarimore “ZIG” në muajin mars 2015, me shkresën Nr. 5117 datë 05.03.2015, tërheqjen e shumës së treguar më lart nga llogaria ime në Raiffeisen Bank? Mos donit që ky detyrim të paguhej dy herë? Aq më tepër kur depozita ime ishte krijuar nga këstet e dëmshpërblimit si ish-i burgosur politikë nga regjimi komunist që qeveria shqiptare akordoi këtë vit dhe që ju na i grabitët nga ana tjetër. Përse?
3. Zoti Administrator i Përgjithshëm i OSHEE-së, përse nuk i jeni përgjigjur asnjerës prej katër letrave që ju kam drejtuar? A nuk isha i denjë për një përgjigje qoftë edhe ajo negative në rast se e keni konsideruar të tillë? Ju keni një zyrë për marrëdhëniet me publikun dhe duhej të ishte kjo zyrë, madje edhe juve personalisht që duhej të më ishit përgjigjur. Të njejtën pyetje ia adresoj edhe zotit Përparim Nebiaj.
Kam edhe një pyetje tjetër adresuar Kryeministrit të Shqipërisë: Vallë kjo është administrata shtetërore që ka në dorë fatet e qytetarëve? Po mundët përgjigjuni.

Botuar në gazetën “55” Nr. 6325 datë 26 dhjetor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Aroganca, e një institucioni shtetëror, reshat kripa

Shqiptaret ne SHBA-Mijëra besmitarë shqiptarët katolikë në Amerikë kremtuan Krishtlindjet

December 26, 2015 by dgreca

Dashuri respekt, paqe dhe lumturi për të gjithë besmitarët/
Nga Beqir SINA New York/
HARTSADLE NJU JORK –: Besimtarët e krishterë kremtuan Krishtlindjet në mbarë botën. Këtë festë të shejtë e kremtuan edhe besimtarët katolikë shqiptarë edhe në SHBA-së . Me rastin e kremtimit të Festës së Krishtlindjeve, udhëheqësit e komunitetit katolik, kanë dërguar urime dhe shpërndanë mesazhe, tek mbarë besimtarët shqiptarë në Amerikë, Kosovë, Shqipëri dhe viset shqiptare për rreth tyre.
Kësaj rradhe në të gjitha urimet e mesazhet e tyre dominuan në këtë ditë të shënuar të lindjes së shpresës e të forcimit të besimit tek Zoti! dëshira për paqe, lumturi,dhe por edhe me urime për njëri tjetrin.
Kisha Katolike shqiptare në Amerikë “Zoja e Shkodrës” e cila ndodhet në një mjedis të bukur natyror, provincën e Hartsdale – Nju Jork, më shumë se dy mijë besimtarët katolikë ,kremtuan lindjen e Krishtit, në tri mesha, atë të mesnatës, mëngjesit dhe mesdrekës, mbajtur nga meshtarët Dom Pjetër Popaj dhe Dom Viktori.
“Lutemi që forca e Betlehemit – Krishti Zot t’ju sjell hir paqe dhe bekim – dashuri ju dhe familjet tuaja – Për shumë vjet Gëzuar Krishtlindja!! – Paqja e Krishtit kjoft mbi ju” tha dom Pjetër Popaj, famullitari i Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork”.
Dom Pjetër Popaj, famullitar i Kishës “Zoja e Shkodrës”, së bashku me mijëra besmitarë katolik kremtuan Krishtlindjet, duke i kthyer ato në një fest madhështore të paqes dhe të jetës. Nata e Krishtlindjeve, mbrëmë ishte një natë e veçantë, për të gjithë besimtarët e të krishterë shqiptarë , në të gjithë SHBA-së.
Ceremonia kryesore në Nju Jork, e besimtarëve katolik shqiptarë u mbajt në Kishën Katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”, ku famullitar i kësaj famullie është i përndershmi Dom Pjetër Popaj.
Të pranishëm kanë qenë besimtarë, të të gjitha moshave, fëmijë me prindërit e tyre dhe të moshuar.
Në mesazhin e tij, i përndershmi Dom Pjetër Popaj thotë se Krishtlindjet na e japin mundësinë të ndalohemi pak dhe të meditojmë për Dritën dhe Shpresën që hyjnë në botë nëpërmjet Lindjes së Krishtit. Jezusi vjen për të na prua shëlbimin. Ai vjen për të na çliruar prej mëkatit që të kthehemi te përqafimi i Atit. Ai vjen për të na prua dritën në terrin tonë, shpresën e jetës së re dhe premtimin e parrizit. Lindjes së Krishtit, thekson Popaj, i ka prij hylli ndriçues që ka shndritur tre mbreten që prej sa miljesh larg shkojnë pas hyllit deri që e gjejnë Krishtin Foshnje. E njajta dritë na ndriçon edhe ne sot. Në Jezusin fëmijë të fjetur në grazhd është krejt pranija e Zotit. Ai vjen që ne të kemi jetën më të begatshme. Më tej Dom Pjetri thotë “le të lutemi që të gjithë, por sidomos ata që besojnë në Krishtin, tu përngjajnë tre mbretërve prej lindjes, që e kanë parë hyllin, kanë besuar dhe janë nisur pas tij. Bëje që Krishtlindjet të na mbushin me mrekullin e misterit të Krishtit Foshnje, Birit të Zotit”. Në fund të mesazhit ai thotë përsëri “I lutemi Zotit që të ju bekojë ju dhe familjet e juaja për Krishtlindje dhe gjatë Vitit të Ri e gjithmonë”. “Bën që të ju mbushin zemrat tuaja me praninë e Tij që ta tregoni dashurinë e Tij ndër të tjerë. Gëzuar Krishtlindjet! ka përfunduar mesazhin famullitari i kishës Katolike Shqiptare ‘Zoja e Shkodrës’”, Dom Pjetër A. Popaj.
Në fund të meshës dom Pjetër Popaj, famullitari i Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork”, faleminderojë, me këtë rast meshtarin Dom Victorin për mbajtjen e meshës, të gjithë besimtarët dhe ata që u përkujdesën për këto Krishtlindje, vullnetarët, ata që mbajnë rregullin, dhe zbukuruesin e kishës.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Besimtarët katolikë, don Pjeter Popaj, festuan Krishtlindjet, Kisha Zoja e Shkodres

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT