• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

ÇËSHTJE SHQIPTARE APO ÇËSHTJE ҪAME ME GREQINË

December 11, 2015 by dgreca

Shkruan: Prof. as. dr. Agim Koçillari[1]/

Trajtimi i çështjes çame ka filluar sidomos pas viteve 90të, kur menjëherë në kushtet e reja të krijuara, Çamët krijuan shoqërinë “Çamëria,, dhe filluan t’a bëjnë të njohur problemin e tyre brenda dhe jashtë vendit. Krijimi i partisë çame e çoi me tej këtë njohje. Sot, problemi çam, me të drejtë njihet me hollësi brenda vendit dhe disi, sipas mendimit tim, ka filluar të bëhet i njohur edhe jashtë vendit. Për këtë mjafton të përmend studimet dhe shkrimet e bëra nga studiues të huaj si Prof. Xheims Petiffer dhe Miranda Wicker (autorë anglezë).

Çështja çame është një problem i drejtë dhe duhet zgjidhur patjetër, por për mua, kjo është pjesë e një problemi po kaq të rëndësishëm dhe të mprehtë, fatkeqësisht i harruar, ai i popullsisë shqiptare të dëbuar me dhunë, po ashtu si edhe çamët, nga trojet e tyre në viset shqiptare të Maqedonisë Jug-Perëndimore që sot përfshihen nën shtetin Grek. Dihet se në shtetin grek kanë mbetur edhe treva të tjera shqiptare dhe popullsia e tyre është shpërngulur me të njëjtat metoda.

Për të argumentuar mendimin tim po përmend fakte që historia i njeh, por që nga ne, shqiptarët: politikanë, media etje po lihen në harresë, ndërsa grekët nuk lenë rast pa shpifur dhe kërkuar me pa të drejtë, madje duke ngritur zërin në instancat më të larta ndërkombëtare. Si shembull: çfarë do Vangjel Dule me kishën tonë në Himarë? Sipas prof. dr. S. Repishtit në studimin botuar nga Universiteti Europian (Tiranë 2014) me temë “Epiri i Jugut, Ҫamëria, territoret shqiptare që fuqitë e mëdha i dhuruan shtetit grek, janë:

Thesprotia (Çamëria)   1 515 km2

Janina                               4 890 km2

Preveza                           1 077 km2

Kosturi                             1 685 km2

Arta                                 1 612 km2

Gjithsej                         10 779 km2

Kurse prof. dr. Selman Sheme, gjeograf, po në këtë studim i nxjerr ato në 2 700 km2..

Pouquevile, konsull Frances në oborrin e Ali Pashës dhe njohës shumë i mirë i realitetit shqiptar në këto treva, në shënimet e tij, me titull: “Udhëtim në Epirin e Veriut,, shkruan: “Arritëm në zonën e Konicë – Grebenesë, fshatrat grekë filluan të rrallohen dhe mbi këto vendbanime nuk ka më fshatra greke. Hymë në krahinën e Kosturit që është e banuar nga shqiptarë. Ajo është krahina më e qetë e pashallëkut të Janinës, ku mungon hasmëria dhe hajdutëria”.Pra në Greqi është një territor shqiptar shumë herë më i madh se ai çam dhe nga këto territore, si edhe Çamëria, në vitet 1922-24 janë dëbuar me dhunë rreth 100 000 shqiptarë (prof. Kalopi Naska-–Dokumente për Çamërinë,,- Dituria, 1999. Tiranë).Dëbimi me dhunë i kësaj popullsie, me fe myslimane por kombësi shqiptare, ka filluar që me shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar. Ajo mori vrull gjatë Luftës Ballkanike, kur u përdor edhe një gjenocid i paparë (shih librin e George Fred Williams, ambasador i Sh.B.A. në Athinë dhe Podgoricë dhe i ngarkuar për këqyrjen e ngjarjeve në territoret shqiptare në këto vite. – (Dielli. Tiranë, 1936).Atëherë, pse pas viteve 1990 të e në vazhdim, flitet vetëm për çështje çame dhe jo shqiptare?. Mendoj se për këtë kanë luajtur rol disa faktorë: Së pari, politika e jonë u tregua servile ndaj Athinës dhe për interesat e saj të ngushta e zvogëloi me sa mundi këtë problem.

Së dyti, spastrimi përfundimtar i territorit çam është më i freskët dhe ka qenë shumë më i egër se sa i të tjerëve. Në vitet 1923-24 u dëbuan vetëm 5 000 çamë dhe 25 000 të tjerë gjatë dhe pas luftës së dytë botërore. Realisht faktor kohë ka pasur në të dy territoret: dëbimi ka filluar në vitet 1922-24 dhe ka vazhduar edhe pas vitit 1944, jo vetëm në territoret çame. Atëherë unë pyes, po të jetë vetëm faktori kohë pse nuk flitet dhe shkruhet, sidomos për dëbimin shqiptarëve të pas Gramozit, që u bë në vitet 1944-47, dhe sot përbëjnë shumicën e qytetit të Maliqit dhe janë shpërndarë kudo nëpër Shqipëri?

Së treti, për mua është, ndofta një ndër kryesorët pas këtyre viteve. Për të ndihmuar studiuesit e këtyre problemeve me rëndësi shumë të madhe, të dhëna me shumë vlerë jep prof. Kaliopi Naska në librin me titull “Dokumente për Çamërinë, Dituria 1999,, ku janë përfshirë dokumente të nxjerra nga arkivi i shtetit. Mendoj që titulli nuk i përgjigjet realitetit sepse 1/3 e dokumenteve i përkasin problemit çam, 1/3 territoreve të tjera dhe popullsisë së tyre (Follorinë, Kostur etj.) dhe ajo që mbetet (ose më mirë shumica) janë dokumente që kanë të bëjnë me marrëdhëniet shqiptaro – greke në vitet 1921 – 1936 (nga Follorina në veri; Hurupishti, taniArgos Orestiko, Grebene dhe Meçova në lindje dhe deri tek Arta në jug).

Së katërti, I pa dukshëm por me rol te madh, është edhe fakti se në tekstet tona shkollore, fatkeqësisht nuk pasqyrohet ky realitet historik (Shiko në tekstin e gjeografisë së shkollave të mesme kapitullin: Trojet shqiptare në Greqi). Janë këto faktorë te cilat kanë bërë që për këto territore të pastra shqiptare dhe popullsinë e tyre, të shkruhet e flitet pothuaj fare. Por, duke vepruar dhe shkruar kështu, opinioni shqiptar dhe sidomos brezi i ri nuk ka se si ta dijë që këto treva dhe ajo e pas Gramozit deri në vitin 1947, janë shqiptare dhe që kanë qenë banuar nga shqiptarë. Dhe më e rëndësishmja është se ata duhet të dinë se ende vazhdojnë të banohen nga shqiptarë te krishterë.

 

Dihet se grekët në vitin 1921 luftuan me turqit në Azinë e vogël dhe beteja përfundimtare u zhvillua në Smirna (sot Izmir). Në këtë luftë ata u thyen. Për të vendosur paqen midis këtyre dy shteteve, në Lozanë u mblodhën fuqitë mëdha të kohës, ku u bë një marrëveshje.

Në këtë konferencë, u vendos që banorët e krishterë të Turqisë (që nuk ishin grekë por të krishterë të mbeturi që nga koha e perandorisë Romake e mandej të asaj Bizantine në territoret e saj, prandaj dhe quheshin Rumë), të vendoseshin në Greqi dhe banorët myslimanë që banonin në shtetin grek, të vendoseshin në Turqi (sipas grekëve dhe turqve feja përcaktonte kombësinë).

Në këtë traktat, është shkruar, se nga kjo marrëveshje do bënin përjashtim shtetasit grekë me kombësi shqiptare dhe fe myslimane, të cilët nuk do të shpërnguleshin në Turqi

Që këto troje nuk kanë qenë greke dhe banorët e tyre ishin shqiptarë që banonin atje që nga lashtësia, e pranojnë vetë edhe autoritetet e larta greke të kohës (Dok.për Çamërinë,,)

Kështu, në bisedimet e Lozanës ministri i jashtëm grek Caklamanos ka deklaruar, në seancën e 21 janarit 1923 (procesverbali i konferencës): “ Nëse ata (shqiptarët) janë bashkë fetarë me turqit, ata nuk janë aspak bashkatdhetarë të tyre,, dhe më tej, sipas faqes 13 rreshti fundit i procesverbalit thekson: Greqia ka propozuar të hiqet dorë nga ky akt padrejtësie, sepse ne nuk kemi të drejtë të nxjerrim jashtë popullsi nga një territor ku ata kanë banuar shekuj me radhë.

Po ky person, ka deklaruar përpara nënkomisionit për këmbimin popullsive, në seancën e mbajtur më 19 janar të 1923: se “shqiptarët banojnë në një territor të përcaktuar qartë, Epir,, –(“Dok. për Çamërinë,, – fq. 87).

Gjithashtu, edhe vetë Venizellos, kryeministër e kryetar i delegacionit grek në konferencën e Lozanës, më 3 shtator 1923 i ka dërguar një letër qeverisë shqiptare nga Legata e Greqisë në Tiranë ku thuhet: “Me anë të letrës së 13 korrikut ju keni pasur mirësinë të kërkoni që qeveria që Greqisë të respektojë angazhimet e marra ndaj Shqipërisë, lidhur me marrëveshjen mbi këmbimin popullsisë, të vendosur midis Turqisë dhe Greqisë në Lozanë. Jam i ngarkuar dhe është kënaqësi për mua t’i bëjë të ditur Shkëlqesisë Suaj se asnjëherë nuk ka qenë qëllimi i qeverisë greke shmangia nga angazhimet solemne të marra në Lozanë, të cilat ajo do t’i respektojë me skrupulozitet, si përsa i përket shqiptarëve myslimanë shtetas të huaj, po ashtu edhe grekë, pasuritë e të cilëve ndodhen në Greqi, njëlloj do të përjashtohen nga këmbimi i parashikuar”. (Dok. për Çamërinë)

Theksojmë se, për këto probleme, Mit’hat Frashëri, në atë kohë ministër fuqiplotë i shtetit shqiptar në Athinë, është shprehur se ka dërguar më se 40 nota proteste dhe se më se 80 herë ka protestuar me gojë.  Por, çfarë ndodhi në të vërtetë ? Për ne shqiptarët, e keqja fillon kur bë zbatimi i këtij traktati. Grekët, në kundërshtim me sa kishin deklaruar e firmosur në procesverbalin e saj, bënë të kundërtën. Ata duke përdorur dhunën i detyruan shqiptarët e këtyre trevave që të shpërngulen dhe vendosen shumica në Turqi dhe një pjesë edhe në Shqipëri. Nuk dihet mirë numri i mirë i shqiptarëve të shpërngulur, por mendohet se janë jo më pak se 100 000 vetë. (“Dok. për Çamërinë,,).

Nga këta, sipas një letre dërguar nga Mit’hat Frashëri nga Athina, më 15 qershor 1925 (AQSh) F. 251, V. 1925, D. 131, f.82-83, nga prefekturat e Follorinës dhe Kosturit janë shpërngulur 30 000 – 35 000 banorë, pra aq sa edhe çamë. Pasuria e këtyre shqiptarëve llogaritej në 20 milion franga ar. Po përmendim këtu se shqiptarë ka pasur edhe në Maqedoni (Selanik, Karaferia, Vodenë, Allasonjë, Katerinë…., pasuritë e të cilëve llogariteshin në miliona franga ar…).

Protestave të shqiptarëve të këtyre trevave si dhe të qeverisë shqiptare të kohës, drejtuar gjithë kancelarive të fuqive të mëdha askush nuk u a vuri veshin dhe vazhdoi dëbimi i shqiptarë myslimanë:

  • Të tërë shqiptarët e Prevezës.
  • Të tërë shqiptarët e Janinës.
  • Një pjesë e madhe shqiptarëve të Konicës.
  • Të tërë shqiptarët e Pargës.
  • Një pjesë e banorëve myslimanë shqiptarë nga Çamëria.

 Zhvillimi i ngjarjeve në atë kohë, paraqitet në përmbajtjen e një notë proteste, drejtuar komisionit të përzier, që ishte caktuar nga fuqitë mëdha për të ndjekur zbatimin e traktatit të Lozanës, dhe ushtronte veprimtarinë e tij në Kostandinopojë. Në këtë dokument Z. Mit’hat Frashëri 11.11.1925, shkruan: “Kur duket se, shpërngulja me forcë shqiptarëve myslimanë të Kosturit, Follorinës, Konicës, Janinës po shkon drejt përfundimit dhe refugjatët e krishterë, rumët, prej Azisë së vogël dhe Anadollit, janë sistemuar në pronat e zaptuara të shqiptarëve, vërejmë se grekët po vazhdojmë më tej, për të mos lënë këmbë shqiptari në Epir dhe përzënë edhe banorët e Çamërisë,,. Më tej ai vazhdon: “Qarkullojnë zëra për heqjen nga Çamëria (Epir), të pesë mijë shqiptarëve, që i detyrohen këmbimit të detyrueshëm,,. “ Në rast se këto zëra janë të themelta, unë jam i ngarkuar nga qeveria e ime të protestoj energjikisht pranë Komisionit Mikst. Ky vendim faktikisht, është në kundërshtime me përmbajtjen dhe me frymën e deklaratës së të dërguarve turq e grekë në konferencën e Lozanës, deklaratë e përsëritur përpara Lidhjes së Kombeve nga i dërguari grek, Sh.T. Z. Caklamanos, i njëjti që kishte pranuar të qenët me vend të kërkesës shqiptare në Lozanë,, (A.q.sh.F.251.V.1925. D. 131/2 f. 112-113).

 Duhet të theksojmë se në këtë valë, që në vitet 1924-1925, “pastroi, nga elementi mysliman shqiptar krahinat e përmendura më sipër, shpëtuan përkohësisht shumica e banorëve çamë myslimanë të katër krahinave të saj: Marglliç, Paramithi, Gumenicë dhe Filat (në këtë kohë u dëbuan vetëm 5000 çamë). Mendoj gjithashtu se kjo u arrit në sajë të luftës vetëmohuese të çamëve, që ishte e organizuar me mirë se në trevat e tjera shqiptare, nivelit kulturor më të ngritur të kësaj krahine dhe rolit që luajti Abas Dine, deputet çam, në parlamentin e Greqisë në atë kohë. Kështu, në këtë kohë u arrit që grekët të pranonin se çamët myslimanë ishin me kombësi shqiptare, gjë që e mohuan për ata të trevave të tjera dhe e gjetën pretekst për t’i dëbuar me dhunë.

Për të bërë të qartë problemin për të cilin po shkruajmë se nuk kemi të bëjmë me çështje çame por çështje shqiptare po sjellim disa dokumente, si:

  • 493. Legata shqiptare në Athinë i drejtohet anëtarit të komisionit mikst të këmbimit të popullsisë E.E. Ekstrand: Athinë, 9.prill.1924: Zoti i Deleguar: Në vijim të bisedës sonë të fundit, kam nderin t’u dërgoj bashkëngjitur një listë të fshatrave në prefekturat e Janinës, Kosturit e Follorinës ku, sipas të dhënave të mija, popullsia i përket racës shqiptare. Mendoj se do të ishte me vend të pranohej ky fakt….Fshatra të pastër shqiptare në: dhe përmend emrat e 41 fshatrave……Pranoni Zoti i Nderuar…..AQSH.F251V.1924.D.85.F4-6 (K.Naska. “Dok. për Çamërinë,,
  • 1324. Legata shqiptare në Athinë i drejtohet ministri MPJ Tiranë: Athinë, 12.gusht.1924. Ku thuhet se popullsia shqiptare nuk mundi të shprehte dëshirën evet pasi nuk i pa anëtarët e komisionit mikst: me këtë u morën xhandarët; ata i dëbuan shqiptarët e Follorinës dhe Kosturit, i ndoqën përpara tyre, i nxorën nga shtëpitë dhe flakën ne Aizinë e vogël… AQSH.F251V.1924.D.84.F.94-98 (K.Naska. “Dok. për Çamërinë,,
  • 561. Letër z. Mithat Frashëri drejtuar ministrit MPJ Tiranë. Athinë 12.maj.1925. ….Kjo situatë më jep kurajën të heq edhe një herë akoma vërejtjen e Shkëlqesisë Suaj mbi këto dy pika: 1. Duan bërë hapa energjike për ata të 30. 000 Shqiptarë që u përzunë me dru nga Kosturi dhe Follorina ( për këta Shqiptarë, Shkëlqesia e Juaj do gjeni hollësina në më tepër se 50 raporte të mij) …… AQSH.F251, V.1925, D.131.F.297 (K.Naska. “Dok. për Çamërinë,,
  • Më 6 shtator të atij viti Zoti Mithat, i drejohet ministrit me një tjetër letër, ku ndër të tjera shkruan se:…1. Z. Ekstrand punon çiltazi kundër shqipërisëdhe që ay u ba shkaku të përzihen nga Kosturi dhe Follorina 35.000 Shqiptarë.F251, V.1925, D.131/1.F.151-53(K.Naska. “Dok. për Çamërinë,,

Dihet që pjesa me e madhe e kësaj popullsie u vendos në Turqi kurse një pjesë erdhi këtej, në shtetin shqiptar. Shqiptarët me origjinë nga trevat Follorinë – Kostur – Hurupisht (Argos Orestiko), e deri Konicë e Grebene, u vendosen sidomos në Devoll, Bilisht, fushën e Korçës (krijuan disa fshatra), Maliq, Lushnjë ( në qytet një lagje të tij dhe disa fshatra), Elbasan, Sukth etj. Për sa i takon numrit të tyre sipas hulumtimeve të shoqatës së kësaj popullsie, sot ajo arrin në mbi 100 000 vetë.

Shtroj pyetjen, kjo popullsi që ka të njëjtin fat me çamët, a nuk ka të njëjtat të drejta me ata ?

Kjo është e vërteta e shkuar historike. Por, pse mohohet kjo e vërtetë e madhe? Pse ajo nuk ngrihet nga politikanët tanë? Pse, së paku, nuk reflektohet në tekstet tona shkollore? Në Korçë dhe Himarë nuk ka pasur dhe nuk asnjë grek dhe pretendohet se ka, dhe madje kanë edhe shkolla. Por si është e vërteta sot në këto treva shqiptare ne Greqi???

At Antoni Bellushi shkruan se ne 1995 në Follorinë janë ende 9 fshatra që flasin shqip. (“Richerche e studi tra gli Arberori Dell’Ellade,,)

Arben Llalla në studimin “Demografia e Viseve Shqiptare në Greqinë e Veriu,,. Tetovë 2013,, ka shëtitur në Greqi dhe nxjerrë të dhëna që shqip flitet ne rreth 30 fshatra të Trakisë Greke. Sipas tij, shumë studiues si Aristidh Kola, Kosta Kazaqi, dhe Evangjelos Gr. Avdhikos, shkruajnë se në Trakinë Lindore rreth lumit Evros, banojnë mbi 40.000 shqiptarë. (fq.128), Ata, janë shprehur disa herë nëpërmjet shtypit dhe televizioneve shqiptare, për kujdesin që duhet të ushtrojë shteti grek të cilit i përkasin sot, por edhe nga shteti mëmë Shqipëri për hapjen e shkollave në gjuhën amtare shqipe në komunën e Tiqeros, ngjashëm me të drejtat e shkollimit që minoriteti grek dhe minoritete të tjera i gëzojnë në Shqipëri.

Bazuar në këto fakte, pse ne vëllezërit e tyre të një gjaku heshtim? Apo pse duke menduar se po folëm, greku do te na bëjë gjëmën. Por, çfarë ndodhi pas deklaratave të kryeministrit tonë në interpelancën me Zotin Dule për kishën “greke,, në Himarë,. Pse nuk u ndjenë grekët pas deklaratave të tij? Pse nuk vepruan siç kanë vepruar këto 25 vjet? Kuptohet, sepse ne kishim dhe kemi të drejtë.

           Trajtimi i këtij problemi si ҪESHTJE SHQIPTARE me GREQINE dhe jo thjesht si ÇËSHTJE ÇAME, do bëjë që problemet tona si shqiptarë që kemi me grekët, të zgjidhen më plotë, më shpejt dhe më me drejtësi. Fatkeqësisht partia çame, vazhdon t’i përmbahet vetëm problemit të tyre, ky është një faktor kryesor dhe ka bërë që e njohur të mbetet vetëm çështja çame dhe jo realiteti i plotë i trojeve shqiptare dhe shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Greqi.

[1]Kryetar i shoqatës “Shqiptarë me prona në Greqi”

 

Filed Under: Analiza Tagged With: APO ÇËSHTJE ҪAME, ÇËSHTJE SHQIPTARE, me Greqine, Prof. as. dr. Agim Koçillari

Kosovë-Regjistrim i popullsisë në veri në 2016-tën

December 11, 2015 by dgreca

PRISHTINË, 11 Dhjetor 2015/ Gjatë vitit të ardhshëm në veri të Kosovës, në katër komuna me shumicë serbe, do bëhet regjistrimi i popullsisë, i refuzuar në vitin 2011. Këtë e paralajmëron sot media serbe duke iu referuar drejtuesëve të qeverisë kosovare dhe të Eurostatit.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Kosovë-Regjistrim i popullsisë, në 2016-tën, ne veri

Viti 1990 ishte annus mirabilis për ne shqiptarët

December 11, 2015 by dgreca

Nga Dr. Sali BERISHA/
Mirënjohje të thellë ndaj të gjithë atyre studentëve dhe intelektualëve, që me aktin e tyre, trimërinë, guximin shndërruan në annus mirabilis vitin më të mërzitshëm të jetës sime, sepse viti më i mërzitshëm i jetës ishte viti 1990 për faktin se të gjitha vendet po ndryshonin kurse ne, dukej në aparencë se do të mbeteshim Kuba e Adriatikut. Por parashikimet ishin të gabuara sepse studentët, intelektualët dhe qytetarët e Tiranës ia dolën po atë vit ta shndërrojnë pas kaq e kaq vite të tmerrshme, horribilis, vit mrekullie për shqiptarët. Ishte vërtet një annus mirabilis sepse ne erdhëm në dhjetorin ‘90, duhet ta pranoj, si një komb i turpëruar, por dhe i poshtëruar. Nietzche ka thënë një fjalë të cilës ata që kanë provuar shtypjen dhe një mijë herë ta mendojnë nuk i heqin dot as edhe një germë: “njeriu i shtypur është turpi i natyrës, njeriu i lirë është fëmija i natyrës”.
Ne ishim të shtypur dhe të tillë erdhëm. Kjo lëvizje hapi për ne dyert e lirisë, riktheu për ne liritë dhe të drejtat e ndaluara me Kushtetutë, hapi për shqiptarët derën e një seri proceseve falë të cilave sot janë të lirë.
Ne si komb, por jo vetëm ne, çdo familje, çdo komb, çdo individ në udhëtimin e tij përballet me rreziqe, me vështirësi. Rreziqeve s’ke ç’u bën, do i përballosh dhe gabimi më i madh është të mendosh ndryshe, kurse vështirësitë me urti dhe mençuri edhe mund t’i zvogëlosh problemi ynë është se në mënyrë të përsëritur ne nuk kemi patur qëndrime të përshtatshme ndaj vështirësive dhe ja kemi komplikuar më shumë historinë vetes sonë.
Tani jemi në rrugën e lirisë, lavdi Zotit dhe besoj se edhe vështirësitë e përkohshme që janë reale, sepse ne, pas një tranzicioni, pas një pasazhi të rregullt të civilizuar të pushtetit që bëmë 2 vjet më parë, përballemi sot pas 25 vitesh me gjëra që imagjinata nuk mund t’i merrte me mend, përballemi me një përpjekje për të rikthyer kultin e Enver Hoxhës, përballemi me dekorimin e xhelatëve të vërtetë të sistemit komunist.
Sot të përndjekurit politikë donin të shkatërronin bunkerin në qendër të qytetit. Shumë nga ju këtu e keni të vështirë të imagjinoni pse kjo betejë me bunkerin, por për ata ai është simboli i burgut që ata bënë.
Për çdo shqiptar ai është simboli i mjerimit dhe varfërimit të tyre ekstrem. 16 vite me radhë 36% e buxhetit të shtetit u fut në bunker. Kurse për Edi Ramën që ndërtoi bunkerin është një atraksion atëror. Por prapë sot jemi vend anëtar i NATO-s, jemi vend kandidat i BE, kështu që sado anakronike që duken këto qëndrime unë jam i bindur se do të marrin përgjigjen e merituar dhe se nuk kanë të ardhme.
Ju shpreh edhe një herë mirënjohjen më të thellë zoti President për nderimin që më bëtë dhe do të përpiqem që të bëj çfarë të kem mundësi, së bashku me të gjithë shqiptarët, që flamuri ynë të valvitet krahas flamujve të tjerë të Europës në Bashkimin Europian.

* Fjala me rastin e dekorimit nga Presidenti Bujar Nishani

Filed Under: Analiza Tagged With: për ne shqiptarët, Sali berisha, Viti 1990 ishte annus mirabilis

NJOFTIM I VATRES

December 11, 2015 by dgreca

KESHILLI DREJTUES I VATRES MBLIDHET ME 20 DHJETOR/

Në mbledhjen e së Mërkurës, datë 9 dhjetor 2015, Kryesia mori vendim që të mblidhet Këshilli Drejtues me datën 20 dhjetor 2015, në orën 1:00 PM në selinë e Vatrës.

Në mbledhjen e radhës të Këshillit, krahas rendit të ditës, do të diskutohet edhe mbi propozimin e diskutuar në Kryesi, që viti 2016 të shpallet “Viti i Faik Konicës”. Vit 2016 shënon 120 vjetorin e botimit të revistës “ALBANIA” nga Konica.

Filed Under: Vatra Tagged With: 20 Dhjetor, Keshilli, Njoftim

RIZGJIM TEJET I VONUAR APO FASADA E RRADHËS ?

December 11, 2015 by dgreca

*Nëse politika shqiptare dekoron 1000 ish partizanë, ish kuadrot e organeve të dhunës, ish hetues, prokurorë, gjykatës, oficerë drejtues të lartë të ish Sigurimit të Shtetit, para një viti fshehtas e pa bujë, është një hipokrizi e papranueshme dekorimi i pak viktimave të kampit të Spaçit./

* E vërteta është se Shteti shqiptar i këtyre 25 viteve është i sinqertë kur dekoron ish kasapët e diktaturës dhe shtiret kur dekoron viktimat e Revoltës së Spaçit. Mbas dhunës së 47 viteve të regjimit komunist, fatkeqësisht u përballuam me talljen e hapur apo të maskuar të të ashtuquajturit Shtet demokratik. Tallja dhe hipokrizia janë një tjetër variant i dhunës, sepse respektojnë të njëjtën logjikë të kësaj të fundit, raportin e forcave që lejon çfarëdo lloj qëndrimi./

*Strategjia e Katovices, e kthyer në program shtetëror nëpërmjet fjalës së Ramiz Alisë së tetorit 1989, u zbatua deri në imtësi në këta 25 vite./

NGA EUGJEN MERLIKA/

Vizita e Kryetarit të Shtetit në ish kampin e punës së detyruar të Spaçit është një ngjarje e rëndësishme, jo vetëm për faktin që, për herë të parë gjatë një çerek shekulli autoriteti më i lartë “denjoi” të shkojë e të shohë rrënojat e njërit nga “ferret” e socializmit shqiptar, por edhe për fjalën që mbajti dhe dekoratat që shpërndau. Duke mbajtur parasysh faktin se z. Nishani përfaqëson shtetin shqiptar e nuk ka folur atje si qytetar i thjeshtë, duhet të pranojmë se fjalët e tij janë edhe zëri edhe mendimi i politikës shqiptare sot. Do të ishim të lumtur të besonim ne, ish të dënuarit e Spaçit dhe të gjithë kampeve e burgjeve të Shqipërisë, se kjo është e vërtetë. Faktet e gjithë kësaj periudhe, t’ashtuquajtur të kalesës, na lënë dyshimin se edhe veprimi i fundit i Presidentit mund të jetë thjesht demagogji.

Nuk kanë kaluar veçse pak ditë nga festimet e 29 nëndorit, përvjetorit të ditës kur komunizmi mori pushtetin në Shqipëri. Ajo ditë ishte fillimi i tragjedisë më të egër të kaluar mbi truallin shqiptar, pavarësisht se ajo ende sot serviret si çlirim nga pushtuesit, të cilët u larguan vetë, si pasojë e humbjeve në të tjera fronte. Në fakt ajo datë ishte robërim, jo për të gjithë, siç thuhet rëndom, por për një pjesë të popullsisë që nuk u pajtua me diktaturën. Nëse hymnizohet ende ajo ditë së bashku me njerëzit me të cilët lidhet kujtimi i saj, nuk mund të dënohen veprimet e regjimit që solli ajo, përfshirë këtu edhe kampin e Spaçit, si pasardhës i denjë i Orman-Pojanit, Bedenit, Vloçishtit, Vlashukut, Gjirokastrës, Burrelit, Tepelenës, Qafës së Barit e sa e sa emrave të tjerë, dëshmitarë, tashmë të heshtur, të diktaturës komuniste në Shqipëri.

Nëse politika shqiptare dekoron 1000 ish partizanë, ish kuadrot e organeve të dhunës, ish hetues, prokurorë, gjykatës, oficerë drejtues të lartë të ish Sigurimit të Shtetit, para një viti fshehtas e pa bujë, është një hipokrizi e papranueshme dekorimi i pak viktimave të kampit të Spaçit. Ndërmjet dekorimeve të para një viti dhe atyre të para dy ditëve, të kryera nga i njëjti autoritet, Shteti shqiptar, cili i përgjigjet së vërtetës ? Pyetja është e ligjëshme edhe për logjikën më parake. E vërteta është se Shteti shqiptar i këtyre 25 viteve është i sinqertë kur dekoron ish kasapët e diktaturës dhe shtiret kur dekoron viktimat e Revoltës së Spaçit. Mbas dhunës së 47 viteve të regjimit komunist, fatkeqësisht u përballuam me talljen e hapur apo të maskuar të të ashtuquajturit Shtet demokratik. Tallja dhe hipokrizia janë një tjetër variant i dhunës, sepse respektojnë të njëjtën logjikë të kësaj të fundit, raportin e forcave që lejon çfarëdo lloj qëndrimi.

Strategjia e Katovices, e kthyer në program shtetëror nëpërmjet fjalës së Ramiz Alisë së tetorit 1989, u zbatua deri në imtësi në këta 25 vite. Të kujtojmë disa nga pikat e këtij programi të pashpallur, por të përqafuar fort nga e gjithë politika shqiptare pas komuniste :

1- “Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë.”

2- “Brënda dy-tri legjislaturave do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë.”

3- “Neve na intereson karta e tyre morale. Këta do t’i afrojmë e do t’u japim punë të parëndësishme, por kurrë nuk do t’i lëmë të na e marrin pushtetin….. Në zbatim të të drejtave të njeriut, duhet t’u japim edhe kompensimin në parà të burgosurve politikë, t’i kompletojmë me komoditete banimi…”

            4- “…Ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste… “

5 – “Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar, nuk kanë fuqi dhe janë të parrezikshëm. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por këta, duke u dhënë nga një pasaportë dhe duke u bërë presion do t’i largojmë nga Shqipëria. Ata që do të pretendojnë, të kundërshtojnë apo të këmbëngulin, do të lëndohen e do të ndëshkohen. Pasuria e tyre na përket neve, sepse ne e bëmë.”

6- “Përveç aleatëve ideologjikë, nëse do të jetë nevoja, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të tjerë në Perëndim, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha.”

Sfidoj këdo nga politika shqiptare të mohojë vënien në jetë të këtij programi deri në hollësi.Madje edhe aty ku programi nuk është sendërtuar, ka qënë pika e dëmshpërblimeve për punën e papaguar të periudhës së dënimeve. Si duket, parashikimi i Ramizit u quajt tepër “bujar” nga pasardhësit, sa që e reduktuan kokoshin në thelë. Prej 25 vjetësh është dhënë vetëm një këst prej tetëve për ata që nuk janë më në jetë. Nuk e di nëse mund të ketë një tjetër term, veç talljes dhe mashtrimit, qëndrimi i Shtetit shqiptar kundrejt ish të përndjekurve politikë. Nëse Kryetari i Shtetit shfaq një tjetër qëndrim, nuk besoj të jetë frut i një evolucioni të brëndshëm i cili të ketë ndryshuar bindjet ndaj problemit. Ndoshta arsyeja duhet kërkuar diku tjetër : mësohet se më 27 tetor rrugën e Spaçit e ka bërë Donald Lu, ambasador i Uashingtonit në Tiranë. Zoti Lu ka shkruajtur në Facebook mbas vizitës : “Vizita në burgun e Spaçit është një dëshmi e gjallë e sakrificave të atyre njerëzve që luftuan për liri dhe kundër tiranisë dhe që shpesh humbën jetën gjatë kësaj përpjekjeje.”

Është detyrë e një ish banori të kampit të Spaçit të falënderojë përzemërsisht ambasadorin e SHBA-s për këto fjalë. Në një të katërt shekulli asnjë përfaqësues i atij Vendi nuk është shprehur në atë mënyrë, madje nuk dij nëse ato janë frut i ndërgjegjes vetiake, që ka kaluar edhe vetë një traumë të tillë familiare, apo qëndrim zyrtar i politikës së jashtëme të Vendit të vet. Sidoqoftë ato fjalë kanë shërbyer si një këmbanë alarmi për klasën politike shqiptare që duhet të japë idenë se vlerësimi amerikan përkon edhe me të sajin. Që këtej turri për në Spaç, fjalimi e dekorimet. Në lidhje me këta më bëri përshtypje fakti i mungesës së dy emravet, të cilët, krahas Xhelal Koprenckës, duhet t’a kishin marrë me kohë vlerësimin e Shtetit demokratik, nëse ky do të kishte qënë vërtetë i tillë. Ata emra janë Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezha. Ata të tre, për mendimin tim, janë heronj, sepse kanë shkuar drejt vdekjes, mbasi kanë plotësuar një detyrë qytetare dhe intelektuale kundrejt ndërgjegjes së tyre dhe Atdheut, duke i shkruar nga Spaçi Enver Hoxhës, për t’i thënë me pak fjalë se politika e tij ishte antikombëtare dhe antipopullore.

Ndjesa e pakërkuar është një nga argumentat e trajtuar në fjalën e z. Nishani. Është një argument i prekur me dhjetra herë nga ish të përndjekurit, por pa asnjë farë efekti praktik, mbasi asnjë nga ish nomenklatura e kuqe, për më tepër nga organet e dhunës, nuk e kanë ndjerë si detyrë morale e njerëzore t’a kërkojnë, sepse asnjëherë Shteti demokratik nuk e ka dënuar seriozisht, por vetëm për formë atë dhunë. Sot, kur ambasadorët e huaj po flasin me forcë për këtë aspekt të mjegullt të demokracisë shqiptare, politika nxiton t’a nxisi atë dukuri e presidenti bëhet zëdhënës. Kjo nuk bëhet për të korigjuar një domosdoshmëri morale të shoqërisë e të shtetit, por për t’a fshehur mangësinë mbas një fasade, në dukje të pranueshme, duke gjetur një kompromis në këtë drejtim me zëmërgjërësinë e ish të përndjekurvet.

Krahas kërkesës së faljes përmëndet edhe termi “drejtësi” që, për Presidentin, do të thotë : gjetje e eshtrave, hapje e dosjeve, dënimin ligjërisht dhe sidomos moralisht të kriminelëve gjakatarë etj. Të gjitha këto janë fjalë të bukura, madje shumë të vlefshme, por kush mund t’i besojë sendërtimit të tyre, kur për njëzet e pesë vjet nuk kemi ndigjuar asnjë rast, që të jetë proçeduar ndonjeri, dhe jo më shumë se një vit më parë janë dekoruar për “veprat” e tyre.

Drejtësi do të thotë proçedim penal për ushtruesit e dhunës dhe autorët e krimeve, siç bëjnë në botë edhe me 90-vjeçarë, ish roje të kampeve naziste, të mbijetuar deri në ditët tona. Gjetja e eshtrave dhe hapja e dosjeve janë një detyrim, i lënë tepër gjatë pa u plotësuar, për një shtet që kërkon të ndreqë imazhin e tij të lyer me gjak. Është një turp fakti që, ende mbas një të katërt shekulli, këta detyrime nuk janë plotësuar, madje vazhdojnë të shpalosen si “të mira” që u premtohen ish të përndjekurvet, në mënyrë alternative, nga dy grupet e pushtetit në rastin e fushatave zgjedhore.

Duke nxjerrë përfundimin e arsyetimit mbi fjalën e Presidentit në Spaç, mendoj se kemi të bëjmë me një tjetër veprim fasade, që i shtohet portreteve të martirëve të Kishës, në rastin e vizitës së Papës Françesku në Tiranë.

Zotërinj qeveritarë, ju e dini shumë mirë se çfarë duhet të kishit bërë për viktimat e regjimit që ju e trashëguat paqësisht. Besoj se nuk keni nevojë t’u a këshillojë askush, por ju nuk do t’i bëni kurrë ato sepse për ju, sikurse për paraardhësit tuaj në pushtet, ata mbeten “armiq”, edhe se atë fjalë nuk do t’a përmendni kurrë, mbasi nuk jetoni më në “kështjellën e pamposhtur të socializmit në botë”, por jeni në NATO e kërkoni të hyni n’Evropën e Bashkuar.

Duke qënë të vetëdijshëm për këtë të vërtetë besoj se kemi të drejtë t’u kërkojmë vetëm një “nder” : mos u tallni më me ne dhe mos bëni fatkeqësitë tona armë të luftës suaj për pushtet!

Dhjetor 2015                                                 Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: APO FASADA, E RRADHËS ?, Eugjen Merlika, RIZGJIM TEJET I VONUAR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT