• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2016

Ja përse Lulzim Basha e censuroi intervistën që dha tek Zëri i Amerikës !

March 28, 2016 by dgreca

Opinion nga Elida Buçpapaj/

Lulzim Basha, kryetari zyrtar i PD, kreu një vizitë disa ditore në SHBA. Ai u mirëprit nga zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Kongresmenë, diaspora etj.Lulzim Basha po ashtu dha edhe një intervistë tek Zëri i Amerikës, seksioni shqip për gazetaren Ardita Dunellari.

Të gjitha aktivitetet Lulzim Basha i ka pasqyruar në faqen e tij zyrtare në Facebook përveç intervistës tek Zëri i Amerikës, e cila u botua e plotë me video dhe e zbardhur, pra me tekst. Troç, e ka censuruar këtë intervistë, ashtu si censurojnë vetëm diktatorët dhe diktaturat.

Duke iu hedhur një sy deklaratave fishekzjarre që ka lëshuar për gazetarët sapo ka mbërritur në Shqipëri, se paska marrë “mbështetjen e SHBA për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, kjo më bën të rikthehem tek intervista e sipërpërmendur për të parë më mirë se çfarë mesazhi mori ai nga institucionet Amerikane, intervistë që ai ia fshehu elektoratit dhe publikut, diçka e papranueshme për një lider të formatit Perëndimor, i cili kur arrin dhe censuron Radion që e mbështet Departamenti Amerikan i Shtetit, merreni me mend se çfarë bën me gazetarët që duan ta fitojnë bukën e gojës me punën e tyre të ndershme.

Që në fillim të intervistës tek Zëri i Amerikës, Lulzim Basha bëri zhurmuesin dhe i iku pyetjes të gazetares. I iku jo se nuk e kuptoi pyetjen, por qëllimshëm, për të thënë atë që deshte dhe jo atë që i kërkohej të përgjigjej. Një formë spekulimi.

Kur gazetarja Ardita Dunellari e pyeti: “Lidhur me rolin e opozitës në Shqipëri, çfarë mesazhi përcillni nga zyrtarët amerikanë”, Lulzim Basha doli jashtë temës dhe filloi të flasë për 25 vjetorin e rivendosjeve të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA, dhe kur gazetarja ndërhyri, Lulzim Basha vazhdoi të japë leksione demokracie, sikur korrupsioni të kishte lindur prej 23 qershorit 2013 e këndej, ditën kur PD humbi zgjedhjet, sepse elektorati demokrat i Shqipërisë e kishte braktisur këtë forcë politike që kishte hequr dorë nga premtimet dhe standartet demokratike, për të cilat  “u shiste mend” amerikanëve Lulzim Basha tek Zëri i Amerikës.

Nuk ishte aspak korrekt fakti se ai i ikte me koshiencë dhe në mënyrë të pacipë përgjigjes, por kur ai e devijoi pyetjen, gazetarja ia bëri edhe më eksplicite dhe i tha se “Radio Zëri i Amerikës kishte kontaktuar me Departamentin e Shtetit lidhur me takimin që kishte patur ai dhe  zyra e zonjës Nuland në komentin e saj  ka theksuar edhe nevojën që opozita të jetë e gatshëm dhe e hapur për kompromis dhe për të bashkëpunuar me qeverinë për të gjetur zgjidhje për problemet më kryesore të vendit si dekriminalizimi, reforma në drejtësi.”

Në vend që zbardhja nga ana e gazetares e asaj që kërkonte DASH, diçka që ai e fshehu, ta vinte në pozitë të vështirë Lulzimim Bashën, përkundrazi ai vazhdoi pa iu skuqur faqja të jepte receta moralizuese, duke harruar se nëse drejtësia dhe politika është e inkriminuar, kjo për fajin e lidershipit dhe qeverisjeve që kanë drejtuar Shqipërinë këta 25 vjet.

Kur gazetarja e pyeti se si mund ta mbrojë PD reformën gjyqsore nga presioni politik, kur PD vetë po futet në dialog me interesa të caktuara, Lulzim Basha vazhdoi të bënte demagogji sikur PD qenka faktor konsensusi dhe problemi i ngecjes dhe ngërçit është pala tjetër, kur në fakt reforma në drejtësi ka ngecur sepse të gjitha palët nuk duan të kryhet pasi i frikësohen drejtësisë.

Edhe sa i përket Byrosë Kombëtare të Hetimeve, njëri nga pretendimet e PD që ngritja e këtij institucioni të bëhet pas ndryshimeve kushtetuese, është vetëm një mënyrë që ky institucion të mos ngrihet ose të vonohet sa më shumë të jetë e mundur ngritja e tij, sepse ndryshimet kushtetuese kërkojnë kohë, ndërsa faktori ndërkombëtar kërkon që BKH dhe reforma në drejtësi të kryehet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Lulzim Basha bëri një ndërhyrje tjetër patetike dhe arriti kulmin e demagogjisë kur i tha gazetares të Zëri të Amerikës se “Shqipëria nuk është Republika Prokuroriale e Shqipërisë, dhe as Republika Gjyqësore e Shqipërisë; është Republika e Shqipërisë – një demokraci parlamentare”, kur e vërteta është se Shqipëria është kthyer në Republikën e Kapur nga liderët e tre partive kryesore, të cilët në mënyrë antidemokratike kanë vendosur se cilët do të jenë deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, se cili do të jetë Kryeprokurori i Shqipërisë, se cilët do të jenë kryegjyqtarët, gjyqtarët, presidenti, kryetari i shërbimit sekret i Shqipërisë, deri se cilët do të jenë opinionistët dhe gazetarët e Shqipërisë duke e degraduar dramatikisht sistemin.

Prandaj reforma në drejtësi për dekriminalizimin e politikës dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve është SOS-i i fundit për të shpëtuar shtetin.

Kur gazetarja i tha Lulzim Bashës se PD “mban përgjegjësi për faktin, që korrupsioni arriti një nivel të atillë deri sa ka një angazhim të tillë të elementit ndërkombëtar për ta shkulur këtë problem, duke qenë se PD ka pasur pushtetin deri para tre vjetësh”, lideri i opozitës në vend që të mbante përgjegjësi, filloi të mbrohej duke sulmuar palën tjetër, ku sipas tij në kohën kur qeveriste PD ka pasur korrupsion, por tani që po qeveris PS korrupsioni është rritur edhe më.

Një përgjigje pa përgjigje dha Lulzim Basha edhe sa i përket Firmës Podesta, e cila ka lobuar për vizitën e kryetarit të opozitës në Washington D.C. Pyetjes të gazetares se përse ka lobuar kjo firmë, kur Departamenti i Shtetit e ka mirëpritur Lulzim Bashën, ky reagoi pa asnjë lloj modestie, por kur gazetarja e pyeti se sa e kishte paguar PD këtë firmë, Lulzim Basha reagoi me kakofoni se Podesta ka lobuar gratis për ta, çka tingëllon absurde sepse asnjë firmë, aq më tepër në SHBA, aq më tepër me emër si Podesta, nuk punon gratis  as për Lulzim Bashën dhe as për Sali Berishën.

Në këtë intervistë, Lulzim Basha nga pozita aspak dinjtoze mbajti një qendrim ex chathedra, dha leksione demokracie, kur duhej të mbante kokën ulur, për faktin e thjeshtë se nëse Shqipëria ndodhet me këto rekorde korrupsioni dhe inkriminimi, faj për këtë janë dy forcat kryesore politike, që tashmë janë bërë anët e të njëjtës medalje këtë çerek shekulli tranzicion.

Ndërsa pretendimet e alternativës të Lulzim Bashës për zgjedhje të reja nga Washintgon D.C.  janë në rezonancë të plotë me ato të Sali Berishës, që përkuan edhe me një ribllokim të reformës zgjedhore posa Lulzim Basha i vuri këmbët në Tiranë, duke harruar premtimet që dha në Washington D.C..

Mendon Lulzim Basha se Podesta është më e fortë se DASH, dhe me një të rënë të lapsit, kryetari zyrtar i PD, do të arrijë çdo lloj fantazije për të ricikluar pushtetin e të bëhet shefi i qeverisë së re të Shqipërisë, kështu kope e inkriminuar si janë tani  ?

Që nga 23 qershori 2013, Lulzim Basha nuk ka ndërmarrë asnjë hap reflektues pas humbjes drastike të PD-së, ndërsa në intervistën tek Zëri i Amerikës, qëndrimi i tij herë duke i devijuar pyetjeve të gazetares, herë duke bërë zhurmuesin, herë duke u bërë demokratin, e herë konsensualin, me një eufori dhe mendjemadhësi deri në arrogancë të pajustifikuar, tregon se PD po vijon kursin e saj të shtrembër, të imponuar nga kupola dhe garda e vjetër që synon të qëndrojë në pushtet me një riciklim të ri. Prej kur kanë humbur zgjedhjet, nuk ka asnjë tregues për katharsis të PD. PD drejtohet me grusht të hekurt nga kupola oligarkike e zgjedhur nga Njëshi, që i ka patur gjithmonë frenat e shtetit kur është bërë ciklimi i pushteteve. Këta njerëz nuk do të fitonin asnjë votë nëse Shqipëria do të ketë një sistem zgjedhor proporcional dhe lista të hapura.

Kjo e bën urgjente reformën në drejtësi, për dekriminalizmin, funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimeve si dhe domosdoshmërinë e reformimit të sistemit zgjedhor që zgjedhjet e reja të mos i gjejnë shqiptarët përpara listët ku njëshi i partisë katapulton ata që nuk e meritojnë të përfaqësojnë popullin, por meritojnë të dalin përpara drejtësisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Interviste, Lulzim Basha, zeri i amerikes

KRISHTI U NGJALL !

March 28, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

MARTIRËT E KISHËS KATOLIKE NË SHQIPNI THIRRËN:“Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme.

Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!/

U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”/

  • Genocidi komunist ka përfshi nga viti 1944 – 1990 këta Klerikë Katolik në Trojet Shqiptare:/
  • TË PUSHKATUEM:

(Me gjyqe, pa gjyqe dhe gjyqe të mëshefta)

  1. Imzot FRANO GJINI (1886 – 1948) Regjent i Delegacionit Apostolik në Shqipni. 1945.
  2. Imzot GJERGJ VOLAJ (1904 – 1948) Ipeshkëv i Sapës.
  3. Imzot NIKOLL DEDA (1890 – 1948)

4   Imzot NIKOLL NOGA (TUSHA) (1895 – 1946)

  1. At MATI PRENNUSHI OFM. (1882 – 1948) Provinçial i Françeskanve të Shqipnisë.
  2. At ÇIPRIAN NIKA OFM. (1900 – 1948) Guardian i Françeskanve të Shkodres.
  3. At LEKË LULI OFM. (1908 – 1944).
  4. At LEONARD TARGAJ OFM. (1910 – 1945)
  5. Don LAZËR SHANTOJA (1892 – 1945)
  6. Don NDRE ZADÊJA (1891 – 1945)
  7. Don MARK GJANI (1909 – 1945)
  1. At PAPA PANDI (1909 – 1945)
  2. At ANTON HARAPI OFM. (1888 – 1946)
  3. At GIOVANI FAUSTI  SJ. (1899 – 1946)
  4. At DANJEL DAJANI  SJ. (1906 – 1946)
  5. At GJON SHLLAKU  OFM. (1907 – 1946)
  6. Don NIKOLL GAZULLI (1893 – 1946)
  7. Don ALFONS TRACKI (1892 – 1946)
  8. Don LUIGJ PICI (1907 – 1946)
  9. Don ZEF MAKSEN (1901 – 1946)
  10. At BERNARDIN LLUPI  OFM. (1894 – 1946)
  11. Don LUIGJ PRENDUSHI (1896 – 1947)
  12. Don DEDË MAÇAJ (1920 – 1947)
  13. Don ANTON ZOGAJ (1905 – 1948)
  14. Don EJËLL KOVAÇI (1920 – 1958)
  15. Don DEDË MALAJ (1920 – 1959)
  16. Don ZEF BICI (1919 – 1968)
  17. Don MARK DUSHI (1920 – 1968)
  18. Don MARIN SHKURTI (1933 – 1969)
  19. Don SHTJEFËN KURTI (1898 – 1971)
  20. Don MIKEL BELTOJA ( 1935 – 1974)
  21. Seminaristi MARK ÇUNI (1919 – 1946)
  • TË VDEKUN NË TORTURA:
  1. At LORENC MITROVIÇ OFM. (1872 – 1943)
  2. At BERNARDIN PALAJ OFM. (1894 – 1946)
  3. At SERAFIN KODA OFM. (1915 – 1947)
  4. Papa JOSIF PAPAMIHAJLI (1912 – 1948)
  5. Don ALEKSANDËR SIRDANI (1892 – 1948)
  6. Don PJETËR ÇUNI (1914 – 1948)
  7. Don DEDË PLANI (1889 – 1949)
  8. Don JAKË BUSHATI (1890 – 1949)
  9. Imzot JUL BONATI (1874 – 1951)
  10. Vlla GJON PANTALIA ( 1887 – 1947)
  • TË VDEKUN PAK KOHË MBAS TORTURASH NGA SIGURIMI I SHTETIT:
  1. Imzot FRANO GJURAJ (1893 – 1947)
  2. Don ANTON MUZAJ (1921 – 1948)
  3. Don KOLEC PRENNUSHI (1902 – 1950)
  4. Don LAZËR JUBANI (1925 – 1982)
  • TË VDEKUN NË BURGJE E KAMPE SHFAROSJE:
  1. Imzot VINÇENC PRENNUSHI OFM. (1885 – 1949)
  2. Imzot ERRNESTO ÇOBA (1913 – 1980)
  3. Don MARK BICAJ (1911 – 1946)
  4. Don NIKOLL SHELQETI (1892 – 1947)
  5. Don EJËLL DEDA (1917 – 1948)
  6. Don NIKOLL LASKAJ (1898 – 1948)
  7. At GASPËR SUMA OFM. (1897 – 1950)
  8. At PAL DODAJ OFM. (1880 – 1951)
  9. At KARLO SERREQI  OFM. (1911 – 1954)
  10. At KLEMENT MIRAJ  OFM. (1882 – 1956)
  11. At RROK GURASHI  OFM. (1894 – 1965)
  12. Don RROK  FRISKU (1892 – 1956)
  13. Don PJETËR  NOGA (TUSHA) (1873 – 1958)
  14. Don ANTON  DOÇI (1920 – 1973)
  15. Don MARK  HASI (1920 – 1981)
  16. Don LEC SAHATÇIJA (1906 – 1986)
  17. Don NIKOLL  GJINI (1911 – 1987)
  18. Don PJETËR GRUDA (1922 – 1989)

 VDIQËN MBASI VUEJTËN DËNIMIN:

 Imzot GJERGJ HABERI (1874 – 1950)

  1. Don ZEF SHTUFI  (1879 – 1950)
  2. Don NDOC NIKAJ (1864 – 1951)
  3. Don MARK SHLLAKU (1865 – 1951)
  4. Imzot BERNARDIN SHLLAKU  OFM. (1875 – 1956)
  5. At BUON GJEÇAJ OFM. (1870 – 1957)
  6. At PAL ÇIURÇIJA OFM. (1878 – 1957)
  7. At PASHKO GJADRI SJ. (1877 – 1960)
  8. Don NIKOLL KIMZA (1878 – arratiset, vdes në Romë 1960)
  9. Don NDOC SUMA (1887 – 1962)
  10. Don TOMË LACAJ (1898 – 1962)
  11. At MARIN SIRDANI OFM. (1885 – 1962)
  12. Don VLASH MUÇAJ (1918 – 1963)
  13. At LEONARD SHAJAKU  OFM. (1887 – 1964)
  14. Don MEHILL ÇUNI (1871 – 1965)
  15. At ÇIRIL CANI OFM. (1875 – 1967)
  16. Don LAZËR DEDI (1919 – 1967)
  17. Don PRENKË QAFALIA (1900 – 1967)
  18. Don NIKOLL SHLLAKU (1886 – 1967) 
  19. Don NDRE  LUFI  (1878 – 1969)
  20. At FLORIAN BERISHA  SJ. (1897 – 1970)
  21. At MARK  HARAPI SJ. (1890 – 1974)
  22. At MARJAN PRELA  OFM. (1885 – 1974)
  23. At GJON KARMA  SJ. (1896 – 1975) 
  24. Don PAL GJINI (1905 – 1975)
  25. At ALFONS ÇUNI  OFM. (1900 – 1976)
  26. Don NDUE SOKU  (1922 – 1976)
  27. Don LEKË DREDHAJ (1899 – 1976)
  28. At MËHILL  MIRAJ  OFM. (1909 – 1978)
  29. Don INJAC  GJOKA (1916 – 1979)
  30. At GEGË LUMAJ  OFM. (1904 – 1980)
  31. At  DONAT KURTI  OFM. (1903 – 1983)
  32. At  MËHILL TROSHANI  SJ. (1904 – 1983)
  33. At  SEBASTJAN DEDA OFM. (1916 – 1984)
  34. At  FILIP MAZRREKU OFM. (1913 – 1984)
  35. At FRANO KIRI OFM. (1902 – 1986)
  36. At FERDINAND PALI OFM. (1907 – 1986)
  37. Don MARIAN ARTA (1905 – 1986)
  38. At AUGUSTIN ASHIKU OFM. (1906 – 1986)
  39. At PJETËR MËSHKALLA SJ. (1901 – 1988)
  40. Don KOLEC TONI (1932 – 1992)
  41. Don NDOC SAHATÇIJA (1904 – 1993)
  42. At PETRAQ ISAK (1914 – 1997)
  43. Fra GASPËR JUBANI (1920? – 1992)
  44. Fra Ndue VILA (1879 – 1956)
  • KLERIKË QË U ZHDUKËN NGA SIGURIMI I SHTETIT KOMUNIST:
  1. Don MATISH LISNA (1924 – helmatisë 1958)
  2. Don PRENKË NIKÇI (1921 – aksidentalisht 1974)
  3. Don LAZËR SHELDIJA (1928 – 1988, vra në SHBA)
  • VUEJTËN DËNIMIN DHE ISHIN NË SHERBIM TË FESË MBAS VITIT 1993:
  • 25 Prill 1993 PAPA GJON PALI II – në SHQIPNI.

“….Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë me ruejtë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë, sikur edhe vetë ky shesh na e kujton, u shque figura e naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar…

Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vllazën e Motra s’ ishte pa kurrë në historinë e njerzimit…”

                                                         Papa Gjon Pali II (Në Sheshin Skenderbej Tiranë)

                                          Buletini Katolik Shqiptar, Vol.XIV. fq. 171, 1993. San Francisco USA.

  1. 113. Imz FRANO ILLIJA Argjipeshkëv i Shkodres (1918 – 1997)
  2. Imzot NIKOLL TROSHANI (1915 – 1996)
  3. Imzot ZEF SIMONI (1928 – 2009)
  4. Imzot MIKEL KOLIQI ●KARDINALI I – SHQIPTAR (1902 – 1997)
  5. At ZEF PËLLUMBI OFM. (1924 – 2008)
  6. At ALEKS BAQLI OFM. (1918 – 1993)
  7. At JAK GARDIN SJ. (1905 – 1996)
  8. Don ZEF GILA (1916 – 2000)
  9. At KONRRAD GJOLAJ OFM. (1918 – 2000)
  10. Don SIMON JUBANI (1928 – 2011)
  11. At LEON KABASHI OFM. (1906 – 1998)
  12. Don LUIGJ KÇIRA (1925 – 2008)
  13. Don NDRE KRROQI (1922 – 1996)
  14. At ANTON LULI SJ. (1910 – 1999)
  15. At DIONIZ MAKA OFM. (1910 – 2004)
  16. Don NIKOLL MAZRREKU (1912 – 1996)
  17. Don PASHKO MUZHANI (1915 – 1993)
  18. Don NDOC NDOJA (1914 – 1996)
  19. Don LORO NODAJ (1918 – 1996)
  20. Don NDOC NOGAJ (1926 – 2011)
  21. Don GJERGJ SIMONI (1935 –
  22. Don ERRNEST TROSHANI (1928 –
  23. Don MARTIN TRUSHI (1933 – 1998)
  24. At GJERGJ VATA SJ. (1915 – 2000)
  25. At VIKTOR VOLAJ OFM. (1910 – 1995)
  26. Don JAK ZEKAJ (1906 – 1995)
  • MOTRA QË VUEJTËN DËNIME NË BURGJET KOMUNISTE:
  1. Moter GJEORGJINA BULGARECI (1928 – ?
  2. Moter LILJANA RADOVANI (1925 – ?

 

■EDHE HARRESA ASHT VRASJE…E SHPESH, MA E RANDË SE PREJ PLUMBIT!

PO, MOS HARRONI… TË GJITHË PARA SE TË PUSHKATOHEN KANË THIRRË:

“RRNOFTË SHQIPNIA!”…

Melbourne, 26 Mars 2016.

Shenim: Nga libri “KKSH perballë Gjenocidit komunist 1944 – 1991” Autor FR. 2013.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Fritz radovani, Krishti u ngjall, MARTIRËT E KISHËS KATOLIKE, NË SHQIPNI

Inva Mula- Promovimi i Shqipërisë në New York

March 27, 2016 by dgreca

Promovimi i Shqipërisë në New York, Koncert i mrekullueshëm në një vend historik dhe të bukur  (Foto)

Ngjarja më e suksesshme e muzikës klasike, një ngjarje historike e muzikës shqiptare në Nju Jork, me Divën e muzikës klasike Shqiptare, Sopranon Inva Mula dhe artistët e tjerë shqiptarë

NEW YORK CITY: Mbrëm në një prej sallave më të famshme të koncerteve në qytetin e New Yorkut, në Town Hall, u dha një koncert me muzik klasike shqiptare me pjesëmarrjen e një sërë muzikantësh shqiptarë, ku mori pjesë edhe sopranoja e njohur Inva Mula.

Më shumë se 1000 artëdashës , shqiptarë dhe amerikanë, ndoqën për afro 3 orë një koncert historik, në Town Hall, e cila është një sallë e veçantë koncertesh në Nju Jork, me një histori 100 vjeçare, e kthyer vitet e fundit në objekt historik, që shpesh quhet “udhëkryq kulturor” ku takohen kultura të ndryshme.

Këtë natë magjike me muzik klaske shqiptare, në metropolin e botës, kush do t’a bënte këtë më mirë se askush, tjetër, se sa e bënë mbrëmë në qytetin e New Yorkut, në Town Hall, artistët tanë të mëdhenj që interpretojnë kudo edhe nëpër skenat botërore.

Diva e muzikës klasike shqiptare, soprano me famë botërore, Inva Mula performojë mbrëmë në Town Hall NYC, në këtë koncert, i cili do të mbetet gjatë në mendjen e komunitetit shqiptarë e shoqëruar nga Orkestrën Simfonike të New York-ut me pianistin virtuoz Genc Tukiçi dhe dirigjenti Bujar Lapaj.

26 marsi i këtij viti shënojë edhe një kulminacion tjetër në koncertet e mëdha në qytetin e New Yorkut, në Town Hall, kur u bashkuan në të njëjtën skenë orkestrimet e pianistit virtuoz Genc Tukiçi dhe zëri i të famshmes Inva Mula, mbi krijimet më të bukura patriotike shqiptare.

Në New York Metro Town Hall i cili është një vend historik dhe i bukur, koncerti u drejtua nga dirigjenti i shquar Bujar Llapaj, bashkë me Orkestrën Simfonike të New York-ut .

Koncerti ishte i ndërtuar mbi krijimet e albumit të sopranos Inva Mula, me titull “Për ty Atdhe”, ku u përmblidhen disa nga perlat e muzikës shqiptare dhe jaret shkodrane.

Interpretimi i sopranos tonë të mrekullueshme Inva Mula e shoqëruar në piano nga virtuozi tashmë Genc Tukiçi në një program ku spikatën edhe interpretimet e plot klas të sopranos Dëshira Ameti Krliu, baritonit Kreshnik Zhabjaku, dhe tenorit Riad R. Ymeri,dhe violinistes virtuoze Lule Bllata, dhe mjeshtrit të klarinetës Igli Tungu, e mbajtën audiencën thuajse pa frymë për mëse dy orë e gjysëm.

Tenori virtuoz nga Kosova këtu në SHBA, Riad Ymeri, tha eskluzivisht për gazetën tonë pas shfaqjes tha se :”Ishte kenaqesi te deshmoja nje ngjarje artistike dinjitoze sic i ka hije muzikes se begate shqiptare. Per mu ishte shume kenaqesi qe te jeme pjese e ketij koncerti gjigant.”

Ndërsa shtoi ai se ështe kenaqesi te punosh me Inven, nje kaliber te cilin cdo artist e enderron.

“Une jam ndjere shume i emocionuar gjate interpretimit te romances ‘Fjalet e qiririt’ me poezi te Naim Frasherit, ku data dje me ngjallte perkujtime te bombardimeve te Nato’s ne Kosove 17 vite me pare, prandaj ja dedikova SHBA-ve, Nato’s dhe gjithe deshmoreve te kombit. Eshte gjithemone mahnitese reagimi i publikut shqiptare, me entuziazmin qe te jepe shume vullnet dhe motivim per t’bere gjera te tilla ne nje te ardhme te afert” tha ai.

Falenderoj te gjithe artistet, organizatoret, thotë tenori Riad Ymeri, mbeshtetesit e ketij eventi madheshtor ne NYC, nje ngjarje kjo qe e meriton komuniteti shqiptar i ketij qyteti.

Si fund dua te shtoj qe arma me e forte e shqiptareve/shiptarizmit per mendimin tim eshte: Arti, kultura dhe tradita jone e pasur, tha tenori shqiptar Riad Ymeri.

Në këtë ngjarje të rëndësishëme muzikore të shqiptarëve në New York, ishin të pranishëm edhe diplomatët shqiptarë, Ambasadorja e Shqipërisë në Washington, Fioreta Luli – Fabri , diplomati nga Konsullata e Kosovës, z. Yleber Kryeziu, ish ambasdori i Shqipërisë, në Londër, Mal Berisha, asambleisti shqiptarë Mark Gjonaj, biznesmeni i sukssshëm Sal Rusi, lider të komunitetit, verpimtarë, artistë dhe muzikan të njohur shqiptarë, studnentë, muzikantë amerkanë dhe të huaj, publik i thjeshtë si dhe shqiptarë me banim në zonën e Tri-Shteshit.

Televizionet shqiptare, në Amerikë, TV Pasqyra Shqiptare, nga Toronto, TV Cultura Shqiptare, nga New Yorku, TV 21 nga Kosova, gazeta Illiria, Bota sot, dhe Dielli, drejtpërsëdrejti, e mbuluan këtë event kaq të bukur kulutrorë në mes të Nju Jorkut.

Në këtë koncert spikati vëçanërisht Himni “Lamtumirë” sipas poezisë të Nënë Terezes, interpretuar nga Sopranoja me famë botërore Inva Mula, në katedarlen e Prishtinës me 5 Shtator 2015 me rastin e 18 vjetorit të vdekjes së nobelistes Nënë Tereza.

Bora Balaj në këtë mbrëmje të mrekullueshme, në Nju Jork, e cila i ka prezantuar veshjet folklorike shqiptare herë me fotografi, dhe shpesh me veshjet origjinale në të gjitha trojet shqiptare, në Prishtinë, në Gjakovë, në Ulqin, Tiranë, Strugë, Pogradec, Fier, Korçë, Durrës, Tropojë, Nikaj Merturë, në Vjenë, Berlin, Delemond (Zvicër), Arau, Zurich, Izmir (Turqi), Boras (Suedi), ne Michigen (USA) ka bërë ne kete koncert edhe ate te veshjeve popullore shqiptare nga Kosova, Korces. Veshje tropoje. Veshje Zymjane , veshje Strugane , veshje Dibres veshje Dugagjini , veshje Drenices. Veshje Malesore.veshje Shkodrane. Veshje Mirdite etj.

“Po ketu, tha Balaj, pas koncertiti, kemi prezentu veshjet e trojeve shqiptare , veshje keto origjinale.Sepse ishte nje mbremje e veqant Koncerti i Inves dhe kenget e saj kan qen motivim per ne” tha ajo, duke shtuar se “sidomos kenga per Nenen Terezes”.

Andaj edhe ne deshem qe ti japim nje pamje edhe me madheshtore mbremjes
Ku te gjithe mysafiret u kenaqen ne hyrje duke shikuar veshjet duke bere foto
cilat ishin me konkretisht keto veshje ciles treve i perkasin ato, tha Etnografia e poetja Bora Balaj.

Mbas këtij koncerti të mrekullueshem në lokalin Empire Steak House u mbajt një koktejl me muzikë të zgjedhur popullore, ku këndoi edhe këngëtari i njohur ulqinak në Nju Ju Jork, zaim Pelinku.

Dëshira Ahmeti Krliu, me bashkëshortin e saj edhe ky artistë Arian Kerliu janë edhe kompania ArtisticPromotions, Inc, e cila manxhuan këtë koncert historik në Nju Jork, ka deklaruar për gazetën tonë se : “Ky është një nga momentet kyce do ta quaja që duhet folur me shumë kënaqësi dhe respekt për përkrahësit të këtij koncerti madhështor.

Ne nuk hasëm në asnji pengese në asnji moment nga sponsoruesit tanë dhe këta janë dibranët tonë të cilët e çmojnë dhe e duan artin,këngën e bukur shqipe. I çmojnë vlerat dhe mundin e artistëve,pra do përmend me shumë respekt dhe faleminderim z.Selim Rusi i cili është njeri me shumë merita në jetën e tij,i sukseshem në bizneset e tij dhe njeri qe ka ndihmuar jashtmase komunitetin shqiptar duke i punësuar ata duke i përkrahur ne arritjet e bizneseve të tyre të ndryshme.

Pra, z.Sall Rusi është sponsori gjeneral i këtij koncerti madhështor,bashkë me vëllaun e tij Ilir Rusi, i cili e ka përkrahur koncertin që në fillim dhe ka ndihmuar jashtmase për ne si organizator. Pastaj një kontribut të vecantë ka dhënë z.Dashi Miftari, i cili udhëheq një numër të madh të picerive në Staten Island dhe ka një sukses të madh i cili tani dhe është emeruar Kryetar i Shoqatës të dibranëve në New York bashkë me dibranë të tjerë biznesmen e kanë përkrahur shuë koncertin.

Faleminderim të vecantë i bëjmë z.Fadil Berisha i cili është si Ambasador për të gjithë artistët dhe talentët shqiptar qe jetojnë në ShBA por dhe ngado që ata vijnë dhe i drejtohen ,znj.Shpresa Xhakli një grua me shumë merita në fondacionin e saj për të ndihmuar fëmijët me autizëm,znj,Ana Marku një grua që ka ndihmuar me artizanatin e saj NiNa Nona shumë familje me nevoja financiare,Zoti Mark Gjonaj asambleisti i njohur shiptar në Bronxs i cili ka dhënë një ndihmë në menyrë të vecantë dhe e ka përkrkrahur shumë këtë koncert dhe ne jem shumë faleminderues per të gjitha këto,dhe shumë afaristë të tjerë të cilët do të behen të ditur në banerin e përgatitur për ti njoftuar publikun me bizneset e tyre.

Pra ne nuk hasëm ne probleme të cilat nuk do na jepnin shtyrjen për më tej të organizimit tonë.Me një fjalë përkrahja e sponsorve është kryesorja pa të cilën ne nuk do mund të arrinim deri këtu, për ta bërë këtë një ngjarje historike e muzikës shqiptare në New York, thotë Dëshira Ahmeti Krliu.

Filed Under: Reportazh Tagged With: i Shqipërisë në New York, Inva Mula- Promovimi

PASHKET NE KOSOVE

March 27, 2016 by dgreca

Në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë u mbajt mesha për festën e Pashkëve. Duke i paraprirë fjalimit të imzot Dodë Gjergjit ceremonintë fetare të zakonshme për këtë festë, pjesëtarë të komunitetit katolik në vend dhe të huaj që aktualisht ndodhen në Kosovë, morën pjesë në meshën që shënon ringjalljen e Krishtit.

Në fjalimin e tij, imzot Dodë Gjergji tha se komuniteti katolik në Kosovë planifikon që vitin e ardhshëm ta shugurojë Kishën në Prishtinë në njëvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës nga Vatikani. Dhe për këtë ditë, ai tha se ka ftuar Papa Françeskon, të cilën vizitë shpreson se do ta pranojë.

Imzot Dodë Gjergji bëri thirrje për dashuri për të varfrit, për jetën, popullin, e madje edhe për armikun.

Gjergji: Ta duam edhe armikun

“Këtu, pra, ne, nxënësit e Zotit tonë Jezu Krishtit, nxisim njëri-tjetrin në dashuri për të afërmit, për të varfrit, dashuri për jetën dhe për popullin, por edhe për të gjithë njerëzit, deri te dashuria e skajshme për armikun tonë”, tha ai.

Më tej, Dodë Gjergji tha se në njëvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës shpreson të bëhet shugurimi i Kishës. Ai th a se në emër të besimtarëve e ka ftuar Papa Françeskon që të vijë në këtë shugurim.

Gjergji: Shpresoj që Papa Françesko do ta pranojë ftesën

“Shpresoj shumë, që vitin e ardhshëm, në njëvjetorin e shenjtërimit të Nenës Terezë ta shugurojmë këtë Kishë, të cilën ne e kemi ndërtuar në nder të nënës tonë dhe në emër të të gjithë botës. E në emrin tuaj e kam ftuar Papa Françeskon që të vijë në shugurimin e kësaj Kishe. Dhe shpresoj shumë që ai ta pranojë ftesën”, theksoi ai.

Duke folur për polarizimet brenda-fetare, Gjergji tha se këto mospajtime brenda grupeve dhe individëve me përgjegjësi kolektive, me theks të veçantë te aktet terroriste, shkaktojnë vdekje të njerëzve të pafajshëm, duke rritur dhimbjet dhe vuajtjet si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim.

Gjergji: Aktet terroriste po marrin jetë të pafajshme

“Mospajtimet brenda grupeve dhe individëve me përgjegjësi kolektive dhe shoqërore, e mbi të gjitha për aktin shqetësues të akteve terroriste, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Akte këto që po marrin jetën e pafajshme të njerëzve, të cilët tek popujt e shtypur e mbipeshojnë barrën e dhimbjes dhe mjerimit, kurse te popujt e lirë e mbjellin frikën dhe pasigurinë”, tha tutje Gjergji.

Imzot Gjergji bëri ftesë që të gjithë të kontribuojnë në shtetin laik dhe në shoqërinë multireligjioze, që të krijohet një ambient ku shteti nuk ka frikë nga qytetari besimtar, dhe ky i fundit të dallojë dhe dëgjojë virtytet e njerëzve për t’i vënë në shërbim të së mirës së parbashkët.

Gjergji: Të kontribuojmë në ndërtimin e shtetit laik

“…Që të kontribuojmë në ndërtimin e shtetit laik dhe të një shoqërie multireligjioze, ku shteti dhe shoqëria nuk kanë frikë nga qytetari besimtar, por e ndihmon dhe e ndihmon atë për të jetuar dhe për të zbatuar liritë që i takojnë, kurse besimtari nga ana e vetë do të dijë të dallojë dhe të dëgjojë virtytet e njëri-tjetrit dhe te të gjithë njerëzit dhe t’i vëj ato në shërbim të të gjithë njerëzve, në dobi të përbashkët:, theksoi ai.

Ne kemi pasur guximin në rrethana të errëta historike. Kemi guximin të shpresojmë edhe sot edhe nesër. Populli ynë është i shëndoshë.

Mes tjerash, Imzot Dodë Gjergji tha se populli kosovar ka pasur guxim edhe në periudhat më të errëta historike. Sipas tij, ky popull është i shëndoshë dhe ka guximin të shpresojë për një të nesërme më të mirë.

Filed Under: Komente Tagged With: Dode Gjergji, Ipeshkevi, Pashket ne Kosove

Papa: vende e popuj të martirizuar, në qendër të mesazhit të Pashkëve

March 27, 2016 by dgreca

Në mesazhin e Pashkëve Papa Françesku, pasi kryesoi, në Sheshin e Shën Pjetrit, Meshën Shenjte, kujtoi plagët e botës, plot me njerëz që vuajnë në korp e në shpirt. Ati i Shenjtë, që dha edhe bekimin Urbi et Orbi nga lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit, u ndalua edhe tek drama e krimeve mizore, që shpesh herë kryhen ndërmjet mureve shtëpiake si tek tragjedia e konflikteve të armatosura në shkallë të gjerë, që i detyrojnë popullsi të tëra të kalojnë prova të rënda. Mendimi i Papës shkoi posaçërisht tek popullsitë e viseve të martirizuara nga luftërat, tek viktimat e terrorizmit e tek emigrantët: “Jezu Krishti u ngjall! Dashuria – shkruan akoma Papa sot, në një tweet – e mundi urrejtjen, jeta fitoi mbi vdekjen, drita e dëboi errësirën!”.

Të dashur vëllezër e motra: gëzuar Pashkët!

Jezu Krishti, mishërim i mëshirës së Zotit, për dashuri vdiq në kryq e për dashuri edhe u ngjall. Prandaj sot shpallim: “Jezusi është Zoti!”.

Ngjallja e Tij përmbush plotësisht profecinë e Psalmit: mëshira e Zotit është e amshueshme, dashuria e tij është përgjithmonë e jetës, nuk vdes kurrë. Prej këndej, mund të besojmë plotësisht në Të e ta falënderojmë, sepse për ne zbriti deri në fund të honit.

Përballë greminave shpirtërore e materiale të njerëzimit, përballë golleve që hapen në zemra e që shkaktojnë urrejtje e vdekje, vetëm mëshira e pambaruar mund të sjellë shëlbimin. Vetëm Zoti mund t’i mbushë, me dashurinë e Tij, këto golle, këto hone, e të na ndihmojë të mos fundosemi, por të vijojmë të ecim së bashku kah Toka e lirisë dhe e jetës.

Lajmi i gëzuar i Pashkëve: Jezusi, i kryqëzuari, nuk është këtu, u ngjall!(krh Mt 28,5-6), na jep sigurinë ngushëlluese se humnera e vdekjes u kapërcye e, me të, u mposhtën zija, vaji e ankthi (krh Vap 21,4). Zoti , që pësoi braktisjen e dishepujve të vet, barrën e dënimit të padrejtë dhe turpin e vdekjes çnderuese, na bën tani pjesëtarë të jetës së Tij të pavdekshme e na jep sytë e Tij të dhimbshëm e të mëshirshëm, për t’i parë me ta të uriturit e të eturit, të huajtë e të burgosurit, të përjashtuarit e të  flakurit jashtë radhëve të shoqërisë, viktima të padrejtësisë e të dhunës. Bota është plot me njerëz që vuajnë në korp e në shpirt, ndërsa kronikat e përditshme mbushen me lajme krimesh mizore, që shpesh herë kryhen edhe brenda mureve shtëpiake, si dhe konfliktesh të armatosura, në shkallë të gjerë, që i detyrojnë popullsi të tëra t’i nënshtrohen provave të papërshkrueshme.

Krishti i ngjallur i tregoftë shtigjet e shpresës Sirisë, vendit të dërrmuar nga konflikti i gjatë, me zinxhirin e shkatërrimit, të vdekjes,  mospërfilljes të së drejtës humanitare dhe shthurjes së bashkëjetesës civile. Pushtetit të Zotit të ngjallur ia besojmë bisedimet, në vijim, që me vullnetin e mirë dhe bashkëpunimin e të gjithëve, të mund të mblidhen fryte paqeje e të fillojë ndërtimi i një shoqërie vëllazërore, që respekton dinjitetin dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve. Mesazhi i jetës, që jehoi me gojën e Engjëllit pranë gurit të rrokullisur të varrit, e mposhtët ngurtësimin e zemrave  dhe nxitët takimin e frytshëm të popujve e të kulturave në zona të tjera, si  pellgu i Mesdheut dhe Lindja e Mesme, posaçërisht në Irak,  Jemen e Libi. Shëmbëllimi i njeriut të ri, që shkëlqen mbi fytyrën e Krishtit, favorizoftë bashkëjetesën ndërmjet Izraelitëve e Palestinezëve në Tokën Shenjte, ashtu si dhe gatishmërinë durimtare e angazhimin e përditshëm në përpjekjen për të hedhur themelet e paqes së drejtë e të qëndrueshme përmes bisedimeve të drejtpërdrejta e të sinqerta. Zoti i jetës i shoqëroftë edhe përpjekjet, që synojnë arritjen në zgjidhjen përfundimtare të luftës në Ukrainë, duke i frymëzuar e duke i mbështetur edhe nismat e ndihmës humanitare, ndërmjet të cilave, lirimi i njerëzve të burgosur.

Zoti Jezus, paqja jonë (Ef 2,14), që duke u ngjallur, fitoi mbi vdekjen, e nxitët në këtë festë Pashkësh afërsinë tonë me viktimat e terrorizmit, formë e verbër dhe mizore e dhunës, që nuk pushon së derdhuri gjak të pafajshëm në anë të ndryshme të botës, siç ndodhi kohët e fundit në Belgjikë, Turqi, Nigeri, Çad, Kamerun e në Bregun e Fildishtë e në Irak; i shndërroftë në sukses tharmet e shpresës dhe perspektivat e paqes në Afrikë: mendoj posaçërisht për Burundin, Mozambikun, Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut, ku vijojnë tensionet politike e shoqërore.

Me armët e dashurisë, Zoti e mposhti egoizmin dhe vdekjen; Biri i Tij, Jezus është porta e mëshirës, e hapur në dy kanatat për të gjithë. Mesazhi i Tij i Pashkëve rrezatoftë gjithnjë më shumë mbi popullin e dashur venezuelan, në kushtet e vështira ndër të cilat jeton, si dhe mbi të gjithë ata, të cilët i kanë në dorë fatet e vendit, që të mund të punojnë për të mirën e përbashkët, duke kërkuar hapësira dialogu dhe bashkëpunimi me të gjithë. U bëfshin ngado përpjekje për të favorizuar kulturën e takimit, drejtësinë dhe respektin reciprok, sepse vetëm këto mund të garantojnë mirëqenien shpirtërore e materiale të qytetarëve.

Krishti i ngjallur, kumtim i jetës për mbarë njerëzimin, rrezaton dritën e Tij në shekuj e na fton të mos i harrojmë burrat e gratë që shtegtojnë në kërkim të një jete më të mirë, aradhe gjithnjë më të shumënumërta emigrantësh e refugjatësh – ndërmjet të cilëve, shumë fëmijë – në ikje nga luftërat, nga uria, nga varfëria e nga padrejtësia shoqërore, të cilët, gjatë rrugës ndeshen shpesh me vdekjen ose me refuzimin e atyre, që  mund t’u japin strehë e ndihmë. Takimi i ardhshëm humanitar botëror i rangut të lartë, mos e lëntë pa e vënë në qendër njeriun me dinjitetin e tij e pa hartuar politika të afta për t’i asistuar e për t’i mbrojtur viktimat e konflikteve e të emergjencave të tjera, posaçërisht njerëzit më të ligshtë dhe të gjithë ata, që persekutohen për shkaqe etnike dhe fetare.

Në këtë ditë lavdiplote, “të galdojë toka e përmbytur nga një shkëlqim kaq i madh”(krh Shpallja e Pashkëve), ndonëse e keqtrajtuar edhe e poshtëruar nga shfrytëzimi i etshëm për fitime, që e tjetërson ekuilibrin e natyrës. Kujtoj posaçërisht zonat e dëmtuara nga efektet e ndryshimeve klimaterike, të cilat gjithnjë më shpesh shkaktojnë thatësira ose përmbytje të mëdha, me pasojë, krizat ushqimore në disa vise të planetit.

Me vëllezërit e motrat tona, që persekutohen për fenë e për besnikërinë e tyre në emër të Krishtit e përballë së keqes, që duket sikur ngadhënjen mbi jetën e një mori njerëzish, ridëgjojmë fjalën ngushëlluese të Zotit: “Mos kini frikë! Unë e munda botën!”(Gjn 16,33). Sot është dita e shndritshme e kësaj fitoreje, sepse Krishti e vu nën thembër vdekjen e me ngjalljen e Tij bëri të shkëlqejë jeta e pavdekësia (krh 2Tim 1,10), “Ai na bëri të kalojmë nga skllavëria, në liri, nga trishtimi në gëzim, nga zija në festë, nga errësira në dritë, nga robëria në ringjallje. Prandaj të themi para Tij: Aleluja! (Melitone di Sardi, Homelia e Pashkëve).

Të gjithë atyre që, në shoqëritë tona, e kanë humbur çdo shpresë e deri shijen e të jetuarit, pleqve të dërrmuar që, në vetmi, ndjejnë t’u shuhen forcat, të rinjve, që u duket se u mungon ardhmëria, të gjithëve, u drejtoj edhe një herë fjalët e të Ngjallurit: “Ja, unë i bëj të reja të gjitha sendet… Atij, që ka etje, do t’i jap falas ujë nga burimi i jetës” (Zb 21,5-6).

Ky mesazh ngushëllues i Jezusit e ndihmoftë secilin nga ne të riniset plot guxim e shpresë për të ndërtuar udhë pajtimi me Zotin e me vëllezërit. Kemi shumë nevojë!

Për shumë vjet Pashkët! 

Filed Under: Komente Tagged With: e popuj të martirizuar, në qendër, Papa: vende, të mesazhit të Pashkëve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT