• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Kosovë-Shqipëri, dy qeveritë mblidhen në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës

April 29, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, ku Qeveria e Kosovës dhe Këshilli i Ministrave të Shqipërisë do mbajnë mbledhjen e tretë të përbashkët/

-Qeveria e Kosovës në përgatitje për mbledhjen e përbashkët me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë/

-Qeveritë e Shqipërisë e Kosovës në mbledhjen e tretë do të nënshkruajnë, mes tjerash, një marrëveshje me të cilën marrin përsipër edhe obligimet financiare që dalin nga procesi i zbatimit të marrëveshjes për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë/

Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI -Behlul JASHARI/ 

PRISHTINË, 29 Prill 2016/ Qeveria e Kosovës dhe Këshilli i Ministrave të Shqipërisë do mbajnë mbledhjen e tretë të përbashkët në 3 qershor 2016 në Prishtinë, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014 dhe të dytës në Tiranë në 23 mars 2015.

Kjo u bë e ditur në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës,  të 86-tën, të 19-tën në vitin 2016, drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa.

“Mbetet çështje deri në fund të javës së ardhshme t’i kemi të përfunduara të gjitha marrëveshjet që mund të lidhen mes dy qeverive. Që të mos kemi vonesa në fillim të javës së ardhshme do të ulemi t’i përgatisim ato”, u shpreh kryeministri Kosovar.

Në mbledhjen e 15 prillit,  qeveria e Kosovës deklaroi nisjen e përgatitjeve për mbledhjen e përbashkët me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë dhe paralajmëroi propozimin e grupit të autorizuar përgatitor lidhur me kohën e vendin e mbajtjes mbledhjes së përbashkët.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në takimin në Prishtinë në 7 prill kanë diskutuar mbi axhendën e mbledhjes së ardhshme të dy qeverive dhe në dakordësi të plotë kanë vlerësuar se procesi i bashkëqeverisjes së problemeve dhe çështjeve të interesit të përbashkët ka dhënë rezultate shumë të mira.

Në mbledhjen e mesit të prillit të qeverisë  së Kosovës u theksua koordinimi me qeverinë e Shqipërisë dhe përgatitjet e nisura për takimin e përbashkët. “Koha për të cilën ne jemi marrë vesh përafërsisht me kryeministrin Rama, është fundi i majit ose java e parë e qershorit”, tha kryeministri Mustafa, duke kërkuar angazhim nga kabineti qeveritar në përgatitjet e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që të jetë përmbajtjesore dhe t’i kontribuojë thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.

Mbledhja e përbashkët e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, në 11 janar 2014 në Prizren, ndodhi  për të parën herë pas më shumë se 100 vjetëve të shtetit të parë e pas 6 vjetëve të shtetit të dytë të shqiptarëve.

“Modestish mendoj se ajo që na ka bërë bashkë sot, në një tryezë të bashkëqeverisjes strategjike, qeverinë e Shqipërisë dhe qeverinë e Kosovës, është një nismë që ka të bëjë pikë së pari, me kontributin tonë për integrimin shqiptar dhe rajonal në Evropën e bashkuar, si shprehje  e vendosmërisë sonë të përbashkuar për ta jetësuar këtë integrim si hapësirë evropiane të tejkufijve”, theksonte në mbledhjen e parë kryeministri shqiptar Edi Rama.

Pas mbledhjes, në ceremoninë e organizuar te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive, të Shqipërisë e Kosovës.

Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës janë takuar sërish, në një mbledhje tjetër, të dytë, në 23 mars 2015 në Tiranë, nën moton “Një tokë, një popull, një ëndërr”, ku u firmosën 5 marrëveshje, 4 memorandume, 2 protokolle dhe një deklaratë e përbashkët për zonat e lira ndërkufitare.

Duke paralajmëruar mbledhjen e tretë, kryeministri kosovar Mustafa ka theksuar se, “do të vazhdojmë me takime të përbashkëta të dy qeverive dhe do të punojmë bashkërisht në përgatitjen e takimit të ardhshëm, në të cilin do të bëjmë një vlerësim të punëve të deritanishme, por edhe të aktiviteteve të cilat ne kemi interes t’i zhvillojmë si aktivitete të përbashkëta sepse vlerësojmë se bashkëpunimi me Shqipërinë është i interesit të veçantë për Republikën e Kosovës”.

Qeveritë e Shqipërisë e Kosovës në mbledhjen e tretë të përbashkët do të nënshkruajnë, mes tjerash, një marrëveshje me të cilën marrin përsipër edhe obligimet financiare që dalin nga procesi i zbatimit të marrëveshjes për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Dakordimi për këtë bëhej i ditur në 26 prill  në një njoftim të dërguar nga Ministria e Diasporës në qeverinë e Kosovës.

Njoftimi theksonte se, në Tiranë, menjëherë pas përfundimit të takimit të grupit të punës për zbatimin e marrëveshjes mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, ministri kosovar i Diasporës,Valon Murati, u prit në një takim edhe nga Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe e Sportit e Republikës së Shqipërisë. 

Vëmendja e këtij takimi është përqendruar në lidhje me përmbushjen e detyrave që dalin nga Marrëveshja e përbashkët për unifikimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.

Në mbledhjen e dy qeverive, në Tiranë, në 23 mars 2015, është nënshkruar edhe Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës “Për Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.

Filed Under: Komente Tagged With: mbledhja 3 qershor, ne Biblioteken Kombetare, Shqiperi Kosove

Zviceranët zbulojnë Shqipërinë përmes çiklizmit

April 29, 2016 by dgreca

TIRANË, 29 Prill / – Zviceranët zbulojnë Shqipërinë si vendin më të përshtatshëm të turizmit çiklistik.Tobi Gessler, zviceran, i cili jeton dhe punon në Shqipëri, përmes blogut të tij ka arritur që të bëjë atraktive një tjetër fushë të turizmit shqiptar, atë të çiklizmit.

Duke ftuar tërheqjen e të tjerë sportdashësve, shqiptarë dhe të huaj, kanë nisur organizimet e tureve të çiklizmit në zonat rurale të vendit tonë. Sikurse shkruan Monitor, Gessler tregon për një gazetë zvicerane se fokusi i saj është që të sjellë sa më shumë të huaj që të eksplorojnë zona te ndryshme ne Shqipëri, qe janë ndër më të mirat për turizmin e çiklizmit.

“Të gjithë të apasionuarit e çiklizmit jashtë duhet të eksplorojnë Shqipërinë. Ka fshatra fantastikë dhe rrugë që nuk gjenden në vende të tjera”,  tregon ai, duke shtuar se së fundmi ka themeluar edhe kompaninë “Ride Albania Mountain Biking” për të të tërhequr turistët e huaj.(Sipas ATSH)

Filed Under: Sport Tagged With: përmes çiklizmit, zbulojnë Shqipërinë, Zviceranët

Shqiperi-Monumentet e kulturës, turizmi i kohëve moderne

April 29, 2016 by dgreca

Jemi në pragsezonin e turizmit veror dhe kjo stinë krijon mundësi lëvizje dhe pushimi në vendet më të preferuara bregdetare, natyrore apo turistike te monumenteve të kulturës dhe historisë. Turizmi historik është një turizëm në kërkim për ne dhe mund të quhet si turizëm elitar që në botën e zhvilluar është shumë fitimprurës për ekonominë.

Me miliona vizitorë të objekteve të lashtësisë i gjen nëpër botë duke vizituar themele rrënojash të vjetra dhe monumente të mbetura në këmbë që nga kohët e lashta. Shqipëria cilësohet si një ndër vendet më të lashta në Ballkan, një vend me histori aktive. Mund të përmendim disa qytete shqiptare me vlera të herëshme historike dhe që sot kanë një vlerë të shtuar në turizmin tonë.

Në qoftë se do të nisim nga jugu i vendit, përmendim Butrintin, me emrin e lashtë Buthrotum, që shtrihet rreth 18 km në jug të Sarandës. Pranë tij ndodhet edhe liqeni me ujë të kripur me të njëjtin emër. Është një nga sitet më interesante arkeologjike në Shqipëri, ku vlera të veçanta ka teatri me forme gjysmë-rrethi. Po ashtu, me vlerë janë edhe mbetjet strukturore nga ndërtimet e lashta. Është destinacioni më i vizitueshëm përsa u përket vlerave historike që zbresin deri në gojëdhëna.

Apolonia është qytet antik në Shqipëri, ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera, me të njëjtin emër, të kohës antike. Është themeluar rreth fillimit të shek të IV p.e.s. Gërmadhat e 9Apolonisë janë zbuluar në fillim të shek XIX. Gjurmët më të hershme arkeologjike janë disa objekte të kohës së hekurit, tipike të kulturës ilire. Nga shekujt e parë të jetës së qytetit ruhen disa mbeturina të murit mbrojtës dhe të një tempulli arkaik kushtuar Artemisit, hyjneshës më të adhuruar të apoloniatëve.

Apolonia, pas Dyrrahut, ishte qyteti më i rëndësishëm në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera që e mbanin të njëjtin emër në kohën antike. U ngrit mbi një kodër në një pozicion që zotëron tërë zonën dhe nëpërmjet luginës së lumit Vjosë lidhej me detin Adriatik.

Ndryshe nga qytetet koloni të tjera të cilat ishin ngritur buzë bregdetit, Apolonia ishte ngritur më në brendësi, disa kilometra larg bregdetit. Por, lidhej me bregdetin përmes lumit Vjosa, që në atë kohë ishte i lundrueshëm. Apolonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Apolonia si qytet u themelua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti. Të dhënat e para të pranisë së tyre janë të dokumentuara rreth vitit 588 para Krishtit. Emrin qyteti e mori për nder të perëndisë Apolon dhe qyteti luajti një rol të madh si ndërmjetës tregtar mes helenëve dhe ilirëve. Apolonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Vjosë.

3Llogaritet që qyteti të ketë pasur rreth 60 000 banorë, një shifër rekord për antikitetin.
Arkeologët e quajnë Apoloninë Pompei i Shqipërisë, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.
Me interes të madh për vizitorin në Apoloni janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, muri rrethues, Portiku, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë etj.

Durrësi – Sot është qyteti-port më i rëndësishëm i Shqipërisë. Në pjesën jugore ndodhet plazhi i tij i gjatë më shumë se 10 km. Gjatë periudhës verore në Durrës vijnë më shumë se 150.000 turistë në ujërat e detit Adriatik. Monumentet e qytetit antik i kanë rezistuar kohës dhe janë akoma sot në një gjendje të mirë. Durrësi është një destinacion interesant për turizmin historik dhe prej tij futen në territorin tonë me mijëra turistë çdo vit.

Kruja – Kalaja e Krujës u ndërtua gjatë shekujve të 5-të dhe 6-të. Ka një formë eliptike me sipërfaqe prej 2.25 6hektarësh. Muret rrethuese janë të përforcuara nga 9 kulla, të cilat shërbenin për vëzhgim dhe sinjalizim gjatë periudhave të luftërave. Brenda mureve të kalasë gjenden ende disa shtëpi të banuara.

Berati – U përket qyteteve të rralla ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot. Dy çekanë guri e datojnë fillimin e jetës në të para Periudhës së Bronzit (2600-1800 P.Kr.). Dëshmitë arkeologjike tregojnë se në shek. VII-VI P.Krishtit këtu është zhvilluar një vendbanim paraqytetar, me punishtet e tij të qeramikës dhe me një jetë shoqërore të diferencuar. Në kufijtë e legjendës dhe të historisë, ky vendbanim thuhet të ketë qenë Orestiada e lashtë, i quajtur kështu ;pasi aty banonin një fis i pellazgëve, orestët, i pari i të cilëve ishte Oresti, i biri i Agamemnonit.

Qyteti i mirëfilltë u themelua më 313-310 P.Kr. si qytet-kështjellë i Dasaretisë, i quajtur Antipatrea nga mbreti Kassandër në kujtim të gjeneralit mëkëmbës të Lekës së Madh. Ky është emri i parë i qytetit. Pas pushtimit romak në shek. II P.Kr. ai u quajt prej tyre Albanorum Oppidum (Fortesa e Arbërve). Në shek. V, nën perandorinë Bizantine, 5u përforcua dhe e ndryshoi emrin në Pulheriopolis (Qytet i bukur). I pushtuar nga bullgarët në shek. IX, u quajt Belgrad (Qytet i bardhë) – Berati i sotëm.

Shkodra – Origjina e emrit të saj, SΚΟΔRΙΝΩΝ (Scodra në transkriptimin latin), mendohet të jetë vendi ku shkon Drini (Shko Drinon). Kur erdhën pushtuesit turq në Mesjetë e quanin İşkodra ose Işkenderiyye nga Işkender duke pandehur se banorët e këtij qyteti ishin të bijtë e Aleksandrit të Madh (Skënder, emri i myslimanizuar i Aleksandër) për nga trimëria që shfaqnin në beteja, nga ku Barleti nxjerr një tezë se Shkodrën mund ta ketë themeluar Aleksandri i Madh, por faktet e dëshmojnë për më të vjetër.

Trashëgimia kulturore e Shkodrës për kombin shqiptar fillon që në shek. XV ku ishte qendër e humanizmit. Nga ky ambient dolën në dritë humanistë e mendimtarë të shquar, si Marin Barleti e Marin Beçikemi, që me veprat e tyre nxitën futjen e qytetit në vepra e studime e shkenca të aplikuara. Matematicieni Gjon Gazuli, u konsiderua si një nga astronomët më të shquar të kohës. Dallohet me një nga shkollat më të para në trevat shqiptare më 1698. Historiani E. Jacques shton se edhe të tjera shkolla u hapën “në Pllanë, një fshat afër lumit Mat, më 1638, në Troshan, më 1639″.

Thuhet se Shkodra ka pasur observatorin e parë astronomik në Ballkan. Por të dhënat tregojnë se “akademia” 7kulturore për të cilën shquhet ky qytet fshihet pas errësirës së shekujve. Gjatë qindravjeçarëve Shkodra ka qenë një metropol i qytetërimit shqiptar e madje ballkanik.

Kështu që turizmit historik dhe të kuriozitetit, i duhet dhënë prioritet nëpërmjet investimeve në mirëmbajtjen e qyteteve historike, në infrastrukturën rrugore që të çon drejt tyre, si dhe në kompletimin me personelin përkatës dhe të përgatitur për të pritur vizitorë të huaj.(N Lena)

Filed Under: Kulture Tagged With: i kohëve moderne, Shqiperi-Monumentet e kulturës, Turizmi

Arben Frroku i arrestuar prej 6 Marsit, PD akuzon qeverine

April 29, 2016 by dgreca

Partia Demokratike akuzon qeverinë se si në rastin e Mark Frrokut kanë vonuar të dhënat për Arben Frrokun, i cili sipas saj është arrestuar më 6 mars.Në një dalje për median nga Enkelejd Alibeaj janë të njëjtët persona si në rastin e Mark Frrokut që i shërbyen krimit dhe shkelën ligjin me urdhrin e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe lejen e Edi Ramës

Deklaratë e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Alibeaj

Lajmi i ndalimit të Arben Frrokut, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Lamaj, nxjerr zbuluar bashkëpunimin e dyfishtë të pikave kyçe të policisë, me bekimin e Tahirit dhe Edi Ramës, në arratisjen e të dënuarit dhe me tej në favorizimin e tij për të shmangur drejtësinë.

Ndalimi i Frrokut në Holandë është bërë që me 6 mars. Por autoritetet shqiptare, kanë vonuar dërgimin e të dhënave në shtetin e BE.

Të njëjtët persona, i njëjti mekanizëm, që la në sirtar për muaj me radhë kërkesën e Interpol Bruksel për deputetin e Edi Ramës, vëllain e të dënuarit me burgim përjetë, Mark Frroku.

Të njëjtët persona që shërbyen krimin dhe shkelën ligjin duke fshehur kërkesën e Policisë së Brukselit, sigurisht me urdhërin e Tahirit e me lejen e Edi Ramës, edhe këtë radhë, shërbyen krimin duke vonuar dërgimin e të dhënave.

Ishte denoncimi publik i bërë nga z. Berisha që i detyroi Tahirin e Ramën të dërgojnë të dhënat, ku u konfirmua se ishte pikërisht Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm, shtetasi i ndaluar në Holandë me identitet tjetër të falsifikuar.

Edi Rama fillimisht e mbështeti aleatin e tij politik, duke i mundësuar arratisjen. Pak para se të dënohej me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit, Frroku iku nga Shqipëria pa lënë asnjë gjurmë në sistemin Tims. Pra me urdhër, policia ka hapur kufijtë për të, dhe i dënuari për vrasjen e komisarit të policisë, avulloi pa lënë asnjë shenjë.

Ky bashkëpunim me krimin, me të dënuarin me burgim të përjetshëm për vrasjen e një oficeri të lartë, është në të vërtetë fytyra e Tahirit, e Ramës dhe e kësaj oligarkie që sundon me krimin e për krimin.

Arben Frroku arrestohet në Holandë, fshihej me identitet të rremë/

Policia e Shtetit duke informuar zyrtarisht për arrestimin e Arben Frrokut, thotë se ka nisur procedurat e ekstradimit të tij nga Holanda.Policia thotë se identifikimi dhe arrestimi i tij është bërë më 17:15 minuta.

Sqarimi i policisë:

Interpol Tirana gjatë ditëve të fundit ka patur disa komunikime me homologët në Holandë në lidhje me këtë çështje, por vetëm sot pasdite, u konfirmua se shtetasi i paraqitur me dokumente të falsifikuara nën emrin “Renato Tsepa”, ishte shtetasi Arben Frroku, i dënuar tashmë nga drejtësia shqiptare. Verifikimi i identitetit të shtetasit Frroku erdhi pas krahasimit të gjurmëve të dërguara nga autoritet e vendit tonë për partnerët holandezë. 

Interpol Haga konfirmoi se gjurmët ishin identike me ato të një shtetasi të arrestuar me dokument (pasaportë) greke të falsifikuar, me gjeneralitetet “Renato TSEPA”, lindur në Korçë. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, kanë nisur procedurat e ekstradimit të shtetasit Frroku drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajë dënimin sipas vendimit të gjykatës.

Filed Under: Komente Tagged With: akuzat e PD, Arben Frroku, arretsimi

Azem Syla arrestohet nga EULEX-i, a ka partnerë në Amerikë

April 29, 2016 by dgreca

Gazetea”Zeri” dha e para lajmin se Azem Syla është tashmë në dorën e EULEX-it. Ai është arrestuar para pak minutash.

Deputeti Syla është duke u dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.Lajmin e kanë konfirmuar burime të gazetës “Zeri”.Azem Sylen  dyshohet si udhëheqës i grupit kriminal në keqpërdorim të pozitës për biznese me toka shoqërore që i ka kushtuar dëme buxhetit të Kosovës rreth 30 milionë euro.

Nje pyetje endet prej kohesh ndër shqiptarët e Amerikës nëse ka apo jo partnerë në Amerikë Azem Syla? A kanë lidhje fondmbledhësit ndër shqiptarët e Amerikës? Ka ca kohë që disa nga ata nuk po dalin më as nëpër kafenetë e bashkatdhetarëve. Le të presim hetimet….

Filed Under: Kronike Tagged With: Arrestohet, Azem Syla, Shqiptaret e Amerikes

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT