Partia Demokratike akuzon qeverinë se si në rastin e Mark Frrokut kanë vonuar të dhënat për Arben Frrokun, i cili sipas saj është arrestuar më 6 mars.Në një dalje për median nga Enkelejd Alibeaj janë të njëjtët persona si në rastin e Mark Frrokut që i shërbyen krimit dhe shkelën ligjin me urdhrin e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe lejen e Edi Ramës
Deklaratë e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Alibeaj
Lajmi i ndalimit të Arben Frrokut, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Lamaj, nxjerr zbuluar bashkëpunimin e dyfishtë të pikave kyçe të policisë, me bekimin e Tahirit dhe Edi Ramës, në arratisjen e të dënuarit dhe me tej në favorizimin e tij për të shmangur drejtësinë.
Ndalimi i Frrokut në Holandë është bërë që me 6 mars. Por autoritetet shqiptare, kanë vonuar dërgimin e të dhënave në shtetin e BE.
Të njëjtët persona, i njëjti mekanizëm, që la në sirtar për muaj me radhë kërkesën e Interpol Bruksel për deputetin e Edi Ramës, vëllain e të dënuarit me burgim përjetë, Mark Frroku.
Të njëjtët persona që shërbyen krimin dhe shkelën ligjin duke fshehur kërkesën e Policisë së Brukselit, sigurisht me urdhërin e Tahirit e me lejen e Edi Ramës, edhe këtë radhë, shërbyen krimin duke vonuar dërgimin e të dhënave.
Ishte denoncimi publik i bërë nga z. Berisha që i detyroi Tahirin e Ramën të dërgojnë të dhënat, ku u konfirmua se ishte pikërisht Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm, shtetasi i ndaluar në Holandë me identitet tjetër të falsifikuar.
Edi Rama fillimisht e mbështeti aleatin e tij politik, duke i mundësuar arratisjen. Pak para se të dënohej me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit, Frroku iku nga Shqipëria pa lënë asnjë gjurmë në sistemin Tims. Pra me urdhër, policia ka hapur kufijtë për të, dhe i dënuari për vrasjen e komisarit të policisë, avulloi pa lënë asnjë shenjë.
Ky bashkëpunim me krimin, me të dënuarin me burgim të përjetshëm për vrasjen e një oficeri të lartë, është në të vërtetë fytyra e Tahirit, e Ramës dhe e kësaj oligarkie që sundon me krimin e për krimin.
Arben Frroku arrestohet në Holandë, fshihej me identitet të rremë/
Policia e Shtetit duke informuar zyrtarisht për arrestimin e Arben Frrokut, thotë se ka nisur procedurat e ekstradimit të tij nga Holanda.Policia thotë se identifikimi dhe arrestimi i tij është bërë më 17:15 minuta.
Sqarimi i policisë:
Interpol Tirana gjatë ditëve të fundit ka patur disa komunikime me homologët në Holandë në lidhje me këtë çështje, por vetëm sot pasdite, u konfirmua se shtetasi i paraqitur me dokumente të falsifikuara nën emrin “Renato Tsepa”, ishte shtetasi Arben Frroku, i dënuar tashmë nga drejtësia shqiptare. Verifikimi i identitetit të shtetasit Frroku erdhi pas krahasimit të gjurmëve të dërguara nga autoritet e vendit tonë për partnerët holandezë.
Interpol Haga konfirmoi se gjurmët ishin identike me ato të një shtetasi të arrestuar me dokument (pasaportë) greke të falsifikuar, me gjeneralitetet “Renato TSEPA”, lindur në Korçë. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, kanë nisur procedurat e ekstradimit të shtetasit Frroku drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajë dënimin sipas vendimit të gjykatës.