• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2016

PËRUROHET PARKU I PAQES NË BOSTON

October 2, 2016 by dgreca

PËRUROHET PARKU I PAQES, KUSHTUAR VIKTIMAVE TË BOMBAVE NË MARATONËN E BOSTONIT/3-park2-park-1

1-park5-park

1-ok-park

Nga Fuat Memelli/

2-ok-paqe

Pas disa muajsh pune, përfundoi së ndërtuari, Parku i Paqes”Krystle  Campbell”, në qytetin Medfod , pranë Bostonit. Është një park i veçantë, jo shumë i madh, rreth 3 dynym, por që ka të veçantë qëllimin për të cilin u ngrit. Ai u kushtohet viktimave të bombave në Maratonën e Bostonit, më 15 prill të vitit 2013, që ishin: Krystle Campbell, Martin Richard, Sean Collier dhe Lingzi Lu. Viktimat ishin katër, por parkut iu vu emri i ish banores së këtij qyteti dhe ish studentes së Universitetit të Harvardit, Krystle Campbell.

Kur filluan punimet për ndërtimin e tij para afro një viti, u organizua një veprimtari e bukur. Edhe këtë rradhë, me rastin e përfundimit të punimeve, u organizua një ceremoni tjetër e bukur. Mernin pjesë qytetarë të shumtë, mes tyre edhe shqiptarë, pjesëtarë të familjeve të viktimave, përfaqësues të policisë, të bashkisë së qytetit Medford, të bashkisë së Bostonit, Shoqatës së Atletikës së Bostonit, senatori i Massachuttses, Edward Markey, kongresmenia, Katherine Clark, etj.

KONCEPTIM I VEÇANTË

Parku i Paqes, është konceptuar bukur, me lule drita, shatërvan si dhe dekore të ndryshme simbolike. Shatërvani, i cili ndodhet në mes të parkut, ka pesë dalje uji. Katër prej tyre, përfaqësojnë katër viktimat e Maratonës, ndërsa dalja në qendër, përfaqëson njerzit e bashkuar. Anash shatërvanit, në katër anët e horizontit, janë vendosur katër pllaka me emrat e viktimave. Në hyrje të tij, është emri i ish kryetarit të bashkisë së qytetit Medford, Michael J. McGlynn, i cili ishte ideatori i ndërtimit të këtij parku. Në një hapësirë në formë rrethi, janë gdhendur fjalët: kurajo, durim, forcë, keqardhje, dinjitet, nderim. Në një mjedis tjetër, janë fjalët e mirënjohjes për ata që u gjendën të parët në ndihmë të viktimave të Maratonës: policët, personeli mjekësor, ata të zjarrikësve, etj. Një mirënjohje tjetër është për ata që projektuan dhe financuan këtë park, vlera e të cilit ishte 1, 5 milion dollarë. Financimi ishte nga kompani private si dhe nga shteti. Parku do të jetë jo vetëm një mjedis për t’u çlodhur, por edhe për të medituar. Vërtet do të jetë një kopësht me një simbolikë të veçantë, që do t’i verë vizitorët edhe në mendime, për viktimat, për ngjarjet e rënda që ndodhin sot në botë nga terrorizmi, njëkohësisht ata të ëndërojnë për paqen dhe të mbushen me energji pozitive.

MOS VRISNI MË NJERËZ! JU LUTEM PAQE!

Në takimin e organizuar me rastin e përurimit të Parkut të Paqes, përshëndetën: përfaqësues të policisë, sekretarja e Departamentit të Transportit në Boston, Stephanie Pollack, përfaqësuesi i Shoqatës së Motoçiklistëve, peshkopi i qytetit, Mark O’ Connell,  drejtori i Shoqatës së Atletikës së Bostonit, Dave McGillivray, u këndua këngë për paqen nga këngëtarja e njohur, Stacie Clayton, u sollën kujtime nga ish kryetari i bashkisë së Medford, Michael J. McGlynn , përshëndeti kryetarja e bashkisë së qytetit Medford, Stephanie M. Burke, kryetari i bashkisë së Bostonit,  Marty Walsh, senatori i Massacsuttses, Edward Markey,  babai i Krystles, William Campbell, etj.

Një mbresë të veçantë te pjesëmarrësit, la fjala e kryetares së Bashkisë së qytetit Medford, Stephanie M. Burke. Midis të tjerash, ajo tha:”Në ditët, javët dhe muajt që kanë kaluar nga ngjarja e tmerëshme e bombave të Maratonës, ne këmi parë një forcë të jashtëzakonëshme nga policët, familjarët, personeli mjekësor dhe të mbijetuarit. Me veprimet që bënë dhe fjalët që thanë, ata i pa dhe dëgjoi gjithë bota. Ky park i bukur që ndërtuam, është një memorial kujtese si dhe një test që tregon se ne të gjithë e duam paqen”. Ajo e mbylli përshëndetjen e saj, me fjalët që kishte shkruar në një detyrë klase, nxënësi, Lingzi Lu, viktimë e bombave: ” Mos vrisni më njerëz! Ju lutem Paqe”.

NJË POEZI SHQIPTARE NË VEPRIMTARI

Pjesë e programit në përurimin e Parkut të Paqes, ishte edhe recitimi i një poezie
shqiptare. Autor i saj, ishte shkruesi i këtyre rradhëve. Idea për poezinë, lindi para dy muajsh, duke parë punimet që kryheshin te ky park. Shkova në bashkinë e qytetit Medford dhe takova kryetaren e bashkisë, zonjën Srephanie M. Bruke. Ajo e mirëpriti idenë por kërkoi që t’i çoj poezinë në anglisht. Për përkëthim, iu drejtova shkrimtares e poetes, Rajmonda Mojsiu, e cila e zotëron mirë anglishten dhe m’u përgjigj shpejt. Pas pak ditesh, me poezinë e përkëthyer, shkova përsëri në bashki, ku takova zonjën Linda Coletti, e ngarkuar për organizmin e veprimtarisë. Ajo u emocionua nga poezia dhe më tha: “poezia jote do jetë në program”. U largova i kënaqur, pasi e kisha fituar “betejën” e parë. Mbetej të fitohej e dyta: ajo e recitimit. Bëra mjaft prova per recitim, ku ndihmoi edhe vajza ime, Gledisi. Dhe ja ardhi dita e veprimtarisë, data 25 shtator. Në grupin e titullarëve dhe familjeve të viktimave, isha edhe unë . Para recitimit, kërkova ndjesë se anglishtja ime nuk është aq e mirë. Duartrokitjet e të pranishmëve pas recitmit, ishin shpërblimi më i madh për mua. Pastaj i dhurova prindërve të Krystle Campbell, një statujë të Nënë Terezës, sjellë nga Shqipëria. I fola që Nënë Tereza është me origjinë shqiptare dhe që para një muaji, ishte shenjtëruar në Vatikan nga Papa Francesku.
“I dimë të gjitha keto për Nënë Terezën, pasi ajo është një figurë shumë e njohur” më thanë ata. Më falenderuan për dhuratën e pastaj bëmë një fotografi sëbashku. Vazhduam më pas bisedat e fotot me mjaft pjesëmarrës. Disa prej tyre pasi më uruan për poezinë, më thanë: “Ti ke folur me zemër. Nuk ka rendësi që anglishtja  të jetë e përkryer”. Këto fjalë më ngrohën edhe më shumë e më forcuan bindjen që bëra mirë për nismën e marrë, pasi edhe vendi im u përfaqësua në ketë veprimtari të bukur.

RESPEKT PËR PARARDHËSIT

Në veprimtarinë e përurimit të Kopështit të Paqes, krahas konceptimit dhe organizimit të bukur, më bëri përshtypje edhe një fakt tjetër kuptimplotë: respekti për punën e paraardhësit.  E kam fjalën për respektin e kryetares së sotme të bashkisë së qytetit Medford, zonjës Stephanie M. Burke  dhe stafit të saj, për punën e paraardhësit të bashkisë, zotit Michael McGlynn . Fakti është se kryetari paraardhës kishte qenë ideatori i ndërtimit të këtij parku. Ai dhe stafi i tij, kishin gjetur edhe fondet e nevojëshme. Me që u bënë zgjedhje të reja, punën  për ndërtimin e parkut, e ndoqi kryetarja e re dhe stafi i saj. Ishte kjo arsyeja që ish kryetari, jo vetëm qe ftuar, por ai mbajti edhe një nga fjalët kryesore në atë veprimtari. Respekti për atë ishte konkretizuar edhe në një pllakë që ishte vendosur në park. E pashë këtë respekt të ndërsjelltë, edhe në bisedën e tyre pas veprimtarisë.
Duke parë këtë respekt, më shkoi mëndja te vendi ynë. Tek ne, sa herë ndrrohen pushtetet, ku ndrrohen edhe drejtorat, ministrat, deputetët, kryetarët e bashkive, kryeministrat etj, pasardhësit, në përgjithësi mohojnë punën e paraardhësve. Zor të thonë ndonjë fjalë, qoftë edhe për një punë të mirë që është bërë. Zakonisht mohoet çdo gjë dhe ata flasin sikur puna në  institucion, filloi me uljen e tyre në atë karige.
Është ky një mentalitet partiak që duhet kapërxyer. Amerika, ky vend i lirisë dhe demokracisë , na jep një mësim të madh edhe në këtë drejtim.

PARKU I PAQES

-Kushtuar Krystle Campbell si dhe viktimave të tjera në Maratonën e Bostonit të vitit 2013: Martin Richard, Sean Collier dhe Lingzi Lu-

 

Për ty Krystle sot jemi mbledhur

E viktimat e tjerë të Maratonës

Gjithë qyteti këtu ka ardhur

Se të kishte, bijë të zemrës.

 

Familja jote është në ballë

Ka ardhur sot që t’ju takojë

Kërkon ajo të nxjerrë mallë

Një tufë lule, t’ju dhurojë.

 

Një park Medfordi, ty të ngriti

Që do të mbajë emrin tënd

Me drita e lule e stolisi

E bëri më të bukurin vend.

 

Do na kujtojë ky park

Maratonën e Bostonit

Ditën që u derdh aq gjak

Spërkati lulet e prillit.

 

Dhe vajza ime atë ditë

Mund të kish patur atë fat

Se u ndodh aty pranë

Te vendi, ku u derdh gjak.

 

Do vij çdo ditë te ky park

Se jetoj, ja, këtu pranë

Pa ç’ka se jam emigrant

Dhe zemra ime, mori plagë.

 

Gjak po derdhet nëpër botë

Gjak që derdhet kot së kot

Zëri yt sikur na thotë:

-Flakni armët, kemi një Zot!

 

Fuat Memelli, 25 shtator, 2016.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fuat Memelli, ne Boston, PARKU I PAQES, perurohet

Flamuri Kuq e Zi, i lire ne SHBA, i ndaluar tek fqinjet

October 2, 2016 by dgreca

 Flamuri Kuq e Zi i Kombit Shqiptar, i lire ne SHBA, i ndaluar tek fqinjet ne Mal te Zi, Serbi, Maqedoni, Greqi…./
1-nasdak-flam-shqiptar
2-flam-shqip2-kompania
newspaper-dielli-qershore-2016-faqe-1NEW YORK : Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk është fare problem të mbash në vende publike ose të ekspozuara flamurin kombëtar. Kështu që shumë e lehtë, që në një rrugë të një qyteti të madh, Çikago, New York, New Jersey, Kenektiket, Detroit, Dallas, Fenikis, Tampa e tjerë, jo rrallë herë të bije në sy, të shikosh një veturë apo kamion me flamurin tonë kuq e zi me shqiponjën dy krynare, pa përmendur këtu paradën e përvitshme ne Manhhatan, NY.
Ngaqë çdo veturë apo kamion – ka një flamur ose ndonjë simbol shqiptar, që tregon se drejtuesi i saj dhe poseduesi janë shqiptarë. Kohët e fundit gjithë automjetin e tyre, po e mbulojnë me ngjyrat e flamurit tonë kombëtar, ndërsa brenda saj – gjëmon muzika shqiptare me këngë e valle nga të gjitha trevat.
Dhe, ata janë shqiptarë me prejardhje nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Çamëria dhe Maqedonia, të cilët jetojn e punojnë në Amerikë, duke u munduar të ruajnë traditën e vendosjes së flamurit si në vendorigjinë e tyre, ku flamuri kuq e zi është “mollë e ndalueme” për shqiptarët.
Përderisa shfaqja në vendet publike, ose ekspozimi i tyre nuk bëjnë ndonjë problem, këtu në SHBA, ashtu si kemi parë të ndodh me flamurin kuq e zi , në Greqi, Serbi, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, vendosja e flamujve apo shfaqja e simboleve të tyre kombëtare apo shtetërore, për Shqiptarët e Amerikës nuk paraqet kurrfarë shqetësimi apo problemi. 
Kështu ka vepruar edhe kompania Shqiptare “Protect Dismantling”, me pronarë dy djem nga Dibra e Madhe në SHBA, Belul Qoku dhe Murat Marke, kompani e cila ishte e njëjta, që kontriboj për projektin e vendosjes së Shtatores së të Shenjtes Nëne Terezës, në Brooklyn NY, javën e kaluar, së bashku me shoket e tyre: ( Belul Qoku (Dibra) Nik Beqi (Shkoder) Rrik Vila (Shkoder) Murat Marke (Dibra) Petrit Nika (Shkoder) Rifat Nikezi (Ulqin)& Edvin Dema (Shkoder).Ata kamionat e biznesit të tyre, i kan të lyer krejt me ngjyrat e flamurit tonë kombëtar, flamurin kuq e zi,dhe në mes të tyre kan vendosur shqiponjëne zezë me dy krena.Ata janë disa kamionat e peshave të rënda, që pothuajse na bie rasti ti shikojmë gati çdo ditë, pune në rrugët e Bruklinit, dhe qyteteve të tjera të Nju Jorkut, të lëvizin lirshëm nëpër kantjere ndërtimi. Mabasi këto kamiona si duken edhe në fotot janë të lyer në bojë kuqe, ndërsa mbi kapakun e madh të mbulesës së motorit të këtyre kaminove është e vizituar një shqiponjë e zezë.(Beqir Sina)

Filed Under: Featured Tagged With: FLAMURI KUQ E ZI, i lire en SHBA, i ndaluar ne ne Greqi, Mal te Zi, Serbi

NË KALA ME THENIEN E FRANC NOPCHA

October 2, 2016 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/
1.E vendosur në malin e Gjerë me bukuri natyrore, në luginën e lumit Drino, në jug të Shqipërisë,kjo është Gjirokastra  siç thonë  gjirokastritet dhe Petrit Lulo,birbili:” Po the Gjirokastra ,i ke thënë të tëra”. Kalaja,është rrëzëlluese .Magji shpërndan nën rreze të diellit .Kalaja e Gjirokastrës. Qepur kodrës,një fortifikim i rëndësishëm  në jug.Kadare e ka shqyrtuar. Madje deri në syrin e një fëmije. Rrugicat kanë të fshehur një mistikë më vete .Ndërtimi. Gurët e zinj  dhe gurët vjollcë. Ato me gurë të zinj tregojnë se ku duhet të ecësh në kohët me acar. Mirëpo në cingërimat e dimrit, kalldrëmet ngrijnë . Zog mund të mos jesh,por mund të fluturosh dhe çuditërisht ta gjesh vetën mbi strehën e ndonjë pullazi gjirokastrite. Ngjyra gri që është dominuese për shkak të gurit.Pjesa historike e qytetit,shqyrton një pasqyrë të kohëve të humbura. Objektet fortifikuara ,banesa  të zhvilluar të  në shekullin e 17,ndërtimet prej guri. Të ruajtura dhe të banuara prej kohëve të hershme . Qyteti i vjetër shfaqet madhështor. Je duke shëtitur kalldrëmeve të veçantë ose udhëve të gurta të qytetit .Qyteti  në jug ka pasur një pazar,sot gjallon Objekte të kulteve religjonare përfaqësojnë ,kisha,xhami të  njëkohshme, dhe objekte të tarikatit shpirtëror si :teqe,tyrbe. Një trashëgimi  urbane kulturore e pasur ,diversitete dhe arkitektonikë. Gjirokastra është një shembull i inxhinierisë në mënyrë monumentale që kanë ndërtuar edhe punën e vet gjirokastriteve . Guri është elementi kryesor  në ndërtim. Ngado gurin e sheh të latuar ,të punuar nga dalta e mjeshtrit,kjo mënyrë shqyrton një teknikë të pazakontë të  ndërtimit të tyre .Rezultati ishin ndërtesa të forta të mjaftueshme për t’i bërë ballë  edhe tërmeteve. Më duket se fluturoj në majë të malit për një pamje të paparë. Arkitektura e qytetit përfshin disa nga strukturat më të mirëmbajtura dhe të  punuar nga  guri janë pothuajse gjithmonë praktike dhe të këndshme për syrin. Ata janë gjithashtu kanë  shumë uniforme në dizajn me strukturat duke marrë një pamje të ngjashme me ndërtesat, të vetmet dallime të mëdha në shkallë të qenit e me cilësi. Një tjetër tipar i arkitekturës  është se ajo zakonisht përfshihen peizazhin natyror, por në të njëjtën kohë arriti të dominojë atë për të krijuar një përzierje shpesh spektakolare të formave gjeometrike dhe natyrore. Banesat,rrugët lidhëse me kalldrëm,objektet publike, oborret,arkitektura e veçantë e banesave. Guri është material i zgjedhur dhe i punuar imët për të prodhuar  blloqe për kalladrëmet,për banesat. Llojet e gurit nuk mund të shqyrtojë përveçse specialisti. Çdo bllok prej guri mund të peshojnë shumë kushtuar kësaj pune  mundimi i nxjerrjes dhe duke përdorur asgjë më shumë se mjetet si dalta,për prerje fine. Ngrihen disa pyetje: gurët janë prerë afërsisht në guroret dhe pastaj janë  punuar përsëri në destinacionin e tyre përfundimtar? Ku ishin guroret të vendosura dhe mese u bë transportimi i tyre  deri në kantieret  e ndërtimit?Procesi i përpiktë me të cilën u ndërtuan kalldrëmet,banesat,objekte publike dhe gjithçka ,që shqyrtohet prej elementit gur , kanë treguar se dijetarët e mendimit arkitekturorë e kishin menduar më parë,shtrirjen e qytetit nëpër kodër,rrugët lidhëse të tij,banesa e objekte deri tek lëvizja e qytetareve nëpër udhët e gurta. Për sakohë zgjati procesi i ndërtimit. Qyteti i vjetër është shënuar në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s si “një shembull i rrallë i një qyteti otoman të ruajtur mirë. Gjirokastra është ndërtuar në tokë të lartë rreth 300 metra dhe me pamje një luginë të harlisur në mes të maleve dhe Mali i lumit Drinos Gjerë. Ajo ka një popullsi prej rreth 30.000 banorë.
Si një shembull të mirë të arkitekturës osmane të stilit, “Qyteti i një mijë hapave” përfshin qindra shtëpi kullë të stilit osman me dalluese ” kulme frëngji, ballkone druri dhe muret guri. Dominuar nga krahët absolut të kështjellës e saj të madhe, Gjirokastra (Gjirokastër) është një qytet magjik me një të kaluar të trazuar. Nga bastion i feudalizmit, për jetën osmane, për koloni italiane, qyteti ka njohur shumë sundimtarë dhe ka frymëzuar poetë, shkrimtarë dhe artistë njësoj,shkruan një i huaj.
Oliver Gilkes që është marrë  me ruajtjen dhe zhvillimin e Gjirokastrës  shkruan se: kam shkruar për përpjekjet për ruajtjen Gjirokastra, një qytet osman tregtar në jug të Shqipërisë me kështjellën e saj të shekullit të 13-pamje shpatet e pjerrtë në të cilën pozitë e lartë qindra shtëpi të dallueshme kullë me çati prej guri, ballkone druri dhe mure të lyera me gëlqere guri.
2.
Kalaja, në një pozicion dominues mbi qytet, shkruan O.Gilkes është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit të trembëdhjetë. Vetëm brenda mureve të kështjellës, ju mund të vizitoni Muzeun Kombëtar të Armëve, inauguruar në vitin 1971, ku ju mund të shihni të armëve, të përdorura gjatë luftërave të ndryshme. Në katin e parë të kështjellës, ne gjejmë historinë nga periudha neolitike deri në vitin 1912, Ditën e Pavarësisë. Kati i dytë përfshin periudhat në vijim. Pastaj ka një burg që është përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore nga gjermanët.Armët.“Deri pak kohë përpara ,Shqipëria mund të quhej me të drejtë,vendi ose muzeu i armëve të gjithë Evropës.Këtu shitej çdo lloj pushke. Franc Nopcha. Muzeu Kombëtar i Armatimeve. Jashtë, muret,  dhe një aeroplan ushtarak amerikan në vitin 1957, si dëshmi .
Historia e kalasë është përshkruar nga Gjerak Karaiskaj.Por ndërtimet më të rëndësishme të Ali Pashës në Shqipërinë e Jugut, ishin kalaja e Gjirokastrës dhe e Tepelenës,thotë ai . Kalaja e Gjirokastrës u pushtua nga Aliu në vitin 1812 dhe menjëherë ai filloi ri-ndërtimin e saj. Projektues i disa pjesëve të kalasë dhe një nga zbatuesit kryesorë të punimeve ishte Petro Korçari, ose mjeshtri Petro nga Përmeti, siç e quan Remerandi. Rindërtimi i kalasë, i një saraji dhe i disa godinave anekse u bë me një ngutësi aq të madhe, saqë të gjitha punimet u kryen brenda një viti e gjysmë. Kalaja përmbante, përveç barakave për vendosjen e një garnizoni prej 5000 ushtarësh, magazina të shumta nëntokësore, që ishin llogaritur mire për sigurimin e municioneve dhe ushqimeve të nevojshme. Kalesa nëntokësore të çonin në të gjitha drejtimet e kësaj kalaje, që komandohej nga një bastion pranë këndit juglindor, për ndërtimin e të cilit kishin punuar afro 1500 fshatarë. Një pjesë e madhe e këtyre kthinave si dhe e ndërtimeve të tj-ra mbitokësore ruhen edhe sot në gjendje mjaft të mirë Kalaja është ndërtuar mbi një shkëmb, që ka formë kurriz peshku dhe sundon me lartësinë e tij gjithë qytetin. Ajo ka një planimetri në formë të çrregullt dhe të përzgjatur, mbrohet nga 7 kulla që kanë forma poligonale dhe trapezoidale dhe përshkohet nga 4 hyrje,prej të cilave 3 janë kryesore dhe njëra e dorës së dytë. Kullat dhe kurtinat kanë lartësi të barabarta. Kullat bien me faqe të pjerrëta dhe kanë lartësi të mëdha, që arrijnë deri në 30 m. Pjesa e poshtme e tyre,deri në një lartësi të konsiderueshme, është e mbushur me dhe, ndërsa pjesa e sipërme përmban 1-2 kate, që formojnë salla të mëdha të pajisura me frëngji të mëdha topash. Nga sipër, kullat mbulohen me qemere guri, që krijojnë platforma, të cilat shfrytëzohen gjithashtu për vendosjen e artilerisë. Topat vendosen edhe mbi kurtina, në parapetin e të cilave alternojnë frëngjitë për topa me ato për pushkë. Është për t’u përmendur kulla që përfshihet në kompleksin e hyrjes veriore Ajo ka në planimetri formën e një shtatëkëndëshi, që ngrihet mbi një bazament të rrumbullakët dhe del 0,70 m në formë xokolature nga faqet e kullës. Kulla ka një lartësi prej 30 m; deri në lartësinë 18 m është e mbushur nga brenda me dh . Mbi këtë nivel ndodhet dyshemeja e katit I. Lartësia e këtij kati është 7 m dhe përbëhet nga një sallë e vetme, që mbulohet prej katër qemerësh cilindrike të vendosura paralel me njëra–tjetrën, të cilët mbështeten në muret anësore të kullës dhe mbi tri harqetë  e vendosura me hapësirë drite tërthor kurbaturës së qemerëve. Në muret me trashësi 3.30 m të kësaj khine janë hapur tri frëngji të mëdha topash që shikojnë në drejtime të ndryshme, ndërsa në një lartësi 4 mm bi dyshemenë ndodhen 7 dritare të vogla 0,30 x 0,60 m, me pragje të pjerrëta për shpërndarjen e dritës, të cilat në anën e jashtme ngushto-hen dhe duken si frëngji pushke. Platforma e kullës është rrethuar nga një mur me lartësi 2,25 m, në të cilin janë hapur 4 frëngji topash dhe18 frëngji pushke. Nga ana e jashtme, kulla ka një pamje madhështore. E punuar me gurë të skuadruar të dimensioneve të vogla, të vendosur në rreshta paralelë, me faqe që bien me pjerrësi të dukshme mbi terrenin,ajo e thyen ashpërsinë e saj arkitektonike, vetëm nga kornizat e gurta,të thjeshta apo të trajtuara në formë dhëmbë sharre, që kufizojnë pjesët e ndryshme arkitektonike si dhe nga frëngjitë e topave të rrethuara nga harqe të profiluara.

Filed Under: Histori Tagged With: FRANC NOPCHA, Gezim Llojdia, Kala-Kanine

70 Vjet nga masakra tipike komuniste

October 2, 2016 by dgreca

 ■HAPNI  DOSJEN  DR. AVOKAT  MUZAFER  PIPA !/

DHE, SHIKONI KUSH JANË TERRORISTËT QË DEKORON QEVERIA SOT !/

■Të gjitha Partitë Komuniste kanë “LEVEN E SKUQUN”: SIGURIMIN E SHTETIT !/

 Nga Fritz RADOVANI/

 Ne Foto: DR.AV. MUZAFER PIPA (1914 – 1946)

■Libohova nëpërmjet avokat Mustafa Pipës i dhuroi qytetit të Shkodres një djalë me emnin e Nderuem Muzafer Pipa, që asht le në Shkoder në 1914. Studjoi në gjimnazin e Fretenve “Illyricum” të Shkodres, dhe perfundoi studimet per jurist në Padova të Italisë.

Okupacioni italian i 1939 u prit keq nga Françeskanët e Shqipnisë, e per pasojë edhe ata që kishin perfundue shkollen e tyne, nuk u pajtuen asnjëherë me veprimin e Italisë.

Në vitin 1943 Dr. Avokat Muzafer Pipa asht drejtor i Revistës “Fryma”, me pikpamje atdhetare dhe perparimtare, ku bashkpunonte me Qemal Draçinin, edhe ky një nga elementët e rij shumë të përgatitun e që, do të lanë mbresa në kulturen shkodrane.

■1945. Gjyqet e zhvillueme në Tiranë kunder intelektualëve dhe të deputetëve, të drejtueme nga Koçi Xoxe dhe Bedri Spahiu, kishin irritue qytetarët Atdhetarë dhe per këte, avokat Muzafer Pipa kishte thanë: “Si asht e mundun zotnij, që një trup gjykues, i cili për kryetar ka një “ish-teneqexhi” – ishte fjala për Koçi Xoxen – e për prokuror një “ish-kafexhi” – për Bedri Spahiun – të mundet sot me gjykue elitën e kulturës shqiptare?

■28 JANAR 1946: Në kinema “Rozafat” të Shkodres ndigjohen brohoritjet e bishave të terbueme “plumbin ballit, plumbin ballit”… dhe, nuk mungojnë as virrmat e disa prej “nënave të dëshmorëve” “tradhtarët në litar”, per Klerikët e Pafajshëm nder bankat e të akuzuemëve me pjestarët e Organizatës së Parë Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”, me trupin gjykues të perbamë nga terroristët: Kryetar: Mustafa Iljazi, Antarë: Namik Qemali e Tonin Miloti dhe prokuror Aranit Çela… Avokati Muzafer Pipa i bani kërkesë trupit gjykues për nevojën e pak etike që kërkonte zhvillimi normal i një procesi gjyqësor. Edhe Aranit Çela nga ana e tij kje i gatshëm buzagaz me cinizëm, ju përgjegjë Muzaferit: “E po, ç’të bësh, ky është populli!..”.  

■22 SHKURT 1946: U dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe nga Tirana vjen kjo përgjegje:  “Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946… Át Gjon Shllaku, Át Gjon Fausti, Át Daniel Dajani, dhe studentët Mark Çuni, Gjergj Bici, Gjelosh Lulashi, Fran Miraka, dhe Qerim Sadiku u dënuen me pushkatim… Dhe, sa të tjerë me dhjetra vite burg e masakrime nder kampet e punës dhe të shfarosjes.

■Dokumenti i urdhnit të pushkatimit nenshkruhet nga Gjen. Kol. Enver Hoxha d.v.

■Në një nga seancat prokurori Aranit Çela deklaron: “Me qenë se avokat Muzafer Pipa, implikohet në këtë proçes, se ka pasë dijeni dhe se ka kënduar trakte të këtyre organizatave, apo ka qenë pjestar, kërkoj që të përjashtohet si përfaqsues mbrojtjëje i të pandehurit Patër Gjon Shllaku me shokë”. Kerkesa e tij u pranue nga drejtuesit.

Trupi gjykues e përjashton Av. Pipen si përfaqësues i Mbrojtjes së të pandehurve tue emnue avokat Ranko Çerankoviq. Avokat Muzafer Pipa doli nga salla e gjyqit.

■Nuk shkoi gjatë dhe krimineli terrorist Aranit Çela e mbajti fjalën që i pat thanë tue hy në bar “Impero”: “Hë… Muzafer Pipa, e kemi ruajtur një gjysëm leku edhe për ty!”

■SHTATOR 1946: Av. Muzafer Pipa u arrestue, u torturue në mënyren ma barbare tipike komuniste. Kryetari i Deges së Mbrendshme të Shkodres, terroristi Zoji Themeli mori persiper vetë me i ba hetimet, sigurisht ashtu ishte porosia nga nalt.

■LEGJENDA: Kam shkrue: Në mëngjesin e 30 Shtatorit 1946, gjoja Muzaferi vendosi me ikë nga hetuesia… U dëgjuen krisma armësh! Kryetari i Degës Zoji, dergoi Elez Mesin me marrë një pulë, i këputën kokën… dhe shperndanë gjakun e saj tek hetuesia, në çimenton rrethuese të saj… Pra, “Muzaferi u vra nga rojet e hetuesisë tue ikë”…

■30 SHTATOR 1946, Dy nga vrasësit ma barbar Zoji Thëmeli dhe Vaskë Koleci, i kishin lidhë krahët mbrapa Av. Muzafer Pipës, per një karrigë të mberthyeme per dysheme. Skuqën një hekur dhe vendosën me ia kalue në muskujt e dy krahëve mbas shpine… Mbasi hekuri kaloi krahun e djathtë…nga dhimbjet e forta, Trupi i Muzaferit bani lëvizje që katilët nuk mujtën me i kontrollue… Hekuri i skuqun takoi per shtyllen kurrizore dhe Muzaferi, mbylli jetën në mënyrën ma mizore. Me 30 Shtator 1946, u perhap edhe “Legjenda” nga agjentët e Sigurimit shtetit në gjithë Shkodren!..

■Edhe “shokun komandant” e njoftuen “për zbatimin e urdhërit tij dhenë K.Xoxes?”

***

■HAPNI DOSJEN “KLERI KATOLIK SHQIPTAR”! Aty do të gjeni porosinë që i dha Enver Hoxhës ambasadori jugosllav me 20 shkurt 1946: “…Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” – vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!”… E pikrisht nga kjo çerdhe kishte dalë: Av. Muzafer Pipa, Prof. Qemal Draçini, Prof. Arshi Pipa, Martiri Osman Kazazi e sa të tjerë Atdhetarë Shqiptarë, që u perfshinë në GJENOCIDIN KOMUNIST në Shqipni.

■Në çdo pllamë të Saj, Shqipnia asht e mbushun me Eshtna të varrosun nder gropa e zallishta pa Emen… Zalli i Kirit, dikur i bardhë si biluri, në darkë vezullon me rrezatime të skuquna që perzihen me lotët e mija e mija Nanave e Motrave që derdhen aty nder kaçuba me vite e vite mbi ato gurë, tue i lmue me Fëtyren e vet të “vrashtë” nga vuejtjet e lodhja që ua mori Shpirtin 50 vjetë, sikur t’ ishin të dënueme nga vetë Dora e Zotit!

Kiri, Drinaza, Drini, Buna e Liqeni… të harlisun edhe sot me tallazet e veta shkapeten per Token Arbnore, tue veshtrue: “Deri kur Shqiptarë, doni me na lanë pa Varre?!”

■Në këte 70 vjetor të kësaj mbytje barbare të Dr. Avokat Muzafer Pipës Shqipnia, që Ai e ka dashtë aq shumë nuk duhet t’a vajtojë… Po, perballë Një Monumenti të Muzaferit, shka janë Shkodranë e Libohovitë, të gjithë bashkë të këndojnë “Hymnin e Flamurit”!

■Shqiptarë, “Per Flamurin e Gjergj Kastriotit Ata dhane jeten!”

            Melbourne, Shtator 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: 70 vjet nga masakra komuniste, Avokati Myzafer Pipa, Fritz radovani

Medalja “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” për Christopher R. Hill

October 1, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani vlerëson Ambasadorin Christopher R. Hill me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me rastin e 25-vjetorit të rihapjes së Ambasadës së SHBA-së në Tiranë/

1 tetor 2016/

Në kuadër të 25-vjetorit të rihapjes së Ambasadës amerikane në Tiranë, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani organizoi në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës një ceremoni të veçantë ku shprehu mirënjohjen personale dhe institucionale për kontributin diplomatik të Ambasadorit Christopher R. Hill në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve politike e diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Në prani të personaliteteve të rëndësishme të politikës shqiptare në këto 25 vite, të Presidentëve Berisha e Meidani, deputetë të Kuvendit, etj, Kreu i Shtetit çmoi Ambasadorin Christopher R. Hill me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të rëndësishëm që ky mik i çmuar i shqiptarëve ka dhënë në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; për përkrahjen dhe inkurajimin e palëkundur ndaj vendosjes së demokracisë në vendin tonë në fillim të viteve 1990-të si dhe për ndihmesën e vyer në konsolidimin e marrëdhënieve historike, strategjike dhe miqësore mes popullit shqiptar dhe atij amerikan”.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani u shpreh se: “Pikërisht sot një çerek shekulli pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, – një gur themeli në marrëdhëniet tona strategjike, miqësore dhe të përjetshme, kam kënaqësinë e veçantë të organizojmë së bashku këtë ceremoni solemne për të nderuar dhe vlerësuar një mik të sinqertë të vendit dhe popullit tonë. Dhjetë muaj më parë festuam 25-vjetorin e shembjes së diktaturës komuniste në vendin tonë. Duke nisur nga demonstratat paqësore të studentëve në vitin 1990 e deri tek themelimi i partive të para opozitare, vendosja dhe konsolidimi i demokracisë – shqiptarët dhe Shqipëria kanë përjetuar ngjarje dramatike, që na kanë ndryshuar jetën kryekëput dhe tashmë jemi anëtarë të NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Të gjitha këto arritje dhe fitore të Shqipërisë, vendit të fundit të Evropës që u çlirua nga Perdja e Hekurt, u bënë të mundura dhe realitet edhe në saje të ndihmës dhe mbështetjes së palëkundur të Shteteve të Bashkuara dhe popullit mik amerikan. Dhe tashmë Shqipëria e gjen veten një aleate besnike e Amerikës, pjesëtare kontribuese në koalicionin e madh ndërkombëtar që lufton terrorizmin dhe ekstremizmin e që përpiqet pareshtuar në përhapjen, mbrojtjen dhe lartësimin e vlerave dhe të parimeve të lirisë e demokracisë anembanë rruzullit.”

Më tej, Kreu i Shtetit vuri në dukje se: “Ambasadori Hill ishte diplomati i parë amerikan rezident në vendin tonë pas më tepër se katër dekadash, dhe dita e shumëpritur kur u më në fund, pas izolimit të imponuar nga vetë shqiptarët dhe territ të diktaturës komuniste, në Tiranë u hap Ambasada e Shteteve të Bashkuara, shënoi edhe një pikë kthese vendimtare në ripërtëritjen e lidhjeve historike dhe shpirtërore mes vendeve dhe popujve tanë. Nuk duhet të harrojmë se ndryshimet demokratike në Shqipëri gjatë viteve 1990-91 shënuan edhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me tri shtete të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, me të cilat Shqipëria e izoluar për gati gjysmë shekulli nuk kishte as një lloj kontakti diplomatik. Këto vende që në histori kishin qenë gjithmonë pranë shqiptarëve ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vatikani dhe Shteti i Izraelit, dhe pavarësisht lidhjeve të ngushta shpirtërore, historike dhe tradicionale që ushqeheshin dhe mbeteshin të patjetërsueshme në zemrat e qytetarëve të thjeshtë shqiptarë, regjimi i kishte privuar nga këto lidhje dhe komunkime.

Puna e palodhur, veprimtaria e pareshtur dhe kontributet e një miku të Shqipërisë dhe popullit shqiptar për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin, miqësinë, mirëkuptimin, ndjenjën e afërsisë, ofrimin dhe dhënien pa rezerva të shembullit, përvojës së vyer amerikane në shumë fusha me interes të përbashkët, kanë karakterizuar misionin diplomatik të Ambasadorit Hill në vendin tonë. Askush më mirë se ai nuk diti në fillim të viteve 90-të e më pas, të na gjendet në krah, këtu në mes të Tiranës, duke punuar fillimisht në Hotel ‘Dajti’ e më pas në selinë e rihapur të Ambasadës amerikane, të na ndihmojë me përvojën e tij të pasur diplomatike të shtrirë në disa kontinente, të ndajë me ne vizionin për një të ardhme më të ndritur bashkëpunimi dhe partneriteti strategjik, në ngulitjen e parimeve të shenjta të lirisë, demokracisë e të kulturës e mendësisë amerikane, si dhe në organizimin dhe planifikimin e vizitave të rangjeve më të larta zyrtare. E paharrueshme në kujtesën tonë do të mbetet vizita historike në Tiranë e Sekretarit të Shtetit James Baker dhe mesazhet frymëzuese e shpresëdhënëse që ai përcolli – vizitë që u parapërgatit dhe u mundësua në mënyrë të përkryer edhe nga Ambasadori Hill.” – u shpreh Kreu i shtetit referuar kësaj ngjarje historike.

“Ambasadorit Hill iu desh të largohet nga Shqipëria në përfundim të mandatit diplomatik për të vazhduar me sukses detyra dhe misione të tjera të rëndësishme, por sidoqoftë ai mbeti gjithmonë një mik i shtrenjtë, i cili na ka munguar, por nga ana tjetër, prania e tij sot sërish na ofron mundësinë që të bëjmë bilancin e sukseseve të punës së tij dhe të arritjeve të Shqipërisë e shqiptarëve gjatë njëzet e pesë vjetëve të fundit. Përfitoj nga rasti t’i shpreh sinqerisht nga thellësia e zemrës, edhe në emër të gjithë qytetarëve shqiptarë mirënjohjen për kontributet e pamohueshme dhe veprimtarinë e palodhur në shërbim të forcimit të bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve. Prandaj, për të gjitha arsyet e lartpërmendura, kam nderin dhe privilegjin të vlerësoj e të nderoj sot në emrin tim, të Institucionit të Kreut të Shtetit si dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, kontributin e qenësishëm diplomatik të Ambasadorit Hill, të mikut tonë të vyer Chris në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve politike, e diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.” – tha Presidenti Nishani në përfundim të fjalës së mbajtur me këtë rast, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen dhe falënderimet e përzemërta për gjithçka që Ambasadori Hill ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ambasadori Christopher R. Hill, pasi mori në dorëzim Dekoratën e lartë, falënderoi Kreun e Shtetit duke u shprehur se gjatë këtij rikthimi në vendin tonë ndihej pozitiv e i nderuar, duke qenë se përparimi dhe gjithçka që ka arritur Shqipëria gjatë këtij çerek shekulli i ngjan një projekti të madh ndërtimi mbresëlënës, por ende i papërfunduar dhe se të jesh shqiptar, është diçka e veçantë dhe krenari njëkohësisht.

Filed Under: Komente Tagged With: Medalja “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, për Christopher R. Hill, presidenti Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT