• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2017

Njeriu i mirë, nënkryetar i degës së Vatrës në Tampa bay, Isuf Spahija

February 6, 2017 by dgreca

NGA FADIL SHEHU, FLORIDA/

1 Isuf Spahiu

Ne Foto:Isuf Spahiu/

3 Isuf

Njeri fjalëpak,i papërtuar,me temperament të qetë…/

5 Isuf

Nga veprimtarite e deges se Vatra (Isufi i katerti nga e majta). Janë këto fjalë,disa nga cilësitë më të vyera njerëzore,të cilat në rrugëtimin e viteve,kanë udhëhequr,njeriun punëtor,vprimtarin e shquar,nën kryetar i degës Vatra në Tampa Bay, Isuf Spahiaj.Ndonëse brënda vetes së tij ekziston një minierë e pasur,dhe kërkon të mësosh diçka  nga jeta e tij 65 vjeçare,sërish ai të flet me respekt e mirënjohje për të tjerët.Isuf Spahiaj u lind,u rrit dhe u burrërua,në fshatin Kastriot,të komunës Skënderaj në Mitrovicë, Kosovë.Ai kujton me nostalgji vitet që përjetoi  në Kosovë,duke i marrë me vete,për ti mbajtur përherë të freskët në kujtesën e tij.Jeta e këtij njeriu fisnik,kurrësesi nuk ka qenë e lehtë,ku shpesh i është dashur të përballet me dallgë e fatkeqësi,në veçanti me terrorin ogurzi,të politikës,krimeve të policisë dhe ushtrisë jugoslllave,që si metastazë,ishin shtrirë në të gjithë trupin e kosovës.Herë pas here,ashtu si në mjaftë familje të tjera,njerëzit e sigurimit jugosllavë,me zemër më të zezë se nata,bënin bastisje e shkatërime në familjen e tij,madje duke mos kursyer as fëmijët dhe Isufin pesë vjeçar.Këto kontrolle të befasishme ndikuan mjaftë në rënimin e jetës sonë tek ne gjashtë fëmijët,duke mos mjaftuar,etiketimi si familje kulakësh,pasi xhaxhai ynë kishte qenë pjestar i ballit kombëtarë.Me Vuajtje e mundime të mëdha,Isufi arrin të përfundoi me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme të përgjithëshme dhe të ndjek studimet e larta në univeritetin shtetëror në Prishtinë.i cili pak muaj që kishte hapur dyert,në degën për ekonomi,dhe me mbarimin e universitetit,nis të punoj në ndërmarjen e prodhimit të materialeve të ndërtimit në Mitrovicë.

4 ne parde

Ne Paraden e emigranteve, New York/

Krahas punës ai inkuadrohet duke punuar me përkushtim në përhapjen e vlerave të reja të shoqatës “Lëvizja e Lirë”,duke mos harruar ndihmesën e mjaftë të rinjve ndaj përdorimit dhe perfeksionimit të armëve të ndryshme.Por zona ku jetonte Isufi ishte nën vezhgimin e sigurimit të shtetit,e njohur për veprimtaritë revolucionare dhe atdhetare,çka bëri që në vitin 1967,sekretariI i shtetit i punëve të brendëshme të jugosllavisë,Aleksandër Rankoviç,të ndërmerte sulme të paparë si kurrë ndonjëherë,i ndihmuar nga forca të shumta policore dhe autoblinda,duke ushtruar dhunë dhe terror mbi popullsinë e pa mbrojtur të kosovës,vetëm e vetëm për faktin se ishin shqiptar.Greva historike e minatorëve të Trepçës, veçanërisht shpërthimet e demostratave të studentëve,të mbështetur nga i gjithë vendi,kundër politikës kriminale të Milloshiviçit,të cilat u shtrinë në gjithë indet e trupit të kosovës,zgjuan synime dhe kërkesa të reja në shpirtin e tij.Ethet e një lufte të re sapo kishin trokitur,ku padyshim serbët kërkonin shkatërimin e plot të kosovës dhe zhdukjen e popullsisë së saj.Dhëmbët e terrorit pushteti i Millosheviçit i shfaqi më egërsisht se kurrë,në vitin 1988,duke uzurpuar e shkatëruar uzina, fabrika, ndërmarje,duke mos harruar mbylljen e universitetit shtetëror në Prishtinë,çka bëri që qindra të rinj e të reja të studionin në shtëpia private dhe një pjesë e tyre preferuan emigracionin.Gjithëçka ishte shëndruar në një revoltë të pashmangëshme.Kosova është e shqiptarëve ndaj me çdo çmim ajo duhej të jetonte,ndaj në një hapësirë kohe tejet të pa imagjinueshme,ndonëse levizjet e njerëzve mbikqyreshin nga ana e serbëve,në veçanti nga ana e forcave të U.B.S.edhe pse veprohej në një terror të tejskashëm psikologjik,u rrit në mënyrë të ndjeshme,jo vetëm numuri i anëtarëve të lidhjes demokratike të kosovës,por madje dhe,numuri I personave që do të përfaqësonin U.Ç.K-n. Duke pikasur lëvizjet e mia të shpeshta- tregon  isufi,forcat e armatosura serbe,duke mos patur asnjë shkak,më kapin duke më dënuar 4 vjet,Kam provuar mbi shpinë torturat më çnjerëzore të kohës ,kam hequr të “zitë e ullirit” shton më tej ai.Si qindra shtëpi të tjera dhe shtëpia e isufit, përjeton të njëjtin fat,shkatërohet e digjet plotësisht nga ushtria, tanket…serbe.Banorët duke mos menduar më,për shtëpi e katandi, iknin s’di se ku, për të mbtojtur jetët e tyre.Me qindra familje me torba mbi shpinë largoheshin nga flakët e luftës.

6 Bashke

Kosova si kurrë ndonjëherë, drithërohej nga ethet e luftës.Familje të tëra rrugëtonin drejt shqipërisë,mdis tyre familja dhe të afërt të Isufit.Ai sistemohet familjarisht në fshatin Rrushbull të Durrësit.Me fjalë zemre,me sytë që i shkëndijojnë nga perde loti,ai flet me mirënjohje për shtëpinë e vogël dhe shpirtin e madh që tregoi i zoti i saj, Musa Vokshi,duke arritur që në këtë strehëz,të strehoeshin tridhjet e katër njerëz.Nuk do e harroj kurrë këtë njeri me vlera të veçanta.mikpritje e bujarie,duke arritur në shumë raste të ndante kafshatën e tij së bashku me ne-thotë Isufi. Gjesti i këtij njeriu human do më shoqëroj gjithë jetën time.Edhe sot ne mbetemi miq të mirë flet i emoconuar ai. Rëmon në trokun e viteve,bashkëudhetare në kujtimet e tij,ku ende dhe sot shtëpia e tij e djegur,është një realitet i padiskutueshëm,një dëshmi e gjallë e historisë së kosovës. Rikthehet sërish në retrospektivën e viteve prag 90-tës.Gjithësesi i pushtuar nga emocionet kur i përmënd vëndlidjen, Isufi shton se për do vit unë shkoj në Mitrovicë,sepse atje kam shtëpinë,time nënën time…jetën time. Përmënd vlerat njerëzore të pa përsëritshme botërore ish presidentin e SH,B. A. Bill Klinton,i cili jo vetëm ndikoj maksimalisht në gjunjëzimin e serbëve,por madje arriti tu jap të drejtën e strehimit qindra familjeve kosovare në Amerikë.Në filllim Isufi ankorohet në Mahnatan të shtetit të Nju Jork si azilant politik,dhe pas dy vjetësh shtegëton në Clearwatër, të shtetit të Floridas,ku vazhdon të jetoj edhe sot.Shumë shpejt,krahas punës së përditëshme në ndërmarjen e gjelbërimit,ai nis e kontribuon në komunitetin shqiptar në Florida, duke e  bërë sa më prezente logon e bashkimit, një komb, një fe ,një ide,një flamur,çka bëri që shumë shpejt të fitoj admirimin dhe repektin e mjedisit shqiptar.në qytetet,Tampa,Saint Petërsburg,Largo,Pinellas,Sarasota,Nju Port Ric.Ndërkoh në vitin 2008,në prag të festimit për herë të parë në Florida,të shpalljes së pavarësisë së shqipërisë si veprmtar i këtij komuniteti, duke bashkëbiseduar me mjaftë shqiptar vendosin për festimin e ditës së pavarësisë të pranishëm kënga e vallja shqipe, me interpretimet brilante të këngëtare të njohura,Merita Halili,Irma Libohova,Eli fara,Ndërkohë për krijimin e degës së re Vatra në Florida, Isufi, tregon se shkëndia e zjarrit për krijimin e degës Vatra në Tampa Bay.në praninë e popullsisë shqiptare të disa qyteteve,u ndez dy vjet më parë,në Nëntorin e vitit 2014,në Xheksonvill,ku mjaftë shqiptar kishin shkuar të festonin një vjetorin e degës Vatra dhe festën e pavarësisë së Shqipërisë në këtë qytet ku gjithçka do të ishte nën pushtetin e këngës dhe valles shqiptare,me praninë e këngëtareve Irma libohova,Petrit lulo ,Aurela Gaçe, të cilët do e kthehnin në një dasëm të madhe këtë ditë të shënuar.Ishte pra kjo festë e cila do të projektonte lindjen e degës së dytë Vatra,në Florida.Bashkëbisedimi i afërt,i ngrohtë që u zhvillua në këtë mbrëmje festive midis kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës“VATRA”dr. Gjon Buçaj,i ftuar në këtë përvjetor të parë të degës Vatra në Xhenksonvill,dhe Isuf Spahiaj,bëri që drejtues të komunitetit në Tampa Bay,të mernin inisiativën e krijimit të degës Vatra.Ishte koha kur po zhvillohej aktiviteti kushtuar dy figurave qëndrore,dy kollosëve të mëdhenj të shqiptarizmit Fan Noli dhe Faik Konica.Me fjalë respekti e mirënjohje,Isufi të flet për punën dhe shërbimin e aktivistëve të komunitetit në Florida,në veçanti për kontributin e çmuar të biznesmenit Ismet Gjeloshit,të palodhurin  Gjon Lulgjuraj,i cili jo vetëm mundësoi hapjen për herë të parë të radios shqip në Florida,por për gati dhjetë vjet punoi me përkushtim të Kulturës dhe artit shqiptar,duke mos harruar kurrësesi aktivistët e palodhur Agim Habibaj,Polo Hito,Bardhyl Shehu e të tjerë.Shkëndia që ndezi dr. Gjon Buçaj,i dha forcë e kurajo Isufit,i cili shumë shpejt bëhet inisiator për krijimin e degës së re,Vatra në Tampa Bay.Me ndihmën e pakursyer të kryetarit të degës Vatra, Adriatik Spahiu,në mbledhjen e zhvilluar për këtë eveniment, mjaftë të pranishëm përkrahën e mbështetën mendimin dhe dëshirën e Isuf Spahiaj.Mes tyre Ismet Gjeloshi,Zamira Rjubeka,Ina Nallbani,Sali Mustali,të cilët më pas do të përbënin grupin e krijimit të degës Vatra,e cila më pas zgjodhi si kryetar të saj,biznesmenin e sukseshëm Tasim Ruko. Ndonëse i angazhuar me punë dhe detyra të tjera, Isuf Spahiaj,gjen kohë të jetë i pranishëm shpesh herë dhe midis nxënësve të shkollës së parë shqipe të hapur nga njerëzit human të Vatrës dhe përkushtimin e krytarit tëe kësaj dege,Tasim Ruko. Përherë këmbëngulës për të çuar deri në fund zgjidhjen e një kërkese apo problemi.në dobi të degës Vatra.Si nënkryetar i kësaj dege,ai kurrë nuk e ndjen lodhjen,duke u shërbyer të tjerëve,në veçanti njerëzve në nevojë si pjesë e degës së vatrës,detyrimeve dhe angazhimeve ndaj saj në Tampa Bay,dhe mbarë komunitetin shqiptar në shtetin e Floridas.I tillë është dhe mbetet për komunitetin shqiptar në Florida veprimtari i palodhur,dhe nënkryetar i degës Vatra Tampa bay,Isuf Spahiaj,duke sakrifikuar veten  për të ndiçuar të tjerët,si misionar,patriot dhe njeri fisnik.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fadil Shehu, Isuf Spahija, nënkryetar i degës së Vatrës në Tampa bay

POLITIKA E JASHTME AMERIKANE DHE SHQIPTARËT…

February 6, 2017 by dgreca

…NJË POLITIKË E MBËSHTETUR NGA DY PARTITË KRYESORE/

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Zgjedhjet e fundit për president në Shtetet e Bashkuara shkaktuan debate të ashpra jo vetëm midis kandidatëve të dy partive kryesore të këtij vendi, republikanit Donald Trump dhe demokrates Hillary Clinton, por edhe në radhët e mbështetsve të tyre – debate që shpesh ishin dhe vazhdojnë të jenë përçarse — mbi politikat e mbrendshme dhe të jashtme që duhet të ndjekin Shtetet e Bashkuara.Pjesë e këtij debati, ishte një konferencë dy-ditëshe që u mbajt muajin e kaluar në Institutin e Shteteve të Bashkuara për Paqë në Washington, tubim ky që kaloi gati pa bujë dhe pothuaj me aspak mbulim nga media, por ishte një takim i rëndësishëm dhe domethënës për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, në të kaluarën por edhe për angazhimin e administratës së re në punët botërore dhe për rolin që Washingtoni duhet të luaj në këtë fushë.   Ishte kjo një konferencë ku morën pjesë, Këshilltarja për Sigurinë Kombëtare e ish-Presidentit Obama, Susan Rice dhe Këshilltari i ri Sigurisë Kombëtare në adminsitratën e Presidentit Trump, ish-gjenerali Michael Flynn.  Në konferencë ishin gjithashtu të pranishëm edhe ish-Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, Senatori republikan, Lindsey Graham dhe qindra ish-zyrtarë të lartë dhe zyrtarë të administratës së re, diplomatë dhe ekspertë të pavarur të çështjeve ndërkombëtare të cilët përfaqsonin pikëpamje të ndryshme mbi zhvillimin e marrëdhënieve të Amerikës dhe mbi rolin e saj në botën e jashtëme.  Ndryshe nga debatet mbi zhvillimet e politikave të mbrendëshme, shpesh të acaruara politike dhe ekonomike, midis Shtëpisë së Bardhë dhe udhëheqsve të Partisë Demokrate, ky takim ku u diskutua pothuaj ekskluzivisht politika e jashtme e Shteteteve të Bashkuara — sipas Institutit për Paqë i cili sponsorizoi takimin —  ishte një tubim që vërtetoi se me anë të dialogut të mirëfilltë dhe ndërtues, mund të përcaktohen bazat e një politike të jashtme efektive,  që mund  të mbështetet nga dy partitë kryesore amerikane – një politikë që në të vërtetë është jetike për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Në një njoftim mbi zhvillimet e konferencës dy ditore thuhet se pjesëmarrsit në atë tubim, arritën përgjithsisht në marrëveshje mbi perimetrat e sfidave të sigurisë dhe të politikës së jashtme, me të cilat përballen sot Shtetet e Bashkuara.  Për një menazhim më efektiv të këtyre sfidave, pjesmarrsit në konferencë u dakorduan se roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara është i pazevëndsueshëm dhe se si i tillë nevojitë aleatë, anë e mbanë botës.  Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Trump, ish-gjenerali Michael Flynn u tha të pranishëmve se administrata e re amerikane beson se Shtetet e Bashkuara, “Duhet të marrin përsipër një rol më të madh — pa marrë parsyshë nëse kjo na pëlqen ose jo – pasi bota e kërkon një gjë të tillë.  Ai shtoi duke thënë se administrata e re do të “Rishqyrtojë të gjitha marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me vendet anë e mbanë botës.”Në debatet e tyre, përfaqsuesit demokratë dhe republikanë ishin të njëjtit mendim se më së pari Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë bazën e mbrendshme nga e cila varet roli i jashtëm i këtij vendi, e që sipas ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Stephen Hadley, që ka shërbyer në administratën e ish-Presidentit George W Bush, “nevojitë forcimin e ekonomisë ssë vendit, një politikë më bashkpunuese midis palëve dhe një ushtri më të fortë.”  Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e cila ka shërbyer në administratën e ish-Presidentit Bill Clinton, si edhe pjesëmarrës të tjerë civilë dhe ushtarakë, nënvijuan se Amerika në rolin e saj botëror ka nevojë gjithashtu edhe për përdorimin e mjeteve të forta të diplomacisë, të zhvillimit dhe të pajtimit ndërkombëtar.  Pjesëmarrsit në atë konferencë u pajtuan se Amerikës i duhet një përgjigje e mbështetur nga dy partitë kryesore të këtij vendi ndaj sulmeve që po kërcënojnë rregullat dhe rendin e tanishëm ndërkombëtar.  Udhëheqsit e të dy partive politike amerikane në atë tubim, shprehën gjithashtu edhe shqetësimin e tyre në lidhje me agresionin e Rusisë në Ukrainë, mbi manovrimet ushtarake në rritje nga ana e Kinës si edhe ndaj dobësimit të kohezionit në radhët e vendeve të Bashkimit Evropian, duke i cilësuar këto dukuri si shënjë e dobësimit të rendit ndërkombëtar, një sistem ky që pak a shumë, ka ruajtur paqën botërore gjatë 70-viteve të fundit.

Natyrisht se në një debat të tillë mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, ku morën pjesë ish-udhëheqës dhe zyrtarë të lartë me qendrime të ndryshme, nga administratat demokrate dhe republikane, nuk do të ketë gjithmonë një harmoni të plotë të pikëpamjeve. Por të gjithë pjesëmarrsit –pa marrë parasyshë pikëpamjet e tyre politike dhe partiake – treguan ashtu siç është  shpesh traditë në Amerikë, një angazhim që në fillim të administratës së re të punojnë drejtë një politike të përbashkët mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në botë — gjithmonë në interesin kombëtar të këtij vendi — duke treguar se megjithë ndasitë dhe përçarjet politike të mbrendshme shpesh të ashpëra – politika e jashtme e këtij vendi dhe roli që duhet të luajnë Shtetet e Bashkuara në botë, gëzojnë gjithnjë mbështetjen e ekspertëve dhe zyrtarëve të lartë të dy partive kryesore të Amerikës, por edhe diplomatëve dhe ekspertëve të pavarur të çështjeve ndërkombëtare.

1 Suzan Rice flynn

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Trump, ish-Gjenerali Michael Flynn dhe ish Këshilltarja e Presidentit Barack Obama për Sigurinë Kombëtare, Suzan Rice morën pjesë në konferencë/Krahaso këtë mbështetje të politikës së jashtme amerikane dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë nga dy partitë kryesore dhe nga eskpertë e diplomatë të ndryshëm amerikanë, me politikën e jashtme të Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara, sidomos kohët e fundit. Duke u mbështetur në disa burime të medias shqiptare, kjo politikë po zhvillohet në dy platforma të ndryshme të ndjekura nga dy partitë kryesore, nga ajo Socialiste dhe ajo Demokrate.  Dy kampe pra të ndara në politikën e tyre ndaj shtetit strategjik numër një për kombin shqiptar, njëra pro “sorosiane” e tjera pro “Trump”.   Edhe nëqoftse në thelb kjo politikë e Tiranës ndaj Shteteve të Bashkuara nuk është e vërtetë, kam drojë se nga të përfolurat deri tani mbi këtë çështje dhe nga debatet e analistëve kryesisht të njëanshëm në televizionet shqiptare, dëmi është bërë tanimë.  Shtetet e Bashkuara, me vendimin e tyre, kurrë nuk do të jenë armike të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, siç është provuar historikisht, vetëm shqiptarët mund të bëjnë një gjë të tillë, ashtu siç bëri dikur Enver Hoxha.  Prandaj, qendrimet e fundit të politikës dhe disa mediave shqiptare ndaj Amerikës dhe zhvillimeve në këtë vend, duket se kanë krijuar një atmosferë jo të këndshme në marrëdhëniet midis dy vendeve, që për ndryshe deri më sot janë përshkruar si të shkëqyeshme midis Washingtonit dhe Tiranës.  Prandaj, lindë pyetja kush është motori që inkurajon një pasiguri të tillë në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve dhe pse?  Nuk kini nevojë të përlaheni e të përçaheni për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane se kini mjaftë fushë të tjera ku mund ta beni këtë.  Nëqoftse dikush dëshiron, që në vend të miqësisë midis dy vendeve, falë politikës shqiptare ndaj Shteteve të Bashskuara, Washingtoni të detyrohet të marrë qendrim indiferent politik dhe diplomatik ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, politika e tanishme ose më mirë të themi heshtja zyrtare ndaj dukurive të tilla, do të shkaktonte dëme të mëdha në interesat kombëtare të shqiptareve në Ballkanin Perëndimor, duke kënaqur kështu jo vetëm armiqtë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por edhe armiqtë e interesave kombëtare të shqiptarëve.Marrëdhënjet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara janë tepër të rëndësishme që të bëhen objekt mosmarrveshjesh ndaj nuk guxohet të luhet me to ose të manipulohen në këtë mënyrë, qoftë nga individë ose parti politike për qëllime të ngushta, personale ose politike.  Pretendimet tuaja, të nderuar politikanë,  se mund të keni mbështetjen e njërit ose tjetrit udhëheqës ose parti politike e zyrtarë amerikanë janë fals dhe mos gënjeni votuesit shqiptarë.  Politika zyrtare amerikane nuk ka përkrahur kurrë ekskluzivisht ndonjë politikan ose parti politike të vetme shqiptare.  Washingtoni zyrtar nuk do të bëjë një gjë të tillë as tani, kështuqë “sorosianë” dhe “trumpist” shqiptarë dhe mbështetsit tuaj, më mirë kujdesuni bashkë pa dallim partie, për interesat afatgjata politike, ekonomike dhe të sigurisë të shqiptarëve që mund të vinë nga marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore shqiptaro-amerikane. Shtetet e Bashkuara, janë mirënjohëse ndaj ndjenjave historikisht, pro-amerikane të kombit shqiptar.  Shqipëria, nga ana e saj, ka përkrahur pa mëdyshje politikën amerikane në luftën kundër terrorizmit dhe merr pjesë në operacione ushtarake në kuadër të NATO-s.  Mos e prishni pra këtë miqësi historike. Siç thashë më lartë, mjafton një qendrim indiferent i Washingtonit ndaj Shqipërisë për të dëmtuar këtë miqësi dhe njëkohsisht për të kënaqur dhe për të inkurajuar armiqët.  Jo vetëm Washingtoni zyrtar por edhe Kombi shqiptar pret prej jush – si politikanë individ dhe si parti — që para Shteteve të Bashkuara dhe zyrtarëve të saj të flisni me një zë dhe të paraqiteni të bashkuar në mbrojtje të interesave kombëtare të shqiptarëve, përfshirë zhvillimin dhe mbarëvajtjen e marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore që ekzitojnë tani midis Shteteve të Bashkuara dhe kombit shqiptar. Prandaj, ashtu siç është mbështetse dhe bipartizane politika amerikane, pa dallime politike, ndaj Shqipërisë dhe Shqiptarëve, e tillë duhet të jetë edhe politika e Shqipërisë dhe e klasës politike të saj ndaj Shteteve të Bashkuara dhe marrëdhënieve zyrtare midis dy vendeve.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe shqiptaret, dy partite, Frank shkreli, POLITIKA E JASHTME AMERIKANE

TË MOS JEMI VAMPIRË TË ATDHEUT

February 6, 2017 by dgreca

THJESHT ATDHEDASHURI – TË JEMI BIJ TË ATDHEUT, TË MOS JEMI VAMPIRË TË ATDHEUT – Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Ta duam atdheun aq sa ai është, ta duam as më të madh se është, as më të vogël se është. Më parë se të jenë fjalët e mia, këto janë fjalët e François-Marie Arouet (Voltair), nga vepra e tij “Fjalori filozofik”. Filozofi i madh optimist francez i shekullit XVIII është shembull i intelektualit krijues të papajtuar me politikën, i cili mbahet mend si kryqëzues i tiranisë e dogmatizmit dhe për aftësitë e tij të mprehta satirizuese e kritike ndaj shoqërisë së kohës.

Pra, thjesht atdhedashuri. Për ne shqiptarët kjo do të thotë ta duam atdheun tonë në të gjithë shtrirjen e tij hapësinore, ta duam atdheun tonë në pesë gjashtë shtetet ku ai ndodhet në vijimësi të pandërprerë gjeografike, në vijimësi të pandërprerë historike prej disa mijëvjeçarësh. Ta duam Republikën e Shqipërisë dhe të mos e duam Republikën e Kosovës, kjo nuk është atdhedashuri. Dhe anasjelltas: Ta duam Republikën e Kosovës dhe të mos e duam Republikën e Shqipërisë, kjo nuk është atdhedashuri. Ta duam Myzeqenë dhe të mos e duam Luginën e Preshevës (Kosovën Lindore), kjo nuk është atdhedashuri. Dhe anasjelltas: ta duam Luginën e Preshevës dhe të mos e duam Myzeqenë, kjo nuk është atdhedashuri. Ta duam Tropojën dhe të mos e duam Bujanocin, kjo nuk është atdhedashuri. Dhe anasjelltas: ta duam Bujanocin dhe të mos e duam Tropojën, kjo nuk është atdhedashuri. Me pak fjalë: Ta duam atdheun tonë në të gjithë hapësirën e tij, në të gjitha nënhapësirat e tij, në të gjitha qytetet dhe fshatrat e tij, pavarësisht se në cilën njësi shtetërore ndodhen sot. Ta duam njëri-tjetrin pavarësisht nëse është shqiptar i Shqipërisë, shqiptar i Kosovës, i Maqedonisë shqiptare (hapësirës shqiptare të Maqedonisë), i Malit të Zi shqiptar (hapësirës shqiptare të Malit të Zi), pavarësisht nëse ai është myzeqar, lab, malësor, dibran, tetovar, kumanovas, ulqinak, preshevar, çam pavarësisht ku ka lindur, pavarësisht ku jeton apo ku ndodhet. Kjo është atdhedashuri. Është atdhedashuri e kulluar, e dlirë, e kthjellët. Është në të mirën tonë dhe në dëmin e askujt.

Atdhedashuri është një term i brumit të mirëfilltë shqip. Duket se është i vetmi term që i shkon fjalorit tonë. I kam dëgjuar në media dhe i kam lexuar shumë nga teorizimet që këto kohët e fundit i bëjnë, kryesisht në Tiranë, të ashtuquajturat mendje të kombit. Këto teorizime janë absolutisht pakaluese, janë frut i mungesës së ndjeshme të dijes në fushën përkatëse. Në vend që ta ndriçojnë një objekt të shenjtë, siç është atdhedashuria, siç është çështja aq e përbërë shqiptare, këta, qoftë nëpër studio, qoftë nëpër tribuna, vetëm sa e errësojnë, e komprometojnë dhe e ndotin këtë objekt. Kjo e bën të domosdoshme që të heqim dorë nga përdorimet fjalëve të huaja (termave ndërkombëtarë), por edhe nga përdorimet e fjalëve tona me parashtesa apo me prapashtesa të huaja. I njëjti term ndërkombëtar, nëse përdoret nga një i huaj çfarëdo, tingëllon shumë më butë dhe shumë më pranueshëm se kur ai është i shqiptuar nga një shqiptar, qoftë në një jubile, qoftë në një përvjetor të thjeshtë, në një festë zyrtare apo private, në një bisedë në një studio, në një kollonë anash faqes së një gazete.

Ta duam atdheun do të thotë të ndërtojmë një raport të drejtë me atdheun. Të jemi bij të tij dhe jo sundues të tij. Të jemi përkushtues ndaj tij, të jemi shërbyes ndaj tij dhe jo ta vëmë atdheun tek këmbët tona. Të mos e shikojmë atdheun si çifligun tonë, që mund t’ia zhveshim malet nga pyjet, mund t’ia gërryejmë shtretërit e lumenjve, që mund t’ia nxjerrim në shitje për gati kurrgjë pasuritë dhe thesaret e tij të dhuruara nga Zoti apo të krijuara nga njeriu në mijëvjeçarë. Ta mendojmë atdheun jo vetëm si atdhe të brezave bashkëkohës, por edhe si atdhe të brezave pasardhës, ta mendojmë atdheun jo vetëm si atdhe të atyre që e banojnë përkohësisht, por edhe si atdhe të atyre që janë detyruar të largohen prej tij dhe ndodhen nëpër botë, duke e mbajtur me bukë shumicën e popullit shqiptar që ndodhet ende në atdhe. Ta duam atdheun do të thotë të rritim mirëqenien e të gjithëve dhe jo vetëm të një grushti të vogël njerëzish.

Të jemi bij të atdheut. Të mos jemi vampirë të atdheut. Hypja në karrike, jetesa me lugë floriri, nuk të jep të drejtë që ta katandisësh atdheun në zhele. Nuk do të thotë ta ndjesh veten gjel dhe atdheun ta ndjesh plehun mbi të cili ti vikat. Të jesh vampir i atdheut do të thotë t’i grumbullosh për vete miliardat dhe të tjerëve, anekënd, t’ua lësh vetëm morrat. Pse sot, pas njëzet vitesh të hapjes ndërmjet shqiptarëve, të hapjes së tyre ndaj botës, nuk ka pasanik që të guxojë ta bëjë transparente pasurinë e tij të vënë në këto njëzet vite? Sepse këta janë vampirë të atdheut dhe nuk janë bij të atdheut.

Paradoksi tjetër është se pikërisht këta, pikërisht vampirët e atdheut, janë ata që bëjnë retorika të mbrapshta se shkrihen krejt për atdheun, për kombin, për shqiptarët. Dhe nuk bëjnë gjë tjetër veçse e komprometojnë çështjen më të shenjtë në botë, çështjen shqiptare.

Duke qenë te kjo pikë e temës sonë, le të kthehemi tek Voltairi (Volteri). Tek fjala Atdheu, ai shkruan: “Një atdhe është i përbërë nga më shumë se një familje; e si rëndom përkrahet familja jote thjesht për dashuri, kur nuk ke një interes të kundërt, kështu thjesht për dashuri përkrahet qyteti yt ose fshati yt që quhet atdhe. Sa më shumë që ky atdhe rritet aq më pak duhet, sepse dashuria e pjesëtuar dobësohet. Është e pamundur që të duhet një familje tepër numerike që sapo e ke njohur.

Kush ka ambicjen të jetë prijës, tribun, udhëheqës, diktator bërtet se e do atdheun, ndërkohë që e do vetëm veten e vet. Secili ka dëshirë të mund të flejë në shtëpinë e tij pa pasur dikush tjetër pushtetin që ta marrë dhe ta çojë të flejë diku tjetër, secili dëshiron të jetë i sigurt për pasurinë e tij dhe për jetën e tij. E kështu, meqë të gjithë kanë të njëjtat interesa, dhe nga interesat e veçanta përbëhet interesi i përgjithshëm: i përkushtohemi republikës, kur në fakt jemi duke iu përkushtuar thjesht vetes sonë.”

Në epokën e integrimeve perëndimore, në epokën e integrimeve globale, në epokën që kërkon më shumë se kurrë integrim, dashuri midis njerëzve, për ne shqiptarët është e pamundur ta gjejmë veten në rajon, në kontinent, në botë, pa e gjetur më parë tek njëri-tjetri. Është e pamundur që interesat tona të jenë të përputhshme me të tjerët, pa qenë të përputhshme mes njëri-tjetrit. Është e pamundur të jemi bindës për të tjerët, kur nuk kemi mirëkuptim dhe mirëpajtim, kur nuk kemi dashuri të mjaftueshme për njëri-tjetrin. Është e pamundur që retorikat tona të mos tingëllojnë të zbrazëta, të pabazuara, prandaj të dëmshme për veten tonë dhe të tjerët. Ata që janë kundër çështjes shqiptare, vërtet bëjnë edhe ata retorikë, por retorika e tyre është pjesë gati e papërfillshme e veprimit të tyre. Kështu çëshjen shqiptare e dobësojnë kundërshtarët e çështjes sonë dhe, njëkohësisht, e dobësojmë ne vetë. Prandaj miqtë dhe aleatët na këshillojnë ne të heqim dorë nga retorikat, të shohim punën tonë, ta përparojmë punën tonë, ta realizojmë çështjen tonë në të gjithë përbërësit e saj dhe në tërësinë e saj. Kështu do ta ndihmonim veten tonë, kështu do të na ndihmonin miqtë dhe aleatët, kështu do të na ndihmonte vetë Zoti. Atdhedashuria jonë, atdhetaria shqiptare, në shenjtërinë e saj, është absolutisht e paparagjykueshme, është absolutisht qytetare, është absolutisht e pandalshme drejt triumfit të saj. Siç do të thoshte vetë Voltaire – ajo është qytetare e botës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Nga SKËNDER BUÇPAPAJ, TË MOS JEMI VAMPIRË TË ATDHEUT

Kupolat nepotike të LSI – Rasti Balili dhe rasti Xhixho

February 6, 2017 by dgreca

 Nga Elida Buçpapaj/

Në administratën shqiptare nuk mund të punojë asnjë shqiptar nëse nuk punësohet nga partitë kryesore të Shqipërisë që janë PS, PD dhe LSI.Po kështu edhe në media.Në mediat shqiptare nuk mund të kontribuojë asnjë gazetar nëse nuk i shërben në mënyrë klienteliste një partie apo një politikani të fuqishëm.

Politika shqiptare promovon nepotizmin dhe klinetelizmin duke e minuar sistemin. Prandaj sistemi është kalbur.

Nepotizmi është favorizimi i familjarëve që dominojnë politikën dhe pushtetin duke e kapur atë për gryke për ta mbytur.Nepotizmin dhe klientelizimin në mënyrën më të përkryer midis partive shqiptare e ka ngritur në sistem LSI, por natyrisht që nepotizmin e promovojnë masivisht edhe PS e PD.

Rasti Balili

Disa ditë përpara se të jepte dorëheqjen, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani lëshoi deklaratën rreth klanit të Klement Balili, që sot njihet me nofkën si “Escobari i Ballkanit”.

Ylli Manjani tek Opinioni i Blendi Fevziut tha shprehimisht se: 1.”Vëllai i Klement Balilit ka punuar për LSI në fushatën e vitit 2013.

2.”Nipi i Klement Balilit është kryetari i Bashkisë së Delvinës, i propozuar nga LSI”. Por kjo s’ka të bëj fare, secili e ka kokën në shpatulla të veta” tha Manjani.

3.Manjani shtoi se Escobari i Ballkanit, “Klement Balili nuk ka qenë sponsor i LSI”!

Ndërkohë  Klement Balili ishte pronar dhe biznesmen i fuqishëm me prona dhe pasuri:

1. Klement Balili e kishte pronën e tij kompleksin turistik “Santa Quaranta”, për të cilin Manjani tha se ministrat e PS vinin këtu me dashnoret e tyre. Kush ia kishte treguar Manjanit këtë fakt ?

2. Klement Balili ishte pronar i hotel Olivias në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës.

3.Klement Balili, së bashku me vëllezërit e tij ishte pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në qarkun e Vlorës.

Sipas pohimit të vetë Manjanit, i nipi dhe i vëllai i Balilit kanë dhënë kontribute tek LSI.

Po përse të mos ketë dhënë kontribute edhe Klement Balili, i cili del se pas zgjedhjeve të 2013 emërohet Drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës.

A nuk duket sikur emërimi  të jetë direkt shpërblim i LSI për kontributet e tij!

Si Escobar i Ballkanit a nuk i interesonte Klement Balilit, të emërohej Drejtor i Transporteve në qytetin e Sarandës, një post i tillë, si detyrë strategjike dhe logjistike për punët e tij të pista ?

E përse e përjashton Manjani mundësinë që Klement Balili të ketë kontribuar për arkën e LSI, kur ai ishte edhe biznesmen edhe boss i drogës dhe pare të pista kishte me miliona ?

Po si është e mundur që LSI e emëron Klement Balilin Drejtor të Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës, kur ky person ka qenë me precedent penal dhe sipas skedës personale të tij të botuar në shtypin shqiptar, rezulton që në vitin 2006 Klement Balili të jetë arrestuar nga Policia e Shtetit në kuadër të një aksioni antidrogë që u finalizua me prangosjen e disa personave mes të cilëve edhe zyrtarë shtetëror.

 

Rasti i Ambasadores Filloreta Kodra

Ka të paktën dy vjet që në shtypin shqiptar Ambasadorja e Misionit Shqiptar pranë OKB-së në Gjenevë Filloreta Kodra denoncohet  për shkelje ligjore dhe për trajtim të privilegjuar ndaj një diplomate me emrin Dorina Xhixho, që është Sekretare e Dytë në Mision.

Nuk ka patur asnjë reagim nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, përkundrazi kjo ministri me heshtjen e saj është bërë pjesë e këtyre shkeljeve.

Filloreta Kodra ka qenë nënkryetare e LSI, nënministre etj, pra një nga figurat më përfaqësuese të kësaj partie.

Filloreta Kodra është emëruar në postin e Ambasadores të Misionit Shqiptar pranë OKB-së nga LSI që prej kohës kur LSI ishte në aleancë me PD.

Zonjës Filloreta Kodra i ka mbaruar mandati me kohë, por ajo vijon detyrën e saj.

Për një kohë të gjatë ajo kishte punësuar si sekretar/financier edhe bashkëshortin e saj, çka përbënte konflikt të hapur interesi.

A nuk i di organikat e ambasadave Ministria jonë e Jashtëme. Natyrisht që i di!

Sa për shkeljen e mandateve është një shfaqje rutinë e tre partive kryesore, PS, LSI dhe PD.

Diplomatë të emëruar nga politika pa asnjë meritë dhe pa asnjë vlerë qendrojnë për disa mandate, duke e mjeruar dhe degraduar përfundimisht diplomacinë shqiptare.

 

Rasti Xhixho

Dorina Xhixho, Sekretarja e Dytë e Misionit Shqiptar pranë OKB, që paçka se ka një rang jodomethënës, trajtohet nga ambasadorja Kodra sikur të jetë zvAmbasadore e këtij Misioni, kjo sipas dëshmisë të disa diplomatëve nga ky mision.

Dorina Xhixho, është 33 vjeçare. Ajo është e emëruar nga LSI, përpara 8 vitesh. Pra, nëse mandatet në Misionin shqiptar janë 3 vjeçare, ajo është në mandatin e saj të tretë.

Nuk ka patur asnjë kontribut. Është emëruar në detyrën e diplomates kur ishte 24 vjeçare dhe tani 33 vjeçare vijon të jetë Sekretare e dytë e këtij misioni.

Trajtimi special nga ana e Ambasadores Filloreta Kodra, që tek Dorina Xhixho gjen militanten e LSI ka shkaktuar revolta tek diplomatët e këtij misioni. Por rezultati ka qenë skandaloz, sepse diplomatët që kanë ngritur krye janë dërguar pako postale në Tiranë, ndërsa Dorina Xhixho vijon të ndihet si Nr.2 i  Misionit shqiptar pranë OKB-së në Gjenevë.

Por kush është Dorina Xhixho?

Një simpatizante, militante apo anëtare e thjeshtë e LSI ?

Natyrisht që jo!

Ajo është pjesë e kupolës nepotike që ka ngritur politika shqiptare.

E motra e Dorina Xhixhos është Erisa Xhixho.

Erisa Xhixho ka qenë Kryetare e Lëvizjes Rinore për Integrim dhe prej vitit 2012 është Kryetare e Komitetit Drejtues të LSI, pra eksponente e LSI. Prej shtatorit të vitit 2014 Erisa Xhixho është emëruar Zv. Ministre e Integrimit Europian.

Por nuk mbaron këtu.

I jati i Dorina Xhixhos dhe Erisa Xhixhos është Pirro Xhixho.

Pirro Xhixho është zyrtar i lartë në shtetin shqiptar.

Ai është kreu i AKEP, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare i emëruar nga LSI.

Ky post votohet në parlament dhe ka kaluar me 79 vota pro, pra me votot e PS dhe LSI. Pirro Xhixho e ka mbajtur këtë post të lartë prej kohës kur LSI ishte në mandat qeverisës me PD. Me largimin nga koalicioni, PD e shkarkoi Pirro Xhixhon, por me kalimin e LSI në koalicion me PS, Pirro Xhixho e rimerr sikur ta ketë me tapi përsëri këtë post të lartë shtetëror.

A duhet të funksionojë kështu shteti, që bijtë, nipat dhe etërit të marrin në dorë frenat e shtetit ?

Partitë shqiptare, së bashku me në krye LSI, PS dhe PD e kanë ngritur nepotizmin në sistem dhe prandaj e kanë kthyer sistemin në kalbësirë.

A është nepotizmi dhe shërbimi klientelist shprehje e korrupsionit?

Po përse Prokurori i Përgjithshëm i kërkon të korruptuarit dhe nuk i gjen, kur i ka të gjithë përpara sysh.

Apo se edhe ai vetë është pjellë e këtij sistemi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, KUPOLA -, LSI

Bie muri, ngrihet Asociacioni

February 6, 2017 by dgreca

Autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut kanë paralajmëruar “ndërtimin e një konstruksioni prej betoni, i lartë 70 centimetra dhe i gjerë 120 centimetra”, ndërkohë që zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës kanë theksuar se zbatimi i projekti i ri është në pajtim me marrëveshjen ndërmjet institucioneve qendrore të vendit dhe atyre lokale të Mitrovicës së veriut./

Në Foto: Rrënimi i murit në Mitrovicë, 5 shkurt 2017/

1 bie muri, ngrihet AsociacioniTë martën do të nisë zbatimi i projektit të ri nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut, të cilat ditën e diel e rrënuan murin e ngritur në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, urë kjo që lidh jugun dhe veriun e këtij qyteti.

Autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut kanë paralajmëruar “ndërtimin e një konstruksioni prej betoni, i lartë 70 centimetra dhe i gjerë 120 centimetra”, ndërkohë që zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës kanë theksuar se zbatimi i projekti i ri është në pajtim me marrëveshjen ndërmjet institucioneve qendrore të vendit dhe atyre lokale të Mitrovicës së veriut.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë të hënën se në Republikën e Kosovës më nuk do të ketë mure dhe projekti i ri është në përputhje me vendimet e institucioneve të Kosovës dhe me të drejtën e qytetarëve për lëvizje të lirë.

“Do të ketë hapësira të gjelbëruara, në të cilat do të kenë kalim, që do të jetë në nivelin zero edhe për qytetarët, por në të njëjtën kohë edhe për makinat e emergjencës, ashtu siç janë në sheshin ‘Nënë Tereza’ (në Prishtinë). Në të dyja anët e sheshit do të ketë lëvizje. Në njërën pjesë është rreth 9 metra, për aq sa ka qenë afërsisht vet rruga kryesore. Ata që janë nga Mitrovica e dinë këtë. Le të jenë të sigurt dhe të mos bien pre e asnjë provokimi ose abuzimi, i cili është politik”, tha Veseli.

Ai shtoi se projekti do të jetë transparent për qytetarët duke u bërë thirrje atyre që të mos manipulohen nga askush. Thirrjet e Veselit për qytetarët kanë ardhur për shkak të kundërshtimeve që i ka shfaqur opozita ditën e hënë lidhur me këtë projekt, të cilin e kanë quajtur legalizim të një muri të ri.

Kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se projekti i ri është zbatim i marrëveshjes së arritur më 4 shkurt ndërmjet autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut dhe Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, konstruksioni i ri prej betoni do të jetë i larguar rreth 2 metra nga vendi ku ishte më parë muri që u rrënua.

“Ky konstruksion i ri prej betoni, në fakt, do të shërbejë që askush rastësisht, me qëllim apo me qëllim të keq, të mos mund të hyjë në asnjë mënyrë me automjet në zonën e këmbësorëve. Nesër do të nis zbatimi i asaj për të cilën jemi marrë vesh dhe asgjë më shumë se sa ajo për të cilën jemi marrë vesh më 4 shkurt””, tha Rakiq.

Në anën tjetër, partitë opozitare kanë reaguar ndaj paralajmërimeve për ndërtimin e konstruksionit të ri.

Driton Çaushi deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e subjektit më të madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se e gjithë kjo që po ndodh ditëve të fundit, me rrënimin e murit dhe me projektin e ri në Mitrovicë të veriut, është vetëm manipulim me opinionin, për të mbuluar zhvillimet tjera.

“Me ose pa mur, në një marrëveshje të nënshkruar nga Edita Tahiri (ministre për dialog e qeverisë së Kosovës) qarkullimi i automjeteve në veri bëhet i pamundur për shkak të sheshit ‘Mbreti Petër’. E dyta, me siguri edhe më e rëndësishmja, është ‘Zajednica’ ose Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i cili është synimi përfundimtar në kuadër të këtyre negociatave dhe i cili, gjithashtu, si synim është që të mbulohet me çështje tepër dytësore ose terciare në raport me rëndësinë që ka për sovranitetin e Kosovës, një projekt i tillë siç është ky i ‘Zajednicës’”, tha Çaushi.

Autoritetet e Kosovës patën reaguar ashpër pas ndërtimit të murit nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut, duke thënë se një gjë e tillë nuk ishte paraparë me marrëveshjen e Brukselit për rikonstruktimin e urës kryesore mbi lumin Ibër. Madje, Kuvendi i Kosovës, përmes një rezolute kishte kërkuar nga ekzekutivi që ta heq atë mur.

Heqja e murit ishte edhe kushti për zbatimin e marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilën opozita vazhdon ta kundërshtojë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Bie muri, ngrihet Asociacioni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT